Përgatiti: Albano Kolonjari
Tenistit numër një në botë, Novak Gjokovic, i është refuzuar hyrja në Australi sepse nuk është i vaksinuar dhe nuk ka të dhëna të mjaftueshme shëndetësore që të justifikojnë faktin që ai nuk mund të vaksinohet. Lojtari mbërriti në Melburn të mërkurën ku autoritetet vunë re një gabim me aplikimin e tij. Gjokoviç duhej të luante në Australian Open, por ai duhet te pranonte rregullat e vaksinimit ose të justifikonte pamundësinë e vaksinimit nga ana mjeksore. Atij i është thënë se do të dëbohet, por avokatët e tij kanë thënë se do ta kundërshtojnë vendimin, raportojnë mediat australiane. Ylli i tenisit ishte pyetur në një dhomë në aeroportin e Melburnit për kater orë të tëra, ndërsa statusi i tij për vizë dhe përjashtim po hetohej. Ekipi i tij nuk kishte kërkuar një vizë që lejon përjashtime mjekësore për të qenë të pavaksinuar. Nuk është e qartë nëse ai do të qëndrojë në Australi ndërsa avokatët e tij përpiqen të anulojnë vendimin.Gjokoviç nuk ka folur për statusin e tij të vaksinimit, por vitin e kaluar ai tha se ishte “kundër vaksinimit”. Në një deklaratë, Forca Kufitare Australiane tha se Gjokoviç “dështoi të sigurojë provat e duhura për të përmbushur kërkesat e hyrjes në Australi dhe viza e tij më pas është anuluar. “Jo-shtetasit që nuk kanë një vizë të vlefshme në hyrje ose të cilëve u është anuluar viza do të ndalohen dhe largohen nga Australia”, thanë autoritetet kufitare. Trajtimi i tij ka shkaktuar zemërim në Serbinë e tij të lindjes. Babai i Gjokoviç, Srdjan Gjokovic tha se djali i tij ishte në një dhomë të ruajtur nga policia. “Kjo nuk është vetëm një luftë për Novakun, por një luftë për të gjithë botën”. tha ai në një deklaratë të lëshuar për media. Presidenti Aleksander Vuçiq tha se ylli ishte viktimë e “ngacmimit” dhe se “e gjithë Serbia” e mbështeti atë. Më herët, kryeministri i Australisë Scott Morrison tha se Gjokoviqit do t’i refuzohej hyrja në vend nëse nuk jepte prova se nuk mund të vaksinohej për arsye mjekësore. Australia po sheh dhjetëra mijëra raste të Covid-19 për herë të parë pasi duroi disa nga kufizimet më të rrepta në botë. Më shumë se 90% e popullsisë mbi 16 vjeç të Australisë është plotësisht e vaksinuar, por disa njerëz ende nuk mund të udhëtojnë ndërshtetëror ose globalisht për shkak të masave aktuale. Australian Open fillon më 17 janar në Melburn.