• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

IMZOT JAK SERREQI, ARQIPESHKV I SHKODRËS, KLERIK I LARTË DHE ATDHETAR I SHQUAR NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE

March 6, 2022 by s p

Imzot Jak Serreqi. Foto e marrë nga: https://www.shkodradaily.com

Dr. Paulin Marku

Në këtë punim është paraqitur roli i klerikut katolik, Imzot Serreqi në drejtimin e Arqipeshkvisë së Shkodrës dhe bashkëpunimi i tij me banorët shkodranë dhe të zonave përreth, kryesisht me ata të Mbishkodrës, për shkak të origjinës së tij dhe të marrëdhënieve të krijuara gjatë misionit si meshtarë në ato zona. Marrëdhënie e tij me trupat diplomatik u forcuan pasi ai u vendos në krye të Arqipeshvisë së Shkodrës. Imzot Serreqi bashkëpunoi me malësorët duke iu gjendur pranë sa herë që ata patën nevojë për këshillime, hartim të kërkesave me shkrim si dhe ishte ndërmjetësues me kancelaritë evropiane. 

Bashkëpunimi me malësoret, nuk u prit mirë nga autoritet lokale dhe shkaktoi pakënaqësi tek Porta e Lartë, e cila u vu në lëvizje për largimin e tij nga drejtimi i Arqipeshvisë së Shkodrës.

Imsot Jak Serreqi** ishte një personalitet i lartë në hierarkinë kishtare. Ai shërbeu në disa famulli të ndryshme dhe pati ndikim pozitiv në zonat ku shërbeu si meshtar. Gjatë misionit të tij, si një lajmëtar i fjalës së Zotit, u angazhua plotësisht në komunitetin katolik për të afruar sa më shumë njerëz të moshave të ndryshme, duke i motivuar të merrnin pjesë rregullisht në meshë, të ndiqnin të gjitha ritet fetare për ruajtjen e ritualeve dhe të sakramenteve të fesë katolike. Po ashtu, gjatë misionit të tij si prift, pati një ndikim të madh në komunitet për nxënien e gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës tonë kombëtare, pasi, pjesa më e madhe e popullsisë ishte e paarsimuar. Interesi i popullatës shqiptare për t’u arsimuar në shkrim e këndim ishte i madh por vështirësitë ishin të mëdha. Kisha katolike ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe. Krahas bashkëpunimit religjioz me besimtaret katolik, ai arriti të fitonte simpati edhe ndër shqiptarët e besimeve të ndryshme në Shkodër. Padrejtësitë dhe shkeljet e vazhdueshme të autoriteteve lokale dhe qendrore, të udhëzuara nga Porta e Lartë, i shtuan edhe më tepër ndjenjën e thellë të atdhedashurisë imzot Serreqit.

Emërimi nga Vatikani, Argjipeshkëv-mitropolit i Shkodrës i Imzot Jak Serreqi më 13 prill 1910 u mirëprit nga komuniteti katolik dhe pozitat e tij u forcuan më shume me autoritetet diplomatike dhe qeverisjen lokale duke qenë një zë më i fortë në mbrojtje të kërkesave të malësorëve. Marrëdhëniet e vazhdueshme që kishte me Selinë e Shenjtë e ndihmonin që të forconte pozitat drejtuese religjioze dhe diplomatike duke qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të kauzës shqiptare. Popullsia e Shkodrës, si dhe krahinat përreth, kishin shprehur mbështetje që  kur u emërua në krye të Arqipeshkvisë në Shkodër. Malësorët shprehen gatishmëri për bashkëpunim dhe i kërkuan ndërmjetësim pranë autoriteteve lokale në Shkodër dhe atyre diplomatike. Në telegramin[1] numër 35, të datës 13 shkurt 1912, diplomati italian njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë rreth  situatës në veri të Shqipërisë. Ndër të tjera, në dokument referohet se “Izot Serreqi rezulton të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në të gjitha fiset edhe tek ato myslimanë”. Bashkëpunimi i Imzot Serreqit me krerë të ndryshëm të fiseve të Veriut të Shqipërisë ishte i vazhdueshëm. Ai konsultohej vazhdimisht me ta dhe disa herë ishte autori i hartimit të memorandumeve, në mbrojtje të interesave të shqiptareve. Imzot Serreqi ishte ndërmjetësues për t’iu bërë prezent shqetësimet e malësoreve diplomateve të huaj. Në këtë mënyrë iu bëri të njohur të gjitha problemet që shqetësonin shqiptarët. Mbledhja e 200 malësoreve në katedralen e Shkodrës shqetësoi autoritet lokale dhe u ndjek me interes edhe nga diplomati italian në Tivar, Panella. Në raport pohohet: “Më datë 9 shkurt, rreth 1000 malësorë shumica e tyre nga fiset e Shalës, Grudës, Dukagjinit, Kastratit, Kelmendit dhe disa fise të tjerë nga Puka, shkuan në Shkodër, të udhëhequr nga bajraktarët e tyre për t’i kërkuar gjeneral-guvernatorit (për momentin Shkodra nuk ka një titullar, vali) dëmshpërblimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga ushtria turke vitin e kaluar. Kështu ata i kërkuan guvernatorit, nëpërmjet argjipeshkvit Serreqi, që t’u japë një përgjigje brenda 24 orëve”[2]. Në përmbajtje të dokumentit thuhet se gjatë meshës së celebruar nga imzot Serreqi ata ishin betuar për ringritjen e Shqipërisë pasi situata nuk mund të duronte më dhe se duhej zgjidhur sa më parë problemet e tyre. Imzot Serreqi i nxiti të pranishmit që të shkruanin një memorandum dhe mori përsipër për t’ia paraqitur Fuqive të Mëdha. Po ashtu, në mbyllje të raportit thuhet se kur u zhvillua mbledhja me Imzot Serreqin morën pjesë disa mbështetës myslimanë.  

Imzot Serreqi kishte komunikime të vazhdueshme dhe njoftonte eproret në Vatikan rreth situatës së krijuar në Shkodër dhe më gjërë në viset e tjera shqiptare. Atij i kërkohej që të ruante pozicionin e klerikut dhe të luante një rol pajtues midis popullsisë shqiptare dhe autoriteteve. Imzot Serreqi kishte influencë dhe i dëgjohej fjala, kryesisht në fiset e mbi Shkodrës. Kjo ndodhte për shkak të origjinës që kishte prejardhje prej Malësisë se Mbishkodrës si dhe për arsye se kishte shërbyer disa vite si meshtarë në zonat të ndryshme të malësisë. Në një tjetër dokument diplomatik për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, i cili klasifikohet i rezervuar, rezulton se imzot Serreqi ishte ftuar në Selinë e Shenjtë në vijim të situatës në vend dhe për shkak të implimintimit të reformave të qeverisë turke, nëpërmjet të famshmit “komisioni i reformave”. Veprimtaria e tij në mbështetje të vazhdueshme të shqiptareve nuk kaloi nën hije dhe shihej i papërshtshëm me politikat e Stambollit. Referuar dokumenteve italiane evidentohet se Stambolli zyrtar bënte çdo tentativë të mundshme për të larguar imzot Serreqi nga drejtimi i Arqipeshkvisë së Shkodrës. Citoj:[3] “Besohet që qeveria osmane po bën një presion të madh për ta larguar nga Shkodra klerikun e lartpërmendur, i cili ka mbështetjen e qeverisë austriake, edhe pse nga ajo nuk shikohet me sy të mirë, pasi dyshohet se ka ndenja filoitaliane”. Imzot Serreqi, ka qenë ndihmuar shumë dhe vijon të ndihmohet nga Shoqata Kombëtare e Misionarëve.

Takime pati dhe me drejtues politik shqiptar. Imzot Serreqi konsiderohej nga politikanet shqiptar si njeri që mund të kishte influencë dhe në shtetin fqinj, Italia. Esat Pasha Toptani kishte shkuar në Shkodër për dy qëllime kryesore, së pari, për të biseduar me Princin Preng Bibë Doda dhe se dyti, për të takuar Imzot Serreqin, Ipeshkëv i Shkodrës. Me të parin nuk arriti të takohej, pasi nuk i shkoi në takim, ndërsa me Imzot Serreqin, pati një bisedë të gjatë duke iu ankuar për mungesën e ndihmës nga ana e Italisë. Në dokument[4] thuhet se takimi midis Esat Pashe Toptani dhe Imzot Serreqi u zhvillua në Shkodër, ku i kërkoi të ndërhynte tek shteti fqinj dhe të ndihmonte popullin shqiptar. Imzot Serreqi shërbeu si një klerik i lartë dhe një atdhetar i madh. Bashkëpunimi i tij me malësorët dhe kontaktet që krijoi me perëndimin ishte një ndihmesë e madhe në shërbim të çështjes shqiptare. Imzot Jak Serreqi ishte i frymëzuar nga ndjenjat të thella kombëtare.


* Imzot Jak Serreqi (1861-1922) fillimisht famullitar në zona të ndryshme të Shkodrës; ipeshkëv në dioqezën e Sapës 7 gusht 1905 – 13 prill 1910; Argjipeshkëv-mitropolit i Shkodrës 13 prill 1910 – 17 dhjetor 1921.

[1] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, img 7746-7751 Telegram i zëvendëskonsullit italian në Korfuz, dërguar ministrit të Jashtëm San Giuliano ku informon gatishmërinë e fiseve veriore për luftë.

[2] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, img 7273, 7274, 7275, 7276, Telegram i zëvendëskonsullit italian në Tivar Panella* dërguar sekretarit të Parë të legatës italiane në Cetinë, Pignatti mbi mbledhjen e 200 malësorëve në katedralen e Shkodrës

[3] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 672, P1010090, P1010091, P1010092, Njoftim i konsullit italian në Shkodër për Ministrinë e Jashtme mbi lëvizjet e Preng Bib Dodës dhe Imzot Serreqit 

[4] AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, img 7869. 7870. 7871, Informacion i konsullit italian në Shkodër për Ministrinë e Jashtme rreth gjendjes që mbizotëron në këtë vilajet

Filed Under: Histori

A ËSHTË I MUNDUR NJË GRUSHT SHTETI KUNDËR PUTINIT?

March 6, 2022 by s p

Nga PAOLO VALENTINO

Mësymja kundër Ukrainës do t’i ketë kushtuar deri tani Rusisë më shumë se dhjetëmijë të vdekur. “Kemi patur një numër humbjesh të llahtarëshme: në vetëm një javë kemi humbur të njëjtin numër të ushtarëve të misionit në Siri për tetë vite” vënë në dukje për Corrieren burime ushtarake ruse.

Po të vërtetohet, do të bëhej fjalë për një shifër të tmerrshme, që flet shumë për vështirësitë e hasura nga ushtria e Kremlinit, megjithë epërsinë mbytëse në mjete e në njerëz. 

Por mbi të gjitha është një shifër që shumfishon problemet e Vladimir Putinit, në lidhje me bastet e jetës. Atë që mund t’a shuguronte si rimëkëmbësin e Rusisë së Shenjtë, Carin që ka bashkuar Botën Ruse, siç ëndërron. Ose mund t’i japë një goditje ganduese prestigjit dhe autoritetit të tij, deri n’atë pikë sa të bëjë t’i lëkundet pushteti.

Lajmet nga terreni thonë se komandat ruse kanë ndryshuar taktikë e që tani vija e sulmit po bëhet më mizore, më pak e kujdesëshme për çmimet qytetare të bombardimeve. “Putini don një fitore ushtarake dhe e don shpejt, përparësia është bërë pushtimi i Kievit”, thonë burimet, simbas të cilëve regime change, ndryshimi i regjimit me përzënien e Zhelenskit, i vënë si synim në fillim, nuk është më i dëshirueshëm nga Kremlini. Përkundrazi, “Një fitore ushtarake do të lejonte detyrimin e kushteve të një marrëveshjeje me qeverinë e sotme.”

A është i qëndrueshëm Vladimir Putini, mbi bazamentin deri tani të paprekshëm e të paprekur, mbi të cilin  prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh “mbretëron” mbi Vëndin me njëmbëdhjetë orë të ndryshme. Apo edhe për të do të vlejë ligji i pashkruar nga autokratë e diktatorë, fati i të cilëve shpesh ndërthuret me aventurat ushtarake?

Përgjigja e parë e shumë analistëve dhe sipërmarrësve është që Putini është ende në kontroll të plotë të të gjitha levave të pushtetit, e veç asaj ka një bazë të fuqishme të opinionit publik që i miraton vendimet edhe në sajë të forcës e depërtimit të propagandës së tij. “Ka një pushtet të plotë – thotë një biznesmen italian prej shumë vitesh në Rusi – dhe edhe se gjëndja po i shtyn disa nga oligarkët të shprehin pakënaqësi, këta zëra nuk kanë  asnjë mbështetje politike ose ushtarake”.

Sigurisht e bën të fortë edhe njëfarë mosbesimi i thellë që përshkon një pjesë të popullsisë ruse, sa i përket mundësisë së një ndryshimi: “Bombardimi i Kievit është një goditje për shumë rusë, që atje kanë t’afërmit e miqtë. Por shumica nuk proteston, ka një pandjesi të thellë sepse janë të bindur se nuk vlen gjë, se gjithshka është e vendosur nga Putini dhe nga pesë o gjashtë shumë të besuarit e tij që e përkrahin”

Por askush nuk mohon krikëllimat, fërgëllimat, shënjat që diçka po lëviz brënda një Vëndi që zbret dalngadalë drejt një faze pasigurie, ashpërsie ekonomike e veçimi  nga bota. Janë 6000 arrestimet e forcave te sigurisë në pak ditë të manifestimeve të vetvetishme. Është dridhja e peticioneve e letrave të hapura, samizadt-et bashkëkohorë kundër luftës, që lulëzojnë nga një cep në tjetrin të Vëndit, për të gjitha ato ajo e kundërshtarit Lev Schlossberg, që ka mbledhur 700.000 firma. Janë qëndrimet paqësore dë disa oligarkëve. Si Fridman e Deripashka, të 300 të zgjedhurve vendorë që kërkojnë të bisedohet, të personazheve të sportit e të artit, të tre komunistëve të Dumës që kanë thënë se kanë votuar “po” për njohjen e dy Republikave të Donbasit “n’emër të paqes e jo të luftës”. Ose dhjetramijrat e postimeve mbi mediat sociale, që ftojnë të pushohet agresioni. Dhe janë lulet, mijra buqeta të depozituara në ambasadën e Ukrainës në Moskë.

“Un besoj se Putini mund të bjerë, por jo tashti, duhet kohë”, thotë Valerij Solovej, politolog e historian, që ka drejtuar Departamentin e Çështjeve Institucionale, të famshmin MGIMO, Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit të Moskës, më parë se të largohej nga puna për opinionet e tij të pavarura. Simbas studjuesit, “gjëndja është e paracaktuar të rëndohet, lufta n’Ukrainë godet ndërgjegjen tonë dhe nivelin tonë të jetesës e do të ketë pasoja shoqërore dhe ekonomike, që mund të shpërthejnë në kriza politike”. Solovej e quan pakënaqësinë e elitave, oligarkive, dhe sipërmarrësve, një faktor i rëndësishëm e vendimtar: “Në lëtë çast nuk janë të gatshëm të flasin me zë të lartë, por nëse shmangia vazhdon  do të mundeshin të bashkoheshn, kanë lidhje me disa grupe politike dhe së bashku mund të ushtrojnë një trysni tepër të fuqishme mbi Putinin. Por kjo nuk mund të ndodhë para vjeshtës, regjimi është i fuqishëm  dhe shtrëngon vidhat e shtypjes, ka treguar se nuk është i gatshëm të durojë asnjë kundërshti”

Është edhe çështje besnikërie e aparateve të sigurisë, mbi të cilët Putini mban një zotërim të plotë e të pakontrolluar: “Ai do t’ishte në rrezik nëse elitat do të përceptonin se nuk ka më mbështetjen e shërbimeve dhe në të njëjtën kohë të vërtetoheshin protesta masive të popullsisë së pakënaqur”, thotë Abbaz Galljanov, një analist që ka bërë speechwriter për Putinin e tani punon si këshilltar politik i pavarur. Dhe shton: “Nëse do t’a shihnin mjaft të dobësuar e po të bindeshin se mund t’a bëjnë pa rrezik, atëherë elitat do të mund të tradhëtonin Putinin. Por nuk është për nesër”.

Siç na mëson historia, kur Rusia hyn në një smutnoe vremja, në një periudhë të turbullt, janë bujarët ata që përfundojnë së hequri qafe Carin.

“Corriere della Sera”, 2 mars 2022    Përktheu Eugjen Merlika     

Filed Under: Emigracion

FOLEJA, LUFTA DHE PLANETI

March 6, 2022 by s p

përsiatje –

Visar Zhiti

Ngjajnë planeti dhe foleja?Ndoshta. Po, po… Qiellin e kanë të përbashkët dhe s’ka rëndësi madhësia. Një fole zogsh plot me cicërimagëzimesh është më e madhe për mua se sa një planet, sado i stërmadh qoftë, por i shkretë, pa ujë, pa një gjethe. Një pëndë vlen sa një kometë. Bombave që hedhin avionët luftarakë nga lart, duhet t’u vijë shumë turp nga foletë e zogjve, po mendoj si një fëmijë dhe fjala është pêr ata që hedhin bomba e sidomos për ata që urdhërojnë që t’i hedhin. Nuk kanë turp prej fëmijëve të tyre? A nuk u del fantazma e një fëmije të vrarë nga lufta?Si fëmijë po shikoja kësaj pasditeje foletë në degët e pemëve ende të zhveshura nga dimri. Janë fole jete, po thosha me vete. Pavarësisht historisë, revolucioneve, pakënaqësive pa kuptim apo dhe me kuptim të jetës, djallëzive dhe mënçurive të popujve, urrejtjes gjenerale, luftës që nga tani dhe dikur, këto fole zogjsh që i merr era, metaforikisht janë më të forta se të gjitha dhe e sfidojnë llahtarin planetar. Zogjtë nuk njohin kufij dhe s’u duhen pasaporta, thashë me vete si një fëmijë. As presidentë. Foletë e njeriut, për çudi, qytete apo vende ndodh që për një çast të bëhen gërmadhë me urdhër të një presidenti, që sigurisht është çmendur. Një shtet, që para ca kohe ka qenë vetë i shkatërruar nga një luftë e madhe, që e quajnë patriotike, por që ishte thjeshtë e çmendur, tani shkon t’i bëjë një vendi tjetër po atë hata, me po atë delir dhe çmenduri.Zogjtë nuk çmenden dhe as kuptojnë kryq të thyer apo yll të kuq, madje as emblemat me zogj e shpendë me dy kokë e me tigra e gomerë, etj, gryka e tankut mund t’u duket si zgavër e përshtatêshme për të bërë një fole, sa tmerr që vjellin zjarr!Si fëmijë shikoj foletë lart, po që ngjajnë si zemra të errta a si planete të largët? Krahasime mund të gjenden plot. Po i fotografoja. Puna është të mësojmë nga kujtesa e folesë së zogjve ashtu si foletë e njerëzve. Janë si planete. Janë vetë planete të universit më të bukur dhe më me kuptim, të dashurisë njerëzore dhe kërshërisë së pafund të njeriut. Që dhe një i vetëm është një univers. Mallkim planetar kur ka që guxojnë të shkatërrojnë e të vrasin jetëndhe mjedisin. Ata kurrë nuk do të kenë parë një fole mes degëve nëpër erëra, nuk do të kenë dëgjuar ndonjë zë fëmije të kërkojë një zog për ta marrë ndër duart plot paqe, nuk kujtohen që ata që nisin luftrat, e pësojnë po prej tyre, ja, hitleri u dogj, musolinin e varën, dhe çausheskun e vranë, po stalinin me statujat e tij që u shkulën nga kudo, edhe enverin etj, millosheviçit i pushoi zemra në gjyqin e Hagë, kujtova nga më të fundit, që i njohëm vetë, por edhe putini, ndjekësi i tyre qorr, ka për të humbur një ditë, së shpejti. Tani edhe fëmijët e dinë që në hapësirën pafund plot me yje jemi së bashku në një planet që edhe mund ta shkatërrojmë, jo ne, por të tjerë si ne dhe kundër nesh. Porosinë më të vlefshme për luftën sot na i jep ai fëmija që në zinxhirët e një tanku po derdh ujët e hollë,zhurmëritës si cicërimë zogu. Të mos harrojmë, se fillon te foleja dhe aty mbaron…Visar Zhiti

Filed Under: ESSE

HAPJA E SHKOLLËS SË VËRBENIT MË 1889 NË REKË TË EPËRME ME MËSUESIN OLIMPIA SAVA ISHTE SHKOLLË LAIKE

March 6, 2022 by s p

Avzi MUSTAFA

Një fshat që është shumë interesant, i cili mbijetoi, por edhe sot e kësaj dite është me banorë që jetojnë aty, është Vërbeni. Ky fshat gjendet pas fshatit Duf, menjëherë në të djathtë para Mavrovës, në kilometrin e pestë nga rruga Gostivar-Dibër. Në bazë të dokumenteve qëndron se kisha e parë është ndërtuar më 1831 dhe e mban emrin, siç i thonë banorët, “Shum Nikolla”, ose “Shën Nikolla”, siç i thonë sot në gjuhën maqedonase.

Në Vërben, për shkak të kushteve të mira dhe rrugëve që të çonin, si në Gostivar, ashtu edhe në Dibër, kanë jetuar një numër më i madh i popullatës në krahasim me fshatrat tjerë të Rekës së Epërme. Sipas statistikave që na i prezanton historiani bullgar Kënçov, ky fshat, në fillim të shekullit XIX, ka numëruar 660 banorë, prej të cilëve 300 shqiptarë të krishterë dhe 360 shqiptarë të konvertuar në fenë islame. 

Fshati Vërben është një ndër fshatrat më të gjallë në krahasim më fshatrat tjerë të Rekës së Epërme jo vetëm tani, por edhe në kohët e mëparshme. Dikur, por edhe sot, ata janë marrë me blegtori dhe me përpunimin e bulmetit e të brumërave, sidomos të prodhimit të kadaifit e koreve të ndryshme, por edhe me ndërtimtari ose punëtorë krahu në tërë Ballkanin, si në Bullgari, Rumani, Serbi, Rusi, Stamboll.

Gjatë Perandorisë, ashtu si çdo shqiptar, edhe këta banorë shkonin në vendet e Ballkanit për kurbet. Ata shkonin në Bullgari, Rumani, Stamboll e gjetiu. Edhe pse shumica ishin krahë pune dhe mundoheshin të fitojnë për t’i mbajtur familjet e tyre, ata nuk e kursyen atë fitim të vogël që t’i formojnë edhe shoqatat e tyre për ta ndihmuar vendin e tyre të robëruar. Një shoqëri, që ishte më e madhja në tërë Ballkanin, ishte Shoqëria e Bukureshtit, e cila edhe ishte më aktivja. Me kontributin dhe angazhimin e kësaj Shoqërie u realizua edhe Mësonjëtorja e Korçës.

Hapja e “Mësonjëtores shqipe të Korçës” është një kontribut shumë i madh, që do të ndikojë në mënyrë pozitive në mbarë trojet e shqipfolëse për të hapur shkolla në gjuhën amtare. Kjo shkollë ishte e para që e mori karakter kombëtar dhe laik. Kjo shkollë u dha zemër të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh se ku jetonin, që ta vazhdojnë punën e tyre që sa më parë ta arsimojnë popullatën në frymën e shqiptarizmës, por edhe në të njëjtën kohë ajo do të jetë mburojë për t’ia ndërprerë rrugën përçarjes dhe fanatizmit fetar.

Pas hapjes së shkollës së Korçës pas pak muajsh u hapën një numër i madh shkollash në shumë zona, si në: Korçë, Kolonjë, Pogradec, Dibër, Ohër, Gjakovë, Pejë, Manastir, Shkup, Rekë e Epërme etj. Sipas të dhënave të historianit të arsimit shqip, prof. Hysni Myziri, i cili flet për vrullin e hapjeve të shkollave në gjuhën shqipe, “një shkollë në gjuhën shqipe u hap në Rekën e Epërme në fshatin Vërbgjan”. Siç duket në dokumente, në këtë fshat është hapur një shkollë shqipe, por kohëve të fundit, me shfrytëzimin e arkivave të ndryshme dhe shtypit të kohës, duket se është bërë një gabim, sepse shkolla është hapur në VËRBEN e jo në Vërgjan. Fshati Vërbgjan ndodhet në mes dy Rekave, sepse Reka ndahet në pesë (5) pjesë: Reka e Vogël, Reka e Poshtme, Reka e Epërme dhe nga tre fshatrat të Mavrovës, ku bëjnë pjesë Lenonova, Niqiforova e Mavrova, kurse fshati Vërgjan është ndërmjet Rekës së Poshtme dhe Rekës së Epërme. 

Për ta justifikuar pohimin se shkolla e parë në Rekë të Epërme është hapur në Vërben, unë do të ndalem në një shkrim nga një udhëpërshkrim i Peter Elezit, që i bëri Malësisë së Dibrës dhe Gostivarit me rastin e hapjeve të shkollave të gjuhës shqipe në Rekë të Epërme më 10 korrik të vitit 1941. Në udhëpërshkrimin me titull: “Në bisedë me gjind që flasin në gjuhë të vet”, që e boton në gazetën “KOSOVA” më 27 shtator 1941, në f. 4-5, ai do të shkruajë: 

“….Me 10 korrik bashkë me z. Selim Alliun u- nisëm me shkue e me pamë krahinën REKË E EPËRME. Automobili na përcolli deri në Tërnicë. Komuneja e fundit e kësaj krahine. Hymë mbrenda në zyrë: aty gjetëm sekretarin Z. Damjan Beliçin. E pyetëm se ç’gjuhë dinte, që të merreshim vesh. Kur na tha se dinte shqip e ishte shqiptar nga Reka e Epërme, gëzimi i ynë që i madh. Ai na gjeti disa katundarë për me na shoqnue deri në nji katund të Rekës. Sipas një skice të bame nga ne vetë, katundi i parë, që kishim me pamë, ishte Vollkovia, që ndodhet nga e djathta e udhës që të çon nga Dibra në Gostivar e në faqe të një mali”.

… “kur mbërrijtëm në katund kërkuam shkollën; si e pamë u-nisëm me shkue në punën t’onë. Po plaku Z. Zylfi Fazliu na tha “ Zotni, do të vini me marrë nga një gotë qumësht në shtëpi t’eme…Ngulte kambë dhe e quante shpërçmim po të mos i shkojshim…… Zoti Zylfi na tha: “Dotë shkojmë tek shtëpija e Avllakum Gligorit…. Sikur shifet banorët e këtyne viseve janë të besimit Orthodoks e Muhamedan, Shqiptarët kanë nji dashni të madhe me njani tjetrin….. Kur shkuem në shtëpi të Z. Avllakum Gligorit, ai u bani za s’amës, grues dhe njerzvet të tjerë të shtëpistue u thanë”… Eja mori nanë, se na kanë ardh gjind që flasin në gjuhë të vet…”… Pasi mbetëm nji orë aherë kërkuam leje dhe u nisëm në punën t’onë se nuk priste koha…. Plaku Zylfi don me na shoqnue deri në katundin e afërm e të behesh udhërrëfyes i ynë… Mbas nji ore udhtëtimi mbërrijitëm në katundin e afërm që thohet Be’shnicë (Beliçicë). Shkuem drejtë në shkollë. Mbas pak erdhi shërbetori i shkollës, çeli shkollën dhe hymë mbrenda. Por sa u-hap shkolla u-mblodhën edhe katundar të tjerë. Edhe këta ishin të habitun e të gëzuar. E flisnin mirë gjuhën Shqipe… Pas Vollkovis mbërrijitëm në qafën që ndan të dyja lagjet e këtij katundi, një grup njerëzish nga parija e vendit, tue pas në krye edhe priftin, po ngjiteshim. Prifti Papa Maneja, Z. Gavril Andereja e të tjerë. Si u folëm me ta dhe plaku Zylfi u- u nisëm për në VËRBEN… Shërbetori i shkollës z. Jakov Metanija, shkonte përpara…; tregonte hallet e jetës dhe familjes… Shtëpijat e katundit VËRBEN, ku mendojshim me kalue të parën natë… Shkuam drejt në shkollë, që ishte e mirë dhe e re… Shërbetori u tha “Folu në gjuhë të vet; këta janë si na pi Albanije…”…. Kanardh pi Albanije dhe janë nazarnik” po i pëshpërisin njani me tjetrin në vesh… Po bisedojnë se si me e regullue fjetjen në shkollë, hyni në derë një plak madhshtuer, me një shkop në dorë mbi të cilin mbështetesh se i dhimte një kambë. Ishte z. Vllagun Filipi, nji nga paria e vendit……. “Zotni, sonte keni me fjet tek unë; mir-keq kemi me kaluekët natë së bashku”… E njihte mirë jetën dhe Shqipnin, ku kishte jetue si nënpunës në kohë të Turqis. Na tregoi shumë sende; ndër të tjera na tha: “Katundi i ynë e tanë Reka e Epërme kanë qenë mendueshum që të bëhesh ky vend Albani . Ka qenë edhe nji mësues nga ky katund, qe ka qenë mundue me përhap mësimin e gjuhës Shqipe; por asht largue nga katundi i ynë më 1914; ka pas marrëveshje me z. Xheladin Seferin që hapeshin shkolla Shqipe…”.. Të nesërmen në mëngjes shkuem tek vorri i këti mësuesi: kishte pas emrin OLIMBIA SAVA”.

Në bazë të kujtimeve, edhe pse të pakta, përsëri disa banorë të Vërbenit e mbajnë mend, duke fol e duke plotësuar njeri-tjetrin, se kjo shkollë në gjuhën shqipe duhet të ketë filluar diku në maj të vitit 1889. Në Vërben ishte hapur kjo shkollë shqipe kombëtare dhe ajo kishte gëzuar përkrahje shumë të madhe si nga populli, ashtu edhe nga kolonia shqiptare që vepronte në Rumani. Kjo shkollë, edhe pse u hap për fëmijët që të mësojnë shkrim e këndim në gjuhë amtare, në të njëjtën kohë ajo i hapi zemrat edhe të shumë prindërve të nxënësve, që ta ndjekin këtë shkollë. Shkolla ka qenë e financuar nga vetë shqiptarët e Rekës, Dibrës e Kërçovës, si dhe patriotët e Korçës e të Pogradecit, që punonin në Vllahi (Rumani). Kontributin më të madh e kishte dhënë banori i këtij fshati, Vllagun Filipi, i cili kishte punuar në administratën turke dhe kishte qenë në kontakt edhe me shqiptarët e Stambollit. Ai e ka njohur personalisht Koto Hoxhin, Naim dhe Sami Frashërin, Jani Vreton, Ismail Qemalin, Pashko Vasën, si dhe disa patriotë nga Dibra e Reka e Epërme, si: Sait Najdeni e Faik Vildani, Josif Bageri e Llazar Siljani, si dhe pronarët e disa furrave në Stamboll, si: Manajllovët, Matejtë e Leountinët.  

KUSH ËSHTË MËSUESI OLIMBIA SAVA?

Për biografinë e këtij mësuesi patriot, përveç atyre kujtimeve që janë bartur brez pas brezi, njohuri të tjera nuk ka. Atë që e dimë është varri i tij, që gjendet në varret e kishës së Dingozit. Ajo që është përcjell dhe mbahet në kujtesën e fshatrave është se emri i tij është i fshehur, kurse mbiemri mund të jetë i saktë, sepse mbiemra me Savën edhe në Vërben ka edhe në Strazimir. Këtu, nga banorët e vjetër të fshatit thuhet kur ka ardhur nga Rumania, i ka pasur afër 40 vjet. Ka ardhur në fshat me republikë (sheshir), me frak dhe me qostek sahati. Thuhet se çdoherë ka mbajtur këmishë me ngjyrë të zezë, që të duket se është prift. Kohën më të madhe e ka kaluar në kishën e fshatit dhe ka qenë i angazhuar si pitrop (personi që ua tregon ikonat familjeve që janë shpërngulur nga ky fshat). Pas ritualeve kishtare, ai i ka mbledhur fëmijët dhe “u ka mësue gjuhën Shqype, të bejnë hesap (arifemtikë) edhe ua ka mësu edhe drzhavat, bujqësi qysh me u punu toka dhe kanë kënduar këngë”. (bëhet fjalë për vjersha – A.M.).

Abetaren, siç e quan banori “bukvarin”, e ka sjell nga Bukureshti dhe i ka pasur vetëm 5 copë. “Germat i kanë gdhendë prej thuprave dhe i kanë shtrua në pod” (dysheme).

Shkollën e kanë ndjekur më shumë në kohën e dimrit, kurse në pranverë dhe në vjeshtën e parë, siç i thonë ata, numri i nxënësve ka qenë më i vogël. “Në kohën e dimrit numri ka qenë i madh, bile këtë shkollë e kanë ndjekur edhe banorët e “rritur për me ndie se qysh difton daskali”.

Olimpia Sava është shkolluar nga klerikët shqiptarë që i kishin përfunduar studimet e larta jashtë vendit. Një shkollë e tillë, sipas banorëve të vendit, ka qenë në Manastir, në Kishën e “Shën Mërisë”. Kjo kishë i pranonte fëmijë nga të gjitha krahinat ku i mbante me strehim, me ushqim e me fjetje. Në këtë kishë prania e klerikëve shqiptarë ka qenë e madhe. Nevoja për t’ua mësuar gjuhën shqipe në këtë manastir ka ardhur si revoltë ndaj priftërinjve grekë dhe serbë, që propagandonin se “vetëm gjuhët e tyre i njeh Zoti!”. Klerikët shqiptar, në pamundësi që publikisht t’ua mësojnë gjuhën amtare fëmijëve, sepse këtë nuk e lejonte as shteti e as kanunet fetare, ndjenjën për shqiptarizëm, si dhe shkrim-leximin, ua mësonin fëmijëve fshehtas në dhomat e strehimores. 

Olimbia Sava një kohë qëndron edhe në manastirin serb në Selanik, “Sveti Sava”. Më vonë ai e braktis këtë manastir dhe shkon në Sofje e pastaj në Bukuresht. Ai hyn në lëvizjen patriotike të shoqatës që vepronte në Bukuresht. Meqenëse ishte shumë i zgjuar dhe dinte shkrim e lexim, kolonia e Bukureshtit e dërgon në Rekë të Epërme, në Vërben, në fshatin më të madh ku banonin shqiptarët, për ta hapur aty shkollën në gjuhën shqipe.

Emri Olimbia, si duket, është emër kishtar, që të mos bie në sy prej pushtetit dhe priftërinjve fanatikë. Prifti Manej nga fshati Vërben dhe komuniteti kishtar ia japin Olimbisë edhe dokumentin se ai është i punësuar në kishën e fshatit për t’i kryer punët e kishës si pitrop. 

Mësuesi Olimbia Sava duhet të jetë lindur rreth viteve 1849/1850. Nga bashkëvendësit, që ishin nga Shtirovica, Vërbeni, Zhuzlje, Sence etj., ai është dërguar që ta hapë shkollën në këtë fshat me një pagesë prej disa napolonave – afër 500 grosh.

Në fillim shkolla punoi në një nga dhomat e kishës. Meqenëse numri i nxënësve ishte i madh, atëherë paria e fshatit, në krye me Vllagun Filipin, e nisin shkollën. Ndërtimi i shkollës ka zgjatur gati dy vjet dhe është ndërtuar sipas një modeli të një shkolle të Stambollit. Shkolla ka qenë me një klasë dhe një dhomë banimi në katin e dytë, por klasa ka pasur hapësirë shumë të madhe, ku ka pasur katedër, përreth murit disa ndarje në formë gjysmë harku për nxënës të veçantë dhe banka në mes të dhomës. 

Në ndërtimin e shkollës, përveç fshatarëve dhe anëtarëve të kolonisë së Bukureshtit, kontribut kanë dhënë edhe esnafët, sidomos “esnafi i terzive” në Dibër. Esnafi, denbabaden, furnizohej me produktet e leshit dhe të shajakut nga banorët e Rekës dhe atyre ua kishin borxh atë ndihmë.

Kjo shkollë, përveç arsimit elementar për djem dhe vajza, ka dhënë edhe arsim për të rriturit. Ajo i ka pasur katër klasë. Sipas plan-programit, nxënësit në klasën e parë i kanë mësuar shkronjat, në të dytën lexim, në të tretën Matematikë dhe në të katërtën Dheshkronjë, Punë dore dhe Muzikë. Fondi i orëve ka qenë më i madh në përvetësimin e shkrim-leximit dhe të arifmetikës, kurse në orët tjera kanë mësuar edhe Dheshkronjë, Muzikë (këndim) e Punë dore, sidomos vajzat, që kanë mësuar qëndisjen dhe gatimin, kurse djemtë i kanë mësuar çështjet e blegtorisë dhe të bujqësisë.

Metoda e mësimit që ka dominuar në përvetësimin e shkronjave ka qenë metoda e rrokjezimit dhe ajo fonetike, si dhe të lexuarit në kor dhe leximi “stafetë”, kjo për shkak të mungesës së librave. Prandaj mësuesi e ka ndarë mësimin në paragrafë, sepse ashtu iu ka dhënë mundësia çdo nxënësi që të përfshihet në lexim.

Për hapjen e shkollës në këtë fshat, si dhe për përpjekjen për hapjen e shkollave të tjera në këtë zonë, ka ndihmuar shumë edhe patrioti Luzian nga Dibra e Poshtme, Xheladin Seferi.

Po ashtu nga udhëpërshkrimi i Peter Elezit kuptojmë se kjo shkollë ka punuar deri në fillim të vitit 1914, kur forcat e ushtrive aleate të monarkive ballkanike, gjoja në emër të dëbimit të ushtrisë turke, e vritnin dhe masakronin popullin e pambrojtur shqiptar. Ishte koha kur shtetet ballkanike me turr bënin plane se kush do të gllabërojnë sa më shumë tokë shqiptare, sepse tek ata mbretëronte mendimi se tokat shqiptare janë pa zot – “tokë e askujt”. Prandaj ata nuk zgjidhnin as mjete e as metoda – ushtria serbe hynte nga disa drejtime dhe bënte kërdi, masakrime të papara. Sipas gazetave të Evropës, “aty ku kishte kaluar ushtria serbe, sidomos në tokat shqiptare, si në Kosovë, Dibër, Lumë, Lezhë, Elbasan, Durrës, ajo kishte vrarë më tepër se 25.000 shqiptarë (burra, gra e fëmijë)”.

Kjo shkollë, me disa ndërprerje të kushtëzuara nga shumë faktorë, ka punuar deri në vitin 1914. Pas këtij viti kjo shkollë me mësim në gjuhën shqipe zëvendësohet me mësues serbë. Pas këtij viti nuk dihet asgjë as për mësuesin Olimbia Sava – a ka vdekur nga ndonjë sëmundje apo është likuiduar për punën e shkollës në gjuhën shqipe. 

Se sa ka qenë interesimi i mësuesit serb për t’i mësuar fëmijët shqiptarë të kësaj zone në mënyrë shumë të qartë dhe konkrete e kuptojmë nga fjalët e shërbëtorit Jakov Matenija, që e udhëhiqte grupin. Ai do të shprehet kështu: “se këtej bie borë; si i thoni ju? Dhaskallt bajnë ski: ata nuk kujdesn fort për kalamajt. Nji vit ma parë ka qenë njidaskal i ri:ai nuk dinte me rreshqitë mirë mbi borë:i thash: Dëgjo more daskall: ke me thy ndoj kambë e më thonë në shkollë: Vdiq daskalli… Dola një herë e shkova në vendin e skis. Atje e gjeta daskallin të shtrimë në borë e pa frymë i rashë disa herë me pllambë fytyrës dhe e shkunda e deri sa erdhi m’vete. Oh, kam thye kambën, priti daskalli… Pastaj ai iku për me e shërue këmbën e fëmijët mbetën pa mësim… daskallët sllav nuk kanë pas tregua asnjë kujdes për arsimin dhe edukimin e popullit: fëmijët që kishin mbarue katër klasë fillore, nuk dijshin me shkrue”.

Këtë shkollë e karakterizojnë disa veçori: ajo është shkolla e parë laike për djem dhe vajza në gjuhën shqipe; këtë shkollë e kanë ndjekur edhe të rriturit; ajo ka punuar me plan dhe program mësimor me abetare nga autorë shqiptarë; dhe ka pasur objekt shkollor të ndërtuar nga kontributet e fshatarëve, patriotëve dhe arsimdashësve shqiptarë jashtë atdheut. 

Me mbylljen e kësaj shkolle në Rekë të Epërme, në këtë krahinë asnjëherë më nuk do të mësohet gjuha shqipe. Si pushtuesi bullgar, ashtu edhe pushtuesi serb, para Luftës së Dytë Botërore, ngjashëm si edhe pushteti maqedonas pas LDB-së, do të zhvillojnë një politikë shkombëtarizuese ndaj shqiptarëve të Rekës së Epërme. Edhe pse kërkesa për shkollë në gjuhën shqipe ka pasur, bile janë mbajtur edhe referendume, kjo nuk ka gjetur miratim asnjëherë.  

Në një dokument të vitit 1969, dërguar Kryesisë së KQ të LKJ në Beograd, ku përshkruhet gjendja dhe kërkesa e banorëve të Rekës së Epërme për arsim në gjuhën shqipe, thuhet: “Nëpër fshatra me popullsi shqiptare të besimit mysliman “mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase, me motivacion se nuk e njohin gjuhën shqipe, ndërsa të njëjtën gjuhë, përkatësisht në gjuhën maqedonase, mësimi zhvillohet edhe nëpër fshatra shqiptare (të besimit ortodoks), të cilët e flasin vetëm gjuhën shqipe, kësaj here për shkak se janë të besimit ortodoks. Kjo duket si shaka, mirëpo e gjithë kjo është vendosur në atë mënyrë, saqë askush nuk guxon të thotë asgjë për këtë çështje, ndërsa një ditë të thuhet: “Çfarë faji ne kemi këtu, ata nuk e njohin gjuhën e tyre amtare?!”.

Sot fshatrat e Rekës së Epërme janë boshatisur, të rinjtë janë asimiluar, ndërsa pleqtë, edhe pse e flasin gjuhën shqipe, deklarohen si maqedonas.

Filed Under: Histori

Kryeministri Kurti: Sulmet ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë

March 6, 2022 by s p

Prekaz, 6 mars 2022

Në vazhdën e aktiviteteve për nder të 24- vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

I shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e bashkëpunëtorë të tjerë, kryeministri Kurti tha se ishin sot në Prekaz, në 24-vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin përfundimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Teksa kujtonte sulmet e njëpasnjëshme që iu bënë familjes Jashari nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Millosheviqit, edhe në dhjetor të vitit 1991 edhe në janar të vitit 1998, kryeministri Kurti tha se të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen”, u shpreh kryeministri derisa shtoi se jo vetëm që nuk e harrojmë prej nga vijmë, por në të njëjtën kohë pikërisht nëpërmjet përgjegjësisë sonë për këtë të shkuar sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme e dimë se si të ecim mbarë edhe drejt përpara.

Pas nderimit që iu bë familjes Jashari për flijimin dhe sakrificën sublime për shtetin e Kosovës,  krerët e shtetit, u pritën nga Rifat Jashari, vëllai i Adem dhe Hamëz Jasharit.

Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz:

Së bashku me Presidenten e Republikës dhe me Kryetarin e Kuvendit dhe me kolegë të tjerë, bashkëpunëtorë nga Qeveria dhe Parlamenti, me aktivistë e me qytetarë të Republikës erdhëm sot këtu në 24-vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin vendimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jasharajve, ata u patën sulmuar nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Millosheviqit edhe në dhjetor të vitit 1991 edhe në janar të vitit 1998 dhe që të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen. Gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe ne si institucione të Republikës, si krerë të këtyre institucioneve, si përfaqësues politikë, si qytetarë të Republikës jo vetëm që nuk e harrojmë prej nga vijmë por në të njëjtën kohë pikërisht nëpërmjet përgjegjësisë sonë për këtë të shkuar, sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme, e dimë se si të ecim mbarë dhe drejt përpara.

Lavdi kryekomandantit Adem Jashari, Bacës Shaban, Hamzës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2375
  • 2376
  • 2377
  • 2378
  • 2379
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT