• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MISTERI I VERËS GREKE: SI VDIQ NË EGJÊ HEROI QË SFIDOI KOLONELËT?

August 18, 2021 by s p

Nga PAOLO VALENTINO

            Është kthyer në misterin e verës greke. Vdekja, në dukje aksidentale, e një ish ministri socialist, pak jashtë portit të Eretrias, n’ishullin e Eubesë, Negroponti i lashtë venedikas, është një mister I pazgjidhur që prej muajsh rrëmben dhe ndan Vendin. Pak ditë më parë, edhe vetë ish Kryeministri Jorgos Papandreu e ndjeu për detyrëtë ndërhynte në Parliament, përballë mospranimit të autoriteteve hetues për të filluar hulumtime të reja në të gjithë drejtimet, në vënd që të këmbëngulnin për të mbrojturtezën e pagjasë të një krize të papritur, të kundërshtuar nga shumë dëshmi.

            Sifis Valirakis, 77 vjeç, ishte nisur vetëm mbi një gomone të vogël për të peshkuar, në mesditën e një të djele të fundit të janarit. Trupi i tij u gjënd nga roja e bregut pak mbas orës tetë të mbrëmjes, dy kilometra larg varkës me motorrin ende të ndezur, mbasi që gruaja kishte dhënë alarmin, duke mos e parë që të kthehej. Kishte plagë të thella në fytyrë e në kokë. Një gisht i ishte prerë. Hamëndja e parë e besuar nga policia qe se Valirakis kishte patur një infarkt e kishte rënë n’ujë, ku ishte goditur nga elika. Autopsia përgënjeshtroi shpejt krizën e zemrës, duke përfunduar se ish ministri ishte mbytur si pasojë e plagëve. Si kishte rënë në det nuk u sqarua kurrë.

            Qe gruaja, piktorja e njohur Mina Papatheodorou, që drejtoi gishtin kundër një grupi peshkatarësh kundërvajtës që ishin gjendur me varka të ndryshme në zonën ku lundronte Valirakis në çastin e fatkeqësisë. E veja sillte dëshmira të njerëzve të bashkësisë së vogël të Eretrias, simbas të cilave,varka të ndryshme kishin rrethuar gomonen e tij, duke e kërcënuar e duke ngritur valë të larta për t’a detyruar të ikte. Ish ministri kishte humbur barazpeshimin , duke rënë në det pa u ndihmuar nga njeri. “Hipoteza e një vrasjeje me dashje është e sigurtë. Në të vërtetë Sifis është goditur edhe me një shtizë, siç ka thënë njëri prej dëshmitarëve. E kanë goditur” thotë në telefon nga Athina zonja Papatheodorou. Një tjetër dëshmitar ka thënë në një tv lokale se peshkatarët kanë patur një zënie të tërbuar me Valikaris para aksidentit. Por dëshmitë e tyre, të dhëna vetëm pak orë mbas faktit nuk kanë patur asnjë pasojë.

            Tetë muaj më vonë rasti Valirakis është në hava: “Nuk kanë dashur të bëjnë hetime serioze – thotë zonja Papatheodorou – kanë dëgjuar fajtorët vetëm javën e shkuar, por nuk i kanë paditur as në gjëndje të lirë. Ka qënë një veprim mbulimi nga ana e Rojes Bregdetare që ndihmon peshkatarët kundravajtës.Është shkandullore që nuk hidhet dritë mbi vdekjen e një heroi kombëtar si Sifis”.

            Në të vërtetë Sifis Valirakis nuk ishte vetëm një drejtues historik i Pasokut, lëvizja socialiste panhelenike e themeluar nga Andreas Papandreu, ku kishte hyrë fshehtas, pa mbushur ende tridhjetë vjeç, gjatë diktaturës ushtarake. Ishte një legjendë e vërtetë e qëndresës ndaj regjimit fashist të kolonelëve. Kishte qënë edhe stërvitur në një kamp të Organizatës për çlirimin e Palestinës dhe kishte marrë pjesë në shumë atentate eksplozive kundër regjimit, ku nuk pati kurrë viktima. Shok i Alekos Panagulis, poet e mik i Oriana Fallaçit, edhe ai i vdekur në një aksident të pa sqaruar kurrë, Valirakis u arrestua dhe u torturua më 1971, arriti të ikte nga qelia duke sharruar hekurat e dritares e duke shkaktua një prerje të korrentit, nëpërmjet një lidhjeje të shkurtër. U kap n’afërsi të kufirit me Jugosllavinë dhe u soll në një burg të Korfuzit, por iku përsëri, këtë herë nëpër det duke notuar për kilometra të tëra deri në brigjet shqiptare. Nuk qe me fat, sepse regjimi komunist i Tiranëse arrestoi si spiun, duke e dënuar me tre vjet punë të detyruar. Qe Andreas Papandreu, nëpërmjet një ndërmjetësimi të qeverisë kineze, që arriti të nxjerrë lirimin e tij.

            Kur më 1981, mbas kthimit të demokracisë, Papandreu arriti në pushtet, Valirakis që nga fillimi qe njëri ndër ministrat më të besuar: u muar me Trasportet, me Komunikacionet, me Sport deri në postin qëndror të Rendit Publik, përgjegjës edhe i shërbimeve të fshehta e të inteligjencës, detyrë që e mbajti deri në vitin 1996, kur u tërhoq për arsye shëndeti. Por mbeti deputet i Pasokut, i zgjedhur në ishullin e Kretës, deri më 2012.

            Në vitet e fundit, ish ministri, ishte tepër i angazhuar të padiste peshkimin ilegal dhe rrënimin mjedisor që po shkakton n’arqipelagun e Detit Egjé. Simbas një gazetari grek, Dimos Verykios, ai i Valirakisit mund të ketë qënë “krimi i parë me sfond ekologjik në Greqi”

            “Corriere della Sera”, 7 gusht 2021  Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika, Koloneli, Misteri i Veres

“Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni

August 18, 2021 by s p

Nga Anton Cefa

“S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri . . . . Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe na sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësinë tonë kombëtare.” – Woodrow Wilson

“Wilsoni bëri më tepër se çdo njeri për indipendencën e Shqipërisë” – Fan Noli

“Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur

në zemrat e tyre.” – Faik Konica

Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftë, udhëheqësit e “Vatrës” erdhën në përfundimin se fitorja kaloi nga Forcat e Boshtit, tek të cilat kishin shpresuar deri atëherë në zgjidhjen e çështjes shqiptare, në anën e Forcave Aleate (Antantës). Në mënyrë të veçantë, atyre ua ngrohi zemrat qenia në krye të këtij shteti të madh e presidentit Woodrow Wilson që “predikonte me gjithë zellin e një profeti biblik nevojën për një kod moral në politikën ndërkombëtare” 1).

Wilsoni qe përpjekur me ngulm ta mbante vendin e tij jashtë konfliktit dhe të zbatonte planet e tij reformiste, por me provokimet e herëpashershme të Gjermanisë dhe, sidomos, kur ajo fundosi katër anije amerikane, ai i kërkoi Kongresit t’i shpallte luftë asaj. 2).

Në fjalimin e tij historik para Kongresit Amerikan, më 2 prill 1917, ai deklaroi se “lufta qe bërë e paevitueshme, në emër të ruajtjes së paqes dhe demokracisë në botë. . . Ne nuk kemi asnjë dëshirë për pushtim apo dominim . . . nuk është gjë e lehtë të udhëheqësh këtë popull të madh e paqedashës në luftë. . . . Por e drejta është më e çmueshme se paqja dhe ne duhet të luftojmë për ato gjëra që janë të shtrenjta për ne . . . . Sot ka ardhur dita që Amerika të derdhë gjakun për parimet të cilat i dhanë jetën, lumturinë dhe paqen që ajo ruan . . . . Zoti e ndihmoftë!”3).

Më 8 janar 1918, Wilsoni propozoi “14 Pikat” e tij të njohura si bazë të bisedimeve për paqen. “Si njëri nga katër udhëheqësit e Konferencës së Paqes, ai luftoi burrërisht për të kontrolluar lakminë e vendeve fituese dhe u përpoq për të vendosur drejtësi për të gjitha kombet.” 4).

“14 Pikat”, ndër të tjera, kërkonin qw: politika e jashtme e një shoqërie demokratike të mbështetej në baza të shëndosha morale; zgjidhja e konflikteve të bëhej nëpërmjet marrëveshjeve të hapura, drejtësisë dhe vetëvendosjes së popujve; të kufizoheshin armatimet në maksimum dhe të përdoreshin ato thjesht për sigurimin e brendshëm; lundrimet e lira në detra të hapura.

Një nga arritjet më të mëdha në planin 14 Pikësh ishte formimi i Lidhjes së Kombeve. Në pikën e fundit të planit të Wilsonit për paqën, thuhej: “Një shoqatë e përgjithshme e kombeve duhet formuar . . . me qëllimin e sigurimit të garancive të ndërsjellta të pavarësisë politike dhe integritetit territorial të shteteve të mëdha e të vogla” 5).

Ai arriti t’i bindë shtetet fituese të pranojnë formimin e Lidhjes së Kombeve, të parën organizatë të madhe ndërkombëtare, tek e cila ai varte shpresën e një paqeje të qëndrueshme; por u zhgënjye thellësisht, kur, pasi u kthye në Amerikë, Senati – armik i tij – nuk e ratifikoi Traktatin.

Në këtë dokument përmendeshin zgjidhjet konkrete të shteteve të veçanta si Rusisë, Belgjikës, Francës, Italisë, Austro-Hungarisë, Turqisë, Polonisë. Në pikën 11 (po e japim të plotë në referencat) (6), flitej për shtetet e Ballkanit, por nuk përmendej Shqipëria.

* * *

“Deklaratat e Wilsonit rreth ‘luftës për t’i dhënë fund luftës’ dhe ‘e drejta e vetëvendosjes së kombeve’ u ngjalli shpresat popujve të shtypur për drejtësi në vendimet e bisedimeve për paqen. Vatra u bë një avokat militant i kauzës së aleatëve. Anëtarët e saj nënshkruan huat për luftën dhe I Përndritshmi Fan Noli vizitoi kampet ushtarake në Massachusetts, duke u mbajtur fjalime të zjarrta të rinjve guximtarë (është fjala për ushtarët shqiptaro-amerikanë, – sqarimi im, A. Ç)” 7).

Ja si shkruan Qerim Panariti: “Me hyrjen e Amerikës në luftë në Prill 1917, shpresat për çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët u shtuan, po me zgjerimin e shpresave për shpëtimin e Shqipërisë, u zgjerua dhe aktiviteti i Nolit. Nolit tani s’i zinin këmbët dhe. Detyrat kishëtare s’mund t’i neglexhonte, Vatrën s’mund ta neverite. Personi i Nolit, oratori më i shënuar i racës Shqiptare n’Amerikë, u detyrua të bredhë nëpër kampet e rekrutimit ku ndodheshin djem Shqiptarë duke i këshilluar se hyrja e Amerikës në luftë do të shpëtonjë Shqipërinë dhe botën nga tirania militariste e autokrative monarqike të Evropës Qëndrale.” 8).

Në përpjekje për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, të mohuar nga Anglia, Franca, Italia, udhëheqësit e “Vatrës” i joshi kërkesa e Presidentit për vetëvendosjen e popujve dhe ndalimin e traktateve të fshehta.

Më, më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, vendi historkik ku është varrosur presidenti i Parë i Amerikës, George Washington, “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Në këtë mision, Nolit iu dha rasti të shtrojë shkurtazi problemin e Shqipërisë. Pas takimit që pati me Wilsonin, ai i dërgoi Komisionit Qëndror të “Vatrës” nga Washingtoni këtë mesazh: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Ëilson, i cili më dha shpresa të mëdha . . .” 9).

Fakti që nuk përmendej Shqipëria në Planin 14 pikësh qe shumë shqetësues si për të gjithë shqiptarët ashtu edhe për shqiptarët e Amerikës. Gjithsesi, Noli dhe drejtuesit e “Vatrës” kishin besim tek Wilsoni, tek premtimi që ai i kishte dhënë Nolit në Mount Vernon dhe sepse në pikën 11 flitej për garancitë ndërkombëtare për pavarësinë politike e ekonomike dhe integritetin tokësor të disa shteteve ballkanike; dhe, mbi të gjitha, sepse fryma e Fjalimit të Presidentit në planin e paqes ishte plotësisht në hullinë e vendosjes së të drejtave të popujve. Nga fundi i Fjalimit të tij, Wilsoni thonte: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për gjithë popujt dhe shtetet, dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të barabarta të lirisë dhe sigurisë me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët”. 10).

Takimin e tij me Wilson-in, Noli ka për ta kujtuar me admirim e mirënjohje të thellë e vlerësim të lartë në disa raste. Në Fjalimin e tij drejtuar ushtarëve amerikanë me prejardhje shqiptare në Camp Devens, më 8 shtator 1918, ndër të tjera, ai tha: “Ne i kemi sytë nga Amerika për mëkëmbjen e pavarësisë shqiptare. Duke gjykuar nga rrjedha e zhvillimit të ngjarjeve në fushën e betejës, tani nuk ka asnjë dyshim që kjo luftë do të përfundojë me fitoren e Amerikës, që do të jetë një triumf për demokracinë botërore dhe kushtet e palës do të diktohen brenda territorit gjerman nga një arbitër botëror, që e do drejtësinë, siç është presidenti Wilson.” 11).

Po në këtë fjalim, duke bërë fjalë për takimin me Wilsonin, shkruan: “Kam patur nderin në një rast historik ta takoj këtë njeri të madh që tani është bërë orakulli i njerëzve të vuajtur. Ishte Dita e Pavarësisë, kur përfaqëusesit e të gjitha grupeve nacionale në Amerikë ishin ftuar nga presidenti Wilson për ta shoqëruar si miqtë e tij të huaj në jahtin Mayflover gjatë pelegrinazhit në Malin Vernon. Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë, dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigjja e tij fisnike ishte: ‘Unë do të kem një zë (votë) në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”. Dhe shton: “Unë nuk kam nevojë t’ua tregoj sa i fortë është ai zë dhe se çfarë vëmendje të respektueshme dhe të bindshme ka ai në gjithë botën, i shtyrë nga drejtësia dhe i përkrahur nga miqtë e fuqishëm amerikanë, më të fuqishëmit që bota ka parë ndonjëherë.” 12). Po në këtë Fjalim, duke folur për Wilsonin, thotë: “Wilsoni është i sigurt se do të fitojë e do të zërë vend në histori si Linkoln-i për humanizmin dhe si çlirimtar i të gjithë kombeve të mëdhenj dhe të vegjël. Kur do të shpallet paqja, Shqipëria do të rifitojë pavarësinë.”

Në mbrojtje të çështjes shqiptare, Noli, udhëheqësit e tjerë të “Vatrës” dhe personalitete amerikane, miq të Shqipërisë, botuan, në këtë periudhë, shkrime në “Dielli” dhe në revistën “The Adriatic Review”. Revista “Adriatic Review” u botua në Boston në gjuhën angleze, në vitet 1918-1919. Ajo i dërgohej zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane dhe personaliteteve tjera të shquara amerikane. 13). Në një nga numrat e kësaj reviste, u botua një memorandum, dërguar presidentit Wilson, më 27 nëntor 1918, në kohën kur Aleatët po planifikonin rishtas copëtimin e Shqipërisë. Memorandumi u firmos nga këta klerikë ortodoksë shqiptarë: At Fan S. Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Camçe, 14). Mbasi jepet një historik i shkurtër i copëtimit të Shqipërisë, etj., në këtë dokument thuhet: “Shqiptarët shpresonin që Amerika dhe Aleatët do ta ndihmonin me zemërgjerësi Shqipërinë të rimëkëmbej, duke zgjidhur çështjen ballkanike në baza të forta, duke shpëtuar një racë të lashtë e mjaft premtuese nga zhdukja dhe skllavërimi, e duke i dhënë asaj vendin që i takon midis kombeve të qytetëruara të botës, vend për të cilin u zhvilluan betejat më të ashpra e më të gjata në shekuj.”15). Stili i memorandumit është dëshmi e qartë e dorës së Nolit.

Noli dhe vatranët e konsideronin Wilsonin si të vetmin përkrahës në radhët e aleatëve fitues të luftës dhe kishin bindje të plotë që ai do ta mbronte Shqipërinë në Versajë. Edhe pse Wilsoni në “14 Pikat” nuk e kishte përmendur Shqipërinë, ata, vlerësonin frymën e propozimeve të Presidentit Amerikan, i cili në fund të Fjalës së tij, mbasi parashtroi planin për paqën botërore, pati theksuar: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për të gjithë popujt e shtetet dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët” 16). Në shkrimin “Peshkop Noli dhe bashkësia shqiptare në SHBA”, Peter R. Prifti ka shkruar: “I impresionuar thellë nga idealizmi i Wilsonit, Noli u bë një përkrahës i pasionuar i demokracisë wilsoniane. Drejtësia ndërkombëtare, vëllazërimi njerëzor, simpatia për të dobëtit, paqja botërore qenë idealet dhe vlerat që Noli dhe shqiptarët e Amerikës i bënë të tyret dhe u përpoqën të jëtojnë në përputhje me to.” 17).

Vlërësimi i lartë i Nolit për Wilsonin shkëlqen në mënyrë të veçantë në Panegjerikun që ai mbajti në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, më 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së presidentit Wilson. 18). “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Wodrov Wilsonit, të njëzetetetit President të Shteteve të Bashkuar. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qanë në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë.” Mbasi vë në dukje të mirat ekonomike e politike që ka pasur Shqipëria prej shqiptarëve të mërguar atje dhe prej vetë shtetit amerikan, ai thotë: “Dhe kur themi Amerika, na kujtohet një emër, se të gjitha këto kanë ngjarë, kur nga Shtëpia e Bardhë e Washingtonit, administronte Shtetet e Bashkuara i shkëlqyeri dhe i shumëvuajturi President Wilson.”

Spikat, në Fjalimin e Nolit, idealizmi i Wilson-it dhe i vetë Amerikës.”Veç titullit ‘Amerikan’, Wilsoni ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjetër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar dhe të paqes së përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Ameriaka është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë, nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Wilsoni u zgjodh dy herë President, arrin për të provuar thezën tonë.”

Më pas me penelata të shpejta, në këtë panegjerik, që është një nga perlat më të çmuara oratorike të Nolit dhe gjithë oratorisë shqiptare, ai na jep mjedisin familjar e shoqëror ku u rrit e u formësua karakteri i Presidentit: “Wilsoni u rrit në kishë, në një rrethim fetar me ungjillin në dorë, i predistinuar apostull i një ideali kristianik e njerëzor”, dhe më poshtë: “në çdo gjest e në çdo fjalë çfaqej njeriu mistik i iluminuar, i dërguar prej Përendisë për një mision të shenjtë. Pranë një karakteri të çelniktë kishte mirësinë e Shën Françeskut.”

Duke cituar nga Fjalimi i Nolit, është vështirë të nxjerrësh citate të shkëputura për të dhënë vlerësimin e tij për Presidentin, sepse të trazon tundimi për ta përfshirë tërë fjalimin. Një tundim disi i veçantë të shtyn të mendosh dhe të bësh paralelizma mes idealistit tonë të madh, Nolit, dhe idealistit të madh, amerikan Wilsonit (A nuk qe edhe Noli një “apostull i një ideali kristian e njerëzor” e po aq edhe kombëtar?) Ngjan se kur flet për Wilsonin, Noli mediton për veten e vet, që, si Presidenti Amerikan, “Fuqinë e qeverisë e kërkoi dhe e fitoi si një qëllim, jo si një mjet për apostullatën e tij.”

Wilsoni u përpoq t’u detyrojë të dy palëve, fituesve dhe të mundurve, një paqe të drejtë të bazuar në idealet e tij, të përvijuar në “Katërmbëdhjetë Pikat”, “po në Versailles Wilsoni u ndodh si Danieli në shpellën e luanëve … Aleatët kujtonin se tërë programi idealistik i Wilsonit s’ishte veç një propagandë hipokrite për të gënjyer opinionin e përbotshëm”, thotë Noli. Dhe, vazhdon, duke përgjithësuar fatin e idealistëve, gjithnjë sikur mediton per veten e tij: “Se kjo është tragjedia e të gjithë idealistëve, që bota kujtojnë se idealizma është vetëm një maskë për të fshehur qëllime egoistike dhe materialiste të pavjelura.”

Drama e Wilsonit bëhët më e rëndë, kur kthehet në atdhe, sepse “dhe atë copkë të fitorjes që mundi të çkëputë nga thonjtë e luanëve të Versailles tani vendi i tij do t’ia rrëmbente nga duart … Senati Amerikan refuzoi të ratifikojë Paqen e Versailles, të kryesuar prej Paktit të Lidhjes së Kombeve . . . Dhe Evropa vazhdoi luftën nën maskën e paqes”. “Partizanllëku i vërbër më shumë se çdo faktor tjetër e shkatërroi Lidhjen e Kombëve.” 19), ka shkruar historiani amerikan Thomas A. Bailey, duke komentuar mosmiratimin e vendimeve të Versajës nga Senati.

Rishtas, por me detaje më të hollësishme, edhe në këtë Fjalim, ai rikujton takimin me Wilsonin në Washington, duke e cilësuar atë “kalorës të kohëve të kaluara në një kohë tragjike”. “Atëherë iu afrova – dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi, dhe përgjigjen e tij bujare e mbanj mend sikur po e dëgjonj sot … Dhe e mbajti fjalën. Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej fakt definiti. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë e të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot. Që Prefekturat jugore nuk u invaduan para se të caktoheshin kufiret, kanë një shkak dhe shkaku është Presidenti Wilson.”

Noli e rikujton Wilsonin, gjithashtu, në Gjenevë, kur Shqipëria, e përfaqësuar prej tij, u pranua në Lidhjen e Kombeve dhe pavarësia e vendit tonë u njoh zyrtarisht: “Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, emri i Presidentit Wilson.”

Duke na dhënë me ngjyra të gjalla vdekjen e Presidentit Amerikan, Noli e vazhdon fjalimin me vlerësimet e panumërta për ëWlsonin, duke e quajtur atë: “profeti bujar i paqes njerëzore, ati spiritual i Lidhjes së Kombeve, titani dhe kalorësi idealist”. Dhe më poshtë: “Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë”; dhe më pas, duke iu drejtuar Kuvendit Themeltar në emër të tij dhe të shokëve të tij idealistë demokratë, Noli e tradhton veten kur thotë: “Lufta jonë s’ka qenë e kotë (është fjala këtu për luftën për demokraci gjatë viteve 1920-1923; shënimi im, A. Ç). Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë e ngjallje”.

Sikurse idealistët e mëdhenj, ëndërrimtarë dhe fisnikë, në vizionet e të cilëve ravijëzohet profecia e një të ardhmeje më të ndritur, Noli e përfundon panegjerikun e tij për Wilsonin dhe Amerikën: “Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë sqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit: “Regere parvos, debellare superbas” (Të mbrosh të vegjëlit, të mposhtësh kryelartët), të cilët mprojnë të vegjëlit dhe përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit, e mirëdashjes ndërkombëtare.” Dhe vërtet, Amerika, në ditët më të vështira për kombin tonë, kur barabaria serbe e etur për gjak u përpoq të zhdukë nga faqja e dheut një pjësë të gjakut tonë, e lindi kalorësin e madh Bill Klinton që “të mbarojë veprën e paqes, të vëllazërimit e të mirëdashjes ndërkombëtare”. Dhe, po ashtu, ajo lindi George W. Bushin, i cili në vizitën më 10 qershor 2007, në Tiranë, deklaroi qëndrimin amerikan: “Kosova do të bëhët e pavarur.” Dhe, në emër të Amerikës, e njohu Pvarësinë e saj të shpallur më 17 shkurt të këtij viti.

* * *

Po, nga ledhet e fortesës së “Vatrës” qe edhe një tjetër shqiptar i madh që falënderoi Amerikën dhe presidentin Wilson për të mirat që blatuan për vendin dhe popullin tonë dhe vlerësoi lart idealet e tyre. Ai qe Faik Konica. “Jemi bindur se çdo shqiptar di dhe kupton – shkroi ai – se ç’borç të madh i kemi Wilsonit. Në qoftë se ka ndonjë shqiptar që s’merr vesh se shpëtimi dhe liria e vendit (të) tij i detyrohet kryesisht Wilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbësinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë”. Dhe më poshtë: “Shqipëria ishte dënuar me vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s’ndritte gjëkundi. Po e papritura ngjau, dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Woodrow Wilsonit . . . Ndërgjegja e drejtësisë njohu përsëri zërin e madh, dhe u drodh nga gëzimi; se Wilsoni duke mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbronte gjithë popujt, e mbronte parimin” 20).

Kur vdiq presidenti Wilson, ai shkroi: “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre. Edhe po t’ish i vogël për të tjerët, Wilsoni duhet t’ish i madh për Shqipëtarët”. 21).

Për ta përjetësuar emrin e këtij mbrojtësi të madh të atdheut tonë, Konica, në cilësinë e kryetarit të “Vatrës”, i propozoi, me anën e një kabllogrami, Kuvendit Themeltar në Tiranë që emri i Presidentit Ameriakn të regjistrohet në toponiminë shqiptare. Ja telegrami i Konicës:

“Ju lutem të shtroni një proponim për kqyrjen mirëdashëse të deputetëve pa ndryshim partie: Me vdekjen e ish-presidentit Wilson u çduk mbrojtësi i popujve të vegjël dhe shpëtimtar’ i Shqipërisë. Proponimi im është t’i jepet emëri Wilsonville ose Shën Gjergjit ose Sarandës. Juaji me respekt: (Nënshkruar) Faik Konitza.

Përgjigjja Konicës i erdhi më 11 gusht 1924: “Me vendim ministerial, Shën Gjini u pagëzua Ëilson” (Nënshkruar) Noli. 22). Dihet që në periudhën e diktaturës komuniste u zhduk nga harta e Shqipërisë emni i këtij Presidenti të lavdishëm.

Konica nderoi Mikun e Madh të Shqipërisë, duke nderuar kështu veten, “Vatrën” dhe gjithë kombin tonë. Disa ditë pas vdekjes së Wilsonit, pikërisht më 12 mars 1924, ai i dërgoi zonjës së nderuar të ish-Presidentit, Edith Bollin Galt Wilson, një kurorë të bukur prej njëqind trëndafilash, 50 të kuqe e 50 të bardha, të lidhur me një kordelë me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë, ku qe shkruar me dorë: From the Albanian Federation Vatra, Boston, Massachussets”. 23). Veç kësaj, Konica i dërgoi zonjës së nderuar Wilson telegramin: “Jepmëni leje, Zonjë, të bëhem me respekt dragoman i hidhërimit të thellë e të kthiellët që ndjejnë Shqipëtarët, të cilët te personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre, një mik mirëdashës e të fuqishëm në orët më të zeza të rrezikut e të brengjeve.” 24).

Mirënjohja e popullit tonë për presidentin ëWlson dhe Amerikën, falëlënderimi dhe nderimi gjetën pasqyrim edhe në një këngë popullore të thjeshtë e të bukur, “Këngë për Madhërinë e Tij Wilsonin”. Për popullin tonë kënga është vlerësimi më i lartë, që ai i jep një njeriu për bëmat e tij të shquara, është një lapidar përjetësimi. Ja disa vargje të kësaj kënge:

Thërresim ‘Rroftë Amerika’

Madhëri e Tij Wilsoni,

Me katërmbëdhjetë pika,

I thotë Evropës qëndroni!”

“Një profesori amerikan, të quajtur Elmer J. Jones, – shkruan Jup Kastrati në biografinë e tij për Konicën – i bie puna të vizitojë vendin tonë. Në fshatin ku kalon, dëgjon një këngë për Wilsonin. Ia përkthejnë dhe ky ia dërgon Presidentit amerikan. Atëherë ky i fundit shfaq mirënjohjen e vet me letrën që po riprodhojmë poshtë:

“Vashington D.C. 26th January 1922

I dashur z. Profesor Jones,

Ju falënderoj sinqerisht për letrën tuaj dhe për përmbajtjen e saj. S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri. Duket se do të keni pasur një eksperiencë plot interes. Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe ma sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësitë tona kombëtare.

Me urime të përzemërta,

(Nënshkruar) Woodrow Wilson. 25).

Referenca dhe shënime

1). University of Knowlledge, “Great Leaders”, Edited by Franklin J. Meine, Ph. B., M. A. and Harris Gaylord Warren, Ph. D., p. 379.

2). “The New Webster’s International Encyclopedia”, Edition published by Trident Press International, Fl., 1998, p. 1188

3). Albana Mëlyshi Lifshin, “Udhëtim në Historinë Amerikane”, “Dita”, Tiranë, 2003, f. 225).

4). “Great Leaders”, p. 385.

5). Arthur S. Link “The Papers of Woodrow Wilson, vol. 45, 1984, p. 536.

6). Arthur S. Link. “14 Pikat”, Pika XI – “Rumania, Serbia dhe Mali i Zi duhet të zbrazen (nga forcat e huaja ushtarake – shënimi im, A. Ç), t’u rikthehen territoret e tyre; Serbisë t’i jepet dalje e lirë dhe e sigurt në det, dhe marrëdhëniet e disa shteteve ballkanike me njëri-tjetrin të përcaktohen nga negociatat miqësore, në vijat kufitare të vendosura historikisht, dhe, gjithashtu, t’u jepen garancitë ndërkombëtare për pavarësi ekonomike e politike dhe integritet tokësor për disa shtete ballkanike sipas kombësisë.”

7). The Albanian Struggle in the Old =orld and Ne+” – Compiled and +written by members of The Federal =riters’ Project of The =orks Progress Administration of Massachusetts, The =riter, INC. publishers, Boston, 1939, p.58.
8). Qerim Panariti, Fan S. Noli, Albumi II”, botuar në Boston, Massachusetts, 1966, f. 67
9). Idem, ibidem, f. 68.
10). Arthur S. Link, vepër e cituar.
11). ‘Noli: ‘Shqipëria i ka borxh Amerikës, përgatitur nga E. Alliu, gazeta “Illyria”, dt. 31 janar-3 shkurt, 2003″, f. 24.
12). Po aty.
13). Shih “The Albanian Struggle in the Old =orld . . .”, p. 59-60.
14). Refat Xh. Gurrazezi: “Historia e Federatës ‘Vatra”, Shtëpia botuese Globus R., Tiranë, 2006, f. 93-94.
15). “Noli: “Shqipëria i ka borxh Amerikës”, “Illyria”, 31 janar -3 shkurt 2003.
16). Arthur S. Link “The Papers of =oodro+ =ilson, vol. 45, 1984, 536.
17). Peter R. Prifti “Land of Albanians: A Crossroads of Pain and Pride”, Tiranw, “Horizont”, 2001, p. 229.
.18). Fan S. Noli, “= =ilson”, në”Portrete dhe skica”, Mbledhur dhe përgatitur nga dr. Nasho Jorgaqi, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë, 1995, f.123-129. Të gjitha citimet nga ky fjalim janë marrë nga ky botim.
19). Thomas A. Bailey “=oodro+w =ilson and The Great Betrayal”, Published 1963 by Quadrangle Paperback, p. 38. Për këtë problem, po në këtë vepër, f. 187, lexojmë: “Prokurori i përgjithshëm i Amerikës në kohën e =ilson-it, Thomas G. Gregory, ka thënë: “Lidhja u hodh poshtë në SHBA jo pse ajo qe Lidhja e Kombeve, por sepse ajo qe Lidhja e =ilson-it, dhe sepse udhëheqësi i madh qe rrëzuar dhe nuk kishte asnjë tjetër që mund ta përdorte shpatën e tij të fuqishme”.
20). Muin Çami, “Jehona e vdekjes së Uodrou Uilsonit në mjedisin shqiptar”, Studime historike, Tiranë 2004, f. 35.
21). Prof. Dr. Jup Kastrati, “Faik Konica” (monografi), Gjonlekaj Publishing, New York, f. 173.
22). Idem, f. 174-175.
23). Idem, ibidem.
24). Idem, ibidem.
25). Idem, ibidem.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Vatra

GJON ZEFI LULGJURAJ VLERE E KOMBIT SHQIPTAR

August 17, 2021 by s p

Nga Gani Vila/
Drejtor i Televizionit të shqiptarëve të Amerikës

Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës dhe unë personalisht e  kemi përjetuar me dhimbje të thellë largimin e papritur dhe të parakohëshëm nga kjo jetë të ish kolegut tonë  Gjon Lulgjuraj,të kryetarit aktual të Organizatës 75 vjeçare Shqiptaro-Amerikane AANO,Ideatorit,programuesit,drejtuesit dhe realizueit të radio programit të parë për tre dekada në gjuhen shqipe në shërbim të komunitetit shqiptar në Michigan dhe në Florida.Plot 50 vjet aktivitet të gjithanshëm patriotik produktiv në emigracion që ju keni dhënë i nderuar Gjon,do të ngelen vlera të përjetshme për kombin shqiptar. Gjon,ti  ishe shqiptari model,aktivist dhe patriot i shquar i komunitetit shqiptar, i kudo ndodhur në të gjitha fushat dhe nevojat e  jetës së komunitetit shqiptaro-amerikan në mërgim,në protesta, demostrata,në takime me kongresmenë e senatorë dhe deri në Kongresin Amerikan.Nuk do të harrohen moderimet e aktiviteteve patriotike e kulturore , fjalimet e tij të cilat kanë entuziazmuar,stimuluar e motivuar bashkëatdhetarët e pranishëm dhe kanë bere që jehona e këtyre aktiviteteve  të pëcillej në mbarë komunitetin.Gjithë jetën  ka qenë aktiv për cështjet shqiptare në Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe në trevat tona etnike.Gjon Lulgjuraj i shfrytëzoi pozitivisht mundësit që të jep Amerika.Ai diti të ruante me fanatizëm traditat dhe vlerat kombëtare shqiptare për vete dhe bashkëkombasit e tij, por shumë shpejt ai u integrua edhe në jetën dhe kulturën amerikane.Megjithëse mbaroi  universitetin në fushën e arkeologjisë,Gjonit  i pëlqente biznesi ku ai gjeti veten dhe u bë i sukseshem. Me veprimtaritë e tij patriotike e veçanërisht atë mediatike, Gjoni inicioi dhe udhëhoqi revolucionin e ndryshimeve të mëdha në mentalitetin e atëhershëm politiko-kulturor të komunitetit shqiptar që kishte emigruar nga trevat shqiptare të okupuara nga Jugosllavia e e asaj kohe. Këto veprimtari dhe suksese në komunitetin  shqiptaro-amerikan Gjon Lulgjuraj i arriti sepse ishte i edukuar me atdhedashuri,ishte i ndërgjegjshëm dhe i vetëdijshëm për obligimet ndaj çështjes mbarë kombëtare shqiptare. Gjoni kishte një personalitet të rrallë të fisnikut shqiptar, Ishte i zgjuar,i shkathët,plot ide dhe suksese,i qetë,i dashur, i qeshur,i urtë i edukuar,i pa përtuar,bamirës,i besueshëm , donator i përhershëm.Ai ishte jo vetëm orator i talentuar, por dhe ideator i spikatur.Gjoni e donte Malësinë , e donte Shqipërinë , e donte popullin shqiptar.Çka  Zoti ia kishte falur, ai e vuri më së miri në shërbim të kombit të vet.Ishte vizionar,i pa përtuar,i pa lodhur, e përjetonte  gjithëpërfshirës kombin dhe botën shqiptare.Gëzohej nga sukseset dhe progresi i shqiptarëve e trishtohej nga mangësite dhe kurrë nuk tërhiqej nga misionet. Pavarësisht se gurët e diamantit po shkëputen një e nga një si yjet nga gjerdani,gjithmonë do të rrojnë këto vlera pasi thesarët e  Malësisë së Madhe  rezatojnë edhe këtu në emigracion. Vdekja e parakohshme e Gjon Lulgjurajt nuk është një humbje vetëm për familjen,për të afërmit,për Grudën,për Malësinë,por  një humbje e madhe dhe e pa zëvëndësueshme edhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan dhe kombin shqiptar, pasi kontributet dhe vlerat e Gjon Lulgjurajt i kanë kaluar përmasat e  “Thesarit  të Malësisë”. Për veprimtarinë e gjithanshme 50 vjeçare në shërbim të çështjes shqiptare në emigracion, që ju keni dhënë suksesshëm i dashur Gjon  Zefi Lulgjuraj,  meritoni të jeni “ Nder i Kombit shqiptar”. Gjon, kolegu ynë,mik i dashur nuk të harrojmë,gjithmonë do të kujtojmë .

U prefsh në paqe.

Gani Vila

Drejtor i Televizionit të shqiptarëve të Amerikës

Michigan 15 Gusht 2021

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjon Zefi Lulgjuraj

Shqipëria drejtë gropës dhe jo drejtë Europës

August 17, 2021 by s p

Nga Agustin Mirakaj/

Në 20 vitet e ardhshme rrezikohet mos që të ngelet më këmbë shqiptari në Shqipëri. Shpopullimi është kthyer në një hemoragji të pandalshme. Qeverisja antikombëtare dhe tradhtarët që kanë drejtuar dhe administruar në 3 dekada Shqipërinë po na lënë pa atdhe. Dallaveret, pislliqet, egoja e sëmurë për lavdi personale, a kanë kthyer Shqipërinë në një stan për hallexhinjtë e botës të cilët pa faj importojnë fatet e tyre të trishta dhe problemet e tmerrshme ne zemer te europes.

Shqipëria duhet të ecë përpara drejt Europës por me sa duket plani i Kryeministrit Rama është  që të bëjnë Shqipërinë albanistan dhe ndoshta një ditë ai të jetë mbreti i Albanistanit. Shkëlqesia e tij sillet si sulltan n’ballkan por gjëja me e tmerrshme është se e shuajti popullin, po shkatërron strukturën kombëtare të identitetit tonë. Gënjen sy për sy pa ju prish terezia, një lidër i pabesueshëm, manipulator dhe tradhtar. Shqiptarët ndjehen të tradhëtuar dje, sot dhe neser. Naltmadheni vendimet ti i merr vetëm, pa pyetur njeri, pa referendum, pa teansparencë dhe në fshehtësi të plotë. Shqipëria tregon vlerë që përfshihet në kontribut humanitar, por për shqiptarët që vazhdojnë krizë humanitare prej 30 vitesh në shtetin e tyre JO. Kur thua që vendimet i merr me autorizimin e popullit…kujt populli i ke marrë autorizim o shoki Komisar? A po ke të drejtë deri diku sepse autorizimin e ke marr nga të huajt që të mbushin xhepat dhe të certifikojnë zgjedhjet që vodhe ditën për diell…..Normal.

Ky vendim që ti ke marre nuk është për të mirën e Shqipërisë në një kohë kur ti kokëministër ke tradhtuar interesat e popullit tënd. Dita ditës vendimet e tua baltosin (njësoj si parardhesit e tij të një partie) mundin e të parëve tanë që u munduan kaq shumë ta ndërtojnë vendin. Premtove shumë, saqe zëri jot u dëgjua gjerë në Afganistan. Projekti Shqipëria drejt Europës, në fakt synimi yt dhe i shumë politikanve paska qenë Shqipëria drejt gropës.

Ed Rama, ti je fajtor për shkatërrimin e  Shqipërisë. Hodhe jashtë vendit me paramendim gjysëm milioni shqiptarë për ti zëvëndesuar ata përgjithmonë me të huaj. Shqipëria ka nevojë për të rregulluar veten pastaj të tjerët. Je një politikan i paaftë jo vetëm që nuk zgjidh hallet por i shton ato. Deri dje ju si politikë bëtë të pamundurën për të zbrazur Shqipërinë dhe tani ju po dilni si shpëtimtar të një populli të huaj e në të njëjtën kohë po dilni si vrasës i shpresës për një Shqipëri europiane. Një ditë populli do iu gjykojë rëndë, rreziku që po kërcënon më shumë Shqipërinë është frika e një terrorizmi të sjellur nga jashtë me qëllim shkatërrimin e vendit tonë. Ujgurë, Afganistanezë, Iranianë e njerëz me prirje radikale që strehohen në Shqipëri sot, kërcënojnë sigurinë kombëtare të shtetit dhe bëhen problem për rajonin. Ju jeni fajtor përjetë e bashkë me ju do të jeni ju dhe ata politikanë që mbështesin idenë dhe duan të shpërbëjnë Shqipërinë. Shqipëria është në rrezik. Identiteti i shqiptarit tashme është më shumë se kurrë jo drejtë europës por drejtë gropës.

Filed Under: Komente

PERKUSHTIM SUBLIM

August 17, 2021 by s p

Poezi nga Julia Gjika/Kam ndërtuar skeletin e erës,I cili është vetëm flatradhe një zemër që regëtin.Vështroj trupin e barit, jo një fije,por perandorinë e tij,që lëkundet ëmbël prej flladit.Cfarë ndodh me erënkur ngjitet lart mbi re?Po kur zbret ne skajet e globit?A lodhet era, a lodhen flatrat,ku dhe kur fle?Natën e përgjoj. Era fishkëllen.Dëgjoj fëshfërimën e ëmbël të barit.Duket se eshtë koha kur bari e fton.Era, me kohe ka zgjedhur gjirin e tij.Aty është cerdhja, dashuria që pret.E pushtojnë tinguj, ngjyra, aroma deri në dehje.Yjet e parë i buzëqeshin buzëmbrëmjes.Frymëmarja e barit shpeshtohet,zëri i erës ngadalësohet, ëmbëlsohet.Toka gëzohet, e tregon bari në përkulje,bari qe i bie ne gjunjë.Cfarë ndodh me barin?Ai është në një përkushtim sublimnë një përqafim hyjnor.Drita e mëngjesit sjell me vehtenjëmijë surpriza për erën,nga bari dhe perandoria e tij.Gjerdan ves’argjëndë dhe byzylykëme petale lulesh që sa celin syte.Fytyrat e tyre ndricojnë nën rezet florishtrati madhështor ka clodhur trupatndërsa njerëzimi zgjohet me jetën të shihet sy më sy.
8/15/2021/

Filed Under: LETERSI Tagged With: Julia Gjika, Perkushtim sublim, poezi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2885
  • 2886
  • 2887
  • 2888
  • 2889
  • …
  • 2924
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT