• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR KOMBIN SHQIPTAR RRUGA E GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – ËSHTË RRUGA DREJT PERËNDIMIT!

May 10, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Në fillim të muajit që kaloi (9 Prill, 2022) në lagjën Bronks të Nju Jorkut është mbajtur një ceremoni për emërimin e një rruge, në atë lagje të banuar nga shumë shqiptaro-amerikanë, duke i dhënë emrin e Fan S. Nolit.  Ishte, ndër të tjera, një zhvillim në kuadër të 100-vjetorit, këtë vit, të lidhjeve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, për të nderuar njërin prej nesh, emigrantin, diplomatin, poetin, shkrimtarin dhe themeluesin e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare, Fan Nolin. 

Nismëtari, promovuesi dhe realizuesi i kësaj ndërmarrjeje jo të lehtë – kur të merren parasyshë pengesat administrative dhe burokratike të një metropoli siç është Nju Jorku — aktivisti i palodhëshëm i komunitetit shqiptaro-amerikan, politikani i njohur shqiptaro-amerikan, i cili si anëtar i legjislaturës së shtetit të Nju Jorkut dhe vitet e fundit si anëtar i Bashkisë së qytetit Nju Jork — Z. Mark Gjonaj ka realizuar për komunitetin tonë këtu një mori projektesh në dobi të komunitetit shqiptaro-amerikan.  

May be an image of 5 people, people standing and outdoors
May be an image of 5 people, people standing and outdoors

Nga ceremonia e emrimit të rrugës “Fan Noli, me 9 Prill, 2022 – Ceremonia për emrimin e rrugës “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu të djelën që vjen në Bronks premton të jetë shumë më e madhërishme – ashtu siç e meriton figura e Heroit Kombëtar.

Me Z. Mark Gjonaj, realizuesin e shumë projekteve në dobi të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në interes të ruajtjes së gjuhës, historisë, traditave dhe trashëgimisë së personaliteteve të mëdha të Kombit – si Gjergj Kastrioti-Skenderbe, Shën Nenë Tereza dhe Fan Noli – edhe këtu në Amerikën e largët.

Me rastin e emrimit të rrugës “Fan Noli”, muajin që kaloi në lagjën Bronks, në vetvete kjo, një ngjarje me rëndësi për komunitetin tonë këtu në Nju Jork dhe në rrethe, Mark Gjonaj njoftoi se projekti i radhës do të ishte emrimi i një rruge tjetër, në njërën prej lagjeve të mëdha të banuar nga shqiptaro-amerikanët e që të djel[n që vjen do marrë emrin e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skenderbeut.  Ky premtim i Z. Mark Gjonaj, sipas një njoftimi prej zyrës së tij që më arrijti sot në kutinë postale, do bëhet realitet të djelën që vjen, me 15 Maj, gjatë një ceremonie dhe festivalit ku do marrë pjesë edhe një grup folklorik nga Arbëreshët e Italisë (Gjaku nuk prishet) prej orës 12 mesditës deri në ora 6 pas dreke në lagjen e Arthur Ave e Crescent Ave– një zonë kjo ku jetojnë shumë shqiptarë dhe ku ata kanë me shumicë, dyqane, restaurante dhe lokale tregtishë të ndryshme.  Një rrugë aty do mbajë emrin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti- Skenderbe, për t’u kujtuar mijëra shqiptarëve vendas dhe të Amerikës që vizitojnë atë zonë, çdo ditë e javë, për qëllime të ndryshme – se prej kah vijnë dhe ku duhet të shkojnë, por edhe duke u lehtësuar sado pak edhe mallin për Atdhe.

I vetëdijshëm i thenjës popullore ndër ne shqiptarët, “Burri i Mirë me shokë shumë” — ndonëse ai vet është motori i këtyre projekteve të papara deri tani në komunitetin shqiptaro-amerikan — Mark Gjonaj bën thirrje dhe falënderon me plot sinqeritet e mirënjohje (si më poshtë në anglisht) të gjithë sponsorizuesit e këtij evenimenti për ndihmën e tyre të pakursyer dhe plot bujari ashtuqë edhe ky projekt të realizohet ashtu si i ka hije këtij komuniteti dhe në dobi të tij.  Pa ndihmën e tyre, shprehet Z. Mark Gjonaj, ky projekt dhe të tjerë si ky nuk do të mund të realizoheshin. Bashkimi benë fuqinë.

“Friends, 

As you are aware, on Sunday, May 15th, from 12pm – 6pm, we will be hosting the Street Co-Naming Ceremony and Fair for our great hero, Gjergj Kastrioti Skenderbeu on Crescent Ave and Arthur Ave in the Little Italy section of the Bronx!

Attached, please find the flyer with the list of sponsors for the event. 

Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Co-Naming and Fair Flyer[11500].pdf

Our sincerest gratitude goes to all our sponsors for their generosity. Without your support, this event would not have been possible. Please support those that support our community.  Please share this flyer with your loved ones, family and friends. Post on facebook and other social media outlets. I am thankful for your continued friendship. Looking forward to seeing you and your loved ones there. If you have any questions, please do not hesitate to contact me at (917) 731-6850.

Sincerely,

Mark Gjonaj”

Dy rrugëve në Bronks të Nju Jorkut ku tanimë u është dhënë emri “Mother Teresa Way” dhe “Fan Noli Way”, këtë javë i shtohet edhe rruga, “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu Way”.  Ceremonia e emrimit të rrugës, “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” dhe festivali që e shoqëron – që sipas programit të njoftuar të ditës 15 Maj 2022 do të zgjasë 6 orë të tëra — premton të jetë një ngjarje vërtetë me rëndësi historike për komunitetin shqiptaro-amerikan, në rritje e sipër. 

Vetëm Heroi i Kombit, Gjergj Kastrioti -Skenderbeu i bashkon shqiptarët, mbrenda dhe jasht Atdheut.  Siç shihet edhe nga lista e sponsorizuesve të kremtimeve me këtë rast, Mark Gjonaj ka mundur të sigurojë, për këtë dhe për të gjitha nismat e tija në vazhdim, një shumicë mbështetsish pa dallime politike, krahinore ose fetare, për projekte të tilla madhore, në këtë vend të dashur për ne – Amerikën tonë të bekuar për ne dhe familjet tona. Ky vend që na ka dhënë lirinë dhe mundësinë të festojmë dhe të kujtojmë heronjtë e kombit, identitetin tonë kombëtar, traditat dhe historinë, që na janë mohuar për një kohë të gjatë nga ideologjitë dhe pushtuesit e huaj në trojet tona shekullore.  Urime komunitetit shqiptaro-amerikan, urime Mark Gjonajt, nismëtarit të këtyre projekteve kombëtare, në Amerikën e lirë të George Washingtonit dhe Abraham Linkolnit — për këto shërbime të çmueshme që i bëjnë Atdheut të të parëve, ruajtjes së identitetit tonë kombëtar, por edhe Atdheut tonë të dytë, të adaptuar – Amerikës. 

Frank Shkreli

   See the source image  Për Kombin Shqiptar ka vetëm një rrugë: One Way — Rruga drejt

Perëndimit – Rruga e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut! – “Gjergj Kastrioti — Skenderbeu Way”.   
Graphical user interface, website

Description automatically generated with medium confidence

                                Lista e sponsorizuesve 

A person standing next to a statue

Description automatically generated

Busti i të përgjithëmonshmit Gjergj Kastrioti-Skenderbe në Sallën Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut, ku së shpejti në oborrin e saj, do të inaugurohet edhe përmendorja madhështore e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve – e përmasave të përmendores së Heroit në Krujën heroike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

80 VITE NGA ARRESTIMI I NORBERT JOKLIT  NË PAKTHIM 

May 10, 2022 by s p

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Përvjetor: Përkujtim i  themeluesit të Albanologjisë

Derisa me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë Jokli u nderua nga Mbreti Zog me dekoratën “Urdhëri i Skënderbeut“. Është koha e reflektimit tonë në vlerësimin ndaj atyre që albanologjinë e vunë në baza shkencore.

           Shpeshherë në kohë takohen dy ekstremet, vlera dhe jovlera. Kështu ishte kur jetoi në Austri gjuhëtari i madh, Norber Jokli,  i cili shkëlqente me punën e tij shkencore dhe ishte sinonim vlere. Kjo vlerë shndritë akoma më shumë kur dihen rrethanat e formësimit të saj, i rrethuar nga nazizmi si pushtet dhe ideologji antinjerëzore. Kudo  përreth zotëronte acari i ngrirë dimëror nazist që vriste çdo aguliçe marsi në paralajmërimin e pranverës së domosdoshme. Ato mblidheshin një nga një sapo fillonin të hapnin  petalet në rrezet e diellit të shumëpritur.

Dhe, vrasja ishte mizore, pa gjyq e pa gjykatës. Përbindëshat me figura njeriu çirreshin rrugëve të Vjenës në gjuetinë e tyre makabre, ku muret e pallateve shekullore rrëqetheshin nën rënkimet e fëmijëve, pleqve, grave, të cilët nxirreshin me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Fati i bashkëkombëseve të tij e ndoqi edhe Norbert Joklin. Ai e dinte rrezikun që e përcillte, por nuk mundi të mos e ndante fatin me njerëzit e  gjakut tё tij. Rrezikun e kuptuan po ashtu shumë nga miqtë e dashamirët e tij, të cilët e paralajmëruan rrezikun. Gjergj Fishta do të kërkonte nga Jakomoni (përfaqësues nga qeveria pushtuese fashiste italiane) që Shqipëria të jetë e gatshme për strehim të  Joklit, hebreut, i cili themeloi studimet albanologjike. Ashtu vepruan edhe disa intelektual e veprimtar shqiptarë që e njihnin situatën dhe e ndjenin rrezikun që e kanoste Joklin.

Ernest Koliqi i shkruan konsullit shqiptar në Vjenë, Nikollë Rrotës, se duhet ndërmarr veprime që Joklit t’i mundësohet udhëtimi i menjëhershëm për në Shqipëri.  Lasgush Poradeci shtronte nevojën e sjelljes së Joklit nga Vjena në Shqipëri dhe vënien e tij në krye të Institutit Albanologjik që do themelohej në Tiranë. Të gjitha këto lëvizje bëheshin tani kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste.

Nga ana e tij, Jokli kërkonte mundësinë e udhëtimit për në Amerikë, ndërmarrje kjo jo e lehtë në atë kohë.

Para  tetëdhjetë vitesh, në mëngjesin e 4 marsit të vitit 1942, Jokli merret me forcë nga gestapoja në banesën e  tij në rrugën Neustiftgasse 67, Bashkia e 7-të e Vjenës.

Studiuesi, Mechthild Yvon, në botimin e tij me titull:  “Fati i albanologut Norbert Jockli dhe bibliotekës së tij “  mes tjerash shkruan: ,,Shumica e hulumtimeve të deritashme lidhur me fatin e albanologut vjenez Norbert Jokli dhe grabitja e bibliotekës private të tij nga nazistёt janë unik se: Rasti i Joklit është një shembull neveritës i brutalitetit nazist nga kolegët e tij specialistë nga UN- dhe reparti i bibliotekës, para se gjithash i Dekanit të Fakultetit Filozofik, Viktor Christian, i cili ndërmerr deportimin e Joklit në mars të vitit 1942, kur ai  vdes në Maly Trostinec, me çka e nxjerr para përgjegjësisë. Rrallë ndonjëri që e ka mbështetur.

Sipas ditarit të Paul Kretschmer, ish mësues i Joklit, indogermanist , i cili shkruan se Jokli është deportuar qysh në vitin 1941. Një intervenim i rrethit kolegjial do ta shpëtonte para transportimit për në asgjësim. Në vitin 1942 nuk ishte më tutje e mundur. Biblioteka, pronë e tij do të dërgohet në “rrethin shkencor”, duke u shkarkuar përfundimisht në Bibliotekën Kombëtare (Österreichische National Bibliothek), e cila qe nga ajo kohë gjendet aty”.

Disa fakte të reja lidhur me rrethanat dhe gjendjen e Joklit dhe përpjekjet e tij për t’u shpërngulur për në Shqipëri përmes Italisë bashkë me bibliotekën e pasur të tij si dhuratë për Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë.

Sipas shënimeve  nga Kraft, “Jokli e kishte ndërmend që bibliotekën t’ia dhuronte  Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe ta merr përsipër tё drejtën e tij për të emigruar. Kështu, ai kërkoj leje nga Dekanati i Fakultetit Filozofik, mirëpo u denoncua tek Gestapoja nga rektori  i fakultetit, Viktor Christian. Këtë qëndrim e  përkrah edhe Evelyn. Megjithatë nuk mund të vërtetohet denoncimi sipas të dhënave të deritanishme, e njëjta vlen edhe për listën e deportimeve  nga Vjena në vitet 1941 dhe 1942. Sipas Kraft-it, Jokl u arrestua në vendbanimin e tij në Vjenë VII, Neustiftgasse 67 nga Gestapo dhe u deportua në piken grumbulluese në Vjenë II, ”Castellegasse”.  Pra, si shihet, nazistët nuk lenin shënime dokumentuese në veprimet e tyre. Ato bëheshin në formë perfide.

Norbert Kokli, u lind në Bzenec të Moravisë në Çeki, më 25 shkurt të vitit 1877. Rrjedh nga një familje tregtare hebre. Maturën e mbaron me sukses të shkëlqyeshëm në vendlindje, kurse studimet në Vjenë, së pari në drejtësi,  pastaj në shkencat gjuhësore dhe mësimet për bibliotekist. Punon në Bibliotekën Universitare të Vjenës deri në pensionimin e tij të detyrueshëm nga nacional-socialistët e ardhur në pushtet në vitin 1938. Publikimet dhe aktivitetet publike të Joklit do të kufizohen sipas Ligjit Racist të Nyrenbergut edhe pse kjo nuk u tha në mënyrë eksplicite lidhur me botimet e tij. Në këto rrethana Joklin për katër vite rresht e vizitonte nxënësi i tij, Georg Solta, i cili dëshironte të vazhdonte punën shkencore të mësuesit të tij. Në anën tjetër ai e furnizonte Joklin me libra nga biblioteka. Solta nuk kujton asnjë përkrahje nga kolegët e Joklit në gjendjen e krijuar.

Si studiues linguistik u morr me Indogermanistikë, Sllavistikë dhe Romanistikë. Pas mbarimit të studimeve të dyta nga gjuhësia ai mësoi si autodidakt gjuhën shqipe, një gjuhë e pa studiuar gati fare, me të cilën do merret tërë jetën e tij.  Ndoqi kursin e shqipes tek Dr. Gjergj Pekmezi, i cili ishte lektori i parë i gjuhës shqipe në Universitetin e Vjenës.

Në vitin 1913 emërohet si përgjegjës për ,,Shkencat gjuhësore Indogermanistike me theks të veçantë për shqip, gjuhët baltike dhe sllave”. Krahas punëve në bibliotekë ai punon intenzivisht në gjuhësinë shqipe, duke arritur të bëjë emër si albanolog dhe sot konsiderohet si themelues i Albanologjisë. Me hulumtimet e tij gjuhësore ai konstaton, se gjuha shqipe bën pjesë në gjuhët indoevropiane.

Jokli mes tjerash u dallua në fushën e etimologjisë, marrëdhënieve të gjuhës shqipe me gjuhët tjera, fonetikën e zhvillimet në morfologjinë e fjalëve.  Vdekja e hershme nuk i mundësoi botimin e një vepre përmbledhëse të hulumtimeve të tij. Ai, megjithatë, botoi disa vëllime si “Sudien zur albanischen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë, 1911 (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipës” dhe “Linguistisch¬kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin- Lajpcig, 1923 (“Gjurmime gjuhësore, historikokulturore nga lëmi i shqipes”.

Studimet e tij gjuhësore përfshinin gjithashtu marrëdhëniet e gjuhës shqipe me gjuhët tjera të lashta jo-greke të Ballkanit, me ilirishten, trakishten, duke e nxjerr tezën e tij të prejardhjes së shqipes si një sintezë e tezave ilire e trake. Jokli mbrojti me këmbëngulje autoktoninë e shqiptarëve, ku Dardania e lashtë vihet si djepi i parë i tyre. Ai e vlerëson lartë punën e rilindësve për pasurimin e gjuhës shqipe duke ndikuar në  vijueshmërinë mbi baza filologjike. Vendin e shqiptarëve – Shqipërinë, Jokli  e viziton tek në vitin 1937, duke e plotësuar dëshirën e  tij, ku pritet mirë duke u nderuar me “Urdhni i Skënderbeut”.  Jokli ishte i njohur edhe nga personalitetet e tjera të kulturës që vepronin në atë kohë në Vjenë, të cilëve u interesonin shqiptarët dhe kultura e tyre. Njëri nga ata ishte  paleontologu dhe albanologu i njohur Franc Nopcsa i cili i  la Joklit në trashëgimi punën e tij në studimet albanologjike në vitin 1933 pasi ai vrau sekretarin e tij Bajzit Elmaz Doda dhe veten pas një krize të rëndë psikike. Fotografitë e Nopcsas dhe Dodes nga rajone shqiptare të fillim viteve të shekullit njëzet ruhen si vlera në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë në Vjenë.

Vepra e Joklit është padyshim një vlerë në shumë rёndёsi pёr gjuhësinë në përgjithësi dhe shqipen në veçanti. Ai ishte komunikues dhe mbante lidhje të ngushta me intelektualёt shqiptarë më në zë të kohës, si: Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Faik Konicën, Aleksandër Xhuvanin etj.

Shkenca shqiptare ashtu sikurse populli shqiptar përjetuan ringjallje por edhe katrahurën e robërisë dhe nazizmin shkatërrues komunist, i cili nuk la rrugë për vlerësim të njeriut, pra as të miqve të kombit shqiptar siç ishin albanologët nga hapësirat gjermanofolëse duke përfshirë këtu edhe Joklin.

Derisa me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë Jokli u nderua me dhënie çmimi, çfarë do bënim tani në këtë kohë kur kemi dy shtete shqiptare në përkujtimin e Joklit dhe miqve tjerë, a do duhej përkujtuar denjësisht. Është koha e reflektimit tonë në korrigjimet  në mësimet tona të atyre që albanologjinë e vunë në baza shkencore. Edhe këtu pseudoshkenca greko-sllave  tentuan ta varrosin kulturën, gjuhën e vendorëve në tokat e të cilëve kishin ardhur. Falë këtyre mendje ndritur u vu themeli i ringjalljes së një civilizimi të lashtë mijëra vjeçar duke u kurorëzuar me alfabetin shqip si paraprijës i lindjes së shtetit shqiptar.

Filed Under: Kulture Tagged With: Hazir Mehmeti

Në hapje të takimit të liderëve të Konferencës së Mynihut në Washington D.C., Presidentja Osmani takoi zyrtarë amerikanë e evropianë

May 10, 2022 by s p

Në hapjen zyrtare të takimit të liderëve të Konferencës së Mynihut e cila sivjet po mbahet në Washington D.C., Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani takoi zyrtarë të administratës amerikane, kongresistë e senatorë, ministra nga shtete të ndryshme si dhe përfaqësues të think- tanks nga Amerika e Evropa.

Në takim me këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Biden, z. Jake Sullivan,  Presidentja Osmani, diskutoi lidhur me situatën në Ballkanin Perëndimor pas invazionit rus në Ukrainë si dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet ky rajon. Ajo falënderoi administratën e presidentit Biden për rolin kyç në mbrojtjen e demokracisë dhe sigurisë në kontinentin tonë, e mbi të gjitha për përkrahjen e jashtëzakonshme që historikisht ia kanë dhënë Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në veçanti presidenti Biden.

Presidentja takoi edhe Ministren për Çështje Evropiane të Finlandës, Tytti Tuppurainen, me të cilën diskutoi për përgatitjet e Kosovës për aplikim në organizata ndërkombëtare si dhe për reformat e ndërmarra në vendin tonë, e të cilat e avancojnë Kosovën në rrugën euro-atlantike.

Në këtë konferencë, Presidentja Osmani bashkëbisedoi edhe me ministrin Federal të Gjermanisë Wolfgang Schmidt, ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, senatorin Chris Coons, kongresisten Veronica Escobar, zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana, udhëheqësin e Konferencës së Mynihut ambasadorin Christoph Heusgen, ambasadorin Wolfgang Ischinger, si dhe përfaqësues të tjerë pjesëmarrës në konferencë.

Sot Presidentja do të flasë në panelin për sigurinë energjetike si dhe në disa evente të tjera. Kjo konferencë ka bashkuar dhjetëra vendimmarrës dhe ekspertë të lartë nga të dy anët e Atlantikut për diskutuar se si partnerët transatlantikë mund të ndërtojnë një aleancë më të qëndrueshme dhe ta avancojnë bashkëveprimin dhe udhëheqjen e përbashkët në sfidat e sigurisë, duke përfshirë luftën aktuale në Ukrainë.

Filed Under: Politike

LIBRI NË MËRGIM, DEKORIMI, MARRËDHËNIE DHE MIRËNJOHJE…

May 10, 2022 by s p

– nga Visar Zhiti –


Erdhi “Albanica”, nr. 13, revista e shqiptarëve të Rumanisë,që posta nga përtej oqeanit e sillte për në shtëpinë time, ndërsa në Tiranë ishin Deputeti i shqiptarëve të Rumanisë, Bogdan-Alin Stoica, që merrte në Presidencë dekoratën “Kalorës i Urdherit të Flamurit”, i shoqëruar nga Dr. Radu Săvulescu, President i Ligës së Shqiptarëve të Rumanisë, dhe Dr. Luan Topçiu, Drejtori i Kulturës dhe i revistës “Albanica”. Veprimtaritë e shumta, botimet serioze, studime, histori, sociologji, përkthime, poezi, romane, konferenca, ekspozita, koncerte, takime me lexues, etj, vendosja nëpër Rumani e busteve të Skënderbeut, Naim Frashërit, Ismail Qemalit, Naum Veqilharxhit etj, vetë kjo revistë, “Albanica”,- art dhe kulturë, sintezë akademie, katedër albanologjie, kronikë, ambasadë e fjalës, bënë që Shqipëria të njihej me ketê punë të madhe dhe nëpërmjet dekorimit të deputetit Bogdan-Alin Stoica të shprehte mirënjohjen e shqiptarëve ndaj Rumanisë ashtu si pak muaj më parë Presidenti i Rumanisë dekoroi me medaljen e artë, “Kalorës i Meritave të Larta kulturore”, Dr. Luan Topçiu.Na bashkon kultura, marrëdhëniet mes dy popujve tanë, të hershme dhe të ripërtêrira tani, që si një ditar modern, i larmishëm dhe europian, i pasqyron dhe kjo revistë. E shfletojmë…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

Në Preshevë u mbajt Manifestimi kulturor: “Promovimi dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore-Takimet e Krijuesve kulturorë të Rajonit”

May 10, 2022 by s p

Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci

Fjalë në promovimin e librit: Trashëgimia kulturore materiale e paluajtshme e Luginës së Preshevës dhe e viseve shqiptare, në Preshevë 07.05. 2022 

Jemi së bashku këtu sot për ta shënuar një sukses të këndshëm pune, jemi në takim të natyrshëm dhe shumë kuptimplotë për promovimin e librit Trashëgimia kulturore materiale e paluajtshme e Luginës së Preshevës dhe e viseve shqiptare. Ky libër realisht është tregues dhe pasqyrë e punës së Konferencës me të njëjtin emërtim, të mbajtur këtu në Preshevë në tetor të vitit 2020.

C:\Users\SHTKK\Desktop\DSC_2965.jpg

Në një rast e në një Konferencë  disi të ngjahsme me Konferencat shkencore të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Preshevës, pata theksuar se konferencat e këtilla, ndoshta fillesën e kanë nga fakte e shkrime të vogla, por që sigurisht se këto fakte e shkrime do të krijojnë histori dhe do të japin tema të mëdha! Po, taman kështu! Ndërsa sot, unë  me kënaqësi konstatoj se Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Preshevës, vërtetë ka bërë histori, ka dhënë dhe vazhdon të jep tema të rëndësishme e të mëdha. 

Duke vlerësuar faktin se mendimet e thella jetojnë në dukuritë shoqërore dhe në trashëgiminë kulturore, kjo Shoqatë ka hulumtuar e regjistruar materiale të spektrit të gjerë, ka organizuar e mbajtur shumë Konferenca shkencore, ka realizuar botimin e materialeve të këtyre konferencave, dhe i ka ofruar studiuesëve dhe lexuesëve të interesuar një lëndë tejet të gjerë dhe studime me tematika të larmishme, por të përzgjedhura me kujdes, që simpatikisht dhe me domethënie të thellë vijnë nga  hapësira të shumënumërta etnogjeografike të arealit e të etnisë shqiptare. Duke iu referuar Sami Frashërit, që na mësoi se “gjysma e punës është e mbaruar kur ajo fillon me dëshirë”, e kam patjetër të potencoj me këtë rast entuziazmin e dashamirësve të trashëgimisë kulturore, largëpamësinë e themelimit të Shoqatës këtu në Preshevë, zemërgjërësinë e donatorëve, gatishmërinë e studiuesëve të marrin pjesë në këto konferenca, punën e pandalshme dhe të palodhëshme, vizionare të pjesëtarëve të Shoqatës, nën udhëheqjen e kryetarit të saj – studiuesit pasionant dhe shumë të përkushtuar z. Xhemaledin Salihu, dhe të konstatoj se vetëm kështu u mundësua kjo veprimtari shumë e dobishme dhe domethënëse. Vërtetë shembull nga i cili jo vetëm se duhet të mësojmë, por edhe ta lavdërojmë.

C:\Users\SHTKK\Desktop\DSC_2923.jpg

Është e njohur se studimet në nivel të krahinave etnogjeografike, ose sipas regjioneve, sipas vendbanimeve të vogla ose të mëdha e të ngjashme, mundësojnë vështrim specifik të thelluar të trashëgimisë shumë komplekse kulturore sipas hapësirave përkatëse, e që të gjitha së bahsku japin tema, shtrojnë problematika të gjëra të trashëgimisë kulturore shqiptare. Prandaj, them se ky zell i Shoqatës së Preshevës dhe këto rezultate që ajo i shpërfaqë, vërtetë duhet quajtur sukses. Po cili është ky sukses në rastin konkret të sotëm? Libri: Trashëgimia kulturore materiale e paluajtshme e Luginës së Preshevës dhe e viseve shqiptare është rezultat i kumtesave të mbajtura në Konferencën shkencore të tetorit të vitit 2020. Nga 22 punime shkencore me tematikë të përzgjedhur e të përcaktuar qartë për Konferencën respektive me temën bosht si në këtë Libër, dhe me 3 shkrime të natyrës informative ose vlerësuese, sikur paraqitet vështirë të thuash  cili punim është më i arrirë, cili është më interesant, ose cili sjell vlera të larta, vlera më të lashta, apo më të rejat kulturore e trashëgimore. Përmbledhësi përfaqëson një paraqitje tejet dispersive dhe të hapët antropologjike në aspektin e fushave albanologjike, por edhe më gjerë. E bukura e Përmbledhësit qëndron pikërisht në llojllojshmërinë e studimeve të përfshira në të,  në lënden e bollshme të mbledhur në terren, në ndonjë studim krahasimtar, ndonjë rast e ndonjë punim edhe me shmangie nga tema bosht, pastaj në përfshirjen e klasikës dhe të modernes deri në kuptimet e gjëra të globalizimit brenda fushave përkatëse antropologjike, ndryshe kulturore dhe trashëgimore. Të dalin përpara materialet  burimore të terrenit, dhe ndjenë kënaqësi kur të dhënat origjinale nga terreni vështrohen nën thjerrëzen e teorive antropologjike botërore. Këto janë vetëm disa elemente domethënëse e të rëndësishme që ofron Përmbledhësi i  Konferencës shkencore të vitit 2020. 

Në këtë Përmbledhës, si në kronologji mbarë e mirë mësojmë për sa vijon: bashkëzanime ndërmjet kulturës materiale dhe asaj jomateriale; merr informata për një teqe të vogë në një vendbanim rural;  mbushesh histori për kalanë e ShkupitI mëson edhe për trashëgiminë kulturore të Prizrenit; të vie si nihmesë historike e dhena për xhaminë e Vërbocit e për imamët e saj; ndjen kënaqësi e mbushesh traditë kur lexon për institucionin e Odës së burrave; mullinjt e Vushtrisë me rrethinë të shpalosin traditën ekonomike; kultura materiale e Gjilanit të qartëson për periudhën osmane të këtij qyteti; teqetë e rajonit të Kumanovës të ofrojnë të dhëna me rëndësi historike për teqetë më gjerësisht; historiku i arkitekturës në Dardanë të përplotëson tabllon për Dardaninë e lashtë; trashëgimia kulturore materiale e Bozovcës të plotëson njohuri për hapësiren e gjerë të etnisë shqiptare; kullat e sahatit si ndërtime të veçanta, të shpalosin shijen arkitektonike te Mesjetës; vendbanimet nga e kaluara të plotësojnë tabllon arkeologjike të Preshevës; hapësirat krijuese të manifestimit të trashëgimisë kulturore të japin një pasqyrë për të vjetren dhe për të rejën; kalaja iliro dardane e Dubovcit të Vushtrrise ose dëshmitari dardan i manastirit të Deçanit, apo shkrimi për urën e gurit të Shkupit dhe ai për Velegllavën e Dardanës ta qartësojnë vizionin historik dhe artistik të këtyre vendeve e të kësaj trashëgimie kulturore; dhe në vazhdim pasojnë shkrimet për baskëpunimin e një qendre rajonale për trashëgimi kulturore; pastaj si përfundim vijnë shkrimet plot informacion për lokalitete arkeologjike të Preshevës dhe për Tërnocin si vendbanim i hershëm i Luginës së Preshevës. Natyrisht, Përmbledhësit nuk i mungon as fjala hyrëse dhe as ajo përmbyllëse.

Risi e këndshme në  Përmbledhësin e vitit 2020 shfaqet të jetë pjesëmarria e studiuesëve të rinj me moshë e me përvojë, të cilët sjellin punime me tone e stile të reja antropologjike. Këto kuadro të reja sigurisht se premtojnë për të ardhmen e mirë, të them bashkëkohore, në fushën e trashëgimisë kulturore. Kështu tregohet se edhe kultura shqiptare prezantohet me sukses dhe përballet me sukses me kulturat e huaja.

Besoj se jemi të vetëdijshëm se tradita-trashëgimia kulturore na ushqen kulturalisht dhe shpirtërishtt, ajo i mëson të tjerët për ne, por edhe ne na mëson për të tjerët. Trashëgimia të bën me traditë, të bën rrënjës dhe me sukses të vendosë në një rrafsh të njëjtë  me të tjerët, në  Europë ose gjetiu, dhe të mban stabil e me kulturë të formuar edhe në modernitet e në kohën globalizuese. Andaj kërkohet shumë kujdes për trashëgimi, e këtë po na e shpërfaqë sot ky Përmbledhës i Konferencës shkencore të vitit 2020 i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Preshevës.

C:\Users\SHTKK\Desktop\image00110.jpeg

z. Xhemaledin përgëzime e suksese në të ardhmën!

Urime për Shoqatën e Preshevës dhe për ne të gjithë !

Ju falemnderit!

Filed Under: Kronike Tagged With: Drita Halimi-Statovci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2267
  • 2268
  • 2269
  • 2270
  • 2271
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT