• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Poezi nga Emine S.HOTI

May 13, 2022 by s p

Me dritën dua të jetoj

Sytë e diellit rreze artë

Duke u rritur,

Vrapoja e lumtur,

Këndoja e lumtur,

Notoja e lumtur.

Shkoja në lumin Drenica, 

Në Sitnicë të Vushtrrisë, 

Në ujë pasqyrohej dielli,

Pamja ime e fëmijërisë.

Fytyra  dhe buzëqeshja ime, 

Si hëna,si yjet,dritë e bardhë,

Fëmijët, engjëj të kësaj toke, 

Janë sytë e diellit rreze artë. 

Me dritë dua të jetoj

Zemra e mendja bëhen bashkë,

Jo, nuk do të derdhë më lot,

Lus perëndinë dhe zemrën time,

Dua të jem e kthjellët, e fortë.

Me besim  eci në jetë,

Me besim kaloj dallgë,

Me të përballoj furtuna,

Me të ngrihem lart.

Nuk i përulem errësirës,

Të keqes, jo se jo,

Dua dritën e diellit,

Që ndriçon jetën kudo.

Dua rrezet e hënës dhe yjeve,

Dua gjithçka të ndritshme,

Errësirën e shkelmoj,

Erësirën e sfidoj,

Me ato ndeshem,

Me dritë dua të jetoj.

Mos e nxini dritën!

Kush prangos zemrën e njeriut,

Dhe me dhunë justifikon ligësinë,

Ai njollos rrezet e pastra të diellit,

Dritën e bardhë me blozë e nxinë.

Natyra e atdheut tim

Për natyrën e atdheut tim,

Për atë më këndon zemra,

Ajo më jep jetë dhe gëzim,

Atje më mbetet mendja.

Natyrë e bukur në Norvegji,

Natyrë e bukur në Evropë,

Por si natyra e atdheut tim,

S`e gjej dot tjetër në botë!

Yjet xixëllojnë si florinj

Ulur pranë dritares në mbrëmje,

Shikonim qiellin, ishte natë,

Yjet dhe hëna atje lart ndriçonin, 

Natën e bënin si ditë të artë.

Gjyshja vinte pranë e na thoshte: 

S`ishte ditë por ishte ende natë, 

Duhet të flini, o vogëlushët e mi,

Mëngjesi do të vijë prapë. 

Ëndrra të bukura do të shikoni,

Hëna me rreze do t`ju ledhatoj, 

Yjet do të xixëllojnë si florinj,

Një rreze dielli do t`ju zgjojë.

Si shqiponjat

Ne gjyshërit tuaj ju duam shumë, o fëmijë,

Ju duam më shumë se veten dhe jetën tonë,

Për të ardhmen tuaj përherë sakrifikohemi,

Që jetën ta keni sa më të sigurt, gjithmonë.

Ju duam të mençur e t`guximshëm në jetë,

Bëni më të mirën për lirinë dhe për atdhenë, 

Mos harroni kurrë, o bijë, zakonin e shqipeve: 

Ato fluturojnë në qiell, në tokë e bëjnë folenë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: emine hoti

LEGJENDA E DUKATIT DERVISH ALI AJANI 1794-1851

May 13, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Bej të stolisi Kadëna/Të mbathi çizmet e rënda,/T’i dha armët e ergjënda…/Ec o bej, t’u bëftë e mbarë /Të luftoç me pashallarë! Kur lexon dy vargjet e para mendon se Kadëna, e shoqja, e ka stolisur beun, për të shkuar në ndonjë dasmë, apo diku në ndonjë festë në krahinën e tij. Vargu i tretë, sa befasues aq dhe i drejtpërdrejtë, nuk të le të hamendësosh shumë, por  ta jep në “lule të ballit”: t’i dha armët e ergjënda. I armatosur dhe madhështor mbi kalin e tij, beu do të niset në një luftë të shenjtë jo të zakontë, ku vajtja dihet e kthimi jo. Por Devish Ali Dukati, që e di mirë ku po shkon e ka një pishmanllëk të vogël. Dhe një burrë i tillë, sado i ashpër dhe krenar, pasi i hipën kalit, ashtu  “nisur e stolisur”, kthen kokën nga Kadëna e tij e dashur:Dolle në divan në shkallë,/Hype balashit me shalë/M’u te porta më të dalë,/Të vate dora më pallë,/Ktheve kokënë mënjanë,/ Seç të tha zonja dy fjalë… Dhe ajo fare hapur, si një grua labe e vërtetë, pa pishmanllëk, sy më sy, e uron ashtu shqiptarçe: Ec o bej, t’u bëftë e mbarë/ Të luftoç me pashallarë!/Të luftoç me turkomanë, /Të përpiqesh për nizamë!  

Rrallë të gjesh vargje të tillë, ku vetë gruaja vesh, stolis e armatos burrin për luftë dhe i uron udhën e mbarë. Thuhet se gratë e Spartës e bënin një veprim të tillë, por këtu hasim një të vërtetë, që ka ndodhur në Dukat të Vlorës, 170 vjet më parë. Dervish Ali Dukati, ashtu si mijëra luftëtarë të tjerë morën një porosi të shenjtë: të luftojnë me pashallarët turq ose jo turq sepse: Nizamë dhe xhelepe s’ka/,Është vendi fukara,/Jetojmë me lakëra,/ Katër shtëpi me një ka. 

Bëhet fjalë për kryengritjen e famshme të vitit 1847 kundër Reformave të Tanzimatit. Dervish Ali Dukati, ishte një nga udhëheqësit e shumtë, që nxorri ajo luftë e pashembullt, që la gjurmë në historinë e shqiptarëve. Ishte një nga bejlerët e Dukatit, që iu përgjigj thirrjes së Lidhjes Shqiptare (Kuvendi i Mesaplikut, qershor 1847) për luftë. Mesaplik te rrapi i thatë/,Për një ditë e për një natë,/ U mblodhë gjithë kazatë. Luftëtarët e Labërisë do të prezantoheshin në luftën e Qafës së Sinjës në Berat, nën komandën e Zenel Gjolekës, si komandant i forcave të Jugut, vendosur në Kuvendin e Mesaplikut.Tre sahat more eranë/Luftoje me pashallarë./Me pashallarë luftoje,/Tanzimanë nuk e njohje./Turçe dije por nuk doje,/ Me terxhymanë bisedoje.Dy vargjet e fundit  i hasim dhe në gojën  e Rrapo Hekalit, Hodo Aliut, Tartar Memushit apo të ndonjë luftëtari tjetër, në gjyqin kundër bejlerëve të Beratit. Si duket edhe Dervish Ali Dukati ka qenë në grupin, që gjykuan bejlerët e Beratit në Qafën e Sinjës, bashkë me Rrapo Hekalin e të tjerë. Përpjekja tjetër do të bëhej në Urën e Konisbaltës, ku Dervish Aliu, në krye të luftëtarëve të Dukatit dhe të Tragjasit, do të zhvillonin betejën më heroike të tyre, që përshkruhet me ngjyra të gjalla në shumë këngë. Figura e tij, hipur në kalin e bardhë “sa një kullë”, të mbetet në mendje,  si personazhet në Eposin e Kreshnikëve: Tragjas e Dukatë shumë,/Djemuria një furtunë,/ Del o Kanina me vulë!/Dervish Aliu kish nurë,/Çil’ i bardhë sa një kullë. Dhe ja se çfarë bën ai, me ushtarët turq sikur të ishin bagëti e imët: Halldupët gunëmurrë,/I qëndron si dhentë në shtrungë,/U rrij’ me këllëç në hundë,/I përmbys për nënë urë./O Dervish Ali Ajani/Ç’e bëre si të desh xhani! Por luftëtari, që e ka fituar të drejtën për t’u përjetësuar në këngë, me bëmat e tij, nuk është vetëm. Në këngët e shumta historike, krahas drejtuesve qendrorë të luftës si Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Hodo Aliu, Gjikë Thanasi, Çelo Picari, Shahin Kolonja, etj., kronikani popull nuk harron dhe luftëtarët e tjerë, duke i përmendur pothuaj të gjithë, qoftë me një varg ose vetëm me emër. Përndryshe asnjë nga udhëheqësit e kryengritjes së vitit 1847 nuk do të zinte vend në panteonin e pavdekësisë, nëse nuk do të kishin me vete trima si veten.  Në luftën e Urës së Konisbaltës vullnetarët e fshatrave Dukat e Tragjas, do të tregonin se ishin luftëtarë të rallë, të lindur vetëm për të fituar: Djemtë e Dukatit fodullë,/Lëftojnë e s’e luajnë gurë./Djemtë e Tragjasit levenë,/Ç’e punojnë keq dyfeknë./O dukat’ more dukat’/Palla juaj këllon gjak! Rapsodi popullor vazhdon me kujdes, të mos harrojë luftëtarët e tjerë, që u përjetësuan në luftën për mbrojtjen e Urës së Konisbaltës. Në vargjet e mëposhtme jepet figura e Elmaz Rodakut, Kamber Gjolekës dhe ajo e Brahim Sulos nga Dukati: I shkreti Elmaz Rodakë,/ Sokëllin e po bën lartë!/Elmaz Rodak ballëverdhë,/Dhe me ca shokë të tjerë,/ Në Urë të plagosur mbenë. Në vazhdim kemi këngën me titullin: Qaj o fshati nënë Qorre, për Selmanë Alinë nga fshati Dukat: Qaj o fshati nënë Qorre,/Për Selman Ali me more (i mençur)!/Selman Ali nga Dukati,/Nikëhilë nga llagapi,/Dërgon më Dervish Alinë, /Konisbaltë kemi pusinë… Midis luftëtarëve ka një lidhje të fortë edhe në situatat më të vështira. Dervish Ali Dukati, ndërsa luftohej, porosit për Elmazin e plagosur: Dervish Aliu seç tha:/O Kamber të kam vëlla, /Merre Elmazin në krah,/Se këtu mereqet s’ka!  Ura e Konisbaltës do të ishte varri dhe lavdia e bijve të Dukatit e të Tragjasit:  Te Ura në Konisbaltë,/ Mbenë dukatë e tragjastë./ Rrapua  hidhejë në flakë,/Topi vu, e s’çqitej prapë. Thuhet së në këtë përpjekje me forcat turke nga 187 luftëtarët e Dukat-Tragjasit mbetën të gjallë vetëm 83. Dervish Ali Dukati, nuk do të vritej si shumë shokë të tij, në luftërat e vitit 1847-1848. I plagosur rëndë ai do të sillej në fshatin e tij. Nga sa informon kënga: Plagosnë Dervish Alinë,/Iu vra dhe kali i thinjë,/Shokët e prunë në kra,/Në Dukat në Llogora./Kush e pruri atë burrë/Njëqind okë e ca më shumë? Portreti i Kamber Gjonlekës dhe Brahim Sulos të kujton Trimat e Jutbinës: E pruri Kamber Gjoleka,/Brahim Sulo krahëfleta./Ezhdërha nga trupi bollë,/Që i zë derrat me dorë,/Sikur janë koqe mollë. Dervish Ali Dukati, nuk do të pushonte përpjekjet e tij kundër Reformave të Tanzimatit sidomos kundër rekrutimit të djemve shqiptarë për llogari të Turqisë. Në disa vargje, duket se autoriteti i tij ishte shumë i madh, sa vetë zyrtarët turq e kishin frikë dhe i druheshin: Hajmedet ç’e gjet Alinë,/Që s’e kish për gjë kapinë,/Dil bën telendi myshirë./Myshir të mbledhç fiqirë/Se të ngarkoj me zinxhirë,/E të dërgoj në Janinë! Kjo do t’i kushtonte jetën trimit të Dukatit. Tradhtisht, krerët turkomanë të Vlorës e helmuan, kur ai shkoi i ftuar të bisedonte, për heqjen e shërbimit ushtarak, (kurasë), për djemtë e Labërisë. Hajmedet o Dervish be,/U krodhe në kafene,/Te berberi u rrove’/Të hodh’ helm, e ti s’e pe. Lajmi shkon vetëtimë në Dukat. Sigurisht që do të ishte një mot i keq, ku era frynte si e tërbuar: Frynë murrë që tundet dheu,/Erth’ fjalë se Dervish beu/Kullën e kuqe e preu…Të premten që menatë,/Seç na u hap një mandatë,/Vdiq një bej i Dukatë,/Dervish Aliu namlartë. Kënga do të vazhdojë, me haberin çuar Kadënës, që tashmë u bë si e marrë. Nuk e priste Zonja e Madhe e Dukatit, që beu i saj trim e luftëtar, që e kishte nisur e stolisur vetë për në luftë (Ajde bej t’u bëftë e mbarë/Të luftoç me pashallarë) e që ia kishte mjekuar plagët me aq kujdes, të helmohej tradhtisht në mënyrë aq të ulët: Kadënës kur i thanë:/Del e merr mushkën me shalë,/Se në Vlorë e lamë aganë,/Për të hequrë kuranë/Briti sa çkuli dynjanë/Edhe odat me tavanë… Pas tronditjes së parë, e ulur pranë trupit të pajetë të beut të saj, e qau me ligje, qetë e shtruar,  ashtu si dinë të qajnë gratë e pazakonta të atyre trevave, duke i përmendur një më një bëmat dhe mençurinë: Na vdiq një trim nga Dukati,/Dervish Ali mëndjelarti./Të mbet’ mushka me (y)zengjin,/Që çaje me të ordhinë,/E gjykoje mbi valinë./O Dervish Ali luleja,/Nizamët ajde, eja,/Merr Turqija, e vra Moreja. Dy vargjet e fundit shprehin dhimbjen e protestën për atë që ndodhte me shqiptarët e turqit qysh nga pushtimi i Shqipërisë. Për këto e të tjera plagë të mëdha, që shkaktoi sundimi turk, luftoi pashai i Dukatit me shumë shokë të tjerë, por nuk ia doli. Emri dhe bëmat e tij vijnë deri në ditët tona. Diku më tej Kadëna a ndonjë grua tjetër ka vazhduar vajin duke plotësuar: O Dervish Ali Dukati,/S’jeshe të qajnë gratë, /Po të qajnë gjithë kazatë! Epitaf më të saktë për një luftëtar të përmasave të tilla nuk mund të gjesh.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Zilja

Kullë

May 13, 2022 by s p

Astrit Lulushi/

Herodoti shkroi mbi praninë e Kullës mitike të Babelit në Irak, siç thuhet në librat e shenjtë fetarë, ku kulla përshkruhet si katrore në formë me gjatësi dhe gjerësi të barabartë me një madhësi që kalon 201 metra dhe përbëhet nga 8 kate me dyer te forta bronzi. Në qytetin e Babilonisë imazhet satelitore së fundmi treguan një bazë katrore që ka të ngjarë të jetë mbetje e kullës. Gërmimet janë ende duke u kryer por asgjë nuk është bërë e ditur deri më sot.
Herodoti ishte një tregimtar dhe shkrimtar, por jo historian. Gjërat që ai ka shkruar nuk duhen anashkaluar, por as për t’u besuar. Herodoti vlerësohet gjerësisht si historiani i parë, fjalë për fjalë “babai i historisë” – vetëm sepse jetoi në një kohë ku nuk kishte asnjë vlerësim ose vetëm tregimet e tij nga ajo kohë kanë mbetur. Por kjo nuk e ndryshon faktin që shumë nga shkrimet e tij janë mjaft fantastike, njëlloj si tregimet e tij për aspekte të historisë persiane. Pavarësisht se u quajt “babai i historisë” nga Ciceroni, i cili nuk ishte historian, Herodoti shkroi thashethemet dhe komentoi përralla. Ai udhëtoi rregullisht në Babiloni dhe është një historian i njohur dhe padyshim që ka më shumë besueshmëri sesa thjesht një opinion subjektiv.
Disa thonë se Kulla e Babelit është një metaforë për qytetërimin dhe nuk ka ekzistuar. Por ka pllaka babilonase që flasin për kullën, e po ashtu edhe librat fetarë. Njerëzit emërtuan 11 planetë në sistemin tonë diellor 5000 vjet përpara se të shpikej teleskopi. Nëse nuk do ta kishim parë provën në kohët tona moderne, do ta kishim hedhur poshtë gjithashtu si mit. Vetëm për shkak se nuk është aty tani, kjo nuk do të thotë se nuk ka ekzistuar kurrë. Përshkrimi i Herodotit përshtatet shumë mirë (ndonëse jo saktësisht) me strukturat masive (zigurateve) që ishin shumë të zakonshme në Sumer dhe më vonë në Babiloni, shumë prej të cilave lanë një bollëk rrënojash për t’u studiuar.
Nëse kishte një kullë që arrinte në qiej, duhet të presim. Herodoti vërtetë përshkroi një arkitekturë të mahnitshme, por krahasuar me arkitekturën e sotme, Kulla e Babelit është një ndërtesë me përmasa mesatare që 5000 vjet më parë mund të konsiderohej e madhe. Gjithçka është relative.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Astrit Lulushi

Bisedë me znj.Shukrije Ramadani, bashkëshorten e Heroit Agim Ramadani

May 13, 2022 by s p

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Mu shterrshin sytë nëse pushoj,

Lirinë tënde me ëndërrue,

mallkue qoftë gjaku im,

nëse m’vrasin pa luftue.  Agim Ramadani

Sapo të arrija në Bajram Curr, në rast se e kanë varrosur pa mua, do ta zbuloja ta shikoja e përqafoja për të fundit herë…  Shukrije Ramadani

Shukrije Ramadani, bashkëshortja e Heroit Agim Ramadani është një zonjë heroinë shqiptare nga Zhegra e Gjilanit.  Historia e tyre është shumë frymëzuese për brezat, shpresoj që një ditë ajo të zërë vend në botën e artit në majat e tij në Hollivud.  Krimet serbe duhet të mësohen dhe dënohen në gjithë shkollat e botës dhe të njihet ashtu siç njihen krimet naziste kundër hebrenjve dhe popujve.  Që të arrihet kjo duhet që elita e Kombit, artistët e famshëm shqiptarë në botë, bizenesmenët dhe regjisorët duhet të jenë bashkë dhe të hartojnë platformë për të sensibilizuar mbarë opinionin e artit, ashtu siç është bërë në politikë nga Diaspora Shqiptaro Amerikane.

Pershendetje znj.Shukrije Ramadani, po përshëndes një grua heroinë, ju jeni bashkëshortja e Heroit të Atdheut Agim Ramadani çdo të thotë të jesh përjetësisht krah tij?

Liria e Kosovës nuk u arrit lehtë. Ajo është produkt i punës së pandalshme të shumë gjeneratave. Ajo është ëndërr e realizuar, dashuri e dhimbshme sfidë e tmerrshme dhe një ndjenjë e veçantë, që na ka mbajtur gjallë idealin, ëndrrën dhe dëshirën për të vazhduar me  kërkesat tona për jetë më të mirë, më të dinjitetshme, liri, demokraci dhe bashkim kombëtar. Si fëmijë kundërshtuam regjimin e egër serbo-sllav dhe u rritëm me ndjenjën se pa u hequr qafe armiku nuk kemi frymëmarrje të lirë. Shpesh në qoshe fletoresh gjejë ende sloganin, që aq shpesh e përdornim. ‘’Për dashuri sakrifikoj jetën e për ideal sakrifikoj dashurinë‘‘.

Ideali ishte ai, që na lidhi me dashurinë e përjetshme, e cila më mban të fortë dhe me plot elan edhe pas 23 vitesh mungesë fizike të dashurisë sime platonike.

E dinim që liria sakrifica kërkon, që këto sakrifica dhimbje do të na linin pas, por nuk mund ta merrja me mend çfarë force kishte dhimbja dhe se mua do të më binte e vetme ta përballoja.

Dhe tani, kur çdo mbrëmje bie me lutjen që në ëndërr ta kem dhe çdo mëngjes ngrihem, duke i

thënë mirëmëngjesi vetëm ëndrrës sime e shoh sa e vështirë është sakrifica, sa e dhimbshme është liria kur nuk mund ta gëzosh ashtu siç e ke ëndërruar, ashtu siç e ke dëshiruar.

Tregoni ju lutem për njohjen tuaj me Agimin deri në kurorëzimin si bashkëshort?

Me Agimin u rrita në të njëjtin fshat, ku u shkolluam në bankat e përbashkëta të klasës së njëjtë, që nga fëmijëria e deri në shkollë të mesme, kur rrugët padrejtësisht na u ndanë. Ishim

nxënësit më të mirë, jo vetëm në fshatin dhe shkollën tonë në Zhegër, por edhe pasi dolëm në Gjilan në drejtimin Ekonomi dhe Financa, të dy shkëlqyem si nxënës shembullorë.  Ishte më i suksesshëm së unë në shkencat ekzakte dhe e plotësoja në gjuhë e letërsi. Ende ruaj fletoret me shkrimin e tij, kur më kryente detyrat e vështira të matematikës apo me vargjet e poezive në fletë të fshehura brenda tyre. Nuk e di kur jam dashuruar në të. Kur luanim pjesë të ndryshme teatrale, mbrëmjeve poetike, kur ai ishte ylli i mbrëmjes apo gjatë ekspozitave kur ishte më i miri në çdo konkurs ku ishim bashkërisht pjesëmarrës. Pas kryerjes së shkollimit të mesëm, të dy konkuruam për pranim në Akademinë Ushtarake në Zagreb, ngaqë e shihnim si rrugën më të duhur për përmbushjen e idealit tonë, që populli ynë të ketë oficer të shkolluar për luftën, që e kishim të patjetërsueshme.

Universitetet i keni pasur të ndara pasi keni studjuar në profesione të ndryshme, na flisni për lidhjet tuaja dhe jetën studentore nën regjimin kriminel serb?

Pasi u regjistruam, unë u dënova për demonstratat e vitit 1981, ku isha pjesëmarrëse bashkë me Agimin, por për mua kishte fakte me foto që isha pjesëmarrëse dhe me dënuan me largim nga partia Komuniste dhe largim nga shkolla e mesme, ku isha në përfundim të vitit të katërt.

Kjo më privoi nga e drejta në pjesëmarrjen e konkurrimin për Akademinë Ushtarake që patëm planifikuar bashkërisht dhe na u ndanë rrugët për 5 vite të tëra, që i kaluam me letra e telefonata të vazhdueshme për përmbushjen e boshllëkut që na krijoi largësia. Agimi kreu Akademinë e Komunikacionit në Kroaci në shkollën prestigjioze ‚“Ivan Goshnjak“‘ dhe doli si kapiten i klasit të parë dhe unë e kreva Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë si dhe drejtimin për edukatore.

Pas martesës për katër vite me radhë jetuam në Bosnjë  Hercegovinë, ku na lindën dy djemtë, Jetoni dhe Edoni dhe me fillimin e luftës në Kroaci pas një etape të vështirë luftimesh sapo siguruam pasaportën për mua dhe fëmijët migruam në Zvicër, ku jetoj ende bashkë me tre fëmijët tanë.

Në Zvicër na lindi edhe vajza Lorina, që ishte misi i babit.

Heroi Agim Ramadani ka qenë Komandant i Brigadës 138 në Betejën e Koshares, vendi ku u hoq kufiri shqiptaro-shqiptar, si e përshkruani këtë betejë heroike?

Si e përjetuat rënien në krye të betejës më 11 prill, 1999 si bashkëshort dhe si Hero, ku ishit ne atë moment kur ju njoftuan për rënien e Tij në Luftë për Kosovën?  Në atë betejë janë vrarë gjithsej 113 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishit mundësi të komunikonit me familjet e dëshmorëve në atë kohë?

Që kur migruam e kam pasur të qartë se sapo të fillojë lufta në Kosovë Agimi do t’i bashkohet ndër të parët, se ai ishte rritur me atë ideal, ishte formuar dhe profesionalizuar mu për atë.

Andaj, isha e përgatitur për të gjitha pasojat që do të sillte lufta për liri, e dija që nuk do ta kem të lehtë në rast se i ndodhte diç Agimit,ashtu siç e dija se isha mjaft e fortë ta vazhdoja e vetmuar me dashurinë e përjetshme për të dhe idealin tone, për Lirinë e Atdheut.

Por ajo që s’mund ta mirrja me mend është fakti se si  kaq shpejt do të mund të harronim sfidat, dhimbje,gjakun dhe luftën tonë shumë shekullore për liri!

Lufta në Koshare ishte mu ashtu siç e përshkruajnë kriminelët serb në filmat dokumentarë, që i kanë realizuar për t’i mbuluar humbjet e shumta. E egër, e vështirë dhe e përgjakshme skajshmërisht.

Unë isha vetëm një javë në atë betejë dhe pashë si dukej ferri.

Pashë aq shumë vrasje e ushtarë të gjymtuar e të vrarë sa humba ndjenjën e dhimbjes dhe të emocionit. Ushtarë, që në vend të mbështjelljes së plagës parapëlqenin një kafshatë bukë ngaqë kishte humbur aq gjak sa aq i bënte nëse do të jetonte pas plagëve të marra, ai dinte arsyen pse i kishte ato plagë, falë atdheut dhe lirisë së tij për të cilën kishte fluturuar, nga Amerika, nga Australia, nga Azia e çdo cep Evrope, ku ishin takuar në frontin për çlirimin e atdheut, të atdheut që kishin njohur përmes dashurisë së prindërve dhe përmes mallit të gjyshërve që kishin migruar nga dhuna serbe në tërë botën dhe falë asaj dashurie ata ishin aty, roje atdheu për të cilin flijoheshin me vet dëshirë!

Shokët e Agimit më njoftuan se Agimi ishte i plagosur dhe më kërkonte në front, u nisa me bindjen se diçka nuk shkon, se Agimi i plagosur duhej të sillej në shërim në Zvicër e jo të dërgohej në një shtet tjetër dhe sapo arrita më kumtuan lajmin e kobshëm, të cilin e ndjeja thellë në shpirt, por se pranoja assesi dhe vendosa se sapo të arrija në Bajram Curr, në rast se e kanë varrosur pa mua, do ta zbuloja ta shikoja e përqafoja për të fundit herë, por as kjo nuk m’u lejua, ngaqë kishte vetëm një ditë që ishte varrosur dhe zbulimi i varrit kërkonte procedura ligjore. Nuk doja të bindesha nga ligji, por u binda nga varret e reja që ishin afër Agimit, secili nga ushtarët e rënë ato ditë, ishte më i ri se Agimi. A kisha të drejtë ta veçoja nga shokët e tij nga ushtarët, që i deshi ma shumë se fëmijët e tij!

Dhe, pranova mos ta shihja më kurrë, përveçse në ëndrra që më përcillnin vazhdimisht dhe në dëshirën e pashuar, ta kisha përqafuar edhe një herë.

Dhe qëndrova  në atë luftë të tmerrshme ku vetë m’u dash t’i bindja ushtarët në front dhe në spitalin ushtarak të Tiranës se Agimi nuk ishte i vdekur, gënjeshtër ishte lajmi i shpërndarë se Agimi kishte rënë. Më duhej të përbija lotët e të bindja secilin se sapo bisedova me Agimin dhe më dërgoi t’i lajmëroj që ishte shëndoshë e mirë dhe i priste në Kosovë vetëm të ishin të fortë dhe të bashkuar ashtu siç i donte ai, vetëm për të ngritur moralin e tyre, ngaqë çdo aksion dhe betejë e suksesshme lidhej me emrin e tij dhe lidhja emocionale e Agimit me ushtarët ishte aq e fortë sa frikoheshim se do të binte komplet fronti në rast se kuptohet se Agimi kishte rënë.

Kur Komandant, Rrustem Berisha, deshi të m’i dorëzonte armët e Agimit e luta që armët e Agimit të mos pushonin deri të mos mbetej këmbë armiku në atdheun tonë dhe armën e krahut të Agimit ia dorëzova atij, ndërsa armën e dorës shokut të tij, Xhafer Gashit. Ajo që ka qenë më e vështira gjatë kësaj kohe sa kam qëndruar në luftën e Koshares, ku kam bartur uniformën e Agimit dhe armët e tija ishte lajmi mbi vrasjen e shokut të pushkës, Salih Çekut!

Ju keni tre fëmijë: Jetonin, Edonin, dhe Laurinën, si ka qenë rritja e tyre pa baba dhe konkretisht si janë integruar me jetën?

Vitet ikin fëmijët u rritën me dashurinë time të paskajshme, me shpresën të mos i lazdroja duke u dhuruar dashurinë e të dyve, u shkolluan e u bënë kuadro të suksesshme në Zvicër, ku jetojmë ende. Një kohë i ktheva në Kosovë për të përmbushur amanetin e Agimit, ku qëndruam për 10 vite, por meqë Kosova ende nuk ofronte kushtet me të cilat ishin rritur dhe shkollimi nuk ishte në nivelin që kërkonim, vendosëm prapë të ktheheshim në Zvicër dhe fëmijët të kryenin shkollimin dhe profesionalizmin e tyre të duhur. Të gjithë kanë krijuar familjet e tyre dhe perëndia më ka bekuar me nuse të mira nga Kosova dhe nipat Agimin, Kolosin dhe mbesat Katanen dhe Emën.

Projektet e mia të realizuara pa Agimin, janë të mangëta, pas luftës së Kosovës u shfaq kërkesa për operacione të rënda emergjente për ushtarët e lirisë, e Kosova e lënduar, nuk mund t’i ofronte.

Cilat janë disa nga projektet tuaja të realizuara si dhe për të ardhmen?

Bashkë me dy shoqe të mia Anelies Schneller dhe Valdete  Hotnjani, krijuam Shoqatën ‘’Shpresa”, përmes së cilës sollëm në Zvicër për operime të rënda  mbi 120 ushtarë, që kishin humbur pjesë të trupit. Tani jam në përgatitje të ‘’Fondacionit Agim Ramadani’’, i cili do të merret me zbardhjen e materialeve letrare dhe artistike, që ka lënë prapa Agimi, me ndihmën e familjarëve  të dëshmorëve dhe ushtarëve të lirisë, si dhe mbështetjen e vlerave të studentëve shembullor për studime jashtë vendit në drejtimin e artit dhe të letërsisë.

Shpresoj shumë se me këtë projekt do të arrijmë të ndihmojmë njerëzit me të cilët do të mburret Kosova.

Bota nuk pushon nga luftërat shpesh më duket sikur po cmendet dhe po del nga binarët, ja konkretisht jemi në luftën ruso ukraniase, ku kjo e fundit është pushtuar nga Putini-Hitler, shumë ukrainas I janë përgjigjur thirrjes së Atdheut duke lënë rehatinë në vendet perëndimore.  Të njejtën gjë bëri dhe Agim Ramadani ku ju jetonit me fëmijët në Zvicër, cfarë do të kujtoni në atë kohe?

Pasojat e luftës vazhdojnë me gjenerata, mu për këtë më dhemb se tani në një pjesë të Evropës po luftohet prapë për mbrojtje të identitetit, të lirisë dhe njerëzores. Fatkeqësisht ata që e përjetojnë më së shumti dhe më së rëndi janë gratë dhe fëmijët.

Uroj që sa më parë bota të vetëdijesohet dhe mos të lejojë luftëra të pakuptimta ngaqë vetëm një jetë kemi dhe kjo të kalohet me luftëra e dhembje është shumë e padrejtë.

Cili është mesazhi juaj për Diasporën Shqiptaro Amerikane?

Diaspora Shqiptare në Amerikë e ka treguar qartë rolin e saj, jo vetëm gjatë luftës së Kosovës, por dhe para e pas saj. Janë pjesë krenare e historisë së sukseseve të Kosovës dhe e lirisë së saj. Janë krenari kombëtare dhe vlerë e veçantë me të cilën mburremi të gjithë. Ende Kosova ka nevojë për mbështetje të kësaj pjese andaj sic thote Kenedi presidenti Amerikan se: “Kurrë mos pyetni çka bëri Atdheu për Ju, por Ju çka bëtë për Atdheun!”

Ju faleminderit fort e nderuar znj.Ramadani për këtë bashkëbisedim motërzor midis nesh! 

Lavdi Heronjve dhe Dëshmorëve të Atdheut!

Ju  falenderoj znj.Zylo për interesimin dhe kohën tuaj, ju përshëndes dhe përqafoj me dashuri motre!

12 Maj, 2022

New York, USA

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Ramadani, Kozeta Zylo

Kryeministri Kurti takoi investitorët në Këshillin për Çështje Botërore të Dallasit

May 13, 2022 by s p

Dallas, 12 maj 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua me investitorë, akademikë e profesionistë në Këshillin për Çështje Botërore të Dallasit (World Affairs Council of Dallas) /Fort Worth.

Fuqia punëtore profesionale e Kosovës, kosto e ulët operative për kompanitë e Teknologjisë së Informacionit, zhvillimi ekonomik dhe përparimi demokratik u veçuan nga kryeministri Kurti si arsye pse Kosova ofron një mundësi të artë për investime të reja.

Ai theksoi klimën tërheqëse për investime në Kosovë, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit. Mbi 650 kompani të këtij sektori, 70% e të cilave eksportojnë shërbime kryesisht në ShBA dhe BE, tregojnë potencialin e madh dhe të dëshmuar të këtij sektori në Kosovë.

Duke marrë parasysh këto cilësi të veçanta të sektorit të TI-së në Kosovë, kryeministri ftoi investitorët e fokusuar në këtë sektor, që ta përfshijnë vendin tonë në planet e tyre për kontraktimin e shërbimeve.

Duke përmendur ndihmën, që mërgata jonë ka dhënë në financimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor para dhe gjatë luftës, pasuar me luftën çlirimtare të vitit 1999 dhe me përpjekjet për rindërtim të pasluftës, ai veçoi potencialin e mërgatës sonë në ShBA për investime të përbashkëta në Kosovë.

Kryeministri Kurti potencoi gatishmërinë e Qeverisë sonë për të ofruar dhe siguruar kushte të favorshme për investimet e huaja.

Duke theksuar besimin e lartë te qeveria, kryeministri veçoi përmirësimin vjetor rekord për 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të raportit të Transparency International.

Miratimi i ligjit për Gjykatën Komerciale, që do të shërbejë për rritjen e efikasitetit të trajtimit të kontesteve ekonomike, dhe rishikimi i ligjeve ekzistuese kanë për qëllim ofrimin e kushteve sa më të favorshme dhe të përshtatshme të të bërit biznes, tha kryeministri.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2261
  • 2262
  • 2263
  • 2264
  • 2265
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT