• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

11 SHTATORI: PLAGA E HAPUR DHE RRËNOJAT E NJË SOLIDARITETI TË HUMBUR

September 17, 2021 by s p

Nga MASSIMO GAGGI

Amerika që sot kremton përvjetorin e njëzetë të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 është një Vënd i sfilitur, i drobitur nga lufta më e gjatë e historisë së saj: një betejë e zgjatur njëzet vite, e luftuar nga etër dhe nga shumë prej bijve të tyre. Por është edhe një Vënd i ndarë, i përshkuar nga një çarje e thellë. Figura tragjike e Rudy Giulianit është një simbol: kryebashkiaku i brohoritur nga të gjithë si një hero mbi rrënojat tymosëse të 11 shtatorit, “njeriu i vitit” i festuar në kopertinën e Time, i kthyer në një nxitës të sulmit mbi Kongresin të 6 janarit të shkuar, një rrezik për qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane.

Pandemia, piskama e sotme, në vënd që t’i bashkonte SHBA si kundër Al Qaedës, ushqen përplasje: madje një klimë të luftës civile me shumë që ftojnë për kryengritje kundër detyrimit vaksinor të lajmëruar nga presidenti Biden. Kongresi, një shënjestër e mundëshme e aeroplanit të tretë të terroristëve të 2001, ai që ra në Pensilvani, mbështillet përsëri nga rrjeta e telit me gjëmba nga frika e sulmit. Jo nga xhihadistët por nga skajorë të së djathtës që do të manifestojnë në Washington të shtunën e ardhëshme.

“Po shkoj në Afganistan me qëllim që biri im një ditë të mos luftojë të njëjtën betejë”. Kur në 2002 kapterri Trevor deBoer i u përgjigj kështu atij që e pyeste se përse shkonte vullnetar, nuk mund të merrte me mënd se 17 vite më pas i biri Payton do të ndahej nga shërbimi ushtarak në të njëjtën bazë afgane ku filloi misioni i tij. Me një luftë që zgjati sa një brez njerëzish, raste si ai i familjes deBoer janë të panumurtë dhe vërtetojnë mirë “mundin e luftës”, dëshirën e shumë amerikanëve për t’u tërhequr nga bota, ndiesinë e fshehtë të zhgënjimit që kërcënon kremtimet e përvjetorit të njëzetë të sulmit terrorist të Al Qaedës.

Plaga e asaj dite të tmerrshme nuk është shëruar kurrë e ka shtyrë, pak a shumë me vetëdije, një popull që ka jetuar gjithmonë me mërgim në tokën e tij dhe me marrëdhënie të ngushta me të gjitha Vëndet, të mbyllet hap mbas hapi në logjikën e “kështjellës Amerikë”. Amerika bujare, e ardhur për të shpëtuar Evropën në dy luftëra botërore, ajo e planit Marshall, nuk është krejtësisht e shuar, por atëherë njerëzit e saj ndjenin se kishin bërë diçka për ata që, për shumë prej tyre, ishin Vëndet e zanafillës: ishte thirrja e rrënjëve dhe kishte ndjeshmëri, vlera e kultura të përbashkëta, të këmbyera nga mirënjohja e Kontinentit të Vjetër kundrejt Botës së Re.

Asgjë nga e gjitha kjo nuk është përsëritur në luftërat e Gjirit e t’Azisë Qëndrore: Vënde të largëta, fisnore, të pakuptueshme. Ashtu sikurse i pakuptueshëm për më të shumtit ishte sulmi i ftohtë kundër Kullave Binjake dhe Pentagonit, i organizuar nga njerëz që vinin nga një Vënd aleat, Arabia Saudite.

Por ata të një lufte të pafund nuk kanë qënë vetëm njëzet vite që kanë sfilitur Amerikën, duke i hequr asaj dëshirën për të luftuar, për të vazhduar të ndërpretojë rolin e xhandarit të botës, të rënë mbi shpatulla nga fundi i viteve Tetëdhjetë me shëmbjen e perandorisë sovjetike. Kanë qënë edhe vite dasirash gjithënjë në rritje, në të cilët Vëndi ka humbur atë pak kompaktësie që kishte fituar pikërisht nën goditjet e terrorizmit.

Ashpërsimi i dasive politike kishte filluar me sulmet tejet të forta të spikerit republikan të Kongresit, Newt Gingrich, kundrejt presidencës Bill Clinton, më pas me zgjedhjen e George Bush-it mbas një lufte kokë për kokë me Al Gorin. Por mësyemja e Al Qaedës, veç shtyrjes së gjysmës së botës të deklaronte “jemi të gjithë amerikanë” e kishte ribashkuar Vëndin. Sot, në një Amerikë që diskuton më shumë për vaksinat se për mënyrat e tërheqjes nga Afganistani, i vetmi që ze faqet e para. është ish (e ndoshta i ardhëshmi) president Donald Trump-i. Ai e bën në mënyrë të çuditëshme: nuk flet për tërheqjen, të kryer mbi bazën e marrëveshjeve që ai ka mbështetur, ka dashur fuqishëm e ka nënëshkruar, por për heqjen e përmendores së gjeneralit konfederal Robert Lee në Richmond të Virgjinisë: një çast nga lufta kulturore në vazhdim n’Amerikë, që mund të jetë e diskutueshme nga pikëpamja e ruajtjes së kujtesës historike. Por ish presidenti e shfrytëzon për të lëvduar një njeri që ka luftuar për të mbrojtur skllavërinë duke shtuar pastaj, me një nga daljet e tij sureale, se po të kishte jetuar në kohët tona, sigurisht Lee do t’a kishte fituar luftën n’Afganistan.

Sureale por të pëlqyeshme për ithtarët e tij. Amerika e sotme është edhe kjo: e trullosur nga dy dhjetëvjeçarë luftërash pa krye, që e kanë dobësuar politikisht, ekonomikisht e moralisht, por edhe e ndarë ndërmjet dëshirës për të përkujtuar të rënët e saj, duke provuar të vetëbindet se viktimat e 11 shtatorit dhe 6650 të vrarët amerikanë në Irak e Afganistan nuk janë flijuar kot dhe tharjes së simpatisë të prodhuar në mënyrë servile nga efekti-Trump, me bindjen e tij se kush vdes në betejë është  një humbës. Veteranë në revoltë kundër tij? Çfarë thua! Madje për të mbushur rradhët e milicive paraushtarake, kundërshtuesit më të gjallë të rregullshmërisë së zgjedhjes së Biden-it, janë pikërisht shumë veteranë të dy luftërave që, të zhgënjyer nga rikthimi në jetën civile, shpesh të papërshtatur ose të papunë, kanë kërkuar ikje në teoritë konspirative më fantastike e kanë gjetur strehë në populizmin e ashoër e luftarak të Trump-it. Njëzet vite më parë Amerika blindohej për t’u mbrojtur nga kërcënimi i të tjerë atentatesh xhihadiste. Sot ai rrezik nuk është harruar, por mbas sulmit të 6 janarit mbi Kongresin, shqetëson më shumë kryengritja e brëndëshme.

Hapësirën ndërmjet këtyre dy Amerikave do t’a shohim sot në qëndrimet e presidentëve dhe ish presidentëve amerikanë: ndërsa Barack Obama e Georg Bush, veç Biden-it do të marrin pjesë në përkujtimoret e të rënëve, Trumpi në Floridë do të dëfrehet duke bërë telekronistin e një ndeshjeje boksi, ndërmjet dy lavdive të vjetra, tashmë pesëdhjetëvjeçarë, të peshave më të rënda.

“Corriere della Sera”, 10 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: 11 shtator, Eugjen Merlika

Komuniteti i biznesit takon të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi z. Miroslav Lajçak

September 17, 2021 by s p

Prishtinë, 17 shtator 2021

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, bashkë me përfaqësues nga komuniteti i biznesit ka pritur në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi z.Miroslav Lajçak.

Në këtë takim shumë konstruktiv u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe për zgjidhje praktike të problemeve të cilat po e ngadalësojnë këtë proces. Përfaqësues nga komuniteti i biznesit gjatë takimit adresuan të gjitha barrierat jo-tarifore për produktet kosovare, të vendosura nga Serbia.

I dërguari special i BE-së z. Lajçak dhe përfaqësues të komunitetit biznesor të Kosovës, në takimin e parë mes tyre, mes tjerash diskutuan dhe u dakorduan për rëndësinë që normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi ka në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe rajonit.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Berat Rukiqi, Miroslav Lajcak

Studentë nga bota interesim për Kosovën

September 17, 2021 by s p

-Kryeministri Kurti bashkëbisedoi për sfidat në qeverisje dhe në politikë me një grup studentësh nga shtete të ndryshme të botës që ndjekin studimet master në Austri: Mënyra më e mirë që bashkësia ndërkombëtare mund të përkrahë Kosovën është heqja e regjimit të vizave…/

PRISHTINË, 17 Shtator 2021-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bashkëbiseduar me një grup studentësh nga shtete të ndryshme të botës që ndjekin studimet master në Austri, në fushën e të drejtave të njeriut. Delegacionit të studentëve u prinin profesorët e tyre, znj. Marijana Grandits dhe z. Manfred Novak.

Duke e falënderuar për pritjen, profesorja Grandits tha se studentët kanë shprehur dëshirë që të dëgjojnë pikëpamjet dhe sfidat me të cilat përballet kryeministri Kurti në qeverisje dhe në politikë.

Kryeministri foli për prioritetet qeveritare, pandeminë Covid19, përmirësimin e arsimit, reformat e nisura në drejtësi dhe për rrugën politike të Republikës së Kosovës për integrim evropian dhe euroatlantik.

Duke folur për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID 19, kryeministri Kurti tha se pas shpërthimit të variantit të rrezikshëm Delta, në muajin e kaluar, e që rriti ndjeshëm numrin e infeksioneve, gjendja tani ka filluar të përmirësohet.

Ai tha se Kosova ka administruar mbi 1 milion doza të vaksinës dhe kjo shton shpresën për tejkalimin më të lehtë të gjendjes dhe forcimin e imunitetit të popullatës ndaj valëve të reja të mundshme të përhapjes së virusit.    

Kryeministri tha se që pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Republika e Kosovës nuk ka pasur stabilitet më të madh institucional dhe politik.

Dhe ky stabilitet po ndikon edhe në përparimin ekonomik, tha kryeministri gjersa i njoftoi studentët për rritjen e parashikuar ekonomike prej 7,9 % të bruto prodhimit vendor, rritjen e eksporteve prej 63%, të qarkullimit të biznesit prej 30% dhe të të hyrave të qeverisë prej 28%.

Studentët u interesuan të dinë nga kryeministri për politikën që do të ndjekë Kosova në arenën ndërkombëtare, për procesin e dialogut me Serbinë, për mënyrën sesi po e lufton korrupsionin etj.

Kryeministri tha se mënyra më e mirë që bashkësia ndërkombëtare mund të përkrahë Kosovën është heqja e regjimit të vizave, sepse kjo do t’ua lehtësonte studentëve lëvizjen për studime në universitete ndërkombëtare, ndërsa bizneseve do t’u ndihmonte të zgjerojnë dhe të zhvillojnë më lehtë aktivitetet e tyre.

Ai tha se mënyra tjetër e ndihmës do të ishin rritja e shkëmbimeve tregtare dhe  investimet e pëbashkëta të kompanive të huaja me bashkatdhetarët tanë në mërgatë.

Kryeministri tha se korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë, por sistem, dhe meqenëse nuk është shoqëror por institucional, së pari duhet të luftohet në institucione. Reformat e nisura në sistemin e drejtësisë, janë hapi i parë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, tha ai.

Filed Under: Mergata Tagged With: Albin Kurti, qeveria e Kosoves, Studentet nga bota

Prolog për të bukurën dhe fjalën artistike

September 17, 2021 by s p

Nga Anton Çefa

Qenia dhe qenësia e artit qëndron tek kutpimi dhe vlerësimi i vlerave estetike dhe fillimisht e kryesisht tek kuptimi dhe vlerësimi i së bukurës.

Janë dhënë shumë përkufizime për të bukurën, por edhe është mohuar mundësia për ta përkufizuar atë. Platoni, i pari filozof që trajtoi probleme të estetikës, si filozof moralist që ishte, e trajton artin si pjesë të etikës, dhe shkon deri atje sa të identifikojë të bukurën me të mirën dhe të vërtetën. Aristoteli: “E bukura është simetri, proporcion, harmonizim i pjesëve tek e tëra”. Për Kantin, “E bukur është ajo cilësi me anën e së cilës një objekt na kënaq, pa përfillur dobinë e tij, na josh në një soditje të pavullnetshme dhe na bën të përjetojmë një lumturi të painteres.” Fichte e konsideronte si virtyt moral. “E bukura, po aq sa e vërteta, është qëllim në vete.” Hegeli, pothuajse si Aristoteli, e shihte të bukurën si unitet të pjesëve, përparësi të formës ndaj përmbajtjes dhe si manifestim ndijimor i idealit metafizik. Për Benedetto Crocen, e bukura nuk është fakt fizik dhe nuk u përket gjërave, por aktivitetit të njeriut, energjisë së tij shpirtërore, ajo nuk ekziston në natyrë; natyra është e bukur vetëm për atë që e shikon me syrin e artistit, tek i cili e ka burimin e bukura. Ai e ka përkufizuar shkurt: “E bukura është shprehje”. Shkrimtari i shquar francez, Anatole France ka thënë: “Unë besoj se ne kurrë nuk do të dimë me saktësi pse një gjë është e bukur. Askush nuk ka qenë i aftë të ma tregojë me përpikëri një gjë të tillë . . .  Sa për mua, unë ndjek ndjenjën time për të bukurën. A mund të gjej njeriu një udhërrëfyes më të mirë? . . . Nëse do të më duhet të zgjedh mes së bukurës dhe së vërtetës, unë nuk do të lëkundem, do të zgjedh të bukurën. Nuk është asgjë e vërtetë në këtë botë, veç së bukurës.”

Studimi i natyrës të së bukurës ka vazhduar prej shekujsh që nga antikiteti grek dhe vazhdon sot e kësaj dite; çdo filozof dhe estet që ka lavëruar në këtë fushë na ka dhënë një përkufizim të vetin. Megjithëse janë dhënë sa e sa përkufizime për të bukurën si dhe për kategoritë e tjera dhe për problemet më të ndryshme të estetikës, çështja e trajtimit të tyre mbetet dhe do të mbetet gjithnjë e hapur. Estetika si bijë e filozofisë i shtron problemet dhe jep zgjidhje që nuk janë kurrë përfundimtare. Është në natyrën e saj që filli i Arianës nuk mund të na nxjerrë nga labirinti. Kjo, ndoshta, e ka shtyrë historianin e shquar të filozofisë Wil Durant të thotë në veprën e tij “Kënaqësitë e filozofisë”: “Nuk është për t’u çuditur që librat më të pagdhendur në botë janë ato që janë shkruar për të bukurën”.  

Rëndësore për estetikën është çështja: a ka karakter objektiv a subjektiv e bukura. Përderisa e përjetojmë nëpërmjet kënaqësisë që na jep dhe e krijojmë, ajo ekziston, – është cilësi objektive e sendeve dhe dukurive, arsyetojnë një palë. “E bukura është në syrin e shikuesit”, ka thënë Margaret Hungerford, duke mohuar objektivitetin e saj. Ideali i së bukurës ndryshon nga njeriu tek njeriu, nga një popull tek një tjetër, nga një racë tek tjetra, dhe në këtë prizëm qëndron subjektiviteti i saj. Gjithsesi, një gjykim estetik mund të merret si objektiv nëse një ideal i njëjtë bukurie përfshin një masë sa më universale të njerëzve. 

*   *   *

Letërsia është arti i fjalës. Hyji e krijoi botën me fjalën e Tij. Ai tha dhe u bë. Për Hyjin, fjala është krijim. Krijim i çdo gjëje. Për njerëzimin, fjala është zbulim përmes emërtimit. Fjala, si emërtim i sendeve e dukurive, është veprimi i parë kreativ artistik i njeriut, nëpërmjet të të cilit u shpikën format verbale dhe u përsosën në kalim të kohëve. Dhjetëra-mija vjet më parë, të parët tanë, banorët e shpellave, në dramën e përditshme të gjuetisë, u mësuan të veshnin mendimet e tyre me fjalë. Duke perifrazuar në njëfarë mënyre Heidegger-in, mund të themi që për çdo dukuri njeriu krijon një fjalë të veçantë, e cila pastaj bëhet simbol i asaj dukurie. Croce, filozofi estet, e ka trajtuar artin thjesht si intuitë; por ai ka thënë gjithashtu se intuita dhe shprehja janë e njëta gjë, çka do të thotë se na nuk mund të njohim diçka pa e emërtuar atë. Dhe ky veprim është thjesht vepër arti.

Me krijimin e fjalës, në procesin e komunikimit lindi gjuha, një nga realizimet më të mëdha të njerëzimit. Pa aftësinë e të folurit, përdorimit të gjuhës, nuk mund të jetësohej qytetërimi njerëzor. Nëpërmjet gjuhës si sistem i hapur e krijues, jashtëzakonisht fleksibël, realizohet komunikimi i ideve dhe koncepteve abstrakte si dhe transmetimi i tyre nga një brezni në tjetrën. Fishta ka shkruar: “Fjala ka aq nji fuqi në vedvedi, sa mos me e ndalë as giatsija e kohës, as gjansija e hapësinës, e si mundet me e permbledhë të gjith kohën në nji ças e hapësinën në nji pikë, kshtu ajo deperton qiellen, i vjen rrotull e okolle rruzullimit, edhe na parashtron bukuri e madhni të reja, rysë e then kryeneqsit e rrashtave ma të forta të njerzvet.”

Nga fjala si kumt u kalua në fjalën si kuptim alternativ, të ndryshëm, dhe u krijua fjala poetike dhe, me anën e saj, teksti letrar që mishëron shumëkuptimësinë, çka është në natyrën e veprës letrare. Përpjekja për të njohur të bukurën dhe vlerat e tjera estetike të gjërave e dukurive dhe, në rastin tonë, tek letersia artistike, të çon drejt mjetit me të cilin shfaqet ajo, tek fjala poetike. Në veprën letrare, është fjala që end fillin e së bukurës në shtratin e tekstit gjuhësor, deri në sublimitetin e saj. “Fjala e harmonizuar mund të pasqyrojë format e shpirtit . . . ashtu edhe fytyrën e madhërishme të botës, e cila u jep jetë atyre”, ka shkruar De Rada në ‘Parime të estetikës”. A nuk është dukuria e së bukurës, “forma” më e lartë, më e fisme, më e kulluar e shpirtit të njeriut? Prandaj, letërsia artistike është në krye të arteve dhe në gjirin e saj, poezia që zë kryet e vendit. 

Poeti, tregimtari, e shprehin atë, fjalën, që është gjithnjë një kumt që bart një vlerë estetike, duke na përcjellë një mesazh, d. m. th. një vlerë humane. Detyra e kritikës është pikërisht ta zbulojë atë, vlerën estetike, që përmban fjala e endur në një strukturë tekstore. 

Për t’u pohuar është edhe pafuqishmëria e fjalës për të shprehur çdo “dridhje” të shpirtit a për të hedhur dritë edhe në skutat më të errëta të vetëdijes dhe sidomos të nënvetëdijes. Lasgushi, reformatori më i madh i gjuhës poetike shqipe dhe mjeshtër i mbaruar i saj, e ka ndjerë veten “të huaj”, të paaftë për të shprehur çdo gjë:

“O gjuhë-e shentëruar, o mall me shpirtin plot,

O vetëtim’ e qjellit që fërfëllon me flakë,

O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot . . . 

Si pikë lot e ndritur po ndrij në reze t’uaj,

Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë,

Sepse prej botës s’uaj kam mbetur kaq i huaj . . .”

Në dy vargjet e fundit të kësaj poezie, Lasgushi e ka qartësuar më tej këtë situatë, duke iu drejtuar gjuhës me epitetin “o mos-e kuvenduar”. Në këto dy vargje, ai na ka dhënë atributin e gjuhës si kumt, si burim drite (dijeje, informacioni), dashuri-dhimbjen e tij për të dhe njëkohësisht pafuqishmërinë, paaftësinë e saj për të depërtuar në skajet më të hijesuara të shpirtit: 

“Ti ndrin në thelb të jetës si dritë e përvëluar, 

 O gjuhë e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar”. 

Këtë “mos-kuvendim” e pati poetizuar më parë mësuesi dhe udhëheqësi i tij i parë shpirtëror e artistik, Naimi: “E ku shkruhen në kartë / fjalët e gjuhës së zjarrtë ? ”

Është detyrë e kritikës letrare t’i hapë “fjalës së palosur” “kindën e një pale”, pra, të zbërthejë shumëkuptimësinë e fjalës. Milivoj Solar ka thënë: “Çdo tekst shpjegohet në kuadrin e një konteksti”. Estetika ka parashtruar dhe argumentuar në vijimësi rrugë dhe metoda për të analizuar veprën artistike. Kështu kemi, ndër të tjera, interpretime formaliste, ekzistencialiste, marksiste, sociologjike, psikanalitike, strukturaliste, simboliste, semantike, etj. Nuk kemi kurrë një përfundim të saktësuar, por kemi udhë ecjeje përpara plot rrugëza e kthesa me zhvillime nga më të ndryshmet, në më të shumtën e rasteve kontradiktore.

*   *   *

Grupi i studiuesve amerikanë të “Kritikës së re”, në fillimin e viteve ’40 të shek. të kaluar, parashtroi dhe futi në zbatim të zbulimit të vlerave estetike të veprës letrare praktikën e “Close reading”, që këtu në një përkthim ad literam do të thotë “lexim i hollësishëm”, një metodë serioze studimi që konsiston në një shqyrtim sa më të hollësishëm që të jetë e mundur të rrafsheve më të ndryshme të veprës letrare, në kuptimin se si vepron një tekst artsistik, si i krijon kuptimësitë dhe efektet në nivelet më të imta të tij. Vetëm nëpërmjet një shqyrtimi të tillë të hollësishëm të shumëkuptimësisë së tekstit letrar, në të gjitha rrafshet e tij, mund të arrihet në zbulimin e realitetit artistik që krijon shkrimtari në veprën letrare. “Kritka e Re” u mbështet kryesisht tek mësimet teorike të Ivor Armstrong Richards, lidhur me vlerat e veçanta që i jepte ai analizës së tekstit letrar me pjesëmarrjen aktive të lexuesit. Ai botoi veprat: “Kuptimi i kuptimit” (së bashku me C. K. Oden, 1923) dhe “Parimet e kritikës letrare” (1924). 

Në këtë vazhdë, studiuesit Rene Wellek dhe Austin Warens, në veprën “Një teori mbi letërsinë” (1942), polemizuan për vlerën e dy drejtimeve për t’ju afruar analizës së veprës letrare: rruga a mënyra ekstrinseke dhe intrinseke (terma latine të përdorura më parë nga Croce, por jo krejtësisht me kuptimin që i dhanë dy studiuesit e përmendur më lart). Drejtimi i parë, ekstrinsek (“nga jashtë”) niset nga çështje të tilla si biografia e autorit, mjedisi shoqëror, rrethanat e jashtme, premisa psikologjike, filozofike, etj.; ndërsa drejtimi i dytë, intersek (“nga brenda”), që Wellek e Warens e morën si të qenësishëm, thelbësor, niset nga ekzaminimi i përbërësve formal të veprës artistike, vlerave estetike të tekstit: gjuhës, stilit, imazheve, figuracionit, simbolikave, etj. Ata argumentuan me analizat e tyre epërsinë e studimit të drejtimit intrinsek ndaj atij ekstrinsek.

Lidhur me përvojën e lexuesit në interpretimin e veprës letrare, punoi edhe fenomenologu polak Roman Ingarden, i cili argumentoi që teksti letrar “konkretizohet” në aktin e të lexuarit. Këtë tezë e zhvilloi më tej Wolfang Iser nëpërmjet të “mbushjes së zbrazëtive” nga ana e lexuesit gjatë procesit të leximit. Simbas Iser-it, lexuesi duke lexuar tekstin, krijon supozime kuptimore, të cilat, me avancimin në lexim, i vlerëson si të drejta ose të gabuara. Kështu arrihet në analizën e drejtë të tekstit.  

Nga fundi i viteve ’60 të shek. të kaluar, shërbime të mëdha teorike i bëri analizës së tekstit teoria e “estetikës receptive”. Sipas kësaj, vepra letrare, duke qenë një fenomen historik dhe jo dukuri transhedentale a “e pakohshme”, kërkon qëndrimin kritik vlerësues të lexuesit, pa të cilin ajo “nuk është e kompletuar”. Një metodë e tillë shqyrtimi i veprës letrare, erdh si aplikim i “përgjegjshmërisë së lexuesit”, teori e propozuar nga Hans Robert Jauss, i cili, në vitin 1967, solli në sofrën e teorive estetike idenë e “horizontit të pritjes”, sipas së cilës çdo lexues i qaset veprës letrare, e shqyrton, e kupton dhe e vlerëson atë në bazë të  personalitetit të tij, formimit të tij psikologjik, botëkuptimor e teorik letrar dhe përvojës së tij jetësore, estetike e letrare, që formësohet nga marrëdhëniet e tij me letërsinë artistike dhe teoriko-letrare. Horizontet e pritjes ndryshojnë me kohën. Në periudha të ndryshme historike, horizonti i pritjes i lexuesit është i ndryshëm. 

Në këtë rrjedhë diskutimi, analizën e veprës letrare në linjën e estetikës receptive e çoi deri në skajin më ekstrem Roland Barthes me esenë polemike “Vdekja e autorit” (1968), duke absolutizuar vlerën e tekstit dhe të receptimit të tij nga lexuesi, në dëm të autorit. “Është gjuha (teksti) që flet, jo autori”. Dhe tekstin e lexon, e kupton dhe e vlerëson vetëm lexuesi. “Njësia e tekstit qëndron jo në origjinën e tij, por në destinacionin e tij”. Dhe destinacioni është lexuesi. “Ky destinacion nuk mund të jetë më gjatë personal: lexuesi është pa histori, pa biografi, pa psikologji; ai është thjesht dikushi që mban bashkë në një fushë të vetme elementet prej të cilëve është formuar teksti”; dhe “Lindja e lexuesit do të ndodhë vetëm me vdekjen e autorit”. Në dukje paradoksale, në të vërtetë kemi të bëjmë me trajtime ekstreme të këtij problemi, siç ka ndodhur vazhdimisht me problemet estetike, për të cilat Sean Burke, në veprën “Autorësia prej Platonit tek të mëvonshmit – një lexues”, ka shkruar: “Çështjet kanë qenë ngritur në shumë gjuhë dhe fjalorë gjatë historisë së mendimit perëndimor, dhe çdo përpjekje për t’i vendosur ato në një mënyrë a në një tjetër, ka shërbyer vetëm në ripërtrirjen e debatit, duke e hedhur atë drejt një zgjidhjeje tjetër”.

Numri i madh i shkollave teoriko-letrare i krijon mundësi kritikës të bëjë analiza nga më të ndryshmet, të cilat nuk është e thënë që të çojnë gjithnjë në rrugë të drejtë, d. m. th. në përfundime objektive. Në historinë e kritikës sonë letrare, e kemi të qartë gabimin e Krist Malokit në vlerësimin e poezisë së Lasgushit: duke u mbështetur me fanatizëm në parimet e analizës psikanalitike dhe kulturo-historike, ai shkoi deri në mohimin kategorik të poezisë së poetit tonë të madh. Megjithëkëtë, duhet të kujtojmë edhe këtë:  mbi bazën e shpjegimeve të Freud-it për nënvetëdijen është hedhur dritë rreth temave dhe teknikave të disa shkrimtarëve, duke përfshirë, ndërmjet modernistëve, James Jouce, Virgjinia Wolf, Marcel Proust. Gjithsesi, u duhet ruajtur zbatimeve kategorike të premisave teorike të shkollave të ndryshme letrare.

Për kritikën letrare, Mitrush Kuteli, një gur i rëndë i themeleve të saj në kulturën shqipe, ka shkruar: “Kritika letrare duhet të jetë analizë objektive e cilësive dhe e mungesave, e bosheve dhe e ploteve, e dritave dhe e hijeve të një vepre”. Kritika letrare e sotme shqipe, në përgjithësi, është e njëanshme; ajo u përket cilësive, ploteve dhe dritave. Edhe kështu – çka është dobësi e saj – ajo ka vlerat e veta, nëse vërtet është objektive dhe e argumentuar në cilësitë, plotet dhe dritat e veprave letrare.

Filed Under: Editorial Tagged With: Anton Cefa, Fjala artistike

Mjekët janë shtresa më e rrezikuar që shprehin sakrifica jetësore në këtë kohë pandemie

September 17, 2021 by s p

Zenel Celiku

Covit 19-varianti Delta kanë rikthyer sërish ditët plot rrezik dhe ankth me vdekshmeri dhe infektime të frikshme ditore. Kjo ka bërë që njerëzit të vrapojnë për të bërë vaksinat si I vetmi shpëtim për jetët e tyre. Nisur nga kjo situatë shumë e rrezikshme, vërejmë se ambulancat e në veçanti Dispanceria në Tiranë, janë mbushur plot e përplot më pacientë të prekur më Covit 19. Duke qënë se Tirana sot është diku aty-këtu reth një milion banorë, Dispancerisë I del për detyrë që  mjekët e saj të punojnë orar e pa orar, duke sakrifikuar edhe jetët e tyre vetëm e vetëm për t’i shërbyer njerëzve në hall nga infektimi me Delta. Eshtë vërtetë një situatë kaotike sepse njerëzit vrapojnë për vizita e për të kërkuar shpëtim tek mjekët e Dispancerisë-Tiranë, por kjo nuk do të thotë se mjekët janë rrobot e duhet të punojnë shpejt e shpejt sepse nga mendja dhe duart e tyre varet jeta e qindra e mijëra njerëzve të prekur nga Covit 19.

Dy ditë më parë një TV dha një shfaqe ku një zonjë protestoi se kishte 90 min që pristë të vizitohej nga mjekët e Dispancerisë. Zonja në fjalë ka shumë të drejtë që të mërizitet për vonesën e vizitës sa saj, por ajo zonjë dhe të gjithë ata që shkojnë në Dispanceri për t’u vizituar tek mjekët pneomolog, duhet të kenë mirë të qartë se ngarkesa e mjekëve në Dispancerinë-Tiranë, është shumë, shumë e ngarkuar me vizitat që bëhen dhe për vizitat që presin të bëhen. Që të vizitohet një pacient, për mjekun duhet kohë, qetësi dhe shumë kujdes sepse kemi të bëjme me jetën e njerëzve.

Sinqerisht dua të ndalem shkurt tek situate e ushtrimit të punës të mjekëve në Dispancerinë e Tiranës. Shtresa më e rezikuar e shoqërisë në këtë situatë pandemie, janë mjekët, infermierët, sanitarët dhe shoferët që janë në shërbim të popullit. Vërtetë janë shtresa që sakrifikon edhe jetët e tyre dhe të familjeve të tyre duke iu shërbuer qytetarëve të infektuar. Kushdo duhet të kuptoi dhe të ndjejmë rrezikun që I kanoset kësaj shtrese, ata janë njerëz si ne, edhe ata kanë frikë nga Delta ashtu si ne, ndaj duhet më shumë durim dhe respekt për mjekët të cilët janë në vijën e parë të rrezikut për jetën. Nisur nga kjo zhurmë e para dy ditëve, unë si drejtor I TIR-FAX News Agency, dërgova në Dispanceri një gazetare për të investiguar si është realisht situate dhe sa të përkushtuar janë mjekët e kësaj qëndre shëndetsore. Gazetarja ka hyrë në koridorin djathtas hyrjes ku kishte shumë pacientë që prisnin për t’u vzituar nga Dr. Mailinda Hoxha dhe tek Dr. Dorontina Laçi. Kishte shumë njerëz të infektuar në këto ambiente, kishte nga ata që mezi qëndronin në këmbë të goditur nga Covit 19, kishte nga ata që kishin mbi një orë që prisnin të vizitoheshin, por asnjë nga ata nuk folën një fjalë të keqe për këto dy mjeke. Ja pra, ky është opinion për këto dy mjeke shumë punëtore (pa lënë pas dore mjekët e tjerë të Dispancerisë), njerëzit që prisnin të vizitoheshin, ishin të ndërgjegjshëm që ka shumë radhë për vizita sepse ndodhemi në një kohë të pazakontë, por ishin të vetëdijshëm për sakrificat që bënin Dr. Mailinda Hoxha dhe Dr. Dorontina Laçi. Ato (Dr. Hoxha & Dr. Laçi) gëzojnë respekt dhe vlerësim maksimal nga njerëzit që prisnin të vizitoheshin. Mjekët e lart përmendura vlerësohen shumë si mjeke që kanë emër shumë të mirë, pacientet shpreheshin me superlativa për sjelljen njerëzore të tyre, shumë përkushtim, profesionalizëmin e tyre, për durimin e tyre deri në sakrifica sublime përpara një virusi vrasës. E pra, kjo është situata reale pikërisht nga kjo kategori njerëzisht të cilët luftojnë çdo ditë, çdo ore e çdo minut me virusin vrasës-Delta, i cili ka rritur frikshëm Nr e të infektuarve dhe vdekshmërinë ditore, ndaj duhet që ti lejmë bulzat e bardha të punojnë pa presione, por me urimin më të mirë, shumë shëndet për Dr. Hoxha & Dr. Laçi dhe mjekët e tjerë që luftojnë e punojnë për të na mbrojtur jetët tona. 

Dr. Hoxha & Dr. Laçi le të jenë një shëmbull krenarie për mbarë bluzat e bardha të mjekësisë.

Zenel Çeliku

TIR-FAX News Agency                                                                             17 Shtator 2021

Filed Under: Sociale Tagged With: mjeket shqiptare, Zenel Celiku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2740
  • 2741
  • 2742
  • 2743
  • 2744
  • …
  • 2828
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT