• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një pasqyrim letrar i një regjimi mizor

August 20, 2021 by s p

(Mbi romanin “Dashuri diktatori” të shkrimtarit Xhevat Mustafa)

Nga Bardhyl Selimi

Kishte disa vite që miku im, Xhevat Mustafa, publicist, analist dhe shkrimtar, punonte për këtë roman. Sfida ishte e madhe, vërtet. Jo vetëm se për diktatorin tonë komunist, Enver Hoxhën, kanë shkruar edhe të tjerë, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Por sepse, këtë radhë, duhej pasqyruar letrarisht, në gjininë e romanit artistik, një tipar i veçantë mizor i karakterit të tij, shpirti hakmarrës ndaj kujtdo që nuk e kishte pëlqyer, madje edhe përbuzur, në rininë e tij, përfshi këtu edhe disa vajza.

Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Gjirokastër, Korçë e Tiranë, duke filluar nga fundi i viteve 20 të shekullit të kaluar, deri në prillin e vitit 1952. Në atë kohë diktatori i ardhëshëm njihet me dy vajza shqiptare nga qyteti i lindjes, me Sabiha Kasimatin dhe Musine Kokalarin si dhe me Aurelian, vajzën e një punëtori Italian, po në atë qytet. Të tria të bukura, sigurisht, por edhe me karakter të fortë. Duke e njohur bashkëvendasin e tyre bukurosh, por me tip Don Zhuani, nga afër, asnjëra nuk guxonte t’u përgjigjej flirteve të tij, ndonëse për mirësjellje bisedonin dhe shoqëroheshin me të. Kjo gjë e nervozonte dhe e cimbiste jashtëzakonsisht sedrën e Enverit, që më kot e dëshpërimisht këmbëngulte në propozimet e tij. Jeta studentore i shkëputi të gjithë përkohësisht nga bezdisjet e djaloshit deri sa vajzat shqiptare dhe Aurelia gjetën shokun e tyre të jetës. Njëkohësisht të parat i përqendruan energjitë e tyre në studime të mirëfillta shkencore dhe letrare. Ndërsa Aurelia iu përkushtua familjes që krijoi me bashkëatdhetarin e vet, Xhuzepen, punonjës i Bankës Italo-Shqiptare. Nga ana e tij, Enveri nisi jetën e nëndheshme politike dhe u bë ai që njohim të gjithë, kreu i Partisë Komuniste dhe, më pas, i shtetit totalitar në Shqipëri. 

Pikërisht në këtë kohë nis edhe tragjedia, jo vetëm e tri grave rreth të cilave thurret romani në fjalë. E para e pëson Musineja, madje pa u “çliruar” ende Shqipëria. Me urdhër të shefit komunist, u pushkatuan pa gjyq, bashkë me dhjetëra të tjerë në Tiranë, edhe dy vëllezër të Musinesë (I treti shpëtoi sepse e kish zenë malarja dhe partizanët që shkuan ta marrin përtonin ta bartnin deri te vendi i ekzekutimit- ky ishte Hamiti që në Kosovë vlerësohet për veprën e tij :Kosova –djepi i shqiptarizimit”). Musinenë vetë, e burgosën pak kohë pas vendosjes së regjimit totalitar dhe më vonë e internuan deri sa ajo ra në depresion, u sëmur nga kanceri dhe vdiq në Rrëshen të Mirditës. Thonë se kufomën e shpunë në varreza vetëm me karrocën e ndërmarrjes komunale. E dyta e pësoi Aurelia. Ia arrestuan të shoqin në Bankën e Vlorës, të cilin e akuzuan “për vjedhje të pasurisë së shqiptarëve” dhe e dënuan tetë vjet burgim në Burrel, nga ku nuk doli i gjallë. Vetë Aurelia mezi arriti të riatdhesohej në Itali me të birin, motrën dhe prindët. Sabihasë iu rezervua një fund më i tmerrshëm: u arrestua në gjendje të sëmurë, pa fakte, një mesnatë, bashke me 21 intelektuale të tjerë, në 19 shkurt 1951 dhe u pushkatua në grup,  më 26 shkurt të po atij viti, në një fshat afër Tiranës.

Këto fakte janë bërë të njohura për publikun këta 30 vjet në demokraci, por në roman, sikurse thashë në fillim, ato paraqiten artistikisht, përmes skenash të larmishme, bisedash, si të viktimave, ashtu edhe të figurave të tjera të pushtetit, si Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Nako Spiru, Omer Nishani, etj.

Duke e lexuar ngadalë dhe me vëmendje tërë romanin, kam përjetuar shumë vuajtje shpirtërore, pasi mu rikujtua ajo periudhë e errët mesjetare e vendit tim, ku edhe unë e kam pësuar jo pak. Shpesh në ëndërra kam parë edhe makthe!   

Romani është një kallëzim ndaj regjimit mizor enverist, që e kaploi Shqipërinë tonë të vogël e të shumëvuajtur, të paktën, për 46 vjet! Mjerisht ende shqiptarët ende nuk e vlerësojnë atë regjim njëjtë sikurse e vlerësojnë psh gjermanët dhe italianët nazizmin dhe fashizmin! Por për ato regjime është shkruar mjaftueshëm sa askush nuk i lavdëron më, madje ka turp edhe t’i përmendë!

Bardhyl Selimi, 19 gusht 2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bardhyl Selimi, Dashuri diktatori, Letersi

TËRHEQJA E RRËMUJSHME DHE FERMENTI I BRENDSHËM NË AFGANISTAN

August 20, 2021 by s p

Nga Asllan Bushati

Afganistani është një vend në Azinë Qëndrore që kufizohet me: Iranin, Pakistanin, Kinën, Taxhakistanin, Uzbekistanin e Turkmenistanin. Ka një sipërfaqe prej 652,230 kilometra katrore dhe një popullsi 30,5 milion banor. Pashtutë përbëjnë mbi 40 përqind të popullatës dhe së bashku me 5 milion Kuci janë entiteti shtetformues. Taxhikët përbëjnë 30 përqind, Hazartët 20 përqind (mongol dhe etni të tjera) dhe uzbekët (turqit) 7-8 përqind. Është vend i thyer me lartësi mesatare mbi nivelin e detit nga 250 deri në 7 mijë metra.

Talebanët janë të gjithë Pashtu, por jo të gjithë Pashtutë janë talebanë.Ata kanë qenë e vazhdojnë të jenë  një nga krahët e armatosur më të fuqishë të Alkaidës dhe terrorizmit ndërkombëtarë. Duke qenë në fuqi në Afganistan dhe duke vepruar nën urdhërat e Osaman Bin Ladenit (kryeterroristit ndërkombëtar), më 11 shtator 2001 talebanët sulmuan SHBA-në: Pentagonin dhe Kullat binjake në NY. Që nga ajo kohë, Ushtria amerikane me aleatët e NATO-s janë të pranishme në Afganistan (pra 20 vjet), duke u përpjekur të frenojë e godas terrorizmin, por edhe me idenë për të ngritur një shtet funksional e të përgjegjshëm sipas modelit të vendeve perendimore.

Por në këto 20 vite Afganistani u bë një varr i madh që përfshiu brenda  (deri në prill 2021) : 2448 ushtarakë amerikanë,3846 kontraktorë, 1144 ushtarakë të vendeve të tjera të NATO-s, 444 puntor të ndihmave, 72 gazetarë. Dhe nga ana tjetër: ushtarakë e policë afganë 66 mijë, civilë afganë 47,245, talebanë e luftëtar opozitarë pranë tyre 51,191.

Pas 20 vitesh lufte në një vend jo aleat, jo mik, (madje me psikozë armiqësore  kundër SHBA-së e NATO-s), e  ku u shpenzuan më shumë se 2 trilion dollar. U stërvitën e gatitën për luftë mbi 300 mijë ushtarakë e policë afganë, u paisën me teknikë e aparaturë modern amerikane të gjitha formacionet ushtarako-policore dhe që perspektiva për një shtetformin perendimor dukej e vakët, shtrohej një pyetje madhore politike e ushtarake: A ja vlen  që të konsumohen  më tej  jetë njerzore, mjete monetare e materiale dhe energji të gjithanëshe duke vazhduar të qëndrohet në Afganistan apo të largohej prej andej?

Vendimi për tërheqje ishte më i miri nga të dy opsionet e mundëshme. Atë e deklaroi  fillimisht ish Presidenti Donald Trump dhe e bëri realitet Presidenti aktual  Joe Biden. Këtë  opsion e përkrahën edhe udhëheqësit e NATO-s,  të vendeve euroatlantike dhe shumica e demokracive botrore.

 Por unë mendoj se si opsion është shumë  i vonuar. E them këtë se pas asgjësimit të Osaman Bin Ladenit, ish Presidenti Obama pati mundësinë ta realizonte tërheqjen shumë kohë më parë, me faqe të bardhë e më me pak humbje njerzore e materiale. Humbi shansin, nuk e bëri ndoshta për arsye të zgjedhjeve të ardhëshme amerikane ose dhe nga  pazotësie për të marrë mbi shpatulla një përgjegjësi të madhe historike.

Historia e luftrave dhe e arit ushtarak ka shumë shembuj të operacioneve të tërheqjes që janë bërë deri më sot. Ata si e kundërta e atyre mësymse që kanë në themel: në kohën më të shkurtër zgjerimin e hapsirës, ato të tërheqjes kanë synim  lëshimin e hapsirës në dobi të kohës dhe nevojës për rigrupimit (përqëndrimit), tërheqje  e deri në largim. Edhe operacionet mësymse edhe tërheqëse planifikohen në detaje në raportë me: kohën, vendin (hapsirën), forcat, mjetet, lëvizjet, manovrën, maskimin, sigurinë e krahëve e të shpinës, bashkveprimin me fqinjët (aleatët) etj.

Por si po realizohet operacioni  aktual i tërheqjes nga Afganistani? Në gjykimin tim si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare e tashmë në lirim (pension) e quaj: skandal, i shëmtuar,i rrëmujshëm, më i keqi i  kohrave moderne etj. Pse?

Mendoj se ka disa faktorë janë dominues si: vlerësime të gabuara të zbulimit ushtarak për gjendjen në teren, mos koordinim, mungesë bashkveprimi në kohë e hapsirë në Ushtrinë Amerikane dhe me aleatët e NATO-s, ndërhyrja e politikës në veprimet teknike e operacionale ushtarake, bisedimet e njëanëshme me talebanët pa përfillur aleatët e tjerë jo Pashtu dhe aleatët e NATO-s, nënvleftësimi i veprimtarisë fermentuese kinezo- pakistaneze dhe asaj armiqësore iraniane etj.

Kam bindjen se bomba e madhe që u plasi në dorë kinezve me koronavirusin e dalë nga laboratori ushtarak i Uhanit (veprimtari akoma nën hetim), deklarimet e amerikanëve  (dhe të tjerëve) për përgjegjësinë kineze para botës për pandeminë botrore, e kanë shtyrë shërbimin sekret ushtarak kinez të veprojë në teren për të minuar fuqinë, e vlerat amerikane. Kështu Kina përpiqet të largojë vemendjen nga koronavirusi dhe ta adresojë atë tek dështimi i operacionit tërheqjes së amerikanëve nga Afganistani.

Në ndihmë të kinezve e si një  mashë në shërbim të tyre, ka vepruar në Afganistan edhe shërbimi sekret ushtarak pakistanez. Ai ka qenë dhe është i interesuar për largimin amerikan nga kjo hapsirë dhe zëvëndësimin e saj  me hegjemoninë kinezo- pakistaneze. Por në këtë pikë ka edhe interesa të ngushta e të mirfillta pakistaneze  për influencë në të ardhmen e Afganistanit, sepse në atë vend jetojnë më shumë se 4 milion afganë që nga koha e pushtimit sovjetik.

Nga të dhënat e shtypit, dhe situata konkrete brenda Afganistanit, del fare qartë e në pamshëri  të plotë se 300 mijë trupa shtetrore afgane të stërvitura nga amerikanët, nuk bënë asnjë rezistencë për të kundërshtuar talebanët. Këto të fundit vazhduan të qetë, ku me qartësi, shpejtësi, ovacion  e prudencë pushtuan pa asnjë pengesë të gjithë  krahinat (Pashtu e jo Pashtu) përfshi edhe kryeqytetitin Kabul.

 Në këtë rast pyetja shtrohet: pse entitetet jo Pashtru (ish bashkpunëtor të amerikanëve) nuk i rezistuan marrshimit taleban? Mendoj se ka disa arsye: Së pari, ata u ndjenë të tradhëtuar nga bisedimet e politikanëve e diplomatëve amerikanë vetëm për vetëm me talebanët (pa praninë e tyre) për gati një vit e gjysëm. Së dyti, fermentin e mos besimit ndaj amerikanëve e mbollën dhe e shumuan shërbimet sekrete kineze, pakistaneze dhe iraniane. Së treti, duket se ka patur marveshje të fshehtë midis palëve afgane për ti larguar amerikanët dhe NATO-n. Së katërti, ceshtje të besueshmërisë fetare. Së pesti, në sytë e tyre Kina shihet si liderja e së ardhmes së afërt në atë rajon e më gjërë etj.

Po cfarë pritet në të ardhmen e afërt nga këto zhvillime të rrëmujshme në Afganistan?  Le të presim se si do ta shtrojnë e realizojnë qeverisjen e re talebanët, a do të jetë ajo gjithpërfshirëse ku në të të jenë edhe etnitë jo pashtru? Cfarë vendi do të zenë gratë dhe vajzat në arsim, shëndetësi, media etj. Amnestia e përgjithëshme do të jetë reale apo selective? A do të lejohet fjala e lirë në media, a do të lejohen demostatat dhe veprimtaritë në mbrojtje të interesave publike? A do të mirpërdorohet apo do të keq përdorohet gjithë ai arsenal ushtarak amerikan i dhënë për përdorim ish ushtrisë qeveritare afgane? A do të heqin dorë nga terrorizmi talebanët apo do të vazhdojnë si më parë?

Në pritje të qartësimit të sa më sipër, SHBA-ja, NATO-ja, G-7-ta dhe Këshilli Sigurimit të OKB-së, lypse të kenë planin reserve: që nga mos njohja, blokada ekonomike e në se situate eskalon për keq deri tek opsioni i përdorimit të luftës ajrore. Priremi të besojmë për më mirë. Por dimensioni i lidershipit  botror amerikan, ka pësuar një goditje të fortë. Administrate Biden do të përballet me pasojat e keqmenaxhimit të operacionit të tërheqjes nga Afganistani. NATO-ja  lypset të rishikojë vehtën në cdo aspekt të së ardhmes. Shpresa nuk ka humbur.

ASLLAN  BUSHATI

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, Terheqja e rremujshme

Mëngjes i trishtë

August 20, 2021 by s p

Nga: Gezim Zilja

Më ndaloi një mik i vjetër, shok shkolle në gjimnaz, kur po kthehesha nga plazhi. Pasi bëri “copë,” në dy minuta gjëndjen e plazhit, që nuk ishte pastruar ( ai nuk lahet në det, as banjo dielli nuk bën) dhe shau për ujrat e zeza, që vazhdonin të derdheshin në det, shumë i shqetësuar donte mendimin tim pse Amerika i la afganët në baltë. Filloi të shantë më zë të lartë amerikanët, Europën, pastaj qeverinë, që do i mbajë me bukë afganët kur ne s’kemi për vete…..- Më jep dy minuta kohë- i thashë,- të them diçka.- Në punë je? -Jo në pension, po ça pension muti. Ata të poshtrit….- Nuk kanë kaluar dy minuta,- ia preva. – Lërmë tani…- Fëmijët?- Dy i kam këtu pa punë, ai i madhi nga Italia po hehe…- Ujë keni,? – Një herë në 24 orë, se ai shkërdhata i gjatë Vlorën e Vjetër e thau…..- Si ia dilni?- Po ja me të keq o vëlla,- pohoi me zë të mekur. Ngriti fytyrën. Në sytë ë tij po ravijëzohej një lëng i ngjashëm me lotin. Pashë mjerimin, përuljen, kotësinë dhe kuptova që zemërimi për afganët i kishtë rënë në zero. -Me Afganistanin – i thashë më sinqeritet – si do ia bëjmë tani? – Se këto të tjerat i kuptova. Më përqafoi, mërmëriti diçka të tillë si: Ah mor vëlla dhe mbi sup ndjeva ndërkaq ngrohtësinë e pikës së lotit që i rrëshqiti nga sytë. – Ujë -, i thashë, -ujë. – Kemi që nga viti 1912 që duam ujë…. Nuk mu përgjigj. Iku dukë hequr shapkat zvarrë. Po mbushej behari i gjashtë pa i hequr nga këmbët….

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Zilja, Letersi, Mengjes i trishte

Nëna Tereze – jetë për t’u kujtuar dhe dëshmi për t’u imituar

August 20, 2021 by s p

Nga Don Lush GJERGJI  

Ne si Shqiptarë, të krishterë apo myslimanë, Nënën tonë Tereze e kemi njohur mjaft vonë, diku viteve të 80-ta, pas Çmimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979), edhe pse revista jonë fetare dhe kulturore “DRITA”, prej numrit të parë për Pashkë 1970, pothuaj në çdo numër ka shkruar dhe botuar vështrime, lajme, ngjarje që lidhën për jetën dhe veprën e saj në Kishë dhe në botë. Sipas mendimit dhe vlerësimit tim, lidhja me Nënën Tereze ka pasur këto pesë faza jetësore: Njohjen, nderimin, falënderimin, së fundi edhe përshpirtërinë dhe kultin, imitim dhe përngjasim i saj në jetën tonë të krishterë dhe kombëtare. Pas njohjes kemi ardhur deri te nderimi dhe falënderimi, me emërtimin e shkollave, shesheve, rrugëve, institucioneve kulturore dhe shëndetësore, me ngritjen e shtatoreve në Kosovë dhe më gjerë. Hap i rëndësishëm, ndoshta edhe vendimtar, për krijimin e përshpirtërisë dhe të kultit, të imitimit, është edhe ndërtimi i Shenjtërores dhe katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, bekimi dhe shugurimi i saj, si dhe ndërtimi i kësaj kishe dhe qendre në Dugujevë kushtuar Shën Nënës Tereze nga ana e famullitarit të atëhershëm të Gllaviçicës, tashmë të ndjerit Don Gjergj Gjergjit.  Nënën Tereze Bojaxhiu e kam takuar shumë herë gjatë njohjes, shoqërimit dhe bashkëpunimit me të, në meridianët  të ndryshme të botës, që nga takimi im i parë personal  në Romë më 29 mars 1969. Unë atëherë isha student i vitit të dytë të filozofisë në Universitetin “Urabanian”. Atë e kam shoqëruar në pesë vizitat e saja në Kosovë dhe në Maqedoninë Veriore, 1970, 1978, 1980, 1982, 1986; isha me të gjatë Shpërblimit Nobel për Paqe, në Oslo, (10 dhjetor 1979); në shumë vende të Evropës Lindore;  sidomos në Kalkutë dhe në rrethinë ( dhjetë ditë, 1989)… Çdo takim ishte si i pari dhe  i fundit, që më bënte përshtypje thjeshtësia, çiltëria, mirësia, bujaria, duresa, shenjtëria, kujdesi dhe dashuria për të varfër ndër më të varfër, të gërbulur, ata që askush nuk i donte, sidomos kujdesi, vëmendja, shërbimi dhe dashuri shembullore për çdo njeri,  aftësia e saj për të vuajtur dhe vepruar për kthimin e dinjitetit dhe personalitetit bazik të çdo njeriu, veçmas të atyre në buzë të vdekjes, për të gërbulur dhe të përjashtuar, për mbarë njerëzimin.  Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës:  

  • tradita dhe përvoja kombëtare ilire, arbërore, shqiptare, në familje dhe në famulli,  që mbështetet në këto parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”; “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë” 
  • si dhe përvoja dhe jeta e dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, porosia e Jezusit i cili identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjlit, e  bëtë për mua” (Mt 25, 40).  
  • Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë. Me 17 libra kushtuar Nënës Tereze, të përkthyera në shumë gjuhë botërore, jam munduar t’i dokumentoj dhe argumentoj këto dy burime të pashtershme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe Vëllaun apo Motrën Njeri. 

    Nëna Tereze është paradigmë e interkulturalizmit, shkëmbimit dhe pasurisë gjithnjerëzore, sepse ajo na ka mësuar dhe dhuruar pesë shkallë themelore të lidhjeve dhe marrëdhënieve ndërnjerzore, si parakusht thelbësor për takim, bisedim, dialog, komunikim dhe bashkim. 
  1. Për Nënën Tereze, çdo njeri është para së gjithave Njeri, si unë dhe si ti, pra, me dinjitet dhe personalitet që duhet ta çmojmë, nderojmë, pranojmë, pa asnjë përjashtim etnik, gjuhësor, gjinor, kastor, fetar, ashtu si është, në kërkim të mirës, vërtetës, jetës, mirësisë dhe dashurisë universale. 
  2. Hapi i dytë i Nënës Tereze është edhe më cilësor dhe përmbajtësor: çdo njeri është Vëllai apo Motra ime, sipas mësimit dhe frymëzimit të krishterë. Feja matet nëpërmjet dashurisë, dhe dashuria për Zotin kalon nëpër “shkallët” e dashurisë për kryeveprën e tij, njeriun. Nëse Zoti është Krijuesi dhe Shpëtimtari i çdo njeriu, pra, i njerëzimit, atëherë ne duhet ta shohim, njohim, duam dhe shërbejmë çdo njeri – si vetë Zotin. 
  3. Kjo bindje, përcaktim dhe orientim i Nënës Tereze, sjell të shkalla e tretë: çdo njeri nuk është vetëm njeri, Vëlla apo Motër, por vetë Jezu Krishti, dhe çka do që bëjmë, ana pozitive, apo nuk bëjmë, ana negative, për Njeriun, bëjmë apo nuk bëjmë, për vetë Zotin. Ky është vlerësimi i Zotit për jetën dhe veprimtarinë tonë, tani dhe në amshim. Masa e Zotit është vetëm një – dashuria, si dhe gjuha e Zotit, është  po ashtu një – ajo e dashurisë. Jemi të lumtur vetëm kur jetojmë në dashuri – marrim dhe japim dashuri njëri – tjetrit. 

    Prandaj, Dashuria është sinonim i Zotit, do të duhej të ishte edhe i Njeriut. 

    Këto pesë shkallë, të mbështetura në  takim, bisedim, dialog, komunikim dhe  bashkim në dallime, kanë krijuar dy shtyllat bazike të jetës dhe veprës së Nënës Tereze: kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë. Pa këtë dy elemente thelbore, nuk ka interkulturim, integrim, harmoni mes njerëzve, etnive, feve, botëkuptimeve të ndryshme, në krijimin e asaj që është detyra dhe mundësi për të gjithë: bashkimi në dallime. Ose do ta synojmë dhe krijojmë këtë, ose do të rrëshqasim në skajshmëri të ndryshme, gjithmonë në dëm tonë dhe të tjerëve. 

    Pa takime, bisedime, dialogje, komunikime dhe bashkime në dallime, mendjen tonë e ngarkojnë dhe robërojnë paragjykimet, vlerësimet intuitive, tashethënat, përgojimet, ngurrtësia e mendjes dhe  akulli i zemrës, kështu që jetojmë pa ndonjë shije dhe kuptim, domethënie, kënaqësi, lumturi, mbi të gjitha pa dashuri.  

    Bota e sotme nuk është e lirë nga robëritë e ndryshme, dhe si e tillë, as e mirë, sepse mungon hapësira e jetës së përbashkët, njerëzimi në kohën tonë është i robëruar nga pesë “diktatorë” të pavetëdijëshëm, që janë: materializmi, konsumizmi, hedonizmi, relativizmi dhe ateizmi praktik, që rrënojnë vlerat dhe virtytet njerëzore, morale dhe fetare, me këtë vetë njeriun, duke ia marrë “frymën” e shpirtit, qenësoren, thelbësore, kryesoren, të Vërtetën dhe Dashurinë. 

    Nëna Terze me jetën dhe veprimtarinë e saj të bujshme, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe përmbajtjen e  interkulturit universal, duke u bërë dhe mbetur rrugë, frymëzim, paradigmë e një botës së re, më njerëzore, ku ka vend, hapësirë, mbi të gjitha kujdes dhe dashuri për të gjithë. 

    Ja pesë pikat dhe risitë kryesore të jetës dhe veprimtarisë së Nënës Tereze për ne dhe për mbarë njeëzimin. 

    Risitë dhe porositë e Nënës Tereze për ne 
    1. Feja – kërkim, shpresa – veprim dhe dashuria – flijim dhe dhurim 

    Ndër risitë më të rëndësishme që kam hetuar unë janë këto: feja – që për Nënën Tereze ishte kërkim i Zotit në Njeriun dhe i Njeriut në Zotin, në çdo fazë të jetës së saj dhe për çdo njeri pa dallime dhe përjashtime. E kishte kërkuar Zotin dhe thirrjen, planin e tij prej moshës 12 deri 18 vjeçare, kur kishte vendosur plotësisht t’i kushtohet atij: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfrit e botës” (Letnicë, 14 gusht 1928). Gjatë 18 viteve si “Motër e Loretos”,  dhe së fundi prej vitit 1950 e deri te kalimi në amshim, 5 shtator 1997. Kurrë nuk e ka ndarë Zotin prej Njeriut dhe Njeriun prej Zotit dhe mu për këtë jetonte me Zotin dhe për Zotin, me Njeriun dhe për Njeriun. 

    Shpresa – veprim, gjithnjë dhe kudo, me dashuri dhe për dashuri, me parimin: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne.” 

    Dashuria – flijim dhe dhurim pa kursim për t’u bërë dhe mbetur Nëna e Dashurisë, sipas tri parime të shenjta: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim.” “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.” “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes.” 

    2. Nëna universale – universalizmi i jetës dhe dashurisë  
    Misioni i Nënës Tereze është Dashuria, vend-veprimi është bota, mbarë njerëzimi, metodologjia është dëshmia e krishterë, qëllimi është lehtësimi dhe pakësimi i vuajtjeve, mënyra është pjesëmarrja e plotë dhe e lirë në jetën e tyre, të privilegjuar janë të braktisurit dhe të dëbuarit e botës. 
    Risia e dytë e Nënës Tereze ishte UNIVERSALIZMI në çdo kuptim dhe drejtim kohor dhe hapësinor në dy parime themelore: Për Zotin – Dashuri dhe Njeriun – Vëlla apo Motër, pra, i jetës dhe dashurisë. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur dhe zbatuar një vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, agnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë. Ajo nuk kishte për qëllim kthimin e të tjerëve në fenë e krishterë, në Kishën Katolike, por “që të jetë në mesin e tyre rrezja e Pranisë dhe e Dashurisë së Zotit, që t’ ua dhurojnë të gjithëve Zotin – Dashuri – Atë.” 
    Qëllimi i saj, pra, ishte diçka tjetër, dashuria dhe prania e Zotit në botën e sotme, sidomos ndër të varfrit më të varfër, të braktisur, të gërbulur, njerëz të përbuzur dhe të përjashtuar nga jeta e rëndomtë, për të drejtën më madhe dhe shenjte: për lumturi dhe dashuri. 
    Kjo  nevojë, e drejtë, mundësi, detyrë, synim, qëllim, sot shkelet anekënd botës me shumë mënyra dhe mekanizma, duke mos e kuptuar dhe pranuar se dallimet janë begati, pasuri, përplotësim, mundësi pozitive dhe konstruktive për të gjithë. 
    3. Vuajtja – bekim e jo mallkim 
    Risia e tretë e Nënës Tereze është kjo: vuajtja, pësimi, mjerimi, varfëria, gërbula, Sida, si dhe çdo pësim tjetër, nuk është mallkim, dënim i Zotit, por hir, mundësi për ta treguar dashurinë ndaj Jezusit që vuan në njerëz të tillë. Ajo thoshte kështu: ”Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim. Kur nuk kam asgjë, atëherë jap gjithçka, sepse dhuroj vetveten” 

  4. 4. Dhurim falas dhe në tërësi 
    Risia e katërt e Nënës Tereze është dhurimi falas dhe në tërësi, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: ”Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëre këtë punë me zemër, ose mos e bën aspak!”. 

    Dhe vazhdon kështu: ”Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit… Jepe pjesën më të mirë të vetvetes, zemrën, dashurinë…” 

    Dhe ja, prapë mrekullia e dashurisë dhe e shenjtërisë: Më e varfra e botës, Nëna Tereze, më së shumti i ka ndihmuar të varfrit e botës, jo vetëm në anën materiale, por edhe më tepër në atë shpirtërore, sepse është dhuruar falas dhe tërësisht, me gëzim dhe me dashuri të plotë Zotit  nëpërmes njeriut. 

    5. Kontemplative – aktive në botë  

     

    Risia e pestë e Misionareve të Dashurisë është kjo: të jenë kontemplative aktive në botë. Kjo do të thotë të jenë tërësisht të kushtuara Zotit në lutje, meditim, adhurim, pendesë, dhe si pasojë e kësaj jete shpirtërore, të jenë edhe aktive në botë me dashuri vepruese.  

    Kontemplative – aktive domethënë ta kërkojmë, gjejmë, shërbejmë Zotin jo vetëm në çaste të kushtuara atij, në jetën tonë shpirtërore, por gjithkund dhe gjithnjë, pikërisht me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë. 

    Nëna Tereze thoshte: ”Nëse e njohim, duam, adhurojmë, ushqehemi me Jezu Krishtin vetëm në meshë, në Kungim, është tepër pak. Ne lutemi, meditojmë, adhurojmë, marrim pjesë në meshë, e marrim Jezusin në Kungim në zemër për ta vazhduar këtë kërkim dhe shoqërim me të në përditëshmëri. Nëse e gjejmë dhe shërbejmë Jezusin në të varfrit tanë, atëherë jemi kontemplative në mesin e botës.. Prej Jezusit në Eukaristi, kalojmë në Jezusin Vëlla apo Motër – Njeri…” 

    Ndërsa bashkësitë tjera rregulltare ndahen në dy kategori, aktive apo vepruese në botë, nëpër  famulli, shkolla, spitale, institucione të ndryshme, dhe kontemplative, të mbyllur dhe të kushtuar tërësisht vetëm jetës shpirtërore, Nëna Tereze ka gjetur modelin e ri që këto dy lloje jete dhe kushtimi të bashkohen në një me harmoni dhe veprimtari mahnitëse. 

    Për këtë Nëna jonë Tereze ishte dhe gjatë do të mbesë “Ungjilli i gjallë”, risia ungjillore dhe “Misionarja e Dashurisë”, Nëna e botës së mjerimit, tash Shenjtëresha e Dashurisë. 

    Ajo bindshëm ka dëshmuar që krijimi i njeriut, familjes, shoqërisë së re, është i mundshëm dhe ka dy shtylla, binare, orientime: Zotin dhe Njeriun, kurse mënyra e realizimit është prapë e dyfishtë: feja dhe dashuria. 

    Të besosh në Zotin, e mos të besosh në njeriun, është utopi, vetëmashtrim, tradhti, si dhe ta duash Zotin, e mos ta duash Njeriun, është lëshim gabim, mëkat. 

    Me Zotin Dashuri dhe Vëllain apo Motrën Njeri – çdo gjë është ndryshe, më e mirë, më njerëzore, më e bukur, burim lumturie dhe  frymëzim dashurie. 

    Prishtinë, gusht 2021                                                                                           Don Lush GJERGJI                                                   

Filed Under: Featured Tagged With: Nene Tereza

RËNDËSIA E VAKSINIMIT NË PARANDALIMIN E PËRHAPJES SË VARIANTEVE TË REJA TË VIRUSIT SARS-COV-2

August 20, 2021 by s p

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik *

HEZITIMI NDAJ VAKSINAVE DHE PASOJAT 

Në një botë që është e lidhur në një rrjet të gjerë, të padukshëm, me dendësi befasuese të ndërlidhjeve tona të shumta, nuk është e vështirë të thuhet se e gjithë bota është vetëm ‘gjashtë gradë’ larg – ideja se të gjithë njerëzit mesatarisht janë gjashtë, ose më pak, lidhje shoqërore (breza) larg njëri – tjetrit.  Ndërsa kjo mund të jetë e dobishme per shume gjëra, nuk është mirë kur përpiqeni të kontrolloni një pandemi. Si rezultat, nëse infektoheni me koronavirus, numri i njerëzve që mund t’i dëmtoni pa dashje mund të jetë astronomik. Në shtim te këtij problemi, mungesa e qasjes së vaksinave në një pjesë të madhe të botës, ose hezitimi ndaj saj, në vendet ku ato janë në dispozicion, është një recetë që kjo pandemi të vazhdojë dhe të vazhdojë. Përpjekjet zbutëse si testimi, distancimi dhe maskimi dhe madje edhe bllokimet janë mjete të përkohshme dhe të papërsosura për të parandaluar përhapjen e virusit. Vaksinimi është më i afërti që do të kemi ndonjëherë për të pasur një gjë të sigurt në betejën në dukje të kotë për t’i dhënë fund kësaj pandemie. Ndërsa pandemia u tërbua në të gjithë globin, ne u mbyllëm, u maskuam, u distancuam shoqërisht, u kapëm nga paniku, ndërsa prisnim me durim një vaksinë që do të na lejonte të rifillonim një pamje të jetës normale. Në fund të vitit 2020, në një kthesë mahnitëse të shpejtë, vaksinat u bënë realitet dhe ne filluam të dilnim nga letargjia. Por pastaj, virusi na hodhi një kurbë, siç kanë tendencë të bëjnë viruset, dhe varianti Delta na goditi. 


TË PUSHTOSH NJË SËMUNDJE INFEKTIVE NË ZHVILLIM 

Siç kemi mësuar nga e kaluara, të pushtosh një sëmundje infektive në zhvillim nuk është e lehtë. Ndërsa ne po mësojmë vazhdimisht më shumë rreth këtij virusi dhe si ta menaxhojmë atë më së miri, ai gjithashtu ndryshon shpesh. Kjo do të thotë që edhe sjellja jonë duhet të adoptohet. Ende ka shumë studime duke u zhvilluar, por në këtë pikë duket se Delta jo vetëm që është më ngjitëse se versionet e tjera të virusit SARS-CoV-2, por në disa raste, mund të përhapet edhe tek njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar. Për këtë arsye, tani, duke u maskuar kur jeni në turma dhe mjedise të brendshme, nuk mund të jetë vetëm mbrojtja e njerëzve të pavaksinuar. Është edhe për të mbrojtur njerëzit e vaksinuar për të cilët vaksina ndoshta nuk ishte aq efektive. Ne e dimë që vaksina nuk krijon një fushë të forcës magjike os mure të pa penetrueshëm rreth një individi që i  përgjigjet virusit. Lajmi i mirë është se për momentin, për të vaksinuarit, ata kanë shumë më tepër mbrojtje se çdokush prej nesh para vaksinës. Vlen të përmendet se shumica dërrmuese e shtrimeve në spital për shkak të Covid-19 tani janë në mesin e njerëzve të pavaksinuar. Në fakt, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), që nga 18 Gushti, më shumë se 170 milion (më shumë se gjysma e popullsisë amerikane) janë vaksinuar plotësisht dhe megjithatë, 98 përqind e atyre që janë të shtruar në spital janë të pavaksinuar. Kjo do të thotë që vaksinat janë ende duke bërë punën e tyre. Ajo që kemi mësuar është se njerëzit ende mund të infektohen, por me vaksinën, sistemi imunitar përgjigjet aq shpejt saqë personi nuk ka një shans të ndihet i sëmurë, ose ndoshta ata ndjehen të sëmurë butë ose mesatarisht. Sidoqoftë, shmangia e spitalit nuk do të thotë se marrja e Covid-19 nuk është punë e madhe. Dhe sa më shumë qarkullon virusi, aq më shumë kërcënim paraqet për të gjithë ne dhe jo vetëm të pavaksinuarit. Pra, përballë Delta -s, dhe ndërsa vala e fundit po arrin kulmin, është mirë që të gjithë të kthehemi të praktikojmë pak më shumë kujdes.


ÇFARË JANË RI-INFEKSIONET APO ‟BREAKTHROUGH INFECTIONS”?

 Ciklet e pafund të lajmeve dhe mediat sociale virale paralajmërojnë për “infeksione të mëdha” tek njerëzit tashmë të vaksinuar për Covid-19. Fatkeqësisht, këto raporte lënë përshtypjen e gabuar se mbrojtjet e siguruara nga vaksinat nuk po funksionojnë. Ndërsa përhapin ndjenjën e frikës së paarsyeshme, ato gjithashtu mund të nxisin ngurrimin mes miliona njerëzve në SHBA që ende nuk kanë marrë një vaksinë. Por ne e dimë se infeksionet nuk dihet që ndodhin vetëm pas vaksinimit Covid. Ato ndodhin shpesh pas vaksinimit kundër shumicës së sëmundjeve infektive si gripi, fruthi dhe shumë të tjera. Në një mënyrë, SARS-CoV-2, është i veçantë: më shumë se çdo patogjen tjetër me të cilin njerëzimi duhej të merrej ndonjëherë, ai i ka siguruar publikut të gjerë mësime në imunologji. Terma të tillë si “infeksionet breakthrough“, “imuniteti i tufës”, “distancimi shoqëror” dhe shumë të tjerë, kanë fituar një njohje të gjerë. Këto terma janë shqyrtuar dhe raportuar nga shumë “shkencëtarë” të sapokrijuar dhe ka shumë prej tyre. Gjithçka që lidhet me Covid -in, veçanërisht vaksinat, shikohet nga këta “shkencëtarë” të paskrupullt me ​​mikroskopin e tyre elektronik për t’u ndjekur nga një përgjigje “Unë ju thashë” për çdo çështje. Një përgjigje e thjeshtë për ta është: asnjë vaksinë nuk është njëqind për qind efektive, dhe megjithëse disa janë më të mira se të tjerat, shumica e tyre kanë disa infeksione të përparuara, përfshirë vaksinat Covid. Një “breakthrough” thjesht do të thotë që një person i vaksinuar ka rezultuar pozitiv për agjentin shkaktues të sëmundjes, jo se ai do të sëmuret ose do të transmetojë infeksionin tek dikush tjetër. Shumica e njerëzve të vaksinuar të infektuar nuk kanë simptoma, dhe ata që kanë, ka tendencë të kenë sëmundje të butë. Edhe me variantin Delta të SARS-CoV-2, vaksinat ofrojnë mbrojtje të jashtëzakonshme kundër sëmundjeve serioze ose vdekjes. Shifrat e tregojnë këtë qartë: nga 170 milion te vaksinuar kemi regjistruar vetëm rreth 170 mijë raste breakthrough infeksione, dmth, një përqind. Po dhe nëse këto numra janë të nën-raportuara ngaqë ka mundësi që një numër njerëzish mos të bëjnë teste sepse nuk kanë simpoma, dhe në realitet janë dyfishi, prapë del se mund të jenë vetëm dy përqind të vaksinuarve që ri-infektohen. Pra nëse ndodh që ti ekspozoheni virusit dhe të testuar pozitiv për Covid-19, është shumë e shumë më mirë që kjo të ndodhë pas e jo para vaksinimit. 

VAKSINA ZVOGËLON TRANSMETIMIN E VIRUSIT

Numrat nënvizojnë sesi realiteti ndonjëherë shtrembërohet në ndërgjegjen e publikut. Rastet e përparimit nuk ndodhin sepse vaksinat janë joefektive. Imuniteti mund të dobësohet me kalimin e kohës, dhe një vaksinë mund të jetë më pak efektive për një patogjen të caktuar. Vaksina e fruthit-shytave-rubeolës (MMR) është një shembull: mbrojtja e saj kundër fruthit është e fortë, por imuniteti ndaj shytave që jep është më pak. Pra, edhe vaksina e fuqishme e fruthit ka një histori të përparimit të infeksionit. Një shpërthim i fruthit në fund të viteve 1980 që përfshiu kryesisht të rinjtë e vaksinuar çoi në një ndryshim të politikës që kërkonte dy doza në vend të një. Doza e parë MMR jep rreth 90 përqind mbrojtje për një jetë, por doza e dytë mbulon rreth gjysmën e 10 përqind të mbetur. Duke pasur parasysh ngjitshmërinë e lartë të fruthit, marrja e mbulimit më të lartë të mundshëm ishte vendimtare. Vaksinat kundër Covid pritet të zvogëlojnë transmetimet në mesin e atyre, me një infeksion me përparim asimptomatik. Pra, fakti është se ata që janë të imunizuar kanë shumë më pak të ngjarë të infektohen, dhe edhe nëse infektohen, rreziku i transmetimit të virusit zvogëlohet. Një arsye është se sasia e koronavirusit, ngarkesa e tij virale, është më e ulët në infeksione të tilla, kështu që ka më pak për t’u transmetuar te të tjerët. Të dhënat shkencore janë në dispozicion, dhe vaksinat janë mrekullisht efektive në zvogëlimin e transmetimeve. Mesazhi për ata që mbeten të pavaksinuar duhet të jetë:  Vaksinohuni dhe mos lejoni që virusi t’ju dëmtojë ose t’ju përdorë për të dëmtuar të tjerët!

* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës –VATRA.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Pashko Camaj, Vaksinimi, Varianti Delta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2882
  • 2883
  • 2884
  • 2885
  • 2886
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT