• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Petrit Alibeaj presidenti i Shoqërisë Atdhetare Besa Besën, telegram urimi kryetarit të Vatrës

March 7, 2022 by s p

I nderuar z.Kryetar Elmi Berisha
Duke mirëpritur zgjedhjen tuaj në postin e Kryetarit të Federatës Pan Shqiptare Vatra, më lejoni që në emrin tim personal si dhe në emër të Shoqërisë Atdhetare Besa Besën , t’ju shpreh urimet më të përzemërta dhe t’ju uroj suksese në përmbushjen e misionit që po ndërmerrni. Ne njihemi gjatë, n’daj jam i bindur që ju,me maturinë, urtësinë dhe eksperiencën tuaj, do të arrini të përmbushni me sukses objektivat për të patur një Vatër më të fortë e më të konsoliduar.
Ju siguroj për dëshirën dhe vullnetin tim për të bashkëpunuar ngushtë me ju,si në funksion të intensifikimit të mëtejshëm për ta çuar akoma dhe më lartë kauzën tonë të përbashkët çështjen e madhe kombëtare,për një Shqipëri më të begatë dhe të bashkuar.
Duke shprehur edhe një herë urimet e mia, Ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Shoqëria Atdhetare Besa Besën Presidenti Petrit Alibeaj

Filed Under: Vatra

Putini e shpalli Shqipërinë shtet armik

March 7, 2022 by s p

Thanas L. Gjika/


Këto ditë Vladimir Putini e shpalli Shqipërinë shtet armik, sepse shteti ynë iu bashkua thirrjes së OKB-së për tërheqjen e trupave ushtarake ruse nga Ukraina dhe njohu sanksionet ndaj Rusisë. Eshtë mirë që Z. Putin të lexojë traktatet e Rusisë Cariste të vitit 1913 kur përfaqësuesi i Rusisë në takimet e përfaqësuesve të gjashtë Fuqive të Mëdha të Europës në Konferencën e Londrës e të Lozanës, kërcënonte se Rusia do të shpallte luftë nëse nuk i jepeshin Serbisë Kosova dhe territoret e Maqedonisë Perëndimore, që jetoheshin nga shqiptarë, por në kohën e Car Stefan Dushanit i kishin përkitur shtetit serb.Për shkak të kësaj politike antishqiptare të Rusisë Cariste u krijua Shqipëria Londineze, ku u përmblodhën brenda saj pakica e territoreve dhe e popullit shqiptar dhe shumica e tyre iu dhanë Serbisë, Greqisë e Malit të Zi.
Këtë krim nuk e denoncuan qeveritë e ardhëshme ruse. Lenini e Stalini, ndonëse pretenduan se krijuan e drejtuan një Rusi të re, të ndryshme nga Rusia Cariste, nuk hoqën dorë nga ideja e ruajtjes dhe forcimit të Perandorisë Ruse dhe e idesë së pansllavizmit. Ata kurrë nuk kërkuan të falur për masakrimin e popullit shqiptar, këtij populli jo sllav.
Për t’i kthjelluar Z. Putin e Vucici po ju kujtoj historinë e ardhjes së fiseve sllave në Ballkan, ku tregohet qartë se si u krijua populli serb nga bashkimi i fiseve sllave të ardhura nga Uralet me fise trake e ilire, që jetonin në qendër të Ballkanit. Populli ilir që jetonte në Dardani (Kosova e lashtë) rezistoi e nuk u asimilua në shumicën e territorit të vet. Kosova mbeti shqiptare edhe pse jetoi nën zgjedhën serbe gjatë shekujve XIII-XV dhe gjatë shekullit të XX. Populli shqiptar i Kosovës jo vetëm që nuk u asimilua, por derdhi lumenj gjalu për të fituar lirinë e vet.
Në fund të shek XX, kur aleanca Atlantike ndërhyri ushtarakisht për të shpëtuar popullin shqiptar të Krahinës Autonome të Kosovës nga shtypja e krimet monstruoze të Miloshevicit, Rusia e Jelcinit nuk e kundërshtoi, sepse nuk kishte fuqi.
Mirëpo që nga viti 1999 deri sot, Serbia nuk pajtohet me realitetin e Kosovës së pavarur, sepse qeveritarëve të saj u pëlqejnë ëndrrat shoviniste. Fatkeqësisht me të tilla ëndrra është ushqyer e gënjyer dhe një pjesë e polullit serb edhe pse ai e ka njohur realitetin jo sllav të Kosovës.
Republika e Kosovës sot është një realitet historik e gjeopolitik i pamohueshëm. Dëshira e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë është një e drejtë legjitime që nuk ka pse t’ia mohojë politika shoviniste e miope ruse e ajo serbe.
Vladimir Putini sot vë në plan luftën që bënë më 1999 forcat ushtarake të NATO-s për të mbështetur luftën clirimtare të popullit të Krahinës Autonome të Kosovës, me ndërhyrjen e sotme të ushtrisë ruse në dy Krahinat Autonome të Donbasit, të cilat bëjnë pjesë në shtetin e Ukrainës. Kjo përqasje është thjesht një mbulim i politikës së tij grabitqare. Eshtë thjesht mbulim i politikës së tij grabitqare, sepse Krahina e Kosovës ishte e banuar në shumicë dërmuese nga populli shqiptar jo serb, dhe kishte luftuar me armë për lirinë e vet që nga viti 1913, kur iu dha padrejtësisht Serbisë. Kurse populli i krahinave të Donbasit është popull sllav, një përzjerje e popullit ukrainas me popullin rus, popullsia e këtyre krahinave nuk i është dhënë gabimisht Ukrainës dhe ajo nuk ka luftuar kurrë për pavarësi e liri kombëtare si populli i Kosovës. Shpallja e këtyre dy krahinave shtete të papavur ishte një akt dhune që kreu Putini në shkurt të këtij viti i pa mbështetur nga ndonjë luftë a përpjekje e popullit të Donbasit, por vetëm sepse ato krahina janë të pasura me naftë.
Vladimir Putini e shpalli sot Shqipërinë shtet armik, por ky akt nuk është gjë tjetër vetëm dalje e hapur e qëndrimit historik të Rusisë ndaj popullit shqiptar. E vërteta ka qenë dhe është se Rusia që nga fillimi i shekullit XIX, kur filluan lëvizjet nacionale në Ballkan, nuk synoi kurrë ta bënte aleat popullin shqiptar, por punoi që ta coptonte e asimilonte për të majmur me të këlyshët e saj ballkanikë.
Shpallja e Shqipërisë shtet armik prej Putinit në fund të fundit është një kërcënim që ai i bën Republikës së Shqipërisë për mbështetjen që kjo i jep botërisht pavarësisë së Kosovës. Por Shqipëria e Kosova nuk pyesin më për kërcënimet e Rusisë, sepse sot këto dy shtete kanë në krahun e tyre dy aleatë të mëdhenj e fuqishëm: ShBA-të dhe BE-në. Shqipëria dhe Kosova nuk janë më si ishin në vitin 1913…

Filed Under: ESSE

E THUKËT, KUNDËRVEPRUESE, E VENDOSUR: ËSHTË EVROPA QË DUHET

March 7, 2022 by s p

Nga WALTER VELTRONI/

Në zemrën e mësymjes së një Vëndi sovran, nën kërcënimin e një lufte bërthamore, me një milion të ikur, qytete të rrethuar dhe fëmijë të vrarë, me gra atdhetare që organizojnë mbrojtjen e tokës së tyre, me gërmadhat e shtëpive e të shpirtërave mbi tokë, Evropa dhe Perëndimi po na japin shënja të një gjallësie të dëshpëruar, të zgjimit e të ndryshimit. Tani nuk e dijmë nëse mjafton. Por ai që e ka filluar këtë veprim kriminal merrte me mënd se ai n’Evropë do të kishte shkaktuar ndarje t’ahpra e do të kishte pjellë, së shumti, ndonjë komunikatë proteste dhe ndonjë sanksion të butë. Siç qe më së fundi me bashkëngjitjen e Krimesë.

Ndërsa kësaj here Perëndimi dijti të kundërveprojë dhe Evropa të tregohet e thukët. Sanksionet nuk kanë qënë ujë trëndafili, evropianët nuk janë frikësuar nga llogaritja e ndonjë flijimi të mëtejshëm. U punua , nga ana e qeverive në një sinergji të përgjithëshme, siç tregon vendimi i mbylljes së hapësirës ajrore, ose ai i mbështetjes, jo vetëm me fjalë, të qëndresës ukrainase. U lanë mënjanë ndarjet mbi temën e të mërguarvet dhe u hap një garë prekëse ndërmjet kujt do t’i priste me më shumë bujari ata evropianë në ikje nga lufta. 

Gjermanët kanë tejkaluar caqet që i kishin vënë vetes mbas luftës së dytë botërore. Është e rëndësishme që këtë e bëri një kançelar socialdemokrat, në krye të një koalicioni me liberalët e të gjelbërit. Anglezët kanë parë me kthjelltësi rrezikun e kanë qënë në një mëndje me Evropën, në të cilën, dashje o pa dashje, ndjehen pjesë. Polonia, Hungaria, deri tani nuk kanë luajtur ndeshje të ndara. Deri edhe Suedia e Finlanda, historikisht të pandjeshme, kanë kthyer vështrimin nga NATO.

Nëse një nga pasojat shtyrëse të kësaj mësymjeje kriminale duhej t’ishte për të ndarë Evropën dhe frikësuar Perëndimin, nuk ka pasur asnjë efekt. Sot i veçuar nuk duket ai që është sulmuar, por ai që ka sulmuar. Nuk është pak. Nuk ishte e sigurtë.    

Por të themi të vërtetën: thënia për Evropën e dobët e të pasigurtë, shpesh e pathemeltë, ishte krisur nga kundërveprimi i institucioneve kontinentale kundrejt pandemisë. Nuk u ndigjua vetmia n’atë krizë. Mekanizmi i “mbështetjes së ndërsjelltë”, që shkrepi me një shpejtësi të pazakontë, u dha mundësi ekonomive kombëtare të merrnin frymë e të përballonin çmimin e frikshëm, njerëzor e shoqëror që shkaktoi virusi.

Evropa, e udhëhequr nga një grua, nuk ka qënë kurrë kaq e bashkuar dhe nuk ka treguar kurrë kaq frymë e aftësi zgjeruese si në këto dy kriza, që rrezikojnë të shkatërrojnë arkitekturën e përbashkët dhe të çligjësojnë Perëndimin si vënd demokracie, lirie e paqeje. Vlejnë fjalët e Mario Dragit në Parlament: “Nuk mund të lemë që n’Evropë të kthehet një sistem në të cilin kufijtë të përcaktohen me forcë e ku lufta të jetë një mënyrë e pranueshme për të zgjeruar zonën e ndikimit. Respektimi i sovranitetit demokratik është një kusht i bazës së një paqeje të qëndrueshme”.

Në parathënien e botimit të vitit 1944, Manfesti i Ventotenes, i shkruar ndërsa Evropa digjej e ndarë, tregonte rrugën e një utopie mbikombëtare – atëherë ishte sigurisht e tillë – që u sendërtua plotësisht: “Të tillë parime mund të përmblidhen në pikat e mëposhtëme: ushtri e përbashkët federale, bashkim monetar, heqje e gardheve doganorë e të kufizimeve të mërgimit ndërmjet shteteve pjesëmarrës në Federatë, përfaqësi e drejtpërdrejtë e qytetarëve në kuvendet federale, politikë të jashtëme të përbashkët”.

Nga gjashtë synime t’ëndërruar nga ai internim, katër tashmë janë të sendërtuar. Dy të tjerët, politika e jashtëme dhe e mbrojtjes të përbashkëta, kanë marrë në këta muaj një shtysë të fuqishme. Nuk njohim sot përfundimin e kësaj krize, që është edhe kundërvënia e dy ideve të qeverimit të bashkësisë e të marrëdhënieve ndërkombëtare. asaj të “demokraturës” që i kufizon në siguri thjesht formale liritë – sa gjatë Evropa ka bërë sikur nuk i shihte në disa Vënde kundërshtarët e arrestuar ose të zhdukur dhe kundërshtinë të shtypur! – e zhvendos ndyrësisht barazpeshën vendim-marrëse mbi figurën e një kreu autoritar e n’atë të demokracive të papërsosura e të çala të kontrolluara, do t’ishte një gabim të mos jemi të vetëdishëm për paqeverisshmërinë e mungesën e identiteteve të forta politike. Demokraci të drobitura nga helmi i populizmit dhe i kundër evropianizmit. Në kllapinë e muajve të shkuar gjithshka dukej e pranueshme: dalja nga Euro, mbështetja jelekëve të verdhë, Putini i ngritur në model të udhëheqësit liberal. Të gjitha gjëra që tani janë mbas krahëve tonë, dhe është mirë kështu. Është një fakt pohenik, nuk duhet të jetë sot lëndë e një propagande përçarëse.

Demokracia, bijë e vuajtjes dhe e gjakut evropian të Nëntëqindit, tregoi aftësi kundërveprimi.

Joe Biden, në mungesën e përgjithëshme të interesit, foli muaj më parë për nevojën e një aleance të demokracive. Sepse synimi i vërtetë i shumë proçeseve në veprim, përfshirë edhe këtë luftë absurde, është pikërisht zëvëndësimi i demokracisë me të tjera forma qeverish, të llojit autokratik.

Jemi të zhytur në një krizë në të cilën nuk do të kishim dashur kurrë të jetonim, në dyert e diçkaje dramatike e të panjohur. E për të cilën duhet të shpresojmë se do të zgjidhet me armët e bisedimeve, të vetmit e mundëshëm. Ajo zgjidhja paqësore e kërkuar nga të gjithë njerëzit e vetëdijshëm. Por ka edhe një tjetër arsye themelore në këtë kundërveprim të papritur ndaj agresionit. Është zbritja në fushë e opinionit publik në të gjithë botën. Vlerat e paqes, të mbrojtjes së lirive, mospranimi i autoritarizmit, kanë çuar milionë njerëz të manifestojnë, të luten, të protestojnë. Ose, siç kanë bërë të rinj, artistë dhe personalitete të sportit ose t’ekonomisë ruse të marrin qëndrime shpesh të rrezikëshme për vetë sigurinë e tyre.

Dukej gjithshka e mbaruar, dukej se qënieve njerëzore të këtyre kohëve nuk i mbetej tjetër veçse të ishin spektatorë. Përkundrazi, pyetjes së dytë retorike – ku janë paqësorët? – këtë herë i janë përgjigjur në tërë botën një lëvizje njerëzish, sidomos të rinj, që nuk kanë praktikuar ideologjizma të një tjetër kohe, të rehatëshme, të barazlarguar e tjetërsime ngushulluese.

Miliona qënie njerëzore që janë rrjeshtuar për liritë e paqen, në këtë kohë të çoroditur e të rrezikëshme.

“Corriere della Sera” 3 mars 2022    Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza

SHKOLLA E PARË E STUBLLËS DHE DON MIKEL TARABULLUZI

March 7, 2022 by s p

Hazir Mehmeti/


7 Marsi – Dita e Mësuesit, moment i rikujtimit të figurave madhore shqiptare në historinë kombëtare. Shumë intelektual patriotë nga të gjitha trevat shqiptare u flijuan për shkronjat shqipe, fjalën shqipe të mohuar e shkelur nga pushtuesit grek, turq, serb e sllavët tjerë. Sot jemi krenar me historinë tonë të ndritur nga emra të tillë para të cilëve përulemi me respekt. Ndër ta pa dyshim ishte edhe Don MIkel Tarabulluzi. Don MIkel Tarabulluzi u lind në Prizren. Mësimet fillestare i mbaroi shkollën për famullitar tek mësuesi Mati Logoreci. Në Shkodër mbari kolegjin Shën Françeskan Saverian dhe studimin për papnor. U dërgua në Austri ku studio filozofinë dhe teologjinë. Imzot Anderua Logoreci kishte meritat kryesore në shkollimin e Dom Mikelit, formimin e tij si prift dhe intelektual me vlera në themelimin e shkollave dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Dom Mikeli shërben në Pejë, kurse në fillim të vitit 1896 emërohet famullitar i Karadakut, përkatësisht i Letnicës, ku gravitonin Stublla Epërme, Binça dhe disa katunde të tjera Me angazhimin e tij, por edhe të bamirësisë së familjes së Sedovytëve (sc. Sedaj), është siguruar shtëpia në pasurinë e kësaj familje, që do të shërbejë për kishë dhe më vonë për shkollë. “Kështu, në vend që besimtarët e Stubllës dhe të disa katundeve të tjera të shkojnë të dielave në Letnicë, nga Letnica vinte dom Mikeli te ata, jo vetëm për t’iu meshuar dhe për t’ju bërë shërbesat e tjera fetare. Misioni i tij u tejçua deri aty sa për t’i hapur Stubllës një shkollë shqipe“. Mikel Tarabulluzi është themelues i Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë. Ai krahas punës si famullitar ishte edhe mësues i devotshëm e kombëtar pjesë e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të një lëvizjeje të përgjithshme të popujve ballkanikë për t’u çliruar nga zgjedha turke. Është konstatuar se pikërisht dom Mikeli, i frymëzuar nga kërkesat e Lidhjes së Prizrenit, iu kishte, bashkangjitur aradhes së Idriz Seferit, krahas luftetërëve tjerë nga Stublla e rrethina sikurse ishin Gjon Koliqi, Engj Pali, Gjon Andrea e shumë tjerë që marrin pjesë aktivisht në Luftën e Kaçanikut më 1910. Natyrisht, nxënës të tij dhe të vëllait të tij Jakut janë edhe Mark Lorenci, Zinë Demaj, Pal Ramaj, Gjergj Ramaj të cilët jetonin në Stubëll, por edhe disa stubllanë të tjerë, si të thuash, të një gjenerate më të re, siç është Ndue Ballabani, i biri Jozës, bashkëpunëtorit dhe mikut të ngushtë të dom Mikelit, i mbajnë të gjalla në kujtesë punët pastorale dhe arsimore të famullitarit dhe mësuesit të tyre. Shkolla e parë ku mësohej gjuha shqipe ishte meritë e Don Mikel Tarabulluzit.

Filed Under: Kronike

ELBASANASI MEHMET GJEVORI – MËSUESI I MËSUESVE SHQIPTARË NË KOSOVË

March 7, 2022 by s p

-“Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari”, shkruante mësuesi i mësuesve shqiptarë në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz/

Gazeta DIELLI, sot në Ditën e Mësuesit – 7 Mars 2022,  riboton shkrimin e korrespondentit në Kosovë Behlul Jashari të para 12 viteve – 7 Marsit 2010:

KUJTESË – MEHMET GJEVORI, I LINDUR NË ELBASAN PARA 100 VJETËVE, MËSUESI I MËSUESVE TË KOSOVËS

PRISHTINË, 7 Mars 2010/  Elbasanasi Mehmet Gjevori, mësuesi i mësueve të Kosovës, këtë vit do mbushte 100 vjet. “Ndonëse jam i lindur në Elbasan, vendlindje të dytë kam Kosovën”, thoshte ai.

Autori i abetarës së parë në gjuhën shqipe në Kosovë, botuar në vitin 1946, dhe i shumë teksteve shkollore e të tjera, veterani e njeriu i kontributit shumë të madh në arsimin kosovar, Mehmet Gjevori, i lindur më 1910 në Elbasan, ka ndërruar jetë më 1 maj 2007 në moshën 97-vjeçare në Prishtinë.

Në shtator të vitrit 1941 iu përgjegj vullnetarisht apelit të ministrit të atëhershëm të Arsimit të Shqipërisë Ernest Koliqi për të ardhur në shërbim në Kosovë. Në atë kohë, misionarët e arsimit në trojet shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë u bënë 400 normalistë, shumica e tyre djem dhe vajza të Elbasanit.

Emrin e Mehmet Gjevorit, sot në Ditën e Mësuesit dhe në këtë 12-vjetor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e gjejmë edhe në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

Në atë libër, në Prekaz të Drenicës, në vendin e shenjtë të pavdekësisë së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare, Kryemësuesi i Kosovës ka shkruar:

“Më 11. 8. 2002

Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari. Pikërisht gjatë atyre ditëve kam pas buajtur në disa familje, emrat e të cilëve mjerisht nuk më kujtohen, e më kanë pas pritur përzemërsisht.

Një ndër mësuesit e parë, që ka pas ardhur e ka shërbyer vullnetarisht në dy shkolla fshatrash të Drenicës, ka qenë edhe Ahmet Meha Kelmendi, …Geci e të tjerë. Më kujtohet se të gjithë nxënësit e katër shkollave fillore të Drenicës i kanë pas ndjekur mësimet me zell të madh dhe pasi shumë nxënës ishin edhe pak të rritur, ne i kalonim edhe nga dy klasë disa, pra prej klasës II në klasën IV. Të paharrueshme kanë qenë ato ditë të atyre dy viteve që i kam pas kaluar në rrethin e Drenicës.

Lavdi u qoftë Adem Jasharit si dhe të gjithë anëtarëve të familjes Jasharaj!

Mehmet Gjevori”.

Pas ardhjes nga Elbasani, fillimisht, Gjevori emërohet në Prizren si drejtor i shkollës fillore “Abdyl Frashëri”, ndërsa nga 1944 deri më 1950 shërbeu si kryeinspektor i shkollave shqipe të Kosovës, e pastaj redektor në shtpinë botuese “Mustafa Bakija” në Prishtinë. Nga viti 1958 e deri në pensionim më 1975 ka punar redaktor e kryeredaktor në Redaksinë e Botimeve Rilindja.

Gjevori tregonte: “Krahas detyrës kryesore  si redaktor i botimeve kam  bërë  edhe  detyrën  e lektorit  në gazetën Rilindja. Para  dite punoja  në Redaksinë  e Botimeve kurse pasdite  në  redaksinë  e gazetës Rilindja… Kontrolloja  gjuhësisht  shkrimet  e  gazetës  që do të jipeshin për botim.”

Mehmet Gjevori ka marrë shumë dekorata, mirënjohje dhe falënderime, por ai, gjithnjë veçonte dy nga ato: “Nga të gjitha dekoratat që kam marrë deri më tani, unë veçoj këtë të Presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, dhënë më 10 qershor 2003, si dhe medaljen e artë ‘Naim Frashëri të klasit I” të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Dr.Sali Berishës, dhënë në Tiranë, më 11 prill 1994, për shërbimin në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore e Lindore, jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar”, ka shkruar Gjervori.

“Me sinqeritetin më të madh njerëzor veçoj e theksoj se këto dy dekorata të arta i konsideroj jo vetëm si sukses timin personal, por edhe të të gjithë punonjësve të arsimit, që kanë shërbyer e kontribuar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare”, shkruante Gjevori në një letër falënderimi drejtuar Presidentit historik Ibrahim Rugova për dekorimin me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, për kontributin e dhënë në fushën e arsimit të Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj në mbarëvajtjen e shkollës në Kosovë, në fushën e hartimit të teksteve shkollore, si dhe të përkrahjes së Lëvizjes Demokratike të Kosovës për liri e pavarësi.

“Mironjohje të veçantë, jam i informuar këto ditë, do të më bëjë edhe Bashkia e Elbasanit për kontributin tim gjatë gjatë këtyre gjashtë dekadave e gjysmë në arsimin në Kosovë”, ka thënë Gjevori në një intervistë për numrin jubilar të 60-vjetorit të gazetës Rilindja më 12 shkurt 2005. Atë vit në dhjetor Bashkia e Elbasanit ka nderuar me “Certifikatë Mirënjohjeje” 149 normalistë të qytetit të Elbasanit, ndër të cilët Mehmet Gjevorin, për shembullin që kanë dhënë për përhapjen e arsimit shqip.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e shuarjes së Mehet Gjevorit ngushëllonte:

“Mehmet Gjevori është nga emrat e rrallë të arsimit shqip në Kosovë, i cili gati një shekull të plotë jetën ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave në Kosovë. Erdhi në Kosovë atëherë kur na u desh më së shumti dhe qëndroi në Kosovë për gjithë kohët e vështira që kaluam si popull për të qenë këmbëngulës në misionin e tij të shenjtë. Si autor i abetares së parë shqipe në Kosovë, Mehmet Gjevori me përkushtim të rrallë shpërndau shkronjën shqipe gjithandej nëpër Kosovë.
E gjithë krijimtaria edukativo-arsimore dhe botuese e Mehmet Gjevorit ka një mision të përbashkët në përhapjen e dijes dhe të kulturës shqiptare.
Për rolin e veçantë të tij prej mësuesi dhe atdhetari, Presidenti Rugova e ka dekoruar me Medaljen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u jepet personaliteteve të rralla për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në veprimtari atdhetare.
I falemi përgjithmonë përkushtimit të tij jetësor!”

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2372
  • 2373
  • 2374
  • 2375
  • 2376
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT