• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FLAMURI YNË, ZJARR PROMETEAN NË RRUGËTIMIN HISTORIK, POEZI DHE FESTË

November 27, 2021 by s p

NGA VISAR ZHITI

Në shtetin e Miçiganit komuniteti i gjerë shqiptaro-amerikan feston 28 Nëntorin, Festën Kombëtare të Flamurit, ditën e shpalljes së Pavarësisë në Detroit, në dy mbrëmje radhëzi, në qendrën kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe në kishën e “Shën Palit”, të zbukuruara me flamujt shqiptarë dhe amerikanë, në bashkëpunim me shoqatat, atë panshqiptare “Vatra” si edhe “Malësia e Madhe”, AASO e studentëve, “Knights of  Columbus”, etj. Këndohen këngë shqip dhe vallzohen valle tradicionale, me kostumet e mrekullueshme popullore plot ngjyra dhe recitohen himne Flamurit.

I ftuar nderi është shkrimtari Visar Zhiti, që ka dhe fjalën kryesore, një ese e frymëzuar, ku përzjehen historia me aktualitetin, mitet me kumte e përjetshme. 

Po e botojmë: .  

NGA FLAMURI NË MITOLOGJINË E TIJ:

Festën Kombëtare, më të madhen e shqiptarëve, atë të Flamurit, është nder i veçantë ta festosh mes shqiptarëve, që janë bërë bashkë si një familje e madhe, këtu ku dinë të jenë më shumë shqiptarë, po aq sa dhe amerikanë, dinë të nderojnë e të jenë mikëpritës. Dhe dine të kujtojnë. 

Dhe mua më duket sonte çdo bashkatdhetar si një flamur i gjallë, sikur secili nga ne është midis flamujve, – le të flasim me fjalët që i takojnë Flamurit, – që valëvit histori zulmëmadhe dhe identitet të veçantë, ideal lirie dhe përbashkimi, përpjekje shekullore, qëndresë nën pushtimet e gjata, triumf dhe aleancë deh vizion, krenari të ligjshme dhe dashuri.  

Na ka prirë Flamuri ynë dhe jemi nën palat e tij si nën vezullime agimesh dhe muzgje të atdheut, të ëndrrës mbarëkombëtare. 

Ky Flamur është ngritur hijerëndë në kështjella dhe pirgje dhe fusha beteje, ka mbulur heronjtë, por dhe nëpër dasma, vargani I krushqëve kishte kryeflamurtar, e mbajnë duart e fëmijëve, ky flamur ngrihet mbi institucionet shtetërore, presdencë, parlament, kryeministri, por dhe në ballkone pallatesh, ku banojmë, në tryeza pune e në zarfe me pullat postare, është në takime ndërkombëtare, ne ceremonira e në fusha sporti e festa e ngrihet lart bashkë me Himnin, ringrihet me çdo fitore e titull kampion, e gjejmë dhe në valixhe emigrantësh si amanet, në librat e shkollës dhe antologji poezish, në sheshe e në veprimtaritë kudo në diasporë-, në ambasada në të gjithë kryeqytetet e shteteve të mëdha e të vogla e në Organizatën e madhe të Kombeve të Bashkuara, aty me të gjithë flamujt e tjerë, i sigurtë, i barabartë. 

Por ndër më të bukurit. Më i bukuri, na pëlqen të themi ne, shqiptarëve.

Flamuri jemi ne.

Ne jemi Flamuri. të parët tanë dhe ata që do të vijnë…

Jemi populli me flamurin ndër më të vjetrit në botë, që shkon te legjendat dhe mjegullat e mitologjisë.

Një cohë e kuqe si gjaku dhe një shqiponjë dykrenore e zezë në mes. E kuqja dhe e zeza, ngjyra që përftohen nga qielli dhe toka. E errëta e tokës te shqiponja, që ta çojë lartësive qiellore dhe purpuri i agimeve dhe muzgjeve të atdheut, që të zbresë pllajave dhe fushëtirave deri në gjak.

 Pse është kështu Flamuri unë? Çfarë do të thotë? Nga vjen? 

Janë pyetje që i kemi bërë të gjithë dhe përgjigjet janë të shumta, ndër breza, nga më sugjestionueset, pasionante dhe shkencore, na vijnë nga studiues historianë e mitologë, antropologë e etnografë e i përsërsim në breza, në kuvende e përvjetorë e festa. 

Çfarë porosie dhe enigmash shpalos Flamuri ynë? Pse këto dy ngjyra, ç’simbolizojnë me ç’kod zbërthehen dhe ku është zanafilla?

Natyrisht e gjitha lidhet me historinë e popullit, kanë atë lashtësi, mendësinë, filozofinë dhe idealin, kulturën, traditën, gjuhën mbi të gjitha, duke u bërë dhe maja valavaitëse e tyre. 

Flamuri është dëshmitar i heshtur i ecurisë nëpër epoka, i fitoreve dhe humbjeve, i përjetësisë së një kombi…

Kaluam drama, luftra të gjata e paqe të shkurtra, stinë begatish e dimra vuajtjesh, murtaja dhe epidemi ideologjike dhe u përballëm me hordhi të shfarosjes, mbijetuam me perandoritë e mëdha, të Yllirëve, Hittitëve, Persëve, Maqedonasve, Romakëve e Bizantit, ishim pjesë e tyre, morëm dhe dhamë.

SHQIPONJA Kulti i shqiponjës është mitik. Shqiponja nuk vritej, shihej si perendia e shpendëve, hyjnore. E adhuruara e Zeusit të gjithfuqishëm. Që kryente shërbimet midis qiellit dhe tokës, vetëm asaj i besohej. Shqiponja kishte një vend të veçantë mes yjeve. Ky mit ka të bëjë me pellazgët, me të cilët janë të lidhur ilirët, siç besohet nga shumë shkencëtarë. Prandaj dhe shpesh të huajt na quajnë, “Bijtë e Shqipes”! Shqiponja ishte emblemë dhe e Pirros së Epirit. Gjendet dhe te shteti i parë i Arbërit i viteve 1199-1216, duke krijuar një tradite që kulmoi me shtetin e Skënderbeut, ku Kastriotë e kishin dhe në stemën e tyre. 

Arkeologët kanë zbuluar në hapësirat ilirike, në trojet e Shqipërisë së sotme shqiponja në gur, që datojnë në shekujt para Krishtit, si ato në tumat e Matit. Shqiponjat e gdhendura në dru nëpër djepe, në unaza, janë gjetur në zonën e Korçës, janë dhe në heraldikën arbëreshe, etj.

Po pse shqiponja është me dy koka në Flamur?

Përsëri na ndihmon miti. Zeusi lëshoi dy shqiponja, të cilat fluturuan njëra nga Lindja dhe tjetra nga Perëndimi. Atje ku do të takoheshin dy shqiponjat, do të ishte qendra e botës. Pra, dy kokat janë Orienti dhe Oksidenti, bashkime të të kundërtave, simbole të fuqisë, që mbajnë universin. 

Dhe kur u nda perandoria e Romës, gjysma që mbeti Bizant, e bëri symbol shqiponjën me dy krerë, e mbajtën ilirët, më vonë dhe sllavët, perandoria Austro-Hungareze, etj.  

Ngjyra e zezë përfaqëson tokën dhe vdekjen dhe pavdekësinë.

PO E KUQJA?

Është kozmogoni, lidhet me dritën biblike, shpjegojnë studiuesit. Drita është hallka ndërmjetëse mes Krijuesit dhe fillimeve të jetës

  Ndërkaq, siç dihet shkencërisht, drita është valë, që me gjuhën e astronomies quhet si “Udhëtimi i së Kuqes”, etj.

Edhe Yllirët, ka studime që i shohin si popull biblik, që lidhen me Hittitët, që pa Abrahami, një fis i njohur Pellazgo-Yllir, paraardhës të Dardanëve, të Kosovës së sotme. Simboli kryesor i Hittidëve është shqiponja me dy krerë. Dhe e kuqja shikohej si ngjyrë hyjnore, dritë dhe gjak i jetës.

SIMBOLI KUQ E ZI.

I madhërishëm shfaqet në shekullin XV me Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, atë Flamur ngriti Ai në 28 Nëntor 1443 në kështjellën e Krujës. Dhe 3 muaj më vonë, në 2 mars 1444 në Lezhë, në ditën e  Kuvendit të principatave arbërore, në Beslidhjen e madhe, e njohën si Flamur të përbashkët të të gjithëve. Që Flamuri të përmblidhte Veri dhe Jug, mbi dy kokat e shqiponjës vunë një yll me 6 cepa, që ishte simbol dhe i Muzakajve ashtu si dhe i Balshajve, ai është Ylli i Betlehemit, simbol i Diellit, – shpjegojnë studiuesit. 

E dëshmojnë dhe Marin Barleti te “Historia e Skënderbeut”, bashkëkohës i heroit, shkruar latinisht, që u bë libri më i lexuar në Europë, si dhe historianë të huaj, që Skënderbeu atë flamur kishte, kuq e zi, dhe po me atë luftëtarët e tij kaptuan detin Adriatik për të ndihmuar mbretin e Napolit, dolën në brigjet e Italisë, në Europë. 

Me këtë Flamur Arbëria u bë atdhe dhe me të në ballë u mbrojt dhe u mbrujt, luftoi dhe të githa kryengritjen nën pushtimin e gjatë gati 5 shekullor u bënë me këtë flamur deri sa të shkohej në Lidhjen e dytë, atë të Prizrenit në 1878. 

Mbret do ta quante Naim Frashëri Skënderbeun në poemën e tij dhe:

Zot’ i madh e i vërtetë!

Emri yt qoftë i lëvduar,

Të qofshim falë përjetë,

Mos qofshim teje mërguar! –

lutej. Nga dashuria për Zotin dhe atdheun. Që katolikët shqiptarë do ta kishin credo; për fe dhe atme! – Me këtë thirrje do të jepnin dhe jetën.  

Me atë Flamur Shqipëria u bë muri mbrojtës i Europës, i qyteterimit Perëndimor. Ai është Flamuri i “Atletit të Krishtit”, Skënderbeut, pa të cilin, – do të thoshte një kongresmen amerikan, ndoshta dhe Amerika do të ishte ndryshe.  

Kjo është Shqipëria e vërtetë dhe Flamuri i saj lavdimadh. 

FLAMURIN DO TA RIZBULONTE 

NJË RILINDAS MËRGIMTAR

Në shekujt e pushtimit Flamuri do të përndiqej, do ta mallkonin e do ta digjnin. Hiri i tij mbetej në kujtesën e Kombit. Dhe po harroj si ishte, ja ashtu si flakët…

Rilindasit risollën Skënderbeun, por po Flamurin? 

Që në vitin e parë të shekullit XX, kur Shqipëria vuante ende nën perandorinë otomane, një djalë 26 vjeçar, Faik Konica, në mërgim, në Bruksel, do të pyeste në gazetën “Albania”, që e themeloi vetë: “A ka Shqipëria një Flamur Kombëtar?  (“Albania”, 15 shtator 1901)

Dhe do të vazhdonte. Po ka, – do t’u thoshte atyre që e donin dhe nuk e donin Shqipërinë. 

“…flamuri ynë, i cili është një nga më të ndershmit dhe më të lavduarit të botës, është pa dyshim edhe një nga më të vjetrit”, – do të shkruante. Dhe vlerësimet e tij do të mbeten më të mirët deri më sot. 

“Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar që munt t’a kuptojnë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja… Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjve, nuk janë kujtime lakmirash edhe rrëmbimesh: Janë kujtime vetë-mbrojtje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta… Nga kjo pikëpamje, munt të mburremi se Flamuri ynë… është dhe një nga më të drejtët”.

I ndershëm, i drejtë, i lavdëruar! Konica,  themelues ynë “vatran”, na e bën flamurin me frymë, shpirt, që flet me gjuhën e pashkruar! Dhe do të shkruante poezinë e pare për Flamurin skënderbejan.

Dhe duhej ngritur prapë. Perandoria otomane, e përzënë nga Ballkani, kishte mbetur ende vetëm në Shqipëri. 

Arbëreshi Terenc Toçi la Amerikën dhe erdhi në dheun amë. Drejton lëvizjen në malet e Shkodrës dhe në 1911 ngriti Flamurin në Mirditë dhe sipas marrëveshjes, priste të zbarkonte me ushtri i biri i Garibaldit, që bashkoi Italinë dhe me ndihmën e arbëreshëve, por u la vetëm, pa njohje dhe mbështetje ndërkombetare.

 

SHPALLJA

Duhej pritur dhe një vit që të vinte Plaku Ismail Qemali, me urtësinë e të parëve, me përvojën e një diplomati në perandori, me një dashuri të thellë për atdheun ashtu si Skënderbeu dhe po ashtu si ai me vështrim nga Europa Perëndimore. Dhe ai mbërriti në Vlorën e tij në vjeshtën e tretë të 1912-ës. U mblodhën aty nga të gjithë krahinat, edhe nga Kosova erdhën, me kuaj, në këmbë, përmes rreziqeve dhe pengesave. Karrocën e Hajredin Bej Cakranit, ku ishte futur kryeministri i ardhshëm. Ismail Qemali, e shtynin nëpër baltra besnikët e tij, teksa vendet fqinjë po rropateshin ta copëtonin Shqipërinë e mbetur nga Turqia.

S’kishte institucione e as ngrehina për to, as hotele. Nëpër shtëpitë e vlonjatëve kishin bujtuar, ku kishte zjarr dhe zemër. Po rrinin bashkë përfaqësuesit e krahinave, ministrat që do të emëroheshin, asambleja, senati, luftëtarët, malsorët, qehallarë, rojet, etj, etj. Por s’kishin as flamur që ta ngrinin, dëshmon Eqrem Bej Vlora në “Kujtimet” e tij. Veç në shtëpinë e tij kishte një, të vënë në një kornizë të bukur, të cilin ia kishte dhuruar solmenisht në Paris Don Aladro Kastrioti. Ismail Qemali urdhëroi ta merrnin. Dhe e ngriti në ballkonin, ku po mbahej kongresi, më 28 Nëntor, po atë ditë që dhe Skënderbeu e kishte ngritur në Kruj:e dhe kështu Shqipëria u shpall shtet më vete. U lajmërua Stambolli për shkëputjen, Europën dhe të gjitha fuqitë e mëdha. Shqipëria u b:e m;e vete  

Kur ngrihej Flamurin, “m’u dridhën duart, – shkruan në “Kujtimet” e tij Ismail Qemali, – …dhe m’u duk sikur shpirti i Heroit të pavdekshëm kaloi në ato çaste si një zjarr i shenjtë mbi kryet e popullit… Ja, pra ky është Flamuri ynë… – thirri i mallëngjyer ai, – dhe tani të gjithë bashkohuni si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta mburuar, për ta përparuar e për ta qytetëruar si i ka hije Atdheut tonë të lirë…”. Në ato fjalë ishte shpallja dhe program, drejtimi si një testament. Plaku ribëri Shqipëri. Të rinjtë ta gëzonin dhe ta bënin të fortë e të denjë. Zv/Kryeministër u vu një katolik, Dom Nikollë Kacori. U ruajtën raportet mes feve,  S’kishte rroga as për 10 ministat. Thuhej se paguante nga pasuria e tij një pinjoll i Cakrajve, i porsaemëruar zv/minister i financave.  Murat Toptani, dhëndri i Naim Frashërit, u lexonte vjershat e tij, ulur kanapeve. Kur pas ca ditësh shpërthyen batare armësh, që s’pushonin, të fusnin frikën. Mijëra gjuhë flakes çanin terrin, shkruan Eqrem Bej Vlora. Ngjante si luftë, sikur na kishin sulmuar. Ç’të qe? Turmat qëllonin në ajër se kishin marrë vesh nga telegramet që kishin ardhur nga Vjena dhe Parisi që Konfrenca e Ambasadorëve në parim e kishte miratuar “Pavarësinë e Shqipërisë”. Ishin shkrehur deri në 50 000 fishekë, një harbim fishekzjarresh sa gazmor, po dhe marrok, vzhdon Eqrem Bej Vlora. Ismail Qemalit nuk i pëlqeu, se loja, tha, mbaron ashtu siç fillon. Ai donte punën, veprat. Dhe mua me ndërmendet viti i çmendur ’97, kur u çarmatos Shqipëria dhe u armatosën shqiptarët, sulmuan depot e armëve dhe rrëmbyen tanket dhe qëllonin të gjithë në ajër. Çmenduritë përsëriten… Ndërkaq nga Rumania erdhi Himni i Flamurit, melodisë së njohur Asdreni i përshtati fjalët. U pëlqye dhe u këndua aq shumë sa nuk u zëvendësua dot me asgjë tjetër. Njëra nga strofat në kohën e komunizmit, jo vetëm që nuk këndohej, por do të hiqej dhe nga botimet:

Se Zoti vetë e tha me gojë Se kombet shuhen përmbi dhé,     Por Shqipëria do të rrojë, Për të, për të luftojmë ne. I çuditshëm ky komunikim i shqiptarëve me Zotin kështu. Shkrimtari Ismail Kadare do t’i kishte një kapitull, pikërisht kësaj strofe, në sprovën e tij “Mosmarrëveshja”. Shqipëria kishte vonesa, që ktheheshin në ankth dhe ftohtësi në pritjet e vendeve të tjera. Fqinjët ballkanikë mezi ç’prisnin ta copëtonin. Edhe Italia përballë. Në 1913 Flamuri kombëtar është prapë në rrezik. Në Shkodër futen malazestë, bie kalaja, por, për fat, ndërhyjnë ushtritë e Fuqive të Mëdha, prapset pushtuesi dhe At’ Gjergj Fishta ngre Flamurin mbi kambanoren e kishës së françeskanëve në Natën e Shnandout, teksa nga portat dalin fëmijët dhe këndojnë vargjet që kishte shkruar ai:

Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit
Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastrijotit
Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

Flamuri si flatra  e ëngjëllit. Mahnitës ky imazh. Dhe sa kushtrimtar.

Lufta Ballkanike shton kaosin dhe hanxharët ishin ngritur lart për ndarje. Por nga përtej oqeanit vjen shpëtimi. Se Zoti vetë e kishte thënë me gojë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dalin në krah Shqipërisë së vogël. Presidenti Woodrow Wilson, që i ftoi zgjedhjet presidenciale tre javë para se Shqipëria të shpallte Pavarsinë, i refuzoi planet për ndarjen e Shqipërsisë dhe parashtroi parimin e vetëvendosjes  së popujve, qofshin dhe të vegjël. Dhe që kufijtë  nuk mundet të caktoeshin më mbi bazat e politikës së fuqive të mëdha. Shqipëria shpëtoi. Kongresistët në Kongresin e Lushnjës në 1920 arritën pavarsisnë e dytë të Shqipërisë. Në jakat e tyre kishte nga një flamur të vogël të kuq. Roli i SHBA kishte qenë vendimtar. Te Presidenti Wilson ndikoi shumë dhe diaspora shqiptare, udhëheqësit e saj, Konica dhe Noli,  kontakti me shqiptaro-amerikanët. Sot në Tiranë është një shesh që mban emrin e Presidentit shpëtimtar, Wilson, me shtatoren e tij në mes.

 

 

 

ADHURIMI

 

Do të doja të thosha se shqiptarët gjithnjë e më shumë po ndjeheshin më të lidhur, më me ndërgjegje e më me përgjegjësi, me Flamurin, me më qytetari.. Dhe me dashuri patejtër. Ne ndoshta jemi i vetmi popull që u vëmë fëmijëve emrin Flamur. Madje dhe në gjininë femërore, Flamure. 

Nuk ka flamur pa gruan. S’ka Skënderbe pa Donikën e tij. Duart e zonjës Marigo Posio, që qepën dhe qendisën Flamurin në ditët e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, vazhdojnë të qëndisin përsëri flamuj të tjerë me rreze drite.

Mamatë u mësojnë fëmijëve të vizatojnë dhe ja, midis fletëve shfaqet e kuqja e Flamurit. Atë të kuqe që piktori shqiptar, Onufri, e bëri të famshme në botë me ikonat e tij.

Dhe pasi mësojnë vjersha për mamin, babin, (e jo për prindin nr. 1 e prindin nr. 2), fëmijët recitojnë vargje për lodrat, gëzimet e tyre, patjetër dhe për atdheun dhe Flamurin. Dhe unë, i vogël, ndër gjërat e para që kam shkruar, mbaj mend, është dhe kjo: O Flamur i Shqipërisë,/ Që valvitesh kaq krenar,/ Të ndez era e lirisë/ si zjarr….

U bëra intim, se ndjehem si në familje. Edhe im atë kishte poezi për Flamurin. Në flakë si flakë/E shenjtë flak’rove… – shkruante.

I rritur do të mësoja se fjala flamur ka lidhje vërtet me zjarrin. Gjuha shqipe zgjodhi ta marrë këtë fjalë nga latinishtja “flammula”, (është dhe në greqishten e re  φλάμμουλον), se vokacioni shqiptar gjithmonë ka qene dhe mbetet Perëndimor. Pra, rrënja e fjalës flamur është flaka, Fjamuri i Arbërit, thoshte poeti i madh arbëresh De Rada. Ai zjarr, rreth të cilit mblidheshin dikur luftëtarët e përbetoheshin, ato flakë u bënë flamur.

Flamuri i shqiptarëve është i zjarrtë me flatra shqiponje. 

` QË TË VAZHDOJMË ECURINË,

po në kohën e Mbretit Zog si u ndje Flamuri Kombëtar, që, siç shkruanin të huajt, kishte një zog në mesin e vet, shqiponjën dykrenore. Mbi to u vendos përkrenarja e Skënderbeut, e trashëguar nga Pirroja i madh. Dhe u bënë përpjekje për të ndërruar dhe Himnit e Flamurit. Në Jurinë e konkursit ishin At’ Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri e personalitete të tjera dhe fitues nxorën një të ri, Beqir Çela, nga Karbunara e Lushnjës. Himnin e ri ai e fillonte: O Flamur, Yll i Lirisë… Ishte i shkollës së Fultzit, Amerikën e shikonte si vendin e shpëtimit. E pushkatuan fitimtarët komuniste, në vitin 1947.

Një vit më vonë pushkatuan dhe Baba Ali Tomorin, poet, një libër me poezi i tij mban titullin “Flamurit shqiptar”.

 

Flamur! Ja ku bëhet beja! Mblidhe, mblidhe popullsinë Përparo! Zgjero Shqipërinë mer Kosovë, Çamërine! Të ndih Zoti në beteja.

Edhe djemtë e Ismail Qemalit u keqtrajtuan nga regjimi. Njëri iku në Maqedoni, në Strugë me gjithë sëndyqin me dokumenta të Pavarsisë, tjetrin e burgosën. 

 

Lëvizje dhe rebelime dhe demonstra me Flamur bëheshin herë pas here dhe në Kosovën e pushtuar. Shpesh forcat policore gdhiheshin duke gjetur të ngritur qyteteve gjatë natës Flamurin shqiptar. Sikur mbinte vetvetiu.

Sinteza më e fuqishme për Flamurin, i cili është vetë sintezë e historisë së Kombit, u arrit nga imzot Fan Noli, një himn si me ritëm trumpetash, si një marrshim krenar drejt ardhmërisë:                      O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Ashtu si gjatë pushtimit fashist, që Flamurit Kombëtar i shtuan dy spatat e Liktorit, që dukej sikur kërcënonin dy kokat e shqiponjave, ndërkq nazistët pas tyre i hoqën, komunistët, me të marrë pushtetin, vendosën yllin bolshevik.

Kur të burgosurit politikë u ngritën në Spaç në revoltën që tundi së brendshmi themelet e diktaturës, në 1973, ata ngritën në mes të kampit, brenda telave me gjëmba, Flamurin pa yllin komunist. Po ku e gjetën? Një këmishë të bardhë e ngjyen me gjakun e tyre dhe piktori i burgosur bëri shqiponjën. E ngritën lart duke kënduar himnin me lot në sy. Katër të burgosur i pushkatuan dhe ridënuan dhjetra të tjerë, por dhe vetë burgun.

Dhe do të vinte dita që të hiqej ylli politik i komunizmit nga Flamuri shqiptar. Shqipëria do të bëhej demokratike, pluraliste dhe do të hapej drejt botës së lirë. Shqiptarët po iknin për një jetë më të mirë me ëndrra për të ardhmen e fëmijëve. Në gjak mbartnin Flamurin dhe festat për të bashkarisht, me këngë e valle shqiptare dhe fjalën shqip. 28 Nëntori kishte mare forcën e një ditë të bekuar dy herë. 

Madje demokratët nxjerrin fakte dhe besojnë se edhe çlirimi i Shqipërisë nga nazi-fashistët, kur mbaronte Lufta e Dytë Botërore, u bë në ditën e madhe të 28 Nëntorit.

Socialistët ruajnë datën 29 Nëntor, atë që festohej me diktatorin. Dhe çdo vit në Shqipëri bëhen debate në parlament e studio televizive e shkruajnë në media se kur është çliruar Shqipëria, në 28 apo 29? Kur iku gjermani i fundit? Rëndësi ka se kush na erdhi?- ka zëra që pyesin. Më ka ndodhur të jem dhe unë në këto debate. Data e çlirimit të një vendi vendoset o kur është çliruar kryeqyteti i tij o qyteti i fundit. Nga Tirana pushtuesi nazist iku më 17 nëntor dhe fitimtarët u futën në kryeqytet me masakra ndaj intelektualëve dhe ndaj atyre që s’ishin me ideologjinë e fitimtarëve. Kurse qyteti i fundit s’është çliruar ende, thosha unë në debate. Se pjesë të trojeve shqiptare janë ende jashtë kufirit shtetëror. 

Por 28 Nëntori buron forcë dhe shpresë.

Më 28 Nëntor lindi në Kosovë legjenda Adem Jashari, në 1955 në Prekaz. Bëri një dimër i acartë atë vit, por më keq se dimri ishte dhuna policore e regjimit serb ndaj shqiptarëve. Dhe po në 28 Nëntor 1997 shpallet, me miratim të Komandantit Adem Jashari se është krijuar Ushtria Çirimtare e Kosovës. Lajmin e UÇK-së e dhanë tre luftëtarë me uniformë dhe të armatosur e me maska në fshatin Laushë, gjatë varrimi të një mësuesi hero. Kështu nisi lufta e organizuar për liri kundër pushtuesit. Kosova donte ringjallen e saj.   

Dhe do të ndërhynin forcat e NATO-s dhe SHBA në këtë betejë, jo vetëm çlirimtare, por dhe morale, mbrohej një popull nga eksodi masiv si në Bibël. Pas bombardimeve të Beogradit, Kosova u shpall Republikë më vete. Shqipëria u fut në NATO dhe Flamuri i saj është bashkë me flamujt e forcave Perëndimore euroatlantike, me demokracitë më të përparuara.

Shqipëria dhe Kosova, dy shtete shqiptare të vegjël në Ballkan, por me histori të lashtë, kanë gjetur te Shtete Bashkuara të Amerikës së madhe aleatin jetik, mbrojtësin dhe mbështetësin.

Prandaj dhe shqiparët e mbajnë Flamurin e tyre pranë atij të Amerikës, në shtëpi dhe punë dhe festa. Lartësohet në çdo 28 Nëntor në të gjitha trojet tona e kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Është si zjarri i vatrës që na mbledh. Flakët bëhen dritë. Më bukur se gjithkund ato shkëlqejnë atje ku jemi, bashkë…

Për ne është këtu…   

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Visar Zhiti

STUDIUES EMINENT I HISTORISË MESJETARE SHQIPTARE

November 26, 2021 by s p

(Me rastin e 90-vjetori të  vdekjës së Milan Shuflajt 1879-1931)

Ndër studiues të huaj të cilën kanë treguar interesim të veçantë për hulumtimet shkencore historike për mesjetën shqiptare dallohet historiani  kroat me origjinë hebreje dr.Milan Shuflaj. Ndonëse nuk jetoi gjatë ai botoi dhe la në dorëshkrim artikuj, studime e monografi shkencore historiografike duke argumentuar prejardhjën ilire të shqiptarëve, duke mbetur model për kohën kur jetoi dhe veproi si  dhe  referencë  e obligueshme profesionale  për çdo studiues  për historinë mesjetare shqiptare.

Nail  Draga

Milan Shuflaj ka lindur në vitin 1879, në Lepogllavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaron në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku laureohet si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Në Universitetin e Zagrebit ka studiuar shkencat shoqërore. Doktoron në vitin 1901.

Në vitin 1902, Shuflaj mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse të historisë, në Universitetin e Zagrebit. Në vitet 1902-1903 specializohet në Vjenë, në “Österreichische Institut für Geschichtsforschung”, në fushat e paleografisë latine, diplomacisë, kronologjisë dhe notariatin, te profesorët O. Redlicha dhe A. Dopscha.

Në vitet 1904-1908, dr. Shuflaj punon si asistent në bibliotekën kombëtare “Szeczeny” të Budapestit. Këtu thellon njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos albanologjisë.

Në vitin 1908 emërohet profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Ndërsa në vitin 1918, me kërkesën e tij pensionohet, e pastaj boton pjesën e tretë të Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar ta shkruante në tetë vëllime, me titull, Die kirchenzustände im vortürkischen Albanien.

Si i pa përshtshëm për sistemin në dhjetor të vitit 1920, burgoset, ku dënohet me tre vjet e gjysmë burg, të cilat i bën në Mitrovicën e Sremit.

Në vitin 1928  emërohet profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit, por për shkak se nuk i jepet  pasaporta, detyrohet ta refuzojë këtë emërim. Vritët me 18/19 shkurt 1931 në Zagreb nga agjentët e diktaturës së Mbretërisë Jugosllave. Pas vrasjes, në shtëpinë e tij policia bëri bastisje  duke zhdukur materiale të vlefshme me vlera unikale.

Studiues i historisë mesjetare

Në asjë të angazhimit profesional duke hulumtuar e mbledhur dokumente nëpër arkivat e Dalmacisë, Shuflaj, zbulon materiale burimore shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare. Ishte pikërisht kjo periudhë, e cila  zgjon interes të jashtëzakonshëm te studiuesi i ri, duke u bërë me pas   qëllimi  kryesor i veprimtarisë  së tij shkencore. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, nga pena e dr. Milan Shuflajt dolën studime  me vlera të larta shkencore me theks të veçantë  në fushën e albanologjisë. E tillë është vepra monumentale “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, të cilën e boton në dy vëllime së bashku me L.Thallocin dhe K.Jireçekun(1913 dhe 1918). Me këtë rast po evidentojmë disa studime të cilat kanë të bëjnë enkas me shqiptarët si:

1.Rrethanat kishtare të Shqipërisë paraturke, Budapest, 1916.
2. Konstatin Balshaj (1392-1401)– roman historik, Zagreb 1920 me nenshkrimin Alba Limi.
3. Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë, Kryesisht në Mesjetë, Vjenë 1924.
4. Historia e Shqiptarëve të Veriut, botuar në Beograd 1924. 

5. Serbët dhe Shqiptarët- simbioza e tyre në Mesjetë, Beograd 1925.  

6. Historia e Shqiptarëve të Veriut – studim sociologjik, Beograd, 1925. 

Në opusin e tij kriues Shuflaj trajton me akribi shkencore  qytetet bregdetare shqiptare  gjatë mesjetës  të cilët kanë përjetuar pushtime të ndryshme duke sfiduar rrethanat e kohës  nga dyndjet e popujve deri nën pushtimin e Perandorisë Osmane. 

Në mënyrë të veçantë trajton  qytetet si: Durrësi, Lezha, Shkodra, Drishti,Tivari dhe Ulqini  të cilët kanë pasur një  zhvillim ekonomik e tregtar duke u dalluar në veçanti me qeverisjën lokale që dëshmohet me statutët e tyre të kohës. 

I paisur me njohuri profesionale  në aspektin metodologjik  ai veçohej me shqyrtim shkencor shumëplanesh si nga paleografia, onomastika, toponimia etj.,duke qenë model  për kohën. Një qasje  të tillë ia mundësonte  edhe njohja e gjuhëve të huaja si: gjermanishtë, hungarishtë, latinishtë, greqishtë, frëngjishtë, hebraishtë, gjuhet sllave  si dhe gjuhen shqipe. 

Duke marrë parasysh se veprimtaria e tij  studimore kryesisht historike ka qenë e shpërndarë nëpër revista e gazeta të ndryshme, sipas disa informacioneve që disponojmë  deri sa ishte gjallë regjistri i zërave të tij bibliografikë arrinë në tre mijë, duke mbetur model jo vetëm për kohën e  tij.

Ftesë nga Shqipëria

Duke parë angazhimin profesional dhe pasionin për të kaluarën e popullit shqiptar, në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozon dr. Shuflajt që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të ”Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vëllimet III-V.

Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të hiqte shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme, ku Dr. Milan Shuflaj u ftua të vizitojë Shqipërinë.

Me ftesë të shtetit shqiptar  pas shumë pengesash në lidhje me pajisjën me pasaportë, ai arrin  në Shqipëri  më 12 janar  të vitit 1931. Ai u prit me nderime të larta shtetërore që nga Mbreti Zog, Kryeministri, pjesëtar të kabinetit qeveritar, dhe më në fund nga anëtarët e parlamentit shqiptar. Gjatë qendrimit ne Shqipëri, Dr. Shuflaj më 16 Janar 1931, mbajti një fjalim në Parlamentin Shqiptar, ku në mënyrë të hollësishme foli për punën rreth botimit të vëllimeve në vazhdim të Acta Albaniae si dhe të Historisë së Shqipërise. Për këtë gjë, Parlamenti Shqiptar urdhëroi Ministrin e Arsimit që në emer të shpenzimeve të paguante në llogari të Milan Shuflajt, shumën prej 75000 frangash ari, që sot është e barabartë me disa miliona dollar.

Vizita në Shqipëri në shtypin e kohës 

Ardhja e tij në Shqipëri u cilësua si një ngjarje e veçantë jo vetëm kulturore, ku ka shkruar shtypi i kohës. 

Kështu gazeta  “Arbënia” e datës 16 janar 1931, në rubrikën “Lajme të Shkurtra” thuhej: “Gjendet në kryeqytet Z. Profesor Shuflaj, i Zagrebit. Zotëria e ti ka botuar tre volume dokumente, historike të Shqipërisë dhe ka për të botuar të katërtin volum. Këtu ka ardhur për t’u marr veshë me Qeverinë mbi mënyrën e mbledhjes së dokumenteve e të botimit të volumit.  Bisedimi që pati me  ministrin e arsimit, u përfundua me një dakord mbi të gjitha pikat”.

Ndërsa në gazetën “Vullneti i Popullit” me datën 25 Janar 1931 në artikullin “Profesori

Milan Sufflay dhe histori e Shqipëris”, Lumo Skendo(Mit´hat Frashëri) vizitën e Shuflajt në Shqipëri e komenton në këtë mënyrë: ”Në kryeqytet të vogël tënë patëm fatin të shohim pesë ditë fytyrën interesante të profesorit Shuflaj dhe të dëgjojmë fjalët e tij simpatike. Kjo qe për neve një zijafet intelektual që mjerisht nuk e gëzojmë shpesh.”

 Cekim me këtë rast se me Shuflajn kanë  pasur korrespendencë  personalitete të ndryshme nga bota shkencore e kulturore europiane, ndërsa nga shqiptarët veçohet Mit`hat Frashëri, intelektual i rrallë i botës shqiptare të kohës.

E vërteta historike  si shkak për vrasje

Duke marrë parasysh se rrethanat politike e shoqërore në Mbretërinë e Jugosllavisë ku ishte vendosur diktatura, të gjithë  jo serbët nëse nuk vepronin sipas politikës së tyre hegjemoniste ishin të kërcënuar me jetë. Dhe nga një politikë të tillë shovinste e pësoi Milan Shuflaj, të cilin agjentët serb e likuiduan në Zagreb me 19 shkurt 1931, një  ditë pasi u kthye nga Shqipëria.

Vepra jetësore e Shuflajt me rëndësi kapitale për shqiptarët ishte  “Acta et diplomata res Albaniae mediae Aetalis ilustratia”, duke   theksuar se sa ishte gjallë pati botuar dy vëllime, ndërsa në përgatitje kishte vëllimin e tretë. Ishte pikërisht ky vëllim dhe interesimi për historinë e shqiptarëve që iu pengonte e vërteta historike shovinistëve serb, andaj e vranë në mënyrë  kriminale. Duhet të themi se sa ishte gjallë Shuflaj mendonte se dokumentet për historinë e Shqipërisë do jenë gjithsej gjashtë vëllime  që mbeti ide e pa realizuar, sepse e vërteta hostirke e shqiptarëve iu pëngonte shovenistëve serb.   

Të gjithë ata të cilët duan të trajtojnë kohën e mesjetës shqiptare shkrimet e Shuflajt  janë obligim si referencë profesionale për çdo studiues, sepse ky mbetët autoriteti i pa kontestueshëm  shkencor të kësaj periudhe  për historinë mesjetare shqiptare.

https://fjala.info/2020/milan-sufflay.jpg

Milan  Shufflay (1879-1931)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Nail Draga

KANINA – QYTET I THRONIT

November 26, 2021 by s p

C:\Users\Besniku\Desktop\FOTO  BESO.jpg

Besnik Imeri

Në këtë trinom të rëndësishëm, Aulon-Orik-Kionin (Kanina), bën pjesë edhe kalaja e Kaninës. Gj.Karaiskaj për të na informon: “Kalaja e Kaninës ndodhet në gjirin e Vlorës mbi një kodër me lartësi 380 m…Muret rrethuese përfshijnë një sipërfaqe 3,5 ha dhe kanë një gjatësi të përgjithshme prej 1 km. Ashtu si në Shkodër, kalaja ndahet nga mure tërthore në tri pjesë…Ajo e fillon jetën e saj që nga koha antike. Më vonë në shek. e VI, kalaja rindërtohet nga Justiniani dhe përmendet në listën e Prokopit me emërin Kionin. Në fillim të shek. XI, Kanina ishte një qytet dhe qëndër peshkopate dhe luajti një rol të rëndësishëm në luftërat normano-bizantine. Në shek. XII-XIII, kthehet në një qëndër ushtarake të dorës së parë, duke shërbyer si plasdarm për depërtimin e anzhuinëve në thellësitë e tokave shqiptare. Në vitin 1530 kalaja rindërtohet nga sulltan Sulejmani, ndërsa ndërtimet e fundit të shek. XVII-XIX i përkasin përpjekjeve të feudalëve shqiptarë të Vlorës për të rimëkëmbur këtë fortifikim.”

       Në lidhje me hershmërinë e këtyre fortifikimeve   Neritan Ceka pohon se, faza protoqytetare, shek. VII-V p.e.sonë,  është dokumentuar në Kaninë, Treport, Mavrovë (Olympe), etj. Në Treport vendbanimi protoqytetar përfshinte vetëm majën e kodrës rreth një të katërtën e qytetit të ardhshëm. Në Kaninë ai shtrihej në pjesën më të lartë midis dy majave në një sipërfaqe rreth 1,7 ha. Në Mavrovë shtrirja është e kufizuar në pjesën më të lartë me një sipërfaqe rreth 0,5 ha…Faza protoqytetare shfaqet arkeologjikisht me një dëndësim të dukurive që kanë filluar të paktën që nga bronzi i mesëm…Gjatë shekujve VII-V p.e.sonë…masa kryesore e vendbanimeve si Kanina, Treport, Mavrova (Olympe), etj, përfaqësohen nga shtresa të dëndura në një hiatus nga vendbanime të kohës së bronzit… 

       Nga ky përshkrim mund të arrijmë në këto përfundime: së pari, fortifikimi i Kaninës, si të gjitha fortifikimet pellazgjike, fillimisht ka pasur një akropol, që për Kaninën ishte 1,7 ha; së dyti, ka një fakt interesant dhe të paspjegueshëm deri tani, të gjitha fortifikimet të dyshuara si ndërtime pellazgjike, akropoli i tyre fillimisht është ndërtuar mbi dy maja. Të tilla janë Olympe, Amantia, Selo, Treni, Samobari, etj…; së treti, dyshimet e shprehuara më lart për  dukuri që nga pikëpamja arkeologjike kanë filluar që nga koha e bronzit, si dhe ajo që në vendbanimet si Kanina  përfaqësohen nga shtresa të dëndura në një hiatus nga vendbanime të kohës së bronzit, janë në të mirë të tezës se këto vendbanime të fortifikuara i kanë fillesat e tyre ne kohën e bronzit, që është koha e luzmimit të pellazgëve.

        Në lidhje me kronologjinë e kalasë të  Kaninës nga mjaft autorë pohohet, se ajo mund të jetë fortifikim shumë më i hershëm nga shek.V p.e.s., kohë që u  shkatërua nga apolloniatët. Por, siç e kemi thënë në mjaft raste në këtë studim, legjendat janë një e vërtetë historike e ardhur që nga mugëtirat e kohrave të stërlashta. Një mësim të tillë na e jep edhe arkeologu italian Ugolini: “Edhe legjendat e lashta, të mbledhura herë nga poetë e herë edhe nga historianë të epokës klasike, sjellin një kontribut pohues për pikëpamjen e historianëve modernë…”  

        Një nga këto legjenda, që padyshim, sjell një kontribut pohues për pikëpamjen e historianëve modernë, është ajo  që flet për zanafillën e fortifikimit të Kaninës dhe Amanties, të cilën, e  tregon arkeologu S.Anamali: 

“Një version tjetër të legjendës e ka lënë Pausania, në veprën e tij përshkrimi i Helladës. Ai tregon se në Olimpia, pranë vendit të quajtur Hipodam, gjendej një monument skulpturor, i punuar nga skulptori Lykio dhe kushtuar  Zeusit nga apolloniatët. Sipas kushtimit të kumtuar prej tij, monumenti ishte ngritur nga apolloniatët, pas fitores së tyre kundër abantëve, me një të dhjetën e plaçkës së marrë në qytetin e tyre Thronion. Më tej Pausania shkruan se Thronioni ishte një qytet i krahinës së Abantisë dhe se kjo e fundit u përkiste thesprotëve. Qyteti u ngrit nga abantët e Eubesë së bashku me lokrët e Thronionit; pas udhëtimit në det dhe vendosjes së tyre pranë maleve Keraune. Thronionin e shkatëruan, mbasi e pushtuan apolloniatët, duke i dëbuar prej andej abantët (Pausania, Descriptio Graeciae, V, 22, ed Teubner, Leipzig-1870). Kjo ngjarje është datuar në gjysmën e parë të shek. V p.e.s…

        Dëshmia e Pausanias për ex-voton e Apollonisë nuk mund të vihet në dyshim, aq më tepër, sepse në gërmimet e bëra në Olimpia (Greqi) janë zbuluar mbeturinat e monumentit të ngritur nga apolloniatët, dhe, të parë dhe të përshkruar nga Pausania…Emrin e qytetit Thronion, për herë të parë dhe të fundit, e gjejmë vetëm tek Pausania…Nëqoftëse pranojmë ekzistencën e qytetit Thronion në Ilirinë e Jugut duhen dëshmi arkeologjike për ta provuar, por ato, tani për tani, mungojnë. Nuk mund ta lidhim Thronionin me Amantinë e vonshme por duhet ta kërkojmë më afër maleve Keraune, më afër detit dhe qytetit Orik. Si vend më i mundshëm për një lokalizim të Thronionit, është kalaja e Kaninës, në muret mesjetare të së cilës janë parë gjurmë ndërtimi antik.”

        Llogjika e ngjarjeve, gjithmonë sipas legjendës, kur abantët dhe lokrët  pas luftës së Trojës u vendosën pranë maleve Keraune, të çon në atë, që ata fillimisht janë vendosur në një vend afër bregut të detit dhe nuk janë futur në thellësi, pasi mund të ndodheshin para të papriturave të pakëndëshme. Kujtojmë këtu danajtë, të cilët kur shkuan në Argos, fillimisht qëndruan në breg të detit, për deri sa morën lejen për t’u vendosur në tokë. 

        Nisur nga fakti, se ujrat e detit, në atë që sot njihet si territor i qytetit të Vlorës, deri në prag të shekullit të XX, ndodheshin në të gjithë ultësirën bregdetare deri tek vendi, që nga vlonjatët e hershëm quhet “Bishti i kalldrëmit”, në rrëzë të kodrave të Kaninës; atëhere “miqtë nga Troja” këtu kanë zbarkuar aty, dhe, pasi kanë marrë leje nga vendasit, fillimisht janë vendosur në majën e kodrës së Kaninës, si një vend strategjik ku mund të mbroheshin kollaj.

        Nuk përjashtohet mundësia, që para abantëve dhe lokrianëve, në Kaninën e sotme, vendasit të kishin ngritur një fortifikim, dhe, emigrantët ta kenë marrë atë me luftë. Më vonë, me siguri, pasi janë fuqizuar, lokrët kanë qëndruar në Kaninë, duke i vendosur emrin e qytetit të tyre prej nga vinin, Thronion; ndërsa abantët kanë hyrë në thellësi të prapatokës së Kerauneve, dhe, janë vendosur në kreshtën e fshatit Plloçë duke themeluar aty qytetin, të cilit i vendosën emrin e etnisë së tyre: qyteti i Abantëve, ose Abantias, që nga vendasit, siç do ta shpjegojmë më pas, u quajt  Amantia.

        Pier Kabana është i mendimit se Thronioni nuk ka qënë në Kaninën e sotme por në Triport. Ndjekim arësyetimin e tij: “Ekzistenca e një vendi të ashtuquajtur Thronion dëshmohet nga mbishkrimi i Olimpes (Gigime I, 2,303), i cili është kopjuar në vend nga Pausania (V, 22, 2-4) dhe që dëshmon fitoren e apolloniatëve “në kufijtë e Abantidës” dhe plaçkën e luftës së marrë në Thronion në mes të shek. V p.e.s. Thronion mund të ndodhet në sitin e Triportit, në veriperëndim të Vlorës dhe jo në dy sitet e tjera arkeologjike të kësaj zone: Olympia dhe Amantia antike. Ky lokalizimi Thronionit i korespondon më mirë të dhënave të Pausanias, i cili e vendos këtë…përballë maleve Akrokeraune…Fitorja e apolloniatëve në Thronion…i lejoi qytetit të madh të shtrinte chora-n e tij në luginën e poshtëme të Shushicës, përveç luginës së poshtëme të  Aoosit, si dhe të kontrollonte më mirë Nimfeun dhe minierat e bitumit përreth Selenicës.”

        Nëqoftëse ndjekim fillin e mendimit të Kaban-as, si mundet që apolloniatët që nga Triporti të kontrollonin luginën e poshtëme të Shushicës, madje dhe Nimfeun, Selenicën e sotme?!! Nga ky pozicion, jo vetëm që ishin shumë larg këtij territori, por e kishin dhe shumë vështirë, pasi sistemi i kodrave i detyronte, që për të dalë nga Triporti në Nymfe duhej t’u binin rreth e qark atyre, duke dalë në breg të Vjosës nga ana e perëndimit, ndërkohë që amantët nuk e kishin të vështirët a kontrollonin pjesën fundore të kësaj lugine. Ndërsa, duke qënë Kanina-Thronioni, gjithë lugina e poshtëmë e Shushicës deri në Selenicë, ishte nën kontrollin e saj, ndërkohë, që u bënte presion amantëve në se ata do të tentonin të kalonin luginën në drejtim të Nimfeut, pasi u binin prapa shpine. Prandaj mendimi i shfaqur nga arkeologët Anamali dhe Ceka, se Kanina ka qënë Thronioni, është shumë afër së vërtetës.

         Në antikitetin e vonë, Kanina me emrin Kionin, ka qënë pjesë e rëndësishme e  një qëndre peshkopale, gjurmët e së cilës pasqyrohen nga zbulimi i një  mozaiku paleokristian në rrafshinën poshtë saj, toponimit të një fshati, i cili edhe ai është poshtë saj, dhe ruan sot e kësaj dite emrin, në akcentin vendas, Qishbardhë, Kisha e Bardhë; si dhe mbetjet e një manastiri ortodoks në shpatin e malit përkundrejt Kaninës, i cili ka qënë quajtur Manastiri i Kllogjerit.

        Kalaja e Kaninës, bën pjesë në ato fortifikime, të cilat e kanë luajtur këtë funksion në mënyrë të pandërprerë të paktën për 25 shekuj. Në themelet e trakteve të veçanta të mureve të saj ka gurë pellazgjikë. Por ajo ka vazhduar si fortifikim kaon, pjesë e sistemit të kalave të amantinëve, më vonë me pushtimin romak dhe bizantin u ka shërbyer këtyre pushtuesve. Si fortifikim ajo bën pjesë në kalatë e rindërtuara nga Justiniani i Madh në shek. e VI të erës sonë.  Në shekullin e XII, rreth vitit 1080-1081, për ca kohë, ajo ra nën sundimin e normanëve, në shekullin e XIII, duke filluar nga viti 1204, dhe deri pas mesit të shek.XIV ka qënë pjesë e Despotatit  të Epirit me  Ëngjëll dhe Teodor Dukë Komnenin dhe pasardhësëve të tyre, më pas ka kaluar në duar të anzhuinëve, muzakajve, balshajve, venecianëve, u pushtua prej turqve rreth vitit 1417, por, pas vitit 1430, për ca kohë ka qënë në dorë të Gjergj Arianitit, Gjon Kastriotit, sulltan Mehmet Fatihut, dhe më vonë, fillim shekullin e XVI, me ardhjen e sulltanit të madhërishëm, Sulejmanit, ra përfundimisht nën sundimin osman. “Gjatë kësaj periudhe u bënë rindërtime në këtë kala. Deri në shek. e XVII mbi një nga portat e kësaj kalaje, sipas dëshmisë së Çelebiut, lexohej mbishkrimi”Sulltan Sulejmani e meremetoi” Më pas mbeti një fortifikim turk deri në vitin 1912. Më 1915 ra nën pushtimin italian dhe më 1920 u çlirua prej luftëtarëve të Luftës së Vlorës duke përzënë prej andej garnizonin italian.

Besnik Imeri    

(marrë nga libri “Epiri Pellazgjik”)

Filed Under: Histori Tagged With: Besnik Imeri

TE PERQAFOSH JETEN

November 26, 2021 by s p

Julia Gjika

Në kujtim të viktimave nga aksidenti në Bullgari ku ndruan jetën përmes flakëve në autobuzin që kthehej nga Turqia, 46 persona mes tyre edhe fëmijë. Qofshin të Parajsës!

Ne lindëm dhe do të jemi këtu,

për aq kohë sa të plotësohet ajo

që është shkruar në ballin tonë.

Me lotin e parë përqafuam jetën,

mund të jetonim vetëm një stinë,

mund të jetonim disa orë, ose vetëm një ditë.

Ndoshta shumë vite, më shumë se njëqind.

Ka nëntëdhjet e nëntë të rrojtura,

vuajtje ka, mundimi është i gjatë.

S’ka rëndësi, jeta më perqafoi mua edhe ty.

Në ujra të pastra lëshuam barkat e shpresës,

në thellësi oqeanesh u zhytëm,

pafundësinë zbuluam, një botë tjetër.

Vallzuam me jetën. Muzika e saj na ngriti lart.

Asnjë nuk është në gjëndje të numurojë,

kokrizat e rërës në shkretëtirën e Saharës!

Të deklarojë sa frymë nuk erdhën në këtë botë,

dhe jeta t’u jepej dhuratë!

Ky shekull që jetojmë, paska hyrë ters,

Njeriu, është bërë një e keqe e madhe, për dreq!

pa nisur të bëlbëzojë foshnja, krimi e vret!

Në këtë shekull të XXI njeriu nxiton, për ku?

Më mirë mos kishim lindur në këtë shekull!

Për të mos takuar njeriun të shndruar në djall

lakmine e tij te mos e kishim pare, fëmijë jetime duke qarë,

trupa që digjen së gjalli në aksidente, apo ne luftra,

gra që lindin rrugëve të botës si ne Avganistan

Ligjin e bëjnë bijtë e djallit!

Dhimbje në palcë, kur gruas i djegin fytyrën,

në tokë bien qiejt!

Dhimbje në kockë, ligjit nuk i dihet ngjyra.

Zhurmon hapur korrupsioni,

urrejtja, krimi, varfëria!

Hëna flet mes ftohtësirash :

Korrjet, s’paskan “stinë”!

Kjo jetë e pagjumë për njerëzimin,

sjell pamje të papara, ku verbohet drita.

Xhelatë, shëtisin të lirë, ngado

vrasin jetën nga primitivja kazmë, lopatë, apo thike!

Ditët vijnë të c’veshura nga mirësitë,

jetën e vret plumbi, hanxhari, shkopinjtë,

lahen hesape pa e njohur vdekjen si rit!

“Ti budalla gjakatar”! artikulon Ripper, rosaku australian.

Bota e ka humbur fillin, banditi zgjohet me urrejtje në sy

dhe një thikë të fshehur në brez a nën mëngë.

Bota u bë pengu i lakmise, ndërsa varfëria

ulëret për fatin gërmadhë në sytë e saj.

Të vërtetat fshihen, shpirti e ka lënë trupin

trupi të zit e ullirit heq, hesht kur duhet te ulerase!

“Une ju kam bere dhe une do t’ju perkrah – thote Zoti

qe kur lindet u mbajtet tek une.

U kujdesa qekur ishit ne bark te nenes,

fshehur ne hijen e dores sime u kam

kur te ecni neper zjarre, nuk do te digjeni,

mjere lakmitaret, me bollekun qe kane e nuk u ngopen

si nje re e dendur jane mekatet e tyre

shenjterine time perbuzin”.

Le të bien rrufetë, le ta shuajnë këtë farë,

që ngrys e gdhihet jetën për të vrarë!

11/25/2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Julia Gjika

UDHËTIM NË DY KOHË

November 26, 2021 by s p

Përshkrim

Nga arkivi i gazetarit

Abdurahim Ashiku

Pas ngeli Zogu i Zi me zhurmën e makinerive të ndërtimit, me renë e pluhurit dhe makinat e vogla e të mëdha që kërcejnë nëpër gropa në dhimbjen e një bote në transformim. Kjo nyje është prezantimi i parë me kryeqytetin, është ajo që sheh kur hyn dhe ajo që ndjen kur ikën. Kur e kalon këtë nyje, si lart po ashtu poshtë ndjen të renë, atë që është transformuar dhe atë që është në transformim, ndjen qendrën e kryeqytetit, Parkun Rinia, Lanën nën një gjelbrim të ripërtrirë. Ndjen Rrugën e Durrësit deri në lidhje me autostradën në një hapsirë që rrallë kryeqytete të botës moderne e kanë..

Mikrobusi i djalit të një mikut tim, Rexhep Manit, një njeri që gruas sime i bëri përshtypje të veçantë për kulturën e komunikimit me njerëzit, hyn në urën mbi lumin e Tiranës tek ish fabrika e tullave. Ura është e ngushtë, dy makina mund të kalojnë mbi të me kujdes, me vështirësi. Ura lidh dy rrugë, ende në zgjerim e në ndërtim që përcjellin në të dy krahët dy rradhë makinash. E ngushtë ura tek shtrydh morinë e makinave që vijnë e ikin drejt Veriut. E ndërtuar që në vitin 1963, pas shirave tepër të rrëmbyera të dhjetorit 1962, shira rryma e të cilëve e bëri aq kryeneç lumin sa ta rrëmbejë si një fije kashte urën e drunjtë, pas pasarelës së përkohëshme që na lidhëte ne studentët e bujqësorit me kryeqytetin, do të ndërtohej e betontë, e fortë. Ashtu është edhe sot. Por ajo do zgjeruar, don që të hidhen këmbë të reja mbi shtratin e lumit…E don koha, e don zhvillimi…

Ura e Matit, apo e shënuar në kujtesën e popullit si Ura e Zogut, është e heshtur, është si një urë muze, si një relike e kohës së largët. Mbi të, megjithëse nga larg, nga Greqia ku punoj e jetoj, pata parë një kronikë televizive ku me figurë e zë flitej për rikonstruksionin e saj. Sot nuk pashë ndonjë makinë të kalojë mbi të. Blloqet e betontë e kufizonin hyrjen nëpër të…

E përmenda sepse ura më kujtoi një kohë të shkuar, vitet pesëdhjetë, gushtin e vitit 1954 kur mbi të kalova natën, udhëtimet e më vonëshme ditën. Asokohe, me autobuzin e linjës niseshim nga Tirana në orën 7 të mëngjesit për t’i rënë rreth e qark nga Vora, nëpër një rrugë të paasfaltuar e për të arritur në Rrubik në mesditë. Atje, në një gjelltore që shihte Fanin, nxirrnim nga trastat bukën e marrë me triskë ose të bërë në shtëpi dhe merrnim ndonjë gjellë. Në Peshkopi arrinim vonë, shumë vonë, pas 13 -15 orë rrugë.

Kjo rrugë do të mbyllej aty nga viti 1957, do t’a përpinte liqeni i Ulzës…

Nuk hymë në Urën e Zogut, morëm djathtas me pamjen në të majtë të deltës që formohet kur bashkohet Mati me Fanin, me luginën e Fanit në njerin krah e atë të Matit në krahun tjetër. Në këtë pamje nuk ka se si syri të të mos ndalet në kurrizin e një rruge, mbi shinat që dikur kaloi treni, shina tek tuk të shqyera e të rrëmbyera. Kjo pamje do të na humbiste nga sytë kur merr krahun drejt Rrubikut e Rrëshenit për të na u shfaqur në Burrel e në luginën e lumit që të çon në Klos. Kurrize të shqyera, shina  që në vend të trenave e lokomotivave mbajnë tenda rrushi, ura të betonta diku të plota e diku vetëm në këmbët e betonta, stacione treni me ndonjë kolonë betoni të lartë si dëshmi e një dëshire të parealizuar…

Lugina e Matit është ndër luginat më të bukura të vendit. Në atë luginë ka diçka epike e heroike, nga e kaluara e largët kur Sënderbeu kalonte këtej ushtrinë e vet në pusitë që i zinte armikut. Nga e kaluara e afërt kur njerëzit, varur me litar, çanin me qysqi shëmbin e gëdhendnin  atë që do të hynte në historinë e jetës sonë si një monument i jashtzakonshëm trimërie e burrërie, atë që do të quhej  ( që quhet edhe sot ) Rruga e Dritës. 

Në Shkopet pimë një kafe në një lokal ku syu nuk ka se si të mos të ndalet tek një tabelë ku shkruhet në formë harku “ Hidrocentrali i Shkopetit -1963 “. E kam vizituar atë hidrocentral në shkëmb menjëherë pas ndërtimit. E kam vizituar edhe hidrocentralin e Ulzës, menjëherë pas  ndërtimit, në vitin 1957. Detyra e gazetarit më ka përcjellë në mjediset e brendëshme të të dy hidrocentraleve në fund vitet ’70. Hidrocentrali i Ulzës, ndërtimi i tij, ka një histori që nuk ka se si mos të jetë një nga monumentet më madhështore të historisë sonë të pasluftës. Në një stadium të lojrave me dorë në Athinë, një burrë i moçëm nga jugu i Shqipërisë ma pat përcjellë mendjen menjëherë në Ulzë. Jo në Ulzën e sotme me Liqenin e bukur që pikturon me hollësi retë në kaltërsinë e qiellit, por me Ulzën e viteve ’50- të me vullnetarët nga e gjithë Shqipëria, me Ulzën që pas hekurudhave, bëri hapa të fortë në zgjimin e gruas dhe vajzës shqiptare, në luftën kundër analfabetizmit dhe në frymën shoqërore, në Ulzën që lidhi dashuritë e mëdha midis të rinjëve e të rejave, dashuri që thyen zakonet e egra të kohës. Në një shtëpi tiranase një përmetar që në ato vite kishte punuar në Peshkopi me rininë, më tregon se si punonin asokohe për të zgjuar brezin e ri nga errësira e së kaluarës, si punonin për t’i përcjellë të rinjtë dhe të rejat që nuk kishin kaluar kufijt e fshatit, në hidrocentral…Një faqe, nga më të lavdishmet e historisë sonë të re që çuditrisht është fshirë nga media jonë, është fshirë nga politika jonë pas tabusë se ajo kohë dhe ato veprime, ato hidrocentrale dhe ato tubime- shkollë ishin të regjimit komunist e të Enver Hoxhës. Ato tubime, ato hidrocentrale, që nga ai i vitit 1951 që i dha, siç thotë kënga, “Ujë e Dritë Tiranës” e deri tek ai i Vaut të Dejes, Fierza e Komani, ato tunele të hidrocentraleve që nga ai i Selitës ku emri i Sabri Shinit hyri në legjendën e kohës si “luani i tunelev” e deri tek ai i Fierzës e Komanit, ishin dhe janë djersë dhe gjak i një populli të tërë, ishin dhe janë emancipim i gjërë dhe i thellë i një brezi sakrificash teje të mëdha. Dhe në qoftëse ky brez, këta njerëz, të nxitur nga një idealizëm i lartë ngritën në pesëmbëdhjet vjet tre hidrocentrale ( të Tiranës, Ulzës e Shkopetit ) a nuk meritojnë një mirënjohje të thellë kombëtare? A nuk meritojnë një lapidar të madh diku në luginën e Matit apo gjetkë ? Dhe në qoftëse ata njerëz, të nxitur nga ideali i kohës, bënë në pesëmbëdhjet vjet tre hidrocentrale, pse brezi i sotëm, politikanët e sotëm, në pesëmbëdhjet vjet nuk ndërtuan asnjë hidrocentral, madje edhe një hidrocentral të lënë përgjysëm si ai i Banjës e lanë në harresë, e abandonuan dhe e shaktërruan ?…Dhe marrin dritë nga djersa dhe gjaku i brezit të shkuar ?…

…Me Burrelin më lidhin shumë kujtime të moshës së rinisë dhe të kohës kur punoja si gazetar i ATSH-së. Sot, tek përballem me të diçka më gëzon dhe më shqetëson. Bulevardi kryesor i tij ëshë çarë nga kanale të shumtë. Po rikonstruktohet. Po zgjerohet e po transformohet, po bëhet më i bukur se ka qenë. Kjo më gëzon. Po ajo që më hidhron janë gardhet dhe gardhiqet e tij, produkt i një mentaliteti të ngushtë për pronën. Burreli, për t’a kaluar atë, ka pasë një unazë, ose më mirë me thënë dy gjysëm unaza. Njera shkonte djathtas për të dalë tek rruga e Qafë-Shtamës dhe muzeu historik, e tjetra shkonte majtas për të zbritur pjerrësinë e fortë e për t’u takuar poshtë me gjysmën tjetër të unazës. Nëpër të parën shonin e vinin makinat e rënda të ngarkuara me mineral kromi e me metal ferrokromi. Në të dytën shkonin e vinin skodat me rimorkio që merrnin kromin e Bulqizës, Batrës, Cërrujës. Të dy këto gjysëm unaza të Burrelit nuk jetojnë më. Ato janë coptuar si të ishin prej kashte nga pronaret e trojeve… Dhe ne… detyrohemi të kalojmë rrugicave të tij, mes pallateve e pazareve për të dalë në qosh të tij, përballë burgut të njohur të tij, nën një lloj “burgimi” rrugor.

Lugina nga Zenishti në Klos është shumë e bukur. Mati ujë kristal, herë zhytet e herë del kanioneve të thella të gjelbruara. Misri, nën ujin jetëdhënës të një kanali në funksion harbon duke mbajtë nën krahë kallinj të mëdhenj që varin mustaqet e gjata deri poshtë. E re në këtë luginë janë lokalet e shërbimit, njeri më i bukur se tjetri, ngritur në burime ujrash, në tunele gjelbrimi. Në këto lokale, po të gërmosh pak nën cipë, do të gjesh djersën e emigrantëve, të djemëve të Matit që rrahën Greqinë, Italinë, Gjermaninë, botën. Matjanët nuk kanë qenë shquar për shërbime të ushqimit social. Ky konstatim imi, i jetuar në shumë vite udhëtimi e pune, sot ka ndryshuar, është bërë tjetër. Djemtë e Matit, bashkë me paratë dhe investimet, sollën në vendlidje edhe përvojën e tyre në shërbimet e ushqimit social nga vendet  ku punuan e jetuan…

Në Klos, kur merr kthesën e i ngjitesh të përpjetës për në Qafë të Buallit vështrimin m’a qepin me gajtanë, pashë më pashë, dy pamje. 

Njera lidhet me një luginë që shkëputet nga ajo e Matit dhe merr djathtas. Andej ka kaluar në histori ajo që në gjuhën e popullit quhet “Rruga e Dibrës” e në gjuhën e historianëve quhet “Rruga e Arbërit”. Historitë e kësaj rruge i kam dëgjuar që në fëmini, asokohe kur babai me një kalë misër apo groshë, udhëtonte drejt Tiranës duke bërë tre ditë vajtje e tre ditë ardhje rrugë më këmbë. E prisnim me gëzim por edhe me frikë atë javë të lodhëshme udhëtimi. Me gëzim e prisnim se do të merrnim ndonjë rrobë të re, ndonjë karamele, portokall apo ullinj që me bukën e misërt shkonin shumë. Me frikë e prisnim se Shkalla e Tujanit, nga tregimet e shumëta ishte shkalla e frikës, shkalla ku kuajt, në atë tërkuzë ecjeje nëpër shkëmb, rrëshqisnin e nuk i gjëndej nami e nishan kafshës dhe mallit. Kësaj rruge, të transformuar disi në kohë, thuhet se do të kalojë rruga e re drejt Dibrës e më tej drejt Gostivarit e Tetovës. Madje, në fushatën elektorale, pamë nga Athina kryeministrin të presë shiritin e fillimit të punimeve.. Kur të bëhet (kurdo që të bëhet ) Tirana me Peshkopinë nuk do të jetë më larg se Tirana me Fierin.

Nga lartësia ku po ngjitem, në vështrim pa i ulur sytë, ushëtoj me mendje në një tjetër rrugë, rrugë që thonë se është rrahur nga makinat në fund të viteve 40-të. Në atë rrugë, shtruar me një kalldrëm të trashë, kam udhëtuar në tetor të vitit 1964 në shoqëri të një publicisti të madh, të një diplomati të dëgjuar, të Javer Malos. “Gazi”, me 15 – 20 kilometra në orë, na ngjiti në bjeshkët e Shëngjergjit, një bukuri e rrallë e maleve tona të Shqipërisë së Mesme, pamjen madhështore të të cilës e ruaj ende në kujtesë. Nuk e di pse kësaj rruge nuk ia kam dëgjuar zërin, nuk e di pse kjo bukuri e maleve tona mbahet ende fshehur nga syri i udhëtarit vendas dhe të huaj. Asaj kohe mund të justifikohej me sekretet ushtarake e strategjike. Sot nuk ka asnjë arsye që ajo rrugë, ato vende të heshtin…

Kur ngjitesh në Klos Katund, Patini që zhytet mes gjelbrimit t’i ngjit sytë si me zamkë. Të ngjit edhe veshët nëpërmjet një kënge me çifteli, një kënge të re epike, këngë që flet për një djalë të fisit të Pisleve, Flamurin, një djalë për të cilin një regjisor grek ka krijuar një film të tërë, filmin ‘ Omiros ‘ – Pengu. Një emigrant që është edhe në këngë, edhe në film…

Duke u ngjitur më lart vështrimi më ndalet te dy traverbankët dhe tek fabrika e pasurimit të kromit e Klosit. Traverbankët synonin nivelin e pestë të minierës së kromit të Bulqizës. Nëpër to do të kalonte lumi i kromit shqiptar. Do të kalonte edhe lumi i ujërave të nëntokës së Bulqizës që do të vinte nën ujë pjesën kodrinore e malore të luginës së Matit. Fabrika e pasurimit të kromit do të lidhej me hekurudhën. Traverbankët e shohin luginën si dy sy të verbër. Fabrika, në shkatërrimin e saj hesht.

Kështu hesht edhe Rampa e Qafës së Buallit në ballin e së cilës sa e sa herë kam zbritur dhe kam fotografuar njerëzit në punë. Ajo synonte nivelin e pestë në zbritje e ngjitje me kamionë…

Bulqiza është po ajo. Me fabrikën e pasurimit në qetësi, me minierën mbi krye që nuk nxjerr  më shumë krom se sa nxirrej një herë e një kohë në një muaj, me qytetin që duket se mbijeton nga tregëtia e rrugës dhe kafenetë e shumëta, me qytetin e ri dhe atë të vjetër në mes të të cilëve është ringjallur këneta e dikurshme, një “liqen”  zgjerohet ditë për ditë e vit për vit…

Kur hyn në luginën e Zallit të Bulqizës ndjen  bukurinë që sjellin livadhet e Zerqanit. Kur del prej saj e hynë mes për mes Shupenzës, përshtypje të bën gjelbrimi i misrit dhe i jonxhës, ngarkesa e pemëve, shfrytëzimi deri në madhësinë e pëllëmbës së dorës i tokës. Përshtypje të bëjnë ndërtimet e bukura me çati të tipit alpin, lokalet e ngritura e në veçanti një lokal që zgjatet mbi ujrat e Drinit, pak poshtë ku ai takon ujërat e Zallit, ujëra që vijnë nga Bulqiza,  Ostreni e Okshtuni.

Maqellara është  këthyer në një qytet të vërtetë. Këtë përshtypje nuk t’a krijojnë vetëm ndërtesat e bukura në qendër dhe në fshatrat për rreth por edhe gjallëria e jetës, gjallëria që sjellin duart punëtore të maqellarasve, të emigrantëve që prej vitesh rrahin rrugët e largëta të Evropës..

Qenokut, në majë të të cilit ndahen të Dy Dibrat, ajo e poshtmja me Nëntë Malet dhe e Sipërmja me Dibrën e Madhe m’atanë, prerë mizorisht nga Evropa e 1913-s, i ka mbetur diçka nga e kaluara, I kanë mbetur disa blloqe me kumbulla ( që këtë vit nuk kanë prodhuar fare), i kanë mbetur edhe arrat që pas plakjes së kumbullave do të përbëjnë një pyll të tërë. Kështu e patëm menduar në vitin 1966 me Xhavit Hysën kur piketonim dhe mbillnim bllokun frutor të Qenokut, bllok asokohe me 53 mijë rrënjë pemë. Në një pjesë të tij, atje ku në dorë e morën “të zotët e zabelit” këtë ide të madhe të Xhavit Hysës, njeriut që meriton një lapidar të madh për ndihmesën teknike e shkencore në krijimin e blloqeve të mëdhenj frutorë në Dibër e sheh të gjallë…

Kthesa e Llasenit të sjell në pëllëmbë të dorës Peshkopinë. E ndarë mes për mes nga përroi i llixhave, e prerë në dy pamje që të japin qytetin në dy kohë, atëhere kur nga një fshat i zakonshëm  u kthye ( nga prerja drastike që iu bë qytetit të Dibrës ) në kryeqendër të krahinës dhe pamjes sot.  Peshkopia duket si një gonxhe që matet të çelë. Nga e bukura e pesëmbëdhjet vjeteve të shkuara ka mbetur shetitorja e saj  ku blinjtë përqafohen njeri me tjetrin në tërë gjatësinë, ku njerëzit, të pa shqetësuar nga makinat, shetisin mbrëmjeve dhe mëngjeseve, ku duart e kujdesëshme mëngjeseve e mbrëmjeve lajnë, si të lajnë shtëpinë e tyre, tërë gjatësinë e rrugës. Nga e kaluara, nga ajo që jam rritur e jam gëzuar si fëmijë, nga lulishtet e shumëta që shoqëronin tërë rrugët e qytetit, nga lulishtet e Agush Selishtës, njeriut biografia fioristike e të cilit fillon nga Pallati i Pionierëve në Tiranë, lulishtja pas monumentit të Skënderbeut e Parku Rinia, pothuajse asgjë nuk ka mbetur, pothuajse të gjitha janë shëndrruar në beton e pllaka të ngjyrave të ndryshme…

Në perëndim të ditës, atëhere kur dielli pushon paksa mbi Runjë, mora rrugën drejt Zdojanit, fshatit tim ku linda dhe kalova fëmijërinë për t’u çmallur me gurët e drurët, me vendet dhe njerëzit, me pamjen me Drinin tërkuza e ujtë e të cilit më sjell shumë kujtime e ngjarje…

Abdurahim Ashiku

Tiranë – Peshkopi 13 gusht 2005.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2719
  • 2720
  • 2721
  • 2722
  • 2723
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT