• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BOMBAT E NATO-s DHE FUNDI I PUSHTIMIT SERB NË KOSOVË

March 24, 2022 by s p

Përkujtesë historike: 24 mars 1999/

Jusuf BUXHOVI/

Fushata ushtarake ajrore e NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore jugosllave në Kosovë dhe Serbi nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, paraqet një ngjarje gjeostrategjike të përmasave botërore, jo vetëm pse parandaloi soldateskën e Millosheviqit që çështjes së Kosovës t’i japë zgjidhje ushtarake në përputhje me projektin e pastrimit etnik të saj me mjetet e luftës, por edhe për atë se Aleanca Veriatlanike e drejtuar nga administrata amerikane, në pesëdhjetëvjetorin e saj, ndryshoi edhe karakterin, nga faktori i sigurisë veriatlantike, që kishte gjatë bipolaritetit blokist, tek krijuesja e paqes.Veprimi ultima ratio i NATO-s, ndonëse theu edhe rendin e deriatëhershëm botëror të sovranitetit shtetëror, u bë me pretekste humanitare në përputhje me pikën shtatë të kartës së OKB-së, me të cilën parashihet ndërhyrja humanitare në rastet kur shteti përdor mjetet ushtarake kundër pakicave ose grupeve etnike. Vendet perëndimore në krye me SHBA-të ia dolën që në nëntor të vitit 1998, pas masakrave të forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Drenicë, gjatë marsit, me ç’rast u masakruan familje të tëra (të Delijajve, Jasharëve e të tjera) si dhe ofensivës së verës dhe vjeshtës ndaj grupeve të UÇK-së në gjithë vendin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të nxjerrin një rezolutë (1353) ku bëhet fjalë për krizën humanitare që kërcënonte popullatën e Kosovës, veçmas zhvendosjen e mbi 200 mijë vetave që u ishin shkatërruar shtëpitë dhe pronat. Kjo, megjithatë, nuk e ndaloi regjimin e Beogradit, që përkundër marrëveshjeve me OSBE-në, OKB-në dhe NATO-n, për ndërprerjen e luftimeve dhe kthimin e të zhvendosurve, duke siguruar kushie për to, të vazhdojë misionin për pastrimin etnik të Kosovës me anën e provokimeve luftarake, siç ishin masakra e Raçakut në janar të vitit 1999 si dhe krimet tjera në Rugovë të Hasit dhe pjesë të tjera të pambrojtura, ku përherë pretekste gjendeshin te”provokimet” e njësive të UÇK-së, ndonëse në nëntor të vitit 1998, Millosheviqi kishte shpallur fitoren ndaj “terroristëve shqiptarë”.Sjellja e tillë e Millosheviqi, në shkurt të vitit 1999, i detyroi perëndimore në krye me SHBA-të, që luftën e deriatëhershme diplomatike ndaj Beogradit ta kthejnë në diplomaci të luftës. Kjo u pasqyrua më së miri me thirrjen e Konferencës ndërkombëtare të Rambujesë nga 6 shkurti deri më 18 mars, me ç’rast, delegacionit të shqiptarëve të përbërë nga përfaqësuesit e LDKS-së, UÇK-së, LBD-së dhe dy përfaqësuesve të pavarur si dhe delegacionit të Serbisë,iu ofrua një pako kushtesh ultimative për ndërprerjen e luftimeve dhe krijimin e rrethanave të paqesh, të cilat, në formë e një letre zotuese, u pranuan nga shqiptarët, por u refuzua nga Millsheviqi, me çka u krijua casus belli për fushatën ushtarake 78 ditësh, që përfundoi me marrëveshjen e Kumanovës midis gjeneralëve të NATO-s dhe Armatës Jugosllave për tërheqjen e forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshja ushtarake e Kumanovës e 10 qershorit ia hapi rrugën rezolutës 1244 të KS të OKB-së të 12 qershorit, me të cilën Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar nën përgjegjësinë e misionit të KFOR-it dhe të UNMIK-ut, që zgjatën deri më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë.Natyrisht se 24 marsi i vitit 1999, si ngjarje që pas fushatës njëmbëdhjetë javësh ajrore të NATO-s i dha fund pushtimit 87 vjeçar serbo-jugosllav të Kosovës, nuk duhet parë të shkëputur nga zhvillimet shoqërore politike që përcollën fatin e Kosovës dhe të pjesëve të tjera të etnisë shqiptare të shkëputura dhunshëm nga trungu i saj me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, atyre të Konferencës së Paqes të Parisit të vitit 1920, Konferencës së Jaltës dhe veçmas ato që solli përfundim i Luftës së Dytë botërore, pas intermexos së shkurtër të “bashkimit” të pjesshëm (1941-1944), meqë ato vazhdimisht pasqyruan kundërshtimin pushtimit serbo-jugosllav me kryengritje, luftë kaçake dhe forma të tjera të rezistencës popullore paçka se u përcollën me shtypje dhe terror të egër policor dhe ushtarak. Natyrisht se përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar dhe përkatësi botës perëndimore nuk u shuan as atëherë, kur pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore, ideologjia komuniste si dhe bashkëpunimi internacionalist shqiptaro-jugosllav në frontin e përbashkët antifashist në rrethanat e vëllazërim-bashkimit midis Tiranës dhe Beogradit, Kosovës ia riktheu pushtimin serb bashkë me metodat e njohura antikombëtare (terrorin shtetëror ndaj “kundërrevolucionarëve” dhe “kuislingëve”, kolonizimin e serbëve të përcjellë me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi) si dhe metodat tjera të dhunës shtetërore, që vazhduan deri në vitin 1966. Periudha postbrioniane, e pasqyruar me përpjekjet për barazi, që në demonstratat e vitit 1968 patën për moto kërkesën për Republikën e Kosovës, hapën kapitullin e luftës për zgjerimin e identitetit kulturor, arsimor dhe zhvillimit ekonomik mbi bazat institucionale, që për pikënisje kishin shkëputjen nga Serbia nëpërmes lidhjes me federatën jugosllave, siç do të arrihet me kushtetutën e vitit 1974. Kërkesa legale për barazi në federatë nga klasa intelektuale dhe ato të grupeve ilegale, që vepruan vazhdimisht me platformën e çlirimit dhe të bashkimit qoftë edhe me anën e irredentizmit ideologjika të bazuara mbi të drejtën e vetëvendosjes së popujve, u bënë kompatabile dhe u vunë në binarët e njëjtë politik, çastin që Beogradi, më 23 mars 1989, n rrënoi me dhunë autonominë e Kosovës. Lëvizja kombëtare që u themelua më 23 dhjetor 1989, nepërmes një puçi kushtetues, mori përsipër procesin e rezistencës institucionale (me shtetin paralel), e cila, në vitin 1997, me daljen në skenë të UÇK-së nga shtrati i guerilë së Kosovës, vuri në veprim diplomacinë e luftës. Pra, angazhimi dhe mundi i shumë gjeneratave për barazi dhe liri, ku nuk u kursye edhe gjaku, e mbi të gjitha përcaktimi që çlirimi nga Beogradi të bëhet me ndihmën e Perëndimit (SHBA-ve dhe NATO-s), këtij procesi historik ia siguruan suksesin, që solli edhe shtetin e Kosovës – të arriturën më të madhe të këtij shekulli.

Filed Under: Opinion

PUSHOFSH NË PAQË ZONJA ALBRIGHT

March 24, 2022 by s p

Pëllumb Kulla/

Sot, në moshën 85 vjeçare, mbylli sytë një grua e jashtëzakonshme, siç vlen ta cilësojmë zonjën Madeleine Albright, ish Sekretare e Shtetit në kabinetin e Presidentit Bill Clinton.Ishte një grua me karakter të çeliktë që për fat u ndodh në postet kyçe në vitet e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe të realizimit të pavarësisë së Kosovës. Kësisoj bota shqiptare i detyrohet shumë kësaj gruaje, që u bë krahu i djathtë i Presidentit gjatë vendimeve të rëndësishme për ndalimin e gjenocidit në Kosovë dhe në sjelljen në tavolinën e Rambujesë palët e zgjidhjes së madhe, që i dha jetë Republikës së Kosovës. Më parë se të zinte postin e rëndësishëm së Sekretares së Shtetit zonja Albright mbulonte detyrën e lartë të Përfaqësueses së Përhershme të ShBA pranë OKB në New York që nga viti 1993 deri në vitin 1997, vite që rastësisht përkuan me shërbimit tim atje. Pata vërtet kënaqësinë ta njoh nga afër atë zonjë të takohesha disa herë me të dhe të shtoj në favor të çështjes shqiptare rolin që ajo pati në krizën e madhe të shtetit të ri demokratik shqiptar, me administrimin e revoltave që ishin pasojë e piramidave që sollën aqë rrënim ekonomik dhe humbje jetësh njerëzore. Zonja Albright si figurë peshërëndë në Këshillin e Sigurimit bëri përpjekje të palodhura për vendimin e vështirë të dërgimit e forcës shumëkombshe ushtarake që hyri në territorin tonë dhe u bë garanci e restaurimit të qetësisë dhe rifillimit të rendit pas një kaosi të turbullt për t’u vënë nën fre. Ikja e kësaj zonje na trishton së tepërmi dhe i dëshërojmë të paharrueshmes Madeleine Albright të prehet në amëshim. U shtoj shënimeve të mia edhe hollësira interesante të qëmtuara më së miri nga gazetari Enver Robelli dhe që hedhin dritë mbi formimin e karakterit të saj të veçantë. “Madeleine Albright u lind në një familje hebraike në Pragë më 15 maj 1937 me emrin Maria Jana Korbelová. 25 anëtarë të familjes së saj janë vrarë në Holokaust, gjenocidin nazist kundër hebrenjve. Në autobiografinë e saj kjo profesore e shkencave politike ka përshkruar rrugën e saj jetësore dhe të familjes së saj. Që në moshën dyvjeçare Albright u gjend në Londër, ku familja e saj iku nga terrori nazist në Çekosllovaki. Në vjeshtë të vitit 1945 i ati i saj u emërua ambasador çekosllovak në Beograd, ku u vendos me familjen e tij, përfshirë edhe «Madlenkën» e vogël. Pas puçit komunist në Pragë në vitin 1948 familja emigroi në SHBA. Më 1957 ajo mori shtetësinë amerikane. Prindërit i kishin folur asaj shumë për jetën si refugjatë, por jo edhe për origjinën hebraike. Madeleine u rrit me besimin katolik, të cilin e kishin përqafuar prindërit e saj. 60 vjet pasi babai i saj kishte shërbyer në Beograd si ambassador. Më vonë e bija e tij ishte njëra prej përkrahësve më vendimtare të bombardimit të këtij qyteti, prej nga kishte filluar fushata për vrasjen dhe pushtimin e popujve të tjerë të Ballkanit. Gjatë kohës që ushtroi detyrën e Sekretares së Shtetit ajo e quajti Amerikën një «komb të pashmangshëm», pa të cilin nuk mund të zgjidhen shumë probleme. Gjatë fushatës së fundit elektorale ajo ishte kundërshtare e rreptë e Donald Trumpit dhe përkrahur Hillary Clintonin. Albright u bëri apel grave të votojnë kandidaten demokrate duke thënë se në ferr ekziston një sektor për gra, të cilat mëkatojnë duke mos përkrahur gratë. E zemëruar me deklaratat urrejtëse të Trumpit kundër të huajve, e sidomos myslimanëve, Albright paralajmëroi se në shenjë solidariteti me myslimanët do të regjistrohej si myslimane.” Janë episode mjaft domethënëse për të kujtuar një figurë madhore që pati jetë në truallin amerikan dhe rol të rëndësishëm në fushën e politikës së Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Komente

MESAZH NGA UKRAINA,ELEGJI NËN BOMBARDIMEDHE BUZËQESHJA…

March 24, 2022 by s p

Nga Visar Zhiti/

I dashur V., mik i dashur, jam shumë mirënjohës për solidaritetin dhe ndihmën e sinqertë në luftën e vendit tim për liri. Për fat të mirë jam gjallë në këtë ruletë ruse që po ngjet në kryeqytetin tonë. Do të shohim se si do të jetë gjendja me pushtimin nga Bjellorusia në veri të Kievit, që mund të jetë dhe fillimi i dërrmimit të regjimit të Lukashenkos, i cili nuk mbështetet më nga shumica e ushtrisë së tij, por që shumë pjesë kontrollohet nga forcat ruse. Tani për tani me 12000 njerëz dhe qarkimi me rreth 3000 nga ushtria jonë dhe 4000 brenda, sulmi në Kiev duket i pamundur. Por në qytete të tjera si Mariupol dhe Chernihiv, ku njerëzit po vdesin urie për javë të tëra pa energji elektrike, gaz dhe ujë, nën bombardime e bombardime si dhe në rrethinat e Kivit, ku është dhe shtëpia ime e familjes, kemi një katastrofë humanitare. Përqafime miqësor!D. Është mesazhi më i fundit që më vjen nga Ukraina, nga poeti Dmitry Chystiak, për të cilin kam shkuar diçka, kam botuar disa poezi të tij dhe një interviste, ku u përgjigjet 7 pyetjeve në luftë për lutën në Ukarainë, kam thënë se ai është profesor i letërisë dhe i frengjishtes në Universitetin Kombëtar “Taras Shevçenko” të Kievit, poezia e tij është botuar në shumë gjuhë të tjera dhe ka marre shumë çmime letrare. . Po si t’i përgjigjesha mesazhit të tij? Nuk kam asgjë veç lotëve dhe lutjeve dhe zemrës time me ju. Kaq.. A ka mbërritur mesazhi im apo ajrin e shqyejnë shpërthimet e tmerrshme dhe fjalët vdesin dhe bien si pendë flatrash të djeguara.Dhe çudia është se ai më ka dërguar dhe një elegji në anglisht, e shkruar tani nën bombardimet në një dhomë që dritaret i ka të mbuluara me raftet e librave që të mos duket drita jashtë, se pranë saj predhat kanë shkatërruar shtëpi të tjera.Po shkatërrohet një vend sovran, me kulturë dhe traditë, me njerëz të lirë që duan t’i largohen gjithnjë e më shumë të kaluarës së tyre, kur ishte një perandori komuniste me qendër Moskën, me tiranë në krye si Lenini dhe Stalini dhe pjellat e tyre si Putin sot, që vazhduan deri dhe në Shqipërinë e vogël me enveristët.Por do të doja të flisnim për poezinë e Dmytro Chystiak, që iku përmes bombardimeve për të gjetur mua, megjithëse ka një thënie se kur gjëmojnë topat, muzat heshtin. Në fakt realitetet kanë treguar dhe të kundërtën. Shqipëria e di, se kur kishte letërsi të realizmit socialist me plot gjëmime, fshehtas pati dhe letërsi ndryshe, poezi që dolën nga burgjet dhe internimet. .Dhe tani nga lufta. Poeti Dmytro Chystiak, burrë i ri te nja 35 vjetët, nuk po zgjatem, mjafton shembëlltyra e atij si Njeriu që po qëndron nën bombardime, kur po vriten njerëz me mijëra e bëhen gërmadha për një çast pallate, institucione, spitale, teatro, etj, teksa miqtë e Dmytro Chystiak nëpër Europë, në Azi e Amerikë e kanë ftuar të ikë nga andej. Jo! Ai po rri pranë luftëtarëve të vendit të tij, që po luftojnë për ardheun dhe Europën, sipas tij, mes qytetarëve dhe sakrificave të pabesueshme, i përkushtuar në këtë luftë, ndërkohë i lidhur me shumë televizone jashtë vendit, ku jep intervista me frengjishten e tij “excellent”, (edhe foton e poetit e nxora nga ekranet e një televizoni të huaj) dhe tregon gjendjen dramatike, shkaqet dhe historinë, të ardhmen që do ta fitojnë me gjak, duke dhënë sa më shumë shpresë njerëzore. Teksa në televizionet tona akademikë dhe politologë të rëndomtë arrijnë deria aty sa mundohen ta justifikojnë agresionin rus, nga që NATO paskërka kaluar “gardhin”, sepse paskësh “gardh” liria e popujve dhe sovraniteti i vendeve dhe demokracia që duan të kenë si sistem, e ndonjë me dinakëri kërkon të vendosë Putinin djathtas më shumë se majtas, kur ai si i çmendur po bombardon sa djathtas dhe majtas dhe po s’e ndalën, ai nuk do të ndalet nëpër Europë dhe botë me turr stalinisto-hitlerian, teksa bashkëpunëtorët e nazizmit i quajne pafalshëm kuislingë, ndërsa ata të stalinizmit, që tradhtuan interesat e atdheut në kohë paqeje nuk i dënojnë si kuislingë të Kremlinit, etj, etj, por unë desha thjesht tani t’i bashkohemi besimit të poetit ukrainas Dmytro Chystiak dhe të popullit të tij edhe me anë të poezisë, të shkruar nën bombardime.Ajo ngjan me buzëqeshjen e tij, që e shohim tani në intervistat televizive, që edhe pse e trishtë, ështe e mrekullueshme, është buzëqeshja e njeriut të vërtetë, që nuk e shëmtuan luftrat, që asnjë bombardim nuk ka për ta asgjesuar, nëse do të mbeten njerëz mbi fytyrë të dheut.Në vend të buzëqeshejes, ja poezia, që e nxjerrin ne për herë të pare….. DMYTRO CHYSTIAK TOKË E GJALLË In memoriam, për Anastassiya Kobzina dhe Ilia Solovyov. І Gjyshi im vdiq pa asnjë fjalë për luftën. Pa asnjë fjalë për luftën gjyshja ime vdiq. Ndaj urisë dhe punës dhe frontit Ata lëshuan disa fjalë të ashpra dhe aq. 9 Maji ishte festa më e madhe e tyre, Këngët e tyre, lotët e tyre pa asnjë fjalë për luftën. “Unë nuk do të flas, Zoti im! Jo më, jo më. Ju hedhim Në karroca për në varrezën masive”. Fjalët e gjyshes pranë varrit të saj.ІІ Pranë rafteve të mia të librave, nën bombardime, Uniforma e gjyshit, mbuluar me medalje, Shpata e tij (17 vjeç, në Shcholkovo afër Moskës, Pastaj në Detin e Veriut, kaq shumë të vrarë Në këtë tokë akulli, pastaj kënga, Futbolli, Kakhovka dhe Kievi, dashuria e jetës së tijQë më bën të buzëqesh edhe sot), Medaljet e gjyshes sime, bijë e luftës (Fëmijëria në kolkhoz, gjithçka për frontin, Dhe një gjerman që miqësisht thotë “fshihu!”, Në rajonin Vinnytsa një dimër i tërë, Në papafingo ajo fshihet dhe nazistë s’ka më Pastaj këngë dhe socializëm dhe rënia, Dhe kërkimet i tij për urinë e madhe me Stalinin), Ata qëndrojnë ende bashkë, me Dy republika motra, në raftet e librave, Nën bombardime, pastaj shpërthimet.ІІІ Kjo tokë dimërore është e gjallë, e thellë. Asnjë fjalë për luftën, në varrin e tyre të përbashkët. Predha i zgjon siç bëri në shenjtëroren Babi Yar, Dhe dalin nga bota tjetër, por unë e di, Ata nuk janë në anën tjetër, por bashkohen Me tonën. Dhe gjyshja ime vazhdon Me vullnetarët dhe gjyshi im me marinarët, Nga ana jonë, ata që ndjekin Kozakët, Ata që shmangin frikën dhe hedhin veten Të pambrojtur në tanke, në stepa, Si në kohën e helenëve, në këtë tokë të vjetër Ku “Lavdia!” bie, gjëmim pas gjëmimi. ІV Kjo tokë dimërore është ende e gjallë, aq larg. Gjyshi im nga Shçolkova lufton, Gjyshja ime nga Haysyn vazhdon, Pas tyre, errësirë mbi errësirë, Dritë mbi dritë, botë pas botëve, Kumbime, përgjakje, mbi kryqe rriten Trëndafilat e Jeruzalemit Qiellor, Gjaku i tyre bashkon Kostandinopojën dhe Kievin, Rubedoja e qyteteve të ringjallura, Shekull pas shekulli, tempull pas tempulli, Për të ujitur pemën tonë të përbashkët Përballë një pranvere që po shquhet së fundmi. Kiev, Mars 2022 __________________________________ Përktheu nga anglishtja Visar Zhiti

Filed Under: Opinion

Kryeministri Kurti: Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë mban vulën e zonjës Albright

March 24, 2022 by s p

Prishtinë, 24 mars 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe te busti i ish Sekretares së Shtetit amerikan, Madeleine Albright, e cila dje ndërroi jetë. Pas nderimit që i bënë mikes së madhe të popullit të Kosovës, kryeministri Kurti tha se politika, diplomacia dhe historia vështirë se kombinohen në një mënyrë më të përsosur sesa te personaliteti i jashtëzakonshëm i Sekretares Madeleine Albright.“Dija e saj e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat dhe liritë e qytetarit në republikë, orientimi i saj për demokracinë sociale dhe gjithashtu edhe njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën, e bëjnë një personalitet i cili do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e te ne në Kosovë po edhe në shumë vende tjera të botës”, tha kryeministri Kurti.Para mediave, kryeministri Kurti ka potencuar se ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë me bombardimet kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, padyshim që mbanë vulën e zonjës Albright dhe për këtë ne do të jemi përjetë falënderues e mirënjohës.Prononcimi i kryeministrit Kurti para mediave:Politika, diplomacia dhe historia vështirë se kombinohen në një mënyrë më të përsosur se sa te personaliteti i jashtëzakonshëm i zonjës Sekretare, Madeleine Albright. Ajo në politikë ishe historiane, në histori ishte diplomate ndërkaq në diplomaci ishte politikane. Kur kemi parasysh edhe përvojën e saj jetësore si emigrante hebreje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila fëmijërinë e ka kaluar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pastaj është shkolluar në vendin tempull të demokracisë e është bërë Sekretarja e parë e Shtetit amerikan grua, natyrisht që kemi të bëjmë me një figurë e cila nuk i takon vetëm shekullit 20, por edhe atij 21.Çdo herë kur fliste, vepronte ose shkruante ishte aq profesionale në secilin prej asaj çfarë bënte e thoshte, sa që nuk mund të quhej profesioniste për shkak të qenies së saj të gjithanshme. Dija e saj e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat dhe liritë e qytetarit në republikë, orientimi i saj për demokracinë sociale dhe gjithashtu edhe njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën, e bëjnë një personalitet i cili do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e te ne në Kosovë po edhe në shumë vende tjera të botës.Ndërhyrja NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë me bombardimet kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, pa dyshim që mban vulën e zonjës Albright dhe për këtë ne do të jemi përjetë falënderues e mirënjohës.

Filed Under: Politike

111 VJETORI I FILLIMIT TË KRYENGRITJES SË MALËSISË SË MADHE KUNDËR PERANDORISË TURKE-OSMANE

March 24, 2022 by s p

NGA NDUE BACAJ/

Si sot 111 vite më parë , me 24 mars 1911 në trojet e Malesisë Madhe filloi të rilindë drita e diellit të lirisë dhe flamurit të Gjergj Kastriotit , dritë që lengonte nën erresiren turko-osmane rreth 432 vjeçare. Në ato ditë të stuhishme mendja, zemra dhe shpirti i shqiptarisë ishte drejtuar , në Rapsh të Hotit, në zemren e Malesisë, në votren e zjarreve të pashuar te atdhedashurise , në çerdhen e lirisë , në strehen e flamurit të Arberisë.. Këtu në keto troje ku e kishte folenë shqipja me zogjte e saj. Ketu në keto hapsira toksore e qiellore të tejngopura me sakrifica , lotë e gjakë . Ketu ku mbiu kushtrimi e u rrite liria, ketu u ruajt edhe besa ,bujaria , urtia e trimeria , ketu mbiu e mori jetë edhe ënderra europiane qe sot po mundohemi të guxojmë ta shohim zhgjandërr… Ketu historia është e “gjallë”, këtu nuk u shua kurrë “drita” e vepres Skenderbegëjane , dhe porosia e Gjon Lulit-Dedvukaj ,(babes së Dedes): “Se as drita nuk shkelqen dhe as dielli nuk ngrohë në keto troje deri sa të sundoi turku apo shkjau..”. Ketu e kishte fillimin dhe kushtrimin kryengritja antiosmane më e madhe dhe më e lavdishme e Malesisë Madhe me aleatet e saj Shkodren, Nënshkodren, Dukagjinin , Mirditen e më gjërë. Ketu me 24 MARS 1911 prijësi trim e i urtë i atdhetarisë Ded Gjon Luli së bashku me trimat Kolë Marash Vata , Zef Lani , Gjon Pllumi , Pjeter Vogli , Prelë Nika , Lucë Nikë Shabi , Prelë Keri ,Tomë Llesh Dragu ,Vatë Gjon Gojçaj ,Gjelosh Gjokë Mihaj , Gjokë Kolë Shabi , Zef Marash Dojani , Vuksan Lekë Alia , Nikë Gjelosh Luli , Dedë Elez Shabaj , Preç Lulash Lekaj ,Tomë Dedë Gjo’Nishi , Gjon Ujkë Miculi , Prekë Gjeto Marku ,Prekë Gjeto Deda , Lukë Nikë Pllumi , e tjer burra të Hotit e Malesisë , do të mësynin si duhi mali , dy çibanet turke që rendonin mbi keto troje ; posten e Grykes së Leqes dhe posten e Çemerrit , dhe njekohesisht me ketë sulm do të merrte flakë kryengritja heroike e Malesisë , që do të trondiste Stambollin dhe do të mahniste Europen me guximin e trimërinë e malësorve per tu matur me perandorinë turko-osmane para së ciles ndër shekuj ishte dridhur vet Europa…. Ketë ditë të stuhishme të fillimit të kryengritjes antiosmane poeti kombetare At Gjergj Fishta (në “Lahutën e Malcisë) do ta perjetsonte me vargjet plot pathos atdhetarie:“Ded Gjon Luli , si iu lut ZotitSot prej nadjet ,pa zbardh drita ,Me njëzetë djem ,po njezet petrita ,Synin gacë ,zemren duhi ,N’shtatë “mauxerre e në nji allti”M’asqer Mbretit ka sulmue ,N’dy kausha kta ngujue ,T’njehun rrafsh gjashtedhjetë nizamëFusha e Rapshes se ç’ka marrë gjamë..” Kryengritja antiosmane zgjati plot 133 ditë (24 mars-04 gusht 1911) , duke shkruar faqe të reja të lavdishme në historinë e Malesisë e Shqipërisë, ku per Shqiperinë e lirë e Flamurin kombetar dhanë jeten qindra deshmorë , ku si gjithnjë në vend të parë qendron Hoti ,pa mbetur prapa Gruda ,Kelmendi . Kastrati ,Shkreli, Trieshi e gjithë Malesia, por edhe Dukagjini e më gjërë. Gjatë kesaj kohe plot afsh atdhetarie malesoret kryengrites zhvilluan dhjetra beteja nga më heroiket… Por kulmi i kesaj kryengritje arrinë me 6 prill 1911 kur malësorët kryengritës ngriten Flamuri kombetarë në Deçiq (Bratilë) pas 432 viteve erresirë turke-osmane. Nga Deçiqi, do të niste udhetimin 600 ditore (6 prill 1911 – 28 nentor 1912) flamuri kombëtar , i cili si flaka olimpike udhetoi duke lëshuar dritën e dhanë kushtrimin , se kush është shqiptarë i vertet duhet të rrokë armet e t’i dalë zot atdheut… Ketu filloi udhetimin 523 ditor nga veriu në jug të Shqipërisë memorandumi i Greçes (23 qershor 1911) i cili sherbeu si bazë e programit politik të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë me 28 nentor 1912.. Gjatë ketij udhetimi “Epik” memorandumi i autonomisë i ngjante një kënge majakrahu me “nota” kushtrimi… Nga Malesia e Madhe moren vrullë dhe udhëtuan nëpër Shqiperi e Europë per ditë e muaj edhe korifejt e shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë , Ismail Qemali , Luigj Gurakuqi , Isa Boletini, Dom Nikollë Kaçorri etjerë , të cilet kishin marrë besimin , bekimin e sigurinë se koka e Shqiperisë (jo vetem nga ana figurative), Në ketë kujtesë të vogel para vepres së madhe të kryengritësve malësore nuk po munden pa ju permendë emrat disa korifenjëve të kesaj kryengritje si : Dedë Gjon Luli, Sokol Baci , Palok Traboini, Dedë Nikë Bajraktari, Tomë Zoli , Kolë Zefi , Zef Miliq Lulgjuraj , Marash Uci , Markë Gjeka , Pjeter Nikë Daku, Maço Grishi , Lulash Zeka , Zef Peri , Prelë Kolë Shyti , Tomë Nikoll Hasani , Palokë Traboini , Gjeto Marku , Pjeter Gjokë Toshi , Lucë Prelë Nishku , Dodë Preçi , Gjelosh Gjoka , Dedë Gjon Ujka , Gjelosh Doka ,Tomë Nika , Vatë Marashi , Martin Preka , Dok Lani , Kol Kurti , Mirash Luca , Pjetër Zeku, Dedush Marashi , Gjeto Daka , Lukë Marku , Kolë Gjon Leci , Lucë Gjeloshi, Dasha Nika , Smajl Mustafa , Deli Meta , Sokol Mali , Gjon Nikë Plluci , Islam Makalushi , Pretash Zek Ulaj , Dedë Prelë Marashaj , Zenel Shabani , Lucë Mark Gjeloshi , Fran Pali , Gjon Uc Bajraktari , Mirash Pali ,Nikë Zeka ,Bec Tahiri , Gjelosh Toma (Bëkaj), Dul Gjelosh Palushaj , Gala Smajli , Nikollë Ivanaj, Gilë Dosh Margilaj , Marash Mark Gjeloshaj , Istref Alija, Nikoll Mirash Gjokaj , Kole Maci , Lek Ivani-Bekaj , Lekë Shaba –Gojcaj , Dyl Sokol Bajraktari , Lul Rapuka , Llesh Gjergji , e deri te zanat malesore Tringë Smajlja, Nore Kolja , Mitare Lucja etjerë etjera… Per kryengritjen e Malesisë së Madhe që i parapriu shpalljes së pavaresisë së Shqiperisë, gazeta më e madhe britanike “The Times” e dates 21 korrik 1911 do të shkruante : “..Kur të shkruhet historia e kohës sonë , lufta e Malësorve shqiptarë do të kujtohet si një nga epopet më të shkelqyeshme të luftes moderne..” Nderë e lavdi të perjetëshme ,deshmorëve , martireve dhe veprimtarëve që u sakrifikuan per Flamurin e Lirinë e ketyre trojeve nga më shqiptaret dhe Europianet e Shqiperisë Etnike..(VOO: Per këtë kryengritje , në vitin 2016 kam botuar një monografi (modeste) me titull: “Kryekryengritja e Malësisë së Madhe kundër perandorisë Turke-Osmane 1911”, ku jam perpjekuar të memorizoj këtë histori…Monografia është ribotuar me pak shtesa në vitin 2019).Malësi e Madhe, me 24 mars 2022

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2342
  • 2343
  • 2344
  • 2345
  • 2346
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT