• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani takoi presidentin e Gjermanisë, z. Frank-Walter Steinmeier

September 14, 2021 by s p

Behlul Jashari

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Gjermani ku po qëndron me ftesë të presidentit Frank-Walter Steinmeier është pritur me nderimet më të larta shtetërore. Në takim me homologun Steinmeier, Presidentja Osmani e ka falënderuar për mbështetjen e deritashme dhe është angazhuar për thellimin e marrëdhënieve. Më tej, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për njohje të reja, sikurse edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Gjermania ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspiratat e saj integruese ndërkombëtare dhe evropiane: procesin e integrimit në BE, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht lobimin dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave. Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania. Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”, ka theksuar Presidentja Osmani në takim me presidentin Steinmeier. Procesin e Berlinit, Presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. “Republika e Kosovës synon ta avancojë bashkëpunimin rajonal – në përputhje me planin e veprimit të krijuar në Sofje (2020) për krijimin e një tregu të përbashkët të katër lirive themelore (lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit)”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas saj, çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE -së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka ritheksuar se rezultati përfundimtar i tij duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues dhe kufijve aktual të Kosovës.

Në takim me presidentin Steinmeier, Presidentja Osmani ka përmendur lidhjen e veçantë të Kosovës me Gjermaninë, shkaku i mbi 400 mijë kosovarëve që jetojnë në shtetin gjerman. Më tej, znj.Osmani i ka thënë homologut Steinmeier se Kosova është e interesuar për rritjen e investimeve direkte nga Gjermania.

Presidentja Osmani ka theksuar, gjithashtu se Kosova është e interesuar edhe për nënshkrimin e disa marrëveshje me Gjermaninë, si ajo për transportin e mallrave dhe automjeteve, për heqjen e taksimit të dyfishtë, si dhe bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Ajo ka bërë të ditur se së shpejti pritet finalizimi i Memorandumit dypalësh për njohjen e patentë shoferëve të lëshuar nga Kosova.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Steinmeier, Vjosa Osmani

Kosova zgjedhje lokale në 17 Tetor 2021, nga nesër votimi jashtë vendit

September 14, 2021 by s p

-Të gjithë aplikuesit të cilët janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës mund të votojnë përmes postës gjatë periudhës e cila fillon më 15 Shtator. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 15 Tetor 2021/

-Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021 përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra, 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet paralamentare të 14 Shkurtit 2021/

PRISHTINË, 14 Shtator 2021- Gazeta DIELLI/ Në Kosovë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare me numrin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021.

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 Tetor, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 Shkurt 2021.

Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë, është 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 Shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 Shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.

Numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të datës 14 Shkurt 2021 është 18 mijë e 252 votues, ndërsa numri i personave që janë larguar nga kjo listë për arsye se kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, pas atyre zgjedhjeve, është 1 mijë e 158 votues.

Numri i qendrave të votimit në gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Ndërsa, numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 15 mijë e 532 votues.

Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës ka filluar më 10 Korrik dhe është përmbyllur më 18 Gusht 2021. Gjatë kësaj kohe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 18 mijë e 852 aplikacione për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 15 mijë e 532, ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 320 aplikacione pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike.

Të gjithë aplikuesit të cilët janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës mund të votojnë përmes postës gjatë periudhës e cila fillon më 15 Shtator. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 15 Tetor 2021.

Duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për votimin jashtë vendit, është detyrë e KQZ-së që të përpilojë listën votuese jashtë Kosovës. Kjo listë duhet të përmbajë të dhënat e atyre votuese që me sukses janë regjistruar për votim jashtë Kosovës dhe t’i largojë emrat e tyre nga lista votuese që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve.

Filed Under: Kronike Tagged With: Partite politike ne kosove, zgjedhjet ne Kosove

Merkel interesim për programin, vendimet dhe synimet e Qeverisë së Kosovës

September 14, 2021 by s p

Dielli

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel/-Kancelarja Gjermane Merkel u interesua për programin e qeverisë, vendimet dhe synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti konfirmoi përkushtimin e qeverisë për realizimin e planeve për reforma në drejtësi, duke theksuar se në Kosovë tashmë ka një kulturë të re të qeverisjes që udhëhiqet me shembuj/

TIRANË, 14 Shtator 2021-Gazeta DIELLI/ Raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe bashkëpunimi rajonal brenda agjendës së Bashkimit Evropian, ishin në qendër të takimit të sotëm ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.Në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kancelarja Merkel u interesua për programin e qeverisë, vendimet dhe synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.Kryeministri Kurti konfirmoi përkushtimin e qeverisë për realizimin e planeve për reforma në drejtësi, duke theksuar se në Kosovë tashmë ka një kulturë të re të qeverisjes që udhëhiqet me shembuj.Ai foli për nevojën për investime në Kosovë dhe synimin e zbatimit të sistemit dual të arsimit sipas modelit gjerman, si një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik.Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet e ngushta bilaterale, përafrimin e reformave të Kosovës me Bashkimin Evropian, Procesin e Berlinit, dialogun me Serbinë, situatën në rajon si dhe për rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit rajonal.Procesi i Berlinit u vlerësua nga kryeministri Kurti si mjaftueshëm i gjerë dhe i thellë që të mos ketë variante të tjera alternative.Duke biseduar mbi gjendjen aktuale të përballjes me pandeminë COVID-19, kancelarja Merkel shprehu gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në sigurimin e më shumë vaksinave.Duke uruar mbarësi në punë dhe suksese në qeverisje, kancelarja Merkel theksoi se shteti gjerman do të vazhdojë të shfaq kujdes ndaj Kosovës.Paraprakisht, kryeministri Kurti ishte në drekën e përbashkët me kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, të ftuar nga kancelarja Merkel, ku theksoi stabilitetin institucional në Kosovë dhe zhvillimin ekonomik dhe demokratik.Kryeministri Kurti ritheksoi se fondet e Bashkimit Evropian duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së, që janë të domosdoshme në mënyrë që të ketë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor: sundimi i ligjit, demokratizimi, përballja me të kaluarën dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, Angela Merkel

Biblioteka Noliane në 50 vjetorin e saj

September 14, 2021 by s p

Sokol Paja

Një bashkëbisedim i përzëmërt me zonjën Neka Doko Arkivisten e Bibliotekës Noliane në Boston pranë Kancelarisë Ortodokse Shqiptare në Amerikë.

Boston më 13 Shtator 2021- Biblioteka Memoriale e Metropolitanit At Fan Noli nisi rrugëtimin e saj për në dekadën e gjashtë. Ideja e parë e Bibliotekës Noliane u krijua kur At Arthur Liolin u emërua Drejtor Ekzekutiv i Kishës së Shën Gjergjit në vitin 1969. U bë fakt në pranverë të vitit 1970 kur dolën botimet e para tek revista “Vreshta”. At Arthur Liolin e krijoi Bibliotekën duke mbledhur të gjithë librat e lënë amanet nga At Noli me qëllim që t’ia dhuronin Bibliotekës Publike të Bostonit, Bibliotekës Universitare në Tiranë dhe Arkivin e Shtetit në Shqipëri. Librat që u dërguan në Tiranë nga Meri Xhons sekretarja e At Fan Nolit u pranuan me nderim, ndërsa librat për në Bibliotekën Publike të Bostonit për arsye fondesh u mbajtën për një periudhë dhe u kthyen mbrapsht duke pranuar vetëm një pjesë të vogël të tyre në Bibliotekë. Me këtë rast At Arthur Liolin, fondin e Bibliotekën së Nolit e mblodhi dhe krijoi Bibliotekën Zyrtare At Fan Noli duke pritur librat dhe kontributet e familjarëve të dhuruara nga ata ndër vite. Një zë i veçantë për pasurimin e Bibliotekës së At Nolit erdhi nga punimet e studentëve shqiptarë në USA nëpërmjet punimeve të tyre për çështjen shqiptare në fusha të ndryshme si Prof Nikola Pano, Stavro Skendi, Peter Prifti, Gregori Pano etj, si edhe të studiuesve të huaj që kishin mbrojtur teza universitare për çështjen shqiptare dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan në Boston në fushën e liturgjisë, religjionit, historisë së komunitetit të parë shqiptar në Amerikë dhe të Shën Gjergjit dhe fusha të tjera. Figura e At Nolit ishte një nga temat kryesore të studimeve historike dhe më gjërë nga Studiues shqiptarë dhe të huaj pas vdekjes e deri në vitet 80-të. Kjo Bibliotekë është quajtur nga Specialistë të Harvardit si pasuria më origjinale albanologjike në hemisferën perëndimore të Amerikës dhe Europës. Kjo ka qenë një bibliotekë me zanafillë Kishën Noliane e Kryedioqezën Ortodokse Shqiptare në Amerikë, por me kalimin e viteve u pasurua me zëra studiuesish universitarë dhe botërorë për gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën e saj. Biblioteka Noliane është në rritje çdo ditë, ajo ka më shumë se 50 mijë zëra.Pjesa origjinale e librave antikë të Nolit që në vitet 1800 dhe librat universitarë, studiues origjinale janë të kataloguar jo vetëm në sistemin e vjetër manual por edhe digjital që është lidhur me websajtin e Bibliotekës Noliane. Dixhitalizimi i Bibliotekës filloi pas vitit 2010 me hapjen e dy faqeve në Facebook: Fan Noli Library Digital Archive dhe Miqtë e Bibliotekës Noliane të cilat u kordinuan me websajtin dhe sistemin online të Bibliotekës Onlinë të ngritur me rastin e 50 vjetorit të Bibliotekës Noliane. Kjo bibliotekë ka: Literaturë Ortodokse dhe Fetare Kristjane dhe e feve të tjera për shqiptarët në Amerikë dhe Diasporë e pasuruar vitet e fundit me punime studimore në fushën e religjionit në shqip, anglisht dhe gjuhë të tjera. Kjo Bibliotekë ka punime të historisë shqiptare, gjeopolitikës shqiptare në rajon dhe Europë dhe libra studimore për shqiptar në botë si vëllezërit Frashëri, Motrat Qiriazi, Kristo Dako, Nelo Drizari, Faik Konica, Martin Camaj, Ernest Koluqi e studiues të tjerë europianë dhe sidomos anglez. Dixhitalizimi i Bibliotekës Noliane ndryshoi praktikën e vjetër të të qenit të saj për punimet e brendshme dhe tani kjo Bibliotekë është institucion kulturor dhe studimor në të gjitha fushat dhe veprimtaritë si fetare dhe albanologjike e lidhur me disa biblioteka universitare si e Harvardit, Boston University, Shën Pali në Minesota, degën e Albanologjisë në Arizona etj. Zemra dhe identiteti i Bibliotekës Noliane janë veprat origjinale të At Fan Nolit si: Literaturë Themelore Kishtare, përkthimet origjinale të botuara në vitet e para në shqip, libra nga greqishtja e vjetër në shqip, shërbimet fetare në Shën Gjergj dhe të pasuruar me disiplinat e ortodoksisë jo vetëm si praktikë por edhe si studim i gjërë dhe i thelluar i ortodoksisë në lindje të Europës dhe Amerikës. Në Bibliotekën e Nolit zënë një vend të veçantë përkthimet e klasikëve Shekspir, Servantes, Ibnes, Khajam, Edgar Po dhe Henry Longfellow poemën e Skënderbeut. Në arsenalin e punimeve të Nolit, një vend të veçantë zënë studimet e Nolit nga Universiteti i Harvardit, Bostonit dhe Konservatori i Muzikës si: Bethoven dhe Revolucioni Frëng, Teza në fushën e historisë për Skënderbeun më 1945 në Universitetin e Boston. Kjo vepër mbeti një nga referencat kryesore në fushën e historisë për Skënderbeun në botë pasi At Noli për të realizuar këtë kryevepër përdori referenca në 11 gjuhë të botës. Në botimet e këtij karakteri Noli u bë qëndra e seminareve dhe edukimit liturgjike të priftërinjve shqiptarë dhe jo vetëm pasi punimet studimore të At Nolit ishin ndër disiplinore dhe në gjuhën angleze. Himnet muzikore të At Nolit zënë një vend të veçantë pasi i botoi në shqip si korale për kishën, më pas i përpunoi dhe i ktheu himne muzikore bizantine pas studimit të At Nolit në konservatorin e Muzikës në Anglinë e Re në Boston. Më 1937 Noli mbrojti diplomën me sonatën “Pranvera” për violinë dhe piano që ia kushtoi komunitetit dhe artistëve Shqiptaro- Amerikanë në Boston. Studiuesi amerikan Bernard Shaw e cilësoi veprën e At Nolit një ndër studimet më të arrira në historinë muzikologjike për Beethovenin. “Në këtë festim jubilar te disa përvjetorëve të artë në Shën Gjergj dhe Bibliotekën Noliane këtë shkrim do t’ja dedikoja me mirënjohje të thellë At Artur Liolinit si ideator, themelues, e drejtues i bibliotekës memoriale Fan S Noli si edhe studjues kërkues e përcjellës në vazhdim të veprës dhe trashëgimisë noliane kudo në botë – u shpreh për Diellin e Vatrës, Neka Doko, arkiviste dhe studjuese shkencore në Bibliotekën Memoriale Fan S. Noli Boston.

Filed Under: Komunitet Tagged With: At Fan Noli, Neka Doko, Sokol Paja

GJURMËT E KRENARISË SONË NË HISTORINË E LASHTË DHE TË AFËRME

September 14, 2021 by s p

Kastriot Aliaj/

Sa më thellë t’i futemi njohjes së historisë sonë, prejardhjes, si dhe vlerave të skalitura në këtë tokë të të parëve tanë pellazgo-ilire, aq më krenar do të ndihemi për identitetin tonë si popull i lashtë. Të gjithë studiuesit e huaj me argumente shifra dhe fakte, dëshmojnë se kur të hapen thesarët e historisë pellazge, shqiptarët e sotëm janë mbi trojet e tyre dhe flasin gjuhën e stërgjyshërve, të cilët motivohen me emrin aq shumë të diskutueshëm pellazg. Për të bindur veten dhe të tjerët rrotull nesh, se ku qëndrojmë ne në faqet e historisë, le t’u referohemi disa thënieve të figurave me emër, që  janë angazhuar për të hedhur dritë mbi cështjen e prejardhjes sonë. Një ndër to është Mauricio Drion, sekretar i Akademise frënge ku në shkrimin e tij, sa të vjetër janë shqiptarët, do të shprehej: “Shqiptarët i përkasin popujve më të vjetër se sa vetë historia, sepse gjyshërit e tyre ishin luftëtarët e luftës së Trojës, të udhëhequr nga Akili në njërën anë dhe Hektori në anën tjetër”. Albanologu Austriak që e ka tërhequr aq shume cështja e lashtësisë sonë dhe balta që është hedhur qëllimisht mbi të, do të shkruante: “Historia e vërtetë e njerëzimit do të jetë e shkruar, vetëm kur ajo do të shkruhet me pjesmarrjen e shqiptarëve”. Jo më kot historianët gjërmanë, austriakë, italianë, francezë, suedezë e të tjerë, albanologë të ndryeshëm, kanë qënë më të interesuarit për të shkuar tek e vërteta historike, duke hedhur dritë mbi errësirën e etnogjenezës sonë. Ata kanë treguar në mënyrë bindëse dhe jo hipotetike, për një vazhdimësi të gjuhës shqipe që nga epokat pellazgo-ilire. Kjo për vetë faktet se i vetmi komb që identifikohet natyrshëm me pellazgët, jemi ne shqiptrët e sotëm që përvecohemi nga etnotipi, karakteri ynë, rraca, gjuha, imazhi dhe geni. Të gjithë të huajt që i ka tërhequr historia pellazgo-biblike, që kanë bërë studime të thella etnografike, antropologjike dhe gjuhën që flasim sot, i ka cuar tek rrënjët e tona 12 mijë vjecare, si një ndër popujt më të vjetër të Evropës. Koha misterioze e mbajtjes së të vërtetës në errësirën e shekujve, ka qënë një nga padrejtësitë e mëdha historike, ku me fshehje dhe devijime të saj janë ndërtuar nga fqinjët tanë verior e jugorë, histori të ngritura mbi mite e gënjështra. Historiani dhe diplomati Georg Fred Ëlliams, me 1916 do të shkruante: “Po të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerikë t’u këndonin hyjnive dhe heronjve mitologjikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull i quajtur pellazg”. Duke vazhduar mendimin e tij të koncentruar dhe bindës, ai do të shprehej më poshtë; “se vetëm shqiptarët kanë ardhur nga kjo rracë e fuqishme parahistorike”. Pellazgët si paraardhës të ilirëve të lashtë kaluan edhe në gadishullun Apenine me emrin toskë, sic quhen edhe në Shqipëri por në itali quhen toskanë dhe etruskë. Gjuha si elementi kryesor që ka pasuar historinë, duke u ruajtur dhe folur brez pas brezi, ka qënë gjuha e vërtetë e Homerit, që grekët e huazuan nga rapsodët pellazgë, me eposin e tyre të shquar. Nuk është e rastit që shqiptarët e hershëm, kanë sunduar botën dhe kanë lënë gjurmë në historinë e njerëzimit. Kjo ka qënë një nga arsyet e forta që Evropa dhe Ballkani, nuk i lanë shqiptarët të ndërtojnë shtet, sepse e dinin që ata do sundonin botën. Në mesjetë ata i dhanë botës udhëheqës laikë fetarë, si Papa Klementi i XI, më i dalluar prej tyre. Këto personalitete që i gjejmë nëpër faqet e historisë, i kaluan kufijtë e Evropës duke lënë gjurmë trimërie dhe krenarie. Është e pamundur të mos përmëndësh emrin e skllavit që u bë perandor i Romës Diokleciani, i cili e reformoj Romën duke e nxjerë nga anarkia dhe e ktheu në monarki absolute, ku sundimi i tij u quajt si pikë kthese për shpëtimin e perandorisë. Këta udhëheqës të shquar shqiptarë në krye të perandorive dhe ushtrive, kanë përcaktuar fatin e betejave historike. Kemi shumë të drejtë të përmëndim heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si një shëmbull gati universal i luftëtarit të lirisë, i nderuar në shumë vënde të botës deri në Melburn e Manila me përmendore. Në vitin 1515 ishte Mërkur Bua me kalorsinë e lehtë të Venetikut e përbërë nga shqiptarë, që përcaktoj fitoren e betejës së Marinjanit, që historia e emërtoj beteja e gjigandëve, ku Franceska e parë e Francës me atë moshë të njomë 19 vjece, në ato dy ditë beteje mësoj se si luftohej. Shqiptarët janë cilësuar heronjtë e revolucionit grek, që u bënë protagonistë të pavarësinë duke e cliruar Greqinë nga Perandoria Otomane. Ndër ta do të përmëndnim Kundurjotin, Marko Bocarin, Kanaris, Kollokotroni, Karaiskaqis, Bubulina që drejtonte një flotë me 7 anije etj. Por shqiptarët i dhanë Perandorisë Otomane 39 kryeministra, vezirë e gjeneralë, ku vetëm familja Qyprili i dha 5 figura të tilla. Nga historia e Italisë, janë nderuar figura si Francesko Krispi, ish shok lufte i Garibaldit dhe kryeministër i parë pas bashkimit të Italisë.Emrin e tij sot e gjen në emërtimin e rrugëve,në cdo qytet të Italisë si në jug edhe në veri.Muhamet Alia ishte reformatori Egjiptit modern,që historia franceze do ta quante;”Napoleon i Lindjes së Afërt”.Nuk mund të mos përmëndim arkitektin e Taxhmahalit në Agra të Indisë, kryevepra e arkitekturës islamike, ishte vepër e një shqiptari ashtu si xhamia Blu e Stambollit. Për këto e të tjera histori suksesesh jashtë trevave ku banojnë e jetojnë shqiptarët, Evropa nëpërmjet fuqive të mëdha të kohës, që nga kongresi i Berlinit më 1878, për të ulur vlerat dhe kontributin e shqiptarëve për qytetërimin e njerzimit, ndërmori izolimin e tyre. Kjo goditje filloj me ndryshimin e emrit, nga gaduiishulli ILIRIK në Ballkan. Nryshimi i emrit u bë qëllimisht nga diplomacia konservatore Evropiane, e cila përdori për shqiptarët termin “pexloratif” turq, për ti cilësuar të gjithë komunitetet në Ballkan munsliman. E megjithatë vlerat e kontributit të shqiptarëve më veprat e tyre në shumë vënde të botës, janë një histori e dëshmisë së madhe. Kjo histori me gjurmët e saj të krenarisë, bën apel për të gjithë shqiptarët kudo që janë, për ta njohur këtë realitet, e për t’ua lënë si trashëgimi brezave të së ardhmes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjurmet e krenarise, Kastriot Aliaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2842
  • 2843
  • 2844
  • 2845
  • 2846
  • …
  • 2925
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT