• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një vepër e shquar dhe një autor “Yiddish” nga biblioteka e hapërdárë e Akademik Aleks Budës

May 8, 2022 by s p

(Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow)

C:\Users\Admin\Desktop\G-folder\Aleks Buda.jpg

Akademik Aleks Buda në tryezën e tij të punës

Në letrën e 12 Prillit të vitit 1500 drejtuar mikut të vet të edukuar në Sorbonë, Jacobus Battus, humanisti i madh holandez Desiderius Erasmus mes të tjerash i shkruante: “Kur më bien pak para në dorë i shpenzoj për libra, ndërsa pjesën tjetër të mbetur për ushqim dhe rroba.” Pikërisht, një zakon të tillë humanist e kishte kultivuar qysh në vegjëli edhe akademiku ynë Aleks Buda.I rritur në një familje bibliofile dhe me një etje të pashuar për leximin, ai blinte pothuajse çdo libër të fundit të dalë në librari, aq sa biblioteka e tij personale llogaritet që të kishte mbi 15.000 vëllime.(Shumë prej të cilave të ardhura nga Italia dhe Austria) Por se çfarë ndodhi me fatin e kësaj librarie të pasur, si u hapërda ajo dhe ku përfunduan krejt ato antikuare të çmuara kjo mbetet ende një mister.

Për mua do të ishte një befasi e këndshme teksa gjatë aktivitetit hulumtues të më binte në dorë njëri prej këtyre antikuareve, i cili kishte të shkruar në brëndësi dhe në mënyrë kaligrafike emrin e zotëruesit të tij legjitim: “Aleks Buda”. Por befasia do të kthehej në habi teksa vepra në fjalë mbante një titull paksa të çuditshëm për veshin e shqiptarëve: “Dybbuk”. Por çfarë është ky “Dybbuk” dhe cili është autori i saj?! “Dybbuk” është një dramë me 4 akte, e shkruar në vitin 1914 prej shkrimtarit, aktivistit politik dhe folkloristit hebreo-rus Solomon Zanvel Rappoport ose siç njihet ndryshe me emrin e penës në rusisht Semën Akimovič Ansky.Gjatë Revolucionit të Madh të Tetorit, kur u largua prej Rusisë Bolshevike për në Poloni (1918) Anski e humbi dorëshkrimin original të kësaj vepre por falë përkthimit që kishte realizuar poeti kombëtar hebre Hayim Nahman Bialik ai u mbështet mbi këtë material dhe nisi që ta rishkruaj atë. Ansky i përket brezit të artë të shkrimtarëve klasikë në Yiddish si Mendele Moicher Sforim, Isaac Leib Peretz, Sholem Aleichem, Yankev Dinezon, Yehoshua Ravnitzky, etj. Ai ishte një shkrimtar mjaft prodhimtar dhe pavarsisht jetës së shkurtër që pati, “opus magna” e tij në këtë gjuhë është përmbledhur në 15 volume.Por “Dybbuk” mbetet më e shquara prej tyre; ajo është luajtur me dhjetra herë, është realizuar kinematografikisht dhe madje edhe kompozitori i shquar amerikan Leonard Bernstein mesa duket i tërhequr prej kësaj vepre të Ansky-t realizoi kompozimin e saj muzikor në vitin 1974, e cila u vu në skenë prej mjeshtrit të baletit të Qytetit të New York-ut, Jerome Robbins. Por ç’ka e bën këtë vepër kaq intriguese dhe njëkohësisht kaq të veçantë në të njëjtën kohë?! 

Përpara se ti japim përgjigje kësaj pyetjeje, ler të japim fillimisht disa detaje përshkruese mbi këtë kopje fizike nga biblioteka e Aleks Budës.Ajo është një botim i kësaj vepre në italisht, e realizuar nga botuesi Rocco Carabba në Lanciano, Abruzzo në vitin 1930.Titulli i veprës është: “Dibbuk: Sul confine di due mondi” dhe është përkthyer nga Rusishtja prej poetes dhe përkthyeses ruso-italiane Raissa Olkienizkaâ-Naldi. Përsa i përket formatit të tij, ai është një libërth me jo më tepër se 128 faqe dhe me përmasat 18×12 cm.Një përkthim prej Yiddishtes në Italisht i “Der Dibek: oder tsvishn tswey veltn” është bërë së fundmi nga Raffaele Esposito i Universitetit të Napolit “L’Orientale” (2012), bazuar në versionin e veprës në këtë gjuhë, të kryer nga vet  Ansky në vitin 1919.

C:\Users\Admin\Desktop\Shalom Ansky.jpg

                            “Dibbuk”: kopja fizike në Italisht nga biblioteka e Aleks Budës

Subjekti i kësaj vepre zhvillohet në një prej shtetl-ve (qytezave hebraike) të Polonisë dhe ngjarjet rrjedhin pas një premtimi apo fejese në djep (Shqipja është një gjuhë mjaft kuptimplotë) që dy miq të ngushtë, Nisan dhe Sender i bëjnë njëri-tjetrit për lidhjen martesore të fëmijëve të tyre.Por njëri prej të dyve, Nisan-babai i djalit papritur ndërron jetë dhe miku i vjetër e harron premtimin e dikurshëm që ka bërë dhe vendos që ta martoj vajzën e vet Leah me dikë tjetër; të ngritur në rang dhe pasuri.Djali, Khanan një student i varfër i Yeshiva-s (kolegj për studimin e teksteve fetare hebraike) dhe praktikues sekret i dijeve ezoterike i cili është marrëzisht i dashuruar pas Leas teksa e merr vesh këtë lajm ligështohet dhe trupin e tij e gjejnë të pajetë.Gjatë ditës së martesës, kur dhëndrri Menashe i afrohet nuses dhe i ngre velin lart patakset prej një zëri mashkullor i cili vjen kërcënues prej fytyrës së saj.Atëherë menjëherë të ftuarit kuptojnë se ajo është e sunduar nga një Dybbuk, i cili është shpirti i paqetë i Khananit të prerë në besë.Drama të mban mbërthyer me dialogët, tensionin shpirtëror dhe tektonikën emocionale, deri në  fundin e saj, me humbjen tragjike të Leas dhe bashkimin enigmatik shpirtëror të dy të dashuruarëve në botën tjetër.

Duke qënë se punoi vet si etnograf për përmbledhjen e folklorit hebraik, Ansky e përdor folklorin si taban për veprën e vet dhe e “huazon” këtë subjekt pikërisht nga një ngjarje e cila besohet se ka ndodhur në Poloninë e Shek.XVIII-XIX-të.Gjithashtu, ai përfshin në të disa elementë të Misticizmit Hebraik siç është edhe dybbuk, recitimi i pasazheve të veçanta të Torahut apo edhe ekzorcizmi prej Ba’al Shemit (Shëruesit Spiritual dhe Mrekulli-bërësit), mjaft popullore këto në Evropën Lindore dhe territoret e Lituanisë, Polonisë, Ukrainës, etj. Fillesat kjo besojmë i ka tek kabalisti i Shek.XVI-të, Rabbi Isaac ben Solomon Luria (1534-1572) dhe doktrina e tij e transmigrimit të shpirtrave (Gilgul) tek e cila ai shihte një mënyrë përmes të cilës shpirti vazhdonte realizimin e misionit të tij drejt vet-perfeksionit.Ndërsa dishepujt e vet do ti jepnin një tjetër interpretim dhe do të shkonin shumë larg me idenë e shpirtit të keq, të paqetë e të papranuar nga Vendi i Ndëshkimit (Gehinnom) apo Qielli (Shamaim) dhe të ngecur mes dy botëve (dybbuk) i cili rikthehej enkas për të pushtuar, zotëruar dhe marr në kontroll trupa të gjallë dhe jetët e tyre. 

Por çfarë rëndësie paraqet kjo vepër në bibliotekën e themeluesit të Akademisë së Shkencave (1972) Profesor Aleks Budës?! Së pari, siç e kam theksuar edhe diku tjetër ajo tregon për arsenalin kulturor, të thellë e të gjithëanshëm të intelektualëve tanë të Viteve 30-40 të cilët për nga formimi, forca e ideve apo edhe bagazhi intelektual mund të mateshin fare mirë me kolegët e tyre në Botën Perëndimore.(Mjafton të lexosh shkrimet e tyre dhe bindesh për këtë fakt) Së dyti, për nga rëndësia ideore, vepra në fjalë është një vepër mjaft emancipuese për nga pikëpamja shoqërore.Përmes saj, sipas mendimit tim Ansky stigmatizon brënda shoqërisë hebraike tre fenomene negative; 1) Martesat me premtim qysh në djep të vendosura prej Të Moçmëve, në kurriz të lirisë së Të Rinjve për ta zgjedhur vet partnerin/ partneren e tyre 2)  Konsiderimi i femrës si pronë dhe mjet përllogaritjeje ekonomike, pa marr aspak në konsideratë personin, vullnetin, pëlqimin apo ndjenjat e saj dhe 3) Besëprerja.Fenomene të tilla të cilat i kemi hasur edhe në shoqërinë, folklorin tonë apo edhe literaturën e disa autorëve shqiptarë. Dhe së fundmi, kjo vepër ngre lart devizën: “Si Qënie Njerëzore, lufto përherë për Drejtësi pasi qoftë edhe një padrejtësi e vogël mundet që ta shkatërroj Botën!” 

Këto pikëpamje të shprehura në vepër si çlirimi i femrës nga autoriteti patriarkal dhe mostrajtimi i saj si pronë apo mjet shkëmbimi, liria e të rinjve për të zgjedhur vet mbi jetën e fatin e tyre si dhe prevalimi i drejtësisë së Individit ndaj forcës së imponimit kolektiv ishin gjithashtu edhe bindjet politike të Anskit si aktivist i BUND (Partia Socialiste Hebraike) por të cilat rezononin gjithashtu edhe me bindjet Social-Demokrate të Profesor Aleks Budës.Në  jetën e vet, Buda u mundua fort që tu qëndronte besnik këtyre bindjeve politike.

Gjatë një interviste të dhënë shumë vite më parë nga historiani gjerman Michael Schmidt-Neke pyetjes së gazetares se cili është sipas tij personaliteti më i spikatur i Akademizmit Shqiptar, iu përgjigj shkurt dhe qartë: “Padyshim Aleks Buda.Një intelektual i përmasave europiane.Duhet të jeni krenar për të: Ai është ambasadori i shkencës shqiptare!”

Filed Under: Politike Tagged With: aleks buda, Melsen Kafilaj

Presidentja Osmani ka takuar Nënsekretaren amerikane të Shtetit, znj. Uzra Zeya

May 8, 2022 by s p

Sot, në kuadër të vizitës në Kosta Rikë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu u takua me znj. Uzra Zeya, Nënsekretaren amerikane të Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Administratën e Presidentit Joe Biden.

Me Nënsekretaren Zeya, Presidentja Osmani, ka biseduar për progresin e Kosovës në përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci si dhe intensifikimin e bashkëpunimit Kosovë-SHBA.

Në diskutim me Nënsekretaren Zeya, Presidentja Osmani ka folur për themelimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut si dëshmi e përkushtimit të institucioneve të Kosovës për përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë, rolit të gruas në shoqërinë kosovare, avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat.

Presidentja ka theksuar se Kosova qëndron në të njëjtën vijë me aleatët tanë në mbrojtjen e vlerave demokratike. “Në këtë kohë kur demokracitë anë e mbanë botës janë bërë cak i drejtpërdrejt i tendencave gjithnjë e në ngritje autoritare, Samiti për Demokraci është platforma që ka bashkuar vendet nga 4 anët e globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato”, ka thënë Presidentja Osmani.

Me ftesë të Presidentit Carlos Alvarado Quesada, Presidentja Osmani po qëndron në Republikën e Kosta Rikës, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves. Gjatë vizitës në San José, Presidentja do të takojë udhëheqësit shtetëror të këtij shteti si dhe do të realizojë takime me përfaqësues të shteteve tjera.

Filed Under: Emigracion

LIBERALIZMI QË NGA XHON LOKU DERI NË DITËT TONA

May 8, 2022 by s p

Xhelal Zejneli/

Liberalizmi (frëngj. libéralisme, nga libéral – lat. liberalis: liridashës) liridashje – është doktrinë politike dhe ideologji sipas së cilës liria e individit është bazënisje dhe kriter themelor i vlerësimit të të gjitha institucioneve shoqërore. U paraqit në shekullin XVII në Angli dhe në Holandë si program i qëndresës ndaj pushtetit arbitrar dhe absolutist të monarkut. Që në fillim u paraqit me kërkesat për lirinë e ndërgjegjes, për tolerancën fetare dhe për garancitë kushtetuese të të drejtave individuale. Ky liberalizëm bazohej në idenë e lirisë. Kjo nënkupton se askush nga jashtë nuk mund ta parandalojë veprimtarinë e individit dhe mundësitë e tij që t’i ketë në dispozicion plotësisht dhe në mënyrë të pakufizuar aftësitë e veta. 

Sipas filozofit anglez i cili studio në Oksford (Oxford), Xhon Lokut (Jojn Locke, 1632-1704), liria e individit është e mundur vetëm duke nënkuptuar pronësinë, ndërsa ai që nuk ka pronë, duhet të punojë për tjetrin, duke u bërë kësisoj i varur nga vullneti i tij. Si i tillë, ai nuk mund të bëjë një jetë të arsyeshme dhe është i privuar nga të drejtat politike. 

Liberalizmi i shekullit XVIII ishte i preokupuar me kufizimin e rolit të shtetit në jetën ekonomike. Duke u bazuar në parimin laisser-faire ( lëre të bëjë), këta liberalë e zhvilluan teorinë e shtetit noktambul (somnambul). Liberalizmi barazohej me liberalizmin ekonomik që merrej me pronën private, me konkurrencën e tregut dhe me rolin e kufizuar të shtetit. Rritja e funksioneve të shtetit e kufizon hapësirën e lirisë së individit dhe e rrezikon mirëqenien e shoqërisë, ndaj për këtë arsye funksionet e shtetit duhet të kufizohen në mënyrë rigoroze.

Ekonomisti anglez, profesor i logjikës dhe i etikës në Glasgov (Glasgow), Adam Smit (Adam Smith, 1727-1790) ia ka përshkruar sovranit tri detyra të mëdha: mbrojtjen e shoqërisë nga armiku i jashtëm, mbrojtjen e çdo individi nga sulmet e ndonjë individi tjetër si dhe zbatimin punimeve publike të caktuara që nuk do të mundë të realizoheshin sikur t’i besoheshin ndërmarrësit privat.           

Në liberalizmin e shekullit XVIII u zhvillua teoria e shtetit të së drejtës, sipas së cilës, në ushtrimin e funksioneve të veta, shteti mund të ndërhyjë në lëmin e shoqërisë së tregut, vetëm në bazë të ligjit. Ligjet e shprehin interesin e përgjithshëm dhe nxirren në kuvendin e përfaqësuesve (në parlament). Prandaj parlamenti, si institucion qendror i shtetit liberal, të cilit i është deleguar pushteti i popullit, nuk përfaqëson interesa dhe dëshira të veçanta, por interesin e përgjithshëm.                   

Nga gjysma e shekullit XIX, liberalizmi u ndërlidh me demokracinë. Në veprat e filozofit francez të së drejtës dhe të politikës Aleksis dë Tokëvil (Alexis Clerel de Tocqueville, 1805-1859) dhe të filozofit dhe ekonomistit anglez Xhon Stjuart Mill (John Stuart Mill, 1806-1873), liberalizmit i jepet një domethënie e re. Me fjalë të tjera, barazinë politike liberalizmi e bashkon me lirinë individuale. 

Shumë liberalë u bënë proklamues të së drejtës së përgjithshme për votim, të votimit të fshehtë, të pagimit të anëtarëve të parlamentit dhe të kërkesave të tjera demokratike. Partia Liberale në Britani të Madhe, deri në themelimin e Partisë Laburiste në shekullin XIX, i përfaqësonte edhe interesat e shtresave të ulëta të shoqërisë. Liberalizmi u bë sinonim i liberalizmit politik, që i proklamonte të drejtat e njeriut, tolerancën, mbrojtjen e pakicave, shtetin e së drejtës apo shtetin ligjor si dhe pushtetin demokratik përfaqësues. 

Kah fundi i shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, në Angli u krijua liberalizmi social i ri, sidomos në veprat e filozofit anglez, profesor në Oxford, Tomas Hill Grin (Thomas Hill Green, 1836-1882) dhe të filozofit e sociologut anglez, teoricien politik i liberalizmit, Leonard T. Hobhaus (Leonard Trelawny Hobhouse, 1864-1929), autor i veprës “Liberalizmi i ri” (The New liberalism, 1911). Në vitin 1930 e më pas vjen ekonomia politike e re e ekonomistit anglez Xhon Mejnard Kejns (John Maynard Keynes, 1883-1946). Këta mendimtarë hoqën dorë nga doktrina tradicionale laisser-faire (lëre të bëjë). Këta u përpoqën që lirinë individuale ta bashkojnë me nevojën që për mirëqenien e njerëzve, e sidomos për nevojat materiale dhe arsimore të të varfërve, përgjegjës të bëhet  shteti. Shteti mori një rol shumë më aktiv, ndaj u pranua si një levë pozitive e zhvillimit shoqëror dhe e krijimit të kushteve minimale për përparim individual. Problemet sociale të kapitalizmit, në radhë të parë papunësia, sipas liberalëve të Kejnsit, nuk mund të zgjidhen me veprimin e tregut të lirë, por me ndërhyrjen e shtetit në jetën ekonomike. 

Edhe mendimtarët liberalë në ShBA, si p. sh filozofi dhe pedagogu amerikan, profesor në universitetin e Miçigenit (Michigan), të Minesotës (Minnesota), të Çikagos (Chicago) dhe të Nju-Jorkut (New York), Xhon Djui (John Dewey), liberalizmin e orientuan kah objektivat socialë. Por metodat dhe objektiva e reja u pranuan atje në kontekstin e krizës së madhe të viti 1929. Pas kësaj, liberalët socialë e ruajtën emërtimin si liberalë, ndërsa liberalët konservatorë tradicionalë, prej atëherë filluan të quhen konservatorë. Liberalizmi social, që në traditën amerikane shpesh quhet liberalizëm reformist, newdeal apo welfare, arriti kulmin në vitin 1960 e këndej, në programin “Kufiri i ri” të presidentit amerikan Xhon Fixherald Kenedi (John Fitzgerald Kennedy, 1917-1963 dhe në programin “Shoqëria e madhe” të presidentit amerikan Lindon Xhonson (Lyndon Baines Johnson, 1908-1973).          

Gjatë Luftës II Botërore dhe pas saj, liberalizmi konservator e riktheu një pjesë të popullaritetit të vet, sidomos kur diktaturat komuniste nisën të konsiderohen si kanosje më e madhe dhe e përhershme ndaj sistemeve liberale-demokratike, se tiranitë djathtiste. Kthesë bëri libri i ekonomistit austriak, laureat i çmimit “Nobel” për ekonomi (1974), Fridrih August Hajek (Friedrich August Hayek, 1899-1992) “Rruga në robëri” (Road to Serfdom, 1944), në të cilin autori mbronte tezën mbi burimet socialiste të nazizmit. Sipas tij, çdo politikë socialiste është potencialisht totalitare. Për këtë arsye duhet kthyer liberalizmit klasik – tregut të lirë, sundimit të ligjit dhe pushtetit të kufizuar. Hajek ishte edhe teoricien i drejtësisë dhe filozof, i njohur si mbrojtës i liberalizmit klasik.

Por, deri në vitin 1970 e më pas, liberalizmi konservator klasik, nuk pati ndikim shoqëror aq të madh. Krizat dhe politikat ekonomike social-liberale të pasuksesshme dhe bumi në çerekun e fundit të shekullit XX, ndikuan në ngritjen e liberalizmit konservator, me emërtimin neoliberalizëm, në të cilin u ripërtërinë idetë e liberalizmit klasik (individualizmi pronësor, tregu i lirë, shteti minimal). 

Në vitin 1970 e këndej dhe 1980 e këndej, neoliberalizmi u bë pikëmbështetje e politikave konservatore moderne (kryeministrja britanike, e para grua kryeministre e vendit, Margaret Theçer (Margaret Hilda Thatcher, Baronesha Thatcher e Kestevenit, 1925-2013) dhe presidenti amerikan Ronald Regan (Ronald Wilson Reagan, 1911-2004) që u orientuan kah derregullacioni, reprivatizimi dhe zvogëlimi i fondeve sociale.

Kah mesi i viti 1980 e këndej, liberalizmi konservator u bë rrymë kryesore e mendimit oponent në shtetet komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore. Për këtë arsye, rënia e rendit komunist në vitet 1989-1990 u konsiderua si fitore historike e liberalizmit ndaj komunizmit dhe si kthim i këtyre vendeve “në rrugën e tyre natyrore të zhvillimit” që ua kishte ndërprerë komunizmi. 

Mirëpo, transformimi ideologjik i liberalizmit, prej një mendimi kritik dhe përmbysës në themel të shoqërive postkomuniste, i nxiti kritikuesit dhe kundërshtarët e tij që t’ia ngjeshin të gjitha problemet sociale në transformimin e këtyre shoqërive (pasiguria sociale, papunësia dhe varfëria), duke e quajtur ideologji të kapitalizmit antisocial të egër. 

Edhe në planin botëror, modeli neoliberal i globalizimit është etiketuar si shkak kryesor i problemeve dramatike botërore – që nga shkatërrimi i mjedisit deri te varfëria në rritje. 

Që nga mesi i viti 190 e këndej, modelet neoliberale dhe politika neoliberale, gjithkund i janë nënshtruar kritikës së ashpër dhe rishqyrtimit. Njëherazi, është ngjallur interesimi për tipa të tjerë të liberalizmit, kështu që kah fundi i viti 1990, gjithnjë më tepër është folur për liberalizmin komunitar, një formë e re e liberalizmit social që e simbolizojnë politikat “e rrugës së tretë” – të presidentit amerikan Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946-) – “demokratët e ri” dhe të kryeministrit britanik Toni Bler (Anthony Charles Lynton Blair, 1953-) – “laburistët e ri”, në të cilën nisma individuale ndërlidhet me një ndjeshmëri sociale më të madhe. 

Çdo lloj liberalizmi ka ndonjë ide dhe vlerë themelore të përbashkët: liria që nënkupton mosekzistimin e pengesave të jashtme që individi të veprojë sipas vullnetit, dëshirave dhe prirjeve  të veta, me kusht që të mos e rrezikojë të drejtën e të tjerëve dhe t’i plotësojë detyrimet që i ka marrë përsipër vullnetarisht vetë ai; barazia e njerëzve pa dallim feje, ideologjie, race, kombësie, klase sociale, gjinie, shtrese shoqërore, profesioni dhe bindjesh politike; toleranca e bindjeve, e mendimeve dhe e veprimeve ndryshe, me kusht që ta njohin lirinë dhe barazinë, si një e drejtë e të gjithë anëtarëve të bashkësisë dhe të mos tentojnë heqjen e dhunshme të tyre; individualizmi, si parim i rregullimit të shoqërisë, që bazohet në idenë për individë të pavarur të cilët, duke krijuar lidhje të ndërsjella, krijojnë shoqëri, por edhe në shoqëri mbeten të tillë siç janë – individë; shteti juridikisht, organizativisht dhe me funksione të kufizuara dhe të lira që kujdeset për sigurinë anëtarëve të vet dhe për krijimin e kushteve të përgjithshme, të njëjta  për të gjithë; demokracia përfaqësuese në të cilën vendimet politike nuk i merr drejtpërsëdrejti populli, por përfaqësuesit e tij që i zgjedh populli në zgjedhjet e lira garuese, në bazë të të drejtës së barabartë për votim, në të cilin mbartësit e autorizimeve publike veprojnë brenda suazave konstitucionale të përcaktuara të cilat çdo personi ia garantojnë shfrytëzimin e papenguar të të drejtave individuale dhe kolektive. Në rast shkeljeje të këtyre të drejtave, është parashikuar një mbrojtje efektive. Është përcaktuar autonomia e shoqërisë civile dhe mendimi publik i pavarur.  

Idetë dhe vlerat liberale janë qëndisur në themelet e qytetërimit perëndimor. Sot atyre u referohen shumë lëvizje dhe parti që i interpretojnë në përputhje me sistemet e veta të vlerave. Për këtë arsye, sistemet politike të Perëndimit rëndom quhen demokraci liberale.                           

Xhelal Zejneli

Filed Under: ESSE

PRITJE MADHËSHTORE NË VATËR PËR RAMUSH HARADINAJN, HEROI I REZISTENCËS PËR LIRINË E KOSOVËS

May 8, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 7 Maj 2022 – Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish Kryeministri i Kosovës, deputeti, kryetari i AAK, gjenerali i Luftës për Lirinë e Kosovës, frymëzuesi i shqiptarëve për trimëri e rezistencë ndaj pushtuesit serb, Ramush Haradinaj vizitoi Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA. Me pjesëmarrjen ekskluzive të Konsullit të Kosovës në New York z.Lulzim Krasniqi, patriotëve e veprimtarëve të shquar të komunitetit shqiptar Harry Bajraktari e Rrustem Gecaj, Ramush Haradinaj u prit ngrohtësisht e vëllazërisht prej drejtuesve të Vatrës, vatranëve, miqve, patriotëve, veprimtarëve e pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në New York e më gjerë. Në fjalën hyrëse Editori i Diellit u ndal te kontributi i madh i familjes Haradinaj, Jashari e heronjve që dhanë gjithçka për Kosovën e lirë. Në fjalën e mirëseardhjes, kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z. Elmi Berisha tha se: “Ndjehemi të nderuar e shumë të respektuar që sot mes nesh është heroi i rezistencës dhe lirisë së Kosovës Ramush Haradinaj. Vatranët dhe Shqiptaro-Amerikanët janë krenarë për ju si hero i gjallë dhe burrështetas”. Në bashkëbisedim me vatranët dhe komunitetin shqiptar, z.Haradinaj u ndal te proceset e vështira dhe rruga e gjatë që e pret shtetin e Kosovës e kombin shqiptar në përballje me sfidat integruese dhe sigurinë në rajon e më gjërë.”Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi duhet të ndjekin një rrugë të përafrimit me Amerikën. Nëse tejkalojmë problemet e brendshme si shtete, nëse zhvillojmë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale me Amerikën, do jemi të mbrojtur dhe të fortë të përballemi me Serbinë dhe Rusinë. Siguria, garancia dhe suksesi i proceseve tona kalojnë nga Uashingtoni. Nëse bashkojmë dijen tonë, fuqinë tonë, energjinë tonë dhe mundësitë tona ne do dalim faqebardhë si shtet e si komb. Kosova është e rreshtuar e do jetë përjetë me Amerikën dhe NATO-n. Nën udhëheqjen e Amerikës, Kosova s’ka qenë kurrë më e fuqishme. Ne duhet ta realizojmë marrëveshjen e njohjes reciproke me Serbinë. Sot është koha më e përshtatshme që ti kërkohet Serbisë që ta njohë Kosovën. Sot më shumë se kurrë ne duhet ta angazhojmë dhe bashkojmë potencialin tonë, miqtë tanë dhe çdo faktor në dobi të shtetit të Kosovës. Kosova nuk do pranojë kurrë “Asociacion” me kompetenca ekzekutive. Të drejtat fetare dhe Kishat Ortodokse në Kosovë i mbrojnë institucionet e Kosovës” tha ndër të tjera z.Ramush Haradinaj në fjalën e tij. Ai u ndal edhe te situata e shqiptarëve në Mal të Zi pas zgjedhjes së Abazoviç si Kryeministër, te rritja e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe u bëri rritje institucioneve që të hapet procesi i pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas fjalës vëllazërore, z.Haradiaj nderoi Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA me medaljonin e nënshkruar prej vetë z.Ramush Haradinaj: “Me besimin në Zot, Atdhe dhe Shtet” për veprimtarinë e jashtëzakonshme në shërbim të çështjes kombëtare.Nën udhëheqjen e Presidentit të Nderit z.Agim Rexhaj, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA me rastin e 110 vjetorit të themelimit e nderoi z.Ramush Haradinaj me Mirënjohje me motivacion: “Për kontributin e shquar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi, për aftësitë e veçanta drejtuese dhe komanduese në luftë, për rezistencën heroike e trimërinë e jashtëzakonshme në përballje me pushtuesin serb si dhe kontributin e lartë si shtetar i Kosovës së lirë”. Anton Raja e nderoi z.Haradinaj me një medaljon nga Akademia Ushtarake e West Point. Në përfundim të bashkëbisedimit vëllazëror, z.Haradinaj zgjoi tek pjesëmarrësit shumë diskutime rreth temave të nxehta aktuale shtetërore dhe kombëtare. Anëtari i Këshillit të VatrësAsllan Bushati diskutoi për anëtarësim të Kosovës në NATO e BE, gjykatën speciale dhe ditëlindja e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit të bëhet festë zyrtare në Kosovë e Shqipëri. Dalip Greca e pyeti z.Haradinaj për asociacionin e komunave serbe, dhe me atë rast, falënderoi patriotin Rrustem Geci për rinovimin e godinës së Vatrës disa vite më parë dhe e ftoi për një tjetër investim. Bashkim Musabelliu e pyeti z.Haradinaj rreth padisë për genocid ndaj Serbisë, Prend Qeta rreth gjykimit të njëanshëm të rezistencës së heronjve të Kosovës nga Gjykata Speciale. Bashkëbisedimi ishte shumë i përzemërt me bashkatdhetarët tanë dhe vazhdoi me këmbime bisedash, foto e falënderime për vizitën e veçantë. Z.Haradinaj në ditët në vazhdim do të vizitojë Departamentin Amerikan të Shtetit ku do takohet me Kongresmenë dhe drejtues të Institucioneve të Sigurisë së Shtetit Amerikan.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Ministri Latifi flet në SHBA për planin për transformimin e shëndetësisë dhe kërkon mbështetje për qendrat e ekselencës

May 8, 2022 by s p

​​Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, ka shpalosur planin e tij të transformimit të Shëndetësisë së Kosovës në Valhalla- Nju York, në konferencën shkencore të 19-të vjetore Louis R.M. Del Guercio – si Profesor Vizitues dhe i Shquar i Hulumtimeve shkencore, ku më parë Dr. Latifi ishte kryeshef i Departmenentit të Kirugjisë.​Në këtë konferencë, ministri Latifi, mbati ligjeratën kryesore të këtij takimi vjetor shkencor me titull: “Zbutja e pabarazisë shëndetësore dhe transformimi i shëndetësisë së Kosovës, përmes Qendrave Klinike të Ekselencës, nga këndvështrimi i kirurgut të traumës, dhe Kryeshefit të Kirurgjisë, dhe tash Ministër i Shëndrtësisë së Kosovës.​Gjatë këtij prezantimi, ministri dr. Latifi, foli pët sfidat e rindërtimit të sistemit shëndetësor të një vendi në tranzicion. Ai tha para të pranishmëve se “ri-ndërtimi i shëndetësisë së Kosovës duhet të bëhet në bazë të dhënave shkencore dhe kërkesave klinike si dhe në bazë të gjetjeve studimore, analizave të shumta të bëra nga agjenci të ndryshme studimi, përfshirës edhe ato ndërkombëtare”, duke përfshirë edhe studimin e iniciuar nga vet ministri Latifi me lidershipin e shëndetësisë në Kosovë.​Të pranishmit në këtë konferencë treguan interes për shpalosjen para tyre të përvojës si ministër i Shëndetësisë së Kosovës dhe planinifikimin për rindërtimin e një sistemi shëndetësor të bazuar në shtatë shtylla dhe 13 qendra të Ekselencës.​Ministri Latifi , me këtë rast, është takuar edhe me Profesorin e Touro University, Dr. Salomon Amar, ku të dy biseduan pët bashkëpunimin e dy vendeve në fusha të ndryshme shkencore dhe mjekësore, si dhe çështje të tjera të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Universitetit Toro, duke involvuar edhe kompanitë bio-teknologjike të Izraelit dhe institucionet e tjera.​Ministri Latifi, në kuadër të kësaj vizite të para zyrtare në SHBA, do të viztojë të hënën më 9 maj spitalin Ushtarak Ëalter Reed dhe Qendrën e Simulimit të Armatës Amerikane në Uashington.​Po ashtu, ai do të marr pjesë edhe në darkën për festimin e punëtorëve shëndetësor, të organizuar nga “Project Hope”.​Më pas ministri Latifi, ai do të udhëtojë për në Univerzitetin e Arizonën, ku do të takohet me udheheqësit e Kolegjit të Mjekësisë dhe Sistemit Spitalor Banner Health.​Të gjitha këto takime, do të bëhen me qëllim të kërkimit të bashkëpunimit për implementim e Qendrave të Ekselencës, të parapara me programin gjithpërfshirës të transformimit të sistemit shëndetësor të Kosovës.​Të gjitha takimet dhe vizitat janë planifikuar në bazë të objektivave paraprake dhe në kërkim të partneritetit të domosdoshëm me institucionet amerikane për të vetmen arsye- ngritjen dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor të Kosovës.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2271
  • 2272
  • 2273
  • 2274
  • 2275
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT