• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Krimi me shkrimin

October 15, 2021 by s p

Fatmir Terziu

Dhe ndodh të ndjehemi kështu me shkrimin. Me shkrimin, që e lexojmë nga kënde të ndryshme. Të ndryshme?! Hera-herës edhe të ndryshme dhe të pa-arsyeshme! Të lexueshme sipas arsyeve dhe jo-arsyeve, sipas shijeve. Shijeve tona. Shijeve që na dalin mes dritës, dhe hera-herës edhe si pjesë e errësirrës. Si pjesë e dukshme dhe e padukshme. Si pjesë e gjendjes së brendshme. Por, edhe si errësirë e nëndheshme. Edhe, edhe pos zbrazëtisë dhe hapësirës, mes dritësisë së errësirës. E logjikshme! E gjitha në një mur që shemb dhe përthyen gjërat, dritërat, emocionet, zërat. E gjitha …në një mur që shembet përditë e më shumë. Një mur që e paskemi ngritur me zor. Një mur që rezulton si gur mbi gur dhe vetëm me zhavorr. Në një mur…. Në një mur, pa nur, që ka mbetur i lidhur ende krijimtarisht me ushkur. Në një mur vrasës nëpër errësirën e ditë-natës! Në një mur të tillë që na ndan, na cfilit, na bën të kthejmë kokën vetëm ndanë, pas, në kohën që na lë në fraq. Dhe bëjmë ende paq. Paq me shkrimin e shkruar dhe të harruar! Tronditje! Gjendje alarmante. Fjalë pikante?! Fjalë që të shkulin mendtë …, edhe sot, edhe për nesër, edhe mes nesh, ende përshesh, fjalë pa vend edhe atje në parlament. Tronditje dhe çapitje të turpshme, të ngutshme, të palogjikshme, të frikshme. Tronditje të mundimshme, të zbritura nga koka tek këmbët që dridhen pa ekuilibër, duke kërcyer me fjalën lart e poshtë, e duke sharë me libër. Dhe pastaj vazhdojmë të pranojmë se na hedhin hi syve, sikurse ndodh jashtë kësaj hamendësije në vallëzimin binjak të tyre. Ne mbetëm një shkëndijë përcëllyese në sy. Eh, or mik, or vëlla, or …Njeri i shkrimit të lirë, moj shoqe, moj zonjë… hej, a je ti i zgjuar për të vazhduar, për të ndryshuar? Më kot e zgjata. Dhe ndoshta kaq e pata. Nuk gjeta përgjigje. Nuk gjeta ligje? Të gjithë ishin për ofiqe. Që nga koha kur e dëgjuan këtë fjalë, askush më pas nuk u bë më i gjallë. Madje dhe kur e kishin me bindje e shkruan nga jashtë tërë atë Rilindje. E atëherë? Prit dimër të dalë pranverë… si përherë. Doni të dini kush ishte më e sakta, më e qarta? Thjesht një rrjetosje nga një merimangë me këmbë të gjata. Në të vërtetë një merimangë e dashurisë së dashurive të përhumbura bëhej pe dhe pre. Vetë rrjetosja e mburrte, e ajo vazhdonte të thurrte. Thurrje, thurrje në dritë-errrësirën jetike me rrjetën e saj. E rrjetosja ndiqje modele, variante dhe yrniqe të huaja. E, Unë? Unë vazhdoja vetëm të shkruaja? Ende me leximin e Klubit të Selanikut…, ende me shenjën e turpit të bërë letërsi të lexueshme prej Çajupit. E merimanga ende rrjetos. Nakatos. Ajo zbret mes alfabetit të germave të Gjuhës Shqipe dhe godet, duke u përpjekur për të udhëzuar forma të reja, për të zhvendosur, apo arratisur diku larg shkrimin e tjetërsuar mendërisht nga ky makth. Në fakt, ky makth ndjehet në këtë rast mjaft. Zhubroset si një modul i butë, i ngjeshur mes shkrimit dhe kësaj ndjesie shumëkëmbore të zvarritjes shkrimore, i jepet një përqafim i helmët i qelqurinës së kapakosur të dy syve. Kështu ndodh para një gazete. Kështu ndodh para një libri. Kështu sillet dhe në ekranin e ndonjë filmi. Dhe koha transferohet në tashmëri. E tashme?! Dashurisht dashuritë nisën përshpëritjet. Dashurisht nuk mund të kuptohej shkrimi, aq thjesht sa vetë krimi. Dashurisht shkrimtaritë reflektoheshin sikur kilikoseshin nga shkrimi. Ishte një klishe dyfishe. Ndjesia ishte ndryshe. Zbehej vegimi. Aty kishte zbritur frymëzimi. Frymëzimi pëshpëriti heshtazi dhe paksa fjalorthazi lëshoi një mesazh për të zgjuar: “Shkrimi zbret dhe ngjizet vetëm dashurisht mes dashurive!” Dhe tutje nguci zvarritjen e ikjes. Zvarritjen e ikjes së një kohe të shkrimit të sakatuar, aq kaq nga një kohë e zymtë, thjesht në një të kaluar. Një hije e gjatë, e harruar në humnerën e ngarkesave të kohës, zbriti dhe zhveshi merimangën lakuriq. Ishte bruto. S’kisha parë një të tilllë nudo. Qoftë dashurisht? E shkruar në letrën zyrtare të pa shpirt, që errësirës i thoshte dritë. Ishte hapi i nxituar i shkrimit intim. Nuk kishte pushim. Kishte vetëm pasion. Pushimi nuk ishte opsion. Ishte shkrim intim. Ishte një përkushtim. Ishte i urritur. Një përkushtim i përgjakshëm i errësirës së zhuritur, që ngadalë po bëhej fantazmë në shkrim. Fantazma shkruhej dashurisht prej dashurisë së urdhëruar për të. Ah, fantazma! Fantazma të shkrimit. Dhe kuptohej…, koha na rrëfente. Po të gjithë heshtnim, të gjithë heshtim. Merimangat, mblidhen në një natë të errët të caktuar pas krimit. Bëhen një rrjetë e pagrisshme. E pagrisshme…Tarantula. Një tarantula e tillë tejkaloi idenë time, pa ndonjë qëllim për të kafshuar, por la pas hijen e kafshimeve, atë më të frikshmen, më të rrezikshmen. Ajo ishte vërtet hija. Ishte hija …, por nuk ishte hija me të cilën po rrjetëthurrej. Nuk ishte …, nuk ishte aty afër. Ajo jargavitej djersërisht me kalorësit e Fjalës. Dhe vetëm mburrej. Kalorësit, si të mpirë, kalorësit e mi të dashuruar, më saktë, thirrën përreth meje të gjitha dashuritë, dhe vazhduan gjatë gjithë dritë-errësirës të shmangin kilivitjet. Ata mbetën duke kërcyer në tokë me këmbët e tyre në vallëzimin e tyre shkrimor. Ishte realizimi më i errët i syve. Realizimi përmbyti mendjen time. U bë i pamëshirshëm, duke mpirë të gjitha shqisat e mia. E aty mbeti e veja e zezë e tij. Kërkoi ti hidhte hi syve. E veja e zezë e urrejtjes u duk në një tërbim të pastër, në dorë mbante zambakë të synimit vrasës. Nuk isha unë! Ishte shkrimi! Ishte krimi me shkrimin …, me shkrimin më vrasëtar se krimi. Ndaj vrapoja të ikja. Të ikja nga ky lloj shkrimi. Të ikja nga krimi. Ikja dhe vetëm ikja. Ikja nga vetja ishte ajo që unë e bëra në të gjitha këto vite, por jo më si një ikje nga e vërteta. E vërteta më ka folur ndryshe. Ende më flet ndryshe. Ndryshe dhe në poret e lëkurës, ndryshe dhe në timbrin e lëvizjet dhe dëgjimet muzikale. Është kërcimi dhe vallëzimi më i mirë kur shkrimi është vërtet jeta dhe ëndrra. Ishte më mirë të jem kështu. Sepse më duhej baza fantastike, përjetësia e kësaj fushe të fantazisë. Në fund të fundit, ne të gjithë kemi kohë të pafundme që fantazojmë dhe jetojmë mes fantazisë edhe në ëndrrat tona. Pastaj u zgjova, u hodha ujë syve dhe rikujtova: “Shkrimi zbret dhe ngjizet vetëm dashurisht mes dashurive!” Dhe ndodhi… Dhe ndodh të ndjehemi kështu me shkrimin. Me shkrimin, që e lexuam, na detyruan ta lexojmë, dhe që lirisht vazhdojmë ta lexojmë nga kënde të ndryshme. Ende sot… përloten vetvetiu arkivat, kur rilexojnë qëllimisht direktivat. Direktiva në shkrim, thjesht një krim!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Fatmir Terziu

A PO AFROHET FUNDI I COVID-19?

October 15, 2021 by s p

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik *

Numrat, si globalisht ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara tregojnë rënie të shpejtë të rasteve të Covid-19 gjatë muajit të fundit, duke zbuluar shenja se vala e tretë dhe shpresojmë se vala e fundit e madhe është prapa nesh. Ndërsa shkencëtarët vazhdojnë të kuptojnë arsyet e baticës dhe zbaticës së infeksioneve, që mbeten disi të paqarta, nuk ka asnjë garanci që rënia e ngarkesave të rasteve do të vazhdojë. Tani për tani, ne shohim shumë të mira, edhe pse është e mbështjellë me disa lajme jo aq të mira.

Lajmi i mirë: Numri i infeksioneve të reja ka rënë 45% gjatë muajit të fundit në një mesatare shtatë ditore prej rreth 88,000, dhe shtrimet në spitale janë ulur 15,5% gjatë javës së kaluar, sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC). Vdekjet po bien gjithashtu 30% gjatë muajit të fundit – megjithëse më shumë se 1,400 njerëz kanë vdekur ende mesatarisht gjatë shtatë ditëve të fundit.

Lajmi i keq: Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, më shumë se 361,000 vdekje nga koronavirusi janë raportuar këtë vit, duke kaluar 352,000 të regjistruar në vitin 2020. Pra, po, më shumë amerikanë kanë vdekur nga Covid në 2021, sesa në 2020, dhe ne ende kemi më shumë se dy muaj deri në fund të këtij viti. Duke marrë parasysh që vaksina ishte në dispozicion për shumicën e amerikanëve nga Marsi dhe përparime të rëndësishme në trajtimin e pacientëve me Covid, një pyetje-të paktën retorikisht-ka nevojë dhe duhet bërë: pse 2021 do të jetë viti më pandemik, më vdekjeprurës që nga viti 1919? Një pyetje lutet të pyetet: sa nga ato jetë mund të ishin shpëtuar me një vaksinë të thjeshtë që ka qenë gjerësisht e arritshme për të gjithë amerikanët për pjesën më të madhe të vitit? Ndërsa varianti delta shumë i transmetueshëm u bë tendenca dominuese e kombit, duke nxitur një valë tjetër që pa që rastet dhe vdekjet të rriteshin dhe shumë spitale të mbingarkoheshin. Pjesë të vendit, ku normat e vaksinimit ishin më të ulëtat, u goditën veçanërisht rëndë.

Vala e fundit dhe ndoshta e fundit e madhe e Covid-19 është përsëri në tërheqje 

Rëniet më të fundit janë në përputhje me një model që shumë epidemiologë tani e njohin: një cikël disi misterioz dy mujor i valëve të Covid. Që kur filloi në fund të vitit 2019 në Kinë, infeksionet shpesh janë rritur për rreth dy muaj – ndonjëherë për shkak të një varianti, si Delta – dhe më pas kanë rënë për dy muajt në vijim. Arsyet e këtyre cikleve nuk janë kuptuar ende nga epidemiologët. Sugjerimet se këto cikle ndoshta ishin të lidhura me sezonalitetin ose baticat dhe zbaticat e distancimit shoqëror dhe përdorimit të maskës, ka shumë të ngjarë të jenë të pasakta. Prova është në faktin se ciklet dymujore kanë ndodhur gjatë stinëve të ndryshme të vitit dhe kanë ndodhur edhe kur sjellja njerëzore nuk po ndryshonte në mënyra të dukshme. Kjo na lë të konkludojmë se shpjegimet më të besueshme përfshijnë një kombinim të biologjisë së virusit dhe praktikave që lidhen me rrjetet sociale. Variantet në zhvillim të virusit kanë më shumë gjasa të infektojnë disa njerëz, por jo të tjerë. Të pavaksinuarit janë grupi në të cilin virusi gjen hapësirë ​​për të transmetuar dhe “rrotulluar” lirshëm. Pasi të jenë ekspozuar më të prekshmit mes nesh, virusi tenton të tërhiqet, ndoshta të tërhiqet ose të rigrupohet për një valë tjetër. Ata mund të jenë faktorët përcaktues që i duhen një virusi ose varianteve të tij të reja për rreth dy muaj kohë për të qarkulluar nëpër një rajon të caktuar. Ne kemi mësuar se sjellja njerëzore luan një rol në atë se sa i rëndësishëm mund të jetë një shpërthim, me njerëzit që shpesh bëhen më të kujdesshëm pasi ngarkesat e rasteve fillojnë të rriten. Por distancimi shoqëror vetëm mund të mos jetë aq i rëndësishëm sa diskutimet publike shpesh diktojnë, ne priremi të caktojmë shumë autoritet dhe kontroll njerëzor mbi virusin. Ne kemi parë që rëniet e fundit, për shembull, kanë ndodhur edhe kur miliona punëtorë amerikanë u bashkuan me fuqinë punëtore dhe miliona fëmijë u mblodhën përsëri në ndërtesat e shkollave. Cilado qoftë arsyeja, ciklet dy mujore të “kodrave dhe luginave” të Covid vazhdojnë të ndodhin. Është e dukshme si në numrin global ashtu edhe në atë amerikan. Ne pamë që rastet u ngritën nga fundi i Shkurtit në fund të Prillit, pastaj ranë deri në fund të Qershorit, u rritën përsëri deri në fund të mesit të Shtatorit dhe kanë rënë që atëherë.

 Shtrimet në spital dhe vdekjet janë në rënie

Siç e pamë në SHBA, rritja e Delta filloi në disa shtete jugore së pari në Qershor dhe filloi të tërhiqej në Gusht. Në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara, filloi në Korrik dhe rastet kanë filluar të bien javët e fundit. Rastet kanë rënë edhe te fëmijët, dhe kjo pavarësisht nga mungesa e vaksinës për fëmijët nën 12 vjeç. Lajmi më inkurajues është se sëmundjet serioze Covid gjithashtu janë në rënie. Numri i amerikanëve të shtruar në spital me Covid ka rënë rreth 25 përqind që nga 1 Shtatori. Vdekjet ditore – treguesit e mbetur – të cilët zakonisht ndryshojnë drejtim disa javë pas rasteve dhe shtrimeve në spital, kanë rënë 10 përqind që nga mesi i Shtatorit. Është rënia e parë e vazhdueshme e vdekjeve që nga fillimi i verës. E rëndësishmja, ndihma është gjithashtu në rrugë për ata persona që kontaktojnë sëmundjen, pasi një pilulë antivirale është zhvilluar nga kompania farmaceutike Merck që së shpejti mund të sigurojë një armë tjetër në luftën kundër Covid-19. Pilula është treguar se zvogëlon përgjysmë shtrimet në spital dhe vdekjet për njerëzit që janë infektuar nga virusi. Ndërsa rënia e rasteve të Covid që po shohim tani mund të mos vazhdojë, pasi cikli dy mujor i Covid nuk është një lloj ligji i provuar i shkencës. Ka pasur shumë përjashtime nga teoritë e ciklit dy mujor. Por kjo pasiguri do të thotë gjithashtu se e ardhmja e afërt mund të jetë më inkurajuese nga sa e prisnim. Dhe ka disa arsye legjitime dhe të mira për optimizmin qe më në fund po e mposhtim këtë pandemi. Përmes përpjekjeve të vazhdueshme të vaksinimit, ne tani kemi 77 përqind të amerikanëve 12 vjeç e lart që kanë marrë të paktën një vaksinë. Së bashku me autorizimin e mundshëm të vaksinës Pfizer për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, ne do të shohim një rritje të konsiderueshme të numrit të vaksinimeve këtë vjeshtë. Pothuajse po aq e rëndësishme, diçka si gjysma e amerikanëve ndoshta kanë pasur tashmë virusin Covid, duke u dhënë atyre një imunitet natyral. Përfundimisht, imuniteti do të bëhet mjaft i përhapur – imuniteti i tufës – që një valë tjetër aq e madhe dhe dëmtuese sa ishte vala e Delta, nuk do të jetë e mundur. Covid-19 do të jetë provuar të jetë një nga pandemitë më të këqija në kohët moderne. Në shumë mënyra, do të jetë një pandemi e panevojshme e tmerrshme. Nga më shumë se 700,000 që kanë vdekur prej tij, vetëm në Shtetet e Bashkuara, ndoshta shumë qindra mijëra ndoshta do të ishin shpëtuar nëse do të zgjidhnin vetëm vaksinimin. Ky fakt është ai që e ndan këtë pandemi nga të tjerët, si gripi spanjoll i vitit 1918, për të cilin nuk kishte vaksinë në dispozicion.

Më e keqja është pas nesh

Ne e dimë që Covid nuk do të zhduket së shpejti, të paktën jo globalisht. Me sfidat e vazhdueshme globale për të shpërndarë vaksina të mjaftueshme dhe mjaft shpejt, virusi mund të vazhdojë të qarkullojë për ca kohë, ndoshta vite. Por ne gjithashtu e dimë se qasja në vaksina, veçanërisht në vende të tilla si SHBA, do ta shndërrojë Covid në një sëmundje të menaxhueshme, jo shumë të ndryshme nga gripi ose ftohja e zakonshme. Javët e fundit kanë treguar se po i afrohemi një të ardhmeje më të qëndrueshme se ajo që u shfaq gjatë 2-3 muajve të fundit. Mund të themi se çfarëdo që të sjellin muajt e ardhshëm, më e keqja e pandemisë Covid-19, veçanërisht për të vaksinuarit, është prapa nesh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr Pashko Camaj

Genocidi komunist mbi grate shqiptare

October 14, 2021 by s p


Dr. Hasan Bello/

Megjithese kane kaluar 31 vite nga renia e regjimit komunist dhe ne median e lire degjojme per dhjetra organizata qe meren me te drejtat e grave, ende sot e kesaj dite nuk kemi asnje studim per 450 gra te ekzekutuara dhe 23.000 te tjera te burgosura dhe te internuara per motive politike. Ketu nuk duhet harruar as diskriminimi qe i behej gruas shqiptare ne emer te barazise ne pune, duke e detyruar ate te ushtronte profesione nga me te veshtirat edhe per vete meshkujt. Por nuk duhen harruar as vuajtjet e atyre grave dhe vajzave, qe per arsye politike dhe per shkak se ishin nena dhe motra te kundershtareve te regjimit komunist, u burgosen dhe internuan padrejtesisht. Sipas deshmise se Vera Demes, dhene Agim Mustes, e cila ka qene ne kampin e Tepelenes, vajzat dhe grate i dergonin cdo dite ne gryken e Mezhgoranit, per te sjelle dru ne kamp. Kater ore rruge, me nje barre te rende ne kurriz. Nga lodhja dhe stermundimi, shume gra ishin rrezuar ne humnerat e Vjoses. Ne vjeshte dhe ne dimer, ato ktheheshin te lagura dhe te ngrira nga i ftohti. Per kete arsye, nxirrnin teshat dhe i vendosnin mbi batanije per t’i thare. Por policet e kampit, me komandantin e tyre, Xhafer Pogacen, u hiqnin batanijet, per te pare trupat e tyre lakuriq. Ato qe protestonin, i lidhnin me pranga ne shtyllat para kampit dhe i linin ne mes te shiut e te ftohtit me ore te tera. Nje nga te denuarat e ketyre viteve ishte dhe Marta Doda, mbesa e Preng Bib Dodes. Ajo kishte lindur dhe ishte shkolluar ne Austri. Marta ishte zoteruese e pese gjuheve te huaja. Ne vitin 1912 kishte qendisur flamurin kombetar dhe kishte krijuar ne Shkoder “Shoqaten e gruas shqiptare”. Ne vitin 1947 ajo u arrestua dhe u denua me 12 vite burg. Ajo do te lirohet ne vitin 1954 ne moshen 82 vjecare, duke mbetur rrugeve, sepse askush nuk u kujdes per te. Ne nje mengjes te ftohte dimri e gjeten te vdekur perpara portes se kishes, ne rrugen e Kavajes. Te njejtin fat pati edhe bashkeshorti i saj, mjeku i njohur turk Ahmed Sadedini, te cilin diktatura e burgosi 10 vjet dhe vajza e saj e vetme Frida.Prandaj, ekzistenca e ketyre shoqatave qe meren me te drejtat e grave me duken instrumenta perfitimi meskin. Po aq meskin eshte edhe ligji per hapjen e dosjeve te ish-Sigurimit te Shtetit. Ky ligj mbron xhelatet e persekutoret dhe dhunon viktimen. Nje pergjegjesi morale dhe ligjore kane edhe ata qe kane ne dore per t’i ndryshuar keto ligje. Por heshtin, justifikohen, gjoja per te ruajtuar ekuilibrat social, ndersa ne te vertete per nje grusht vota, apo interesa te caktuara politike, klanore dhe partiake. Kjo te dhemb me shume, kur gjysma e me teper e qeverise, parlamentit etj., tashme, per fat i kemi gra.

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Hasan Bello

“CANCEL CULTURE”, MË SË FUNDI NJË KUNDËRVEPRIM

October 14, 2021 by s p

Nga GIOVANNI BELARDELLI

Vetë pavarësia qënkërka kërkuar më 1776 për të mbrojtur regjimin skllavëror, sepse të bardhët për shkak të whiteness (bardhësisë) së tyre nuk mund të jenë veçse racistë. Kjo është teza që tashmë është e përhapur në mjediset e cancel culture të SHBA e që, më së fundi, i është nënështruar kritikës së Bell-it në New York Review of Books.Të merremi vesh, është një kritikë tejet e matur, që synon të fshihet mbas vlerësimit të librit të shqyrtuar; por në thelb e shkërmoq atë. Maturia skajore e recensorit të kujton “shtirjen e ndershme” të Torquato Accetto-s, që Croce e tregoi gjatë fashizmit si udhërrëfyese për të siguruar hapësira lirie; e kjo tregon shumë mbi klimën e frikës që zotëron në botën akademike amerikane.  Por shpresojmë që reçensioni të jetë një shenjë e parë e kundërveprimit, ndoshta e ndihmuar nga fakti se cancel culture, duke damkosur të gjithë të bardhët për whiteness të tyre ka kaluar cakun , duke u ankoruar në fakt në qëndrime raciste.

“Corriere della Sera”, 6 tetor 2011  Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

PERKUJTIMORE NE DITEN E 35 VJETORIT TE VDEKJES SE BILAL XHAFERRIT

October 14, 2021 by s p

Naum Prifti

Shkrimtarin e talentuar Bilal Xhaferri e ndoqën gjithë jetën fatkeqësitë dhe mjerisht vdiq i ri sikur të ishte pjesëtar i një liste fatlume të autorëve që vdekja i rrëmbeu herët si Migjeni, Qemal Stafa, Kristaq Tutulani, pa përmendur gjithë ata që u kositën nga plumbat dhe burgimet e gjata të regjimi komunist, si Nelaj e Bloshmi, apo të tjerë që u etiketuan si kundërshtarë të metodës së realizmit socialist. Partia-shtet i dënonte artistët, shkrimtarët dhe dijetarët, sa herë vërente te veprat e tyre shenja disidente, apo kritika të tërthorta për sistemin e kuq në fuqi. Ndërsa në Bashkimin Sovjetik edhe në Kinë, lavdërohej teoria e njëqind luleve, në realitet demokracitë popullore i përndiqnin me egërsi intelektualët dhe artistët që etiketoheshin antimarksistë. Zhdanovizmi, sic u quajt, kritika publike denigruese për autorët dhe veprat e tyre nga partia dhe fanatikët partiakë ishte shfaqja më tipike e presionit shtetëror për ta mbajtur letërsinë, artet dhe shkencën në binarët marksistë. Censura e rreptë e partisë lindi dhe lulëzoi nën diktaturën e Stalinit, por rrugën e kishte piketuar Lenini, me artikullin famëkeq të botuar më 1916 “Letërsia e partisë”, ku shtjellohej sesi letërsia dhe artet të bëheshin shërbestare të platformës politike dhe zgjatim i krahut të propagandës ideologjike. Pas fitores së Revolucionit të Tetorit, Lenini e jetësoi platformën e tij në program. Komunistët shqiptarë e kopjonin me zell të madh përvojën e Bashkimit Sovjetik dhe utilizonin me fanatizëm të gjitha mekanizmat e diktaturës së partisë – shtet.

Njohja me Bilal Xhaferrin

Në vitet 1964-65 isha redaktor te revista “Ylli” dhe meqë mbuloja sektorin e prozës kisha detyrë t’i sugjeroja kolegjiumit çdo muaj një tregim origjinal të denjë për t’u botuar. Nuk ishte e lehtë sepse tregime të mira vinin rrallë në redaksi. Duhet t’u vardisesha autorëve të njohur për t’u shkëputur ndonjë tregim, pa patur shumë garanci se do ta mbanin fjalën. Madje edhe për tregimet e përkthyera duheshin gjetur krijime që t’u përshtateshin kritereve ideologjike. Për autorët klasikë ishte krijuar nje lloj pakti sipas të cilit ata botoheshin me raste përvjetorësh të rrumbullaktë të lindjes ose vdekjes.

Në redaksine e revistës “Ylli” vinin krijimet e letrarëve te rinj ose amatorë, që shpresonin të debutonin në faqet e revistës. Dorëshkrimet e tyre të padaktilografuara ishin mjaft të vështira edhe për t’u lexuar. Si rregull, ne duhet t’i përgjigjeshim çdo bashkëpunëtori me shkrim. Poezitë i shqyrtonte, i përzgjidhte dhe i redaktonte me kujdes e durim poeti Vehbi Skënderi. Pas një përvoje katër- pesë vjeçare, e kisha bërë zakon t’i grumbulloja dhe t’i lexoja dërgesat javën e fundit të muajit, mbasi rrallë herë kisha gjetur në to ndonjë krijim proze me vlerë. I lexoja të gjitha tregimet e grumbulluara dhe u përgjigjesha autorëve me një letër standard. “Tregimin tuaj e morëm dhe e lexuam me kujdes. Krijimi ka dobësi artistike dhe nuk e arrin nivelin e botimit. Ju falënderojmë për bashkëpunimin. Presim krijime te tjera”. Vetëkuptohej se ishte letër shabllone, por formaliteti ishte pjesë e detyrës sonë si redaktorë.

Një ditë posta solli një zarf, i cili më tërhoqi vëmendjen për peshën e tij. Në zarf, emri dhe mbiemri i dërguesit, Bilal Xhaferri, krejt i panjohur për mua dhe në rreshtin tjetër numri i repartit ushtarak. E hapa zarfin dhe gjeta rreth njëzet faqe, për fat të mirë të daktilografuara. Për arsye të profilit të revistës dhe hapësirës së kufizuar që i kushtohej letërsisë artistike, “Ylli” nuk botonte tregime më të gjata se 10-12 faqe. Kështu e lashë mënjanë zarfin, aq më tepër se për atë muaj e kisha siguruar tregimin për botim. Për ditë me radhë sa herë hapja sirtarin për të stivuar tregimet e tjera që vinin në redaksi, e shihja me bezdi novelën me 23 faqe, dërguar nga një ushtar.

Së fundi, sado i mërzitshëm të ishte leximi dhe sado orë të donte, nisa t’i marr me radhë tregimet duke ruajtur adresën për përgjigjet standarde të redaksisë. Sërish tregimin e daktilografuar e kisha lënë për në fund, dhe kur arrita tek ai e mora në dorë duke ndjerë keqardhje për kohën që do humbja me të. Lexova faqen e parë, pastaj të dytën ku jepej përshkrimi i një udhëtimi me kamion. Kur arrita te faqja e tretë gjeta një pasazh fantastik dhe thashë me mend: “Ky është talent!” E mbarova leximin me kënaqësi, i befasuar dhe i entuziazmuar nga zbulimi i një pene të talentuar. Në vend të një letre formale me stampën e redaksisë më shkrepi në kokë t’i shkruaja letër personale. E përgëzova për tregimin dhe shpreha besimin se me talentin e tij ai do të gjente vend në fushën e letërsisë. E sqarova se tregimi i kalonte numrin e faqeve që lejonte revista por nëse më jepte leje ta shkurtoja tek – tuk, do të botohej numrin tjetër. E lusja të më takonte, sapo t’i binte rasti të vinte në Tiranë.

Pas dy-tri javësh në dhomën e redaktorëve hyri një djalë me uniformë ushtari dhe pyeti nëse mund të takonte Naum Priftin. Kishte trup mesatar, thuajse imcak, me sy bojë qielli, flokë të verdhë, me fytyrë të pjekur nga dielli, ku binte në sy hunda e kuqe pak e rrjepur. Sa e pashë me rroba ushtari u kujtova. “Bilal Xhaferri?” e pyeta. “Po, erdha sipas letrës që më dërguat”, m’u përgjegj. E luta të ulej dhe të priste pak, sa të përcillja bashkëpunëtorin me të cilin isha duke biseduar. Por pas tij erdhi edhe një letrar tjetër dhe m’u desh të humbja pak kohë edhe me të. Së fundi, i kumtova Bilalit se isha krejt i lirë. “E mendoja pak më ndryshe punën e redaktorit. Paske punë të mërzitshme”, qenë fjalët e para të Bilalit. “Nuk kemi përditë kësi ngarkese. Sot qëlloi që erdhën njëri pas tjetrit”, e sqarova. I thashë se tregimi “Në rrugë” më kishte pëlqyer shumë dhe më vinte keq që duhej shkurtuar për arsye vendi. Redaktimin ma besoi me fjalët “Shkurtoje sa të duash”. I thashë se mund ta botonte të plotë në një vëllim dhe për lexuesit do ishte njësoj sikur ta kshte ripunuar. Meqë po vinte ora dy dhe orari zyrtar po mbaronte, e ftova të dilnim së bashku. E pyeta nëse dëshironte të hanim diku jashtë, apo të shkonim në shtëpi. “Si të duash”, qe përgjegjja e tij, por s’ka pse të harxhohesh për mua”.

“Sipas traditës, më mirë në shtëpi, veç nuk e di se ç’kemi për drekë…” – i thashë. “S’ka rëndësi”, ma ktheu ai me mirënjohje. Nga biseda rrugës mësova se ishte ushtar në një repart pune. Meqë e dija reputacionin e atij vendi nuk e zgjata më tej, që të mos e lëndoja. Mësova se kishte punuar disa vjet në një kantier ndërtimi në Laç, si hekurthyes, apo hekurkthyes dhe se pas tetëvjeçares kishte vazhduar shkollën e mesme natën. Më tha se pasioni i tij ishte letërsia dhe se lexonte shumë dhe çdo gjë që i binte në dorë.
Pastaj më tha se tregimet e mia i pëlqenin për vërtetësinë dhe lirizmin dhe e habiste freskia që gjente në to. “Në asnjë tregim ti nuk përsërit veten, por sjell gjithmonë diçka të re”. Këtë kompliment nuk e kisha dëguar nga askush tjetër dhe më ka mbetur në mendje. Temat e bisedës sonë të parë ishin të kufizuara, sikur të tatonim terrenin e njëri tjetrit.

Djali i Ballistit

E takova disa herë kur punonte për asfaltimin e rrugëve, apo për mirëmbajtjen e tyre. Nuk e di nëse nuk e kishin pranua në kantierin e Laçit, ku ishte para se të shkonte ushtar, apo nuk kishte dashur vetë të rikthehej atje. “Pse ky trajtim?” e pyeta. “Se e kam patur babain ballist dhe ai u vra duke luftuar kundër partizanëve, kur unë isha tre vjeç. A mund të ndikoj një trivjeçar mbi babanë?”. E ashtuquajtura lufta e klasave fshikullonte edhe më rreptësi ata që aspironin të konfirmoheshin në fushat humane. Atëhere ambiciozët, ziliqarët, asetçinjtë, dështakët, suleshin me tërbim mbi të pafajshmit, të lindur e të rritur në atë pushtet që i denigronte.

Poet dhe Tregimtar i Talentuar

Bilal Xhaferri kishte fituar simpatinë e disa rretheve letrare dhe publicistike. Gazeta “Zëri i Rinisë”, ku kishte disa dashamirës të tij, i botonte tregimet e poezitë, qoftë edhe pë ta ndihmuar materialisht me anë të honorareve të vogla. Disa herë arriti të merrte edhe leje krijuese nga Lidhja. Ballkise Halili, gazetare te “Zëri i Popullit” e admironte dhe e përkrahte duke e konsideruar si përfaqësuesin më të talentuar të Çamërisë.

Vëllimi i tij me tregime “Tokë e Lashtë, Njerëz të Rinj” u prit si një eveniment letrar nga lexuesit. Nje prej tregimeve titulluar “Purpuranti” bënte fjalë për një bashkëluftëtar të Skënderbeut që kthehej nga lufta krenar, pa fituar as pasuri as trofe. Ai e preferonte epokën e Skënderbeut të cilës do t’i kthehej më vonë me romanin “Krastakraus” si ekskursion historik për t’i ikur realitetit të zymtë, të cilin ai e njihte aq mirë.

Për emancipimin ai kishte tjeter këndvështrim. Më la shije të hidhur vërejtja e tij se femrat s’kishin fituar asgjë nga emancipimi në shoqëri, përkundrazi ato ishin dyfish të skllavëruara, brenda shtëpisë dhe jashtë saj.

Gëzimi i autorit për botimin e vëllimit me poezi nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” ishte jetëshkurtër dhe u pasua nga një goditje tronditëse. Libri nuk u shpërnda dhe të gjitha kopjet u dërguan në fabrikën e letrës në Lushnje për t’u grirë e për t’u kthyer letër ambalazhi ose karton. Dy pole të skajshme të fatit të librit. Kisha lexuar disa nga poezitë e tij të botuara në gazetë. Njëra prej tyre më kishte mbetur në mend për përshkrimin e tragjedisë së të ikurve çamë nga shtëpitë e tyre të lindjes në 1945. Në vargjet e Bilal Xhaferrit, ata iknin nëpër natë në dritën e flakadanëve të shtëpive të djegura dhe plumbat që u vinin pas u tregonin drejtimin nga duhet të merrnin arratinë. Nuk mund ta them me siguri nëse tema e tragjedisë çame si një temë tabu për vitet 1960 ishte shkaku i fatit të vëllimit me poezi.

Goditja e Pamëshirshme e Fadil Paçramit

Në Klubin e Shkrimtarëve Fadil Paçrami, në vend ta kundërshtonte me argumente diskutimin kritik të Bilal Xhaferrit për vlerat e romanit të Ismail Kadaresë, e spostoi problemin në sferën politike, duke e bombarduar diskutantin si birin e një ballisti, si armik të maskuar, dhe i kërkoi ta linte sallën menjëherë. Nën vështrimet keqardhëse të shokëve të tij, Bilal Xhaferri doli nga klubi. Diskutantët e tjerë e kuptuan se aty duheshin thënë vetëm lavdërime dhe mbledhja u mbyll me disa diskutime të vakëta. Sipas mendimit të disa shokëve të mi, që ishin pjesëtar të takimit, Bilal Xhaferri bëri gabim taktik pasi u nxitua të diskutonte menjëherë pas referuesit. Diskutantë të tjere që kishin vërejtje më të forta se ai për romanin, e mbyllën gojën pas incidentit me Bilalin. Për emancipimin ai kishte rezervat e tij, ca më shumë për atë që servirte Kadareja si çlirim nga zakonet e prapambetura. Fadil Paçrami po turfullonte duke dëgjuar kritika që nuk i priste e që mund t’i jepnin drejtim të padëshiruar mbledhjes. Ai u ngrit në këmbë dhe duke drejtuar gishtin nga Bilal Xhaferri, u tha pjesëmarrësve: “E dini kush është ky që foli keq për romanin? Ky është Bilal Xhaferri, të cilit ne i kemi vrarë të atin se ishte armik, ballist. Për ty nuk ka vend në këtë sallë dhe që tani kërkoj të dalësh jashtë. Jashtë!” uluriti Fadili. Salla u nemit. Qetë-qetë Bilal Xhaferri u largua i përcjellë nga vështrimet mëshiruese të shokëve të tij dhe ato plot urrejtje të partiakëve.

Nga ai moment jeta u bë edhe më e vështirë për Bilalin. E pushuan nga puna te “Rruga Ura” dhe i bënë presion të punonte në fermë. Ai nuk pranoi se s’kishte asnjë lidhje me fermën. Banonte te e motra në Shkozet përkohësisht, ngaqë ende s’e kishte strehuar asnjë nga ndërmarjet ku ishte punësuar. Laku po ngushtohej çdo ditë dhe s’i mbeti tjetër alternativë, veçse të arratisej me rrezik koke. Për t’i shpëtuar situatës që mund të shkonte drejt dënimit dhe burgosjes, ai gjeti rastin në ditët e festave përkujtimore të verës të mbajtura në fshatin Mërkat të Sarandës të arratisej në Greqi bashkë me kushëririn e tij.

Thashethemet e Kohës

Miqtë, dashamirësit dhe shokët e Bilalit mendonin se shkaktar për arratisjen ishte Fadil Paçrami dhe presioni i egër i tij mbi autoritet e Durrësit për ta dënuar. Mungesa e informacionit në Shqipëri i shtynte njerëzit të besonin lajmet që shkonin “vesh-më-vesh”. U fol se Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, qortoi rëndë komandantin e postës së kufirit të Mërkatit dhe ushtarët, duke u thënë se kapnin lepujt, ndërsa luanët u iknin, duke aluduar për Bilal Xhaferrin. Për sistemin ai si njeri i letrave ishte i rrezikshëm mbasi shkrimet e tij do të dëmtonin imazhin e Shqipërisë në botën e jashtme. Më ra rasti të lexoja në gazetën e rezervuar “Dielli” reportazhin e tij tronditës për internimin e një familje nga Shkozeti. Plaçkat e nxjerra në oborr, fëmijë që qanin dhe kamioni që priste t’i transportonte, në orët e muzgut pranë ujërave të detit Adriatik ishin skenat më tronditëse që kisha lexuar për tragjedinë e të internuarve nga regjimi komunist. Për Bilalin, këto krijime buronin nga përjetime personale dhe skena reale që i kish dëshmuar vetë.

U fol se Bilal Xhaferri i dërgoi letër Ramiz Alisë, ku i shkruante se mori rrugën e arratisjes nga atdheu kundër vullnetit të tij, i detyruar nga autoritetet lokale që e lanë pa asnjë mjet jetese dhe nga rreziku se do ta burgosnin pa shkas. U përfol se Fadil Paçrami ushtroi presion mbi prokurorinë e Durrësit, që të urdhëronte arrestimin e Bilal Xhaferrit. Ato lloj urdhrash ata i merrnin nga instanca të tjera, kryesisht nga Dega e Brendshme dhe Komiteti i Partisë së Durrësit. U fol se Bilal Xhaferrin e vrau një nga njerëzit e sigurimit, ndërsa po zbriste nga aeroplani në një aeroport pa emër, sikurse më tha Bedri Myftari, një shoku i tij.

Kur erdha në Amerikë u interesova për të dhe mësova se Bilal Xhaferri vdiq në një spital të Michiganit më 14 tetor 1986, pasi kishte pasur një operacion për t’i hequr tumorin në kokë. Epikriza e tij mund të lexohet në arkivin e spitalit për këdo që interesohet të dijë me hollësi shkakun e vdekjes. A ka vepruar dora e Sigurimit jashtë shtetit? Sigurisht që po, por një pjesë të legjendave i përhapnin vetë punonjësit e sigurimit për të ngjallur frikë e panik te bashkëatdhetarët në diasporë.

“Krahu i Shqiponjës” në Amerikë

Të rrallë janë ata emigrantë politikë që kanë mundur të çajnë aq shpejt rrugën e suksesit sa Bilal Xhaferri. Në SHBA ai botoi revistën “Krahu i Shqiponjës” në Çikago, nga viti 1969 deri më 1986, me 17 vjet jetëgjatësi. Prirja patriotike dhe antikomuniste e revistës tërhoqi mjaft lexues. Bilali shkruante një pjesë të artikujve, redaktonte shkrimet e tjera, korrektonte bocat, e shtypte dhe e shpërndante vetë. Ishte një punë që kërkonte mund, dije, përkushtim, dhe ai ia doli mbanë me sukses. Koleksionisti i njohur i shtypit shqiptar në Amerikë, z. Idriz Lamaj, e ka ruajtur dhe më pas ia ka dhuruar Vatrës koleksionin prej 39 numrave si dhe numrin e 40-të të revistës përgatitur për botim nga Bilali. Z. Lamaj shprehet se nuk ka pasur organ tjetër përpara dhe pas revistës “Krahu i Shqiponjës” që të ketë paraqitur studime, hulumtime dhe ese historike mbi Çamërinë dhe çështjen çame si ato të publikuara në faqet e saj.

Projekti i Bilal Xhaferrit të përkthente vetë në anglisht romanin “Krastakraus” dhe ta botonte në Amerikë nuk u kurorëzua me sukses.

Kthimi në Atdhe – Eklipsimi i Fundit

Eshtat e tij u kthyen në atdhe në kohën kur ishte Ministër i Kulturës, Teodor Laço, dhe me përkujdesjen e miqve të Bilal Xhaferrit. Fati edhe këtë herë nuk e favorizoi sepse në të njëjtën kohë u kthyen në atdhe eshtrat e kolosit të kulturës shqiptare, Faik Konicës. Për fat të keq, Bilal Xhaferri u eklipsua nga Konica. Ndërsa Konicës iu bënë nderimet e rastit me ceremoni madhështore në Boston, Bilal Xhaferri u zhvarros dhe eshtrat e tij u transportuan në aeroport, pa tubime dhe seanca përkujtimore. Miku i tij, Shefki Husa u kujdesua për gjithçka. Ai meriton nderime për evidentimin e figurës së Bilal Xhaferrit, për botimin e revistës me të njëtin emër “Krahu i Shqipnjës”, si përlindje e veprës së tij në atdhe dhe për krijimin e Shtëpisë Botuese “Bilal Xhaferri”. Ajo ka riboutuar dhe botuar trashëgiminë letrare të Bilal Xhaferrit, midis tyre vëllimin me vjersha për Çamërinë dhe romanin “Krastakraus”.

Jam i bindur se një ditë krijimtaria e larmishme letrare e Bilat Xhaferrit do të gjurmohet me kujdes e do të studiohet për të zbuluar vlerat e saj, duke i dhënë mundësi lexuesit të njohë shpirtin dhe mendjen e këtij shkrimtari të talentuar me fat tragjik.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2794
  • 2795
  • 2796
  • 2797
  • 2798
  • …
  • 2932
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT