• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SIPËRMARRËSJA MIRELA KANINI, NJË HISTORI SUKSESI SHQIPTAR NË AMERIKË

October 9, 2021 by s p

Mirela Kanini sipërmarrësja shqiptare e suksesshme në Illinois, rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, historikun e biznesit “Riche Organics”, si lindi ideja e biznesit, tregu i punës dhe shërbimet që ofrohen, të veçantat e produkteve, kërkesa në treg, suksesi i tyre dhe konkurenca, strategjia e marketingut dhe zhvillimi i ideve, kontratat e biznesit me shtetet e Amerikës dhe ideja për një biznes në Shqipëri, modeli ekonomik i Shqipërisë etj. Me Mirela Kaninin bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.

HISTORIKU I BIZNESIT “RICHE ORGANICS”

Biznesin e mbiquajtur “Riche Organics” e kam hapur zyrtarisht në vitin 2012 por zanafillat e tij janë më të hershme. Ky është një brand i krijuar që nga zero nga unë dhe vajza ime që sot është gjithashtu partnerja ime në biznes si dhe në bashkëpunim me manifakturues ku prodhojmë disa prej produkteve tona për treg. Produktet e para që krijuam ishin kremra për trupin, fytyrën, sapunë, shampo, maska etj dhe të gjitha këto me përmbajtje bio, organike dhe pa kimikate në pamje të padukshme por të dëmshme për shëndetin. Pastaj me kalimin e viteve dhe kërkesat në rritje në treg për produkte të tilla u shtuan dhe vazhdojmë të shtojmë asortimente të tjera për klientët tanë. Çdo gjë filloi në “kitchen island” dhe më vonë u rrit vazhdimisht në atë që është sot. Produktet tona sot prodhohen 100% në USA dhe fabrikat janë kryesisht në Florida dhe Colorado.

SI LINDI IDEJA E BIZNESIT, TREGU I PUNËS DHE SHËRBIMET QË OFROHEN

Kur erdha në Amerikë si emigrante fillimisht isha pa dokumenta, pa të ardhura financiare për të ndjekur studimet dhe mbi të gjitha me dy fëmijë të vegjël dhe bashkëshortin, ndaj na u desh të punonim çfarëdo lloj pune për mbijetesë. Për fat të mirë u punësova në një nga kompanitë më prestigjioze në Amerikë kur është fjala për institutet e bukurisë. Ajo kompani madje ka universitetin e saj për këtë fushë dhe ofronte trajnime të gjithanshme dhe të shumëllojshme. E fillova si ndihmëse dhe fillimisht isha e lumtur që gjeta një punë por pastaj në vitin e dytë që punoja atje më ngarkuan detyrën e menaxhimit të një prej departamenteve në atë kohë me 30 veta dhe gjithashtu isha pjesëtare e grupit që merrej me përzgjedhjen e produkteve që përdornin nëpër sallonet përkatëse të bukurisë. Kjo korporatë kishte 25 të tilla të standarteve të larta. Puna atje si të thuash më shtyu drejt këtij destinacioni ose më saktë unë me njohuritë që mora për vite atje mbi këtë industri dhe të fshehtat e saj, ndjeva se mund të bëja diçka ndryshe, një alternativë për produkte më të shëndetshme. Në mënyrë të natyrshme më ka pëlqyer gjithmonë të kujdesem për pamjen, lëkurën, shëndetin dhe këtë gjë si pa dashje ja kisha përcjellë edhe vajzës sime që ishte pothuajse adoleshente dhe më ishte bërë si shoqe. Shumë gjëra i kam bërë pak ndryshe dhe jo sipas radhës dhe një nga ato është që jam martuar në moshë shumë të rë dhe po aq e re jam bërë nënë e dy fëmijëve. Asnjëherë nuk më pengoi kjo gjë për të arritur objektivat e mia në jetë. Shpesh herë të dyja eksperimentonim me maska për fytyrën dhe kur shihnim rezultate të mira vendosnim t’ja jepnim për provë miqve tanë. Erdhi një moment kur filluan të na kërkonin se ku mund ti gjenin produkte të tilla dhe aty krijuam një personazh imagjinar ” the lady from Wisconsin”. Sa herë merrnim porosi ja jepnim në emër të saj sepse nuk kishim kurajo të dilnim hapur që ishin prodhime tonat. Por një ditë kërkesat vinin në rritje dhe e kuptuam që kishte ardhur koha të formonim kompaninë tonë. U ndeshëm me shumë vështirësi, që nga trademark i brand-it deri tek të punuarit me orë të zgjatura dhe herë merrnim rolin e shpërndarësve, e herë të menaxherëve kur na duhej. Sigurisht kisha mbështetje të plotë të familjes, sidomos bashkëshortit që në atë kohë kishte përparuar dhe merrej me aktivitetin e tij privat gjithashtu. Nuk mund ta marr vetë gjithë kreditin sepse financiarisht fillimi është përpjekje dhe shumë herë pa rezultate. Po ashtu përfshihej në shpërndarje (delivery) edhe djali im. Të gjithë ndihmonin kur të mundeshin. Fillimisht produktet tona filluam ti shisnim ku na jepej rasti, nëpër Farmers Market, nëpër sallone, dyqane dhe nuk dekurajoheshim kur na mbyllnin derën në fytyrë por mendonim është gjithmonë dikush që do i pranojë pa marrë parasysh sa i shumëllojshëm është ky treg. Ka patur plot momente që kam thënë me vete ” po unë kush mendoj se jam që të hedh një hap të tillë”, por pastaj ngushëllohesha me atë që të gjithë e kanë filluar nga diku dhe çdo gjë e ka një pikënisje.

TË VEÇANTAT E PRODUKTEVE, KËRKESA NË TREG, SUKSESI I TYRE DHE KONKURENCA

Me internetin njerëzit pak a shumë mësuan të vërtetat mbi produktet me kimikate dhe dëmin e tyre dhe kërkesa për alternativa të shëndetshme është vazhdimisht në rritje. Cilësia e produkteve tona na siguroi një numër të mjaftueshëm klientësh dhe hapi tjetër llogjik ishte të hapnim dyqane me emrin e brand-it tonë. Dyqani jone i parë ishte në Downtown Highland Park që shumë shpejt u quajt nga “Voyage Magazine” si “best hidden gem of Chicago”(një thesar i fshehur i Chicagos). Madje dhe na intervistuan për të mësuar më tej. Po ashtu dhe “Northshore Magazine” kishte në faqet e saj atë kohë artikuj mbi kompaninë tonë dhe theksonte gjithashtu faktin që ishte kompani e krijuar nga gra për më tepër. Në biznes edhe në një vend të zhvilluar si Amerika, gratë biznesmene konsiderohen minoritet. Dyqani tjetër është në një nga Ëestfield Malls në USA që janë dhe ndër shopping malls më të fuqishmet në botë. Ideja ishte që të vazhdonim të hapnin dyqane të tjera por COVID19 ndryshoi shumë gjëra në fushën e biznesit përveç se edhe jetën tonë në përgjithësi dhe mendoj se për momentin është ide e gabuar hapja e të tillave, ndaj fokusimin e kemi tek online store të cilin e kemi pasur paralel që në fillim të biznesit. Shopping online mendoj se është edhe e ardhmja në industrinë e shitjes dhe Amazon është një shembull konkret se si funksion dhe sa shumë kohë i shpëton njerëzve .Ndërsa për konkurencën do thoja që nuk më pengon dhe eci me parimin që dielli kur ngrihet lart në qiell del për të na ndriçuar dhe ngrohur të gjithë ne. Të gjithë kemi diçka unike për të ofruar që nuk e kanë të tjerët. Çfarë na bën ne të veçantë është çertifikimet e ndryshme që kemi si 100% Made in USA , PETA certified (që nuk testohen në kafshë), GMP certified, USDA ORGANIC certified ect. Sa për formimin tim është e kuptueshme që më karakterizon disiplina, etika e punës, integriteti, fokusimi dhe motivimi pa i vënë limite vetes. Gjithashtu besoj se në biznes duhet intuitë e fortë dhe pak fat. Gary Vayncheck një milioner emigrant që e ka krjuar vetë gjithçka dhe është vetëm 40 vjeç më duket, tha kështu kur fliste para një auditori me studentë: Ju të gjithë po mbani shënime që të përfitoni nga këto mendime që ndaj unë me ju, shumë nga ju do mbarojnë studimet me rezultate të shkelqyera por nga 1000 studentë këtu vetëm një ndoshta mund të bëhet biznesmen i suksesshëm sepse të qënit i tillë nuk mësohet në shkollë dhe për këtë mos t’ju gënjejë askush.

STRATEGJIA E MARKETINGUT DHE ZHVILLIMI I IDEVE INOVATIVES

trategjia më e mirë është shërbimi me pesë yje që i jepet klientëve në komunikimin me ta, përveç faktit që produkti i mirë shet vetveten. Trajnimi i të punësuarve në kompani me njohuritë përkatëse dhe më të fundit në përshtatje me tregun. Qëllimi fillestar është të ndihmojmë njerëzit për një lëkurë më të mirë, për flokë më të shëndetshëm dhe për tu ndjerë mirë për veten, fitimet janë pastaj vetëm rezultat. Ne investojmë periodikisht në marketing sidomos në sezone festash ku ka ulje të ndjeshme çmimesh. Vitin e fundit sapo kemi filluar me produkte që përmbajnë CBD oil dhe që janë cilësuar ndër më të mirat për nga kualiteti. Këtë radhë kemi sjell në treg jo vetëm produkte për trupin e fytyrën, por edhe gummies, kapsula dhe vajra që merren në mënyrë orale. CBD oil (cannabidiol) është vaj nga hemp ose mariuana por theksoj që i është hequr ajo pjesa që ka efekt psikoaktiv dhe sjell përmirësime të jashtëzakonshme pozitive për shëndetin pa pasur efekte anësore. Këto ndihmojnë ata që kanë probleme me gjumin, ankthin, dhimbje artriti, inflamacion, stres përveç se ndikojnë në rritjen e imunitetit sepse ky vaj është shumë i pasur me antioksidantë madje qindrafish më shumë se çdo vitaminë. Gjithashtu të marrësh produkte me CBD oil nuk është e njëjta gjë si të jesh përdorues i mariuanës dhe gjithçka ka limite sigurisht pavarësisht se në USA është e legalizuar në të dyja rastet.

KONTRATAT E BIZNESIT ME SHTETET E AMERIKËS DHE IDEJA PËR NJË BIZNES NË SHQIPËRI

Ne tregtojmë në çdo shtet të Amerikës falë “online shopping” dhe sa për idenë e biznesit në Shqipëri sigurisht ma ka përshkruar mendjen dhe nëse krijohen kushtet pse jo mund të zgjerohemi dhe atje një ditë.

MODELI EKONOMIK I SHQIPËRISË, NGA SE VUAN EKONOMIA SHQIPTARE

Shqipëria duhet të ishte një Zvicër e Ballkanit përsa i përket bukurive dhe pasurive natyrore, madje i është premtuar shpesh kjo gjë nëpër fushata elektorale. Historikisht më duket sikur zgjedhim në krye njerëz të paaftë përderisa vazhdojmë të jemi aq të varfër. Pasuritë natyrore nuk janë çelësi automatik i mirëqënies sonë sepse po të ishte ashtu Afrika që ulet mbi diamante sot do ishte e pasur dhe Afganistani me male të tëra me minerale të çmuar do ishte i pasur gjithashtu. Ndonjëherë ajo çka duhet të jetë bekim kthehet në mallkim kur bie në duart e njerëzve të papërgjegjshëm dhe pa atdhedashuri. Nuk mund të pranoj kurrsesi se jemi të këqinj por fatkeq po. Akoma nuk po dimë si të marrim fatin tonë në duar. Shumica e shqiptarëve në botë janë qytetarë të denjë që kanë treguar se sapo i është ndryshuar habitati kanë shkëlqyer. Ata jo vetëm përparojnë shpejt por i japin prioritet shkollimit të fëmijëve dhe i gjen të përfshirë në fusha të ndryshme. Ndaj mendoj se së pari duhet të ndryshohet pak mentaliteti i spontanitetit, që i lëmë gjërat të rrokullisen sipas rrjedhës. Duhen zëvendësuar shprehjet që “kështu jemi ne shqiptarët”, ” ca do presësh nga kjo qeveri”. Qeveria zgjidhet nga populli për ti shërbyer popullit dhe paguhet po nga populli. Ata nuk vihen në krye për tu pasuruar për vete. Nëse dikush që punëson nuk bën punën që i takon, logjikisht duhet të pushohet nga puna, pra është shumë e thjeshtë në teori. Vetëm se historikisht këto ndryshime kudo në botë janë zgjidhur me revolucion dhe jo me apati kafeneve apo me shfryrje mllefesh nëpër rrjetet sociale. Shpesoj që një ditë Shqipëria të bëhet një vend i begatë me mirëqënie dhe qytetarë të lumtur dhe jo të frustruar siç janë sot nga stresi që po i merr jetën dhe betoni frymën. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë shumë më tepër se kaq, meritojnë një jetë dinjitoze me standarte si ato të botës së zhvilluar. Nuk mund të jetohet përjetësisht në stadin e mbijetesës. Shqipëria është e mbushur plot me njerëz të mirë dhe të zgjuar ashtu siç është plot dhe me nierëz që i ka shkuar thika në palcë. Jo ne nuk jemi aspak të këqinj por jemi si ata fëmijët e keqtrajtuar që do ishin bërë ndryshe dhe më të mirë po të kishin pasur prindër të denjë.

BIZNESMENE E SUKSESHME, TALENT DHE PUNË

Së pari mendoj se më ka bërë dëshira për të bërë gjithmonë diçka më shumë në jetë dhe motivimi. Puna intensive me dedikim është gjithashtu një faktor i rëndësishëm dhe kur këto kombinohen bashkë, nëse talenti ekziston brenda meje ose çdo individi tjetër është pastaj çështje kohe për të dalë në pah mendoj. Ide mund të ketë plot njeriu por një ide e pa ekzekutuar mbetet thjesht një ëndërr e pa realizuar. Talenti i vetëm nuk mjafton. Përsa i përket zgjerimit të biznesit në të ardhmen ajo do varet në përkatësi me faktorët ekonomikë në të ardhmen. Siç e përmenda dhe më lart, orientimi do jetë më shumë drejt online stores dhe jo dhe aq në hapje dyqanesh me shpenzime kolosale. Nuk përjashtohet dhe mundësia e pranimit të investitorëve të përshtatshëm ose bashkangjitjes me një kompani më të fuqishme. Asnjëherë nuk bën dot plane të fiksuara në biznes sepse askush nuk e predikon dot të ardhmen por kartat jane gjithmonë të hapura.

Filed Under: Featured Tagged With: Mirela Kanini

PATRIOTI PLLUM GJOKAJ DHUROI 200 DOLLARË PËR FUSHATËN E VATRËS

October 9, 2021 by s p

Dielli

Patrioti Pllum Gjokaj dhuroi 200 dollarë për fushatën e Vatrës. Ai iu bashkua sot fushatës së Vatrës si një mundësi për të mbështetur në jetëgjatësinë e saj gazetën më të vjetër në botën shqiptare Dielli dhe Federatën Vatra si familjen më të madhe patriotike shqiptare në diasporë. Patrioti Pllum Gjokaj përveç se dhuroi, ai u anëtarësa në Vatër dhe u bëri thirrje edhe shqiptarëve të tjerë që të bëhen pjesë e familjes së madhe patriotike vatrane në Amerikë. Pëllum Gjokaj u prit në Vatër nga Editori i Diellit Sokol Paja i cili i shpjegoi imtësisht rolin dhe etapat në të cilat ka kaluar gazeta Dielli dhe Federata Vatra që nga krijimi e deri në ditët e sotme. Vatra e shqiptarëve të Amerikës, Vatra e kombit tone i shpreh mirënjohje Patriotit fisnik e të dashur Pllum Gjokaj nga Hoti i Malësisë së Madhe për të këtë dhurim dhe mbi të gjitha për angazhimet në vazhdim në Vatër dhe dëshirën për të mbështetur në çdo kohë Federatën Vatra dhe gazetën Dielli.  

Filed Under: Komunitet Tagged With: Pllum Gjokaj

Rivarrosen eshtrat e 9 viktimave të masakrës së Rezallës të gjetura në Serbi

October 9, 2021 by s p


Rezallë, 9 tetor 2021


“Sot, 22 vite e gjysmë, pas ditës të kobshme, po kthehen për të pushuar përjetësisht në tokën e tyre: Shefqeti, Sadriu, Dibrani, Jonuzi, Hetemi, Neziri, Nazifi, Veseli e Behrami.Të pushkatuar me pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, nga forcat e sigurisë së Serbisë, u rrëmbyen e groposen, në varreza masive në Kizhevak e Rudnicë të Serbisë. Por e vërteta nuk mund të groposet e mbulohet në varreza masive”,tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e rivarrimit për viktimat e masakrës së Rezallës.
“Kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi që t’i prejmë rrugën drejtësisë së munguar, për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë”, tha më tej ai.
Në ceremoninë e rivarrimit të nëntë viktimave të masakrës së fshatit Rezallë, të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak dhe Rudnicë të Serbisë, kryeministri Kurti mori pjesë krahas familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës si dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca, Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, z. Armend Mehaj, kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, z. Andin Hoti, kryetarin e Komunës së Skenderajt, z. Bekim Jashari dhe udhëheqësin e Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, z.Kushtrim Gara.
Sot u rivarrosën Shefqet Zabeli, Sadri Zabeli, Dibran Rukolli, Jonuz Rukolli, Hetem Deliu, Nezir Deliu dhe Nazif Hoti, që ishin groposur në Kizhevak të Serbisë.Bashkë me ta, u rivarrosen një pjesë e eshtrave të mbetur të Vesel Deliut dhe Behram Rukollit, nga varreza masive në Kizhevak, pasi një pjesë e eshtrave të tyre u patën gjetur vite më parë në varrezën masive, në Rudnicë të Rashkës, në Serbi
Riatdhesimi i mbetjeve mortore të nëntë viktimave u realizua më 30 shtator 2021, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim dhe me përkrahjen e familjeve të viktimave, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës – Sektorit për Krime Lufte, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, Rezall

“URA”, NJË INICIATIVË E AMBASADËS AMERIKANE NË KOSOVË

October 9, 2021 by s p

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e projektit  “Ura”: Vizioni ynё ёshtё tё formёsojmё njё shoqёri tё drejtё e tё barabartё/

-I ngarkuari me punё i Ambasadёs sё Shteteve tё Bashkuara të Amerikës nё Kosovё, Nicholas J. Giacobbe:   Zhvillimi i arsimit gjithmonë ka qenë prioritet për misionin e SHBA-së në Kosovë/

PRISHTINË, 8 Tetor 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ “Vizioni ynё ёshtё tё formёsojmё njё shoqёri tё drejtё e tё barabartё, tё tillё qё promovon krijimin e mundёsive tё barabarta pёr tё gjithё qytetarёt e saj pa dallim etnie, religjioni apo kulture”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e projektit “Ura” (“Bridge”), një iniciativë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qendrës së Trajnimeve të RIT Kosovë.

“Diversiteti qё ne kemi nё Kosovё ёshtё vlerё e shtuar, prandaj kohezioni social dhe integrimi duhet tё jenё shënjues tё progresit tonё shoqёror e ekonomik”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi rёndёsinё e arsimit dhe aktiviteteve multikulturore, qё i edukojnё fёmijёt e tё rinjtё qё tё bёhen pjesёmarrёs aktivё e kontribues efektivё pёr njё shoqёri demokratike.

“Qeveria e Kosovёs e sheh arsimin si platformё shumë të rëndësishme, me tё cilёn fuqizohen individёt dhe shoqёria jonë, me tё cilёn krijohen potenciale qё individёt tё shndёrrohen nё agjentё të ndryshimit dhe tё bёhen kultivuesit kryesorë tё transformimit social,” tha mё tej kryeministri Kurti.

Krijimi i urave qё ndihmojnё kёtё komunikim të perceptimeve tona shoqërore, u vlerësua nga kryeministri si një mundësi më shumë pёr pranim tё tjetrit dhe promovim demokratik të kulturave të ndryshme.

Bazuar në suksesin e dëshmuar të programeve të mëparshme të Ambasadës Amerikane në Kosovë, qё vazhdon tё jetё partner strategjik nё zhvillimin social e ekonomik tё Kosovёs, kryeministri Kurti shprehu besimin se “Ura” do të shërbejë njëmend si urë lidhëse mes të rinjve kosovarë, të cilët kanë etni të ndryshme dhe vijnë nga vende të ndryshme të Kosovës.

I ngarkuari me punё i Ambasadёs sё Shteteve tё Bashkuara të Amerikës nё Kosovё, Nicholas J. Giacobbe, në fjalën e tij tha:

Kam kënaqësinë që jam këtu për fillimin zyrtar të programit URA.

Ambasada e SHBA-së e ka paramenduar këtë program si mënyrë për përdorimin e gjuhës angleze si gjuhë të përbashkët, duke nxitur komunikimin ndëretnik dhe thellimin e lidhjeve ndërmjet të rinjve kosovarë. E kuptojmë se kontakti mes të rinjve, etnive, ka qenë më i vogël dhe që mungesa e gjuhës së përbashkët shpesh i ndan njerëzit, duke i izoluar nga njëri-tjetri dhe nga mundësia për tu bërë agjentë të ndryshimit në komunitetet e tyre. Ne duam që ta tejkalojmë këtë ndarje – t’i lidhim njerëzit dhe të forcojmë marrëdhëniet e tyre, t’i japin mundësi më të madhe të ardhmes së tyre duke ndërtuar komunitete të mësimit. Për këtë arsye këtë program e kemi emëruar URA. Jam i sigurt se programi URA do t’ju ndihmojë të arrini këtë – do t’ju ndihmojë të ndërtoni lidhje të forta ndërmjet të rinjve kosovarë me prejardhje të ndryshme – dhe jam i lumtur që mund të raportoj se ky program është bërë shumë më shumë se aq përmes partneritetit tonë me Institutin Teknologjik të Roçesterit.

ITR e ka përcaktuar programin “Ura” jo vetëm si program për mësimin e gjuhës angleze dhe mënyrë për të inkurajuar shtimin e kontaktit ndërmjet pjesëtarëve të shoqërisë së pasur shumë-kulturore të Kosovës, por edhe si platformë për studentë për t’i fituar shkathtësitë e domosdoshme për të ndjekur edukim të nivelit universitar. Ky program shkon përtej fitimit të shkathtësive të gjuhës angleze dhe të menduarit kritik, që janë të domosdoshme për edukim universitar dhe përqendrohet në inovacione për mësimin e matematikës, teknologjisë dhe në veglat kryesore për ndërmarrësi, lidership dhe aktivizëm qytetar.

Përforcimi i këtyre shkathtësive do t’ju ndihmojë studentëve të programit “Ura” për të konkurruar në mundësitë profesionale dhe edukative në Kosovë dhe jashtë.

Ne, në ambasadën e SHBA-së besojmë – dhe e di se edhe ju pajtoheni – se arsimimi është themeli i demokracisë dhe është jetik për rritjen e ekonomisë. Zhvillimi i arsimit gjithmonë ka qenë prioritet për misionin e SHBA-së në Kosovë. Jemi të bindur se studentët që marrin pjesë në këtë program do të kenë mundësi më të mira për të arritur qëllimet e tyre dhe rrjedhimisht do të jenë më të përgatitur për të kontribuar në përparimin e ardhshëm të ekonomisë, qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit për Kosovën.Duke punuar në gjashtë komuna, Graçanicë, Kamenicë, Mitrovicë, Pejë, Prizren dhe Shtërpce, programi “Ura” do të jetë kontribuues i shkëlqyeshëm për zhvillimin e gjeneratës së re të udhëheqësve të ardhshëm të Kosovës, duke ndërtuar identitet të përbashkët për kosovarët dhe duke inkurajuar ndjenjë më të fortë në mesin e të rinjve me prejardhje të ndryshme që Kosova vërtet është shtëpia e tyre.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti

Foto-Kujtime nga vizita e delegacionit të parë të Shteteve të Bashkuara në Shqipërinë komuniste

October 9, 2021 by s p

Frank Shkreli

Disa foto-kujtime nga vizita e delegacionit të parë të Shteteve të Bashkuara në Shqipërinë komuniste, Mars/Prill, 1991. 30-vjetë me vonë Kryeministri i Shqipërisë ka deklaruar se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”. Ndërsa të tjerë politikanë janë shprehur se komunizmi ka pasur edhe “shumë të mira”. Madje edhe një ish-kandidat për kryetar të Partisë (së “dajthtë”) Demokratike ka thenë para disa muajsh se Partia Demokratike duhet të distancohet nga qendrimi “anti-komunist“ i saj. Ndonëse këto foto nuk tregojnë gjëndjen e  mjerueshme që pamë me sytë tonë 30-vjet më parë, anë e mbanë Shqipërisë, nga këto foto mund të arrihet në një përfundim duke dhenë një farë ideje për jetën e përditshme me 1991, kur mendonim se komunizmi po jepte shpirt.

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2804
  • 2805
  • 2806
  • 2807
  • 2808
  • …
  • 2932
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT