• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DANJA dhe MANDARINA e pabindur

January 6, 2022 by s p

Prof. Dr. Ylli Pango/


(Mos vallë patët nevojë për një përralle janari me mandarina? Per te shplodhur pak stomakun nga të ngrënat? Apo për të qetësuar disi koken nga politika, kronika e zezë dhe pandemia? Po e provoj një herë)…Mandarina bie nga pema mbi bar. Danja e merr me doçken e vogel, e ngre lart dhe do ta ngjise prape te dega nga ra. Mandarina nuk do. Nuk ngjitet.Danja sa nuk qan nga inati. Nga pafuqia…Behet gati të kepuse vete nje mandarine tjeter qe i varet deri prane syçkave.“Danja jo! Nuk ngjitet prape mandarina në pemē”i thotë mama. “Mos ja keput motren tjeter. Nuk do ngjitet as ajo. Nuk ka faj mandarina. As motra e saj që ra. Nuk ngjiten prape mandarinat që bien.As kur këputen”…Danja mendohet“Më mire bjere ketu kokerrzen qe ra. Bjere ta ćojme ne shtepi, ta ngrohim. T’ja qerojme lekuren.” …Nuk i ben zemra t’i thote “ ta hame”. Vete Danja kur ta shohe te qeruar do ja kerkoje. Do i thote “mende,mende”. Siç thote gjithmone kur mami qeron mandarinen e ja ben gati t’ja fuse te goja e vogel. …(ai nuk thote dot ende as “manda…manda”… per tu pergatitur per te thene ndofta pakëz më vonë “mandarina”)…Po kjo kokkërrza qe ra nuk eshte ajo mandarina e shtepise. Kjo eshte mandarina e pemes. Danja e ka pare te kopshti, jo te shporta e frutave te shtepia. Kjo eshte tjeter. Kjo eshte loder. Madje loder e pabindur……Danja mendohet edhe pak. Pastaj e degjon mamin. Bindet. E merr mandarinen qe ra. E shpie te mami solemnisht. Mandarinka bashkohet me boçat e vogla të pishes që rrinë urtë ne preherin e mamit. Pastaj Danja shkon prape poshte pemes se mandarines. Hap duart dhe pret te bjere nje mandarine tjeter. Ajo që eshte me afer. Mu mbi koken e tij te vogel. Ndofta kete do te arrije ta ngjise prape ne peme. Po mandarina nuk bie. Danja merzitet. “ Ç’loder eshte kjo keshtu? As nuk bie prape.,,As nuk ngjitet prape më në vendin e saj. Loder e pabindur.”. …Danja fillon të lëkundet në besimin se eshte ai mbreti i gjithesise. I Mbreterise se lodrave dhe asaj të mamit..Paska dhe shtetas te pabindur. Mandarina që s’i binden “qeverise”. Rebelë. Lodra në koke te vet…Jo si ato lodrat e bindura e të urta te shtepise. Apo si mandarinat e shportes që presin të bindura t’i qërosh e t’i hash..… Danja fillon e ndjen të levizë pak nga qendra e botes.A eshte vertet aq i gjithfuqishem.? …Ai fillon të mesojë edhe te humbe. Që jo çdo gje t’i bindet atij si lodrat e heshtura te shtepia. Si mama. Bota rreth Danjes po fillon te behet pak me ndryshe. Pakez me e madhe. Pak si e pabindur…Dhe Danja po rritet ca nga ca bashkë me botën e madhe.

Filed Under: Komente

KATRORI I PUSHTETIT

January 6, 2022 by s p

Robert Budina/


Për herë të parë në ekranin e televizionit vjen një film serial dramatik shqiptar, mbi përpjekjen e tre gazetareve investigative, që zbulojnë një mega skandal, se si politika në bashkëpunim me biznesin dhe duke përdorur krimin vjedh pasuritë e shqiptarëve. Çfarë fshihet pas këtij skandali? Sa do të rrezikojnë gazetaret tona? Filmi serial KATRORI I PUSHTETIT do të shfaqet nga e diela, datë 9 janar 2022 për tetë të djela rresht në TV KLAN. Filmi e merr frymëzimin nga realiteti i hidhur social politik shqiptar dhe sfidat me të cilat njerzit e përgjegjshëm në këtë vend duhet të përballen përditë, që nga mbijetesa, presionet e deri tek kërcënimet kur i kundërvihen një pushteti mafioz që po gllabëron përveç pasurive të vendit edhe fjalën e lirë.
Dy fjalë të regjisorit Robert Budina
Përpjekja për të qënë një krijues i pavarur dhe trajtuar problemet që shqetësojnë vendin tim ka qënë sfida e kahershme në të gjitha krijimet e mija, që kur isha student për regji teatri në Akademinë e Arteve në fundin e diktaturës. Të jetuarit në kohë me konflikte të mprehta politike e sociale, më bëri të reflektoj se krijimi artistik nuk është thjesht një shprehi estetike. Atë e kam konceptuar gjithmonë, si një faltore ku të mund të tregoj mëkatet e mia dhe të qenies njerëzore në përballje me të keqen, si një katharsis shoqëror. Pas një eksperience profesionale dhe njerëzore të gjatë, në përballje me mekanizmin e katrorit të pushtetit, vendosa ta rrefej shqetësimin tim si krijues, për mënyrën se si ai shfaqet në jetën tonë të përditshme, përmes një zhanri pak të eksploruar tek ne, ai i “filmit serial”. Përtej realitetit, ky projekt synon të ringjall besimin se media dhe gazetaria mbeten instrumenti i vetëm për të rrëfyer të vërtetën në favor të interesit publik pa kompromis. Të jesh kritik me pushtetin në Shqipëri është një sport i vështirë, dhe të bësh art duke qënë hapur kundër pushtetit është utopi. Pa lëre pastaj të bësh art të angazhuar. Ka nga ata, që e kuptojnë sikur po bën politikë dhe jo art, sepse realizmi socialist i ka rrënjët e thella dhe ende një pjesë e madhe filmin e shohin si propogandë. Mos flasim për autocensurën që shumë prej nesh nga frika e mbijetesës e japin gratis në këmbim të lirisë tyre. Arti nëse do të jetë i vërtetë dhe pro publikut, është i destinuar të jetë në opozitë, sepse duhet të trajtojë problemet që shqetësojnë një shoqëri nëse përndryshe nuk do të kthehet në propogandë.Arti ka qënë mjeti i parë opozitar që njerzimi ka shpikur. Link: https://we.tl/t-vuBqW6bs62

Filed Under: ESSE

Nuk është i vaksinuar. Australia i anulon vizën tenistit më të mirë në botë serbit Novak Gjokovic

January 6, 2022 by s p

Përgatiti: Albano Kolonjari

Tenistit numër një në botë, Novak Gjokovic, i është refuzuar hyrja në Australi sepse nuk është i vaksinuar dhe nuk ka të dhëna të mjaftueshme shëndetësore që të justifikojnë faktin që ai nuk mund të vaksinohet. Lojtari mbërriti në Melburn të mërkurën ku autoritetet vunë re një gabim me aplikimin e tij. Gjokoviç duhej të luante në Australian Open, por ai duhet te pranonte rregullat e vaksinimit ose të justifikonte pamundësinë e vaksinimit nga ana mjeksore. Atij i është thënë se do të dëbohet, por avokatët e tij kanë thënë se do ta kundërshtojnë vendimin, raportojnë mediat australiane. Ylli i tenisit ishte pyetur në një dhomë në aeroportin e Melburnit për kater orë të tëra, ndërsa statusi i tij për vizë dhe përjashtim po hetohej. Ekipi i tij nuk kishte kërkuar një vizë që lejon përjashtime mjekësore për të qenë të pavaksinuar. Nuk është e qartë nëse ai do të qëndrojë në Australi ndërsa avokatët e tij përpiqen të anulojnë vendimin.Gjokoviç nuk ka folur për statusin e tij të vaksinimit, por vitin e kaluar ai tha se ishte “kundër vaksinimit”. Në një deklaratë, Forca Kufitare Australiane tha se Gjokoviç “dështoi të sigurojë provat e duhura për të përmbushur kërkesat e hyrjes në Australi dhe viza e tij më pas është anuluar. “Jo-shtetasit që nuk kanë një vizë të vlefshme në hyrje ose të cilëve u është anuluar viza do të ndalohen dhe largohen nga Australia”, thanë autoritetet kufitare. Trajtimi i tij ka shkaktuar zemërim në Serbinë e tij të lindjes. Babai i Gjokoviç, Srdjan Gjokovic tha se djali i tij ishte në një dhomë të ruajtur nga policia. “Kjo nuk është vetëm një luftë për Novakun, por një luftë për të gjithë botën”. tha ai në një deklaratë të lëshuar për media. Presidenti Aleksander Vuçiq tha se ylli ishte viktimë e “ngacmimit” dhe se “e gjithë Serbia” e mbështeti atë. Më herët, kryeministri i Australisë Scott Morrison tha se Gjokoviqit do t’i refuzohej hyrja në vend nëse nuk jepte prova se nuk mund të vaksinohej për arsye mjekësore. Australia po sheh dhjetëra mijëra raste të Covid-19 për herë të parë pasi duroi disa nga kufizimet më të rrepta në botë. Më shumë se 90% e popullsisë mbi 16 vjeç të Australisë është plotësisht e vaksinuar, por disa njerëz ende nuk mund të udhëtojnë ndërshtetëror ose globalisht për shkak të masave aktuale. Australian Open fillon më 17 janar në Melburn.

Filed Under: Sport

140 vjet me pare lindi ne Ibrik Tepe Fan Noli…

January 6, 2022 by s p

Duke kujtuar ne diten e lindjes Fan Nolin, nje nga figurat me te shquara intelektuale, kulturore dhe politike te Shqiperise ne shekullin XX, me fjalimin e tij te famshem ne në Lidhjen e Kombeve, në Asamblenë e Pestë të Lidhjes, më datë 10 shtator 1924…Ja fjalimi i mbajtur nga Fan Noli:

Kam frikë se më i nxehti paqedashës, po t’i hedhë një sy veprës së kryer nga Lidhja e Kombeve gjatë këtyre 5 vjetëve, do t’i ngrejë duart drejt qiellit nga dëshpërimi dhe do të bërtasë : “ Oh! Më mirë luftë sesa të gjitha këto llomotitje të mërzitshme për paqen!” Ç’kemi bërë për paqen? Çfarë bëjmë tani në këtë çast në këtë Asamble? Ajo që është bërë këta 5 vjet të shkuar pushon qetë-qetë nëpaqen e përjetshme, mbyllur fort, varrosur në dosjet e vdekura të Sekretariatit, të ruajtura me kujdes prej atij fort të ndershmit e të shquarit xhentëllmen, që është Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve. Është e vërtetë që Lidhja eKombeve ka bërë disa shërbime të vogla për paqen në përgjithësi dhe në veçanti nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke siguruar kështu paqen dhe rendin në Ballkan.Siç e dini, Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për t’u thyer dhe më e rëndë për t’u ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi ta lërë Shqipërinë të qetë, të lirë, të lagur nga valët e Adriatikut. Por, ju lutem, zoti Sekretar i Përgjithshëm, përse refuzoni t’i jepni Shqipërisë një hua që do t’i lejonte të ecte vetë? Ne nuk na duhen më tepër se 300 milion fr. ar. Apo më shumë? Atëherë po bëj gjestin elegant të zbres në shumën modeste prej 200 milionësh. Ju tundni kokën. E po jam gati të hyj në bisedime për një shumë më të vogël, p.sh., për 100 milionë. Më falni, mos pretendoni se nuk më keni takuar kurrë dhe, pra, nuk jeni i predispozuar të më jepni asnjë dhjetësh? Atëherë merreni këtë kërkesën time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni mirë dhe mbytenifort përpara se ta futni nën akropolin tuaj, sepse mund t’ju dalë nga varri.Ndoshta, Sekretari i Përgjithshëm ka dashur të thotë se ai nuk dëshiron që të hyjë në bisedime për një hua me një qeveri kryengritëse, që nuk ka parlament, një qeveri si ajo që kryeson i përunjuri prift që po ju flet.Po a e dini ju se ç’është parlamenti? Pa dyshim e dini. Por do të keni një ide më të qartë kur t’ju them ç’mendoj për të. E, pra, parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë pa shpirt për të bërë prova operate (vivisectionner) në trupin e gjallë të rracës së tyre, një sallë plot me gazra helmuese, gazra mbytëse, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura dhe gjithë gazrat e tjera që u përdorën gjatë luftës së fundit për t’u dhënë fund gjithë luftërave e për të vendosur paqen, atë paqe për të cilën po flasim.Por, pasi ngulni këmbë, ne nuk refuzojmë të bëjmë zgjedhje të reja e të thërresim atë plagë, atë fatkeqësi të madhe, atë bestytni të shëmtuar, që është parlamenti, pasi të kemi bërë dy ose tre vjet qeverimi atëror. A do të pranoni atëherë, z. Sekretar i Përgjithshëm të më jepni pas tre vjetësh atë huanë prej 400 milionë fr.ar., për të cilën ramë dakort para disa minutash? Ju përgjigjeni prapë “Jo”. E dija.Mirë, pra, le të flasim për paqen. Më duket se nuk ka gjë tjetër më të keqe se sa të bëjmë këtë. Them “më duket” – I guess – sepse dua që ju të gjithë të dini se unë kam banuar për shumë vjet në Amerikë, në Boston, një qytet që ndodhet diku në Irlandë dhe që është i mbushur me O’ Connors, O’ Connells dhe Fitzgeralds, të gjithë folës të mirë, folës fort të shquar, të cilët, bashkë me irlandezë të tjerë të ardhur nga qytete të tjera irlandeze, marrin përsipër gjithë barrën e të folurit në fushatat elektorale amerikane. Do të doja që kolegët tanë të nderuar, përfaqsuesit e Republikës së Irlandës, të sjellin këtu disa nga këta oratorë të mbaruar për të na mbytur me fjalime për paqen.Nuk është aspak për t’u çuditur që amerikanët, gjermanët dhe rusët nuk kanë fortdëshirë të hyjnë në Lidhjen e Kombeve. Duket se nuk e çmojnë elokuencën tonë, punojnë me mend. Për emrin e Perëndisë, z. Kryetar, pse nuk i jepni fund këtyre llomotitjeve dhe pse nuk më jepni atë hua prej 500 milionësh fr.ar., që më premtuat para se ta merrja fjalën?Dhe tani që iu përgjigja pyetjes së parë: “Ç’ka bërë Lidhja e Kombeve këta 5 vjetët e fundit?” , më lejoni të vij te pyetja e dytë dhe e fundit: “Ç’të bëjmë ne tani në këtë Asamble?” Përgjigja është shumë e lehtë. Do ta gjeni te Shekspiri: “Fjalë, fjalë, fjalë” , dmth erë e asgjë më tepër. “Është një përrallë e dhënë prej një idioti plot me bujë e tërbim, pa kurrfarë kuptimi.Cili është përfundimi i gjithë këtyre bisedimeve të mençura e të thella mbi çarmatimin dhe traktatet e arbitrazhit?Këto çështje iu dhanë për shqyrtim një komisioni, që do t’ia kalojë një nënkomisioni, i cili do t’ia parashtrojë konkluzionet e tij një konference që do të mblidhet së shpejti, dhe kjo konferencë do t’ia dërgojë përsëri këto çështje një komisioni, pastaj një nënkomisioni, i cili do t’ia referojë komisionit që do t’i dërgojë një raport konferencës. Konferenca do të votojë njëzëri një rezolutë dhe kjo e fundit do t’i jepet për shqyrtim Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Këshilli, nga ana e tij, do t’ia kalojë këtë rezolutë Asamblesë së ardhshme atje lart në qiell. Dhe kur këto çështje të kenë bërë këtë cikël poetik zvarritjesh e kundërzvarritjesh, raportesh e kundëraportesh dhe mendimesh konsultative, atëherë do t’i dërgohen së fundi Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, i cili do t’i mbyllë me kyç mirë e mirë dhe do t’i varrosë në dosjet e vdekura të Sekretariatit, ku do të mbahen brez pas brezi.Dhe kjo do të thotë, natyrisht, se e gjithë kjo histori ka mbaruar siç mbarojnë flluskat e sapunit. Por ç’fjalime, ç’fjalime të bukura, të fryra e të stërfryra do të shoqërojnë këto rezoluta e këto dëshira! Sa fort i dua! I dua “me atë erën e keqe të moçaleve të fëlliqura, si kërma të pambuluara që helmojnë ajrin ku marr frymë.” Por ja, përse jua drejtova fjalën sot.Dhe meqënëse po flasim për flluska sapuni, a mund të bëj disa vërejtje lidhur me flluskën më kolosale që ka nxjerrë historia moderne, dua të them për planin Daues (Daëes). Por a është vërtet një flluskë? Jo, është një kombinacion flluskash, kombinacion hipokrit, i ndërlikuar, djallëzor, infernal.Nuk është një flluskë ordinere, është një supërflluskë. Por është e kotë të trembeni. Do të mbarojë edhe kjo fatalisht si të gjitha flluskat e vogla që ne lëshojmë këtu. Është tepër e ndërlikuar që të mund të ketë sukses; ajo mund t’i sigurojë ndonjë post nënpresidenti autorit të saj të shquar; por kam frikë se nuk do të dalin prej andej veçse shumë pak miliarda raparacionesh për Francën dhe Belgjikën. Këto të dyja vërtet t’i marrin. Nuk është aspak qëllimi im që t’i mërzis, por ky është fati. Kjo superflluskë e gjeneralit Daues do t’i përcillet, në fund të fundit, Lidhjes sëKombeve.I dashur Sekretar i Përgjithshëm, përgatitni, ju lutem, një kënd të thatë, një kënd shumë të thatë në varrin e dosjeve të vdekura, sepse ju e dini se z. Daues është amerikan dhe se Amerika është një vend i thatë , megjithëse nga koha në kohë, me rrugë të nëndheshme, ajo njomet vetëm sa për t’u zbavitur, falë përpjekjeve të kontrabandistëve.Duke folur për flluska, përsëri më vjen në mend ajo huaja e bekuar prej 600 milionësh, të cilën i nderuar Kryetar i kësaj Asambleje, si dhe i dashur Sekretar i Përgjithshëm, më premtuan për Shqipërinë disa minuta më parë. Kjo hua është një flluskë paqeje, një flluskë paqeje fort konsistente. Por jo, nuk është aspak një flluskë; ajo që doja të thosha është se kjo hua mund të përgatitë paqen në Ballkan, ajo mund të lehtësojë realizimin e konfederatës ballkanike; por ia vlen të flitet për të? Z. Sekretar i Përgjithshëm, merreni dhe atë dhe futeni në varrin e dosjeve tuaja të vdekura, futeni në nekropolin tuaj.Pasi iu përgjigja dy pyetjeve që shtrova, më mbetet tani të nxjerr konkluzionin, të cilin do ta diskutoj në trajtën e dy pyetjeve të tjera. Para së gjithash në dritën e fakteve që u përmendën, a e vlen barra qiranë që të kemi një Lidhje të Kombeve? Së dyti, në rast se e vlen, cila duhet të jetë metoda për t’ia arritur qëllimit, që është paqja universale?Pyetjes së parë do t’i përgjigjem në mënyrë pohuese. Edhe sikur Lidhja e Kombeve të jetë një ëndërr, një utopi që i bën skeptikët të tallen e të shtrembërojnë buzët, ajo duhet të qëndroj aty si një ideal që interpreton aspiratat më fisnike të njerëzimit, ajo duhet të qëndroj aty si një sfidë kundër lavdisë groteske militariste. Ajo duhet të qëndroj aty si një pohim solemn i vullnetit universal për paqen, ajo duhet të qëndroj aty derisa bukuria e saj, fisnikëria e saj, shpirti njerëzor i saj, nevoja e domosdoshme e qenies së saj të kuptohen nga e gjithë bota. Sepse, fundi i fundit, me gjithë të metat që ka sot, ajo meriton të pritet me këto fjalë:“Verweile doch, Du bist so schon!”( “Oh, megjithatë qëndro, ti je kaq e bukur”! )Përse të jemi kaq pesimistë? Aspiratat për paqe i kemi kudo dhe për këtë s’ka asnjë dyshim. Përndryshe, ne nuk do të kishim as komedinë e flluskave e superflluskave, që po na mbulojnë. Dhe pikërisht sepse popujt duan paqe, burrat e shtetit, politikanët u servirin atyre kohë pas kohe flluska arbitrazhi, flluska çarmatimi, flluska sigurimi dhe superflluska raparacionesh.Por paqja nuk do të vijë prej traktateve; këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi shkollor. Duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë se vrasjet me shumicë janë po aq krim sa edhe vrasjet me pakicë. Duhet t’u mësojmë se ka vetëm një perëndi që duhet t’i shërbejnë, Perëndia e njerëzimit, i njëjtë për të gjithë tributë. Duhet t’u mësojmë të bëhen anëtarë të ndershëm të supershtetit që do të përmbledhë të gjitha tributë, të bëhen qytetar fisnikë të federatës së përbotshme, që është në realizim e sipër dhe që do të realizohet me siguri. Kur fëmijët tanë të kenë mësuar këto të vërteta të thjeshta, atëherë nuk do të kemi vetëm çarmatimin moral që do t’i paraprijë çarmatimit material, do të kemi gjithashtu bashkpunimin e vërtetë të të gjitha racave të botës për sigurimin e paqes, progresit dhe prosperitetit ndërkombëtar. Të gjitha të tjerat sillen rreth kësaj. Këtu qëndron thelbi i çështjes.Por përpara se të vijmë aty, duhet të pranojmë njëherë se jemi të gjithë tribu të egra, derisa i bëjmë kurbane njerëzish Molohut të tribusë. Oh, vritini, varini, ndiqini, në të katër anët e botës këto hyjni barbare e antropofage, që e kanë mbushur historinë e njerëzimit me kaq vuajtje e urrejtje, me kaq rrëfime, me kaq gjak, me kaq tmerr!Vështroni sytë e njerëzimit që vuan pas shkatërrimeve të luftës botërore. Nuk ka dhembje që të mos krahasohet me dhembjen e tij; asnjë sakrificë nuk do të ishte tepër e madhe për t’i shpëtuar fëmijët tanë nga luftëra të reja dhe lot të tjerë.Përpara, o shokët e mi! Flamuri i Lidhjes së Kombeve është më fisniku që është ngritur deri më sot. Ushtarët e saj janë më trimat që ka nxjerrë bota ndonjëherë. Qëllimi i saj është maja e përparimit të njerëzimit. Shpirti i Uillsonit, ati dhe profeti i saj, na udhëheq. Vështirësitë janë tepër të mëdha, por shtrini kurajën tuaj deri në pikën e fundit mundimet nuk do t’ju venë kot. (Duartrokitje të zjarrta nga publiku)

Hasan ÇAPARI: Fan Noli (2005)

Dërgoi: Saimir Z. Kadiu

Filed Under: Politike

NË PËRKUJTIM TË 134 VJETORIT TË LINDJES TË AT ANTON HARAPIT (5 JANAR 1888-5 JANAR 2022)

January 6, 2022 by s p

Nga Ndue BACAJ

Anton_Harapi

(Foto e At Anton Harapit)

PAK NGA CURRICULUMI I AT ANTON HARAPIT:

At Anton Harapi lindi në Shirokë-Shkodër, me 5 janar 1888, me babë Loron dhe nënë Çile Koliqin. Pasi lindi u pagëa me emrin Gaspër. Në moshë të re bashkë me të vëllanë, Markun hynë në kolegjin e jezuitëve ku kreu mësimet fillore. Gaspri shekullar (apo Antoni i më vonshëm famulltar), vijoj klasët e gjimnazit të ulët në kolegjin e françeskanëve. Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasët e epërta në Salzburg, e mandej Schwaz e Villach të Tirolit të Austrisë, si dhe  studimet teologjike në Romë. Në vitin 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e mbrame të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra ishte e rrethuar nga trupat malaziase e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Më 1916 në Dukagjin ra kolera, At Anton Harapi shkoi të sherbej në Dukagjin. Ndersa në dy vitet e fundit të Luftës së Parë Botërore At Antoni ishte famullitar në Grudë të Malsísë së Madhe,(ku  atje kishte shperthye gripi spanjol). At Antoni si nacionalist në nëntor 1918, ndihmon organizimin e krerëve e prijësve të Hotit, Grudës e Trieshit dhe ulet me ta në Shkodër, ku dorëzojnë memorandumin, që kerkonte ribashkimin e këtyre trojeve shqitare të ketyre trevave me nanën Shqipni, të ndarë padrejtësisht nga Eurpoa plakë. Memorandumin ia dorzuan në Shkodër me 14 nëntor 1918, komandantit francez në Shkodër, në bashkëpunim edhe me Gurakuqin dhe Fishtën… Memorandumi u drejtohej; Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të Jashtëm të SHBA-së, Anglisë, Francës dhe Italisë. Në mars-prill të 1923 merr pjesë si përfaqësues i françeskanëve me të rinjët Ernest Koliqi dhe Zef Harapi të shoqërisë “Rozafa” dhe “Bogdani” gjegjësisht, në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve”, qe bashkëpunëtor dhe nismëtar i botimit të fletores me të njëjtin emër, që rregullisht filloi të nxirrte grupi në fjalë. Emërohet drejtor i kolegjit françeskan më 1923. Mbasi përkrahte Gurakuqin në pjesëmarrjen e tij tek Lëvizja e qershorit, me fitoren e Legalitetit më dt. 24 dhjetor 1924 arrestohet dhe burgoset për disa kohë. I tërhequr nga politika, vazhdoi të japë mësim në liceun “Illyricum” (ku më vonë u emërua drejtor) dhe mësimdhënës në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në harkun kohor të viteve 1930-1936 është drejtor i “Hyllit të Dritës. Ai kishte qënë bashkëpuntor me shkrime e drejtues në “Posta e Shqypnisë” dhe më tej tek “Zani i Shna Ndout” ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thana e thasha”. Gjatë vitit 1936 do të dërgohej në Korçë i kërkuar nga intelektualët, ku edhe do të shquhej në bisedat filozofike me ta..Më1937 kreu shërbimin e fundit famullitar në Bajzë të Kastratit. (https://sq.wikipedia.org/wiki/Anton_Harapi)

“TAKIMET” E MIA ME AT ANTON  HARAPIN DHE VEPREN E TIJ”!

Për herë të parë unë me At Anton Harapin jam “takuar” në Shkodër, në Muzeun e shpërfytyrimit shpirtëror të shqiptarëve që komunizma e quante Muzeu Ateist. Unë atëherë isha ende adoleshent për të kuptuar këtë “takim” timin me përfaqësuesin më sinjifikativ të klerit katolik që për shekuj ishte bërë simboli jetëdhënës i shqiptarizmës nëpërmjet binomit Fe e Atdhe. Atëherë nga ky “takim” “mora” me vete fotografinë e At Anton Harapit, fotografi që e paraqiste para gjyqit komunist, madje si sukses të organeve të diktaturës që e kishin kapur, dënuar e pushkatuar. Dhe motivacioni i këtij “suksesi” ishte mjaft drithërues, pasi Ati ishte akuzuar si tradhëtar i Atdheut dhe bashkëpunëtor i fashizmit. Për në atë moshë që unë isha atëhere (nga ky takim i organizuar nga shkolla e “kuqe”) ishte disi e natyrshme që ky takim t’i drejtohej harresës, duke u mbytur nga propaganda komunisto-ateiste që kishte pushtuar çdo cep të jetës shqiptare. Por për kundër kësaj me mua duket se nuk ndodhi kështu, pasi sytë e lodhur, por jo të përulur të At Antonit m’u fiksuan në mendjen e shpirtin tim, për të mos u larguar kurrë, madje ata sy më dukej se duke u rritur fizikisht e shpirtërisht unë, rriteshin e më shoqëronin në heshtje në tërë aktivitetin e ndërgjegjes sime. Se sa mësova për At Antonin para viteve 1990 një Zot e di, por gjithnjë si burim të parë kisha disa rrëfenjëza që m’i tregonte babai im me zë të ulët, por edhe ndonjë copëz e shkrimeve të ruajtura me fanatizëm nga besimtarë të heshtur, por besnikë të besimit e qytetërimit që predikonte At A.Harapi. “Takimi” im i dytë me At Antonin erdhi pas viteve 1990, kur komunizma antifetare e antiatdhetare u rrëzua nga pushteti, e në vend të saj “erdhi” pluralizmi e demokracia që duhej t’a  vlerësonin këta atdhetar e fetar shqiptar që u martirizuan për të mbijetuar Shqipëria Europerendimore.. Gjithsesi në mes vlerësimeve maksimale nga autoritetet shtetërore e qeveritare, lokale e qëndrore, për At Anton Harapin thuajse mungon gjithçka, edhe për këtë “harresë” që vjen erë e reminishencave të kaluara ka edhe një heshtje jo shumë të kuptueshme edhe nga Autoritetet e Kishës Katolike, të cilët mjerisht At Antonin nuk e përfshinin në procedurat e Kanonizimit të 38 martirëve të Kishës Katolike, (tashma të lumnuar e shpallur shenjëtor nga Selia e Shenjte, që me 5 nëntor 2016)… Pa dyshim pas viteve 1990 At Anton Harapi dhe vepra e tij për Fe e Atdhe është e lirë të njihet nga të gjithë shqiptarët. Në pergjithësi vepra e At Antonit permbidhet në librat “Valë mbi Valë” ,”Andrra e Pretashit” (libra që u kushtohen viseve të malesisë Madhe dhe banoreve të saj me në “krye” Gruden) ,si dhe “Kulla e Babelit” në të cilën është memorizua një filozofi e vërtetë shpirtërore që lëvrohet nëpërmjet kritikave, polemikave, ligjëratave dhe fjalimeve të ndryshme kur ishte deputet, dhe në auditoret e ndryshme në Shqipëri (deri në Korçë) e jashtë saj. Kurdo fjala e At Antonit të ngazëllen e mbush me krenari fetare e kombëtare për zhvillimin e qytetërimit eurokristian të cilit i përkasim. Kushdo që ti lexojë këto mund të thotë pa frikë se meshtari i pashoq At A. Harapi është predikuesi më i shkëlqyer i binomit të pavdekshëm të shqiptarizmës Fe e Atdhe… Ku pjesa më e madhe e kësaj vepre është publikuar nga revistat e kohës, kryesisht nga “Hylli i Dritës”. Mejithë këtë martirizimi i At Antoni u bë nga komunistët e pa Fe e Atdhe, sepse At Antoni ishte vet shpirti e filozofia e binomit nacionalist Fe e Atdhe… At Antonit me kapitullimin e Italisë fashiste Mehdi bej Frashëri i kishte paraqitur  propozimin për t’u bërë përfaqësues i katolikëve në Këshillin e Naltë të Regjencës që do mbushte boshllëkun qeverisës të lënë. Fillimisht At Antoni nuk pranon duke qenë e papërputhshme me të qënit e tij klerik, ngase një post e tillë mund ta çonte në firmosjen e dënimeve me vdekje, dhe se nuk mund të pranonte pa lejen e eprorëve. Për këtë arsye Asamblea i bëri një telegram Selisë së Shenjtë duke i kërkuar që t’i jepte leje Át Anton Harapit që të marrë pjesë në këtë Këshill të përkohshëm. Selia e Shenjtë ia dha lejen Patër Antonit që të merrte pjesë dhe të ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, por me kushtin e paravendosur nga frati që mos të nënshkruante asnjë vendim me vdekje. (https://sq.wikipedia.org/wiki/Anton_Harapi). Pas kësaj e 13 shtator 1943 At Anton Harapi emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, u shpreh: “Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem“. (Fjalimi i Shkruar i Anton Harapit O.F.M., publikohet në “Hylli i Dritës”, 1944 (XX), nr 1, fq. 6).  At Antoni shkoi në regjencë me mendimin e mirë për t’i shërbyer mbarëvajtjes së kombit. Ai këtë e bëri se ishte shumë atdhetar dhe i përkushtuar në të gjitha veprimet e tij në të mirën e kombit. Ai me veprimet e tij nuk ka pasur asnjë mendim karrierizmi, apo përfitimi personal… është fakt se më shumë e kanë kërkuar të tjerët me u marrë me këtë punë, se ka dashur vetë atë detyrë…” (Konrad Gjolajt me titull “Çinarët” në faqen 62). At Antoni nuk ka qenë kurrë anëtar i Partive Nazi-fashiste. Madje bërja realitet e bashkimit të shumë trevave të Shqipërisë Etnike ishte mjaft joshës për çdo nacionalist të vërtetë. (Ndëkohë të mos harrojmë se anëtarë të Partisë Fashiste në fillim kanë qenë edhe shumë “personalitete” të vetë komunistëve duke përfshirë edhe Nexhmije Xhunglinin (Hoxhen), Ramiz Alinë, etj.. Gjatë regjencës At Anton Harapi ka influencuar që shumë hebrenjve tu jepej shtetësia dhe pasaporta shqiptare. Madje kur nazistët ishin të fuqishëm dhe filluan të vrisnin komunistët ishte vetë At Antoni që shkoi tek Xhafer Deva dhe I tha: “Mjaft mos vrisni ma, se janë vëllaznit tanë e s’duhet me veprue kështu…” (Konrad Gjolaj, “Çinarët” fq. 63). Dhe komunistët ia “shpërblejnë” me gjyqin special , ku At Antonin e dënojnë me pushkatim së bashku me Lef Nosin e Maliq Bushatin , denim që e zbatojnë me 20 shkurt 1946 , në një fshatë të Tiranes ,ku e pushkatojnë dhe e lënë pa varr sot e asaj dite..Pa dyshim moslargimi i At Antonit nga Shqipëria (këtë mundësi e kishte për të ikë me gjermanët si ikën disa të tjerë) tregon pastërtinë e figurës së tij, në të cilën kishte besim se çfarëdo të bëhej ai nuk i kishte bërë keq as atdheut dhe askujt. Ndonëse përkohësisht shkon në Pult (Dukagjin), ku edhe arrestohet pabesisht nga forcat e ndjekjes. Sipas dokumenteve të kohës të shënuar në librin e sipërcituar të At Konrrad Gjolajt, del se gjykata që dënoi At Antonin përbëhej nga Kryetari, Major Irakli Bozo; anëtarë Major Tonin Jakova dhe Major Gjon Bushati; Prokuror Major Misto Treska. Qëndresa burrërore e At Antonit befasoi disi egërsirat komuniste, kur nga salla e gjyqit deklaroi: “Shqipnia u fitua me gjak, me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vijë dita me paqe e drejtësi do të fitohet”. Por edhe para kësaj At Antoni kishte paralajmëruar gjëmën komuniste që po vinte nga lindja sllave, madje krahasimin e bënte me ditët e luftës civile në Spanjë (1937), ku ndër të tjera thoshte: “… Në Spanjë për sa u qe e mundur komunistëve, rrënuan çdo gjë të artit, kulturës e shkencës njerëzore. Çdo çast mbytën tufa-tufa shekullarësh, vetëm pse janë të krishterë të mirë. Prandaj asnjë shtet që e kupton përgjegjësinë e vet, nuk duhet me ndejë, pse çka sot në Spanjë po ndodh, do të ndodhë nesër në kombet e tjera…”.  Ndërsa “filozofisë” përçarëse të komunistëve gjatë luftës (civile) të “çlirimit” u kishte vënë ligjëratën e tij që në korrik 1944, që thoshte: “Nuk shpëton, jo sot as xhamija pa kishën, as kisha pa xhaminë, por as njëra as tjetra pa Shqipërinë…”. Natyrisht Enver Hoxha si produkt i armiqve shekullorë të shqiptarëve (sllavëve të Jugut fqinj e të tjerë) e kishte mësuar nga padronët e tij se një ndër pengesat e instalimit të ideologjisë komuniste në Shqipëri ishte Kleri në përgjithësi e ai katolik në veçanti, ku për këtë E.Hoxha shkruan: “… Meqenëse Katoliçizmi shqiptar, dhe në veçanti kleri, ishin pengesa të mëdha për triumfin e Komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata…”. Pasojat e kësaj politike të komunistëve dihen, që nga pushkatimi e burgosja e klerit katolik e tjerë si dhe mbyllja e shkatërrimi i të gjitha objekteve të kultit e institucioneve përkatëse edhe pse monumente me histori qytetrimi e autoktonie. Pra shqip, tek ne duhej me çdo kusht të bjerrej besimi tek Zoti, ose siç thoshte At Antoni: “… Kur besimi në Zotin nisë e dobësohet te një popull, atëherë përgatitu të shikosh rënien e tij…”. Por për At Anton Harapin kishte edhe një arsye më shumë që të dënohej e pushkatohej nga komunistët shqiptarë, pasi ishte edhe porosi e emisarëve jugosllavë, ku si dëshmi vjen ajo e sekretares pesonale të Enver Hoxhës, që kryente edhe punën e përkthyeses në lidhje me Ambasadën Jugosllave në Tiranë. Një ditë kur kishte ardhur tek Enveri ambasadori jugosllav, Enveri me gëzim e kreni i tregon atij: “E mbytëm Padër Anton Harapin, e me këtë kemi plagosur për vdekje klerin katolik!” Diplomati serb i është përgjigjur: “Po, po! Por keni ende gjallë Pader Gjon Shllakun i cili peshon shumë. Duhet simbas porosisë që kam prej qeverisë sime të zhdukni Shllakun dhe të shkatërroni kulm e themel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët.” (Konrad  Gjolaj, “Çinarët” fq. 87-88). Gjithsesi për të përkujtuar disi At Anton Harapin unë po i drejtohem disa fragmenteve të ligjëratave të tij, të cilat jo vetëm kishin vlera të papërsëritëshme për ato kohë, por këto vlera ruajnë rëndësinë e tyre sot dhe mot, madje duke i lexuar të duken sikur i ka thënë e shkruar një shqiptar e fetar i madh që jeton pikërisht në shekullin XXI. Po e filloj me ligjëratën e parë me titull “Ideali i Krishterë”, ku ndër të tjera thuhet: “… Kanë kaluar 1900 vjet që kurse një njeri tha: Unë jam udha, unë jam e vërteta, e vetmja metodë për të gjetur të vërtetën, i vetmi sistem për të siguruar këtë thesar, e vetmja mënyrë e zbatimit të dashurisë. Këtë dua t’ua provoj unë në këto konferenca. Me besimin dhe zbatimin e parimeve kristiane ngadhnjen: Ideali njerëzor për idealin Kristian. E vërteta nëpër besimin Kristian. Kuptimi i jetës nëpër filozofinë kristiane. Vlerat me të vërtetë njerëzore nëpër kulturën kristiane. Dashuria e vërtetë nëpër moralin Kristian. Jeta e vërtetë shoqërore me atdhetarizmin kristian… Dhe vazhdon po  këtu… Skënderbeu është shqiptari i madh, që me gjeninë e forcës dhe të burrërisë, shprehu me të vërtetë një ideal njerëzor, por në të njëjtën kohë edhe idealin shqiptar; po ashtu Pellazgu i madh Homeri, Greku është Eskili, Hebreu është Isai, Taciti është Romani, Danteja është Italiani, Shekspiri është Anglezi, Gëteja e Kanti janë Gjermanë, Bosyeja është Francezi. Po Krishti kush është? Ai nuk është Gjenia e grekëve, as e Hebrenjve, ai nuk është as i vjetër e as modern. Kush është Krishti, pra? Ai nuk është një njeri i kohës vetë. Ai është i vetmi njeri që përfaqëson tërë njerëzimin, është vetë Njeriu. Ndërsa në Ligjëratën e  Atdhetarizmi i Krishterë (Anton Harapi, Kulla e Babelit, fq. 316-317), thotë: “… Jam fetar, por dua dhe çmoj krejt natyrën njerëzore, jam fetar, por kam tagre dhe detyra shoqërore, jam fetar, e nuk rroj as në erë, as në re, por në këtë tokë që quhet Shqipëri, midis këtyre njerëzve që janë shqiptarë, jam fetar, e dua të mbaj mardhënie të ngushta me Zotin, por gjakun shqiptar që më vlon ndër dej, shpirti shqiptar që më frymëzon mendimin dhe fjalën, rrethi shqiptar dhe traditat shqiptare, duke ma përshkuar anembanë jetën mendore e morale, shpërthejnë ndër hove të shpirtit, ndër ndjenja e zakone, mund të zhduken prej meje me sa mund të zhduket natyra; jam fetar, e ky fakt, sikurse nuk më ndalon aspak që të jem një njeri i përkryer, të kem dituri dhe kulturë, ashtu nuk më pengon që të jem atdhetar. Kush i ndan apo mendon se nuk mund të pajtohen Fe dhe Atdhe, ai ka një kuptim të gabuar për atdhetarizmin.   Edhe atdhetarizmi është një ndër idealet e krishtërimit; jeta qytetare dhe shoqërore për të krishterin janë gjëra të nevojshme, të cilat jo vetëm si njeri dhe si nënshtetas, por edhe si fetar e ka për detyrë që t’i studiojë, t’i njohë dhe t’i mbajë. Nuk jemi të krishterë të mirë pa qenë njerëz të mirë, po të jemi nënshtetas dhe atdhetarë të dobët. Atdhetarizmi në kuptimin e krishterë është një virtyt i shenjtë, si drejtësia dhe dashuria…”. Në këtë shkrim të shkurtër timin nuk po mundem pa shkruar diçka nga fjala e At Anton Harapit që e titullon “Dy lot e nji Betim”. Fjalë që e mban me rastin e përcjelljes së eshtrave të dëshmorëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli për në vendlindjen e tyre, e këtë fjalim brilant për një atdhetar të klasit të parë historiografia komuniste jo vetëm  e “fshehu”, por bëri montime monstruoze të fotografive dhe fjalimeve të paqena të Enver Hoxhës. E këta dy dëshmorë siç dihet u vranë nga dora e armiqve historikë të shqiptarëve, serbo-malazezët. Ja një pjesë të kësaj fjale: “… Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni. Doni ta lini Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari patë t’amblat rreze të diellit, ku si filiza të shëndosht gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqipëria u qiti dhe u ndriti. Le të lavdrohen, po për ju Gjirokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grim më pak do t’gëzohet në ju Shkodra, vendi ku ju vdiqët, por u lindët për atdhe. Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut dhe ju janë nanë të natyrshme, por ju tashma nuk jeni njerëz të zakonshëm, nuk jeni çfarëdo shqiptarësh, ju jeni heroj, jeni burrat shqiptarë, e si të tillë u priti e u mbajti, si të tillë sot me gëzim u përcjell Shkodra, lama e nana e heroizmit tuaj. Jo, nuk ju lëshon ju Shkodër lokja, e ambel pa ju puthë në të dyja faqet, thekshëm pa u lëmue të dy krahët, përmallshëm pa derdhë dy pika lotësh, lotë gëzimi e pikllimi mbi eshtnat tuaj. Eshtna të pamort, u falem! Të pavdekshëm, po, pse ndër veme tueja ruani nji visar të çmueshëm, njatë ide, e cila e pa tronditur do të jesë ndër ne Shqipnia. E udha e mbarë ju kjoftë! Veç, o burra, që vdekun flitni, të metun njalleni, të hupun sot ndritni, kah rreth e rrotull t’i bini Shqipnisë, deh lëshojeni një za, atë zanin tuej kumbues si të luajve, diftoni djelmnisë shqiptare çka u ushqei idealin, çka u mbajti karakterin, çka u bani të pavdekshëm… Zotni të ndritshëm! Nuk dua t’u ndali ma. Keni udhë të gjatë. Merrni këto visare të çmueshme e shkoni. Por para se të niseni eni këtu, e mbi këta eshtna, simbol ideali, force e bashkim, t’ia shtrijm doren shoqi-shoqit, Toskë e Gegë, muhamedan e kristian, e me besën e burrave, me besën shqiptare të lidhemi për t’ia mbajtur shqiptarit nji Zot të vërtetë, një atdhe të lum, për ta ba Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skënderbeun. T’i diftojmë po botës, se shqiptarët njimen burra, se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedan e kristian, e njiherit shqiptarë të vërtetë. Zoti i vërtetë e atdheu le t’na bashkojnë, Zoti e atdheu të na mbajnë: Me Zot e atdhe të lumnojmë. (Anton Harapi, “Kulla e Babelit”, fq. 251-253).  Kur At Anton Harapi ishte drejtor i gjimnazit Françeskan në Shkodër dhe i vjen për kontroll ministri dhe pasi e përgëzojnë për punën e bërë, i thotë në konfidencë: “Aman more At Anton, si bëheni edhe ju medievist pa nevojë.” E këtë ia thotë ministri se mbi tryezë të drejtorisë kishte një kryq, dhe At Antoni i përgjigjet menjëherë: “…Jo, zoti ministër, nuk e heq dot, sepse po ta heq, nuk rri dot as unë këtu… Hiqni nga bota e qytetëruar kontributin që ka dhënë kristianizmi në ide, në ligje e zakone, në shkencë dhe art, në sistemin e familjes, në rendin shoqëror dhe vetiak, në përmirësimin moral dhe material, hiqni të gjitha këto dhe kultura moderne nuk mbetet më ajo, por një skelet i zbehtë, një mozaik pa unitet, një send pa kuptim”. Tamam ashtu siç kërkoi ta bëjë sistemi komunist për rreth gjysëm shekulli. Gjithsesi aktiviteti i At Antonit është i larmishëm e i rëndësishëm edhe në mjaft konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare me karakter historik e politik, por të gjitha në shërbim të atdheut, që ka emrin Shqipëri, madje për At Antonin ka kuptim të plotë Shqipëria Etnike, së cilës i fali shpirtin e mishin duke u bërë ashtu siç edhe dikur kishte deklaruar: “Çdo ndërtese i vihen themelet në dhé, edhe në vorre, prandaj ne hijshëm duhet të jemi gurët e themelit të njasaj binaje të cilën sot e quajmë Shqipëri”. Por ama këtë gur të fuqishëm e jo dosido të themelit të Shqipërisë europerëndimore duhet ta vlerësojmë e nderojmë, se ia kemi borxh atdheut dhe atyre që “u tretën” për atdheun. Mjerisht nuk po mundem ta mbyll këtë shkrim me kaq pa thënë se At Antoni nuk duhej lënë në harresë as nga Kisha Katolike e as të paktën nga pushteti lokal i Shkodrës… E përkundër kësaj, nga pushteti qendror e lokal shpesh janë vlerësuar e nderuar edhe figura që karrierën e tyre (që “ndriti” në kohën e komunizmit) e filluan e siguruan duke spiunuar, duke i dalë edhe dëshmitar (në rrenë) dhe duke denigruar figurën simbol të binomit Fe e Atdhe të At Anton Harapit, por edhe të besimit e qytetërimit, të cilit i falemi sot. (Kushdo që dëshiron të vërtetojë këtë i mjafton të lexojë faqet e librit “Çinarët” të At Konrrad Gjolajt). Gjithsesi, At Antoni prej vorrit të cilit shtroje i asht dheu i zi e mbuloje djerri me gram , prej vorrit ku hjenat njerzore me qimen e shqiptarit e lëkuren e Moskës mshehën eshtënt e tij , mbasi me gjak shuen etjen , Harapi na flet. Na flet perherë i gjallë prej jetës që nisë me dekë, perherë i gjallë në kujtim që trashigohet me vepra. (At Daniel Gjeçaj , Paraqitje te Andrra e Pretashit fq.XI). Ndërsa unë po e mbyll këtë shkrim duke besuar për një “takim” të tretë (timin) me At Antonton Harapin, por këtë herë në një veprimtari që vlerëson e nderon martirin e papërsëritshëm të binomit Fe e Atdhe , At Anton Harapin…

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2473
  • 2474
  • 2475
  • 2476
  • 2477
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT