• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vizita dhe dekorimet e Presidentit Meta në Amerikë janë një hap largpamës

June 20, 2022 by s p

Ervis Zholi/

Është fakt i pa mohueshëm se Presidenti në largim do të mbahet mend si një nga krerët e shtetit që ka lëshuar më shumë dekorata se asnjë paraardhës i tij në 30 vjitet e fundit.

Nëse dikush mbrapa tij në të ardhmen do të lëshojë më shumë se ai dekorata, përsëri z. Meta do të mbahet mend në historinë dhe jetëshkrimet e presidentëve si pioneri i parë që vendosi tullën e parë, në murin e vlerësimit të vlerave teknike apo aftësi të veçanta që gëzojnë njerëzit më të spikatur të shoqerisë shqiptare.

Të vlerësosh një sportist, aktor, inxhinier, të burgosur politik, apo aktivist të çdo fushe është gjëja më e mrekullueshme dhe një impresion e vlerësim i paharruar për cilindo që e merr këtë vlerësim në formë dekorate.

Është një event shumë pozitiv për individin e vlerësuar, por ky vlerësim në formë dekorate hap siparin dhe stimulon meritokracinë, konkurrencën dhe egon profesionale të individit dhe çon vetëm në progres shoqëror aq të dëshiruar për Shqiperinë tonë.

Por, në shoqërinë e shpartalluar, të lodhur e të raskapitur të tranzicionit shqiptar, ata që kanë paguar çmimin më të lartë është shtresa e inteligjencës së vendit.

Janë njerëzit më të aftë, teknikë që jo vetëm nuk i paguan dot shteti shqiptar për të përballuar jetesën në vendin e bërë “”ÇORAP”” dhe drejtuar pa asnjë filozofi, por në kaos total vendi vegjeton brenda termit të kapitalizmit ekstrem, ku realisht “”MONEY TALK”” dhe ku inteligjenca e profesionistevë teknikë vuan dyfish pasi është pjesa më e edukuar dhe pjesa më koshiente nga ana emocionale që kupton, por nuk flet dot për operacionet pa narkozë që bëhen në trupin dhe mendjen e shoqerisë shqiptare.

Pjesa më dramatike e panoramës social-politike është se gjithë transaksionet jetësore e shoqërore udhëhiqen e kontrollohen nga oligarkia anadollake, e cila ka njerën dorë plot me diploma të vjedhura, e tjetrën dorë në tendera, drogë, trafiqe e para të pista.

Mendoni dhjetra profesorë të strukur diku me pensione që nuk i’u sigurojnë dot dinjitetin, por kanë taksiratin të shohin televizioneve, studentët më të fëlliqur në karakter e dije, të drejtojnë ministri.

Mendoni dhjetra sportistë të shkëlqyer që tani nuk i kanë më as muskujt dhe as paratë se i’u ra fati të lindnin në këtë tokë që nuk rritë e vaditë dot më të mirin fidan.

Qendrojnë duke kujtuar kur turmat mijëshe i duartokisnin e çoheshin më këmbë qyteteve.

Mendoni gjenerata të tëra klerikesh të të gjitha besimeve, të cilet vdiqën në errësirën e burgjeve dhe para togave të pushkatimit, duke u lutur për begatimin e Shqipërisë dhe jo për fatin e tyre fizik.

E kështu mund të vazhdohet pa fund me shembuj nga çdo fushë e jetës ku mund të sjellësh histori me njerez të spikatur të pavlerësuar e të lënë pas në harresën e kohës.

Shoqëria shqiptare ka nevojë shumë të madhe të promovojë vlerat pozitive dhe ti ekspozojë ato me forcën më të madhe të mundshme pasi efektet negative tek rinia, e cila ka mbushur burgjet e Europës dhe degradimi i sistemit arsimor janë një fakt tashmë i pakundërshtushëm.

Do ti bënte nder dhe do ti sillte progres çdo shoqërie të qytetëruar vlerësimi në kohë i njerëzve të spikatur. Por, është nder dhe prestigj më i madh kur i dekoron e vlerëson virtytin dhe njeriun e mirë mbasi ka kaluar kohë dhe presidentë të tjerë e kanë bërë shumë pak dhe për ineres politik.

Vlerësimi nëpërmjet dekoratave të aktivistëve të spikatur të diasporës me rastin e 110 vjetorit të themelimit të ‘Vatrës’ në New York është një hap në drejtimin e duhur dhe ka për qëllim stimulimin dhe mbajtjen gjallë të vlerave më të mira patriotike për të ardhmen. Vetëm në këtë këndvështrim dhe me këtë optimizëm duhet parë.

Pa dyshim që xhelozia dhe egoja si dy virtyte jo domosdoshmërisht të këqija gjithmonë janë të kultivuara fort ndër shekuj në mentalitetin e popullit shqiptar, nuk do e lë të qetë atë kategori njerëzish që do të kritikojnë dhënien apo pse – dhënien emrave apo individëve të caktuar që janë përfshirë në keto lista. Pa asnjë diskutim që do të ketë emra jo të goditur, mbase që edhe mund të shmangeshin për një më të mirë si kandidat për dekorim, por më mirë të kemi një proces me gabime që mban gjallë shpresën dhe të përpiqemi të përmirësojmë kriteret e përzgjedhjes, se sa të ngelemi pa shpresë dhe pa një proces të promovimit të vlerave.

Filed Under: Analiza Tagged With: ervis zholi

Kthesë historike për Kosovën 19 Qershori 1998

June 20, 2022 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Në kohën kur Kosova ishte sulmuar nga brutaliteti i forcave serbe, duke vrarë dhe djegur shumë regjione si Drenicës dhe Dukagjinit dhe viset tjera të Kosovës gjatë verës së vitet 1998.

Krimineli Millosheviq i premtonte qeverisë ruse se do të zhdukte UÇK-në para se të fillojë negociatat me shqiptarët e Kosovës.

Më 19 qershor 1998, Këshilli për Siguri Kombëtare me prezencën e të gjithë përfaqësuesve të institucioneve të Qeverisë së SHBA-së, merr vendimin historik për UÇK-në që përfaqësuesit e saj të jenë pjesë e negociatave për statusin e Kosovës.

Me këtë vendim u njoftua edhe presidenti Ibrahim Rugova që në grupin negociator të Kosovës përfshihen edhe përfaqësuesit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim të qershorit, i dërguari amerikan për Kosovën Kristofer Hill kishte takim në Mali¬shevë me përfaqësuesit e UÇK-së dhe pas atij takimi, ishte ne linje direkt me përfaqësuesit e Këshillit për Siguri Kombëtare që ishin në takim në Uashington duke ju raportuar nga zonat e luftës në Kosovë.

Në takimin e 19 qershorit, Këshilli për Siguri Kombëtare i SHBA-së, në mes të shumë konkluzioneve për Kosovën, mori vendim që UÇK-ja duhet t’i ketë përfaqësuesit e vet, në negociatat e ardhshme për Kosovën, sepse, partitë aktuale në Pri¬shtinë nuk mund ta përfaqësojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në negociatat e ardhshëm për statusin politik të Kosovës.

Mos uniteti i faktorit politik shqiptar ishte shumë i papranueshëm edhe për përfaqësuesit e Qeverisë Ame¬ri¬kane që ishin të vendosura për zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve të Kosovës përballë Serbisë përkundër përpjekjeve e kishin po¬thuajse të pamundur ta detyronin që të tërhiqet nga Kosova.

Sllobodan Millosheviqi i kishte premtuar Rusisë se gjatë verës do ta shkatërronte UÇK-ë dhe ne vjeshtë do të fillojnë negociatat për një autonomi të Kosovës që nuk rrezikon sovranitetin e Serbisë në Kosovë.

Në këtë ditë të shënuar, ishte vendimtar presioni i SHBA-së që legjitimoi me qëndrim zyrtar UÇK-në në nivel ndërkombëtar.

Vendimi që të përfshihen përfaqësuesit politikë të UÇK-së në arritjen e paqes në Kosovë, ishte e arritur me domethënëse për të ardhmen e Kosovës.

Nga 19 qershori i vitit 1998, UÇK-ja ishte partner i ndërkombëtarëve që së bashku punuan për të arritur paqen në Kosovë.

Duke falënderuar vendosmërinë e diplomacisë amerikane që ishte e pa kompromis deri në tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, dhe pas çlirimit të Kosovës, UÇK ishte partner i besueshëm.

Gjurmët e krimeve dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, ishin në të gjithë Kosovën, andaj, argumenti i diplomacisë amerikane pro UÇK-së ishte tepër bindës dhe i qëndrueshëm, për të ndihmuar një popull të fitonte lirinë dhe shtetin.

Filed Under: Histori

LETRA / EDITH DURHAM NGA GRAND HOTEL (CETINJE) PËR GAZETËN KATOLIKE ANGLEZE “TABLET”: “EJANI DHE HETONI GJENDJEN E VËSHTIRË TË KRISHTERËVE NË VILAJETIN E SHKODRËS…”

June 20, 2022 by s p


Edith Durham (1863 – 1944)
Edith Durham (1863 – 1944)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Qershor 2022

“La Gazette de France” ka botuar, të mërkurën e 16 tetorit 1912, në ballinë, letrën e Edith Durham dërguar asokohe gazetës katolike angleze “Tablet” për të alarmuar mbi situatën e vështirë të krishterëve në vilajetin e Shkodrës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Situata e të krishterëve në Turqinë Europiane

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Tablet”, gazeta kryesore katolike angleze, botoi më 5 tetor letrën e mëposhtme të një protestanteje angleze, zonjës Edith Durham, e cila ka jetuar për shumë vite në Turqi :

Zotëri,

Pak kohë më parë ju botuat një artikull të zonjës Christitch (Kristiç) për katolikët në Turqi. Mund t’ju siguroj, pas një eksperience disavjeçare, se tabloja që ajo ju ka paraqitur për gjendjen e tyre është e lyer me ngjyra tepër rozë. Duke qenë se nuk jam vetë katolike, nuk e kam të lehtë të kontaktoj personat e interesuar që mund t’u vijnë në ndihmë këtyre popullatave fatkeqe, prandaj po ju bëj thirrje.

Në Shqipërinë veriore, ato janë në rrezik të madh për t’u dëbuar, vrarë ose detyruar nga fatkeqësia më mizore të bëhen muhamedanë (myslimanë). Gjendja e tyre ishte mjaft e vështirë para revolucionit turk (1908). Që atëherë, ajo është përkeqësuar çdo vit. Përballë shqiptarëve katolikë, sikundër gjithë nënshtetasve të tjerë fatkeq të krishterë të turqve, praktikohet politika e osmanizimit të detyruar.

Kjo shtyu popullsinë e dëshpëruar në revoltë. Verën e kaluar (1911) ata luftuan me guxim kundër forcave turke që i rrethuan. Presioni i Fuqive të Mëdha i detyroi ata të pranonin një traktat dhe për respektimin e këtij traktati fuqitë nuk dhanë garanci.

Për më tepër, nuk është thjesht nënshkrimi i këtij traktati të veçantë që është i nevojshëm për të siguruar paqen, sepse, në çdo detaj të jetës, katolikët vuajnë padrejtësi të pandërprera.

Xhandarët hyjnë në plantacionet e tyre, rrëmbejnë frutat e tyre, thyejnë pemët për të bërë dru zjarri. Ankesat për dëme priten me tallje. Në një proces gjyqësor midis një myslimani dhe një të krishteri, është shumë e rrallë që myslimani të shpallet përgjegjës. Nga ana tjetër, të krishterët arrestohen dhe burgosen pa gjyq me pretekstet më të kota.

Kur bëhet fjalë për mbledhjen e taksave, autoritetet lokale pothuajse kudo përpiqen të zhvatin nga të krishterët më shumë se sa pjesa e tyre e kontributit në shumat e taksuara.

Nëse të gjithë banorët mund të merrnin armë, ata do të kishin një shans të mirë për të fituar. Por Fuqitë e Mëdha, të cilat nuk kujdesen për mbrojtjen e tyre, i pengojnë me të gjitha mjetet e mundshme të blejnë armë kontrabandë dhe, në të njëjtën kohë, ua japin turqve duke thithur fitime të mëdha.

Unë nuk mund të tërheq vëmendjen tuaj në mënyrë të prerë për faktin se të ashtuquajturat shtete të krishtera dhe të qytetëruara të Evropës po ofrojnë tani fonde për blerjen e armëve që do të përdoren në këtë luftë shfarosjeje. Vetë popullatat e ndjejnë këtë shumë thellë dhe akuzojnë fuqitë se tani janë më barbare se turqit. Me pushkët e saj, qeveria armatos kështu popullsinë myslimane dhe i punëson si bashibozukë. Dhe, në të njëjtën kohë, posedimi i armëve është i ndaluar për të krishterët.

Për t’ju vërtetuar se termi “barbarë” nuk është shumë i fortë, dua t’ju jap disa detaje mbi ngjarjet e fundit. Në vilajetin e Shkodrës ndodhet një fshat, Reimeli (Hajmelit). Në fushën përreth Zadrimës ka fshatra të shpërndara, disa të krishterë, të tjerë muhamedanë (myslimanë). Gjatë gjithë dimrit të kaluar, të krishterët u sulmuan nga fqinjët e tyre të armatosur dhe, me aq sa mundën, ata blenë armë për mbrojtjen e tyre personale. Kohët e fundit popullsia e Reimelit (Hajmelit) u terrorizua dhe u pengua të punonte në arat e tyre. Guvernatori i Shkodrës dhe komandanti, Ali efendiu, i siguruan këta njerëz se nuk kishte asnjë rrezik dhe se mund të vazhdonin qetësisht punën e tyre. Dy ditë më vonë, natën e 5 shtatorit, mbërriti Ali efendiu me 1000 ushtarë dhe një numër të madh bashibozukës. Ata arrestuan 50 fshatarë në shtëpitë e tyre dhe u lidhën duart. 35 prej tyre i dërguan në garnizonin më të afërt nëpërmjet një eskorte ushtarake. Fjala për këtë sulm të paprovokuar dhe të pabesë u përhap dhe një grup të krishterësh nga Zadrima, të cilët posedonin armë, vendosën të përpiqeshin të shpëtonin fqinjët e tyre. Duke dëgjuar të shtënat e tyre, turqit masakruan 15 të burgosurit e lidhur, ua nxorën sytë, ua prenë këmbët dhe 4 prej tyre u çanë kafkat; lënduan rëndë një numër të madh personash të tjerë dhe vranë disa të moshuar në shtretërit e tyre. Më pas, pasi mbaruan veprën e gjakut, turqit u larguan. Ipeshkvi (prifti) i kësaj dioqeze që ndodhej në vend, dëshmoi vërtetësinë e të gjitha këtyre detajeve; doktori bëri të njëjtën gjë. Një nga të vrarët ishte shërbëtori i priftit.

Nga ana tjetër, më 2 shtator, 50 ushtarë dhe disa oficerë erdhën në fshatin e krishterë të Blinishtit dhe kërkuan ushqim dhe strehim. Kryeplaku i fshatit i priti në shtëpinë e tij, preu dy deshë dhe një lopë dhe gatoi posaçërisht për ta. Të nesërmen i thanë se, në cilësinë e shefit (kryeplakut), duhej t’i shoqëronte për një pjesë të udhëtimit. Sapo u larguan nga ky fshat, e kapën këtë njeri pa mosbesim, e lidhën, e çuan në Shkodër dhe e futën në burg, pa asnjë gjyq dhe padi. Më 7 shtator, e evakuuan trupin e tij dhe u konstatua se ai kishte marrë katër goditje me bajonetë nën syrin e majtë dhe në krahun e majtë dhe se koka i ishte mavijosur plotësisht. Trupi ishte në gjendje kalbëzimi. Ai jo vetëm që ishte vrarë në burg, por duket se autoritetet më pas e mbajtën trupin derisa ishte në një gjendje të tillë që ata besuan se më pas do të ishte varrosur pa u ekzaminuar.

Të krishterët e Zadrimës kanë ikur shumë herë nga fshati i tyre dhe kryeplaku (Mudiri) njofton se do t’i zëvendësojë ata me myslimanë të importuar.

Politika e importimit të myslimanëve në rrethet katolike dhe krijimit të fshatrave për ta po përhapet me shpejtësi.

Zotëri, ka misionarë trima katolikë që janë gati të hetojnë tmerret e Putumayo-s. Unë besoj se mes lexuesve tuaj do të gjendet gjithsesi një prift anglez që do të vijë dhe do të hetojë gjendjen e vilajetit të Shkodrës. (Atje shkohet duke u nisur nga Trieste me vaporët e Llojdit austriak dhe nuk duhet ngatërruar ky vilajet me Shkodrën e Kostandinopojës.) Kushdo që ndërmerr këtë udhëtim duhet të jetë në gjendje të flasë italisht, sepse është e vetmja gjuhë e Europës perëndimore që flitet nga kryepeshkopët, peshkopët dhe priftërinjtë, të cilët, pothuajse pa përjashtim, janë të gjithë shqiptarë.

Lutem, në emër të njerëzimit, që kjo thirrje të dëgjohet dhe dikush, ose më mirë, disa të vijnë e të shohin. Unë jam munduar të bëj më të mirën, por nuk mund të punoj vetëm.

Unë jam, etj.

(S.) Znj. Edith Durham,

Grand Hotel, Cetinje (Mal të Zi).

22 shtator 1912.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Filed Under: Rajon

GEZUAR FESTEN E BABAIT, NAUM PRIFTI!

June 20, 2022 by s p

Julika Prifti/

Sot ndihem e gëzuar që mund të ta uroj këtë ditë si bija jote por që kam pasur fatin të rritem edhe me një pjesë të krijesave të tua letrare të paharrueshme.
Një prej tyre është “Pika e Ujit” që feston 55 vjetorin e daljes së saj në jetë këtë vit.

Sa bukur t’i shpjegosh fëmijës tënd të vogël qarkullimin e ujit në natyrë përmes një përralle aq fantastike. “Pika e Ujit” u bë shumë e dashur për gjithë brezin tim të shokëve e shoqeve. Tek ajo shikonim shumë karakteristika të vetes sonë. Fustane të pastra, shëtitje të gjata, kuriozitet të pashuar, pyetje pa mbarim, mbajtja në mendje të këshillave të mamasë…
Pika e Ujit mbetet e dashur dhe e veçantë edhe për tërë brezat e fëmijëve sepse tema e saj është e gjithkohshme. Pas botimit të saj, “Pika e Ujit” u bë edhe më e njohur si film vizatimor nga “Kinostudioja e Re” me skenar të Naum Priftit, regjia Bujar Kapexhiu, piktor Vlash Droboniku, operator Tomi Vaso, kompositor Ferdinand Deda, operator zëri Fahri Jukni, montazhi Elsa Bushati. Suksesi i saj qe i menjëhershëm dhe u vlerësua me medaljen e çmimit të parë në Festivalin e filmit shqiptar të vitit 1977.    

Sa vende të botës kanë një përrallë të tillë si Pika e Ujit për t’u  shpjequar fëmijëve një fenomen të natyrës? Për t’i njohur ata me bukuritë e natyrën fizike të atdheut të tyre? Sa bukur të mësosh diturinë e natyrës përmes një përralle! Çfarë fati për fëmijët shqiptarë në atdhe e jashtë tij!

Të falenderoj që na e bëre fëmijërinë aq të bukur edhe në një kohë shumë të rëndë në  Shqipëri. E ndiej se sot së  bashku me mua, me dashuri e adhurim, ta urojnë festën e babait edhe qindra e qindra personazhe si “Pika e Ujit” që ti i solle në jetë me krijimtarinë  tënde.

Filed Under: ESSE

SHOQATA E INTELEKTUALËVE “TROJET E ARBËRIT” ME SUKSESES I PËRMBYLLI TË TRE SESIONET SHKENCORE PËR MUSTAFA KRUJËN, MONS. DR. ZEF OROSHIN DHE KAPIDAN MARK GJON MARKUN

June 20, 2022 by s p


Shkruan: Lekë Mrijaj/


Shoqata e Intelektualëve “Trojet e Arbërit” tash e mbi 18 vjet me radhë i përbër nga një këshili organizativ profesionalësh e intelektualësh për ndriçimin e historisë shqiptare. Si shoqatë deri me 14 qershor 2022, ka mbajtur aktivitete të ndryshme shkencore të nivelit Kombëtar dhe kulturor në Hamburg, Prizren, Shkodër, Klinë, Rreshen, Istog, Ferizaj, Kukës, Prizren, Shkup, Krujë, Gjakovë, Kllokot(Viti), Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Prishtinë, Gjenevë, Berlin, Aschafenburg, Bruksel, Soloturn, Kiel, Gjakovë, Skenderaj, Lezhë etj., e qe ka realizuar projekte kapitale kombëtare e kulturore njëkohësisht ka botuar afro 20 përmbledhje shkencore librash prej mbi 350 studiuesish. 

Ky rrugëtim edhe përkundër natyrave tjera është duke ndjekur rrugën shkencore, misionin dhe vizionin historik për bashkimin e Trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët në Shqipërinë Etnike.

Ndaj edhe me datën 12 qershor 2022, në ambientet e hotel “Luxori” pikërisht në Prizrenin e Besëlidhjes Shqiptare, është mbajtur Sesioni shkencor dedikuar firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë dhe Kryeministrit të Shqipërisë Etnike Mustafa Kruja. Njëkohësisht është trajtue tema: “Personaliteti shumplanësh i Mustafa Kruja dhe ndihmesa e tij themelore në jetën kulturore e politike të kombit shqiptarë me rastin e 135 vjetorit të lindjes (1887-2022)”. Organizimi në fjalë i Sesionit është realizuar nën patronatin e Shoqatës së Intelektualëve ” Trojet e Arbërit” e cila kryesohet nga mr. sc. Nue Oroshi, kryetar dhe bashpuntorët e tij profesional, intelektual, krijues e studiues të lartë shkencor nga Kosova, Shqipëria dhe mergata shqiptare. 

Ishte moderatorja znj/ Arbreshë Morina, cila e hapi Sesionin shkencor ndaj e i ftoj të pranishmit qe në shenjë nderi ta nderojnë himnin e flamurit kombëtar. Në vazhdim nga Fatime Kalimashi është deklamuar një recital poetik i Ernest Koliqit me titull: “Kanga e Kapidan Markut”. Fjalën e hapjes s’bashku me kumtesën e tij e bëri, z. Eugen Merlika (nipi i Mustafa Merlika Kruja).

Me këngën “Thërret Prizreni mori Shkodër”, e rapsodit të mirënjohur, Mirak Ukaj është mbyll pjesa solemne e cila menjiherë i dha hapsirë referuesve për pjesën shkencore. Në këtë Sesion pjesëmarrës ishin edhe shumë studiues të cilët u paraqitën me kumtesat e tyre para audiencës dhe bashkolegëve të tyre studiues siq ishin:

Prof. Nexhmedin Spahiu me temën: “MUSTAFA KRUJA FIGURË E NDRITUR INTELEKTUALE DHE E PJEKUR DHE E PJEKUR POLITIKE E SHEK. XX,
2. DR. SC. QERIM LITA: “MUSTAFA KRUJA DHE TOKAT E LIRUARA”,
3. TOMË MRIJAJ: “DRITË FRAGMENTALE E JETËS DHE VEPRIMTARISË PATRIOTIKE DHE ENCIKLOPEDIKE E BURRSHTETASIT MUSTAFA MERLIKA KRUJA”, 4. DR. BESIM MORINA: “MUSTAFA MERLIKA KRUJA POLITIKANI I SHQUAR DHE NËNSHKRUESI I PAVARSISË SË SHQIPËRISË”, 5. FAZLI HAJRIZI: “PERSONALITETI I MUSTAFA KRUJËS NË DRITËN E LETËRKËMBIMEVE”, 6. DR. ZOG ÇOÇAJ: “KONTRIBUTI I MUSTAFA KRUJËS PËR KOSOVËN”, 7. MR.SC. NUE OROSHI: “LETËRKËMBIMET NË MES TË MUSTAFA MERLIKA KRUJES DHE KAPEDANËVE TË MIRDITËS GJON MARKA GJONI DHE VËLLEZËRVE MARK DHE NUE GJON MARKU” etj. Që të gjithë këta studiues shkencore të cilet morën pjesë në këtë Sesion përmes kumtesave të tyre lapidare dhanë një kontribut të çmuar karshi Kryeministrit të Shqiperisë Etnike, Mustafa Kruja. Sesioni shkencor është përcjellë edhe nga korospodenti i Zërit të Amerikës, Beqir Sina. Krejt në fund, Sessionin e sotëm shkencor, suksesshem e shpalli të mbyllur studiuesi i mirënjohur dhe intelektuali, z. Tomë Mrijaj i cil tha: Sesioni i 21-të Shkencor me titull: “Personaliteti  shumëplanësh i Mustafa Merlika-Krujës dhe ndihmesa e tij themelore në jetën kulturore e politike të kombit shqiptar” (Me rastin e 135-vjetorit të lindjes), kushtuar figurës së burrshtetit të madh Mustafa Merlika – Kruja, i përfundoi me sukses punimet sot në Prizrenin, me emër të madh në historinë mbarëkombëtare shqiptare, qytetin legjendar, që njihet nga të gjithë shqiptarët si kryeqyteti i Shqipërisë Etnike.  Në këtë truall të qytetit të famshëm historik janë shënuar data, ngjarje dhe kanë dalë në pah figurat e shquara të lëvizjes mbarëkombëtare shqiptare, patriotë, që i shërbyen atdheut tonë në këndvështrime të ndryshme historike, politike, patriotike, kulturore etj. Me këto motive dhe qëllime fisnike shqiptare, ka spikatur edhe figura poliedrike e patriotit të shquar Mustafa Merlika – Kruja, i cili, gjithë jetën me mendje, pend dhe shpirt atdhetari ia kushtoi çështje së shtrenjtë të trojeve etnike shqiptare dhe në veçanti ai spikati në Kosovën legjendare dhe nënën Shqipëri, e cila ka kaluar rrugë të vështira me humbje dhe fitore gjatë shekujve plot tallaze. Ne jemi sot krenar, se jemi këtu në Prizrenin historik, ku Shoqata “Trojet e Arbërit”, përkujtoi me nderim dhe respekt të thellë (sikurse më parë shumë personalitete të tjera të lënë në pluhurin e harresë) burrshtetasin e shquar, intelektualin brilant dhe erudit Mustafa Merlika – Kruja, të harruar dhe përbaltur me qëllim pa të drejtë për 50 vjet nga diktatura dhe regjimi i egër ateisto-komunist i Enver Hoxhës. Për më tepër duhet theksuar, se historia jonë shqiptare e periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe regjimeve komuniste të mbas luftës (1944-2022), është pjesa më e shtrembëruar dhe e përbaltur brutalisht pa të drejtë ndaj figurave të shquara të nacionalizmit dhe patriotizmit shqiptar, të cilat fatkeqsisht i mungojnë sot shkencës së post-komuniste historike shqiptare.Eruditi brilant Kruja, ishte një figurë e veçantë e historisë shqiptare të shekullit 20-të, si përfaqësues i Krujës së Skënderbeut në Kuvendin e Vlorës më 28 nëndor 1912; deputetit të palodhur dhe krenar të Kosovës në Parlamentin e parë të Shqipërisë së Pavarur; mikut të ngushtë dhe të përjetshëm të Kosovës kreshnike dhe martire; Kryeministrit të Shqipërisë etnike, gjuhëtarit brilant, historianit të palodhur dhe kualitativ; publiçistit dhe politikanit patriot, Mustafa Merlika – Kruja. Në këtë ditë të shenuar ligjeruesit serioz në bazë të hulumtimeve disa vjeçare, me kujdes dhe përkushtim njeri mbas tjetrit mbajtën kumtesat e tyre historike të spikatura, ku dora-dorës nxorën në dritë për herë të parë aspekte të rëndishme të jetës dhe veprimtarisë së madhe në shumë këndvështrime të personalitetit dhe patriotit të shquar Mustafa Merlika – Kruja. Duke e parë në një këndvështrim të ri këtë Sesion Shkencor dhe Historik, mendoj se nisma dhe realizmi i këtij misioni fisnik dhe patriot mbi përkujtimin e figurës së Mustafa Merlika – Kruja, përben sot padyshim aspektin dhe pikën më kulminate të vlerësimit të drejtë të gjithçkaje, që ky personalitet mbarëshqiptar ka bërë për Atdheun dhe trojet etnike shqiptare, të cilat i donte dhe ëndrronte të ishin të bashkuar, në një sofër të vetme rreth nënës Shqipëri.  Me të drejtë nipi i tij studiuesi ynë bashkëkohorë Eugjen Merlika, citon në Fjalën Hyrëse të këtij sesioni shkencorë, se: “Në këtë kontekst figura e Mustafa Krujës ka qënë njëra ndër më të luftuarat e më të prozhmuarat të elitës kulturore e politike, nga ana e Shqipërisë komuniste. Sot, në këtë ditë, të gjithë ne, nëpërmjet syzimeve tona, me objektivitetin e gjykatësit të paanshëm, me vullnetin e përkushtimin e studjuesit të ndershëm intelektualisht e të aftë profesionalisht, do të flasim për jetën e veprimtarinë e Mustafa Krujës, si një personaliteti të historisë sonë politike e kulturore, duke përimtuar qëndrimet e veprat e tij, në faza të ndryshme të ngjarjeve, që kanë përshkuar jetën e kombit në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë.” Tashmë të gjithë, që jemi të mbledhur në këtë auditor e dijmë se historia është ajo që shkruhet. Mendoj, se një nga meritat më të maëdha të projektit të Shoqatës Trojet e Arbërit, janë botimet e vijueshme të materialeve studimore dhe burimore historike, pra botimi i plotë i të gjithë kumtesave shkencore të ligjeruesve, duke i bërë nder historisë së trojetve shqiptare, ku pasurojmë në këtë mënyrë bilbliotekat mbarëkombëtare shqiptare. Kjo për fat të mirë, përbën një nga meritat kryesore më të mëdha dhe konkrete të organizatorëve dhe drejtuesve të Shoqatës “Trojet e Arbërit”, tubime të cilat janë mbajtur dhe publikuar nga ky grupim i nderuar i intelektualëve të gjithë trojeve tona.

Ndërsa të nesermën apo me 13 qershor 2022, Shoqata e Intelektualëve ” Trojet e Arbrit ” mbajti Sesionin tjetër me radhë në Lezhë. Ky Sesion shkencor mons.dr Zef Oroshit, është mbajtur në sallën moderne të konferencave te Hotel “Lisus” ne Lezhë. Sesion dedikuar mons.dr. Zef Oroshit, i cili ishte Themeluesi i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York njëkohësisht ishte një poliglot e udhëheqës i luftetarve të maleve me emrin Rozafati qe luftonte për të drejtat dhe çlirimin e Shqipërisë kundrejt hordhive komuniste enveriane.  Ishte moderatorja studentja znj/sha Foniqi, e cili e hapi Sessionin shkencor ndaj i ftoj të pranishmit qe në shënjë nderi ta nderojnë himnin e flamurit kombëtar. Në vazhdim ishte një deklamim poetik nga Martin Dedaj…

Paraprakisht me fjalë përshëndetëse në emër të familjes së mons. dr.Zef Oroshit e bëri, studenti Ervis Prendi. Kënga : “Thrret Prizreni mori Shkodër ” – kënduar nga Mirak Ukaj ishte pjesë e kesaj ngjarje.

 Kjo  ngjarje madheshtore qe drejtohej nga mr. sci. Nue Oroshi, kryetar i “Trojeve të Arbërit” , morën pjesë edhe shumë mysafirë, klerikë, studiues dhe historian, publicist si dhe biografi dhe miku me i afert i mons. dr. Zef Oroshit, nga Nju Jorku, z. Tome Mrijaj i cili e bëri fjalën e hapjës me këto fjalë: Në fillim dua të falënderoj Kryesinë e Shoqatës sonë, të cilët me nderuan shumë, duke më lënë të bëj hapjen e këtij Sesioni Shkencorë kushtuar figurës së shquar të klerikut katolik mons. dr. Zef Oroshit.  Shoqata “Trojet e Arbërit”, sot po ia kthen një borxh të vogël një meshtari të madh, që gjithë jetën ia kushtoi trinomit: Fe-Atdhe-Perparim. Në mënyrë telegrafike po bëj një parakalim të shpejtë të jetës së meshtarit tonë ndër vite plot fitore dhe suksese, në të mirë të trojet shqiptare për shumë dekada. Një ndër meshtarët e kohës dom Engjell Serreqi S.J., që ishte meshtarë në Mirditë, dhe njëkohsisht ish pjesëtarë i Kuvendit të Jezuitëve në qytetit e Shkodrës, kishte venë re qysh heret zgjuarësinë dhe talentit e Oroshit, qysh kur ai ishte në shkollë fillore. Më vonë, ai u interesua shumë për këtë të ri, dhe personalisht e dergon në qytetitn e Shkodrës, ku e regjistron në Seminarin e Kolegjit Pontifikal. Studenti i ri i teologjisë dom Zef Oroshi, mbasi përfundon me shumë sukses studimet e larta shugurohet si meshtar në Romë të Italisë në vitin 1940. Bariu ynë po atë vit kthehet në vendlindje e tij Mirditë, që e deshti shumë. Abati i Mirditës imzot Frano Gjini asokohe, i cili ishte mirëinformuar nga shumë meshtarë të dioçezave të Mirditës për të riun meshtarë dom Zef Oroshin, si një njeri me kulturë bashkëkohore dhe shumë i përgatirur. Abati i Mirditës imzot Frano Gjini, për të rritur cilësinë intelektuale të Abacisë së vet, me njerëz energjik dhe të shkolluar me dituri bashkëkohore e emëron menjëherë meshtarin e  ri dom Zef Oroshin si Sekretar dhe këshilltar të Abacisë së Mirditës (në ditët tona kjo detyrë është e barabartë me detyrën e Vikarit të Përgjithshëm, shënimi im T. M.),  dhe meshtarë në kishën e Shën Kollit në Spaç të Mirditës. Duhet thënë, se limani i fundit ku meshtari i ri Oroshi jetoi dhe veproi si bari shpirtëror për grigjën e vet mirditas, ishte kisha e shën Magdalenës në Ungrej të Mirditës dhe ku ai rrethohet nga forcat ushtarake komuniste. Meshtari asokohe po thoshte meshën e së dilës për besimtarëte e vet. Kisha, ishte e rrethuar nga forcat e sigurimit komunist, të cilët kontrollonin lëvizjet e të gjithë njerezve, që hynin dhe dilnin në kishë. Fatmirësisht, ai i shpetoi rrethimit dhe iku në drejtim të maleve të Mirditës…. Dom Oroshi qëndron për 8 muaj në malet e Mirditës, duke qenë komandant i forcave nacionaliste dhe njëherazi si atë shpirtëror, duke rritur lart moralin e nacionalistëve patriotë, që me armë në dorë po luftonin kundër komunizmit të zi, që kishte pushtuar vendin e shqiponjave.  Në esencën e jetës së meshtarit Oroshi, ishte se themelet e shëndoshta atdhetare dhe fetare bariu ynë nacionalist i vuri në truallin e njohur për fe e atdhe më Mirditën e tij, për t’i vazhduar më vonë edhe më me intensitet dhe lartësi të mëdha në kontinentin e largët të Amerikës së Veriut, ku kulmoi në nivele të reja si një ndër përsonalitet më të shquara atdhetare dhe fetare, në tokën e bekuar të SHBA-së, duke themeluar kështu Kishën e Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë”  në Bronx, New York, e cila sot vijon me emrin Zoja e Shkodrës, në Hartsdale NY.Në lidhje me ketë çështje shumë të rëndsishme të histrisë së klerikut katolik mons. dr. Zef Oroshit në Shqipëri deri më sot nuk është bërë asnjë hulumtim dhe studim serioz, kur dihet se për këtë figurë në Arkivin Qendror të Shtetit në Shqipëri ka me qindra dhe mijëra dokumente, që i përkasin viteve 1945-1989 dhe vazhdimisht është shkruar zi e më zi për meshtarin tonë. Mbi veprimtarinë e tij aktive, gjatë periudhës që ishte në emigracion në Europë dhe SHBA, meshtari Oroshi e la të dokumentuar nëpër shumë revista dhe gazeta të botës shqiptare në diasporë dhe posaçërisht në revistën kulturore fetare “Jeta Katolike” (1966-1989) e themeluar dhe drejtuar nga vetë ai. Unë nga zemra, ftoj të gjithë ata dashamirë të historisë dhe kulturës shqiptare, që duan të hulumtojnë dhe botojnë punimet e tyre serioze historike mbi jetën dhe veprën e meshtarit të shquar mons. dr. Zef Oroshit, për ato 11 vite të pandriçuara në vendlidjen e tij në Mirditë, unë ua mundsoj botimin e librave të tuaja.   Ndërsa në vazhdim tha se në një shkrim analitik me titull: “Homazh për Monsinjor dr. Zef Oroshin”, autori Bep Kuqani me banim në SHBA, ish i burgosur politik në kohën e rregjimit komunist në Shqipëri, në lidhje me monografinë time kushtuar: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi një jetë e shkrirë për fe e atdhe” (Shkodër, 2009), në përkujtim të 20-vjetorit të kalimit në amshim, ndër të tjera, ai shkruan me hollësi disa detaje të rëndsishme të veprimtarisë patriotike me pushkë në dorë të meshtarit antikomunist dom Zef Oroshi. Ai, kujton: “…E tash në lidhje me nji shënim të Z. Ndue Melyshi, citue në faqen 53, ku thuhet: “Meqenëse ishte Komitet klandestin, nuk mund të zgjidhej kryetari me vota të lira të popullit, prandaj antart në brendësine e Komitetit caktojshin nji kryetar…”, dishroj të plotësoj këtë mendim, tue shtue, se ne “brendësinë e këtij Komiteti”, kje zgjedhë si Kryetar Dom Zef Oroshi dhe Sekretar Jak Perjaku, i cili, kje vra në mal, në përpjekje me forcat e ndjekjes të Sigurimit. Këtë ma ka thanë përveç të tjerëve, që do t’i permendi ma poshtë, edhe vetë i vëllai: Gjon Perjaku, që u kap n’atë përpjekje, i plagosun randë dhe me të cilin kam ndejtë në burgun e Burrelit. (Deri në vitin 2005, ka kenë gjallë e shndosh, që e kam takue në Shkodër dhe uroj që të jetë edhe tash po ashtu). Veç kësaj, kam pasë rastë me njohë personalisht edhe katër antarë të këtij Komiteti, nga të cilët per Karlo Çobën, avokat, i biri i Ndoc Çobës, që ka kenë Kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe Sulë Hafizin, Kryemyfti i Lezhës, nuk ekam ditë se ka kenë Antar i Komitetit të Maleve; ndërsa për Haki Bushatin, i vëllai i ish – Kryemninistrit Maliq Bushati, që u pushkatue bashkë me At Anton Harapin O.F.M. dhe Lef Nosin dhe Ndrek Kakarriqin e kam dijtë dhe, edhe këta më kanë thanë se “kena pasë për Kryetar Dom Zef Oroshin”.   …Për Dom Zef Oroshin, duhet dijtë edhe kjo: Qysh nga dita e arratisjes, që hoqi veladonin e doli në mal, e deri që iku në Jugosllavi, banorët e Mirditës dhe të malësisë së Lezhës e kanë njohë ma fort se prift, si Kryetar të Komitetit të Maleve, si organizator i “Çetave të Shpagimit”, si luftëtar shumë trim dhe si antokomunist i vendosun.Kam mendimin, se këtë anë të aktivitetit të tij antikomunist në malet e Mirditës, nuk ka dashtë me e ekspozue para publikut shqiptaro-amerikan kjoftë për modesti, kjoftë edhe pse nuk perputhej me veladonin e nji prifti dhe këte e ka mbajtë të mbyllun vetëm mbrenda nji rrethi shumë të ngushtë bashkëluftarësh, ku me siguri duhet të ketë kenë edhe Z. Ndue Mëlyshi. Por kjo nuk ia ulë aspak vlerën, sepse nuk asht i pari prift shqiptar, që ka luftue me armë në dorë kundër anmiqve të vendit dhe të fesë.” (Bep Kuqani, White Plains, New York).  Një mëngjes të bukur pranvere, në muajin e luleve shumëngjyrëshe të majit të vitit 1982, së bashku me imzot Oroshin, prof. Zef V. Nekën, udhëtuam me makinë nga New York në Boston, Massachusetts, për të takuar disa miq të vjetër vatranë, e posaçërisht biznesmenin e suksesshëm dr. Anthony Athanas. Dy profesorët, Oroshi dhe Neka, ishin ulur në ndenjësen mbrapa dhe po kuvendonin shtruar, ndërsa unë atë ditë isha shoferi i tyre. Pas një pauze dhe me natyrën e qetë, që e pushtonte, kur binte fjala për artin dhe letërsinë shqipe, Imzoti, i zhytur thellë në mendime për temën që po diskutonin, i përgjigjet shkurt e saktë bashkëbiseduesit: “Atë e kam mendue edhe vetë. Koha, mik i dashtun, nuk kam shumë kohë të lirë për ta rimarrë “Çohajen” në dorë punimin tim modest.” Sërish prof. Neka, që ishte shumë i impresionuar nga “Çohaja”, i drejtohet autorit: “Sa bukur e keni thurur. Përshkrimet tuaja mbresëlanse më kanë tërheq për forcën e pendës në përshkrim.  Unë kam kja si fëmi për atë vend, që po e dëshirojmë për së gjalli. Ndoshta, ai regjim i djallit nuk do të na japë mundësinë të kthehemi e të çmallemi me truallin dhe familjet tona, se çdo ditë po plakemi.”Shkrimtari Oroshi, iu përgjigj: “Fajin e kemi vet, e ma së shumti na klerikët, që qendrum pasiv e nuk e organizuem popullin, që t’ngrihej në kamb i madh e i vogël, në Veri e Jug të Shqipnisë, si ortek i madh bore e t’luftonte atë murtaj, që na shkatërroj n’temel.”Profesori, që po e dëgjonte me vemendje të madhe, u kthye nga Monsinjori dhe me një shikim qortues, por dhe me humor të lehtë, shtoi: “I dashtun mons. Zef! Tash, nuk je tuj folë si meshtar. Krishti, ka thanë: “Nëse dikush të bjen në njenen faqe, ktheja edhe tjetren.”Oroshi, sqaron prof. Nekën, me një idhnim të thellë për komunizmin në Shqipëri, duke thënë: “Jo more Zef i dashtun, Krishti nuk e ka thanë se, nëse e ke lexue me kujdes pjesën, kur Krishtit i shkuen për t’ba tregti në Shtpinë e Zotit, ai e rroku kamxhikun e i mori përpara me fshikullim të gjithë…  Djalli i mallkum shfrytëzoi mirësinë e profesionin tonë. I përdori edhe prifnit me djallzi, që t’i dorëzojnë burrat ma të mirë në besë të Zotit. Po ku ka besë djalli i mallkum!? Na klerikët në Mirditë nuk punuem shumë për organizmin e popullit, kundër kuçedrës komuniste, që nuk njeh as fe as atdhe. Ky asht faji jonë, duem apo nuk duem na me e pranue.  Kur Kapidani Mark Gjomarku i priu popullit me gjoks, kundër asaj mortaje të përbindshme, ishte dasht që edhe na klerikët, të tanë bashk, me e ndihmue në rrugën fisnike qëllimmir, për çlirimin e Atdheut nga komunizmi bolshevik. Prandej jemi, ku jemi tash…!?” Monsinjor Oroshi, fliste me qetësi dhe gjithë që ishim të pranishëm në makinë e dëgjonin me shumë vemendje. Ndër të tjera, ai tregoi një episod historik të përjetuar:

“Më kujtohet një rast në Abaci të Mirditës, ku ishim fut thellë në bisedë me Abatin mons. Frano Gjinin (1886-1948), për ato ditë të zymta, që ishim tuj perjetue: të zente terri e s’dijshim a të çel nadja. Ashtu siç ishim në dritë të qirit, sa kishte ra terri i mramjes, papritur u dëgjuen dy trokitje të lehta në derë. Menjiherë u ngrita dhe hapa derën. Aty shoh Kapidan Llesh Gjonmarkun vetë të tretin. U them urdhnoni e hyni brenda dhe mirë se ju ka prue Zoti. Kapidani i porositi dy shoqnuesit e tij të qëndrojnë tek dera dhe vetë hyni brenda. Ai u përshëndet me Abatin Frano Gjinin, tuj i thanë: “Abat, unë kam ardh me ju thanë se situata këtu me këto bisha të egra komuniste, që nuk njohin fe as atdhe, nuk asht e mirë dhe po druj se mos po ju ndodh ndonji e papritur këtu në Mirditën tonë. Na, me nacionalistët anti komunist të maleve, kemi mundsi që t’ju largojmë shndosh e mirë përkohsisht jashtë vendit, sa ta çlirojmë vendin nga komunistët, na prap ju kthejmë këtu në Abaci.  Abat Gjini nuk iu përgjigj pyetjes së Kapidanit, por vetëm si shej falenderimit i buzqeshi lehtë.  Kapidani u ngrit në kamb, i shtrengoj dorën Abatit tonë, tuj i thanë, se brenda tre ditëve do të vijmë prap t’ju takojmë. Këto ditë rrini të qetë, se na keni ketu rrotull dhe e vezhgojmë me shumë kujdes situaten.  E përcolla deri në oborr Kapidanin dhe shoqnuesit e tij, tuj u dhanë bekimin tim. Mbas atyne fjalëve të Kapidanit, u ktheva i gëzueshëm në çelë, ku i them Abatit, se unë po e shoh fitoren kundrejt kësaj mortaje.  Dhe Abati, me një qetësi karakteristike mu drejtue me këto fjalë: “Dom Zef, për Kapidanin edhe vdekja asht fitore. Ky ka vendos të luftoj deri në frymën e fundit. Zoti ju ndihmoftë këtyne trimave të lirisë, që po sakrifikojnë rininë e tyne.” Unë prap i drejtohem Abat Gjinit, se Kapidan Llesh (Aleksander) Gjonmarku e pat mirë që ju tha të largoheni nga Shqipnia, se komunizmi ka vendos me na vra të tanve. Por Abati i ynë, tha se nuk mendoj të largohem nga Shqipnia dhe që as më takon mue në ketë moshë si zot shtëpie që ta la Mirditen dhe grigjen vetëm në këto ditë të vështira për të gjithë ne.  ime asht pë ju të rijt dom Zef, që jeni të zot ti përballoni jetës së malit dhe klimës së ashpër të malëve tona me bor dhe acar. Ju duhet të largoheni dom Zef, sepse komunizmi e ka marrë të gjith vendin dhe po ban krime të përbindshme mbi popullin shqiptar dhe klerin katolik.  i madh e din se sa ka me zgjat kjo mortaje komuniste në trojet tona. Ju duhet të largoheni për ti dëshmue botës krimet që janë ba në tokën tonë martire. Detyra e juaj asht që nji ditë të riktheheni në trojet e Arbrit, në Mirditën legjendare, ma të përgatitun që t’i ndërtoni nga themelet rrënojat, që po ban çdo ditë komunizmi i zi. 

Ju duhet me ba presion ne vendet perendimore, ku ju do të jetoni, që të rrëzohet komunizmi tek na. Tregoni botës së shqiptarët nuk e duan këtë rregjim gjakpirës bolshevik rus…”Monsinjori e kreu me sukses porosine e Abatit të Mirditës. Tha në fund të fjalës së tij të hapjës, studiuesi Tomë Mrijaj. 

Njëkohësisht morën pjesë dhe me nga një fjalë rasti janë paraqitur, dom Anton Kçira e studiuesi dom Nikë Ukgjini (i cili është edhe nismëtar për vëndosjën e bustit të dom Zefit në Lezhë) si dhe kryetari i Lezhës, z. Pjerin Ndreu, i cili veq tjerash edhe e përshëndeti me një fjalë rasti veprimtarin në fjalë të organizuar, duke kujtuar Mons. Zef Oroshi, themeluesi i bashkësisë së parë katolike shqiptare në SHBA . 

Pjesa Shkencore vazhdoj me kumtesat tjera shkencore nga studiuesit:
1. Studiuesi, Eugjen Merlika lexoi kumtesen e tij : ” Dom Zef Oroshi – Xixëllonja ndriçuese në errësirën shqiptare ” ,  2. Artan Lleshi – Gjokmarkaj : ” Imzot Zef Oroshi – Krahu i djathtë i Kapidanëve të Mirditës në rezistencën antikomuniste”
3. Tomë Mrijaj : ” Trashëgimia shpirtërore e monsinior dr . Zef Oroshit (1912-1989) “. 4. Nue oroshi: ” Monsinior Zef Oroshi – Komandant i luftës antikomuniste në Mirditë pas vrasjes se Kapidan Mark Gjo Markut”,
5. Artan Llesh Gjomarkaj” . 6. Dr.sc. Besim Morina : ” Kontributi fetar i Monsinior Zef Oroshit në Amerikë ” . 7. Avokat Ndre Molla: ” Veprimtaria antikomuniste e Monsinior dr Zef Oroshit”  8. Beqir Sina : ” Monsinior Zef Oroshi grida e priftit shembullor,intelektual e atdhetar me shpirt e zemër të madhe në mërgatën shqiptare në Amerikë”. 9. Lekë Mrijaj: ” Monsinior dr. Zef Oroshi një portret i cili do të mbetët model ideali e përjetësie për tu ndjekur nga brezat e rinj ” .
10. Prof. Pjetër Marku : ” Veprimtaria e Monsinior Zef Oroshit në Shqipëri “.
11. Pjetër Nikolla : ” Kontributi i Monsinior dr.Zef Oroshit dhe klerikëve tjerë dhënë kulturës shqiptare shërbeu si urë lidhëse me botën perëndimore ” .
13. Avokat Gjovalin Ndokaj: ” Përsekutimi i familjes se monsinior Zef Oroshit në Shqipëri”. 14. Mr.sc.Rezehana Hysa : ” Mendime mbi librin e studiuesit Tomë Mrijaj për biografinë e Monsinior.dr.Zef Oroshit “.

Paraprakisht para përfundimit të Sesionit, z. Tomë Mrijaj i ftoj studiuesit të hulumtojnë dhe gjurmojnë për veprimtarin e mons. dr. Zef Oroshit, pra të gjithë ata qe japin dhe përmbledhin deshmi dhe opinione për mons. Zefin, ai, përsonalisht me mjete të tija financiare do të jua botoj librin e tyre tha në fund të fjalës, z. Tomë Mrijaj. 

Simpoziumi është mbyll me fjalen e Kryetarit të kësaj shoqate, Mrsc Nue Oroshi i cili i ftoj të pranishmit për një koktel rasti. 

Pas përfundimit të Sesionit një delegacion i “Trojeve të Arbërit” qe kryesohej nga Tomë Mrijaj (i cili i parapriu delegacionit me një buçet lulesh të freskëta)” në përcjellje të referuesve shkencor,si dhe miq dhe familjarë të mons. dr. Zef Oroshit, të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të mons. Oroshit, bust i cili është inauguruar muaj me parë në Lezhë. 

Shoqata e Intelektualëve ” Trojet e Arbërit ” organizoi një Akademi tjetër përkujtimore me rastin e 76 – vjetorit të vrasjes se komandantit legjendar të Shqipërisë Etnike Kapidan dr. Mark Gjon Marku, duke përmbyllur ditën e tretë të “Trojeve të Arbërit” e cila është mbajtur në Qëndren Kulturore për Fëmijë “Gjergj Lacaj” në Lezhë. Morën pjesë shumë personalitete nga Lezha, Mirdita, Shqipëria, Kosova, mergata dhe mbarë viset shqiptare.

Në vazhdim Martin Dedaj, deklamoj një prozë të Ernest Koliqit: ” Kanga e Kapidan Markut ” .

Fjalën e hapjes e bëri znj/sha Eugena Gjokaj, ndërsa fjalën hyrëse e bëri r.sc.Nue Oroshi, ndërsa me fjalën përshëndetëse në emër të familjes se Kapidan Mark Gjon Markut – i takoi pinjollit të familjes së kapedanit të Mirditës – intelektualit Artan Lleshi -Gjomarkaj. Ishte kënga mbresëlēnëse : ” Thrret Prizreni mori Shkodër ” – kënduar Mirak Ukaj nga Gjermania ardhur enkas për këto aktivitetet të organizuara nga “Trojet e Arbërit”. 

Në përfundim të kësaj akademie u njoftua për caktimin e një Grupi punues për grumbullimin e materialeve për përgatitjen e Enciklopedisë së krimeve grup i cili krysohet nga Artan Lleshi Gjomarkaj. 

Panelistet në fjalë reflektuan edhe në pjesën shkencore:

Eugjen MERLIKA : “KAPIDAN MARK GJON MARKU NË SHKRIMET E TAHIR KOLGJINIT”. 2. Tomë MRIJAJ : “QËNDRESA HEROIKE E KAPIDAN MARK GJON MARKUT BAZUAR NË KUJTIMET E BASHKËLUFTËTARËVE TË TI NË AMERIKË ” 3. Ndre MOLLA :”REZISTENCA ANTIKOMUNISTE E KAPIDAN MARK GJON MARKUT NË MIRDITË “. 4. Nue OROSHI: ” KOMANDANTI LEGJENDAR KAPIDAN MARK GJON MARKU UDHËHEQËS I LUFTËS PËR SHQIPËRINË ETNIKE “.

Siq e kemi potencuar me sipër punimet e Sesioneve shkencore të organizuara nga Shoqata “Trojet e Arbërit” u zhvilluan të ndara në Hotel “Luxori” Prizren për Kryeministrin e Shqipërisë Etnike Mustafa Kruja, në Hotel “Lisa” në Lezhë për Themeluesin e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York dhe një Sesion tjetër për Kapidanin Mark Gjon Marku, në Qëndren Kulturore për Fëmijë “Gjergj Lacaj” në Lezhë. Sesionet e organizuara nga Trojet e Arbërit janë përcjelluar nga shumë gazetar dhe media të shkruara dhe televizionet Shqiptare dhe Kosovare, duke veçuar edhe doajenin e gazetarisë shqiptare, Beqir Sina i cili kishte ardhur pēr ti përcjellur Sesionet shkencore të Trojeve të Arbërit. 

Në secilin Sesion veq e veq është vlerësuar veprimtaria dhe kauza Mustafa Krujës, mons.dr. Zef Oroshi dhe Kapidanit Mark Gjon Marku si dhe në përfundim të kumtimeve përkatëse gjatë Sesioneve të zhvilluar është konstatuar nga të gjitha sesionet e zhvilluara se sukseshem janë përmbyllur trajtimet e temave përkatëse shkencore të referuara gjatë sesioneve si në Prizren poashtu edhe në dy të tjerat në Lezhë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Lek Mrijaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2204
  • 2205
  • 2206
  • 2207
  • 2208
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT