• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT NË TURQI: 1877-1967, Preokupim dhe obligim i Institucioneve shqiptare  

September 2, 2025 by s p

FETI MEHDIU/

Prania e shqiptarëve në Anadoll-Turqi, zë fill nga gjysma e shekullit XV, kur Mehmet Fatihu NGADHNJIMTARI – ngadhënjeu kundër Bizanti dhe mori Stambollin, në të cilën fitore mori pjesë edhe një komandant shqiptar nga Kosova _ Zaganoz pasha. *) Nga  ajo kohë deri në vitin 1807, është faza e parë e pranisë së shqiptarët në Anadoll, dhe jo vetëm.*)  Gjatë asaj kohe kanë ushtruar funksione të rëndësishme dhe kanë themeluar institucione, kanë ndërtuar objekte e kanë themeluar qytete që i kemi edhe sot. Për atë periudhë dhe  motivet e praninë e tyre atje, nuk do të ndalemi më gjerësisht këtu.*)

Me vitin  1807 vazhdon faza e dytë e pranisë së shqiptarëve në Turqi, por këtu do të trajtohet vetëm periudha nga dhjetori i vitit 1877* deri në vitin 1918.*) kur shqiptarët në Turqi gjetën strehim, si POPULL I DËBUAR- I PËRZËNË nga vatrat e tyre stërgjyshore.*) 

U përqendrova në periudhën 1877-1917., sepse kjo periudhë ngërthen çështjen shqiptare nën sundimin e sulltanatit Osman. Pas vitit 1918, kjo çështje i përket Mbretërisë SKS, RSFJ dhe Republikës së Turqisë. Këtë periodizim e kushtëzojnë rrethana dhe motive të ndryshme pse shqiptarët sot janë në Turqi, disa milion. Dhe Kjo çështje nuk është trajtuar si e meriton.

Duke u mbështet në veprën RUMELI`DEN  TÜRK GÖÇLERI, të autorit turk në dy vëllime do të sjelli disa raporte telegrafike nga dhjetori i vitit 1877 kur fillon dëbimi i shqiptarëve nga sanxhaku i Nishit.

Telegramet në vazhdim janë këmbyer ndërmjet  Komandantit të Nishit, gjeneral-kolonel Halil Pashës,  guvernatorit të  Nishit Reshid Pashës dhe Komandantit të përgjithshëm të Rumelisë – Sulejman pashës.

Disa fragmente nga telegramet:

Nr. 113

Nish, 16 dhjetor, 1877.

“Ora tetë…Dje rreth njëqind shtëpi u zhvendosën drejt Leskovcit…….një pjesë e tyre u vendosën në dyqane e nëpër medrese… për shkak se nuk kishte mjaftueshëm shtëpi për strehim…”

Nr. 115

20 dhjetor, 1877,  “ me mjetet që kishin në dispozicion, me tërë pasurinë …  janë shpërndar,  kanë ikur të hutuar, pa e ditur se çfarë të bëjnë…..rrugët për Prokuple dhe Leskovc janë bllokuar, prandaj qerret që ishin nisur sot, janë kthyer prap.”;

Nr, 116

22 dhjetor, 1877,  “… është urdhëruar që popullsia islame e Nishit të largohet prej këtu…  popullsia myslimane hezitojnë të shpërngulen dhe në një telegram të ardhur në emër të popullsisë së Nishit, ankohen për gjendjen e zyrtarëve dhe njerëzve me ndikim…”

Nr. 117

22, dhjetor, 1877 ,, Disa fshatra të vilajetit të Kosovës janë zaptuar nga serbët,  administrata e Leskovcit ka kaluar në Vranjë. Disa familje kanë ngarkuar qerret dhe kanë ikur… në Kumanova është përhapur  panik dhe ka filluar përgatitja për mbrojtje, por nuk ka armë dhe municion.” 

Kjo gjendje, që na rikujton vitet 1997-1999, kur dëboheshin shqiptarët nga Kosova, kërkon nga studiuesit e Historisë, filologjisë, diplomacisë, ekonomisë, etj., që zhvillimet e proceseve të tilla t`i emërtojnë me saktësi dhe qartësi duke bërë dallimin SHPËRNGULJE dhe  DËBIM.

Derisa nga shekulli XV deri në fund të shekullit XVIII, shqiptarët në Turqi mund të trajtohen si emigrant, muhaxhirë etj., nga fillimi i shekullit XIX, shqiptarët në Turqi kanë gjetë strehim si POPULL I DËBUAR, POPULL I PËRZËN nga vatrat e veta stërgjyshore me qëllim të realizimit të projektit:  “për shfarosjen dhe dëbimin e popullatës joserbe”*) 

Me këto veprime të dhunshme e mizore Serbija gjatë shekullit XIX, e katërfishoi territorin fizik.

Për këtë dhunë sistematike e reprezalje të intensitetit të lartë, kundër shqiptarëve, me qëllim të spastrimit të territoreve të marra nga sulltanati Osman, flasin burime të ndryshme historike në gjuhën turke, frenge e në gjuhën shqipe, të cilat kam pasë mundësi t`i shfrytëzoj për këtë kontribut modest.*) ( Shimshiri, Karpati, Gjidara, Uka, Gjoshi, Mehmeti, etj… ) 

Janë botuar libra të veçanta*) e studime sporadike*) në mbështetje të literaturës, apo dokumenteve arkivora të vjelura në arkiva,  të dorës dytë*), që gjithsesi vlejnë, por pjesa dërmuese FLASIN PËR SHPËRNGULJE, MIGRIME…zhvendosje-vendosje,  etj., të shqiptarëve në Turqi pa dallim, prej shekullit XV e deri  në shekullin XX.,  që si rezultat ka mohimin apo relativizmin  e DËBIMIT të shqiptarëve gjatë dy shekujve të kaluar. 

Tani më janë krijuar kushtet, si nga aspekti profesional ashtu edhe këndvështrimi material,  çështja e shqiptarëve në Turqi  të merret në shqyrtim duke shfrytëzuar dokumente të dorës parë që ruhen në Arkivat e Kryeministrisë në Stamboll e në Ankara dhe t`i afrohen opinionit shkencorë sipas standardeve më të reja e të besueshme, të pajisura me faksimile. Vetëm kështu mund të formohet një pasqyrë e qartë se PREJ CILIT VEND U DËBAN SHQIPTARËT  dhe NË CILIN VEND  janë strehuar dhe jetojnë sot në Turqi. 

Një pasqyrim të tillë sot kemi për TË DËBUARIT NGA NISHI 1877-1896,  e që KANË GJET STREHIM NË Tetovë, Gostivarë, Kërçovë e gjetiu. Numri i tyre dhe në cilat lagje të qytetit e në cilat fshatra u vendosën, si në  Shemshovë, Përshevc, Poroj, Xhepçishtë, Reçicë, Nepërshten, Sedllarcë, etj. 

Disa të dhëna statistikore sipas autorëve: Bilal Shimshir dhe Kemal Karpat, mund të ndihmojnë studiuesit e fushave përkatëse të thellojnë njohurit e tyre për këtë periudhë. 

Sipas autorit Bilal N.SHIMSHIR, në vitin 1877: 

Nishi kishte 283.000 bullgar*)  dhe  148.000 jo-bullgar*) = 430.900.

Shkupi kishte 99.850 bullgar dhe 206.850  jo bullgar = 306.790 

Manastiri kishte 167.350 bullgar dhe  297.550 jo bullgar = 454.900 

Sipas autorëve  KEMAL KARPAT dhe FIKRET KARÇIQ,  në vitin 1911: 

Kosova kishte 959.175 musliman *92.541 grekë*531.000 bulgarë*3287 hebrenj*16.493 të tjerë.

Manastiri kishte :181.980 musliman*149.785 grekë*199.938 bulgar*5.454 hebrenj*1715 të tjerë.

Sot më lehtë se kurrë më parë mund të shfrytëzohen arkivat valide të sulltanatit Osman që presin hulumtuesit shqiptarë në Stamboll, në Ankara e gjetiu.

Janë përpiluar dokumente, konventa, marrëveshje – madje edhe të panënshkruara – për të zbatuar DËBIMIN  e shqiptarëve dhe jo vetëm këta, nga  hapësira e Ballkanit. Të gjitha këto duhet rishqyrtuar dhe të vlerësohet validiteti i tyre nga këndvështrimi juridik, historik, diplomatik, politik, strategjik, ekonomik, etj. 

Këtu duhet vënë theksin ç`është  PREOKUPIMI DHE OBLIGIMI I INSTITUCIONEVE SHQIPTARE

1-Preokupimi i hulumtuesve… studiues të fushave të ndryshme t`i emërtojnë me emrin e vërtetë –  saktësisht dhe qëndrueshëm shkencërisht: Popullsia e dëbuar nga Sanxhaku  i Nishit a ishte turke dhe bullgare?, siç thuhet te autori Shimshir; u shpërngulën apo u dëbuan?; në Kosovë ishte luftë apo konfliktë? ; u vendosën në Turqi apo u strehuan në Turqi dhe ku janë sot? Çfarë ishte qëllimi i DËBIMIT TË SHQIPTARËVE NGA  TORJET STËRGJYSHORE dhe çfarë pasojash kishte për shqiptarët NË TURQI? Po ashtu të dallojë dhe të periodizojë format dhe metodat e DËBIMIT: Dëbimi me pushkë e zjarr dhe dëbimi me Pendë e projekte të ndryshme, si reforma agrare, aksioni i mbledhjes së “tepricës”, aksioni mbledhjes së armëve, etj.(1877-1917; 1918-1941; 1945-1966; 1990-1999).

 2 – Obligimi i qarqve shtetërore …të  vlerësojnë veprimet e tyre, të deritashme,  angazhimin konkret dhe të marrin masa që shqiptarët në Turqi të ndihen dhe të frymojnë si shqiptarë, të mbajnë lidhjen e gjuhës e të gjakut me  të parët e tyre, me vendin prej nga janë dëbuar. Të afrojnë mundësitë që shqiptarët që jetojnë në Turqi ta ndihmojnë vendlindjen e prindërve, gjyshërve e stërgjyshërve të tyre.

SEMINARI NDËRKOMBËTAR… është njëra nga format e realizimit të këtyre qëllimeve, që tani më është dëshmuar si institucion i cili e luan këtë rol me sukses.

Feti Mehdiu, Prishtinë,  044 897 439, fetimehdiu44@gmail.com

Prishtinë, 22. Gusht, 2025

Nga tryeza: Shqiptarët në Lindjen e Mesme – Seminari… 43, Prishtinë, 22 gusht, 2025

****

Filed Under: Komente

ZHVILLIMET ARSIMORE NDËR SHQIPTARËT NË SERBI E JUGOSLLAVI NË VITET 1913-1941

September 2, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Shqiptarët kishin mundur ta fitonin të drejtën e hapjes së shkollave në gjuhën amtare me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912, por krahasuar me shkollat serbe, ato ishin në numër më të vogël. Në këtë periudhë, në Kosovë kishte 51 shkolla fillore serbe, me 83 mësues gjithsej, disa kolegje dhe një shkollë normale fetare, ndërkohë që kishte vetëm pak shkolla fillore shqipe, që ishin hapur dy-tre vitet e fundit.

Serbët dhe malazezët mbajtën qëndrim edhe më të ashpër se turqit në lidhje me shkollat shqipe dhe i mbyllën të gjitha ato, duke hapur në vend të tyre shkolla fillore dhe të mesme në gjuhën serbe. Gjithashtu, autoritetet serbe dhe malazeze ndaluan çdo veprimtari arsimore në shqip që mund të zhvillohej në objektet e kultit, si dhe ushtruan kontrolle të rrepta mbi shoqëritë kulturore dhe sportive, për t’i penguar ato në zhvillimin e veprimtarive arsimore në shqip. Sidoqoftë, në këtë periudhë të shkurtër kohe, 1913-1915, funksionuan disa shkolla fetare, të cilat i zhvilluan mësimet në shqip dhe feja ndër shqiptarët u kthye në mjet të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Pas përfundimit të luftës dhe përfshirjes së territoreve shqiptare nën Mbretërinë SKS, autoritetet e Beogradit mbyllën të gjitha shkollat shqipe, të cilat ishin hapur në kohën e pushtimit austro-hungarez të Kosovës (Demjaha, Peci, 2016:21). Për mbylljen e tyre qenë angazhuar ushtria, xhandarmëria dhe sidomos të ashtuquajturat “çeta fluturuese” çetnike, të specializuara për krime mbi shqiptarët e pambrojtur (Gjoshi, 2015:15). Të parat u mbyllën shkollat laike shqipe dhe pas tyre ato fetare. Shkollat e komunitetit katolik të Gjakovës dhe të Pejës u mbyllën deri në vitin 1923 (AMPJ, 1930, D. 194, fl. 47). U mbyllën gjithashtu shkollat në Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Vushtri, Istog, Zym, Bec, Bordosan, Brovinë, Gllogjan, Irzniq, Junik, Ponoshvec, Cermjan, Zhub, Rakosh, Baran, Zllakuçan, Strellc, Budisalc(AMPJ, V.1930, D. 194, fl. 46). Pas mbylljes së shkollave, u kërkuan me urgjencë listat e mësuesve shqiptarë që kishin dhënë mësim në ato shkolla. Lidhur me këtë, në një qarkore të xhandarmërisë serbe, e cila qarkullonte nëpër Kosovë, thuhej: “Duhet të likuidohen të gjithë ata mësues që kishin mbetur në Kosovë, si dhe nxënësit e tyre, të cilët po i përhapin me të madhe idetë kombëtare” (AMPJ, V.1930, D. 194, fl. 47). Dhuna dhe tortura të rënda u praktikuan në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Prizren etj. Mësuesi i Pejës Zef Maroviç nga Bergoderica (Zarë), ishte rrahur prej xhandarëve serbë në vitin 1919, afër katundit Rakosh, në sy të familjes së tij(AMPJ, 1930, D. 194, fl. 47).

Serbia dhe më vonë MSKS (Jugosllavia) i njohu shqiptarët vetëm si minoritet fetar. Trajtimi i shqiptarëve si minoritet fetar kishte si synim sllavizimin e shpejtë të tyre (Once upon a time… we lived together, 2014:76). Serbët mendonin se ishte veçanërisht e padëshirueshme që shqiptarët të merrnin arsim në gjuhën shqipe, duke pasur frikë se lidhjet gjuhësore do të ushqenin nacionalizmin shqiptar. Në vend të kësaj, institucionet e vetme arsimore të autorizuara nga regjimi serb ishin shkollat fetare, si islamike ashtu edhe ato katolike. Padyshim, autoritetet serbe ishin të etura për të theksuar më shumë përkatësinë fetare sesa etnike të shqiptarëve. Duke i trajtuar shqiptarët si kategori fetare, Jugosllavia e kishte më të lehtë të anashkalonte të drejtat që lidhen me minoritetet kombëtare (si shkolla në gjuhën amtare, përfaqësimi politik, autonomia kulturore), sepse të drejtat e minoriteteve fetare trajtoheshin më ngushtë dhe shpesh reduktoheshin në lirinë e fesë.

Serbët kishin menduar se asimilimi i katolikëve do të ishte më i lehtë. Fillimisht do t’i kalonin me dhunë në ortodoksë dhe kur kishin dështuar, ua kishin afruar sllavizmin përmes klerikëve katolikë sllavë (kroatë dhe sllovenë), të cilët do të ishin dhe mësues në shkollat katolike, por kishte hasur në pengesa. Duke mos i kundërshtuar hapur shkollat katolike në gjuhën serbo-kroate për shqiptarët, Selia e Shenjtë ishte angazhuar që në trojet shqiptare në Jugosllavi të kishte shkolla katolike dygjuhëshe, në mënyrë që çdo grup etnik, shqiptarët dhe sllavët, ta kishin shkollimin në gjuhën e tyre.

Shqiptarët myslimanë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi u përfshinë në politika të asimilimit përmes shkollave fetare (medreseve) dhe bashkësive islame të kontrolluara nga shteti, me shpresën se do të ndiheshin më pranë myslimanëve boshnjakë apo turq, dhe jo si një komb më vete. Për ta bërë më të lehtë mësimin në shkollat fetare në gjuhën serbe, erdhën si mësues klerikë myslimanë nga Bosnja, me shpresën se afërsia fetare do të ndikonte në mësimin e gjuhës sllave dhe dobësimin e identitetit kombëtar. Myslimanët boshnjakë gëzonin një trajtim më të favorshëm, pasi ishin të lidhur më ngushtë me identitetin sllav. Shqiptarët, përkundër fesë së përbashkët me boshnjakët, nuk u konsideruan “myslimanë të afërt”, por si “turq të mbetur”, që në sytë e nacionalizmit serb ishin të huaj dhe të dyshimtë. Kjo politikë e Jugosllavisë ishte në thelb një strategji për të zhbërë identitetin shqiptar, për ta bërë të padukshëm dhe për ta penguar konsolidimin e një autonomie kulturore të shqiptarëve përmes ndarjes së komponentit fetar nga ai kombëtar.

Shqiptarët i bojkotuan në masë shkollat serbe me mësues boshnjakë, duke zgjedhur më mirë analfabetizmin masiv, sesa të përfshiheshin në mekanizmat shkombëtarizues të pushtuesit. Në këto kushte, numri i nxënësve shqiptarë të regjistruar në shkollat serbe ishte simbolik; djemtë përbënin 6,5%, ndërsa vajzat shqiptare 0,5% të nxënësve (Obradoviq, 1981:6).

Shqiptarët myslimanë i vazhduan shkollat fetare në gjuhën turke, duke zgjedhur të keqen më të vogël. Në të gjithë qytetet e Kosovës fillimisht kishte 19 shkolla turke me 91 klasa dhe 126 shkolla fetare me 203 klasa në fshatra, ku jepnin mësim 208 mësues shqiptarë ose turq. Më vonë u vendos gjuha serbe si gjuhë mësimi, ku vetëm 6 orë në javë jepeshin mësim turqisht, shto dhe 4 orë turqisht mësime feje, derisa në vitin 1933 turqishtja u hoq dhe u përdor vetëm në shkollat e Shkupit (në qytet) (MPJ, 1933, 214: 39). Ndikimi turk vazhdoi gjatë gjithë periudhës ndërmjet luftërave botërore (1918-1941) në medresetë e mëdha të ngritura në Shkup.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve shtetërore për të krijuar qytetarë besnikë myslimanë në Kosovë dhe Maqedoni, duke ngulitur një vetëdije fetare të çalbanizuar, është e vështirë të pretendohet se feja ishte përbërësi kryesor i identitetit të shqiptarëve të Jugosllavisë. Pavarësisht praktikave të tyre të përditshme fetare dhe nostalgjisë së disa prej tyre për Perandorinë Osmane, shqiptarët në Jugosllavi, midis dy luftërave botërore, dalloheshin qartë nga fqinjët e tyre sllavë kryesisht në bazë të gjuhës dhe etnisë. Sa i përket përfaqësimit politik, ata mbështetën kryesisht Lidhjen Islamike për Mbrojtjen e Drejtësisë, e njohur si Xhemijet. Pas ndalimit të Xhemijetit në vitin 1925, partia tjetër myslimane në Jugosllavi, Organizata Myslimane Jugosllave (YMO) (Jugoslovenska Muslimanska Organizacija) me qendrën e saj në Sarajevë, dështoi të fitonte mbështetje midis myslimanëve në Kosovë dhe Maqedoni. Vetëm ky incident mund të merret si një tregues i qartë i mungesës së ndjenjave të një identiteti të përbashkët të bazuar në lidhje të përbashkëta fetare midis myslimanëve sllavë dhe jo-sllavë në Jugosllavi(Babuba 2004, 298).

Sidoqoftë, duke shfrytëzuar edhe traditën e krijuar në periudhën osmane, rol në arsimim mori medreseja turke Meddah, që supozohet se ishte themeluar që në shek. XV dhe kishte vazhduar deri në Luftën e Parë Botërore. Pas luftës, në vitin 1923 u rihap nga Ataullah Kurtish dhe vazhdoi veprimtarinë e saj të mësimit fetar në gjuhën turke deri në Luftën e Dytë Botërore. Kjo medrese e ruajti tradicionalizmin e arsimit klasik islam në gjuhën turke, duke ofruar lëndë si Kuran, Hadith, Fikh dhe Tefsir. Meqenëse në mësimdhënien e medresesë “Meddah” propagandoheshin idetë nacionaliste turke, shteti jugosllav mori masa për të zvogëluar ndikimin e saj, duke hapur një medrese tjetër në rangun e shkollës së mesme. Në vitin 1924, pas formimit të Medresesë Meddah, shteti jugosllav ndërmori hapin për të krijuar Medresenë “Krajl Aleksandër” në Shkup. Ky institucion kishte për qëllim të ofronte arsimin fetar për myslimanët, por në një mënyrë që shërbente për forcimin e ndikimit të Jugosllavisë mbi jetën fetare të popullsisë myslimane. Medreseja financohej nga shteti dhe përdorte serbokroatishten si gjuhën e mësimit, një përpjekje e qartë për të kontrolluar dhe orientuar mendimin fetar mysliman në përputhje me politikat shtetërore. Për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të shtetit dhe angazhimit të mësuesve të huaj, shumica e popullsisë myslimane e refuzoi këtë medrese. Ata e panë atë si një instrument të politikave jugosllave dhe jo një mundësi për zhvillim fetar autentik. Kjo medrese përbënte një shembull të përdorimit të arsimit fetar për qëllime të kontrollit politik dhe ideologjik nga ana e shtetit.

Konkurenca midis nacionalizmit serb dhe atij turk bëri që në vitin 1936, me mbështetjen e Turqisë, të rihapet Medreseja “Isa Beu”, e cila vepronte gjoja “në përshtatje me traditat dhe kulturën e komunitetit”. Të tri këto medrese ishin institucione që nuk kishin të bënin me shqiptarët dhe interesat e tyre. Medresetë “Meddah” dhe “Isa Beu” synonin të edukonin “myslimanin e mirë, me identitet vetëm mysliman dhe të pa vetëdije kombëtare shqiptare”, kurse medreseja “Krajl Aleksandër” synonte të edukonte myslimanin e mirë jugosllav, sigurisht të pa vetëdije kombëtare shqiptare. Në përgjithësi shqiptarët i shpërfillën ato, pasi nga radhët e studentëve të këtyre medreseve, me ndihmën e Konsullatës shqiptare të Shkupit, u formuan veprimtarë të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që luftonin për bashkimin e trojeve të mbetura në Jugosllavi me shtetin amë.

Në vendbanimet shqiptare u zhvillua edhe arsimi ilegal në gjuhën shqipe. Shkolla ilegale shqipe u krijuan në Maqedoni, Kosovë dhe në Mal të Zi dhe ato, të paktën pjesërisht, u financuan nga Shqipëria(Boskovska, 2009:222).

Në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, situata ndryshoi për mirë në favor të arsimit shqip. Pas shqyrtimit të disa promemorieve shqiptare në Lidhjen e Kombeve, regjimi i Beogradit u detyrua të lejonte shkolla fetare në gjuhën shqipe. Midis viteve 1931-1934 u ishte dhënë leje 451 mejtepeve të reja në Banatin e Vardarit. Beogradi e kishte kuptuar se po të lejonte hapjen e mejtepeve të reja (ku shqiptarët mund të studionin në gjuhën shqipe), do të fitonte argumente për kundërshtimin e kërkesës shqiptare për arsim në gjuhën shqipe në shkollat shtetërore(Gulyás, 2014:228).

Qeveria shqiptare i kishte ndjekur me vëmendje zhvillimet në trevat shqiptare të mbetura jashtë kufijve, ku fqinjtë agresorë po zbatonin politika antishqiptare, duke ua mohuar shqiptarëve çdo të drejtë kombëtare, përfshirë dhe të drejtën e shkollimit. Shqipëria bëri sa mundi për shkollimin e djemëve kosovarë, përfshirë ata që vazhdonin shkollën në Jugosllavi. Ministri i Punëve të Jashtme, Eqrem Libohova, i drejtohet me një shkresë Kryeministrit ku i shkruan: “Ndihmat i shpërndava unë gjer në muajin qershor. 36.000 dinarë për nxënësit e gjimnazit të Shkupit dhe të tjera ndihma ju lanë Ministrit Tahir Shtylla dhe Sekretarit të Parë të Legatës tonë në Belgrad Sofo Çomora”(MPJ, 1939, D. 125, fl. 55).

Shtrohet pyetja: ku mësuan të lexojnë dhe të shkruajnë shqip fëmijët shqiptarë? Shteti serb nuk ishte në gjendje të eleminonte të ashtuquajturat shkolla turke në vitet 1920. Ndërtimi i shkollave të reja mund të ndalohej, por nuk mund të mbylleshin të vjetrat. Por shumica dërmuese e imamëve që jepnin mësime në sibiyan-mekhbet nuk e flisnin serbishten, kështu që arsimi ishte zhvilluar detyrimisht në shqip. Kjo është arsyeja pse në vitet ’20, Beogradi e konsideroi të pafavorshme funksionimin e këtyre shkollave(Gulyás, 2015:228).

Shkollat fetare, të toleruara nga regjimi pas viteve ’30, shërbyen si vende të mësimit dhe shpërndarjes së kulturës shqipe. Priftërinjtë katolikë dhe imamët myslimanë si mësues të fesë komunikonin me nxënësit në shqip. Kjo kishte nxitur nevojën që këta njerëz të mbaheshin nën kontrollin shtetëror serb”. Por, pavarësisht nga përpjekjet e autoriteteve jugosllave, shkollat fetare shqipe, si myslimane dhe ato katolike, u kthyen në qendra arsimore ilegale dhe u përdorën si qendra propagande për të artikuluar dhe përhapur ide nacionaliste shqiptare.

Filed Under: Histori

Shqipëria dhe Kosova – diplomacia e një kombi me dy shtete dhe një diasporë të përbashkët

September 1, 2025 by s p

Nga  Dr.Davida Marku/

Historia e shqiptarëve është një udhëtim i gjatë drejt lirisë, dinjitetit dhe bashkimit shpirtëror. Sot, Shqipëria dhe Kosova përfaqësojnë dy shtete të pavarura, por të lidhura ngushtë nga një gjuhë, një kulturë dhe një identitet kombëtar i pandashëm. Diplomacia mes tyre nuk është thjesht një marrëdhënie shtetesh fqinjë, por shprehja e gjallë e një kombi që jeton në dy shtete, por frymon me një zemër.

Dy shtete, një mision kombëtar

Shqipëria dhe Kosova kanë kaluar nëpër sfida të mëdha historike, por sot qëndrojnë krah për krah, duke ndërtuar marrëdhënie të reja në bazë të respektit dhe interesit kombëtar. Marrëveshjet e bashkëpunimit, mbështetja reciproke në organizata ndërkombëtare dhe synimi për integrim të përbashkët në Bashkimin Evropian janë dëshmi se diplomacia shqiptare është e orientuar drejt një qëllimi madhor: forcimit të kombit në të gjitha dimensionet e tij.

Diplomacia e përbashkët – zëri i unitetit

Diplomacia nuk është vetëm instrument politik, por edhe një formë moderne e atdhedashurisë. Kur Shqipëria dhe Kosova flasin me një zë, ato tregojnë se fuqia e kombit shqiptar shumëfishohet. Në tryezat ndërkombëtare, uniteti mes dy shteteve shqiptare është garanci për mbrojtjen e interesave kombëtare, për paqen rajonale dhe për forcimin e identitetit tonë në botë.

Diaspora – pasuria e tretë e kombit

Në këtë mozaik diplomatik, diaspora shqiptare është ura që lidh Tiranën dhe Prishtinën me botën. Miliona shqiptarë që jetojnë në Evropë, SHBA dhe kudo nëpër botë, përfaqësojnë një forcë të jashtëzakonshme politike, ekonomike dhe kulturore. Ata kanë qenë gjithmonë promotorë të çështjes shqiptare  nga pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912, te pavarësia e Kosovës në vitin 2008.

Diaspora nuk është thjesht kujtesë e së kaluarës, por një aktor i gjallë i së tashmes dhe i së ardhmes. Ajo është diplomacia jonë e heshtur, por gjithnjë e pranishme, që përçon vlera, ndërton ura miqësie dhe fuqizon kombin.

Një horizont i përbashkët

Shqipëria dhe Kosova, së bashku me diasporën, përbëjnë një trekëndësh të artë të kombit shqiptar. Ky trekëndësh mund të sigurojë zhvillim, stabilitet dhe prestigj ndërkombëtar, nëse është i bazuar mbi unitet, vizion dhe përkushtim.

E ardhmja jonë është më e ndritur kur kujtojmë se jemi një komb me dy shtete dhe me një diasporë të përbashkët që na mban gjithmonë të lidhur me botën.

Diplomacia shqiptare është sot më shumë se një politikë: ajo është pasqyrë e një ideali të përbashkët, e një dashurie të përhershme për atdheun dhe e një misioni që tejkalon kufijtë shtetërorë.

Filed Under: Rajon

NJË MIKSIM I POEZISË DHE PROZËS SË MARTIN CAMAJT

September 1, 2025 by s p

KOSTA NAKE/

Në alfabetin fenikas shkronja A lexohet alef dhe do të thotë buall. Edhe forma e kokës së buallit, e stilizuar, i ngjan shkronjës A. Kjo shkronjë lidhet edhe me njeriun e parë të Zotit sepse Adamit i fillon emri po me këtë shkronjë.

E kisha ndeshur mbiemrin Mekshi në Pishkash të Librazhdit, por duhej të lexoja Camajn që të zbuloja se mekshi qenka bebja i buallicës. Sakaq kthehem në vendlindje, sepse im gjysh mbarështonte buaj dhe buallica dhe çdo vit bënte kurban një buall njëvjeçar në vendin e shenjtë të Inonishtit. Nuk e di në se kjo kishte lidhje thjesht me bektashinjtë, apo shkonte edhe më thellë në kohë me vetofrimin e buallit si ushqim për njerëzit. Nga Devolli hidhem në Shkodër ku poeti kërkon origjinën e malësorëve të Veriut te bualli që gdhend gurin, bashkë me poetin i bien me not lumit të kohës që rezonon me lumenjtë e antikitetit. Fillon e formësohet një legjendë që niset nga thesari mitologjik i vlerësuar si kafsha më e shenjtë në tokë. Këtu fillon e flatron poezia. Poeti ka bërë këtë zgjedhje, jo vetëm se e gjen atë edhe si emër mali në rrafshin lokal, por edhe te simbolika e buallit si manifestim i dëshirave tona, si element i tokës si planet, simbol i trimërisë mirësisë, forcës dhe respektit. Kau dhe bualli ishin një fis pastaj u ndanë: kau mori kodrat, bualli ujërat.

  Mekshi mundet me qenë djalë fis/gurgdhendës ose/ shoku i atij që i bie lumit m’not/për dritë të hanës/ e s’i shtrydhet kamba gjak/ tue ecë shtatë male zdathë/dhe mbasi të pushojë shiu/ylberi me dorë të vet i ven/shtatë ngjyra mbi krye. (f.62)

Pastaj vjen çasti i shpalosjes së forcës që shkon plotësisht me elementët legjendarë dhe që në kushte natyrore është sa për dy qe së bashku:

Si e lidhën me krye për lis/ buelli priti e priti/ kur ku po i bie tuni spatës në ballë./ Dy burra i shtinë dy shtylla/ ndër kambë/ dhe i treti i lidhi herdhet për drugë./Vetima e marsit i plasi ndër sy,/ këputi leqe, rrxoi lisin,/theu shtylla, vrau njerëz e iku. (f.65)

Fundi i legjendës:

Plasi vetima në Malin e Thatë…/Buellin tim e mori bri më bri/kokrra e zjarmit nën mriz./Erdhi era tym lëkure të djegun/ e shkrum ashti ndër gur/ dhe askush s’e hangri mishin/ e vramë rrufeje në Qytetin e Ri/ e askund. (f.79)

 Tregimi “VENDI QË I PËRNGJANTE NJË ZGJONI BLETËSH” dhe novela “JESMINË”, Vepra 10, Onufri 2010

E vërteta mund të jetë jo vetëm e hidhur, por edhe e papranueshme. Ca më tepër kur vjen nga jashtë. Mund të shoqërohet edhe me reagim agresiv. Mund të jetë një përvojë vetjake e autorit. “Pesëdheta veta që ushtrojshin tregtinë, hoxha, prifti, njizet a tridhjet nëpunës të vendosun në kazermën e vjetër të ushtrisë, malsorët që zbritshin tue ngrehë lopë, dele, dhi e mushq të ngarkuem te një grumbull banesash që e qujshin pazar, a përbëjnë një qytet?

Mësuesi i ri që po hante bukë në kafe, i pyetur në praninë e “njerzve mâ të dalluem t’atij vendi”, për herë të parë tha se nuk meritonte të quhej qytet. Reagimi i vendasve – izolim i plotë. Herën e dytë, si njeri me personalitet përsëriti se nuk mund të quhet qytet kurrën e kurrës sepse kishte “mâ shumë gjela se sahata.” (f.24)

Përballë banesës ku është strehuar mësuesi ndodhet një shtëpi dykatëshe, me ballkon, rrethuar me lule dhe një oborr plot me zgjoje bletësh. Soditja e mësuesit tërheq vëmendjen e bletërritësit, por është Jesmina 12-vjeçare ajo që bën prezantimin e mësuesit. Në çdo rast tjetër kaq do të mjaftonte që prindi ta ftonte mësuesin në shtëpi, por kjo s’ndodhi. Dhe nuk është vetëm reaksioni i banorëve ndaj deklaratës së mësuesit, por edhe fakti që përtej perdeve të ballkonit fshihet një grua e bukur që bletërritësi e ka robëruar me xhelozi, mësuesi nuk e ka parë atë, por kjo nuk i ndalon banorët të thonë se mësuesi nuk sodit bletët, po gruan e bletarit. 

Goditja e madhe për mësuesin vjen nga gruaja ku ishte strehuar: “Të gjithëve na ka gëzue lajmi se ti ke shti lutje me u transferue.” (f.33) Mësuesi jo vetëm që nuk kishte kërkuar transferim, por kishte punuar me korrektesë për shkak të reagimit negativ të vendasve. Të tjerë kishin kërkuar largimin e tij duke e vënë para faktit. Nuk arrin as të sigurojë vajtjen e Jesminës në darkën e fundit para largimit.

Këto janë plintat mbi të cilat ngrihet tregimi, po raporti i nëpunësit me vendbanimin ku shërben është universal. Në Shqipërinë socialiste ky raport ishte ngurtësuar në slloganin “të punojmë atje ku ka nevojë atdheu”, madje edhe kërkesat për vazhdimin e shkollës së lartë orientoheshin drejt përfshirjes së saj në pjesën përmbyllëse. Për mua atdheu pati nevojë të punoja 13 vjet larg vendlindjes duke shkuar nga një faqe mali te tjetra. Të tjerë e shikonin fshatin nga dritaret e autobuzit ose trenit. Kushtet e fjetjes dhe cilësia e ushqimit ishin në skajet e së keqes, por, po të guxoje e të flisje hapur si mësuesi i Camajt, jo vetëm mund të humbisje të drejtën e ushtrimit të profesionit, por mund të përfundoje edhe në Spaç.

Nuk dimë se ç’ndodhi me mësuesin “e dëbuar”, por vetëm fakti i një transferimi të pakonsultuar, shkakton një lëndim aq të madh sa autori i rikthehet edhe një herë kësaj ndodhie duke e zgjeruar si novelë dhe duke vendosur në titull vogëlushen e pafajshme. Novela nuk sjell të reja në subjektin që lidhet me mësuesin dhe shkollën, përveç kujtimeve të fëmijërisë. Nuk ka as vazhdimësi përtej transferimit përveç një kërshërie ndaj gruas së bukur që mbetet vetëm si hije përtej perdeve.

Në këto vite të tranzicionit ka një ndryshim rrënjësor në raportin nëpunës – vendi i punës, me një rrjedhje të frikshme të krahut të punës dhe forcave intelektuale jashtë Shqipërisë. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është fanatizmi me të cilin vendasit mbrojnë identitetin e kërcënuar nga ardhacakët, mbrojnë provincializmin e tyre me një reaksion shpërfillës ndaj përparimit.

Filed Under: LETERSI

Dëmshpërblimet e diktaturës

September 1, 2025 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Askush nuk duhet të harrojë se ish të persekutuarit politikë nuk kërkuan kurrë lëmoshë, por vetëm drejtësi dhe dinjitet. 

Në retrospektivë, sa herë afrohen zgjedhjet në Shqipëri qeveritë zgjidhin minimalisht “qesen”, i hedhin një kafshatë parash ish të dënuarve politike e vetëm kaq. Po, 50 vite mizori, plagë e drama pa fund kush duhet t’ia kompesojë e rikuperojë kësaj shtrese. Qeveritë shkojnë e vijnë për oreks të tyre, nuk mendojnë për popullin, aq më tepër për ish të persekutuarit politikë të Shqipërisë. Por askush nuk duhet të harrojë se ish të persekutuarit politikë nuk kërkuan kurrë lëmoshë, por vetëm drejtësi dhe dinjitet. 

Në Shqipëri po shpërndahet kësti i pestë për kategorinë e subjekteve përfituese joparësore (trashëgimtarë), të ish të dënuarve politikë dhe ka filluar procedurën e pagesës së këtij kësti, por akoma jemi larg pagesave të tjera përfundimtare. E njëjta gjë po ndodh edhe me mos gjetjen e eshtrave për personat e zhdukur nga komunizmi, vrarë pa gjyq. 

Edhe pse Shqipëria përjetoi diktaturën më të egër në Europë, përsëri akoma qeveritë e saj nuk kanë shlyer dëmshpërblimet për ish të burgosurit dhe internuarit politikë. Të persekutuarit politikë në Shqipëri u përdorën 34 vite nga politika si fasadë për fushatë elektorale. Të zhgënjyer një pjesë e mirë u larguan nga kjo botë me shpirt të vrarë e copëtuar, pa marrë atë shumë që u takonte nga torturat e vuajtjet e rënda që kaluan nëpër birucat, burgjet e kampet e përqëndrimit nga regjimi makabër i diktaturës komuniste. 

Duke iu referuar hartës, vendet ku kanë vuajtur dënimet ish të burgosurit dhe të internuarit politikë janë të shumta për një vend të vogël si Shqipëria, por duhet të kthehen në Muze, si kujtesë e së shkuarës së hidhur të popullit tonë nga vetë diktatorët shqiptarë. Kaluam një histori të dhimbshme, të tmerrshme, pasojat e së cilës thërrasin akoma për ndihmë. U arrit deri aty që babai të denonconte tek sigurimi i shtetit djalin e tij, gruaja burrin e burri gruan, komshiu – komshiun, kështu me radhë. 

Lufta e klasave ishte prezente kudo. Divorcet nëpër familjet shqiptare u bënë të “modës” nëse njëri nga prindërit arrestohej për agjitacion – propagande diheshin pasojat, fëmijët e tyre të martuar do të divorcoheshin për çështje biografie, nipërit e mbesat u rritën vetëm nga njëri prind…

Duke u ndalur serish tek personat e zhdukur nga komunizmi vrarë pa gjyq, ku janë mbi 6 mijë viktima pa varr dhe akoma nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Problemi i fondeve dhe përballja me të shkuarën vështirësojnë ecurinë e procesit.  Pranverën e vitit 2015, qeveria shqiptare ftoi Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP për gjetjen e varreve të të pushkatuarve gjatë komunizmit. 

Sipas medias në dhjetor të 2015 u prezantua një projekt i këtij procesi jo të lehtë për tu zbatuar, ku përfshihej për zbatim edhe projekti pilot për identifikimin e 56 viktimave në Dajt dhe 86 të zhdukurve të tjerë në Ballsh. Po sipas shtypit vendas fatura e përllogaritur në shumën 950 mijë euro do të sillte fillimin e menjëhershëm të punës nga ICMP duke ngjallur shpresën e familjarëve të të zhdukurve. Por ky proces edhe sot nuk po ecën me ritmin premtues. Fondet e dala nga BE për gjetjen e eshtrave e të vrarëve pa gjyq u kërkua që të zbatohet nga vetë BE-ja në bashkëpunim me ICMP, e cila punësoi edhe një zyrtar të saj në Tiranë. 

Drejtori i Programeve të ICMP për Ballkanin Perëndimor Matthew Holliday u tha shqiptarëve që, “Të krijonin regjistrin qendror të të humburve dhe mos humbisnin kohë, por të vepronin. Si dhe paralajmëroi se fillimi i këtij procesi të madh do jetë i mundimshëm qe kërkon vullnetin dhe angazhimin e të gjithë institucioneve”. 

Të përndjekurit politikë deklaruan se shumë prej trupave janë zhdukur, për shkak se janë varrosur në rrëpira ose brigje shumë të ekspozuar ndaj problemeve gjeomorfologjikë dhe atmosferikë, që e bën nisjen e shpejtë të procesit sa më të nevojshëm. Pas krijimit të një database me ADN-të e familjarëve, kostoja për gjetjen dhe identifikimin e çdo viktime e tejkaloi shumën 1500 dollarë.

ICMP që u angazhua në këtë proces është themeluar në vitin 1996 si përdorim i efektshëm i ADN-së për të identifikuar personat e zhdukur. Ky institucion funksionon nën ombrellën e OKB-së dhe ka pasur një rol udhëheqës në ndihmën për identifikimin e më shumë se 70% të rreth 40 mijë të zhdukurve nga konfliktet në ish Jugosllavi. 

Personalisht ndalem edhe tek ky proces pasi prekem nga ky segment i hidhur jetës, xhaxhai im Rasim Dajçi është pushkatuar si antikomunist pa gjyq nga forcat sllavo – komuniste dimrin e vitit 1945 në Prizren. 

Eshtë obligimi im, për të gjetur eshtrat e xhaxhait tim të zhdukur e të vrarë nga komunizmi me në krye Shefqet Peçin në Prizren më 1945, ku u pushkatuan gati 15 ushtarakë të lartë. Para pushkatimit jo vetëm që i shëtitën nëpër rrugët e Prizrenit si armiq të popullit e stacionet e autobusëve, por fotot e tyre u afishuan nëpër shtyllat elektrike e trungjet e pemëve. Për këtë ngjarje kanë folur e shkruar ish i burgosuri dhe i arratisuri politik Sami Repishti, publicisti Frank Shkreli, shkrimtarja Eglantina Mandia etj.

Nëntë vite më parë një thirrje e OKB-së, tërhoqi vemendjen autoriteteve shqiptare se, duhet të sigurojë më shumë shpërblim për familjet e 6000 njerëzve të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Njihet ligjërisht se pas ardhjes në pushtet të diktaturës së proletariatit deri në vitin 1991 Shqipëria “aplikoi” zhdukjen e personave të vrarë pa gjyq. 

Lajmi i OKB-së, u bë i njohur pas vizitës një javore në Shqipëri nga Drejtuesja e OKB-së, Houris Es-Salmi. “Ka ardhur koha, tha ajo, që Shqipëria të kthejë këtë faqe të dhimbshme të së kaluarës. Të gjithë personat e zhdukur dhe familjarët e tyre citon të ketë thënë Salmi kanë të drejtën e dëmshpërbilimit, mirëkuptimit, rehabilitimit dhe garancisë për mos përsëritje të këtyre krimeve”.

Rezultatet tregojnë të kundërtën. Këto thirrje e udhëzime të komunitetit ndërkombëtar akoma nuk po zbatohen në Shqipëri. Atje ka shumë probleme që janë lënë “në harresë” e vendi mbulohet nga korrupsioni galopant, krimi i organizuar dhe krimi brënda familjes.

Janë hapur dy qendra muzeale nga qeveria aktuale në Tiranë, por aty nuk pasqyrohen të gjitha plagët që i ka shkaktuar padrejtësisht popullit tonë ai regjim monstruoz, i cili sa më shumë të ishte vonuar aq më tepër viktima e të burgosur politikë do të kishim. Të gjithë do të kalonim nëpër atë gijotinë, që vlonte mes spiunimeve dhe letrave anonime. Një zinxhir i tërë i shërbente Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Ishte krijuar industria e spiunazhit, zhdukjeve e vrasjeve me edhe pa gjyq. 

Shteti shqiptar me ligje duhet të caktojë një festë zyrtare për të nderuar shqiptarët që vuajtën nga diktatura komuniste në Shqipëri. Për nder të viktimave të komunizmit nëpër botë, SHBA kanë ngritur një “Memorial Përkujtimor” në Washington, D.C., ku simbolizohet me statujën e një gruaje. Po Shqipëria pse mos ketë një të tillë, çfarë e pengon? Ndërkohë reminishenca komuniste shfaqet kudo edhe sot nëpër mediat e Tiranës dhe kjo përbën shqetësim të madh për demokracin në vend.

Në mbështetje të OKB-së për të zhdukurit nga komunizmi në Shqipëri dhe për të zgjuar qeverinë shqiptare nga gjumi letargjik, një dokumentar mbi këtë Temë ka realizuar edhe TV BBC, iniciator i të cilit ishte gazetari dhe ish Drejtori i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj, ndërsa të ftuar dhe protagonistë ishin Kryeministri Edi Rama, ish i internuari politik Simon Miraka, ish i burgosuri politik Gjeneral Rahman Parllaku, ish i burgosuri politik Saimir Maloku, Drejtoresha e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit Gentiana Sula, unë (Mimoza Dajçi) dhe ish Zv/Ministri Nikolin Kurti. Por akoma nuk po shikojmë dritë në fund të tunelit për realizimin e udhëzimeve të OKB-së.

Kjo Rezolutë duhet të tërheqë vëmendjen edhe të Qeverisë së Kosovës rreth vrasjeve, burgosjeve, zhdukjes dhe terrorit që ka ndodhur në Kosovë në vitin 1945, sepse ishte një masakër vëllavrasëse direkt me urdhër të Enver Hoxhës që u krye në Prizren në vitin 1945, nga forcat sllavo – komuniste, ku u pushkatuan 15 ushtarakë të lartë që shërbenin për rendin e qetësinë e qytetit.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 352
  • 353
  • 354
  • 355
  • 356
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT