• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NESËR PROMOVOHET NË VATËR “LIDERI NUK LIND…BËHET”

September 18, 2021 by s p

Dielli/

Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, neser ditë e Dielë më 19 Shtator 2021, ora 11 am, do të promovohet libri “Lideri nuk lind…bëhet” i autores Iris Halili. Libri vjen si një risi, pasi është i pari i llojit të tij në letrat Shqipe. Botuar nga Shtëpia Botuese Dituria, ai është përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 në kategorinë libër i mendimit, organizuar nga portali më i madh i librit online në Shqipëri “Bukinsit.al”. Autorja Iris Halili vjen me këtë botim pas një kariere të gjatë akademike dhe lidershipi si në Shqipëri ashtu edhe në USA. Ajo është gjithashtu e njohur në shtypin Shqiptar dhe atë të diasporës për artikujt e saj sa për lidershipin, letërsinë apo aktualitetin. Autorja ka qenë prej 10 vjetesh  pedagoge e Letërsisë Moderne në Fakultetin e Letërsisë pranë Univesitetit të Tiranes; Shefe e Kabinetit e Presidentit Alfred Moisiu 2002-2005, Këshilltare e Ministrit Sokol Olldashi 2006 -2007 etj. Prej më shumë se 12 vitesh ajo jeton dhe punon në Miami,  Florida. Në USA ka kryer doktoratën për Lidership dhe Zhvillim Organizatash, dhe aktualisht punon në profesionin e saj si Partnere Biznesi e Burimeve Njerzore.

Libri i saj me i fundit “Lideri nuk lind…bëhet “ dallon për gjuhen e kthjellët dhe të qartë përmes së cilës autorja na përcjell cilësitë/tiparet që dallojnë liderët. Ky libër tashmë është kthyer për lexuesin shqiptar si një manual që në formë lakonike dhe sintetizuese rrëfen rrugën sesi çdo kush mund të bëhet një lidër i sukseshëm apo edhe një ndjekës i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës.  Mes shembujsh konkretë nga historia botërore dhe ajo shqiptare, autorja na percjell tiparet e liderve që kanë bërë histori  si për mirë dhe për keq, si dhe shpjegon sesi modelet e tyre të lidershipit kanë përcaktuar fatet e ndjekësve, kombeve apo kompanive që ata kanë drejtuar.

Në promovim pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të blejnë librin 10Usd, të ardhurat e të cilit autorja ka nderin t’ia dhurojë Vatrës.

Promovimi moderohet nga gazetarja Marjana Bulku.

Ju mirëpresim në mjediset e Vatrës.

Filed Under: Featured Tagged With: Iris Halili, Vatra

Dâshnia e shteterrātun

September 17, 2021 by s p

Foto ilustruese: Pikture nga Besa Dauti

Poezi nga  Ndoj Mhilli

Dâshnia e shteterrātun

E dashtun lê’ma buzën të ta puth

të ta puth deri n’agim

lê të tretem, lê të shkrihem

n’buztë e tua deti jem.

Më lê ta ndjej afshin tand

e në të digjemi zjerm

gjersa zemra të më çmendet

në arom’ të gjoksit tand.

Lê’m që trupin të ta përkdhel’

të ta puthë në pafundsi

derisa zemra të të dridhet

në afsh të zjermit tem.

Që na djegë dalë nga dalë

pa e kuptue se ça ndodhi

të firohemi sikur zjarmë’.

Dt. 16. 03.2020.

Në buzë të puth

Lehtë do vij të t’puth në gjumë,

e ti as se si nuk do ta ndjesh’

vetëm në nadje kur të zgjohesh

do ndërmëndësh si në andërr

kush të puthi sot a dje.

Buza jote trëndafil lagun me vesë

buzën teme mbram’ e njomi

pa e ndje deri në t’aguem/agim.

0:49 ‘ 17. 3 . 2019

Mos flej e dashtun

Mos flej e dashtun,

por eja më perqafo mirakandshëm,

e zemrën ma ngrohë në këtë natë të acart’ dimni,

kur malet faqesh zbardhë janë nga bora,

e kur qilla nxi asht nga tërbimi.

Ngjan sikur ajo do më hedhë rrebeshe

furtunash mbi mue!

Pse mos vallë ndokush mendon se jo

edhe mbi jue,

lexues fat’keq të netëve të vona

të mbrujtuna ndër sterset

dhe ndështrashat e ditës,

që kjanë e firon –

harron vështirësitë e jetës tande

në vargjet e mia të vrazhda?!

Hiqi tej se m’nerin përthellë shpirtit ta shtin!

Hej e dashtu zgjohu!

mos fli të lutem!

Por eja ndër andrrat e mia, sëpaku,

e bân’ që prazmi jem

të ngihet në aromën tânde,

prej luleje prandvere.

Bân’ që buza t’më ngrohet

e zemra jeme ngri akull në prazëm,

hareshëm të qeshë,

pa mujtë me ja pâ fundin andrrës a zhgjandrrës.

E dashtun mos flej!

Rri çuet me mue

e ndër biseda të âmbla,

ta harrojmë acarin e ditës së shkume dâm,

që u bjerrë e iku ndër eshtnat tona të kopatuna.

Andrra vazhdon e fundi nuk i dihet,

edhe pse pritet dita me lind,

e bashkë me të gjumi me u shue.

6. 2.2020, ora 2 mesnatë.

Puthmë e dashtun puthmë

Puthmë e dashtun puthmë 

derin në afsh, gjerë në shkatrrim,

nëpër puthje të arratisemi 

nga ky ankth, nga ky rrënim.

Lê të ikim në eter

dhe me engjujt të këndojmë,

si fëmijë të lazdruar

cep e n’cep qillit t’vallzojmë.

Dt. 31. 1. 2020. Ora 23: 35

Sy prej deti

Në sytë e tu det i pacak,

lundroj si marinarë,

që ka humbë në det t’pafund,

e rrethe e çark sillet si i marr’.

Në gjoksin tând m’lê të pushoj,

aty të këndellem, të gjej pak qetësi,

të ik nga jeta plot ndështrasha

të gudulisem si fëmij.

Më lê të prehem âmbël but’,

që të udhëtoj nëpër eter

të ik’ nga zhurma, dhe pislleku …

 e të rilind edhe njëherë.

Dt. 26. 01. 2020, ora 8 :50

Nânë prej guri

Nânë, unë e di se ti mërzitesh

kurë pranë nuk më ke,

e di se ndeshtrashat e mia

jetën ta shterrin ndër eshtna.

Madje tinzisht përlotesh,

kur bijt’ e tu ndeshin në sadopak vështirësi,

e Zotit shpesh i lutesh

për shpritin e shpirtit tand,

tuj e çue zânin kushtrimëtar deri në fron të Hyjit.

Nânat ngjajnë me Amën e Hyjit,

sepse vuejnë, kjajnë,

çjerrën e vajtojnë

për Golgotën e bijve të tyne.

Për kryqzimet e tyne ndër kryqa shekujsh,

të venduemi mbi kondra nga diktatorët,

mâ sakt’ nga padrejtësia e qenieve të mjera njerëzore,

që të zvetnuem nga jeta

 kan’ harrue se janë bij,vllazën e prind të dikujt,

madje, harruen se lindën nga nji nânë,

përndryshe kurrë s’kishin me bâ padrejtësi.

Nânë ti mos kjaj, as mos loto tingzisht për mue,

mos flej, as mos u zgjo/ço me frikë,

se diçka e keqe dikun në një prit’

pabesisht (ka me) më ndodhë.

Ti je bij’ fisi të moçëm rrahë me voj e me uthull,

m’sue me dekje të rânda e me morte të m’dha,

rritë jetimë prej nji nâne burrnesh,

mâ me vlerë se shumë burra fisesh,

burrnue ndër kulla të moçme me kreni t’pashoqe.

Ti je nânë, nânë fisnike, nuk të trembin ândrrat e k’qija,

as zhurmat e pushkëve ndër luginat e bjeshk’ve të nalta.

E di, nânave zemrat iu kjâjnë,

kur bijt e tyne nuk ecin si duhet

në shtigjet e jetës,

por prap’ se prap’ burrneshat nuk përunjen,

e as s’mërziten,

sepse e njohin ngallnjimin e Nânës,

që lnuri faqet me gjakun e birit të vet,

të venduem mbi kryq, pa mujtë në ndihmë me i shkue.

Zemra vendit ju pat zhgule si shumë nânave,

që k’qyrin vdekjen e tmerrshme e t’padrejtë

të bijve të tyne ndër shekuj plot dredhi.

Nânat duhet ta dinë mallkimin paralajmrues

të bâm nân’ kryqin e randë

e ferrat e nguluna përthellë rrashtës:

“bija të Izraelit mos kjani e vajtoni mue por bijtë tuej”.

Nân’ ti mos u mërzit për birin tand

t’patakt, se gjanë e keqe gjâ s’e nget, –

patë thân’ plaku i moçëm në gurë të votrës.

1.2.2020. Ora 2:17 mesnatë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ndoj Mehilli, Poezi Dashurie

11 SHTATORI: PLAGA E HAPUR DHE RRËNOJAT E NJË SOLIDARITETI TË HUMBUR

September 17, 2021 by s p

Nga MASSIMO GAGGI

Amerika që sot kremton përvjetorin e njëzetë të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 është një Vënd i sfilitur, i drobitur nga lufta më e gjatë e historisë së saj: një betejë e zgjatur njëzet vite, e luftuar nga etër dhe nga shumë prej bijve të tyre. Por është edhe një Vënd i ndarë, i përshkuar nga një çarje e thellë. Figura tragjike e Rudy Giulianit është një simbol: kryebashkiaku i brohoritur nga të gjithë si një hero mbi rrënojat tymosëse të 11 shtatorit, “njeriu i vitit” i festuar në kopertinën e Time, i kthyer në një nxitës të sulmit mbi Kongresin të 6 janarit të shkuar, një rrezik për qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane.

Pandemia, piskama e sotme, në vënd që t’i bashkonte SHBA si kundër Al Qaedës, ushqen përplasje: madje një klimë të luftës civile me shumë që ftojnë për kryengritje kundër detyrimit vaksinor të lajmëruar nga presidenti Biden. Kongresi, një shënjestër e mundëshme e aeroplanit të tretë të terroristëve të 2001, ai që ra në Pensilvani, mbështillet përsëri nga rrjeta e telit me gjëmba nga frika e sulmit. Jo nga xhihadistët por nga skajorë të së djathtës që do të manifestojnë në Washington të shtunën e ardhëshme.

“Po shkoj në Afganistan me qëllim që biri im një ditë të mos luftojë të njëjtën betejë”. Kur në 2002 kapterri Trevor deBoer i u përgjigj kështu atij që e pyeste se përse shkonte vullnetar, nuk mund të merrte me mënd se 17 vite më pas i biri Payton do të ndahej nga shërbimi ushtarak në të njëjtën bazë afgane ku filloi misioni i tij. Me një luftë që zgjati sa një brez njerëzish, raste si ai i familjes deBoer janë të panumurtë dhe vërtetojnë mirë “mundin e luftës”, dëshirën e shumë amerikanëve për t’u tërhequr nga bota, ndiesinë e fshehtë të zhgënjimit që kërcënon kremtimet e përvjetorit të njëzetë të sulmit terrorist të Al Qaedës.

Plaga e asaj dite të tmerrshme nuk është shëruar kurrë e ka shtyrë, pak a shumë me vetëdije, një popull që ka jetuar gjithmonë me mërgim në tokën e tij dhe me marrëdhënie të ngushta me të gjitha Vëndet, të mbyllet hap mbas hapi në logjikën e “kështjellës Amerikë”. Amerika bujare, e ardhur për të shpëtuar Evropën në dy luftëra botërore, ajo e planit Marshall, nuk është krejtësisht e shuar, por atëherë njerëzit e saj ndjenin se kishin bërë diçka për ata që, për shumë prej tyre, ishin Vëndet e zanafillës: ishte thirrja e rrënjëve dhe kishte ndjeshmëri, vlera e kultura të përbashkëta, të këmbyera nga mirënjohja e Kontinentit të Vjetër kundrejt Botës së Re.

Asgjë nga e gjitha kjo nuk është përsëritur në luftërat e Gjirit e t’Azisë Qëndrore: Vënde të largëta, fisnore, të pakuptueshme. Ashtu sikurse i pakuptueshëm për më të shumtit ishte sulmi i ftohtë kundër Kullave Binjake dhe Pentagonit, i organizuar nga njerëz që vinin nga një Vënd aleat, Arabia Saudite.

Por ata të një lufte të pafund nuk kanë qënë vetëm njëzet vite që kanë sfilitur Amerikën, duke i hequr asaj dëshirën për të luftuar, për të vazhduar të ndërpretojë rolin e xhandarit të botës, të rënë mbi shpatulla nga fundi i viteve Tetëdhjetë me shëmbjen e perandorisë sovjetike. Kanë qënë edhe vite dasirash gjithënjë në rritje, në të cilët Vëndi ka humbur atë pak kompaktësie që kishte fituar pikërisht nën goditjet e terrorizmit.

Ashpërsimi i dasive politike kishte filluar me sulmet tejet të forta të spikerit republikan të Kongresit, Newt Gingrich, kundrejt presidencës Bill Clinton, më pas me zgjedhjen e George Bush-it mbas një lufte kokë për kokë me Al Gorin. Por mësyemja e Al Qaedës, veç shtyrjes së gjysmës së botës të deklaronte “jemi të gjithë amerikanë” e kishte ribashkuar Vëndin. Sot, në një Amerikë që diskuton më shumë për vaksinat se për mënyrat e tërheqjes nga Afganistani, i vetmi që ze faqet e para. është ish (e ndoshta i ardhëshmi) president Donald Trump-i. Ai e bën në mënyrë të çuditëshme: nuk flet për tërheqjen, të kryer mbi bazën e marrëveshjeve që ai ka mbështetur, ka dashur fuqishëm e ka nënëshkruar, por për heqjen e përmendores së gjeneralit konfederal Robert Lee në Richmond të Virgjinisë: një çast nga lufta kulturore në vazhdim n’Amerikë, që mund të jetë e diskutueshme nga pikëpamja e ruajtjes së kujtesës historike. Por ish presidenti e shfrytëzon për të lëvduar një njeri që ka luftuar për të mbrojtur skllavërinë duke shtuar pastaj, me një nga daljet e tij sureale, se po të kishte jetuar në kohët tona, sigurisht Lee do t’a kishte fituar luftën n’Afganistan.

Sureale por të pëlqyeshme për ithtarët e tij. Amerika e sotme është edhe kjo: e trullosur nga dy dhjetëvjeçarë luftërash pa krye, që e kanë dobësuar politikisht, ekonomikisht e moralisht, por edhe e ndarë ndërmjet dëshirës për të përkujtuar të rënët e saj, duke provuar të vetëbindet se viktimat e 11 shtatorit dhe 6650 të vrarët amerikanë në Irak e Afganistan nuk janë flijuar kot dhe tharjes së simpatisë të prodhuar në mënyrë servile nga efekti-Trump, me bindjen e tij se kush vdes në betejë është  një humbës. Veteranë në revoltë kundër tij? Çfarë thua! Madje për të mbushur rradhët e milicive paraushtarake, kundërshtuesit më të gjallë të rregullshmërisë së zgjedhjes së Biden-it, janë pikërisht shumë veteranë të dy luftërave që, të zhgënjyer nga rikthimi në jetën civile, shpesh të papërshtatur ose të papunë, kanë kërkuar ikje në teoritë konspirative më fantastike e kanë gjetur strehë në populizmin e ashoër e luftarak të Trump-it. Njëzet vite më parë Amerika blindohej për t’u mbrojtur nga kërcënimi i të tjerë atentatesh xhihadiste. Sot ai rrezik nuk është harruar, por mbas sulmit të 6 janarit mbi Kongresin, shqetëson më shumë kryengritja e brëndëshme.

Hapësirën ndërmjet këtyre dy Amerikave do t’a shohim sot në qëndrimet e presidentëve dhe ish presidentëve amerikanë: ndërsa Barack Obama e Georg Bush, veç Biden-it do të marrin pjesë në përkujtimoret e të rënëve, Trumpi në Floridë do të dëfrehet duke bërë telekronistin e një ndeshjeje boksi, ndërmjet dy lavdive të vjetra, tashmë pesëdhjetëvjeçarë, të peshave më të rënda.

“Corriere della Sera”, 10 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: 11 shtator, Eugjen Merlika

Komuniteti i biznesit takon të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi z. Miroslav Lajçak

September 17, 2021 by s p

Prishtinë, 17 shtator 2021

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, bashkë me përfaqësues nga komuniteti i biznesit ka pritur në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi z.Miroslav Lajçak.

Në këtë takim shumë konstruktiv u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe për zgjidhje praktike të problemeve të cilat po e ngadalësojnë këtë proces. Përfaqësues nga komuniteti i biznesit gjatë takimit adresuan të gjitha barrierat jo-tarifore për produktet kosovare, të vendosura nga Serbia.

I dërguari special i BE-së z. Lajçak dhe përfaqësues të komunitetit biznesor të Kosovës, në takimin e parë mes tyre, mes tjerash diskutuan dhe u dakorduan për rëndësinë që normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi ka në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe rajonit.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Berat Rukiqi, Miroslav Lajcak

Studentë nga bota interesim për Kosovën

September 17, 2021 by s p

-Kryeministri Kurti bashkëbisedoi për sfidat në qeverisje dhe në politikë me një grup studentësh nga shtete të ndryshme të botës që ndjekin studimet master në Austri: Mënyra më e mirë që bashkësia ndërkombëtare mund të përkrahë Kosovën është heqja e regjimit të vizave…/

PRISHTINË, 17 Shtator 2021-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bashkëbiseduar me një grup studentësh nga shtete të ndryshme të botës që ndjekin studimet master në Austri, në fushën e të drejtave të njeriut. Delegacionit të studentëve u prinin profesorët e tyre, znj. Marijana Grandits dhe z. Manfred Novak.

Duke e falënderuar për pritjen, profesorja Grandits tha se studentët kanë shprehur dëshirë që të dëgjojnë pikëpamjet dhe sfidat me të cilat përballet kryeministri Kurti në qeverisje dhe në politikë.

Kryeministri foli për prioritetet qeveritare, pandeminë Covid19, përmirësimin e arsimit, reformat e nisura në drejtësi dhe për rrugën politike të Republikës së Kosovës për integrim evropian dhe euroatlantik.

Duke folur për menaxhimin e situatës me pandeminë COVID 19, kryeministri Kurti tha se pas shpërthimit të variantit të rrezikshëm Delta, në muajin e kaluar, e që rriti ndjeshëm numrin e infeksioneve, gjendja tani ka filluar të përmirësohet.

Ai tha se Kosova ka administruar mbi 1 milion doza të vaksinës dhe kjo shton shpresën për tejkalimin më të lehtë të gjendjes dhe forcimin e imunitetit të popullatës ndaj valëve të reja të mundshme të përhapjes së virusit.    

Kryeministri tha se që pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Republika e Kosovës nuk ka pasur stabilitet më të madh institucional dhe politik.

Dhe ky stabilitet po ndikon edhe në përparimin ekonomik, tha kryeministri gjersa i njoftoi studentët për rritjen e parashikuar ekonomike prej 7,9 % të bruto prodhimit vendor, rritjen e eksporteve prej 63%, të qarkullimit të biznesit prej 30% dhe të të hyrave të qeverisë prej 28%.

Studentët u interesuan të dinë nga kryeministri për politikën që do të ndjekë Kosova në arenën ndërkombëtare, për procesin e dialogut me Serbinë, për mënyrën sesi po e lufton korrupsionin etj.

Kryeministri tha se mënyra më e mirë që bashkësia ndërkombëtare mund të përkrahë Kosovën është heqja e regjimit të vizave, sepse kjo do t’ua lehtësonte studentëve lëvizjen për studime në universitete ndërkombëtare, ndërsa bizneseve do t’u ndihmonte të zgjerojnë dhe të zhvillojnë më lehtë aktivitetet e tyre.

Ai tha se mënyra tjetër e ndihmës do të ishin rritja e shkëmbimeve tregtare dhe  investimet e pëbashkëta të kompanive të huaja me bashkatdhetarët tanë në mërgatë.

Kryeministri tha se korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë, por sistem, dhe meqenëse nuk është shoqëror por institucional, së pari duhet të luftohet në institucione. Reformat e nisura në sistemin e drejtësisë, janë hapi i parë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, tha ai.

Filed Under: Mergata Tagged With: Albin Kurti, qeveria e Kosoves, Studentet nga bota

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2837
  • 2838
  • 2839
  • 2840
  • 2841
  • …
  • 2925
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT