• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHUMICA FOLI EDI RAMA, E PE, E DËGJOVE ?

March 13, 2022 by s p

Nga Abdurahim Ashiku, gazetar/

Një dron i një televizioni të kamur fluturon mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si për të ushqyer fjalën e zotit Rama se “një pakicë e çartur është që shan, mallkon, abuzon, paturpësisht fare”.
Unë, në atë pamje pashë shumicën, apo më saktë gjithë Shqipërinë…
Pashë 673.542 pensionistë  që “Përditë shohin qartë e ma qartë dhe vuejnë thellë e më thellë” e të luten përkulur në kënd nëntëdhjetë gradë “ma fal ndoj send”.
Të gjithë në shesh ishin, edhe unë me ta në kërkim të ndonjë “sendi” prej teje për një kore buke, një pako ilaçe, një llambë elektrike në tavan, një rrjedhë uji në çezmë, pak respekt, më shumë dinjitet.
Pashë mbi një milionë fshatarë, fermerë siç i quan ti, njerëz që soji jot u dhanë një dynim tokë në fushë, një në kodër e një në mal. E përkundrejt kësaj i shkatërruat kanalet kullues e ujitës, institutet shkencore ku prodhohej farë elite gruri, misri, orizi, patate, perime. I shkatërruat e dërguat për skrap uzinën që plotësonte nevojat e vendit dhe eksportonte nitrat amoni e ure, uzinën e prodhimit të superfosfatit, e katandisët bujqësinë në atë derexhe sa u kthyet për të punuar tokat me gomar në parmendë, nuk latë gjë në këmbë nga ajo që e kishte bërë me djersë e gjak ky popull martir.
A e din zotrote se sot në ditët tua Shqipëria mbjell dy herë më pak grurë se sa mbillte në vitin 1950 kur vendi jetonte me triska buke, ushqimi e veshmbathje?
Ata ishin atje zotëri, para zyrës tënde, kërkonin mbulim të shpenzimeve në bujqësi nga shteti që mos i shtrijmë dorën serbit për grurë, misër, vaj, mish, qumësht…
Zëri i tyre ushtoi fort dy kate poshtë zyrës tënde ku rrije dhe u thoshe brutalisht se jeni “një pakicë e çartur, që shan, mallkon, abuzon…”
Pashë të jenë atje mbi një milionë e gjysmë mërgimtarë që duan të kthehen, emigrantë që ka tridhjetë vjet që e ushqejnë ekonominë tuaj me mbi një miliard dollarë në vit, që ngrenë shtëpi e pallate që ju i lejuat ti ndërtonin dhe u vutë ruspën ti shkatërroni, që shuajnë urinë e prindërve dhe të afërmeve nga pensioni juaj qesharak  e nga ndihma sociale skandal.
Emigrantët duan të kthehen zotëri, duan derë të madhe kthimi në vend të derës së madhe të ikjes. Duan ti punojnë vetë tokat, duan që ti ndërtojnë vetë bizneset, duan që të jenë zot në vendin e të parëve të tyre. Nuk duan që tokat e tyre ti punojnë bangladeshasit, afganët, sirianët, iranianët… e tash, siç i ftove në Antalia, edhe nigerianët… 
Nuk është faji vetëm i yti zoti kryeministër që Shqipëria është katandisur në këtë derexhe, është faji i një klase politike që ka tridhjetë vjet që vjedh, shkatërron, që i ka bërë këtij populli atë që nuk ia kanë bërë as armiqtë më të egër e të përkushtuar për ta nxjerrë fare, ta shuajnë si komb, si vend, si njerëz, si gjuhë, si kulturë…
Faji jot është se pret mbi kalli, që nxjerr zë kur duhet të heshtësh, që shan kur duhet të përkulesh me respekt para këtij populli që në pamundësi kujt t’ia besojë fatin e vet ta ka dhënë për tre mandate atë ty.
Dhe shuaje nga zëri dhe nga mendja atë që na the: “Sa për fuqinë e popullit, unë jam në këtë detyrë pikërisht falë asaj fuqie…”
Populli ka një fjalë të urtë: “SOT JE, SOT NUK JE”… 
Mbaje mend!
Nuk jemi pakicë zoti kryeministër. Jemi shumicë. Tunde kokën fort se mbase të vjen shikimi dhe i llogarit gjërat me syun e popullit.
Jemi shumicë zotëri, shumicë e çartur për drejtësi, për mirëqenie, prosperitet, për një Shqipëri tjetër, demokratike, popullore, pa padronë e hajna, Shqipëri e denjë për të qëndruar në krah të demokracive përparimtare në botë.
Ky është vetëm fillimi zoti kryeministër, nuk ke parë gjë akoma.
Nesër do të na shohësh të gjithëve para dyerve të SPAK, këtij organizmi amorf që tash pesë vjet po tjerr fill mbi furkë pa bashkë, nuk ka çuar para hekurave as edhe NJË nga ata që e dogjën dhe e shkatërruan, e vodhën dhe e shitën, e torturuan dhe e mbytën Shqipërinë,  pse jo edhe para dyerve të Juri Kim e ambasadës amerikane që  vazhdojnë të na mbushin me gënjeshtra për “reformë në drejtësi” e për dënim të “peshqve të mëdhenj”.
Nesër dibranët do të jenë Luginës së virgjër të Drinit të Zi për të të thënë se ajo tokë e djegur në beteja të jashtëzakonshme kundër Perandorisë Osmane, Serbisë e Serbo-Jugosllavisë, diktaturës, që mbeti dhe do të jetë qendra gjeografike e Shqipërisë, do të mbetet e bukur dhe pjellore siç e ka krijuar Zoti dhe siç e ka begatuar dora punëtore e bujkut dibran. Nuk ka pse të zhytësh e mbytësh me gjithçka një trevë të tërë të lavdishme për një hurdhë që shpëton Shkodrën nga përmbytja e kaskadën nga përzhitja. Shqipëria ka burime dielli e ere që japin më shumë disa “Skavica” dritë pa prekur tokën, burimin e vetëm të jetës, burim që se zëvendëson asgjë.
NUK KE PARË ASGJË AKOMA…
Ta thotë këtë një mërgimtar që e do më shumë se ti ta shohë SHQIPËRINË ZONJË.

Abdurahim Ashiku

Gazetar
Athinë 12 mars 2022

Filed Under: ESSE

Never Forget !

March 13, 2022 by s p

Leonora Laçi/


Rasti Ukrainës është një shembull dëshmues se sa të rrezikuar jemi dhe të pasigurt në shekullin që jetojmë. Rasti Ukrainës me solli ndermend krimet e serbve ndaj Bosnjes e ndaj Kosovës, më solli ndërmend masakrat që janë zhvilluar ndaj popullit shqiptar ndër shekuj.
Një libërth që u botua në këtë kohë nën përkujdesen e prof.dr.Nusret Pllana, Msc.Agim Alickaj na sjell ndermend ngjarjet aktuale të ngjashme me ato të së kaluarës jo shumë të largët që populli shqiptar i Kosovës perjetoi në token e vet.
Një libër që dëshmon me fakte me anë të fotove Gjenocidin dy shekullor serb ndaj shqiptarëve 1844-1999 e ndarë mjaft mirë në pesë etapa. Etapa parë 1844-1912, etapa dytë 1912-1914, etapa tretë 1918-1941, etapa katërt 1945-1966, etapa e pestë 1989-1999.
Një botim i vogël por që njeh çdo kend me krimet e serbve ndaj shqiptarve në periudha të ndryshme. Krimet e serbve ndaj shqiptarve s’kanë qenë të njëtrajtshme, kanë pasur luhatje kushtëzuar nga udhëheqësja dhe politika e asaj udhëheqje për asimilimin e popujve të tjerë, duke mos gjetur terren tek shqiptarët kanë gjetur si zgjidhjen më të mirë zhdukjen. Krimet e serbve ndaj shqiptarve kanë qenë të favorizuara nga politikat pro dhe kunder të ndërkombëtarve, sa më i përgjumur reagimi ndërkombëtar aq më i ashpër ka qënë dhunimi i të drejtave të shqiptarve nën thundren e pushtuesit sllav, dy luftërat botërore kanë qenë në favor të politikave asimiluese e gjenocidit serb ndaj shqiptarve dhe popujve të tjerë, por dhe krizat politike dhe mungesa e vemendjes së duhur i ka drejtuar serbet drejt shtrengimit të lakut ndaj popullit shqiptar.
Gjithmonë ata kanë ndjekur politikën e “tatimit të pulsit”, mos reagimi ndërkombëtar për ta ka qenë miratim, një miratim i nënzëshëm. E njëjta gjë po përsëritet në Ukrainë nga Rusia.
Në këtë libërth shohim foto tronditëse të njerëzve të masakruar e të vrarë pa dallim moshe e gjinie, foto tronditëse që shërbejnë si dëshmi për babëzinë e perendimit se për hir të interesave gjeopolitike kanë lejuar të ndodhin masakra të tilla dhe ende po ndodhin dhe sot që unë po shkruaj këtë artikull, në një kohë tjetër në një vend tjetër. Perendimi nuk duhet ta lejoi cenimin e lirisë, integritetit territorial, ne sot nuk duhet të flasim me gjuhën e urrejtjes ndaj kombëve të tjera, të drejtat e njeriut po shkelen në emër të një lirie inekzistente. Asnjë popull nuk e do thundren e pushtuesit aq më pak Ukraina e meriton fatin që ka sot, populli civil nuk ka kërkuar çlirim, nuk ka kërkuar luftë, çdo popull meriton të jetoi i lirë dhe i pavarur. Sot ne duhet të punojmë që të zbusim gjakrat dhe të ulim tensionet, lufta nuk ka fitues, lufta sjell shkatërrim dhe dëmë ekonomike, sjell trauma ndër civil, sjell humbje jetë njerëzish të pafajshëm, sjell shkatërrim të identitetit historik kombëtar, sjell pasoja që duhen shumë vite që brezi aktual t’i superojë.
Por ne s’duhet asnjëherë të harrojmë shembujt e ngjashëm nga e kaluara dhe duhet të kishim marr mësim nga ajo e kaluar jo shumë e largët si gjenocidi në Kosovë e Bosnje.
Ky libër “Never forget”! -Mos harro kurrë! – The serbian genocide on albanians 1844-1999 i shërben atyre që harrojnë, i duhet diplomacisë ndërkombëtare që të parandalojnë një gjenocid të mundshëm në Ukrainë. I shërben historiografisë si fakt historik. I shërben fëmijeve tanë, i shërben brezave të ardhshëm që ajo çfarë ka ndodhur nuk duhet të harrohet por kjo nuk duhet të na mbush me urrejtje për hakmarrjet e nga të përsekutar në persekutor.

Filed Under: Komente

LIRIDONA GJOKAJ-MORINA: “SUKSESI I NJË RRUGËTIMI”

March 13, 2022 by s p

Met Gala 2021 in NYC, Met, Metropolitan museum, new york, celebrities at Met Gala, Jennifer Lopez, jlo, kim kardashian, kendall jenner, serena williams, jimmy fallon, james gordon, justin bieber, tom ford, hailey bieber, alicia keys, anna wintour, donatella versace, kris jenner, gigi hadid, irina shayak, winnie harlow, cara delevingne,


Intervistoi: Arjeta FERLUSHKAJ/

  1. Liridona, ju tashmë e keni krijuar një profil tuajin në industrinë e fotografisë. Si ndiheni në këtë fazë të karrierës suaj? 

Po bëhen 12 vite që i jam përkushtuar fotografisë. Ndërsa, karrierën time si fotografe e modës e kam filluar që në vitin 2016, pak pas ardhjes time në New York. Deri në këtë  fazë, unë  jam vlerësuar me çmime të  ndryshme, nga ku mund të  përmend: në vitin 2019 mora çmimin “Photographer of the year” në “8th International Filmmaker Festival of New York”. Në vitin 2015 mora çmimin “The Still Life Collection Photographer Award”. Në vitin 2014 mora çmimin “The exposure Award” nga “SeeMe Community”. Në vitin 2015 mora çmimin “Community Choice Award” kurse në vitin 2012 “Editor’s Choice” dhe “Beauty Photography Award”, etj.

Natyrisht që kjo ecuri e deritanishme më bën të ndihem mirë, e realizuar por në të njëjtën kohë, më  shtyn që  të  punoj edhe më fort në arritjen e objektivave të  reja. 

  • Ju jeni shprehur se pasioni juaj për fotografinë ka nisur që herët dhe vit pas viti keni eksploruar veten derisa arritët ta kthenit edhe në një profesion. Na thoni me pak fjalë si ka qenë ky rrugëtim për ju? 

Po, e vërtetë. Unë e kam dashur fotografinë që e vogël. Nisa të përfshihem në konkurse fotografie që në vitin 2010, ndërkohë  që merrja pjesë edhe në ekspozita të ndryshme për fotografinë, isha pjesë e shoqatave të fotografëve etj. Pra, ka nisur gjithçka nga pasioni dhe i kam hedhur hapat një nga një për të prekur limite të tjera. 

Ishte viti 2016 dhe ardhja ime në New York që, le të themi, jo vetëm i dha një hov krejtësisht tjetër punës time por edhe bëri që të njihesha me dimensione të tjera të industrisë së fotografisë: nisa të merrem me modën (fashion shows- pasarelat e modës). E gjeta veten të intriguar nga kjo “hapësirë”, e re për mua, rrjedhimisht edhe sfiduese, por aq e nevojshme për karrierën time. 

  • A ka pasur diçka në këtë rrugëtim që ka dalur ndryshe nga çfarë e kishit ‘planifikuar’? 

Le ta themi që ndoshta e kisha menduar pak më të lehtë por, si çdo profesion, edhe puna me fotografinë ka vështirësitë e veta. Je gjithë kohës në lëvizje, nuk ke orare të caktuara, jo gjithnjë kushtet e punës janë “të rehatshme”, të duhet të punosh shpesh në grupe të mëdha etj. Mos të harrojmë se në industri të tilla ka konkurencë të madhe dhe normalisht depërtimi bëhet më i vështirë por, me vendosmëri dhe përkushtim të vazhdueshëm, njeriu e arrin atë që do. 

  • Cila është metoda juaj e punës që të arrini të shkrepni foto sa më cilësore?A mund të na thoni ndonjë ‘sekret’ se si ia bëni të realizoni foto aq të bukura? 

Qëllimi im kryesor është që të shkrep fotografi unike dhe me cilësi të lartë. Përkushtimi i madh dhe i vazhdueshëm do të thoja se është “sekreti” sepse dëshiroj që të përcjell sa më bukur e mirë vlerën e atij momenti. Sa i takon metodës, mundohem të përshtas një të tillë në varësi të llojit/zhanrit fotografik në të cilin jam e angazhuar në atë moment. 

  • E dimë që është pyetje ku përgjigja është e vështirë, por gjithsesi do të dëshironim të dinim se cila është një ndër fotot e juaja të preferuara që keni realizuar ndër vite dhe arsyeja pse?

Po, nuk është e lehtë që të them se kam një fotografi më të preferuar se tjetrën, sepse çdo fotografi është e veçantë në atë mënyrën e vet. Por, nëse më duhet ta zgjedh një, do të thoja se është fotografia me të cilën unë kam marrë pjesë në ekspozitën digjitale në Muzeun e Luvrit në Paris, foto përmes të cilës bëra realitet një ëndërr timen.  Pikërisht kjo eksperiencë ka qenë frymëzim për mua  gjatë rrugëtimit tim në pasionin për fotografinë.  

  • Na flisni pak për projektet e juaja të kohëve të fundit. 


Kam qenë pjesë e eventeve që u zhvilluan së fundmi në New York, siç është “Met Gala“, “Tony Awards“, dhe “Java e Modës”. Këto janë disa evente që unë tashmë marr pjesë në çdo sezon. Fotografitë nga këto evente mund t’i shihni tek faqja ime www.donaphotography.net dhe po ashtu tek platforma digjitale www.hauturely.com ku unë jam fotografe zyrtare. 

Ka disa muaj tashmë që kam hapur studio ku bëj photoshootings, portrete të ndryshme, siç janë portrete për profile biznesi, editoriale, portrete estetike ose siç mund të quhet, fotografia me efekt bokeh etj. Kam gjithashtu projekte të tjera me disa dizajnerë, një ndër to është edhe dizajnerja shqiptare Arta Kallaba. Fotografitë nga ky projekt janë prezantuar në disa revista të ndryshme mode. Së fundmi, kam filluar një bashkëpunim goxha të suksesshëm edhe me fotografin Nik Morina (www.morinaphotography.com) për një sërë projektesh, për të cilat do të shihen frytet e punës së shpejti.

  • Çfarë mesazhi dëshironi t’i përcillni një fotografi/fotografeje që po mendon të kthejë pasionin për fotografinë në një profesion të ardhshëm?

Ta ruajë e ta kultivojë qasjen krijuese, ta mbajë ndezur dëshirën dhe pasionin për fotografinë dhe të punojë fort pa u ndalur. 


Filed Under: Politike

77 VJETORI I PUSHKËS-TOP TË PATRIOTIT TRIM  HAKI TAHA

March 13, 2022 by s p

Nga Ndue Bacaj/

Me 13 mars të vitit 1945 , u mbushen 77 vite kur një krismë pushke që gjemoi më shumë se një top , prishi qetësin  mashtruese të kryeqytetit të Kosoves , Prishtinës. Patrioti 32 vjeçar  Haki Taha  do të vriste Miladin Popoviçin sekretarin krahinore të Partisë Komuniste të Jugosllavise per Kosoven e Rrafshin e Dukagjinit. Miladin Popoviçi ishte  njeri nga shkjetë  themelues dhe  tutor të partisë komuniste shqiptare,  ku  këtë  krijesë antishqiptare  ja kishte berë dhuratë  Enver Hoxhes , në  kembim të Kosoves e më vonë edhe të Shqiperisë që mendohej  të bëhej  Republik e  shtatë e  ish Jugosllavisë.  Miladin Popoviçi ishte edhe një nga ideatoret e masakrave të komunistëve serbo-sllav të ndihmuar edhe nga komunistet shqiptar ,  në luftën  kunder nacionalistëve shqiptar që e donin Kosoven të lirë , të pavarur dhe pa pushtuesit serbo-sllav , si dhe të bashkuar me Shqiperinë…  Atdhetari trim  Haki Taha  nuk mund ta duronte ketë bir shkine të sundonte Kosoven shqiptare… Trimi atdhetar Haki Taha  ishte nga Gjakova, profesionin e mesuesit e kishte fituar në normalen e Elbasanit , ndersa patriotizmin  e kishte të lindur ndër breza dhe të mësuar nga  nëna  që kur  e kishte perkundur në djep duke i kënduar  këngët e trimerisë e atdhedashurisë , për Shqiperinë Etnike dhe Kosovën si truall i lashtë i saj.. Vrasjen e Miladin Popoviçit  e vajtuan jo vetem  jugosllavet, por edhe  Enver Hoxha me shpuren e tij.  Nëse  Jugosllavët e vranë fizikisht Haki Tahen  duke shpikur turlillojë versionesh për vrasjen e tij, shteti komunist në Shqiperi e vrau per të dytën herë, duke e quajtur shovinist  e deri agjent  të huaj (e kur u prishme me jugosllavët edhe agjent të UDB-es) që kishte vrarë  gjoja simbolin e  vëllazërimit  në mes popullit shqiptarë e  atij sllav, që në fakt ishte Miladin Popoviçi ishte simboli  i skllaverimit  të shqiptareve… Në kunderpergjegje të ketij akti patriotik të Haki Tahes , djalit të  nanlokes Kosovë , filosllavi Enver Hoxha  me  vendimin nr.117 të dates 5 shtator 1945  dekoron një serë  antishqiptaresh të terbuar  si Miladin Popoviçin, Aleksandër Rankoviçin etjer… Në nderim e perkujtim të 77 vjetorit të pushkës top të Haki Tahes , por edhe  të fjalës dhe veprës të ketij patrioti e martiri të shqiptarizmit mendova të citoj  disa vargje lapidare  të shkruara si kushtrim nga Haki Tah , gjatë luftes së dytë boterore  (dhe të botuar në  Gazeten Kosova  të datës 01 qershor 1941) :

“…Një tokë që me gjakë  s’laget  s’mbinë liria /

Pra nuk  ka  ç’pret më gjatë  tash djelmënia /

Buria sod  gjithkah të lëshojë  zë  kushtrimi /

Që kush është kosovarë me turrë duhije /

Kah vendi i të parëve çdo djalë trimi  /

Për Kosoven, të  vdesi si i ka hije….”

Këto vargje “amanet” u bënë realitet nga  UÇK-ja dhe  faktorë  të tjerë atdhetarë shqiptarë  dhe ndërkombëtar me në krye SHBA-n.. duke  rikthyer lirinë dhe pavaresinë e këtyre trojeve të stërlashta Iliro-Dardane-shqiptare dhe Europerendimore…  (Vlen të kujohet se edhe sot ka enverist shqiptarë që mundohen të “rrëzojnë” këtë simbol atdhetarie, me anën e shpifjeve sllavo-udbe-iste-komunise, Por siç thoshte Filozofi i madh shqiptarë patër Anton Harapi (edhe ky i martirizuar nga krijesa e M.Popoçit – PKSH), : “ Atdhetarët edhe në  vorr  qendrojnë hijeshem,  pasi  janë gurët e themelit të një binaje  që quhet Shqipni…”.  Padyshim edhe Haki Taha  është njeri nga këta gurë -shkembinjë që qendron hjeshëm në themelet e lirisë e pavaresisë të Kosoves e krejt Shqiperisë Etnike…

Filed Under: Histori

AGRESIONI I RUSISË NDAJ UKRAINËS DHE KRIZA E SHPIRTIT

March 13, 2022 by s p

Xhelal Zejneli/

Që në fillim të veprimit politik të vet, Hitleri zhvilloi një propagandë aktive ndër gjermanët për “vuajtjet dhe kushtet jetësore të tmerrshme” të miliona gjermanëve që jetonin në territorin: 

– e Çekosllovakisë në Sudet (Sudetenland) që përbënin rreth 90% të popullsisë së rajonit;  

– të Sllovakisë dhe të Ukrainës Transkarpate (gjermanët e Karpateve) dhe

– nën shtypjen e popullsisë sllave të vendit.     

Gjermanët jetonin në këtë rajon që nga shekulli XIII kur mbretërit çekë i ftuan ardhacakët që të vendosen në zonat e braktisura në kufijtë e mbretërisë çeke.

Situata nisi të përkeqësohet kur Gjermania filloi t’i mbështesë haptas partitë fashiste në Sudet (Sudetenland). Në zgjedhjet e vitit 1935 fitoi partia kombëtare separatiste e Konrad Henlajn (Konrad Henlein, 1898-1945). Veprimet e tij e acaruan atmosferën në Sudet. Për t’i ulur tensionet në rajon, qeveria çekosllovake u detyrua të marrë masa të caktuara: përfaqësimi i gjermanëve në Kuvendin Popullor, përfshirja në qeverisjen vendore dhe arsimimi në gjuhën e tyre amtare. Por, në prill 1935, partia e Konrad Henlajnit (Henlein) doli me kërkesën për autonominë e rajonit. Formacionet ushtarake të Gjermanisë iu afruan kufirit të Çekosllovakisë. Si kundërpërgjigje, me mbështetjen e BRSS-së dhe të Francës, trupat çekosllovake e vunë Sudetin (Sudetenland) nën kontroll. Midis gjermanëve të Sudetit dhe trupave të qeverisë çekosllovake pasuan një sërë konfliktesh. Bisedimet e 7 shtatorit nuk dhanë rezultat. Hitleri reagoi: “Unë dua paqe, por nëse qeveria çekosllovake nuk i tërheq trupat nga Sudeti, do të ballafaqohet me luftën”. 

Më 15 shtator 1935, Hitleri i thotë kryeministrit britanik Çemberlen (Chamberlain): “Territoret në të cilat jetojnë mbi 50% gjermanë, në bazë të së drejtës së popullit për vetëvendosje,  do t’i bashkëngjiten Gjermanisë”. Çemberleni (Chamberlain) pajtohet me këtë. Garantues të kufirit të ri të Çekosslovakisë janë Britania, më vonë edhe Franca. Më 21 qershor, deputetët e këtyre dy fuqive të mëdha i paralajmërojnë ultimatum qeverisë çekosllovake. Kundër dëshirës së vet, ultimatumin e pranoi kryetari i Çekosllovakisë, Eduard Benesh (Edward Beneš, 1884-1948). Pas kësaj, u paralajmërua grevë e përgjithshme, protesta dhe ndërrim i pushtetit. U paralajmërua edhe mobilizimi i përgjithshëm. Hebrenjtë, çekët dhe antifashistët gjermanë filluan të ikin nga Sudeti. BRSS-ja u tregua e gatshme t’i ndihmojë Çekosllovakisë, ushtarakisht. Polonia ndërhyri duke thënë se nuk do të lejojë që forcat ushtarake të BRSS-së të kalojnë në Çekosllovaki nëpër territorin e saj. Ndihmën e Moskës e refuzoi edhe vetë Çekosllovakia. 

Duke parë mobilizimin e ushtrisë çekosllovake, Hitleri i njoftoi ambasadorët e Anglisë dhe të Francës se është i detyruar të fillojë luftën. 

Më 26 shtator 1938, Fyreri (Führer) deklaron në Berlin: “Po qe se Sudeti deri më 1 tetor nuk i bashkëngjitet Gjermanisë, unë do të jem ushtari i parë gjerman që do të marshojë drejt Çekosllovakisë. Pasi të zgjidhet çështje e Sudetit, nuk do të kemi kërkesa të tjera territoriale në Evropë”. 

Konferenca e Munihut – Kësaj konference i printe lufta e pashpallur midis Gjermanisë naziste dhe Çekosllovakisë, e intensitetit të ulët, që kishte filluar më 17 shtator 1938. Për ta zgjidhur këtë çështje, më 29 shtator 1938, shefat e qeverive të Gjermanisë, të Italisë, të Britanisë së Madhe dhe të Francës – Hitleri, Musolini (Mussolini), Çemberleni (Chamberlain) dhe Daladie (Daladier) u takuan në rezidencën e Hitlerit – Führerbau në Munih (Münich). Konferenca filloi në orën 12.45 minuta. Përfaqësuesve të Çekosllovakisë, nuk iu lejua të ulen në tryezën kryesore, ndërsa BRSS-së nuk iu lejua pjesëmarrja. Fati i Çekosllovakisë u vendos në bisedimet që zgjatën dy ditë, më 29 dhe 30 shtator 1938. Marrëveshjen e Munihut e nënshkruan në mesnatën e 30 shtatorit të vitit 1938 Hitleri, Çemberleni (Chamberlain), Daladie (Daladier) dhe Musolini.

Marrëveshja e Munihut i mundësoi Gjermanisë ta pushtojë Çekosllovakinë. Duke qenë se në Konferencën e Munihut çekosllovakët u shpërfillën, çekët thanë: “Për ne, pa ne”. 

Me t’u kthyer nga Munihu në Londër, në postblloku e aeroportit kryeministri britanik, Çemberleni, deklaroi: “Luftë nuk do të ketë, ia sjell paqen brezit tonë”. (Paqe kohës sonë). Ndërkaq, kryeministri francez Daladie, në aeroportin e Parisit, para të tubuarve brohoriti: “E shpëtuam paqen, e shpëtuam paqen!”

Epilogun e takimit të Munihut, Uinston Çerçili (Winston Churchill, 1874-1965) e vlerësoi krejt ndryshe: “Anglisë i duhej të zgjidhte midis luftës dhe turpit. Për ta fituar luftën, ministrat e saj e zgjodhën turpin”. Çerçili i tha Çemberlenit: “Mos mendoni se ky është fundi. Ky është vetëm fillimi i konfliktit. Është gllënjka e parë. Gota e parë e hidhët që do të na ofrohet nga viti në vit”.  

Kur Gjermania e sulmoi Norvegjinë, Çemberleni dha dorëheqje nga posti i kryeministrit. E zëvendësoi Uinston Çerçili. 

Për Marrëveshjen e Munihut ka pasur mendime të ndryshme. Disa e kanë arsyetuar duke thënë se e ka shpëtuar Evropën nga lufta, ndërsa të tjerë, Konferencën e Munihut e kanë quajtur Tradhtia e Munihut, Komploti i Munihut. 

Ka studiues që thonë: Eduard Daladie mendonte se nuk do të ishte e arsyeshme që Evropa të hyjë në luftë, për t’i mbajtur tre milionë gjermanë nën sovranitetin e Çekosllovakisë”.    

Shprehja “Marrëveshja e Munihut” është shndërruar në metaforë të përpjekjeve  absurde për të përmbushur aspiratat ekspansioniste të shteteve totalitare, me arsyetimin: të shpëtojmë apo të ruajmë paqen.   

Shkrimtari gjerman, laureat i çmimit “Nobel” më 1929, Paul Tomas Man (Paul Thomas Mann, 1875-1955) sulmoi “Evropën, për gatishmërinë e saj për të pranuar robërinë”.

Më 13 mars 1938 Hitleri aneksoi Austrinë (Anschluss). Më 16 mars 1939, Vermahti (Wermacht) gjerman pushtoi pjesën e mbetur të Çekosllovakinë, ndërsa më 1 shtator 1939 Hitleri i ra edhe Polonisë. Pas dy ditëve, Britania dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë. Konflikti mori karakter botëror. Por ky akt i Londrës dhe i Parisit nuk ishte veçse simbolik, ngase Polonia duhej t’i bënte ballë armikut vetë. Zhvillimet e mëvonshme dëshmojnë se Konferenca e Munihut nuk e shpëtoi Evropën nga zjarri i luftës së tmerrshme. Aneksimi i Krimesë nga Rusia më 21 mars 2014, s’ka dallim nga Anshlusi i Austrisë nga Gjermania naziste më 1938.       

Shënim: Adolf Hitler (1889-1945) udhëheqës i nazizmit gjerman, kancelar i Gjermanisë në vitet 1933-1945;  Benito Musolini (Benito Amilcare Andrea Mussolini, 1883-1945) politikan italian, gazetar, prijës Partisë Kombëtare Fashiste, kryeministër i Italisë në vitet 1922-1943; Artur Neville Çemberlen (Artur Neville Chamberlaine, 1869-1940) kryeministër britanik, Eduard Daladie (Édouard Daladier, 1884-1970) kryeministër francez.

*   *   *

Rusia është shteti me territor më të madh në botë. Me numër banorësh, radhitet në vendin e nëntë. Gjatë gjithë historisë së vet, Rusia ka ndjekur politikë ekspansioniste. Me fjalë të tjera, si në epokën cariste, ashtu edhe në periudhën bolshevike apo sovjetike, Rusia ka ndjekur politikë hegjemoniste. Të njëjtën politikë – ekspansioniste dhe hegjemoniste – Rusia ndjek edhe në periudhën postkomuniste. Në asnjë periudhë të vet, Rusia nuk ka qenë shtet demokratik. Pra, edhe në periudhën postsovjetike, Rusia nuk ka mundur të ndërtojë shtet demokratik. Politika dhe ideologjia ruse, është në anën e kundërt të demokracisë. Që nga periudha cariste, e deri në ditët tona, Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë shtet diktatorial dhe totalitar. Diktatoriale dhe totalitare, është edhe Rusia e kohës postkomuniste. Në shekullin XIX shumë intelektualë rusë, përfshi edhe shkrimtarë të caktuar, janë shkolluar në Perëndim apo i kanë vizituar shtetet e Perëndimit. Megjithëkëtë, Rusia ka mbetur kjo që është – nën standardet perëndimore. Në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, Rusia e sotme ndodhet në nivelin e Italisë. Në pikëpamje të zhvillimit ekonomik dhe tekniko-teknologjik, Rusia ndodhet poshtë vendeve të Perëndimit. Gjatë gjithë historisë së vet, cariste, sovjetike apo bolshevike dhe postkomuniste, Rusia i ka kushtuar rëndësi kryesisht zhvillimit të armatimit dhe armatosjes së vet. Një Rusi e tillë, nuk është tërheqëse për shtetet që i ka në afërsi të saj. Madje as për shtetasit e vet. Sipas politikës ruse, pakti NATO ekziston kryesisht kundër Rusisë dhe në shënjestër e ka atë, d.m.th. Rusinë. Rusia pandeh se NATO-ja apo Perëndimi kanë për qëllim ta rrethojë Rusinë nga të katër anët. Shtrirjen e NATO-s në ish vendet e Bashkimit Sovjetik apo në vendet që dikur kanë qenë anëtarë të Traktatit të Varshavës, Rusia e shfrytëzon si pretekst për të ndërmarrë ekspedita ushtarake ndaj vendeve të caktuara që i ka në afërsi. 

Rusia e sotme është shtet gjysmësovjetik. Qëllimi i Putinit është ta rimëkëmbë perandorinë sovjetike, të shpërbërë si pasojë e ngjarjeve në Rusi në periudhën 19 janar 1990 – 31 dhjetor 1991, pas rënies së murit të Berlinit më 9 nëntor 1989. Kryetari i Presidiumit të Sovjetit Suprem të BRSS-së, Leonid Iliç Brezhnev (1906-1982) i cili ishte në krye të Bashkimit Sovjetik në periudhën e  viteve 1964-1982, për shtetet anëtare të Traktatit të Varshavës përdorte termin “sovranitet i kufizuar”. Putini ndërkaq, ia shkon atij. Ai flet për shuarje të sovranitetit. Sipas tij, Ukraina  nuk mund të ketë kurrfarë sovraniteti.       

Pushtimet e Rusisë të viteve të fundit të përkujtojnë pushtimet e Hitlerit në prag të Luftës së Dytë Botërore. Evropa duhet të marrë mësim nga historia. Dikur Hitleri “i çlironte” dhe i aneksonte gjermanët që ndodheshin jashtë kufijve të Gjermanisë. Të njëjtën është duke e bërë edhe Rusia e viteve të fundit, me në krye Vladimir Putinin. Duke “i çliruar” pakicat ruse që jetojnë në shtetet fqinje të Rusisë, Moska në të vërtetë synon të arrijë synimet e veta strategjike me rëndësi gjeopolitike.   

“Çlirimin” dhe aneksimin e rajoneve të banuara me minoritet rusë, Putini shpesh e ka krahasuar dhe e ka arsyetuar me shembullin e Kosovës. Që nga Kriza e madhe lindore (1877-78) e deri më sot, Rusia vepron kundër interesave jetikë të shqiptarëve, vepron në dëm të territoreve të shqiptarëve. Gjatë historisë politike të kohës më të re, Rusia ka mbrojtur interesat e Bullgarisë, të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë – gjithmonë në dëm të shqiptarëve. Më 3 mars 1878, midis Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane u mbajt Paqja e Shën-Stefanit. Të dyja palët nënshkruan Traktatin e Shën-Stefanit. Me vendimet e Shën-Stefanit, krijohej Bullgaria e madhe në dëm të territoreve të shqiptarëve. Në Kongresin e Berlinit të mbajtur më 13 qershor 1878, Rusia mbrojti interesat e sllavëve të Ballkanit, në dëm të territoreve të shqiptarëve. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër të mbajtur më 7 dhjetor 1912 – maj 1913, Rusia përsëri i mbrojti interesat e satelitëve të saj sllavë të gadishullit, gjithmonë në dëm të territoreve të shqiptarëve. Edhe sot, Rusia mbron Serbinë në dëm të Kosovës. Eksponentë të politikës kundër Kosovës, sot janë Putini dhe ministri i Jashtëm rus Sergej Viktoroviç Lavrov (1950-).      

Shënim: Traktati i Shën-Stefanit u nënshkrua në Shën-Stefan (sot Jeshilkej – Yeşilköy), vendbanim në perëndim të Stambollit.

*   *   *

Sipas ShBA-së, Evropës i kanoset rreziku nga Rusia. Pa Amerikën, kontinenti i vjetër nuk mund të mbrohet nga një invadim eventual rus. Sipas Uashingtonit, prania e ShBA-së në Evropë është e domosdoshme. Franca ndërkaq, dëshiron një Evropë Perëndimore që do të ishte jashtë ndikimit amerikan. Për këtë arsye, Parisi parapëlqen që BE-ja të krijojë një ushtri të veten. Mirëpo, Britania dhe Franca janë fuqi bërthamore. Fuqi bërthamore është edhe Rusia, e njohur si Federata Ruse. Një konflikt i drejtpërdrejtë midis dy shteteve bërthamore duket i pamundur. Dy fuqi bërthamore mund të përfshihen në konflikt të armatosur, por në territor të tretë, sikundër ishte rasti në Siri. India dhe Pakistani janë fuqi bërthamore. Ato janë në mosmarrëveshje për Kashmirin. Që kur janë bërë fuqi bërthamore, i shmangen një konflikti të madh. Është e vetëkuptueshme se asnjë fuqi bërthamore nuk do ta lejonte humbjen ushtarake. Duke qenë se Britania dhe Franca janë fuqi bërthamore, atëherë rezulton se një sulm eventual i Rusisë në Evropën Perëndimore duket i pamundur. Bomba bërthamore është armë e luftës pa fitimtarë. 

Si armë ndaj Evropës, Rusia përdor gazin dhe  naftën, por edhe prodhime dhe lëndë të para të tjera. Për sanksionet që dikur ia vendoste Perëndimi Rusisë, Moska përgjigjej me pyetjen retorike: “Ne dëmtohemi prej sanksioneve tuaja, por dëmtoheni edhe ju. Ku do t’i shitni mallrat, nëse jo në tregun e madh rus!?”  

Nuk dihet saktë në është e mundur që Perëndimi t’i japë fund varësisë nga gazi dhe nga nafta ruse dhe të gjejë burime alternative furnizimi. Po qe se një gjë e tillë qenkësh e mundur, atëherë ç’paska pritur Evropa deri më tash. Kjo çështje është dashur të ishte zgjidhur që para 20 apo 30 vjetëve. Dihen raportet historike midis Rusisë, në një anë dhe perëndimit në anën tjetër.    

*   *   *

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë është agresion dhe invadim. Është tendencë për pushtim dhe për nënshtrim. Këtë agresion Moska e quan operacion mbrojtës, operacion  vetëmbrojtës, operacion ushtarak special. Invadimin e Ukrainës nga Rusia, Serbia e ka cilësuar si operacion ushtarak. Serbia është ndër shtetet e rralla të Evropës, në mos i vetmi që s’i ka vënë sanksione Rusisë. Gjithë bota e di se nuk ka hyrë ushtria ukrainase në Rusi, ka hyrë ajo ruse në Ukrainë. Në këtë kohë, me Rusinë janë Bjellorusia, Serbia, Koreja e Veriut, Siria, Eritreja. Mbështetës të Putinit në këtë luftë kundër Ukrainës janë: kryetari i Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko (1954-), kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq (1970-), lideri i Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës,  Millorad Dodik (1959-), kryetari i Sirisë Bashar al-Asad (1965-), kryetari i Koresë së Veriut Kim Jong-un (1984-), kryetari prorus i Çeçenisë Ramzan Kadirov (1976-). Deri më sot, Vuçiqi është takuar me Putinin 19 herë. Meqë Serbia nuk e dënoi sulmin rus mbi Ukrainë, atëherë ajo duhet të hiqet nga lista e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që pretendon BE-në. 

*   *   *

Kombi shqiptar në këtë luftë, u rreshtua në anën e drejtë të historisë. Sulmin rus ndaj Ukrainës e cilësuan si agresion, si invadim dhe si tendencë për pushtim. Propaganda ruse për pjesëmarrjen e mercenarëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova në radhët e ushtrisë ukrainase, është rrenë e kulluar. Ukraina ka 44 milionë banorë, ndaj s’i ka ardhur puna për mercenarë. Sidoqoftë, ka vullnetarë të vendeve të caktuara që thuhet se u janë bashkuar radhëve të luftëtarëve ukrainas. Përkundrazi, mercenarë serbë, sirianë dhe të tjerë luftojnë në radhët e ushtrisë pushtuese ruse. A nuk është për t’u habitur që në radhët e ushtrisë ruse të luftojnë të huajt, kur dihet se Rusia ka 146 milionë banorë. Rusia e pushton Çeçeninë që një ditë t’i mobilizojë dhe t’i rekrutojë djemtë çeçenë për të luftuar për interesa të Moskës. Fausti i Gëtes thotë: “Madje edhe ferri i ka ligjet e veta të çuditshme”.          

Me këtë agresion ushtarak, me këtë invadim, Rusia ka shkelur parimet e përcaktuara pas Luftës së Dytë Botërore, ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Pushtimi i një kombi properëndimor është i pajustifikueshëm. Sulmi ndaj Ukrainës përbën shkelje të sovranitetit, të tërësisë së tokave dhe të të drejtave të njeriut.    

Është e drejtë e popullit të Ukrainës të zgjedhë orientimin e vet: Lindjen bolshevike ruse apo perëndimin e zhvilluar dhe demokratik. Sipas Putinit, rusët dhe ukrainasit na qenkan një popull. Nëse qenkan një popull, atëherë si është e mundur të sulmosh atë popull me tanke dhe raketa, në këtë dimër të acartë!? Të vrasësh fëmijë, të sëmurë, të moshuar, civilë, ushtarë të rinj, t’i detyrosh njerëzit të strehohen nëpër metro, bodrume, vendstrehime, të detyrosh miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e veta, të rrënosh shkolla, spitale, azile pleqsh, t’i lësh pa ujë, pa sasi të mjaftueshme ushqimi, pa energji elektrike, të shkatërrosh infrastrukturën, t’i goditësh me predha ndërtesat. Pasi qenkeni një popull, atëherë si është e mundur t’i detyrosh prindërit të ndahen prej fëmijëve të tyre të vegjël!? 

Këtu kemi të bëjmë me krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe me gjenocid. Është detyrë e Evropës të paguajë çmim për paqen, lirinë dhe demokracinë.                            

Gjatë gjithë historisë, lufta dhe paqja kanë qenë në duart e fuqive të mëdha. Sot është në duart e ShBA-së, të Rusisë, të Kinës, të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë. Është turp për qytetërimet e rruzullit që paqja dhe lufta të jenë në duart e magnatëve, të oligarkëve apo të miliarderëve të botës. Fati i miliona njerëzve, në duart e industrisë së armëve!? Të shpërthejë një luftë e përmasave të këtilla, si kjo e Ukrainës, në Evropën e shekullit XXI, nuk ka sesi të mos duket absurde. 

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës vë në dyshim vlerat e qytetërimeve të sotme. Para këtij invadimi, kanë heshtur filozofia, arti, sociologjia, etika, religjioni. Bota sot, nuk asnjë filozofë si ata të shekullit XIX dhe të mesit të shekullit XX. Sot s’i ke Volterin, Rusonë, Hegelin, Kantin, Shelingun, Fihten, Niçen, Sartrin, Kamynë, Jaspersin, Hajdegerin, Markuzen. Që nga gjysma e dytë e shekullit XX e këndej, romani në Evropë ka vdekur. Sot s’ke një Gëte, Balzak, Hygo, Zola, Dostojevski, Bodler, Xhojs, Beket, Zhid, Sartrë, Kamy, Tomas Man, Hemiguej, Markez. Kuptohet, luftëra ka pasur edhe në kohën e tyre, por ata të paktën e kanë ngritur zërin e protestës. Nobelistë ke sa të duash, por s’u dëgjohet zëri. Madje, ndonjërin prej tyre, askush s’i përfill. Nobelistë ke edhe në lëmin e shkencës, dijetarë, shpikës. Edhe këta kanë heshtur. 

Vendin e filozofëve dhe të shkrimtarëve të mëdhenj të historisë, e kanë zënë sot do politikanë të Evropës dhe të mbarë botës, që nuk shquhen për burra shteti. Kjo flet se bota ndodhet në krizë shpirti.  

Në krye të luftës së përgjakshme në Ukrainë ndodhet Putini, personi me të cilin vite me radhë janë takuar shumë politikanë të botës, burra shteti, kryetarë shtetesh, kancelarë, kryeministra, në mos dhe mbretër e sulltanë. Janë takuar dhe ia kanë shtrënguar dorën, madje edhe janë marrë ngrykë. Karakteri i këtij stalinisti të përbetuar duhet studiuar me metodën psikanalizës. Ç’të mire pret prej një udhëheqësi të një fuqie të madhe i cili s’lë dot konferencë shtypi pa e përmendur Kosovën e vogël, i cili i bie gjoksit se vendi i tij është fuqi bërthamore. Asnjë interes dhe e asnjërës palë, qoftë ekonomik, qoftë strategjik apo gjeopolitik, nuk e arsyeton tragjedinë e Ukrainës. 

Burra shteti të botës u takuan me tiranin, despotin, militarin, autokratin, autoritarin, diktatorin Putin, edhe pse ky e kishte sulmuar Gjeorgjinë dhe ia kishte pushtuar Osetinë Jugore dhe Abhazinë; e kishte pushtuar dhe e kishte aneksuar Krimenë; i kishte mbështetur rebelët prorusë në lindje të Ukrainës dhe kishte i krijuar të ashtuquajturat Republika Popullore e Donjeckës dhe Republika Popullore e Luganskës. kishte ndërhyrë në Moldavi për të krijuar Pridnjestrovlen, kishte ndërhyrë në Nagorno-Karabah në Azerbajxhan. Në planin e brendshëm, e kishte shuar zërin e opozitës, e kishte vrarë politikanin liberal Boris Njemcov (1959-2015), e kishte burgosur liderin e opozitës ruse Aleksej Navalni (1976-), kishte vënë nën kontroll mediumet … 

Putini është shkaktari kryesor i mosmbylljes së statusit të Kosovës. Ai i thotë Vuçiqit: “Për Kosovën mos lësho pe. Kërkoje edhe të pamundurën. Unë qëndroj pas teje. Rusia jam unë”. Rusia e Putinit punoi me të madhe për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga vende të caktuara që tanimë e kishin njohur. Rusia punoi pandërprerë për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Vitet e fundit Rusia vazhdimisht e ka armatosur Serbinë, duke rrezikuar me këtë sjellje paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. Moska i thotë Beogradit: “Kur mos e prano pavarësinë e Kosovës”. Nga kjo del se dialogu i deritashëm midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel ka qenë punë Sizifi. Një diplomat anglez i tha Putinit me ironi: “Meqë çdo pushtim në afërsi të Rusisë e arsyeton duke marrë si pretekst Kosovën, atëherë përse nuk e njeh pavarësinë saj”.          

Në shekullin XXI, problemet e botës duhet të zgjidhen në mënyrë racionale dhe jo militare. 

Kush pëson, kush vritet nëpër luftëra? Vriten njerëzit e rëndomtë, kryesisht shtresat e ulëta të shoqërisë, punëtorët, fshatarët, bijtë e punëtorëve dhe të fshatarëve, pësojnë, vriten të papunët, të varfrit, skamnorët. Të kamurit dhe bijtë e bijat e tyre, me gojën plot atdhetarizëm, zbaviten, argëtohen nëpër vendet ezoterikë të botës. Është rrëqethëse, e dhimbshme të rekrutosh e të mobilizosh djem të rinj 18-vjeçarë dhe t’i dërgosh nëpër fushëbeteja. 

Midis paqes dhe agresionit rus askush nuk mund të qëndrojë asnjanës (neutral). Pretendimet imperialiste ruse dhe kursi ekspansionist i Kremlit do të dështojnë. E keqja mbi të mirën s’ka për të fituar. As terri mbi dritën. Diktatura mbi demokracinë dhe robëria mbi lirinë kurrë s’kanë për të ngadhënjyer. Para sanksioneve të botës së lirë, Rusia do të gjunjëzohet dhe do të dorëzohet. Qëndresa prometeane e Volodimir Zelenskit (Volodymyr Zelenskyy, 1978-) do të triumfojë mbi Zotin e luftës.    

Putini do të marrë mësim nga gjenerali, i cili, i shoqëruar nga një prift, kishte ardhur në malet e Shqipërisë për t’i mbledhur kockat e ushtarëve të vet të vrarë. I kishte futur nëpër thasë najloni dhe me të mbërritur në vendin e vet, i kishte hedhur para këmbëve të prindërve të trishtuar.                            

Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2358
  • 2359
  • 2360
  • 2361
  • 2362
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT