• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BARDHYL LONDO

February 18, 2022 by s p

Visar dhe Eda Zhiti


Poet dhe mik, qytetar me guxim qytetar, fisnik i natyrshëm, vetvete gjithkund, vetvetja estetike, dinjitoze ashtu si poezia jote e angazhuar, kudo ku jemi parë e takuar, në vende e moshë të ndyshme, edhe në kohën, kur ishin të kërcënuara poezia dhe poetët, ti ishe po ai. Në Tiranë, pastaj dhe në Prishtinë, Tetovë e Shkup, por dhe më tej, në Itali, etj, ku na çonte poezia e patëm rast të ishim bashkë, por dhe ku na mbante puna, perkushtimi, në ministri e kuvend, në rrugë e bare, me kafe, cigare e libër e heshtje, ti prapë ishe po ai, po ajo mirësi, po edhe kur s’ishim, dhe kjo është kohë më e shumtë, se realiteti na jep largësitë e na mbush me mungesa, ti prapë ishe prani e dëshirueshme, mjaftonte një mesazh, një ese a përkthim apo një kujtim në një juri a festival poezie a në Lidhjen e shkrimtarëve që s’është më. Ti mbetesh kryetar. Bardhyl i dashur, na kishe thënë, madje e ke shkruar se dikur të kishin kërkuar të bëjë akt-ekspertizën policeske të poezive të mia, kur po më burgosnin për to dhe ti nuk pranove, kundërshtove. E çmoj këtë qëndrim dhe akt. Dhe pastaj jam gëzuar që ti u gëzove me parathënien që bëra unë për përmbledhjen e poezisë tënde të zgjedhur. Por sot na dëshpëron ikja jote, por nesër ti vjen prapë me poezinë tënde, dje ajo mori çmimin e parë, më shkruajte se do ma dërgoje “Prillin e hidhur”. Po se mos vetëm prilli është i hidhur… Rëndësi ka që po të hapim një libër tëndin, aty ti je. Dhe do vazhdosh të jesh në çdo antologji të poezisë shqipe, pse jo dhe europiane. Poezia jote iu shtua asaj të botës për ta bërë më të mirë ditën, çdo “ditë njerëzore”, pavarësisht ëndrrës…Miqtë e tu,Eda e Visar

Filed Under: Kulture

Ah, miku im i shtrenjte Bardhyl Londo…

February 18, 2022 by s p

Lazer Stani

S’mund ta besoj qe sot u ndave prej nesh, qe na ktheve krahet perjetesisht, pa mundur as te cmalleshim! U prehsh ne paqe, miku im, poeti dhe njeriu i paperseritshem.Rikthim në tempullin e poezisë“Shën Shiu” i Bardhyl LondosLazër StaniRileximi është një akt i rrezikshëm: edhe kur në leximin e parë, para dhjetë apo njëzet vjetësh libri të ka befasuar, të ka tronditur, të ka magjepsur; edhe kur autorin e ke mik, ndan me të herë pas here kohë të çmuar. Është si të takosh një grua që e ke dashur para dhjetë, njëzet apo tridhjetë vjetësh. Ti bëhesh gati të shkosh në takim dhe ndihesh i pushtuar nga ankthi, nuk je i sigurtë për asgjë, ke frikë se mos do të humbasësh atë imazh të bukur dhe të papërsëritshëm që ka mbetur i ngulitur thellë në memorien tënde. Për shkak të rileximit i kam humbur disa prej librave dhe disa prej autorëve që kanë qenë shumë të dashur e të çmuar në rininë time. Kam provuar t’i rilexoj pas njëzet apo pas tridhjetë vjetësh dhe ata libra të dashur dikur, tashmë më ngjanin krejt të palexueshëm. Librat janë të njëjtët, por kam ndryshuar unë. Për mirë a për keq nuk mund ta përcaktoj. Sidoqoftë, pas rileximeve të tilla, e ndjen se ke humbur diçka të çmuar që shndrinte përtej “portës së ngushtë të ëndrrës” siç shprehet në një nga poezitë e tij, poeti Jacob Glatstein. Me këtë ndjenjë frike dhe pasigurie e fillova rileximin e librit me poezi “Shën Shiu” të Bardhyl Londos, të lexuar para nëntë viteve, në kohën kur u botua. Atëbotë, pas leximit, pata menduar, se poezitë e këtij libri e rikonfirmonin Bardhyl London si një poet të elitës së poezisë shqipe të të gjitha kohërave. Është fakt i pamohueshëm se pothuajse të gjithë autorët që u ka takuar të jetojnë dhe të publikojnë krijimtarinë e tyre në dy kohë, në socializmin e censurës dhe shtypjes si dhe në tranzicionin demokratik të pas nëntëdhjetës, janë autorë dikotomikë e kanë krijimtarinë të ndarë në dy gjysma, ca si të prerë me thikë, e ca me një prerje më pak të qartë. Në poezinë e Bardhyl Londos kjo dikotomi mezi dallohet, nuk vihet rè as si prerje, as si thyerje, sepse poeti, siç shprehet në një nga poezitë e tij, e jeton të sotmen me pasionin për të nesërmen, në ferrin e dhunës ku njeriu çnjerëzohet, shpirti i poetit që në vitin e zymtë 1986 klithte: “Do të vdes nga pasioni për të qenë njeri”. Është ky pasion për të nesërmen dhe ky pasion për njeriun, që, nga njëra anë, e ka shpëtuar poezinë e Bardhyl Londos nga dikotomia dramatike dhe nga ana tjetër e ka bërë atë një poet rebel dhe qytetar njëkohësisht, të papajtueshëm me të keqen që vërshon si një mizëri korbash mbi qiellin e qyteteve tona, apo me të zezën tragjike të Ballkanit, çka ngjan me një kudërshti me natyrën e tij të butë dhe të qetë, të matur dhe të shtruar. E megjithatë, poeti, që në poezinë e parë të “Shën Shiut”, bën një “Rikthim në tempull”, që ti si lexues, pasi e ke lexuar disa herë bindesh, se nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një rikthim në tempullin e lutjeve, por me një rikthim në tempullin e poezisë, sepse ata që e dëbuan nuk mund të ishin të përjetshëm. “U riktheva në tempull. Ata që më dëbuannuk mund të ishin të përjetshëm…”Por ky rikthim në tempull, edhe pse me damarët e qafës të kalçifikuar, edhe pse më i vështirë se rikthimi në Itakë, prapë është më i bukur. Dhe pse është i tillë përgjigjen e jep vetë poeti të shtruar në formë pyetjeje: “Po fundja ç’vlejnë të gjitha këto para rikthimit?” Rikthimi në tempullin e poezisë është për poetin rikthim në shëjtninë e tij, atë shejtni, që diktatori me gjithë shpurën e shërbëtorëve të tij të zellshëm, të ngujuar në marrëzinë e vet, ishin munduar ta zhbënin e ta shkatërronin me të gjitha mënyrat. Dhe ky rikthim bëhet më bindës nga vargu në varg, nga strofa në strofë nga poezia në poezi. Ngazëllimi i rikthimit është triumfues. Edhe pse poeti asnjëherë nuk e kishte braktisur tempullin e poezisë, prapë ky rikthim në tempull është më i bukuri nga të gjitha rikthimet, sepse është rikthim në liri dhe të gjitha sakrificat ia kanë vlejtur për mbërritjen e kësaj dite. Është njëkohësisht rikthim te temat e mëdha, te tragjeditë e mëdha, te fati dramatik i njeriut një botë ku mungon liria, ose ku liria shfaqet si karikaturë e vetë lirisë. Në një nga poezitë më dramatike dhe më të fuqishme të librit, autori i risjell në vëmendjen e lexuesit të zezën tragjike të Ballkanit, tragjedinë e madhe që në këtë gadishull duket se nuk do të ketë kurrë të sosur. Kanë ndërruar shkrepat e Ballkanit. Autostradat,si rripa stërmëdhenj shtrëngojnë belin e gadishullit tragjik.Po prapë fastfudeve, kafeneve dhe restorantëve të zhurmshme buz autostradave,kudo kam parëplakat me të zeza.Gratë në poezinë e Londos shfaqen më të ngrysura se e zeza që kanë veshur, të inatosura me gjithkënd, pa e ditur përsenë, të gatshme ta nisin luftën, pa e ditur se kë kanë armik, me kujtesën të rënduar nga kujtimi i të vrarëve, në konflikte të përgjakshme që ato nuk e dinë përse janë bërë. Këto gra, shprehet poeti, i kanë harruar të gjitha rrugët nga skleroza e pamëshirshme. Vetëm rrugën për në varreza nuk e ngatërrojnë kurrë. Ky është fati i tyre i parashkruar, sepse “E zeza Tragjike” është e Ballkanit. E verdha është e Van Gogut,bluja e Ticianit,e zeza tragjike e Ballkanit.Vargje të tillë poetikë, pasi i ke lexuar mbeten në mendje gjatë, nuk mund t’i harrosh kurrë për vërtetësinë, tragjizmin, thjeshtësinë dhe kumtin që mbartin. Impozante si perandorë spektër-rëndë, në poezinë e Londos gratë e Ballkanit, pa e marrë vesh kurrë se çfarë perandorie zotërojnë, me mallkimet në majë të gjuhës, për veten dhe fqinjët, kanë një kalendar të çuditshëm të ekzistencës së tyre.“vitet i masin me një kalendar që as ato vetë nuk e kuptojnëkur u vra filani, kur qëlluan filanin,kur iku djali i madh….”Dhe ky fatalitet tragjik nuk u ndahet as bijave e mbesave të tyre, edhe pse tani ato vishen ndryshe, moda nga Parisi dhe Nju-Jorku më shpejt vjen tek ato se kudo tjetër. Por prapë brenda tyre, dëshmon poeti, dikur rri fshehur dhe është gati të shpërthejë e zeza e pikëlluar e Ballkanit. I njëjti tragjizëm është i pranishëm në shumë prej poezive të Londos, edhe kur në poezinë e tij vjen Vasilika në Litharicë, pikëllimi i Pargës, apo në poezinë “Pensionistët”, që në shtatë ditët e javës luajnë shah me vdekjen. “Me përtesë të dielën llogarisin minutat e paktaminutat e mbetur në celularin e tyredhe i telefonojnë vdekjes.”Me këto vargje dramatikë mbyllet poezia, si vetë jeta jonë, që pret fundin e mistershëm, e të pashpjegueshëm. Gjeografia e poezisë së Bardhyl Londos është e gjërë, ajo shtegton nga Maki i de Radës në Ulqin, nga Parga në Lodevë, nga vendlindja në qytetin e madh, në të cilin nuk mund të vrasësh as veten, e për të cilin nuk është e denjë as vdekja. E tillë është edhe dhembja, tragjizmi që e shoqëron këtë poezi, zhgënjimi që të shkakton ekzistenca në një botë me Dhjatë të përmbysur. Dhe që të kesh dhimbje të mëdha në shpirt, duhet të kesh dashuri të mëdha, që të kesh zhgënjim tragjik, duhet të kesh patur shpresa të mëdha gjithashtu, siç shprehet Ernesto Sabato. Kjo dashuri e madhe për njeriun dhe për jetën ndihet në të gjitha poezitë e librit, si një nënshtresë e thellë, mbi të cilën projektohet dhe mbahet poezia e Londos, e sigurtë dhe mbi themele të forta. Sepse vetëm ajo poezi dhe ai art në përgjithësi, që ngrihet mbi themele të thellë dashurie është poezi dhe art i qëndrueshëm, i pavdekshëm. Ngrehinat e urrejtjes mbyten nën peshën e gurëve të vet të zinj. Ata që e njohin poezinë e Londos, qofshin këta poetë, studiues, kritikë apo lexues, e dinë me kohë se poezia e tij shquhet për bukurinë e fjalës poetike, për sintaksën e zgjedhur, për pasurinë e shprehjeve, metaforave, simboleve, krahasimeve, për ritmin e brëndshëm, për muzikalitetin, strukturën e veçantë, kërkimin e vazhdueshëm, që shpesh ngjan me një lojë eksperimentale, por që gjithnjë ia del të na befasojë me stilin e përvetshëm dhe estetikën qartësisht të dallueshme. Tek “Shën Shiu” përveç shushurimës së shiut që ndihet sikur bie mbi një pyll shelgjishtesh dhe ti gjendesh i strehuar nën trungun e një druri, kemi një shkrirje të dy dialekteve të shqipes, atij gegë me atë toskë, duke krijuar një gjuhë të re, me efekt emocionues poetik, befasues dhe të patakuar askund më parë. Shigjeta shiu shugatin, shkoklojnë shelgjishten,Shkurtat shpuplon shpatëzhveshur shtegziu.Shtërzime shtëllunge shirash shugurojnëShën shiun.Kështu pra, rikthimi i Bardhyl Londos në tempullin e tij poetik vjen me një gjuhë të re, me kërkime të reja, me hapësira të reja, me shpalosje të reja të botës dhe vizionit të tij poetik, ngjizur nga dashuria dhe dhembjet e mëdha, në kufirin midis vuajtjes dhe gjallnimit, shpresës dhe zhgënjimit, iluzionit dhe profecisë apokaliptike, në botën e Dhjatës së Përmbysur, në botën mëkatare ku njerëzit shkelin jo një, po të Dhjetë Urdhërimet. Rileximi i “Shën Shiut të bind për këtë.

Filed Under: Opinion

GËNJESHTAR NGA HALLI

February 18, 2022 by s p

Tregim

Nga Ramdan Pasmaçiu

C:\Users\Agim\Desktop\Documents\foto Ramadan\tR PASMACIU 1.jpg

Që të jem i pastër me ju, e që t’ju rrëfehem siç i rrëfehen priftit në kishë,  domosdoshmërisht duhet t’ju tregoj se edhe unë, ndonëse më mbajnë për njëzet e katër karatsh, kam gënjyer një herë dikur, por nga halli veç, jo nga malli. Dhe, gënjeshtra ime, për fat, e bëri vegshin e ia vuri kësulën. Pra, nuk ndodhi këmbëshkurtër, po këmbëgjatë, më këmbëgjata që mund të gjendet. Merreni me mend, gjersa edhe tani, pas afro kaq e kaq vjetësh, nuk është zbuluar ende. Por nuk qe një gënjeshtër që mbajti kënd me shpresa të kota e premtime. Nuk i solli ndonjë të keqe a dëm kujt. Ndërsa mua më fali goxha gëzim! Dhe atij që gënjeva i dha aq entusiazëm, saqë u ngrit në këmbë e më shtrëngoi dorën fort!

Isha atëherë student i vitit të dytë i degës gjuhë – letërsi shqipe në filologji.

Qysh në fillim unë e shokët e mi kuptuam se pedagogu, që na jepte pjesën e parë të letërsisë perëndimore, ishte njohës i thellë i asaj lënde, po edhe me ndjenja të fuqishme për të, i dhënë me mish e me shpirt, me pasione vërtet të zjarrta. Për së pari herë atë vit hapej Universiteti i Tiranës. Dhe ai ndihej tepër fatlum, që kishte nderin të mbante atje leksione. Duhej të ish me moshë nën gjashtëdhjetë vjeç e me një jetë të pasur në veprimtari atdhetare. Nga ç’kishim dëgjuar e lexuar, e renditnin ndër figurat më të shquara kulturore të kohës. Dhe kur na thanë se do të ish pedagog te ne, u emocionuam.

Në orët e leksionit të parë, ai ra në një gjendje shpirtërore fort të gëzueshme. Ishte një lloj ekstaze. U shkëput nga mësimi dhe na foli për rilindasit, për Naimin, Samiun, e sa e sa të tjerë. Na foli për ëndrrat e tyre, që, më në fund, ishin plotësuar aq mirë. “Ah, Sami Frashëri, Sami Frashëri! – tha dikur me sytë gjysmëmbyllur e sikur të ishte vetëm. – Ja, edhe Gjithëmësonjëtorja jote, që doje aq shumë! E mbushur plot me djem petrita e vashëza të mençura e të bukura! Të ishe dot gjallë e t’i shihje! Kushedi se si do të të vlonte ajo zemër e përvuajtur!” Pastaj sikur u përmend, u mbush me frymë e u kthye te katedra. – Ku e lamë? – Nuk morëm vesh përse na pyeste. Nuk dinim si t’i përgjigjeshim. – Hë, diçka thamë për Lope de Vegën… – Vazhdoi edhe pak dhe nuk arriti të shtonte asnjë fjalë. Ra zilja. – Ç’është kjo!? – u habit ai. – Kaq shpejt kaloi koha!? Si është e mundur!? Po, nejse! Do të vazhdojmë në orën e ardhshme. Mirupafshim!

Por, më pas vërejtëm se pedagogut tonë i rrëshqisnin leksionet nga dora. Ai ndalej shpesh në momente të caktuara të jetës së një autori, apo të një heroi, rrëmbehej nga ato dhe hynte në hollësira të panevojshme, madjé edhe duke imituar ndonjë veprim të heroit.

“Pra, mori pushkën. Dhe ku vajti, thoni ju. Në dritare, ju them unë. Po, po, në dritare. E mbështeti në parvaz dhe qëndroi në pritje me gishtin në këmbëz. Ja, tamam kështu qëndroi! Dhe sa kohë? Hë, flisni, sa kohë? Dy minuta, tri, pesë? Jo, jo, çne! As dhjetë e as njëzet! Ai kishte një durim të përsosur, por edhe një vëmendje për t’u adhuruar, që të mos e zinte në befasi armiku. Dy orë ndenji me pushkë mbi parvazin e dritares, plot dy orë. Ja, shikomëni si ndenji! – Dhe harrohej edhe vetë te dritarja e auditorit në pozën e atij që donte të mbrohej. Herë – herë, në raste si ky, na dukej se e kaplonte gjumi. Por jo! Ngrihej papritur, çonte kokën, kthehej nga ne dhe na thoshte: – Shshsht!… Ai ka diktuar se dikush po vjen! – E ulte edhe më zërin. – Cili të jetë, vallë? Ai që meriton plumbin ballit? Pa të shohim!”

Po ne nuk shihnim dot gjë, se binte zilja. Pedagogu përsëri:

– Ç’është kjo! Kaq shpejt kaloi koha!? Si është e mundur!? Po, nejse! Do të vazhdojmë në orën e ardhshme. Mirupafshim! 

Ai zakonisht qeshte pak dhe vetëm me sy. Ish njeri i mrekullueshëm, tepër i dashur me ne studentët, sidomos me ata djem që s’pinin cigare. Nga kjo unë, megjithëqë pija më shumë se të tjerët, qeshë përpjekur dhe ia kisha arritur t’i krijoja bindjen që s’e honepsja duhanin, si diçka prej të cilit vetëm dëmtoheshim e  asgjë s’fitonim. “Në qoftë se kujtoni se duhani ju tregon burra, – na thoshte, – atëherë merrni vesh se atë nuk e ka pirë as i madhi Skënderbé! E, pra, më burrë se prijësi ynë kë, vallë, tjetër kemi njohur!? Po edhe ilirjanët s’e kanë pasë ditur duhanin!” Dhe mua më thërriste Ilirjan.

Ish profesor me kuptimin e plotë të fjalës, nga mënyra se si fliste, se si sillej, nga paraqitja e nga se punonte vullnetshmërisht me ndjenjat tona, duke dashur të na e fuste jo veç në tru, po edhe në zemër letërsinë perëndimore, me tërë ata autorë gjigandë, që ngriheshin mbi shekujt si monumente. Për diturinë e tij e respektonin të gjithë, për atdhetarizmin nëpër vite, për aq e aq përkthime me mjeshtëri. Thoshnin se kishte bërë të flisnin në shqip Shekspiri, Shileri, Molieri… Pra, ish njerëzor, atdhetar, i ditur, poliglot, veç si pedagog në shkollën e lartë sikur nuk e kishte përvojën e duhur. Ndaj edhe ne ndonjëherë, në mbarim të orëve të leksioneve i shprehnim shqetësimin se nuk kishim mundur dot t’i mbanim të plota shënimet. Ai vrenjtej, heshtte për një çast dhe na porosiste: “Ata që dinë gjermanisht, do ta gjejnë këtë leksion në filan libër, nga faqja kaq në faqen aq… Ata që dinë anglisht… Ata që dinë frëngjisht… Ka edhe një libër në italisht… Tek ai leksionin e keni… Po pse nuk shënoni numrat e faqeve, xhanëm!? Pa, dale! Sa prej jush këtu e dinë gjermanishten? Si!? Asnjë!? Po anglishten? Asnjë!? Po frëngjishten, italishten? E po, kjo është për të qarë, bijtë e mi! Studentë në universitet dhe të mos zotëroni asnjë gjuhë të huaj! Po, po, tamam për të qarë!” Ai vinte duart në tëmthat dhe e ulte kokën mbi katedër. E neve na dukej se vërtet qante, në mos me lot, me shpirt. Binte zilja, merrte çantën dhe çapitej drejt derës i lodhur, i ngathët, krahëvarur si pa pikë fuqie, fytyrëvrarë, me një dëshpërim të madh në sy. Te pragu s’harronte kurrë të ndalej, të kthehej përballë nesh e të na përshendeste me një nënqeshje të mjerë e me gjysmë zëri: “Mirupafshim!”

Disa javë përpara se të përfundonim lëndën, nën frikën e provimit që po afronte, i thamë profesorit se nuk dinim se si do të përgatiteshim, pasi leksionet s’i kishim të rregullta.  Ai brodhi sytë i qeshur në auditor dhe na u lut të mos shqetësoheshim, se kishte menduar për ne. Si të mos mendonte për djemtë petrita e vashëzat e mençura e të bukura! Paskësh përpiluar tekstin e plotë për atë pjesë të letërsisë perëndimore dhe e pati dërguar në shtypshkronjën e dispensave! Pas pak ditësh dilte. Neve do të na duhej të paguanim vetëm nga njëqind lekë secili e pjesën tjetër do ta paguante vetë.

Dhe ashtu ndodhi.

Kur leksionet mbaruan, ai i dha nga dy dispensa çdonjërit prej nesh, të cilat së bashku shkonin, me sa mbaj mend, jo më pak se shtatëqind faqe. Ju betohem se asnjëherë nuk do t’i harroj! Ishin me kapakë të verdhë, të trashë. U gëzuam që merrnim në dorë aq dituri për letërsinë perëndimore, por gëzimi ish sa një lugë ujë, sepse u drodhëm nga gishtat e këmbëve e gjer te leshrat e kokës, kur menduam se, sipas grafikut të provimeve, veç në katër ditë do të na duhej të përgatiteshim për t’u përgjigjur në gjithë ç’përmbanin. Kurse njëri nga ne nuk mendoi vetëm për vete. Duke i peshuar në të dyja pëllëmbët, tha se për ato kishim paguar vetëm nga një qindshe, e se profesori, me siguri kishte dalë me këpucë të kuqe. Patjetër i kishte lënë brenda nja dy rroga mujore. E megjithëse kjo qenkësh krejt e vërtetë, fytyra e profesorit, tek na i shihte në duar, ndrinte, se s’do mend, pati sakrifikuar për djemtë petrita e vashëzat e mençura e të bukura.

Në renditje, provimi i letërsisë perëndimore ishte i fundit, i gjashti. Në pesë të parët, tek të cilët dikush pati mbetur aty e dikush këtu, unë dola jo keq. Në asnjë provim – i kthyer dhe të gjitha notat – të cilësisë mbi mesataren. Të hyja tani edhe në atë provim dhe të paraqitesha përpara pedagogut tonë të moshuar e të nderuar shumë i dobët, si një kryqethyer? Po ku ishte, pra, respekti im për të? A nuk dihej se një përgatitje serioze e studentit është, në të njëjtën kohë, edhe respekt, madjé edhe dashuri, për personin që ta zhvillon atë lëndë? Nga ana tjetër, pse ta njollosja librezën me një notë negative, të cilën gjer atëherë s’e pata njohur? Se vetëm nën kërcënimin e asaj note isha! Ç’mund të bëja me katër ditë të mësuar? S’arrija dot as te treqind faqet, e jo më te shtatëqindat! Edhe pse është e ditur prej kohësh që asnjë lëndë nuk lihet për t’u përgatitur në ditët e provimeve, kjo gjë, si mua, si të tjerëve, na ishte privuar, ngase s’kishim leksionet. Mund të lexonim vërtet ndonjë libër të ndonjë shkrimtari, por a mjaftonte kjo në tërë atë mori analizash të veprave, e sidomos të atyre të papërkthyera?

Shokët thanë: “Të arrijmë ku të arrijmë! Oburra! Do të futemi në provim! Tàfti – bàfti! Ç’fat të kemi!” Kurse vetë thashë jo! Do të ishte thjesht një aventurë! Dhe e ndava mendjen. Gjatë pushimeve të verës do të zhytesha kokë e këmbë në letërsinë perëndimore. Mor po, do të lija gjithçka, veç me atë do të merresha. Do të kishte lezet, pra, kur t’i paraqitesha profesorit në sezonin e gushtit e kur ta lija gojëhapur. “Eh, Ilirjan, Ilirjan! – do të më thoshte. – Askush s’më është përgjigjur si ti! Të lumtë, të lumtë dhe falemnderit!”

Kështu, teksa të gjorët shokë i gdhinin ato katër net, u bëhej koka daulle nga aspirinat, u skuqeshin sytë e s’po arrinin as t’i lexonin dinspensat, unë shëtisja përmes korridorit të bankave në sallën e studimit dhe i jepja për sheqer sa njërit – tjetrit nga një dorë limontos, demek që të merrnin fuqi e për t’u nxjerrë gjumin! Dëgjoja duke qeshur të sharat e tyre nga pas shpine, pse ua kisha hedhur, dhe shkoja e flija rehat – rehat, po edhe me ndërgjegje të qetë.

Ditën e provimit ata u nisën për në fakultet të ngarkuar me ato dispensa nën sqetull, duke iu lëkundur këmbët rrugës e buzëvarur. Por, edhe mua nuk m’u ndenjtë. U nisa tok me ta, po vetëm për të parë se ç’do të bëhej, si do të dilnin, cili do të qe fati që do t’i ndihmonte.

Profesori erdhi duke buzëqeshur lehtë, si duket, për t’ua hequr atë frikë që u kishte hyrë gjer në palcë. Ai edhe i preku paksa nëpër supe një nga një, si për t’i përgëzuar. Tek futej, tha:

– Të urdhërojnë katër!

Pati një tërheqje praptazi të studentëve nga dera e auditorit, si për t’iu larguar ndonjë kafshimi. Askujt s’po ia mbante të futej. Pas një rrëmuje me zëra të ulët, hynë të parët, po jo sipas radhës në regjistër. Në mes tyre – edhe një vajzë nga Berati. Të katërve u kishte ikur gjaku nga fytyra.

Në të majtë ishte një auditor tjetër, atje kishte një derë të mbyllur, që dikur komunikonte me auditorin e provimit. Shkova me vrap dhe fillova të shihja nga të çarat midis dërrasave se ç’po ndodhte brenda. Katër studentët po prisnin disi të tërhequr, teksa gishtat e profesorit hapnin tezat e provimit mbi tryezë. Kur ai e mbaroi këtë punë, zgjati dorën vajza, të merrte tezën. Por profesori ia largoi. U ngrit në këmbë rrëmbimthi e i tha:

– Jo, të lutem, jo! Pa tezë do të përgjigjesh! – Pastaj iu kthye të tjerëve: – Ja, ç’është të jesh një vend i lirë e jo nën thundrën e të huajit! Vashëza shqiptare – në auditoret e universitetit! Sikur ta dinit, djem të mbarë, se sa gjë e madhe është kjo! – I foli rishtas vajzës: – Do të më thuash, bija ime, çfarë dëshiron! Vetëm çfarë dëshiron!

Ajo u hutua. U hodhi një vështrim të shpejtë shokëve dhe s’guxoi as të lëvizte e as të hapte gojë.

– Jam duke të pritur, posi! Fol, nuk bëj shaka, në çfarë dëshiron të përgjigjesh?

Vajza diç belbëzoi. Ai iu afrua me njërën dorë te veshi, që ta dëgjonte më mirë, e ia priti:

– Bukur, mjaft bukur! Ulu dhe përgatitu me shkrim, që të të rrjedhë goja!

Unë vura duart në kokë. “Obobo, ç’bëhet!” – thashë me vete. Sidomos kur edhe me tre të tjerët profesori u soll po njësoj. Nuk i lejoi t’i preknin tezat dhe kërkoi që të përgjigjeshin vetëm në çfarë dëshironin. S’prita më. Dola me vrap dhe i rrëmbeva një shokut nga sqetulla “Mysafirin e gurtë” të Molierit. E kisha lexuar një herë dikur. Mund ta lexoja sërishmi shpejt – shpejt. Dhe thithej. Komedi – hesapi. E gjithë – e derdhur në dialogje. Sa të përgatitej ajo e para, pa edhe sa të fliste, ehu! Kisha kohë. U tërhoqa në auditorin e zbrazët dhe ia fillova. Popo, si më futej gjithçka në tru! Sfungjer – truri, sfungjer! Do të hyja në provim! Si nuk do të hyja! Menjëherë! Sapo të dilte shoqja ime! Do t’i thosha profesorit se dëshiroja shumë të flisja pikërisht për atë vepër. Hë e hë, e mbarova. Pastaj iu afrova me nxitim të çarave të dërrasave te dera e mbyllur. Ishte çasti kur profesori i tha vajzës:

– Unë pres! Posi s’pres! Nëse ke nevojë të mendohesh më tepër, mendohu! Këtu jam. Ku do të vete!?

Ajo u skuq e u ngrit. Dhe pas nja dy minutash, si kishte filluar të fliste, ai e ndërpreu:

– Mjaft! Mjaft, se më kënaqe! Ja, ç’është të jesh një vend i lirë dhe jo nën thundrën e të huajit! Vashëza shqiptare të të flasë kaq shumë për Xhon Miltonin!

Ajo s’po u besonte veshëve. Gjithçka ish aq e papritur!

– Profesor, dëshiroj të shtoj se…

– Jo! – e ndërpreu ai. Zëri i tij tingëlloi si urdhër i rreptë. – Nuk do të shtosh asgjë! Nuk është aspak nevoja! Në sytë e tu unë shoh se ke studiuar boll. Librezën, të lutem! – Shënoi atje notën “shumë mirë”, e firmosi dhe e uroi: – Tani shko dhe gjithmonë suksese!

– Ju falemnderit! – iu përkul vajza.

U turra me një frymë për tek hyrja në auditor.

Ajo doli dhe u mbështet pas murit duke dihatur, me librezë në dorë. Të gjithë e vunë në mes të tmerruar dhe nisën t’i bënin njëqind pyetje, po asaj i qenë mbërthyer buzët.

– Tjetri! – thirri nga brenda profesori. Shokët u tronditën duke u parë sy më sy. Ai ishte halli. Kush do ta merrte guximin i pesti.

– Do futem unë! Hapuni!! – u thashë.

Profesorit i ndriti fytyra, sapo më pa tek hyrja. Ai nderi krahët anash.

– Pa shiko, pa shiko, Ilirjani! Hë, mor Ilirjan, ç’do të na thuash ti?

– Siç e dini, professor, – ia nisa unë me proçkat e mia, – letërsinë perëndimore e adhuroj, se është e ngjeshur me kollosë të së bukurës artistike, të fjalës së mençur të ngritur në lartësira të pakapshme, të…

– Pastaj, pastaj?

– Dhe mund të flas për ç’të dëshironi!

– Jo, dëshirën tënde dua të di!

– Atëherë, e vërteta është se “Mysafirin e gurtë” e kam pikë të dobët. Për atë më pëlqen të ligjëroj.

Ai u prapësua paksa e ngadalë, me pëllëmbët sipër tezave mbi tryezë, e me sytë gjysmëmbyllur. Mblodhi buzët dhe ma ktheu:

– Jooo, jooo! Nga ti, Ilirjan, dua një panoramë të të gjithë letërsisë perëndimore, që kemi zhvilluar gjer tani! Të fillosh me Xhon Miltonin e Lope de Vegën, duke na folur shkurt, shumë shkurt, për jetën e tij, të na numërosh veprat që ka shkruar… Me një fjalë, autorët dhe veprat, sipas renditjes!

M’u bë se më qëlloi me tokmak në kokë e mezi po më mbanin këmbët. Ku kujtoheshin tërë ata autorë e tërë ato vepra, palé edhe në renditje të rregullt! Nuk dija asgjë. Të paktën, t’i kisha shfletuar një herë dy dispensat e uruara!

– Të shoh që s’je i kënaqur! Pse nuk je i kënaqur!?

– Është diçka e thatë një panoramë, profesor, diçka tepër e thatë! Kurse të ligjërosh për “Mysafirin e gurtë”, do të thotë…

Ai sikur u bind.

– Ke të drejtë, ke shumë të drejtë, djalë! – më tha. – Na bëj panoramën, pastaj na ligjëro edhe për… Ja, e sheh që s’ta prish qejfin unë ty?

Mora letra të bardha, demek se do të shkruaja, dhe zura vend te një bankë. U ngrit të përgjigjej i dyti, po as që e pata mendjen. S’mora vesh si shkoi puna e tij. Madjé, s’kisha sy as ta shihja kur doli. Më qenë terratisur. Ngriva i përhumbur në hallin tim. Bobò! Kisha shkuar si breshka te nallbani! Ç’turp i madh! Si e kisha bërë atë gafë! Me ç’fytyrë do t’i dilja përpara profesorit! Ilirjani i tij qenkësh një fyçkë, një tapë, një nul e asgjë më! Palé, hëngra edhe bajga e i përrallisa se e adhuroja letërsinë perëndimore e se mund të përgjigjesha për ç’të dëshironte! Bobò, bobò! Ç’turp i madh, ç’turp! Veshët më digjnin. Tavanin sikur e mbaja mbi shpatulla. Sytë sikur i kisha me sklepa e të palarë. Kokën – të pakrehur… Medét! 

Më përmendi zhurma që nisi të bëhej jashtë, pas daljes së të dytit. Tani atje të gjithë kishin marrë vesh dhe kishin besuar për çfarë ndodhte në auditor. Profesori pyetkësh pa teza dhe linte të zgjidhte studenti! Hataja vetë! Ndaj po grindeshin për të hyrë kush e kush më parë. U duk në prag i gjashti. Shkoi drejt profesorit. Iu vu përballë i qeshur, e pa i lënë radhë, i tha:

– Unë, profesor, dëshiroj të flas për…

Ç’hajvan!

Profesorin sikur e pickuan ato fjalë.

– Ç’thua! – e ndërpreu i habitur e i fyer. – Kërkon të më dëftesh, pa lejen time, se për çfarë duhet të të pyes! Po kjo është e çuditshme! Ah, jo, jo, të lutem shumë! Jam unë që bëj ligjin këtu e asnjë tjetër! Pa pastaj, këto përse i kemi nxjerrë!? – shtoi duke i treguar tezat. – Merr një shpejt dhe shko e ulu atje në fund! Ashtu, hë, ashtu! Oj!… 

Studenti i gjashtë u pre. Mori një tezë me duar të dridhura dhe, ende pa e parë, shkoi të ulej. E ndoqa me sy. I vareshin jo veç hundët, po edhe pantallonat.

Që nga ai çast profesori e ndryshoi stilin. Të gjithëve që hynin u tregonte me nxitim rreshtat e tezave, i trembur se mos e fyenin përsëri.

Dikur më erdhi radha të përgjigjesha. Iu afrova i ngathët tryezës së profesorit, e u ula në karrigen përkarshi, i bindur se do ta befasoja, pse jo, edhe se do ta fyeja më rëndë se ai tjetri, me atë gjoja përgatitje aq të paturpshme. Ndërkohë, më foli i qetë:

–Tezën, Ilirjan! Ç’tezë kishe ti?

Kuptova në vend se s’mbante mend asgjë e u drodha. Një mendim i shpejtë shpëtimtar më erdhi në kokë.

– Mua s’më lejuat të merrja tezë, profesor!

– S’ju lejova vetë? E po kjo është tjetër punë! Më thuaj, përse ramë dakord të përgjigjesh?

I bindur se tanimë e donte me të kundërtën, ia ktheva:

– Ju më kërkuat që unë t’ju përgjigjem për “Mysafirin e gurtë”, ndërsa…

– Çfarë “ndërsa”!? – ma preu ai fjalën në mes disi i nervozuar.

U sigurova. Kishte harruar gjithçka.

– Ndërsa unë desha t’ju bëja një panoramë të të gjithë letërsisë perëndimore, që kemi zhvilluar. Të filloja me Xhon Miltonin e me Lope de Vegën dhe të vazhdoja gjer te autori i fundit. T’ju thoshja se ku dhe kur kanë lindur, në ç’rrethana historike, ç’vepra na kanë lënë. T’ju flisja për idetë e veprave, për heronjtë kryesorë, për…

Profesori shqeu sytë. U drejtua. Më vështroi rreptë.

– Dashke të na mbash deri nesër në mëngjes këtu! – më tha. – Jo! Në asnjë mënyrë! Kategorikisht! Vetëm për “Mysafirin e gurtë” dua të më flasësh dhe pikë! A jam unë që bëj ligjin në provim, mor Ilirjan, apo jeni ju studentët!?

– Ju, profesor! Dihet! – i thashë dhe më rrahu zemra fort.

– Ashtu, de! Dhe hë, fillo tani!

U mbusha me frymë dhe erdha në vete. E kundrova për një çast profesorin. Sa i afërt m’u duk! Sa tërheqës! Sa simpatik! Ia nisa dhe hajt të më mbaje! Më rridhnin fjalët. Shprehjet më dilnin aq të bukura. Subjektin e veprës e dhashë të plotë. Përjashto hollësitë! Mendimet i kisha bindëse, përshkrimet e situatave – të sakta. Individualizimin e personazheve – të qëlluar. Idetë – të zbërthyera mirë. Dhe profesori nuk më ndërpriste, veç më ndiqte i kënaqur shumë, me sy të qeshur, përkëdhelës, mbështetur lirshëm me shpinë në karrige, me krahët kryqëzuar mbi gjoks. Në fund më tha me ngrohtësi, si me zërin e babait tim:

– Bukur, Ilirjan! Bukur, or bir! Librezën, të lutem! – E teksa ishte me stilografin në dorë, gati të shënonte notën, u ndal e më pyeti: – Mos të mbeti gjë hatri, që s’të lashë ta bëje atë panoramën? Hë, mos të mbeti gjë hatri? Se, fundi i fundit, ç’të bëjmë! Po rrimë e po sakrifikojmë e po të dëgjojmë!

Iu përgjigja me zë të dridhur:

– Jo, professor! Më vjen keq! Ç’është ajo!

– Të të besoj? 

– Po, profesor!

– Ti duhet ta kuptosh, Ilirjan, se ajo do të na vononte!

– Ashtu! Veç një dëshirë ishte!

Ai sikur ra në mëdyshje. Të më linte t’ia filloja edhe panoramës, apo të mos më linte. Më hyri tmerri.

– Jo, jo! – tha befas i vendosur. –  Sot jo! Tani jemi ca të lodhur, po edhe kohë të tepërt s’kemi! Veç të dish se unë nuk ta thyej zemrën! Hajde ndonjë ditë në katedër, kur të jem i ngeshëm, dhe më ligjëro për ç’të duash e sa të duash! Të jap fjalën se do të të dëgjoj me shumë dëshirë e vëmendje! Hë, do të vish?

– Patjetër, patjetër! – ia prita i gjallëruar.

Shkruajti në librezë “shumë mirë”, ma zgjati, u ngrit në këmbë me respekt për mua, më shtrëngoi dorën fort dhe më uroi pushime të mbara. 

Filed Under: Fejton

TIRANA NË SYTË E MBESËS SË DE RADES

February 18, 2022 by s p

Braziliana me origjinë arbëreshe Maria Clara de Abreu Rada: 

“#ilustrações tiranas”

Në mes të vitit 2018 ishim të ftuar së bashku me dr. Etleva Lala, në vilën private të ambasadorit të Brazilit në Hungari, Shkëlqesisë së Tij, Francisco Carlos Ramalho de Carvalho Chagas dhe bashkëshortes së tij të nderuar, zonjës Maria Clara de Abreu Rada, e cila po ashtu punonte si diplomate pranë kësaj ambasade. – Ishim të ftuar në këtë pritje të organizuar prej tyre me rastin e largimit të tyre nga Hungaria, dhe fillimit të misionit të ri diplomatik në Shqipëri si përfaqësues të Brazilit. – Dr. Etleva Lala u kishte dhënë mësim për gjuhën dhe kulturën shqipe të dy diplomatëve gjatë kohës që ata ishin në Budapest, gjë që e vlerësonin shumë jo vetëm për shkak të misionit të tyre diplomatik në Shqipëri, por sepse kishin një pasion të jashtëzakonshëm për Shqipërinë. – Në këtë pritje, e nderuara zonja Maria Clara de Abreu Rada, foli shkurtazi, por me shumë pasion për origjinën e saj arbëreshe e dashurinë dhe respektin që kishte për shqiptarët. Ishte shumë e lumtur që po shkonte në Shqipëri për të vazhduar karrierën dipomatike si përfaqësuese e Brazilit, në vendin e xhaxhait të saj, De Radës, siç e quante ajo, së bashku me bashkëshortin Shqipërinë. – Nuk më ka rastisur ta takoja më zonjën e nderuar, por para disa ditësh, në Budapest, postieri na solli një zarf, në të cilin ndodhej libri i zonjës Maria Clara de Abreu Rada, gjë që ishte një surpizë e jashtëzakonshme. Duke dëshiruar t’i shpreh konsideratat dhe respektin për zonjën Rada, vendosa të shkruaj për veprën e saj, duke shpresuar se së shpejti mund të takohemi përsëri.

Prof. Dr. Musa AHMETI

Center for Albanian Studies – Budapest

E apasionuar me rrugët, rrugicat, ndërtesat, njerëzit e gjithçka që ndodhej në Shqipërinë e ëndërruar kaq shumë prej xhaxhait të saj, De Radës, i cili edhe pse ia kishte kushtuar të gjithë jetën e tij Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk arriti kurrë të shkelte në tokën shqiptare, Maria Clara Rada e shikonte ndoshta Tiranën edhe me sytë e tij. Me një etje dhe dëshirë për të parë dhe fiksuar çdo gjë që shikonte në Tiranë, ajo shëtiste çdo ditë në çdo rrugë e rrugicë të Tiranës bashkë me qentë e saj të bukur, dhe me celularin e saj, me të cilin fiksonte momente nga më të ndryshmet. 

Askush nuk e merrte me mend që Tirana ishte kaq e pasur me ilustrime murale, derisa filluam të ndjekim fotot e panumërta të Maria Clara Rada në rrjetet sociale. Me celularin e saj ajo fiksonte dhe na prezantonte një Tiranë ndryshe nga ajo që ne në mënyrë subjektive mendojmë se është. Format origjinale të artit të rrugës (street art) në Tiranë, të cilat artistët e kësaj fushe mjaft interesante i kanë paraqitur në vende nga më të ndryshmet në grafite, piktura murale, simboleve dhe vizatime, duke krijuar një art të veçantë urbanistik, artin e rrugës (street art) në Tiranë, këto vepra të bukura do të kishin mbetur absolutisht të panjohura për ne, nëse Maria Clara nuk do të kishte ndërmarrë këtë projekt kaq të bukur.

Libri i Maria Clarës përmban vetëm një numër të vogël nga sasia e madhe e fotove që ajo ka publikuar në rrjetet sociale, por monumentalizimi i tyre në libër i jep këtij projekti rëndësinë monumentale që ai ka për artin urban të Tiranës në vitet që ajo jetoi në Tiranë. Dora e stërvitur, syri i mprehtë, përqëndrimi psiqik në përbajtjen e tyre, ndjesia shpirtërore, qëllimi që ato të përjetësohen si dëshmi e një kohe, tregojnë profesionalizmin dhe guximin intelektual, për një transmetim, komunikim me të gjithë ata që dëshirojnë të shijonë këtë art sa të veçantë aq edhe të arritur. 

Duke ndjekur një plan të studiuar mirë, të analizuar thellë dhe të menduar me kujdes, në këtë libër autorja arbëreshe Maria Clara Rada, ka përzgjedhur momente shumë intersante të shtrira në 380 foto-ilustrime, sipas përzgjedhjes së saj nga këndvështrimi artistik, përmbajtësor dhe simbolik, duke mos ndjekur një renditje strikte tematike, kohore apo autoriale, por duke ndjekur instinktin e saj intelektual sesi Tirana vjen të njerëzit. Në monografinë e saj “#ilustrações tiranas” diplomatja braziliane me origjinë arbëreshe shpreh në mënyrë indirekte edhe eksperiencen e saj që kishte fituar nëpër vende të ndryshme të botës ku kishte shërbyer si diplomate, pa lënë anash edhe atë të vendlindjes së saj Brazilit, si dhe të origjinës stërgjyshorëre arbëreshe nga Italia e Jugut, të cilën e kishte vizituar më shumë se një herë.

Libri #ilustrações tiranas i autores e diplomates braziliane me origjinë arbëreshe Maria Clara Rada, i botuar në vitin 2021 nga shtëpia botuese “Papelaio” në Brasilia përmban disa nga përfaqësuesit më të mirë të artit të rrugës në Tiranë në vitet 2018-2021. Arti i rrugës (street art), ashtu si çdo fushë tjetër e artit, është duke ndryshuar me një ritëm e dinamikë të shpejtë, si një nga format origjinale të shprehjes shpirtërore të krijuesve të saj-artistëve, të cilët me mjeshtri pasqyrojnë në mënyra të ndryshme krijuese përditshmërinë, personazhe nga jeta e kulturës e historisë, filmit, traditës, por edhe varfërinë, e sistemin e kaluar komunist, duke i dhënë forma karakteristike e simbole, përmes ndjesisë sa reale aq edhe imagjinare jetës së sotme, përmes rikujtimit të së kaluarës së largët apo asaj të afërt.

Ky art ngërthen në vetvete porosi të caktuara simbolike, që para disa vitesh mund të vëreheshin dhe identifikoheshin vetëm në murale ose vende të caktuara të qyteteve, ndërsa sot, ato mund t’i vërejmë në forma të ndryshme të organizuara të paraqitjes të tyre, si në festivale zyrtare, ekspozita apo botime të veçanta. 

Krijuesit-artistët e “street art” shpalosin veprat e tyre artistike si pjesë e jetës urbane që janë zbukurime të ambienteve, godinave dhe lagjeve, që më parë cilësoheshin si të lëna pasdore dhe pa jetë, duke i konsideruar ato si të shëmtuara dhe pa asnjë lloj vlere. 

Disa nga vendet ku këto imazhe të artistëve shqiptarë dhe të huaj paraqiten janë kabinat e vjetra të telefonit, portat, muret e shtëpive, trotuaret, muret dhe fasadat e godinave dhe të pallateve etj. Aty mund të shikohen personazhe të njohur nga përrallat, filmat komikë, karikatura dhe filma, peisazhe reale dhe fantastike, mozaikë, tromp l’oeils, abstrakte, portrete dhe të tjera.

Autorja arbëreshe Maria Clara de Abreu, Rada, në botimin e saj, që është një botim cilësor dhe luksoz, me anë të 380 foto-ilustrimeve të saj, që kanë dimensione të ndryshme, nuk është marrë me identifikimin e autorëve të këtyre autorëve-artisëve krijues, ngase të shumtën e rasteve ata nuk i kanë firmosur krijimet e tyre. Në këtë mënyrë, me kolazhin e saj, ajo e fut lexuesit në një botë plot pikëpyetje dhe hap një derë për hulumtime dhe kërkime për këdo që është i interesuar për më ditur më shumë. Eksformacioni, i cili sipas studiuesit danez Tor Nørretranders është mungesa e qëllimshme e informacionit, është shpesh shumë më produktiv sesa informacioni, sepse e nxit lexuesit të bëhet aktiv në kërkimin e informacionit. 

Edhe ne ramë në kurthin e eksformacionit të përdorur nga Maria Clara de Rada, dhe filluam kërkimet për autorët e këtyre ilustrimeve, duke arritur të sigurojmë disa nga emrat e krijuesve-artitëve të këtyre grafiteve, simboleve dhe pikturave urbane të Tiranës dhe Shqipërisë të cilët janë si vijon: Aida Hani, Artur Bushi, Franko Dine, Ardit Boriçi, Najada Begaj, Endrit Haxhiaj, Toni Sulo, Eljan Tanini, Vera Grace Chang, Ivo Moja, JahOne e Glow Graff (nga Bulgaria), Bifido, Davide DPA, Flavio Solo & Diamond, Noel Emilia GAZZANO, Claudia Cavallo (nga Italia), Mabel Vicentef (nga Argjentina), Yann Lazoo (nga Franca), Harriet Wood (nga Anglia), Ljiljana Galusic (nga Bosnia-Herzegovina), Stinkfish (nga Kolumbia), Theic Licuado (nga Uruguaj). Veprat artistike të tyre, arbëreshja Maria Clara Rada i ka paraqitur me një korrektësi të lartë profesionale duke ruajtur si cilësinë ashtu edhe përmbajtjen e tyre, gjë që nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për t’u realizuar, për shkak të vendeve ku ato ndodhen.

Është e qartë se arbëreshja Maria ClaraRada e ka hobi fotografinë. Në fakt, ajo ka marrë pjesë edhe në konkursin “Colors of Albania,” konkurs ky i organizuar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, ku fotografitë e saj profesionale u pritën jashtëzakonisht mirë. Ajo pohon se street art nuk është thjeshtë arti rruge, sepse pikturat, grafitet, simbolet dhe vizatimet tregojë diçka, një histori madje ndonjëherë ngërthejnë në vetvete një filozofi. 

Ajo e shikon tërë këtë krijimtari artistike murale dhe tjetër nga një kënvështrim tjetër, duke e përjetuar si një rrëfim apo komunikim sa me kohën aq edhe me njerëzit, duke i dhënë shpirt përmes paraqitjes vizuale tranformimit të tij në fotografi, për t’a përjetësuar atë si një gjë që nuk duhet të harrohet dhe as të zhduket pa lënë gjurmë. Përzgjedhja e objekteve, figurave historike, njerëzve të zakonshëm, botës floreale, kafshëve, rrugëve, godinave të ndryshme, me një fjalë e përditshmërisë, po ashtu edhe e personazheve të njohur nga përrallat, filmat komikë, karikaturat dhe aktorët e filmave, peisazheve reale dhe fantastikë, mozaikëve, tromp l’oeils abstrakteve, portreteve etj., të krijon ndjesi, sikur je duke bredhur rrugëve apo rrugicave, bulevardeve, shesheve, lagjeve të Tiranës apo Shqipërisë kur shfleton librin. Nga faqja e parë deri te faqja e fundit e monografisë, ndjehet një frymëzim shpirtëror, jo e një të huaji, po e një njeriu që në gjak, mendje e shpirt ka dhe ndan çdo gjë me Tiranën, me shqiptarët.

RRËFIMI NË VETËN E PARË I AUTORES SË MONOGRAFISË MARIA CLARA DE ABREU RADA “#ILUSTRAÇÕESTIRANAS” BOTIM I “PAPELAIO”  

BRASILIA MË 2021

“Gjyshi im José thoshte se babai i tij, Salvatore Rada, ishte italian – kalabrez. Salvatore emigroi në Brazil së bashku me dy vëllëzërit e tij Agostino dhe Francesco. Gjyshi im vështrirë se e njohu babanë e tij, pasi Salvatore vdiq kur José ishte vetëm dy vjeç. Gjithmonë i thuhej se babai dhe xhaxhallarët e tij flisnin një gjuhë të çuditshme. Unë jam rritur me një kurreshtje të madhe për të ditur se nga vinin Radat. Ne dinim për një regjistrim të vetëm të asaj gjuhe të folur nga tre vëllëzërit emigrantë Rada. Një mbishkrim në gurin e varrit ku Salvatore, Francesco dhe Agostino pushojnë në varrezat e Soledade de Minas, thotë: 

“VOLAU IM SI MOGLOREVE

VELEM TO GAROIM CURTO VODES TO

FAGLIAS DATO JIETO MOS MO GARO

TO MO PREXIO CURTO VIMO TO COIM

AGOSTINI ITO VOLA”

Misteri zgjati deri në vitin 2001, kur një ditë, një mik na dha një të dhënë të çmuar për ekzistencën e enklavave të vogla të shqiptarëve që ishin strehuar në Kalabri dhe Siçili pas pushtimit turk në Shqipëri. A mund të jetë shqip?

Bingo! Falë internetit të fuqishëm, ne zbuluam Arbëreshët – Shqiptarët që ishin larguar nga vendi i tyre në shekullin e 15-të dhe jetojnë ende sot në Kalabri dhe në Italinë e Jugut. Ata ende flasin gjuhën shqipe arkaike – arbëreshe, një gjuhë pa ndikimin e mëvonshëm të gjuhës turke. Gjuha e stërgjyshit tim dhe e vëllëzërve të tij ishte arbëreshe. Në vitin 2001, për herë të parë që nga viti 1890, dëgjuam dhe ishim në gjendje të kuptonim parardhësit e mi. Fatkeqësisht, gjyshi im José nuk arriti të dëshmonte këtë histori. 

Guri i varrit foli. Mësuam se ishte lamtumira e përzemërt dhe poetike e Agostinit ndaj vëllait të tij më të madh Francesco, i cili kishte vdekur.

“VËLLAI IM I SHQUAR.

UNË KURRË NUK DO TË TË HARROJ DHE DO TË 

MË MUNGOSH DERI NË VDEKJE. MOS MË HARRO 

DHE MË PRIT DERISA TË TAKOHEMI PËRSËRI. 

UNË NUK DO TË TË HARROJ DHE PRES RIBASHKIMIN TONË.

VËLLAI YT AGOSTINO”

Ne gjithashtu zbuluam se Rada është familja e një prej autorëve më të shquar arbëreshë, Girolamo (ose Jeronim) de Rada, një kushëri i Salvatores, i cili gjithashtu lindi në fshatin e vogël Macchia Albanese në Kalbri. Ky zbulim më ka çuar tashmë në enklavat Arbëreshe të Macchia Albanese dhe San Demetrio Corone, në Kalabri dhe në Prizren, në Kosovë. Kështu që, një ditë, pas 500 vjetësh, një nga Radat ishte kthyer në Shqipëri! Unë pata nderin t’i shërbeja Brazilit në tokën e shqiponjave.

Ky koleksion imazhesh vjen nga dëshira për të shlyer gëzimin që kam jetuar për tre vjet në Tiranë (2018-2021) dhe privilegjin e njohjes së Shqipërisë nga afër. Ato janë pjesë e surpizave dhe ngjyrave që mbushën shëtitjet e mia nëpër rrugët e qytetit dhe vendit.

Tirana është kryeqytet i rrallë dhe i gëzueshëm. Ka vrullin e një qytetit të ri. Sapo arrita këtu, këto ngjyra, këto vizatime, ky art urbanistik më ftoi të eksploroja qoshet e vogla të qytetit. Imazhet që kam mbledhur i kam emëruar #ilustraçõestiranas. Shumë prej tyre janë rezultat i ndryshimit politik në një vend që del, jo pa shumë pengesa, nga një prej regjimeve më të mbyllura komuniste të shekullullit 20-të.

Në fillim të viteve 2000 kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kreu ndërhyrjet e para në skenën urbane të qytetit. Kam dëgjuar që ai ishte frymëzuar nga ngjyrat e Pelourinhos në Salvador, Bahia. Trendi vazhdoi dhe deri me sot qeveria e qytetit inkurajon dhe sponsorizon artistët për të pikturuar qytetin. Këto imazhe janë në kutitë e telefonit, portat, muret, pikturat murale, trotuaret… Ju mund të shihni personazhe të njohur nga përrallat, filmat komikë, karikatura dhe filma, peisazhe reale dhe fantastike, mozaikë, tromp l’oeils, abstrakte, portrete dhe të tjera. Ju gjithashtu do të gjeni disa nisma spontane dhe private, disa nga këto të çuditshme dhe të imta, po ja ku janë, duke zbukuruar rrugën. Kam gjetur gjithashtu ilustrime përtej Tiranës, në të gjithë vendin. Disa nga këto ilustrime gjenden në faqet që vijojnë.

Këtu arrita rastësisht dhe me dëshirë. Unë me të vërtetë dëshiroja të përjetoja Shqipërinë dhe të rimerrja historinë e familjes sime. Në fund të misionit tim diplomatik, lë pas këto përshtypje të lumtura, miq të dashur dhe mirënjohje të thellë për popullin shqiptar për pritjen e tyre bujare. 

Shpresoj të rikthehem së shpejti.

Shumë faleminderit! Mirupasfshim

Maria Clara de Abreu Rada.”

NË VIJIM SJELLIM NJË PJESË TË CITATIT PËR VIZITËN E ZONJËS MARIA CLARA RADA DHE BABAIT TË SAJ ZOTIT PAULO VICTOR RADA NË SHËN MITËR, ITALI E JUGUT, VENDORIGJINA E TYRE, QË ËSHTË BOTUAR 

NGA ARBËRESHËT, STËRGJYSHËRIT E AUTORES SË “#ILUSTRAÇÕESTIRANAS” BOTIM I “PAPELAIO”  

BRASILIA MË 2021

“Pasardhësit e De Radës ka Brazili në Itali”

“Tek muaji i llonarit, Paulo Victor Rada dhe e bila Maria Clara Rada, ka Brazilia, erdhën Shën Mitër, sa t’i rindërtojin origjinat e familjes së tyre dhe sa t’e njihjin më ka afër gjuhën dhe kulturën e stërgjyshit të tyre të njohur, poeti i madh Jeronim De Rada, ka Maqi. Është e dyta herë çë dy pasardhësit e poetit vinjen te katundi jonë, pasi çë i kanë zbuluar rrënjët e tyre arbëreshe, pothuaj rastësisht; në të vërtetë, për ndjetë kureshtjes së së shoqit të Maria Klarës për mbishkrimin e varrit të një stërgjyshi të tyre, të shkruar me një gjuhë çë nëng mund të identifikohej, mund u kish çuar origjina arbëreshe, dhe pikërisht shënmitrote, të familjes së tyre. Mbiemri Rada nëng është i zakonshëm në Brazil, por ka fillimi mendohej se ai mund të kishë një origji- në slave; vetëm pasi çë e zbuluan qenien e arbëreshëvet në Kalabri, dhe çë e shprishtin mbi internetin tekstin e gurit varri (të diktuar arbërisht por të shkruar ka një brazilian), ata arrë-vuan sa t’e kishin një përkthim, edhe po të përgjithshëm, të tekstit, por të vlefshëm sa të vërtetohej se ish vërteta arbërisht. E zbuluan, pra, se mbjatu pasi Bashkimit të Italisë, rreth vitit 1875, tre vëllezër, Francesco, Agostino dhe Salvatore Rada, kishin mëguar tek qyteti i Soledade-s dhe ka atej e kishin nisur origjinën e prejardhjes braziliane të De Radës. Gjatë ditëvet të qëndrimit të tyre Shën Mitër, të strehuar ka Qendra Studimesh Deradiane e Michelangelo La Luna-s, i ati dhe e bila, përveç se vanë tek ndarja ku u le De Rada, e patën mundësinë t’e shikojin Regjistrin e Gjendjes Civile të Bashkisë sa t’e rindërtojin gjenealogjinë e familjes së tyre…”

Citat i nga: http://webcache.googleusercontent.com/search?q=cache:v5w6LtJmU3wJ:www.comune.vaccarizzoalbanese.cs.it/index.php%3Faction%3Dindex%26p%3D390+&cd=13&hl=sq&ct=clnk&gl=hu

Me siguri Jeronim De Rada do ishte krenar me mbesën e tij, Maria Clara Rada, jo vetëm për ndjenjat e shprehura prej saj për Shqipërinë e tij të dashur, por sepse edhe për kaq pak kohë sa ndenji në Shqipëri, me librin e saj ajo arriti të krijojë një memorie për sot dhe për brezat e ardhshëm, që Tirana e tranzicionit të shihet ndryshe nga ç’duket pa fotografitë e saj. Të bukurën nuk kanë sy ta shohin të gjithë, prandaj duhet një De Rada që të na mësojë ta shohim dhe vlerësojmë atë.

Filed Under: Analiza

‘ÇUDIRA’ ME PARATË PUBLIKE

February 18, 2022 by s p

PhD (c). Ll.M. Igli TOLA

Pedagog, ekspert ekonomie

Krye-lajmi ekonomik i tërë këtyre ditëve ishte se gjatë vitit 2021 të ardhurat e mbledhura kishin tejkaluar planin. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë deri në fund të dhjetorit ishin mbledhurgati 510 miliardë lekë, një rritje me 84.5 miliardë lekë krahasuar me 2020 (një vit ky i goditur gjerësisht nga kriza pandemike), si dhe u tejkalua me 50.1 miliardë edhe totali i të ardhurave të arkëtuar gjatë 2019.

Po përtej entuziazmit sipërfaqësor që ky lajm përcjell, se ky është tregues i rimëkëmbjes së shpejtë të ekonomisë sonë post-pandemi; mjafton të thellohemi pak më tej në analizën e shifrave dhe do të konstatonim pa ekuivok se panorama nuk është aq ‘rozë’ sa na thuhet.

I.

Kjo performancënë dukje e përmirësuar u ndikua si nga përmirësimi në të ardhurat tatimore edhe ato doganore, po ndikiminmë të madh aty e kanë dhënë çmimet e rritura si të importeve dhe atyre pak mallrave vendas. Vetëm duke konsultuar dy raporte bindemi për këtë fakt:

  • Nga të ardhurat doganore janë mbledhur 192.8 miliardë lekë, 25.7% më shumë se në 2020.
  • E për to, mbi 50% prej tyre janë realizuar nga akciza. Konkretisht shtrenjtimi i energjisë dhe i naftës në tregjet ndërkombëtare kanë dhënë ndikimin më të madh në të. Shtrenjtim i cili më pa ka reflektuar në gjithë çmimet e tjera në tregje.

Sa i takon të ardhurave tatimore edhe ato janë rritur në vazhdën e implikimit të çmimeve, me 14.5% në raport me 2020, dhe në total u mblodhën 251.5 miliardë lekë. Kjo pasi edhe të ardhurat nga TVSH janë raportuar  në rritje dyshifrore. E për sa kohë nuk kemi evidenca apo indicia për një rritje sinifikative të konsumit, detyrimisht kjo rritje e të ardhurave nga TVSH i faturohet me të drejtë shtrenjtimit të mallrave të konsumit, si rrjedhojë e kostove të rënduara.

II.

Nga po të njëjtat të dhëna historike të MFE, po të shkohet më thellë ajo që nxirret si konkluzion është akoma më absurde.Edhe për 2021, si zakonisht pëgjatë gjithë këto vite, shihet qartazi se mbi 75-80% e të ardhurave që mbledhim çdo vit vijnë nga xhepat e qytetarëve, më pak pastaj nga biznesi i vogël dhe në fund fare biznesi i madh. Çdo vit mesatarisht 47% tëtotalit të të ardhurave publike vijnë nga TVSH (20% në çdo blerje që bëjmë nga buka e veza shkojnë për shtetin), mbi 15% nga akciza, 14% nga TAP (tatimi mbi të ardhurat personale – 13% ose 23%  tëpages, në varësi të nivelit të saj) etj.

Kurse biznesi, kryesisht ai i madh, përfitimet nga paratë publike i ka të shumta, por kontributin shumë minimalist. Mjafton tu hedhim një sy disa prej kompanive ‘big’dhe numrat flasin vetë:

  • Kompania më e madhe private në vend për nga qarkullimi vjetor deklaron fitim vetëm 1.1% të xhiros (qarkullimit), tatim fitimi i paguar deri në qershor 0.2% e xhiros.
  • Kompania lider në ndërtimin dhe infrastrukturë deklaronte 5.3% fitim dhe vetëm 0.6% tatim fitimi të paguar.
  • Kompanitë më të mëdha të shërbimeve spitalore private dhe farmaceutike, pavarësisht se patën ‘boom’ pune gjatë 2020 për shkak të pandemisë, dekalronin 5.4% fitim, duke paguar as më shumë as më pas po 0.4% tatim fitimi.
  • Lideri i tregut të shpërndarjes dhe distribuimit të mallrave ushqimor dhe pijeve deklaronte në pasqyrat financiare të konsoliduara njënivel fitimi 3.6% dhe tatim 0.5%.

Në total e gjithë barra që mbajnë bizneset e mëdha nuk kap as 10% të të ardhurave kombëtare, por  nga shteti përmes tenderave, blerjeve publike, PPP-ve mbledhin shumëfishin e tyre.

. . . . . . . . . . . . . . . . . .

Se përse akoma pas mëse 30 vitesh që po operojmë në kapitalizëm, stimulojmë sipërmarrjen dhe propagandojmë atë si promotore të zhvillimit ekonomik, mbledhim prej saj as 10% të të ardhurave publike kjo është një pyetje që secili prej nesh duhet t’ia drejtoj vendimarrësve. Jemi jashtë çdo logjike ekonomike; Pasi qoftë tatimi i sheshtë dhe ai progresiv, në princip kanë që në vlerë nominale të kontribuojnë më shumë ata që fitojnë dhe përfitojnë më shumë, dhe jo qytetarët në masën mbi 70%.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2397
  • 2398
  • 2399
  • 2400
  • 2401
  • …
  • 2769
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT