• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THE NEW YORK HERALD (1933) / SIR ROBERT MACLEODE HODGSON, AMBASADORI I BRITANISË SË MADHE NË SHQIPËRI : “JA ARRITJET E SHQIPËRISË NËN UDHËHEQJEN E MBRETIT ZOG”

November 24, 2021 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Nëntor 2021


“The New York Herald” ka botuar, të martën e 3 janarit 1933, në faqen n°5, deklaratën e Sir Robert MacLeode Hodgson (ambasador i Britanisë së Madhe asokohe në Shqipëri) mbi arritjet e kombit tonë nën udhëheqjen e Mbretit Zog, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : (Speciale nga The Herald.)
Tiranë, e hënë. — Vlerësimi i Evropës për përparimin e shpejtë që ka bërë Shqipëria nën mbretërimin e Mbretit Zog I u ilustrua këtu në festën kombëtare, kur Sir Robert MacLeode Hodgson, ministër britanik dhe dekan i trupit diplomatik, bëri një homazh sinjalizues për vendin.
Në prani të monarkut, i cili argëtoi diplomatët, Sir Robert kujtoi çrregullimin dhe prapambetjen e Shqipërisë 20 vjet më parë.
“Ne, kolegët e mi dhe unë, e shohim me sytë tanë përparimin e këtij vendi,” tha ai. “Njëzet vjet më parë çrregullimi ishte rregulli i vetëm, të gjitha llojet e ndërlikimeve dobësonin kombin, nuk kishte mjete lëvizjeje dhe nuk bëhej fjalë për një qeveri qendrore.”
“Tashmë rendi dhe paqja janë siguruar, një rrjet rrugësh krejt i mbaruar ose në ndërtim e ka përhapur (zhvilluar) vendin, shkollat dhe gjykatat e drejtësisë ekzistojnë kudo dhe është krijuar një sistem administrimi në të gjitha degët. Në një 20 vjet Shqipëria arriti të ngjitet në vendin e saj të duhur.”
“Unë jam për të gjitha reformat që janë të dobishme për komoditetin dhe prosperitetin e Shqipërisë,” tha Mbreti Zog para asamblesë.
Spitale të reja janë ndërtuar, po hapen shkolla, po kultivohen arat dhe lindi një letërsi e re shqipe. Është formuar një shoqëri e arteve, ndërsa një teatër kombëtar dhe një akademi muzikore pritet të pasojnë institutin e ri dramatik të hapur së fundmi në Tiranë.
https://www.darsiani.com/la-gazette/the-new-york-herald-1933-sir-robert-macleode-hodgson-ambasadori-i-britanise-se-madhe-ne-shqiperi-ja-arritjet-e-shqiperise-nen-udheheqjen-e-mbretit-zog/

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

Shkolla shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit kuq e zi edhe në online

November 24, 2021 by s p

Sonilda Kadria/

Nëntori mbart datat më të shënuara për kombin tonë. Diaspora feston kuq e zi. Shkolla shqipe “Alba Life” në Nju Jork këtë fundjavë festoi 109 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në çdo degë të saj (Bronx, Brooklyn,Queens dhe State Island) , si edhe në online. Shkolla shqipe me një përvojë 14 vjecare, tashmë festimin e festës së 28-29 Nëntorit e ka përvetësuar si një traditë të shënuar në planin e saj vjetor duke organizuar evenimente e programe të mëdha artistike . Klasa jonë me grupin e më të vegjëlve të titulluar si Filizat e Alba Life shkëlqenin si flamuri ynë me veshjet e tyre e gumëzhinin me këngët e vjershat kushtuar atdheut, gjuhës dhe flamurit. Pjesë e atmosferës festive ishte dhe vajza ime e vogël Amla, që akoma nuk ka mbushur dy vjec, e cila po valëviste një flamur kuq e zi me dorë.Nuk di si të përshkruaj ndjesinë që të japin këta fëmijë tek recitojnë vargjet e Asdrenit “Sa te dua o Shqipëri” apo vjershën “Flamuri” të cilën e recitoi Arabella. Po nuk mund të lë pa përmendur sa bukur Keiti, një vajzë e re që nuk ka shumë që i është bashkuar klasës sonë këndoi këngën “Ty flamur të duam shumë” . Këto ndjesi janë të tilla , si ato që të rrënqethin mishin kokrriza -kokrriza! I tillë ishte dhe momenti tek po dëgjonim “Himnin e flamurit “ dhe nxenësit u ngritën në këmbë dhe vunë dorën në zemër në shenjë nderi. Nxënësit kishin pikturuar flamurin më të bukur në botë me dockat e tyre te vogla. Gjithashtu përveç recitimeve, këndimeve e vizatimeve nxënësit mësuan më shumë rreth këtyre datave dhe ngjarjeve. Mësuan për Ismail Qemalin, mësuan për Nëntorin e dytë, mësuan për Skënderbeun, mësuan për Marigonë,mësuan për Çlirimin e vendit etj. Mësimdhënia online ka bërë që prindërit të përfshihen akoma më shumë në mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe gjithmonë e më shumë ata po bëhen bashkëpunues për të çuar përpara këtë mision kombëtar. Edhe prindërit festuan së bashku me ne, madje disa prej tyre kishin veshur bluzë me flamurin kombëtar. Të gjithë uruam njëri-tjetrin për Pavarësinë e Shqipërisë.Trekëndëshi prind – mësues – nxënës është mjaft i rëndësishëm. Prindërit shprehen se janë falenderues e janë shumë të kënaqur me punën e shkolles shqipe “Alba Life” . Janë shumë krenarë me fëmijët e tyre që po mësojnë shqip. Edhe unë kam mësuar shumë prej tyre, kam mësuar shumë fjalë dialektore prej tyre gjatë orëve mësimore. Ajo çka pata mësuar gjatë studimeve të mia për shqiptarët në diasporë, arbëreshët, arvanitasit, shqiptarët e Amerikës kudo gjetkë po e shoh tashmë konkretisht te shqiptarët e ardhur herët në Amerikë se si e kanë ruajtur gjuhën shqipe, ata flasin një shqipe të vjetër , flasin shqipen të cilën e kanë marrë dekada më parë dhe e kanë ruajtur të tillë, ndërkohë që gjuha shqipe brenda kufirit , në shtetin amë ka pësuar ndyshimet e kohës nën trysninë e standardit e zhvillimeve historike , politike dhe zhvillimit teknologjik. Shumë prej fjalëve nuk ua dija kuptimin. Te bëhet zemra mal kur kaq larg oqeanit në një komunitet shqiptar me numër jo të vogël bukës i thonë bukë e ujit ujë. Jam shumë krenare dhe e lumtur që po festojmë në këtë mënyrë 109 vjet pavarësi, që së bashku me këta nxënës të vegjël, me zemrën flakë për Shqipërinë, ne po çojmë përpara amanetin e të parëve , të rilindasve e të atyre që luftuan fort për gjuhën e kombin. Gëzuar Pavarësinë Shqipëri! Gëzuar Festën e Flamurit dhe të Çlirimit! Gëzuar Shkolla Shqipe “Alba Life” ! Gëzuar themeluesit e shkollës shqipe, çifti Zylo!Gëzuar të gjithë ju kolegë , nxënës e prindër! Gëzuar festën kombëtare të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës! Gëzuar për jetë e mot!New York , Nëntor 2021

Filed Under: Komunitet Tagged With: Sonilda Kadria

AMBASADORI WILLIAM WALKER: PUNONI PËR KAUZËN QË BASHKON TË GJITHË SHQIPTARËT

November 24, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

May be an image of 1 person and standingJavën që kaloi pata nderin të merrja pjesë si i ftuar në aktivitetin e “Akademisë përkujtimore në 66 Vjetorin e Ditëlindjes së Komandantit Legjendar, Heroit të Kombit, Adem Jashari dhe 109 Vjetorin e Pavaresisë së Shqipërisë.”  Ky aktivitet u organizua nga Shoqata Shqiparo- Amerikane “Skenderbej” Inc., dhe Shkolla Shqipe “Alba Life”, të dyja me qëndër në Nju Jork, si dhe në Online. I ftuar i posaçëm në këtë tubim ishte edhe ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, William Walker — ish-shefi i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, i cili erdhi enkas nga Washingtoni për të marrë pjesë në këtë aktivitet dhe për të përshëndetur, me këtë rast, komunitetin shqiptaro-amerikan në sallën “Illyria” të siguruar nga politikani shqiptaro-amerikan, Mark Gjonaj, pikërisht për aktivitete të tilla dhe të tjera, në lagjën Bronx, New York.

Ambasadori Walker, si mik amerikan i dalluar i Kombit shqiptar, vazhdimisht dhe shpesh merr pjesë në organizime të ndryshme të komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara , ndërsa ndjekë me kujdes edhe ngjarjet politike në Kosovë, Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Përendimor.  Thonë se miku i mirë dallohet në ditë të vështirë. Për shqiptarët e Kosovës, nuk kishte më mik të mirë atë ditë të vështirë të Janarit, 1999, se Ambasadorin William Walker i vendosur në atë kohë në Prishtinë, në krye të Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë.  Zot ruajna të kishte qenë ndonjë tjetër shef i këtij misioni, nga ndonjë vend tjetër anëtar i OSBE-së në atë detyrë kritike për atë kohë në Kosovë – si shef i Misionit Verifikues të OSBE-së. Por ishte amerikani William Walker, të cilit nuk i trembej syri as nuk kishte frikë nga kriminelët e Millosheviçit.  Me të dëgjuar se diçka e tmershme kishte ndodhur në Reçak, me 22 Janar 1999 – në një ditë e ftohtë e dimrit në Kosovë — ai niset nga Prishtina për të parë dhe për të qenë vet dëshmitar i asaj masakre në Reçak.  Me të këthyer në Prishtinë, Ambasadori Walker i njoftoi botës të vërtetën mbi masakrën e Reçakut dhe për krimet që po bënte regjimi kriminal i Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës. Ishte ky një alarm i Z. Walker që më në fund bindi edhe ata skeptikë ndërkombëtarë të cilët minimizonin krimet e terroriste serbe në Kosovë, se çfarë po ndodhte, vërtetë, në atë vend. Ambasadori Walker vazhdoi të shërbente si dëshmitar duke folur të Vërtetën e krimeve që po ndodhnin në Kosovë – një dëshmi që më në fund bindi botën se diçka duhej bërë për të ndaluar – para se të ishte tepër vonë — një gjenocid të vërtetë në Kosovë nga forcat terroriste të policisë dhe ushtrisë serbe kundër popullësisë së pafajshme dhe të pa armatosur shqiptare.  Në të vërtetë, apeli i tij tronditës pas masakrës që kishte parë, ishte një thirrje drejtuar botës për një ndërhyrje ushtarake të fortë kundër Serbisë, me qëllim për të shpëtuar nga zhdukja një popull të vogël dhe të pambrojtur.

Sot, 22 vjetë më vonë, miku i shqiptarëve — i Kosovës dhe i Shqipërisë – dekada pas shembjes së komunizmit dhe pavarësisë së Kosovës – Ambasadori William Walker ka një shqetësim dhe një thirrje tjetër për fatin e shqiptarëve. Por kësaj radhe, mesazhi i tij nuk i drejtohet botës së huaj për të shpëtuar shqiptarët nga ndonjë gjenocid i mundëshëm, por u bën thirrje vetë shqiptarëve dhe liderve të tyre që të kujdesën, mbi të gjitha, për interesin kombëtar.  Kësaj klase politike, deri më sot, siç e kam thënë shpesh është, kryesisht, e dështuar anë e mbanë trojeve arbërore — e cila me sjelljet e saja po çuditë botën dhe po zhgënjen shqiptarët me keq-qeverisjen, korrupsionin e thellë dhe mungesën e shtetit ligjor – duke i detyruar shqiptarët të braktisin trojet e veta, në kërkim të një jete më të mirë dhe më të drejtë.  Ambasadori Walker u tha të pranishëmve në tubimin e Nju Jorkut se ndihej shumë i kënaqur që sheh aq shumë shqiptarë, nga të gjitha trojet të mbledhur së bashku “për kauzën shqiptare…jo për kauzën e Shqipërisë, jo për kauzën e Kosovës, por për kauzën që unë mendoj se bashkon të gjithë shqiptarët”, theksoi ish-didplomati amerikan.  Ambasadori Walker tha se ka probleme anë e mbanë trojeve shqiptare, të cilat sipas tij, “mund të përkeqësohen, para se të përmirësohen”. Shqipëria ka probleme, Kosova ka probleme, shqiptarët e Maqedonisë përballen me probleme. Problemet, shtoi Ambasadori Walker, janë të natyrës politike, breznishë, që përçajnë popullin, probleme të llojlojshme që ndajnë e pëçajnë trojet shqiptare, e si përfundim edhe diasporën.  “Është diskurajues fakti”, tha ai, “që Kosova nuk është e bashkuar ashtuqë (aktorët politikë) të mund të bisedojnë së bashku për të zgjidhur ndryshimet që ekzistojnë midis tyre”.  E njëjta gjë ndodhë edhe në diasporë, shtoi Z. Walker. “Unë njoh shqiptarë që unë i respektoj”, shtoi ai, “e të cilët mbështesin Edi Ramën, Sali Berishën ose ndonjë tjetër parti politike. Dhe përsa i përket Kosovës, kur takoj shqiptarë nga Kosova, nuk më duhet më shumë se një minutë për të zbuluar se cilës parti i përkasin, LDK-së, PDK-së, AAK-së.  Këto gjëra”, tha Ambasadori Walker, “tentojnë të ndajnë e përçajnë edhe diasporën aq sa përçajnë edhe trojet shqiptare.  Z. Walker tha se ka shpresë se diaspora do të mund të japë një kontribut më të madh për të ndihmuar, eventualisht në zgjidhjen e disa prej këtyre problemeve. “Përçarjet janë aq të thella, problemet janë aq të mëdha, sa që unë nuk shoh asnjë person dhe asnjë parti politike në asnjë prej trojeve shqiptare që mund të përballet me problemet ekzistuese, në përpjekje për t’i zgjidhur ato. Por nga ana tjetër, theksoi ai, “Diaspora e cila posedon talente dhe breze të reja që kanë mundësi arsimi, që prindërit e tyre nuk i kanë pasur, nëqoftse ata bashkojnë forcat do mund të shihni marrëdhënie më të mira midis diasporës dhe trojeve shqiptare, si dhe përpparim drejtë realizimit të objektivave që kanë të gjitha ato troje” për të ardhmen e tyre. Ai i bëri thirrje diasporës që të punojë për “kauzën e përgjithëshme shqiptare”, jo për një parti politike ose një lider politik.

Siç duket, Ambasadori William Walker e ndjekë për së afërmi situatën dhe zhvillimet politike në Shqipëri dhe në Kosovë dhe si rrjedhim – është, ashtu siç jemi shumë prej nesh — përfshir edhe autorin e këtyre rreshtave modestë — tepër i shqetësuar, për të mos thënë të alarmuar me situatën aktuale konfliktuale politike dhe krejtësisht shpërfillëse ndaj rreziqeve politike, ekonomike dhe kombëtare në përgjithësi, përball të cilave gjënden sot shqiptarët, anë e mbanë trojeve arbërore.

Në fjalën e tij para 250-300 shqiptaro-amerikanëve të cilët ishin mbledhur fund javën e kaluar në sallën e re “Illyria” në Nju Jork – ku pata nderin dhe privilegjin t’isha i ftuar edhe unë — për të kujtuar Heroin Legjendar Adem Jashari në 66-vjetorin e ditëlindjes së tij dhe për të festuar 109-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – Ambasadori Walker u bëri thirrje shqiptarëve kudo gjënden – dhe sidomos liderëve politikë shqiptarë – që të vendosin mbi gjithçka tjetër, interesat kombëtare. Apeli i drejtë për drejtë i një miku të Shqiptarëve, i cili ia do të mirën Kombit shqiptar – jo vetëm në një ditë të vështirë – por gjithmonë, u bëri thirrje shqiptarëve dhe liderve shqiptarë duke iu drejtuar, pak a shumë,me këto fjalë:  Vendosni kombin tuaj mbi egot tuaja, mbi interesat politike, mbi liderët politikë. Promovoni interesin dhe komunitetin shqiptar kudo në botë. Unë sot jam këtu për ta bërë këtë, tha Z Walker.

Për ata që kanë veshë për të dëgjuar dhe sy për të parë, duke marrë parasysh gjëndjen aktuale brenda dy shteteve shqiptare si dhe marrëdhëniet ndërshtetërore Shqipëri-Kosovë, nuk besoj se ka këshillë më të mirë për klasën politike konfliktuale shqiptare, anë e mbanë trojeve arbërore, sidomos në këtë javë të pavarësisë së Shqipërisë, nga një mik i madh i Kombit Shqiptar, siç është Ambasadori William Walker. I cili po të mos kishte pasur guximin të shkonte në Reçak at ditë të Janarit 1999, nuk di si të qëndronin punët sot me Kosovën dhe me të drejtat e shqiptarëve në trojet dardane, në përgjithësi.  

Të shtunën që kaloi, Ambasadori William Walker nuk foli për ndonjë rrezik që u kërcënohet sot shqiptarëve nga të huajt, por si një vërejtës i gjëndjes aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë – m’u duk sikurë ai paralajmëroi shqiptarët që të kenë kujdes nga rreziku i përbrendëshëm – nga konfliktet dhe grindjet politike ndër-partiake dhe mosmarrveshjet ndër-shtetërore Shqipëri-Kosovë dhe midis liderve të tyre. Është ky një paralajmërim që, At Gjergj Fishta pothuaj 100-vjet më parë, ia ka drejtuar klasës së atëherëshme politike shqiptare, mbi rrezikun e përbrendshëm, që sipas tij i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarve. Paralajmërimi i Fishtës — thënë me fjalë tjera nga Ambasadori William Walker, për të përshkruar aktualitetin e sotëm politikë në botën shqiptare — është aktual për politikën e sotme dhe përball rreziqeve me të cilat po përballen sot Shqipëria dhe Kosova. “Rreziku i përbrendshëm”, në kohën e Fishtës ishin “vagabondët, sallahanët, të shiturit”, ndërsa sot, jo fort ndryshe nga atëherë, janë liderët autoritarë modernë, pretendues të pushtetit,  të korruptuarit, përfshir politikanët në nivelet më të larta, trafikantët, dhe pazarxhinjtë e trojeve. “Kombi s’do rrejtë! Kombit i duhen çelë sytë!”

Ambasadori William Walker për shumicën e shqiptarëve kudo, ka lenë gjurmë të thella dhe vulë të pashlyeshme në historinë e Kosovës dhe dhe të mbarë Kombit shqiptar, prandaj fjalëve të tija duhet t’u vihet vesh.  Interesat kombëtare mbi të gjitha, porositi ai, në këtë javë të pavarësisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve! Porositi miku i shqiptarëve, në një tubim të shqiptaro-amerikanëve në Nju Jork, në kujtim të Adem Jasharit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Të atij Adem Jasharit i cili vendosi mbi të gjitha — interesat kombëtare të Shqiptarisë dhe të Kosovës — duke sakrifikuar to çdo gjë të shënjët në jetën e tij, përfshir familjen. Nepërmjet fjalëve të William Walker drejtuar shqiptarëve të Nju Jork-ut të shtunën që kaloi, edhe Komandanti legjendar Adem Jashari u bëri thirrje shqiptarëve kudo dhe sidomos liderve të tyre aktualë, që të nderojnë, të respektojnë dhe të kujtojnë sakrificat e tija, të familjes Jashari dhe të gjithë deshmorëve të renë për liri e demokraci, duke vendosur kombin mbi egot tuaja, mbi interesat politike dhe mbi liderët tuaj aktualë politikë, sidomos, në këtë kohë mjaft kritike për mbarë Kombin shqiptar. 

Frank Shkreli

May be an image of 3 people, people standing, fruit and text
May be an image of 13 people, people standing and indoor
May be an image of 7 people and people standing
May be an image of 2 people and people standing

            Z. Qemal Zylo duke i dorëzuar Amb. Walker Çmimin e Mirënjohjes

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

“28 NANDOR”

November 24, 2021 by s p

Kujtime…

images

Pergatiti: Fritz RADOVANI
Melbourne, 24 Nandor 2021.

At Pjeter Meshkalla S.J.

Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë, nuk di se çfarë do të kénë mendue shumica e Shqiptarëve!? Përgjithësisht pesimizëm: Jo pse nuk donin Shqipninë e Lirë, por pse nuk e besonin. 

Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë gjaku i nxehun që vlonte nder déj (damar) të njomë u trumhas: Një nervozizëm i egër na pushtoi; kénka pra, një Shqipni! 

Nervozizmi kishte ngritë krye edhe përpara ndër fëmijët kur Shqiptarët ishin, por Shqipnia ende nuk ishte. Të mdhajët na thonin se njêllim zi… Na u gjuenim me gurë përditë e përnatë… kërkonim në vedi antagonizëm edhe ku nuk kishte… 

Shkolla, mësimet, librat, kokordat (shenjat dalluese) kuq e zi, flamurthit me një gjylpanë për shtizë, kangët e lirisë, jerm, kllapi! 

Paj vjerrshën “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, e lexova sëpari ndër banka të së dytës fillore, kah kalonte tue u strukë prej një libri në tjetrin. Kot mësuesi i ngratë shkyente zanin tue na britë: “Pandigjesë (disiplinë) e studim, ku do të përfundoni ju e Shqipnia me gjithë kangë e kokorda!?” Kujt i flet?… Por edhe na nuk kishim faj: Ishte tharmi që përzinte brumin, tharmi që shkatrron.., e pertrinë… 

Binim me fjetë… Ndër “boka”(kodra) kriste pushka pa pushim, si të kishte kenë një shprazje e vetme mitralozi: Malësoret, Turku, Mali i Zi, !?

Në fund të fundit qé, e vërteta: Ishte një popull, që kërkonte-ndoshta, pa e ditë mirë se si të rrnojë; por, kërkonte me rrnue si popull. Sot njëzet e sa vjet, u mbajshin andrrues ata pak “poet”, që pohonin se ka Shqipni. Sado me i pasë mpref sytë, sado me e pasë ngreh dylbinë… nuk u dukte kurrkund! 

E pra, ishte shumë ma afër se u mendonte! Ndër zemrat e shumë Shqiptarëve qëndronte endè gjallë flaka e Atdheut, trashigue prej të Parëvet, por e mësheftë; ma fort se flakë, mund të quhej prush nën hi, gati me nxjerrë shkëndija. 

Sot, ka Shqipni e, ka edhe ndërgjegje Shqiptare!

Gacat (thëngjijtë) kanë nxjerrë shkëndia, shkëndijat edhe janë bâ flakë… Askujt nuk ia ep ma ndërgjegja me na e pré rrugën; kurrnjë Shqiptarit me u kthye dalë (mbrapa)! 

Kemi endè shumë të meta; e dijmë… Kemi ba shumë gabime; kush nuk gabon? Por, tue zhdukë dalëngadalë të metat, tue njohë e tue ndreqë gabimet, a thue do të jetë kush me na thanë se po zmbrapsemi mbi gjurmët e shkeluna?! Jo, kurrë! Kjo nuk asht zmbrapsje, ky asht Përparim!

Zhvillimet e reja bijnë me vehte kurdoherë guxim, guximet të fusin shpesh në mjegull, nëpër mjegull lindin mosmarrveshjet. Dalngadalë shpërndahet mjegulla; po të jenë vullneti i mirë marrveshja lind rrugës e, mbas saj edhe bashkëveprimi. 

“Përparimi nuk asht tjetër përveçse tradita në ecje”, thotë një shkrimtar francez. Por, tradita në çdo popull i ka disa baza themelore, të palëkundëshme, sepse janë të vendosuna mbi shkamb të të drejtave të natyrëshme të njeriut. Përballë këtyne të drejtave vullneti i mirë përkulet; vetëm kështu asht e mundun marrveshja e bashkëveprimi. Trinomi i lumtunisë: Vullneti i mirë, marrveshja, bashkveprimi.

Binomi i shkatrrimit: Dy kuaj të një qerrje që tërheqin, por që nuk tërheqin. Por, na nuk duem shkatrrim! Duem Përparim e Shqipni të lumtun! 

Përparimi asht shkalla e lumtunisë.

Përparimi asht fryti i veprimit simbas parimeve të shëndoshta. Prej Përparimit njihet parimi si landa (druni) prej frytit: Po nuk kjenë të shndoshta parimet, tue përparue ose tue ecë përpara, rruga të nxjerrë në kaos. Përderisa natyra e njeriut asht e arsyeshme, herët o vonë e vërteta nxjerrë krye, mbetët parimi që bazohet mbi të vërtetën, i forcuem tashti të thuesh: Me provë e kundër-provë.  

Ari nxirrët i përziem me baltë e gurë mandej, dlirët (pastrohet). Latini thotë, sé mendja e lehtë i përngjet flamurit (banderolës). Tham se e ka gabim. 

Flamuri përfaqëson përnjëheri e ma së miri Parim e Përparim: Shtiza e ngulun asht Parimi, pelhura që valvitët asht Përparimi, megjithë atë forfuri të pandalun ngjyrash e refleksësh, me atë fantazmagori dredhimesh, hollimesh, zhvillimesh e kjeshë tue thanë, gadi edhe filmash.

Kur shtiza asht e ngulun në shkamb, qëndron e patundëshme. 

Shkambi asht besimi. Besimi në Perendinë po se po, sepse pa ketë themel nuk ka mbështetje asnjësend; por edhe besimi në vetvehte mbështetet në forcat tona, në Ideal.

Jemi tue u ngjitë një mali thik me pyll të dendun, virgjin, të panjohun: Një copë shteg i mirë asht çilë, shumë ma tepër mbetet me u çilë, por kemi besim të ngultë se dikur do t’i kapemi majës, Idealit. Ky besim do të na bajë me vlue gjakun ndër déj, do t’u japi fuqi gjymtyrëve të lodhuna prej përpjetës, do t’i kthéjë entuzjazëm për me fluturue zemrës së lëshueme. 

Na, Shqiptarët, deri tash vonë e kemi pasë një të métë fatale: kemi pasë shumë pak besim në fuqitë tona. E, atëherë, rri të rrimë!! Tue ushtue nëpër krepa e ferra na ka pikue gjaku, na ka zanë nata.., jemi kthye mbrapësht, secili në punë të vet. 

Rri të rrimë!..

PËRPARA!… Shteg më shteg, derisa të dalim rishtas në drejtim!

PËRPARA!… Çdo hutim paguhet shtrenjt! 

PËRPARA!… Nëpër ferra, gëmusha, krepa e tërthore!

PËRPARA!… Edhe kur drejtimi të na ketë humbë! 

PËRPARA!… Edhe kur balli, thêmbra e zêmra të pikojnë gjak pikë-pikë! 

Disiplinë e Vullnet e, … Optimizëm!

Pesimizmi kjoftë zhdukë! 

Kriza materiale na ka lodhë. Ka lodhë gjithë Botën… 

Kriza shpirtnore kishte me na mbytë!

Pesimizmi thotë: “Më lëshoj zemra… Ka mbarue. Nuk ngrihet ma gja në kambë!” 

Optimizmi thotë: “Zemër…Të gjitha shpresat nuk kanë humbë endè, diçka kemi ngritë në kambë… Zemër!”. 

Por, nuk asht optimizëm i shëndoshtë ai që thotë symbylltas: Padyshim, gjithshka asht mbarë, ma mirë nuk ka si bahët!”. 

Ky do të ishte ma i rrezikshëm se pesimizmi vétë. Përkundrazi, nuk asht pesimizëm ai që çilë sytë me pa si të mirën,si të keqën. 

Po! Do t’u dalim përballë fakteve me i shikue në fëtyrë ashtu siç janë; me të mira e me të këqija që zbulojnë e mshefin. Por, ky realizëm e objektivitet nuk do të ketë fuqi me shue flakën e Idealit, nuk do të na bajnë as pesimistë as indiferentë: 

Ideali, nuk do të na bajnë as pesimistë as indiferentë: Përndryshej kishte me na ardhë fundi, sigurisht! 

Me vapën entuziastike të optimizmit ndoshta, sigurisht, do të dalim në breg! Egoizëm e abnegacion, edhe këto janë fjalë të hueja por, që kuptohën lehtë në rrethe shoqnore të kulturueme e të mesme. 

Për me kalue ndonjë ujë hidhën mbrendë në té gurë të mdhaj e të vogjel: Të parët, të dytët, të tretët.., zhdukën e nuk shihën ma, hidh e hidh e tèk e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prap hidhën të tjerë.., derisa bahet i mujtun kalimi, keq o mirë, po bahet; ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë! Na jemi gurtë (të mëdhaj o të vogjel), të hjedhun në fillim, që zhdukën e nuk shihën ma, por janë në themel të parë! 

Qé, ambicioni i themelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma!

Egoizëm… Abnegacion!

Utopi, me mendue sé të gjithë sa janë Shqiptarët do të kërkojnë njëditë të mirën e Atdheut e Ndérën e Flamurit pa kurrfarë interesi egoistik. Padyshim, të gjithë e kanë për detyrë; por për me i ra shkurt, secili lè t’ia nisin ma i pari.

Utopi, me mendue sé të gjithë sa janë Shqiptarët njëditë do të puthen në ballë! Po nuk kje një antagonizëm, nxjerrë krye një tjetër; po kërkuem me zhgulë një rranjë marrin frymë e ushqim njëqind të tjera të helmueme. A nuk asht ma mirë me shndrrue antagonizmin brutal në emulacion të natyrshëm e veprues?

STAFETA: Të Parët tonë na e dorzuen të ndezun flugun (zéllin) e Atdhedashunisë lidhë me Flamurë; në vrap na e dorzuen e të bamë féle-féle (copa-copa). 

Çka kishte me thanë brezi i ri që po na rritët ndër sy, po nuk ia dorzuem atij gjithnjë në vrap Visarin e Shénjtë?!

Prej të Parëve pritëm një Shqipni të Lirë! 

Nipat presin prej nésh një Shqipni të lumtun!..

                                                                                               Psim

Psim – Asht pseudonimi i At Pjetër Meshkallës S.J.

Artikulli asht marrë nga revista “Leka” 1933, nr. XI, XII, fq.  337-340.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani

Faton Bislimi: Lugina e Preshevës mbetet pika më domethënëse dhe më prekëse e kauzës sonë kombëtare

November 24, 2021 by s p

Lugina e Preshevës mbetet pika më domethënëse dhe më prekëse e kauzës sonë kombëtare. Në cilësinë time si Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, lobit tonë në SHBA, organizatës së vetme lobiste të regjistruar në Washington, DC që nga 1989, sot isha në një vizitë e mision fakt-mbledhës në Luginë sipas kërkesës së miqëve tanë të fuqishëm në Capitol Hill. I falëmnderoj për mikpritjen dhe diskutimet e frytëshme znj. Ardita Sinani, Kryetare e Preshevës, z. Ragmi Mustafa, Nënkryetar i Preshevës, z. Nagip Arifi, Kryetar i Bujanocit dhe z. Ragmi Mustafi, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar. Bashkëbisedim virtual kishim edhe me z. Shaip Kamberi, Deputet në Parlamentin e Serbisë, me që ai ishte me angazhime në Parlament. Nuk ka organizatë tjetër që ka punuar më sistematikisht sesa lobi ynë për të ngritur çështjen e Luginës tek qarqet kyçe të politikbërjes së jashtme amerikane, veçanërisht në Kongresin e SHBA-ve, tash e gati dy dekada. Diskriminimi nacional e njerëzor i Beogradit, që përjetojnë çdo ditë motrat dhe vëllezërit tanë në Luginë është jo vetëm i papranueshëm, por edhe i papërballueshëm tutje. Secila ditë e humbur nga Tirana e Prishtina zyrtare për të vënë në ballinë të një strategjie gjithëkombëtare çështjen e Luginës është fitore për planin dinak e të heshtur të Serbisë për spastrim etnik të asaj treve. Si Ligë, bashkë me miqët tanë në Washington, DC, do vazhdojmë me intensitetin e përkushtimin më të lartë të sjellim në vëmendje të Amerikës dhe partnerëve tjerë ndërkombëtar kauzën e drejtë të shqiptarëve autoktonë të Luginës. Me zemër të rënduar nga realiteti i zymtë që pashë direkt, u ndava nga Lugina sot fizikisht për të vazhduar misionin tim në Capitol Hill nesër, ashtu që bashkë me lobin tonë në SHBA të sjellim jo vetëm shpresën por edhe përkrahjen e nevojshme e domosdoshme për lirinë e barazinë shqiptare në Luginë! Tjetër derë nuk kemi!

Filed Under: Analiza Tagged With: Faton Bislimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2561
  • 2562
  • 2563
  • 2564
  • 2565
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT