• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

77 VJETORI I PUSHKËS-TOP TË PATRIOTIT TRIM  HAKI TAHA

March 13, 2022 by s p

Nga Ndue Bacaj/

Me 13 mars të vitit 1945 , u mbushen 77 vite kur një krismë pushke që gjemoi më shumë se një top , prishi qetësin  mashtruese të kryeqytetit të Kosoves , Prishtinës. Patrioti 32 vjeçar  Haki Taha  do të vriste Miladin Popoviçin sekretarin krahinore të Partisë Komuniste të Jugosllavise per Kosoven e Rrafshin e Dukagjinit. Miladin Popoviçi ishte  njeri nga shkjetë  themelues dhe  tutor të partisë komuniste shqiptare,  ku  këtë  krijesë antishqiptare  ja kishte berë dhuratë  Enver Hoxhes , në  kembim të Kosoves e më vonë edhe të Shqiperisë që mendohej  të bëhej  Republik e  shtatë e  ish Jugosllavisë.  Miladin Popoviçi ishte edhe një nga ideatoret e masakrave të komunistëve serbo-sllav të ndihmuar edhe nga komunistet shqiptar ,  në luftën  kunder nacionalistëve shqiptar që e donin Kosoven të lirë , të pavarur dhe pa pushtuesit serbo-sllav , si dhe të bashkuar me Shqiperinë…  Atdhetari trim  Haki Taha  nuk mund ta duronte ketë bir shkine të sundonte Kosoven shqiptare… Trimi atdhetar Haki Taha  ishte nga Gjakova, profesionin e mesuesit e kishte fituar në normalen e Elbasanit , ndersa patriotizmin  e kishte të lindur ndër breza dhe të mësuar nga  nëna  që kur  e kishte perkundur në djep duke i kënduar  këngët e trimerisë e atdhedashurisë , për Shqiperinë Etnike dhe Kosovën si truall i lashtë i saj.. Vrasjen e Miladin Popoviçit  e vajtuan jo vetem  jugosllavet, por edhe  Enver Hoxha me shpuren e tij.  Nëse  Jugosllavët e vranë fizikisht Haki Tahen  duke shpikur turlillojë versionesh për vrasjen e tij, shteti komunist në Shqiperi e vrau per të dytën herë, duke e quajtur shovinist  e deri agjent  të huaj (e kur u prishme me jugosllavët edhe agjent të UDB-es) që kishte vrarë  gjoja simbolin e  vëllazërimit  në mes popullit shqiptarë e  atij sllav, që në fakt ishte Miladin Popoviçi ishte simboli  i skllaverimit  të shqiptareve… Në kunderpergjegje të ketij akti patriotik të Haki Tahes , djalit të  nanlokes Kosovë , filosllavi Enver Hoxha  me  vendimin nr.117 të dates 5 shtator 1945  dekoron një serë  antishqiptaresh të terbuar  si Miladin Popoviçin, Aleksandër Rankoviçin etjer… Në nderim e perkujtim të 77 vjetorit të pushkës top të Haki Tahes , por edhe  të fjalës dhe veprës të ketij patrioti e martiri të shqiptarizmit mendova të citoj  disa vargje lapidare  të shkruara si kushtrim nga Haki Tah , gjatë luftes së dytë boterore  (dhe të botuar në  Gazeten Kosova  të datës 01 qershor 1941) :

“…Një tokë që me gjakë  s’laget  s’mbinë liria /

Pra nuk  ka  ç’pret më gjatë  tash djelmënia /

Buria sod  gjithkah të lëshojë  zë  kushtrimi /

Që kush është kosovarë me turrë duhije /

Kah vendi i të parëve çdo djalë trimi  /

Për Kosoven, të  vdesi si i ka hije….”

Këto vargje “amanet” u bënë realitet nga  UÇK-ja dhe  faktorë  të tjerë atdhetarë shqiptarë  dhe ndërkombëtar me në krye SHBA-n.. duke  rikthyer lirinë dhe pavaresinë e këtyre trojeve të stërlashta Iliro-Dardane-shqiptare dhe Europerendimore…  (Vlen të kujohet se edhe sot ka enverist shqiptarë që mundohen të “rrëzojnë” këtë simbol atdhetarie, me anën e shpifjeve sllavo-udbe-iste-komunise, Por siç thoshte Filozofi i madh shqiptarë patër Anton Harapi (edhe ky i martirizuar nga krijesa e M.Popoçit – PKSH), : “ Atdhetarët edhe në  vorr  qendrojnë hijeshem,  pasi  janë gurët e themelit të një binaje  që quhet Shqipni…”.  Padyshim edhe Haki Taha  është njeri nga këta gurë -shkembinjë që qendron hjeshëm në themelet e lirisë e pavaresisë të Kosoves e krejt Shqiperisë Etnike…

Filed Under: Histori

AGRESIONI I RUSISË NDAJ UKRAINËS DHE KRIZA E SHPIRTIT

March 13, 2022 by s p

Xhelal Zejneli/

Që në fillim të veprimit politik të vet, Hitleri zhvilloi një propagandë aktive ndër gjermanët për “vuajtjet dhe kushtet jetësore të tmerrshme” të miliona gjermanëve që jetonin në territorin: 

– e Çekosllovakisë në Sudet (Sudetenland) që përbënin rreth 90% të popullsisë së rajonit;  

– të Sllovakisë dhe të Ukrainës Transkarpate (gjermanët e Karpateve) dhe

– nën shtypjen e popullsisë sllave të vendit.     

Gjermanët jetonin në këtë rajon që nga shekulli XIII kur mbretërit çekë i ftuan ardhacakët që të vendosen në zonat e braktisura në kufijtë e mbretërisë çeke.

Situata nisi të përkeqësohet kur Gjermania filloi t’i mbështesë haptas partitë fashiste në Sudet (Sudetenland). Në zgjedhjet e vitit 1935 fitoi partia kombëtare separatiste e Konrad Henlajn (Konrad Henlein, 1898-1945). Veprimet e tij e acaruan atmosferën në Sudet. Për t’i ulur tensionet në rajon, qeveria çekosllovake u detyrua të marrë masa të caktuara: përfaqësimi i gjermanëve në Kuvendin Popullor, përfshirja në qeverisjen vendore dhe arsimimi në gjuhën e tyre amtare. Por, në prill 1935, partia e Konrad Henlajnit (Henlein) doli me kërkesën për autonominë e rajonit. Formacionet ushtarake të Gjermanisë iu afruan kufirit të Çekosllovakisë. Si kundërpërgjigje, me mbështetjen e BRSS-së dhe të Francës, trupat çekosllovake e vunë Sudetin (Sudetenland) nën kontroll. Midis gjermanëve të Sudetit dhe trupave të qeverisë çekosllovake pasuan një sërë konfliktesh. Bisedimet e 7 shtatorit nuk dhanë rezultat. Hitleri reagoi: “Unë dua paqe, por nëse qeveria çekosllovake nuk i tërheq trupat nga Sudeti, do të ballafaqohet me luftën”. 

Më 15 shtator 1935, Hitleri i thotë kryeministrit britanik Çemberlen (Chamberlain): “Territoret në të cilat jetojnë mbi 50% gjermanë, në bazë të së drejtës së popullit për vetëvendosje,  do t’i bashkëngjiten Gjermanisë”. Çemberleni (Chamberlain) pajtohet me këtë. Garantues të kufirit të ri të Çekosslovakisë janë Britania, më vonë edhe Franca. Më 21 qershor, deputetët e këtyre dy fuqive të mëdha i paralajmërojnë ultimatum qeverisë çekosllovake. Kundër dëshirës së vet, ultimatumin e pranoi kryetari i Çekosllovakisë, Eduard Benesh (Edward Beneš, 1884-1948). Pas kësaj, u paralajmërua grevë e përgjithshme, protesta dhe ndërrim i pushtetit. U paralajmërua edhe mobilizimi i përgjithshëm. Hebrenjtë, çekët dhe antifashistët gjermanë filluan të ikin nga Sudeti. BRSS-ja u tregua e gatshme t’i ndihmojë Çekosllovakisë, ushtarakisht. Polonia ndërhyri duke thënë se nuk do të lejojë që forcat ushtarake të BRSS-së të kalojnë në Çekosllovaki nëpër territorin e saj. Ndihmën e Moskës e refuzoi edhe vetë Çekosllovakia. 

Duke parë mobilizimin e ushtrisë çekosllovake, Hitleri i njoftoi ambasadorët e Anglisë dhe të Francës se është i detyruar të fillojë luftën. 

Më 26 shtator 1938, Fyreri (Führer) deklaron në Berlin: “Po qe se Sudeti deri më 1 tetor nuk i bashkëngjitet Gjermanisë, unë do të jem ushtari i parë gjerman që do të marshojë drejt Çekosllovakisë. Pasi të zgjidhet çështje e Sudetit, nuk do të kemi kërkesa të tjera territoriale në Evropë”. 

Konferenca e Munihut – Kësaj konference i printe lufta e pashpallur midis Gjermanisë naziste dhe Çekosllovakisë, e intensitetit të ulët, që kishte filluar më 17 shtator 1938. Për ta zgjidhur këtë çështje, më 29 shtator 1938, shefat e qeverive të Gjermanisë, të Italisë, të Britanisë së Madhe dhe të Francës – Hitleri, Musolini (Mussolini), Çemberleni (Chamberlain) dhe Daladie (Daladier) u takuan në rezidencën e Hitlerit – Führerbau në Munih (Münich). Konferenca filloi në orën 12.45 minuta. Përfaqësuesve të Çekosllovakisë, nuk iu lejua të ulen në tryezën kryesore, ndërsa BRSS-së nuk iu lejua pjesëmarrja. Fati i Çekosllovakisë u vendos në bisedimet që zgjatën dy ditë, më 29 dhe 30 shtator 1938. Marrëveshjen e Munihut e nënshkruan në mesnatën e 30 shtatorit të vitit 1938 Hitleri, Çemberleni (Chamberlain), Daladie (Daladier) dhe Musolini.

Marrëveshja e Munihut i mundësoi Gjermanisë ta pushtojë Çekosllovakinë. Duke qenë se në Konferencën e Munihut çekosllovakët u shpërfillën, çekët thanë: “Për ne, pa ne”. 

Me t’u kthyer nga Munihu në Londër, në postblloku e aeroportit kryeministri britanik, Çemberleni, deklaroi: “Luftë nuk do të ketë, ia sjell paqen brezit tonë”. (Paqe kohës sonë). Ndërkaq, kryeministri francez Daladie, në aeroportin e Parisit, para të tubuarve brohoriti: “E shpëtuam paqen, e shpëtuam paqen!”

Epilogun e takimit të Munihut, Uinston Çerçili (Winston Churchill, 1874-1965) e vlerësoi krejt ndryshe: “Anglisë i duhej të zgjidhte midis luftës dhe turpit. Për ta fituar luftën, ministrat e saj e zgjodhën turpin”. Çerçili i tha Çemberlenit: “Mos mendoni se ky është fundi. Ky është vetëm fillimi i konfliktit. Është gllënjka e parë. Gota e parë e hidhët që do të na ofrohet nga viti në vit”.  

Kur Gjermania e sulmoi Norvegjinë, Çemberleni dha dorëheqje nga posti i kryeministrit. E zëvendësoi Uinston Çerçili. 

Për Marrëveshjen e Munihut ka pasur mendime të ndryshme. Disa e kanë arsyetuar duke thënë se e ka shpëtuar Evropën nga lufta, ndërsa të tjerë, Konferencën e Munihut e kanë quajtur Tradhtia e Munihut, Komploti i Munihut. 

Ka studiues që thonë: Eduard Daladie mendonte se nuk do të ishte e arsyeshme që Evropa të hyjë në luftë, për t’i mbajtur tre milionë gjermanë nën sovranitetin e Çekosllovakisë”.    

Shprehja “Marrëveshja e Munihut” është shndërruar në metaforë të përpjekjeve  absurde për të përmbushur aspiratat ekspansioniste të shteteve totalitare, me arsyetimin: të shpëtojmë apo të ruajmë paqen.   

Shkrimtari gjerman, laureat i çmimit “Nobel” më 1929, Paul Tomas Man (Paul Thomas Mann, 1875-1955) sulmoi “Evropën, për gatishmërinë e saj për të pranuar robërinë”.

Më 13 mars 1938 Hitleri aneksoi Austrinë (Anschluss). Më 16 mars 1939, Vermahti (Wermacht) gjerman pushtoi pjesën e mbetur të Çekosllovakinë, ndërsa më 1 shtator 1939 Hitleri i ra edhe Polonisë. Pas dy ditëve, Britania dhe Franca i shpallën luftë Gjermanisë. Konflikti mori karakter botëror. Por ky akt i Londrës dhe i Parisit nuk ishte veçse simbolik, ngase Polonia duhej t’i bënte ballë armikut vetë. Zhvillimet e mëvonshme dëshmojnë se Konferenca e Munihut nuk e shpëtoi Evropën nga zjarri i luftës së tmerrshme. Aneksimi i Krimesë nga Rusia më 21 mars 2014, s’ka dallim nga Anshlusi i Austrisë nga Gjermania naziste më 1938.       

Shënim: Adolf Hitler (1889-1945) udhëheqës i nazizmit gjerman, kancelar i Gjermanisë në vitet 1933-1945;  Benito Musolini (Benito Amilcare Andrea Mussolini, 1883-1945) politikan italian, gazetar, prijës Partisë Kombëtare Fashiste, kryeministër i Italisë në vitet 1922-1943; Artur Neville Çemberlen (Artur Neville Chamberlaine, 1869-1940) kryeministër britanik, Eduard Daladie (Édouard Daladier, 1884-1970) kryeministër francez.

*   *   *

Rusia është shteti me territor më të madh në botë. Me numër banorësh, radhitet në vendin e nëntë. Gjatë gjithë historisë së vet, Rusia ka ndjekur politikë ekspansioniste. Me fjalë të tjera, si në epokën cariste, ashtu edhe në periudhën bolshevike apo sovjetike, Rusia ka ndjekur politikë hegjemoniste. Të njëjtën politikë – ekspansioniste dhe hegjemoniste – Rusia ndjek edhe në periudhën postkomuniste. Në asnjë periudhë të vet, Rusia nuk ka qenë shtet demokratik. Pra, edhe në periudhën postsovjetike, Rusia nuk ka mundur të ndërtojë shtet demokratik. Politika dhe ideologjia ruse, është në anën e kundërt të demokracisë. Që nga periudha cariste, e deri në ditët tona, Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë shtet diktatorial dhe totalitar. Diktatoriale dhe totalitare, është edhe Rusia e kohës postkomuniste. Në shekullin XIX shumë intelektualë rusë, përfshi edhe shkrimtarë të caktuar, janë shkolluar në Perëndim apo i kanë vizituar shtetet e Perëndimit. Megjithëkëtë, Rusia ka mbetur kjo që është – nën standardet perëndimore. Në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, Rusia e sotme ndodhet në nivelin e Italisë. Në pikëpamje të zhvillimit ekonomik dhe tekniko-teknologjik, Rusia ndodhet poshtë vendeve të Perëndimit. Gjatë gjithë historisë së vet, cariste, sovjetike apo bolshevike dhe postkomuniste, Rusia i ka kushtuar rëndësi kryesisht zhvillimit të armatimit dhe armatosjes së vet. Një Rusi e tillë, nuk është tërheqëse për shtetet që i ka në afërsi të saj. Madje as për shtetasit e vet. Sipas politikës ruse, pakti NATO ekziston kryesisht kundër Rusisë dhe në shënjestër e ka atë, d.m.th. Rusinë. Rusia pandeh se NATO-ja apo Perëndimi kanë për qëllim ta rrethojë Rusinë nga të katër anët. Shtrirjen e NATO-s në ish vendet e Bashkimit Sovjetik apo në vendet që dikur kanë qenë anëtarë të Traktatit të Varshavës, Rusia e shfrytëzon si pretekst për të ndërmarrë ekspedita ushtarake ndaj vendeve të caktuara që i ka në afërsi. 

Rusia e sotme është shtet gjysmësovjetik. Qëllimi i Putinit është ta rimëkëmbë perandorinë sovjetike, të shpërbërë si pasojë e ngjarjeve në Rusi në periudhën 19 janar 1990 – 31 dhjetor 1991, pas rënies së murit të Berlinit më 9 nëntor 1989. Kryetari i Presidiumit të Sovjetit Suprem të BRSS-së, Leonid Iliç Brezhnev (1906-1982) i cili ishte në krye të Bashkimit Sovjetik në periudhën e  viteve 1964-1982, për shtetet anëtare të Traktatit të Varshavës përdorte termin “sovranitet i kufizuar”. Putini ndërkaq, ia shkon atij. Ai flet për shuarje të sovranitetit. Sipas tij, Ukraina  nuk mund të ketë kurrfarë sovraniteti.       

Pushtimet e Rusisë të viteve të fundit të përkujtojnë pushtimet e Hitlerit në prag të Luftës së Dytë Botërore. Evropa duhet të marrë mësim nga historia. Dikur Hitleri “i çlironte” dhe i aneksonte gjermanët që ndodheshin jashtë kufijve të Gjermanisë. Të njëjtën është duke e bërë edhe Rusia e viteve të fundit, me në krye Vladimir Putinin. Duke “i çliruar” pakicat ruse që jetojnë në shtetet fqinje të Rusisë, Moska në të vërtetë synon të arrijë synimet e veta strategjike me rëndësi gjeopolitike.   

“Çlirimin” dhe aneksimin e rajoneve të banuara me minoritet rusë, Putini shpesh e ka krahasuar dhe e ka arsyetuar me shembullin e Kosovës. Që nga Kriza e madhe lindore (1877-78) e deri më sot, Rusia vepron kundër interesave jetikë të shqiptarëve, vepron në dëm të territoreve të shqiptarëve. Gjatë historisë politike të kohës më të re, Rusia ka mbrojtur interesat e Bullgarisë, të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë – gjithmonë në dëm të shqiptarëve. Më 3 mars 1878, midis Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane u mbajt Paqja e Shën-Stefanit. Të dyja palët nënshkruan Traktatin e Shën-Stefanit. Me vendimet e Shën-Stefanit, krijohej Bullgaria e madhe në dëm të territoreve të shqiptarëve. Në Kongresin e Berlinit të mbajtur më 13 qershor 1878, Rusia mbrojti interesat e sllavëve të Ballkanit, në dëm të territoreve të shqiptarëve. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër të mbajtur më 7 dhjetor 1912 – maj 1913, Rusia përsëri i mbrojti interesat e satelitëve të saj sllavë të gadishullit, gjithmonë në dëm të territoreve të shqiptarëve. Edhe sot, Rusia mbron Serbinë në dëm të Kosovës. Eksponentë të politikës kundër Kosovës, sot janë Putini dhe ministri i Jashtëm rus Sergej Viktoroviç Lavrov (1950-).      

Shënim: Traktati i Shën-Stefanit u nënshkrua në Shën-Stefan (sot Jeshilkej – Yeşilköy), vendbanim në perëndim të Stambollit.

*   *   *

Sipas ShBA-së, Evropës i kanoset rreziku nga Rusia. Pa Amerikën, kontinenti i vjetër nuk mund të mbrohet nga një invadim eventual rus. Sipas Uashingtonit, prania e ShBA-së në Evropë është e domosdoshme. Franca ndërkaq, dëshiron një Evropë Perëndimore që do të ishte jashtë ndikimit amerikan. Për këtë arsye, Parisi parapëlqen që BE-ja të krijojë një ushtri të veten. Mirëpo, Britania dhe Franca janë fuqi bërthamore. Fuqi bërthamore është edhe Rusia, e njohur si Federata Ruse. Një konflikt i drejtpërdrejtë midis dy shteteve bërthamore duket i pamundur. Dy fuqi bërthamore mund të përfshihen në konflikt të armatosur, por në territor të tretë, sikundër ishte rasti në Siri. India dhe Pakistani janë fuqi bërthamore. Ato janë në mosmarrëveshje për Kashmirin. Që kur janë bërë fuqi bërthamore, i shmangen një konflikti të madh. Është e vetëkuptueshme se asnjë fuqi bërthamore nuk do ta lejonte humbjen ushtarake. Duke qenë se Britania dhe Franca janë fuqi bërthamore, atëherë rezulton se një sulm eventual i Rusisë në Evropën Perëndimore duket i pamundur. Bomba bërthamore është armë e luftës pa fitimtarë. 

Si armë ndaj Evropës, Rusia përdor gazin dhe  naftën, por edhe prodhime dhe lëndë të para të tjera. Për sanksionet që dikur ia vendoste Perëndimi Rusisë, Moska përgjigjej me pyetjen retorike: “Ne dëmtohemi prej sanksioneve tuaja, por dëmtoheni edhe ju. Ku do t’i shitni mallrat, nëse jo në tregun e madh rus!?”  

Nuk dihet saktë në është e mundur që Perëndimi t’i japë fund varësisë nga gazi dhe nga nafta ruse dhe të gjejë burime alternative furnizimi. Po qe se një gjë e tillë qenkësh e mundur, atëherë ç’paska pritur Evropa deri më tash. Kjo çështje është dashur të ishte zgjidhur që para 20 apo 30 vjetëve. Dihen raportet historike midis Rusisë, në një anë dhe perëndimit në anën tjetër.    

*   *   *

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë është agresion dhe invadim. Është tendencë për pushtim dhe për nënshtrim. Këtë agresion Moska e quan operacion mbrojtës, operacion  vetëmbrojtës, operacion ushtarak special. Invadimin e Ukrainës nga Rusia, Serbia e ka cilësuar si operacion ushtarak. Serbia është ndër shtetet e rralla të Evropës, në mos i vetmi që s’i ka vënë sanksione Rusisë. Gjithë bota e di se nuk ka hyrë ushtria ukrainase në Rusi, ka hyrë ajo ruse në Ukrainë. Në këtë kohë, me Rusinë janë Bjellorusia, Serbia, Koreja e Veriut, Siria, Eritreja. Mbështetës të Putinit në këtë luftë kundër Ukrainës janë: kryetari i Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko (1954-), kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq (1970-), lideri i Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës,  Millorad Dodik (1959-), kryetari i Sirisë Bashar al-Asad (1965-), kryetari i Koresë së Veriut Kim Jong-un (1984-), kryetari prorus i Çeçenisë Ramzan Kadirov (1976-). Deri më sot, Vuçiqi është takuar me Putinin 19 herë. Meqë Serbia nuk e dënoi sulmin rus mbi Ukrainë, atëherë ajo duhet të hiqet nga lista e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që pretendon BE-në. 

*   *   *

Kombi shqiptar në këtë luftë, u rreshtua në anën e drejtë të historisë. Sulmin rus ndaj Ukrainës e cilësuan si agresion, si invadim dhe si tendencë për pushtim. Propaganda ruse për pjesëmarrjen e mercenarëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova në radhët e ushtrisë ukrainase, është rrenë e kulluar. Ukraina ka 44 milionë banorë, ndaj s’i ka ardhur puna për mercenarë. Sidoqoftë, ka vullnetarë të vendeve të caktuara që thuhet se u janë bashkuar radhëve të luftëtarëve ukrainas. Përkundrazi, mercenarë serbë, sirianë dhe të tjerë luftojnë në radhët e ushtrisë pushtuese ruse. A nuk është për t’u habitur që në radhët e ushtrisë ruse të luftojnë të huajt, kur dihet se Rusia ka 146 milionë banorë. Rusia e pushton Çeçeninë që një ditë t’i mobilizojë dhe t’i rekrutojë djemtë çeçenë për të luftuar për interesa të Moskës. Fausti i Gëtes thotë: “Madje edhe ferri i ka ligjet e veta të çuditshme”.          

Me këtë agresion ushtarak, me këtë invadim, Rusia ka shkelur parimet e përcaktuara pas Luftës së Dytë Botërore, ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Pushtimi i një kombi properëndimor është i pajustifikueshëm. Sulmi ndaj Ukrainës përbën shkelje të sovranitetit, të tërësisë së tokave dhe të të drejtave të njeriut.    

Është e drejtë e popullit të Ukrainës të zgjedhë orientimin e vet: Lindjen bolshevike ruse apo perëndimin e zhvilluar dhe demokratik. Sipas Putinit, rusët dhe ukrainasit na qenkan një popull. Nëse qenkan një popull, atëherë si është e mundur të sulmosh atë popull me tanke dhe raketa, në këtë dimër të acartë!? Të vrasësh fëmijë, të sëmurë, të moshuar, civilë, ushtarë të rinj, t’i detyrosh njerëzit të strehohen nëpër metro, bodrume, vendstrehime, të detyrosh miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e veta, të rrënosh shkolla, spitale, azile pleqsh, t’i lësh pa ujë, pa sasi të mjaftueshme ushqimi, pa energji elektrike, të shkatërrosh infrastrukturën, t’i goditësh me predha ndërtesat. Pasi qenkeni një popull, atëherë si është e mundur t’i detyrosh prindërit të ndahen prej fëmijëve të tyre të vegjël!? 

Këtu kemi të bëjmë me krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe me gjenocid. Është detyrë e Evropës të paguajë çmim për paqen, lirinë dhe demokracinë.                            

Gjatë gjithë historisë, lufta dhe paqja kanë qenë në duart e fuqive të mëdha. Sot është në duart e ShBA-së, të Rusisë, të Kinës, të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë. Është turp për qytetërimet e rruzullit që paqja dhe lufta të jenë në duart e magnatëve, të oligarkëve apo të miliarderëve të botës. Fati i miliona njerëzve, në duart e industrisë së armëve!? Të shpërthejë një luftë e përmasave të këtilla, si kjo e Ukrainës, në Evropën e shekullit XXI, nuk ka sesi të mos duket absurde. 

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës vë në dyshim vlerat e qytetërimeve të sotme. Para këtij invadimi, kanë heshtur filozofia, arti, sociologjia, etika, religjioni. Bota sot, nuk asnjë filozofë si ata të shekullit XIX dhe të mesit të shekullit XX. Sot s’i ke Volterin, Rusonë, Hegelin, Kantin, Shelingun, Fihten, Niçen, Sartrin, Kamynë, Jaspersin, Hajdegerin, Markuzen. Që nga gjysma e dytë e shekullit XX e këndej, romani në Evropë ka vdekur. Sot s’ke një Gëte, Balzak, Hygo, Zola, Dostojevski, Bodler, Xhojs, Beket, Zhid, Sartrë, Kamy, Tomas Man, Hemiguej, Markez. Kuptohet, luftëra ka pasur edhe në kohën e tyre, por ata të paktën e kanë ngritur zërin e protestës. Nobelistë ke sa të duash, por s’u dëgjohet zëri. Madje, ndonjërin prej tyre, askush s’i përfill. Nobelistë ke edhe në lëmin e shkencës, dijetarë, shpikës. Edhe këta kanë heshtur. 

Vendin e filozofëve dhe të shkrimtarëve të mëdhenj të historisë, e kanë zënë sot do politikanë të Evropës dhe të mbarë botës, që nuk shquhen për burra shteti. Kjo flet se bota ndodhet në krizë shpirti.  

Në krye të luftës së përgjakshme në Ukrainë ndodhet Putini, personi me të cilin vite me radhë janë takuar shumë politikanë të botës, burra shteti, kryetarë shtetesh, kancelarë, kryeministra, në mos dhe mbretër e sulltanë. Janë takuar dhe ia kanë shtrënguar dorën, madje edhe janë marrë ngrykë. Karakteri i këtij stalinisti të përbetuar duhet studiuar me metodën psikanalizës. Ç’të mire pret prej një udhëheqësi të një fuqie të madhe i cili s’lë dot konferencë shtypi pa e përmendur Kosovën e vogël, i cili i bie gjoksit se vendi i tij është fuqi bërthamore. Asnjë interes dhe e asnjërës palë, qoftë ekonomik, qoftë strategjik apo gjeopolitik, nuk e arsyeton tragjedinë e Ukrainës. 

Burra shteti të botës u takuan me tiranin, despotin, militarin, autokratin, autoritarin, diktatorin Putin, edhe pse ky e kishte sulmuar Gjeorgjinë dhe ia kishte pushtuar Osetinë Jugore dhe Abhazinë; e kishte pushtuar dhe e kishte aneksuar Krimenë; i kishte mbështetur rebelët prorusë në lindje të Ukrainës dhe kishte i krijuar të ashtuquajturat Republika Popullore e Donjeckës dhe Republika Popullore e Luganskës. kishte ndërhyrë në Moldavi për të krijuar Pridnjestrovlen, kishte ndërhyrë në Nagorno-Karabah në Azerbajxhan. Në planin e brendshëm, e kishte shuar zërin e opozitës, e kishte vrarë politikanin liberal Boris Njemcov (1959-2015), e kishte burgosur liderin e opozitës ruse Aleksej Navalni (1976-), kishte vënë nën kontroll mediumet … 

Putini është shkaktari kryesor i mosmbylljes së statusit të Kosovës. Ai i thotë Vuçiqit: “Për Kosovën mos lësho pe. Kërkoje edhe të pamundurën. Unë qëndroj pas teje. Rusia jam unë”. Rusia e Putinit punoi me të madhe për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga vende të caktuara që tanimë e kishin njohur. Rusia punoi pandërprerë për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Vitet e fundit Rusia vazhdimisht e ka armatosur Serbinë, duke rrezikuar me këtë sjellje paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. Moska i thotë Beogradit: “Kur mos e prano pavarësinë e Kosovës”. Nga kjo del se dialogu i deritashëm midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel ka qenë punë Sizifi. Një diplomat anglez i tha Putinit me ironi: “Meqë çdo pushtim në afërsi të Rusisë e arsyeton duke marrë si pretekst Kosovën, atëherë përse nuk e njeh pavarësinë saj”.          

Në shekullin XXI, problemet e botës duhet të zgjidhen në mënyrë racionale dhe jo militare. 

Kush pëson, kush vritet nëpër luftëra? Vriten njerëzit e rëndomtë, kryesisht shtresat e ulëta të shoqërisë, punëtorët, fshatarët, bijtë e punëtorëve dhe të fshatarëve, pësojnë, vriten të papunët, të varfrit, skamnorët. Të kamurit dhe bijtë e bijat e tyre, me gojën plot atdhetarizëm, zbaviten, argëtohen nëpër vendet ezoterikë të botës. Është rrëqethëse, e dhimbshme të rekrutosh e të mobilizosh djem të rinj 18-vjeçarë dhe t’i dërgosh nëpër fushëbeteja. 

Midis paqes dhe agresionit rus askush nuk mund të qëndrojë asnjanës (neutral). Pretendimet imperialiste ruse dhe kursi ekspansionist i Kremlit do të dështojnë. E keqja mbi të mirën s’ka për të fituar. As terri mbi dritën. Diktatura mbi demokracinë dhe robëria mbi lirinë kurrë s’kanë për të ngadhënjyer. Para sanksioneve të botës së lirë, Rusia do të gjunjëzohet dhe do të dorëzohet. Qëndresa prometeane e Volodimir Zelenskit (Volodymyr Zelenskyy, 1978-) do të triumfojë mbi Zotin e luftës.    

Putini do të marrë mësim nga gjenerali, i cili, i shoqëruar nga një prift, kishte ardhur në malet e Shqipërisë për t’i mbledhur kockat e ushtarëve të vet të vrarë. I kishte futur nëpër thasë najloni dhe me të mbërritur në vendin e vet, i kishte hedhur para këmbëve të prindërve të trishtuar.                            

Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza

ALARMI, SPIUNËT, KINA: HISTORIA E FSHEHTË E LUFTËS

March 13, 2022 by s p

Nga GUIDO OLIMPO/

Vallja e hijeve për rreth Ukrainës është zhvilluar mbi tre pista. Në mezin e nëndorit SHBA lajmëruan drejt për së drejti aleatët mbi planin e mësymjes, drejtoresha e National Intelligence, Avril Haines, erdhi n’Evropë për të shpjeguar. U prit me mosbesim.

Lajmërimi

Muajin tjetër, në fillim të dhjetorit një tjetër lajmërim: me njoftim dhe nëpërmjet një artikulli të Washington Post, që inkuadron përsosmërisht operacionin, duke treguar në mënyrë të saktë përbërjen e forcave të mobilizuara. Mendojnë se ora x do të jetë në ditët e para të vitit. Hollësitë janë të rëndësishme por nuk bindin. Zgjedhja për të dhënë njoftimet, kaq të sakta, përmban katër vështrime: është një hap i pazakontë sepse i zbulon Moskës atë që dijnë në Washington; nënvizon rëndësinë; tregon se CIA ka burime të çmueshme e të nivelit të parë; është një orvatje e dëshpëruar për të shtyrë Putinin të heqë dorë.  

Agjensia është e drejtuar nga William Burns, diplomat karriere me një të shkuar prej ambasadori në Rusi. E njeh dosjen. Shkon vetë në kryeqytetin rus për të përballuar çështjen e kush e di nëse ka nxjerrë të tjera letra, për t’i dhënë të kuptonin bashkëbiseduesve se Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për atë që është duke u përgatitur. Një skenë gjuetie në Tetorin e Kuq. Ajo e drejtorit është vizita e katërt, duke filluar nga korriku, e zyrtarëve të lartë amerikanë, një tregues i mundimit të vënë në veprim. Përplasen me muret e Kremlinit. Cari është i bindur se ka gjithshka në anën e tij, madje – një tjetër zbulim – don të kalojë Olimpiadën dimërore që zhvillohet në malet kinezë. Dje New York Times ka shkruar se Pekini i paska kërkuar favorin, edhe se nuk ka siguri në këtë lajm. Zbulimi ndjek një tjetër: amerikanët kishin kërkuar prej muajsh ndihmën e Kinës për të ndaluar katastrofën duke paraqitur edhe të dhënat. Por Republika popullore nuk i ka besuar alarmit. Hakerat e Anonymous-it kanë përhapur një dokument të hamendësuar rus, ku thuhej se urdhëri i sulmit ishte parashikuar për në 18 janar, por pastaj ishte zhvendosur. Një datë pranë asaj të caktuar në fillim nga Shtetet e Bashkuara. 

Grumbullimi

Zbulimi amerikan paralelisht ka vazhduar vjeljen e prodhimit. Është rritur mbikqyrja e satelitëve dhe ajo elektronike. Është e mundëshme që burimet nga toka ruse të kenë kaluar të tjera hollësi mbi qëndrimin politik e vetiak të Putinit. Nga ana e tij shërbimit të  fshehtë rus i është dashur të mbarështojë tre fronte: 1) SHBA dijnë shumë, kush ka tradhëtuar? 2) Ukraina është e njoftuar, cili do të jetë kundërveprimi i saj? 3) Në rast sulmi si do të përgjigjet bashkësia ndërkombëtare? Simbas New York Times Putini, mbas mësymjes, kishte shfryrë kundër bashkëpuntorëve sepse i kishin paraqitur skenarë ngjyrë rozë. E pohonte këtë një burim i FBI që, nga ana e tij, njeh ndonjë në rrethin e Kremlinit. Një shtjellë e dredhur që duhet të mbrojë grykën e thellë duke e devijuar atë që lexon, por që duhet të mbjellë dyshime në shtëpinë e armikut. Ende më e dyshimtë arena ukrainase. Rusët kanë depërtuar në aparatet e tyre të Sigurisë, pra duhej të luanin si t’ishin në oborrin e tyre. Çfarë kanë treguar miqtë në Kiev? Hamëndje: hyni me njësitë tuaja, Zelenski do të ikë. “Mjegulla” ka çoroditur shikimin e carit? Mos janë helmuar nga lajme të pathemeltë? Filorusët mezi ç’prisnin orën e një goditjeje dhe kanë mbështetur projektet e Ariut. I kish ndodhur amerikanëve në Irak kur u besuan personazheve pa gjasë shiitë. Pastaj nuk ka asgjë më të lehtë se sa të besohet një histori që përputhet me dëshirat. Në mes mund të jenë futur lojra të spiunëve, madje edhe vetë Zelenski, në prag të sulmit, nuk fshihte zëmërimin për lajmet alarmante që dilnin nga Shtëpia e Bardhë. I besonte apo ishte taktikë? Shefi i Shtatmadhorisë i tij, Valerij Zaluzhni, më 18 nëndor, ka patur një bisedë me gjeneralin amerikan Mike Milley, homologun e tij, kushtuar ”veprimtarive të Rusisë në Rajon”. Tre ditë më vonë, shefi i zbulimit ukrainas Kirilov Budanov, në një intervistë Military Times-it, vërteton rrezikun e mësymjes ndërmjet fundit të janarit e ditëve të para të shkurtit. Artikulli është shoqëruar nga një hartë. E dinin. E u a tregojnë të gjithëve që nuk i marrin seriozisht. Sepse ekspertët kanë kuptuar qartë pasojat e një lufte të tillë – është shpjegimi i një komentuesi rus të Russia Council – mendonin se mjaftonin për të ndaluar luftën. “Kemi gabuar sepse nuk kemi gabuar” për të parashikuar katastrofën. 

Vrasësit

Një histori aventurore ka treguar më vonë për një operacion për të vrarë pikërisht Zelenskin, që i ishte besuar një grushti çeçenësh. Për t’a zbuluar qe fryrja në vesh e një agjenti rus, thuajse për të vërtetuar artin e lojës dyfishe, në të cilën nuk mund t’i besohet askujt. Gjithmonë nëse edhe kjo përpallje mos të jetë një orvatje për të ushqyer dyshime apo paranoja. Dy shtëpitë mëma të spiunazhit – SHBA dhe Rusia –  gjithmonë kanë patur një frikë të madhe se mos mashtroheshin nga një spiun kundërshtar që ofrohet për të bashkëpunuar. Më të maturit – në ndonjë rast, madje të djemnuar – ishin amerikanët, deri në atë pikë sa të mos i pranonin. Në rastin e presidentit ukrainas, është e pranueshme që Moska do t’a heqë qafe. Ndërsa për vrasësit, pështjellimi i çeçenëve është “ekzotik”, kujton vendosmërinë e tyre të njohur mirë, mban parasysh rolin e tyre në veprimtari të paligjëshme për llogari të shërbimeve të fshehta. Në të njëjtën kohë, duke parë kushtet e tashme, është më e lehtë që të jetë ndonjeri pranë udhëheqësit se sa një “i huaj”. Megjithatë kurrë nuk duhet thënë kurrë. E gjithë historia ukrainase është plot befasi.

“Corriere della Sera”, 4 mars 2022   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE

30 vite pa Martin Camajn

March 13, 2022 by s p

Primo Shllaku/

Sot u mbushën plot 30 vjet prej ditës kur poeti Martin Camaj mbylli sytë në Langgries të Gjermanisë në moshën vetëm 67vjeçare. Jeta e tij për ne deri tashti e panjoftun po zbulohet ngadalë dhe po hapen drita të reja që tregojnë shkaqet e emigrimit të një malësori që kaq të vështirë e kishte mërgimin. Pushteti i ri që zbriti nga mali e përmbysi krejt mendësinë dhe për nevojat e tij filloi veprën shkatërrimtare kundër njeriut të lirë dhe “në punë të vet”. Ai regjim ishte zotue në heshtjen e tij të frikshme që të mos lente njeri në kambë. Por ose ratë e të nënshtruem, ose ratë e tue u kalbë në vorr.Kushtet e shtrëngimit për t’u ba “spiun” e gjetën krejt të befasuem dhe të papërgatitun Martin Camajn në lulen e rinisë. Ai i rreku organet e regjimit, sepse duhej pritë nji kohë kur të hapeshin shtigjet dhe ato u hapën vetëm kur regjimi u prish me Jugosllavinë, më 1948.Dalja e Martinit në liri nuk shënoi lirinë e Martinit. Ai mbeti i lidhun me gjuhën shqipe e me kujtimet e tij të vendlindjes, me botën shqiptare e me malet e peizazhet e tyne të virgjëna që do të ishin drita e fundit që duhet të jetë shue në kokën e poetit atë ditë fillimpranvere këtu e tridhjetë vjet ma parë.Martini u shkollue ma parë në Beograd mandje shkoi në Romë dhe, përfund, u instalue përfare në Munih ku drejtoi edhe katedrën e albanistikës për disa vjet të mira.Poezia e tij asht pasqyra ma autentike e udhëtimit të tij të mbrendshëm shpirtënor. Aty ai rrëfehet thellë e ndërton pozicionet e tij estetike e artistike të vijimësisë së letërsisë shqipe që nuk duhet të hynte në eksperimentin e realizmit socialist. Në indin e imët të asaj poezie, mes shum motiveve, dallohet motivi i marrëdhanieve të tij me nanën e tij, e cila, e detyrueme prej kushtesh ekstreme vorfnie, e nisi djalin e saj në shkolla, tue e nda prej gjinit të familjes. Ky fakt do të bahej për poetin nji plagë e randë që nuk do t’i shërohej, kurr edhe kur e kapërceu moshën e adoleshencës dhe hyni në periudhën e rinisë. Këtë plagë nuk do ta lejonte që të cikatrizohej marrëdhania e tij e re me atdheun e vet që, në paralaleizëm asimetrik me nanën e tij, do të instalonte në psiken e këtij individi krizën e përjetshme të “dëbimit”. Martini nuk erdhi ma kurr në Shqipni. Edhe pse fati deshti që ai t’i shkelte ato dy vjet “lirie” kur mbase edhe mund të vinte në atdheun e tij për të shue dëshirën e tij të zjarrtë të prekjes së mureve të plangut, ai refuzoi. shum thonë se ishte i sëmundë, por nji poezi e tij shum e fshehtë në qitjet e saj personale e autobiografike.”Mysafir i paftuem në Berishë”, duket sikur na e ndriçon shkulmin e fundit të këtij malësori të shkolluem e të ditun sa rrallëkush mbrenda e jashtë Shqipnie, Kosove e Maqedonie, i cili megjithse e çoi mesazhin se shqiptarët kurdo i përkasin njeni tjetrit, ai e ruejti dinjitetin e tij para nji atdheu të cfilitun e të përdhosun prej deformimit gjysmëshekullor të eksperimentit komunist. Ky Uliks që nuk mbërriti kurr në Itakë, bani zgjedhje të ashpra dhe të pashoqe. Prestigji dhe dinjiteti njerëzor e bajnë individin e dënuem me mërgim ta marrë atdheun me veten dhe vetë ai të bahej ndodhta plisi ma i nxehtë e ma djegës i nji periudhe kur, për shumicat, po derdhej me bollëk iluzioni i ardhjes së lirisë.Trupi i tij tretet në tokën njerkë të Gjermanisë jugore dhe sipër kokës së vorrit të tij randon nji shkamb i verdhë, sjellë prej viseve ku kishte jetue brez mbas brezi familja e Camajve në Temal, në bregun e djathtë të Drinit, këtij lumi që i rrin Shqipnisë e Shqiptarisë si nji shtyllë kurrizore prej uji.

Filed Under: Opinion

Të paktën respektojini!

March 13, 2022 by s p

Dritan Mashi/

Sa kënaqësi ndien ku selitë diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës, në disa shtete ku është përqëndruar diaspora shqiptare si Greqi, Gjermani, Zvicër, Austri etj,etj… mësimi i gjuhës shqipe shihet me përparësi dhe si i shenjtë dhe ditën e mësuesit nuk e shohin si vetëm festë kombëtare brenda kufirit shtetëror. Përkrahja dhe sensibilizimi i mësuesve, afrimiteti dhe bashkëpunimi për problematikën që karakterizojnë mësimdhënien e gjuhës amtare, bëjnë që këto përfaqësi të krijojnë një imazh të qëndrueshëm dhe të plotë për komunitetin shqiptar në këto vende. Kjo u vërejt edhe për 7 Marsin, ditën e Mësuesit, ku takimet dhe vlerësimet nuk munguan. Respekte për të gjithë përfaqësitë diplomatike për përkrahjen!Po në Itali?Ku janë përfaqësitë diplomatike shqiptare …?Aty janë, aty. Nuk luajnë vendit, në të gjitha kuptimet. I kemi dhe e dinë që janë dhe janë kur duan, janë vetëm atëherë kur u nevojitet të tregojnë që po punojnë. Por të themi të vërtetën që nuk kanë kohë për çështje të vogla apo të rëndomta. Po pse mor diplomatë të dashur që përfaqësoni shqiptarët në Itali, ambasadorë, konsuj apo oficerë, kaq të nxënë, kaq pa kohë, kaq çështje e vogël ju duket 7 Marsi, që nuk e morët mundimin të përshëndetni këta mësues që po shfrytëzojnë kohën e tyre të lirë, duke ia hequr familjes së tyre e duke mos u kërkuar asgjë në këmbim për shpërndarjen dhe mësimin e gjuhës shqipe. (Nuk po them të bëni si në Greqi, Gjermani Zvicër Austri e gjetkë, sepse lodheni). Merreni mundimin të bashkëpunoni, t’i afroni, t’i stimuloni dhe t’i përkrahni, pa parë ngjyrat dhe grumbullimet! Shihni dhe mundohuni të prekni realitetin! Është e lehtë të thoni: “gjuha shqipe këtu, apo gjuha shqipe atje”. Gjuhën shqipe po e ruajnë ata që ju e dini që ekzistojnë, por jo ku dhe pse janë, çfarë bëjnë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe si e bëjnë. Megjithatë, pa problem, po e bëj unë urimin në vendin tuaj, meqë nuk ju intereson apo nuk keni kohë….”Gëzuar ju MËSUES dhe ua shtoftë zoti jetën dhe dëshirën të mësoni brezat e ardhshëm!”

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2360
  • 2361
  • 2362
  • 2363
  • 2364
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT