• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GAVRIL DARA I RIU ( 8 janar 1826 – 15 NENTOR 1885)

November 15, 2021 by s p

Saimir Z. Kadiu/


Gavril Dara i Riu, nje nga poetet e hershem te Rilindjes sone Kombetare u shua 136 vjet me pare me 15 Nentor 1885 ne Agrigento (Itali). Lindi me 8 janar 1826 ne Palazzo Adriano, qytet i vogel ne Siçili. Eshte pasardhes i nje prej shume familjeve arbereshe qe emigruan nga Arberia ne Itali pas vdekjes se Skenderbeut ne fund te shekullit te XV. Dara i Riu bëhet poeti trashëgimtar, pra brezi i tretë i një familjeje me kulturë kombëtare, ku kishin bërë emër gjyshi i tij Gavril Dara Plaku, dhe i ati Andrea, veçanërisht në mbledhjen e folklorit arbëresh. Kjo trashëgimi kulturore familjare ashtu dhe talenti i tij do të përbëjnë shtratin krijues që prodhoi poezinë e tij të madhe.Dara mbaroi seminarin shqiptar të Palermos dhe përfundoi studimet për drejtësi dhe punoi si avokat. Si njeri i zoti në fjalë e në veprime, mori pozita administrative në disa qytete. Botoi një fletore letrare me emër Paligenesi, që merrej me letërsi italiane. Në Romë, në vitet 1871-1874, drejtoi të përkohshmen La riforma. Fundin e jetës e kaloi në qytetin Agrigento.Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu mbetet poeti më i shquar arbëresh. Vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, “Kënga e sprasme e Balës” konsiderohet një ndër kryeveprat e letërsisë sonë.Palazzo Adriano, vendlindja e tij, eshte nje vendbanim i rendesishem i arberesheve ne Itali. Kjo edhe sipas ligjit 482/99 te legjislacionit Italian.Nga ky qytet i vogel e ka origjinen edhe Francesco Crispi (4 tetor 1818 – 12 gusht 1901), kryeministri i pare Italian qe vinte nga Italia e Jugut. Ai ka qene per 6 vite Kryeminister i Italise ( 1887- 1891 dhe 1893-1896).Shume i famshem… e kane krahasuar edhe me Bismarkun dhe Gladston. Gjithashtu duke qene shume autoritar eshte konsideruar edhe si paraardhesi i Benito Musolinit. Kjo ishte edhe aresyeja qe gjate periudhes se komunizmit emri i tij nuk eshte permendur asnjehere ne Shqiperi.Crispi kishte origjine te paster arbereshe. Ne nje telegram te vitit 1895 ( kur ishte kryeminister), per çeshtjen shqiptare ai ka folur per origjinen e tij: “Nga zemra dhe nga gjaku jam nje shqiptar dhe gjithashtu nje italo-shqiptar nga Siçilia”.Palazzo Adriano lidhet edhe me filmin me te madh Italian te 50 viteve te fundit… “Kinemaja e re Parajsa” te Giuseppe Tornatores. Pjese te ketij filmi jane xhiruar ne Palazo Adriano…ku ende arbereshet “bejne ligjin”… pjesa tjeter ne Bagheria vendlindjen e Tornatores…Do te kete ndonje lidhje ne prejardhjen e regjizorit te famshem Italian Palazzo Adriano me Bagheria-n?Le ta leme objekt te ndonje postimi tjeter me te gjere per Crispin dhe Tornatoren dhe te shijojme Gavril Daren ( i Riu) me nje pjese nga “ Kenga e Sprasme e Bales”…BALAMori bijë, bijë e Lalës,Moj e bukur, e trishtuar,Pse m`kujton motin e shkuar?Ja, ku mjegulla erretRrokulliset mal më mal!Sa lind dielli malit t`Gropës,Tundet, qesh i thelli shpat.Porsi ti, e bardhë, e kthjellëtCipëza e qiellit shtrihetMe një rreth-o të pasosur,E rimet si ninëza jote.Nga zjarret e pranverësSeç ndriçojnë gjith`kodrinatEdhe tymi ngjyrë hiriMe ret`vete e përzihet,Ngjarë këngës së trishtuar,Që sjell era për së largu.Ja, dhe vashëzat pa brez,Zën` të gjitha dor`më dorë,Të thërresin ty ndër vallet.Pa kujdes këmba e djemveHidhet rëndë ndër kangjellat,Se e kan`zemrën te ti.O ti , lulja e hollë e maleve,O ti , e para e vajzërisë,Ec atje ku në hareDerdhet ari i moshës s`reEdhe zemrën gëzoN`ëndrrën e ëmbël të mëngjesit!Lerja plakut, lerja BalësT`errtët lisa, zhurm`n e lumit,Që, rrëmbyer malit t`egër,Thellon shtratin me përrenjtë,Si mendimi im i shkretë,Që më bren e më përvlonMe të motçmet kujtime.Dyzet herë krahu i dimritRa mbi Honin e mbi BrinjënE i mbuloi e i zbardhëlloiE aq her` bleruan aratE ugareve të Fushës,Qe kur mblodhi dheu i huajT`ikurit e të pafatët;Dhe gëzimi q`atëherëMe nuk shkrepi këso nate,Qe trut` krejt m`i errësoi.Para sysh më fluturojnëVite, trima e pun` të shkuara,Sikur era ndërron retë,I shperndan e i zvarrisE i përzë me frymë e gji.Moti shkon pa u kuptuarPër të shkretin bari,Por mbi ballë të ushtaritBien si plumba këto ditë,Sepse me duar të ftohtaBrenda mu në varr e shtinë.E këto ditë pushimiTë helmuara si vdekjaJan` për Balën, mori vajzë;Pse ky krah, tashti i dobët,Shum `herë ushtën e vërtitiNdër ushtarë e bëmat tonaShumë her` të bukrat vajzaNa i lëvduan e i kënduan.Tashti që eci në shkretëtirëEdhe mbeta gjallë e shkretë,Vrulli i rinis` më lëTë harruar në një skaj.Por veç ti (si rreze qielliLehtë e lehtë dimrit t`egërShkon e gjen t`mjerin bariZbjerrë tek humbja e LlazitDhe gëzon me afsh e dritë)Dhembje ndjen për t`keqen time,Vjen me mua n`errësirë.Dhe ja, para sysh më dalinGjith` bujarët e fuqishëm,Të helmuar e të vrenjtur,si m`u dukën për së larguÇukat e maleve t`dashurKur iu fala që nga detiT`fundit herë e më si pashë.Ju , o bij të motit t`madh,Hapët një të ndritur udhëNë të vjetëvet thellësi.Zulma juaj ndriçoi si djellPërmbi botën e përmbysur;Ajo eshtrat jua shkëlqenAshtu si dielli mbulon,Edhe pasi perëndon,Valët e trazuaraMe zjarr edhe me shkëndija.Por ushtarët s`duan helme,S`duan qarë… por , po deshe,Emri Yt këtu m`kujtonNjë përrallëzë plot lotë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Saimir Kadiu

Edith Durham në letërkëmbim me Midhat Frashërin në vitet 1918-1920

November 15, 2021 by s p

Lindita Komani/

Edith Durham (8 dhjetor 1863 – 15 nëntor 1944) ishte e para ndër tre britanikët që përfshihen në letërkëmbim me Midhatin në vëllimin VI të veprës së tij, të cilën ai e kontaktoi për të filluar letërkëmbimet e natyrës diplomatike. Kjo ndodhi më 21 nëntor 1918, një ditë pasi ai bashkë me Dr.Turtullin kishin nisur zyrtarisht kërkesën tek Ministri i Jashtëm Francez dhe tek Foreign Office për të pasur të drejtën e prezantimit të çështjes shqiptare pranë këtyre institucioneve, që është shenjë e qartë treguese për peshën e madhe që kishte Edith Durham në angazhimin pro Shqipërisë e shqiptarëve. Ndonëse kishin 4 vjet pa komunikuar me njëri-tjetrin me letra, “biseda” mes Midhatit si shkrues dhe Durhamit si lexuese e saj, zhvillohet me ton miqësor, me vlerësimin që bën Midhati për veprimtarinë e gjerësishme të Durhamit për shqiptarët dhe gëzimin që Durham kuptohet që ndien teksa merr vesh me këtë rast që Midhati është mirë.Midhati e nis letërkëmbimin me: “Rreth 4 vjet më pare, në Sofje, mora letrën tuaj të fundit, në të cilën më thoshit se ishit e zënë në Francë në një spital, por kjo nuk ju bënte t’i harroni shqiptarët tuaj. Që prej asaj kohe di gjithë mbështetjen që i keni dhënë kauzës sonë dhe jam i lumtur që t’ju shpreh me këtë letër gjithë mirënjohjen time personale.”Durham e nis përgjigjen e parë (8 dhjetor 1918 që përkon të jetë edhe ditëlindja e saj) me: “Shumë herë gjatë këtyre dy viteve të fundit kam pyetur veten “po ku, pra, ndodhet vallë Mid’hat bej? A është ende gjallë?”. Sepse shumë nga miqtë tanë kanë vdekur në këtë luftë të kobshme. Me siguri keni vuajtur shumë. Shpresoj megjithatë të mbaheni mirë.”Në mënyrë vizionare, Midhati që në letrën e parë parashtron parashikimet e tij lidhur me shanset relativisht të mira që kishte Shqipëria me konstelacionin e ri që ishte krijuar. Ai shkruan:“Mendoj që gjendja e re e krijuar në Lindjen e Afërt nga rënia e Austrisë dhe Turqisë do t’i lehtësojë çështjet e Shqipërisë me anë të kompensimit që italianët, serbët dhe grekët do të jenë në gjendje ta gjejnë tjetërkund, pa patur nevojë të sulmojnë vendin tonë. Shpresoj gjithashtu që rënia e carizmit do ta bëjë Francën më favorizuese në këtë kohë. Përsa i përket Anglisë dhe Amerikës, jam i sigurt që kauza jonë do të gjejë jehonë pozitive atje.” Më 31 tetor 1919 Durham raporton se kishte qenë e ftuar nga The Balkan Committee. Ky komitet funksiononte brenda parlamentit britanik dhe pjesë e të cilit në vitin 1906, sipas të dhënave të gjetura nga ne, ishin 64 deputetë: 55 liberalë, 3 konservatorë dhe nga 6 laburistë [1] Durham shkruan:“[…] i paraqita Komitetit një ekspoze të gjatë për gjendjen shqiptare që nga viti 1913. Sidomos dhashë shpjegime për intrigat franceze, serbe, greke e italiane për të asgjësuar mundësinë e ekzistencës të një Shqipërie. Dhe tregova historinë e vërtetë të “revolucionit” kundër Wied. Pas diskutimesh të ndezura, Komiteti vendosi njëzëri të miratojë propozimin se duhen bërë përpjekje për të shpëtuar të drejtat e Shqipërisë të njohura me anë të traktatit të 1913-ës.”Me këtë rast ajo njofton se e zgjodhën anëtare të Komitetit dhe se ishte e kënaqur për këtë, sepse dikur e linin jashtë dhe Shqipëria nuk kishte përfaqësues. Qysh në këtë ditë, Durham shprehej se Italia nuk do ta kishte “as forcën, as mjetet për të plotësuar ëndrrat e saj imperialiste”. Me interes është edhe qëndrimi i saj për Serbinë. Në letrën e 31 tetorit 1919 ajo i shkruante Midhatit për një episod që duket me vlerë historike. Nga një bisedë me Lady Boyle, e cila gjatë luftës ishte marrë me refugjatët serbë, ajo kish mësuar se zonja në fjalë kishte njohur personalisht oficerin serb që u kishte futur në kokë idenë tre vrasësve të Franz Ferdinand që të shtinin me revolver. Oficeri serb ishte hapur për këtë në një darkë pasi kishte pirë mirë e mirë. Sipas Lady Boyle oficerët serbë në Korsikë ishin sjellë në mënyrë harbute dhe ajo nuk e gjente dot fjalën e fuqishme për t’i denoncuar. Këtë fjalë në fakt arrinte ta gjente shumë të fortë Durham, e cila i ishte përgjigjur si vijon Ledit Boyle:”Për Perëndi, e dija bukur fort një gjë të tillë që në çastin kur u bë krimi. Unë i kam denoncuar serbët qysh në fillim. Por nuk donin të ma vinin veshin.” Tani, veç kur dëgjoj nga burime të shumta se fati i “Serbisë së Madhe” është një anarki e plotë: se vetë serbët, veçanërisht të rinjtë, e shajnë Pashiqin, duke e etiketuar (sipas zakonit të lezetshëm të serbëve) me epitetet më të pista dhe të neveritshme; se kroatët e sllovenët e konsiderojnë despotizmin e Beogradit të patolerueshëm; se oficerët serbë i kamzhikosin egërsisht ushtarët e tyre (gjë e ndaluar me ligjin austriak) dhe i trajtojnë ata me një egërsi të paimagjinueshme; se, kur u vjen rasti, autoritetet civile tregohen edhe më mizore se ushtarakët.”Përsëri lidhur me serbët, më 23 maj 1920 Durham i raportonte e shqetësuar të rejat që ka marrë vesh nga terreni përmes kolonelit Audrey Herbert, i cili prej pak ditësh ishte kthyer në Angli. Serbët po ndërmerrnin një progagandë të egër në Veri dhe të ndihmuar nga Esadi po bënin gjithçka për të bindur popullin të pranonte Serbinë. Ajo në përgjithësi, në këtë datë në të cilën ka shkruar (23 maj), duket se shihte një situatë të trazuar për Shqipërinë, më së pari se shqiptarët nuk ishin të bashkuar, gjë që ia vështirësonte edhe asaj personalisht veprimtarinë në mbështetje të shqiptarëve. Gjithmonë duke iu referuar asaj që kishte mësuar nga koloneli Herbert, ajo shprehte se në atë kohë duhej zgjedhur: “1. Ose bashkim e italianizim; 2. ose copëtim dhe zhdukje në duart e grekëve dhe serbëve”.Ndonëse në letrën e parë për Midhatin Durham shprehej që mendonte që Italia nuk do t’i arrinte dot “ëndrrat e saj imperialiste”, duke ndjekur zhvillimet në terren dyshime kishin lindur brenda saj që ajo i shprehte në një letër të 30 dhjetorit 1919, ku ajo vinte në balancë shtetet që kishin interesa pushtuese ndaj Shqipërisë dhe mes tyre ajo ishte “e mendimit se Italia është njëmijë herë më e mirë se Serbia apo Greqia. Dhe se pavarësia tani është e pamundur, madje edhe vetëvrasje. Duhet punuar e mësuar.” Ajo vazhdonte më tej duke futur në lojë edhe Austrinë që nuk ishte më në hartë si fuqi e madhe dhe shpreh qëndrime që kanë qarkulluar si ndër të huajt ashtu edhe shqiptarët, si në kohën kur u shpall pavarësia ashtu edhe në vijim. Ajo shkruante:”Kudo në udhëtimet e mia më kanë thënë pareshtur: “Ah, sikur ndonjë Fuqi të kishte e të dëbonte turqit nga vendi ynë, të organizonte vendin, të bënte rrugë, etj. qoftë Austria, qoftë Italia, s’ka rëndësi”. Tani ja që po ndodh dhe mirë do të ishte të pranohej. Nuk shoh rrugë alternative. Faktet e 1913-ës treguan tepër qartë vështirësitë e pavarësisë. Madje pamundësinë, sepse vetë Dr.Turtulli më ka thënë se dëshironte të shihte të vinin në vend trupat e huaja. Përse? Për t’i detyruar shqiptarët të ishin të pavarur, apo për t’i ndihmuar të mos vriten mes tyre? Nën një qeverisje të huaj mbase shpresohet bashkimi. Megjithatë, kam bindjen e përhershme se kombi shqiptar nuk mund të shkatërrohet kurrë. U ka mbijetuar boll ngjarjeve.”Edhe në këtë letër që për nga toni ngjan krejt e dëshpëruar, Durham megjithatë nuk e kishte humbur shpresën por edhe prekjen dhe njohjen e mirë që kishte pasur për shqiptarët.Nuk janë të ruajtura përgjigjet që Midhat Frashëri mund t’i ketë dërguar Durhamit lidhur me shqetësimet që ajo ngrinte dhe sugjerimin që ajo bënte në raport me Italinë, por qëndrimin për temën e fundit ai e kishte shprehur qartë që në shkurt 1919, kur vendosi që të mos nënshkruante programin me të cilin delegacioni shqiptar do të paraqitej në Konferencën e Paqes e sipas të cilit “Italia duhet të dërgojë trupa në kufijtë shqiptarë dhe gjithë organizuesit e degëve administrative duhet të vihen nga Italia” (cit. nga letra për Kolë Tromarën, 8 mars 1919). Kjo i kushtoi Midhatit bllokimin si një lloj burgosjeje për gati 2 muaj në Itali, dhe më pas qëndrimin larg tij për muaj të tërë derisa Vatra e dërgoi aty si delegat të sajin.Në përmbyllje mund të themi se pavarësisht dyshimeve që mund të kenë pasur në harkun e viteve 1918-1921 si pasojë e zhvillimeve në Shqipëri dhe në kuadrin e Konferencës së Paqes dhe Lidhjes së Kombeve, vizioni fillestar i Midhatit lidhur me qëndrimin e Francës (21 nëntor 1918) ashtu edhe i Durhamit lidhur me Italinë (31 tetor 1919) në kuadër të Konferencës së Paqes, u realizuan. Me ndryshimet gjeostrategjike që ndodhën me Luftën I Botërore dhe rënien e Rusisë cariste, Franca e mbështeti Shqipërinë dhe nga ana tjetër Italia nuk i arriti “ëndrrat e saj imperialiste”. Kjo e dëshmon që të dy këta personalitete kanë pasur intuitë dhe njohje të mirë të kapaciteteve të shteteve si dhe të zhvillimeve gjeostrategjike të kohës.(Si pjesë e studimit për veprimtarinë diplomatike të Midhat Frashërit në Konferencën e Paqes dhe Lidhjen e Kombeve, bazuar në letërkëmbimin e tij në vitet 1918-1921)[1] Perkins, James Andrew, British liberalism and the Balkans, c. 1875-1925, PhD thesis, Birkbeck, University of London, fq.106.

Filed Under: Kulture Tagged With: Lindita Komani

Mid’hat Frashëri: “Partia ime është Shqipëria”

November 15, 2021 by s p

Anton Cefa

Njerëzit e mëdhenj shpesh e bëjnë veten të paharrueshëm edhe vetëm me një fjalë, një porosi, një thirrje, duke mbetur kështu të përjetshëm në kujtesën kombëtare.

          Mithat Frashërin e kujtojmë kështu me sentencën e famshme “Partia ime është Shqipëria”. Një devizë që të merr sytë me dritën e idealit dhe të ngrohë me afshin e dashurisë për Atdheun. Flakërimë e vetëtimtë ndërgjegjeje kombëtare dhe zjarr i pashuar atdhetarizmi. Sado ta mbulojë hiri i murmë i kohës, do të përshkënditë gjithnjë si shpuzë e zjarrtë.

          Shqipërinë e krijuan njerëzit e mëdhenj si Mithati. Ajo ka qenë me fat. Nuk i kanë munguar kurrë. Shqipërinë e kanë prishur njerëzit e vegjël. Edhe këtu ka qenë me “fat”. Nuk i kanë munguar kurrë. Përkundrazi, i ka pasur me tepri. Edhe sot e kësaj dite prishanakët vazhdojnë zanatin e tyre të përjetshëm.

          Në ato kohë kur Shqipërisë i mungonte çdo gjë, edhe vetvetja, kur ideja kombëtare në hauzin e errët e kaotik të kohës përpëlitej në dhimbjet e lindjes, kur kultura qe veç djerrinë e asgjë më shumë dhe kur organizmit politik shtetëror i kishte humbur emri prej shekujsh, Zoti i fali asaj, ndër të tjerë, edhe treshen e vëllezërve frashëriotë: Abdylin për t’i vënë themelet shtetit, Samiun për të ravijëzuar platformën ideologjike të lëvizjes kombëtare dhe Naimin për të ndezur flakëzën e qiriut të fjalës, flakëz fjale e flakëz shpirti, dhe për të kultivuar përmes saj farën e edukatës kombëtare.

          Mithati  qe i vetëm. Duhej të kryente detyrat e të treve. Dhe i kreu. Qe i fundit. Duhej t’i kryente një herë e mirë. Dhe u përpoq tërë jetën pa kursyer asgjë. Me fjalë, si ideator i Shqipërisë së qytetëruar; me vepra, si demiurg i saj. Ai botoi një bibliotekë të tërë shkencore duke na mësuar të lexojmë abetaren e vetes, të kohërave dhe të popujve, shkroi një letërsi të tërë artistike, duke na shpirtësuar me frymën e shenjtë të idealit dhe të dashurisë dhe, kur Shqipëria rrezikohej të humbte në vorbullën tejet të trazuar e tejet të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore, i dha asaj alternativën e shpëtimit.

          “Partia ime është Shqipëria”. Me këto fjalë mua dhe ju na troket në kujtesë dhe do të na trokasë gjithnjë, ai Mithati, filizi i fundit i trungut frashëriot, atij trungu që i dha aq rrënjë truallit tonë dhe aq e aq degë qiellit tonë. Ndoshta sepse në ato fjalë, më shumë se kudo tjetër, përmblidhet jeta e tij, ideali dhe dashuria, puna dhe veprat.

          U lind 125 vjet më parë. Nuk dua t’ia kujtoi vdekjen. Qe e errët. E errët, siç janë vdekjet që vijnë nga duar diktaturash. Jo pak njerëz të ndritshëm kanë vdekje të errëta.

          “Partia ime është Shqipëria”. Ky qe ideali i jetës së tij. E lindi dhe e tharmoi që në fëmijëri të hershme, nën ndikimin e baba Abdylit, e urtësoi dhe e pasuroi me porositë e xhaxha Samiut dhe e shpirtësoi e i dha flatra me frymën e xhaxha Naimit. E leçiti me dritë në Manastir për t’i dhënë shkronjat alfabetit të gjuhës dhe abetares së atdhetarizmit, e shpalli me bujë në Vlorë, në atë më të bardhën ditë  të 28-ës, përkrah Babait të Kombit dhe  e mbrojti gjithnjë  e gjithkund. Për hir të tij, iu kundërvu edhe Plakut, kur Janina rrezikohej prej të huajve, ashtu siç u rrezikua. Kështu iu duk, kështu e pleqëroi dhe kështu e veproi.

          Dhe, më së fundi, e ngriti si një armë shpëtimtare, kur atdheu ra rishtas nën thundrën e të huajit. E ngriti si alternativën më të ndershme, kur të tjerë, të kulluar a të turbullt, i nënshtroheshin armikut me motivin për t’i shkyer një thelë sado të vogël për atdheun – duke folur për ata të shëndoshët,  – a për të xhvatur sa më shumë për vete, a edhe thjesht për lakmira kolltukësh dhe kotësirash; dhe të tjerë, prishanakë të çmendur, që futeshin qorrazi a edhe syhapur në luftë, nën flamurin e turpshëm të ideologjisë së një Internacionaleje pansllaviste, për ta kthyer atë në një kasaphanë vëllavrasëse.

          Në atë gjendje të tallazitur udhëkryqi për fatet e Shqipërisë dhe të kombit – sepse ai gjithnjë mendoi e punoi jo vetëm për gjysmështetin, por për shtetin shqiptar të të gjitha trojeve të veta – si një tribun i vërtetë, zgjodhi atë më të ndershmën rrugë, atë të bashkimit kombëtar, larg dasisë, kundër pasioneve egoiste që sjellin vetëm koncepte, qëndrime dhe institucione dasie.

          U bë prijës i rinisë, i popullit, pa e lënë për asnjë moment rolin e mësuesit, të edukatorit. Dhe rinia e admiroi dhe i shkoi pas.

          I armatosur me kulturat e qytetërimet  e Lindjes e të Perëndimit, i rrahur me përvojat e jetës e të punës së dy botëve, në krahë politike dhe diplomacie, dhe i pajisur me një mendje të shëndoshë, me një zemër të madhe dhe me një vullnet të çeliktë, ai, dishepulli i idealeve demokratike, ai demokrati i vërtetë nuk krijoi parti, siç pritej, sado që e njihte aq mirë shkencën e demokracisë dhe gramatikat e partive, por krijoi një organizatë. Paradoks? – Jo, nuk ishte kohë paradoksesh. Ishte shtjellë ideali dhe domosdoshmëri, nevojë e kohës.

          Përballë të huajit, populli është e duhet të jetë një. Vetëm një, i bashkuar; prandej ai duhej rreshtuar në një organizatë, siç është rreshtuar gjithnjë, kur në qiellin kombëtar kanë vetëtuar kërcnueshëm flakët kobndjellëse të rrezikut.

          E krijoi dhe e drejtoi. Në fillim, në ditët e para të errësirës së huaj, si një rezistencë e gjithmbarshme sabotimesh e protestash dhe, në një fazë të dytë, si një luftë e armatosur çetash e më vonë njësitesh më të mëdha luftarake.

          Komunistët hodhën baltë mbi të; po, a mbulohet ari me baltë? E quajtën “një nga përfaqësuesit kryesorë të reaksionit në Shqipëri, intelektual liberal, pseudopatriot e tradhtar” 1), etj., etj. Dokrra! Gjykimin e artë e jep historia. Ndërsa ata përfunduan në fëlliqësitë e plehrave, qelbësirat e të cilave po na zënë  hundët edhe po na ndotin mushkëritë sot e kësaj dite, e nuk dihet se deri kur, historia e ngriti atë në piedestalin e Heroit Kombëtar. Qoftë i qetë në lavdinë e vet! Atdheu do të ketë nevojë gjithnjë për shpirtin e tij, për fjalën dhe veprën e tij; por atdheu është ende i sëmurë dhe nuk kujtohet se duhet t’i japë dy metër vend për t’i pushuar eshtërat e shenjta.

Pse të mos e themi: pati  edhe një “dobësi”: nuk mundi ta ngrejë dorën në luftën vëllavrasëse të imponuar nga komunistët. Kjo “hije” e ndriçon edhe më tepër madhështinë e personalitetit të tij. Si për të vërtetuar atë që thuhet shpesh: “Përjashtimi përforcon rregullin”. Më vjen mbarë këtu t’u kujtoj lexuesve një bisedë mes Hasan Dostit, mikut dhe krahut të djathtë të Mithatit, dhe Mustafa Gjinishit, fill mbas mohimit të Mukjes dhe shndërrimit të luftës çlirimtare në luftë për pushtet nga ana e komunistëve:

          “Dosti: kush do të fitojë?

Gjinishi: Po të bashkohemi, do të fitojë Shqipëria.

Dosti: Po të mos bashkohemi, do të fitoni ju, sepse ju e dini dobësinë tonë, që ne nuk mund t’ju konsiderojmë armiq dhe t’ju luftojmë në mënyrë të paskrupullt ashtu siç na luftoni ju.

Gjinishi: po fituat ju, jam i sigurt se nuk do të më hyjë gjemb në këmbë, përndryshe s’dihet si do të vejë fati yt dhe imi bashkë.” 2). Dhe dihet se si  shkuan fatet e të dyve.

          Natyrisht, në kushtet që po jetojmë, do të ishte paradoksale të pretendonim prej politikanëve dhe diplomatëve tanë të sotëm të bëjnë të tyren thirrjen frashëriote “Partia ime është Shqipëria”, por na vret në shpirt nëse nuk u kërkojmë ose së paku nëse nuk u  kujtojmë që në veprimtarinë e tyre të mos nisen nga thirrje te kundërta.

Filed Under: Analiza Tagged With: Anton Cefa

PSE (NUK) U FTUA KOSOVA NË SAMITIN E DEMOKRACIVE TË PRESIDENTIT BIDEN

November 15, 2021 by s p

-Demokracia e vërtetë amerikane dhe padrejtësitë “demokratike”evropiane

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ

 FTESA E AMERIKËS PËR SAMITIN E DEMOKRACISË

          Fajsimi i qeverisjes Osmani-Kurti për mosmarrjen e ftesës për “Takimin e lartë të Demokracive” që organizohet nga presidenti Biden në fillim të Dhjetorit, nga një pjesë e opozitës jokonstruktive dhe disa analistëve të paaftë dhe të shitur, është pa kurrëfarë baze. Zgjedhjet nacionale dhe ato lokale ishin të nivelit më të lartë, më të mirat në Ballkan dhe mund të krahasohen me zgjedhjet e vendeve demokratike evropjane. Luftimi i korrupsionit dhe zhvillimi i demokracisë në Kosovë janë në rrugë të drejtë. Ato nuk bëhen për 8 muaj qeverisje, këtë duhet ta dijëçdokush.

         Qëndrimi i ish-ambasadorit jodiplomatik proserb Grenell dhe tjerëve se projekti i gazit ka ndikuar në këtë vendim të Presidentit Biden është paragjykues. Projekti i gazit është vendim ekonomik, jo politik. Njësoj është edhe renditja e dialogut me kriminelët serb aty ku e meriton, në vendin e katërt nga ana e Kryeministrit Kurti. Asnjëra nuk kanë gjë të përbashkët me zhvillimin e demokracisë.

         Më shumë mundësi kjo ka të bëjë me sjelljet destabilizuese, të shtetit fashist serb, krijimin dhe mbajtjen e hapur të konfliktit me Bosnjën dhe Kosovën. Pra, si gjithmonë, Kosova ia ka parë sherrin Serbisë. Me korrupsionin e lartë, nivelin e ulët të zhvillimit demokratik dhe sjelljen konfliktuale, Serbia dhe Bosnja nuk e meritojnë të jenë pjesë e “Samitit për demokraci”.

Edhepse Kosova e meriton ftesën, Komisioni i Administratës Biden për klasifikim dhe dërgim të thirrjeve nuk ka mundur të sjell vendim për ta lënë jashtë vetëm Serbinë dhe Bosnjën për të mos e irrituar Evropën dhe dëshirën e saj për ta tërhequr Serbinë nga Rusia dhe Kina me përkdhelje të pafundnë dëm të Kosovës.

         Në të vërtetë, ky është edhe problemi kryesor për dështimin e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga emisarët evropian. Serbia si ish-Jugosllavia me kriminelin Vuçiq në krye si ish-diktatori Tito, me mashtrime dhe veprime nga më të ndryshimet, mundohet të luan rol të dyfishtë, bashkëpunim vëllazëror me Rusinë dhe mjelje të Evropës. Është e çuditshme sa e hanë “me vullnet” këtë mashtrim shumica e përfaqësuesve evropian.

         Nuk ka dyshim se Presidenti Biden e di mirë problemin e Kosovës me Serbinë dhe ka qëndrim të drejtë në trajtimin e çështjes së saj. Por ai është shumë i zënë me punë tjera më të mëdha dhe më të rëndësishme për popullin dhe shtetin amerikan. Lidhjet e dyshimta të Sekretarit të Shtetit Blinken me Sorosin dhe ndikimi i kuadrove të mbetura nga administrata e mëparshme e bëjnë politikën e Administratës Biden në Ballkan ende të paqartë dhe të pasigurtë, gjë që mund të ketë ndikuar në vendimin për mosftuarjen e Kosovës në samit.

         Por demokracia e vërtetë dhe drejtësia amerikane funksionojnë në mënyrë të pashembullt. Lobizmi është pjesë legale e kësaj demokracie. Menjëherë, sapo u publikua lajmi për mosmarrjen e ftesës, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane më në krye me ish Kongresmenin Joe DioGuardi dhe Këshilltaren për çështje ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi u vu në veprim. Filluan kontaktet me gojë dhe shkrim me kabinetin e Kryetarit të Komitetit të Senatit për Punët e Jashtme, senatorit Bob Menendez,të cilat vazhduan edhe gjatë vikendit të javës së kaluar.

         Në cilësinë e personit numër një të Senatit amerikan me ndikim të madh në politikën e jashtme amerikane, Senatori Menendez bashkë me 7 kolegë të tij, ditën e Hënë me 8 Nëntor i dërguan letër presidentit Biden, me të cilën i kërkojnë atij transparencë dhe qartësi në lidhje me kriteret e përdorura për të vendosur se cilat vende duhet të ftohen në samitin për demokraci. Edhe pse Kosova në këtë letër nuk përmendet me emër, nuk ka dyshim se kjo letër ku numrohen çështje shumë të rëndësishme për demokracinë amerikane, është inicuar për shkak të Kosovës dhe në prapavijëështë biseduar për te.

         Si rezultat, ditën e Enjte u bë e ditur se Kosova do të ftohet në samit por nuk u la anësh as Serbia për arsyet e përmendura më parë. Kësaj radhe shteti jo civilizues serb  ia pau hajrin  Kosovës dhe Lobit Shqiptaro-Amerikan. Por, mos të gëzohet shumë sepse Joe, Shirley dhe Lobi shqiptar do ia mbyllin rrugët në Amerikë edhe Vuçiqit, njësoj si Milosheviqit.

         Kontributi i të tjerëve në arritjen e këtij suksesi ishte i mirëseardhur por angazhimi i Senatorit Menendez dhe senatorëve tjerë të njohur në këtëçështje shumë të rëndësishme ishte vendimtar. Meritë e veçantë dhe falënderim i posaçëm i takon pikërisht Zonjës Shirley Cloyes DioGuardi për angazhimin e saj maksimal me profesionalizëm dhe përkushtim.

Është e nevojshme të theksohet se parakusht për të ndodhur gjërat e rëndësishme për Kosovën janë demokracia, respektimi i të drejtave të minoriteteve, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik, forcimi i shtetit dhe ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti me ekipet e tyre kanë aftësi, mençuri dhe guxim për ta bërë këtë. Ata mund të krahasohen lirisht me liderët më të mirë dhe më të fortë të shteteve demokratike.

         Rëndësi dhe përgjegjësi të veçantë kanë ministrat shumë të aftë të mbrojtjes dhe punëve të brëndëshme, z. Armend Mehaj dhe z. Xhelal Sveçla. Aty ku është Armendi, nipi i Isa Boletinit, nuk shkelë dot këmba e ushtarit serb.

PADREJTËSIA EVROPIANE NDAJ KOMBIT SHQIPTAR

UnioniEvropianështë i përbërë nga shtete demokratike, më pak demokratike dhe shumë pak demokratike të cilat kanë bërë edhe padrejtësi ndaj kombit shqiptar gjatë gjithë historisë. Shumë prej tyre i konsiderojnë ato gjëra “normale” dhe “demokratike”.Evropa nuk pushon së predikuari diversitet, përfshirje dhe tolerancë ndëretnike. Në të njëjtën kohë nga Republika e Kosovës kërkon shtet multietnik dhe krijimin e bashkësisë së pastër etnike serbe. Këto nuk shkojnë hiç së bashku. Kjo kërkesë nuk siguron barazi por përçarje, është formulë për shkatërrimin e shtetit dhe si e tillë krejtësisht e padrejtë dhe e papranueshme.

         Këto gjëra e tregojnë hipokrizinë dhe padrejtësinë “demokratike”të një pjesë të madhe të shteteve evropiane të cilat nuk dëshirojnë të forcohet shteti i Kosovës. Të helmuar nga propaganda shoviniste serbe, kanë qëndrime paragjykuese dhe nënçmuese ndaj kombit shqiptar në baza nacionale dhe fetare. Kësaj duhet shtuar edhe ndikimin e madh rus dhe interesat ekonomike të shumë shteteve evropiane për gazin e Rusisë.

         Veprimet e drejta, të mençura, të kontolluara dhe të domosdoshme të Qeverisë Kurti në veri të shtetit të Kosovës kishin efekte të shumta pozitive për Republikën e Kosovës. Ato e nxitën Serbinë dhe Rusinë ta tregojnë haptas agresivitetin e tyre, sjelljet e tyre shkatërruese dhe ambicjet hegjemoniste për dominim në Ballkan dhe dalje në detin Adriatik. Përfaqësuesve të Evropës Borrell dhe Lajçak ju ranë maskat të kinse ndërmjetësuesve të paanshëm. Kërkesa e tyre për ndalim të veprimeve shtetërore kundër banditëve të të gjitha nacionaliteteve dhe për dialog me ta, ishin të padrejta, absurde dhe të turpshme.

PËRFUNDIMISHT

          Qëndrimet jokonstruktive të disa shteteve të Evropës, sjelljet nënshtruese të ish qeveritarëve të korruptuar të Kosovës të cilët sëpari e rrjepën pastaj e qitën në shitje token e saj, pallavrat me qëllime anti-shqiptare për “Ballkan të hapur” të shërbëtorit serb Edi Rama dhe angazhimi i pamjaftueshëm i Amerikës, e ndihmojnë Serbinë fashiste të vazhdojë me sjellje destruktive dhe destabilizim të Evropës Juglindore. Këto e bëjnë të pamundur njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Bisedimet duhet të vazhdohen por ato janë të kota si dhe deri më tash.

         Ky problem mund të zgjidhet vetëm me angazhimin e plotë dhe të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dëshiroj ta përsëris se:

“Ka ardhur koha që Presidenti Biden,për interesa strategjike, në mbrojtje dhe përmbyllje me sukses të investimit amerikan në Kosovë, njësoj si Presidenti Bush në Qershor të vitit 2007, të thotë “Enough is enough”. Ta anëtarësojë në NATO shtetin më pro-Amerikan në botë dhe ta bind Evropën për liberalizim të vizave dhe fillim të procesit afatgjatë të hyrjes së Kosovës në Unionin Evropian. Serbia dhe Rusia nuk mund ta ndalojnë këtë gjë në asnjë mënyrë.”

         LIRIA. INTEGRITETI TERRITORIAL DHE SOVRANITETI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NUK MUND TË NEGOCIOHET NGA ASKUSH DHE ME ASKEND. POPULLI I LAVDISHËM I DARDANISË E KA PAGUAR ATË ME GJAK DHE SAKRIFICË TË PAFUND.

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Alickaj

“REVOLUCIONI” I SË DREJTËS N’EVROPË

November 15, 2021 by s p

Nga ANDREA MANZELLA

“Corriere della Sera”, 6 nëndor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika 

Kundërshtia polake kundrejt “parësisë” së të drejtës evropiane mbi atë kombëtare cek mjaft nga afër atë që Gjykata kushtetuese italiane e ka përcaktuar si “kyçi i kthesës” në Kushtetutën tonë dhe në historinë e zanafillës së saj. Kjo histori është në Manifestin, që pikërisht tetëdhjetë vite më parë, qytetarë të përjashtuar nga liria vetiake shkruan në Ventotene. Ai nuk qe vetëm një akt Qëndrese kundër “modelit” të Shtetit totalitar, atëherë mbizotëronjës n’Evropë (pra jo vetëm kundër atij fashist). Qe mbi të gjitha një akt i natyrës “revolucionare”, për arsye të mospranimit rrënjësor të dogmës së sovranitetit shtetëror absolut. 

Qe e para Kushtetuta italiane e vitit 1948 që e shndërroi këtë program në një formulë juridike. Është neni 11: “Italia lejon kufizimet e sovranitetit të nevojshme për një rend që siguron paqe dhe drejtësi ndërmjet Kombeve”. Kufizimi i sovranitetit shtetëror nuk ishte vetëm një “revolucion” kushtetues italian: ishte një përmbysje e të gjithë koncepteve zotëruese të kushtetueshmërisë evropiane. Një vit më pas Kushtetuta e Bonnit do të vihet në të njëjtën hulli; pastaj Shtetet e zgjerimeve të mëtejshme, siç është historia. 

Ay kusht i “kufizimeve” të sovranitetit do të bëhet pra modeli i inkrustimit të Kushtetutave kombëtare me një rend mbishtetëror:  nga ata “kufizime” rridhte pikërisht “parësia” e saj. Në atë gërshetim të ndërsjelltë rendesh sendërtohet kështu, simbas kompetencave, një “bashkësi në ndryshueshmëri”. Nga një anë , një “kuadër institucional i vetëm” që lidh Shtetet që kanë marrë pjesë. Nga tjetra, trupëzimi në të drejtën e Bashkimit të “traditave kushtetuese të përbashkëta për Shtetet antarë” dhe “respekti i identitetit kombëtar” (për të cilat flasin nenet 4 dhe 6 të Traktatit evropian).

Por ç’është “identiteti kombëtar”? Deri tani ka qënë e arsyeshme të mendohej se në të hyjnë institute e proçedura të lidhura me historinë shoqërore të Shteteve, si për shëmbull lënda e së drejtës së familjes. Nuk është menduar kurrë se me të do të mund të fshiheshin siguri themelore për një shtet demokratik, si pavarësia e gjykatësve ose liria e votës. Edhe sepse, thjesht ato siguri janë kërkuar si kusht për t’u pranuar në Bashkim. Prej kësaj është e drejtë e Gjykatës evropiane për të vërtetuar mbajtjen e tij.

Profetik, në 1941, Manifesti mbështeste ligjëshmërisë e së drejtës së ndërhyrjes së rendit mbishtetëror në jetën institucionale të Shteteve antarë. “Është absurd parimi simbas të cilit çdo popull duhet lënë i lirë  t’i japë vetes një qeveri despotike që beson më mirë në të, a thua se Kushtetuta e brëndëshme e secilit Shtet nuk përbën një interes jetik për të gjithë Vëndet e tjera evropiane”.

Në Bruksel Merkeli ka përdorur pak fjalë: “Kush ka hyrë në Bashkim i njeh traktatet që ka firmosur”. Ka pohuar kështu urtësisht mungesën e trajtimit të parësisë të së drejtës evropiane, që çfarëdo “pajtimi” nuk mund t’a përgënjeshtrojë. Sa na takon ne italianëve, nuk bëhet fjalë për të qënë pro ose kundër sovranizmit polak. Bëhet fjalë për të qënë apo jo nga ana e Kushtetutës sonë dhe historisë së saj.

“Corriere della Sera”, 6 nëndor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2582
  • 2583
  • 2584
  • 2585
  • 2586
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT