• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kuvendi i Kosovës me rezolutë dënon fuqishëm agresionin rus në Ukrainë

March 3, 2022 by s p

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës:

E kemi dënuar dhe dënojmë fuqishëm agresionin rus. Thirrje 5 shteteve mos-njohëse brenda Bashkimit Evropian, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros, që të njohin urgjentisht pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të mos lejohet përdorimi i preteksteve false dhe analogjive të paqëndrueshme për të nxitur ndarje e konflikte në Evropë/

PRISHTINË, 3 Mars 2022- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus, është miraratuar në një seancë plenare sot  me dakordim midis grupeve parlamentare. Rezoluta që e ka lexuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është miratuar me 94 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Grupi parlamentar minoritar Lista Serbe e ka lëshuar sallën para votimit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, në të cilën është miratuar rezoluta që dënon agresionin rus në Ukrainë.

Sulmi ndaj Ukrainës është sulm mbi botën e civilizuar, është sulm mbi lirinë dhe demokracinë, mbi vlerat tona më të çmuara për të cilat gjenerata të tëra janë flijuar, pra është sulm mbi të gjithë ne, tha kryeministri Kurti.

Ne jemi popull paqedashës e liridashës, prandaj edhe e gjejmë vetën edhe në heroizmin e tyre për të luftuar për lirinë dhe vendin e tyre, sepse ne njohim mirë çmimin e lartë të lirisë, shtoi ai.

Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se ne tashmë kemi dënuar ashpër sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës; kemi miratuar sanksionet duke ju bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian; kemi marrë vendimin që të pranojmë 20 gazetarë nga Ukraina në mënyrë që edhe t’u ofrojmë strehim e siguri por edhe kushte për punë, dhe sot së bashku miratohet kjo rezolutë në institucionin më të lartë të Republikës sonë për të dënuar agresionin rus.

Ne kemi dënuar dhe dënojmë fuqishëm agresionin rus, tha kryeministri Kurti duke shtuar se ne e dënojmë edhe mos-dënimin e agresionit rus nga fqinji ynë verior Serbia dhe mos-vënien e sanksioneve. Ndaj agresionit të Rusisë e pushtimit të Ukrainës nuk mund të ketë neutralitet për vende kandidate për anëtarësim në Bashkim Evropian kur i gjithë Bashkimi Evropian e dënon dhe e sanksionon fuqishëm, theksoi ai.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për angazhimin e shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të shprehur me caktimin e përfaqësuesve e emisarëve të tyre special.

Ai u bëri thirrje 5 shteteve mos-njohëse brenda Bashkimit Evropian, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros, që të njohin urgjentisht pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të mos lejohet përdorimi i preteksteve false dhe analogjive të paqëndrueshme për të nxitur ndarje e konflikte në Evropë.

Pavarësia e Kosovës është një rast që merr parasysh padrejtësinë shekullore, okupimin, luftën dhe gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë; është në përputhje me të drejtën e popullit tonë për vetëvendosje, dhe – siç është vulosur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë – në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në dritën e këtij agresioni, duhet kuptuar se mos njohja e pavarësisë së Kosovës përbën cenim për sigurinë e kontinentit evropian, theksoi kryeministri Kurti.

Ai bëri të ditur se do ta përshpejtojmë procesin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njëjtë siç do të përshpejtojmë aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar. Kryeministri tha se njëkohësisht do të kërkojmë që Kosova të bëhet sa më shpejtë anëtare e NATO-s duke filluar së pari me Partneritetin për Paqe.

FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT KURTI NË KUVEND:

Faleminderit kryetar,

Më vjen keq që nuk arrita të mbërrij në fillim të seancës meqenëse direkt nga Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës po vij këtu, pas kthimit nga Londra.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, të dashur qytetarë,

para një jave ndodhi ajo që pak kush e priste dhe e besonte. Një shtet i pavarur e i lirë, demokratik e paqësor u sulmua nga një shtet fqinj, pa asnjë shkas e pa asnjë provokim.

23 vjet na lufta e fundit në Evropë, e që ndodhi pikërisht në vendin tonë, lajmet e pamjet nga Ukraina tashmë i ngjajnë një tragjedie evropiane në zhvillim. Askush nuk e di me siguri se si do të zhvillohet situata ditëve në vazhdim, por ajo që e dimë nga historia është se askush nuk duhet të rrijë indiferent.

Sulmi ndaj Ukrainës është sulm mbi botën e civilizuar, është sulm mbi lirinë dhe demokracinë, mbi vlerat tona më të çmuara për të cilat gjenerata të tëra janë flijuar, pra është sulm mbi të gjithë ne.

Ukrainasit nuk e kërkuan këtë luftë, ukrainasit nuk e filluan këtë luftë por ukrainasit duhet të luftojnë, sepse ashtu siç lexonte në parullën e një protestueseje; “nëse Ukraina ndalon së luftuari nuk do të ketë Ukrainë”.

Arsyeja pse qeveria jonë, ky parlament dhe secili qytetar i yni solidarizohet me Ukrainën dhe me qytetarët e saj është se në luftën e tyre për liri ne shohim veten tonë; në radhët e gjata të qytetarëve të dëbuar na rikthehet ankthi i dëbimit masiv të qytetarëve tanë. E në ato imazhe të dhunës e të vrasjeve na kthehen traumat e luftës e na dhëmbin plagët të cilat ende nuk janë shëruar.

Ne jemi popull paqedashës e liridashës, prandaj edhe e gjejmë vetën edhe në heroizmin e tyre për të luftuar për lirinë dhe vendin e tyre, sepse ne njohim mirë çmimin e lartë të lirisë.

Ne kemi dënuar dhe dënojmë fuqishëm agresionin rus. Protagonisti i kësaj lufte të tmerrshme beson në ringjalljen e një perandorie të vdekur. Ai nuk përfaqëson ideologji, kauzë apo lëvizje progresiste. Ai është thjeshtë produkt i një sistemi thellësisht të korruptuar që ka prodhuar një autokrat të zemëruar për të tashmen e nostalgjik për të kaluarën.

Tepër shumë pushtet, për tepër gjatë kohë, që bie në kurrizin edhe të popullit të vetë por dhe të fqinjëve të shtetit të tij.

Ne e dënojmë edhe mos-dënimin e agresionit rus nga fqinji ynë verior Serbia dhe mos-vënien e sanksioneve. Pozicioni “edhe edhe” duke tentuar të luaj qendrën e dyfishtë, edhe me Moskën edhe me Brukselin, edhe me Uashingtonin edhe me Pekinin, është pozicion edhe me autokracinë edhe me demokracinë.

Por ndaj agresionit të Rusisë e pushtimit të Ukrainës nuk mund të ketë neutralitet për vende kandidate për anëtarësim në Bashkim Evropian kur i gjithë Bashkimi Evropian e dënon dhe e sanksionon fuqishëm.

Pra qartazi dhe të vendosur, secili duhet ta dënoj invazionin rus dhe agresionin ushtarak.

Si kurrë më parë njerëzimi sot posedon mjetet për të shkatërruar vetveten. Prandaj ajo që po rrezikohet sot nuk është thjeshtë vetëm se e drejta e një shteti për të jetuar sipas zgjedhjeve të lira, në rrezik është e gjithë arkitektura e sigurisë e krijuar pas dy luftërave botërore për të ruajtur paqen në Evropë që përfshinë Kombet e Bashkuara dhe mekanizmat për të qeverisur zhvillimin e luftës; traktatet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, parandalimin e gjenocidit dhe kufizimin e armëve të rrezikshme. Në rrezik është rendi i një bote të qytetëruar, e nëse bota nuk vepron e bashkuar, në rrezik është e ardhmja jonë, e të gjithë neve, e ardhmja e përbashkët e secilit prej nesh.

Tashmë e kemi nxjerrë mësimin nga historia se ledhatimi i autokratëve nuk i bën ata demokratë por i shndërron në diktatorë, në despot, në totalitar. Historia na mëson po ashtu se viktimat e para të agresionit janë pikërisht fqinjët e shtetit të diktaturës. Duke ditur këtë fakt ka kohë që ne kemi ngritur alarmin për fqinjin tonë agresiv i cili nuk është penduar për krimet e kaluara, mohon gjenocidin, masakrat e spastrimin etnik dhe i glorifikon kriminelët e luftës. Nuk na duhet asnjë provë më shumë për të ditur se çfarë do të sjellë një rrugë e tillë.

Ne tashmë kemi dënuar ashpër sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës; kemi miratuar sanksionet duke ju bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian; kemi marrë vendimin që të pranojmë 20 gazetarë nga Ukraina në mënyrë që edhe t’u ofrojmë strehim e siguri por edhe kushte për punë, dhe sot së bashku po miratojmë këtë rezolutë në institucionin më të lartë të Republikës sonë për të dënuar agresionin rus.

Në përputhje me realitetin e ri, ne kemi ngritur mobilizimin dhe kemi shtuar kujdesin, e së fundmi kemi themeluar Fondin e Sigurisë, me ç ‘rast ftoj të gjithë qytetarët tanë kudo që janë që të kontribuojnë me aq sa munden.

Ne mirëpresim angazhimin e shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të shprehur me caktimin e përfaqësuesve e emisarëve të tyre special. Ky angazhim i shtuar duhet të shoqërohet me veprime konkrete mbi bazën e realitetit e të vërtetës.

U bëjmë thirrje 5 shteteve mos-njohëse brenda Bashkimit Evropian, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros, që të njohin këtë realitet e të vërtetë, duke njohur urgjentisht pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të mos lejohet përdorimi i preteksteve false dhe analogjive të paqëndrueshme për të nxitur ndarje e konflikte në Evropë.

Pavarësia e Kosovës është një rast që merr parasysh padrejtësinë shekullore, okupimin, luftën dhe gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë; është në përputhje me të drejtën e popullit tonë për vetëvendosje, dhe – siç është vulosur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë – në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në dritën e këtij agresioni, duhet kuptuar se mos njohja e pavarësisë së Kosovës përbën cenim për sigurinë e kontinentit evropian.

Vitin e kaluar bëmë të ditur se ne do të aplikojmë për anëtarësim këtë vit për Bashkimin Evropian. Këtë proces do ta përshpejtojmë, njëjtë siç do të përshpejtojmë aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar. Njëkohësisht do të kërkojmë që Kosova të bëhet sa më shpejtë anëtare e NATO-s duke filluar së pari me Partneritetin për Paqe.

Le të mos dështojmë të shohim qartë e të flasim me një zë, të udhëhiqemi nga arsyeja dhe interesi shtetëror e kombëtar. Vendimet e veprimet tona le të jenë ato që rrisin unitetin tonë për brenda dhe fuqizojnë shtetin tonë jashtë.

I falënderoj iniciatorët dhe gjithashtu të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës për këtë frymë të përbashkët në dënimin e invazionit rus, të agresionit ushtarak dhe në shprehjen e respektit, admirimit dhe solidaritetit me popullin e Ukrainës luftën e tij çlirimtare.

Ju faleminderit.

​ LDK- 1 MARS 2022: KOMUNIKATË PËR MEDIE

Prishtinë, 1 mars 2022

Nisur nga situata e re e pasigurisë globale e krijuar nga ndërhyrja luftarake e paprecedent e Rusisë në Ukrainë, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar sot në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, propozim-rezolutën për diskutim me Grupet e tjera Parlamentare, lidhur me dënimin e agresion të Rusisë ndaj Ukrainës dhe rrezikimin e sigurisë globale, si dhe në koordinim me aleatët perëndimorë për vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë dhe për aplikimin për anëtarësim të Kosovës në NATO dhe BE.

LDK kërkon mbledhjen me urgjencë të Grupeve Parlamentare, me qëllim të ndërmarrjes së hapave të nevojshëm në afat sa më të shpejtë kohor; dhe miratimin e rezolutës këtë të enjte, me pikat e propozuara si në vijim:

1.     Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon aktin e paprecedent të ndërhyrjes ushtarake të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, veprim ky i paprovokuar dhe në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare që garantojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të pavarura.

2.     Kuvendi i Republikës së Kosovës renditet krahas aleatëve perëndimorë në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj.

3.     Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme politike dhe kushtetuese për zbatimin e sanksioneve të njëjta ndaj Federatës Ruse sikurse që kanë vepruar vendet aleate perëndimore dhe të koordinohet me ta në të gjitha veprime e mëtutjeshme në këtë drejtim, përfshirë marrjen e obligimit për strehim eventual të refugjatëve dhe kontributin në ndihmat humanitare për popullin e Ukrainës.

4.     Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim të Republikës së Kosovë në NATO dhe BE.

5.     Kuvendi i Republikës së Kosovës i bënë thirrje NATO-s dhe BE-së të shqyrtojnë kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës.

6.     Kuvendi i Republikës së Kosovës u bënë thirrje vendeve të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, ta ndërmarrin sa më parë këtë akt politik në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe BE.

7.     Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë të Republikës të Kosovës që, në konsultim me misionin e NATO-s në Kosovë, të rishikojë dhe shkurtojë afatet e parapara në planin 10-vjeçar të vitit 2018 për avancimin e FSK-së në ushtri të rregullt, përfshirë këtu edhe sigurimin e mbështetjes financiare të nevojshme për këtë qëllim.

LDK – Zyra për Informim

Filed Under: Politike

Intervista e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhënë për Sky News

March 2, 2022 by s p

3 mars 2021

Gazetarja: Ta marrim edhe një reagim nga Evropa Lindore, le të flasim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Më vjen mirë dhe ju falënderojmë për mundësinë e bisedës me ju.

A jeni i shqetësuar që kjo që po ngjanë në Ukrainë mund të shpërndahet në Ballkan, në vendin tuaj?

Kryeministri Kurti: Mirëmëngjesi. Mendoj se ne tashmë e kemi parë këtë në Ballkan, në Kosovë, në pranverën e 1999, kur 860.000 shqiptarë të Kosovës u deportuan për në Shqipëri, Mal të Zi, dhe Maqedoni Veriore. Qindra masakra u kryen, 12.000 civilë të paarmatosur u vranë dhe 20.000 gra u përdhunuan. 

Ne po e shohim tash invazionin rus, agresionin ushtarak, të cilin secili lider institucional, secili politikan evropian dhe botëror duhet ta dënojë ashpër dhe qartë. Për të treguar kështu të gjithë së bashku solidaritet  dhe admirim me guximin dhe luftën çlirimtare të popullit ukrainas.

Ballkani nuk është imun nga efektet e situatës në Ukrainë, për shkak se në Ballkan kemi një shtet që nuk ka vënë sanksione ndaj Federatës Ruse, që nuk i është bashkuar BE-së në dënimin e invazionit rus dhe ky vend është Serbia – fqiu ynë i parë. Ne kemi një vijë kufitare të gjatë me Serbinë.

Serbia është fqinji ynë verior që nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës për dallim nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Maqedonia e Veriut.

Serbia ka lidhje të fuqishme me [Rusinë], dhe kjo lidhje është edhe historike e kulturore nga njëra anë por edhe ekonomike e ushtarake nga ana tjetër. Për shembull, Serbia i ka 14 MiG-29, aeroplanë luftarak, dhe prej tyre 8 i kanë si donacion nga Bjellorusia dhe 6 nga Federata Ruse.

Në parlamentin e Serbisë, prej 250 deputetëve, 151 prej tyre janë anëtarë të grupit të miqësisë Serbi-Rusi – është grupi më i madh i miqësisë. 

Dhe në të njëjtën kohë, Gazprom-i rus ka në pronësi 56% të industrisë së naftës në Serbi dhe 51% të rezervave të gazit në Banatski Dvor në Vojvodinë, që është rezerva më e madhe në Evropën jugore dhe lindore.

Lukoil, Sberbank, të gjitha kompanitë ruse i kanë degët e tyre në Serbi, dhe prandaj qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar që presidenti despotik i Federatës Ruse, Vladimir Putin, do të provojë ta transferojë luftën edhe në Ballkanin Perëndimor për ta bërë edhe një fushëbetejë me demokracitë perëndimore.

Por, ne jemi të vendosur dhe vigjilent, dhe nuk jemi të frikësuar. Ne duam t’i bashkohemi BE-së dhe NATO-s.

Tani për tani kemi NATO-n në Kosovë, por sa më shpejtë që anëtarësohemi në këtë organizatë aq më mirë do të jetë për qytetarët e Kosovës, për Republikën e Kosovës, por edhe për gjithë regjionin dhe kontinentin evropian në përgjithësi.

Gazetarja: Kosova është përmendur nga ministri i jashtëm rus Lavrov për disa herë. Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës po shkojnë në Donbask për të luftuar, çfarë thoni për këtë?

Kryeministri Kurti: Kjo tregon qëllimin e tij, ai dëshiron ta destabilizoj Ballkanin andaj i thotë këto të pavërteta.

Nuk ka qytetarë të Kosovës që kanë shkuar për  të luftuar në Donbask.

Është Rusia që ka aneksuar Donbaskun dhe Krimean.

Le të mos harrojmë që presidenti Putin erdhi në pushtet si kryeministër i Federatës Ruse vetëm 2 muaj pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, dhe më pas aneksoi Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë në Gjerogji në të njëjtin vit, disa muaj pasi deklaruam pavarësinë tonë me 17 shkurt, 2008.

Presidenti Putin është përmendur në Kosovë të paktën një herë në muaj, kurse tani po përmendet çdo javë, për shkak se ai thjeshtë e urren NATO-n, e urren Perëndimin.

Ai është një lider despotik, i hidhur dhe nostalgjik, dhe ai do të dëshironte ta kthente luftën hibride në luftë. Tani po e shohim që lufta hibride kurrë nuk ka qenë zëvendësim për luftën, ajo ka qenë thjeshtë faza përgatitëse e saj.

Dhe në këtë drejtim luftë hibride ka edhe në Ballkanin Perëndimor dhe qendra e Sputnik-ut është në Beograd për gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, BE-ja dhe NATO duhet të përfshihet më shumë në Ballkanin Perëndimor.

U bëj thirrje pesë vendeve brenda BE-së që nuk na kanë njohur, ta njohin Republikën e Kosovës.

Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në paqe, stabilitet e siguri.

Në anën tjetër, në nëntorin e kaluar, në Sochi, presidenti Putin kishte pritur presidentin e Serbisë, Vuçiq i cili gjatë takimit kishte treguar hartën e Kosovës me pjesën veriore, në veçanti për shkak se disa nga strukturat e saj ilegale atje janë ende shumë aktive dhe funksionale.  Realisht ata janë në koordinim të ngushtë.

Prandaj, kryeqytetet e BE-së duhet t’ia kërkojnë Serbisë dënimin e invazionit rus, për shkak se Ukraina nuk është goditur nga tërmeti apo përmbytjet, nuk ka përjetuar ndonjë katastrofë natyrore, por ishte makineria luftarake e udhëhequr nga një president despotik me një synim gjenocidal që shkakton largimin në masë të ukrainasve nga Ukraina.

Prandaj, kryeqytetet e shteteve të BE-së duhet të jenë shumë të vendosura të kërkojnë nga Beogradi që të denojë invazionin rus dhe agresionin ushtarak, për shkak se Ukraina nuk është goditur nga tërmeti apo përmbytjet, nuk ka përjetuar ndonjë katastrofë natyrore, por është makineria luftarake e udhëhequr nga presidenti despotik me një synim gjenocidal  që po shkakton dëbimin masiv të ukrainasve nga Ukraina.

Siç duket Blitz Krigu rus ka dështuar, por për mua është e qartë që tash do shkojnë pas copëtimit të Ukrainës, pas ndarjes së Ukrainës në pjesën lindore dhe perëndimore, ku pjesa perëndimore do të synohet të jetë një tokë e mbyllur (pa dalje në det) dhe sa më e vogël territorialisht.

Prandaj, e mbështes popullin ukrainas. Ne kemi vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse ashtu siç ka vendosur Këshilli i BE-së dhe në të njëjtën kohë do t’i pranojmë 20 gazetarë ukrainas që u detyruan të largohen nga vendi i tyre.

Të dielën e kaluar, vendimi i Bundestag-ut gjerman ishte historik dhe ishte një ndihmë e madhe për BE-në dhe regjionin. 

Gazetarja: Kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, më vjen mirë që folëm sot, të falënderojmë shumë që na u bashkove.

Kryeministri Kurti: Faleminderit, gjithashtu.

Filed Under: Komunitet

Kuvendi i Vatrës, traditë dhe ndryshim

March 2, 2022 by s p

Kuvendi, si një institucion klasik i organizimit shoqëror është i lashtë sa edhe historia e njerëzimit. Nga eposet e lashtësisë përmend: “… Perënditë u këshilluan… dhe Gilgameshi… mori pjesë në Kuvendin e hyjnive”. Ndërsa për ne shqiptarët Kuvendet janë një traditë e aq lashtë dhe e thellë sa edhe historia jonë. Kuvendet lidhen me specifikat etno-psikologjike dhe gjenezën e fillimit të vetëdijes kombëtare shqiptare. Ishte Kuvendi i Lezhës, i mbajtur si sot 578 vjet me pare, me 2 Mars 1444, më i shquari, në të cilin u mblodhen prijësit e Principatave apo princat e Arbërit. Ky Kuvend hodhi bazat e shtetit të parë të mirëfilltë shqiptar, faktorit bazë për një komb, shtetit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ku arbëreshë të një gjuhe, një gjaku dhe tradite u bashkuan nën një shtet dhe një flamur.Nën shembullin dhe frymëzimin e Kuvendit të Lezhës u mblodhën më pas Kuvendi i Dukagjinit, Kuvendi i Kuçit, Kuvendi i Arbërit, Kuvendi Dibrës, Kuvendi i Frashërit, Kuvendi i Gjirokastrës, Kuvendi i Prizrenit për të përfunduar me Kuvendet e Republikës së Shqipërisë dhe atë të Kosovës.Nën këtë frymëzim dhe traditë të lashtë sa hyjnore, aq edhe shqiptare, Federata jonë Vatra, përgjatë 110 viteve të historisë së saj, ka pasur si gurin e themelit, organin e saj më të lartë vendim-marrës, Kuvendin Mbarë-Kombëtar. Aty u mblidhen “Princat” e degëve të Vatrës së bashku me të zgjedhurit delegatë, përfaqësues të shqiptarëve patriotë, shqiptarëve nacionalistë dhe bamirës. Më të fundit ndër Kuvendet shqiptare, Vatra mbajti tre ditë më parë Kuvendin e saj të rradhës, si shembëlltyra më e mirë e kombit të bashkuar, ku Shqipëria, Kosova, Malësia, Çamëria mblodhën bijtë e vet më të mirë nga diaspora.Dëshira dhe padurimi në rradhë të parë për t’u mbledhur, për t’u takuar me njëri-tjetrin pas dy viteve të një pandemie vrastare, ishin ndjenjat fillestare të cilat përcollën vatranët gjatë udhëtimit të tyre nga shumë shtete të ndryshme të Amerikës dhe Kanadaja për në New York.Impenjimi dhe padurimi është evident dhe i dukshëm edhe këtu në Michigan para nisjes. “Gjeneral” Alfonsi thotë: “Bother Lumaj, brother Rakaj e brother Floqi, duhet me shku nji ditë përpara, për me pushu pak, me taku miqtë tanë në Nju Jork, dhe me u pregatitë mirë për me kenë sa ma dinjitozë në Kuvend”.Një ditë para Kuvendit u mblodhëm pothuajse të gjithë bashkë, ku të ‘zotët e shpisë”, anëtarët e degës e qendrës në New York, me të parin Elmi Berisha, si dikur motit, hapën krahët, zemrat dhe kuletën në një drekë pune e cila vazhdoi deri në orët e vona.Dita e Kuvendit fillon e bardhë, jo vetëm nën këmbët e delegatëve tek shklasin velën e borës që mbulonte gjithandej tokën, por më e bardhë në zemrat dhe mendjet e tyre, e bardhë dhe e bekuar me gjithë qëllimet dhe objektivat e tyre për të realizuar në këtë Kuvend. Një nga një dhe në grupe u mblodhen delegatët si dasmorë, secili, më shumë se një individ, një energji pozitive, një vlerë intelektuale, një vlerë atdhetare që nuk tjetërsohet dhe të gjithë bashkë një aset i çmuar i kombit. Është më fat kombi shqiptar që ka për mburojë këta burra dhe gra idealistë të shqiptarizmit. Përgjegjësia dhe disponimi i organizatorëve ishte i dukshëm, pasi ky Kuvend vinte dy vjet mbas një Kuvendit të suksesshëm të Vatrës në Michigan, që këtë ta bëjnë edhe më mirë. Organizimi i Kuvendit në Qendrën Kulturore Iliria, i jep atij kuptimin original, “Një Kuvend në Iliri”.Kuvendi hapet embël dhe butë me përshëndetje, urime dhe fjalë zemre nga të ftuarit e shoqatave dhe miqve të Vatrës dhe vazhdon me diskutime të zjarrta, debate dhe kundërshtime fjalime impulsive pa pasur ndonjë kujdes për të fshehur pasionet, se domosdo: “e ka një damar Shqiptari”.I pari i Kuvendit, thërret për një pushim i shoqëruar nga një çudi kolektive; ‘Pushim!!!. Po nuk jemi të lodhur”. Megjithatë binden dhe në grumbuj mbushin korridoret. I shikon vatranët që t’i kenë harruar për pak çaste debatet duke u bërë lozonjarë, shkëmbejnë biseda dhe të qeshura nganjëherë edhe fëminore.Kuvendi kësaj rradhe konsiderohej si një gur kilometik i trajektores së Vatrës, jo vetëm se kombinon me jubileun e 110 vjetorit të themelimit të saj, por edhe për faktin se është pregatitur që më parë, një ligji i ri i Vatrës apo një Kanunorje e re. Për rreth 100 vite Kanunorja e Vatrës nuk ndryshoi, sigurisht falë mendjeve të ndritura të kombit, Konicës dhe Nolit. Ndryshimet në kohë dhe mentalitet kërkojnë një rregull të ri, një përmirësim apo përshtatje që të gjithë e ndienin se ishte tashmë e nevojshme. Megjithatë Kanunorja e Konicës mbetet prapë aty, një relike ari, e pavdekshme dhe e paprekshme, e cila sipas Nyjës së fundit të ligjores së re “…i bashkëngjiten njëra-tjetrës”. Mbas miratimit, delegatët sikur çlirohen nga një barrë e mundimshme, shohin njëri-tjetrin në sy sikur pyesin: “A do të jetë aq e mirë sa e para? Sa do ti rezistojë viteve”?! Koha është gjykatësi më i mirë ose sikurse thoshte im-atë:”Fundi dalt’ hajër”.Maratona e diskutimeve vazhdon. Zgjedhja e prinjësit të ri është një sfidë tjetë. Ndër delegatët ndihet pak lodhja e një dite të gjatë, por më e madhe është dëshira për t’ia dalë mbanë.Kandidatët lexojnë programet e tyre lakonike, të përqëndruar në pika të përgjithshme dhe më pas votimi i fundit i Kuvendit. Delegatët folën me votë duke i dhënë edhe një herë birit të Kosovës, Elmi Berisha, të drejtën t’i prirë Federatës Vatra, kësaj “Perandorie të shqiptarëve në mëgrim”, sikurse e quan një vatran në Michigan.Më pas darka, “bukë e gjithë të mirat dhe me zemër të bardhë”, e shtruar enkas dhe gratis për të vatranët. Të gjithë pa përjashtim shprehnin gëzim dhe kënaqësi, më shumë për suksesin sesa për përfundimin e Kuvendit, pasi nuk duan të ndahen. Por vjen edhe momenti i ndarjes, por jo i lamtumirës. Vatranët përshëndeten me njëri-tjetrin ashtu all-shqiptarëshe, shtrëngime të forta të duarve, rrahje shpatullash dhe puthje ne faqe. “Shihemi së shpejti vëlla”, -thote njëri. -“Jo dhe aq shpejt”, thotë tjetri, “ e bëmë çdo katër vjet tashti”.“Ehhh, jepma edhe nji herë dorën dhë faqen”, dhe shpërndahen vatranët në terr si kandilë të ndezur përpara një dite të re shprese për kombin.Nga Valentin Lumaj,Michigan, 2 Mars 2022

Filed Under: Analiza

Po bëhet e qartë se Rusia po e humbet davanë pa e nisur mirë luftën

March 2, 2022 by s p

Ilir Ikonomi/

Putini nuk duket të ketë një strategji daljeje dhe është e paqartë se si do ta mbajë të pushtuar një territor kaq të madh me mbi 40 milion banorë. Gjithandej shikon tanke ruse të shkatërruara me armën amerikane antitank Javelin – Shtiza. SHBA dhe Gjermania po sjellin me nxitim shtiza të tjera që shpojnë me sukses koracat ruse. Ukrainasit kanë përdorur po me sukses raketat Stinger – Pickues për të rrëzuar avionë. Ata kanë vite që trajnohen. Sipas burimeve të besueshme, disa tanke ruse kanë mbetur pa karburant dhe flitet për ushtarë që nuk kanë ushqim. Falë mediave sociale, lajmet përhapen shpejt dhe po aq shpejt po rrëzohet reputacioni i makinerisë ruse të luftës, që vetëm pak ditë më parë dukej e pamposhtur. Disa ushtarë pyesin: “përse jemi këtu?” Siç mund të shihet në disa video që vijnë nga terreni, ata janë totalisht të çorientuar, nuk e kanë mendjen për luftë. Dhe të mendosh se ky është vetëm fillimi. Nuk do të kalojë shumë dhe do të shohim dezertime në masë të rusëve. Morali po bie me shpejtësi.

Filed Under: ESSE

Edicioni i 10 i “Ditëve të Miqësisë së Gazetarëve” mbledh dhjetra gazetarë në Prishtinë dhe Mitrovicë

March 2, 2022 by s p

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë/

Dhjetra gazetarë nga të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe përfaqësues nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi u bënë pjesë e veprimtarisë vjetore të nismuar dhe organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Elbasan dhe Ress Egnatia në datat 25 dhe 26 shkurt 2022 në Prishtinë dhe Mitrovicë.Për dy ditë rresht në Kosovë dhjetra gazetarë dhe të ftuar të ndryshëm përcollën veprimtaritë e planifikuara dhe publikuar si axhendë e Ditëve të Miqësisë së Gazetarëve. Në orën 13.00 të ditës së premte në selinë e Presidencës së Kosovës, presidentja Shkëlqesia e Saj, zonja Vjosa Osmani priti një grup prej pesë gazetarësh të kryesuar nga kryetari i UGSH-së Aleksandër Çipa, Vedat Memedaliu Shkup, Nexhat Behluli Preshevë, Nehat Islami Koaovë dhe Xhimi Vila RessEgnatia. Në takim gazetarët folën për situatën e medias dhe gjendjen e gazetarëve shqiptarë në rajon dhe nevoja për shkëmbime dhe nxitje të nismave vetërregulluese mes entiteteve profesionale. U ndanë pikëpamje për raportet mes nismave rregulluese dhe atyre vetërregulluese dhe domosdoshmëria për më shumë solidaritet profesional në rritje të besueshmërisë dhe shërbimit publik të mediave. Nga bashkëbiseduesit me Presidenten Osmani u paraqitën aspekte specifike të seicilit komunitet gazetarësh në shtetet e rajonit.Në pasditen e së premtes në mjediset e Hotel Grandi në Prishtinë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizoi me një pjesëmarrje të zgjeruar gazetarësh të rinj dhe veteranë nga Shqipëria dhe Kosova paraqitjen e botimit të dytë dhe të riedituar të librit me raportime nga Lindja e Mesme dhe e Afërt e gazetarit të famshëm të viteve ’80-ë Nehat Islami. Libri i tij ” Hotel Bejruti”, në edicionin e dytë sillet për lexuesit e krejt hapësirës shqiptare si botim me nismën e UGSH nën interesimin e kolegut dhe mikut të autorit, Aleksandër Çipa. Gazetarja e njohur dhe moderatore e kësaj paraqitjeje Alketa Gashi e bëri edhe më interesant aktivitetin duke e bashkëshoqëruar me pasazhe vlerësimesh nga Agim Gjakova apo të vetë autorit Islami. Kolegë të nderuar si Ibrahim Osmani, Valentina Saraçini Kelmendi vlerësuan punën në dekada të kolegut dhe sidomos raportimet e tij në Disa vende konfliktesh si Palestinë, Siri, Liban, Jordani etj.,. Ndërsa autori i parathënies së librit gazetari Çipa solli në vëmendje të të pranishmëve meritat e gazetarit veteran si pionier i gazetarisë audiovizive në krejt trojet tona.Pas paraqitjes së botimit, organizatorët e veprimtarisë rajonale të Ditëve të Miqësisë, ndanë disa çertifikata mirënjohjeje për kolegë dhe aktivistë të shquar të komunitetit të gazetarëve nga të gjitha viset ai Bahri Cani i Dojche Welle në shqip, Sejmen Gjokoli si reportazhist dhe kronikan i veprimtarive kulturore, Ardita Saqiqi nga Lugina e Presheves, Ilir Krasniqi nga Prishtina, Behare Bajraktari si reportere profili në mbrojtje të mjedisit, Gëzim Kabashi nga Durrësi të cilët u vlerësuan për kontributin dhe vlerat e tyre profesionale si dhe për solidaritetin profesional.Aktiviteti i pasdites vijoi me diskutimin në tryezën me temë ” Skenat mediatike në hapësirën shqiptare dhe nevoja për një treg mediatik”, ku diskutantë si Ëngjëll Seriani, Henrik Mehmeti, Besim Dybeli, Nehat Islami, Ilir Krasniqi, Nexhat Behluli, Vedat Memedaliu, etj., etj, ngritën çështje dhe sollën sugjerime për më shumë aktivizim të strukturave përfaqësuese të gazetarëve dhe grupeve të interesit në skenat tona mediatike. Kryetari i UGSH Aleksandër Çipa sugjeroi vijimin e këtij diskutimi në forma dhe me pjesëmarrje më të gjerë aktorësh dhe përfaqësuesish nga të gjitha skenat mediatike të rajonit tonë.Aktivitetet vijuan ndërkohë edhe përmes intervistave në disa prej mediave më të rëndësishme të Kosovës, ndërsa në ditën e dytë grupi prej dhjetra gazetarësh udhëtoi drejt qytetit verior të Mitrovicës ku stacioni i parë ishte RadioTelevizioni i Mitrovicës ku mysafirët u pritën nga drejtori i medias, publicisti i njohur Nexhmedin Spahiu. Ne pritjen e rezervuar për vizitorët, ishin të pranishëm edhe gazetarë të njohur nga të gjitha vendet dhe mediat ndërkombëtare në shqip. Raporti informues për gjendjen në Mitrovicë, historikun e medias lokale si dhe puna prej guide për krejt mysafirët nga kolegu Spahiu u vlerësuan më së shumti, ndërkohë që shumica e të pranishmëve e vizitonin për herë të parë këtë qytet. Të gjithë pjesëmarrësit nën shoqërimin e kolegëve vendas u ndalën në disa prej pikave më të njphura historike të Mitrovicës dhe kaluan një drekë të përbashkët në një nga lokalet më të njohura. Të gjithë gazetarët nga Kosova vlerësuan lart këtë traditë të organizuar në ” Ditët e Miqësisë” nga UGSh e cila po afron dhe bashkon mediet e gjithë hapësirës sonë.Në rrugën e kthimit autokolona me mjetet e gazetarëve u ndal në kompleksin dhe memorialet të luftës heroike të familjes Jashari në Prekaz, duke përmbyllur në këtë mënyrë krejt ciklin e veprimtarive dy ditore të Ditëve të Miqësisë së Gazetarëve në edicionin e fundit të dekadës së parë që vijon të ketë për protagonistë organizues degën e UGSH të Elbasanit dhe shoqatën Ress Egnatia nën mbështetjen e organizatës më të madhe të gazetarëve në Shqipëri, Unionin e Gazetarëve Shqiptarë.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2382
  • 2383
  • 2384
  • 2385
  • 2386
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT