• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dr. Ibrahim Rugova – Ky burrë i madh i shqiptarisë dhe mik i çmuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

January 13, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Nderohet nga Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë

Të hënën, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani pranoi letër kredencialet e Ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Z. Jeff Hovenier. Duke i uruar atij mirëseardhjen në detyrën e re, Presidentja Osmani tha se Ambasadori Hovenier e njeh mirë Kosovën dhe dinamikat e saja politike dhe shoqërore, pasi ai ka shërbyer atje, vite më parë.

This image has an empty alt attribute; its file name is image.png
Ambasadori i ri i SHBA-ve në konferencë shtypi me Presidenten e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani

“Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier, sepse ajo ka ecur përpara. Mirëpo një gjë ka qëndruar konsistente, gjatë gjithë kësaj kohe. Kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur e zhvilluar si vend, si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, sepse jemi të bekuar të kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë”,- ka theksuar Presidentja Osmani. E para e vendit ka vlerësuar se roli i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor, për të garantuar që marrëdhëniet midis dy vendeve do të vazhdojnë të lulëzojnë. Presidentja e Kosovës e siguroi Ambasadorin e ri të Amerikës në Prishtinë se Republika e Kosovës, “beson dhe i promovon vlerat, të cilat i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy popujt tanë besojnë në liritë demokratike dhe ne jemi të vendosur t’i mbrojmë ato gjithmonë, meqenëse i kemi fituar ato liri me shumë mund e sakrificë. Kam besim të plotë se duke punuar ngushtë me ju Z. Ambasador, ne mund të arrijmë qëllimet tona të përbashkëta. Dua t’ju siguroj se nuk do të gjeni asnjëherë aleatë më të përkushtuar dhe më besnik sesa Republika e Kosovës”, -ka thënë Presidentja Osmani.

Takimi i fundit i autorit me Presidentin Ibrahim Rugova, 2005 në Presidencën e Kosovës

Angazhimi i Zonjës Osmani dhe mbëshetja e saj ndaj vlerave të përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është, në të vërtetë, një kopje e pasqyrimit të angazhimit të Presidentit historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës, arkitektit të “miqësisë së përhershme”,- siç shprehej ai, midis Kosovës dhe Amerikës.

Prandaj nuk ishte për t’u çuditur që pas takimit dhe konferencës së përbashkët për  median në Prishtinë, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier, së bashku, kanë vendosur kurorë lulesh te shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë. Me atë rast, Presidentja Osmani u shpreh se si themelues i shtetit të Kosovës, Presidenti Rugova diti të hedhë, jo vetëm, hapat e duhur drejt shtetit tonë të pavarur dhe sovran, por të ndërtojë gjithashtu edhe miqësi të sinqerta, miqësi të forta, të cilat i kanë rezistuar kohës dhe do të vazhdojnë të ujiten dhe të lulëzojnë edhe më tej nga ana e secilit prej nesh. “Në nderim të këtij njeriu të madh të kombit tonë, i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë – së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – deshëm që sot, si simbolikë e kësaj miqësie të fortë, ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”,- ka thënë Presidentja Osmani.

“Në nderim të këtij njeriu të madh të kombit tonë, i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane, dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deshëm që sot si simbolikë e kësaj miqësie të fortë ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”,- ka thënë Presidentja Osmani.

Ndërsa, Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, theksoi angazhimin amerikan për Kosovën duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë dhe do të mbeten partner i palëkundshëm i Kosovës. Ai i bëri këto komente pasi i dorëzoi letrat kredenciale presidentes së Kosovës, Z. Vjosa Osmanit. “Shtetet e Bashkuara janë partneri i palëkundshëm i Kosovës dhe kjo do të vazhdojë. Një përkushtim që dua të ndaj me ju”, vazhdoi diplomati amerikan,  “është një përkushtim nga ambasada e Shteteve të Bashkuara; para se gjithash dhe mbi të gjitha, ne jemi miqtë tuaj, ne jemi në anën tuaj, ne do të punojmë me ju, qeverinë tuaj, njerëzit tuaj, shoqërinë civile, qytetarët, për të çuar përpara përparësitë që përfshijnë promovimin e demokracisë, që përfshijnë mbështetjen e mëtejshme për zhvillimin e institucioneve të pavarura, gjyqësorit dhe sundimit të ligjit, që janë aq të rëndësishme sikurse janë përpjekjet tona të vazhdueshme globale për të luftuar korrupsionin dhe për të vendosur drejtësi dhe në këtë rast drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës”,- shtoi ai duke nënvijuar se do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e qeverisë së Kosovës për t’u afruar me institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Presidentja, Vjosa Osmani, tha gjithashtu se Kosova beson dhe promovon vlerat, të cilat i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara, e që mbështeten në liritë demokratike.  “Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier sepse ajo ka ecur përpara. Mirëpo, një gjë ka qëndruar konsistente gjatë gjithë kësaj kohe, kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur dhe zhvilluar si vend si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, sepse jemi të bekuar të kemi SHBA-të pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë. Roli i ambasadorit të Shteteve ë Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor për të garantuar që marrëdhënia jonë të vazhdojë të lulëzojë”, -shtoi ajo.

Ambasadori i ri i SHBA-ve në konferencë shtypi me Presidenten e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani

Me këtë rast, Presidentja Vjosa Osmani dhe Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Z. Jeffrey Hovenier vendosen kurora lulesh te shtatorja e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në nderim të kontributit të tij për shtetformimin dhe pavarësinë e Kosovës. “Këtë doja ta bëja që në ditën time të parë si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, për respektin që kam për Presidentin Rugova dhe për atë që ai përfaqëson. Unë pata nderin ta njoh atë në procesin e Rambouilletit (Rambuje) dhe e di se çfarë ai përfaqëson dhe besoj se është shumë e rëndësishme që ta kujtojmë e ta nderojmë”, Presidentin Ibrahim Rugova, ka theksuar ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Z. Jeff Hovenier.

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Z. Jeff Hovenier, i shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani vendosën të hënën kurorë me lule te Monumenti i Presidentit historik të Republikës së Kosovë, Dr. Ibrahim Rugovës në Prishtinë

Kjo nuk është hera e parë që Ambasada Amerikane në Prishtinë nderon dhe respekton Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, duke venë në dukje vetitë e tija prej burrë-shteti dhe për vlerat njerëzore pro-perëndimore: Frank Shkreli: KUJTOHET DR. IBRAHIM RUGOVA SI NJË KAMPION I LIRISË DHE NJË BURRË SHTETI QË NDANTE VLERAT AMERIKANE | Gazeta Telegraf —  Duke marrë parasysh zhvillimet politike të fundit të botës shqiptare, sidomos absurditetin aktual të zhvillimeve politike në Shqipëri, figura e Dr. Ibrahim Rugovës sa vjen e rritet dhe shkëlqen, si një udhëheqës ndryshe. Ndërsa është kujtuar dhe kujtohet si udhërrëfyesi i Kombit. At Zef Pllumi e ka cilësuar Presidentin historik të Kosovës, “Një ndër burrat e rrallë të kombit”, ndërsa Ismail Kadare, është cituar të ketë thënë se, “Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, i botës shqiptare. Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet.” Fatkeqësisht, Presidenti Rugova ka ikur nga kjo botë tepër herët, atëherë kur Kosova dhe Kombi shqiptar kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai dhe për një zgjim dhe hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri të sinqertë, për një zëdhënës dhe për një përfaqësues autentik të vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perëndimore të shqiptarëve: pas një periudhe errësire, të zezë sllavo-komuniste prej gjysëm shekulli. Të bazuar në një ideologji sllavo-aziatike, e cila zbatonte brutalisht, si parim kryesor, shlyerjen – pikërisht – të këtyre vlerave kombëtare dhe të identitetit autentik kombëtar të shqiptarëve – një ideologji enveriste, trashëgimia tragjike e të cilës shihet qartë edhe sot në zhvillimet politike shqiptare, sidomos, në Shqipëri. Shikoni rreth e rrotull dhe më thoni kush nga të ashtuquajturit liderë aktualë të shqiptarëve, mbron sot cilësitë burrënore të Rugovës, për të cilat ka shkruar At Zef Pllumi, ose për “aspiratat dhe qytetërimin” e botës shqiptare të Dr Ibrahim Rugovës, të cilave u referohet Ismail Kadare? Shpresojmë në Presidenten e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa e Osmani, e cila sot për sot duket se beson në ato vlera dhe po i promovon ato kurdoherë që i paraqitet rasti.

Ishte kjo vizita e parë (dhe takimi im i parë me Presidentin e ardhëshëm të Republikës së Kosovës në Washington), por jo e fundit. Dr. Ibrahim Rugova, autori dhe Dr. Engjëll Sedaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në Washington, Tetor 1989.

Ndryshe nga politikanët e sotëm shqiptarë dhe partive të tyre politike – pjellë e Partisë së Punës (komuniste-enveriste), sidomos atyre në Shqipëri. Presidenti Ibrahim Rugova besonte në vlera kombëtare dhe vizion të qartë historik që ai i artikulonte edhe me të huajt, sidomos me miqtë e tij amerikanë, për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar, në liri dhe demokraci, si dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe me perëndimin, në përgjithësi. Si asnjë udhëheqës tjetër i këtyre 30-viteve të fundit, ai ishte i bindur për rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar, nëqoftëse dëshironte të hynte dhe të pranohej ndërshmërisht, në radhët e kombeve të përparuara të perëndimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge për shqiptarët, e sidomos në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejt bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar në aleancat me vendet perëndimore, ku sipas tij, aty ku, historikisht, e kishin vendin e vet shqiptarët.

Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar.  Me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur – mbi të gjitha – edhe nderin dhe respektin e emrit shqiptar: një mesazh ky shumë i përshtatshëm dhe tepër i nevojshëm edhe sot, sidomos, për politikanët aktualë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kjo është dhe mbetet edhe njëra nga trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës: përfaqësimi me nder, burrëni dhe respekt i të drejtave dhe pëgjegjësive kombëtare, duke qenë i bindur në drejtësinë e kërkesave historike të shqiptarëve, përballë padrejtësive shekullore.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë

Ç’prej se e kam njohur Ibrahim Rugovën – nga fundi të viteve 80-ta të shekullit të kaluar – ai asnjëherë nuk u lëkund nga vija e drejtë e shqiptarizmit dhe as nga idealet e tija.  Fatkeqësisht, ai ka ndërruar jetë 16 vjetë më parë, pa qenë dëshmitar i fruteve të punës së tij, përfshirë shpalljen dhe njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës, e sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat kurdoherë që fliste për Amerikën, përfundonte me fjalët, “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”. Nderimi dhe respekti i treguar për Dr. Ibrahim Rugovën në ditën e parë në detyrë të ambasadorit të Amerikës në Prishtinë, Z. Jeff Hovenier i shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, tregon se epopeja e Rugovës nuk ka vdekur me të.  Ai është duke lëshuar dritë përherë e më tepër për brezat, duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar ashtu siç i ka hije një udhërrëfyesi dhe burri historik të një Kombi, madje edhe pas shkuarjes së tij në amshim. Një udhërrëfyes, një, “Hero kombëtar, madhështor e mendjemprehtë”, siç e ka cilësuar para disa vitesh, Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, Presidenti i Amerikës, Xho Bajdën. Kjo është edhe arsyeja që Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Z. Jeff dhe Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, e shihnin si një detyrim moral që të shkonin e të vendosnin një kurorë me lule pranë monumentit të arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës; mbështetësit dhe mbrojtësit të vlerave të përbashkëta shqiptaro-amerikane,  këtij burri të madh të shqiptarisë dhe mikut të çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured

Parashikimet amerikane mbi Jugosllavinë e pas Titos (1972-1980)

January 13, 2022 by s p

Prof.dr. Memli Shaip Krasniqi, Instituti Albanologjik-Prishtinë/

Gazeta amerikane “The Daily Herald” e 6 korrikut të vitit 1970 shkruante për përshtypjet e gazetarit amerikan nga vizita e bërë Kosovës, që, sipas tij, quhej “Shqipëria tjetër” dhe e cila po përjetonte një rilindje të vërtetë kulturore dhe politike. Ndonëse ky zhvillim i ngjarjeve nuk i shkonte për shtati qarqeve serbe, Beogradi, njëherë për njëherë, nuk mund të bënte asgjë për të ndaluar ose së paku për të penguar këtë proces. Për më tepër, shqiptarët në Jugosllavi, edhe pse të ndarë nga një kufi i hekurt me shtetin Shqiptar, kishin filluar hapur të flisnin për kombin shqiptar dhe dëshirën e tyre për bashkim me Shqipërinë. Shtresa e re intelektuale e kësaj “Shqipërie tjetër” nuk fshihte admirimin për udhëheqësin e fuqishëm të Shqipërisë, Enver Hoxhën. Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, vërehej një interesim i madh i rinisë shqiptare për librat e shumtë të përkthyer në gjuhën shqipe. Rinia shqiptare dëgjonte muzikën perëndimore,“Beatles”ose Bob Dilanin, por edhe muzikën popullore shqiptare. Kosova në këtë kohë kishte marrë nga Shqipëria rreth 17.000 libra, disa nga të cilët, ishin të një cilësie të lartë artistike, sikur që ishin veprat e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadaresë. Po kështu kishin filluar të lejoheshin edhe vizitat e grupeve të ndryshme artistike dhe turistike në Shqipëri, gjatë të cilave, personat më të moshuar ishin të impresionuar nga ndryshimet e mëdha që kishte bërë Shqipëria. Nga ana tjetër, gjenerata e re shqiptare nga Kosova, të cilët për herë të parë kishin vizituar Shqipërinë, nuk ishin ndarë me përshtypje të mira për kushtet e jetesës në shtetin amë. Në një artikull tjetër bëhej fjalë për përpjekjet e Jugosllavisë për të investuar më shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Udhëheqja jugosllave theksonte se Kosova paraqet hapësirën bujqësore me densitetin më të madh të popullsisë në botë, si dhe një nga zonat më të prapambetura ekonomike në Federatën Jugosllave, ku 2/3 e popullsisë merren me bujqësi. Prandaj Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë kishte vendosur që zhvillimit ekonomik të Kosovës t’i jepet prioritet në planin ekonomik të Jugosllavisë për periudhën 1971-75. Jo zyrtarisht flitej për një shumë të investimit prej 600 milionë dollarësh deri në vitin 1975, çka kishte sjellë jo pak kundërshtime nga njësitë e tjera të Federatës Jugosllave. Gjithashtu në këtë artikull theksohej se tensionet politike në Kosovë kishin rënë në shkurt të vitit 1969, atëherë kur udhëheqja partiake jugosllave vendosi kundër bërjes së Kosovës republikë e shtatë e federatës. Arsye e mospërkrahjes së kësaj kërkese të shqiptarëve ishte se kjo kinse do të shpinte në shpërbërjen e Jugosllavisë. Në të vërtetë, nëse Kosova do të bëhej republikë, ajo do të mund të shkëputej nga Jugosllavia duke u bashkuar me Shqipërinë, çka do të pasohej me shkëputjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë. Ky do të ishte fundi i RSFJ-së.

Institucionet amerikane, përfshirë edhe Shërbimin Sekret Amerikan (Central Intelligence Agency-CIA), përcillnin me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në RSFJ-në dhe përpilonin raporte dhe analiza mbi Jugosllavinë e pas Titos. Kështu në raportin e CIA-së të 13 tetorit 1972 , theksohej se problemet e këtij shteti në politikën e tij të ekuilibrit ndërmjet lindjes dhe perëndimit, si dhe kundërthënieve dhe urrejtjeve etnike, do të dalin më shumë në pah në periudhën e pas Titos. Sipas këtij raporti, kryetari Tito, në përpjekje  për të siguruar funksionimin dhe mbijetesën e federatës jugosllave edhe pas tij, krijoi sistemin e  udhëheqjes kolektive në parti, pra në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, si dhe në institucionet shtetërore. Ky sistem politik, i njohur si vetëqeverisje – një përzierje e liberalizmit perëndimor dhe komunizmit, ishte kundërshtuar nga sovjetikët, konfuz për perëndimorët, por edhe i pakuptueshëm nga qytetarët e Jugosllavisë. I vetmi element unifikues i RSF të Jugosllavisë ishte ushtria, e cila edhe sipas këtij raporti ishte kërcënuar se do të ndërhynte në rast të shpërbërjes së federatës. Në përshkrimin e aftësive politike të Titos, shërbimi sekret amerikan theksonte aftësinë e tij që rreth vetes të përfshinte njerëz të aftë e profesionalisht të përgatitur. Në të vërtetë, Tito kishte vendosur sistemin kolektiv të udhëheqjes (sipas modelit të Zvicrës), si një formë kjo e parandalimit që një njësi federale të koncentrojë në duart të veta pushtetin qendror. Pra ishte një përpjekje e drejtuar kundër tendencave hegjemoniste të RS të Serbisë. Një fushë tjetër problematike pas periudhës së Titos, sipas këtij raporti, ishin edhe dallimet ekonomike dhe sociale ndërmjet republikave veriore dhe perëndimore të zhvilluara me njësitë më pak të zhvilluara të jugut dhe të lindjes. Fuqia botërore që do të mundohej të përfitonte në periudhën pas Titos ishte BRSS-ja, e cila shpresonte ta rikthente Federatën Jugosllave në përqafimin e socializmit ortodoks të tyrin. Moska mbështetej në faktin se problemet e brendshme ekonomike dhe rivaliteti etnik, do t’i mundësonte asaj që të gjente mbështetës brenda strukturës shtetërore dhe partiake të Jugosllavisë së pas Titos. BRSS-ja, ashtu si vendet perëndimore, shfrytëzonte rastin që si shkëmbim për kreditë e mëdha të anashkalonte organet federale, duke bërë marrëveshje të drejtpërdrejta me institucionet republikane dhe ato lokale. Sigurisht, vazhdonte raporti, disa vjet pas Titos, si rezultat edhe përzierjes nga jashtë, do vinte deri te koalicioni ndërmjet liderëve konservativë dhe ushtarakëve në përpjekjen për të rivendosur pushtetin qendror, me ç’rast mund të dalë në skenë edhe ndonjë lider, i cili do të mundohet t’u imponohet njësive të tjera federale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pasur parasysh të gjitha këto zhvillime të mundshme pas Titos, do të përkrahnin një Jugosllavi të bashkuar dhe të decentralizuar, ngase çdo përkrahje për njësi të veçanta të federatës vetëm do të përforconte ndikimin e BRSS-së në Jugosllavinë e pas Titos.

Në vitin 1977 Kosova kishte marrë 56 milionë dollarë kredi nga Banka Botërore, të cilat do t’i investonte në sistemin e ujitjes dhe të drenazhimit, me çka do të ndihmoheshin rreth 35.000 bujq të Kosovës. Se sa Jugosllavia ishte e rëndësishme për Perëndimin tregonte fakti se Banka Botërore, me seli në Uashington, deri në vitin 1979 i kishte huazuar RSFJ-së rreth 12 miliardë dollarë. Madje në vitin 1979 Jugosllavia ishte huazuesi i pestë më i madh i Bankës Botërore. Pas vdekjes së J.B.Titos, më 1980, ekspertët perëndimorë dhe ata të Jugosllavisë parashikonin se vështirësitë ekonomike mund të nxisnin procese politike të cilat do të destabilizonin Federatën Jugosllave. Prandaj, sipas tyre, në rast të ndonjë krize të brendshme politike në Jugosllavi, nuk do të kishte rrezik të drejtpërdrejtë nga ndonjë invazion i BRSS-së, por më shumë të rritjes së ndikimit rus duke ndihmuar disa grupe të caktuara në Jugosllavi. Raporte me përmbajtje të njëjta i vinin udhëheqjes së Jugosllavisë edhe nga kryeqyteti sovjetik (Moska), në të cilat shprehej brengosja e BRSS-së lidhur me kërcënimet për kryengritje që kinse vinin kundër RSFJ-së nga ana e emigracionit politik jugosllavë (flitej për rreth 50.000 persona të armatosur). Njëkohësisht, Todor Zhivkovi (udhëheqësi bullgar), gjatë takimit me Santiago Karillon (liderin e Partisë Komuniste të Spanjës), kishte deklaruar se ishte i drejtë çdo intervenim ushtarak që shërbente për të ruajtur sistemin socialistë dhe se në rast nevoje, duhet të ndihmohet Jugosllavia, që edhe pas vdekjes së Titos të mbetej vend socialistë. Me fjalë të tjera BRSS-ja shfrytëzonte edhe emigracionin djathtist kroat si presion për të mbajtur ose edhe për të kthyer Jugosllavinë e pas Titos në kuadër të sistemit socialistë të Lindjes. Prandaj nuk habit fakti se në Londër, gjatë kongresit të Këshillit Kombëtar Kroat (Hrvatskog narodnog vijeća), pikëpamja dhe parulla që dominonte ishte: më mirë një Jugosllavi jo e unifikuar dhe e pushtuar nga Rusia, sesa një Jugosllavi e bashkuar dhe e mbështetur nga Amerika. Kjo tezë e Këshillit Kombëtar Kroat mbështetej edhe me spekulimet se pas vdekjes së Titos, BRSS-ja dhe SHBA-ja, do të ndanin sferat e ndikimit në RSFJ. Sipas këtyre parashikimeve Bashkimi Sovjetik do të vendoste zonën e vet të ndikimit në RS të Serbisë, RS të Malit të Zi dhe në RS të Maqedonisë, përderisa SHBA-ja ndikimin e tyre do ta shtrinin në pjesën tjetër të Jugosllavisë. Sipas pikëpamjeve perëndimore, pas vdekjes së Titos, ata do të duhej të përkrahnin udhëheqjen kolektive për të parandaluar shpërbërjen e Jugosllavisë dhe luftën qytetare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikonin se në periudhën e pas Titos, institucionet e Federatës Jugosllave dhe sidomos Armata Popullore e Jugosllavisë do të  intervenonin në rast të ndonjë përpjekjeje për shkëputje të Kroacisë ose të Kosovës. Në kushte të luftës qytetare, Armata Popullore e Jugosllavisë, do të kërkonte ndërhyrjen e BRSS-së. Në një skenar të tillë të ngjarjeve, SHBA-ja parashikonte se në rast se RPS e Shqipërisë do të rezistonte kundër intervenimit të mundshëm ushtarak të BRSS-së në Jugosllavi, atëherë amerikanët mund të merrnin parasysh të përkrahnin politikisht dhe me ndihma të kufizuara ushtarake bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (“In these circumstances, if the Albanians gave some promise of being prepared to resist Soviet intervention, the USA might consider extending political support and even limited military assistance to Greater Albania.” Shih: A. Ross Johnson and Arnold L. Horelick, Communist Political Succession, A Report prepared for Department of State-June 1972, 65). Gjithashtu, edhe në skenarin kur BRSS-ja do të sulmonte Jugosllavinë, pa pasur si shkas luftën qytetare, pra kur Kosova do të vazhdonte të ishte pjesë e SFRJ-së, RPS e Shqipërisë nëse do të kërkonte mbështetjen dhe ndihmën ushtarake perëndimore kundër BRSS-së, përsëri SHBA-ja do t’ia afronin. Ndërkohë prishja e marrëdhënieve shqiptaro-kineze (1978) nxiti shqetësimin e SHBA për mundësinë e rikthimit të Shqipërisë në Paktin e Vrashavës. Prandaj amerikanët u interesuan për t’u njohur me potencialin ekonomik e ushtarak të Shqipërisë dhe vendosmërisë së Tiranës për t’u ballafaquar me një agresion të mundshëm të Bashkimit Sovjetik, vetëm apo me Jugosllavinë. Njohuri mbi plane të tilla të BRSS-së kishte edhe shteti shqiptar, për të cilën u bë e qartë se pushtimi i Jugosllavisë nga Pakti i Varshavës do të thoshte se këto forca ushtarake (disa nga njësitë speciale të këtyre vendeve mësonin edhe gjuhën shqipe) nuk do të ndaleshin pa sulmuar edhe RPS të Shqipërisë. Prandaj, Tirana zyrtare, duke kuptuar se SHBA-ja dhe NATO, në rast të agresionit të BRSS kundër RSF të Jugosllavisë ose RPS të Shqipërisë, nuk do të intervenonin hapur por do të ofronin ndihma ushtarake dhe ekonomike, deklaronte se nëse sulmohet Jugosllavia, Shqipëria do të hynte gjithashtu në luftë.  

Qëndrimin e tillë dhe interesimin e NATO-s për Shqipërinë, në rast të hyrjes së BRSS në Jugosllavi, ia kishte konfirmuar ambasadorit jugosllavë në Tiranë, Branko Komatinës, edhe ambasadori italian. Prandaj pas prishjes së raporteve me Kinën, Shqipëria, ndonëse mbronte dhe propagandonte rrymën ideologjike të pastër komuniste, përsëri për nevoja të sigurisë ishte orientuar për mbështetje dhe lidhje më të forta me Francën kapitaliste, e cila vazhdonte të ishte një nga fuqitë nukleare dhe më me ndikim në arenën ndërkombëtare. Ndërsa, pas refuzimit të heshtur të Shqipërisë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA, qëndrim të cilin qeveria amerikane e toleronte, për sa kohë që Enver Hoxha dhe shteti Shqiptar vazhdonin të ishin kundër pranisë ruse dhe Paktit të Varshavës në territorin shqiptar, Washingtoni nxiste vendet perëndimore për t’u afruar me Tiranën, sidomos RF të Gjermanisë dhe Britaninë e Madhe.

Në raportin amerikan të vitit 1979 lidhur me problemin e Kosovës do të theksohej se për mbijetesën e Jugosllavisë, ku pos raporteve kroato-serbe, rëndësi do t’u kushtohej edhe raporteve shqiptaro-serbe. Potencohej se udhëheqësi i Shqipërisë, Enver Hoxha, Kosovën e konsideronte vetëm përkohësisht pjesë të Jugosllavisë. Prandaj, pas Titos, shpërthimi konfliktit shqiptaro-serb do të nxiste shpërthimin e konflikteve etnike në pjesë të tjera të Federatës Jugosllave dhe në një mënyrë zgjidhja e problemit të Kosovës mund të ishte element kyç për mbijetesën e saj. Po kështu theksohej se nacionalizmi shqiptar do të ballafaqohej me dy rryma: atë me ngjyrime islamiste, i orientuar kah vendet arabe, në të cilat shkollohej elita fetare myslimane shqiptare dhe rinia studentore, që do të drejtohej për inspirim kah Tirana. Ndërkohë, BRSS-ja kishte filluar të ndërhynte në Kosovë, pikësëpari me ndihmën e elementit serb në Kosovë, disa nga të cilët kishin krijuar Partinë e re Komuniste të Jugosllavisë. Njëkohësisht me rastin e prishjes së Shqipërisë me Kinën më 1979, BRSS-ja kishte filluar të shikonte mënyra për afrim me Shqipërinë, duke shfrytëzuar edhe Kosovën si mundësi.

Nga ana tjetër, Enver Hoxha, duke u nisur nga qasjet pragmatike, ashtu si udhëheqësi i RSF të Jugosllavisë, J. B. Tito, në politikën e jashtme objektiv kryesor kishte ruajtjen e pavarësisë së RPS të Shqipërisë, sidomos nga BRSS-ja dhe Pakti i Varshavës. Kurse në planin afatgjatë, shteti Shqiptar dhe Enver Hoxha, llogarisnin se në periudhën e pas-Titos, RSF e Jugosllavisë do të  shpërbëhej dhe në atë rast Kosova dhe vendbanimet e tjera shqiptare do t’i bashkoheshin shtetit amë. Ndërkohë organizatat ilegale shqiptare por edhe pjesë të elitës institucionale të Kosovës, ishin për krijimin e një republike shqiptare në kuadër të Federatës Jugosllave, ku në kuadër të Kosovës do të përfshiheshin të gjitha vendbanimet shqiptare në RS të Serbisë, RS të Malit të Zi dhe RS të Maqedonisë. Ky ishte, së paku, edhe synimi dhe dëshira që prof.dr. Ymer Jaka, sekretar i Arsimit, i Shkencës dhe i Kulturës së KSA të Kosovës, ia deklaroi Tefta Camit, ministres së Arsimit të RPS të Shqipërisë me rastin e vizitës zyrtare në Tiranë të organizuar gjatë fundit të vitit 1979. Ndërsa Enver Hoxha shprehte brengën se në periudhën e pas-Titos në Kosovë mund të nisnin trazirat, qoftë si rezultat i vlerësimeve të gabuara të vetë shqiptarëve të Kosovës ose edhe të provokimeve serbe me qëllim që të nxisin urrejtjen e kombeve të tjera të Jugosllavisë kundër shqiptarëve. Kjo do të thotë se shteti Shqiptar nuk ishte i interesuar për shpërbërjen e Jugosllavisë në rrethanat e një rreziku permanent sovjetik dhe në anën tjetër që procesi i fillimit të dezintegrimit të brendshëm të Jugosllavisë si një domosdoshmëri e kohës, mos të fillonte në kurriz të shqiptarëve dhe të Kosovës. 

Filed Under: Analiza

LIRIA NUK VJEN NGA RILINDJA E FERRIT, POR NGA LINDJA E DIELLIT

January 13, 2022 by s p

NGA  ALFONS GRISHAJ/

Kombet e qytetëruara kanë sakrifikuar miliona martirë për liri. Sakrifica për liri ka koston e vet, sepse është vlera më e lartë për jetën dhe integritetin e njeriut. Liria është luftë, përpjekje dhe djersë, frymë dhe shpirt, lëvizje dhe jetë, rregull dhe disiplinë, platformë e hyut për  qenësinë njerëzore. Herbert Hoover thotë “ Liria është një dritare  e hapur ku hyn drita e diellit dhe shpirti e dinjiteti njerëzor”. Hoover nuk thotë se liria është sinonim i  dritareve të mbyllura  me dyer të blinduara! 

          Imazhet e fundit në Selinë e PD-së (Selia e lirisë ) kanë trishtuar  botën shqiptare dhe ”civilizimin fondamental”. Tragji-komedi e hidhur që e bën ushtarin mbret dhe mbretin eremit. Kolazh depresiv të një  lidershipi të dështuar. 

Bunkerizimi i “ndërtesës së demokratëve” nuk quhet liri, dhe aq më pak dajaku mbi kurrizin e ndërtuesve dhe poseduesve të pronës së përbashkët. Lufta ndaj njëri-tjetrit (brenda llojit) tregon nivelin e karakterit më të ulët egocentrist.

           Vënia dorë mbi shoqi-shojin (vellezër të një ideali) është dhe kulmi i marrëzisë. Tregues depresiv, paburrëri dhe zero logjikë! Tradicionalisht, shqiptari nuk mund të rrahet, se errësira e rinkarnimit hap sirtarin e çdo nënqenie, duke zgjuar një inat mesjetar deri në sakrifikim. Atëherë kujt i shërben krijimi i  një armiqësie të stisur ? Këtu zë vend proverbi latin : “ Njeriu është ujk për njeriun .” = “Homo Homini lupus est”. Proverb që u përdor nga Plautus, dhe më vonë nga filozofi Tommas Hobes .

Kam shkrojtur dhe më parë: Lufta brenda llojit është simptomë e inteligjencës negative. Dhe kjo u vërtetua në “betejën” e PD-së  kundër vetvetes , “betejë” që  pati vetëm humbës  ! 

        Imagjinoni dy vëllezër që rrahen në dritën e diellit për hijet e tyre se cila zë më tepër hapësirë … dhe kur perëndon dielli… shohin se imazhet e rreme janë vanitas (bosh) dhe dashuria ndaj hijeve është vetëm ide fikse.

Ky është instikti egoist arkaik që prodhon gjithnjë nonsens dhe kthim prapa, ku habia  shpërndahet si një vello mjegulle e dendur në mëngjezet e ftohta duke kufizuar hapësirat e shikimit. Prehë e kësaj mjegulle bëhet elektorati demokrat që sillet si çifuti në shkretëtirë. 

        Disa “analistë” thonë se nga  ky nonsens  ka fituar  kreu i PS-së dhe PS… dhe  fatkeqësisht, Rama e pohon këtë me “dhimbje”. Unë mendoj, askush nuk ka fituar!  Të gjithë shqiptarët duhet të ndihen të turpëruar dhe të humbur … socialistë , republikanë, demokristianë  etj…mbasi kjo nuk ka të bëjë vetëm me PD-në, por me të gjithë kulturën pseudodemokratike shqiptare që  përçon  imazhin vetvrasës në kancelaritë perëndimore. 

Kjo ngjarje, pas të keqes ka dhe një të mirë se, do zgjojë Europën dhe Amerikën për të mbrojtur investimet e veta që kanë bërë në ngritjen e PD-së. Ata e kuptojnë mirë se pa një PD të fortë nuk do të ketë një demokraci të vërtetë dhe Shqipëri stabile. Një Shqipëri e destabilizuar mbetet një gozhdë në zemër të Europës dhe një bombë  me sahat në portat e perëndimit.

Politikanët perëndimorë nuk janë leshko që të mos e kuptojnë  se shkatërrimi i PD-së ka një prapavijë konspirative. 

Herët a vonë, komplotuesve do u ngrihet buzëqeshja në buzë. Fillimi do të nisë me kreun e PS-së dhe klanit të vet…

           Politikanët  klasike dhe moderne  perëndimore e dinë fort mirë se liria  nuk vjen nga rilindja e ferrit, por nga lindja e diellit. 

Imagjinoni për një çast çfarë do ndodhte me tokën sikur fuqia e Demiurgut t’a ndalonte rrotullimin e saj rreth diellit …dhe  nëse , Giordano Bruno të ishte gjallë dhe të thoshte : “ Eppur si muove” !! 

Filed Under: Politike

SHKAKU DHE PASOJA” NË KONTEKSTIN E BOTËKUPTIMIT SHQIPTAR

January 12, 2022 by s p

Filip Guraziu/

Tema e këtij shkrimi ndoshta mundet me qenë nji ndër ma të diskutuemet e  filozofisë botnore që ende vazhdon të studjohet, por çka ka të veçantë ose të  randësishme për shoqninë njerëzore ky çift emnash? Pranohet prej të tanëve, se sa  ma shumë njohje në lidhje me këto dy koncepte dhe varësinë që egziston ndërmjet  tyne, aq ma shumë problematika jetësore të sapiensit zgjidhen tue ndikue pozitivisht  drejt përparimit. Vlera dhe randësia që ato marrin, në interpretimin e saktë të  dukunive natyrore dhe ngjarjeve historike, konsiderohen primare për shoqninë  njërëzore për ndërgjegjësimin dhe pozicionimit konstruktiv të sajë. Interpretimi i  gabuem i dukunive dhe i ngjarjeve historike, pasojë e mos dijes ose e tranformimit  të qëllimshëm të fakteve në shërbim të interesave klienteliste, formojnë pengesë për  ecjen përpara të shoqnisë njërëzore.  

 Me përjashtim të kohëve të fundit, historia e njërëzimit dëshmon në drejtim vetem  sisteme shoqnore monarkike dhe diktatoriale, ideologjia e të cilëve, për interesa të  ngushta, transformonte qëllimisht të vertetën historike me pasojë ” mbjelljen” e nji  morali destruktiv. Zhvillimet historike janë plot me shëmbuj të shëmtuet të ” bëmave”  që shkaktuen popuj të ndryshëm, në kohë të ndryshme prej indoktrinimit moral  negativ të ideologjive radikale fetare, diktatoriale, rraciste, kolonialiste, imperialiste.   Si të gjithë popujt e ballkanit edhe shqiptarët “gjinden të mbarsun” me lloj, lloj  mentalitetesh që pengojnë formimin kulturor bashkëkohor; psh. pranohen apriori,  ” pa e lodhë fort mendjen” si të verteta absolute se ” vetem shqiptarët janë populli i  viktimizuem në Europë”; se ” fajin për çka ka shkue e shkon keq në botën shqiptare e  kanë gjithmonë të tjerët ; se shqiptarët nuk janë popull pushtues”; “se vetem  shqiptarët kanë besë ” etj. Personalisht më intrigon psikologjia zotnuese te shqiptarët  se ” fajin e kanë gjithmonë të tjerët”, që ma me shumë fjalë intrpretohet: se  “shkakun” në lidhje me “pasojat” (situata jo të kënaqëshme që kanë përjetue ose që  përjetojnë shqiptarët) nuk duhet t’i kërkojmë mbrenda vetes (shqiptarëve), por jashtë  vetes, te të tjerët…!  

 Çdo aspekt i jetës së përditëshme na ballafaqon me interpretimin e drejtë ose të  gabuem të konceptit të masipërm, p.sh., qytetarët ankohen për mos pastrimin e  mirë të territorit prej Bashkisë, por në veprimtarinë e tyne , janë po ato që hedhin  letra, cingare e mbeturina në vende që nuk lejohen, pra “shkaku” i mospastrimit të  qytetit nuk asht vetem Bashkia, por janë edhe vetë qytetarët ( shkaku mbrenda nesh);  qytetarët ankohen se qeveria nuk po merr masat e duhuna kundër Covidit, por në të  njajten kohë askush nuk e ven masken aty ku asht urdhni me e vue, përsëri pra shkaku 

i përhapjes së virusit nuk duhet ta kërkojmë vetem jashtë nesh ( te qeveria ), por edhe  mbrenda nesh ( te vetëvetja) etj.  

 Shqiptarët kritikojnë kryeministrin e Prusisë, Bismarkun i cili gjatë diskutimeve për  çështjen shqiptare paska pasë thanë se ” Shqipnia asht shprehje gjeografike “, por  kurrë dhe askush prej historianëve nuk sqaroi se pikërisht në atë periudhë, kur  Perandoria Turke ishte shpartallue në luftën kundër Rusisë ( 1877-1878) dhe në  ballkan po skicoheshin territoret e shteteve të reja, me porosinë e autoriteteve turke  shqiptarët organizuen Lidhjen e Prizrenit, vendimi fillesatar i së cilës ( sepse i dyti  ndryshoi pozitivisht…) mbronte tokat islame dhe jo ato shqiptare….! Pra klasës  drejtuese dhe sunduese të shqiptarëve ne vjetin 1878 nuk i binte fort ndërmend për  Shqipninë ( me përjashtime të rralla si shëmbulli i heroit shkodran Hodo Sokolit ), por  ishin gati të jepshin jetën për mbrojtjen e territoreve të perandorisë Turke.  

 Kur në Kongresin e Manastirit, 1908, dijetarë shqiptarë të bashkuem, si kurrë ndonji  herë, zgjodhen alfabetin latin për shkrimin e gjuhës shqipe tue i deklarue mbarë botës  përzgjedhjen e ardhmënisë europiane, në Shkodër ( në nji ndër qytetet shqiptare ma  të zhvilluem e të njoftun ndërkombëtarisht) zanat kundërshtues të alfabetit latin iu  drejtuen qiellit për mallkim në emën të Zotit kundër atyne që kishin ba “mkatin e  madh”…, ate të braktisjes së alfabetit arab|  

 Në vjetin 1912 ishte shpallë pamvarësia e shtetit të ri Shqiptar ( me territore të  cungueme), por situata praqitej problematike prej grykësisë territoriale  ekspansioniste të shteteve kufitarë. Europa , në vazhdim të praktikës së suksesëshme  të vendosjes së nji monarku në krye të shteteve të rij në Ballkani ( Greqi, Rumani dhe  Bullgari), në vjetin 1914 vendosi në krye të shtetit të sapoformuem shqiptar,  gjermanin Princ Vidi, por ç’ka ndodhi ? Dhuna e shqiptarëve “patriotë” me parullën ”  Dum Baben” shkatërroi të ardhmen europiane…, pikërisht kët të ardhme për të cilën  sot shqiptarët po “zhgarraviten” për me qenë pjesë e sajë  

 Konkluzioni ? Kur ti o shqiptar mohon vetëveten, kur ti o shqiptar harron vetëveten,  si të shkon ndërmend se duhet me të nderue e me të kujtue te tjerët ? Ku duhet pra  ta kërkojmë shkakun e të keqes që ndodhi me territoret e banueme historikisht prej  shqiptarëve; mbrenda apo jashtë nesh? Ç’asht e verteta përcaktimi i ” shkakut” në  kët rast nuk asht ” bardh e zi”, mbasi rol kryesor për sa ma sipër, kanë luejtë edhe  interesat ekspansioniste të shtetve imperialiste, por megjithate…, sikur shqiptarët në  atë moment historik do të ishin ma të ndërgjegjësuem e ma të bashkuem për krijimin  e shtetit të tyne, harta e Shqipnisë me siguri do të ishte ndryshe…!  

 Megjithëse mbas 44 vjetëve dhunë të diktaturës enveriste populli shqiptar përjetoi  situatën e nji vorfnie ekstreme, ( aq sa çuditi mbarë botën ; kujtoj braktisjen epokale

masive të vendit amë me anijet e stërmbushuna – ‘ albanian boat people’ prej “njëriut  të ri socialist”) ende sot drejtuesit e politikës, shtetit dhe kulturës akademike  shqiptare nuk demostrojnë në praktikë ndamjen përfundimtare prej asaj ideologjie  përverse. Masivisht shqiptarët ankohen se B.E. nuk na përfillë e nuk po na pranon në  gjiun e sajë, megjithëse ” neve i kem bërë detyrat “. Pra, mosanëtarësimi në B.E që  në kët rast asht “pasoja”, rrjedhka prej ” shkakut” të mos funksionimit të mirë ose  funksionimit burokratik të B.E….! Përsëri ” shkakun ” e kërkojmë jashtë nesh dhe  harrojmë ose bajmë sikur harrojmë se në ç’far gjëndje e ka pozicionue vendin politika  30 vjeçare post diktatoriale. Jo në nji shkrim gazete, por nuk mjafton nji roman me  shumë faqe për me rreshtue gjendjen skandaloze të administrimit të shtetit  shqiptar…. Kush e ka pra fajin se jemi të refuzuem prej B.E.-së ? A e keni pyetë  ndonjiherë vetëveten pse Montenegro që i filloi praktikat e pranimit në B.E. rreth 10  vjetë mbrapa Shqipnisë, sot asht ma afër pranimit në B.E se Shqipnia? Për këdo që ka  sy me pa, veshë me ndigjue e tru me mendue, përfundimi asht i qartë: ” shkakun” që  ende sot mbas 30 vjetëve diktaturë komuniste, Shqipnia nuk ban pjesë në B.E. duhet  ta kërkojme te drejtuesit e pa aftë e me formim të mangët moral, kulturor e patriotik  të politikës e të shtetit shqiptar, pa harrue popullin shqiptar që fatkeqësisht luen rolin  e ” spektatorit” dhe jo të “aktorit” në dramën shqiptare që po përjetojmë…! Shëmbujt  si ma sipër janë të shumtë në botëkuptimin e popullit shqiptar.  

Përfundimi ? Përparimi imponon s’pari ndryshimin pozitiv mbrenda vetes tonë,  mbrenda shqiptarëve!  

 “Shkaku dhe Pasoja” nuk duhen konsiderue ” lojna fjalësh për humor  karnevalesh”…, por korelacion filozofik me të cilët ndërlidhet ngusht përparimi i  qëndrueshëm i nji populli. Kuptimi i drejtë, pozicionimi optimal në raport me shkakun  e nji dukunie materiale apo ideale, thërret, organizon, mobilizon fuqi të  mbrendëshme pozitive kombëtare në funksiontë të projektimit të nji “pasoje” që sjell  përparim për mbarë popullin. ” Kumonat” bijnë për të tanë, por kryesisht për eliten  intelektuale dhe drejtuesit e politikës e të shtetit shqiptar ! Ndërgjegjësimi i drejtë  dhe bashkëkohor i nji populli mundëson analizimin e saktë të “shkakut” në funksion  të “pasojës”. Në kët kandvështrim del urgjente konsolidimi i nji strategjie edukuese  konstruktive ( edhe ligjore) në funksion të ndërgjegjësimit me botëkuptim  bashkëkohor europian të shqiptarëve; bashkimit shpirtnor të tyne, respektimit të  dinjitetit e të simboleve të shqiptarizmit dhe konsolidimit të identitetit kombëtar. 

Filip Guraziu

Filed Under: Analiza

Presidenti Meta, vizitë dhe ligjëratë në ITShKSh të Shkupit

January 12, 2022 by s p

Shkup, 11.01.2022 – Sot Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, e vizitoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, i cili para studentëve të universiteteve shqiptare mbajti një ligjeratë me temën “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat”.

Presdenti Meta në fjalën e tij veç tjerash tha se shqiptarët duhet gjetur të gjitha format dhe mundësitë për bashkëpunim të ndërsjellë në rajon, duke i këmbyer aseset kulurore, shkencore dhe ekonomike, për t’u bërë ballë sfidave që na presim në këtë mijëvjeçar të ri. Sipas tij, për të gjithë shqiptarët është shumë e rëndësishme që bashkërisht të punojnë që në këto hapësira të mbisundojë ligji, vlerat evropiane dhe euroatlantike, demokracia dhe bashkëjetesa me të gjitha komunitetet, për të pasur një prosperitet dhe stabilitet të garantuar. 

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se në këtë kohë kur regjistrohen trende shqetësuese të ikjes së të rinjve nga vendi, nga këto duam të përcjellim porosinë deri te politikbërësit që të kenë kujdes më të shtuar ndaj rinisë, e cila duhet të ngelet këtu për të vepruar për vendin tonë. 

Paraprakisht, Presidenti Meta bashkë me delegacionin e Departamentit të Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereza pranë ITShKSh-së, vendosën lule pranë pllakës përkujtimore ku gjendej shtëpia e Gonxhe Bojaxhiut në sheshin e Shkupit. 

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2464
  • 2465
  • 2466
  • 2467
  • 2468
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT