• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZJARRI ARBËROR I PASHUAR

May 30, 2022 by s p

Bujar  Çela Filadelfia,

Më 22 Maj 2022

Me këtë rast vogëlushja Sara Çela, prof. Bexhet Asanit i dhuron një buqetë me lule, gjë që e befasoi dhe e preku emocionalisht. Ndërkohë z. Bujar Gjoka në emër të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” autorin e librit Bexhet Asanin e nderon me certifikatën “Mik i Shoqatës” me këtë motivacion: 

        “Për punën e tij të palodhur si mësues i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në atdhe e në Nju Xherzi – SHBA, si atdhetar, studiues, publicist në ruajtjen e kulturës, traditës, historisë dhevlerave kombëtare të popullit tonë. Për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë veprimtarive të shkollës shqipe “Gjuha jonë” e Shoqatës Shqiptare – Amerikane “Bijtë e shqipes” në Filadelfia”.

Më 20 maj 2022                  Sekretari Ali Sopi,                                    Kryetari Bujar Gjoka   

            Ndërsa poetesha Iliriana Sulkuqi, e cila vinte nga Nju Jorku enkas për promovimin e librit “Zjarri arbëror i pashuar” të Bexhet Asanit, autorit në mënyrë simbolike i dhuroi një penë. Gjë që i kujtoi vitet e shkollës fillore, kur shkruante me penën me ngjyrë. Një dhuratë e çmuar që do të zërë vend të çmuar në arkivin e autorit. Pasi falënderoi përzemërsisht poeteshën Iliriana Sulkuqi, ai falënderoi edhe kryetarin e Shoqatës z. Bujar gjoka. “Të nderuar motra e vëllezër! Faleminderit që keni ardhur sot, këtu në përurimin e librit tim “Zjarri arbëror i pashuar”, e ky flakadan le të jetë i pashuar edhe për ato nëna që kanë ardhur me fëmijët e tyre në këtë vapë pothuaj të padurueshme, për t’ ia mësuar gjuhën shqipe, këtë gjuhë hyjnore fëmijëve të tyre të dashur. Vetëm nëpërmjet gjuhës, flamurit kuqezi me shqiponjën dykrenare, do të ruajnë fëmijët tuaj identitetin kombëtar shqiptar. Kur jam këtu në mesin tuaj, te Shoqata “Bijtë e shqipes” më duket vetja si në shtëpinë time, këtu jam më shumë mësues, më shumë kombëtar, më shumë shqiptar sepse jam biri i “Bijve të shqipes”.

               Zotëri  Sadik Elshani për këtë përurim dhe për ta bërë atmosferën sa më ngazëllyese iu drejtua të pranishmëve: 

“Mirë se na erdhët motra e vellezer poetë, shkrimtarë

Ballëhapur e faqebardhë,

Derën mbyllur kurrë s’do ta gjeni.

Se ketu, neve na keni,

Në shtëpinë e shqiptarit,

E traditave të të parit.

Ju sillni vargje, poezi,

Miqesi e miresi,

 Mirë ardhshi përsëri!

              Më pas e mori fjalën prof. Llazar Vero, njëri nga veteranët e Shoqatës “Bijtë e shqipes”, ai vuri në dukje se: “Libri i prof. Bexhetit është një dokument i historisë sonë të mërgimit 600 vjeçar, që nga koha e Skënderbeut, emigrimi ka qenë pjesë e jetës, me këtë vepër prof. Bexheti ka bërë një punë tjetër të kujtesës, të dhimbjes, edhe ne që jemi këtu jemi emigrantë jemi pjesë e asaj dhimbjeje që shkruhet në librin e Bexhetit, ne kemi një dhimbje akoma më të madhe, në qoftë se arbëreshët e Italisë apo të Greqisë, e sollën  shqipen deri në ditët tona,

             Unë kam frikë se në shtëpitë tona ne nuk flasim shqip, ne duam të mësojmë anglisht nga fëmijët por jo fëmijët të mësojnë shqip nga ne, kjo është e dhimbshme dhe prandaj ky libër është një goditje, si një thirrje si një është dashuri, është një amalgam i jetës shqiptare i guximit, i kulturës, për këtë e falënderoj profesor Bexhetin sepse këto vepra lënë gjurmë në kulturën shqiptare, edhe si mësues i Gjuhës dhe Letërsisë, ndjehem afër shqetësimit si autori, më falni i bëj thirrje gjithë nënave të reja, gjithë prindërve të rinj, gjithë brezit të ri, ta ruajnë gjuhën shqipe, si një margaritar, është e pazëvendësueshme, është histori, është jetë, ruani identitetin , ruani emrin shqiptar, nderojeni atë, faleminderit!

             Vlashi Fili veteran i Shoqatës “Bijtë e shqipes” një nga themeluesit e saj tha: “Përgëzoj prof. Bexhet Asanin për këtë libër me vlera shkencore e letrare, përgëzoj autorin edhe për këtë që na mblodhi këtu pas kaq vitesh, me të vërtetë na kishte marrë malli për t’ u takuar me njëri-tjetrin. Suksese të mëtejme!”

            Profesor Mëhill Velaj foli për librin dhe për veprimtarinë e Bexhet Asanit duke e parë nga një këndvështrim tjetër me syrin e një pedagogu:

 QËMTIM I ARBËRORËVE TË SHKAPËRDERDHUR NËPËR BOTË

            Që në fillim të recensionit tim të titulluar “Qëmtimi i arbërorëve të shkapërderdhur nëpër botë”, për librin e profesor Bexhet Asanit “Zjarri arbëror i pashuar” dua të theksoj dhe të pyes: ku e gjen ky njeri durimin, kohën, përkushtimin, punën titanike që ka bërë, dashurinë për arbërorët e lashtë, dëshirën, për ta shkruar e botuar librin studimor, kushtuar gjakut tonë të shprishur, arbërorëve në mbarë rruzullin tokësor?!

              Bexhet Asani është duke e përgatitur librin “Zjarri arbëror i pashuar II”, nuk e besoj se kam nxjerrë pa dashje ndonjë sekret të tij?! Ai punon pa u ndal, ne këtë po e shikojmë pothuaj çdo ditë. Veç këtij libri, studiuesi Bexhet Asni ka edhe libra të tjerë në dorëshkrim, mbase disa prej tyre, do ta shikojnë dritën e botimit këtë vit (2022).

                Puna dhe veprimtaria letrare e shkencore e Bexhet Asanit, gjatë karrierës së tij është:

Puna në arsim.

      Ligjërues i Gjuhës dhe letërsisë shqipe për disa dekada në shkollat e mesme dhe në Universitetin FON në Shkup e në Strugë. Gjatë punës së  tij si pedagog, u shqua edhe në punën e tij artistike në Strugë. Në gjimnazin privat “Hajdar Dushi” në Ladorisht të Strugës, themeloi grupin letrar “Gjerasim Qiriazi”. Në kuadër të grupit letrar “Gjerasim Qiriazi” botoi përmbledhjen poetike “Baladë për numrin e” 1993, me tirazh prej 1000 kopjesh. Në këtë vëllim përfshihen poezitë e anëtarëve të grupit letrar Gjerasim Qiriazi. Po në kuadër të këtij grupi letrar botoi përmbledhjen me tregime “Nuse përtejdetit” 1994, me tirazh prej 1500 kopjesh. Gjimnazi funksionoi 5 vjet. Vitin e pestë e mbyll policia. Me këtë rast ndërpritet çdo aktivitet kulturor në atë shkollë. 

         Pas dy vitesh pranohet në gjimnazin e Strugës. Aty gjen revistën “Gjimnazisti” pa leje për botim nga Ministia e Kulturës. Nxënësit entuziastë e shpërndanin fshehurati drejtorisë. I mori në zyrë nxënësit të cilët merreshin me revistën “Gjimnazisti”, me ta mban një mbledhje duke i thënë shkurt se kështu nuk shkon më! E shikoni se kolegët nuk iu lejojnë ta shpërndani revistën sepse kanë frikë nga drejtori. Drejtori po ju ndjek korridoreve të shkollës. Kjo punë nuk do të shkojë më kështu “ilegalisht”. Unë do ta bëjë kërkesën për të kërkuar leje për botim nga Ministria e Kulturës. Nxënësit u pajtuan njëzëri. Kërkesa u bë. Leja erdhi për një kohë relativisht të shkurtër. Nxënësit e drejtori nuk ndiqeshin më korridoreve të shkollës si macja me miun?! Gjimnazisti për disa vjet me radhë, dilte 8-9 numra në vit. U botuan mbi 30 numra. “Gjimnazisti” mori fizionominë e një reviste të vërtetë letrare e shkencore. Prof. Bexheti gjatë shëtitjeve njëditor, bashkë me nxënësit mbante orë letrare qoftë në natyrë apo në sallat e hoteleve në Kalisht të Strugës.

          Bashkë me nxënësit për festat kombëtare “22 Nëntori”, “28 Nëntori”, “7 Marsi” etj., organizonte shfaqje kulturore, me këngë e recitime te Shtëpia e Kulturës në Strugë dhe te salla e fiskulturës në gjimnaz. Gjersa punoi si pedagog arriti që për çdo vit t’ i dërgonte nxënësit te shkolla e parë në Korçë dhe te Shtëpia e Kongresit të Alfabetit në Manastir. Këto dy qytete i bëri Qendra Pelegrinazhi për nxënësit dhe pedagogët si dhe shumë aktivitete tjera kulturore.  

               Profesor Bexheti që në rininë e tij të hershme u mor me letërsi. Shkroi me sukses poezinë për fëmijë e për të rritur, tregimin, skicën, reportazhin etj. Tregimet, skicat, reportazhet, shlrimet publicistike dhe poezitë e tij u botuan vitet tetëdhjetë në gazetën “Rilindja”, në revistën “Kosovarja” në Prishtinë, “Flaka e vëllazërimit” në Shkup etj. Më 1994 arriti t’ i grumbullojë tregimet dhe i botoi me titullin simpatik “Nuse përtejdetit”. Mësuesit Kimete dhe Adnan Agai nga Shkupi, me të lexuar përmbledhjen me tregime “Nuse përtejdetit”, u entuziazmuan shumë dhe me këtë rast autorin e librit Bexhet Asanin e quajtën “Mitrush Kuteli i Strugës”. 

             Ndërsa prof. dr. Nuhi Vinca pasi e lexon përmbledhjen me tregime “Nuse përtejdetit” të Bexhet Asanit, midis tjerash shkruan: “… Dhe na qaset e flet me një gjuhë të gjallë, me një gjuhë të pastër, me një fjalor të rrallë, për aspekt leksikor; ajo rri në duart tona, në bibliotekat tona dhe tregon për jetën e kurbetit përtejdetit, përtejoqeaneve, në një botë ku nuk flitet gjuha e vendlindjes në një botë ku lumturia shumë ëndërrohet por pak përjetohet, në një botë e cila që në zanafillë na thotë plot gojën : Ha, merr, ik, se, po nuk ike, kthehem e të ha unë ty. Dhe ja kjo botë na del tani e pikturuar me ngjyra reale nga pena e shkrimtarit Bexhet Asani… Le ta pranojmë dhe ta interpretojmë me dhimbje këtë temë, le ta lexojmë me lot këtë tragjikë, këto ndarje e shpërndarje nëpër botë, por le të gëzohemi dhe le ta urojmë lindjen e veprës me tregime “Nuse përtejdetit” me shpresë se kjo do të hyjë në Panteonin e letërsisë sonë duke mbetur një dokument i një kohe, monument artistik me vlerë, apo një testament – me porosinë e madhe të jetës sonë për brezat që po vijnë: të luftojmë pa u lodhur për ta gjetur fatin dhe lumturinë në vendlindje e jo meridianeve të botës”. 

             Profesor Bexhet Asani si studiues zë një vend të merituar në shkencat albanologjike. Ka bërë emër në fushën e folklorit, në fushën e etnografisë, në historikun e letërsisë sonë të Rilindjes, në kritikën e sotme letrare, është redaktor e recensent i qindra veprave letrare dhe shkencore. Me vite të tëra është motivues i talenteve të reja etj. Nuk kam ndërmend të përmend mbi 15 veprat e tij shkencore, por do të përmend dy veprat e tij “Zjarri arbëror i pashuar” që po e përurojmë sot këtu në Filadelfia dhe “Zjarri arbëror i pashuar II” të cilin libër e ka gati për botim. Pse i përmenda këto dy vepra “Zjarri arbëror i pashuar I – II” ?! I përmenda këto dy vepra sepse prof. Bexhet Asani për herë të parë evidenton arbërorët që nga Zara në Kroaci, Kalabri, Sicili, Greqi, Turqi, Ukrainë, SHBA, e deri në Argjentinën e largët. Ai pohon se arbërorë mbase të asimiluar gjenden edhe më larg se Argjentina, në Uruguai të Amerikës Latine. Këto dy vepra studimore e letrare do të zënë një vend të rëndësishëm në shkenca albanologjike.

              Profesor Bexhet Asani është në vlugun e krijimtarisë së tij letrare dhe shkencore. S’ më mbetet gjë tjetër përveçse autorit t’ i uroj shëndet, jetë të gjatë e sa më shumë krijimtari!

Stamford -SHBA,

më 20 maj 2022

                                                                                                        Me nderime

                                                                                                         Mëhill Velaj

Pastaj e mori fjalën profesor Prend Çetta, i cili midis tjerash tha:

           “Unë dëshiroja që këtë promovim ta analizoja edhe nga aspekti politik, përshkak të rëndësisë që ka, në këtë drejtim. Veprën e Bexhet Asanit “Zjarri arbëror i pashuar” mund ta konsiderojmë si një vepër kolosale sepse në të  pasqyrohet jeta e arbëreshëve të shpërngulur kudo nëpër botë. Për ta kuptuar më mirë shpërnguljen e pjesëtarëve të kombit tonë, unë po përpiqem që përmes disa krahasimeve ta përafroj në ditët e sotme, ku ne jemi dëshmitarë të asaj që po ndodh tani, në luftën e Ukrainës, atje njerëzit po vriten nga një makineri shumë e sofistikuar e armëve, ku përpos qindra e mijërave të vrarë  pas tre muajve luftë edhe më  shumë se një e treta e popullsisë, i është nënshtruar një egzodi të pa paparë, të dëbuar nga trojet e tyre. Andaj Bexhet Asani i cili eshte edhe doktor shkencash, në këtë punim na ka sjell shumë shënime dhe informata burimore shkencore që ne sot t’ i rikujtojmë kështu të bashkuar shumë nga padrejtësitë që i janë bërë popullit tonë gjatë shekujve, gjë që e përgëzojmë nga zemra për këtë punë voluminoze që ka bërë jo vetëm në sasi por më së shumti në cilësi, duke i uruar suksese dhe gjithë të mirat edhe në të ardhmen! 

         Jam thellësisht i bindur se sikurse ky promovim i sotëm i veprës së dr. Bexhet Asanit “Zjarri abëror i pashuar” na ka bashkuar, ne të gjithve, sot këtu, po ashtu do ketë ndikim në bashkimin e gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen, për dënimin e kësaj të keqeje qe u ka ndodhur shqiptarëve gjatë shekujve!” – përfundoi prof. Prend Çetta.

          Moderatorët Mëhill Velaj dhe Bujar Gjoka udhëhoqën me sukses këtë promovim të librit “Zjarri arbëror i pashuar” edhe pse përurimi pothuaj mbahej në kushte të jashtëzakonshme (pa ftohje) në një vapë të paparë, temperatura arriti deri në 34 gradë celzius, asnjë nuk e lëshoi sallën. Fjalën kryesore e kishte profesor Besim Muhadri ligjërues në Universitetin e Gjakovës. Ai lexoi recensionin me titull:

 “ZJARRI ARBËROR I PASHUAR”- LIBËR GJITHËPËRFSHIRËS DHE SHPRUSHJE NË SHPIRTIN ARBËRESH

 Dr. BEXHET ASANI: “Zjarri arbëror i pashuar” (Profile, studime, skica letrare), Tiranë 2021

          Në vitin 2021, studiuesi i palodhshëm Dr. Bexhet Asani, ka botuar në Tiranë librin monografik, ”Zjarri arbëror i pashuar”, një titull sa simbolik, aq edhe domethënës dhe përmbajtësor. Brenda këtij libri lexuesit dhe studiuesit mund të gjejnë materiale interesante dhe të rëndësishme për gjuhësinë dhe etnografinë, që ndërlidhet me arbëreshët kudo që ndodhen ata, qoftë në Itali, përkatësisht në Kalabri e Sicili, apo qoftë edhe në vende të tjera të Europës dhe të botës, si në në Argjentinë, në Greqi, në Turqi, në Ukrainë, në Kroaci, në Bullgari etj. Subjekte të librit të profesor Asanit janë personalitete të rëndësishme arbëreshe, shkrimtarë, muzicientë, regjisorë, punëtorë të palodhshëm të kulturës, arsimit, priftërinjë, aktivistë shoqatash arbëreshe, por edhe njerëz të thjeshtë të këtij komuniteti, të cilët tash e sa shekuj, ndonëse me vështirësi, mundohen të ruajnë gjuhën dhe kulturën e lashtë arbërore, të trashëguar nëpër shekuj si një shenjë e mrekullueshme e identitetit të tyre arbëror, përkatësisht shqiptar.

 Gjuha arvanitase – një shqipe arkaike, e ngjashme me të folmen arbëreshe

          Në librin e profesor Bexhet Asanit, përveç gjuhës dhe traditave të lashta arbërore, me shumë kujdes janë prezantuar edhe veshjet popullore, qoftë ato të grave, qoftë ato të burrave, por edhe aspekte të tjera që karakterizojnë jetën e arbereshëve të cilët jetojnë jashtë trungut arbëror tash e gjashtëqind vjet. Libri hapet me një parathënie të autorit, e shoqëruar nga një fjalë e thukët e mikut të tij dhe punëtorit të palodhur të kulturës shqiptare, profesor Kristaq Shabani, për të vazhduar me kapitullin e parë me shkrimin me titull “Hershmëria e identitetit dhe gjuhës”, me nëntitullin “Gjuha e Skënderbeut apo arbërishtja një raritet kulturor”.

            Në këtë shkrim studiuesi dhe  profesori Bexhet Asani ngre problemin e ruajtjes së gjuhës apo dialektit arvanitas, por edhe shqetësimet për moskujdesin e duhur të studiuesve tanë ndaj kësaj gjuhe, të cilët, në të kaluarën, siç shprehet ai “ me vetëdije apo pa vetëdije, asnjëherë nuk e kanë përmendur”. ProfesorAsani është i mendimit (natyrisht i mbështetur edhe në studime), se gjuha arvanitase është një shqipe arkaike e ngjashme pak a shumë me të folmen e arbëreshëve, përkatësisht me gjuhën e Skënderbeut. Madje Asani shkon edhe më tutje duke e shpier atë edhe përtej kohës së Skënderbeut, përkatësisht deri në epokën e lashtë pellazgo- ilire.

            Duke shtruar pyetjen se si qëndron puna sot me dialektin e arbërishtes, në kohën kur atë e flasin një numër shumë i vogël i banorëve arbëreshë, ai njëkohësisht vjen në një përfundim mjaft skepitik për “mbijetesën e tij”. “Fatkeqësisht, arbërishtja nuk mund të quhet më dialekt i shqipes, por ajo mbetet edhe më tej e folme e shqipes”, thotë Asani, sipas të cilët për këtë kanë ndikuar një sërë faktorësh, ndër të cilët shpërngulja e arbëreshëve nga krahinat jo të industrializuara të Kalabrisë dhe të Sicilisë, për në Veri të Italisë dhe në vendet e tjera të botës, pastaj moshapja e shkollave në gjuhën arbërishte nga shteti italian etj.

         Nga shpërnguljet e mëdha, me përmasa të dhimbshme, ka bërë që aty të mbeten vetëm pleq e plaka që e flasin arbërishten, në ndërkohë që, sipas studiuesit të historisë dhe kulturës arbëreshe Franco Marchiano, në shumë fshatra, kjo gjuhë, pra arbërishtja, është zhdukur prej shumë shekujsh dhe në disa të tjerë zhduken dalëngadalë nga ulja demografike për mungesë sensibiliteti dhe kulture të familjeve dhe për shumicën e familjeve që nuk janë të huaj. “Nga e gjithë ajo që ka mbetur është ruajtja e disa zakoneve dhe adeteve, veshja dhe busti e kujtimet për Skënderbeun si dhe origjinën e tyre matanë detit!”, thotë studiesi Françesko Markjano, i cituar nga studiuesi Asani.

       Duke pasur parasysh këto elemente, Asani vjen në përfundim se “arbërishtja, gjuha e Skënderbeut, në mos tani, së shpejti, do të mbetet vetëm një raritet kulturor, nëse të dy shtetet, ai shqiptar dhe ai Italian, nuk marrin masat e nevojshme për ta ruajtur këtë të folme arkaike të shqipes, me vlera historike, gjuhësore e kulturore…”

Këngët popullore të Mbuzatit-të ngjashme me këngët popullore shqiptare përtejdetit

             Shkrimi në vijim i librit të Asanit është ai i prof. Kristaq Shabanit për veprën e Aristidh Kolës “Gjuha pellazge -gjuha e perëndive”, ndëkaq, kapitulli i dytë nis me shkrimin: “Studimiologjia arbëreshe dhe disa nga përfaqësuesit tipikë të saj”. Një nga shkrimet interesante dhe me shumë vlerë është ai në të cilin autori flet për katundin Qefti (Chieutit ) dhe të folmen e tij, parë përmes analizës së veprës së prof. Mario Massaro “Qefti dhe e folmja e tij”, që, sipas Asanit “është një libër, sa historik, sa gjuhësor, po aq etnografik dhe me vlera të çmuara për shkencat albanologjike; Apo edhe një vepër monumentale jo vetëm për Qeftin, por edhe për kulturën arbërore – shqiptare, në përgjithësi.

          Një shkrim tepër i rëndësishëm është edhe ai me titull “Gjaku ynë i shprishur”, një libër me vlera nga Mbuzati”, që flet për librin “Gjurma e një moti ç’shkoi”, në të cilin janë përfshirë një numër këngësh popullore arbëreshe nga katundi Mbuzat. Libri në fjalë është një libër dygjuhësh, arbërisht dhe italisht, ndërsa këngët arbërishte, dhe gjithçka që përmban libri, janë përkthyer edhe në gjuhën italiane, përkthim ky i qëllimshëm, pasi pjesa dërrmuese e popullsisë arbëreshe nuk e njeh arbërishten, të cilën siç e thotë autori, “e flasin më shumë plakat dhe pleqtë”.

           Në vështrimin e Asanit, më tutje shohim edhe strukturën e këtij libri, ku këngët popullore janë ndarë në tre kapituj në: “Vjersha malli” (Në italisht është përkthyer si: “Këngët e dashurisë”), “Vjersha kulltime” (Në italisht është përkthyer si: “Këngët e keqardhjes”), kurse në kapitullin e tretë janë përfshirë “Kënka nusje” në shqip “Këngët e nuses” (Në italisht është përkthyer si: “Këngët e dasmës”). Kënka nusja, siç i quajnë arbëreshët në folkloristikën shqiptare dhe atë të huaj, njihen me termin “Këngët e dasmës” dhe jo me termin “Këngët e nuses”.

Asani konstaton se prof. Françesko Markjano, një nga studiuesit e njohur të historisë së arbëreshëve, ka plotësisht të drejtë kur thotë se arbërishtja ka shumë fjalë nga gjuha italiane dhe kalabreze. Asani, tregon se për shkak të futjes së fjalëve të shumta të huaja në gjuhën arbëreshe ka hasur vështirësi në punën e tij në vlerësimin dhe studimin e mirëfilltë të këngëve arbëreshe të prezantura në këtë libër. Megjithatë, ai vlerëson se këngët popullore të katundit Mbuzat, janë të ngjashme me këngët popullore shqiptare përtejdetit, disa vargje të të cilave, pa kurrëfarë ndryshimi, i gjejmë edhe në folklorin shqiptar.

         Te “Rilindësi i fundit i Kieutit”, B. Asani na sjell portretin e studiuesit arbëresh, Mario Massaros, duke na njohur me kontributet e tij në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe të historisë së arbëreshëve të katundit Kieuti, apo Qefti”, kurse  te “Atë Antonio Belushi, Jeronim de Rada i ditëve tona”, përmes një bisede gjatë një takimi rasti në aeroplan me Atë Antonio Belushin, ai arrin të mësojë shumë për kontributet e këtij prifti arbëresh të ritit katolik-bizantin, por edhe për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kultivimin e saj edhe tek të rinjtë arbëreshë.

           “Atë Antonio Belushi dhe shumë priftërinj të tjerë nga Kalabria dhe Sicilia janë rilindësit e ditëve tona. Atë që bënë Rilindësit arbëreshë si: Jeronim de Rada, Zef Serembe, Gavril Darët, Anton Santori e shumë e shumë të tjerë, sot e bën Antonio Belushi me shokë”. Në gjakun e tyre të shprishur vëlon dashuria ndaj gjuhës, veshjes, zakoneve, popullit e, mbi të gjitha Shqipërisë, tokës mëmë, epokës së lavdishme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Vepra e Atë Antonio Belushit duhet të jetë shembull për ne shqiptarët. Ai është një enciklopedi, lum ne që e kemi!”, thotë në mes tjerash në shkrimin e tij studiuesi Bexhet Asani.

           Asani në këtë kapitull të librit të tij, na sjell informcione edhe për një Bellush tjetër. Është fjala për folkloristin, antropologun, teologun, historianin dhe etnologun arbëresh, Kostandin Bellushi, të lindur në fshatin malor të Pllatënit të krahinës së Kozencës së Kalabrisë, në Alto Jonio Kosentino. Pastaj për poetin, profesorin dhe shkencëtarin e njohur arbëresh, Xhuzepe Skiro Di Maxhio (Giuseppe Schirò Di Maggio), i cili zë një vend të merituar në letërsinë arbëreshe në veçanti dhe në letërsinë shqiptare në përgjithësi.

           Shkrim me interes është ai për Prof. Zef Kjaramonte, tek i cili Asani veçon mesazhin e tij se “Punën më të mirë që mund ta bëjnë arbëreshët sot e në të ardhmen është që të mësojnë alfabetin e Kongresit të Manastirit, e me të, të shkruajnë arbërishten e tyre të bukur dhe të mësojnë gjuhën letrare të Kongresit të Tiranës, i cili u mbajt në vitin 1972. Asgjë tjetër nuk iu duhet më shumë!” 

            Në fokus të shkrimit “Bashkëshortët në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe”, Asani ka mësuesen dhe poeten Maria Xhovana Rico – Maria Giovanna Rizzo, e cila është e lidhur ngushtë me traditat arbëreshe, me adetet dhe zakonet, me veshjen popullore arbëreshe si dhe përpjekjet për ta kultivuar dhe ruajtuar gjuhën arbëreshe, të cilën siç shprehet ajo: “të parët tanë e ruajtën për më shumë se pesëqind vjet”. Ndërsa te shkrimi “Regjisorja Luçia  Martino dhe shoqata “Vorea” nga Frasnita” shohim kontributin e kësaj shoqate dhe të regjisores Luçia Martino” po ashtu në ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës arbëreshe. Shkrime me interes janë edhe shkrimet: “Gjaku arbëresh  (s’)po shkon!..”, “Shqiponjat” arbëreshe të Shën Sofisë së Epirit fluturuan në Amerikë!”, ashtu siç janë edhe shkrimet: ”Një studiues erudit, me përmasa ndërkombëtare”, “Studiues i arkivave dhe dokumenteve arbëreshe” , “Prof. Italo Elmo një etnomuzikolog i shquar në botën arbëreshe dhe atë shqiptare”, “Një punë titanike e profesoreshës dhe piktores Çetina Macei”, etj,

 Arbëreshët e Argjentinës mesha në gjuhën shqipe dhe evokimi i historisë kombëtare

            Te kapitulli i tretë i librit studiuesi Asani na sjell informacione interesante për arbëreshët e Argjentinës, përkatësisht për teologun Aleksandër Greco (Imzot Alejandro Greco) të lindur në Buenos Aires, në të cilin shkrim, përveç që njihemi për numrin e arbëreshëve që i ka nën “juridksionin” e tij, po ashtu njihemi edhe për përpjekjet që zhvillohen në mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare, sado që një gjë e tillë është e vështirë dhe dëshpruese. Kryepeshkop Aleksandri thotë me keqardhje se në Argjentinë gjuha nuk është ruajtur:

        “Këtu në Argjentinë, shqiptarët dhe arbëreshët nuk e flasin gjuhën shqipe, unë jam duke studiuar gjuhën shqipe, pak nga pak, këtu është shumë e vështirë të gjesh dikë që mëson gjuhën shqipe. Brenda kolektivitetit arbëresh këtu, ka të moshuar të mëdhenj që e flasin arbërishten, por shumica e të rinjve jo. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme ta mësojnë gjuhën shqipe, ta ruajnë dhe ta transmetojnë traditën dhe vetëm atëherë do ta mësojnë dialektin e arbërishtes”.

          Megjithatë përmes këtij shkrimi mësojmë se në Kishën Ortodokse Shqiptare të Argjentinës mesha mbahet në gjuhën shqipe dhe spanjisht, ndërsa në kishë zhvillohen aktivitete të ndryshme ku kujtohet e kaluara e lavdishme e historisë së popullit shqiptar, duke filluar nga koha e Skënderbeut e deri të lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.

      Te shkrimi “Mario Kaliva një artist arbëresh që premton” autori na sjell figurën e poetit, dramaturgut dhe fotografit arbëresh që jeteton në Piana degli Albanesi (Horën e Arbëreshëve). Ndërsa shkrime me interes janë ato ku flitet për Papas Pietro Lanza të Kozencës, pastaj për punëtoren e palodhur të kulturës dhe gjuhës, Margarita Shilipa (Scilippa) të lindur në Palermo nga prindër me origjinë nga  Hora e Arbëreshëve të Sicilisë etj. Po ashtu këtu kemi një prezantim të poetes Maria Antonietta Manna, të lindur në Kozencë (Cosenza) më 07.12.1978, dhe e cila jeton në Çifti.

        Në kapitullin e katërt të librit të Asanit kemi shkrimet “Frymëmarrja “shqip” në hapësirë “Biltë e Firmozës” në mbrojtje të trashëgimisë kulturore arbëreshe”, që flet për Shoqërinë Kulturo – Artistike “Biltë e Firmozës” (Bijtë e Firmozës) nga katundi Firmozë i Kozencës së Kalabrisë, të themeluar në vitin 2015, i cili ndonëse si grup është i ri, por që ka lënë gjurmë të thella në kulturën arbëreshe dhe shqiptare.

         Te “Një tematikë në filmin arbëresh tepër e dhimbshme”, flet për filmin “ARBËRIA” në regji të Francesca Oliveri, që është një prodhim arbëresh, një realizim i shkëlqyer, një konflikt real midis prindit dhe fëmijës, tepër i dhimbshëm që siç thotë autori duhet të shihet nga të gjithë shqiptarët.

          Kontributi i studiuesit shqiptar nga Odesa e Ukrainës dhe lidhja me vendlindjen e babait të këngëtarit shqiptar nga Turqia, Serhat Nishli

         Në këtë kapitull të librit gjejmë shkrime edhe për grupin e kërkimeve Etno-muzikore “Shpirti arbëresh”, pastaj për shqiptarët e Ukrainës dhe për historinë e vendojses së tyre në Ukrainë, për ekzistencën e tyre si dhe për përpjekjet e tyre për të ruajtur gjuhën dhe kulturën arbëreshe, përkatësisht shqiptare. Me interes këtu është ajo kur flet edhe për studiuesin Aleksandër Derementli të lindur më 12 tetor 1986 në fshatin Karakurt apo siç e quajnë ukrainasit Zhovtnevoe, rajon i Odesës së Ukrainës, në një familje shqiptare, prindërit e të cilit me xhelozi i ruanin traditat e të parëve të tyre, duke e edukar atë me dashuri në frymën dhe respektin për popullin shqiptar. Derementli është autor i disa monografive dhe i artikujve shkencorë si: “Kohë të vështira shtypjeje” Izmail, 2009, “Shqiptarët në jug të Besarabisë” Lviv, 2011, “Organizimi i veprimtarive në fshatin Karakurt në vitet 1920 të shekullit të XX” Izmail, 2019 etj. Aleksandri është gjithashtu autor i disa artikujve shkencorë mbi historinë e komunitetit shqiptar të Ukrainës.

         Shkrim emocionues dhe me interes është edhe ai për këngëtarin turk me origjinë shqiptare, përkatësisht nga Serbia, Serhat Nishli, prindërit e të clit ishin shpërngulur nga Nishi. Këngëtari, për të cilin flet Asani, ka gjurmuar dhe gjetur gjurmët e të parëve të tij dhe tash është i lidhur me vendlindjen e të parëve të tij, të cilën e vizion shpesh dhe ku ka gjetur të afërmit e tij.

       Te kapitulli i pestë, që e ka titulluar “Të tjera” hasim shkrime me interes për arvanitasit, pastaj për rilindësin Nikolla Naço etj. Libri mbyllet me pasthënien e Kristaq Shabanit, të titulluar “Model përkushtes në botën  studiuese”.

         Si përfudim, mund të themi se libri i studiuesit dhe profesorit Bexhet Asani, është një libër me interes jo vetëm për arbëreshët, të cilët janë në fokus të këtij libri, por edhe për mbarë lexuesin shqiptar kudo që ndodhet. Përmes shkrimeve të shumta, qoftë, studime, përshkrime, reportazhe, portrete, takime rasti, intervista etj., profesor Bexhet Asani na sjell para nesh botën dhe shpirtin e pavdekshëm të arbëreshëve si dhe përpjekjet dhe dashurinë e pashuar për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat e lashta arbërore. Natyrisht se në këtë libër, kemi edhe shqetësimet e autorit për gjithçka ndodh në këtë diasporë të lashtë kombëtare, si dhe për zbehjen apo harresën e ngadalshme, por të vazhdueshme të gjuhës arbërore. Autori, pothuajse në çdo shkrim, bën apelin tek institucionet kompetente shtetërore të shtetit amë që të kthejnë kokën dhe vëmendjen te kjo pjesë e dhimbshme e qenies sonë, në mënyrë që të mos mbeten të harruar dhe të mos rrezikohen nga zhdukja.

           Libri i Bexhet Asanit, “Zjarri arbëror i pashuar”, padyshim është një libër me interes edhe për studiuesit të të gjitha lëmive, e jo vetëm të etnokulturës, Prandaj e përgëzojmë autorin për punën e bërë në mbledhjen e materialeve dhe sistemimin e tyre në një libër kaq voluminoz dhe kaq përmbajtësor.

Lutfi Bajrami lexoi recensionin me titull:

MBI LIBRIN E PROF. BEXHET ASANIT “ ZJARRI ARBEROR I PASHUAR “

         Profesor Bexhet Asanin nuk e kam njohur nga afër, por nëpërmjet veprimtarisë së gjërë të tij si autor i profileve, studimeve e skicave letrare përkthyer në anglisht e italisht në librin “Zjarri arbëror i pa shuar “, ku sjell ngjarje dramatike të lënies së Trojeve e hedhjes rrënjë në troje të tjera…e hidhërueshme kjo, e mallueshme për dashurinë e adhurimin për token e dytë, por shumë e dhimbshme. Ikje me kokëkthyer pas – siç thotë profesor Kristaq Shabani. A nuk është kjo një plagë aktuale edhe sot ? ! A jemi ne një nga ata ?!… Njohuritë që jepen në këtë libër, veprat që kanë lënë të parët tanë, traditat, zakonet, ritet nuk plaken.Autori na i bën prezente me pasion e krenari.

          E ka patur ëndër, që në bankat e shkollës së mesme, autori,interesin për fatin e arbëreshëve, të cilat i thelloi në universitetin e Prishtinës dhe nëpërmjet kësaj monografie,tregon punën komplekse, por fisnike të tij.

         Arbërishtja është në realitet një gjuhë e mbyllur në vetvete që në shekullin e pesmbëshjetë. Për shekuj mbeti e pa kultivuar, por merita e nënave arbëreshe e priftërinjëve arbëresh, që predikonin gjuhën e popullit ndikuan në mbajtjen gjallë të saj,ndërsa  sot po vazhdon të rritet bashkpunimi. Janë domethënës aktivitete si:  seminari në Prishtinë i gjuhës e letërsisë shqiptare, Qendra e studimeve dhe publikimeve arbreshe në Tiranë, binjakëzimi i shumë komunave, vizitat dy palëshe Kalabri –  Sicili, që tregojnë se po punohet për ta ruajtur gjuhën që të mos vdesë..

         Në faqet e këtij libri ,autori shfaq profile intelektualësh studimorë, artistë, shoqata arbëreshe, që kontribuojnë për të mbajtur gjallë gjuhën e kulturës arbëreshe shekullore. Lidhjet e autorit nëpërmjet internetit, takimet e drejtpërdrejta me shumë intelektualë, arbëresh ka bërë që në libër të përfshihen të gjitha shtresat shoqërore pa dallim,intelektualë nga italia, Kroacia, Argjentina , Bullgaria  e Amerika.

         Me detaje e përvojë ilustrative jepen në këtë libër informacione dhe biografi të plota të figurave të njerëzve të mëdhenj që kanë punuar e punojnë për gjuhën shqipe si : Aristidh Kola, shkrimtari e  studiuesi Dinos Koubatis, profesor Italo Elma – etnolog, regjisorja Luçia Martino, Antonio Belushi etnolog, diplomuar për filozofi e teologji; Konstandin Bellushi, studiues i letërsisë italiane, mësues i gjuhës shqipe për shkollat e ulëta,me  master të mbrojtur për gjuhën arbëreshe; Prof. Xhuzepe Skiro Di Maxhio, udhëheqës i katedrës se Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në universitetin e Palermos; Prof. Zef Kjaramonte e shumë e shumë të tjerë në: Itali, Ukrainë, Kroaci, Bullgari, Amerikë, Argjentinë, Turqi, Greqi etj….

         Përshkrimi i profilit të Aristidh Kolës në librin  “Gjuha e Perëndive “, analiza që i bën profesor Kristaq Shabani, i cili e quan Kryevepër  me karakter studius dhe paraqitje tipike të shkencës kombinative, historike e gjuhësore. “ Pellazgjikja është nëna dhe rrënja  e gjuhëve, që krijoi kurorën e qytetërimit botëror. Populli hipotetik indoevropin nuk erdhi nga India në Evropë, por e kundërta “ – thotë Aristidhi, i cili ishte njeri i ditur, e donte kombin e tij, studiues i vendosur në mbrojtjen e tezave të tij shkencore, studiues i energjive dhe i përfundimeve të mëdha, logjike, krijues me kurajë të lartë shkencore,kontribues në shpjegimin e tezës për identitetin dhe gjuhën mëmë pellazgjish.Sa bukur tingëllojnë vargjet në poezinë e tij :

         Këngë arbëreshe, o këngë e rrall’,

         As Vjosë, as Drin, s’ ta shuan dot mall.

         Si rojte në shekuj, tërë atë dashuri,

         Për tokën e Skënderbeut, për mëmën Arbëri !?

Autori me këtë libër ka grupuar forcat studiuese për të vepruar si një grup i i organizuar. “Është mëkat të biret gluha arbërsh!”- thotë  arbëreshi Antonio Miozzi në facebook : “Një lis pa rrënjë, nëng ishit i fortë. Një lis pa rrënjë, isht dru pë zjarrin”.

         Puna për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe edhe këtu në Filadelfia është për t`u përshëndetur. Kontributi i shoqatës “ Bijtë e Shqipes “, i Këshillit drejtues të saj, i mësueseve, nëpërmjet shkollës shqipe “Gjuha jonë “ është për t`u vlerësuar e përgjithësuar per punën me përkushtim e pasion për ta mbajtur gjallë, për ta masivizuar, për të zgjeruar më shumë aktivitetet në komunitet e familje për edukimin e fëmijëve me dashurinë për gjuhën shqipe e kombin tonë.

         Dr.Bexheti nga Zagarçani i Strugës së Maqedonisë, Profesor, studiues, poet, prozator, publicist, gjuhëtar e kritik letrar,magjistër i shkencave filologjike, akademik, Doktor i shkencave filologjike është edhe organizator i disa aktiviteteve letrare, shkencore e kulturore në Nju Xherzi, Nju Jork dhe në Kenerikë . Ai ka gjetur informacionin nëpërmjet faktit, kontakteve reale, me dialogun, me dashuri miqësore me kolegët e studjuesit, me një gjuhë të sigurtë në zbulimin e realitetit e kërkon ta ruajë  dhe  kultivojë  me fanatizëm  kulturën dhe traditën  Arbëreshe, duke i nxitur vëllezërit tanë, kudo në Botë.

         Gjatë leximit të librit  të duket sikur ecën në gjurmët e  arbërishtes, duke përshkruar fshatra e zona, qytetet e  shtetet, ku jetojnë arbëreshët dhe shqiptarët e emigruar, të cilët, Bexhet Asani i përshkruan me pasion e vertetësi, evidenton arbërorët në mbarë botën si në Itali, Kroaci, Bullgari, Greqi, Turqi, Ukrainë, SHBA, Brazil deri në Argjentinën e largët, që thuhet se ka afër një milonë arbëreshë.

         Sa krenar bëhemi, kur mësojmë histori të tilla, ku djali i Carlo Albanese, një marinar arberesh nga jugu i Italise, Anthony Carlo Albaneze, me rrënjë arbëreshe, zgjidhet Kryeministër i një vendi të madh si Australia.Gjaku i arbërit nuk shuhet kurrë, kudo që jeton.

 Ky libër, përveç informacioneve, është i pasuruar me një fjalorth, me tekste këngësh e poezish të vjetra arbëreshe.Shpesh në faqet e librit autori shkruan në formë bashkëbisedimi, shkëmbime letrash, falenderimesh, komente etj. Sa i gëzuar e i emocionuar  ishte prof. Bexheti, kur në duar mori librin “ Qefti dhe e folmja e saj” nga Mario Massaro, ku midis të tjerash shkruan: Sot është vrejtur, po ju ma bëtë ditën diell ! “Një  ndjenjë rrënqethëse që më përshkoi trupin dhe shpirtin, – shprehet ai. –

 Dr.Bexheti, si një udhëtar shkencor hulumton dhe është në kërkim të informacioneve  me vlerë. Iu desh të sakrifikojë kohën  e tij, dhe iu përkushtua gjetjes së këtij realiteti, që rrezaton “shqip”. I mblodhi copëza informacione poezi arbëreshe, biografi të ndryshme, ngjarje, takime, gjurmë, fotografi dhe vepra  të studiuesve të veçantë të profilizuar në të gjithë botën dhe formoi  këtë libër të thjeshtë në dukje, po me vlerë të madhe.Një libër aktual ky, për arbërinë e arbëreshët.

         Sa kuptimplote e aktuale janë fjalët e Prof Agostino Giordanos : “…kur një katund arbëresh s`flet më gjuhën arbëreshe, historia zë e mbëllin librin e saj, zakonet zënë e veshken, kujtimet e shpresat zënë e thahen, gjaku zë e teret. Fjalët nëng përputhen me mendimet, zëmëra  bier udhën e mallit, shit nëng fljën me njëra jetrën, ndë gjitonitë nëng  huhet ( nuk është më e përshtatëshme), ndër rugat nëng këndohen më vjershë “. Te këto fshatra  fëmijtë nuk luajnë më arbërisht, nuk këndojnë më arbërisht, nuk zihen më arbërisht, nuk shajnë më arbërisht ! E dhimbëshme, me të vërtetë e dhimbëshme.

Me 1923 komisioni qe do te caktonte kufijte e Shqiperise se Jugut i kryesuar  nga gjeneral Telini, oficer i Mbreterise Italiane dhe nje major britanik,shoqeruar nga Bajram Fevzi, Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe deputet i Kolonjës, punoi për gati tetë muaj . Ai kishte udhëzim që të vendoste me inisiativë vijën e kufirit me ato fshatra, që duhej të ndaheshin më dysh. Për të mos rënë pre e pretendimeve, komisioni kreu nje test të thjeshtë, që ka të bëjë me gjuhën shqipe. Ata mbushnin një grusht me monedha dhe jua hidhnin fëmijëve të fshatit. Fëmijet gjatë marrjes së tyre fillonin të shanin në gjuhën e tyre të përditshme, e cila ishte në masen më të madhe, shqipja. Keshtu, mjaft fshatra kufitare, iu bashkuan Shqipërisë.

         Faleminderit dr.Bexhet Asani për këtë libër voluminoz plot detaje historie, kujtimesh, figurash e shoqatash Arbërore, që i shton një vlerë më shumë punës e luftës për mbajtjen gjallë  të gjuhës e pasurimin e saj. Shëndet e suksese në krijimtarinë tuaj!

Lutfi BRAMI

Filadelfia,

më 22 maj 2022

                Në vazhdim shkrimtari Hys Hasa përshëndeti të pranishmit i cili midis tjerash tha:

           Një tubim promovues i shkëlqyer te  Shoqata “Bijtë e shqipes” e që unë kam dëshirë ta quaj te “Shtëpia e shqiptarit” në Filadelfia për librin e autorit prof. dr. Bexhet Asanit “Zarri arbëror i pashuar“.

      Sot me datën 22 maj 2022 në mjedisin e shoqatës“Bijtë e Shqipes“(Shtëpia e Shqiptarit) në Filadelfia, u organizua në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan dhe Këshillin Drejtues të kësaj shoqate, një tubim promovues për librin e autorit struganit të shqiptarisë prof. Bexhet Asanit. Tubimi u organizua në orën 11- 00 në ketë mjedis, ku morën pjesë presidenti dhe kryetari i shoqatës Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan zotrinjtë Ardian Mehmeti dhe Mëhill Velaj, kryetari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane me zonjën e tij prof. dr. Skënder Kdra, disa përfaqësues të Artit e të Kultuës Shqiptare të ardhur nga Nju Jorku, Nju Xherzi, shkrimtarë, biznesmenë dhe antarët e  Këshillit  Drejtues të  shoqatës „Bijtë e shqipes“ si dhe shumë anëtare e anëtar të shoqatës sonë me banim në Filadelfia me në krye z. Bujar Gjoka. Ky aktivitet sipas njoftimit duhet të bëhej te ndërtesa e re e shoqatës por në kushtet e temperaturave të larta u detyruam ta bënim te godina ekzistuese, sepse kishte dhe ambiente freskues.

        Fiks në orën 11:30 aktivitetin e hapi Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro Amerikan poeti e shkrimtari z. Mëhill Velaj, i cili i njohu pjesëmarrësit me programin e këtij tubimi promovues dhe mbajti fjalën e hapjes, duke bërë një biografi të shkurtër të autorit prof. dr. Bexhet Asanit dhe veçanërisht të veprimtarisë së tij, si autor i disa librave e sidomos librin më të ri me titull “Zjarri arbëror i pashuar“. Në ketë libër autori trajton veprimtarinë e Arbëreshëve duke evidentuar disa nga përsonalitet historike, artistike, shkencore e kulturore të Arbëreshëve të cilët edhe sot pas 550 vitesh kanë ruajtur gjuhën e kulturën, zakonet e traditat e të parëve të tyre. Në ketë tubim përshëndetën edhe shkrimtari e poeti z. Ardian Mehmeti (President i shoqatës shkrimtarëve shqiptaro-Amerikan dhe botues i revistës Tema), profesor dr. Skënder Kodra (Kryetar i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane).

         Pas moderatorit z. Mëhill  Velaj, përshëndeti dhe foli për rëndësinë e këtij aktiviteti në bashkëpunim me Këshillin Drejtues të Shoqatës“Bijtë e Shqipes“, duke i shërbyer kulturës shqiptare, ku me botimin e këtij libri autori i shërben pasurimit të historiografisë shqiptare për një popull shumë fisnik, siç është populli arbëresh në përgjithësi por në veçanti nga ata të Italisë, duke ruajtur gjuhën e nënës shqipe dhe zakonet e traditat e mira të shqiptarisë.

Moderatori i nderuar z. Mëhill Velaj ia dha fjalën prof. dr. Besim Muhadrit (bashkrahinarit tim hasjanit të Vlahnës shqiptare sepse Kukësi e Hasi kanë qenë në një rreth dhe sot janë në një Qark) për  të diskutuar dhe analizuar librin e ri të Bexhet Asanit „Zjarri arbëror i pashuar“.

          Pas analizës që i bëri në disa plane prof. dr. Besim  Muhadri librit, ai pati kënaqësinë që t’i dorëzojë Bibliotekës “Anastas Dodi“ të shoqatës “Bijtë e Shqipes“ disa libra me autorësinë e tij. E nderuara dhe mike e shquar e shoqtës sonë shkrimtaria e poetja e talentuar zj. Iliriana Sulkuqi foli për veprimtarinë krijuese e botuese të autorit, si dhe dorëzoi disa libra bibliotekës së shoqatës dhe disa përshëndetje nga disa shoqata motra në Greqi, Elbansan e në Tiranë. Ajo dorëzoi edhe disa „PENA“ si simbol respekti për autorin e librit  Bexhet Asanin, për gazetarin veteran (ky dhe nismëtari i krijimit të shoqatës dhe „Kryetari i  Nderit“ z. Llazar Veron, „Kryetarin e Nderit“ z.Tajar Domin, dhe Kryetarin e Shoqatës intelektualin brilant të shkolluar me „Mastër Shkencor“ në Amerikë z. Bujar Gjoka, si dhe një dhuratë për prof. dr. Skënder Kodrën (i cili para disa ditësh kishte ditlindjen e tij). Pastaj rreth librit diskuatuan: gazetari veteran z. Llazar Vero, dr. Sadik Elshani, k/komisari Lutfi Brami (i cili pavarësisht se në diskutim foli me disa shkurtime për efekt kohe, por pastaj në rrjetet sociale e ka shtjelluar më gjerë dhe me shumë profesionalizëm vleratë historike e shkencore të librit). Në përfundim diskutova edhe unë rreth vlerave të këtij libri me vlera historike, artistike e shkencore për të sotmen dhe sidomos për të ardhmen ,duke e kosideruar një pasuri të madhe për lexuesin shqiptar.

         Në një moment aktori i madh Shaban Lajçi këndoi me zërin e tij një këngë për kurbetin dhe recitoi disa vargje  me shumë vlera patriotike  që ngjalli shumë emocion tek auditori prezent në këtë aktivitet, ku u duartrokit me shumë ovacione e dashamirësi. Në mes të këtij entuziasmi Këshilli Drejtues i Shoqatës Atdhetare-Kulturore“Bijtë e shqipes“ nëpërmjet kryetarit të saj z. Bujar Gjoka i dorëzoi prof. Bexhet Asanit një „Cetërfikatë Mirnjohje“ në emër të këshillit drejtues të shoqatës sonë me motivacion: “Për kontributin e dhënë në botimin e disa lIbrave e sidomos në botimin e librit “Zjarri arbëror i pashuar“, ku të gjitha kanë në brendësinë e tyre ruajtjen e gjuhës, zakoneve e traditave të bukura të shqiptarëve dhe shqiptarizmës në komunitet“. Pastaj autori prof. dr. Bxhet Asani, bëri një përmbledhje të punës së bërë në botimin e këtij libri dhe ju përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve. Mbylljen e këtij aktiviteti e bëri z. Mëhill Velaj dhe Kryetari i Shoqatës Z.Bujar Gjoka me dëshirën që edhe në të ardhmen të organizojmë evenimente të tilla, që i shërbejnë e do t’i shërbejnë artit e kulturës dhe ruajtjes së shqiptarizmës në komunitetet  shqiptare në diasporën e Amerikës..

          I  gjithë ky auditor kaloi në sallën tjetër për koktej e organizuar nga i zoti i shtëpisë z.Bujar Gjoka,ku në mes të këtij entuziasmi me shëndete për miqët dhe autoritet përkatëse, që na nderuan në ketë eveniment zj. Ilirjana Sulkuqi i dorëzoi shoqatës sonë një çek prej 100 $ amerikanë për mbarëvajtjen e shkollës shqipe “Gjuha Jonë“ dhe për ndërtimin e godinës së re të shoqatës. Kjo dhuratë bëri që edhe të gjithë miqtë që erdhën nga Nju Jorku dhe nga Nju Xheryi, sejcili dhuruan nga 100 $ për godinën e re dhe disa nga ata dhuruan edhe për shkollën shqipe “Gjuha jonë“. U mbyll ky aktivitet dhe me një vizitë te ndërtesa e re e shoqatës, sidomos për ata që nuk e kishin parë, duke qenë të shoqëruar nga Kryetari z.Bujar Gjoka e n/kryetari i shoqatës z.Dritan Matraku. Zoti e bekoftë autorin e librit prof. dr. Bexhet Asanin dhe drejtuesit e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, kryetarin e Akademisë Shkencave Shqiptaro – Amerikane dhe të gjithë pjesëmarrësit, që në nderuan në ketë takim vëllazëror sot te „SHTËPIA E SHQIPTARIT“në  diasporën e Filadelfias.

          Më poshtë unë po jap fjalën time që mbajta në këtë tubim promovues:

* DISA mendime e sugjerime për librin “Zjarri arbëror i pashuar”, i autorit shqiptarë në diasporën e Amerikës dr. Bexhet Asanit.

Të nderuar bashkatdhetarë!

       I nderuar Kryetar i Shoqatës Shkrimtarëve Shqiptaro –Amerikan z.Mëhill Velaj dhe Presidentit të saj z.Ardian Mehmeti.

      I nderuar Kryetar i Akademisë Shkencave Shqiptaro-Amerikane z.prof.dr.Skënder Kodra!

           I nderuar prof.dr.Besim Muhadri!

           I nderuar autor i librit“Zjarri arbëror i pashuar“ prof. Bexhet Asani!

         Unë librin nuk e kam lexuar, vetëm ja kam hedh një sy thjeshtë nga rrjetet sociale,që ma ka dërguar kryetari ynë i nderuari z.Bujar Gjoka, por dola këtu për të falënderuar në radhë të parë, autorin e librit prof. dr. Bexhet Asanin dhe Kryetarin e Presidentin e Shoqatës sonë të nderuarit e  shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikan z. Mëhill Velaj e Adnan Mehmetin dhe Këshillin Drejtues të Shoqatës sonë “Bijtë e shqipes”, që na dhanë mundësinë dhe krijuan kushtet, që ky promovim libri të bëhet në mjedisin e “Shtëpisë së Shqiptarit” në Fladelfia.

        Duke dëgjuar analizën që i bëri prof. dr. Besim Muhadri (ky dhe bashkërahinar i imi, sepse Kukësi e Hasi kanë qenë në një rreth dhe sot janë në Qark) dhe aqë sa unë kam parë shkurtimisht në përmbajtjen e librit, themë se autori prof. dr. Bexhet Asani ka bërë një punë të shkëlqyer në grumbullimin e të dhënave, takimet me përsonalitete të shqiptarëve të origjinës e me rrënjë shqiptare nga Arbëreshët të cilët jo vetëm që kan ruajtur gjuhën, zakonet e traditat e shqiptarisë  edhe pas 550 vitesh, duke qenë një shembull  pozitiv me shumë vlera historike, artistike, shkencore dhe  teknike, për sot e sidomos për të ardhmen e brezave të ardhshëm, prandaj autori meriton përgëzimet e mia shumë të sinqerta, për përgatitjen e këtij libri, ku edhe titulli ka një domethënie të veçantë ”Zjarri arbëror i pashuar”, duke bërë krenar çdo shqiptar, përfshi edhe neve që jemi të pranishëm në ketë sallë.

        Është detyrë e çdo intelektuali e sidomos e shkrimtarëve që të punojmë pareshtur, duke evidentuar historinë dhe shembujtë pozitivë, për t’ i shkruar e përgjithësuar në librat që ne botojmë, me synim që t’u lëmë brezave një thesar vlerash, duke ju treguar se nga vijmë, kush jemi dhe si duhet të jemi, pra për të njohur vetveten, ashtu siç ka bërë autori shumë i respektuar prof. dr. Bexhet Asani. Z. Bexhet urime e suksese për ketë punë që ke bërë e atë që do të bësh në të ardhmen.

     Pozitive është që autori shkruan me shumë respekt për vleratë e përsonaliteteve intelektuale të fushave të ndryshme, duke filluar me hershmërinë e identitetit dhe të gjuhës së arbëreshëve, që nga pellazgët e qytetërimi i tyre, studimi dhe mitologjia arbëreshe dhe për disa përfaqësues tipik të saj, ku kemi të bëjmë me një monografi me shumë vlera për shkencat albanalogjike. Në këtë libër një vend të rëndësishëm zënë “Gjuha pellazgjike – si gjuha e perëndive”, shkruar nga prof. Kristaq Shabani për kryeveprën e të madhit të shqiptarisë, e të paharruarit  Aristidh Kolës.  

    Një vend të rëndësishëm i ka kushtuar aktivitetit etnografik dhe kulturor të Arbëreshëve. Unë ju thashë edhe në fillim se librin nuk e kam lexuar, por aq sa kam parë në sipërfaqe, është një punë shkencore e mirfilltë e autorit, që ka derdhur shumë mund e djersë, për të grumbulluar materjalet, takime me përsonalitete të ndryshme të kulturës arbereshe,me synim  për ta bërë librin sa më të vërtetë për lexuesin dhe një burim shkencor studimi për brezat e së ardhmes. Mënyra dhe gjuha e të shkruarit është e thjeshtë, e qartë, e pastër dhe e freskët si dhe e kuptueshme për çdo lexues.

      Një vend të veçantë në ketë libër zë albumi i fotografive, ku te çdo foto ka një simbol, një përsonalitet, ku lexuesi shikon se sa konkrete është puna e autorit. Duke i hedhur një  shikim thjeshtë sipërfaqësor këtij libri, them se shton hijeshinë e bibliotekave të çdo lexuesi.

      Kur u ngrita për të përgëzuar autorin për ketë pasuri të madhe kombëtare, që i jep lexuesit shqiptar, e sidomos atij në diasporë, desha t’ ju themë se unë kam botuar dy libra për fshatin tim,”Vila pjesë e krenarisë lumjane” promovuar në Tiranë në vitin 2008 dhe  2 vëllime me  1300 faqe me titull ”Gjurmë vlerash jetësore në Vilë”, promovuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë me 24 prill 2022, bashkë dhe me 2 vëllime prej 900 faqesh me titull “Autor e vepra nga Pena kuksiane“, si dhe „Vlera intelektuale kuksiane“, vëllimi i 4-të dhe “Gjurmë vlerash kuksiane”

Filed Under: Reportazh

NGA PËRURIMI I LIBRIT “ZJARRI ARBËROR I PASHUAR” NË FILADELFIA

May 30, 2022 by s p

Shkruan Mëhill Velaj/

        Në vazhdën e aktiviteteve kulturore të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, në bashkëpunim me Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, në lokalet e kësaj shoqate në Filadelfia, u  bë përurimi i librit “Zjarri arbëror i pashuar të prof. Bexhet Asanit. Të dy kryetarët Bujar Gjoka me stafin e tij si nikoqirë dhe kryetari Mëhill Velaj që në orët e para të mëngjesit të ditës së dielë (22 maj 2022), po bënin përgatitjet për të pritur sa më mirë mysafirët e shumtë nga Nju Jorku, Kenerika, Pensilvania dhe Nju Xherzi.

           Përurimin e hapi prof. Mëhill Velaj, me një përshëndetje të ngrohtë vëllazërore. Të pranishmit sipas traditës kryetari Bujar Gjoka i uroi mirëseardhjen motrave, vëllezërve, mikeshave e miqve të cilët kishin ardhur nga të katër shtetet e Amerikës. Në përurim mori pjesë edhe kryetari i Akademisë z. Skënder Kodra si dhe këta anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë: Mëhill Velaj, Iliriana Sulkuqi, Adnan Mehmeti, Arjeta Ferlushkaj, Besim Muhadri, Bexhet Asani, Sabije Dervishi Veseli, Ramiz Mujaj, Vlashi Fili, Llazar Vero, Hys Hasa,  Ibadete Humolli Teta, Pal Ndrecaj, Fjorela Çela Forde. Vlen të theksohet se interesimi i lexuesve ishte shumë i madh dhe se në përurim morën pjesë edhe nëna me fëmijë.

               Në fillim e mori fjalën presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë z. Adnan Mehmeti: Të nderuar anëtarë të kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes”!

Të dashur anëtarë të shoqatës së shkrimtarëve!

I nderuar miku ynë shkrimtari i mirënjohur Bexhet Asani!

            Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në bashkëpunim me Shoqatën “Bijtë e Shqipes” organizon një aktivitet të veçantë për promovimin e veprës së autorit Bexhet Asani.

Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj, ku kam shumë miq. Për mjaft autorë shqiptarë që banojnë në Amerikë apo dhe në trojet amtare e kanë një ëndërr të bukur promovimin e një vepre letrare në këtë qytet, në kujdesin e kësaj Shoqate që sot drejtohet nga z. Bujar Gjoka. 

Unë kam patur rastin që të udhëtoj shpesh nëpër Amerikë, të kontaktoj shumë shqiptarë mes të cilëve dhe mjaft shkrimtarë.  Po e them sot me mjaft sinqeritet se në Filadelfia mes jush me një emër mjaft simbolik “Bijtë e Shqipes” ndihem mjaft mirë. Ndihemi mirë edhe me bibilotekën mjaft të pasur që keni duke përfshirë dhe arkivin e profesorit të ndjerë Petër Prifti, që për ne mbetet frymëzim i përjetshëm.

Zonja dhe zotrinj,

          Le të vijmë te vlerat që përcjell libri. Duke e lexuar e rilexuar nuk e fsheha emocionin që më dha vepra. Së pari nga gëzimi i suksesit të një anëtari të devotshëm të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Ai ka punuar me të për një kohë mjaft të gjatë aq sa mund të themi se ky është “Libri i jetës”. Vetë metafora e titullit na dërgon në një trevë mjaft të begatë për gjuhën shqipe që mbetet edhe sot e kësaj dite një thesar i kulturës sonë kombëtare.

         Brenda këtij libri janë gjurmët historike, janë përpjekjet që bëhen atje për të ruajtur kulturën shqiptare që edhe tani pas 550 viteve është kaq e gjallë, kaq e spikatur. Kalojnë njëri pas tjetrit në këtë libër njerëz të shquar të kulturës arbëreshe si poetë, piktorë, këngëtarë, valltarë, studiues, profesorë. Pa rënë në përsëritje të veprave të tjera me këtë karakter ai na jep të dhëna më shumë për personalitete arbëreshë. E për këtë duket se ka bërë një punë mjaft të madhe kërkimore në arkiva, në vepra të tjera e sidomos në rrugëtimin e tij në këto treva duke na dhënë edhe disa reportazhe mjaft të realizuar.

         Do të thoja me plot gojë që një pjesë të suksesit të librit ai ia ka besuar dhe fotografive të marra në këto treva ku shkëlqen madhështia e kostumeve popullore arbëreshe.  Leximi dhe studimi i kësaj vepre nga lexuesit e sidomos nga shkrimtarët shqiptaro-amerikanë është një obligim mjaft i madh. Është për t’u përshëdetur ky promovim që mund të vazhdojë edhe në qendra të tjera që të bëhen sa më të njohura vlerat e këtij libri.

Faleminderi miku i letrave shqipe Bexhet Asani! Suksese për librin!

E në këto çaste festive urimet ndjekin njëri-tjetrin. Faleminderit nikoqirë dhe bashkëatdhetarë për këtë organizim kaq të bukur! Nga krijimet modeste të Shoqatës sonë, për bibliotekën tuaj të pasur, po ju sjellim dhe monografinë e Shoqatës së Shkrimtarëve, si dhe numrin më të ri të revistës “Pena”. Le të marrë jetë me shkrimet e shkrimtarëve anembanë Amerikës, e të lexohet edhe në Filadelfian historike.

               Në këtë atmosferë kaq mbresëlënëse z. Bujar Gjoka fton ish nxënësen e shkollës s[ Shoqatës “Bijtë e shqipes” – Gjuha jonë” Selma Çelën. E cila recitoi poezinë e babait të saj  Bujar Çela:

           Zjarri I pashuar  

(Kushtuar prof Bexhet Asanit)

Ju motra vëllezër, a s’më thoni,

Këtu, ne sot, kush na mblodhi,

Një burrë fisnik nga Zagraçani,

Profesor Bexhet Asani.

Miq dhe shokë ç’ më zuri rruga, 

Të shkoja, andej nga Struga.

Ulur nën hijen e një mani,

Ballë për ballë, Bexhet Asani.

Dhe e solla këtu, midis nesh,

Të na flas për popullin arbëresh.

Dhe për kryeheroin e Atdheut,

 Lavdisë veprës së Skënderbeut!

Ti, moj, nëna e Zagraçanit,

Hallall qumështi yt për djalin!

Që pennn nuk ia ndan vatanit,

Fillon qe me kohen e Arberit.

Ndaj dhe “Bijtë e shqipes” sot,

Respekt nga thellësia e zemrës, 

Njëzëri urojmë suksese plot,

Për ty,  o  pishtari,  i penës!

Filed Under: Kulture Tagged With: Mehill Velaj

NJË DRAMË E RE PËR GJERGJ KASTRIOTIN – SKËNDERBEUN E PANJOHUR DHE E PA INDEKSUAR NË BIBLIOGRAFINË PËR TË

May 30, 2022 by s p

Frontespici i drames per Skenderbeun nga viti 1737
Faqja 33 nga drama e vitit 1737, fundi i aktit te trete ku eshte shenuar emri i autorit te tekstit, Francesco Magnani
Faqja 19 nga drama e vitit 1737, fundi i aktit te dyte ku eshte shenuar emri i autorit te tekstit, Giuseppe Pesenti
Faqja 9 nga drama e vitit 1737, fundi i aktit te pare ku eshte shenuar emri i autorit te tekstit, Ottaviano Diodati
Faqe 8, nga drama e vitit 1737 ku jane shenuar emrat e aktoreve

Deri në mesin e shekullit XVIII u shkruan disa drama, tragjedi dhe komedi, një pjesë e mirë e të cilave janë të njohura për studiuesit dhe publikun e gjerë, por, njëkohësisht, ka mjaft tituj të botuar nga fusha e dramaturgjisë, të cilët kanë mbetur nën pluhurin e harresës, përkundër faktit se si vlera janë në nivel me të tjerat, në mos më lart. –  Subjekti i dramës është ndërtuar mbi bazën e burimeve dokumentare të njohura të kohës dhe botimeve më të rëndësishme të autorëve eminentë, siç ishin: Odoricus Raynaldus (1646); Abraham Bzovius (1627), Henricus Spondanus (1641), Ioannes Leunclavius (1588), Paolo Giovio (1531) dhe Giovanno Sagredo (1673) që do të thotë se drama kërkon t’u mbetet besnike të vërtetave historike që njiheshin në atë kohë për Skënderbeun. 

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Krijimet artistike për nga vëllimi nuk mbetet pas krijimtarisë tjetër, asaj historike, publicistike dhe filozofike, për jetën, veprën dhe figurën e Gjergj Kastriotit Skëndërbeut. Duke qenë se jeta e tij ishte plot sfida, dramatizëm dhe konflikte në fushëbetejë dhe jetë private, tërhoqi që në shekullin XVII vëmendjen e dramaturgëve për krijmet e tyre sa reale aq edhe fantastike, në të cilat shquhet veçanërisht simbolike domethënëse dhe fabule me plot kolorit e porosi përmbajtësore. 

Deri në mesin e shekullit XVIII, u shkruan disa drama, tragjedi dhe komedi, një pjesë e mirë e të cilave janë të njohura për studiuesit dhe publikun e gjërë, por, njëkohësisht, ka mjaft tituj të botuar, nga fusha e dramaturgjisë, të cilët kanë mbetur nën pluhurin e harresës, përkundër faktit se si vlera janë në nivel më të tjerat në mos më lartë.

Në këtë kuadër është edhe drama në tre akte e botuar në Modena të Italisë në vitin 1737, e cila nuk shënohet në asnjë bibliografi të Gjergj Kastritoit Skënderbeut, por as nuk përmendet fare nga studiuesit tonë e të huaj.

Në anën tjetër, përmendet një dramë tjetër, e botuar po në Modena të Italisë, në vititn 1770 e cila nuk ka asgjë të përbashkët me dramën për të cilën ne po shkruajmë, pos ndoshta që është e ndikuar nga libri i viti 1737.

Drama nga viti 1737, me titull “Aleksandri zot i Shqipërsië. Vepër akademike për t’u shfaqur në Teatrin e Madh Dukal, në ditën shumë të lumtur të lindjes të shkëlqesisë së tij, princ të Modenës, hartuar, recituar dhe kushtuar madhërisë së tij, Rinaldos I, dukës së Modenës, Rexhios, Mirandolës etj. Nga zotërinjt konviktor të kolegjit të fisnikëve” (Titulli në origjinal italisht mund të lexohet te ilustrimi i frontespicit që po botojmë) është në gjendje shumë të mirë. Ka kopertona kartoni të forta të kohës. Pas faqes së frontespicit, është një faqe boshe dhe menjëherë në shtatë faqet në vijim është argumenti. Në faqen tetë janë të shënuar personazhet e dramës dhe emrat e aurtorëve të cilët kanë interpretuar këtë dramë. Teksti i dramës ka 47 faqe. Drama ka tre akte. Akti parë f. 1-9 dhe ka si autorë Ottaviano Dodatin. Në f. 10 është kënga e parë, ndërsa në f. 11-19 është akti i dytë me autorëGiuseppe Pesentin; f. 20 është kënga e dytë, ndërsa në f. 21-33 është akti i tretë me autorë Francesco Magnanin, f. 34-35 është kënga e tretë dhe në f. 36-47 janë ballot për të tre aktet e dramës. Pra siç vërehet drama është e shkruar nga tre autorë të ndryshëm përkatësisht secili nga tre aktet e dramës ka autorin e tij.

Vepra „Aleksandri, zot i Shqipërisë“, siç mund të kuptohet edhe nga vetë titulli ishte një aksion akademik për t’u paraqitur në teatrin e madh dukal në ditën e vitit të ri të sundimtarit, princit të Modenës, Rinaldos I, i cili ishte njëkohësisht dukë i Modenës, Reggios dhe Mirandolës. Kjo vepër u shkrua, u recitua dhe iu kushtua këtij sundimtari nga konviktorët e kolegjit të fisnikëve (signori convittori del collegio de’ nobili) në Modenë, dhe u botua në vitin 1737 nga Bartolomeo Soliani, botuesi dukal, me lejen e autoriteteve përkatëse. 

Subjekti i veprës parashtrohet në formën e argumentit në pesë faqet e para të botimit. Për të kuptuar më mirë audiencën të cilës i drejtohej kjo dramë dhe njohurive paraprake të saj në lidhje me Skënderbeun, po e sjellim të gjithë subjektin të përkthyer me besnikëri në shqip. 

“Gjergji, zoti i Shqipërisë e më vonë mbret i Epirit, i dhënë peng nga i ati bashkë me tre vëllëzërit e tij më të mëdhenj për paqe te Murati II, u bë zot i madh [Gransignore] i turqve. Duke parë te djaloshi një elegancë të mrekullueshme dhe një karakter luftëtari, ai e veçoi nga vëllëzërit e tjerë dhe ashtu si djalin e tij e stërviti në ligjin muhamedan dhe në të gjitha artet kalorsiake. Duke parë pastaj gjithmonë e më shumë gjallërinë dhe shkathtësinë e tij në përdorimin e armëve, e gradoi në një moshë akoma të re, kur ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç si komandat të ushtrive të tij. Për shkak të fitoreve të sjella prej tij, ia ndryshoi emrin nga Gjergj në Skanderbe, që në gjuhën tonë do të thotë Aleksandër, emër me të cilin do të quhej gjithmonë më vonë për shkak të trimërisë së tij të pamposhtur. Kur vdiq babai i tij [Skenderbeut], Murati pushtoi shtetet e Shqipërisë dhe pasi helmoi vëllëzërit e Aleksandrit, i premtoi atij, që në momentin e përshtashëm do ta rivendoste në principatat e tij, duke e mbajtur ndërkohë pranë vetes për ta përdorur për pushtime të tjera. Aleksandri, i tmerruar nga vdekja e vëllëzërve dhe duke dalluar shpirtin jobesnik të otomanit, vendosi që të shpallte hapur fenë e vërtetë. U arratis me shumë zgjuarsi dhe mjeshtri nga duart e tiranit dhe me uniformë turke u fut në Krujë, kryeqytet i shteteve të tij, dhe vrau të gjithë turqit që kishin pushtuar tokat e tij. I goditur thellë në shpirt nga ky fakt, Murati II, zemërohet dhe nuk mendohet gjatë për një hakmarrje të shpejtë, por dërgoi njërën pas tjetrës dy ushtri të mëdha për të sulmuar Krujën. Të dyja u shpartalluan nga Aleksandri i fortë dhe nga të dy gjeneralët e ushtrisë turke, njëri mbeti i vrarë dhe tjetri u zu rob. I sigurt se do t’ia dilte me planin e tij, Murati II shkoi vetë personalisht me 160 mijë ushtarë dhe me një numër të jashtëzakonshëm artilerie në atë rrethim [të Krujës, në vitin 1450]. Pasi e kishte provuar edhe me dredhi edhe me forcë, por pa sukses që ta pushtonte [Krujën], vdiq i pushtuar nga zemrimi dhe inati.”

Subjekti i dramës është ndërtuar mbi bazën e burimeve dokumentare të njohura të kohës dhe botimeve më të rëndësishme të autorëve eminentë, siç ishin: Odoricus Raynaldus (1646); Abraham Bzovius (1627), Henricus Spondanus (1641), Ioannes Leunclavius (1588), Paolo Giovio (1531) dhe Giovanno Sagredo (1673) që do të thotë se drama kërkon t’i mbetet besnike të vërtetave historike që njiheshin në atë kohë për Skënderbeun. Shënimet për autorët e cituar i gjejmë në f. 7 të dramës. Megjithatë siç do ta shohim më poshtë nga zgjedhja e emrave të personazheve dhe nga sfondi skenik në të cilën zhvillohen ngjarjet, bëhet një aludim i qartë për një lidhje të drejtpërdrejtë midis Skënderbeut dhe Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, gjë që autorët kanë arritur me mjaft mjeshtri ta realizojnë.

Personazhet kryesorë në këtë dramë janë Aleksandri, zoti i Shqipërisë, Murati, perandori i turqve (sulltani), Araniti, Spani, princër në Shqipëri, Ernesti, Gjeneral i Aleksandrit, Osman aga, Selimi, ambasadori i Muratit dhe i burgosuri Ahmet pasha. Skena zhvillohet në një fushë mes dy ushtrive të Aleksandrit dhe të Muratit. 

Lidhja me antikitetin bëhet nëpërmjet hënës, e cila mbizotëron skenën para lojës së aktorëve. Skena përshkruhet në detaje në botim duke shpjeguar kuptimin e hënës në të dhe në të njëjtën kohë duke aluduar për Aleksandrin e Madh. Në antikitet, me tre figura të ndryshme njihej Perëndesha Ekate, ose Hënën, në varësi të zonave të ndryshme në të cilat ajo jetonte dhe me tre emra e dallonin atë: Proserpina në ferr, Çintia në qiell dhe Diana në tokë. Tre kërcimet e para në skenë i referohen këtyre tre figurave, duke pritur në adhurim që kësaj perëndeshe të ëndërruar t’i përulen edhe turqit e paraqitur në këtë aksion. Në të parin kërcim, në një fushë plot me gjemba në mes të të cilës është një mal me kratere gati për t’u hapur, paraqitet froni i Proserpinës, që adhurohet nga katër bujq dhe gra të tjera që herë mbledhin lule e herë ngjiten në mal. Kur krateri tymues i malit hapet, gratë largohen duke vrapuar sepse që andej del Plutoni me suitën e tij dhe rrëmben Proserpinën, i cili pastaj feston bashkë me suitën e tij për rrëmbimin e suksesshëm. 

Pas kësaj paraqitje skenike del në skenë Aleksandri, Araniti dhe Spani të cilët diskutojnë me njëri-tjetrin për vlerat në luftë e në fitore dhe nga dialogu i tyre mësojmë të gjithë kontekstin historik në të cilën është vendosur drama. 

Aleksandri fillon i pari me dialogun e tij, dhe që në fillim autorët vënë në gojë të Aleksandrit vargje të tilla plot adhurim për grekët e lashtë 

“Se dal valor vien la vittoria, o Prenci,

Ell’è per noi decisa, han vinto i Greci”

Nga goja e Aleksandrit mësojmë të gjithë kontekstin historik në të cilën zhvillohen ngjarjet e dramës: Murati do të kthehet me ushtri dhe do të tentojë të pushtojë Epirin dhe Arbërinë. Këto dy të fundit në gojën e tij dalin si dy gjëra krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Po kështu, Aleksandri thekson vendin e veçantë që zë “la costante mia Croja” në zemrën e tij, dashuri kjo që do të vihet në sprovë në kulmin e kësaj drame. 

Nga goja e Aranitit dëgjuesit njihen më mirë me forcën dhe karakterin e Aleksandrit, sepse ai i drejtohet plot lëvdata dhe këshilla Aleksandrit, duke i rikujtuar ligësinë e Muratit dhe natyrën e tij mashtruese. Me pak fjalë, ai e përgatit dëgjuesin/lexuesin e vëmendshëm edhe për skenarin e dramës, por pa zbuluar atë që do të përbëjë kulmin e saj. Në gojën e Spanit, autorët e dramës kanë vënë sukseset e turqve dhe e paralajmëron Skënderbeun për fuqinë e madhe të turqve të cilët kanë pushtuar Afrikën, Azinë dhe madje edhe Evropën po të mos ishte Aleksandri. 

Ndërkohë që këto personazhe zbulojnë jo vetëm kontekstin historik të dramës por edhe anën personale të saj, kur Araniti merr vesh që turqit kanë sulmuar Serbinë dhe që Irena, vajza e tij dhe gruaja e ardhshme e Aleksandrit, mund të ketë rënë robinë në duart e Muratit. Ndryshimi i emrit të gruas së Skënderbeut nga Donika në Irena mendojmë se është bërë me qëllim për arsye stilistike, për të treguar që në fund të fundit kjo dramë është një krijim artistik dhe që në planin personal nuk i qëndron besnike realitetit të dokumentuar. Një mesazh i tillë është i rëndësishëm për të mos lënë vend për konfuzion në lidhje me robërinë e gruas së Skënderbeut. 

Nëpërmjet ambasadorit Selim të sulltanit, organizohet një takim i Muratit me Skënderbeun, dialogu mes të cilëve zhvillohet në pjesën e dytë të dramës, ose në të ashtuquajturin ‘aksion të dytë’. 

Pjesa e dytë hapet me një dialog midis Ernestit, gjeneralit të Aleksandrit dhe Ahmetit, komandantit të burgosur të Muratit, dhe në këtë dialog lajmërohet ardhja e Muratit dhe humbja e ushtrive të tij të mëparshme. Nga goja e Ahmetit del një valë akuzash për Muratin, gjë që krijon një urrejtje e skajshme për të, parë edhe nga këndvështrimi i njerëzve të tij: 

“Ma il feroce Amurat si non ragiona,

Uomo di sangue amante, e violento”

Pasi futen në skenë Aleksandri, Murati, Araniti, Spani dhe Osmani, fillon të rritet tensioni dramatik. Fillimisht Aleksandri bën një gjest kalorsiak duke shpëtuar Ahmetin nga shpata e Muratit që i zemëruar për disfatën e komandantit të tij kërkon ta vrasë atë në prani të të gjithëve, duke shprehur përçmim për ata që humbin si dhe duke i trajtuar vartësit e tij si objekte pa vlerë. Pas kësaj, Murati i kujton Aleksandrit fuqinë e madhe të perandorisë së tij, dhe që ai sundon gjithë ‘Qiellin’: Evropën, Afrikën dhe Azinë, dhe i ofron Aleksandrit që të kthehet tek ai e të zërë përsëri vend mes sundimtarëve të tij. Ai i rrëfen dashurinë e madhe që ushqen për Aleksandrin, duke i kujtuar atij që e ka rritur dhe edukuar si djalin e tij, dhe që ka pasur për të plane po kaq të mëdha sa për djalin e tij. Pastaj i ankohet që Aleksandri është treguar i pabesë dhe i është kthyer në armikun më të rreptë. Kur Aleksandri i kujton të gjitha vrasjet që ka bërë, e ndër to edhe atë të vëllezërve të tij, Murati justifikohet që të gjitha janë bërë për hir të pushtetit, madje edhe ajo e vëllezërve të tij është bërë për t’i siguruar pushtet Aleksandrit: 

“I tuoi prima di te nati Fratelli

Su te dovean regnar: con lor lo stile

Seguji degli Octoman: con la lor morte

Dell’Albania ti fei Signor, al primo

Di lor dovuta: ingrato! Sol per farti

Regnar gli uccisi…”

Aleksandri i përgjigjet që më mirë do të kishte preferuar skllavërinë sesa vdekjen e njerëzve të tij, dhe me moralin që shpreh ngrihet në rangun e kalorësit evropian: 

“A noi non piace di regnar con colpa,

ne sopra il sangue altrui di gire al trono,

Questa la gloria sia degli Ottomani,

E di chi siegue l’arabi Impostore.”

Pas një debati të gjatë e plot me fyerje nga ana e Muratit, ku megjithatë Murati e sheh që Aleksandri nuk ka ndërmend të lëshojë pe e të pranojë privilegjet e ofruara nga ana e tij, autorët e rrisin dramacitetin e veprës me anë të një shantazhi nga ana e Muratit: Nëse nuk dorëzon Krujën, do të vrasë Irenën, i pohon ai tërë inat.

“Qual più cara ti sia Croja, od Irene”

Skena mbyllet me personazhe dhe valle të kërcyera nga tragjeditë e Euripidit: Ifigjeninë, Orestin te tempulli me altarin e Dianës, Piladi që e shpëton Orestin në momentin kur Ifigjenia kishte ngritur dorën për ta vrarë vëllain e saj që nuk e njihte. 

Pjesa e tretë hapet me ankthin e fisnikëve shqiptarë: Aranitit, Spanit dhe Aleksandrit për vendimin që duhet të marrë Aleksandri. Araniti, babai i Irenës vendos më në fund që më mirë të sakrifikohet Irena sesa Aleksandri dhe Kruja, duke i kërkuar që të marrë hak për Irenën: 

“Ella morrà più lieta, e più contenta

In pensar, che tu vivi, e che un dì puoi

Far sua vendetta…”

Po kështu, edhe Spani i thotë që vetëm ai, Aleksandri, mund ta shpëtojë Shqipërinë, dhe ta mbrojë të gjithë Evropën, kështu që nuk duhet ta sakrifikojë veten. 

Provokimit të Muratit, për Aleksandin, se cila kishte më shumë peshë brenda zemrës së tij, mbretëria apo dashuria, Kruja apo Irena 

“Quale centro al tuo core abbia più forza

Se il Regno, o pur l’amor, se Croja, o Irene”

Araniti i përgjigjet më shumë forcë, që lavdia është e para “La gloria è il primo” dhe që vajza e tij nuk ishte akoma gruaja e Aleksandrit, e për këtë ai nuk duhet të ndihej i detyruar për ta shpëtuar atë. Përkundër këshillave të fisnikëve shqiptarë, Aleksandri vendos që të dorëzohet te Murati me qëllim që të shpëtojë edhe Irenën edhe Krujën, sipas një marrëveshje të bërë me sulltanin osman. Menjëherë pas kësaj është një veprim shumë dramatik, kur Murati pranon që Skënderbeu ishte për të më i rëndësishëm se Kruja dhe se Irena:

“ … Più di Croja, e Irene

Tu mi sei caro…”

Ndërkohë që Ahmeti tenton të vrasë Muratin, dhe Aleksandri shfaq një tjetër gjest kalorësiak duke e shpëtuar Muratin nga shpata e Ahmetit, Ernesti lajmëron që Irena është liruar dhe që është e sigurt brenda mureve të Krujës. Në të njëjtën kohë vjen edhe lajmi që Roma i ka dërguar Aleksandrit skeptrin, diademën dhe titullin e madh e të shenjtë të mbretit të Epirit. Për Muratin, të gjitha këto lajme janë një goditje e padurueshme që i shkaktojnë vdekje të menjëhershme. 

Duke qenë se kjo dramë është kompozuar për dukën e Modenës, Reggios dhe të Mirandolës, nga konviktorët e kolegjit të fisnikëve, të gjithë aktorët që marrin pjesë në luajtjen e saj janë fisnikë gjë që vihet re edhe nga titujt që mbajnë dhe ata janë pjestarë të rretheve të larta kulturore dhe intelektuale të kohës. 

Emrat e aktorëve që kanë luajtur në këtë dramë i gjejmë të shënuar në faqen 8 të librit dhe janë: 

  1. Francesco Giusepe Magnani Modenese principe di Lettere, e Decano del Collegio – në rolin e Aleksandrit (përkatësisht Skënderbeut); 
  2. Francesco Marescalchi Bolognese Accademico di Lettere, e d’Armi – në rolin e Muratit (Imperadore de’ Turchi); 
  3. Giammaria Riminaldo Ferrarese, Accademia di Lettere – në rolin e Aranitit; 
  4. Alessandro Lupi Bergamasco, Accademia di Lettere – në rolin Spanit; 
  5. D. Carlo Leonardi Navarese – në rolin e Ernestit (Gjeneral i Aleksandrit);
  6. Giuseppe Calori Modenese – në rolin e Osmanit (Agà de’ Giannizzeri);
  7. Giovanni Zameccari Bolognese – në rolin e  Selimit (ambasador i Muratit); 
  8. Marchese Gaetano Meli Lupi di Soragna Parmigiano N. V. – në rolin e Ahmetit (Bassà i burgosur). 

Pra siç vërehet janë tetë aktorë që vijnë nga gjashtë qytete të ndryshme italiane, respektivisht janë dy aktorë nga Modena, dy nga Bolonja dhe një aktor Ferrara, një nga Bergamo, një nga Novarra dhe një nga Parma. 

Publiku, siç mund të merret lehtë me mend, ka qenë i zgjedhur nga shtresat më të larta të Modenës, Reggios dhe të Mirandolës.

Filed Under: Histori Tagged With: Musa Ahmeti

MEMORIAL DAY

May 30, 2022 by s p

MEMORIAL DAY – Ndërsa amerikanët brenda dhe jashtë vendit respektojnë Ditën e Përkujtimit, ne nderojmë dhe kujtojmë të gjithë ata burra dhe gra të guximshëm që kanë dhënë jetën në shërbim të vendit tonë. Qofshin kujtimi dhe sakrificat e tyre gjithnjë të paharrueshme.As Americans at home and abroad observe #MemorialDay, we honor and remember all the brave men and women who have died in service to our country. May their memory and sacrifices never be forgotten.U.S. Embassy-Tirana

Filed Under: Featured

“GIFT FOUNDATION”, NJË MUNDËSI PËR ZHVILLIMIN E MJEKSISË NË SHQIPËRI DHE KOSOVË

May 30, 2022 by s p

Stela Bermema, Mastër në Universitetin Columbia në fushën e Administrimit Shëndetësor, Drejtore e Lidhjeve, Bashkëpunimeve Strategjike dhe Medies Sociale pranë Fondacionit GIVE (Gift Project for Global Cardiovascular Health) në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës Sokol Paja, rrëfen projektet për zhvillimin e shëndetësisë në Kosovë e Shqipëri dhe mbi të gjitha përpjekjet e domosdoshme për reformimin e ligjeve në sistemin shëndetësor përsa i përket përdorimit të pajisjeve që rrisin mundësinë për të shpëtuar jetën të pacientët. “GIFT FOUNDATION”, NJË MUNDËSI PËR ZHVILLIMIN E MJEKSISË NË SHQIPËRI DHE KOSOVËGIFT Foundation (Gift Project for Global Cardiovascular Health) lindi si një ide falë vizitës së Dr.Jose Wiley dhe Dr. Sulejman Çelaj në Shqipëri gjatë një konference mjeksore në Tiranë në Nëntor të vitit 2018 ku ata ishin të ftuar të nderit si kardiologë me zë në SHBA. Dr Çelaj mbi të gjitha përveç shkëlqimit profesional dhe shpirtit të tij human në çdo drejtim, ai ka fituar dhe merituar tituj të shumtë të nderit mbi të gjitha titullin e çmuar si Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta. Dr. Wiley dhe pse Amerikan, ai ka një admirim të veçantë për populllin shqiptar dhe vërtetë aspiron të ndihmoj sa më tepër në fushën e shëndetësisë në Shqipëri dhe Kosovë. Gjatë vizitës së tyre në Shqipëri ata u takuan me një trajnere nga Anglia (Svetlana Nela) që përformonte RKP (Reanimimi Kardiopulmonar ose CPR) me disa studentë të shkollave të mesme në Tiranë. Të impresionuar nga ky projekt edukativ dhe vision-plotë, ata u interesuan më tepër për të edhe në të njëjten kohë u informuan për mungesën e DAJ (Defibrilatoreve të Automatizuar të Jashtëm ose AEDs Automated External Defibrilators) dhe fatkeqësisht mosgjendjes së tyre në vende publike në Shqipëri dhe Kosovë. RISI TË DOMOSDOSHME NË SHËNDETËSINË PUBLIKEMbas vizitës në Tiranë të dy mjekët përveç miqësisë së krijuar gjatë viteve profesionale së bashku, ata u bënë dhe mentorët e mi. Vendosëm të bashkëpunojmë për këtë çështje të rëndësishme për të realizuar konkretisht planin tonë duke sjellur një risi të vyer në shëndetësinë publike. Personalisht, i kam dedikuar gjithë jetën time profesionale fushës së shëndetësisë si dhe jam diplomuar me Master në Administrimin Shëndetësor nga Universiteti Columbia këtu në NY. Falë babait tim Dr.Bujar Bermema, që modestisht duhet ta them ka qenë një nga mjekët më të mirë në vend për rreth 30 vjet, me është ushqyer dashuria dhe pasioni për të ndihmuar njerëzit. Prindërit e mi kanë qenë shtylla e jetës time dhe frymëzimi im në çdo askpekt të jetës profesionale dhe filantropiste. Ndaj, të tre vendosëm të themelonim fondacionin GIVE duke vënë në plan lobimin për ndryshimin e ligjit si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Ndryshim i të cilit do lejonte gjeneratat e reja të përdornin AEDs në rast nevoje për të shpëtuar jetë, pra projekti ynë Kids Save Lives Kosovo 2022. Kto pajisje (AEDs) kaq të vogla në përmasa por tepër të sofistikuara kanë fuqinë të shumëfishojnë shansin për të shpëtuar jetë deri 4-5 herë më tepër nëse ushtrohen së bashku me CPR në rast të një arresti kardiak. NDRYSHIMET LIGJORE TË DOMOSDOSHMENë bashkëpunim me organizatën KRS (Kosovo Resuscitation Society), Albanian Resuscitation Council (ARC), Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Shëndetësisë në Kosovë synojmë që këtë Qershor të trajnojmë fëmijët e shkollave (Prishtinë e disa qytete të tjera) mbi RKP. Nëpërmjet fondeve të mbledhura nga industria e pajisjeve mjekësore dhe fondet e mbledhura nga bujaria e publikut të thjeshtë, patriotëve e profesionistëve, ne kemi arritur që të blejmë për të dhuruar 20 AEDs me vlerë $40000 si dhe disa manikina për trajnim RKP për Kosovën. Siç e përmenda më parë, legjislacioni sot për sot është i paplotë, i cili nuk mbron përdorimin dhe ushtrimin e difibrilatoreve nga “bystanders” (publiku i thjeshtë). Kjo gjë duhet të ndryshojë sa më shpejt. Sot për sot në Kosovë ka vetëm 3 DAJs (me sa jemi të informuar) dhe para një viti ishte vetëm një që ndodhej në Aeroportin e Prishtinës. Ky fakt është vërtetë alarmues, prandaj pjesë e kontributit tonë si fondacion nuk janë thjeshtë pajisjet që po dhurojmë apo trajnimi dhe edukimi mbi RKP që po i ofrojmë fëmijëve për një javë në Kosovë, por mbi të gjitha janë dy projekt-ligjet që kemi përpiluar dhe ia kemi prezantuar Ministrit të Shëndetësisë Prof. Dr. Rifat Latifit. Dy projekt-ligjet tona (mund ti gjeni tek faqja jonë http://xn--cdaaa.mdgive.org/publications) janë të bazuara në nevojën e implementimit të AEDs nëpër vende publike sidomos të populluara (siç janë shkollat, stadiumet, qendrat tregëtare etj). I kemi bashkangjitur kauzen e Samaritanit të mirë që mbron qytetarin kur ushtron RKP me DAJ/AED. PROJEKTLIGJI QË SYNON NDËRHYRJE NË KURRIKULAT ARSIMOREProjektligji i dytë është shkruar dhe bazuar nga nevoja për të implementuar në programin shkollor si lendë e detyruar Trajnimin mbi RKP (Reanimimi Kardiopulmonar). Të dy ligjet të gërshetuara ngushtë me njëri- tjetrin ofrojnë mundësinë e plotësimit të vizionit tonë: Të krijojmë një gjeneratë të re jetë-shpëtuesish në Kosovë dhe në Shqipëri. Misioni jonë do fillojë në 6 Qershor falë mbështetjes dhe mikëpritjes të veçantë nga Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe stafi i tij i mrekullueshëm që po na ndihmojnë me organizimin në Kosovë. Prezantimin e misionit tonë zyrtarisht e kemi bërë gjatë një intervistë në televizionin RTK në tetor të 2021 dhe mbasi datat u vendosën patëm fatin të lançojmë logon e projektit tonë në një billboard gjigand në Sheshin Times Square në NYC në 15 Maj 2022. Ky është projekti ynë i parë i cili ka qenë i planifikuar të kryej përpara pandemisë por fatkeqësisht çdo projekt dhe udhëtim paraparak u pezullua disa herë faj situatës. Dëshira e madhe për kuaza të tilla për të ndihmuar bashkatdhetarët tonë është gjithmonë prezente tek ne, por na duhet përkrahja nga gjithë shqiptarët në vendlindje dhe diasporë si dhe nga pushtetarët që kanë të njëjtin vizion me ne.NJË THIRRJE PËR MBËSHTETJE TË GJITHË SHQIPTARËVEU kërkoj të gjithë shqiptarëve ku do që ndodhen të bashkohen me ne, e të përkrahin çështjen tonë për një reformim imediat të ligjeve të parapermendura në mënyrë që të krijojmë së bashku një kulturë dhe gjeneratë të re jetë-shpëtuesish. Për çdo shqiptar që është i interesuar direkt informacionet më të detajuara gjenden në: http://xn--cdaaa.mdgive.org/ ku veprojmë fuqishëm në të gjitha platformat e mediave sociale si Facebook Tëitter Instagram TikTok @givekosovo. Çdo ditë ne bashkëndajmë informacion cilësor dhe sasior mbi veprimtaritë tona çka e bën edhe më të rëndësishëm kontaktin me çdo shqiptar përgjatë veprimtarive e projekteve tona. KUSH ËSHTË STELA BERMEMA?After completing studies at John Carroll University with a Bachelor degree in Primed/Biology, Stela was a molecular biotechnologist at the prestigious Cleveland Clinic, and went on to work for 15 years as a top performing expert sales and marketing representative in pharmaceuticals specializing in the Cardiovascular arena. Her passion for Global Cardiovascular Health has been a guiding force throughout her career and it remains a continued motivation to make impactful contributions to underserved communities in her homeland of Tirana, Albania and her fellow brothers and sisters of the small but great country of Kosovo. Ms. Bermema was also a member of the Executive Board for a non-profit International Women’s Club that organizes a myriad of charity and fundraising events to benefit the community and empower its members. She has been a key, communicative contact for medical professionals, stakeholders, and the communities she worked with throughout her career.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2239
  • 2240
  • 2241
  • 2242
  • 2243
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT