• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THE PEOPLE OF KOSOVA VOTE FOR STRONG LEADERS, NOT SWINDLERS

October 20, 2025 by s p

  • Anyone who attempts to form a government with the hostile organization “Lista srpska” will fail shamefully

By Agim Aliçkaj/

The local elections of October 12 were well organized, and the people of Kosova demonstrated a high level of democratic culture. The same cannot be said for the majority of journalists and analysts, who have turned into biased and very tedious individuals. Their opinions, together with the polls and exit polls that began to appear before the elections had even ended, created unprecedented confusion. However, as the results gradually came in, the situation came under control and everyone began to face reality.

With the completion of the vote count—including conditional and diaspora ballots—I believe KDI’s assessment is confirmed: Vetëvendosje (LVV) has made a significant improvement compared to the 2021 local elections.

Attacked by the Serbian aggressor, which poured millions of dollars inside and outside Kosova to destroy it; unfairly hit by certain international actors driven by vain geopolitical interests; undermined by pro-Serbs like the Grenell’s and the Rama’s; opposed by a power-hungry and unhealthy opposition, a corrupt media, and many others—Vetëvendosje and its coalition should be satisfied with their results. This shows that the people understand that, despite possible mistakes, they are victims of malicious forces because they work in the interest of the state and the nation.

Nevertheless, local election results depend primarily on the quality of the candidates and are not always linked to party affiliation. Many voters personally know the candidates and vote based on individual merit. Some LVV candidates—and fewer from other parties—won because they were well-known and had proven results.

A particularly impressive and positive case for the future was Ramiz Lladrovci’s convincing victory against the candidate supported by his party in Drenas. The PDK mobilized all its forces against Ramiz, but his sincerity, dedication to the people, and record of work defeated the party’s corrupt clique.

The result in Peja, where Gazmend Muhaxheri received the most votes—even though he goes to a runoff—is incomprehensible. How can the citizens of Peja vote for a candidate who compared the democratic government of Kosova to Milošević’s fascist regime?! His public statements are not only false but hostile toward the state of Kosova.

The result in Mitrovica (split between North and South by the PDK) is also disappointing and puzzling. How can the citizens of Mitrovica vote for a PDK candidate—the same party that let the North fall under the boot of Vučić’s chauvinistic and criminal regime? It was the Kurti government, namely Vetëvendosje with Guxo and Alternativa, that expelled the gangs and brought the northern part under Kosova’s control.

The return to ancestral homes, properties, and lands has begun. The building of bridges and a normal life for Albanians—but also for the Serbian minority—has started. Not long ago, Albanians did not even dare approach the Ibër bridge for fear of being killed by Serbian gangs. It is deeply disappointing that Mitrovica voters ignored this, especially since Faton Peci was a serious, capable, and proven candidate.

The victory of the Serb List in artificially created municipalities with a Serbian majority is not a surprise. This cannot be blamed on Vetëvendosje—but directly and unquestionably on PDK, LDK, and AAK/Nisma. These parties, together with their collaborators in the CEC and the Constitutional Court of Kosova—frightened by international actors and hoping to return to power with their help—allowed the registration and participation in democratic life of an openly hostile organization that does not even recognize the state of Kosova.

This is an absurd phenomenon and a world record that deserves to enter the Guinness Book. The hostile organization “Lista Srpska” (Serb List), which openly works against Kosova and is directed from Belgrade, exploits the “right” to destroy “democratically” its own state in the interest of a foreign hegemonic state—Serbia.

This makes it existentially necessary to form, as soon as possible, a Government of Kosova led by the election winner—Vetëvendosje, Guxo, and Alternativa with Prime Minister Albin Kurti—in coalition with minority parties (excluding the Serb List) and with the LDK or individual MPs dissatisfied with their party leaderships. Otherwise, there is no solution other than early elections.

Anyone who attempts to form a government with the hostile organization Serb List will fail shamefully.

The only hope for preserving and developing the state of Kosova—and keeping the Serb List under control, forcing it to respect the Constitution and laws of Kosova—is for the state to continue to be led by proven leaders with undeniable experience and ability: Prime Minister Albin Kurti, President Vjosa Osmani, and former Speaker of Parliament Glauk Konjufca.

I am convinced that if new national elections are held, the biggest losers will be LDK and NISMA, if they refuse to enter a coalition with Vetëvendosje, while Vetëvendosje with Guxo and Alternativa will win more than 50% of the vote. Some opposition party representatives have repeatedly declared that, if they gain power, they will return the North under Serbian control.

The manipulations about alleged “rifts with international friends and America” no longer deceive the people of Kosova. Even America—despite temporary geopolitical interests—ultimately prefers strong leaders committed to their country, not corrupt swindlers.

POPULLI I KOSOVËS I VOTON LIDERËT E FORTË, JO MATRAPAZËT

  • Kushdo që tenton të formojë qeveri me organizatën armiqësore Lista Serbe do të dështojë me turp.

Nga Agim Aliçkaj

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit ishin të organizuara mirë dhe populli i Kosovës tregoi një kulturë të lartë demokratike. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për shumicën e gazetarëve dhe analistëve, të cilët janë shndërruar në njerëz të njëanshëm dhe shumë të mërzitshëm. Opinionet e tyre, së bashku me sondazhet dhe “exit poll”-et që filluan të publikoheshin para se të përfundonin zgjedhjet, krijuan një konfuzion të paparë. Megjithatë, me ardhjen graduale të rezultateve, situata u vu nën kontroll dhe të gjithë filluan të përballen me realitetin.

Me përfundimin e numërimit të votave – përfshirë ato me kusht dhe nga diaspora – besoj se vlerësimi i KDI-së konfirmohet, se Vetëvendosje (LVV) ka bërë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021.

E sulmuar nga agresori serb, i cili futi miliona dollarë brenda dhe jashtë Kosovës për ta shkatërruar atë, e goditur padrejtësisht nga disa aktorë ndërkombëtarë të shtyrë nga interesa të kota gjeopolitike, nga proserbët si Grenellët e Ramët, te një opozitë e sëmurë nga etja për pushtet, te një shtyp i shitur dhe shumë të tjerë – Vetëvendosje dhe koalicioni i saj duhet të jenë të kënaqur me rezultatet e arritura. Kjo tregon se populli e ka kuptuar se, pavarësisht gabimeve të mundshme, ata janë viktima të të këqinjve sepse po punojnë në interes të shtetit dhe kombit.

Megjithatë, rezultatet në zgjedhjet lokale varen kryesisht nga cilësia e kandidatëve dhe jo gjithmonë lidhen me përkatësinë partiake. Shumë votues i njohin personalisht kandidatët dhe votojnë bazuar në vlerësime individuale. Disa kandidatë të LVV-së, dhe më pak nga partitë e tjera, fituan sepse ishin të njohur dhe kishin dëshmuar rezultate.

Një rast veçanërisht mbresëlënës dhe shumë pozitiv për të ardhmen ishte fitorja bindëse e Ramiz Lladrovcit kundër kandidatit të përkrahur nga partia në Drenas. PDK mobilizoi të gjitha forcat kundër Ramizit, por sinqeriteti i tij, përkushtimi ndaj popullit dhe rezultatet e punës e mundën klikën e korruptuar partiake.

Rezultati në Pejë, ku Gazmend Muhaxheri mori më së shumti vota – megjithëse shkon në balotazh – është i pakuptueshëm. Si mund të votojnë qytetarët e Pejës për një kandidat që e ka krahasuar qeverinë demokratike të Kosovës me regjimin fashist të Millosheviqit?! Deklaratat e tij publike janë jo vetëm të rreme, por edhe armiqësore ndaj shtetit të Kosovës.

Rezultati në Mitrovicë (i ndarë në Veri e Jug nga PDK) është po ashtu zhgënjyes dhe i pakuptueshëm. Si mund të votojnë qytetarët e Mitrovicës për një kandidat të PDK-së – të së njëjtës parti që e la Veriun të bjerë nën çizmen e regjimit shovinist dhe kriminal të Vuçiqit? Qeveria Kurti, pra Vetëvendosje me Guxo dhe Alternativa, i dëboi bandat dhe solli nën kontroll të Kosovës pjesën veriore.

Ka filluar kthimi në shtëpitë, pronat dhe tokat stërgjyshore. Ka nisur ndërtimi i urave dhe i një jete normale për shqiptarët – por edhe për pakicën serbe. Jo shumë kohë më parë, shqiptarët as që guxonin t’i afroheshin urës së Ibrit nga frika se do të vriteshin nga bandat serbe. Një zhgënjim i plotë me votuesit e Mitrovicës, sidomos duke ditur që Faton Peci është kandidat serioz, i aftë dhe i dëshmuar.

Fitorja e Listës Serbe në komunat e krijuara artificialisht me shumicë serbe nuk është surprizë. Për këtë nuk mund të fajësohet Vetëvendosje – por drejtpërdrejt dhe pa asnjë dyshim PDK, LDK dhe AAK/Nisma. Këto parti, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre në KQZ dhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës – të trembur nga aktorët ndërkombëtarë dhe me shpresën për t’u rikthyer në pushtet me ndihmën e tyre – lejuan regjistrimin dhe pjesëmarrjen në jetën demokratike të një organizate hapur armiqësore, që as nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Ky është një fenomen absurd dhe rekord botëror që meriton të hyjë në Librin Guinness-it. Organizata armiqësore “Lista Srpska”, e cila punon hapur kundër Kosovës dhe drejtohet nga Beogradi, shfrytëzon “të drejtën” për ta shkatërruar “në mënyrë demokratike” shtetin e vet në interes të një shteti të huaj, Serbisë hegjemoniste.

Kjo e bën ekzistencialisht të domosdoshme formimin sa më të shpejtë të një Qeverie të Kosovës të udhëhequr nga fituesi i zgjedhjeve – Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa me Kryeministrin Albin Kurti – në koalicion me partitë e pakicave (përjashto Listën Serbe) dhe me LDK-në ose deputetë individualë të pakënaqur me udhëheqjet e partive të tyre. Përndryshe, nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme. 

Kushdo që tenton të formojë qeveri me organizatën armiqësore Lista Serbe do të dështojë me turp.

Shpresa e vetme për ruajtjen dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës – dhe për mbajtjen nën kontroll të Listës Serbe, duke e detyruar ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës – është që shteti të vazhdojë të udhëhiqet nga liderë të dëshmuar, me përvojë dhe aftësi të padiskutueshme: Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe ish-kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Jam i bindur se nëse mbahen zgjedhje të reja nacionale, më së shumti do të humbasë LDK-ja dhe NISMA, nëse refuzojnë për të hyrë në koalicion me Vetëvendosjen, ndërsa Vetëvendosje me Guxo dhe Alternativa do të fitojnë më shumë se 50% të votave. Disa përfaqësues të partive opozitare kanë deklaruar sa here se, nëse e marrin pushtetin, do ta kthejnë veriun nën kontroll të Serbisë. 

Manipulimet për të ashtuquajturat “përçarje me miqtë ndërkombëtarë dhe Amerikën” nuk e mashtrojnë më popullin e Kosovës. Edhe Amerika, pavarësisht interesave të përkohshme gjeopolitike, në fund preferon liderë të fortë, të përkushtuar ndaj vendit të tyre – jo matrapazë të korruptuar.

Filed Under: Analiza

Mesazhe miqësie në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet pullës postare

October 20, 2025 by s p

Besnik Fishta/

Pullat me motive reciproke mes shteteve pra ato që nderojnë figura, ngjarje ose tradita të përbashkëta mes dy vendeve fqinje, kanë një rol të rëndësishëm te shumefishte. Në rastin e Shqipërisë dhe fqinjëve të saj (Greqi, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Kosovë, Itali etj.), ato ndikojnë në disa drejtime. Shërbejnë si: 1) Ura kulture dhe respekti, sepse kur dy shtete nxjerrin pulla me motive të ngjashme (p.sh. kostume popullore, trashëgimi UNESCO, figura historike rajonale), ato tregojnë se trashëgimia kulturore është e ndërlidhur dhe se ekziston respekt për kontributin e njëri-tjetrit. 2) Mjet diplomacie postare, meqenëse pulla postare është një “kartolinë zyrtare” që qarkullon në mbarë botën. Kur në to shfaqen motive të fqinjit, ato shërbejnë si mesazhe paqeje dhe miqësie; mund të shprehemi ndryshe, janë një formë e butë e diplomacisë kulturore. 3) Nxitje e fqinjësisë së mirë, pasi duke theksuar elementet e përbashkëta (p.sh. kostumet, muzika, heronjtë e përbashkët në historinë e Ballkanit), pullat kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe krijimin e një imazhi pozitiv të fqinjit në opinionin publik. 4) Përfitim filatelik dhe turistik, sepse emetimet e përbashkëta apo reciproke janë shumë të kërkuara nga koleksionistët, duke nxitur edhe turizmin kulturor.

Në rastin e Shqipërisë, bëhet fjalë për një fqinjësi me shtete që kanë pasur periudha të vështira nacionalizmash, por që sot ndajnë të njëjtin synim strategjik për integrimin në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, bashkëpunimi përmes filatelisë përputhet plotësisht me frymën e re evropiane, e cila nxit dialogun, respektin dhe bashkëpunimin ndërkulturor. Kështu, edhe filatelia ka peshën e saj jo të vogël në forcimin e fqinjësisë së mirë dhe në afrimin drejt vlerave evropiane. Publikut, vecanerisht koleksionisteve u ka terhequr vëmendjen dy emetime ne vitet e fundit, për të cilat do të bëjmë një analizë të thjeshtë për secilën.

Xhubleta është një veshje tradicionale femërore shumë e lashtë e trevave shqiptare në Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri Veriore, e njohur për formën e saj karakteristike në formë zile dhe për ornamentet e pasura. Në vitin 2022, UNESCO e shpalli xhubletën si trashëgimi kulturore jomateriale të mbrojtur. Për këtë arsye, Mali i Zi ka shpallur vitin 2023 si “Viti i xhubletës”. Pamja në pullë paraqet një grua e veshur me xhubletë tradicionale (veshje e zezë me elementë të kuq dhe të bardhë, me përparëse e shall koke). Në qendër të bllokut ka një ornament etnografik i stilizuar, motiv që shpesh gjendet në qëndisjet dhe dekorimet e xhubletës. Ornamentet anësore të vogla me ngjyra blu dhe të arta janë elemente zbukuruese të frymëzuara nga motivet tradicionale. Autorja e dizajnit kuptohet nese lexohet në fund të majtas, dhe mban emrin Sanja Pijunović, e cila ka qenë projektuesja grafike e pullës. Kjo pullë tejkalon vleren filatelike sepse shfaqet si një akt i njohjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare në Mal të Zi.

Ne aspektin koleksionues ka rëndësi të veçantë për te apasionuarit e tematikës etnografi / kostume popullore / UNESCO. Ornamenti i madh në qendër të bllokut filatelik është vendosur aty si motiv simbolik i xhubletës. Ja një interpretim më i hollësishëm: 1) Forma bazë e saj eshtë një figurë simetrike me kthesa që duken si degë ose brirë. Ky motiv e ka origjinën nga ornamentet spirale dhe gjeometrike ilire, që kanë mbijetuar në xhubletë prej shekujsh. Forma e dyfishuar në pasqyrë shpesh lidhet me binomin jetësor: lindja–vdekja, dielli–hëna, femra–mashkulli, duke e paraqitur veshjen si shenjë të vazhdimësisë së jetës. 2) Elementet anësore ne degëzimet që shtrihen në të katër drejtimet sugjerojnë rritjen, pjellorinë dhe lidhjen me natyrën. Në traditën e kostumeve popullore shqiptare, këto motive shërbejnë si mbrojtje simbolike kundër së keqes. 3) Ngjyrat si kremi eshte ngjyrë neutrale që përfaqëson tokën dhe lashtësinë. Blu e qartë në skaje, dhe lidhet me qiellin dhe ujin, pra me pastrimin dhe mbrojtjen hyjnore. Ky kombinim është tipik për shumë ornamente të qëndisura në xhubletë, ku shpesh përdorej e bardha dhe bluja për të kontrastuar me të zezën e stofit. Pra ne teresi, ornamenti në mes është një kod kulturor,ai përfaqëson lidhjen e njeriut me ciklin e natyrës, vazhdimësinë e brezave dhe mbrojtjen shpirtërore, të gjitha të ruajtura në xhubletë.

Kjo është një FDC (First Day Cover) një zarf filatelik i veçantë që lëshohet ditën e parë të qarkullimit të një pulle postare. Ai paraqet figurën e Luigj Gurakuqit (1879–1925), një nga personalitetet më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, atdhetar, intelektual, politikan dhe bashkëpunëtor i afërt i Ismail Qemalit. Pulla është pjesë e një emisioni përkujtimor kushtuar figurave shqiptare. Vula e ditës së parë (First Day Cancel) përmban një siluetë të zezë të Gurakuqit dhe tekstin: “LUIGJ GURAKUQI (1879–1925)”; “СКОПЈЕ 1130, SKOPJE 12.03.2025” Kjo tregon se vula është vendosur në Shkup më 12 mars 2025, ditën e parë të qarkullimit të pullës. Nderkohe tek portreti në të majtë të zarfit kemi te njëjtin imazh si në pullë, por në version të madh me ngjyra. Poshtë tij është nënshkrimi “Luigj Gurakuqi” dhe shënimi në tri gjuhë: ЛУИЃ ГУРАКУЌИ, Luigj Gurakuqi (1879–1925) dhe shënimi në anë të majtë vertikalisht: “ПОШТА / POSTA / POŠT” dhe viti “2025” qe tregon botuesin (Posta e Maqedonisë së Veriut) dhe vitin e emetimit. Ne konkluzion ky zarf përfaqëson një emision përkujtimor filatelik te vendit fqinje me ne dhe qe shperfaq vlera historike. Edhe pse është lëshuar nga Posta e Maqedonisë së Veriut, përmbajtja i kushtohet një figure kombëtare shqiptare, gjë që tregon respekt për kontributin e Gurakuqit në historinë e Ballkanit dhe për lidhjet kulturore shqiptaro-maqedonase.

Zarfi eshte pjesë e një serie figurash shqiptare të nderuara nga posta maqedonase, si pjesë e përpjekjeve për bashkëpunim kulturor e filatelik rajonal. Emetimi nderon një ndër figurat më të ndritura të Rilindjes Kombëtare dhe të shtetformimit shqiptar dhe shpreh vlerësim ndërkombëtar për trashëgiminë shqiptare nderkohe eshte shume i kerkuar për koleksionistët e temës filatelike “Personalitete shqiptare në filateli të huaj.”

Shenim: 1)Xhubleta, kjo veshje e lashtë katërmijëvjeçare, u përfshi në Trashëgiminë Botërore Jomateriale në vitin 2022. Republika e Kosoves e nderoi po atë vit me një pullë postare, ndërsa Mali i Zi, në respekt të vlerave që mbart popullsia shqiptare, e emetoi në vitin 2023. Ne te dy rastet emisionet jane te dedikuara per xhubleten. Posta SHqiptare akoma nuk eshte kujtuar per kete event, ndonese me pare ne vitet 1967,2000 dhe 2007 jane emetuar imazhe te xhubletes, por jo si emisione te dedikuara asaj. 2)Posta Shqiptare me 2025 nuk e ka nderuar me nje emision, njeqind vjetorin e vrasjes se Luigj Gurakuqit, qe perfaqeson nje nga personat kryesore te themelimit te shtetit te pavarur shqiptar me 28 nendor 1912.

Fig.3

Per kuriozitet te lexuesit po tregojme nje emetim tjeter qe vjen nga nje vend tjeter fqinje me ne por qe ka nje ndryshim te qenesishem krahasuar me dy shembujt me siper. Le ta analizojme ne disa plane: Kjo pamje paraqet një fletë filatelike jozyrtare (ose “fantazi filatelike”) kushtuar Kombëtares Shqiptare të Futbollit – EURO 2024. Fleta përbëhet nga 4 pulla të ndara dhe disa elementë dekorativë rreth tyre ku ne pjesen e sipërme kemi një foto grupi te kombëtares shqiptare (lojtarët me fanellën kuqezi), ndoshta nga ndeshjet kualifikuese për Euro 2024. Te katër pullat kane secila vlerën 0,7 € dhe vitin 2024, me mbishkrimin “SERBIAN KRAJINA”. Ne pullen e pare tregohet imazhi i trajnerit të kombëtares, Sylvinho (Sylvio Mendes Campos); ne pullen e dyte tregohen dy lojtarë shqiptarë duke festuar realizimin e nje goli; dhe ne pulla e trete e te katert imazhet e lojërave gjatë ndeshjeve, që paraqesin përplasje fizike në ajër me kundërshtarët. Në anën e majtë shfaqet EURO 2024, Group B, logoja e FSHF (Federatës Shqiptare të Futbollit ,1930) dhe mbishkrimi ALBANIA. Eshte e qarte qe këto pulla nuk janë të lëshuara nga një autoritet postar zyrtar. Emri “Serbian Krajina” i referohet një rajoni jashte trojeve tona etnike, që nuk ka ekzistencë shtetërore,por dhe as sherbim postar funksional. Kësisoj, këto pulla janë produkte private, pa vlerë postare reale, që përdoren kryesisht për koleksione tematikë. Në filateli, emetimet e tilla quhen Cinderella stamps (pulla fantazie) ose “Private fantasy issues”, pra, pulla që duken si të vërteta, por nuk janë të miratuara nga asnjë autoritet postar. Megjithate edhe pse jozyrtare, kjo fletë filatelike ka vlerë dokumentare tematike sepse përkujton pjesëmarrjen historike të Shqipërisë në Kampionatin Europian të Futbollit – EURO 2024, ngjarje që shënon një sukses tonin kombëtar. Ajo prezanton kombëtaren shqiptare si element krenarie kombëtare dhe sportive, shfaq figurën e trajnerit Sylvinho, që ka ndikuar ndjeshëm në ngritjen e nivelit të ekipit, dhe se fundi shpreh ngjyrat, logot dhe imazhet qe nxisin ndjenjën e identitetit dhe bashkimit kombëtar përmes sportit. Por duhet te themi, qe në nje mënyrë ndryshe arsyetimi, përdorimi i emrit “Serbian Krajina” mund të sjelle edhe nënkuptime provokuese politike, por nga ana filatelike mbetet thjesht një produkt komercial pa status zyrtar.

Filed Under: Kronike

Pse po shtrenjtohet sigurimi i makinave?

October 20, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Nëse ke vënë re se sigurimi i makinës tënde është rritur ndjeshëm në rinovimin e fundit, nuk je i vetëm. Në mbarë Shtetet e Bashkuara , dhe për pasojë, edhe në tregjet e lidhura me to , çmimet e sigurimeve të automjeteve janë rritur me ritme të paprecedent që prej vitit 2020. Pandemia, inflacioni, zinxhirët e furnizimit dhe ndryshimet klimatike janë shndërruar në një katërkëndësh presioni që godet drejtpërdrejt xhepin e konsumatorëve. Por ka shenja se tregu po fillon të qetësohet. Sipas një studimi të LexisNexis, rreth 40% e kompanive të mëdha të sigurimeve kanë dorëzuar kërkesa për ulje tarifash në muajt e fundit, një lajm inkurajues pas viteve të shtrenjtimit të vazhdueshëm. Megjithatë, edhe pse mesatarisht çmimet po stabilizohen, për shumë shoferë fatura e siguracionit është rritur, shpesh pa asnjë aksident apo shkelje të re. Arsyeja? Një përzierje faktorësh që variojnë nga inflacioni tek moti ekstrem, nga teknologjia e makinave moderne deri te rregulloret shtetërore.

Inflacioni – armiku i padukshëm i çdo kontrate sigurimi

Inflacioni është thembra e Akilit e gjithë ekonomisë, dhe sektori i sigurimeve nuk bën përjashtim. Kur kostoja e punës dhe e pjesëve të makinës rritet, çdo dëm që paguan kompania e sigurimit bëhet më i shtrenjtë. Kjo detyron kompanitë të kompensojnë humbjet përmes rritjes së primeve. Eksperti Bob Passmore nga Shoqata Amerikane e Sigurimeve thekson se “rritja e çmimeve në katër vitet e fundit është e lidhur drejtpërdrejt me nivelet më të larta të inflacionit në 40 vite.” Edhe pse në vitin 2025 pritet një ngadalësim i rritjes, presioni mbi çmimet mbetet real.

Riparimet e makinave – teknologjia sjell siguri, por jo kursim

Paradoksi më i madh i epokës moderne është ky: sa më inteligjente të bëhen makinat, aq më e shtrenjtë është t’i riparosh. Sensorë, kamera, kompjuterë dhe sisteme asistence , të gjitha rrisin ndjeshëm faturën e riparimeve. Sipas studimit të J.D. Power, nga viti 2022 deri më 2024 kostoja mesatare e riparimeve u rrit me 26%. Pra, edhe pse teknologjia duhet teorikisht të ulë aksidentet, në praktikë ajo ka sjellë fatura më të kripura , dhe për pasojë, siguracione më të shtrenjta.

Kriza e zinxhirit të furnizimit dhe tarifat e reja doganore

Pandemia nxori në pah sa e ndërlidhur është ekonomia globale. Mungesa e pjesëve, vonesat në transport dhe rritja e kostove të punës bënë që çdo riparim të zgjasë më shumë dhe të kushtojë më tepër. Edhe pse situata është përmirësuar disi, tarifat e reja tregtare mbi pjesët e këmbimit pritet të rrisin përsëri çmimet.

Sipas Passmore, “tarifat dhe mungesa e furnizimit detyrojnë siguruesit të përshtasin çmimet për të shmangur humbjet.”

Faktori lokal: moti ekstrem dhe rritja e rrezikut rajonal

Në shumë rajone amerikane, rritja e çmimeve lidhet edhe me rreziqet lokale. Stuhitë, përmbytjet, zjarret në pyje apo breshëri dëmtojnë mijëra automjete në të njëjtën kohë. Kur numri dhe kostoja e dëmeve rritet, kompanitë rishikojnë rrezikun për atë zonë dhe e reflektojnë në çmime. Edhe ndryshime të tjera, si rritja e vjedhjeve apo aksidenteve, ndikojnë menjëherë në prime.

Rregulloret shtetërore dhe kufiri i fitimit

Shumë pak e dinë se siguracionet janë ndër sektorët më të rregulluar në SHBA. Çdo kompani duhet të arsyetojë zyrtarisht çdo kërkesë për rritje çmimi përpara autoriteteve të shtetit ku operon. Regulatorët detyrohen me ligj të sigurojnë që rritjet të mos jenë “të tepruara apo diskriminuese”. Megjithatë, duke qenë se fitimi në këtë industri është më i ulët krahasuar me sektorë të tjerë, çdo valë dëmesh , si pas fatkeqësive natyrore , mjafton për të shkaktuar një valë rritjesh.

Profili personal dhe politikat individuale

Edhe faktorët personalë luajnë një rol vendimtar. Mosha e drejtuesit, historia e aksidenteve, shpejtësitë, kreditë, madje edhe gjendja civile ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në çmimin përfundimtar. Një ndryshim në ZIP code, pra në zonën e banimit, mund të sjellë rritje të menjëhershme të kostos. Qytetet e mëdha me trafik të dendur janë më të shtrenjta se zonat rurale, për shkak të rrezikut më të madh për aksidente apo vjedhje.

Si të mbroheni nga rritja e çmimeve

Në një treg gjithnjë në lëvizje, konsumatori duhet të jetë aktiv, jo pasiv. Disa hapa praktikë mund të ndihmojnë:

Drejtoni me kujdes – çdo aksident apo gjobë ndikon direkt në primet.

Kërkoni zbritjet që ofron kompania juaj: për makina me sisteme sigurie, për studentë apo për pagesa automatike.

Krahasoni ofertat – ndryshimi i kompanisë mund të sjellë kursime të ndjeshme.

Rishikoni policën – ndoshta keni mbulime të panevojshme që mund t’i eliminoni.

Pay,per,mile insurance – nëse nuk udhëtoni shumë, siguracioni me pagesë për kilometër mund të jetë alternativë më ekonomike.

Në vend të përfundimit

Siguracioni i makinave është një pasqyrë e qartë e ekonomisë bashkëkohore: çdo problem global reflektohet menjëherë në nivel individual. Nga çmimet e pjesëve elektronike deri te moti ekstrem, gjithçka ndikon në një numër të vetëm në fund të faturës suaj. Megjithatë, ndërsa tregu duket se po hyn në një fazë stabilizimi gjatë vitit 2025, konsumatori duhet të mbetet vigjilent , sepse, si në çdo industri financiare, çmimi i paqes është vëmendja e përditshme.

Filed Under: Ekonomi

STILI GJUHËSOR I MUSINE KOKALARIT

October 20, 2025 by s p

Kosta Nake/

Prej më shumë se një shekulli elita e studentëve të mëkuar në vendlindje dhe të formuar në universitetet evropiane, së bashku me relievin karakteristik të Gjirokastrës përbënin një dyshe unikale me vlerën e një thesari të çmuar të kombit. Pjesë e asaj elite ishte Musine Kokalari. Duke lexuar dialogjet e kësaj përmbledhjeje me tregime të shkruar 90 vite më parë, nuk mund të mos ndiesh një ngecje në fyt nga mendimi që autorja e tyre jo vetëm u burgos, por edhe iu hoq mundësia për të vazhduar komunikimin me lexuesit, për të shpalosur talentin e vet, pse jo, të kishte dhe majën e vet në letërsinë shqiptare dhe jo vetëm. Edhe pse në moshë fare të re, ajo arriti të krijojë një profil letrar të vetin që me botimin e parë.

Karakteristika e parë: Vështrimi i shkrimtares së re 22-vjeçare fokusohet te femra shqiptare dhe problematikat që lidhen me familjen dhe raportet e saj me kohët që po ndryshonin; krijon një galeri karakteresh femërore që portretizohen bukur me ca penelata të shpejta.

Portretizimi i karaktereve u besohet personazheve të tregimit. (Duhet mbajtur parasysh gjatë leximit shqiptimi i fjalëve me “i” në vend të “y” veçanërisht te fjalët shumë të përdorura si – sy dhe di – dy si dhe përdorimi i “l” në vend të “j” si te fëmila – fëmija, golë – gojë, malë – majë, mile – mijë.) “E ke parë, Firuze të keqen, ndonjë herë këtë vajzë? E ç’i pëlqeu, të keqen, se mos ka dhe bukurinë? Xhuxhmaxhuxhe, di grushte një mbi një; pastaj një e tharë, e vdekur e pakallur… Lere, të parit, më keq akoma, e shëmtuar. Me si të kërcyerë, që kur të vështron, sikur do të të hajë, hundën sa një xhore, golën sa një kamare, pa le kur qesh, i dalin ata dhëmbët si të kaut.” (f.33)

“Lere mos e nga moj nënë, nuk i hidhnja dot sitë, si qe bërë e si qe plakur. I qenë thelluar sitë, buzët pisë të zeza. E shqierë e e ndukur, se jeleku i rinte di pëllëmbë i gjërë…” (f.50) Vendin kryesor në jetën familjare e zë marrëdhënia e nderë vjehrrë – nuse që ishte vazhdim i një raporti të vështirë të mëparshëm dhe mbeti aktual edhe pas një shekulli. Në Gjirokastrën e viteve ’30 kishte filluar të frynte era e re e modernizmit që vinte për shkak të kontakteve me botën perëndimore. Kjo shpaloset që te tregimi i parë, ku martesa tradicionale me shkuesi po kërcënohej nga martesa me dashuri: “Femrat në ditën e sotme duallnë malë çardhakut… nuk mblidhen në shtëpi, mbetën udhëve… me kërcinj hapur, me llërë zbuluar… (f.3-4), ç’janë ato roba që më mbajnë pas trupit, sikur do t’u çahen veshur… (f.6), me t’u martuar, nuk zënë punë me dorë…mbarsen, s’tunden nga vëndi se mos e shtien…” (f.7)

Njohja e thellë e jetës prej autores, pa të cilën askush nuk mund të bëhet shkrimtar, e shohim te tregimi “Ulurima e qenit” ku, përveç interpretimit të bestytnisë që lidhet me kuisjen e qenit, tregohet mali i punëve të shtëpisë që duhet ngjitur përditë prej grave: “Ja, vate në qilar, kish enët për të larë. Vuri tenxherenë mbi zjar… Pastaj bukën për të mbrujtur, pulat për të lëshuar… Pastaj agai do të ngrihesh, kafeja për të bërë, shtresat për të ngritur, filxhanët për të larë… Pastaj kallamboqi do celfisur, gruri do rrahur, petërat për të bërë…” (f.73-75)

Vështrimi i shkrimtares kthehet nga djemtë dhe burrat kur trajtohet tema e kurbetit si te tregimi “Udhën e mbarë pastë” ku përcjellja festive shoqërohet me këngë popullore që zbulojnë një njohëse të mirë të foklorit. Vajtimi me ligje te tregimi “Kulloi odaja” ka jo vetëm panoramën e një fatkeqësie familjare, por edhe madhështinë e shpirtit të popullit që dhimbjen e zbraz përmes fjalës. Te tregimi “Burri shoku i qenit” goditja është e fortë sepse Beqiri u martua pa mbushur të dyzetat gruaja e vdekur, “sa mbilli sitë, e harroi.” (f.22) Kurse te tregimi “Ulurima e qenit” kemi një model tjetër patriarkal: “Burrë-ziu nat’ e ditë në kumar e raki; kurrë nuk vuri mënt si në djalëri ashtu dhe në pleqëri. Të tëra i bëri rrush e kumbulla.” (f.75)

Karakteristika e dytë: Ngaqë mjedisi gjirokastrit konsiderohet i njohur, gjithë pesha e mesazheve dhe zbulimi i karaktereve shkarkohet mbi replikat që shkëmbehen midis gjitoneve ose femrave që kanë një lidhje farefisnore. Nganjëherë dialogu ashpërsohet deri në kufijtë e konfliktit, siç ndodh me nënën dhe bijën te tregimi që i ka dhënë emrin gjithë vëllimit; siç ndodh me Merushen dhe Havanë te tregimi “Për mustaqet e Çelos”, ose depërton në shqetësimet familjare si dialogu i Feridesë me Nexhmijenë te tregimi “Burri shoku i qenit”, dialogu Xhevro – Razo te tregimi “Një qen që hamulit nuk ha.” Fati i kunatave fatpadala vjen nëpërmjet dialogut Aishe – Bedo te tregimi “Është e thellë”. Nganjëherë dialogu ia lë vendin rrëfimit si te Firuzja me Behijen te “Paç fatin e të ligave”, te tregimi “Udhën e mbarë pastë” me darkën e organizuar për përcjelljen e një djali në kurbet, te tregimi “Kulloi odaja” për një rast morti. Një hapësirë më e madhe për monolog ka te tregimi “Mos qofshin vjehrat e zeza” dhe një tërheqje për të rrëfyer autori është krijuar te tregimi “Ulurima e qenit.”

Karakteristika e tretë: Dialogu ndërtohet sipas karakteristikave të ligjërimit bisedor dhe Kokalari zgjidhte zakonisht vetëm dy bashkëbiseduese, si një mundësi për të theksuar kontrastin dhe për t’u përqëndruar te problemi për të cilin debatohet. Ligjërimi bisedor karakterizohet nga hyrja e drejtpërdrejtë në temë që i jep dinamizëm veprimit, pa treguar mjedisin, pa paraqitur personazhet; ai dallohet nga përdorimi i shpeshtë i shprehjeve frazeologjike që janë jo vetëm sintezë e mençurisë popullore, por kanë edhe ngarkesë të figurshme: u bëmë si këmbët e dhisë (f.3), s’e nxjerr qimen nga qulli (f.7), nuk ia var njeri torbën (f.10), është mësallë me dy faqe (f.26), e mori derrin në thes (f.33), s’kishe ku të hidhje gjilpërën (f.50), etj., etj.

Ashpërsimi i dialogut sjell në fushën e betejës mallkimet, çastet e gëzimit pasohen me urime, të dyja së bashku tregojnë një përjetim nga afër të autores të asaj që ndodh në qytet. Forma më e butë e kundërshtimit realizohet me pjesëzën “mos”: “mos më mer mënden, mos më rokanis, mos më shkul zorët,” (f.3) “mos më mbush barkun me vrer” (f.4), etj. Po kjo trajtë mund të shprehë edhe mallkim: “mos pastë hair nga fëmila” (f.31), “mos e trettë balta” (f.36)

Forma më e egër është përdorimi i foljeve në mënyrën dëshirore: “U thafçin e mos u bëfçin më mirë…” (f.3), “ju daltë zverku, ju plastë dell’ i ballit” (f.😎, “dhëntë Zoti e zëntë qoshenë, i martë dorën dhe golën…” (f.72); ose përdorimi i shprehjeve me ngarkesë të lartë emocionale: “U! Pika në kokë.” (f.4)

Shumë i natyrshëm dhe plot humor për lexuesin është dialogu i gjitoneve Merushe e Hava që hidhen degë më degë, nga goditja e një djali, te pula e humbur, te ndarja me nusen, te martesa e motrës me vëllanë e burrit të vdekur dhe përfundojnë me kërcënime e zënie për flokësh.

Merushja: Do të ta bëj kocen copë e çikë…

Havaja: Oh, t’u thafçin ato duar gjer në rëzë. (f.16)

Sa të ashpra dhe pa kompromis janë mallkimet, po aq të bukura e dashamirëse janë urimet, madje thirret në ndihmë edhe dhanorja epentetike: “Më paç udhën e mbarë, vafç e arthç shëndoshë, të dëgjofça mirë, qofsh sa malet dhe i dërgofç shtëpisë një milë të mira” (f.43), “pastë këmbën e mbarë.” (f.59)

Në ligjërimin bisedor mjedis emocional krijon përdorimi i fjalëve tingullimituese, një pasuri e jashtëzakonshme e sjellë brenda 80 faqeve të librit: “Ç’janë ato të hira e të dala, fërc tek njëra, fërc tek tjetra” (f.6), “Njeri s’pjetën si është ki djalë, se ç’punë bën, po vu… vu… se ka para…” (f.25) “Kjo frësht një t’ja bërë dhe tatëpjetë shkallëve…” (f.28), “E di ç’të bëj, të këput kokën, trak, si të pulës…” (f.29) “Me të ardhur në funt të shkallës, bram i ra ibrikut.” (f.45) “Ajo sa e fillonte, grap nga gola kjo.” (f.51) “Shtëpinë e mban pastër, po ja bën vjehrëzeza, pllëc atje e pllëc këtu me ato këmbë.” (f.62) “Cëngër cëngër cfakat-o/ U asdisnë plakat-o.” (f.72) etj., etj.

*

Pjesën e dytë të këtij vëllimi e përbëjnë shkrimet e botuara në gazetën “Tomorri” në verën e vitit 1940, ato janë konceptuar si një rubrikë e përjavshme që sjell përshtypjet e një nëne shqiptare të moshuar për 20 ditët e qëndrimit në Itali. Është po ai stil i përmbledhjes paraprijëse, me një rend kronologjik të ndodhive, veçse numri i grave kufizohet në dy: nënua dhe gjitonia Haso që është në rolin e kureshtares naive, të tjerët janë kalimtarë e figurantë si teto Shanua apo nuset e shtëpisë.

Rrëfenjat fillojnë me kthimin e nënosë nga Italia dhe, si ndodh në këto raste, interesimi kokë për kokë për çdo pjesëtar të familjes së madhe. Një grua e mbyllur brenda mureve të shtëpisë bën një dalje të beftë para botës së madhe, një mjedis patriarkal gjunjëzohet para shteti kapitalist të zhvilluar, duke filluar që nga lundrimi me vapor.

Gjithçka i ngjan një ballafaqimi mes dy botëve me kontraste të thella mes tyre. Dita e parë, lartësitë e ndërtesave që i bëjnë njerëzit të duken si miza, nuk janë asgjë para raportit të ndryshëm të marrëdhënieve në çift: “Gratë ngriheshin në këmbë, burrat u mbanin palltot, pa u jepnin çantën, u linin radhën përpara, pastaj i merrnin nga krahu e dilnin jashtë… Atje, moj të keqen, se mos janë vetëm të ratë që nisen. Gratë në shkallën time më kishin buzët katër okë. Me çantë në dorë, hedhur dhelpra tej e më tej, me thonj të kuq, ruaza në qafë, me këpucë me thundra të larta.” (f.92)

Kokalari luan me detajet kur bisedat e grave i zbret te këpucët italiane që “një herë t’i vishni këtu në gurët e Gjirokastrës, u dolli tabani” (f.94), përshkruan mahnitjen e nënosë nga parqet e bukura, nuk ua di emrat eskalatorit e shatërvanit, por këto s’janë gjë para burrave e grave që rrinë afër afër, para atij djalit që “ia kish hedhur dorën pas krahëve asaj vajzës, (pa qenë vëlla e motër) dhe pësh pësh i flitte dhe gë gë qeshin të di bashkë.” (f.96)

Vajtja në teatër është dramë e vërtetë për nënonë që nuk arrin të dallojë kufirin midis skenës dhe realitetit: “jemi të papara dhe të paditura, po të them të drejtën, atje është maskarallëku sheshit.” (f.98)

Shqipëria analfabete duke filluar nga fëmijët dhe Italia ku njerëzit vazhdojnë të mësojnë nëpër institucionet e dijes pa dallim moshe, është e pakonceptueshme për një grua shtëpiake, edhe pasi e mbesa po bën shkollë mbi shkollë. Por gjuha vete ku dhemb dhëmbi: “Vajzë, mësimin e bëre si e deshe vetë, po burrën ta gjej unë… po e more vetë, më dodhe nga zemra.” (f.101) Shkëmbimi i librave mes mbesës dhe një djali në sytë e nënosë kthehet në tërmet, se hapen fjalë, se qimen e bëjnë tra dhe “vajzës më mirë t’i dalë siri se nami.” (f.104)

Dy shkrimet e fundit përqëndrohen te realiteti shqiptar, te burrat si Hasani që i mbytin hallet me raki duke ua lënë grave gjithë barrën e shtëpisë. “A thua se u mblodh në shtëpi si gjithë burrat, a thua se pieti një herë, moj, se ç’duan kjo fëmila?” (f.106)

Shkrimi i fundit dallohet nga gjithë të tjerët nga hapësira që i është lënë mjedisit familjar e natyror. “Të di plakat shoqe u ngrenë dhe pëshër-pëshër vanë te porta. Hasua u ul mbi sufa, nënua friu prakun dhe zuri vend atje. Portën e la gjismë të hapur… Dielli qe futur prapa maleve sa s’dukesh fare, shtëpitë nxinin dhe pemët bënin fësh-fësh nganjëherë, po ka një çikë erë në darkë. Këmbë dëgjoheshin në sokak, ishin burrat që ktheheshin nga pazari. Kush kishte nga një çirek ndënë sqetull, kush nganjë karpuz në dorë, ati-këtu ndonjë djalë me gjiveç që avullonte, se posa kishte dalë nga fura… Të dija ndënjën një copë herë pa folur, kur ja nënua duke i treguar me gisht Hasos, i thotë: I sheh se ç’verdhojnë kumbullat e Shuqos? Kulupinë u ka bërë sivjet, me një thien degët.” (f.108)

Filed Under: Kulture

PO TAVERNA E KATËRT? VETË ROMANI, DO DESHA TË THEM…

October 20, 2025 by s p

…kafen e mengjesit e lamë ta merrnim bashkë diku, atje ku i ngjante dhe një taverne, nën pemë, sepse dhe romani i tij i fundit titullohet “Tri tavernat”.

Si bisedë e parë m’u duk se po preknim çêshtje të ndryshme, pa qendruar gjatë te asnjëra, kêshtu ndodh, po flisnim në përgjithësi për libra dhe shkrimtarë, të vdekur dhe të gjallë, miqtë tanë, shikoja sinqeritetin dhe një buzagaz të përzemërt, shkëmbyem dhe nga botimet tona me autografe.

Dhe që atë pasdite nisa të lexoj romanin e tij… si vazhdim i bisedës tonë, po i dëgjoja dhe zërin, ndërkaq po më shtohej ëndja e leximit…

Teksa vazhdoja me romanin “Tri tavernat” të shkrimtarit Ervin Nezha, një pyetje më erdhi vetvetiu: cila do të ishte metaforikisht Taverna e Katërt? E kisha fjalën për atë të përtej hapësirës tredimensionale, të drejtimit shtesë, pra, të dimensionit të katërt, siç quhet Koha. Të jetë vetë romani? Bujtine e Katërt… Po, po, brenda tij ngërthehet kohë…

Dhe ai buzagazi i sinqertë i autorit kaloi tek unë që po lexoja… lexohej shpejt, vlerë dhe kjo dhe pata dëshirë të them diçka, miqësisht si me filxhanin e kafesë përpara. Duhet bërë për librat e njëri tjetrit, sidomos kur janë më të rinj… Dhe shkruaja copa frazash, me ndërpreje…

TRI TAVERNAT

– udhëtim në kohë realitetesh

absurde dhe të ashpra –

E megjithatë me një lloj humori që shkon deri në grotesk… por me mirësi e dhimbshuri..

Romani “Tri tavernat” i Ervin Nezhës është një nga veprat më të veçanta bashkëkohore nga ç’kam mundur të lexoj. Ai ndërthur historinë, të kaluarën e afërt si një e tashme e pambaruar dhe absurditetin me një lloj utopie arrogante dhe baltën e kuqe të vendlindjes.

Duke rrëfyer nga fati i një shoqërie në fshatin me emrin “Tri tavernat”, ku s’ka më asnjë tavernë, ka një dergjje aktive mes një ëndrre syhapur, të kotë dhe zhgënjimit symbyllur, pranë rrugës së lashtë “Egnatia”, që s’të çon asgjëkundi tani…

Fshatarët përballen me një zbulim të çuditshëm, me skeletet… e një beteje të vjetër dhe një “thesar” të lidhur me emrin e Gjorgj Golemit dhe turqit dhe një tradhti…

Ky zbulim bëhet nxitja që i shtyn kuadrot e lartë të fshatit, arrivistë si në Tiranë, që të ëndërrojnë shpëtimin e kooperativës dhe të socializmit nga rënia drastike, por në fakt zbërthen të gjitha dobësitë, mashtrimet dhe iluzionet e tyre. Aftësia për të dashuruar ka humbur…

Nëpërmjet këtij rrëfimi alegorik, Nezha ndërton një tablo të gjerë për shoqërinë shqiptare të diktaturës dhe për njeriun që përpiqet të jetojë në mes të absurdit e ligësisë, pa i kuptuar si të tilla. Ka një lehtësi rrefimi, ku e keqja nuk duket e rëndë, por e rëndomtë…

Në thelb, “Tri tavernat” është një roman për zhgënjimin kolektiv, ku secili është vetëm, edhe pa veten. Banorët e fshatit e shohin thesarin si mundësi për një jetë më të mirë, por shpejt shohin se ajo që i mban gjallë nuk është asnjë lloj thesari, por ideja e tij, pra, iluzioni, njeriu i ri shpesh mbështetet te gënjeshtra për të përballuar boshllëkun e ekzistencës. Në fund, ai mbetet pa thesar ndër duar, por me pranga, të padukshme dhe të dukshme. Ka arrestime në fshat… si në të gjithë Shqipërinë baltëkuqe.

Pse “Tri taverna”?

Titulli i romanit a është çelësi për të kuptuar thelbin filozofik të veprës?

Tavernat nuk janë vetëm hapësira fizike ku njerëzit pijnë, flasin dhe harrojnë, por dhe simbol i tri stacioneve të ekzistencës, do të thosha dhe unë:

1. Taverna e së kaluarës, e kujtesës historike dhe e mitit. Aty ruhet vetëm bëma legjendare e Gjorg Golemit dhe heroizmi, por kjo e kaluar është harruar dhe në roman ndjehet si rudiment, vagulli…

2. Taverna e së tashmes – është vendi i absurdit socialist dhe i përditshmërisë së mërzitëshme. Njerëzit flasin për ndryshim, por mbeten të ngujuar në rutinën e tyre. Kjo taverna është pasqyra e sistemit totalitar, ku gjithçka duket e kontrolluar, por brenda është bosh.

3. Taverna e së ardhmes – përfaqëson shpresën dhe utopinë. Është vendi ku njerëzit, ëndrrat e tyre për një botë të re, por që mbetet gjithmonë e paarritshme, që ndërtohet mbi gënjeshtra. Edhe ky dimension është mëse vagulli në roman…

…tri tavernat janë metafora e ciklit njerëzor të vetë-mashtrimit: njeriu jeton mes kujtesës së idealizuar, të copërluar e varfëruar e realitetit të zbrazët dhe më të varfër, ëndrrës së rreme për të nesërmen. Ato janë tre ndalesa të një udhëtimi që nuk të çon askund, rruga (Egnatia) është e mbyllur brenda vetes.

Rruga “Egnatia”, që kalon pranë fshatit nuk i lidh dot më kohët: mesjetën dhe shekullin XX, historia është një qerthull…

Personazhet e romanit përpiqen të përfitojnë nga “thesari”, janë figura që përfaqësojnë shtresa të ndryshme të shoqërisë: servilët, mashtruesit, frikacakët dhe idealistët e humbur, që nga fshati në humbëtirë deri në kryeqytetin e humbur ndryshe, ku bëhen veç mbledhje “akademike”…

Gjithsesi gjatë leximit m’u përhitën gërmimet e varreve në romanin e njohur “Gjenerali i Ushtrise së vdekur” i Kadaresë, si një parodi e tij. Se atje është një gjeneral i huaj që mbledh skeletet e ushtarëve të vrarë si pushtues në Shqipërinë fitimtare, krenare dhe të pamëshirshme, kurse te “Tri tavernat” janë vetë shqiptarët që rrëmijnë varret mesjetare të të huajve pushtues, tashmë të humbur edhe vetë, por me shpresën sarkastike se do të gjejnë “thesarin” e mbijetesës së tyre, por dhe të sistemit, të socializmit.

Buzëqeshja është tejet e hidhur.

Ervin Nezha më duket se i ndjek disi gjurmët e Kadaresë si shkrimtar, sidomos “Gjeneralin” e tij këtu. Ndërkaq janë përdorur dhe kapitujt e mungesës, nënkuptimet e tyre, që sipas meje, i japin lexuesit mundêsi imagjinative të vyera dhe veprës më mister…

Epilogu im

(se edhe romani ka një epilog)

“Tri tavernat” është një endje e shpejtë nëpër iluzione që dëmtuan nga e dikurshmja dhe realiteteve egërshane që vazhdojnë. Përmes një strukture të dyfishtë kohore dhe një simbolike të natyrshme, Ervin Nezha flet për absurditetin e shpresës kur ajo humbet lidhjen me të vërtetën. Tavernat që s’janë, rruga e mbuluar dhe thesari i vdekjes bashkohen në një metaforë të jetës që endet midis kujtesës, mashtrimit dhe dëshirës për shpëtim.

Kur njeriu humbet aftësinë për të parë realitetin dhe kërkon strehë në iluzione, nga që s’e ndryshon dot, atëherë çdo “tavernë”, sado mikpritëse të duket, bëhet burg i shpirtit të tij. Shpëtimtar është romani, si Taverna e Katërt e kohës…

Visar Zhiti

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 274
  • 275
  • 276
  • 277
  • 278
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT