• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SIGURIA USHQIMORE ME ORIGJINË SHTAZORE DHE FINALIZIMI NË ORGANIZMIN E NJERIUT

January 11, 2022 by s p

Dr. Ardita Hoxha (Jahja), Menaxhere e Kërkimit Shkencor dhe pedagoge në Universitetin e Shkencave Aplikative Savonia në Finlandë flet për “Diellin” e Vatrës në New York, në një rrëfim ekskluziv dhënë Editorit Sokol Paja, flet për sigurinë ushqimore në nivel global, konsumatori, projektin e kërkimit shkencor që të përdoret ushqimi i duhur me qëllim që emëtimet e metanit dhe azotit në mjedis të reduktohen. Dr. Ardita Hoxha (Jahja) udhëheq kërkimin shkencor në fushën e zinxhirit ushqimor, dhe ligjeron lëndët si: mirëqenia e kafshëve, bujqësia në nivel global dhe sfidat në zinxhirin ushqimor.

PROJEKTI QË SYNON TË RRISË EKSPERTIZËN E NEUTRALITETIT TË KARBONIT TË FERMAVE BLEGTORALE

Ndryshimet klimatike janë një shqetësim gjithnjë e në rritje në mbarë botën. Për ta frenuar atë, ka nevojë për të gjetur zgjidhje të arsyeshme. Emetimet e metanit nga ripërtypësit dhe çështjet e mirëqenies së kafshëve në veçanti janë shqetësuese si për fermerin ashtu edhe për konsumatorin. Masat për nxitjen e sekuestrimit të karbonit janë fokusuar në prodhimin e bimëve. Nga ana e ushqimit të kafshëve, ka shumë pak risi në reduktimin e metanit nga tretja, duke synuar rendiment dhe rrjedhimisht gjurmë të ulët karboni. Grupi ynë kërkues  synon të gjejë mënyra të reja për të reduktuar emetimet e metanit nga blegtoria. Janë marrë rezultate premtuese nga bota mbi efektet e thëngjillit të drurit (biochar) në fiziologjinë e ripërtypësve. Përveç kësaj, plehu i bagëtive që përmban biokarbon dihet se përmirëson gjendjen në rritje të tokës në afat të gjatë. Në ushqimin e kafshëve, biochari është raportuar se përmirëson efikasitetin e ushqimit dhe shëndetin e përgjithshëm të ripërtypësve. Me përdorim më të mirë të ushqimit, emetimet e metanit dhe azotit në mjedis reduktohen. Efektet pozitive në sistemin tretës bazohen në aftësinë e karbonit për t’u lidhur në rumen. Karboni i përdorur në ushqim mund të ndikojë në uljen e sasisë së karbonit nga lopët qumështore dhe ato për majmëri (mish)si dhe në shëndetin e kafshëve, kështu që në një situatë optimale do të ndikohej edhe përfitimi i prodhimit blegtoral. Biochar vështirë se është testuar në një shkallë praktike në fermat e qumështit. Përshtatshmëria e tij në të gjithë zinxhirin ushqimor, duke përfshirë ruajtjen, përzierjen, homogjenitetin, përbërjen e plehut organik dhe funksionin e mbetjeve të plehut organik, duhet të përcaktohet dhe testohet. Projekti synon të adresojë sfidat që lidhen me disponueshmërinë, përdorshmërinë dhe ndikimin e biochar në ushqimin e lopëve qumështore. Qëllimi i studimit, në bashkëpunim me profesionistë të fushave të ndryshme, është të lehtësojë futjen me sukses të një komponenti të ri ushqimor, biochar, në fermat e qumështit. Për më tepër, projekti synon të rrisë ekspertizën e neutralitetit të karbonit të fermave blegtorale në të gjithë zinxhirin e vlerës.

YNDYRAT ME ORIGJINË SHTAZORE TË PASURA ME ACIDE YNDYRORE TË NGOPURA SHKAKTOJNË SËMUNDJE KORONARE

Kërkimet shkencore dhe studimet e doktoratës i kam përfunduar në universitetin e Hohenheim-it në Gjermani. Kam pas fatin të jem pjesë e këtij universiteti me renome në fushën e shkencave bujqësore. Qëllimi kryesor ka qene shqetësimi i vazhdueshëm që yndyrat me origjinë shtazore të pasura me acide yndyrore të ngopura shkaktojnë sëmundje koronare. Një konkludim i tillë rrezikon uljen e konsumit të të produkteve me origjinë shtazore duke shpier në disa raste në kërkimin e burimeve të reja të proteinave. Kjo një sfidë kryesisht pë popullsinë e vendeve në e vendeve në zhvillim. Por, rezultatet nga kërkimet e doktoratës sime dhe të tjera të tilla indikojnë qartë se pasurimi i produkteve me origjinë shtazore  me acide yndyrore omega -3 mund të paraqes një mundësi për të rduktuar rreziqet shëndetësore tek njerëzit. Pasurimin e vezëve me acide yndyrore omega-3 mund ta shohim si burim të mirë ushqimore për konsumatorë e vendeve që kanë qasje të ulët në ushqimet nga deti, që janë të pasura me acide yndyrore te pa ngopura. Në kuadër të tezës, kam studiuar efektet e kombinuara të dietave me përmbajtje të ndryshme të acideve yndyrore omega-3 dhe aktivitetit fizik mbi performancën, profilet e acideve yndyrore në të verdhën së vezës, karakteristikat e kockave dhe kam analizuar parametrat fiziologjik. Bazuar në rezultatet e marra, mund të arrihet në përfundimin se:

1. Burimi i yndyrës në dieta ndikoi qartë në peshën e vezës, përqindjen e të verdhës së vezës dhe profilit te acideve yndyrore në vezë. Në ndryshim nga dietat, aktiviteti fizik rutinor shkaktoi një ulje të marrjes së ushqimit dhe prodhimit të vezëve, por nuk ndikoi në peshën e vezës, profilet e acideve yndyrore të të verdhës. Prandaj, burimi i yndyrës dietike ka efekt kyç në performancën dhe cilësinë e produktit.

 2. Kombinimi i dietave të pasuruara me burime të ndryshme të acideve yndyrore and aktivitetit fizik të pulave vojse ul rastet e osteoporozës dhe thyerrjes së eshtrave. Prandaj duket se ushtrimet fizike kompensojnë nivelet e ulëta të acideve yndyrore n-3. 

3. Burimi i yndyrës në dietë ka ndikim në peshën e pulave vojse dhe disa parametra fiziologjik të gjakut.

NJË SHQIPTARE NË KRYE TË  “AGRI-FOOD CLUSTER NORTH SAVO”

Tash e tetë vite unë jetoj e veproj në rajonin perëndimor të Savos. Një rajon ku bujqësia dhe sektori i ushqimit është shumë i zhvilluar. www.agrifoodclusterns.fi Këtë sektor të veçantë e bëjnë inovacionet e shumta. Bashkëpunimi në mes të aktorëve të zinxhirit ushqimor është për çdo lavdatë dhe me shumë suksese të përbashkëta. Por, pë ta bërë këtë të njohur në nivel të bashkimit evropian është dashtë një iniciativë që ky bashkëpunim të jetë formal dhe i bashkuar në cluster dhe ekosistem të clustereve tjera të vendit e EU-së. Nën ushëheqjen time, bashkë me kolegët, pas një pune maratonike me të gjithë akterët e zinxhirit ushqimor kemi arritur të pranohemi ne EU Cluster Collaboration Platform. Ndjehem tejet krenare që në krye të kësaj, sapo të klikoni në platform rezulton emri i një shqipëtareje nga Kosova. Ky angazhim më sjellë shumë mundësi e njohje të reja me biznese, industri ushqimi, fermer e institucione shkendore.

Sherbimet kryesore të klusterit janë:

  • Shpërndarja periodike e informacionit 

Agri-Food Cluster ofron rregullisht një buletin për të informuar në lidhje me temat aktuale rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare në lidhje me bujqësinë, zonat rurale dhe bizneset, dhe sektorin e ushqimit në rajonin verior të Savos. Anëtarët janë të mirëpritur të përdorin buletinin për komunikim. 

  • Promovimi i aktiviteteve (marketingu) 

Nëpërmjet Agri-Food Cluster, anëtarët bëhen pjesë e European Cluster Collaboration Platform. Anëtarët kanë mundësinë të marrin publicitet falas gjatë ngjarjeve të organizuara nga Agri-Food Cluster. 

  • Mbështetja e transferimit të njohurive

Nëpërmjet Agri-Food Cluster, anëtarët kanë akses në informacion rreth inovacioneve në bujqësi, bizneset rurale dhe sektorin e ushqimit. Nevojat dhe kërkesat trajtohen nga grupi dhe u dërgohen partnerëve të duhur të kërkimit shkencor, zhvillimit dhe këshillimit. Grupi mund të transferojë gjithashtu informacione dhe kërkesa për projektet e studentëve, tezat dhe punë praktike për të rinjtë.

ANGAZHIMI POLITIK NË KUVENDIN KOMUNAL TË QYTETIT IISALMI

Në qershor të këtij vitit 2021 janë mbajtur zgjedhjet komunale në gjithë Finlandën. Partia e qendrës “Keskusta” më nominoi edhe mua për kandidate si asambleiste për qytetin e Iisalmit. Duke pas parasysh që numëri i qytetarëve me origjinë shqipëtare është tejet i vogël (familja ime dhe nje familje tjetër), pastaj i shtoja faktin që si banore e re, 7 vjet në këtë qyet, pritjet për rezultat i kisha minimale. Por, befasia e rezultatit ishte interesante. Nuk arrita të merrja votat si asambleiste por mjaftueshëm që të jem anëtare e bordit të mirëqenies për rajonin dhe përfaqësuese në bordin per edukimin në rajon. Kontributi im në këto borde është proporcionale me atë që mësoj vazhdimisht nga kolegët dhe pasuroj njohuritë në bërjen e politikave për zhvillimin rajonal, me theks të veçantë në mirëqenie, e fokusi im është në konceptin “One Health”- Mirëqenia për kafshët dhe njerëzit në harmoni me mbrojtjen a ambientit.  

ANGAZHIMI NE KLUBIN E FUTBOLLIT PK-37

Duke qenë se jam nënë e tre djemëve është e pashmangshme të mos e dua futbollin. Unë jam rritur në një familje ku sporti zinte një  vend të rëndësishëm. Duke qene vajza e parë e babait, refer ndërkombëtar i hendbollit, unë u angazhova në hendboll qysh në moshën 9 vjeçare. Vazhdova këtë rrugëtim deri sa u bëra nënë vet. Të njejtë traditë e kam përcjellë tek fëmijët e mi. Djali i madh refer i futbollit, dhe dy të tjerë pjesë e klubit të futbollit për fëmijë, janë arsye e fortë që kam obligim të kontriboj për klubin. Tani para një muaji jam zgjedhur anëtare e bordit të klubit. Unë mendoj fuqishëm që puna vullnetare në vendin ku jeton është me shumë rëndësi, është lokomotivë për integrim në komunitet. Këtë e kam kuptuar edhe nga puna vullnetare që bëj për shoqatën ndërkombëtare të gruas “Zonta”.

FORMIMI PROFESIONAL DHE KARRIERA

Studimet bazë i kam ndjekur në Universitetin e Prishtinës ku edhe jam diplomuar si mjeke veterinare, pastaj vazhdova studimet Master në Universitetin e Perugias dhe diplomova në fushën e Sigurisë ushqimore me origjinë shtazore dhe finalizimi në organizmin human. Këtu edhe fillon kurreshtja ime për të vazhduar kërkimet edhe më tutje. Me këtë qëllim vazhdoj tutje me studimet e doktoratës në Univeresitetin e Hohenheimit në Gjermani, ku edhe marr titullin Doktor i shkencave bujqësore. Gjatë doktoratës kam arritë të specializoj edhe në Universitetitn e Missourit ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Universitetin e Hiroshimës në Japoni dhe të jem pjesë e shumë projekteve ndërkombëtare. Për shtatë vite me rradhë kam punuar si asistente ne Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës dhe tash e 8 vite jam pjesë e Universitetit të shkencave aplikative Savonia në Finlandë. Këtu udhëheqi kërkimin shkencor në fushën e zinxhirit ushqimor, si dhe ligjeroj lëndët si: mirëqenia e kafshëve, bujqësia në nivel global dhe sfidat ne zinxhirin ushqimor. Udhëheqi disa projekte ndërkombëtare dhe punën e tezave te displomimit të studentëve. Pjesa më e vlefshme e rrugëtimit tim në karrierë janë familja ime që më përkrahin e motivojnë vazhdimisht. Arritjet në karrierë janë rrugë përplotë sfida por me perkushtim arrihen. Tani mbi supe kam shumë përgjegjësi sepse të ligjerosh në një vend si Finlanda, ku arsimi është vula e cilësisë, thotë e kërkon shumë për mua e nga unë. Siguria e ushqimeve që ne konsumojnë sot, çdo ndodh, teknologjia, ndotjet e ambientit, pse po rriten çmimet etj. Siguria ushqimore në nivelin global gjendet në udhëkryq. Nevoja për ushqim të mjaftueshëm me vlera ushqyese, ndotja ambientit dhe zhvillimi i shpejtè i teknologjisë janë në anët e ndryshme të këtij udhëkryqi. Tani kur duhet të shtohet edhe fakti i pandemisë unë shoh ngritje të çmimeve dhe sfidë që mos të kemi rezistencë në antibiotikë, si një rrezik i mundshëm i rradhës. 

Ne si kërkues shkencor duhet të punojmë shumë ngushtë në tri shtylla kryesore:

  1. Zbulimin e burimeve të reja të proteinave
  2. Zbulimin e burimeve të energjisë së riprodhueshme
  3. Uljen e emetimit të gazrave nga aktiviteti bujqësor krahas industrive tjera.

Filed Under: Ekonomi

FISHTA NDËRMJET STUDIMEVE NË BOSNJE DHE SKRIVANISË SË TIJ NË SHQIPËRI

January 11, 2022 by s p

Dr. Dom Nikë Ukgjini*


Situata problematike në vitet e Rilindjes Kombëtare, mesi i shek. të XIX, në Ballkan, si pasoje kishte pushtimet e egra shumë shekullore të trojeve arbërore nga osmanet. Jeta shoqërore, arsimimi e kultura në qytete kishin pësuar rrënime totale, nga furia anadollake të cilët edhe me ligj e kishin ndaluar frymarrjën shpirtërore dhe mendore, të arbërorëve në trojet e tyre stërgjyshore. Kishat dhe manastiret katolike të vetmet institucione, ku behej edukimi dhe arsimimi i kufizuar i brezave të rijnë.Mësuesit klerik organizonin mësime fshehurazi nëpër shtëpi private. Mësimit shqip në këto shkolla i ndihmonte mjaft, puna e klerikëve arsimdashës për përgatitjen e teksteve dhe të materialëve të tjera mësimore në gjuhen shqipe. Këtë lloj misioni, e kanë kryer, klerikët shqiptar, nga Buzuku, e deri të Atë Gjergj Fishta.
Fishta talent i shkëlqyer
Përçapja e rikthimit të identiteti tonë kombëtar, nuk kishte si të mos e shqetësonte shpirtin, që në moshë të re klerikut poetit, shkrimtarit, mendimtari, veprimtarit, të shquar atë Gjergj Fishta, i cili gjate rrugëtimit të gjatë e të mundimshme të tij, ka sjell horizonte të reja për rimëkëmbjen e historisë, kulturores, arsimit e gjuhës shqipe.Shtyrja vendimtare që përgatiti ta ripërtërinte Provincën Françeskane Shqiptare që pa dyshim, hapja e Kolegjit të parë në Troshan në vitin 1880, ku mund të rriteshin e të mësonin të rinjtë vendas për misionin, fetar e kulturor në trojet shqiptare. Në libri i të pagëzuarve të famullisë së Troshnit, mësojmë së Zefi u lind në Fishtë të Zadrimës më 22 tetor viti 1871 dhe u pagëzua me 24, dhjetor të ati viti, nga Atë Leonardo De Martino (1830-1823). Biografi i tij më i skrupullt, Atë Daniel Gjeçaj, jo rastësisht do e cilësonte Zefin e vogël qe në moshën 6 vjeçare, si fëmije plotë jetë e gjallëri, i mbrehet i zgjuat, e i kuptueshëm, ndër dy vëllezërit të mëdhenj dhe motrën e tij.Zefi, pra Gjergji i mëvonshëm, po kështu dallohej si talent i rrallë dhe sjellje shembullore nder të pesë rishtaret e vet, të cilët pas mësimeve gjashtëvjeçare në Kolegjinë e Troshanit, nga viti 1886, kishin vazhduar mësimet e larta filozofike e teologjike s bashku me Fishten, në Kraljevo Sutjeska, Gorica Livno, Kreshevo, në Bosnjë. Meqenëse Bosnja e Hercegovina, pas qëndrimit të gjatë nën pushtimin osman, me Kongresi i Berlinit të vitit1878, ishte vendosur nen administrimin e Austro-Hungarez, ky vend i lashte Ilir edhe pse tani me shumicë të popullatës të islamizuar, do e mos do, kishte marr orientimin politike e kulturore perëndimor. Dërgimi i studentëve tanë për studime po atje, që një mundësi e artë që edhe matej ta zhvillonin gamen e diturisë, intelektuale e shpirtërore, për tu bërë meshtarë shqiptar të urdhrit Françeskan, për të kryer misionin e tyre në Shqipëri. Zefi, pra Gjergji si djali i vogël i Ndokes, i cili shpesh herë si në gaz do shprehej: me ka ba nana me te mendueme, përgjatë studimeve të larta të viteve 1868-1893, në Provincën Minorite të Bosnjës, talentin e femërisë edhe matej do e zgjeronte e thellonte më njohje të reja në fushën, biblike, teologjike, juridike e letrare e gjuhësore. Në arkivat e etereve françeskan në Bosnje, nga një mori emrash të studenteve kroatësh, të bie në sy, emri Joanes- Gjon (Ivo në gjuhen kroate) Fishta, i cili edhe pse vinte nga një vend i prapambetur për shkak te pushtimeve shume shekullor turke dhe ku shkollimi ishte molle e ndaluar, e mbante në vete, do të thosha, disa cilësi të veçanta në krahasim në studente shqiptar dhe ata vendas. Kjo gjë kuptohet fort mirë nga shfletimi i dokumentacionit shkollor, ku Fishta, rezulton nxënësi me i dalluar, i shkëlqyeshëm (Eminens), gjatë studimeve filozofike, në Kraljevo Sutjeska, në vitet 1888-1889, si dhe atyre teologjike, në Gorica-Livno, në vitet, 1889-1893. Si përmbledhje të gjitha mësimeve shkollor gjejmë dhe diplomën shkollore të Fishtës, lëshuar më dt. 6 shkurt vitit 1893 nga Komisioni përkatës, e gjejmë Fishtën si student të shkëlqyer. Puna studimore e Fishtës, është vlerësuar lart edhe nga eprori i provincës të etereve françeskan në Bosnjës, Atë Andria Buzuk, i cili do shprehej se, kishte një konsideratë të madhe për te, duke e vlerësuar si një talent të madhe më një inteligjencë të jashtëzakonshëm. Fishta, gjatë kohës studentore në Bosnjë, në vitet 1886-1893, nuk kishte si të mos e shprehte para studentëve boshnjakë dhe eprorëve të tij, krenarinë dhe njëherazi dhimbjen për atë çfarë po ndodhte me popullin e tij, i cili akoma dergjej nën pushtimin e perandorisë e osmane. Në shenje te mishnimit të heronjve të luftërave dhe të kulturës kombëtare, në kushtet e Përmotshme, në vitin 1891, ai, nga Jozef e më vonë Johannes (Gjon) kishte marr emrin, Enea-Silvio-Giorgio Fiscta, përkatësisht, Georgius Fiscta.Fishta, fal Zotit, ishte një talent i lindur. Fara e këtij lloj gjeniu, mori zhvillimit e veta, duke u gjetur një tokë të pëlleshme e të begatshme, siç ishin ambientit studimore në Kolegjet e etereve françeskan ne Bosnje, ku ia pati rasti të njihej më autoret e letërsisë se vjetër, latine, greke dhe italiane si: Dante, Goldoni, Manzoni, Pascoli. Në këto ambiente ku rritej dhe zhvillohej, patin dhe fatin e mirë, qe të këtë për mësues, rilindësit e spikatur të botës kroate si: Grga Martiq, Andria Kaçiq Mioçiq, etj. të cilët la gjurmë të thela jetësore, në shpirtin e shqiptarit, teologut, poeti, prozatorit, diplomatit, Atë Gjergj Fishta.
Fishta dhe skrivanija e tij në Atdhe
Rikthimi i tij në atdhe në vitin 1893, nga një vend si Bosnja nën Austro-Hungarinë dhe ballafaqimi drejtpërsëdrejti i Fishtës me pushtuesit osmanë dhe më vonë, serbët e malazezët, qenë faktorë përcaktues për te, që në programin e tij jetësor, krahas detyrave shpirtërore, ta ketë dhe çështjen rimëkëmbjes kombëtare.Ngjarjet politike nëpër të cilat merrte shtat Shqipëria jetime, e shtynin Fishtën të rrinte përherë i zgjuar me pendë në dorë, e cila njëherazi shndërrohej në shigjetë të ngrehur, si ajo makabejane, “pro aris et focis”, për altar dhe vatër, e cila në gjuhën e Fishtës përkthehej: “për fe e atdhe”, moto e cila gjithë jetën e ka shoqëruar poetin tonë kombëtar.Me shkrimet e tij të botuara në të përkohshmen ‘Albania’ (1900-1905), si: “Shcypja e burrit”; “Ma i madhi kob i shcyptaris”, “Mali i Zi” etj., “Hylli i Dritës” nga viti i themelimit të saj 1913 e në vazhdim, “Posta e Shqypnis” (1917-1918) “Grueja Shqyptare” (1920), dhe revistën Jezuite “Leka”, (1929-1944) të paraqitura në formë proze, poezie, lirike, satire dhe dramaturgjike, Fishta, arrinte t’i shtrinte idetë e veta gjithmonë dhe gjithkund, në funksion të mbrojtjes dhe përparimit të atdheut.Duke bërë letërsi, publicistikë, apologji, kritikë dhe mbi të gjitha polemikë, ka ndezur shkënditë e zjarrit në zemrat e shumë shqiptarëve, për ruajtjen e identitetit dhe dinjitetit njerëzor në tokën arbërore, të mbështetur në parimet biblike: “Ku është shpirti i Zotit, aty është liria”.Me pendën e tij të artë dhe të zjarrtë, të mbështetur në drejtësi e liri, kulturë dhe përparim, arrinte t’i ndërgjegjësonte shqiptarët nga indiferentizmi i kohës, dhe njëherazi të vërë në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare për zgjidhjen sa më objektive të çështjes së shqiptarëve në Ballkan.Fishta u shua më 30 dhjetor 1940 në moshën 69-vjeçare. Ai, guxoi dhe beri një punë fort të admirueshme, akt që mundi të jetë dhe me mbeti si dëshmi e një talenti dhe dhuntie të pashoqe edhe si; diplomat, etnograf, arkeolog, hulumtues, muzikan, piktor, arkitekt, përkthyes, etj… Gjithkund ku ai vuri dorë, ngulmëu me zemër, shndriti me mendje, e shkreptiu me fjalë, ishte dhe mbeti një prej testamenteve ma të çmuar të identitetit tonë kombëtar.
*Konferencë shkencore me rastin 150 vjetorit të lindjes të Atë Gjergj Fishtës.

Filed Under: Politike

GODITJE MË TË FUQISHME PA SHQYTIN E EUROS

January 11, 2022 by s p

Nga  CHRISTINE LAGARDE/

Një janari ka qënë për mua një ditë e posaçme. Është fillimi i një viti, siç është për të gjithë, por është dhe ditëlindja ime. Më 1 janar 2002, kishte dhe një tjetër arsye për të festuar: atë ditë 12 Vëndet pjesëmarrëse në zonën e euros vinin në qarkullim kartëmonedhat e monedhat në euro. 

E kalova atë ditë me familjen dhe miqtë në shtëpinë time në Normandi, në Francë, e pak para mesnatës shkuam së bashku në kërkim të sportelit automatik më t’afërm për të mundur të preknim me dorë kartmonedhat e para në euro. Simbas disa miqve të mij, kalimi në monedhën e re do të kishte mbingarkuar arkat automatike dhe kartëmonedhat në euro nuk do të ishin në to. Vumë bast se nëse shpërndarësi do të kishte nxjerrë franga franceze në vënd të eurove, ato para do t’u mbeteshin atyre.

Mbasi kaloi mesnata provuam të tëhiqnim para: nga sportelet dolën kartëmonedha të freskëta nga shtypia dhe të gjithë ngritëm dolli për monedhën e re evropiane. 

Kjo përvojë e ime vetiake ësht vetëm një nga çastet e ndërrimit valutor më të gjërë të historisë; që atëherë zona e euros është zgjeruar gjithënjë e më tepër. Ata 12 Vënde janë bërë 19, me më shumë se 340 milion qytetarësh që bashkëndajnë të njëjtën monedhë, megjithë gjuhë e kultura të ndryshme, duke tejkaluar kufijtë kombëtarë. Euro i ka dhënë ndihmesën vetëdijës së bashkimit ndërmjet evropianëve. Në hulumtimin e fundit të Eurobarometrit, pyetjes mbi kuptimin e Bashkimit Evropian për qytetarët, 41 % e qytetarëve i janë përgjigjur duke eshoqëruar me euron. Monedha e përbashkët ka qënë e dyta vetëm mbas lirisë së lëvizjeve.

Është e qartë se euro dhe Evropa janë tashmë të pandashme. Për të rinjtë evropianë, që kanë njohur gjithmonë vetëm monedhën e përbashkët, duhet të jetë praktikisht e pamundur të përfytyrojnë Evropën pa euro. Mbështetja kundrejt monedhës së përbashkët ka arritur majën e saj historike në 2021. Simbas hulumtimit të fundit të Eurobarometrit ajo gëzon sot një tregues miratimi prej 78 %.

Kur mendoj për euron më vijnë në mëndje ndërmarrjet dhe bizneset familjare që kanë arritur suksesin në sajë të të mirave që rrjedhin nga euro dhe tregu i përbashkët. Nga 1990 deri në 2002 shkëmbimi i mallrave ndërmjet Vëndeve që më vonë u bashkuan në zonën e euros është shtuar më pak se 5 %, ndërsa është rritur rreth 200 % duke filluar nga hyrja në monedhën e përbashkët. Qytetarët kanë mundur të udhëtojnë pa ndërlikimet e kostot të lidhura me këmbimet e milionë studentë e puntorë jashtë nuk duhet të përdorin më valuta të ndryshme.

Euro pa dyshim ka fuqizuar aftësinë tonë të qëndresës. Nga birësimi i monedhës së përbashkët jemi pajisur me mjete më të mirë për të mbarështuar krizat. Goditjet ekonomike të fundit do të kishin qënë shumë më të rënda po të mos kishte qënë qëndrueshmëria dhe integrimi që euro i ka siguruar tregut të përbashkët. Në çastet kritike, si gjatë pandemisë, monedha e përbashkët ka qënë themelore për të bashkërenduar përgjigjet e ndryshme n’Evropë.  

Banka qënrore evropiane është roje e euros dhe ne punojmë me zell për të mbrojtur monedhën e përbashkët. Është detyra e jonë të garantojmë sigurinë e kartëmonedhave dhe është edhe detyra e jonë të studjojmë forma pagesash plotësuese si euro dixhital.

Jemi duke riprojektuar për të parën herë kartëmonedhat tona, duke i mbajtur të sigurta e në pararojë, por në të njëjtën kohë duke i përshtatur, me qëllim që qytetarët evropianë të çdo moshe e të çdo prejardhjeje të mund të njihen në to. Do t’i kërkojmë mendimin qytetarëve mbi temat dhe elementët grafikë të kartëmonedhave tona t’ardhëshme; do të botojmë ndihmesat e tyre në 2024, më parë se të programohet hyrja e biletave të reja.

N’atë mbrëmje të ftohtë të njëzet viteve më parë nuk mund të përfytyroja kurrë se mbrojtja e euros do t’ishte bërë puna e ime kryesore. Por është ky zotimi që kam marrë duke vënë emrin tim mbi kartëmonedhat që ju përdorni çdo ditë. Ajo firmë paraqet zotimin tim kundrejt njërit prej simbolevemë të çmueshme të bashkësisë evropiane. 

Le të ngremë dolli për 20 vitet e kartëmonedhave në euro!

“Corriere della Sera”, 31 dhjetor 2021 – Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza

Poezi nga Neki Lulaj

January 11, 2022 by s p

Më shurdhëroi qetësia


Kjo qetësi e frikshme të shurdhëron
Me kut mas vetminë e pluhurosur.
Mbi xhamat e shpirtit mjegulla zbardhon
Benë roje-e unë ndrydh
Heshtjen time të plandosur.

Sonte me tëmthat e gishtërinjve
Numëroj kujtimet e zgjedhura
Më kthejnë në rininë e arratisur
E unë bëj vrapin në djersitje.
Si kalë i pashaluar


Përpiqem ta ndal ta kthej kohën në ikje.
Jam mes labirinteve të vetmisë
Mes qetësisë së shurdhër
Më trokasin pyetjet e parreshtura.
Do t`ia hap kalasë portat
E ta mbyll sonte
Këtë rrapëtim shiu te streha.



Zjarri i ngrirë


Po shkrihem si guri mbi zjarrin si lulëkuqe
Në këtë zhurmë shekulli që nuk po ndihet
Në dasmën e madhe me krushq e nuse
Në dimrin e valë veshëm palë këmishe.

Po shkruaj vargje zemre që nuk lexohen
Prek ëndrrat e gjata të ditënetëve pa gjumë.
Historinë e urtakëve të ndrydhur me shekuj
Që me mençuri prroskën e bënë botën lumë.

Ishte një rrugë me plot tërmete shpirtërore.
Dhuna e cmira gjithë arsyen e kishin humbur.
Nënështrimit nuk ia mësuam gjuhën shekullore
Rrugë që zgjati në shekuj që na bëri të lumtur.


Kjo dashuri e zhuritur na shtyn për t’u dashur
Se dashuria është zjarr që ngroh ku fiket flaka
Se ëndrrat e gjata fort i lidhëm
Në ditën e bardhë për ta parë ditën
Nga terri i gjatë për ta parë dritën.

Filed Under: Kulture

Luigj Çekaj si shenjt i poezisë

January 11, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/


Shqipëri!Të gjithë jetën time unë kam vuajtur bashkë me ty.E megjithatë po të kem mundësi të shpëtoja a tëkthehesha në dragua,E deklaroj solemnisht se unë qysh tani,Do të hyja i gjallë në gurin e themeleve të pavdekshme të tua.
Në Qëndrën “Nënë Tereza” në Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të Nju Jorkut u promovuan librat e poetit penëndritur Luigj Çekaj, pas vdekjes. Kjo veprimtari u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me president shkrimtarin Adnan Memeti dhe kryetar z.Mhill Velaj. Gjithmonë kur ndodhem pranë kësaj qendre të thjeshtë si vetë emrin që mban të shenjtores shqiptare Nënë Tereza përjetoj emocione dhe kënaqësi të papërshkrueshme, ngase aty vlerësohen njerëz të penës, të artit, atdhetarë të elitës së Kombit si pak vjet më parë me At Gjergj Fishtën ku kishja nderin të ishja moderatore e atij aktiviteti shumë të rëndësishëm. Ja kështu ndodhi dhe me të dielën e dytë të Janarit 2022 ku shkrimtarët së bashku me familjen e nderuar të poetit, bashkëshorten e tij fisnike Violeta Çekaj, vajzat e bukura dhe të mençura Enkolana, Justina qe siç i quan ai janë dy trëndafila drite në ballkon, çdo natë, si dhe djali i tij Terensi organizuan përkujtimoren në nderim të poetit Çekaj pas vdekjes. Aktivitetin e moderoi z.Mhill Velaj i cili e hapi duke ftuar pjesëmarrësit të mbanin një minutë heshtje në përkujtim të poetit Çekaj. Në panelin e aktivitetit z.Velaj ftoi shkrimtarë, kritikë dhe gazetarë të zinin vendet si: Adnan Mehmeti, Fran Shkreli, Dalip Greca, Kozeta Zylo dhe Pal Ndrecaj. Shpesh më dukej sikur ishja nën urën e dhimbjeve të emigrantëve që lëkundet në Oqean midis Shqipërisë dhe Amerikës. Sidoqoftë vetëtima zhuritëse e mohimit nën diktaturë nuk mundi dot t’ju zhveshë poeteve fisnikërinë edhe pse mbi shpinë të tyre rëndon pesha e vuajtjeve dhe e mundimeve si guri i Sifizit.Të ftuar nga shoqata dhe familja e tij si dhe e nderuar të mbaja kumtesë, ne kishim pasur fatin ta kishim mik të dy me Qemalin dhe t’i lexojmë me endje poezitë e tij ne botën e lirë, por mjerisht jo në kohën e akullt, kur dritën e mbyllnin nën gur morti…Cuditërisht sa herë shikoja portretin e Nënë Terezës në atë sallë aq të ngrohtë dhe modeste, përpara më dilte nënëmira e poetit. Pena e tij pikon mall dhe dashuri për vendin e tij, nënën e shtrenjtë që i puth ballin fisnik kur takohet me të dhe ja si shkruan: “Kur ti erdhe nga Shqipëria/ Besoja se as vdekjet nuk do të mund të na ndanin më/ si as distancat/ Ndërsa pranë teje kam celuloren me dyqind fotografi/ Një dosje dhimbjesh në ermrin tim/ Që më kujton prangat/ si dhe tre a katër stilokalema”…Është dashuri hyjnore e birit për nënën që qan dhe e puth, dhe dy pikëlzat e lotit të tij varen si rruaza argjendi në qafën e bukur dhe të rrudhosur të nënës halleshumë.Me të drejtë shkrimtari Memeti tha se: ai la një pasuri të madhe për shoqatën, letërsinë dhe Kombin. Ai kishte një shqipe të kulluar dhe tejet artistike, duhet kujtuar se z.Luigj Çekaj ka qenë që në themelimin e shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro amerikanë si dhe sekretar i shoqatës do të pohonte shkrimtari Velaj. Shkrimtari dhe kritiku Pal Ndrecaj do të thoshte në diskutimin e tij se poezia e Luigj Çekaj është një poezi moderne. Dom Pjetër Popaj famulltari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” e bekoi këtë veprimtari letrare dhe tha për poetin Çekaj se ai ishte një besimtar i devotshëm dhe plot kulturë, e donte artin dhe poezinë, ndërkohe ka punuar për revistën Kuvendi si organ i Kishës Katolike shqiptare. Z. Pashko Camaj n/kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra” në emër të saj dhe kryetarit z.Elmi Berisha i dorëzoi bashkëshortes së tij znj.Violeta dhe familjarëve cmimin e mirënjohjes për një bashkëpunim të ngushtë me Diellin dhe Vatrën me rastin e 110 vjetorit të themelimit të saj. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe arteve në New York Prof.Skënder Kodra i ka propozuar Bashkisë së Shkodrës për ta bërë qytetar nderi. Z.Fran Shkreli ish drejtori i Zërit të Amerikës e vlerësoi lart poetin Luigj Çekaj dhe tha se ndër vite ka qenë redaktor i revistës “Jeta Katolike Shqiptare”. Poeti Cekaj është me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe të mbi-Shkodrës nga fshati Bzhetë, nga rrjedh edhe familja ime. “Në Shkrel, te shtëpia e prindërve të mi”, është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes si në vargjet: Atje ku/ Te muri, në vend të lahutës/ bimë vjerrëse varen/ Atje ku piqej buka, tani zogu ndjen uri.Kur Luigji ka qenë në moshën 3 vjeçare, në vitin 1953, babai i tij Kolë Çekaj, për t’i shpëtuar dënimit të sigurt me vdekje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ishte arratisur në Jugosllavi, dhe qëndroi për një kohë, edhe në shtëpinë e familjes time në fshatin Amull. Kur i ati i Luigjit, vendoset në Amerikë, Luigjin e vogël, në moshën 2-3 vjeçare e njollosin me damkën e armikut. Z.Dalip Greca ish editori i gazetes “Dielli” në fjalën e tij midis të tjerash tha se kam qenë i privilegjuar që për 23 vite të takohesha të shtunave dhe të diskutonim për letërsinë, artin, historinë. Sot shikoj fëmijët e tij të rritur dhe bashkëshorten e tij Violetën që na priste me bujari dhe fisnikëri në shtëpinë e tyre. Ai pohoi se vetëm me dy vëllime poetike të poetit do të ishin të denja për cdo antologji, por poeti Çekaj vazhdoi më tej duke na dhuruar vepra të tjera shumë të arrira. Z.Greca tha se ishte një mjeshtër i përpunimit të fjalës së bukur artistike. DjaliiI tij Terensi lexoi poezinë “Amaneti i gjyshes sime”, ndërsja e bija e tij Enkolana lexoi poezinë kushtuar bashkëshortetes së tij Violetës. Në emër të familjes përshëndeti vëllai i Luigjit John Çekaj i cili falënderoi të gjithë të pranishmit që nderonin veprën e vëllait të tij dhe tha se ndihej krenar për një vella poet, atdhetar dhe njeri si Luigj Çekaj. Shumë emocionante ishte dhe punimi artistik, portreti në pikturë i poetit Luigj Çekaj realizuar mjeshtërisht nga artisti Astrit Tota. Ai përmes emocioneve tha se e kam sjellë ashtu sic ishte të gjallë në Bronx, duke ecur, menduar dhe krijuar. Në pamundësi për të ardhur përshëndetje erdhen nga Dr.Gjeke Marinaj shkrimtar i kalibrit botëror, Mark Shkreli kryredaktor i reveistës Kuvendi, Niko Spathari shkrimtar dhe studjues i mirënjohur, shkrimtarja Dr. Yllka Filipi si dhe studiuesja e letërsisë, Dr. Arjeta Ferlushkaj.Për të pranishmit familja shtroi një kokteil në perkujtim të të dashurit të tyre të paharruar Luigj Cekaj.Aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” me themelues dhe producent Qemal Zylo si dhe nga TV “Kultura Shqiptare” me themelues dhe producent z.Adem Belliu.Ne atë të diel te ndritshme Poeti Çekaj dukej gati një shenjt, ecte dhe vetëm ecte duke predikuar fjalën më hyjnore në botë, fjalën shqipe. Dhe fjala e tij e bukur do të jetojë përjetësisht në veprat që na la.
9 Janar, 2022Bronx, New York

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2466
  • 2467
  • 2468
  • 2469
  • 2470
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT