• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË PERLË E VOGËL PËR TOMORIN E MADH

March 26, 2022 by s p

(Nga Vexhi Buharaja)

VERI TALUSHLLARI/


Sa herë lexon poezinë ” PËRPARA TOMORIT”, lexuesit i zgjohen ndjesi nga më të ndryshmet. Dhe së pari ndjen se ke lexuar një poezi në kuptimin e mirëfilltë dhe të plotë të fjalës. Është një poezi që i flet zemrës, jo trurit. Tomori aty ka qënë edhe para mëse 2400 vjetësh, kur Berati u bë Berat, edhe para 24 mijë apo 240 mijë vjetësh, ka qënë aty që kur u krijua bota. Vexhi Buharaja nuk e zbuloi Tomorin. Por me syrin dhe mendjen e poetit, ai zbulon e nxjer në dritë e na bën të shohim- lexo: të ndjejmë- një Tomor jo prej shkëmbinjsh e pyjesh e rrëpirash e borërash e livadhesh, por që në fjalën e parë, vargun e parë, një “Bukuri” dhe jo bukuri dosido, por “Bukuri këputur qiejsh”…S’ka dyshim se Tomori ynë s’është veç një krijesë hyjnore që Perënditë e zgjodhën për të jetuar ato vetë! Vexhiu këtu është në një linjë me Naimin, Kristoforidhin, Çajupin… Duke operuar me burime drite: rreze dielli, yll i ndezur, flakë, dritë thëngjilli, shtizë hëne, fije ari, ca shkëndi…poeti krijon një pamje fantazmagorike, si ditën dhe natën, një pamje që kurdoherë ta shohësh, të mrekullon dhe të krijon në shpirt aty aty ndjenja lirike, aty aty një misticizëm drithërues… Dhe kjo dritë, dhe kjo flakë, që po ndez një qiell floriri… thotë poeti, e diku tjetër: është gaz i Afërditës… e diku tjetër: dëgjo… si buçet nga goj’ e Zotit Fjal’e urtë…Them se Kondo në vlerësimin e vet ku shprehet se Buharaja e përqëndron vëmendjen në natyrën madhështore të këtij mali legjendar, (shih: Ahmet Kondo, ” Njeriu, poeti, dijetari”, ShB “Uegen”, Berat 1995,) nuk është shumë i saktë. Ai ka të drejtë kur thotë se Buharaja është së pari poet, dhe ne do të thoshim se pikërisht si poet atij i intereson më së paku natyra sado madhështore e Malit. Ai priret që t’u thotë beratasve, gjithë lexuesve, që edhe zgjuar, edhe në gjumë, duke e pasur mbi krye, të çojnë e të presin nga Mali zogun e shpirtit. Për poetin Mali nuk shihet, ai ndihet. Madje ai i thotë ” pendëshkruarit ” pikërisht këtë: …fute kokën ndënë krahë dhe dëgjo… e me fjalë e varg mjeshtri Buharaja krijon një Tomor tjetër, që duke buçitur, na shpalos këngën e amshuar, bukuri, mënçuri, frymëzim, dashuri…ardhur nga valët e Osumit, nga Fjala e Zotit apo e Muzës, nga gjit’ e vashës…e që ngjitet lart, lart… Aty fjala, vargu, strofa, nuk janë aq në harmoni me mendimin poetik, sa me ndjenjën poetike. Ndryshe, ajo nuk do të kishte atë ndikim mbi lexuesin, i cili një ritëm të tillë e njeh nga Lasgushi kur i këndon një tjetër zogu dhe një tjetër mali, por një harmoni të asaj çka sheh syri dhe ndjen shpirti përballë një Tomori, e gjen te Buharaja. VEXHI BUHARAJA PËRPARA TOMORITBukuri këputur qiejsh mbi Tomorin sonte bie,Më pushton dhe prej së largu dhe një shpirt prej lashtërie, Si shkëndi, si rreze dielli, po afrohet valë- valë, Ndënëqesh me mall të nxehur, pastaj hapet me ngadalë. Edhe zbret si yll i ndezur ku shkon jeta në mjerime, Gjer në fund të natës sime.
Dhe kjo dritë, dhe kjo flakë që po ndez një qiell floriri, Që po qesh nga maj’ e malit si një diell ndaj të gdhiri, Gaz i lar’ me drit’ thëngjilli që pikoi vetvetiu Edhe gaz’ i Afërditës që së lartësh vetëtiu, Nga dy buz’ si trëndafili edhe ra në ëmbëlsime, Gjer në fund të natës sime.
Zoga i shpirtit tundi krahët, mbi Tomorin fluturo! Shpuz’ e mallit po valëvitet, trete helmin, ligjëro! Thuaja si ja thot’ bariu kur dëgjon zën’ e gugashit, Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit, Qesh si qesh një shtizë hëne përmbi faqjen e dëborës, Ndri si ndrin një fije ari mu në buzën e kurorës, Dhe këndo porsi bilbili me aq mall e drithërime, Gjer në fund të ditës sime.
Dhe pasi të kesh marë frym’ e shpirt nga bukuria, Dhe pasi të kesh parë ca shkëndi nga dashuria, Fute kokën ndënë krahë dhe dëgjo o pendëshkruar, Se si nga Osum’ i jetës, buçet këng’ e amëshuar, Si buçet nga goj’ e Zotit Fjalë’ e ëmbël mënçurie, Si buçet nga buzë e Muzës fjal’ e ëmbël bukurie, Si buçet nga gjit’ e vashës fjal’ e zjarrtë dashurie… Del nga fund’ i fshehtësisë sipër valëve të lumit, Dhe përhapet an’ e mbanë sa na zgjon nga nat’ e gjumi Pastaj ngjitet lartë- lartë ku ndez jeta në shkëlqime, Gjer në fron të ditës sime.
Berat 1999, New York 2022.

Filed Under: ESSE

EKSPOZITË  FOTOGRAFIKE NË KOPLIK: SANXHAKU, HISTORI E DHEMBJES KOMBËTARE 

March 26, 2022 by s p

Nga Ndue Bacaj/

Me daten 26 mars (2022), në qytetin e Koplikut, në ambjentet e bibliotekes të Bashkisë të Malësisë Madhe u ekspozuan 60 fotografi kulturore-historike nga treva e Sanxhakut, ndaj edhe ekspozita mbante titullin domethënës: Sanxhaku, Dhembje Kombëtare. Hapja e ekspozitës dhe promovimi i saj u bë i mundur  nga dy veprimtaret e njohur të çeshtjes kombëtare, zotrinjët Ismet Azizi dhe Ali Daçi , si dhe nën kujdesin e ZV/Kryetarit të Bashkisë M.Madhe z.Sytki Ndrecaj dhe pergjegjëses së bibliotekes znj.Nertila Qamil Bajramaj. Fjalen e hapjes së ekspozitës e mbajti i “zoti i shtëpisë” z.Sytki Ndrecaj, i cili  u uroj mirseardhjen promovuesve të ekspozitës z.Azizi dhe z.Daci  dhe vizitorëve të pranishëm , si dhe foli per disa nga vlerat kulturore e historike që mbartin fotografitë e ekspozuara , për treven etnike shqiptare të Sanxhakut, si dhe nuk harroi të falnderoi dy promovuesit që kishin zgjedhur bashkinë e Malësisë së Madhe per këtë ekspozitë. Mbas z.Ndrecaj për vlerat kulturore e historike të kësaj ekspozite fotografike foli publicisti e studiuesi malësor z.Ndue Bacaj, (fjalen e të cilit do ta publikojmë të plotë më poshtë). Pas z.Bacaj folen dy promovuesit dhe mbartësit e ekspozitës, z.Ismet Azizi dhe Ali Daci, të cilet së pari falnderuan bashkinë Malësi e Madhe, e veçanarisht Zv/Kryetarin z.Sytki  Ndrecaj  per gatishmerinë e treguar per sigurimin e kushteve të promovimit të ekspozitës me 60 fotografi, pastaj vijuan me spjegimin e vlerave kulturore, historike  e patriotike që mbartin  fotografitë e ekspozuara, të cilat tregojnë, ngjarje, trashigimi , njerëz, histori dhe autoktoni shqiptarie në treven e Sanxhakut e më gjërë, për të cilat kanë nevojë trojet shqiptare e veçanarisht ato që sot janë të okupuara nga fqinjë serbo-malazez dhe rrezikojnë tjetersimin. Pershendeten ekspoziten : Marash Gilaj-poet e publicist, Gjokë Noka-mesues e veprimtar i njohur si dhe redaktor librash, Fadl Hasmuja- kritik e redaktor letrar, Gjokë Luli- studiues, Marash  Çukaj- dramaturg , Dakë Keqaj-poet etjerë. Ekspoziten fotografike e “shoqeruan” disa media si Zëri i Amerikës” me gazetarin e palodhur z. Pëllumb Sule, TV-Kopliku me gazetarin e njohur Gëzim Vuçaj etj. 

FJALA  E  Z.NDUE  BACAJ  NË EKSPOZITËN  FOTOGRAFIKE ME “TITULL” SANXHAKU, HISTORI E DHEMBJES KOMBËTARE ! 

Pershendetje vizitorëve të ekspozitës e veçanarisht atyre që e promovojnë , veprimtarëve të njohur të çeshtjes kombetare shqiptare, z. Ismet Azizi e Ali Daci ! Këto 60 fotografi ,(me shpjegime…), që shohim të ekspozuara , janë një trashigimi e çmuar kulturore dhe artistike (se fotografitë e verteta janë edhe art), por mbi të gjitha këto fotografi janë dokumente autentike të historisë tragjike, të trojeve Iliro-shqiptare të Shqipërisë Etnike, të trevës së Sanxhakut e më gjërë. Sanxhaku sot mjerisht është i ndarë në mes Serbisë e Malit të Zi, por kjo ndonse është një ndarje e dhunshme tragjike e politike , ajo nuk do të jenë kurr një ndarje e historisë të Shqipërisë Etnike. Historia shkruhet, por ajo merr vlera më të mëdhaja e më realiste, kur ajo shoqerohet me artin vizual (fotografi), brenda të cilës janë fokusuar, ngjarje, kohë dhe protagonistë të trashigimisë së saj.  Fotografitë siç shihet janë realiste, të patrukuara dhe të realizuar mrekullisht edhe profesionalisht, janë fotografi autentike, ku fotografi ka fotografuar me aparatin e tij , por duke futur brenda këtij aparati edhe shpirtin e zemren e tij pa hile. Pikrisht për këtë publikimi i këtyre fotografive , ka pasur miratimin e përkujdesjen e Institutit Albanologjik, Prishtinë, gjë që ketyre fotografive u jep vlera të pa mohueshme dokumentare, shkencore e kombëtare, prandaj kjo ekspozitë fotografike hapet në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri dhe në Mal të Zi. Pra në trojet etnike shqiptare (edhe pse disa nga këto troje janë të grabitura ndër mote e shekuj nga fqinjët tanë) , ndaj siç shkruan edhe autori në “parathënien” e publikimit të katologut të fotografive z.Ismet Azizi: “hapja e ekspozitave do të jetë një kontribut që do të zgjojë interesin e madh të publikut dhe studentëve tonë në përgjithësi  nga trojet shqiptare edhe më gjërë. Mbasi ekspozita me fotografi “fletë” vet për vizitorët, unë mendova të cilësoj vetëm disa  nga këto fotografi si:  Fotografi të vullnetarëve shqiptar të legjonin  shqiptar të themeluar në janar 1916, fotografi të kaçakëve të Sanxhakut me në krye Jusuf Mehanjën, (kaçakë quheshin ata që nuk i bindeshin qeverisë e pushtetit, konkretisht atij pushtues serbo-malazez, por delnin në mal e luftonin kundër ketij pusheti), fotografi gjatë regjistrimit të vullnetarëve të Peshterit me 1916, dhe të Plavës e Gucisë të vitit 1912 etj. Fotografi të Hanit të Amir Agës të ndërtuar nga fundi i shek.XVII, fillimi i shek.XVIII.  Fotografia e Dervish Mitrovicës (me djemët e tij) , delegat në kuvendin e Vlorës 1912, Fotografi burrash të njohur e atdhetarë besnik të patriotit të shquar të Aqif Blytës. Në fotografi shohim edhe dy patriot shqiptar  si Jusuf Mehanja dhe Feriz  Sallku të cilët për veprimtarinë e tyre atdhetare shqiptare i vrau serbi në Shqipërinë “Londineze”, të parin në vitin 1926 në Shijak e të dytin në Fier me 1943. Një fotografi tjetër është ajo e një qeleshepunuesi në Pazar të Ri… Ndersa kemi fotografi që na tregojnë lahutarët e njohur nga Sanxhaku: Salih Ugllen, nga i cili u mblodhë një cikël kreshnikesh nga dy hulumtues amerikan, si dhe këngëtarin-lahutar e poet epik Avdullah Ferizi,  Lahutarët Bahtjar Gega, Tahir Daci , Sulejman Makaj etj. Me shumë vlera historike janë fotografitë e Bezistanit në Pazarin e Ri , që besohet se është ndërtuar në vitin 1692, si dhe e bujtinës në Pazar të Ri dhe e tregut në Senicë me 1938, në Akovë (Bjelo Polje) me 1935.. Në ekspozitën fotografike një vend të veçant zënë edhe  fotografitë që tregojnë për arsimimin shqip në Pazar të Ri, fotoja e mësuesit Nazmi Dedolli e mësuesve të tjerë, si dhe foto të nxënësve të shkolles fillore “Naim Frashëri”, “Skenderbeg” etjerë, gjatë periullës 1941-1944. Në fotografi fiksohen edhe burra të armatosur antikomunist të Sanxhakut me veshje kombëtare shqiptare 1942… Si dhe fotografi të udhëheqësve e luftëtarëve nacionalist në mbrojtje të trojeve shqiptare nga çetnikët e komunistët serbo-jugosllav , që për nga antishqiptarizmi nuk kishin dallim. Nga udhëheqësit e luftëtarët e mbrijtjes të trove etnike shqiptare  janë fiksuar edhe nacionlistet e njohur Sulejman Daci, Aqif Blyta, Azem Axhoviq, si dhe vullnetarë nga Kosova në mbrojtje të Pazarit të Ri si Shaban Polluzha e deri komandanti i milicisë popullore antikomuniste Xhemajl Konica, me veshje të ushtrisë shqiptare . Në ekspozitë shohim edhe fotografi objektesh, sheshesh, si dhe fotografi të familjeve me emër, gra fisnike , pamje nga qyteti i Pazarit të Ri, objekte kulti, artizane e artizanate, lojra popullore etj. Të gjitha keto fotografi që cilësova e të tjerat që permban ekspozita tregojnë e flasin vetëm shqip edhe pse trualli i tyre Sanxhaku e troje të tjera etnike shqiptare nën presionin , dhunën dhe genocidin serbo-sllav ose janë shpopullua ose janë tjetersua “etnikisht”, por kurr historikisht, pasi historia nuk mund të shpopullohet, as tjetersohet. Një kontribut i  rendësishëm për ruajtjen e historisë së autoktonisë shqiptare të trevës së Sanxhakut e më gjërë, është memorizua në fotografitë  e ekspozuar, fotografi duke i vrejtur me vëmendje na zgjojnë jo pak memorien tonë të historisë sa krenare aq tragjike. Në fund dua të them se ne malësorët kemi pasur një shprehje se rrena prej të vertetës është larg një shplakë , ku thuhej se çfar dëgjon me veshë mundet të jenë rrenë, por çfar shikon me sy është janë të verteta. E verteta e historisë së autoktonisë shqiptare të Sanxhakut duket qartë edhe në keto fotografi… Ndersa rrena e shovenëve serbo-sllav vetëm dëgjohet… 

Në fund të kësaj fjale të vogël para mesazhit të madh që percjellin fotografitë e ekspozitës me “titull”: Sanxhku, Histori e Dhembjes Kombëtare, dua të falnderoj  veprimtarët e njohur të çeshtjes kombëtare shqiptare, zotrinjët  Ismet Azizi dhe Ali Daci, të cilët na sollen këtë ekspozitë fotografike në qytetin e Koplikut, në qëndrën administrative të Bashkisë Malësi e Madhe.  

Filed Under: ESSE

Kristo Floqi, letrari që la trashëgimi të madhe në letërsinë shqipe

March 26, 2022 by s p

Dr. Paulin Marku/

Kristo Floqi, lindi më 24 Maj 1876 në Korçë. Ai ishte një personalitet i shquar që spikati në fusha të ndryshme gjatë gjysmës së parë të shek. XX. Për të përshkruar figurën dhe veprimtarinë e Kristo Floqit duhet të analizojmë botimet e tij dhe të bashkëkohësve të Floqit. Ai spikati në disa fusha të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kristo Floqi dëshmoi se ishte një atdhetar, politikan, jurist, editor, letrar e dramaturg i spikatur që dha një kontribut të çmuar edhe për letërsinë e kulturën shqiptare në përgjithësi. Kristo Floqi ishte i diplomuar në fakultetin e  drejtësisë me rezultatë të larta por arritjet e tij janë në fusha të ndryshme, si: politike, juridike, gazetarisë, letërsisë e dramaturgjisë. Kristo Floqi njihte disa gjuhë të huaja. Ai lexonte vepra të ndryshme botërore për të pasur formim sa me të plotë, jo vetëm në fushën juridike por dhe politike, letrare e dramaturge. Trashëgimia e tij në fushën e letërsisë e dramaturgjisë, botuar brenda dhe jashtë Shqipërie është e madhe. Mund të përmendim disa prej tyre, si: Për bashkimin e shoqërive “Dielli” Boston 1912; Federata Pan shqiptare Vatra “Dielli”, Boston 1912; Bashkimi i shoqërive mori fund “Zëri i Popullit”, Nëw York 1913;  Fe e Kombësi, Sofje 1914; Liria Kombëtare, Gjenëve 1929; Dëshmorët e Rilindjes, Tiranë 1935; etj, etj … 

Në Historinë e Popullit Shqiptar, Vëllimi III, botime Toena 2007 e cilësojnë Floqin si një prej dramaturgëve më me zë. Kristo Floqi botoi, me 1938 në Korçe dramën me katër aktë “Triumfi i Lirisë”. Dramaturg i talentuar, ku njeri prej tyre ishte dhe Kristo Floqi, se bashku me Et’hem Haxhiademi, Ndre Zadeja, Vicens Prendushi, etj., patën kulturën historike që t’i referohen lashtësisë, që për nga tëmatika dhe filozofia e përdorur mund të përkonte me mendësitë e kohërave modern të botës shqiptare, e cila kërkonte rilindje dhe përtëritje në mënyrë që vepra të jetë sa më e plotë në të mire të zhvillimit të letërsisë. 

Kristo Floqi është autor i shumë veprave dhe artikujve të ndryshme, si: letrare, dramaturgjike e komike, të karaktërit politik e juridik me kontribut të çmuar në fushën e drejtësisë për të drejtën konstitucionale.

Aktiviteti i tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një tjetër moment i rëndësishëm për të lenë gjurmë në fushën e gazetarisë. Ai pati takime me shqiptarët e diasporës dhe arriti të krijoje lidhje dhe të organizojë takime të ndryshme me shoqatat shqiptare në ShBA. Ftesa që i erdhi për të drejtuar gazetën “Dielli” ishtë një vlerësim që i bëhej atij, si dhe një mundësi e mirë për të njohur nga afër shoqata të ndryshme shqiptare dhe komunitetin shqiptar. Pasi mori ftësën më 20 shtator 1911, nga Shoqëria Besa-Besën për të marre gazetën “Dielli” ai pati mundësi të shpalostë idenë me synimin që shqiptaret të evitonin ndasitë dhe përçarjet krahinore. Floqi i mëshontë faktit se vetëm në qoftë se shqiptaret janë të bashkuar, siç ndodhi pak me vonë me bashkimin e shoqërive të ndryshme shqiptare në “Federatën Pan-shqiptare Vatra” dhe forcim e gazetës “Dielli” dhe të “Vatrës”, komuniteti shqiptar do të shfaqej më i bashkuar për të shpërndarë frymën kombëtare në ShBA. Zoti Floqi e mori Diellin më 21 shtator 1911 deri me 18 korrik 1912. Paraardhësi i tij, Efthim Natsi kishtë drejtuar Diellin deri 14 shtator 1911. Ndërsa pas Floqit, gazetën e drejtoi Faik Konica për periudhën 1 gushti 1912 deri me 8 korrik 1913. Ajo që evidentohet gjatë kësaj periudhe, kur ishte editor edhe Floqi është fakti se ditoret e Diellit ndryshonin shpesh.

Në vitet 1920-1925 një ndër komponentët kryesor për zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar ishte edhe zhvillimi i arsimit në rang kombëtar. Gjatë kësaj periudhe u zhvilluan tri kongrese arsimore për të diskutuar idetë e ndryshme për zhvillimin e sistemit arsimor në Shqipëri. Në këtë periudhë shërbyen personalitete të shquara në fushën arsimore, si: Sotir Peci, Kristo Floqi, Aleksander Xhuvani, Rexhep Mitrovica, etj… .

Floqi ishte ministër Arsimi në kabinetin e formuar dhe drejtuar nga Iliaz Vrioni. Një ndër përparësitë që pati kjo qeveri, edhe pse për një periudhe relativisht të shkurtër, 15 nëntor 1920 – 1 korrik 1921, ishte zhvillimi i Arsimit që iu besua Kristo Floqit. 

Kristo Floqi ishte dy herë deputet, një herë në qarkun e Dibrës dhe herën tjetër në Korçë. Më 5 prill 1921 përfunduan zgjedhjet e parakohshme në Shqipëri. Kristo Floqi fitoi mandatin e deputetit në qarkun e Dibrës. Gjatë periudhës ndërmjet vitëve 1921 deri në vitin 1925 në Shqipëri kemi ndryshime të shpeshta të qeverive, të cilat nuk arrinin të përmbushnin një mandat të plotë në legjislaturën parlamentare. Për periudhën që flasim, kemi ndryshime të shpeshta në kabinet dhe në qeveri, të cilat qëndruan në pushtet me periudha kohore të shkurta, si ato disa ditore, javore apo disa mujore. 

Kristo Floqi merr mandatin e dytë të deputetit në Korçë, në zgjedhjet politike që përfunduan, më 17 maj 1925. Ai ishtë deputet në Parlamentit e Shqipërisë për periudhën 1925-1928.

Kristo Floqi ishtë diplomuar në fakultetin e drejtësisë në Athinë, Greqi. Aktiviteti i tij shtrihej dhe në fushën e drejtësisë, duke mbuluar funksione të ndryshme, përfshirë dhe si avokat në qytete të ndryshme. Ai u kthye në vendin e origjinës për të punuar si avokat. Pas disa konsultimesh me të afërm dhe miq, vendosi të haptë një studio avokatie në Korçë. Në një hark kohor relativisht të shkurtër emri tij po konsolidohej gjithnjë e më shumë. Falë zotësisë, ai arriti të fitonte disa gjyqe dhe emri i tij filloi të përhapej me shpejtësi dhe konsiderohej si një prej avokatëve më të zotët në Korçë. Po ashtu ai ushtroi profesionin e avokaturës dhe në qytete të tjera si Vlora, Shkodra, etj… .

 Regjimi komunist ishte i ashpër edhe për Kristo Floqin ashtu si ndodhi me shumë intelektualë të tjerë, me persekutime, burgosje e internime. Ai ndërroi jetë në vitin 1951. Përgjatë periudhës komunistë vepra dhe aktiviteti i Kristo Floqit u la në pluhurin e harresës. Duhet thënë, edhe sot që ne flasim studimet rreth figurës së Kristo Floqit janë të pakta. Botimi i librit të profesoreshë, Jonela Spaho, “Kristo Floqi, Koha dhe vepra e tij letrare”i botuarnë vitin 2020 është një kontribut i çmuar për lexuesit dhe plotëson një boshllëk të madh rreth figurës dhe krijimtarisë së Floqit. 

Në përfundim mund të thuhet se, veprimtaria e Kristo Floqit është e gjërë dhe ekzistojnë shumëllojshmëri temash dhe argumentësh ku mund të lëvrohet jeta, figura dhe karriera e shumanshme në shërbim të çështjes kombëtare, letrar-dramaturge si dhe profili i tij politik e juridik. Kristo Floqi informonte shqiptarët e diasporës në SHBA nëpërmjet shkrimeve të botuara në gazetën Dielli ku ishte edhe editor i saj. Ai trajtonte tema të ndryshme si ato historike, letrare e kulturore që lartësonin vlerat kombëtare. Veprimtaria e gjërë dhe e larmishme e Kristo Floqit në politikë, gazetari, në fushën e drejtësisë, letërsisë e dramaturgjisë janë një kontribut i çmuar dhe me rëndësi të madhe për shqiptarët dhe për brezat e ardhshëm. 

Filed Under: Politike

NJË REFLEKTIM I SHKURTËR NË ÇESHTJET E SIGURISË

March 25, 2022 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Paqja, siguria dhe zhvillimi, sot janë më të ndërlidhura se kurrë. Askund tjetër, sfidat e sotme nuk janë më të dukshme se në sferën e sigurisë. Megjithëse rreziku i luftës globale në gjykimin tim duket i largët, pamvarësisht luftës në Ukrainë, shumë rreziqe vazhdojnë të jenë prezentë dhe po lindin me shpejtësi sfida të reja. Kërcënimet e konflikteve rajonale, problemet e dështimit të shteteve, pandemitë globale, rreziqet e terrorizmit trans-nacional dhe të krimit të organizuar, rreziku nga armët e shkatërrimit në masë, mundësitë e zhvillimit të sulmeve elektronike dhe informative, katastrofat natyrore dhe ndikimi i ndryshimit të klimës po karakterizojnë gjithnjë e më tepër globin.

Sot, është e pamundur të parashikohet e ardhmja, por nga ana tjetër do të ishte mungesë përgjegjësie të mos bëhen përpjekje të gjithanshme për identifikimin dhe analizën e tendencave të zhvillimit të sotëm dhe shkaqeve të tyre, si dhe të përcaktohen rrugët përkatëse për të shfrytëzuar efektet pozitive dhe për të evituar ato negative të këtyre tendencave.

Klauzeviçi, për herë të parë, tregoi  rëndësinë e lidhjes midis drejtimit politik dhe ushtarak, tregoi se lufta është një zhvillim social dhe akt politik njëkohësisht, duke theksuar se “lufta nuk është thjesht një akt ushtarak, por edhe një instrument real politik, një vazhdim i politikës me mjete të tjera”. Ai, vazhdimisht theksonte se strategjia ushtarake dhe politika duhet të ecin krahas njëra-tjetrës. “Lufta”, deklaronte ai “ka gramatikën e saj, por jo logjikën e saj”.Tipike sot ajo që po ndodhë në Ukrainë, ka tejkaluar çdo logjikë.

Me të drejtë lindë pyetja; Cilat mund të jenë prirjet që do të përcaktojnë mjedisin e sigurisë globale në dekadave  e ardhshme?

Globalizimi është tendenca kryesore që ndryshon tablonë botërore ekonomike, kulturore dhe të sigurisë. Kjo dukuri po shfaqet më se qartësisht tani me luftën në Ukrainë, ku çmimet kanë kapur majat dhe nuk dihet ku do ndalojnë. Ky proces dinamik i rritjes së shpejtë të qarkullimit ndërkufitar të mallrave, shërbimeve, parave, njerëzve, teknologjisë, ideve, kulturave, vlerave, krimit dhe armëve në të gjithë botën, do të vazhdojë të ketë një ndikim dominues në rendin e sigurisë, duke thelluar ndërvarësinë, duke forcuar pozitat e disa aktorëve dhe dobësuar ato të disa të tjerëve.Një gjë duket qartë, besueshmëria e Rusisë si furnizues energjie dhe tendenca e saj për ta përdorur atë si instrument për presion politik do të vazhdojë të rritet.

Rënia e regjimit të vjetër krijoi mundësi të papara për rritjen e ndikimit dhe fitimit të grupeve të ndryshme politike dhe ekonomike dhe shpesh këto grupe dominojnë drejtimin politik, shpërndarjen e të ardhurave dhe privatizimin. Shtetet më të suksesshme kanë arritur t’i rregullojnë këto procese dhe të kontrollojnë grupet konkurruese, ndërsa shtetet e dobëta jo vetëm nuk kanë mundur ta bëjnë këtë, por shpesh politika e tyre është një zgjatim i luftës së konkurrencës së këtyre grupeve, ku fitimtari kontrollon fitimet.

Ndërsa vendet demokratike synojnë të çojnë përpara ekonominë, demokracinë, shoqërinë civile e shtetin ligjor, ato po ballafaqohen me paqëndrueshmërinë që rrjedh nga problemet e qeverisjes, atyre ekonomike dhe politike. Ato po sfidohen edhe nga ideologjitë radikale, regjimet e korruptuara, pikëpamjet e kundërta për rendin botëror, si nocioni i “demokracisë sovrane” i mbështetur kryesisht nga Rusia dhe Kina që e shikojnë mbështetjen amerikane për demokracinë e të drejtat e njeriut si një ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve sovrane. Në këto kushte, paqëndrueshmëria ka mundësi të përbëjë tiparin dominues për një të ardhme të parashikueshme, pasi edhe Evropa duket e prirur të merret më shumë me problemet dhe politikat e saj.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian, duket sikur ka stopuar. Të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së ballafaqohen me rreziqet në shkallë të ndryshme dhe rrjedhimisht po reagojnë në mënyra të ndryshme, çfarë përbën një kontrast në krahasim me periudhën e Luftës së Ftohtë, kur kërcënimi dhe reagimi ishin pak a shumë të njëjta për të gjithë. Kjo do të thotë që një aleancë e sotme duhet të plotësojë nevojat e ndryshme të sigurisë për secilin anëtar dhe jo thjesht nevojën e zakonshme të Luftës së Ftohtë.

Ndarjet etnike, megjithëse në kuadrin e sistemeve politike të hapura nuk janë në gjendje të zhvillohen, ato me veprimet e tyre ndikojnë në dobësimin e legjitimitetit dhe të forcës së shtetit dhe shtetet e dobëta kanë vështirësi në ndërmjetësimin për zgjidhjen dhe frenimin e tyre.Predominimi i nacionalizmit etnik në shumë vende është nga çështjet më të dukshme sot. Lidhur me këtë është edhe çështja e kufijve, siç mund të shihet në; Ukrainë dhe vende të tjera të ish BS, problemet e Kosovës dhe Bosnjes me Serbisë, por edhe më gjerë. Historia botërore tregon se vetëm në rajonet ku nuk ka mosmarrëveshje dhe diskutim për kufijtë mund të ketë paqe të qëndrueshme.

Megjithëse mjedisi i sigurisë në rajonin e Ballkanit është shumë më i ndryshëm nga më parë, ai akoma nuk e ka arritur nivelin e një paqeje të qëndrueshme dhe pozitive. Duke mbajtur parasysh se koncepti i sigurisë ka marrë një sërë kuptimesh dhe nuk mund të kufizohet vetëm me sigurinë ushtarake, rajoni akoma ka një sërë çështjesh sigurie. Si rrjedhojë, situata aktuale në Ballkanin Perëndimor mund të karakterizohen si “siguri virtuale” me “kërcënime artificiale”.

Sipas përcaktimit të Strategjisë së Sigurisë Evropiane, siguria është parakusht i zhvillimit. Në qoftë se i masim perspektivat dhe reformat e suksesshme sipas nivelit të sigurisë që është arritur dhe shkallës së perceptimit të qytetarëve në lidhje me kërcënimet ndaj sigurisë së tyre, Ballkani Perëndimor vazhdon të karakterizohet nga një tablo jo shumë e qartë, pavarësisht nga përfundimi i konflikteve  dhe rritjes së stabilizimit të rajonit.

Po kështu vendet e Ballkanit vazhdojnë të ballafaqohen me një sërë sfidash sigurie në sferën e mbrojtjes dhe të sektorit të sigurisë, drejtësisë dhe të punëve të brendshme, në luftën kundër përhapjes së armëve të vogla dhe të menaxhimit efektiv të kufijve, pa përmendur parandalimin e kërcënimeve potenciale të terrorizmit.

Koncepti i sigurisë interpretuar ngushtësisht si: siguria e territorit nga agresionet e jashtme ose si mbrojtje e interesave kombëtare në politikat e jashtme, është i cunguar. Për shumicën e njerëzve një ndjenjë pasigurie më së shumti zhvillohet nga shqetësimet e jetës së përditshme, sesa nga frika e ngjarjeve tragjike nëpër botë. Sot është e natyrshme që të gjithë janë të shqetësuar për atë që po ndodhë në Ukrainë, por shqetësimi më i madh është jetesa e përditshme. Për sa i përket diferencave mes perceptimeve të publikut dhe kërcënimeve të sigurisë të njohura dhe pretenduara nga institucionet shtetërore ka një kontrast që mund të na drejtojë në disa argumente mbi kërcënimet reale dhe artificiale në fushën e sigurisë, duke iu referuar perceptimit të publikut. Teksa analizojmë strategjitë kombëtare dhe dokumentet e tjera në fushën e sigurisë, kuptojmë se siguria njerëzore është shumë pak e përfshirë dhe aspak e prioritizuar, krahasuar me kërcënimet e jashtme, rajonale dhe globale. Kjo krijon një hendek mes njerëzve dhe institucioneve shtetërore, duke pasur parasysh se kryesisht, perceptimi i kërcënimeve të sigurisë në publikun e gjerë është e lidhur ngushtë me “sigurinë njerëzore” që ka ndikim të drejtpërdrejtë tek ata, ndërkohë që institucionet i japin më shumë rëndësi kërcënimeve të sigurisë shtetërore e territoriale, ku interesat kombëtare mund të preken. Pasiguria që rrjedh nga rritja e korrupsionit dhe klima politike e tensionuar dhe konfliktuale, e cila ka një ndikim negativ në ekonomi dhe që reflektohet në standardin e jetës së qytetarëve, e cila më së shumti po vërehet tani.

Pavarësisht se koncepti i sigurisë është zgjeruar, ai përsëri përmban elemente shumë të rëndësishëm ushtarak. Por edhe në këtë rast, kërcënimet ndaj sigurisë do të kërkonin një reagim ushtarak shumë më të ndryshëm nga ai i kohës së mëparshme, por lufta në Ukrainë po tregon se nuk kemi hequr dora nga lufta tradicionale, kur shikon se po vriten civilë të pafajshëm deri edhe fëmijë. Për pos objekteve ushtarake po goditen edhe objekte social- kulturore. Kjo luftë mund të zgjojë tensionet e pazgjidhura në lidhje me Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, dhe në  zona të tjera ish-sovjetike.

Pas kësaj lufte, e cila në gjykimin tim nuk do të jetë e gjatë, do të kemi një rend të ri botëror.

New York Mars 2022

Filed Under: Emigracion

NDËRROI JETË MADELEINE ALBRIGHT – GRUAJA QË U SHPËTOI TIRANIVE FASHISTO-KOMUNISTE       

March 25, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with medium confidence

Madeleine Albright, e para femër Sekretare e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), dhe ish-refugjate e tiranive fashisto-komuniste në fund të Luftës së Dytë Botërore –ndërroi jetë të mërkurën nga kanceri në moshën 84-vjeçare. Zonja Albright kishte lindur në ish-Çekosllovaki.

Në njoftimin e familjes, për kalimin në amshim të Zonjës Albright, ajo u cilësua, ndër të tjera, edhe si “kampione e palodhur e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.”  Pas njoftimit se Zonja Albright kishte ndërruar jetë, përfaqësues të politikës amerikane dhe botërore reaguan shpejt për vdekjen e gruas së parë në histori në krye të diplomacisë amerikane, e emëruar në atë post nga Presidenti Bill Clinton, në vitin 1996.

Në një deklaratë të përbashkët, çifti Bill dhe Hillary Clinton e cilësuan vdekjen e Zonjës Albright si një humbje të madhe për botën.  Ish Presidenti Clinton dhe Hillary Clinton thanë se ishin, “thellësisht të hidhëruar”, me kalimin në amshim të Zonjës Albright, me të cilën ata kishin një miqësi prej disa dekadash. “Vdekja e Zonjës Madeleine është një humbje e madhe për botën, në një kohë kur kemi më shumë nevojë për mësimet nga jeta e saj, por jemi të vetdijshëm se trashëgimia e saj do të vazhdojë të lulëzojë nepërmjet studentëve të shumtë, të cilëve ajo u ka dhënë mësim në Universitetin Xhorxhtoun. “Me marrjen fund të Luftës së Ftoftë, ndërsa filloi një periudhë e re ndërvartësie globale, Albright qe bërë zëri i Amerikës pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe më vonë ajo u emërua në postin e Sekretarit Amerikan të Shtetit (në administratën e Presidentit Bill Clinton), ku ajo shërbeu me një fuqi e bindje pasionante në mbështetje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, u shprehën Bill dhe Hillary Clinton në deklaratën e tyre me rastin e vdekjes së bashkpuntores dhe mikes së tyre të ngusht, prej shumë vitesh.

Ndërkaq, Presidenti aktual Joe Biden iu referua origjinës së Zonjës Albright, e cila është lindur në Pragë dhe ka ardhur në Shtetet e Bashkuara si refugjate në vitin 1948 pasi komunistët morën fuqinë në atë vend dhe anë e mbanaë Evropës Qëndrore dhe Lindore. “Ajo ishte një emigrante që u arratis nga persekutimet (nazi-komuniste). Ishte një refugjate që kishte nevojë për strehim të sigurt nga kërcënimet dhe frikësimet. Dhe si shumë të tjerë, para dhe pas saj – ajo ishte krenare se ishte Amerikane”, është shprehur Presidenti Joe Biden. Presidenti Biden shtoi se, “bashkpunimi im me Sekretaren Albright gjatë 1990-ave ishte kulmi i karierës time në Senatin e Shteteve të Bashkuara gjatë mandatit tim në Komisionin e Senatit për Punët e Jashtme…ne ishim bashkpuntorë dhe miqë në punën tonë për të mirëpritur demokracitë e reja të posa çliruara nga komunizmi si anëtare të NATO-s – ashtu edhe në punën tonë për tu ballafaquar me barbarizmat gjenocidale serbe në Ballkan.”

Ndërsa Senatori i Nju Jorkut, Shumer, duke iu referuar jetës së Zonjës Albright si refugjate në Evropën e pas Luftës së dytë Botërore, tha se ajo u arratis, fillimisht, nga “nazizmi dhe (pastaj edhe nga) komunizmi sovjetik”, nënvijoi kryetari i shumicës në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Çarles Shumer.  Duke shtuar se, “ajo mishëronte ëndërren amerikane” dhe e cilësoi atë një “vigane e historisë Amerikane”, që ka frymëzuar gratë dhe vajzat, anë e mbanë botës”, ka thenë me këtë rast Senatori i Nju Jorkut, Z.  Chuck Shumer. 

Nga refugjate e arratisur nga nazizëm-komunizmit arrijti në maje të diplomacisë botërore. Kreu i pakicës në Senatin amerikan, Senatori republikan, Mitch McConnell, gjithashtu iu referua fëmijërisë së Zonjës Albright si refugjate që u arratis nga tiranitë shtypëse të shekullit të kaluar në Evropë, pasi për fat, ajo “shpëtoi me familjen e saj nga komunizmi sovjetik si vajzë e re, duke arritur nivelet më të larta të shërbimit publik amerikan, “për të drejtuar — një gjysëm shekulli më vonë – politikën udhëheqëse globale të Amerikës”, është shprehur Kryerepublikani i Senatit amerikan. “Nuk ishte e nevojshme që të ndaje me ‘të, të gjitha pikëpamjet politike për të vlerësuar lidershipin e saj të dedikuar ndaj kombit tonë”, ka shkruar, Senatori McConnell. Sekretarja Albright, sipas Senatorit McConnell, e kuptonte mirë faktin se Shtetet e Bashkuara janë një fuqi botërore me interesa por edhe me përgjegjësi globale”, tha ai. Aspektin e saj të jetës si refugjate e arratisur nga tiranitë nazi-komuniste të shekullit të kaluar në Evropë – dhe arritjet saja në krye të diplomacisë amerikane në fund të shekullit të kaluar, e kanë përmendur shumë personalitete amerikane dhe botërore, me rastin e kalimit të saj në amshim, si një aspekt pozitiv që ka ndihmuar atë punën e saj në mbështetjte të lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës.

Historia e saj familjare si refugjate nga tiranitë nazi-komuniste të shekullit të kaluar në Evropë, është shumë e ngjashme me shumë prej nesh që kemi ardhur  në këtë vend të bekuar për strehim të sigurt nga persekutimet, në kërkim të lirisë dhe demokracisë për veten dhe familjet tona. Ashtu ka ndodhur edhe me familjen e Zonjës Albright.  Babai i saj, një anti-komunist i bindur që nuk mund të pajtohej me komunizmin, kishte vendosur të largohej, në 1948, nga Çekosllovakia për në Shtetet e Bashkuara, ku ai dhe familja e tij, përfshi vajza e vogël Madeleine, kërkuan dhe siguruan strehim politik nga frika se në vendin e tij, babai i saj do të persekutohej nga regjimi komunist për “bindjet e tija të thella në idealet e demokracisë.”

Vet Zonja Albright ka shkruar disa  vite më parë (2016) se, “Shtetësia amerikane ka qenë gjëja më e rëndësishme në jetën time”, duke shtuar se, ashtu si të “gjithë refugjatët e tjerë në këtë vend, edhe unë shpresoja për një jetë në siguri, me dinjitet, e që të kisha mundësi të kontriboja diçka për atdheun tim të ri.” 

Fatkeqsisht, Evropa po përballet përsëri me forca gjenocidale, si ato kohës rinore të Madelein Albright në Çeki, të kryesuara nga Rusia putiniste, që duan, pikërisht, të çbejnë arritjet politike dhe diplomatike të ndryshimeve të mëdha post-komuniste në Evropë, lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e vendeve. Evropa, përsëri sot po përballet me miliona refugjatë ukrainas, refugjatë siç ishte edhe vet Madeleine Albright para 8 dekadash e sa. Është vështirë të parashikohet se si do përfundojë agresioni barbar i Rusisë kundër Ukrainës dhe sa krime kundër njerëzimit, dhimbje, vrasje e sa miliona refugjatë – siç Madeleine Albright më 1948 — do të shkaktojë më në fund ky agresion i paprovokuar kundër një shteti të lirë e demokratik. 

Por ajo që mund të bejmë ne sot në këtë ditë të kalimit në amshim të ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright – sidomos shqiptarët, qofshim ata ish-refugjatë të vendosur në Amerikë e gjetkë për arsye të persekutimeve nazi-komuniste të shekullit të kaluar, qofshin sidomos shqiptarë refugjatë të luftës së fundit gjenocidale kundër shqiptarëve të Kosovës. Të gjithë ne – mund dhe duhet të falënderojmë Zotin që një ish-refugjate nga komunizmi, me origjinë çeke, gjëndej në krye të diplomacisë amerikane në njërën prej periudhave më të vështira të historisë së shqiptarëve: lufta në Kosovë.  Nuk ka asnjë dyshim në mendimin tim se përvoja personale dhe familjare e Zonjës Madeleine Albright, si refugjate e arratisur nga komunizmi sovjetik çek në vitin 1948, të ketë luajtur një rol të jetik në politikën amerikane të 23-viteve më parë, në përpjekjet politike, ekonomike dhe ushtarake për të ndaluar krimet kundër njerzimit në Kosovë nga forcat terroriste të Millosheviqit.  Në një intervistë të ënjtën me CNN, Hillary Clinton vuri në dukje lidershipin e Zonjës Albright, veçanërisht gjatë konfliktit në Kosovë.  Ajo tha se, “Ç’prej fillimit, besoj se Madeleine, më shumë se kushdo tjetër, ishte e bindur se gjëndja e krijuar në Kosovë nga Millosheviqi, përbënte kërcënim ndaj stabilitetit dhe unitetit evropian, si dhe një kërcënim ndaj aleancës transatlantike…por edhe ndaj interesave amerikane”, ka thenë Hillary Clinton për gazetaren Christiana Amanpour në CNN.   

Ky fakt është pasqyruar në shumë reagime të ditëve të fundit dhe nga shumë personalitete amerikane dhe botërore– me rastin e kalimit në amshim të Madeleine Albright.  Një ndër udhëheqsit botëror ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa osmani e cila u shpreh me këtë rast se “Madeleine Albright na dha shpesë kur shpresë nuk kishim. Ajo u bë zëri dhe arma jonë kur ne nuk kishim as zë, as armë.  Ajo përjetoi dhimbjen e popullit tonë sepse ajo vetë ishte e persekutuar në fëmijëri. Kjo është arsyeja që ajo ishte aq e vendosur që të ndalonte gjenocidin serb të Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës.  Albright mbështeti Kosovën deri në fund dhe kjo është arsyeja që populli i Kosovës do ta kujtojë atë për sa të jetë jeta”, ka thënë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj me rastin e kalimit në amshim të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeliane Albright.   

Fati i shqiptarëve!  “Vështirë të ndodhë që një lider ose lidere të jenë aq të përshtatëshëm dhe të përsosur për periudhën që kanë shëbyer”, siç ishte Madeleine Albright për periudhën që ajo ka shërbyer në krye të diplomacisë amerikane, përfshirë kohën e luftës në Kosovë.  Kështu janë shprehur Bill Clinton dhe Hillary Clinton me rastin e kalimit në amshim të ish-refugjatës nga komunizmi sovjetik-çekosllovak dhe nazizmi, e cila pas strehimit të saj prej refugjati politik në Shtetet e Bashkuara, arrijti kulmin e diplomacisë amerikane. 

Mirënjohje të përjetëshme Madeleine Albright nga ky ish-refugjat politik shqiptaro-amerikan dhe shumë e shumë të tjerë, si unë në këtë vend të lirë e demokratik – në Amerikën tonë të dashur — që ashtu siç ishte për ju i “pazëvendësueshëm” për lirinë dhe demokracinë në botë, ashtu vazhdon të jetë edhe për miliona njerëz anë e mbanë botës. 

Frank Shkreli

A picture containing person, person, indoor, people

Description automatically generated

CBSNews

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2339
  • 2340
  • 2341
  • 2342
  • 2343
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT