• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U ZHVILLUA FESTIVALI I 16-TË SHQIPTAR NË WATERBURY, CONNECTICUT

September 26, 2021 by s p

Sokol Paja

Për të 16-tin vit me radhë, qindra shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, viset shqiptare dhe shtete kryesore të Amerikës si New York, New Jersey, Philadelphia, Boston, Detroit, Teksas etj morën pjesë për dy netë me radhë në Festivalin Shqiptar në qytetin e Waterbury në Connecticut. Një festival shqiptar i organizuar në mënyrë të shkëlqyer nga organizatorët e Albanian American Muslim Community në Waterbury -Connecticut të cilët mbajnë gjallë kulturën, gjuhën, traditën dhe identitetin kombëtar shqiptar në këtë shtet dhe më gjërë. Muzikë tradicionale shqiptare, ushqim dhe vallëzim shqip, takime vëllazërore, nga shqiptarë nga të tëra anët që ndezën atmosferën e zjarrtë shqiptare nën tingujt e ëmbël dhe bisedat e ngrohta miqësore. Qëllimi i festivalit ishte promovimi i vlerave kombëtare shqiptare në shoqërinë amerikane si dhe kultivimi i kulturës kombëtare shqiptare në brezat e rinj shqiptar. Albana Lame Kryetare e Bordit të Komuniteti Mysliman Shqiptar – Amerikan në Waterbury deklaroi për Diellin e Vatrës se: “Në këtë festival së bashku me vullnetarët ne sollëm muzikën shqip, traditën shqip, ushqimin, shqip, ne sjellim shpirtin tonë shqiptar çdo vit. Të gjithë kanë punuar me përkushtim për të mbajtur gjallë traditën tone kombëtare. Ky vit krahasuar me vitin pandemik, jemi më entuziastë dhe kemi pjesëmarrje masive. Në këtë festival ne njihemi me njëri-tjetrin dhe themelojmë e mbajmë miqësi të reja. Ky festival dy ditor na jep mundësi që të njihemi më shumë me komunitetin tonë. Afrohemi më shumë bashkë. Është diçka fantastike kur sheh që traditën e filluar nga prindërit, sot e vazhdojnë fëmijët. Të gjithë gatuajnë diçka, shërbejnë diçka, ofrojnë diçka, një komunitet që angazhohet në maksimum me qëllim që të kënaqemi të gjithë. Gjithçka është autentike shqiptare. Ky vit na ka sjellë edhe shumë të huaj të cilët janë kureshtarë të njohin traditën tonë, ushqimin tonë e muzikën tonë” u shpreh Albana Lame Kryetare e Bordit të Komuniteti Mysliman Shqiptar – Amerikan në Waterbury. Ky festival ishte një mundësi e mrekullueshme për bizneset që të reklamojnë shërbimet e tyre. Mikëpritja për miqtë si çdo here bëhet nga i “zoti i shtëpisë” Imami Gaz Aga i cili kujdeset profesionalisht dhe personalisht me detaje për të gjithë pjesëmarrësit së bashku me stafin e Komunitetit Mysliman Shqiptar – Amerikan në Waterbury. Imami i Xhamisë “Albanian American Muslim Community”, Imam Gaz Aga, mikëpritës i këtij festivali dhe udhëheqës për festivalin e shkollën shqipe pranë këtij komuniteti në bisedën vëllazërore u shpreh për Diellin e Vatrës mbi rëndësinë e këtij festivali shqip si një mundësi e shkëlqyer në ruajtjen e vlerave kombëtare, trashëgimin brez pas brezi, dashuri ndaj atdheut, gjuhës shqipe, besimit në Zotin e gjithëpushtetshëm dhe respektit për njerëzit.

Filed Under: Featured Tagged With: Gazi Aga, Sokol Paja

DIOKLEA (DUKLA ), OSE RRENOJAT E NJË QYTETRIMI NË LUFTË ME HARRESEN…

September 26, 2021 by s p

Nga Ndue  BACAJ*

Dioklea  apo “shqip” Dukla , është  një nga ato qendra  simbol   të qytetrimit , zhvillimit e besimit  Iliro-Shqiptare  mbi të cilen u shkarkuan pa meshirë namet e natyres , por edhe namet e njeriut , i cili shpesh pa ditur çfarë bënte , u versul si rrenimtare mbi ketë trashigimi  historike ,që  sot “perfaqesohet” nga disa rrenoja ,edhe ato  të mbetura nën shtetin  e vogel të fqinjeve tanë të vonë , Malit Zi.  Nëse  ky është fati tragjik i  qytetit të Diokles në terren , fati  në memorien e banoreve të trojeve shqiptare të Malesisë Madhe Etnike  (edhe pse e ndarë me kufijë  në vitet 1878 – 1913) është disi më i mirë , dhe per ketë  falë zotit  dhe kujteses historike që u transmetua  nga njeri brez  në tjetrin nga para-ardhesit tanë autokton, si dhe vemendjes që i kushtuan Diokles disa albanolog dhe studiues  të huaj  e vendas…Edhe ky “udhëtim” i  joni shpresojmë  të sherbejnë  sado pak si një gurë i vogel  në “ndertesen” e memories  historike të  brezave të sotem dhe atyre që do të vijnë , që me Dioklen edhe pse  rrenoja ata  do të krenohen në pafundesi…

Dioklea ,simbol i names njerzore  dhe natyrore.

Fati i qytetit të Dioklesë  ka “vendin” e vetë në  pershkrimin brilant të  një albanologu të shquar , i cili në vitin 1898 ndër të tjera do të shkruante : “…Shqiptari i kishte stolisur  qytetet …e veta me monumente artistke shumë të çmuara  të cilat u zevendesuan pa shenjë e pa nishan nga kulla ciklopike  zetjane dhe nga ledhet mbrojtese venedikase. Shto-dhe goditjen e pa meshirë  që i shkaktuan shpatat dhe zjarret perpirese  të çdo gjëje…Keshtu heshten pergjithmon sa e sa punishte, që e kishin bërë zakon të dergonin  në vendet e Ballkanit , në të dy brigjet e Adriatikut …punime  fort të hijeshme në argjend , në fildish , në koral , në sedef , si dhe  lesh e armë të atilla  që konkuronin ato të Damaskut  , krahas ketyre prodhonin edhe orendi prej bakri shumë të sterholluara nga çdo anë. Qendismat me fije ari  , me të cilat deri në atë kohë pelqenin të stoliseshin të medhenjet e vendit dhe gratë më të bukura të Ballkanit , e kishin prejardhjen kurdohere nga Shqiperia…”.1.  Per kohen e shkaterrimit të ketij qyteti  të njohur Ilir mesojmë edhe nga albanologu kroat Milan Shuflaj ,i cili ndër të tjera thoshte : “..Qyteti i madh …Doklea u rrenua prej katastrofave natyrore  dhe fuqive barbare . Atë e goditi rendë termeti i vitit 518. Qyteti u shkretua rreth shekullit VII. Pjeset e tij të shkaperdredhura  i rrembyen  keshtjellat e aferta…2.  

“Rrugetime” historike ne  Qytetin  e Diokles .

Njoftimet e para  per ekzistencen  e ketij qyteti të lulezuar janë shumë të   hershme ,ato na tregojnë se Dukla , Doklea apo Dioklea ka qënë  ndertuar  nga fisi Ilire i Dokleateve të pakten që në shekullin III para Krishtit ,çfarë do të thotë se ka një moshë rreth 2300 vjeçare. Duklen  apo Dioklen e permendë  historiani i shekullit parë (mbas Krishtit)  Plini  dhe veçanarisht gjeografi i njohur i shekullit II (mbas lindjes Krishtit) , Ptolemeu që jetoi e punoi në Aleksandri e tjer… Ptolomeu në vepren e tij të njohur “Gjeographia” ,libri II ,në “kapitullin” vendi që zë Iliria , kur i vjen rralla të shenojnë qytetet e saj , emrin e qytetit Doklea (Dioklea) e shenon  me pozicionet gjeografike 45 grad e 20’ dhe 42 grad e 15’.. 3.  Ky shenim gjeografik i nëntëmbëdhjetë  shekujve më perpara perputhet plotësisht me pozicionin e rrënojave që i identifikojmë sot me qytetin e lashtë  të Dioklesë. Qyteti  antik Dioklea ose Dukla ishte e ndertuar  në  derdhjen e lumit  Zeta (Genta) në Moraçë, afer Ptogrorices sotme (rreth 5 km në veri të saj). Dioklea ka qënë  kryeqytet i fisit  Ilir të Diokleateve . Teritori i ketij fisi shtrihej në lindje deri në qytetin e vjeter Medun ( Meteona) , në jug deri në  bregun e liqenit të Shkodres ,duke u kufizuar me fisin e Labeateve  ,në  perendim e veriperendim ,perfshinte fushat e Danillovgradit të kufizuar me fisin e Ardianve ,kurse në veri me fisin e Taurateve…Qyteti me teritoret e tij ka  pasur rendesi të madhe gjeostrategjike ,komunikative e tregtare.4.  Historiani e albanologu Kastantin Jirecek  e quan Dioklen qytetin më të madh romak  të kesaj krahine ,por thote se në fillim  gjendej ketu  qyteza e fisit ilir  të Dokleateve  që banojshin  ndër malet e sotme të  Malit Zi. Tash vone (çerek-shekulli i parë i shek.XX ,N.B.) janë gjendur mbishkrime  latinisht të krereve të  Dokleateve  në katund të Vilusi-t afer Grahovo-s  ndër germadhat e keshtjelles romake  Salthua. Doklea muar organizim qyteti  si “municipium”(bashki N.B.) romak  prej perandorit  Vespasian ose të bijëve..5. Vlen te sqarohet se dinastia e FLAVEVE ka drejtuar perandorin romake  per shume vite të shekullit parë (mbas Krishtit) ,ndersa Vespasiani (si tashigimtare i Flaveve)  është kurorzuar perandor  në vitin 70 (mbas Krishtit). Dinastia e Flaveve  ka vijuar deri në vitin 96. Gjatë kesaj periulle gjinden edhe emrat e djemeve të Vespasianit ; Tito dhe Domiciani i cili  ka qenë edhe perfaqesuesi i fundit i Flaveve ( Indro Montaneli ,Historia e Romes  ,fq.303 – 307).  Edhe Jireçeku si dhe disa studiues të tjer shkruajnë se qyteti  u rrenua në kohrat e stuhishme të shekullit VII, por emri nuk u harrua kurrë.Ai thotë  se ketu duket ka banuar një popullsi e vogel , ndonse ka qënë qytet i famshem..dhe seli e peshkopit të Diokleas..6.  Është interesant se ndonse per Dioklen si qytet thuhet  u shkaterrua  në shekullin e VII , si qender e rendesishme qytetare e fetare kjo vijon të njihet per disa  shekuj më vonë..Keshilli  i Dalmacisë  që u mblodh në shekullin e IX shpalli Dioklene  Kishë  mitropolitane ,dhe i dha  si sufragane (të varur ) Shkodren.  Po nga ky burim  mesojmë se në vitin 877 Tivari tashma një seli peshkopesh  ishte nën varesinë e mitropolise së Dioklese..7.  Madje  ky studiues (Hekardi)  shkruan : “..Peshkopata e më vonë  kryepeshkopata  e Dioklesë , titullari i të ciles ishte metropolit i Shqiperisë, deri në vitin 927, kur ky qytet u shkaterrua nga  Simeoni i Bullgarisë. Kryepeshkopi i fundit i  Dioklese quhej Gjoni , i cili (pas shkaterrimit të selisë ) u strehua në Raguze ,ku u bë peshkop i ketij qyteti, duke ruajtur  megjithatë  titullin e kryepeshkopit ,selia e metropolisë u  transferua në  Spalato (Split).. 8.  Ndersa Abanologu dhe historiani  i njohur Milan Shuflaj  shkruan: “ Qytetet romane  Dioklea , Sarda , Skampa , Apollonia , Amantia , Bylis , me kalimin e kohës  u shkatërruan pjesërisht nga sulmet armike dhe pjesërisht nga “kënetëzimi” i ngadalshëm  ,porse ipeshkviat e tyre nuk u zhduken , por pësojnë vetem një metamorfozë . Ndoshta ipeshkvi  i Dioklesë  e kishte rezidencen  e tij per një kohë të gjatë tek rrënojat  e ketij qyteti , porse tashma është jasht çdo dyshimi , fakti  që në shek.XI  trashigiminë e tij e mori ipeshkvi i Tivarit…”.9.  

NGA  DUKLA NE DIOKLEA (e toponime  të  tjera). 

Dioklea është “emri” më i njohur “sot” i rrenojave të ketij qyteti Ilir , ndaj ne  menduam ta fillojmë pikrisht me ketë toponim..Per të “analizuar” ketë toponim ne së pari do tu referohemi disa studiuesve vendas e të huaj.. Fillimisht po i referohemi një studiuesi nga Trieshi i cili nder të tjera  shkruan se  toponimi Dioklea-duket si kompozim i fjaleve Dio = Zot , dhe Klea = Tepull (tempulli i zotit )..gjë që të lënë pershtypje se është qytet roman ,me prejardhje gjuhesore latine. Para ardhjes  së romakeve ,Dukla  ishte qytet urban, gjë që e deshmojnë  dhe toponime  të peraferta : lumi Shirali (shi-ra-li) i cili kalon në buzë të mureve të qytetit  kur bjen shi ; Rrogami –fusha per-rreth qytetit- nga fjalarrugë etj. Gjeneza  e toponimit buron nga vetë pozicioni gjeografik i qytetit , nga folja me u duke.  Siç dihet fisi i Diokleateve dhe qyteti i tyre Dukla  gjindet  në rrafshine të rrethuar me kodrina e bjeshkë të larta ,nga të cilat qyteti dhe teritori i fisit duken plotesisht.Mu duke ( me u pa ,me u shikua) ,keshtu që emri burimor  është  Duk , dukje-dukja…10.   Ndersa në një dokument të  Kotorrit te vitit 809  gjejmë  formen e emrit  Duclia (Duklia N.B.)..(Giuseppe  Gelcich ,po aty ,fq.19). Një spjegim me vlera  per rrjellojat e emrit të Diokles e bënë me punen e tij studimore (të çerekut të parë  të shekullit XX) , albanologu Milan Shuflaj i cili “nënvizonte” se ;  në veri , në treven e vjeter të dokleateve ilir ekzistonte provinca Doklea , Dukla e cila nën ndikimin e rrefimeve  mbi perandorin Dioklecian u quajt  Diokletia..11.  Me ketë rast vlen të theksohet se Diokletiani apo siç  thuhet më shpesh Diokleciani ka qënë perandor “romak” me origjinë të paster Ilire. Një historian amerikan shkruan se Diokletiani lindi në një familje të panjohur dalmate ( Ilire N.B.), në fshatin Dokleas, në pellguan e bregut të liqenit Shkodres..12.  Është interesant se ky autor nuk e quan Dioklen qytet , por fshat, dhe e cilson me  emrin e perafert që  njihet nga shumica e studiuesve dhe autoreve deri në ditet e sotem ,duke na bërë të mendojmë  se mbiemri i ketij perandorit ilir   (Valer Diokleciani) ,është i trashiguar nga vendlindja e tij…Shpesh në dokumente të mesjetes gjejmë të shkruar; deti i Doklese ,ku në pergjithsi nenkuptohet  Liqeni i Shkodres ,e ndonjehere edhe një pjesë e detit Adriatik.   Edhe jabanxhinjet e zbritur së voni në Ballkan ,sllavet , kanë shkruar (dhe janë munduar ta bëjnë të tyre ketë qytet që “ende” rrezaton qytetrim e besim perendimore ),ndaj Bozhidar Vukoviqi duke shkruar per veten e tij..në vitin 1520 thotë se ; kishte lindur në Potgorice  afer qytetit të quajtur  Dioklitia  ,të cilin dikur e kishte themeluar Perandori Diokletian me emrin e vet. Malazezet i quajnë  edhe sot (behet fjalë per gjysmen e dytë të shek.XIX ,N.B.) germadhat Dukje, Dukla, dhe rrefejnë histori të ndryshme per ”Car Duklanin”… Në mesjetë u quajt krejt krahina  rreth  atij qyteti  Dioclea ,Dioklea ,serbisht  Dioklija ose Dioklitija…Edhe per një pasardhes mohamedan të dinastisë së mbrapme të maleve të Malit Zi ,( me  emrin) Skenderbeg Cernojeviqi ,shkruhej në vitin 1523 “Sanxhak i Malit  të Zi dhe zotni i gjithë vendit të Dioklitisë”..13.  Pak më siper  u cilsua emri i Potgorices , dhe per ketë  menduam të  paraqesim pak nga historia e ketij qyteti të vonë , nepermjet pershkrimit  të një studiuesi  francez të mesit të shekullit XIX ,ku ndër të tjera citojmë  : ”..Potgorica  u themelua në shekullin e XV me urdher të sulltan Mehmetit II , mbi rrenojat e Dioklesë së lashtë dhe jo larg vendndodhjes  së ketij qyteti , i cili ,sipas kolonel Kovaleskit  ,shtrihej në vendin ku sot gjendet Duklja (Dukla) ,një fshat i vogel në veriperendim të Potgorices , një orë (në kembë) larg saj. Ky udhetar  gjeti dy kolona që ende mbaheshin në kembë , porta me mbishkrime latine , dhe gjurmet e mureve të lashta  rrethuese..14.  Meqnse  një autor  që kemi cituar më lartë (Edvin Zhak),kur shkruan per familjen e perandorit Ilir Diokleciani ,e quan atë  familje dalmate ( ku sot mund të nenkuptohet kroate), “lindin” dyshime se ky perandor nuk ka qënë Ilire ,ndaj menduam ta qartesojmë ketë “moment”  duke cituar historianin romak (të shekullit parë mbas Krishtit) Apiani, i cili shkruante se ; romaket  nenkuptonin me emrin e perbashket të Ilirëve  jo vetem Dalmatet dhe fiset fqinjë ,por edhe Panonet ,Myzet ,dhe të gjithë popujt që gjendeshin në të djathtë të rrjedhes së poshtme të Danubit..15.  Pra siç shihet ketu konfirmohet edhe  shtrirja e madhe teritoriale e fiseve Ilire në atë kohë…  Duke vrejtur me kujdes çfarë cilsuam nga autoret e më siperm ,por edhe duke vlersuar gojdhenat e trashiguara per shekuj nga njeri brez në tjetrin , tek banoret autokton shqiptare të trojeve të Malesise Madhe Etnike e më gjërë , kuptohet “lehtë” se toponimi i qytetit apo  i krahines Ilire të Dukles “deri” tek Dioklea ,është thjeshtë një toponim autokton Iliro-Shqiptarë . Iliret por edhe pasardhesit e tyre shqiptaret emertimet e vendbanimeve gjithnjë i kanë lidhur me rrethanat në të cilat janë ndertuar e themeluar ; fshatrat ,qytezat ,qytetet , keshtjellat  e tjer si ; pozicioni i terrenit , fenomenet natyrore ,por edhe “emrat” e  prijesve  ose drejtuesve e fiseve.. Natyrisht  gjatë shekujve ka pasur ndryshime në shkronja (te toponimit) , por ato kanë ardhur jo vetem si rezultat i evolimit të gjuhes Ilire , por edhe  i implementimit të gjuhes latine (që imponoi pushtuesi romak)  e më vonë pushtues të tjer. Ndersa kalimi nga toponimi Dukla në “homonim” Dioklea ,nën influaencen e emrit të perandorit ilir  Diokleciani ,apo Diokletiani , që drejtoi perandorin romake  në vitet 284-305 (mbas Krishtit),është i aresyeshem ,duke pasur parasysh  edhe traditen historike të popullit tonë ndër shekuj.  Perandori  Diokleciani ,duke qënë bir i ketyre trojeve ilire nuk e ka harruar vendlindjen ,ndaj e ka rindertuar , zmadhuar e zbukuruar qytetin e Dukles.  Kjo gjë  ka bërë që qyteti të meritojnë edhe “emrin” (homonimin) e tij apo vijimin e trashigimise  së emrit të vendit ku ka lindur ai… Pavaresisht nga ndryshimi i ndonjë “tingulli” apo shkronje një e vertet është e pamohueshme , se e gjithë  trashigimia e shkruarar dhe ajo gojore është autoktone Ilire, pasi i perkiste fisit të njohur ilir të Diokleateve që kishin banuar keto troje të paret ,që në agimin e jetes.. Më siper ne cilsuam një  studiues vendas që e “spjegoi” prejadhjen e emrit  Dioklea me fjalet  tempulli i Zotit . Mendojmë se edhe ketë “toponim”  qyteti jonë historik e ka merituar plotesisht pasi  me Dioklen lidhet edhe emri i Shen Kajit (apo Gajit) , Papes shqiptare që  drejtoi selin shenjtë si zevendes i Shen Pjetrit  per 12 vite (17 dhjetor 283 deri sa nderroi jetë me 22 prill 296). Ky papë deri atehere ishte i dyti me origjinë shqiptare, pas Shen Eluterit nga Nikopoja (që kishte drejtuar selin e shenjet në vitet  175 –189).    Papa Shen Kaji ishte nipi i perandorit  Dioklecian ,që njihet në histori si persekutor i kristianeve. Është interesant se perkunder kesaj , gruaja e Dioklecianit, Priska dhe e bija Valeria , shkruhet se ishin të krishtera…Por duke mos mundur të qeveriste vetem , Diokleciani u rrethua nga njerzë (pagan ) që e detyruan të perndiqte të krishteret.16.  Dioklea perveçse qytet ka qënë edhe krahinë , per të cilen Shuflaj thotë se Krahina  Dukla  merr emrin e vet nga qyteti romak Doklea (Doclea). Nga pikpamja e vendit  ,kjo ishte e lidhur me krahinen Praevalis (Prevalia), që kishte themeluar mbreti Dioklecian …Në fillim të shekullit XI emrin e  Dukles e zë  Zeta …ndersa në dokumentet  latine gjendet Zenta ,Genta ,që ka rrjedhur prej lumit me te njejtin emer…kjo ishte krahinë e dyfisht ; Zeta e poshtme  dhe Zeta e Siperme…17.    Është me vlera të thuhet se emri i krahines dhe lumit  Zeta , nuk është asgjë tjeter veçse  një doformim i emrit Genta ,që rrjell nga emri i  mbretit ilir Gentit apo Gencit , i cili kishte qënë i fundit mbret i Ilirisë së pavarur,para pushtimit Romak në vitin 168 para Krishtit… Per emrin më të  vjeter të qytetit të lashtë Ilirë të  Diokles  që e “njohim” sot , ka disa mendime  , por  keto kanë të perbashket tre toponimet kryesore :  Dukla , Doklea e Dioklea ,per të cilat shkruam me siper.Per mendimin tonë toponimi  Dukla  është më i vjetri dhe më i qendrueshmi. Kjo bazohet jo vetem në spjegimin e ketij toponimi shqip (që rrjell nga folja Duket ,apo shihet..dhe lidhet me pozicionin e qytetit) ,por edhe me qendrueshmerin e ketij toponimi  deri në ditet e sotme  ,ku  shpesh ndër mote e shekuj ka dalur fitues me toponimet e tjera ,të cilat i cilesuam më siper…

Qyteti në  “Syrin” e Studiuesve..

Qyteti  Doklea ose Dioklea sipas etimologjisë  popullore që bazohet në formime gjuhsore të greqishtes  u braktis heret , me siguri  qysh në fillim të shek.VII. Ky është një nga qytetet romane më të njohura dhe ka terhequr vazhdimisht vemendjen  e dijetarëve .  Qysh në vitin 1614 e ka pershkruar patrici Marin Bolizza nga Kotorri , dhe në shekullin e XIX kanë bërë  ketu germime  sistematike francezet , ruset , anglezet dhe austriaket. Qyteti shtrihej mbi një rrafshnaltë  krejt të sheshtë ,të gjatë , që kishte formen e një gadishulli në rreze të kodrave  që dilnin nga Malesia Piperske -Stijene  pikrisht në atë vend  ku bashkohet Zeta me Moraçen. Keta lumenj e rrethonin  atë në jugperendim dhe në juglindje ,kurse në veri lagej prej perroit  të Shiralijas (Shiralija), i cili duke rrjedhur paralel me Moraçen, 600 metra para bashkimit  të lumenjeve ,derdhet në lumin e Zetes. Nga shkaku i ketij pozicioni të mirë ,pushtimi i qytetit  ishte shumë i veshtirë, shtretrit e lumenjeve që kanë trajten e një kanjoni formojnë hendek  natyral me faqe pingul ,madje  vende- vende të kapercyeshme. Pllaka e qytetit  vetem në lindje  është në lidhje me fushen tjeter neper një rrip tokë rreth 400 metra  të gjërë. Muri i qytetit  ,konstruksioni i të cilit tregon vetem një epoke ndertimi ,ka themele betoni dhe është goditur në skaj të shtreterve të lumenjëve. Per të mbuluar murin nga jashtë , janë perdorur gurë të medhenj kendrejt  jo të punuar mirë. Konstruksionet me tulla janë shumë të rralla në Dioclea. Tullat që janë perdorur tek bazilikatat e forumit  kanë të gjitha marken e fabrikes së njohur të Q. Clodius Ambrosius , por janë perdorur edhe tulla   nga qeramidhania  romane e  Spuzit (Shpuzes). Pjesa më e madhe  e  mbetjeve  dhe  e permendoreve epigrafike  është nga koha e perandoreve . Porta e Perendimit  si dhe Harku  i Triumfit që gjendet afer saj ,bulevardi i gjërë  me ndertesat madheshtore ,tempujt e shumtë me shkallë nën  hapsiren e qiellit ,të cilet gjenden  brenda hapsirave të rrethuara me mure ,forumi me shkollat ,eksedrat ose tavernat e tij , që sot  është një vend  germadhash madheshtore dhe që malazezet e quajnë Carski dvor  (Pallati i Perandorit) ,bazilika civile që është ruajtur shumë mirë me motive arkitekture ,të cilat më vonë u perdoren në menyrë të shkelqyer në peristilin e pallatit të Dioklecianit…dhe në fund  ndertesa e paraqitshme e  termave  ,stili i së ciles na kujton termat e ashtuquajtura të reja të  Pompeit , të gjitha keto deshmojnë jeten e thjeshtë romake  që ka jetuar ky qytet i lulezuar në kohen e  perandoreve. Rruga e madhe  ushtarake  Dyrrachium –Salona  nuk e prekte ketë qytet ; një rrugë e dores dytë  e lidhte qytetin afer Berziminium (Berzumno ,sot Potgorica ) me atë rrugë kryesore.  Nuk dimë sa i madh ka qënë qarku i qytetit . Në jug dhe në perendim gjendeshin nekropolet.  Me gjithë që qyteti  gjindej te gryka e dy lumenjve që kishin ujë të paster si kristali dhe megjithse  në afësi të tij  kishte edhe burime të mira , romanët  kishin marrë ujin e burimit të Cijevnas , që ishte shumë më  larg  dhe e kishin sjellë në qytet . Ujësjellësi sherbente  edhe per Berziminiumin ; ai perdorej edhe si urë per të kaluar Moraçen.  Doclea u organizua  si qytet “municipium” (bashki N.B.)…në kohen e Flaveve , ndoshta në kohen e sundimit të Vespasianit . Ketu takojmë sidomos shumë herë tribunë Quirina , i cili i perkiste  vetë perandoreve  të dinastise  Flave; familja më  me rendesi  ishte ajo e Flaveve, një dinasti e vertet  municipiale ; në e njohim shtepin e madhe të saj me instalimin  komplet të banjave  të saj…Pranë emrave fisnik .. si Bennius , Pletorius tek mbiemrat meriton të permendet veçanarisht  emri Pinnia , i cili pa dyshim ka lidhje me emrin Ilir të njohur  Pinnes..18.  Të gjitha  qytetet nga  Durresi deri në Gadishullin e Istries  shkojnë në mesjetë  me baza thjeshtë romane . Qofshin koloni (si Durresi ,Shkodra) ose si qytete  municipiale …si Doklea  në kohen  e  mevonshme ; pranë tyre ekziston një senat aristokratik …Qytetet e Shqiperisë së veriut në kohen e perandoreve  ishin unifikuar dhe ishin bërë  homogjene me qytetet  e tjera romane  që gjendeshin më në veri  ,jo vetem per sa i perket ndarjes provinciale  dhe kushtetutes antoniane ,por edhe persa i perket  formes e brendisë dhe kishin mardhenie shumë të ngushta me to. Ky është rasti i Duoverit  dhe i flamen divi Titi nga Doklea , M. Flavius Fronto, i cili në një  mbishkrim që ishte në murin e portes  perendimore të qytetit , por që sot nuk ekziston me permendjet si  sacerdos në kolonitë  Narona   dhe Epidaurum ,Douvir në  Julium Pisinum dhe pontifex në koloninë Scodra…19.  Studiuesit  dhe albanologut të  njohur Ippen i terheqin vemendjen  blloqe të medha  guri të gllendura në shtratin e lumit (Cem) ,që  ai i quan fillimi i një ujesjellesi  romak ,i cili sillte dikur  ujet e Cemit më shumë se tri ore larg prej ketej në qytetin Dioklea. Ajo më e çuditshmja e kesaj vepre  i duket ketij studiuesi  se Dioklea  ndodhej në një bigëzim të dy lumenjëve (Zetes e Moraçes) që kishin ujë të perhershem… ,por me sa duket  uji i Cemit ishte më i shkelqyeri..20.  Ky studiues ka qënë edhe konsulli i pergjithshem i Austro-Hungarise në Shkoder në vitet 1897-1904… Në historinë e Dioklesë perveç  veprave ndertimore një vend të rendesishem zënë edhe trashigimit e dokumentuara “shkresore”. Një ndër keto trashigimi me vlera është “Kronika e Dioklesë”, që i perket fillimit të shekullit XI.. Duke qënë se kjo kronikë tregon edhe per disa momente të rendesishme të historisë së trojeve Shqiptare nën Bizantin , si dhe bashkepunimin e shqiptareve me fqinjet në luftë kunder kesaj perandorie , ne po e paraqesin ketë kronikë ashtu siç e shkruan autori i “historisë më të vjeter të Shqiperisë (Faveirial), nga e cila lexojmë : Me 22 maj 1015 ,në afersi të Elbasanit ,Vladimiri ,duka i Trimalies (tri maleve) u therë  nga vrasesit e paguar të Gjon Vladislavit. Kronika e  Dioklesë  na bënë  të ditur se mbi varrin e tij ndodhnin  mjaftë  mrekulli. Kadreni nga ana e tij e cilson si princ të drejt ,paqesor  dhe të virtytshem ,dhe e quan Trimalie  vendin ku mbreteroi  ky princ…Sipas asaj që thotë Kadreni dhe kronika e Dioklesë ,gjykohet se shtetet e Vladimirit  shtriheshin nga Durresi deri në Raguza. Me që Vladimiri nuk la femijë , xhaxhai i tij Draguimir i zbrapsi Greket  që shkuan nga Durresi në Shkoder. Por në vend që të luftonte me forca të barabarta, Bazili kerkoi ndihmen e vrasësve ,dhe Draguimiri u vra nga thika  e një vrasesi të paguar në një kishë  të kushtuar Shen Gjergjit ,pranë Kotorrit. Autoret  grekë nuk flasin per ketë vrasje ,por kronika e Dioklesë i akuzon pikrisht ata , dhe per të thënë të verteten ,perandori grek  ishte pjesmarres  në ketë goditje. Tashma ai kishte vrarë  me 1018 ,Ibacin me anë të Eustatit ,qeveritarit të Ohrit . Dy vjet me pas ai vret princin e Serbisë me anë të Diogjen Sermit . Nga ana tjeter ,deshmi e pakundershtueshme se perandori grek kishte vrarë Draguimirin ishte se ,menjeherë pas vdekjes së tij ,ai pushtoi ushtarakisht  principata të ndryshme ose Zhupani ,të cilat perbenin shtetet  e princit shqiptarë , dhe se të birin e tij Dobroslavin e dergoi në Kostandinopojë. Më vonë duke mesuar së një levizje e madhe po ziente brenda shteteve të tij aterore , dhe se per të masakruar greket kudo që ishin duhej veçse një prijes , Dobroslavi shpeton nga duart e tyre. Ai pritet si çlirimtarë nga Diokleasit ,Dalmatet dhe Serbet (ne vitin 1039). Ai grumbulloi trupa dhe i shtypi njera pas tjetres ushtritë që Bizanti i kundervuri atij…Ateherë Bizanti dergon një ushtri edhe më të madhe.  Ajo perbehej nga 60 mijë burra .Por në një betejë të vetme ,Dobroslavi i vrau 40 mijë trupa ,bashkë me ta edhe shtatë gjeneral (v.1043). Kjo betejë  e fundit e çliroi tërsisht vendin prej grekeve. Dobroslavi kthehet ateherë ndaj banëve apo qeveritareve të Rashes (Novi Pazarit), të Bosnjes  dhe të Zaklominit (Hercegovina), të cilet  kishin marrë anen e Grekeve. Pak kohë i mjaftoi atij per ti  shtypur të gjithë , dhe per ti debuar nga vendi. Duke parë me pas se po vdiste ,ai  ia jep principaten e Shkodres ose të Dioklese ,Radoslavit ,njerit  prej bijëve të tij (në vitin 1047)…21.  

GOJDHENA PER NDERTIMIN E  DUKLES

Si per shumicen e qyteteve  apo kalave  të ndertuara në lashtesi  (në trojet shqiptare ,por edhe ato europiane ) rrefehen  gojdhena e legjenda që “tregojnë” se ; per ndertimin e tyre janë sakrifikuar kurbane njerzore ,madje shpesh keto kurbane  kanë qënë brenda një familje dhe një gjaku. Siç dihet ky rit pagan  ekziston edhe sot , por fatesisht kurbanet konsistojne me  kafshë ose shpend..  Edhe në trojet tona (Malesi e Madhe) kur futen themelet per të ndertuar një shtepi të re apo ndertes tjeter , pritet  një kurban (kafshë apo shpend) duke i derdhur gjakun në keto themele. Edhe per qytetin  e lashtë të Dukles ka disa gojdhena , por ne  menduam të zgjedhim dy më të  “spikaturat”.. E “para” është gojdhena që  tregon per dy vellezer me emrat Dokla dhe Luci ,të cilet thuhet se u angazhuan të ndertojnë rrethimin e qytetit me mur guri , dhe  kanalin e ujesjellesit nga Cemi në Dukel.. Gojdhena  bënë fjalë per një  “incest” (flligeshti në gjakë) ,pasi të dy vellezerit  ishin dashuruar me motern e tyre dhe kerkonin secili per vehte të martohej  me motren Sofi.  Angazhimi në punet e mesiperme të dy vellezreve kishte ardhur si rezultat i konkurences  të vërë si kusht nga  motra , ku ai vella që do të kryente i pari punen do ta pranonte per burrë të saj.. Luci (vellai i vogel) e kishte kryer i pari punen, por Dokla nga smira e vret të vëllan duke e gjuajtur me gurë .Edhe sot tek banoret vendas trashigohet “opinioni” se ky vend që nga ajo kohë  është i mallkuar..Ndersa kur në fushë gjindet ndonje gurë  i madh thuhet se janë guret e Dokles apo Duklanit me të cilet ka vrarë të vëllan , Lucin.. Sipas  gojedhenes “fituesi” Dokla  ,qytetit i vuri “emrin” e tij..22.    Gjithesesi duke studiuar me kujdes traditen historike  të banoreve autokton ilirë , dhe pasardhesve të  sotem shqiptarë të Malesisë  Madhe ,kjo gojedhenë  me ketë felligeshti të pa imagjinueshme të vëllaut me motren është e pa besueshme… Gojdhena e dytë mendojmë se ështeë më e besueshme dhe më shqiptare  , ndaj  ne  po “riprodhojmë” atë çfarë kemi mundur të  mbledhim e “ndertojmë” nga  kjo gojedhenë e cila tregon se : “..Një familje e fuqishme  dhe e njohur e fisit të Diokleateve ilirë (me “mbiemrin”Dokla), kishte qënë inisiatorja dhe kontribuesja më e madhe per ndertimin e qytezes që do të merrte emrin e fisit (Ilir) të Diokleateve. Trashigimtaret e kesaj familje  njiheshin  edhe si kujdestarë të mirmbajtjes të qytezes apo qytetit. Ndër mote e dekada vijojë keshtu deri sa një ditë ,kjo familje kishte shkelur “betimin”(por pa treguar se çfarë ishte ky betim) ,dhe per ketë ishte “ndeshkuar” nga zotat (thuhet keshtu pasi bëhët fjalë per kohen pagane që besohej në shumë perendi).. Një natë  zanat  kishin arritur të terheqnin në pyllin e një mali aty afer tre femijet e kesaj familje , të cilet kishin emrat ; Duka , Luka dhe motra e tyre Leta . Zanat ja kthyen  familjes tre femijet ,pas disa diteve që konsideroheshin të humbur.   Familja pas kesaj ju kthye normalitetit. Femijet u rriten dhe prinderit vdiqen. Duka , Luka dhe motra e tyre Leta (ndonjehere thuhet edhe Lena) ,benin një jetë  disi të respektuar nga banoret e qytezes e më gjërë . Kjo vijojë deri ateherë kur  ketë familje e vizitojnë perseri zanat e “malit” të cilat per disa orë e marrin  me vehte Leten, e cila pasi  kthehet në shtepi ,dy  vellezerve  u dukej shumë më e bukur dhe e hijeshme se më parë ,dhe filluan të ndiejnë dashuri tunduese  ndaj motres .Ketë dashuri të pazakontë  vellezerit nuk e mbajten gjatë të fshehur  ,por filluan ta shfaqin me një paturpesi të pa parë deri ateherë. Pleq të urtë të qytezez u thonin vellezerve se kjo është flligeshti e rendë  që  e mallkojnë zotat , ose është një sprovë nga e cila  duhet të ruheni se  kjo nuk është motra juaj ,por  një zanë mali që ka zevensdesuar motren tuaj. Vellezerit Duka e Luka nuk ju a vunë veshin ketyre keshillave ,por filluan të zihen me njeri tjetrin  se kush do të merrte per grua Leten , e cila si në gojdhenen tjeter u cakton punen (njerit rrethimin e qytetit dhe tjetrit ndertimin e kanalit të ujesjellesit), ku ai që do ta kryente më parë do të bëhej burri i saj. Luka e kreu i pari punen , por nga xhelozia e smira gjeti vdekjen nga vellai i madh Duka ,që e mbyti me gurë , taman si në mitologji…Duka  jetojë edhe per shumë vite ,por nuk la asnjë trashigimtarë ,veçse një mbrapeshti apo mallkim që nuk do ti  largohej kurrë qytezes apo qytetit të Dukles… Sipas kesaj gojëdhëne edhe emri (i qytezes) Dukla ka lidhje edhe me emrin e “Kainit”shqiptare  Duka … Gjithsesi gojdhenat janë gojedhena ,dhe realiteti që na ka mbetur nga ky qytetrim mbi dymije e treqind – vjeçarë – iliro-shqiptarë , janë veçse  “germadhat” që  shohim aktualisht , por edhe keto nëse nuk “bëjmë” diçka të pakten per ti memorizuar sot , nuk do të kemi çfarë të shohim mot,  ne , dhe as brezat që do të vijnë…e ateherë  edhe autoktonin e qytetrimit në keto troje shqiptarie  do ta  marrin  zanat , por mjerisht ato të lindjes…

Referencat:

1,Xhuzepe  Xhelçik ,Zeta dhe Dinastia e Balshajve , fq.366.

2.Milan Shuflaj ,Serbet dhe Shqiptaret ,fq.15. 

3.Ilirët dhe Iliria  te autorët antikë , fq.267, Akademia e shkencave të Shqiperisë , Instituti i Arkeologjisë , perg. nga Selim Islami ,Frano Prendi ,Hasan  Ceka , Skender Anamali. 

4.Preloc Margilaj ; Iliret kanë  folur shqip , shqiptaret flasin ilirisht ,fq.62. 

5.Dr.Konstantin Jirecek ,[Shkodra e krahina e saj ne mesjet] Vezhgime Iliro-shqiptare,fq.109. 

6.Konastantin Jirecek ,po aty fq.111.

7.Hyacinthe  Hecquard ,Historia dhe pershkrimi i Shqiperisë së Eperme ose i Gegerisë, fq.51 + fq.420. 

8.Hyacinthe  Hecquard , po aty, fq.413. 

9.Dr. Milan fon Shuflaj ,Situata të Kishës  në Shqiperinë paraturke ,fq.32 , botime Franceskane , Shkoder 2013. Perkthyer dhe perg. per botim Dr. phil. MA Edmond Malaj. 

10.Preloc  Margilaj ; Iliret kanë folur shqip ,shqiptaret flasin ilirisht, fq.62-63. 

11.Milan Shuflaj; Serbet dhe Shqiptaret ,fq.37. 

12.Edwin Jacques , Shqiptaret…fq.151. 

13.Dr. Kostantin Jireçek ,po aty ,fq.111. 

14.Hyacinthe   Hecquard , po aty fq.88. 

15.Zhan Klod Faveirial , Historia me e vjeter e Shqiperis ,fq.83,86. 

16.Zhan Klod  Faveirial ,po aty ,fq.90.  

17.Milan Shuflaj ,Serbet dhe shqiptaret ,fq.111. 

18.Milan Shuflaj ,Qytetet dhe keshtjellat e Shqiperisë ,kryesisht në mesjetë,fq.30-31.   

19.Milan Shuflaj ,veper e cituar ,fq.32. 

20.Theodor Ippen ,Shqiperia  e  Vjeter ,fq.24. 

21.Zhan Klod Favierial, po aty, fq.154-155. 

22.Kjo gojedhene është mbledhur nga studiuesi Gjon Toma Berishaj ,ndaj me hollesisht  shih “Deciqi – krenaria e  Malesise” ,fq.18-20.

Filed Under: Histori Tagged With: DIOKLEA, Ndue Bacaj

Një shtet i huaj nuk mundet të vendosë fatin e Partisë Demokratike

September 26, 2021 by s p

Nga Agustin Mirakaj*

*Ky shkrim është një qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson qendrimin dhe opinionin zyrtar të Federatës Vatra.

Bërthama e Partisë Demokratike është e përbërë nga interesaxhinj dhe jo idealistë. 330 humbës mbajnë peng Partine Demokratike dhe i qëndrojnë pranë humbësit në vazhdimësi për interesa personale. Lideri që unë dhe Ju mbështetëm ka shkatërruar frymën e lirisë. Ka shkundur Partinë Demokratike, partinë që i hapi sytë dhe zemrat shqiptarëve pas një makthi 50 vjeçar komunist.Lideri i partisë duhet të ketë shtyllë kurrizore e në këtë rast, liderit të PD-së i mungon. Nëse lideri i PD do të kujdesej vërtetë për Shqipërinë, ai do të hapte rrugën për dikë me më shumë aftësi, për të sjellë ndryshimin në vend e mos ta mbante partinë peng për vite e vite me radhë. Ai vendos dhe vepron si diktator në partin tonë, pa u menduar 2 herë.Harron se aleati strategjik për momentin është vetëm sipërfaqësor dhe tmerrsisht shkatërrues. Frika nga gjykimi i të huajve (komunist) nuk i lejon Partisë Demokratike të mendojë për të ardhmen por vetëm besimi dhe mbështetja juaj mund të ndriçojë rrugën e të cilës Partia Demokratike do të udhëtojë për ta bërë Shqipërinë perëndimore.Sot Shqipëria nuk do të ishte në hartë nëse nuk do të ishte për punën e palodhur të patriotëve që e kanë dashur kaq shumë Shqipërinë. Ata gjithmonë kanë punuar me të huajt për ta ndërtuar Shqipërinë dhe jo për ta shkatërruar atë.Tashmë dukshëm Partia Demokratike është bërë vegël e të huajve. Ku me forcë, pa të drejtë, kërkojnë heqjen e simbolit të demokracisë duke shantazhuar vetëm një njeri, kryetarin, njeriun që ne së bashku e besuam se do ishte i pathyeshem nga cilido, entitet i brendshëm apo i jashtëm. Kryetari i Partisë Demokratike duhet të jetë shpresë dhe jo fatkeqësi e një kombi.Vlerat e Partisë po rezikohen nga e majta radikale, nga të huajt të cilët kërcënojnë këdo për të shkatërruar LIRINË. Lirinë tonë që e fituam me shumë përpjekje nga komunistët, vite më parë. Ata duan të heshtin zërin tonë, të shkatërrojnë Zërin e lirisë dhe Demokracisë në Shqipëri.Komunistët gjithmonë kanë përdorur armën e përçarjes midis nesh. Këtë bën e keqja, këtë do e keqja; që ne Shqiptarët të mos jemi asnjëherë të bashkuar. Bëhuni të fortë ndaj së keqes dhe reagoni tani për të ardhmen e vendit tonë, për Shqipërinë e së ardhmes.Në demokraci askush nuk mund të jetë mbi votën. Uniteti ynë është mjeti i vetëm për të sjellë uraganin e fitores ndaj mafjes së kuqe dhe atyre që mundohen të shkatërrojnë egzistencën e lirisë në Shqipëri.NEW YORK – USA26 Shtator 2021

Filed Under: Analiza Tagged With: Agustin Mirakaj

Kuvendi i Parë Ndërkombëtar mbi Arbëreshët

September 26, 2021 by s p

Flet Drejtoresha Ekzekutive prof Diana Kastrati.

Nesër në Tiranë çel punimet Kuvendi i Parë Ndërkombëtar mbi Arbëreshët me temë “Gjendja aktuale e studimeve mbi Arbëreshët”. Kuvendi do të shtrihet në dy ditë të plota pune 27-29 shtator 2021 pranë Muzeut Historik dhe, paraditen e dt.29 do të ketë një konferencë shtypi në mjediset tona të QSPA-së mbi përfundimet e Kuvendit. Të ftuarit kumtues janë emra të spikatur të botës akademike brenda e jashtë Shqipërisë si Italo Sarro, mikja e gjithë shqiptarëve, studiuesja e mirënjohur veneciane Lucia Nadin, profesoreshë Eda Dërhemi nga SHBA, profesor Dhori Qiriazin nga Greqia etj. Por ky Kuvend synon t’u lërë skenën edhe protagonistëve që mbajnë gjallë jetën kulturore të komuniteteve arbëreshe në Itali si Papas Antonio Bellusci-t, Agostino Giordano-s, presidentit të Federatës së shoqatave arbëreshe Damiano Guagliardi etj. Kuvendi, përmes referimeve e diskutimeve, do të nxjerrë në pah gjendjen aktuale të studimeve të kryera ndër kohëra, në gamën që ngërthejnë lëmi, të tilla si: gjuhësia, letërsia, historia, antropologjia, publicistika dhe kultura në përgjithësi. Këto referime pritet të kontribuojnë për të dritësuar fushat dhe aspektet e pastudiuara deri më tani, si dhe të shtrojë çështje për zgjidhje për të ardhmen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe. Kjo nisëm akademike është ndërmarrë nga Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët (me akronimin QSPA), e cila drejtohet nga prof. Diana Kastrati dhe përbëhet nga 8 studues dhe 4 punonjës të administratës. Që prej fillimit të vitit të shkuar ky institucion i ngritur me qëllim realizimin e studimeve të thelluara, në shërbim të ruatjes dhe promovimit të gjithës dhe kulturës së komunitetit arbëresh në Itali dhe Zarë të Kroacisë, ka zhvilluar aktivitete intensive në këto aspekte. Brenda vitit të parë të punës së Qendrës janë përgatitur për shtyp dhe botuar katër libra studimore, prej të cilëve njëri është pjesë e kolanës Thessaurus, përkatësisht: “Jeronim De Rada, Vepra historiko-filologjike”. Kuruar nga Prof. Jup Kastrati (in memoriam), “Santori–Poet dhe Dramaturg”, Prof. Klara Kodra, “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe, (50 kartolina gjigante arbërore në tokën italiane)”, Antonio Bellusci, Ornela Radovicka, si dhe punimi i studiuese së QSPA-së Dr. Silvana Ninit, me temë: “Një rrugëtim etnografik mbi veshjet e arbëreshëve të Italisë së Jugut”. Gjithashtu, sapo ka dalë nga shtypi edhe numri i parë i revistës shkencore të QSPA, me titull “Continuum”, revistë e cila ka angazhuar studiues nga brenda dhe jashtë Shqipërisë me trajtesa shkencore dhe pjesëmarrje në debatin mbi rrezikun e shuarjes së gjuhës tek arbëreshët. Ndërkaq edhe pse brenda një harku të shkurtër kohor, stafi i QSPA po angazhohet për realizimin e gjashtë botimeve të tjera shkencore brenda vitit 2021, ndërsa përsa i përket kërkimit shkencor mbas punimeve të Kuvendit janë planifikuar të realizohen edhe dy konferenca të tjera: në muajin nëntor, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve albanologjike, do të mbahet konferenca “Shteti shqiptar dhe Arbëreshët (rasti i arbëreshëve të Italisë dhe arbneshëve të Zarës në Kroaci”. Aktiviteti i tretë ka sërish përmasa ndërkombëtare dhe është hera e parë që në Shqipëri realizohet një konferencë e kësaj natyre. Në dhjetor të këtij viti, në bashkëpunim me FEL (Fondation for Endangerd Languages) me seli në SHBA, (Federata e gjuhëve në rrezik), do të mbahet Konferenca Ndërkombëtare “Gjuhët e Rrezikuara dhe Diaspora”, në kuadër të së cilës do të vijnë për të kumtuar në Tiranë studies nga e gjithë bota.Risitë e Kuvendit diturak – studimorMiratimi i ngritjes së Qendrës së Studimeve dhe Botimeve për Arbëreshët (QSPA) nga qeveria shqiptare, u bë në 2019, kurse konkretizimi i fillimit të punës në janar të 2020.Personalisht jam thirrur për të marrë përsipër ngritjen e saj, në 25 dhjetor të 2020. Kam filluar punën si Drejtore ekezekutive më 10 janar të 2021, akoma pa një staf përreth. Duke i mbetur objektivitetit, më duhet të theksoj se ishte një përgjegjësi shumë e madhe jo vetëm në nivel personal, por edhe për studiuesit e rinj të përzgjedhur që panuan të bëhen protagonistë e dëshmitarë të historisë së fillimit e formëzimit të një institucioni të tillë me rëndësi parësore kombëtare. Stafi ka filluar punën më 11 mars të 2020, e një ditë më pas filloi edhe izolimi për shkak të pandemisë. Gjithsesi, vizioni, platforma e objektivave, detyrave dhe punëve për t’u kryer brenda vitit 2020, kanë qenë të qartë që më 11 mars. Ndër këto veprimtari, krahas ngritjes së rrethit të bashkëpunëtorëve të jashtëm të cilët ishin studiues me emër në këto lëmi studimi e kërkimi, nisjes së punës për botimin e librave, strukturimit të Revistës studimore të Qendrës, ishte edhe organizimi i një Kuvendi diturak – studimor që, siç e sqaroni edhe ju, ishte parashikuar të mbahej në shtatorin e kaluar. Pas një pune të pafund të të gjithë stafit për ideimin e tij, mbledhjen e thirrjen e studiuesve me emër në nivel kombëtar e ndërkombëtar, e të tjera yçkla të pafundme që lindnin rrugës për një sipërmarrje të këtyre përmasave, aktiviteti u shty, me shpresën e përmirësimit të gjendjes në nëntor. Pjesën tjetër e dimë të gjithë si rrodhi. Ndaj kësaj here, si riorganizimi, ashtu edhe konkretizimi i saj për ne të Qendrës merr dyfish rëndësi e përgjegjësi. Tema e Kuvendit përligj edhe përpjekjen tonë për të evidentuar situatën aktuale të studimeve për arbëreshët, një hap i domosdoshëm për ne për të kuptuar realisht në ç’stad ndodhen këto studime, por, po aq, për të orientuar dhe kristalizuar edhe rrugën tonë kryesore të kërkimit shkencor. Një pjesë e të ftuarve që do të kumtojnë në këtë Kuvend kanë qenë edhe në organizimin e vitit të kaluar, si prof.Klara Kodra, prof.Ymer Ciraku, prof. Emil Lafe, prof. Italo Sarro, prof. Lucia Nadin, papas Antonio Bellusci, z. Agostino Giordano, të tjerë janë shtuar, kurse disa syresh që kishin shprehur miratimin dhe aderimin për të qenë kumtues në vitin e kaluar, sivjet, disa prej tyre si për shkak të moshës, po aq të frikës së përligjur nga pandemia, apo për shkak të impenjimeve të tjera të marra ndërkohë, nuk do të jenë, si p.sh prof. Rexhep Qosja (i cili ka qenë ndër të parët që ka dhënë miratimin entuziast për pjesëmarrje me kumtim), prof. Sabri Hamiti, prof. Gjovalin Shkurtaj etj. Do të jenë dy ditë të ngjeshura pune, nga mëngjesi deri në darkë. Ndërsa dita e tretë parashikon një konferencë shtypi brenda mjediseve të punës të QSPA-së ku, 4 a 5 studiues pjesëmarrës në Kuvend, do t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të kulturës mbi të ardhmen e çështjeve më të nxehta të studimeve arbëreshe.Letërsia e kultura arbëreshe në territorin shqiptar e jashtë tijDo të flitet e debatohet mbi çështje të tilla si: studimet retrospektive arbëreshe; mbi dokumentimin e ripërpunimin e miteve të krijuara mbi lëvizjet e para të arbëreshëve në tokën italiane; mbi autorë të spikatur të kulturës së shkruar arbëreshe të së kaluarës, por po aq edhe të ardhmes; mbi domosdoshmërinë e përhapjes dhe shtrirjes së letërsisë e kulturës arbëreshe në territorin shqiptar e jashtë tij; mbi vëzhgimet e fenomeneve gjuhësore të arbërishtes e të dallimeve apo të përbashkëtave midis elementëve gjuhësorë të arbërishtes së dikurshme e të sotme; mbi përkthimin e disa veprave të autorëve arbëreshë; mbi përkthimin e liturgjisë ortodokse; por edhe mbi debatin shumë sensitiv të kohëve të sotme moderne, atij mbi rrezikimin eventual të gjuhës arbëreshe si dhe të mënyrave të matjes së këtij rrezikimi; të krizës identitare e gjuhësore të arbëreshëve të Kalabrisë dhe planit për të ecur në të ardhmen; të trashëgimisë kulturore të ruajtur tek Arvanitasit në Elladhë etj. Kërkime, studime dhe botime mbi botën arbëresheMë lejoni të bëj një parashtesë të domosdoshme sipas meje dhe që, e kam përsëritur sa e sa herë mediatikisht: vëmendja e studiuesve shqiptarë ndaj botës arbëreshe, ka qenë gjithmonë cilësore. Studimet e tyre kanë përbërë dhe përbëjnë bazën mbi të cilën ngrihet edhe puna e Qendrës. Kërkime, studime dhe botime mbi botën arbëreshe janë bërë edhe vazhdojnë të bëhen edhe në këto kohë. Në gjykimin tim, nuk mungon interesi, përkundrazi, por mbase ka munguar strategjia e koordinimit të gjithë kësaj pune e bërë kryesisht në bazë të një vullneti individual. Kjo përsa u përket botimeve. Ndërsa nëse flasim për organizime të kësaj fare siç është edhe Kuvendi i fund shtatorit me fokus ekskluziv arbëreshët, i ideuar dhe organizuar tërësisht nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, këto mbase kanë qenë të nevojshme të ishin zhvilluar përgjatë këtyre viteve. E këtu vijmë edhe tek rëndësia që ka kjo Qendër e cila duke qenë përfaqësuese e strategjisë së shtetit shqiptar ndaj çështjes arbëreshe, është ngritur me këtë qëllim e funksion themelor: përbashkimin brenda dhe jashtë Shqipërisë të forcave intelektuale që merren me studimin e universit arbëresh, bazuar në parimin e respektimit të lirisë dhe mëvetësisë akademike, por të mbështetur në një vizion afatgjatë që synon jo vetëm rijetëzimin e mbajtjen gjallë të trashëgimisë kulturore të shkruar e jo, por edhe krijimin e instrumenteve të duhur që garantojnë jo vetëm memorizimin e kësaj historie retrospektive arbëreshe, por edhe asaj të ardhme. Gjuhët e rrezikuara nga zhdukjaPikërisht në funksion të këtij qëllimi që sapo shprehët ju, do të shërbejnë këto dy ditë. Por, jam e kënaqur t’ju them paraprakisht se nuk do të jetë vetëm ky Kuvend që do të bëjë të mundur pasurimin e strategjisë sonë të skicuar tashmë; në nëntorin e këtij viti, do të jetë një tjetër aktivitet i kësaj natyre, i organizuar në bashkëpunim me Institutin e Historisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike, që do të merret eksluzivisht me panoramën e strategjive të shtetit shqiptar ndaj çështjes arbëreshe që nga lindja e tij deri më sot; ndërsa në mes të dhjetorit do të kemi një veprimtari ndërkombëtare me pjesëmarrjen e linguistëve dhe sociolinguistëve nga të gjitha kontinentet, në bashkëpunim me Federatën e Gjuhëve në Rrezik (FEL) me seli në SHBA ku kjo e fundit do të festojë 25 vjetorin e krijimit të saj pikërisht në Tiranë. Ftesa që na erdhi nga FEL për të mbajtur konferencën e tyre të radhës në bashkëpunim me Qendrën tonë këtu në Tiranë, ishte privilegj, nderim e përgjegjësi e madhe për ne. Midis debateve e diskutimeve mbi gjuhët e tjera të globit që janë rrezikuara nga zhdukja, do të ketë një sesion të veçantë kushtuar arbërishtes. Ky i gjuhëve të rrezikuara nga zhdukja, është edhe një nga debatet më të nxehta akademike aktualisht në nivel ndërkombëtar. Do të jenë rezultatet e këtyre tri aktiviteteve të rëndësishme studimore që do të përbëjnë edhe bazën prej ku do të ngrihet edhe strategjia e ardhshme e punës së Qendrës së Studimeve për Arbëreshët. Federata e Shoqatave Arbëreshe në Kalabri (FAA)Kjo pyetje përbën edhe thelbin e ndryshimit të institucionit tonë me ato simotra studimore në Shqipëri. Po shpjegohem më qartë: rrugëtimi kronologjik i studimeve mbi Arbëreshët në Shqipëri në bashkëpunim me Arbëreshët e Italisë në veçanti, si çdo fenomen tjetër që varet nga faktorë politikë më së pari, por edhe strategjikë kulturorë, ka njohur periudha lulëzimi, nëse mund të shprehemi kështu, po aq sa edhe një kurbë në zbritje. Nëse realisht ne duam ta bëjmë pjesë të qenësishme e të natyrshme tonën këtë trung shqiptar të mbetur jashtë kufijve, nëse vërtet jemi aq të ndërgjegjshëm sa të kuptojmë se fati na ka “përkëdhelur” duke na e sjellë akoma këtë “xhevahir” antropologjik të ruajtur fuqishëm pas thuajse gjashtë shekujsh, nëpërmjet e falë një “kryeneçësie” të paprecedentë të kësaj popullate për të qenë “Arbëreshë” në gjuhë, doke, zakone, veshje e kulinari, ose është ky momenti vendimtar i ndërveprimit, ose (pa bërë Kasandrën), vështirë se do të ketë një të dytë. Duke i mbetur besnikë këtij arsyetimi logjik do të thosha, ne kemi ngritur tashmë e po vazhdojmë të ngrejmë urat konkrete të bashkëpunimit. Ky i fundit parasheh përfshirjen, jo thjesht të studiuesve, por të të gjithë aktorëve kryesorë; duke filluar nga Federata e Shoqatave Arbëreshe në Kalabri (FAA) me të cilët kemi nënshkruar një protokoll marrëveshjeje, e duke vazhduar me aktorët politikë si me Kryetarët e Komunave, Presidentët e Krahinave; duke vazhduar me aktorët e jetës së përditshme kulturore arbëreshe. I gjithë ky mozaik i pasur njerëzor, përbën bazamentin tonë të ndërveprimit. Muzeu i përhershëm mbi ArbëreshëtNë këtë kuadër, futet më së pari hartimi i Fjalorit Enciklopedik të Arbëreshëve, një projekt afatgjatë që lips bashkërendimin dhe bashkëpunimin e të gjitha forcave akademike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një projekt tjetër ambicioz i QSPA-së është edhe ai i ngritjes së Shtëpisë së Arbëreshëve, apo Vatrës së Arbëreshëve në Tiranë, një qendër multifunksionale që do të bëjë të mundur jo thjesht konservimin, por edhe ridimensionimin ndërveprues të Arbëreshëve me vendin amë. Kjo Shtëpi do të strukturohet në tri hapësira: në bibliotekë të hapur e në shërbim të publikut, ku synimi kryesor është ai i shndërrimit të kësaj biblioteke në një vend të frekuentuar nga studiuesit, por edhe nga studentët e drejtimit të Gjuhës dhe letërsisë shqipe për të realizuar tema diplome dhe doktorature me tema mbi Arbëreshët. Hapësira e dytë do të shërbejë si Arkiv, ku materialet që do të vijnë nga miqtë tanë përtej detit, do të depozitohen aty në bazë të rregullave të njohura të mirëmbajtjes së dokumenteve e dorëshkrimeve. Më lejoni t’ju them se që tani janë gati një sasi e mirë dokumentacioni të ndryshëm që do të bëhen pjesë e kësaj Shtëpie. Hapësira e tretë do të shërbejë për ngritjen e një Muzeu të përhershëm mbi Arbëreshët, e cila do të përmbajë brenda edhe një hapësirë për ekspozita të përkohshme pikture, skulpture apo fotografike, apo edhe librash, me pjesëmarrjen e artistëve e krijuesve arbëreshë e shqiptarë. Vetëm në këtë mënyrë, mund të shndërrohemi përfundimisht pjesë e një “trupi” të vetëm. E, për ta mbyllur, më lejoni ta sendërtoj idenë time të fundit me vargjet kumtplote e emocionuese të poetit tonë Mjeda: “Por gazmo ndër gjith kto t’vshtira Përse ende s’sharrove kret; Diçka ‘mbet ndër ato t’mira Mbas dymij e ma shum vjet. T’ka mbet gjuha që po ndihet N’fush e mal qi ti zotnon; Gjith ku hija jote shtrihet, Ku shqiptari zan’ e lshon!” (Dielli)

Filed Under: Politike Tagged With: Diana Kastrati, Kuvendi i Parë Ndërkombëtar mbi Arbëreshët

AT GJERGJ FISHTA DHE AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË – NJË HAP PËRPARA, DY MBRAPA

September 26, 2021 by s p

                          

Frank Shkreli

See the source imageKa disa vite që me penën time të pavarur e tepër modeste – pa pasur nevojë t’i them kujt tungjatjeta do të thoshte Fishta — kam bërë thirrje dhe kam kërkuar rivlersimin e veprës, jetës dhe të figurës së madhe të At Gjergj Fishtës nga entet zyrtare të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, me besimin se pa vlerat e At Gjergj Fishtës, po varfërohet kultura dhe po de-shqiptarizohen trojet shqiptare.  Fatkeqsisht, gjatë 30-viteve të tranzicionit të ashtuquajtur “post-komunist” në Shqipëri – ndonëse librat e At Gjergj Fishtës botohen dhe mund të blihen dhe të lexohen nga kushdo që dëshiron, një përmirsim nga ç’ndodhte në regjimin komunist kur veprat e tija ishin rreptësisht të ndaluara – këto tre dekadat e fundit, trajtimi zyrtar nga nivelet më të larta qeveritaro-shtetërore dhe akademike, s’ishte gjë tjetër veçse një vazhdim i trajtimit të egër anti-kombëtar ndaj Poetit të Madh të Kombit, nga ana e ish-regjimit komunist të Enver Hoxhës, i dënuar, i dëbuar dhe i përjashtuar, ç’prej vitit 1940 kur edhe ndërroi jetë Gjergj Fishta.  

Por ja, thonë se shpresa vdes e fundit dhe në këtë moment të fundit, pas 3 dekadave “post-komunizëm”, më në fund, me kënaqësinë më të madhe mësova për mbajtjen e një konference në Tiranë, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), kushtuar 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. A mund të jetë ky fillimi i një rehabilitimi zyrtar i kësaj figure të madhe të Kombit, një hap i parë i rivlerësimit të veprave dhe kontributit të tij — të përjashtuar dhe të harruar — në shumë fusha të kulturës dhe historisë kombëtare. Mbetet për tu parë, por me thënë të drejtën u emocionova prej gëzimit duke mos u besuar syve ndërsa lexova çdo fjalë e fjali nga njoftimi dhe nga përmbledhjet e kumtesave që u mbajtën me këtë rast, të botuara në faqën e internetit të (ASHSH), përfshir fjalën e Kryetarit të Akademisë, Z. Skender Gjinushit dhe ekspertëve të tjerë pjesëmarrës kushtuar Fishtës dhe veprave të tija, në këtë 150-vjetor të lindjes.

Megjithë vonesën e pajustifikuar prej tre dekadash “pluralizëm” (por më mirë vonë se kurrë, thotë populli), për të bërë vlerësimin e nevojshëm të figurës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, unë e vlerësoj dhe e përshëndes nismën ose hapin e parë në këtë drejtim nga një ent zyrtar prestigjoz i shtetit shqiptar, siç është Akademia e Shkencave e Shqipërisë, megjithëse nuk jam i qartë se si do shkohet përpara.

Sipas njoftimit të (ASHSH), Konferenca akademike “ad honorem”), me rastin e 150-vjetorit të lindjes, (1 tetor, 1871) “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”, është hera e parë, ose “një hap” i parë, siç e cilësoi Akademiku Gjinushi.  Siç duket, Z. Gjinushi i mati fjalët me kujdes – për të mos shkelur ndonjë vijë të kuqe në lidhje me trajtimin e Gjergj Fishtës — pasi ndoshta as ai nuk e di se si do të shkohet përpara në vlerësimin e Fishtës.  Sepse, ashtu si këto 30-vjetë të kaluara të një tranzicioni të pafund për një demokraci të vërtetë, zyrtarisht, ashtu si në kohën e regjimit të Enver Hoxhës — Fishta gjithnjë konsiderohet si “reaksionar”, “tradhëtar”, “bashkpuntor i agjenturave të huaja”, e ku ta dijë unë se çfarë epitetesh të tjera fyese janë përdorur kundër Gjergj Fishtës që nga periudha enveriste, e që mbeten edhe sot pjesë e fjalorit të disave për të përshkruar Fishtën. 

Por, megjithëse është hera e parë që Akademia e Shkencave e Shqipërisë ndërmerr një veprim të tillë, tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, prapseprap, kjo  është një ngjarje që duhet të mirëpritet dhe të përshëndetet nga të gjithë ata që admirojnë veprat dhe kontributet e shumta të At Gjergj Fishtës por edhe nga të gjithë ata që besojnë në liri, demokraci dhe në lirinë e fjalës në veçanti — që personaliteti i Gjergj Fishtës si “poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar dhe botues”, trajtohet, më në fund, në një forum shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  Akademiku Skënder Gjinushi u shpreh me rastin e hapjes së konferencës se, “Akademia e Shkencave, me këtë konferencë, po hedh një hap për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës”, duke shtuar se ky, “Nuk është kthim i djalit plangprishës, por i poetit të dëbuar, i cili ka pritur dekada të tëra të na thoshte, ashtu siç shkroi njëri prej pasuesve të tij, Martin Camaj: Unë jam i jueji, ju jeni të mitë. Ose siç pati shkruar Naimi: Unë jam në shpirtin tuaj / Mos më merrni për të huaj”, ka thënë në fjalën e hapjes së konferencës, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Akademik Skënder Gjinushi. 

Kryetari i Akademisë së Shkencave u shpreh gjithashtu se konferenca e javës që kaloi ishte vetëm një hap, “për të inkurajuar mirësekëthimin e Fishtës”, duke lenë të nënkuptohet se dikush tjetër mban frenat që pengojnë, për të mos thenë që ndalojnë gjithnjë, rivlerësimin e plotë të At Gjergj Fishtës.  Po kush mund të jenë këto forca të errëta, që për 30-vjetë ndalojnë “mirësekëthimin e plotë të Fishtës?  A janë këta politikanët aktualë hipokritë të të gjitha ngjyrave që para botës euro-atlantike na paraqiten sot si pro-perëndimorë të flakët — a po janë nostalgjikët e Enverit, politikanë dhe akademikë — të cilët për 30-vjetë tani sillen si anadollakë dhe talebanë të anti-vlerave kulturore dhe kombëtare ndaj figurave më të nderuara, monumente të historisë dhe kulturës së Kombit shqiptar?  Figura, si At Gjergj Fishta, njëri prej personaliteteve shqiptare më pro-perëndimore në historinë e Kombit, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skenderbe. 

Kujt i pengon ende sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri, figura dhe vepra e At Gjergj Fishtës dhe pse?  Pse u deshën tri dekada që të mbahej një konferencë – “një hap i parë” për “mirësekëthimin e Fishtës” – sipas vet Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë?  Kush i pengon hapat e tjerë që duhet të merren në këtë drejtim dhe pse duhet të matet me hapa të tjerë rivlersimi i Gjergj Fishtës? Kush e jep lejen dhe kush i përcakton “hapat” për një rivlersim të tillë?  A është Fishta një hajdut a person i korruptuar që duhet të kalojë nepër “vetingun” politik të “drejtësisë” së re të pushtetarëve të Tiranës?  Si është e mundur që 30-vjet pas shembjes së komunizmit, At Gjergj Fishta mbetet, zyrtarisht, ende i padëshiruar dhe i përjashtuar, i etiketuar me damkën “tradhëtar” dhe i lënë pas dore nga politika zyrtare si dhe nga kultura, shkenca dhe akademia – si “armik” e “reaksionar”, ashtu siç konsiderohej edhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, megjithëse Fishta nuk jetoi as nuk veproi asnjë ditë nën atë regjim?  Këto do ishin ca pyetje që vet pjesëmarrësit duhej të bënin në konferencën e javës që kaloi, kushtuar 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. 

Sot, këta politikanët e sodit që gjithnjë refuzojnë Fishtën na paraqiten para audiencave prestigjoze amerikane dhe ndërkombëtare si properendimorë ku e kur ua lypë nevoja, por refuzojnë Fishtën, promovuesin e vërtetë të vlerave perëndimore dhe arkitektin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Nuk mund të pretendosh se je properendimorë dhe kundër ose indiferent ndaj At Gjergj Fishtës.  Këtë duhet ta dinë edhe diplomatët perëndimorë në Tiranë!

Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, arkitekt i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vazhdon të jetë i padëshiruar në vendin e vet | Gazeta Telegraf

Në mungesë të pyetjeve më lartë dhe të përgjigjeve nga autoritetet shqipotare për një vlerësim të vërtetë dhe më të gjithanshëm të kontributit të Gjergj Fishtës në jetën kombëtare, sidomos kontributeve të tija në fushën politike dhe kombëtare, konferenca e Tiranës, siç duket, për të mos dashur të turbullonte ujërat e zeza të jetës aktuale politike dhe akademike shqiptare — e kishte gjetë të arsyeshme të përqëndrohej më shumë tek kontributet e Fishtës, jo në fushën politike, por në fushën albanologjike, një fushë kjo e sigurt për ta trajtuar Fishtën.  Ndërkohë që sipas të gjitha gjasave, nuk dihet se cili do të jetë “urdhëri zyrtar” për hapa të tjerë, sa i përket “rikthimit” të At Gjergj Fishtës dhe nga kush do jepet leja: Kryeministri, Kuvendi, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Presidenti, nga kush?  Vendim shumë i vështirë ky për Tiranën zyrtare!!! Edhe sot pas 80-vjetësh e kanë frikë Fishtën.

Po pse ky trajtim për 80-vjet i Gjergj Fishtës nga Atdheu tij për të cilin jetoi e punoi gjithë jetën dhe pse “Fishta u fshi nga defteri” nga regjimi komunist, siç  pyeste dikur Profesori i ndjerë shqiptaro-amerikan dhe ish i burgosur i regjimit enverist, Arshi Pipa në një artikull (Fishta dhe Komunizmi) Frank Shkreli: Gjergj Fishta dhe komunizmi | Gazeta Telegraf, të botuar në gazetën Shqiptari i Lirë në Nju Jork me 31 Janar, 1961.  Në atë artikull, Profesori i nderuar shkruante se 2-3 vitet e para të sundimit komunist, Fishta ende nuk konsiderohej si një subjekt “tabu”.  Por, megjithëkëtë, shkruan ai, qysh në fillim të regjimit, shihej se nga frynte era.  Nëpërmjet “qarkoresh, këshillash, qortimesh e porosishë, mësuesve të gjuhës dhe letërsisë”, u ishte dhënë urdhëri që të vinin në dukje anën “reaksionare”, jo vetëm të Gjergj Fishtës por edhe të Faik Konicës.  Kështu filloi dalngadalë të “përgatitej terreni”, sipas Profesor Arshi Pipës, për eliminimin e Gjergj Fishtës dhe të veprave të tij.

Kjo ndodhi, sipas Profesor Arshi Pipës, “Në një kohë kur Shqipëria po rrëshqiste ndër krahët e Jugosllavisë, për t’u bërë republikë e shtatë e saj dhe udhëheqja komuniste shqiptare nën diktatin e Beogradit nuk mund t’ia falte Gjergj Fishtës shprehjet e tij kundër Jugosllavisë.”  Si përfundim, thekson Pipa në artikullin e tij, botuar në gazetën e Nju Jorkut, “Shqiptari i Lirë”, të vitit 1961, “Me eliminimin e fraksionit nacionalist brenda partisë, të kryesuar nga Malëshova dhe Dishnica dhe më vonë nga fraksioni autonomist Nako Spirua – të tre këta kundërshtarë të politikës pro-jugosllave – triumfoi vija ekstremiste e çiftit Hoxha-Xoxe, të cilët për arsyet e tyre personale dhe partizane ishin gati të sakrifikonin interesat dhe vlerat kombëtare”, ka shkruar Arshi Pipa. 

Se si kjo “vijë ekstremiste” komuniste ndaj Fishtës ka mbijetuar sot e 80-vjetë më parë – sidomos këto tre dekadat e fundit — as dreqi nuk mund ta marrë me mend, as ta kuptojë, se si dhe pse për pothuaj një shekull?

A person sitting in a chair

Description automatically generated with medium confidence

                                                       Profesor Arshi Pipa

Profesor Arshi Pipa: “Fishta u sakrifikua pikërisht si përfaqësuesi madhor i vlerave kombëtare”. Profesor Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “Karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cenuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa për patriotizmin e Fishtës.

Por një përgjigje e pjesëshme ndaj kësaj pyetjeje mund të jetë se Fishta i përkiste urdhrit françeskan, ka shkruar Prof. Pipa, një pjesë e madhe të cilëve janë vrarë nga regjimi enverist, një pjesë kanë vdekur nëpër burgjet komuniste të Shqipërisë, ka arsyetuar Profesor Arshi Pipa. Fishta, si përfaqësuesi më i njohur i françeskanëve nuk mund të lihej pa prekur, sipas tij.  Një arsye tjetër se pse At Gjergj Fishta dhe vepra e tij ishte ndaluar nga regjimi komunist, kishte të bënte me “rendin ideologjik botëror” të asaj kohe, shprehej Pipa në artikullin e tij. “Binomi i famshëm i Fishtës ‘Atme e Fe”, ishte krejtësisht i papranueshëm për komunistët”, është shprehur Arshi Pipa.  Ndërsa në fund të artikullit, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Poetit të Kombit, botuar në Nju Jork në Janar të vitit 1961, Profesori i nderuar shqiptaro-amerikan Arshi Pipa bën pyetjen: “A do të mbetet Fishta përgjithmonë armiku numër një?” Ai shprehej optimist, duke thënë: “jo përgjithmonë” ka nënvijuar ai. Pipa shpresonte se ndryshimi zyrtar i regjimit komunist ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, do të ndodhte, kur sipas tij, “komunizmi të ndërroj qime”.  Profesor Arshi Pipa do të habitej shumë po të jetonte sot se, megjithëse komunizmi në Shqipëri mund të ketë “ndërruar qime” Fishta ende mbetet i përjashtuar, ose të pakën jo i mirëseardhur dhe i pa pranuar, zyrtarisht. 

 “Ujku qimën e ndërron, por vesin jo”, thotë një fjalë popullore.  Mbetet për tu parë nëse Konferenca në150-vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, shënon vërtetë, hapin e parë zyrtar, “për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës” – siç u shpreh Kryetari i kësaj Akademie, Z. Skënder Gjinushi.  Presim gjithashtu, për të parë nëse ujku, vërtetë, ka ndërruar jo vetëm qimën por edhe vesin, përfshir qendrimin armiqësor 80-vjeçar ndaj At Gjergj Fishtës, në këtë 150-vjetor të lindjes së Poetit Kombëtar.  Kombi shqiptar sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për paqë dhe pajtim të shqiptarit me shqiptar. Siç tha edhe ditët e fundit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, “Ka ardhur koha të kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën”.  

Kështjella shqiptare është e tronditur në themel. Sot, më shumë se kurrë, Kombi shqiptar ka nevojë për mësuesin e madh të dashurisë për Kombin — At Gjergj Fishtën! Mos hezitoni, kemi pritur mjaft dhe me durim për 80-vjetë!

Frank Shkreli

May be an image of 1 person and text that says 'TIRANE AKADEMIA E SHKENCAVE SHQIPERISE SEKSIONI SHKENCAVE SHOQERORE DHE ALBANOLOGJIKE Konferencë shkencore ad honorem në 150-vjetorin e Gjergj Fishtës Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës nè tri kohet e letërsisë 23 shtator 2021 ora 10.00 Gjergj Fishta (1871-1940) Në sallën "Aleks Buda" të Akademisë sẽ Shkencave, me pjesëmarrje fizike online Zoom Meeting 394894 Meeting 3948 3941 Passcode: 142794'

                   May be an image of 2 people, people sitting, people standing and indoor“Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj.”, tha Kryetari i Akademisë, Skender Gjinushi ndërsa e përqëndroi kumtesën e tij në tri meritat e mëdha të Fishtës si krijues.

               May be an image of 4 people and people standing Njëri prej ligjëruesve në konferencë, Imzot Gjergj Meta, nënkryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e vlerësoi atin françeskan Gjergj Fishta (1871-1940), si figurën më të madhe dhe më të fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XX, i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të Shtetit të ri sovran shqiptar.

A person in a uniform

Description automatically generated with low confidence

                                          I Madhi At Gjergj Fishta

Filed Under: Opinion Tagged With: At Gjergj Fishta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2825
  • 2826
  • 2827
  • 2828
  • 2829
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT