• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEMIAN SMITH EMËROHET ZËVENDËS AMBASADORI AMERIKAN NË SHQIPËRI

August 2, 2021 by s p

Demian Smith do të jetë Zëvendës Ambasadori Amerikan në Shqipëri. Në njoftimin për publikun e shpërndarë nga Ambasada Amerikane thuhet: “Bashkohuni me ne për të mirëpritur Zëvendës Ambasadorin tonë të ri, Demian Smith në Shqipëri. Z. Smith është një diplomat karriere, i cili e ka vizituar për herë të parë Shqipërinë si turist në vitin 1997 dhe thotë se është “i gëzuar për aventurën tonë të re, për rikthimin në Ballkan dhe pres me padurim për të zbuluar Shqipërinë, shtëpinë tonë të re”. Ndërsa ne mezi presim që ai të rizbulojë mikpritjen e popullit shqiptar dhe miqësinë e ngrohtë midis amerikanëve dhe shqiptarëve. Mirësevjen në Shqipëri! Lexoni biografinë e tij të plotë duke klikuar këtu 👉 https://bit.ly/37tJIZD” thuhet në njoftimin për median dhe publikun.

Filed Under: Featured Tagged With: ambasada amerikane Tirane, DEMIAN SMITH

Presidenti Meta priti Ambasadorin Richard Grenell

August 2, 2021 by s p

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta ka zhvilluar në Presidencë një takim me ish-të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Kreu i shtetit shqiptar në mesazhin e shpërndarë për publikun me rastin e këtij takimi është shprehur se Ambasador Grenell ka promovuar investimet amerikane dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon. “Albania from the Air” ishte libri panoramik që Presidenti Ilir Meta i dhuroi Ambasadorit Richard Grenell me qëllim që ky i fundit të njohë  bukuritë dhe magjinë e turizmit shqiptar.

MESAZHI I PRESIDENTIT META
Ishte kënaqësi të takoja këtë mëngjes Ambasadorin Grenell. Mbështes përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar investimet amerikane dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, si e vetmja mënyrë për të garantuar mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë dhe veçanërisht brezin e ri.
Përpara vizitës të tij në Jug të vendit i dhurova librin “Albania from the Air”, një botim i veçantë mbi mrekullitë natyrore shqiptare, pasi jam i sigurt se herën tjetër ai do të shpenzojë më shumë kohë për të eksploruar Shqipërinë tonë të bukur. (DIELLI)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Granell, Ilir Meta, shqiperia

KA ARDHUR KOHA QË PRESIDENTI BIDEN TË THOTË “ENOUGH IS ENOUGH”!

August 2, 2021 by s p

-Antarësimi i Kosovës në NATO, liberalizimi i vizave dhe njohja nga të gjitha shtetet e Unionit Evropian është e vetmja zgjidhje/

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ */

DIALOGU I MBRAPSHT DHE I DËSHTUAR ME SERBINË /

         Bisedimet e deritanishme me Serbinë ishin të mbrapshta, me pjesëmarrës të mbrapsht. Ata kanë dështuar plotësisht. Për perëndimin ishin të kota, për Kosovën të dëmshme dhe nënçmuese, për Serbinë me përfitime dhe shtim të apetiteve për grabitjen e mëtutjeshme të tokave shqiptare. 

         Nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje e përhershme duke përkëdhelur agresorin serb dhe duke bërë presion mbi viktimën shqiptare. Kjo politikë e padrejtë dhe e dështuar duhet të ndryshojë urgjentisht. Mjaft është mjaft!

         Kusht themelor për të patur dialog konstruktiv dhe arritur sukses është që Serbia të shërohet nga sëmundja e rëndë e urrejtjes për fqinjët, sidomos për shqiptarët. Ajo jeton ende me ëndrra për dominim në Ballkan. Ka nevojë të shkundet mirë dhe të zgjohet nga gjumi i mesjetës, t’i kthehet civilizimit, të pacifizohet dhe denazifikohet. Përndryshe, të gjitha palët do të kënaqen duke biseduar kot edhe për 100 vite të tjera.

         Delegacioni i Kosovës në krye me Kryeministrin Kurti e ka filluar me mençuri dhe kompetencë dialogun e vështirë me shtetin armiqësor dhe abnormal serb. Kërkimi i përgjegjësisë për të kaluarën dhe propozimet konstruktive paqësore për të ardhmen janë strategji e qëlluar dhe formula e vetme për fitore.

PJESËMARRJA AMERIKANE NË DIALOG 

          Dialogu mund të udhëhiqet nga Evropa, por nuk mund të mbyllet me sukses kurrë pa pjesëmarrjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kurrën e kurrës! Populli shqiptar e do dhe i beson Amerikës si simbol i demokracisë, forcës dhe drejtësisë. Pa Amerikën nuk ka drejtësi të vërtetë për Kosovën dhe nuk ka garanci për implementimin e çfarëdo marrëveshjeje. Interesat strategjike të  kombit amerikan, shumicës së kombeve evropiane dhe kombit shqiptar janë të njejta. Amerika është i vetmi shtet në botë, i cili mund ta kundërshtoi përkrahjen ruse për dominimin serb në Ballkan.

         Mediatorët në dialog duhet të jenë të paanshëm, dhe ky është minimumi. Përfaqësuesi evropian Miroslav Lajçak nuk e plotëson këtë kusht. Me kërkesën e tij për ndryshim të kushtetutës së Republikës së Kosovës me qëllim të zbatimit të marrëveshjes anti-kushtetuese për asociacione të pastërta etnike serbe ai ka dalë kundër Kosovës dhe vlerave multi-etnike evropiane dhe amerikane. Ai i përngjanë më shumë zëdhendësit serb se sa ndërmjetësit të paanshëm në konflikt. Prandaj, është mirë që të tërhiqet nga detyra me përgjegjësi e mediatorit.

         Pritet që Presidenti Biden ta caktojë përfaqësuesin amerikan i cili duhet të inkuadrohet urgjentisht në bisedimet e Brukselit. Kjo detyrë nuk duhet t’i besohet diplomatëve si Z. Palmer. Edhe pse me kualifikime të larta për punë diplomatike, vetëm fakti se është dhëndër serb e diskualifikon atë plotësisht. Në mungesë të ish-ambasadorit pro-serb Grenell, ai e tregoi qëndrimin e tij të vërtetë duke bërë presion në palën kosovare për zbatimin e marrëveshjes së dështuar të Washingtonit, të cilën Serbia e ka shkelur me të dyja këmbët pa kurrëfarë konsiderate për Amerikën.

         Marrëveshja e z. Grenell për të ashtuquajturin “normalizim të marëdhënieve ekonomike” midis Kosovës dhe Serbisë është një nga marrëveshjet më të çuditshme të “negociuara” ndonjëherë. Është iluzion të besohet në “normalizimin” e marrëdhënieve ekonomike në mes të agresorit dhe viktimës, ndërsa agresori nuk e njeh dhe përpiqet hapur ta shkatërrojë viktimën. Z. Grenell e orkestroi këtë lojë për të marrë votën serbo-amerikane për Presidentin Trump, por prap se prapë i humbi zgjedhjet.

LOBIZMI NË AMERIKË

         Ekziston vetëm një mënyrë për tu përballur me politikanët jodiplomatikë e të njëanshëm si ish-ambasadori Grenell- aktiviteti lobist në Washington. Ata mund të thirren nga Komitetet për marrëdhënie me botën e jashtme të Kongresit në seanca dëgjimore dhe të merren në pyetje për të shpjeguar dhe arsyetuar qëndrimet dhe marrëdhënjet e tyre me vendet pro-ruse dhe anti-amerikane si Serbia. 

         Dhe, ka vetëm një Lobi që mund ta bëjë atë siç duhet- Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane e udhëhequr nga aktivistët dhe ekspertët shumë të njohur e të suksesshëm për të drejtat njerëzore dhe nacional shqiptare, ish-kongresmeni Joe DioGuardi dhe Znj. Shirley Cloyes DioGuardi. Ndër të tjera, Liga e ka kundërshtuar me sukses ish-Sekretarin e Shtetit Lawrence Eagleburger, i cili kishte simpati dhe lidhje me Serbinë, si dhe e ndaloi ish-Ambasadorin Robert Gelbard të shpallte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës një organizatë terroriste.

         Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane është e vetmja organizatë e regjistruar, e pakompromis dhe e palëkundur e lobimit shqiptaro-amerikan në Washington. Puna e saj me përkushtim për pavarësinë e Kosovës dhe të drejtave të mbarë kombit shqiptar është legjendare. Kjo mund të vërtetohet duke e vizituar web-faqen e saj aacl.com. Pothuajse çdo senator dhe kongresmen amerikan, përfshirë ata shumë të rëndësishem si Biden, Dole, McCain, Lantos, Gilman, Hyde, Ros-Lehtinen dhe shumë të tjerë u informuan nga Liga për çështjen e drejtë shqiptare dhe dolën në mbështetje të kërkesave për liri dhe demokraci. 

         Puna historike e Ligës Qytetare  Shqiptaro-Amerikane ende nuk është vlerësuar dhe pranuar si duhet nga kombi shqiptar, veçanërisht nga Republika e Kosovës. Është koha që Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti të bëjnë gjënë e duhur, atë që paraardhësit e tyre të korruptuar në qeverisje nuk deshën ta bëjnë, të fillojnë procesin e ndërtimit të një Statuje dhe emërtimin e një sheshi ose rruge të rëndësishme kushtuar Joseph J. DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit. Pa ata historia e arritjes së pavarësisë së Kosovës nuk do të jetë e vërtetë dhe e plotë.

         Ka individ dhe organizata të tjera që kanë qenë dhe mund të merren me aktivitete lobimi. Çdo shqiptaro-amerikan ka të drejtë dhe detyrë për të ndihmuar të dyja kombet në mënyrë dhe me mundësi të veta. Por është me rëndësi të mos ngatërrohen lobizmi me diplomacinë. Përfaqësuesit nga shtetet tona të vendlindjes janë ata që bëjnë diplomaci, me mençuri dhe respekt për zyrtarët amerikanë. Për të marrë mbështetjen e nevojshme nga Amerika për çështje të rëndësishme, ata mund të paraqesin argumenta dhe fakte në takime të mbyllura pa konfrontime të panevojshme publike.

         Lobistët nuk kanë nevojë të bëjnë diplomaci. Ata janë tatimpagues amerikanë që kanë të drejtë të përkrahin politika të mira ose të sfidojnë politika të gabuara të një administrate të caktuar përmes Kongresit Amerikan. Nuk ka kurrëfarë kuptimi të mbështeten dhe lavdërohen zyrtarë si ish-Ambasadori Grenell për kinse “punë të mirë”, gjatë kohës kur ai, në koordinim me qeveritarët e korruptuar dhe të shitur të Kosovës, po shkatrronte demokracinë në Kosovë dhe po përpiqej t’i jepte Serbisë qasje në tokat dhe ujërat shqiptare. Kjo nuk është lobim në të mirë të kombit. Ngjanë më shumë në një veprimtari të kundërt, anti-lobim për të marrë trajtim të favorshëm nga një zyrtar amerikan dhe për dukje personale.

ZBATIMI I MARRËVESHJEVE NDËRKOMBËTARE

       Marrëveshje ndërkombëtare ka plot, por pjesa më e madhe e tyre ndryshohen, anulohen ose nuk zbatohen. Implementohen vetëm ato të cilat janë të dobishme për të gjitha palët dhe ato për të cilat vendosen garanca të sigurta e të pathyeshme. Kjo varet nga qeverisja aktuale e një shteti e cila e vlerëson se a është një marrëveshje e caktuar në interes të popullit dhe shtetit.

         Amerika i ndryshon marrëveshjet sipas ineresit sepse është e fortë.  Serbia i nënshkruan marrëveshjet me qëllim mashtrimi dhe nuk i zbaton ato sepse është e poshtër, e toleruar nga perëndimi dhe e përkrahur nga Moska. Kosova  nuk ka nevojë t’i zbatoi marrëveshjet e dëmëshme kur e ka drejtësinë në anën e vet. Pra, Marrëveshja e Brukselit për asociacione serbe dhe ajo e Washingtonit për normalizim ekonomik nuk janë obligative për Kosovën.

ZGJIDHJA E KONFLIKTIT 

         Mundësia që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës me bisedime është joreale. Për këtë arsye, për interesa strategjike, në mbrojtje dhe përmbyllje me sukses të investimit në Kosovë, ka ardhur koha që Presidenti Biden, si Presidenti Bush në Qershor të vitit 2007, të thotë “Enough is enough”. Askush nuk e njeh situatën në Evropën Juglindore dhe konfliktin e Kosovës me Serbinë më mirë se Presidenti Joseph Biden. Ta anëtarësojë në NATO shtetin më pro-Amerikan në botë dhe ta bind Evropën për liberalizim të vizave dhe fillim të procesit afatgjatë të hyrjes së Kosovës në Unionin Evropian. Kjo është zgjidhja e vetme reale në këtë moment.

         Serbia dhe Rusia nuk mund ta ndalojnë këtë gjë në asnjë mënyrë. Ndoshta kjo e ndihmon Serbinë të zgjohet nga gjumi shekullor dhe të fillojë me ndryshime të nevojshme të kthimit në botën e civilizuar dhe të pajtohet me realitetin se pavarësia e Kosovës është e përjetëshme.

         Po ashtu, ka ardhur koha që Amerika dhe Evropa të ia ndalin turrin diktatorit shovinist serb Vuciq dhe shërbëtorëve të tij, Kryeministrit Rama të Shqipërisë, Kryeministrit Zaev të Maqedonisë Veriore dhe Milorad Dodikut të Bosnjes, të cilët janë vënë në shërbim të hegjemonoizmit ruso-serb duke e destabilizuar Ballkanin dhe gjithë Evropën. Axhenda e tyre e ashtuquajtur “Ballkan i hapur” është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat evropiane dhe amerikane.

PËRFUNDIMISHT

– Serbia nuk ndalohet me lëshime e ledhatime, veç me konfrontim të fortë dhe presion serioz, me diplomaci dhe metoda demokratike. Ata që trumbetojnë se duhet për t’i dhënë diçka duhet të shpallen “budallenjtë më të mëdhenj të shekullit XXI”.

– Kosova nuk ka qenë as nuk do të bëhet kurrë “djepi i civilizimit serb” siç gënjen Serbia. E vërteta është se, siç thotë veprimtari Bardhyl Mahmuti “Kosova është djepi i barbarisë dhe gjenocidit serb kundër popullit shqiptar” dhe Kryeministri  Kurti “Serbia ka hyrë në Kosovë me gjenocid dhe ka dalë me gjenocid”. Dhe, siç do të thoshte mbarë kombi shqiptar “Kosova është varri i shovinizmit, hegjemonizmit, ekspansionizmit dhe barbarisë së shtetit jocivilizues serb”

– Nuk ekziston asnjë mënyrë dhe asnjë mundësi që Serbia ta nënshtrojë Kosovën, pa dorëzim nga vetë populli shqiptar. Nuk mund ta nënshtrojnë as Vuçiqat, as Putinat, as Grenellat, as Ramat dhe as përkrahësit e tyre brenda dhe jashtë Kosovës.  Kombi shqiptar është i fortë dhe nëse organizohet si duhet, i kontrollon dy shtete dhe mund të luaj rol të rëndësishem edhe në katër shtete tjera, drejt bashkimit kombëtarë në Unionin Evropian.

         LIRIA. INTEGRITETI TERRITORIAL DHE SOVRANITETI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NUK MUND TË NEGOCIOHET NGA ASKUSH DHE ME ASKEND. POPULLI I LAVDISHËM I DARDANISË E KA PAGUAR ATË ME GJAK DHE SAKRIFICË TË PAFUND.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Featured Tagged With: Agim Alickaj, Biden, kosova

P. Anton Harapi për strukturën morale të popullit tonë

August 2, 2021 by s p

Nga Anton Çefa

Asnjë prej studiuesve që janë marrë me studimin e dokeve morale të popullit tonë, në përgjithësi, ase të Kanunit të Lekë Dukagjinit, në veçanti, duke filluar me Gjeçovin, Palajn, Valentinin, Cordignanon, Koliqin, Konicën, etj., nuk kanë bërë ndonjë përpjekje për klasifikimin e tyre në gjirin e një sistemi, përveç P. Anton Harapit.

          Simbas këtij studiuesi, karakteri moral i popullit tonë dallohet nga dy grupe virtytesh: nga virtytet shoqërore dhe nga virtytet vetjake. Në të parat, ai përfshin besën, ndoren, mikun, bukën (mikpritjen).  Në virtytet vetjake, ai përmbledh cilësi që lidhën me burrninë, të tila si forcën, qindresën, drejtësinë vetjake, urtinë që përjashton egërsinë, inteligjencën, matuninë, etj. Mbi këtë truall moral, sipas Harapit, shqiptari ndërton parimin themelor të jetës, dhe vlerës së saj dhe që është: besa, feja e burrnija. (Në hapësirën kuptimore të termit besë, ai përfshin të gjitha virtytet shoqërore që përmendëm më lart).

          “Besa e burrnija, shkruan ai, përbajn karakterin moral të popullit tonë; per to shqyptari flijon pasunin, familjen dhe vetjen der në shkallën heroike e per to ‘e ban dekën si me le” 1).  Këtyre virtyteve, ai i shton besimin në Zotin. Për t’u vënë në dukje këtu është fakti që ndër virtytet që përmendëm më lart, Harapi ka lënë jashtë nderin, që është një nga përbërësit themelorë të strukturës morale të popullit tonë.

          “Ideja ‘burrni’ e jona, dan se mban diç ma tepër se ideja . . . e grekvet dhe se ideja virus e rromakvet. E njimend, prej nji burri në veshtrim të plotë na kerkojm madhnin shpirtnore, pse burri do të jetë bujar, zemërgjanë e i madh nder të tana pikpamjet; në nji burrë duem të shohim kjartsin e mendes, pse burri din shka ban e shka flet, as . . . kurr nuk ngutet, prej urtije e jo prej tutet.” 2).

          “Burrnija nenkupton zotnimin e vetit, pse burri qi asht burrë e ka vetin në dorë, as s’merret me doshkado; burrnin e mbajm të panjollë porsi vetje, si edhe të stolisun me të gjitha vetit, qi lyp ndera e fisit e e familjes, pse burrit nuk i kuqet ftyra, aj e ka synin (ndergjegjen) kokerr (të pafrigshem). Tue kenë se burrnija xen fill e pshtetet në besë, e besa së mbrami në droje (frikë) të Zotit, të tanë fuqija morale, karakteri e qindresa e nji burrit themelohen në bazë objektive, reale e të njimendtë e shkon baraz me natyrë të nierit aq sa nji të zhburrnuemit nuk i vjen ma era nieri. Qe se si me iden ‘burrni’ na i shprehim të gjitha virtytet vetjake e shoqnore jo vetem në dispozicion e n’aftsi, por në veprim e në zbatim a si i thonë in facto esse.” 3).

Filed Under: LETERSI Tagged With: Anton Cefa, Anton Harapi, Morali i shoqerise

TE FITOSH NJË EUROPIAN A BOTËROR ME 11-METËRSHA?

August 2, 2021 by s p

(Jehonë e Euro 2020)

Nga Skifter Këlliçi

Boston, SHBA

Është më të vërtetë e habitshme, por ja që është e vërtetë. Kështu fitoi Brazili në finalen e Botërorit të vitit 1994 kundër Italisë, pra, pasi loja e rregullt, me gjithë shtesën, përfundoi 0-0. Po kështu fitoi edhe Italia në Botërorin 2006 kundër Francës. E njëjta gjë u përsërit edhe të dielën e 11 Korrikut, por në finale Euro ’20, ku Italia mundi Anglinë. Pra, pas serisë së 11-metërshave, kur kishin zhvilluar 120 minuta lojë…Por arriti të paktën një fitorë pas një gjuajtjeje më këmbë dhe jo si më 1968 në gjysmëfinalen Itali-Bashkimi Sovjetik, kur axurrët fituam me short, pilë a kokë …dhe kaluan në finale, u ndëshën me Jugosllavinë, dhe barazuan 1-1, me gjithë shtesën e lojës. Por atëherë UEFA respektoi traditën-vendosi që dy ditë më pas të zhvillohej një tjetër finale, ku axurrët, me 8 futbollistë të freskët, fituan 2-0 ndjaj jugosllaëve të sflitur dhe u bënë për herë të parë kampionë të Evropës. Dhe ja, pas pas 53 vjetësh janë përsëri kampionë të tillë, por pas ‘ruletës’ së 11-metërshave. Sidoqoftë, e përsëris, shumë më mirë se me short. Megjithatë, siç do të shpjegoj më poshtë, edhe seria e 11-metërshave nuk përcakton gjithnjë skuadrën më të mirë, më të fortë, kampionen e denjë. Nëse Morata do të kishte shënuar 11-metërshin e tij në takimin gjysmëfinal me Italinë dhe nëse Spanja do të kishte fituar në këtë mënyrë takimin, të tërë do të thoshnin se skuadra iberike e meritonte të dilte në finale, sepse në atë ndeshje luajti më mirë se Italia, pa mohuar kurrsesi edhe meritat e kësaj të fundit, të dëshmuara edhe në ndeshjet e mëparshme, sidomos kundër Turqisë, Zvicrës, Belgjikës, ku luajti gjithashtu shumë mirë. E njëjta dukuri u përsërit në finale, ku, edhe sikur të kishte humbur me 11-metërsh ndaj anglezëve, të tërë do të thonim se Italia ishte kampione e vërtetë e këtij evropiani dhe se ‘shpikësit e futbollit’ fituan falë lotarisë së 11-metërshave. Pra, a është zgjidhje e drejtë që përcaktuesja e një ndeshjeje për një titullin kampion në futboll të zgjidhet pas ruletës së 11-metrshave? U quajt zgjidhja më e mirë, kur më 1970 ish-gjyqtari gjerman Karl Ëald, i propozoi Bundesligës që pas shtesës së një ndeshjeje, e cila mbyllet në barazim, fituesja të përcaktohet në këtë mënyrë. Dhe drejtuesit e Bundesligës e miratuan pa ngurrim këtë propozim. Pastaj ky regull u mirëprit nga federatat e tjera evropiane, nga UEFA dhe pastaj nga FIFA. Këtu në Amerikë kam parë që në raste të tilla gjyqtari ka akorduar një tjetër mënyrë për të përcaktuar fituesin: Futbollisti nisej nga një largësi prej 40-metrash drej portës dhe vihej përballë portierit që bënte ato veprime që atij i dukeshin të arsyeshme: rrinte në portë ose i delte kundështarit përpara, për t’i ngushtuar rrezen e veprimit, kurse, nga ana tjetër, i pari përdorte arsenalin e tij teknik, për t’iu mënjanuar dhe shënuar. Kur e pashë për herë të parë zbatimin e këtij regulli në një stadium të Bostonit , m’u duk interesant, sepse lojtari nuk bënte një veprim të thjeshtë, pra nuk gjuante topin drejt e në portë,, por përdorte dhe lëvizje mashtruese, për të mposhtur portierin. Por, me sa duket, FIFA, në rast se ështe bërë një propozim i tillë, nuk e ka parë të arsyeshme të vërë në zbatim një regull të tillë. Këto ditë së bashkë me një gazetar amerikan po diskutonim rreth ndeshjes finale Itali-Angli që përfundoi pra, me ngadhnjimin e italianëve, pas lotarisë së 11-metërshave. I shfaqa atij mendimet e mia rreth këtij problemi, të cilat ai i dëgjoi më shumë kurreshtje dhe më dha të drejtë. Po ua parashtroj edhe lexuesve: Për përcaktimin e skuadrës fituese në rastet e mësipërme, të merren parasysh jo gjuajtjet nga pika e11-metërshit, por gjuajtjet gjatë ndeshjes së njerës ose tjetrës skuadër në hapësirën e portave, duke përfshirë edhe pritjet e portierëvë, si dhe dhe goditjet e topit në shtyllat përkatëse. Në rast se numri i tyre është i barabartë, të merret parasysh përqindja e zotërimit dhe qarkullimit të topit në gjysmëfushën kundërshtare, pastaj goditjet e këndit, si dhe numri i kartonave të verdhë ose të kuq për secilën skuadër. Këto janë elemente përbërëse të ndeshjes, kurse 11-metërshat pas 120 minutave të zhvillimit të saj, janë shtojcë artificiale e saj. Ata nuk tregojnë gjithmonë nivelin teknik të lojtarit, sado i mirë qoftë ai, ndonëse para ndeshjeve të tilla trajnerët i stërvisin lojtarët të gjuajnë nga pika e 11-metërshit. Fakti që lojtatë të tillë si Pele, Maradona etj për të ardhur te Ronaldo dhe Mesi kanë humbur goditje të tilla, dëshmon se vendimtare në të tilla rast nuk ështe përgatitja e lartë teknike që ata kanë, por gjendja shpirtërore. Eshtë e çuditshme se si këta futbollistë dhe të tjerë në galerinë e futbollistëve më të mirë në historinë e futbollit botëror, të shënojnë me goditje ’kirurgjikale’ dënimi mbi murin e mbrotjes dhe të mos shënojnë nga pika e 11-metërshit. Morata arriti të gjuante dhe të shënonte një gol të rallë në portën e Donarumës pas një aksioni të përkryer, dhe u drodh po para këtij portieri dhe gjuajti keq 11-metërshin e fundit, që fundosi Spanjën aq premtuese në Euro 20 -ën. Shkruhet se portierët janë hipnotizues dhe parandjejnë se nga ç’anë do ta gjuajë kundërshtari 11-metërshin. Nuk më duket se është kështu. Sa e sa herë kemi parë portierë të hidhet nga një anë dhe topi të përfundojë në rrjetë ose edhe jashtë, në anën tjetër të portës. Kjo tregon se ata hamendësojnë se kundërshtari do të gjuajë në një anë, ndaj ai hidhet andej, ‘të dalë, ku të dalë’, dhe jo rallë e presin ose e largojnë topin. Si përfundim, nëse FIFA një ditë do të vendoste që fitorja në raste të tilla, do t’i jepej skuadrës që ka ato tregues që përmenda më sipër, më të mirë se skudra kundërshtare pra, e përsëris,se ka zhvilluar një volum më të madh të lojës në gjysmëfushën e skuadrës kundërshtare, se ka gjuajtur më shumë në portë, se ka gjuajtur gjithashtu më shumë goditje këndi, se ka bërë më pak faulle, se ka pasur më pak pozicione jashtë lojes e ka pasur më pak kartonë të verdhë, a të kuq, të dhëna që shikuesit i shohin në stadium dhe teleshikuesit në ekran në fund të pjesës së parë dhe të tërë ndeshjes, ajo ka dëshmuar kështu së eshtë më e mirë se skuadra kundërshtare dhe meriton të jetë fituesja e saj. Nga ana po tjetër, po të zbatohej ky regull, skuadrat, do të përpiqeshin, mbi të gjitha të gjuanin sa më shumë, që të shënonin gola, duke e ditur që këto gjuajtje do të vlenin në rast barazimi edhe në shtesën e ndeshjes. Dhe kjo, sepse ka ndodhur që një skuadër e dobët që ka arritur ta mbyllë kohën e regullt në barazim me një skudër tjetër më të mire se ajo, të presë të ruajë rezultatin e barabartë dhe të fitojë me 11-metërsha. Po kujtoj vetëm një ndeshje në çerekfinalet e Botërorit Mekikë 1986 midis Spanjës dhe Belgjikës, ku në shtesën e lojës spanjollët kishin epërsi dërmuese; por belgët u mbrojtën ‘heroikisht’, arritën te 11-metërshat ku dhe fituan. Madje, arritën të zinin vendin e katërt pas Francës, dhe Gjermanisë që u mund në finale nga Argjentina e Maradonës, kampione botërore, (2-1), që u bë kampione botërore. Së fundi mendoni sikur anglazët të fitonin finale e Rruro 20-ës me 11 metrësha. Do të ishte absurde dhe në shtypin dhe radiotelevizionet botërore do të theksoheshin me të drejtë këto fjalë: ‘Fitorja e anglezëve dhe lavdia e italianëve’. Sidoqoftë lind pyetja: Po në rastet e sipër përmendura nuk është goli që përcakton fitoren e një skudreje. Ashtu vërtet, por shohim një skuadër që nuk fiton me një 11-metërsh të rastit, por me elementë rrënjësorë të lojës së futbollit, e cila bëhet kështu më emocionuese, më spektakolare. Ja përse edhe gazetari amerikan, njohës i mirë i futbollit, i mirëpriti këto mendime, të cilat unë po ua paraqes lexueve.

Filed Under: Sport Tagged With: Europiani, Skifter Kellici, Sport

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2864
  • 2865
  • 2866
  • 2867
  • 2868
  • …
  • 2883
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova’s Fight For Justice And Healing Starts In Albanian Homes
  • FILARMONIA E KOSOVËS  KONCERT FESTIV NË VJENË
  • Refat Gurrazezi, djaloshi nga Skrapari që drejtoi në SHBA për 11 vjet gazetën “Dielli” dhe për 14 vjet ishte sekretar i “Vatrës”
  • JAKUP KRASNIQI, MISIONARI I MADH LËVIZJES KOMBËTARE
  • Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës
  • PËR LIBRIN E SHPENDI TOPOLLAJT “KADAREJA I PAVDEKSHËM”
  • HAFIZ SABRI KOÇI – NJË KUJTESË QË SFIDOI DIKTATURËN, NJË TEST PËR NDËRGJEGJEN MORALE E POLITIKE TË SHQIPTARËVE SOT
  • NJË JETË ME PËRPJEKJE DHE ARRITJE, Inxhinier Mërgim Korça iku…
  • Broshura “Albania” e Athanas Gegajt dhe Rexhep Krasniqit
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Marin Becikemi – Shkodrani
  • THE AUCKLAND STAR (1938) / “NE BESOJMË NË TË QENIT VAJZA MODERNE…” — INTERVISTA ME MYZEJEN, RUHIJE DHE MAXHIDE ZOGU NË LONDËR
  • Albanian American Gastrointestinal Association and Albanians Fighting Cancer join forces on April 4th, in Boston, MA, to empower our community and to raise funds for our fight against cancer
  • Hidai Bregu, in memoriam…
  • Një mbrëmje e ndjerë dhe domethënëse në shërbim të drejtësisë dhe dinjitetit
  • 18 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në Florida

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT