• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

16 VJET PA PRESIDENTIN HISTORIK DOKTOR IBRAHIM RUGOVA

January 21, 2022 by s p

Sot mbushen 16 vite që Presidenti i parë historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, u largua prej nesh duke na lënë një boshllëk të pa zëvëndësueshëm si mendimtar dhe filozof, vizionar dhe lider perëndimor, shtetndërtues dhe diplomat i shkelqyer. Kombi shqiptar e kujton Doktor Rugovën si udhëheqësin dhe udhërrëfyesin e Kombit që me mençuri përgatiti rrugën drejtë pavarësisë së Kosovës dhe realizimit të objektivave kombëtare në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Doktor Rugova zë vend të veçantë në politike elitën shqiptare të shekullit qe jetuam. Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova do të mbetet përjetë shembulli ideal i dijetarit, intelektualit dhe humanistit, Atit themeltar të shtetit të Kosovës. Presidenti Rugova ishte vizionari dhe udhërrëfyesi i epokës moderne të kombit tonë. Sot e kujtojmë në 16 vjetorin e ndarjes nga jeta si udhëheqësin, shtetarin, filozofin dhe themeluesin e Kosovës së pavarur e moderne. Krenar gjithmonë që jetuam dhe punuam me Doktor Rugovën dhe vazhdojmë të palëkundur në këtë rrugë dhe filozofi. Angazhimi i Presidentit Rugova ishte i pa ndalur për zgjimin kombëtar, vizioni shtetformues për Kosovën Republikë.

Përjetë mirënjohës.

Elmi Berisha

Filed Under: Featured

BAHRI SHYTI SHNDËRROHET, ME TË DREJTË, NË CILËSI ME NDJENJA HYJNORE SI POET

January 21, 2022 by s p

Nga Hysen Ibrahimi

Forslov, Suedi, 03.11.2021

Doli nga shtypi libri i poetit Bahri Shyti, i titulluar “KUSH TROKET”. Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi.

Duke e ditur se poezia, me anë të shprehjes, zbulon shumë  për opinionin dhe qartëson kuptimin dhe idenë e secilit poet për lëvizjet e kohës, ngjarjet e jetës dhe interesat kombëtare, duke qëndruar fuqishëm mbi artet e tjera në fushën e krijimtarisë. Kështu, siç duket, poeti Bahri Shtyi e ka kuptuar mjaftueshëm këtë ide dhe me përsosmëri të lartë ka arritur të krijojë vargje nga më të ndryshmet, madje me një përsosmëri të natyrshme.  Kjo arritje e tij plotëson autorin Bahri Shyti, brengën e tij të kahershme për të publikuar nëpërmjet vargut atë që e ka pasur si brengë në jetë, pra, për t’i publikuar vargjet e tij për lexuesit, pse jo për t’i lënë dëshmi historigrafisë shqiptare idenë preokupuese të shprehur nëpërmjet poezisë.

Autori me librin e tij të gjashtë të radhës të titulluar “KUSH TROKET” (2022), ka goditur shenjën e synuar të jetës, që ngre lart shpirtin e poetit. Poezia e tij në këtë libër me përmbledhje, e bën aq gjenial poetin Bahri Shyti, sa që edhe poetët më të mëdhenj të gjinive letrare ia kanë lakmi, për formën e mjeshtrisë së të krijuarit varg poetik, për mënyrën se sa përshtatshëm  paraqet të vërteta të reja të kohës kur ne po flasim, për intuitën e tij të lartë se si i qartëson ngjarjet nëpërmjet poezisë e nëpërmjet vargjeve të veçanta, duke shprehur brengën e çdo të keqeje që i vjen popullit shqiptar, por edhe lumturinë e të arriturave shoqërore e familjare. Kjo është vërejtur qysh herët, se autori është rritur në frymën e inspirimit patriotik aq të madh dhe të denjë dhe, në këtë formë, autori shndërrohet me të drejtë në cilësi me ndjenja hyjnore si poet. 

Gjatë kritikës sime letrare për poezinë e autorit, kam kuptuar se talenti i tij për ndërtimin e poezisë asnjëherë nuk ka munguar, kuptimi i brendshëm ka motive të forta dhe asgjë nuk lëshon pa e përfshirë me një realizëm njerëzor e që më pas e jep formën e bukurisë artistike e ideale, që pastron zemrat e lënduara. Pra, me fjalë të tjera, poeti Shyti arrin që secilit lexues t’ia mbushë shpirtin me mendime të pakufishme nëpërmjet vargut.

Shumë herë, duke e lexuar poezinë, krijohet përshtypja se nuk jemi në gjendje të themi se deri ku mund të arrijë poezia e këtij poeti të madh në të ardhmen. Në anën tjetër, mund të konstatojmë se autori në kokën e tij ka aq shumë brumë poetik të larmishëm të jetës së tij, saqë shumë herë ai arrin ta gjallërojë dhe poezia e tij të interpretohet edhe nëpërmjet 

këngës, gjë që dëgjohet me ëndje në brendinë e botës shqiptare. Kam krijuar bindjen se poeti Bahri Shyti është një burim i pashtershëm në fushën e krijimtarisë.

E them këtë me bindje, duke e dëshmuar me fakte përcjellëse, sepse si poezia, ashtu edhe kënga e tij, në shumë raste, sidomos kur përkushtohet në sakrifcën personale njerëzore, janë shndërruar në përmbajtje të rëndësishme historike të jetës së autorit, e që ka të bëjë me historinë e jetës së tij të përvuajtshme, duke mbrojtur interest kombëtare qysh nga mosha e tij e rinisë. Pastaj, në anën tjetër, ai arrin fuqishëm e duke krijuar me përkushtim historinë që flet për lavdinë e popullit shqiptar, lartëson trimëritë e trimave të rënë në beteja, duke mos përjashtuar veset e atyre njerëzve që u kanë shkaktuar dëme interesave kombëtare, pa potencuar emra të përveçëm. Këtu autori tregon nivelin e tij të lartë kombëtar,  me pretendimin se me çdo kusht duhet ruajtur ardhmëria e shëndoshë e kombit tonë.

Ndjenjat e poetit Shyti për poezinë e rilindasve tanë e në veçanti për Naimin e Migjenin, i kujton me nostalgji dhe shih për këtë sa bukur krijon vargje në poezinë e titulluar “S’JAM”, 

S’jam Naimi as Migjeni

Ndjenjat e tyre mund t’i kemi

Ata ishin dhe do të mbesin

Në letërsi kurrë s’do t’vdesin

Si Naimi s’mund të shkruaj

Edhe pse kemi diç ngjashmëri

Shumë shkrime ai botoi

Jashtë atdheut nënës Shqipëri

Kjo na është pikë e përbashkët

Veç frymëzimi është në mërgim

Kur po shkruante ”Bagëti e bujqësi”

Thuajse të njëjtën për vendin tim…

Mund të konstatojmë se poeti – nëpërmjet vargut – korrenspondon me rilindasit tanë, si me Naimin, ashtu edhe Migjenin, duke u kushtuar vargje nga shpirti i tij. Në jetë, kur rilindasit tanë na kanë rrëmbyer zemrën me krijimtarinë e tyre të çiltër e me mesazhe të qarta, janë inspirim për ne shqiptarët kudo që ndodhemi, që ta vazhdojmë rrugën e tyre. Kurse poetët tanë të kësaj kohe, siç është tani z. Bahri Shyti, me shumë të drejtë shpalosin vargje nga më të mirat, që tregojnë se shpirti i tij nuk ngopet  kurrë duke i kujtuar. Emrat e tyre te poeti Shyti janë të gdhendur  në thellësinë e shpirtit të tij. Kjo shihet në secilin libër të tij, ku autori ka një përkushtim të veçantë për poetët që i takonin fazës së Rilindjes sonë kombëtare.

Autori në këtë libër, nëpërmjet vargut të tij, nuk merret vetëm me një drejtim, por përfshin çështje të natyrës kombëtare, humanitare e shpirtërore. Megjithëkëtë, vendin më të madh e zë kujdesi ndaj vendit, ndaj padrejtësive që i bëhen shqiptarisë, duke i vënë në thumb, me satirë, tërthorazi.

Në brendinë e librit do ta gjeni poezinë e titulluar ”Dardanisë”, ku autori i shkruan  këto vargje:

Dardani pashë atë Zot

Ku ma ke lënë flamurin sot

Ku m’i ke krushqit e vjetër

Ata s’duan flamur tjetër

Kuqezi gjithmonë e pata

I burgosën shumë gjenerata

Na i vranë shumë patriotë

Shumë na i zhdukën e s’i pamë dot

Na përcjell deri tek varri

Është i skuqur me gjak shqiptari

Edhe atje ne na shoqëron

Dheun e varrit na e lehtëson

Dardani më nxore lot

Kam qarë dje e po qaj sot

Po kam frikë prapë do t’qaj

Padrejtësitë nuk mund t’i duroj…

E tërë poezia e poetit Bahri Shyti sillet rreth një boshti të çelikosur, e ky bosht është BOSHTI POETIK E PATRIOTIK i tij, që është i pathyeshëm. Mbi të gjitha është poet që mbështetet në idenë, vizionin e porosinë e tij, në përpjekje kulturore, artistike e patriotike. 

Sigurisht është edhe një porosi e madhe e poetit për pushtuesin serbo-sllav (pushtues barbar, me forcën brutale e kriminale, duke vrarë, burgosur dhe detyruar shqiptarë për t’u shpërngulur nga trojet e veta stërgjyshore, donte t’i shtypte të gjithë ata intelektualë që kishte vërejtur se janë atdhetarë dhe të palëkundur për idealet e tyre, e në mesin e tyre ishte edhe vetë poeti Bahri Shyti), se jeni  pushtues i pafuqishëm kundër vrullit të një populli, e po ashtu edhe kundër poetit Shyti, i cili do t’i këndojë dhe do t’i shkruajë të këqijat e pushtuesit dhe, sigurisht, në anën tjetër t’i madhërojë fitoret dhe gëzimet e tij për Shqipërinë, Dardaninë, Çamërinë, Iliridën dhe mbarë trojet etnike shqiptare, si në vendlindje, ashtu edhe në mërgatë.

Filed Under: LETERSI

KONGRESI I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) – THEMELI I INSTITUCIONEVE SOVRANE DHE PAVARËSISË SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTARË

January 21, 2022 by s p

Nga Kevin Haxhiu*

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 një vitë më vonë në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër Fuqitë e Mëdha vendosën copëtimin e territorit të Shqipërisë në favor të vëndeve fqinje.Në vitin 1915 Traktati i fshehtë i Londrës vendosi që territori i Shqipërisë të copëtohej edhe më shumë se në vitin 1913.Në vitin 1918 në Konferencën e Paqes në Paris nga Fuqitë e Mëdha (Blloku i Antantës-fitues të luftës) dhe vëndet fqinje kërkuan që Traktati i Fshehtë i Londrës i vitit 1915 të zbatohej.Delegacioni i dërguar nga qeveria e Durrësit nuk po e përfaqësonte aspak si duhej Shqipërinë duke mos i dhënë asnjë zgjidhje këtij problemi të madh.Gjatë gjithë kësaj kohe Shqipëria ishte në kaos dhe rreziku për copëtimin e saj ende vazhdonte.Ndaj patriotët shqiptarë të gjendur në këto rrethana vendosën që në Shqipëri të mbahej një tjetër Mbledhje Kombëtare që të mbronte Pavarësinë e Shqipërisë dhe territorin e saj.Në muajin nëntor të vitit 1919 u mblodh organizata nacionaliste “Krahu Kombëtarë” në shtëpinë e ish Prefektit të Durrësit Abdyl Ypi.Në këtë takim merrnin pjesë patriotë shqiptarë të cilët diskutuan për mbledhjen e një kongresi kombëtarë pasi rreziku për copëtimin e Shqipërisë ishte i madh.Në këtë takim u vendos që t’i bëhej një thirrje Parisë së Lushnjes pasi në qytete të tjera ishin bërë përpjekje por nuk arritën dot të organizonin mbajtjen e një kongresi.Ata iu drejtuan patriotit Sheh Ibrahim Karbunara dhe në 31 dhjetor 1919 patriotë lushnjarë që i përkisnin parisë së qytetit të Lushnjes u mblodhën në Teqenë e Karbunarës.Atje u ngrit edhe Komisioni Nismëtarë me 28 anëtarë për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit.Anëtarët e Komisionit Nismëtarë për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes ishin:Besim Nuri,Ferit Vokopola,Nebi Sefa,Qemal Mullaji,Eshref Frashëri,Sheh Ibrahim Karbunara,Abedin Nepravishta,Bajram Haxhiu,Taullah Sinani,Llazar Bozo,Emin Vokopola,Zija Mullaji,Mustafa Vokopola,Jonuz Sefa,Skender Pojani,Kadri Jenisheri,Teki Libohova,Filip Papajani,Jakov Bozo,Andrea Papaj,Qerim Arapi,Rasim Hoxha,Arif Kurti,Abdyl Aziz,Muntar Luarasi,Hamit Xheka,Reshat (Hysni) Shazivari,Hasan Islami Like.Komisioni Nismëtarë nisi ftesa me objekt që çdo krahinë e Shqipërisë të zgjidhte delegatët e saj që do ti përfaqësonin në Kongres.Komisioni gjithashtu përgatiti organizimin e mbledhjes,krijimin e kushteve për delegatët gjatë kohës që do të qëndronin në Lushnje,organizmin e forcave vullnetare për të mbrojtur dhe siguruar qetësinë gjatë kohës që do të mbahej mbledhja.Kongresi u mblodh në Lushnje në shtëpinë e Kaso Fugës në 21-31 Janar 1920.Në Kongres morën pjesë 56 delegatë ku gjithësecili përfaqësonte krahinën prej nga ishte zgjedhur.Delegatët në Kongresin Kombëtarë të Lushnjes janë:-Prefektura Durrës:Abdi Toptani,Irfan Ohri,Mytesim Këlliçi,Rexhep Jella,Shezivar Alltuni,Xhaferr Ypi.-Malësia e Gjakovës:Hasan Batusha,Xhemal Beg Bushati.-Prefektura Dibër:Ahmet Zogu,Dine Dema,Dine Nasuh Maqellara,Ramiz Daçi.-Prefektura Shkodër:Ejup Sabri Bushati,Hoxha Kadri,Mati Logoreci,Ndoc Çoba,Rexhep Shala,Xhemal Naibi.-Prefektura Elbasan:Aqif Pashë Elbasani,Adem Gjinishi,Asllan Shahini,Filip Papajani,Kasem Sejdini,Qazim Dyrmishi,Sali Ceka.-Prefektura Korçë:Beqir Rusi,Eshref Frashëri,Ferid Frashëri,Gjokë Ndini Gusho,Idhomen Kosturi,Koço Kota,Sali Butka,Selaudin Blloshmi.-Prefektura Berat:Bektash Cakrani,Hysen Nikolica,Iliaz Vrioni,Kamber Belishova,Llambi Goxhomani,Llazar Bozo,Spiro Papa,Sheh Ibrahim Karbunara.-Prefektura Vlorë:Dhimitër Qypi,Myqerem Hamzaraj,Qazim Kokoshi,Ymer Ali Radhima.-Prefektura Gjirokastër:Ali Këlcyra,Ali Kumbaro,Arshi Shehu,Dervish Seit Grosha,Kasem Radovicka,Kiço Koçi,Rasim Babameto,Shezai Çomo,Spiro Kosova,Veli Harshova.-Diaspora:Sotir Peçi.Kongresi i Lushnjes vendosi që nuk do të pranonte asnjë vendim për copëtimin e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha në favor të vëndeve fqinje dhe u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.Kongresi rrëzoi qeverinë ‘italiane’ të Turhan Pashë Përmetit dhe delegacionin e dërguar prej saj në Konferencën e Paqes në Paris pasi nuk po e kryenin funksionin për të cilin ishin zgjedhur në dhjetor  1918 në Kongresin e Durrësit.Në kongres u zgjodh një qeveri e re me Kryeministër Sulejman Delvinën,zëvëndëskryeministër dhe Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botërore Eshref Frasheri,ministër i punëve të brëndshme Ahmet Zogu,ministër i punëve të jashtëm Mehmet Konica,ministër i financave Ndoc Çoba,ministër i drejtësisë Hoxha Kadri,ministër i luftës Ali Riza Kolonja,ministër i Arsimit Sotir Peçi,Drejtor i Përgjithshëm i Post-Telegrafit Idhomen Kosturi.Kongresi zgjodhi dhe delegacionin e ri shqiptarë pranë Konferencës së Paqes në Parisë me anëtarë:Imzot Luigj Bumci,Mehmet Konica,Mihal Turtulli.Kongresi zgjodhi në krye të shtetit një organ kolegjial Këshillin e Lartë (Regjenca) në të cilin bënin pjesë Aqif Pashë Elbasani,Mihal Turtulli,Imzot Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani.Në Kongresin e Lushnjes u zgjodh edhe Senati me 37 senatorë që do të kryente funksionin legjislativ.Kongresi i Lushnjes miratoi aktin kushtetues “Bazat e Kanunores së Këshillit të Lartë” (Statuti i Lushnjes) me 6 nene dhe në të  cilën sanksionohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptarë dhe kjo bazohej edhe në të gjitha vendimet që u miratuan në kongres.Forma qeverisëse që sanksionohej në Statutin e Lushnjes ishte Monarkia por që vëndin e saj e zuri Këshilli  i Lartë deri në ardhjen e mbretit në fron.Senati dhe “Bazat e Kanunores së Këshillës së Lartë” përfaqësojnë  i pari Parlamentin dhe e dyta Kushtetutën e Parë Shqiptare sepse u zgjodhën e u miratuan nga një kuvend kombëtarë (Kongresi i Lushnjes) që përfaqësonte vullnetin e popullit shqiptarë.Pas përfundimit të punimeve të Kongresit në 31 janar 1920 Ministri i Punëve të Brëndshme Ahmet Zogu u dërgoi çdo prefekture një qarkore me anë të së cilës populli njihej me vendimet që ishin marrë në Kongresin Kombëtarë të Lushnjes.Qeveria e Durrësit e cila kishte përkrah saj italianët bëri përpjekje për të mos e njohur Kongresin e Lushnjes dhe vendimet e tij.Gjithashtu u përgatit për të sulmuar organet e reja të zgjedhura në Kongresin e Lushnjes.Nisur nga kjo gjëndje disa prej delgatëve mendonin të qëndronin edhe për disa ditë në Lushnje deri sa të qetësohej gjëndja por në këto rrethana  tepër  i  gatshëm dhe i guximshëm për të vendosur organet e reja në Durrës ishte Ministri i Punëve të Brëndshme Ahmet Zogu i cili edhe kur erdhi si delegatë në Lushnje garantoi sigurinë për mbledhjen kombëtare me forcat e tij.Ahmet Zogu kryesoi udhëtimin për në kryeqytetin e Shqipërisë Durrës por kur u njoh me rezistencën e italianëve që ishin atje,Zogu për të shmangur përplasjen vendosi me zgjuarsi dhe maturi që përkohësisht organet e reja qeverisëse ti vendoste në Tiranë sepse kryesore në atë kohë ishte të fillonin punën institucionet.Më 11 shkurt 1920 institucionet e zgjedhura në Kongresin e Lushnjes hynë në Tiranë ku patën një pritje madhështore nga populli dhe Tirana “de facto” u bë kryeqytet i përkohëshëm i Shqipërisë.Shqipëria që prej kohësh ishte e pushtuar dhe në rrezik nga planet grabitqare të fuqive të mëdha për ta coptuar edhe më shumë territorin e saj,tashmë nga vendimet që u morën në Kongresin e Lushnjes do të ishte e lirë dhe me institucionet e saj sovrane,të ligjshme dhe demokratike.

* KEVIN HAXHIU – Stërnip i Nismëtarit të Kongresit të Lushnjes, Patriotit Bajram Haxhiu.

Filed Under: Politike

E VERTETA DO TË E JU BAJË TË LIRË

January 21, 2022 by s p

Sami Repishti, Ph.D.

Ridgefield CT.

– “Veritas vos liberadit!”, nji thanje e huazueme nga Bibla: “E verteta do të ju bajë të lirë!” Sa e vertetë ashtë kjo thanje u konfirmue këto vjetët e fundit në jetën politike të SHBA-së. E verteta lufton “gënjeshtren e madhe”! Nji vit mbas ngjarjeve tragjike të 6 janarit 2021 që rrezikuen ekzistencën e demokracisë në vendin botënisht të njohun si “fortesë e demokracisë”, të gjithë përpiqemi me pa ma qartë, përtej tymit e gazit lotues, xhamave të thyem e meturinave të dyerve e dritareve të prishuna me shkopij, shufra hekuri si dhe gjakderdhjes që u kushtoi jetën të pakten shtatë qytetarëve dhe plagosjen e 130 të tjerëve, me nji dam material 36 miljonë dollarësh. Sot, nuk mund të rezistojmë dëshiren – dhe domosdoshmeninë – e njohjes ma të plotë të këtij  akti brutal, gangsteresk, të nji mase të indoktrinueme nga nji ish president i mundun në kutitë e votimeve, aventurier politik, dhe përgjegjës kryesor I “gënjeshtrës së madhe” (the big lie) që padrejtësisht reklamonte pushtetin e humbur …..”nga manipulimet e palës fitimtare”(sic!) Qartazi, kemi të bajmë me nji akt kryengritje kundër demokracisë, përpjekje me kapë kupolën e  Administratës amerikane me forcë, nji akt i ideum, planifikuem dhe  zbatuem me dhunë dhe me inkurajimin e hapun të nji presidenti deshtues, ish- presidenti Donald J. Trump. Jr. Akti rebelues ka qenë fryma e fundit e përpjekjeve me pengue transferimin ligjor e normal të pushtetit presidencial  të Amerikës. Ky akt terrorist vazhdon me tronditë edhe sot situatën politike në SHBA.

“ÇDO DITË ASHTË NJI 6 JANAR PËR NE”

     Editoriali i datës 2 janar 2022 i fletores The NYTimes mbante titullin: “Çdo ditë ashtë nji 6 janar për ne” megjithëse në sipërfaqe çdo gja rrjedh normalisht. Ashtë nji mashtrim që shumë votues e pranojnë me rrjedhime edhe ma kërcënuese. Ish presidenti deshtak vazhdon me projektue “gënjeshtren e madhe”  si e verteta e ditës pa paraqitë as edhe nji argument të vetëm justifikues. Ma në fund, Dhoma e Përfaqsuesve amerikanë vendosi me formue njI komision deputetësh nga të dy palët (kryetari demokrat, n/kryetari republikan) me nxjerrë “të vërteten”në shesh. Nga hetimet shumëmujore u konfirmue se fajtori kryesor ashtë, e mbetet, ish presidenti Trump, I cili vazhdon me helmue atmosferën politike me mashtrime dhe deklarata alarmuese. Akoma ma keq! Ai nxitë legjislatorët e shteteve të ndryshme me shumicë “republikane” me ba ndryshime, legjislacion që paturpsisht të shkelë ose të kufizojë të drejtat e qytetarëve tjerë, kryesisht të popullsisë afro-amerikane. Nji ndërhymje e Presidentit Biden u ba imperative, dhe përgjegjia e tij ishin fjalimet substanciale tëi 6 janarit dhe përsëri i 8 janarit 2022, në shtetin Georgia: nji kundërvuemje dinamike akteve “antidemokratike” dhe “antiamerikane”!

     Me 6 janar, Presidenti Biden iu drejtue qytetarëve amerikanë me nji demaskim të plotë të “gënjeshtrës së madhe’, me numërimin e qendrimeve të palës demokrate dhe me vendosmëninë mos me lejue marshin kercënues e gënjeshrat. Editoriali i 2 janarit përfundon: “Kurdoherë, përgjigjia e zakonshme ka qenë me thanë ‘nuk ashtë serioze’ ose ‘nuk do të ketë sukses’. Sa herë koha ka tregue se  kemi qenë të gabuem para se të bahemi ma serioz. Sa ma shpejt aq ma mirë, aq ma shpejt do të ushqejmë shpresën e shpëtimit në demokraci para rrezikut të madh”.         Me 6 janar, Presidenti Biden përcaktoi këte rrezik të madh si ” thika në fytin e Amerikës”! “ Ish presidenti i Shteteve të Bashkueme të Amerikës ka krijue dhe shpërnda nji çerdhe gënjeshtrash në lidhje me votimet e 2020-ës….Ai veproi kështu sepse ai preferon pushtetin ma  shumë se parimin, sepse ai shikon interesin e tij personal si ma të randësishëm se interesët e kombit tij dhe qytetarëve amerikanë, dhe për arsye se egoizmi i tij  i damtuem ka ma randësi për ate se demokracia e jonë e kushtetuta e jonë. Ai nuk ka forcë të mjaftueshme me pranue humbjen”. 

     Profesori Jedesiah Britton-Purdy (Columbia Law School) thekson: “ Në se 6 janari ka qenë simptomë e njI krize në demokraci, përgjigja ma e mirë ashtë ma shumë demokraci. Ka mundësi që na nuk jemi të aftë për këte; në nji rast të këtill e ardhmja duket e zbehtë. Por mënyra ma e mirë ashtë me e provue”. Ai vijon: “Vitaliteti i demokracisë nuk vjen nga nalt poshtë. Åi vjen nga faktikisht qeverisja dhe pranimi me u qeverisë nga të tjerët, dhe mësimi që nxjerrim nga këto dy qendrime. Ai vjen nga nji kerkim konstant për shumica të reja që evitojnë deshtimin  dhe bajnë jetët tona ma të mira me u jetue. Kështu na mësojmë me besue, bashkë me Walt  Whitman, se “çdo atom i imi ashtë aq i mirë sa  ai i yti”.E vetmja rrugë me 

shpëtue demokracinë ashtë me e rindertue me realizëm”.

HISTORIA E SHBA-SË ASHTË HISTORIA E NJI POPULLI NË KERKIM TË LIRISË SË INDIVIDIT

Demonstratat, manifestimet, debatet e nxehta, çfaqjet e shrregullta e veprime të elementeve kryengritës janë fenomene  të nji orientimi që Kushtetuta amerikane e përcakton  “….for a more perfect union…” për nji bashkësi ma të persosun; me nji fjalë, duhen ba përmirësime. E shkrueme 250 vjet ma parë, ajo nuk mund të përgjigjet për problemet e vitit 2022. Nji përcaktim i këtill krijon mundësinë e sugjerimit dhe diskutimit të lirë nga të gjithë, natyrisht nga qytetarë të lirë! Nji akt i vetëm për nji proces përparimtar që synon perfeksionimin e sistemit qeverisës. Prandej, kushtetuta amerikane ka Amendamentet, aktet shtesë e plotësues të Kushtetutës. Fjalimet e 6 dhe  8 janarit 2022 nga Presidenti Biden janë nji përmbledhje e parimeve qytetare të shoqënisë amerikane të aktualizueme në sistemin  qeveritar. Cila ashtë Amerika dhe çfarë synon sot populli amerikan? Luftën kundër përpjekjeve për ndasi në mes të popullsis, kundër nji ndamje kombëtare….akti ma anti-kombëtar! “Për të parën herë në histori nji President u përpoq me pengue proçesin e transferimit  te pushtetit paqësisht me ndihmen e nji turme dhunuese, tue damtue ndertesën e Kapitolit. Kjo, nuk lejohet! Biden na mëson si na do të zbulojmë të verteten, dhe se e  verteta na ban njerëz të lirë! “Na jemi këtu sot me tregue të verteten: Çfarë kemi pa? Na kemi pa, tha Presidenti, me sytë tonë si elementi i revoltuem kaloi nepër këto korridore tue kercënue jetën e Kryetares së Parlamentit (Zonjën Nancy Pelosi), tue ngritë shtyllat e litarit me varë NenPresidentin e Shteteve të Bashkueme të Amerikës (Mike Pence).

  ÇFARË NUK KEMI PA?

Nuk kemi pa nji ish president të grumbullojë masat për sulm- tue ndejë në sallen e bukës para televizionit tij privat, pranë Oval Office-it në Shtëpinë e Bardhë që shikonte çdo akt në televizion dhe nuk bani asnji përpjekje për orë të tana ndersa policët sulmoheshin, jetën e tyne në rrezik, dhe kryeqyteti I vendit tonë i rrethuem. Këtu nuk kemi të bajmë me nji grup turistësh; këtu kemi të bajmë me kryengritje të armatosun. Qellimi i tyne ishte me mohue vullnetin e popullit (i shprehun në votime).” Ai pyetii: “A do të bahemi na nji komb qe nuk don të jetojë në dritën e së vertetës, a por në hijen e gënjeshtrës? “ dhe “ Å mund të mendojmë për nji skenar ma të shemtuem të këtij shekulli për Amerikën?….Unë nuk mendoj! Kjo ashtë e gabueme! Ashtë anti-demokratike! Ashtë anti-amerikane……” “E verteta ashtë se në këto votime (të 3 nandorit 2020)  në  historinë amerikane kanë qenë ma të mbikqyruna dhe ma mirë të numërueme se kurdoherë”….”Për këte, ai  (Trump) nuk ashtë vetëm nji ish president. Ai ashtë njikohësisht njI ish-president i mundun që dergoj militantët e tij me përndjekë anëtarët e Kongresit”.

    “Ju nuk  mund të doni vendin tuej vetëm kur ju fitoni!’

    “Ju nuk mund të bindeni para ligjit, vetëm kur ashtë në favorin tuej”.

    “Ju nuk mund të jeni patriot kur ju përqafoni dhe mundësoni gënjeshtrën!”

   “AtA që sulmuen Kapitolin dhe ata që e nxiten këte sulm kanë mbajtë thikën në fyt të Amerikës- të demokracisë në Åmerikë. Ata nuk erdhën këtu nga patriotizmi ose nga qendrimi parimor. Ata erdhen këtu nga egërsia – jo në sherbim të Amerikës, por në sherbim të nji personi….Premtimi që jep Åmerika sulmohet sot nga forca që vlerësojnë forcen brute ma shumë se shejtëninë e demokracisë; friken ma shumë se shpresen, fitimet vetiake mbi të mirën e përgjithëshme të popullsisë.                                                                                                                                                                                                                              

MOS HARRONI SE SOT JETOJMË  NE NJI PIKË UDHË-KRYQ TË HISTORISË!”

     “Na jemi të angazhuem me fitue betejën për shpirtin e Amerikës…Unë do të qendroj në këte pozicion. Unë do të mbroj këte komb. Unë nuk  do të lejoj që kushdo qoftë të vej thikën në fyt të Amerikës”….. “Në thellësitë e shpirtit amerikan buron nji flakë e ndezun rreth 250 vjet ma parë -flakë e lirisë dhe barazisë për të gjithë. Kjo tokë, nuk asht vendi  i mbretënve,  diktatorëve, ose i autokratëve. Na jemi nji komb me ligje e rend publik e jo me kaos; nji komb i paqës dhe jo i dhunës. Këtu në Amerikë populli sundon me autoritetin ligjor të dhanun nga votimet, dhe vullneti i popullit ashtë kryesor. “ Le të mos harrojmë: së bashku na jemi nji  komb , nen mbrojtjen e  Zotit, i pandamë sot , nesër, përgjithëmonë me anën ma të mirë të qenies sonë,  na jemi Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Zoti bekoftë të gjithë ata që mbrojnë demokracinë”.

     KËSHTU FOLI PRESIDENTI BIDEN!    

     Për ma shumë se nji vit, Presidenti Biden e injoroi kundërshtarin e tij dhe e quente “ai i së kaluemes”; kësaj rradhe ai angazhoi Donald J.Trump, Jr. direkt dhe trampizmin si nji çerdhe gënjeshtrash. Ajo që shqetëson shumicën e qytetarëve amerikanë ashtë mundësia që incidenti banal e fatal i 6 janarit të sherbejë me mobilizue qytetarë amerikanë me tendenca agresive me rritë tensionin politik në vend, dhe sidomos përdorimin e dhunës si mjet për avancim karrierash, kryesisht në mes të legjislatorëve të tanishëm dhe të ardhshëm. Kryetari i Senatit amerikan, Senator Mich McConnell, deklaroi:“ data 6 janar 2021 do të kujtohet si …nji ditë e zezë për Kongresin dhe për vendin tonë!” Mbas nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë Amerikane, 4 korrik 1776, turma rrethoi kongresistin amerikan Benjamin Franklin dhe e mbuloi me pyetje. Plaku I urtë u përgjegj: “Na e themeluem shtetin amerikan. Tashti, ashte detyra e juej ta mbroni dhe ta zhvilloni”. Demokracia nuk ashtë nji shprehje e thjeshtë dhe e zakonshme. Unë e shoh demokracinë si nji angazhim i marrun lirisht dhe vullnetarisht nga qytetarët e lirë me mbrojtë jetën, lirinë dhe dinjitetin njerëzor të çdo individi, për të gjithë qytetarët pa dallim, pa përjashtim, për nji jetë  të lirë nga frika dhe të lirë nga uria. Sinonimi i “demokracisë” ashtë “pjesëmarrja”, dhe fryma e punës demokratike ashtë “kompromisi”, jo me parimet por me zbatimin e vendimeve të marruna, pa sakrifikue “të mirën” në altarin e “përsosjes”. Së  bashku arrihet “fitorja finale”.

Filed Under: Opinion

MUSINE KOKALARI ZHAN D’ARKA SHQIPTARE

January 20, 2022 by s p

Pellumb Lamaj/


Martiret, idealistet, figurat kombetare kane vetem Ditelindje….
Sot kam privilegjin, por dhe detyrimin moral,kombetar e historik te nderoj Rilindasen e fundit, Zhan D’Arken shqiptare MUSINE KOKALARIN .
Individin mund ta burgosesh,ta vrasesh, por historine kurresesi.Vjen nje dite dhe ajo shperthen si uragan. Nuk gjen nje shembull ne histori qe nje Femer te burgoset, persekutohet e torturohet per gjysem shekulli vetem e vetem se mendon ndryshe dhe e do Atdheun me shume se ata qe jane ne fronin e pushtetit te turpit dhe gjakut. Qe ne ditet e para te krijimit te saj nga emisaret serb,organizata terroriste PKSH do te kishte si qellim zhdukjen e vlerave shpirterore,morale e kombetare e marrjen e pushtetit me dhune.
Kjo organizate terroriste ne sherbim te Beogradit jo vetem qe do te shkelte me kembe vullnetin e popullit shqiptar per tu bashkuar e luftuar pushtuesin sebashku me forcat e tjera politike,perkundrazi do te fillonte luften vllavrasese e per here te pare ne histori ,shqiptari do te vriste shqiptarin per interes te serbit. Cizmja staliniste si nje levizje boterore, por dhe e perkrahur nga Perendimi , do te pllakoste edhe Shqiperine. Interesat e me te “medhenjeve”ngrihen gjithmone mbi male kufomash.
Fatkeqesisht pushtimi nazist do te zevendsohet nga nje pushtim edhe me mizor, pushtimit komunist…Qe ne ditet e para qe kjo bande vrastare do te hipte ne pushtet do filloj”spastrimin” e “armiqeve te popullit” dhe kundershtereve ideologjik. Nepermjet farsave gjyqesore do te denohet dhe egzekutohet Ajka e kombit, Firmetaret e Pavaresise, Inteligjenca Kombetare, Kleri patriot e me rradhe…
Dhe ketij ndeshkimi e mallkimi nuk do ti shpetonte dot edhe Musine Kokalari ,studentja e shkelqyer, inelektualja model,idealistja qe do te rradhitej ne llogoret e luftes ne sherbim te atdheut. I sfiduar dhe inferior perpara kesaj Femre intelktuale e idealiste qe gezonte respekt ne popull , sadisti Hoxha do te zbraste gjithe ligesine e tij biologjike e ideologjike…
Ne 23 Nentor 1946 me urrdher te tij do te kryqezohet ZHAN D’ARKA shqiptare…
Edhe pse gjysem shekulli burg e internim,sadisti Hoxha dhe banda e tij sllavokomuniste, nuk mundi ta mposhte kete heroine… Per gjysem shekulli historiografia sllavokomuniste u perpoq te shkaterroi jo vetem vlerat shpirterore,morale e kombetare te kombit, por dhe te fshij nga faqja e dheut historine dhe s’ka mallkim me te madh se nje popull pa histori. Sot me shume se kurre ne perulemi me respekt para kesaj figure te ndritur te historise e kultures tone kombetare duke jua bere te qarte pjelles sllavokomuniste qe ka gllaberuar pushtetin dhe gjithshkah .
Historine nuk e falsifikoni dot e as mund ta vidhni e shkaterroni. Kush e shkaterron ate me dashje apo pa dashje ,bene krimin me te madh te te gjitha krimeve. Lum kush punon,jeton e vdes per kombin…. Historia eshte deshmimtarja me korrekte dhe me e pameshirshme dhe historia i dha te drejte MUSINE KOKALARIT dhe gjthe atyre burrave e grave qe u flijuan dhe i rrezistuan bishes komuniste …Dhe tani per te nderuar dhe qetesuar sadopak shpirtin e kesaj MARTIREJE po recitoj disa vargje ….
KAMELEONET
Gjithe jeten i kenduat perbindeshitKur ngordhi e qate ne c’do vargTani si jashteqitje e sllavokomunizmitS’ju mbetet gje tjeter vec te peshtyni lart
Te paret qe ngritet dy gishtat lart ishit juSekretare te partise ,komsomolas te riniseE peshtyte.me kembe e shkelet pacavuren e kuqeDhe oh, gdhite pishtare te demokracise
Te paret qe ja mbathet ne perendim ishit po juShkrimtare te realizmit socialist,pa Zot,` pa atdhe`Ju qe mbi germadhat e botes se vjeter kapitalisteDo ndertonit internacionalen komuniste,boten e re`
Ju qe gjithe jeten shkelet mbi vareE hija e vdekjes ju ndjek nga pasMos harroni shkrepetimen qe zbret nga qielliAhet dhe mjerimin e nje populi te pafat
STATUJE E LIRISE
Eh Statuje,Statuje e LiriseSa kurora rinie vyshkur mbi ballJehona dashurie qe kurre s’u dhuruanSa kafka martiresh mbetur pa var
Ah Statuje,Statuje e LiriseE vetmja drite,i vetmi zjarrE vetmja shprese ku enderrat udhetojnePerzier me klithma,kulluar ne gjak
Eh Statuje,Statuje e LiriseE vetmja drite qe na mban gjallPor dhe po ikem pa u takuarBesom,do vine te te puthin vrasesit tane

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2451
  • 2452
  • 2453
  • 2454
  • 2455
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT