• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SKENA POLITIKE SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT

November 30, 2021 by s p

????????????????????????????????????

Prof. Xhelal Zejneli/


Zgjidhja e një kauze kombëtare varet nga determinantët historikë si dhe nga determinantët sociologjikë. Në rrethana të tilla, lind nga gjiri i atij populli një front kombëtar apo një lëvizje politike. Zgjidhja e një kauze kombëtare varet nga një sindrom faktorësh, si janë:- çasti historik; shpërbërja e Jugosllavisë së Titos paraqet moment historik për zgjidhjen e kauzave kombëtare të popujve që ishin pjesë e federatës jugosllave;- pozita gjeopolitike e rajonit ku figuron kauza kombëtare;- rëndësia strategjike e rajonit për Fuqitë e Mëdha apo për superfuqitë;- pasuritë nëntokësore të rajonit, siç janë nafta, gazi etj.;- përplasjet e qytetërimeve apo të kulturave;- përplasjet fetare, siç janë islami dhe krishterimi;- lidhjet historike eventuale të një populli me një Fuqi të Madhe;- ndërthurja e interesave të Fuqive të Mëdha në rajonin e caktuar;- konstelacioni rajonal i forcave;- konstelacioni global i forcave.
Për arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike, shqiptarët natyrshëm i takojnë sferës perëndimore të ndikimit, përkatësisht zonës perëndimore të interesit. Me një fjalë, shqiptarët janë aleatë të natyrshëm të ShBA-së dhe të Gjermanisë, pikërisht për dy arsye:
– e para, shqiptarët nuk janë sllavë; – e dyta, shqiptarët bregëzohen me dy dete – Adriatikun dhe Jonin.
1. Duke mos qenë sllavë, një faktor i fuqishëm shqiptar, do të ishte pengesë për krijimin e një shteti të fortë sllav në Ballkan. Një Shqipëri e fortë, d.m.th. e bashkuar, do të ishte pengesë për krijimin e një Serbie të Madhe, e cila është satelite politike historike e Rusisë dhe përçuese e interesit rus në rajon. Duke mos qenë sllavë, shqiptarët janë përçues të natyrshëm të interesit amerikan apo gjerman në gadishull. Janë shqiptarët ata që e sjellin Amerikën apo Gjermaninë në rajon. Shkenca gjermane i studion shqiptarët që nga filozofi dhe matematikani Gotfrid Vilhelm Lajbnic (Gottfried Wilhelm Freiherr (baron) von Leibniz, 1646-1716) e deri në ditët tona. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), Austro-Hungari dhe Italia mbronin Shqipërinë, ndërsa Franca dhe Anglia, duke na konsideruar mbetje turke në Ballkan, mbronin Greqinë dhe Serbinë. Qëndrimi rus dihej, gjithmonë kundër shqiptarëve dhe për popujt sllavë të Ballkanit, sidomos për Serbinë, për Malin e Zi, ndërsa mbi baza të ortodoksisë, edhe për Greqinë. Politika gjermane e shekullit XIX ka qenë Drang nach Osten (Drejt Lindjes). Për t’u zgjeruar në Lindje, Gjermanisë i duhej të kalonte edhe nëpër Ballkan. Prandaj Gjermania dhe Austro-Hungaria bënin çmos për ta parandaluar formimin e një shteti të madh sllav në gadishull. Këto dy fuqi historike të kontinentit të vjetër synonin krijimin e një shteti shqiptar të konsoliduar i cili të ishte digë për shtrirjen e popujve sllavë në rajon dhe për penetrimin e Rusisë në të. Interesat strategjikë të Fuqive të Mëdha nuk ndryshojnë pothuajse kurrë. Në përputhje me politikën Drang nach Osten, të gjitha vendet e Evropës Lindore futur nën ombrellën e NATO-s dhe të BE-së. Interesin që e ka pasur një Fuqi e Madhe në shekujt e kaluar, e ka edhe sot. Kjo Fuqi e Madhe interesin sot mund ta realizojë, jo vetëm me luftë, por edhe në rrugën politike dhe ekonomike. Presidentët amerikanë ndërrohen, por interesi strategjik i ShBA-së kurrë nuk ndërrohet. Kancelarët gjermanë ndërrohen, por interesi strategjik i Gjermanisë kurrë nuk ndërrohet. 2. Bregëzimi i shqiptarëve me dy dete, paraqet interes strategjik për ShBA-në dhe për Gjermaninë. Fuqitë perëndimore kurrë s’kanë për ta lejuar Serbinë të dalë në Adriatik dhe kurrë s’kanë për ta lejuar Rusinë të dalë në ujëra të ngrohta. Zgjidhja e një kauze kombëtare varet edhe nga raporti i forcave midis popullit që synon lirinë dhe shtetit robërues. Çështja kurdë nuk zgjidhet lehtë për arsye se figuron në katër shtete të fuqishme, siç janë Turqia, Irani, Iraku dhe Siria. Të gjitha Fuqitë e Perëndimit janë me kurdët. Çeçenët dhe vendet e tjera të Kaukazit verior (Dagestani, Ingushetia, Osetia Veriore – Alania) ballafaqohen me Rusinë e madhe. Tibetasit dhe ujgurët ballafaqohen me Kinën e madhe. Synime çlirimtare kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë korsikanët në Francë, irlandezët e veriut përballë Anglisë, baskët në Spanjë, katalonasit në Spanjë etj. * * * Konstelacioni apo raporti i forcave në Ballkan për shqiptarët është i disfavorshëm, për të mos thënë tragjik. Shqiptarët rrethohen me popuj sllavë dhe ortodoksë. Madje, këta popuj që i rrethojnë shqiptarët, kanë për baba një Rusi të madhe. Si pasojë e këtij rrethimi tragjik, më tepër se gjysma e trojeve shqiptare ndodhet jashtë trungut etnik historik shqiptar. Me fjalë të tjera, trojet shqiptare janë të pushtuara nga Serbia, nga Mali i Zi, nga sllavo-maqedonasit dhe nga Greqia. Në familjen e gjuhëve indoevropiane (indogjermane) shqiptarët (grekët dhe armenët) gjuha shqipe (greqishtja dhe armenishtja) nuk kanë motra. Janë popuj të veçantë dhe kanë gjuhë të veçanta. Përveç kësaj, gjatë sundimit osman, shqiptarët janë asimiluar në pikëpamje fetare. Si të tillë, e kanë humbur mbështetjen e Evropës së krishterë. Fuqitë perëndimore e kanë mbrojtur dhe vazhdojnë ta mbrojnë Greqinë e krishterë për arsye se ajo ndodhet në vijën e parë të frontit përballë botës islame apo Turqisë.* * * Kur Maqedonia u shkëput nga amalgama jugosllave, shqiptarët nuk kishin determinantë historikë, politikë dhe sociologjikë të mjaftueshëm për ta zgjidhur drejt kauzën e tyre kombëtare. Në këtë moment historik lindi Partia e Prosperitetit Demokratik (PPD) si një lëvizje popullore. Duhet dalluar lëvizjen popullore nga lëvizja politike. Themelimi i kësaj lëvizjeje popullore, për shqiptarët paraqet akt politik. Në mungesë të përcaktorëve të sipërthënë, kjo parti s’kishte potencial të duhur për të qenë në krye të përgjegjësisë historike. Shqiptarët në këtë kohë, s’kishin as klasë shoqërore relevante, as klasë politike as inteligjencie të nivelit të lartë. Popujt pa shkollë apo me gjysmë shkolle, nuk mund ta zgjidhin kauzën kombëtare të tyre. Mahatma Gandi (Mahatma Gandhi, 1869-1948) i cili qe në krye të lëvizjes nacionaliste për çlirimin e Indisë nga Britania, ishte shkolluar në Kolegjin universitar të Londrës. PPD-ja nuk ia doli ta lëvizte çështjen shqiptare për arsye të caktuara, si: – potenciali politik, social, intelektual dhe ekonomik i pamjaftueshëm i shqiptarëve; – nacionalizmi dhe antishqiptarizmi shtetëror sllavo-maqedonas; – kapaciteti intelektual dhe demokratik i pamjaftueshëm i palës sllavo-maqedonase.
Duhet shtuar se qëndrueshmëria e Maqedonisë është në duart e ShBA-së. Me fjalë të tjera, Maqedoninë nuk mund ta destabilizojë askush, as nga brenda, as nga jashtë (Greqia dhe Serbia). Uashingtoni u sugjeron të gjitha palëve që mosmarrëveshjet t’i zgjidhin me marrëveshje dypalëshe, ndërsa mosmarrëveshjet e brendshme t’i zgjidhin në rrugën politike dhe me mjete demokratike. Të gjitha mosmarrëveshjet të realizohen me njëfarë kompromisi. Partia Demokratike Shqiptare (PDSh-ja) u ballafaqua me të njëjtat probleme me të cilat ishte ballafaquar edhe PPD-ja, nga gjiri i së cilës kishte dalë. Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe përpos siç ka ndodhur. Historia nuk njeh pothuajse asnjë rast që një popull t’ia ketë falur lirinë popullit të robëruar, të shtypur apo të diskriminuar – në pjatë. Për liri, për barazi, për të drejta dhe për demokraci – luftohet, qoftë me mjete violente, qoftë me forma joviolente. Të drejtat dhe liria fitohen, ato nuk falen. Shqiptarët janë popull vital. Përkundër politikës diskriminuese, restriktive, centraliste, unitare, monoetnike dhe opresive të shtetit që ishte në duart e sllavo-maqedonasve, faktori shqiptar kurrë nuk pushoi së vepruari. U shënuan arritje të caktuara në lëmin e ekonomisë, në sektorin privat. Arritje të caktuara u shënuan edhe në lëmin e arsimit. Në vitet e para të pluralizmit politik në Maqedoni, problem madhor i kombit shqiptar ishte çështja e Kosovës. Për kombin shqiptar por edhe për qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonin dhe Berlinin, zgjidhja e çështjes së Kosovës kishte përparësi. Çdo interes tjetër i kombit duhej t’i nënshtrohej këtij interesi. Miqtë e huaj të shqiptarëve kërkonin nga faktori politik shqiptar në Maqedoni që kërkesat kombëtare t’i zgjidhin në rrugën politike dhe me mjete demokratike, duke vepruar në institucionet e sistemit. Të njëjtën e kërkonin prej faktorit politik shqiptar në Maqedoni edhe qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina. S’kishte dyshim se koha punonte për shqiptarët. Kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni ishin kërkesa themelore. Realizimi i tyre në asnjë mënyrë nuk i cenonte interesat e sllavo-maqedonasve. Kërkesat e shqiptarëve nuk e cenonin sovranitetin, as tërësinë tokësore të Maqedonisë. Kohës së sundimit të egër të sllavo-maqedonasve mbi shqiptarët, medoemos t’i vinte fundi. Janë disa argumente që u mundësojnë shqiptarëve liri dhe barazi:
– argumenti historik, që nënkupton se shqiptarët në këto troje janë popull autokton (rrënjës); – argumenti i bashkëkohësisë, që nënkupton se shqiptarët në Maqedoni përbëjnë një të tretën e popullsisë së saj dhe paraqesin potencial etnik, demografik, biologjik, social, ekonomik, prodhues, kulturor dhe mbrojtës; dhe – argumenti hipotetik, që nënkupton se shqiptarët, midis konfliktit dhe paqes, stabilitetit dhe destabilizimit, janë përcaktuar për paqe dhe stabilitet. Injorimi i këtyre tre argumenteve është miopi politike, gjë që pashmangshëm shpie në konflikt. Sidoqoftë, ndryshime të caktuara sillte edhe koha. Ndryshime i impononin Shkupit edhe Uashingtoni me Brukselin. Nuk mund të hyjsh në BE duke ndjekur ndaj shqiptarëve politikë diskriminuese, duke i matur të drejtat e tyre në shtratin e Prokrustit. Shqiptarët ishin kafshatë e madhe për sllavo-maqedonasit. Politika antishqiptare e sllavo-maqedonasve mbështetej fuqimisht edhe nga Beogradi, Athina dhe Moska. Antishqiptarizmi në Maqedoni ishte politikë e shtetit, d.m.th. e LSDM-së dhe e VMRO-së. Kundër shqiptarëve ishin edhe institucionet arsimore dhe shkencore sllavo-maqedonase, Akademia Maqedonase e Shkencave dhe e Arteve, e cila s’ishte veçse nëndegë e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Jo për çdo gjë janë fajtor sllavo-maqedonasit. Përgjegjësia i takon edhe faktorit politik shqiptar. Nuk mund të qëndrosh në qeveri dhe të bëhesh dekor i demokracisë së një shteti unitar, monoetnik, centralist që ndjek politikë diskriminuese, restriktive, e që ku t’i kujtohet, ushtron edhe opresion. Interesi koniunktural nuk mund të shitet si interes kombëtar. Askush nuk mund t’i detyrojë shqiptarët të jenë faktorë qëndrueshmërie, e në anën tjetër të durojnë padrejtësinë. Çështja shqiptare përplasej nga skila në haribdë. Kur politika nuk ia del të imponojë dhe të gjejë zgjidhje, atëherë shpërthen lufta. Lufta e 2001-shit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ushtri kjo heroike, solli Marrëveshjen e Ohrit. Kjo është marrëveshje me peshë dhe me rëndësi ndërkombëtare. Ajo solli ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë. Sipas saj, Maqedonia nuk mund të jetë dhe s’ka për teqenë shtet unitar, centralist, monoetnik. Sllavo-maqedonasit nuk mund të jenë mbartës të vetëm të shtetësisë dhe trashëgues të vetëm të shtetësisë. S’mund të ketë Maqedoni pa shqiptarët. S’mund të ketë qeveri sllavo-maqedonase pa shqiptarët. Një qeveri sllavo-maqedonase pa shqiptarët shpie pashmangshëm në krijimin e sistemit paralel. Një Maqedoni pa shqiptarët do të shuhej si flluskë sapuni. Si çdo marrëveshje, ashtu edhe Marrëveshja e Ohrit, paraqet kompromis midis kërkesave politike, historikisht të justifikueshme të shqiptarëve, në një anë dhe qëndrimeve ideologjike ultranacionaliste, retrograde, anakronike të sllavo-maqedonasve, në anën tjetër. Nuk duhet harruar se asnjë marrëveshje në histori nuk është e përjetshme, e pandryshueshme dhe e pakorrigjueshme. Marrëveshja e Ohrit duhej të ishte zbatuar apo implementuar qysh në vitin 2004. Jetësimin e saj e pengonte në çdo mënyrë VMRO-ja nacionaliste, e cila s’kishte marrë mësim nga demokracia. Pas Marrëveshjes së Ohrit, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) tregoi do shenja reformuese. Shqiptarët tanimë kishin themeluar Universitetin e Tetovës si dhe Universitetin e Evropës Juglindore. Pjesë e proceseve politike është edhe zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës. Në këto dy universitete morën dituri studentë shqiptarë dhe të tjerë, nga Maqedonia, nga Kosova, nga Kosova Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), nga Shqipëria. Degëzimi i universiteteve nëpër qytete të ndryshme si dhe shtimi i universiteteve private nuk duhet të merret si hap i drejtë. Para themelimit të universiteteve shqiptare, shqiptarët ishin të përfshirë në arsimin universitar të Maqedonisë vetëm 1 për qind, pa e llogaritur të ashtuquajturën Shkollë e Lartë Pedagogjike, ku pjesa më e madhe e mësimeve zhvillohej në gjuhën e sllavo-maqedonasve. Një diskriminim i tillë s’ishte parë në asnjë vend të Evropës. Ngritja intelektuale e faktorit shqiptar, sa vinte e shtohej. Në sektorin privat, dita-ditës rritej edhe fuqia ekonomike e shqiptarëve. S’ka dyshim se në lëmin e arsimit ka pasur edhe deformime të rënda, që nga arsimi fillor dhe i mesëm, deri në atë universitar. I tërë ky zinxhir ka qenë dhe vazhdon të jetë i politizuar dhe i partizuar. Shërbëtor shkolle katundi s’ke mundur të bëhesh, pa qenë shërbëtor i partisë në pushtet. Që nga themelimi i universiteteve e deri më sot ka pasur një inflacion të paparë të titujve akademikë. Kjo mund të jetë në interes të individit, por jo edhe të shoqërisë. Pas mbarimit të luftës së 2001-shit dhe pas Marrëveshjes së Ohrit, në hapësirën politike shqiptare lindi partia Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Ka të tillë që këtë subjekt politik e kanë cilësuar si parti të luftës apo si parti të dalë nga lufta. Me daljen në skenën politike të këtij subjekti, filloi tatëpjeta e Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD), por edhe e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh). Detyrë dhe rol i BDI-së ka qenë zbatimi apo implementimi i Marrëveshjes së Ohrit. Të gjitha partitë shqiptare kanë qenë në bashkëqeverisje, edhe me LSDM-në, edhe me VMRO-në. Qeverisja me VMRO-në, që nga vitet e fillimit të pluralizmit e deri më sot ka qenë dhe është humbje e kohës politike. Kjo parti edhe sot ka mbetur me idetë e shekullit XIX, që për periudhën e demokracisë parlamentare, nuk janë veçse anakronike, retrograde, romantike dhe antihistorike. Kjo parti vazhdon të jetë thellësisht antishqiptare. Për VMRO-në, Maqedonia është e sllavo-maqedonasve, shqiptarët ndërkaq, nuk janë veçse qiraxhinj. Në koalicion me këtë parti të vjetruar, ka qenë edhe BDI-ja e luftës. Sllavo-maqedonasit duhet ta dinë se shqiptarët janë në tokë të vet, në tokat e të parëve, të stërgjyshërve, të ilirëve. Si të tillë, ata s’mund të jenë dhe s’kanë për të qenë qiraxhinj në tokë të vet. Do të ishte nihilizëm të thuhej se gjatë periudhës së pluralizmit, shqiptarët në Maqedoni s’kanë arritur asgjë. Një pikëpamje e tillë absolutisht është e papranueshme dhe e padrejtë. Vlerësimin objektiv dhe profesional mund ta bëjnë ekspertët e fushave të ndryshme. Vlerësimin e drejtë të arritjeve të shqiptarëve nuk mund ta bëjnë veprimtarët dhe militantët e shtabeve partiake të shpërndara nëpër lagje. Lehtë e ke të kritikosh, të sulmosh, të fyesh, të ofendosh dhe të denigrosh kur je në opozitë. Por kur vetë hyn në pushtet, vendor apo qendror, e sheh se punë ke me sllavo-maqedonasit. Në letër, kufijtë e Shqipërisë i çon deri në Nish, por në politikë puna ndryshon. Nuk bëhet Shqipëria, as shqiptaria duke ndenjur, duke punuar dhe duke jetuar në Perëndim. Shqipëria dhe shqiptaria bëhen këtu, në këtë baltë të Ballkanit. Shqipëria dhe shqiptaria nuk bëhen duke ndenjur me orë të tëra nëpër të ashtuquajtura rrjete sociale. Duhet vepruar këtu në vendlindje, për t’i evropianizuar trojet shqiptare, për ta ndalur shpërnguljen, dyndjen, shpopullimin e viseve, territoreve shqiptare. Ndryshimet s’bëhen vetvetiu. Ato s’vijnë nga qielli. Të rinjtë duhet të jenë pjesë e transformimeve, këtu dhe sot. S’ka kurrfarë dyshimi se shqiptarët duhet të jenë edhe të pakënaqur me arritjet e deritashme të udhëheqësve të vet. Gjithmonë mund të arrihet më shumë. Veprimi politik është pjesë e procesit dialektik. Sipas parimit të Vilhelm Fridrih Hegelit (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831), uniteti i të kundërtave e çon shoqërinë para. Kritika politike dhe ajo sociale, është jo vetëm e drejtë e individit por edhe detyrim i tij. Preokupim i të rinjve është zhvillimi ekonomik i hapësirave shqiptare. Kjo bëhet me punë dhe me veprim. S’bëhet dot me fjalë. Gjergj Kastrioti, gjuha shqipe, flamuri kombëtar, respekti i thellë ndaj epopesë së Adem Jasharit, dashuria ndaj Shqipërisë dhe ndaj Kosovës nuk janë pengesë për zhvillimin ekonomik të shqiptarëve. Gjergj Kastrioti kurrë s’u ka thënë shqiptarëve: Merruni me mua dhe mos ndërtoni fabrika. Duhet dalluar atdhetarizmin folklorik nga dashuria, njohja dhe mbrojtja e vlerave kombëtare. Çështjes shqiptare në Ballkan nuk do t’i dalin zot kriptoshqiptarët. Derisa im atë apo im bir ishte në pozitë apo në pushtet, situata ishte e mirë, s’ka sesi bëhej më mirë. Kur im atë apo ime bijë doli nga pushteti, mbeti pa pushtet, përnjëherë gjendje u bë zi e më zi, keq e më keq. Kjo pikëpamje është joobjektive dhe e njëanshme. Detyrë e opozitës politike është të kritikojë mbartësit e pushtetit, vendor apo qendror. Asgjë s’i zhvillon proceset demokratike sa mendimi kritik. Është e drejtë dhe detyrë e të rinjve të organizohen politikisht, t’i kritikojnë të metat, dobësitë dhe deformimet e pushtetarëve. Të ngrenë zërin e protestës kundër korrupsionit në nivelet shtetërore më të larta, të stigmatizojnë nepotizmin, joprofesionalizmin, diletantizmin. Por kjo s’bëhet dot me porosi të dërguara dhe me postime të shfaqura nëpërmjet pajisjeve elektronike. * * * Që nga vitit 1991, në hapësirat shqiptare kanë lindur dhe janë themeluar shumë parti politike. Shumë prej tyre, janë shuar. Partinë e shuan vetë populli – me votë. S’të voton dhe ti shuhesh. Për nga përkufizimi, partitë janë grupe interesi që synojnë pushtetin, marrjen e pushtetit. Kur një popull s’e ka të zgjidhur kauzën e vet, aty lind dhe vepron një front kombëtar apo një lëvizje politike. Të gjitha partitë e tjera, të bashkuara rreth ideologjisë kombëtare apo idesë demokratike, bëhen pjesë e atij fronti kombëtar apo e asaj lëvizjeje politike. Pas zgjidhjes së çështjes kombëtare, ky front apo kjo lëvizje pushojnë të ekzistojnë ose transformohen. Tani secila parti vepron e pavarur dhe lufton për pushtet. Në demokracinë parlamentare, forcën e një subjekti politik e përcakton populli, votuesi, elektorati. Në hapësirën politike shqiptare, në saje të qëndrimit 20-vjeçar në pushtet, vazhdon të mbizotërojë BDI-ja. Pranë saj ndodhet edhe Partia Demokratike Shqiptare. Përballë BDI-së veprojnë edhe subjekte të tjera, si Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Alternativa. Roli, ndikimi dhe shtrirja e tyre matet në radhë të parë me mandatet e deputetëve. Një matje e forcës së tyre u bë edhe gjatë zgjedhje vendore të 17 tetorit të vitit në vazhdim, kur u votua për këshilla bashkiakë. Rezultatet e zgjedhjeve të sipërthëna i dinë, si partitë politike, ashtu edhe publiku. Rezultatet e zgjedhjeve të 17 tetorit për këshilla bashkiakë nuk do të thotë se do të përputheshin me ato të zgjedhjeve parlamentare. PDSh-ja me 1 deputet, Lëvizja Besa me 2 deputetë, Alternativa me 4 deputetë dhe Aleanca për Shqiptarët me 8 deputetë nuk mund të thonë: “Unë e përfaqësoj interesin shqiptar” ose “Ne e përfaqësojmë interesin shqiptar”. Njëfarë pasqyre të zgjedhjeve parlamentare të ardhshme, mutatis mutandis, partitë politike dhe publiku mund të marrin edhe prej zgjedhjeve vendore të 17 tetorit për këshilla bashkiakë. Të jesh në pushtet, d.m.th. në qeveri, në një anë dhe ta përfaqësosh interesin shqiptar, në anën tjetër, këto janë dy gjëra. Kur një kauzë kombëtare konsiderohet e pazgjidhur, atëherë partitë politike dalin me një program apo platformë të përbashkët dhe vice versa. Kur një çështje kombëtare konsiderohet e zgjidhur, atëherë partitë veprojnë si grupe interesi. Secila sosh vepron në krye të vet, si t’i vijë më mirë. Në hapësirën politike shqiptare tashmë s’dihet se kush është pozitë (mazhorancë) dhe kush opozitë. Partitë shqiptare hynë në qeveri dhe dalin prej saj, si t’u kujtohet dhe sa herë t’u kujtohet. Hyrja në pushtetin qendror sa për të marrë disa dikastere, mund të jetë e leverdishme dhe fitimprurëse për partinë – grup interesi apo për koniunkturën e saj, por jo edhe për interesin shqiptar. Interesi shqiptar nuk është interes i dy a tre ministrave. Po qe se opozita shqiptare – Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Alternativa nuk tregojnë zotësi, zgjuarsi dhe aftësi të bashkohen dhe të shkrihen në një subjekt politik të përbashkët, atëherë ajo kurrë s’ka për të qenë faktor me ndikim relevant. Këto parti, jo vetëm që s’e kanë mendjen të bashkohen, përkundrazi, dita-ditës përçahen akoma më shumë. Dhe të gjithë, përfshi edhe BDI-në, flasin në emër të shqiptarizmit. Të thuash se kauza shqiptare në Maqedoni tanimë është zgjidhur, absolutisht është gabim. Ka pasur të tillë që kanë thënë se Maqedonia duhet të shndërrohet në shtet federativ. Është thënë se shqiptarët nuk duhet të figurojnë si 20 përqindësh por si popull shqiptar apo si bashkësi etnike shqiptare. Këto janë ide të mira, por kjo s’bëhet me fjalë. Kur je në opozitë thua ç’mos, çka nuk thua. Në aleancë me VMRO-në kjo s’bëhet dot. Mbase as me LSDM-në. Euforinë e fushatave parazgjedhore duhet dalluar nga veprimi politik i përgjegjshëm. Përkundër faktit se VMRO-ja ka qenë dhe është parti e cila brenda tridhjetë viteve e ka kundërshtuar me rreptësi çdo kërkesë të faktorit politik shqiptar, megjithëkëtë secila parti shqiptare bashkëpunon me të. Edhe BDI-ja ka thënë: “Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo parti, përpos me Të majtën”. Me fjalë të tjera, me VMRO-në është e gatshme të bashkëpunojë edhe BDI-ja. Po t’i pyesësh partitë shqiptare, do të thonë: “Unë do të kisha hyrë në bashkëqeverisje me VMRO-në, por me platformë”. Në zgjedhjet vendore të 17 dhe të 31 tetorit për kryetarë bashkish, VMRO-ja fitoi 42 bashki, përfshi edhe Shkupin, ndërsa LSDM-ja vetëm 12 sosh. Në një vend me demokraci të zhvilluar, një qeveri humbëse si kjo konsiderohet jolegjitime dhe sakaq jep dorëheqje të parevokueshme. Faktori politik shqiptar i përçarë nuk mund ta mbrojë interesin shqiptar. Opozita shqiptare e fragmentarizuar nuk do të mund të jetë faktor politik me ndikim. Duke rendur pas pushtetit me çdo kusht, faktori politik shqiptar rrezikon të defaktorizohet. Në anën tjetër, një parti që ri gjatë në opozitë rrezikon të marrë tatëpjetën. Tani duket sikur e ardhmja e opozitës shqiptare është në duart e VMRO-së. Kjo nënkupton që VMRO-ja, nën premisën që t’i arrijë 61 deputetë, ta përfshijë në qeveri opozitën shqiptare (ASh-në dhe Besën) dhe ta lë jashtë qeverie BDI-në, qoftë edhe kjo të dalë fituese në zgjedhjet parlamentare. Me qëndrimet e veta antishqiptare VMRO-ja e ka radikalizuar tej mase hapësirën politike sllavo-maqedonase. Kur të vijë në pushtet, gjë që do të ndodhë, është e mundur që kjo parti të mos arrijë marrëveshje me Bullgarinë. Si pasojë, rruga e këtij vendi për në BE do të zvarritej deri në pafundësi. Kjo do të krijonte kushte për aktivizimin e ndikimit rus në këtë vend. Me VMRO-në, edhe përdorimi i gjuhës shqipe do të haste në vështirësi. Faktori politik shqiptar duhet t’i kushtëzojë partnerët e bashkëqeverisjes, VMRO-në apo LSDM-në me investime kapitale në viset shqiptare të ngecura ekonomikisht. Ndryshe, partitë shqiptare do të shndërrohen në instrumente të VMRO-së për interesa meskinë.
Xhelal Zejneli

Filed Under: Politike

NË GARFIELD TË NJU XHERZIT KREMTOHET DITA E FLAMURIT

November 29, 2021 by s p

NË GARFIELD TË NJU XHERZIT KREMTOHET DITA E FLAMURIT

Në qytetin Garfield të Nju Xherzit – SHBA, policët shqiptarë bashkë me eprorët e tyre amerikanë festojnë 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. Qyteti i Garfieldit sot kishte festë. Festonin bashkë shqiptarë e amerikanë. Këngëtarja Merita Halili këndoi himnin amerikan dhe himnin shqiptar. Nën tingujt e himnit u ngrit flamuri kuqezi në Garfield të Nju Xherzit. Të pranishëm ishin këta policë shqiptarë: Elton Shametaj, Tahir Kukaj, Lirim Kaba, Almat Asani, Azmi Toska, Atli Sela, Vezir Sela e shumë të tjerë.Kremtuan bashkë me kostume kombëtare shqiptare fëmijë, gra, bura dhe policët shqiptarë me eprorët e tyre.Me këtë rast te “Parku Nënë Tereza” në Garfield, u vunë kurora me lule te shtatorja e Gonxhe Bojaxhiut nënës Tereze.Garfield,më 28 nëntor 2021

Filed Under: Komunitet

Ribashkimin e Shqipërisë me Kosovën duhet ta shpallin dy Kuvendet shqiptare

November 29, 2021 by s p

https://www.filolet.com/wp-content/uploads/2016/10/SK-Kopertina.png

Nga Skënder Sadri KAPITI

Me 28 Nëntor 1912 burrat patriotë shqiptarë u mblodhën në Vlorë në  Kuvendin  gjithkombëtar dhe e Shpallën Pavarësinë e Shqipërisë etnike të të gjitha trojeve shqiptare.

Po kështu edhe Kuvendi i Kosovës me 17 Shkurt 2008 shpalli Pavarësinë e Kosovës shqiptare.

Tashmë i takon që dy kuvendet shqiptare të mblidhen në një Kuvënd të përbashkët në Vlorë ose në Prizren dhe ta shpallin Ribashkimin e Shqipërisë. Për këtë mendoj se pranë dy kuvëndeve shqiptare duhet të fillojnë punën një komision akademikësh, politikanësh, diplomatësh, juristësh dhe  historianësh të spikatur të fushave përkatëse të cilët të parapërgatisin strategjinë dhe arsyetimin e sqarimin se përse duhet bërë Ribashkimi Kombëtar. Unë kam botuar një LIBËR me  Titull: “TRIUMFI I KOMBIT” të cilin disa lexues e kanë cilësuar si Projekt të Bashkimit Kombëtar dhe sot me rastin e 109 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës po i dërgoj këtë shkrim mediave kombëtare dhe disa personaliteteve të shquara intelektual e patriot të cilët i janë përkushtuar me mish e shpirt Ribashkimit të Shqipërisë.

Unë jam dakord edhe me ata të cilët mendojnë se duhet bërë edhe Referendum për Ribashkimin Kombëtar sepse janë të mirëpritura të gjitha përpjekjet  dhe alternativat të cilat i shërbejnë realizimit të qëllimit të madh, atij të Ribashkimit. 

Nëse do të mbahej një Referendum për Ribashkim dihet se kundër Ribashkimit janë po ata dhe po ajo frymë antishqiptare që ka qenë kundër shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë  me 28 Nëntor 1912 e që janë: serbo-sllavët, grekët dhe shtetet,kishat, mediat, diplomacia  dhe akademitë e tyre shoviniste dhe antishqiptare; janë kundër Ribashkimi Kombëtar shqipfolësit serbo-sllavo-grekofilë; janë ekstremistët islamofobë që urrejnë muslimanizmin shqiptar; janë edhe  politikanë, qarqe apo edhe ndonjë shtet aleat perendimor i serbo-sllavisë si dhe tradhtia,korrupsioni, hajnija dhe mercenarizmi intelektual, politik e mediatik në Shqipëri që u shërbejnë agjendave antishqiptare.

Por këta janë një pakicë tejet e papërfillshme dhe nuk ka pse të pyeten këta se a jeni apo jo për Bashkimin Kombëtar sepse dihet se ata janë kundër. Prandaj Shpalljen e Ribashkimit Kombëtar duhet ta deklarojnë dy kuvendet Shqiptare në një kuvend të përbashkët që të mbahet në Vlorë ose Prizren dhe ndoshta kjo të bëhet jo larg por me rastin e 110 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. 

Më poshtë po paraqes në mënyrë të shkurtër analitike  atë se tashmë ka ardhur koha e Ribashkimit të Shqipërisë:

Nuk ka pse të  bëhet referendum, pasi shqiptarët nuk janë ndarë vetë,por padrejtësish i kanë ndarë e coptuar të tjerët. Referendumin shqiptarët për shtetin e Bashkuar Kombëtar e kanë bërë me 28 Nëntor 1912 kur shqiptarët e shpallën Shtetin e Pavarur Gjithkombëtar Shqiptar. 

Nëse politika dhe shtetarët e pushtetarët shqiptarë e duan Ribashkimin Kombëtar së pari ata duhet të punojnë për interesat kombëtare, për ndërtimin e shtetit ligjor, për drejtësinë,për luftën kundër krimit,korrupsionit dhe hajdutërisë shtetërore; duhet të punojnë për integrimin brënda kombëtar dhe për atë europian. Nuk  besohet se politika e korrupsionit, e hajdutërisë dhe e krimit; nuk i besohet asaj politike injorante,egoiste dhe e intersuar vetëm për interesa personale,vetëm për vjedhje e pasurim të vetes së saj, pra nuk  besohet se kjo politikë e dëshiron sinqerisht Bashkimin Kombëtar.

Nuk ka shqiptar me shpirt shqiptari që të jetë kundër Bashkimit Kombëtar dhe as   që të jetë kundër historisë, kundër luftrave, gjakut  e sakrificave shekullore të shqiptarëve. 

Shqiptarët janë një komb  që kanë një gjuhë, një traditë, një histori, nje flamur dhe shpirt, gjak e zemër shqiptari. Pavarësia e Shqipërisë u shpall me  28 nëntor 1912, kjo pavarësi është për të gjitha trojet shqiptare, si një shtet për të gjithë shqiptarët. 

Kosova për 100 vite luftoi e sakrifikoi për t’u bashkuar me Shqipërinë. Ribashkimi Kombëtar de fakto  është bërë me 12 Qershor 1999, si rezultat i fitores së Luftës së UÇK së  dhe të SHBA e të NATO-s që rrëzuan murin ndarës shqiptaro-shqiptar ashtu si edhe gjermanët që e rrëzuan murin e Berlinit. Pra nuk është e nevojshme mbajtja e një Referendumi për Bashkim Kombëtar ashtu sikurse edhe nuk bënë Referendum as dy Gjermanitë e ndara nga të tjerët. Për Bashkim Kombëtar të deklarohen dy parlmentet e dy shteteve kombëtare shqiptare,të Shqipërisë e të Kosovës.

Si,  do pyetet kombi dhe shqiptarët se a jeni dakord për t’u bashkuar?!

Nuk është e nevojshme që të mbahet Referendum për Bashkim Kombëtar pasi shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës janë një komb që si të tillë këtë  njeh e gjithë Bota. 

SHBA dhe NATO ndërhynë kundër Jugosllavisë për ta cliruar Kosovën shqiptare dhe jo Kosovën kosovare, sepse ish ngrehina sllavo-serbe kishte 100 vite që ushtronin terror, krim, pastrim etnik e gjenocid mbi popullsinë  98% shqiptare të saj. 

Këtyre  që deklarohen për Referendum për Bashkim Kombëtar po u them se Lidhja Shqiptare e Prizrenit  ishte për shtet kombëtar gjithshqiptar, dhe po ashtu edhe Kryengritja e  Përgjithshshme Shqiptare e Vitit 1912 që coi në Pavarësinë e Shqipërisë ishte Kryengritje për shtetin kombëtar gjithshqiptar. Po ashtu edhe Lufta heroike e UÇK-së ishtë luftë gjithëkombëtare shqiptare për lirinë e Kosovës shqiptare dhe për Bashkimin e saj me Shqipërinë. Po kështu edhe SHBA e NATO ndërhynë për lirinë e clirimin e Kosovës shqiptare. 

Pra, 12 Qershori i vitit 1999 de fakto është  vendimtare që  ka mundësuar tashmë edhe shpalljen e Bashkimit Kombëtar se si proces ky Bashkim tashmë është bërë por që politika  shqiptare e të dy shteteve shqiptare nuk është interesuar dhe nuk ka treguar përgjegjshmërinë e përkushtimin e duhur për deklarimi dhe realizimin  e këtij Bashkimi.

Ata të cilët mundohet që të propagandojnë për një komb kosovar janë shërbëtorët më të mëdhenj të politikës antishqiptare serbo-sllave. 

Si kanë kurajon e guximin antikombëtar që të deklarohesh për një ndarje mes shqiptarësh, si dy kombe të ndryshëm?! 

Po a nuk ishin shqiptarët e Kosovës vendimtarë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe a nuk ishin shqiptarët e Kosovës që luftuan e sakrifikuan aq shumë për liritë e të drejtat kombëtare shqiptare, për gjuhën, shkollën , për flamurin kombëtar dhe për Bashkimin kombëtar. 

Kush janë këta mercenarë antishqiptarë që duan të fabrikojnë një komb kosovar? 

Më vjen mirë që edhe Kryeministri i Shqipërisë tani shprehet pro Bashkimit Kombëtar, dhe uroj që kjo mos të jetë një simbolikë apo retorikë patriotike momentale e tij.

Mos të thotë se nuk e di se kur të bëhet Bashkimi por së pari ta heqë traun antiKosovë të “Rrugës së Kombit” dhe duhet ta tërheqë deklaratën antishqiptare të tij të mëparshme se nuk ka minishengen shqiptaro-shqiptar para minishengenit të Ballkanit. 

Sot politikanët shqiptarë dhe shtetarët e të dy shteteve shqiptare si Rama, Meta ,Kurti ,Osmani e të tjerë që do vijnë pas tyre e kanë të lehtë që deklarohen pro Bashkimit Kombëtar sepse meritat e sakrificat për Bashkim Kombëtar i kanë bërë herojt dhe brezat e tjerë.

Filed Under: Analiza

SKËNDERBEU I SOKOL DEMAKUT

November 29, 2021 by s p

Kadri Tarelli

Në ditët e Panairit të Librit në Tiranë, 17-21 Nëntor, 2021, mes nesh: u ndodh Sokol Demaku, bir i Drenicës dardane, mërgimtar dhe banues prej disa vitesh në qytetin e tekstilit Borâs, Suedi. ai u mirëprit nga Viron Kona, Delo Isufi, Muhamet Cenko, Bashkim Saliasi dhe unë Kadri Tarelli, të gjithë punëtorë të letrave shqipe. 

Sokoli është mësues, shkrimtar, poet, përkthyes i njohur, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, drejtues dhe botues i revistës “Dituria”, njëkohësisht i Radios dhe TV. Në gjuhën shqipe. Ai dallohet edhe si veprimtar dhe anëtar i shoqatave atdhetare që veprojnë fuqishëm në atë vend të adhuruar e të bekuar për qetësi, liri dhe demokraci. Sot ai ishte befasues, sepse na dhuroi veprën madhore historike,: “I madhi Castriot, me llagap SKËNDERBEU – Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit”. Libri mban autorësinë e Zannovich, Stephan, apo Stiepan, botuar në Stockholm të Suedisë nga Anders Zetterberg, 1788. 

Këtë libër, të gjetur, të përkthyer dhe të botuar në dy gjuhë, shqip-suedisht, nga vetë Sokoli, unë e quaj “Gur të çmuar” në kurorën e krijimtarisë së tij. Nuk besoj se e tejkaloj masën e lëvdimit, pasi kjo punë madhore dhe  njëherazi fisnike, ka vlera të shumëfishta, letrare, historike, mësimore, dhe mbi të gjitha atdhetare e mbarë kombëtare.

Për Sokolin mjaftoi vetëm një shkëndijë drite, se dikur në Suedisht është botuar një libër mbi Skënderbeun. Po ku gjendet? Vetë Biblioteka Mbretërore në Stokholm kishte vetëm një kopje, që nuk mund ta nxirrte për përdorim, veç mund ta kopjonte. Sokoli falënderon punonjëset, që u treguan të gatshme për ta ndihmuar, duke e kopjuar me aparaturat moderne të kohës. 

Gëzimi ishte i madh, por u fashit shpejt. Sokoli nuk e njihte suedishten e dyqind e tridhjetë viteve të shkuar. Është një lloj aventure, që vetëm një studiues kokëkrisur si Sokoli, që mund ta çonte deri në fund punën, për ëndrrën e madhe. U gjet edhe personi i duhur, Sven Esselius, që bëri “Përkthimin” dhe përshtatjen në suedishten e sotme. Edhe kjo një aventurë me vete. 

Më në fund Sokoli kishte mundësi ta shqipëronte në shqip. Peripecitë e botimit nuk llogariten, pasi janë mundim i njohur i çdo krijuesi. Falë kësaj pune me mjaft ngarkesë, ne sot kemi në dorë librin, që i gëzohemi tej mase, sepse shikohet, njihet dhe preket nga shqiptarët për herë të parë, edhe një vepër e re, ndërsa për suedezët u rikthehet në vëmendje pas kaq vitesh i harruar.

Cilido që merret me histori, nuk çuditet me këtë gjetje, pasi herë pas here publikohen në shtyp apo në internet, shkrime, piktura, opera, poema krijime dhe libra, të vjetra dhe të rinj, nga shqiptarë dhe të huaj. Ne ndjehemi krenarë dhe nderim për kombin, ca më shumë Sokoli, sepse epoka, lavdia, fama dhe vepra e Skënderbeut, vazhdon të gjallojë edhe në ditët  e sotme, edhe pas më shumë se pesëqind e pesëdhjetë vjetësh, që ai u nda nja jeta, nga shpata, nga lufta dhe mëmëdheu, për mbrojtjen e truallit arbëror.

Autori, Zannovich, Stephan, apo Stiepan, nuk na tregon ku është mbështetur, por nga mënyra e të shkruarit duket se është me mjaft kulturë dhe njohje historie. Vetë ky libër na flet në heshtje, se pavarësisht kohës goxha të ngjatë, të treqind vjetëve më pas, madhështia e veprës së Skënderbeut nuk ishte fashitur, por gjallonte madhërisht në rrethet letrare dhe artistike të kryeqendrave të Europës. 

Nuk ka asnjë mëdyshje, se ishte vepra e Marin Barletit, “Historia e Skënderbeut”, e shkruar në latinisht dhe  e botuar në Romë, midis viteve 1508-1510, që jo vetëm e bëri Barletin të famshëm, por ajo u bë edhe burim kryesor i një literature të gjerë, të shkruar në disa gjuhë të ndryshme dhe sot në shqip. Nga ajo vepër por edhe fakte e dokumente të tjerë, krijuesit, poetët, artistën dhe historianët morën frymëzimi e guxim, të ndriçonin figurën madhështore të kryetrimit shqiptar. Autori, njohës i disa gjuhëve, e plotëson kuadrin e  figurës së heroit tonë edhe me të dhëna të tjera të kohës, që vijnë nga dokumente dhe libra të tjerë të shkruar, ashtu dhe nga ngjarje, ndodhi, rrëfime e histori të dëgjuara nga bashkëkohësit, duke i dhënë librit “fytyrën”, mendimin dhe individualitetin e tij. 

Lexuesi, ashtu si unë, mund të shtrojë pyetje, pse citohen vetëm dokumentet të botës? Milan Shuflai, albanologu kroat, që u sakrifikua për Shqipërinë, duke folur për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, jep përgjigje shteruese, duke thënë: ”Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”. Unë shtoj, se edhe fqinjët tanë nuk janë kursyer të zhdukin dokumente që bëjnë fjalë për historinë shqiptare. Me këtë rast, unë po citoj studiuesin Nuri Dragoj, që shkruan: “Jepen urdhra të prerë:  “Të digjet arkivi”….. “Ka pasur dokumente të çmuara edhe në Manastirin e “Shën Naumit”, i ndërtuar në shekullin XII-të, të cilat u shkatërruan me urdhër të patrikut grek në vitin 1850 ose 1851. Në këtë rast ata citojnë murgun Serafim, autor i këtij akti vandalizmi: “…Sa më ka kushtuar për t’i shkatërruar të gjitha këto! Por patriku më ka urdhëruar tri herë radhazi….”. Nuri Dragoj. “Shqiptarët dhe Grekët. Realitete historike”. Faqe 49.

Në libër, pavarësisht nga romantizmi, që jo rrallë herë përfshin edhe historianët, kur bëhet fjalë për figura të ndritura si Skënderbeu, që bënë epokë, ndaj nuk duhet të çuditemi kur ndeshim të tilla fjalë plot adhurim: “Këtu pushon Kastrioti, ai, SKËNDERBEU! Sa i shkathët ishte ai! Sa i drejtë ishte ai!…Çfarë modeli për mbretërit!”. Shkruan autori Zannovich Stephan. 

Bindemi shpejt në këto vlerësime, mjafton të lexojmë:

“Gjergj Kastrioti kishte një ndërtim fizik trupi shumë të fortë. Njeriu mund të shihte kokën e tij  të ngrihej mbi ushtarët e tij. Ai kishte një hundë shqiponje, lëkurë të bardhë të spërkatur me tone trëndafili, ballin e gjerë… Portreti që i ngjan më shumë, është ajo që kanë në Galerinë e Madhe në Toskana. Ai ka një mjekër të plotë, kryqin e Shën Gjonit, të cilin e mbarti me përkushtim dhe çizmet e verdha, që ishin zbukurimet e  tij të zakonshme”.

Në të gjitha shkrimet historike, që nuk kanë reshtur prej shekujsh, lartësohet me fakte dhe dokumente roli dhe shembulli unik i prijësit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Besoj se mjaftojnë vetëm këto pak radhë: “Kjo mbështetje ishte aq e veçantë sa, në vitin 1457, Papa Calixtus III, e shpall Skënderbeun “Kapiten-Gjeneral të Selisë së Shenjtë, duke i dhënë atij edhe titullin “Atlet i Krishtit”… Madje ishte planifikuar që nga Papa Piu II, Gjergj Kastrioti të shpallej në mënyrë solemne mbret i Shqipërisë dhe udhëheqës i koalicionit të gjithë krishterë në mbrojtje të Evropës prej osmanëve”. 

Nuk na befason edhe një fakt tjetër: Perandorët gjermanë e quajtën atë: “Shqiponja e gjallë ë krishterimit”. Faqe: 118

Cilido lexues i zellshëm, në përfundim të librit gjykon, se kjo vepër është një dëshmi më shumë për t’u thyer penën atyre që u duket vetja “origjinal” dhe hedhin baltë, apo vënë në dyshim emrin dhe veprën madhështore të heroit tonë. Mjafton të citojmë pak fjalë të thëna nga bashkëkohës dhe personalitete të botës, madje më bukur nga të gjithë të tjerët, nga kundërshtarët e tij të betuar: 

 “Mehmeti II, duke folur për Skënderbeun, u tha gjeneralëve të tij: “Unë do ta njoh gjithmonë Kastriotin në fytyrën e tij, por kurrë mbi supet e tij, sepse ai kurrë nuk më ka kthyer shpinën.”. faqe: 121.

Një vlerë tjetër e shtuar në faqet e librit, janë këshillat që Skënderbeu, në çastet e fundit të jetës së tij, i jep të birit Gjonit të vogël. Është një veprim i menduar mirë: Skënderbeu nuk ishte vetëm luftëtar trim, guximtar, prijës popullor dhe burrë shteti, por edhe një prind shembullor dhe mbi të gjitha një njeri që luftoi për vendin e tij, duke dhënë prova për zgjuarsi, qëndrueshmëri, besë fjale, ndershmëri e drejtësi. Po rendis pak nga shumë të tjera:

. Në qoftë se nuk e largoni dhunën, mjerimin dhe shpifjen, përmes shembujve të mirë në veçanti, atëherë të gjitha urdhrat tuaja nuk do të shërbejnë asgjë, përveç rritjes së krimit dhe shpifjeve.

. Njeriu duhet të adhurojë e të kultivojë virtytin themelor të fronit. Virtyti nuk është qenie me hije.

. Nuk është madhësia e një vendi në ruajtjen e fronit, por aftësia e atij që ulet në të.

. Kur ti ke virtytet e një udhëheqësi besnik, lakatarët dhe të ligjtë largohen prej teje. 

. Kur keni marrë në duart tuaja votëbesimin për qeverisje, kini kujdes drejtësinë, e cila është baza e të gjitha virtyteve   

. Sigurohuni që kombi juaj të ketë edukatë për fenë, por mos persekutoni dhe mos detyroni askënd ta përvetësojë kundër vullnetit të tij. 

. Dielli i cili është shëmbëllim i Perëndisë, shkëlqen pa asnjë dallim, si për turkun ashtu edhe për krishterin.

. Kushdo që ju këshillon të luftoni për kauzën e zotit është një mashtrues që dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për përfitimet e tij.

. Një njeri mosmirënjohës është më i përbuzur nga të gjitha qeniet.

Shumë nga këto fjalë të mençura, vendosur në gojën e kryetrimit, janë bërë pjesë e kujtesës dhe shpirtit tonë, si mësime të urta popullore. Çuditërisht shekujt nuk i kanë zbehur. Disa janë përmendur edhe në veprën e Marin Barletit. Madje kanë frymëzuar edhe artistë të arteve pamorë që të krijojnë vepra arti më vlera madhore.

 Mund të përmend grupin skulpturor “Porosia e Skënderbeut”, Terrakotë, (Baltë e pjekur), nga artisti Hytbi Tarelli, dhuruar e vendosur në muzeun historik të qytetit të Lezhës.

Mrszhi:  “Thuprat një nga një i thyen edhe një fëmijë, ndërsa po t’i bashkojmë nuk i thyen edhe burri më i fuqishëm?

    Punë e vendosur në Muzeun e Lezhës

Jam i prirur të mendoj, se pak rëndësi ka ky frymëzim, krahasim apo ngjasim, ngjizur në frymën e kohës dhe që vazhdon ende e pranishme në botën shqiptare. E dobishme është dhe duhet të jetë që, në fare pak fletë, të përmblidhen të gjitha këto porosi, si një broshurë xhepi, apo doracak i vogël, që t’u jepet nxënësve tanë nëpër shkolla, pse jo edhe politikanëve tanë, që t’i kenë në tavolinat e punës së tyre.

Mirënjohje Sokol! Kjo vepër plot atdhetari e shqiptari e vlen mundimin tuaj. Është një zbulim që kërkon vëmendje, sepse solle në letrat shqipe një gur të çmuar, që plotëson literaturën e shkencave historike, mbi epokën e ndritur të Skënderbeut. Kjo na bën të ndjehemi krenarë, për t’u bashkuar më shumë drejt shqiptarizmit tonë.

Suksese në udhën e krijimtarisë, për vepra po kaq të bukura dhe me vlera.  

Kadri Tarelli

Vjeshta e tretë. 2021.

Shënim:

Shkrimtari dhe studiuesi Viron Kona, në fund të një shkrimi të tij të hollësishëm, kushtuar këtij libri, vendos një shënim, që paraqet mjaft interes për lexuesin: 

Nga kërkimet që ka bërë përkthyesi, z. Sokol Demaku, për të mësuar diçka më shumë rreth autorit të librit: “I madhi Castriot, me llagap Skënderbeu, Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit”, deri më sot del: Zannovich, Stephan ka lindur në Budva, “Shqipëria veneciane”, më 18 shkurt 1751, dhe ka vdekur në  Amsterdam, Republika Hollandeze, 25 maj 1786. E kanë quajtur edhe me emrin Hanibal, ishte një shkrimtar i “Letrave Turke”. Ai ka shkruar në italisht, frëngjisht, latinisht, gjermanisht dhe serbisht… 

Giacomo Casanova e përmend Stefano Zannovich, i cili “bëri një vizitë në Vjenë nën aliat e Princit Castriotto d’Albanie”. Nën presionin e autoriteteve, ai u largua në fund të korrikut 1784, për në Poloni dhe, më vonë për Hollandë (Provincat e Bashkuara). Zannovich ka bërë një punë të madhe dhe me përkushtim rreth Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit kur ishte në Holandë dhe në Gjermani, pasi nxori në dritë librin e tij kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Është interesant se si erdhi libri i Zannovich në Suedi, të përkthehet nga Anders Zetterberg dhe të botohet në gjuhën suedeze, në vitin 1788, në Stockholm…

Filed Under: LETERSI

QENI DHE HANA…

November 29, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI

Në një mbrame vonë një qen po shikonte hanen. Nuk po i besonte syve të vet! I dukej ma afer se kurr! Ndoshta, i ishte krijue idea se hana edhe mundet me ra…  

Ai po e priste nga minuti në minut ramjen e saj, mbasi kishte kuptue lëvizjen e saj në rrotullim, po nuk po kuptonte se a po lëvizë toka ku ishte ulë, dhe po shikonte naltë… 

Pema ishte aty ku e gjeti porsa erdhi me vrojtue hanen… As ajo nuk duket se lëvizë… 

Porsa perqendrohej me sy nga hana, i prishej pamja e saj nga shkelqimi i yjeve. Edhe ata nuk i merrte vesht a lëvizin apo edhe ata rrotullohen me hanen në drejtim të tokës, gja që edhe e frigonte ramja e tyne si copa zjarri…

Nuk vonoi dhe iu afrue një deputet i PS që kishte në dorë një foto, që qeni porsa e pau filloi me leh… Prap ju me kete ujk në dorë!?… As qenit nuk ju besue se ai, kishte në dorë foton e everit… Vertetë u tmerrue i shkreti qen kur pau foton e atij krimineli që kishte masakrue Popullin Shqiptar per ma shumë se një gjysem shekulli… Filluen me i rrjell lotët qenit shkretë… 

U bane sa e sa vite që ai ujk na pat shkye edhe klyshët tonë… 

E ju vazhdoni me na e sjellë per me na frigue me foton e tij…! Filloi i shkreti qen me u topitë nga frika… 

Nuk ishte i zoti as me leh… Kishte harrue qeni se ishte data 29 nandor… Priste kot kur, po del drita… Ashtu, si po presin edhe … Shqiptarët tash 30 vjet kur po del ajo.., dritë… 

Melbourne, 29 Nandor 2021.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2545
  • 2546
  • 2547
  • 2548
  • 2549
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT