
(Nga Vexhi Buharaja)
VERI TALUSHLLARI/
Sa herë lexon poezinë ” PËRPARA TOMORIT”, lexuesit i zgjohen ndjesi nga më të ndryshmet. Dhe së pari ndjen se ke lexuar një poezi në kuptimin e mirëfilltë dhe të plotë të fjalës. Është një poezi që i flet zemrës, jo trurit. Tomori aty ka qënë edhe para mëse 2400 vjetësh, kur Berati u bë Berat, edhe para 24 mijë apo 240 mijë vjetësh, ka qënë aty që kur u krijua bota. Vexhi Buharaja nuk e zbuloi Tomorin. Por me syrin dhe mendjen e poetit, ai zbulon e nxjer në dritë e na bën të shohim- lexo: të ndjejmë- një Tomor jo prej shkëmbinjsh e pyjesh e rrëpirash e borërash e livadhesh, por që në fjalën e parë, vargun e parë, një “Bukuri” dhe jo bukuri dosido, por “Bukuri këputur qiejsh”…S’ka dyshim se Tomori ynë s’është veç një krijesë hyjnore që Perënditë e zgjodhën për të jetuar ato vetë! Vexhiu këtu është në një linjë me Naimin, Kristoforidhin, Çajupin… Duke operuar me burime drite: rreze dielli, yll i ndezur, flakë, dritë thëngjilli, shtizë hëne, fije ari, ca shkëndi…poeti krijon një pamje fantazmagorike, si ditën dhe natën, një pamje që kurdoherë ta shohësh, të mrekullon dhe të krijon në shpirt aty aty ndjenja lirike, aty aty një misticizëm drithërues… Dhe kjo dritë, dhe kjo flakë, që po ndez një qiell floriri… thotë poeti, e diku tjetër: është gaz i Afërditës… e diku tjetër: dëgjo… si buçet nga goj’ e Zotit Fjal’e urtë…Them se Kondo në vlerësimin e vet ku shprehet se Buharaja e përqëndron vëmendjen në natyrën madhështore të këtij mali legjendar, (shih: Ahmet Kondo, ” Njeriu, poeti, dijetari”, ShB “Uegen”, Berat 1995,) nuk është shumë i saktë. Ai ka të drejtë kur thotë se Buharaja është së pari poet, dhe ne do të thoshim se pikërisht si poet atij i intereson më së paku natyra sado madhështore e Malit. Ai priret që t’u thotë beratasve, gjithë lexuesve, që edhe zgjuar, edhe në gjumë, duke e pasur mbi krye, të çojnë e të presin nga Mali zogun e shpirtit. Për poetin Mali nuk shihet, ai ndihet. Madje ai i thotë ” pendëshkruarit ” pikërisht këtë: …fute kokën ndënë krahë dhe dëgjo… e me fjalë e varg mjeshtri Buharaja krijon një Tomor tjetër, që duke buçitur, na shpalos këngën e amshuar, bukuri, mënçuri, frymëzim, dashuri…ardhur nga valët e Osumit, nga Fjala e Zotit apo e Muzës, nga gjit’ e vashës…e që ngjitet lart, lart… Aty fjala, vargu, strofa, nuk janë aq në harmoni me mendimin poetik, sa me ndjenjën poetike. Ndryshe, ajo nuk do të kishte atë ndikim mbi lexuesin, i cili një ritëm të tillë e njeh nga Lasgushi kur i këndon një tjetër zogu dhe një tjetër mali, por një harmoni të asaj çka sheh syri dhe ndjen shpirti përballë një Tomori, e gjen te Buharaja. VEXHI BUHARAJA PËRPARA TOMORITBukuri këputur qiejsh mbi Tomorin sonte bie,Më pushton dhe prej së largu dhe një shpirt prej lashtërie, Si shkëndi, si rreze dielli, po afrohet valë- valë, Ndënëqesh me mall të nxehur, pastaj hapet me ngadalë. Edhe zbret si yll i ndezur ku shkon jeta në mjerime, Gjer në fund të natës sime.
Dhe kjo dritë, dhe kjo flakë që po ndez një qiell floriri, Që po qesh nga maj’ e malit si një diell ndaj të gdhiri, Gaz i lar’ me drit’ thëngjilli që pikoi vetvetiu Edhe gaz’ i Afërditës që së lartësh vetëtiu, Nga dy buz’ si trëndafili edhe ra në ëmbëlsime, Gjer në fund të natës sime.
Zoga i shpirtit tundi krahët, mbi Tomorin fluturo! Shpuz’ e mallit po valëvitet, trete helmin, ligjëro! Thuaja si ja thot’ bariu kur dëgjon zën’ e gugashit, Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit, Qesh si qesh një shtizë hëne përmbi faqjen e dëborës, Ndri si ndrin një fije ari mu në buzën e kurorës, Dhe këndo porsi bilbili me aq mall e drithërime, Gjer në fund të ditës sime.
Dhe pasi të kesh marë frym’ e shpirt nga bukuria, Dhe pasi të kesh parë ca shkëndi nga dashuria, Fute kokën ndënë krahë dhe dëgjo o pendëshkruar, Se si nga Osum’ i jetës, buçet këng’ e amëshuar, Si buçet nga goj’ e Zotit Fjalë’ e ëmbël mënçurie, Si buçet nga buzë e Muzës fjal’ e ëmbël bukurie, Si buçet nga gjit’ e vashës fjal’ e zjarrtë dashurie… Del nga fund’ i fshehtësisë sipër valëve të lumit, Dhe përhapet an’ e mbanë sa na zgjon nga nat’ e gjumi Pastaj ngjitet lartë- lartë ku ndez jeta në shkëlqime, Gjer në fron të ditës sime.
Berat 1999, New York 2022.