• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BURGU KA DY DYER VDEKJA NJË

July 29, 2021 by s p

Mbështetur në ngjarje reale

NGA KRISTAQ TURTULLI 

I përvëlonin sytë. Rrëkeja e kripur e lotëve njomi brazdat e thata të rrudhave dhe, me vështirësi përmbajti hungërimën. U tërhoq si zvarranik i shkelur, duke iu marrë këmbët, por gazetën s’e lëshoi nga dora. Dielli qëndronte në kupë të qiellit dhe përvëlonte. Prej djersës këmisha iu ngjit pas lëkurës. Me nervozizëm shkuli të gjitha komçat dhe rrëzoi sytë mbi gazetë. Germat shtyheshin, ngashëroheshin, kërlesheshin me njëra tjetrën dhe gazeta u qull nga djersa që rridhte rrëke… 

Shkrimi i botuar në faqen e parë të gazetës, së bashku me foton e vjetër të ‘ATIJ,’ që prej vitesh s’është mes të gjallëve, e vështronte me qesëndi nëpërmjet syzeve të mëdha, xhama të trasha optike. Çfarë dreq pafajësie asgjësuese! Edhe pse gjithçka e zverdhur, irnosur nga koha. Përvijimi lëvizi, ajri u drodh, iu bë sikur u qesëndis keqas nga lëvizjet rrethore. Gishtërinjtë e zverdhur prej duhanit u mblodhën instinktivisht, mëshuan forcërisht mbi fletën e hirtë të gazetës. Gishti i madh u përthye dhe çori me mllef foton e ‘ATIJ.’ Syzet e mëdha, me xhama të trasha u bënë shuk, menjëherë dëgjoi zhurmën acaruese të thërrmimit, dhe të asgjësimit. 

 Të qe gërmuqje marrake?! Përshpirtje e heshtur nga fundbota?! Gërryerje nervoze nëntokësore, ku uji i turbull çjerr dheun dhe nxjerr me vrundull kokallat e zbardhura vdekurve të harruar. Mokrat e kalbura, të mykura vareshin kërcënueshëm nëpër gërxhe dhe brigje. Qarje të zvargur ujore në përpëlitje të vonuar, rastësore fund shekulli.  

Gjithë ankth vështroi përreth me mendimin se shikimet dashakeqe së bashku me shtyrjet ishin mbërthyer si gozhdë në çdo pjesë të trupit. Tmerri ngjethës i përfshiu krejt trupin. Flokët e bardha të prera shkurt iu ngritën përpjetë si gjemba iriqi. Donte të ulërinte si ujk i plagosur e, turravrap të gremisej mes morisë së njerëzve. Të shtynte, shkelmonte në verbëri nga ta kishte për mbarë. Turma indiferente s’ i ndjeu goditjet edhe pse ai dëgjoi krismat dhe rrëmetin. Kapërdiu klithmën e hidhur në stomak. I murrëtyer, duke ecur pjerrtas ktheu bërrylin e rrugës. I nervozuar mblodhi gazetën shuk dhe e rrasi shpejtazi në zgavrën e gojës. Tehet e mprehta të germave ia copëtuan gjuhën dhe qiellzën. Volli me gulçe dhe përpara këmbëve të tij u krijua një pellg i madh, i errët. Përnjëherësh iu bë sikur e vjella lëvizi mori formën e një përbindëshi të lemerishëm, aq sa klithi i tmerruar dhe pështjella e shtyu të vraponte sa t’i hanin këmbët.. 

U ndje i kapitur. U ul në bisht dhe rënkoi. Pellgorja e vjelljes përzierë me morinë e neveritshme të germave i qe ngjitur si mastiç shpinë, në asfaltin e lagur dhe shkelej pakujdesshëm nga moria e hapave të njerëzve. U skërmit. Qeshi turbullt, dhe gërhiti: 

‘Hajt shkeleni vjelljen time të qelbur, të neveritshme, merreni me vete, shpërndaheni kudo. Do tu bëjë mirë. 

Jo, nuk mundi të lëvizte. U lëkund disa herë si lavjerrës, pastaj u gërmuq. U shty. U përmbys. U zvarrit drejt marramendjes, mbështjellë me petkun e ronitur të vrerit. 

Kishin kaluar shumë vite. Ndoshta shekuj. Gjithçka ishte mbështjellë me mjegullën e thellë, sa besonte dhe vete s’kish ndodhur kurrë. U hodh përsipër mali i madh i harresës. U gropos. U zhduk në  humnerat e fundbotës, ku fshihen shumë enigma dhe ‘mëkate’ të mëdha. Donte të çlirohej, të ngushëllonte veten dhe të bërtiste me të madhe: Fundja më në fund, të treturit dhe të ‘paditurit’ si unë s’ mund të gjykohen’. 

 Ndryshimet sociale e hodhën në krahët e fesë, paçka se e përbuzte, e urrente dhe, e luftoi me shpirt. Shkatërroi xhaminë e vogël që gjendej në kodrën e ‘ Shën Mërisë’. Sa herë thoshte ndonjë fjalë me peshë, vinte dorën mbi kuran dhe perëndonte sytë. Filloi të besonte se krimi nga mëkati nuk i ndan asnjë fije. Janë Një përpara gjykimit të fundit. Besimi te Zoti dhe mëkati i krimit e ndihmoi që ngjarja e vjetër të thërrmohej prej memories. Ndjehej i qetë. Besimi ta lehtësuaka shpirtin. Ishte një qetësi e çuditshme, si një shpend që endet në kurorën e një pylli në dimër, me drurë pa fletë. 

Habia më e madhe, budallallëku më i madh dhe poshtërsia më e madhe kanë një hark kohor tre ditor. Këtë e njihte mirë. Veçse s’ bëhej fjalë për çudi dhe marrëzi, por lëvizte si eter shkundja tronditëse. Mugëtirën kohë e pat mbështjellë me kujdes me pelerinën e tretjes. Nuk la asnjë shteg. Asnjë shenjë. Asnjë fakt. Asgjë prej gjëje, përveç rrëkeve dhe prurjeve të tërbuara të lumit që rridhnin dhe rridhnin pa ndërprerje. 

Besoi se qe hedhur thjesht një version. Një alibi me hallakatjet e pamenduara të gazetarëve, duke shkelur mbi dërrasat e kalbura të kohës. Por, përsëri i përvëloi trupi, si ti futnin mes përmes hell i skuqur. Të ishte si më parë, hëm! Dhe maja e qerpikut s’do ti luante. Për dreq situatat ndryshuan dhe kjo gjë i futi lepurin në bark, e çekuilibroi. Vërtet donte të besonte në fe, por jo si një naiv i mjerë, të përdëllehej  dhe të zbrazte lëngjet e barkut. 

Vala e urrejtjes i mpiu gjuhën. Ishte gati ta shqyente gazetarucin e poshtër, atë mi zyre që futi hundën në humbëtirë dhe nxori me qëllim qelbin nga errësira e rëndë. Ngriti nga balta kundërmimin mbytës për të rivrarë të vrarën. Donte ta çavaliste me thonj të poshtrin, ja kështu siç çavaliti gazetën, ta qelbëte me jargë. Sa mirë do ishte të zgërlaqej njeriu me ca lëvizje të shpejta të gishtave, pastaj të përtypej dhe të përtypej derisa të dilte një masë e qullët, një qelbësirë. Një asgjë të ndyrë pa formë. Asgjëja është kryevepra më e saktë, prej saj s’ke përse të frikësohesh. Mund të bësh gjithçka të neveritshme dhe, përsëri asgjëja mbetet asgjë. Se s’ka materie, por asgjë. Hiç. Kur është hiç dhe gjumi, qetësia shpirtërore qëndron në shkallën maksimale. Së fundi prej librave të shenjtë mësoi se Zoti krijoi jetën prej Hiçit, asgjësë. Së paku të ishte një asgjë në miniaturë. Dëshironte me gjithë shpirt të vazhdonte asgjëja e mëparshme. Por dreqërit nuk flenë e shkundën asgjënë. 

Vështronte sy çapëlyer ronitjen e masës pa formë të Hiçit, së Asgjësë. U gërmuq të ikte me vrap, por asgjëja e thithte me ngut. Megjithëse këtë Asgjë dhe Hiç e donte deri në verbëri. Jo rrallë në netët pa hënë, në errësirën më të thellë, klithte zëzvargur, kafshonte thonjtë  derisa shija e athët e gjakut njomte buzët e përthara. Harronte që kishte ndër dhembë gishtat e tij, por vazhdonte të thithte me neps si i babëzitur. Vetëm kur i mpiheshin gishtat dhe dhëmbët dergjej përdhe. Mbështillej kutullaç, qante me gulçe sy ngulur errësirës së pafund. Duhej errësira dhe mjegulla të dytësoheshin… 

Rrjedha e jetës kishte qenë shumë e favorshme për të. Qysh kur lindi ra kutullaç, si lëmsh, në këmbët e së ëmës, mes të arës me misra, në mesditë tetori me mjegull. Nuk qau. E ëma kujtoi se kishte mes këmbëve një masë mishi të vdekur. E përnjëmend mendoi të gjente një vend ta groposte. Por përnjëherësh u pendua, mbasi ishte pjesë e mishit të saj. Le t’i jepte copë mishit një shans jete. E kapi për këmbe, e ngriti lart dhe, e qëlloi pesë herë në bythka. Ai u ngjall dhe lëshoi një të klithmë të mprehtë. E ëma mbështolli mishin e kuq me pecetën e pistë që mbështillte bukën dhe me xhaketën e leshtë gjithë arna. Ishte fëmija tetë i familjes dhe e ëma as që vuajti në lindjen e tij. Hapi këmbët dhe foshnja ra pëlltump si një kafshëz e vogël në dheun e shkrifët. Sidoqoftë e ëma ishte e hapur dhe, s’ kish përse të ankohej për të e për peripecitë e mundimshme të grave në lindje. 

Fëmijërinë e kaloi nëpër këmbët e të rriturve dhe në rrugët e përbaltura të fshatit. Bënte çfarë të donte dhe si ti shkrepej. Hante ku mundte dhe zhgërryhej paq në rrugët e ndyra të fshatit malor. Marifetet dhe djallëzitë e tij i hanin më të rriturit, vëllezërit e motrat dhe ai skërmiste dhembët në terr. Mos ndëshkimi si fëmijë i tetë i shtonte akoma më shumë zellin e tinëzive. Një fshikull në shpinën e tij shpaguhej me dhjetë fshikuj në shpinat e të tjerëve. Më pas fshihej pas grumbullit të hedhurinave dhe qeshte me hidhësi, pa u vënë veshin kërcënimeve të vëllezërve dhe shokëve. 

I ati, sekretari i partisë në fshat, me kobure në brez, i ngrefosur bridhte rrugëve të ndyra të fshatit, dhe betohej:  

‘Për ideal të partisë dhe, për këtë kobure s’lëshoj pe.’ 

 I gjyshi u grind me të atin. 

‘Dëgjo ti lanet,’ i tha gjyshi me zë të lodhur. Rrahu me inat bastunin e shtrembër pas tokës dhe shtoi: ‘- Qehajai më vriste sytë kur më mbinte përpara hundës me pushkën në sup. Tani më bredh djali me kobure në brez.’ 

‘Shko plak, futu në haur dhe lërmë të qetë. Me kobure e morëm pushtetin dhe me kobure do e mbajmë.’ 

‘Të dhjefsha urët,’ shau gjyshi i verdhë dyllë në fytyrë: ‘Më treguake haurin.’  

‘Të më dhjesësh urët!’-u shkreh i biri me kobure:‘ Plak vëri ushkur gjuhës, se po të ishte për ty akoma me bajgat do flija.’ 

 I gjyshi s’i ktheu përgjigje. Iku kërrusur, duke iu marrë këmbët. U mbyll në dhomën e vogël ngjitur me haurin, në krah të pyllit. Mbas një muaj vdiq dhe u varros pa shumë ceremoni. Fëmija i Tetë nuk qau për të gjyshin, që siç thoshte i ati: gjyshi ishte një plak grindavec dhe i pjerdhur nga trutë, i kishte mbetur mendja turqi. 

Pushteti i të atit i shtonte zellin për prapësi fëmijës së Tetë. Sherreti i pagdhendur godiste pabesisht bashkëmoshatarët. Mësuesve u vinte në libra e çanta minj, insekte dhe zvarranikë, tërhiqej në qoshe dhe përvuajtej në fytyrë kur përmendej emri i tij. Hija e sekretarit të partisë me kobure gërmuqte shtëpitë e ulëta dhe rrugët e përbaltura të fshatit dhe jo më mësuesit anemikë, që me një sinjalizim partie s’dihej nga do u rrihnin barqet. Në shkrepa dhe gërxhe pafund, mbase në qelitë e akullta të burgut të tmerrshëm: ‘Hani me dy porta.’ 

Fëmija i Tetë e kuptonte: ‘Më mirë të jesh i pari i fshatit se i fundit i qytetit’. Ndaj nuk prapsej para asgjëje. Fshati në gji të maleve ishte një botë më vete. Kur përfundoi klasën e shtatë, personeli i mësuesve mori frymë i lehtësuar. Pak u interesonte nëse nxënësi qe aftësuar në mësime. Njeriu me kobure u vërtitej përpara syve si gogozhel, ndaj i shtuan nga një, dy, pse jo edhe tre nota mbi rezultatet.  

Kur e çuan në shkollën pedagogjike, braktisi togjet me hedhurina, minjtë dhe insektet. Veshi pantallona të reja doku dhe xhaketën e shkurtuar të atit, pa hequr stemën sovjetike në jakë. Të gjitha çapkënllëqet dhe horrllëqet fëmijërore i flaku së bashku me minjtë në haurin e kalit topall. Të gjitha këto s’do ndodhnin sikur të mos e detyronte i ati. Një natë e urdhëroi të qëndronte në këmbë përpara se të fillonte shkollën pedagogjike. I mbajti  një leksion të gjatë, me të folurën e trashë, grënçka- grënçka, duke e spërkatur me pështymë, mbi detyrën e vështirë dhe stoike të djalit të komunistit të vjetër dhe sekretarit të partisë së fshatit. Për perspektivën dhe lënien e stafetës në duar të sigurta. Për luftën e pamëshirshme ndaj armiqve të kamufluar të klasës, borgjezëve dhe kulakëve. I ati heshti një moment. Koka e të birit varej poshtë. E shkundi nga supet dhe, i tregoi koburen, i tha: 

‘E shesh këtë, kjo lëshon flakë dhe vret armiqtë e klasës’. 

Pastaj i foli për rëndësinë e kobures, e cila duhet të qëndrojë në përherë në brez me fishekun në gojë.  

Trupi i të birit lëkundej si lavjerrës. 

‘Përsëriti nga e para të gjitha që thashë,’  urdhëroi të birin. 

Fëmijës së Tetë i varej koka për gjumë.  

‘Me kobure në gojë dhe fishekun në brez…’ bërbëliti. 

‘Derr me zile,’ gërhiti i ati. Mbërtheu të birin nga krahu dhe i futi kokën në ujin e ftohtë të pusit. 

‘Ma plevitose djalin,’ u ligështua e shoqja. 

‘Plastë në vend. Përsëriti, ‘ urdhëroi ashpër të birin, pa i vënë veshin ankimeve të gruas, dhe më pas vazhdoi:- ‘He, firaun, duhet ta kesh busull, në çdo hap të jetës luftën kundër armiqve te kllasës…’ 

Fëmija përsëriste si në jerm fjalët e të atit dhe dera e vjetër e ashefit përplasej prej erës, kuiste si shpirtrat e të ikurve. 

‘Grua, vëri llozin djallit ashef, na urgusi zorrët,’- bërtiti i ati. 

 Këshillat e të atit atë natë të tmerrshme, nuk kaluan pa lënë gjurmë në qenien e fëmijës së tetë. E shkundën, ia mprehën shikimin, e aftësuan për tinëzi të fshehura. Ndërgjegjësimi ishte i plotë. Dy tre denoncime modeste në drejtori për individë të pandërgjegjshëm, bashkënxënës, pati efekt. Hija e tij u rit. U shtua besimi i shokëve të drejtorisë dhe mundësia të merrte klasën, mbasi drejt e drejt s’e hante dot. 

Në vitin e fundit të shkollës pedagogjike i ati i bleu kostum ngjyrë bari. Mësoi si të hekuroste, të bënte pantallonat me vijë. Në çaste dembelizmi spërkaste këpucët me pështymë dhe i fshinte lezetshëm me cepin e leshtë të batanijes. Kostumi i dha rëndësi. Megjithëse në mësime nuk dallohej, zvarritej në pragun e rrezikshëm midis notës kaluese dhe mbetëse. Aq sa u detyrua komunisti me kobure të hipte në kalin gërdallë. Të linte fshatin me njëmijë halle në gji të maleve, të zbriste në qytet dhe të shkonte drejt e në seksion të arsimit. Shkuli koburen nga brezi e përplasi në tavolinë dhe bërtiti: 

‘Po shpërdorohet njeriu i ri!’ 

 Poterja e njeriut me kobure shkundi mësuesit e mykur, të cilët akoma përdornin metoda të vjetruara dhe nuk dinin të aftësonin bijtë e komunistëve. Mësuesit mbyllën të dyja sytë. Fëmija i tetë përfundoi me sukses të plotë shkollën pedagogjike. Shkundi kostumin ngjyrë bari prej pluhurit të dendur të qytetit dhe u nis në fshat. Komunisti i vjetër bëri një darkë të madhe dhe shkrehu disa herë koburen në dritare. 

Ditën e hënë filloi mësues në fshatin e lindjes. Qysh në fillim s’ i kushtoi rëndësi mësimdhënies, por zhbirimit të kolegëve. Intuita s’e gaboi. Shënjestër, mësuesi i matematikës, pak kurriz dalë, me syze, xhama të trasha, si tasa ku shkunden cigaret. Pa turp kolegët e quanin ‘shqerrë.’ Gjithë ditën e perëndisë mezi fliste dy fjalë, vetëm zhyste hundën pingul mbi libra. Por ky mësues që aksidentalisht thirrej ‘shqerrë,’ i përkiste një familje të deklasuar. Babai i tij shkuli, gremisi tutje nga fshati familjet e deklasuara. Nga u gjend ky, kush e solli, përse pruri, mos ka gisht armiku i klasës? 

 Nervozohej për çdo lëvizje të ‘shqerrës’. Aq sa heshtja dhe frymëmarrja e tij e acaronte. Filloi të përgjonte çdo hap që shkelte. Syri  i tij vigjilent ngulej me këmbëngulje te rezja e derës së klasës, në dritare. Deri në plasat e ndyra të derës së WC. ‘Shqerra’ vetëm lexonte dhe heshte. Për djall ishte absolut në matematikë. Një moment bënte habi, si mund të heshte kaq gjatë njeriu! Por heshtja shpesh herë është teh i mprehtë shpate. Nëpërmjet heshtjes koka katrore e ‘shqerrës’ fshihte mendime të mbrapshta. Filloi ta cyste për sherr. Haste në murrin e padepërtueshëm të heshtjes dhe shikimin e pafaj. Kjo e tërbonte. Atëherë e godiste me bërryl gjatë shkëmbimeve në korridoret e ngushta të shkollës. I rrëzonte regjistrin, i shkelte këmbën. I kërkonte të falur duke i buzëqeshur me ligësi. Çuditërisht gjente vetëm trishtim në sytë e mjegullta të ‘shqerrës’.  

Fëmija i Tetë shkonte në shtëpi i çliruar, ngaqë u mësua të grisej me dikë. Iu bë sëmundje dhe argëtim mos përgjigja e mësuesit të matematikës. Nxiste nxënësit të bëheshin pjesë e ngacmimit dhe poshtërimit të kolegut. U bërtiste nxënësve dhe në të njëjtën kohë u shkelte syrin. Mësuesi i matematikës s’kthente fjalë. Tërhiqej i nervozuar, hiqte dhe vinte syzet dhe vërtiste sytë miope. I rrëmbushur shtrëngonte librat në gjoks dhe mbyllej në dhomë. Në oborrin e shkollës plaste gazi i shfrenuar dhe pastruesja përzinte nxënësit me fshesë. 

Kjo lojë do të vazhdonte gjatë. Ngacmim dhe heshtje. Nuk është keq kur vë në lojë, argëtohesh me dikë që nuk është në gjendje të lëvizë as qerpikun. S’të mposhtën monotonia e fshatit dhe dita të shkon për bukuri.  

  Në analizën vjetore, klasa e tij doli me rezultate shumë të dobëta. U kritikua nga kolegët. Vështroi me indiferentizëm dhe shkarraviti me inat bllokun e vogël. Aty nga fundi i mbledhjes, kur s’pritej dhe, diskutimet e kritikat po mbylleshin. Çuditërisht ‘shqerrës’ iu hap goja. U ngrit me ngadalë në këmbë, shtrëngoi librat në gjoksin e dobët dhe lëshoi në mes të sallës së mësuesve fshikullin e fortë, e kritikoi për paaftësi. Nuk ishte fshikull por vetëtimë rrufeje. I deleguari e vështroi një copë herë mendueshëm dhe, e aprovoi me kokë se çfarë tha ‘shqerra.’ 

 ‘Çfarë! I besonin atij?!’- hungëriti fëmija i Tetë. Shqeu sytë dhe trupi iu drodh si purtekë. U rrotullua dhe ngriti veshët në përgjim. Ngjyrat e fytyrës i ndryshonin çdo minutë. E kritikoi për paaftësi mësuesi i matematikes, gjoja ‘shqerra’! Guxoi! Përbuzja dhe urrejtja që i kishte lindur në thellësi i përfshiu krejt trupin, i ngërdheshi fytyrën. Armiku i klasës guxoi dhe kritikoi ardhmërinë?! Hata e madhe! 

 ‘Shqerra’ tha, duhej të studionte më shumë! I tregoi seriozitetin e detyrës së mësuesit! Përse duhej të fliste? Kush e lejoi të fliste? Çfarë seriozitet kërkon qorri! Kush ‘kolegu’, mësuesi i matematikës që mban mbi supe mëkatin klasor! U ngritën këmbët ti bien kokës. Mbledhja u bë e mjegullt. Vërtiste çelësat në duar, ah sikur të kishte koburen e të atit. Le ta kritikonin të gjithë, ujë të zi të nxirrnin, vetëm qorri të mos hapte gojës. Le të gërmuqej, të bluhej me heshtjen e tij. Rrotullonte sytë mbi fytyrat e kolegëve. Çuditërisht i dukeshin të njëjta, të deformuara,  por shfytyrimin më të madh e kishte gjëja që quhej aksidentalisht ‘shqerrë’. Shqerrat e urta, të buta të perëndisë, hanë, blegërijnë, presin në heshtje, të bindura satërin e kasapit dhe asgjë më shumë. 

 Drejtori i pëshpërit të deleguarit diçka në vesh. I deleguari vështroi ‘shqerrën’ ngulët: 

‘Drejtori më tha që ju, studioni të mbroni disertacionin në matematikë, apo jo?’ e pyeti. 

Njeriu me syze që thirrej aksidentalisht ‘shqerrë’ luajti kryet në shenjë aprovimi. 

‘Po.’ Murmuriti. 

‘Ashtu! Shumë mirë!’- i tha i deleguari. 

‘Shumë mirë’, i gërhiti qenia fëmijës së Tetë dhe, u bë gati të ngrihej, të shtynte stolat, të derdhej drejt qorrit me xhama numër pesë. T’ia flakte syzet, ta mbërthente nga shpatullat me egërsi dhe ta përplaste përdhe. Guxojnë i thonë shumë mirë armikut të klasës që përdhosni djalin e komunistit të orëve të para! Çmenduri! O nëne, bota u bë për dreq!  

Kur reshtën kritikat, si somnambul doli nga salla. I deleguari i vuri dorën në shpatull, e vështroi turbullt. Eci i dërmuar drejt shtëpisë. A mundej djali i komunistit të flaktë të kritikohej, të zgërlaqej! Sigurisht, gjëja me syze miope që thirrej prej kolegëve me idiotësi ‘shqerrë’, kishte përgatitur me kujdes skenarin e kritikës dhe fundosjen e tij. Me kokë të rënduar nga mendimet ngjiti të përpjetën që e çonte në shtëpi. Si marrin guximin të përmbysurit dhe qorrat të mendojnë të bëhen shkencëtarë. Ku, ku nëne! I paska hyrë vetja në qejf. Por s’kuptonte simpatinë e hapur të drejtorit të shkollës. Duhet parë me kujdes e shkuara e afërt dhe e largët e drejtorit. Duhet të ketë ndonjë kleçkë në biografi që pëlqen dhe përkrah armiqtë e klasës. Kishte bërë kërkesë në seksion të arsimit të zinte vendin e drejtorit. Duhet t’i ketë rënë në vesh ndaj e lufton. Eh! Qentë le të lehin karvani ecën përpara. 

S’i durohej sa të shkonte në shtëpi dhe t’ia tregonte plakut. I ati u gërmuq keqas, rrëzoi vetullat e trasha, të zbardhura dhe, goditi vrazhdë qypin e madh prej balte. Qypi u thye me rrapëllimë dhe turshitë e dimrit së bashku me shëllirën përmbytën dhomën. 

‘Hëm, ç’më thua more bir, ç’më thua!’-hungëriti plaku. 

Plaka mallkonte, mblidhte me kaci turshitë dhe të pinte me një leckë të vjetër shëllirën. Atë e bir u ngjeshën në qoshe të dhomës dhe nisën të pinin raki. I ati shkuli koburen nga brezi e la në tavolinë. Sytë e të dyve u përqendruan te sendi i metaltë, që prehej pafajësish por po të lëvizje gishtin, villte zjarr. I ati shtriu  dorën dhe rëndoi mbi kobure: 

‘Biri i bushtrës guxoi të shajë djalin! E do plumbin në ballë të qërohet njëherë e mirë ajo farë?’- ulëriti. 

‘S’është si më parë baba.’ 

‘S’është si me parë thotë! Hajde baba të tregoj arat. A nuk e kemi ne pushtetin? Biro, mos u bëj qull,’-hungëriti i ati dhe u ngrit me vrull, këmbët nuk e mbajtën, ra mbi të birin që e vështronte i nemitur dhe mërmëriti: 

‘Plak, mos më fyej.’ 

At e bir u ngatërruan keqes duke spërkatur njeri tjetrin me pështymë. 

‘Raki e keqe! 

‘Jo, thashë farë e keqe,- u mbrojt i biri. 

‘Mos guxo të shah rakinë. E dua shpagimin në çast dhe pa asnjë ceremoni,’- bërbëliti i ati, piu raki me neps  dhe vazhdoi:-‘Do të kishim bërë mirë ti zhduknim të gjithë qysh më 1945. Por këta dreqër ishin shumë dhe plumba kishim pak.’ 

‘Fole gjë për zhdukje baba?’ 

‘Zhdukje o posi.’ 

‘Zhdukuni nga dhomë pijanecë të ndyrë’,- u grind e ëma e mbytur në djersë. 

‘Mbylle halenë plakë. Apo do një shkelmë të flakesh si qyp me turshi,’- e kërcënoi plaku me kobure. 

‘Ta denoncoj, ta rrasin në birucat e ‘Hanit me dy porta,’- foli i biri mes jargëve.  

‘Jo,’- ulëriti i ati dhe rrëmbeu koburen. Arma i shpëtoi nga duart, ra përdhe në grumbullim me turshi. Koburja e të atit së bashku me tërbimet qenë të ndryshkura, nuk ngrinin më peshë. 

‘Pse?!’ 

‘Hajvan, burgu ka dy dyer, vdekja vetëm një’, hungëriti i ati. 

I biri luajti kryet, i ishte mpirë qafa. I ati s’kish fuqi të ngrinte koburen nga togu me turshi. Dhoma kundërmonte erë të rëndë shëllire dhe raki. Plaka duke i shtyrë, sharrë dhe mallkuar i nxori nga dhoma.  

Duke i mbajtur pas parmakut të drunjtë  të shkallëve u ngjit në dhomë dhe, pa u zhveshur u shtri në shtrat. Për herë të parë e kuptoi se s’duhet të mbahej vetëm pas një medaljeje. Dritarja ishte hapur kat më kat. Pa qiellin, i ngjau pus i thellë, i pafund, përmbytur nga errësirë. Iu bë sikur dëgjoi zëra të mbytura, mërmërima vinin prej së thelli. Stomaku i përvëlonte, i ziente si të kish bërsi. Gromësiu dhe lëshoi avull të nxehtë. I vinte të nxirrte të gjitha plaçkat e barkut. E ëma i la mbi komodinë një gotë me limonadë por s’kish fuqi të ngrihej ta pinte. 

Qindra krahë të zinj oktapodi e përfshinë dhe e tërhiqnin drejt asgjësë. U përpoq të shkëputej, s’ mundi. U përdrodh dhe u mblodh si lëmsh. Një valë e zjarrtë u ngjit nga fundi i barkut, volli disa herë me gulçe duke rënkuar. Pështyu me neveri thërrimet e qullëta që i kishin mbetur në kthinat e zgavrës së gojës dhe morri frymë i çliruar. 

U shtri përmbys. E ëma me zë të trishtuar mërmëriste dhe fshinte të vjellat. Por ai nuk e merrte vesh në ish në ëndërr apo në zhgjëndërr… 

Mugëtirë. Zhurmë, zëra të çjerra. Diku më tej qeshja e acaruar të atit. Ndërsa koburja e ndryshkur lëkundej dhe përplasej pas murit. I bëhej se kishte net dhe ditë, javë dhe muaj që ecte në mjegull të dendur dhe nuk shkëputej dot. Ishte qull dhe fill i vetëm. Dëgjonte hungërima dhe rënkime të mbytura të vinin nga moçali. Fytyra e ‘shqerrës’ iu shfaq e deformuar, mbuluar nga xhamat miope. Dëgjoi përsëri zëra të lodhur dhe më pas zhurmën e mbytur të gjuhës që rrahu dhembët dhe foli: 

‘Eja ‘shqerrë’ të thithësh erë mjegulle’. 

 Lëvizi krahët të ngrihej iu duk sikur i kishte të bëra prej shpendi të irnosur. ‘Shqerra’ mbrohej pas xhamave të trasha dhe ecte ngadalë, i bënte dredhë moçalit. 

Në shtegun i ngushtë të Dajlanit u ndal. ‘Shqerra’ iu afrua pranë dhe qeshi i çliruar. Përpara tyre u hap tjetër pamje. Ngriti krahun, i ranë pendë të hirta përdhe dhe njeriu ‘shqerrë’ u tremb. 

‘Mos tremb,’- i tha, -‘Je pjesa ime e munguar’. 

 Pa u kushtuar rëndësi rrëzimit të pendëve ngriti krahun dhe tregoi shpërthimin e gjelbërimit, të luleve. I foli për frymëmarrjen e mjegullës, të pyllit.  ‘Shqerra’ dëgjonte dhe ecte kokulur. Në një dorë mbante çantën e rëndë të mbushur me libra të matematikës, për të përfunduar disertacionin dhe në tjetrën pardesynë. Vështronte ballë rrudhur dhe merrte frymë thellë, të mbushej gjithë gjoksi me ajrin e freskët. Nuk ngopej prej shpërthimit marramendës të ngjyrave, reflekseve mëngjesore dhe valëzimin e bulëzave të vesës. Nuk ka më bujare se Nëna natyrë. Ishte i përhumbur. Prapa zvarritej një hije e rëndë. Njeriu ‘shqerrë’ kërceu si kangur të largohej prej hijes por ishte e pamundur. 

Sa shpejt përhumben njerëzit që janë si ‘shqerra,’ sa shpejt!  

Në bërrylin e ‘Qyqes’, aty ku përroi ishte më i thellë. Me lëvizje të shpejtë  të saktë kujtoi se e goditi njeriun ‘shqerrë’ egërsisht prapa kokës. ‘Shqerra’ u kthye vringthi dhe e vështroi me habi, çanta me libra dhe pardesyja i shpëtuan nga duart. Nuk pati kohë të fliste, sepse goditja i erdhi nga ana e djathtë e kokës. Iu këputën këmbët ‘shqerrës’ dhe ra përdhe pa nxjerrë zë. Por ai kishte krahë të mbuluar me pendë të irnosura dhe s’mund të godiste! 

Përsëri, dikush tjetër shtyu dhunshëm ’shqerrën’ dhe e goditi në përrua. Me shpejtësi nxori hostenin që e kishte fshehur ditë më parë, tërhoqi trupin e ngrohtë të ‘shqerrës’ dhe e ngjeshi me forcë në rrënjët e vidhit të vjetër, aty ku vorbulla e ujit ishte me e madhe.  

Veshët i buçisnin. Oshtima e ujit dhe e pyllit e tundnin si tërmet. Pendët e irnosura rranë të gjitha përdhe. Ulëriti fort të largonte hijen e vdekjes së tjetrit. Ulërima u përsërit disa herë me radhë. U rrëqeth. Njeriu ‘shqerrë’ si dele e perëndisë që ishte, humbi menjëherë nën ujë. Rrënjët e trasha të vidhit e rrëmbyen në çast nën vete.  

U plandos përdhe u mbytur në djersë. Uturimat ngriheshin dhe përplaseshin, kujtoj se do çmendej… 

Zhurmat ofshëtinë dhe, për një moment drodhën ajrin, pastaj u fashitën. Zëri i grindur i të atit u tret së bashku me mjegullën. Dëgjohej vetëm uturima e ujit dhe pendët e hirta që iknin tutje. 

Trupi i ‘shqerrës’ u gjend mbas një jave. Artikulli në cep faqes së parafundit të gazetës fliste për një njeri të panjohur, ndoshta mësues i humbur në ujë. Më vonë askush  s’u kujtua të thoshte gjysmë fjale. Si mund të kujtohej, kur ‘Shqerra’ si i hutuar që ishte, i shtënë marrëzisht pas librave, s’diti ku hodhi këmbën. Uji gjëmonte aty pranë, aksidentalisht shkau, u përmbys dhe u mbyt në përrua… 

Fëmija i tetë ende besonte se qe në kllapinë e gjumit dhe nuk ishte ai, por dikush tjetër, me krahë puplash të irnosura që kreu aktin e shëmtuar të vrasjes. Mbase ‘shqerra’, vërtet shkau në lumë, kur kishte mjegull dhe dëgjoheshin përshpirtjet e ujit.  

Po kush qe ai bir kurve që guxoi nga turma të tundte gazetën dhe të thoshte: 

‘Hej, mësuesi, s’ u mbyt por u vra nga dora gjakatare e këtij….’  

Futi kokën mes shpatulla dhe mërmëriti si për gjynah: 

‘Jo… unë jo! Gjakatar është uji dhe përroi që e nxori..!  

‘Ky është vrasësi, ky! 

‘Hëm! Gremisuni! Fundja të treturit janë asgjë… dhe s’më … 

Tetor 2011-2020 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kristaq Turtulli, Letersi

ORA ZENITH

July 29, 2021 by s p

Nga Agim  Xh. Dëshnica

Teksa kaloja i hutuar përmes një dyqani të madh me orë të mbyllura brenda xhameve, m’u kujtuan orët e viteve të shkuar. Qysh në fëmijëri dhe më vonë, në shkollë, kisha dëgjuar tregime nga më tërheqësit për matjen e kohës. Mjetin për këtë qëllim, njëri e quante orë me rërë, apo orë dielli, tjetri – orë dore, sahat xhepi, apo qostek me kurdisje. Në ditët tona kanë marrë dhenë orët e dorës me zë njeriu për ata, që nuk shikojnë mirë, orët që ushqehen me rreze drite, orët e murit me zogj e dollapët e drunjtë me xhama të sahatit me laviers. Pra, për kohën tingëllojnë miliona zile e kambana në tërë skajet e rruzullit tokësor. Thonë se ka pasur edhe orë mjeshtrash të mëdhenj, ku dëgjoheshin hymne korale për mbretër e princa me figura grash e burrash në skena, që hapeshin e mbylleshin. Edhe mjaft qytete hijeshohen nga kullat e larta të sahatëve, si Big-Bengu i Londrës, 96 metra i lartë, Kulla vigane shumëkatëshe e Bostonit, që shërben si sahat dhe hotel. Në sheshin San Marko të Venecies, mbi një kullë, në orë të caktuara, dy shtatore burrash të fuqishëm godasin me çekanë një kambanë bronzi. Kurse, edhe sot, nëpër fshatrat tona kohën e gjejnë me afërsi me hijen e pipës mbi shuplakën e dorës, apo me një shufër druri a hekuri mbi tokë. Dëgjohen edhe zëra, se dielli është ngjitur dy pashë apo një hosten mbi Sopot! Ndërsa ora e gjallë, këndesi, zgjon gjumashët, ashtu si në rubairat e Khajamit:

“A e di përse këndesi po këndon 

 Menatë dhe nga gjumi po të zgjon? 

 Që shkoi një ditë po të lajmëron 

 Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron! 

 Zgjohu! Mëngjesi me shigjetë e grisi 

 Perden e Natës, Yjt’ i arratisi, 

 Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi 

 Çdo majë mali e pallati e lisi! ” 

Në kohët e reja, orët elektronike janë vendosur në kompjutera e në celularë, disa me vlerë janë ndrydhur në muzeume, shumë të tjera presin të shiten, ose janë harruar nëpër sirtare, ose janë hedhur në kosha plehrash. Çmimet e tyre janë nga më të larmishmet. Orët e shtrenjta hyjnë në sferën e stolive. Kur i sheh çmimet e tyre, të dhembin sytë dhe koka. Të lirat u shërbejnë qytetarëve për të vajtur në punë pa vonesë, për takime në kafe, ndërsa orët e shtrenjta – për të udhëtuar në vende të largët. Orët e lira i quajnë edhe roskop. Ora të gëzon, por edhe të tmerron. Orët në botë kanë emra sipas gjuhëve: shqip atyre u thonë – orë, anglisht – clock, frëngjisht – horologe, italisht – oro’logio, turqisht – sahat, rusisht ças, etj, etj. Shpikësit e panjohur të orëve u bënë shkak për ndërtime punishtesh e fabrikash dhe për një varg dyqanesh me fitime për tregtarët, sidomos për sahatçinjtë.

Bota e orëve apo e sahatëve Omega, pas luftës te ne qe harruar. Në pazar na mjaftonte Kulla e Sahatit. Veçse, herë pas here akrepat, ndalonin. Kambana pushonte. Flitej se njerëz të caktuar me detyrat e sigurisë qytetare ndaj rreziqeve, sidomos natën, merreshin me çrregullimin e kohës së ndonjë kryengritjeje të mundshme nga armiqtë e popullit, që flinte. Mbase edhe mungesa e orëve në dyqane dhe e telefonave në shtëpitë e qytetarëve, lidhej me parandalimin e ndonjë plani kundër pushtetit popullor. Akrepët frenonin në pikat e zeza të fushës së bardhë te Sahati, posi një tren i prishur në shinat e hekurudhës. Kur ata nisnin të lëviznin, do të thoshte se rreziku qe larguar. Gjithsesi, kambana nuk ndihej me tingëllimin e fortë “dang!” në orën e plotë, “trang!” në gjysmën e orës dhe “tring!” në çdo pesëmbëdhjetë minuta.

Ishte ditë e diel. Për të vrarë kohën, hapa e mbylla disa dosje të pluhurosura. Në njërën prej tyre gjeta një tregim të harruar. Në atë letër të zverdhur nga koha munda të lexoja këto rreshta për orën Zenith të babait:

 “Kur punoja me shifra në një ndërmarrje ndërtimi në rrethinat e qytetit, isha fare i qetë për kohën. Për t’u nisur në punë, më zgjonte babai pensionist, pasi hapte kapakun e sahatit të xhepit të markës Zenith, nga vitet e marmalatës, të makaronave dhe vino Chiantit. Ora me fosfor e tryezës e po asaj kohe, e markës Veglia, nuk punonte më. Dikur zilja e saj binte fort tri herë në mëngjes. E treta binte pa pushim, deri sa zgjonte edhe fqinjët. Tashmë në atë orë relike ndrijnë vetëm numrat e akrepat me fosfor, ndërsa zilja e çtingëlluar bie kot më kot. E mbajmë si stoli mbi komodinë.

Kur punoja deri pas mesnate, harrohesha midis letrave dhe s’më shkonte ndër mend të pyesja se sa ishte ora, sepse si shumë të tjerë duhej të mbushja formularët e pafund për zyrtarët e lartë, të cilët në ato orë flinin rehat në vilat e partisë. As në sheshin e ndërmarrjes, apo në zyrat e drejtorisë, nuk shihej e as dëgjohej ndonjë orë. Ato dukeshin në çastin e përurimit, por pasi prisheshin, “mbeteshin në tako” e s’merrej më njeri me to. Ai mjet aq i nevojshëm ishte mall jashtë liste dhe i rastit nga importi. Orët e markave Gub e Zenith madje edhe Pabjeda ishin me çmime më të lartë se paga mujore e një nëpunësi, palé e punëtorit. Për çdo rast në shtëpi na ndihmonte ora Zenith e babait. Befas një nipçe, duke luajtur na e prishi Zenithin. Qysh atë ditë për të vajtur në punë më zgjonte babai, kur shkonte në radhën e kosit, sipas marrëveshjes me një komshi, i cili trokiste në portën tonë herët në mëngjes. 

Për fat të mirë, teksa kalova bregut të Himarës te një dyqan i harruar në Dhërmi, gjeta disa orë gjermane të markës Umf – Ruhla, të tipit roskop, të trashë sa një kokërr qepe, me çmime pothuaj falas. Pa e zgjatur, bleva një prej tyre. Kështu, me orën në dorë, u ktheva në shtëpi plot gëzim. Pra, shqetësimi, për t’u nisur në punë mori fund. Shpëtova dhe nga trokitja e komshiut në portë, nganjëherë. edhe në mes të natës. Por, një ditë, kur asfaltohej rruga pranë drejtorisë, u afrova të shihja ziftin në kazan. Për dreq, ora ime gjermane m’u shkëput nga rripi e ra brenda në llumin e zi. Një punëtor nxitoi me lopatën në dorë, e futi në fuçi, e gjeti dhe e nxori jashtë. Një mekanik i moshuar, mjeshtër për gjithcka, e mori orën dhe e zhyti në një enë me benzinë. Umf – Ruhla u pastrua për bukuri dhe nisi rrahjet: tik- tak, tik-tak, tik-tak! Qysh nga ai çast, ata që mburreshin me orët Zenith e Gub, kur më ndeshnin udhës, më thoshnin me buzën në gaz: “Të lutem, sa është ora ekzakt?…” 

Tregimi vazhdonte më tej, por qe e pamundur të lexohej. E pashë me vend ta plotësoja sipas kujtimeve dhe t’ua tregoja miqve të mi.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Deshnica, Letersi, Ora zenith

Kosova, mbështetje mësimit shqip në diasporë

July 29, 2021 by s p

-Ministret Gërvalla dhe Nagavci takojnë mësuesit e diasporës, u sigurojnë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për mësimin plotësues shqip. Të punohet në drejtim të shtimit të numrit të fëmijëve shqiptarë që ndjekin mësimin shqip në diasporë/ 

PRISHTINË, 28 Korrik 2021-Gazeta DIELLI- Behlul Jashari/  Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Donika Gërvalla, së bashku me ministren e Arsimit znj. Arbërie Nagavci dhe zëvendësministren e MPJD-së znj.Liza Gashi, ishin nikoqire të një grupi të mësuesve nga diaspora, me të cilët zhvilluan takim për të diskutuar për procesin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe jashtë vendit. Me këtë rast, ministrja Gërvalla ka theksuar se qëllimi i këtij takimi është që të diskutohen nevojat dhe kërkesat që kanë mësimdhënësit e mërgatës. “Sot do të dëgjojmë kërkesat e juaja, do të ndërtojmë ura të komunikimit, të shqyrtojmë kërkesat dhe më pas të bëjmë hapa konkretë”, u ka thënë ajo mësimdhënësve. Kurse ministrja Nagavci ka thënë se Ministria e Arsimit dhe ajo e Diasporës janë në bashkëpunim të vazhdueshëm për të koordinuar punët për arsimin dhe mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Gjithashtu ka theksuar nevojën që të punohet në drejtim të shtimit të numrit të fëmijëve shqiptarë që ndjekin mësimin shqip në diasporë.  Zëvendësministrja Gashi, ka theksuar se mësimi plotësues i gjuhës shqipe në diasporë ka nevojë për përmirësim dhe institucionalizim. Në këtë drejtim ka thënë se do të ngritet nevoja për certifikim të gjuhës shqipe jashtë vendit.

Filed Under: Mergata Tagged With: Arsimi shqip, kosova

KALIMI NGA PANDEMIA NË NJË KËRCËNIM ENDEMIK, SA RREZIKOHET E ARDHMJA?

July 29, 2021 by s p

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik *

COVID DHE VIRUSET ‟ENDEMIKE”

Shtatë muaj pasi vaksinat COVID u bënë të disponueshme, më shumë se dyzet e pesë përqind e të rriturve amerikanë nuk janë vaksinuar plotësisht. Por këto numra vetëm, nuk tregojnë historinë e plotë, nivelet e vaksinimit ndryshojnë shumë në të gjithë Shtetet e Bashkuara (Sh.B.A), dhe kështu variante te virusit më ngjitëse po përpiqen të përhapen në disa vende ndërsa shkaktojnë dëme të vërteta në të tjerët. Mospërputhjet në normat e imunizimit janë të dukshme, për shembull, norma e shtetit Vermont është afërsisht dyfishi i shtetit Misisipit, ku pothuajse gjashtëdhjetë përqind e të rriturve nuk janëplotësishttëimunizuar. Ky portret i errët i imunitetit ndaj koronavirusit do të formësojë të ardhmen tonë ndërsa Sh.B.A. perpiqen të vendosin COVID-19 nën kontroll. Pas infektimit me virus, vaksinimit, ose të dyja, të paktën njëqind e shtatëdhjetë milion amerikanë kanë fituar një formë të imunitetit. Globalisht, ky portret është edhe më i errët, ku nivelet e vaksinimit në shumë vende dhe rajone janë jashtëzakonisht të ulëta.Variantet e reja SARS-CoV-2 siç është Delta, e bëjnë një mundësi të veçantë perspektivën e një të ardhmeje afatgjatë me COVID. Hezitimi ndaj vaksinave në vende të tilla si Sh.B.A., dhe mungesa e qasjes në vaksina në shumë pjesë të botës, e bëjnë shumë të mundshme që vetë virusi të jetë këtu për të qëndruar.

Çrrënjosja e viruseve nuk arrihet lehtë. Në fakt, lija është i vetmi virus njerëzor që është çrrënjosur ndonjëherë. Ajo u eliminua me sukses në 1980, pas një fushate të gjatë vaksinimi; çrrënjosja globale e poliomelitit, një tjetër virus ngjitës, është në fazën e tij të fundit. Në Sh.B.A., vaksinat e fëmijërisë kanë krijuar imunitet të tufave kundër viruseve të zakonshme të mëparshme si fruthi dhe shytat, duke i kufizuar ato në shpërthime të rastit dhe të kontrollueshme. Ne do të dëshironim që edhe koronavirusi të mposhtet e të shkojë në kujtesën historike. Megjithatë, kujtesa imune nuk zgjat gjithmonë, veçanërisht për një virus që ndryshon siç është SARS-CoV-2. Dhënia e kohës dhe hapësirës ​virusit për të ‘tjerrë’ nuk na jep pothuajse asnjë shans që SARS-CoV-2 të çrrënjoset. Siç e dimë, shumica e viruseve, duke përfshirë disa koronavirusë sezonalë që shkaktojnë ftohje të zakonshme, si dhe viruse të tjera, që shkaktojnë gripin, nuk janë çrrënjosur.Këto viruse përshkruhen si ‟endemike”, një term që rrjedh nga fjala greke éndēmos, që do të thotë ‟te njerëzit”. Viruset endemike qarkullojnë vazhdimisht, zakonisht në nivele të ulëta, por me shpërthime të rastit, më të rënda. Këto viruse nuk mbyllen me karantina dhe urdhra për të qëndruar në shtëpi, ne thjesht jetojmë me ta. Po sikur SARS-CoV-2 të bëhet si një prej këtyre viruseve që ndodh sezonalisht, dhe nëse po, si mund të duket të jetosh me endemine e SARS-CoV-2? Përgjigja për këtë pyetje do të varet nga një numër gjërash, forca e sistemit tonë imunitar për të ‟kujtuar” këtë virus, efektiviteti i vaksinës kundër tij, imuniteti që do të zbehet me rritjen e varianteve të tilla si Delta. Si do të ndikojnë këta faktorë në cenueshmërinë tonë ndaj ri-infeksioneve? Ne kemi filluar të mësojmë përgjigjet e disa prej këtyre pyetjeve dhe të marrim një kuptim të asaj që mund të na presë në vitet që vijnë.

FUNKSIONIMI I  SISTEMIT IMUNITAR

Antitrupat nuk janë gjithmonë linja e parë në mbrojtjen tonë imune. Kur qelizat tona hasin një virus të ri, ato së pari reagojnë me anë të të ashtuquajturit sistem imunitar ‟të lindur” i cili mbyll shumë infeksione fillestare shpejt, para se të rriten jashtë kontrollit. Kjo përgjigje fillestare është jo specifike dhe për pjesën më të madhe, është e njëjtë për çdo patogjen, roman apo të njohur. Vetëm disa ditë më vonë sistemi imunitar ‟adaptues” –departi i kujtesës imune –fillon te aktivizohet. Një pjesë e kësaj rritjeje përfshin qelizat B dhe T, të cilat bëjnë antitrupa. Trupat tanë prodhojnë miliona qeliza B dhe T, secila e akorduar, në një mënyrë të rastësishme, për të bërë një lloj tjetër të antitrupave. Këta antitrupa janë aq të ndryshëm saqë njeriu do të përputhet në mënyrë të pashmangshme me çfarëdo patogjen që mund të na infektojë. Gjatë një infeksioni, qelizat B që janë shumë të përshtatshme për pushtuesin e ri, marrin një sinjal për t’u shumëzuar. Antitrupat që ata prodhojnë qarkullojnë në gjak, duke u lidhur me viruset dhe duke i shkatërruar ato.Përgjigja e antitrupave e frymëzuar nga një ekspozim fillestar i SARS-CoV-2 mund të mbrojë nga infeksionet pasuese për disa kohë. Prandaj, një pyetje e rëndësishme pa përgjigje në lidhje me SARS-CoV-2 është sa do të zgjasin antitrupat ndaj COVID-19. Për SARS-CoV-2, posaçërisht, është shumë herët për ta ditur. Por studimet afatgjata të të afërmve të saj, viruset që shkaktojnë SARS dhe MERS, kanë zbuluar se nivelet e antitrupave mund të bien në mënyrë të dukshme në dy ose tre vjet pas një infeksioni. Koha mund të gërryejë dhe nivelet e antitrupave ndaj COVID. Antitrupat kundër viruseve të caktuara, të tilla si fruthi, shytat, rubeola dhe lisë, vazhdojnë në nivele jashtëzakonisht të qëndrueshme për shumë dekada, është për shkak të kësaj këmbënguljeje që ne mund t’i rezistojmë këtyre sëmundjeve gjatë gjithë jetës sonë. Por, erozioni gradual i niveleve të antitrupave në gjak mund të ulë mbrojtjen dhe të na bëjë të prekshëm nga ri-infektimi.

SUGJERIMET E STUDIMEVE

Kohët e fundit, studime në shkallë të gjerë kanë filluar të përcaktojnë sasinë e frekuencës së ri-infektimit të koronavirusit. Studimet e hershme sugjerojnë, nivelet e ri-infektimit duket të jenë shumë të ulëta. Këto studime tregojnë se disa muaj pas testimit pozitiv për COVID-19, të rriturit kanë tetëdhjetë përqind më pak të ngjarë të ri-infektohen nga virusi. E rëndësishmja, kur ndodhin ri-infeksionet, ato ka të ngjarë të jenë të lehta ose plotësisht asimptomatike  edhe nëse virusi fiton një këmbë në trup, rezistenca mund të kufizojë efektet e tij. E njëjta perspektivë vlen për të ashtuquajturat ‘thyerja e vaksinave,’infeksione që ndodhin tek individët plotësisht të vaksinuar. Megjithëse pa dyshim ndodhin infeksione tek të vaksinuarit, këto raste, si ri-infektimet, ka shumë më tepër të ngjarë të jenë të lehta ose asimptomatike. Sipas Qendres për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, midis njëqind e gjasgtëdhjetë e tre milion të Sh.B.A.-së (49.3%) plotësisht të vaksinuar, kishte vetëm rreth dhjetë mijë infeksione në të vaksinuarit. Vetëm një mijë prej tyre rezultuan në shtrim në spital, domethëne vetëm një në njëqind mijë individë të vaksinuar u shtruan në spital me COVID gjatë asaj periudhe.Pothuajse të gjitha vdekjet nga COVID-19 në Sh.B.A tani janë të shmangshme. Të dhënat shkencore sugjerojnë se më shumë se 99% e vdekjeve nga COVID në muajt e fundit ishin midis amerikanëve që nuk ishin vaksinuar plotësisht, një zbulim kaq i jashtëzakonshëm sa që dikush mund të vërë në dyshim saktësinë e tij nëse statistika të ngjashme nuk do të raportoheshin në studim pas studimi. Sot, raportet e ri-infeksioneve dhe përparimet e vaksinave priren të vijnë si një befasi e frikshme. Por ata do të ndjehen gjithnjë e më normalë ndërsa faza akute e pandemisë po mbyllet. Pavarësisht suksesit spektakolar të vaksinave, shanset grumbullohen kundër çrrënjosjes apo edhe një imuniteti global të tufës, virusi është shumë i përhapur dhe i transmetueshëm për këtë te ndodhë. Pra, marrëdhënia jonë me virusin mund të ndryshojë rrënjësisht. Një vit e gjysmë më parë, ne ishim ishullorë të verbër nga një pushtues i ri. Ndërsa rezistenca jonë imune kolektive rritet, sidoqoftë COVID mund të kalojë nga një pandemi në një kërcënim endemik. Virusi mund të vazhdojë të qarkullojë në nivele të ulëta, por përhapja e tij do të jetë më e ngadaltë dhe shumica e infeksioneve do të jenë më pak të rënda. Në një botë me COVID endemik, ju mund të kapni virusin, ose të vaksinoheniçdo vit me një përforcues me me vaksinen kundra gripit. Me siguri do të ketë sezone COVID, si sezonet e gripit, në dimër.Çdo disa vjet, ndërsa akumulohen variante të reja, një sezon mund të jetë veçanërisht i keq. Mund të infektojë kryesisht fëmijë të pavaksinuartë cilët shpesh kanë infeksione asimptomatike dhe pothuajse kurrë nuk zhvillojnë simptoma të rënda  dhe të shkaktojë infeksione të lehta rastësore tek të rriturit e vaksinuar. Disa grupe, të tilla si të moshuarit dhe të dëmtuarit nga imuniteti, do të jenë akoma në rrezik më të lartë për komplikime të rënda, të prekurit mund të vdesin nga COVID-19 ashtu si vdesin nga gripi dhe pneumonia sot. Por rreziqet do të jenë më të ulëta për individët që kanë një farë rezistence imune. Për shumicën prej nesh, COVID mund të bëhet një armik i njohur, si gripi sezonal, një nga rreziqet e njohura në të gjithë botën për jetën e përditshme.

* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës –VATRA.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Pashko camaj, Vatra

2021, VITI AT PJETER MESHKALLA S.J.

July 29, 2021 by s p

120 VJETORI KUR U Lé
N’ SHKODER I MADHI

AT MESHKALLA ! 

(PERGATITI FRITZ RADOVANI, 2021)

Nga: Prof. SAIMIR LOLJA(Pj.XXX.)

Father PJETËR MËSHKALLA S.J.

by FRITZ RADOVANI

2nd Edition, 2004

The reader can touch the first book dedicated to an Albanian Catholic priest’s life and deeds. The book saw publication after the collapse of communism in Albania in 1991. Fritz Radovani is passing on to readers his collections for an impressive and noble figure from the Albanian Catholic clergy. He was Father Pjetër Mëshkalla S.J. who carved on the stone: “The first name I have received on earth and which I have kept with honor is the name Albanian, and I will remain Albanian until my death”. In the first part of the book, the author describes the friendly experience that he and his family had with Father Pjetër Mëshkalla. He recalls Father Pjetër Mëshkalla as an Albanian nationalist, a true Jesuit, authoritative in philosophy and theology, and a sharp voice for moral and human values. The author reveals him as a brave scholar with unbreakable character and a strong defender of free speech and justice. The second part of the book contains poems and articles authored by Father Pjetër Mëshkalla and published in the press until 1945. For Father Pjetër Mëshkalla, the sonnet starts where the philosophy ends. For him, gratification is the triangle of goodwill, agreement, and cooperation, and advancement is itself a product of actions based on sound principles. He wrote that we could not say that we value and love our faith if we condemn the other beliefs because the faith touch is a matter of personal conscience. Albanians of different religions are, first, Albanians. Therefore, we should be a brother to all, and peaceful coexistence is a reality. The third part of the book exposes a summarized curriculum vita for Father Pjetër Mëshkalla. He was born on 25 September 1901 in Shkodra.

He received his early education in Shkodra and then went to Linz in Austria to study Theology. Until the age of 33, he continued his theology and literature studies in Slovenia, Poland, and Italy. He chose the path of Jesuit Order S.J. After he qualified as a priest, he returned to Albania and was assigned to teach in the Jesuits’ elementary school and later as a professor in their Seminar. Those who were acquainted with him recall his deep background, persistence in education, determination for improving his writings and poems, and his attention to Albania’s future and advancement.

          He founded the youth assembly Shën Gjon Bosko in Shkodra in 1934. He relocated to Tirana in 1937 and initiated a similar body, Shën Pjetri. In 1938, he participated in the inauguration in Tirana of the Church of the Jesuits, “The Heart of Jesus”. In 1942, he openly expressed that partisans fighting under the direct leadership of Yugoslav and Albanian communists were soldiers of Tito and Stalin. Therefore, they were not going to bring freedom and democracy to postwar Albania. He was against any dictatorship. In addition to publications and speeches, Father Pjetër Mëshkalla and Father Gjergj Fishta told their students in 1940 not to salute in a fascist way. The fourth, fifth, and sixth parts of the book divulge through publications and pieces of evidence the inflexible disposition of At Pjetër Mëshkalla in facing the communist regime both before his arrests and in prison. His first arrest by the communist regime came in 1946, and he remained in jail until the end of 1961. In April 1967, he was again arrested and sentenced to ten years in prison. After Father Pjetër Mëshkalla got out of jail in 1977, he returned to Shkodra and stayed there until the end of his life on 28 July 1988. All citizens of Shkodra, of all faiths, expressed their farewell to him. The year 1967 was the year when anything religious became outlawed by the Albanian communist state. The freedom of speech and belief reappeared only in 1990, and Don Simon Jubani held the first Catholic mass on 11 November 1990 in Shkodra. Father Pjetër Mëshkalla considered the Albanian Catholic Clergy as the most heroic clergy in Catholicism history. There were only 32 years (1912-1944) of opportunities to form the Albanian Clergy, yet that period produced more catholic martyrs and heroes than any other clergy in the world. He was always worried about having young people educated with a strong background and well-built character. He exerted so much energy in this direction that his ex-students even today are proud of having him as a teacher. The time proved his saying: “If people express their thoughts freely, this [communist] regime will fall soon”. His intelligence was like a seal for his colleagues and friends, including the clerics of other beliefs. When he was in the prison of Burrel, his maxim was “Brother with all, independently of religious belief,” and his wisdom was definitive to all. His fellow sufferers in prison, independently of their spiritual beliefs, always helped him, and he helped them. The book ends with the official award “Beacon of Democracy” given to Father Pjetër Mëshkalla S.J. by the President of Albania in September 1992.

          Book Review

          by Saimir Lolja Assoc-Prof, PhD, PEng

          Canada, July 2011                          

      Melbourne, 26 Korrik 2021.

Filed Under: Histori Tagged With: At Pjeter Meshkalla, Fritz radovani, Saimir Lolja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2806
  • 2807
  • 2808
  • 2809
  • 2810
  • …
  • 2822
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES
  • Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës
  • FESTA E SHQIPTARËVE
  • Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes
  • BETIMI I VEDAT GASHIT I ADMINISTRUAR NGA PRESIDENTI CLINTON
  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT