Ndoj Mhilli
Ditën e djeshme u bë një protestë para Kryeministrisë, ku një pjesë e protestuesve u mblodhën me vullnetin e tyre të lirë, për të protestuar kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, ushqimeve të shportës dhe naftës. Mirëpo aty në një moment të caktuar mora mikrofonin dhe i fola publikut dhe shqiptarëve që na ndiqnin nëpërmjet mediave, ndër të tjera thash se këta që shihni çdo ditë nëpër tv, të cilët po përpiqeshin të rrëmbenin, më saktë të vrisnin frymën e protestës, që dalin nëpër tv janë thjeshtë vegla të sistemit. Pra ata bashkë me mediat i quaj prostitutat politike, në kuptimin që janë shërbëtorë të kësaj klase politike 30 vjeçare me rrënjë të moçme 109 vjeçare. Nuk do lë këtu pa përmendur të keqen më të madhe të shoqërisë shqiptare: opinionistët që dalin orë e çast nëpër studiot televizive, të cilët janë “prostitutat intelektuale” që çojnë ujë në rrënjët e kalbura të kësaj kaste politike, madje ata janë më të këqij dhe më të mjerë edhe nga pikëpamja intelektuale, sepse janë pseudo intelektual të shitur e të blerë për interesa personale, se sa vetë kasta politike që kemi krijuar këto vite.
Që në fillim të protestës ndjeva dhe kuptova nga artikulimet e disa prototipave, kukullave kuçka që prodhon mjerisht çdo ditë shoqëria jonë. Prandaj meqenëse e kuptova se po përpiqeshin të përdornin protestën për interesa e pazare personale, u rreka tua bëj me dije shqiptarëve se këta kuçka patiçkash janë duke u përpjekur të na hedhin “hi syve” në shërbim të së keqes që për shekuj me radhë e ka zënë për gryke Shqipërinë dhe shqiptarët. Pra në thelb ata synojnë të eliminojnë opozitën dhe opozitarizmin si nocione (nuk e kam fjalën këtu për opozitën si parti politike), të demoralizojnë shqiptarin e ndershëm, që pret me padurim vendosjen e drejtësisë, rendit, rregullit dhe ligjit, ndëshkueshmërinë në këtë vend, gjegjësisht zbatimin e ligjit dhe barazinë para tij, pavarësisht hierarkisë së individit që përballet me të.
Kësisoj ata vrasin besimin tek protestat me frymë dhe parime, me kauzë të drejtë: “shpëtimin” e shoqërisë nga problematikat që e shqetësojnë, duke vënë kontrollin mbi to edhe me ndihmën e mediave dhe fondeve që përfitojnë disa të ashtuquajtura shoqëri civile, të cilat nuk janë asgjë tjetër përpos shoqëria e satanajt.
Nga ana tjetër ato vrasin besimin tek njëri-tjetri, duke krijuar kësisoj një amulli të pashoqe mosbesimi mes qytetarëve shqiptarë, duke vrarë në këtë mënyrë shansin, ëndrrën dhe besimin se nga kjo shoqëri mund të lindë kurdoherë një lëvizje e re, që nuk ka qëllim mashtrimin, hajdutërinë, pangopësinë, makutërinë dhe rrënimin, por lirinë, rendin, ligjin, drejtësinë dhe shanset e barabarta për të gjithë. Ndërkaq ata me këtë vrasje të heshtur të aftësive reagues të shoqërisë shqiptare e me duart të ngjyera përplot gjak nga jeta e secilit shqiptarë të ndershëm, vrasin mundësinë e krijimit të një brezi a klase të re politike nga djem e vajza me virtyte, vlera e parime, si dhe çojnë drejt vrasjes së shpresës se një ditë ky vend mund të bëhet, e si rrjedhojë drejt shpopullimit të frikshëm të tij.
Shqiptarët tashmë nuk po largohen nga vendi vetëm për arsye ekonomike por mbi të gjitha për arsye të forta social-kulturore, për shkak se anarkia dhe degradimi i shoqërisë sonë si tërësi dhe në të gjitha përbërësit e saj është në nivele të tmerrshme, aq sa Shqipëria me energjinë negative që prodhon çdo ditë, i ngjanë më shumë rrathëve të ferrit të Dantes – vet ferrit se sa natyrës ku mund të jetojmë të lirë, të qetë e në paqe me veten dhe të tjerët.
Mirëpo për gjithë këtë degradim a është faji vetëm i klasës politike? Qenia njerëzore e ka në natyrën e saj ta adresojë fajin tek të tjerët! Mirëpo mendoj se është koha që të përpiqemi të rregullojmë edhe të metat tona duk e parë edhe veset tona si shoqëri, sepse në fund të fundit klasa politike nga vatrat shqiptare ka dalë, nuk na i solli njeri nga Avganistani.
Ne si shoqëri fatkeqësisht nuk ngrihemi në mëngjese e të mendojmë se si mund të bëjmë mirë, se si mund të përmirësojmë veten dhe të tjerët rreth nesh, por mjerisht zgjohemi me mendimin se si mund t’u prishim punë të tjerëve, e se si mund t’i bëjmë keq këtij e atij. Me pak fjalë të krijohet që në mëngjes, në shtëpi, në rrugë, në zyrë, në punë, në shoqëri, në kisha e xhamia, shkurt kudo, ravijëzimi i ferrit dantesk, mbase edhe i vetë shoqërisë së ferrit, ku ushqehet një energji e tmerrshme negative. Një shoqëri të tillë është e vështirë ta shpëtoj as Zoti po të vinte e të na qeverisë nga Kryeministria, e jo më politikanët tanë të pa zot e të pa shpirt si satanaj. Në rrethana të tilla kush nga ne do donte të krijonte familje në një vend të tillë? Askush. Unë, edhe ata që ikën, nuk dua që fëmija im nesër të kalojë kalvarin e Golgotës Shqiptare.
Sidoqoftë le të rikthehemi edhe një herë tek thelbi, problemin e rritjes së çmimeve ka muaj që e ngre nëpër ambiente të ndryshme, mirëpo në mënyrë publike jam shprehur në dt. 2.09.2021, ku i bëj thirrje Kryeministrit të ndërhy në rritjen e çmimeve nëpërmjet mekanizmave shtetërorë. Ndërkohë teza nëpërmjet Elona Casllit, të cilën e kam mike në facebook u rrok nga opozita zyrtare për disa ditë dhe pse shpejt u la në harresë, pavarësisht se edhe ata nga ana e tyre dolën me disa propozime. Kësisoj, siç u pa shoqëria e zezë civile e rroku si tezë dhe caktoj ditën e djeshme një protestë, sigurisht me qëllim për përfitime vetjake e personale e jo shoqërore e publike.
Mjerisht e njëjta skemë është përdorur edhe më parë në protestat e studentëve të vitit 2018-2019, kur veglat e sistemit shkuan të festonin gjoja Krishtlindjet edhe pse shumica dërrmuese e protestuesve ishin jo të krishterë me pretekstin se protestat do të rifillonin me 7 Janar të vitit 2019, mirëpo siç u pa gjeli i detit i zuri shumicën prej nesh për shkak se gjatë kësaj kohe u bënë pazare dhe shumë kush mbushi xhepat me parat e përgjakura me shpirtin e shqiptarëve të lodhur nga e keqja që i ka mbërthyer për shkëmbin e sistemit, tamam si Promoteun. Pra protesta, idealet parimet ëndrrat për një të ardhme më të mirë – protesta dhe kauza thuhet nga “gojët e liga” u shit për miliona euro. Kësisoj protesta dhe mundësia për një nisje të re të shoqërisë sonë u shua, megjithëse kurrë më parë s’kishte qenë aq e fortë (përpos viteve 1990 ëndrra, shpresa për një nisje të re – Shqipëri më të mirë. Katovica edhe këtë herë sikurse në vitet 90 –të ja doli të kapte dhe shuante protestën dhe ta shfrytëzonte për interesat e disave, në dëm të të gjithë shoqërisë.
Shihet qartë se këta dhe thuajse të gjithë gazetarët, opinionistët, mediat, pedagogët, mësuesit, mjekët, policët etj., janë vegla të ndyra të sistemit. Megjithatë unë nuk besoj se Rama do të frikësohet nga disa hale të blera e të shitura në pazarin provincial të Shqipërisë dhe Ballkanit. Megjithatë, me të drejtë Platoni te Rpublika, shkruan “ duke parë secili atë që ka pranë dhe duke dashur ta imitojë, nuk kalon shumë dhe i gjithë populli bëhet si ata”. Fatkeqësisht dhe me shumë keqardhje kjo është saktësisht situata në të cilën gjendet shoqëria shqiptare, të dashur bashkatdhetarët e mi.
Në këtë vazhdë mendimi, s’do mend se protesta as në Afganistanin e pushtuar nga talebanët nuk ndalet deri në momentin që qeveria plotëson kërkesat e parashtruara, përveçse kur shtypet me dhunë. Mirëpo në këtë rast shoqëria e zezë civile thirrin apo dalin në protesta për të fituar vlera si figura publike, e mbi të gjitha të mashtrojnë e hedhin pluhur syve popullit e sidomos të përfitojnë ndonjë kockë a sanduixh që ua hedh qeveria, klasa politike, në shërbim të kastës së tyre. Mbi të gjitha dalin për të vrarë shpresën se shoqëria jonë ka aftësitë të prodhojë të drejtën dhe të mirën, duke synuar ta vënë atë në gjumin e përjetshëm të mbrujtur me pafuqi, nihilizëm dhe zhgënjimin.
Pra nëpërmjet mbrujtjes së frymës së frikës, dështimit dhe përçarjes këta gropa skeptike të shoqërisë së satanajt, ja dalin të mbajnë peng një shoqëri. Taktik e lashtë sa njerëzimi, deviza përçaj e sundo. Megjithatë o shqiptarë ka ardhur koha të hapim sytë, mendjen dhe zemrën ndaj të resë së virtytshme dhe mundësive për të provuar të mirën, sepse kemi humb edhe gjënë më të shtrenjtë dinjitetin njerëzor, pra s’kemi më asgjë për të humbur, thjesht kemi çdo gjë për të fituar. Mirë po bëni kujdes nga e reja që ofrohet nëpër mediat tona, sepse e reja që na ofrohet nga këta kloun të sistemit është më e zezë se vet sistemi.
Kësisoj, ju me të drejtë do thoni: po si ta dallojmë këtë të renë që ka virtyte? Mjafton të kuptoni se kjo e re që shërbehet nga mediat shqiptare, prostitutat e sistemit, dihet se kujt i përket, sepse këta nuk lejojnë nëpërmjet manipulimit të opinionint publik që të krijohet diçka që është me të vërtetë e re me parime dhe vlera, jashtë rrethit të tyre dhe interesave të tyre. Pra kushdo që del nëpër TV që ka prodhuar ky sistem, klasë politike, poshtë e lart, që pëllet si gomari nëpër studio të ndryshme televizive ta dini se janë vegla çorientuese dhe mjegulluese të sistemit për të mbajtur me çdo kusht status quonë. Po ashtu bëni kujdes nga riciklimi politik që po përpiqet ti shërbehet shoqërisë shqiptare, gjoja duke sjellë figura të reja nëpër parti të ndryshme, të jeni të bindur se brenda këtyre partive është e pamundur të futen djem e vajza të ri me vlera e virtyte pa qenë vegla të tyre. Pra është futur në lojë prirja për të ricikluar klasën politike më figura të reja që janë thjesht vegla të mjera të atyre që janë në skenë politike aq të moçëm sa ç’është edhe shteti jonë i gjorë.
Tezës së riciklimit dhe status quosë i shërben edhe loja me rritjen e rrogave, mirëpo që ta dini o shqiptarë që ju ka zënë halli, rrogat do rriten pasi të rriten mirë çmimet, pra së pari fillon rritja e çmimeve pastaj vjen rritja e rrogave, pra thjesht demagogji, sepse në xhepat tuaj nuk do të ngelet asnjë lek më shumë.
Nga ana tjetër në mënyrë logjike së pari duhet të rriten, siç ja kemi propozuar qeverisë në protestën e studentëve asistenca sociale, pastaj po qe se ekonomia jonë ka mundësi ta përballojë le të rriten rrogat. Ata që kanë më shumë nevojë duhet të jen të parët për nga vëmendja jonë si shoqëri dhe e shëtit si përgjegjësi.
Rritjen e rrogave dhe të asistencës sociale si dhe kufizimin e mandateve të politikanëve e kam propozuar për herë të parë në mënyrë publike në protestat e studentëve. Mjerisht këto teza klasa politikë u mundua t’i rrokte jo për të prodhuar të mirën publike e drejtësinë shoqërore e ligjore, por t’u kamufluar si kameleoni në sytë e publikut.
Le ta dijë çdo shqiptarë dhe çdo funksionar i huaj, sidomos Republikan në USA dhe Konservator, ku do në botë se Shqipëria nuk bëhet po nuk u rrëzua sistemi katovicianë,i dalë nga marrëveshja e Katovicës në Poloni. Shqipëria e ka jetike lindjen e një sistemi të ri republikanokonservator, i cili ndërtohet larg dhe jashtë klasës politike ekzistuese, nën udhëheqjen dhe monitorimin e IRI dhe Konservatorve. Reformat në drejtësi dhe krijimi i SPAK etj., po nuk pati vullnet të fortë politik janë thuajse asgjë, thjesht drejtësia kalon nga një dorë tek një tjetër. Në rastin më të mirë produkti do të jetë minimal. Pra reforma në drejtësi duhet të shoqërohet nga reforma dhe krijimi i një partie të re politike apo i një klase të re politike që buron, financohet, udhëhiqet dhe monitorohet nga Republikanët dhe Konservatorët, në të kundërt të gjitha janë thuajse asgjë, pra broçkulla. Koha për të na ardhur në ndihmë si komb dhe si shtet dhe për të na ndihmuar është më shumë se kurrë tani. Ndërkaq të jeni të bindur ju zyrtarët amerikanë se tashmë është në lojë edhe emri i USA e jo vetëm fati i Shqipërisë, ju keni dy rrugë ose të pranoni turpin e dështimit ose të veproni shpejt në shërbim të së mirës dhe të drejtës njerëzore e Hyjnore.
Nga sa më sipër, mjerisht koha po na mëson se LIRIA nuk na qenkërka një e drejt natyrore e lindur me njeriun por një vlerë, dinjitet, krenari që e gëzon individi, dhe si rrjedhojë e shpërhap edhe në shoqëri. Shoqëria shqiptare dhe ajo njerëzore duhet e doemos të mësojë se drejtësia dhe liria janë gjithmonë në rrezik, prandaj ato duhet të mbrohen me çdo çmim, qoftë edhe me jetë. Liria vlen më shumë se jeta, sepse jeta pa liri është të jetosh si një i vdekur – kufomë e gjallë.