• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Njohja e Republikës së Kosovës nga Kenia – Moment i rëndësishëm

March 27, 2025 by s p

Tiranë, 27 Mars 2025/

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet vendimin e Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, si dhe shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për vizionin largpamës të autoriteteve Kenias.

Ky është një përparim i rëndësishëm diplomatik, që i jep fund një periudhe katërvjeçare pa njohje të reja dhe që duhet t’i shërbejë rivitalizimit të përpjekjeve të diplomacisë e politikës së Kosovës, Shqipërisë, shteteve mike, si dhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë në shtimin e njohjeve të Kosovës dhe forcimit të pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare.

Njohja nga Kenia e Kosovës së pavarur e sovrane është një dëshmi e zbatimit korrekt të ligjit ndërkombëtar dhe drejtësisë së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, si dhe e një realiteti tashmë të pakthyeshëm, që po i shërben paqes, stabilitetit e prosperitetit në të gjithë rajonin e më gjërë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë nënvizon rëndësinë e kësaj njohjeje edhe për faktin se Republika e Kenias është një prej shteteve më të konsoliduara ekonomikisht dhe jo vetëm, të kontinentit të madh Afrikan, anëtare e shumë Organizatave Ndërkombëtare, si dhe një prej aleateve më të rëndësishëm, ndër vendet jo anëtare të NATO-s, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Jemi besim plotë se kjo arritje do të nxisë hapa të tjerë në procesin e konsolidimit të mëtejshëm diplomatik të Kosovës.

Shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj të gjithë atyre që kontribuan në këtë arritje. Në veçanti, falenderojmë përzemërsisht ish-Presidentin e Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, për përkushtimin e tij të palëkundur dhe kontributin e jashtëzakonshëm në sigurimin e kësaj njohjeje. Angazhimi i tij i vazhdueshëm për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës po jep rezultate konkrete.

Filed Under: Opinion

Rivendosja e barazpeshës strategjike në NATO, mes paralajmërimeve të forta dhe paradigmave të reja doktrinore

March 27, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Vizita e Mark Rutte në Poloni dhe deklarata e tij e fortë për një kundërpërgjigje “shkatërruese” ndaj çdo sulmi rus mbi ndonjë vend të NATO-s përfaqësojnë një mesazh të qartë për Kremlinin: aleanca nuk do të tolerojë asnjë akt agresioni kundër shteteve anëtare. Ky paralajmërim nuk është thjesht një deklaratë politike, por një sinjal i një rikonsolidimi strategjik të NATO-s, në përputhje me sfidat e reja të sigurisë në Europë.

Rëndësia e reformës në NATO dhe “Doktrina e Trump” mbi mbrojtjen europiane

Qasja e NATO-s ndaj kërcënimeve ruse po përthyhet edhe në kontekstin e konceptit të ri doktrinor të presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Trump ka qenë i qartë në kërkesën e tij që vendet europiane të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe të mos mbështeten tërësisht te SHBA-ja për sigurinë e tyre. Nëse kjo qasje vazhdon, vendet e BE-së, përfshirë Poloninë, Gjermaninë dhe Francën, do të duhet të investojnë më shumë në mbrojtje për të garantuar mbështetje të qëndrueshme nga SHBA-ja brenda NATO-s. Nëse nuk ndodh një reformë e tillë, atëherë mbështetja amerikane mund të mos jetë aq automatike dhe e pakushtëzuar sa ka qenë në dekadat e mëparshme.

Deklarata e Rutte në Poloni është një tregues se aleatët europianë tashmë janë duke e kuptuar këtë realitet të ri. Polonia ka qenë ndër vendet që ka investuar ndjeshëm në ushtrinë e saj dhe është ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës. Ajo e sheh forcimin e NATO-s dhe një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë si çështje ekzistenciale.

A është një marrëveshje Rusi-SHBA një fitore e maskuar për Kremlinin?

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike për të ndalur luftën Rusi-Ukrainë, shumë vende europiane dhe veçanërisht ato të krahut lindor të NATO-s, e shohin me skepticizëm rezultatin e këtyre bisedimeve. Frika kryesore është se një marrëveshje që do të përfundonte luftën në kushte të favorshme për Moskën mund t’i lejonte Vladimir Putinit të konsolidonte kontrollin mbi territoret e pushtuara dhe të rindërtonte forcat e tij ushtarake për një kërcënim të mëvonshëm në rajon.

Këto shqetësime nuk janë të pabaza. Rusia ka përdorur më parë periudha “paqësore” për të forcuar veten dhe për të rikuperuar humbjet. Kështu ndodhi pas luftës së Gjeorgjisë në 2008 dhe pas aneksimit të Krimesë në 2014, ku Rusia shfrytëzoi mungesën e një reagimi të fortë perëndimor për të përgatitur ofensivat e saj të ardhshme.

Nga ana tjetër, një marrëveshje e mundshme nuk duhet të paragjykohet vetëm si një favor për Rusinë. Ukraina mund ta shfrytëzojë këtë periudhë për të riorganizuar mbrojtjen e saj dhe për të modernizuar arsenalin ushtarak, ashtu siç po bën Polonia dhe vendet e tjera që ndihen të kërcënuara nga Moska. Çështja është nëse Perëndimi do të jetë në gjendje të sigurojë që një marrëveshje të mos kthehet në një dështim strategjik që i jep Rusisë hapësirën për të sulmuar sërish.

Precedenti i rrezikshëm i koncesioneve ndaj agresionit

Një nga problemet më të mëdha të qasjes aktuale ndërkombëtare është rreziku i krijimit të një standardi të ri në diplomacinë globale: legjitimizimi i agresionit si një mjet për të arritur paqen. Nëse Rusia arrin të ruajë territoret e pushtuara përmes negociatave, kjo do të krijojë një precedent të rrezikshëm që mund të inkurajojë agresorë të tjerë.

Ky rrezik është i dukshëm jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Ballkan, ku Serbia vazhdon të kërcënojë Kosovën me mbështetjen e Rusisë. Nëse Perëndimi dërgon sinjalin se agresioni mund të shpërblehet me koncesione territoriale, atëherë shtetet e vogla dhe të pambrojtura do të jenë më të ekspozuara ndaj presioneve ushtarake dhe diplomatike.

Për këtë arsye, NATO duhet të forcojë politikën e saj të parandalimit dhe të mos lejojë krijimin e një precedenti ku agresioni shpërblehet me fitime territoriale. Ky është një mesazh që duhet të kuptohet si nga Moska, ashtu edhe nga Beogradi.

Deklarata e Mark Rutte në Poloni dhe mesazhi i tij për një përgjigje “shkatërruese” ndaj çdo agresioni rus është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur për mbrojtjen e Evropës Lindore. Megjithatë, ky paralajmërim duhet të mbështetet nga një reformë e thellë e NATO-s dhe nga një angazhim më i madh i vetë vendeve europiane për mbrojtjen e tyre.

Skepticizmi mbi negociatat Rusi-SHBA është i kuptueshëm, por çdo marrëveshje duhet të garantojë që Moska nuk mund të përdorë një pauzë të përkohshme për të përgatitur një ofensivë të re.

Më e rëndësishmja, NATO dhe Perëndimi nuk mund të lejojnë që agresioni ushtarak të kthehet në një normë për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Kjo nuk do të kërcënonte vetëm Ukrainën, por edhe stabilitetin e Ballkanit dhe sigurinë globale në tërësi.

Në këtë kontekst, vizita e Rutte në Poloni dhe mesazhi i tij i fortë janë një sinjal i qartë që NATO nuk është e gatshme të lejojë që historia të përsëritet, ashtu siç ndodhi në Gjeorgji në 2008 dhe në Krime në 2014. Pyetja mbetet nëse vendet europiane do të marrin mësimet e duhura dhe do të përgatiten për sfidat e reja që po formësojnë arkitekturën e sigurisë globale.

Foto: koha.mk

Filed Under: Politike

Standartet e gruas në politikë, një reaksion zinxhir nga gjenerimi i jetës deri tek nderi i një kombi!

March 27, 2025 by s p

Irena Dragoti/

Nga ngjarjet më të mëdha në historinë kombëtare mbetet nënshkrimi i marreveshjes së Rambujesë, për çështjen e Kosovës. Jo pak herë kam pyetur veten nëse do mundësohej kjo pa ndihmën e një gruaje, një zonje të madhe të mendimit botëror diplomatik si Madlene Albright? Dhe po kaq herë kam gjetur përgjigje në fuqinë e asaj gruaje. Dhe fuqia e saj nuk ishte vetëm shtetërore , por prej nëne, gruaje, motre pasi gjatë gjithë përpjekjeve Ajo e trajtoi zotin Hashim Thaçi si birin e saj , jo si politikan dialogu. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se ku fillonin dhe mbaronin kufijtë midis diplomates, sekretares së shtetit Amerikan, gruas, nënës, apo motrës në detyrat e saj. Ajo ishte grua e bukur pasi të tilla kishte idealet! Prej pranisë së saj në skenën politike kam formuar standartin e gruas në raportin “Gruaja dhe politika”. Por shoh se ky standart i rri ngushtë gruas shqiptare në politikë!

Në historinë e botës megjithë pengesat gratë kanë mundur të tregojnë fuqinë e tyre në mënyra të ndryshme. Madje mendoj se ndryshimi pozitiv i botës kryesisht ka ardhur nga politikëbërja e tyre. Shpesh ju ka munguar përfaqësimi por kjo nuk e ka zbutur forcën e tyre duke rritur ndjeshëm rolin e tyre në rrugë e mjete të tjera. Kujtojmë fuqinë e Eleanore Roosevelt , bashkëshortes së Franklin D Roosevelt , e cila pati ndikim në jetën sociale Amerikane me pozitivizmin, dashurinë për të bukurën dhe deshirat e saj për të ndryshuar botën.

Roli i gruas sot varet deri diku edhe nga vendet ku ajo jeton. Herë- herë ai është real e jo pak herë vetëm dukje. A është Ballkani Perëndimor apo vendet ish-komuniste të lindjes ilustrim i këtij dyzimi? Mjerisht po, pasi fasadat e ndërtuara bukur me gra në poste politike vetëm idenë të japin të tillë. Jopakherë ato janë kukulla që zbatojnë verbërisht vijën politike dhe interesat e liderit kryesor, përndryshe si magji” zhduken”nga skena politike. Dhe në mes të kësaj farse ato tentojnë stilin burrëror në politikëbërje duke fashitur feminilitetin, moralin e gjenerimit të jetës duke harruar modelin që duhet të përcjellin duke lënduar të bukurën, butësinë dhe balancimin e gjakrave të nxehtë në ato vende ku korrupsioni është shndërruar në religjion.

Roberto Saviano në librin e tij “Mafia dhe politika” thotë -Ndiq paranë, për të gjetur korrupsionin-Por shumë zonja në politikë kanë ndjekur korrupsionin për ta gjetur paranë me dëshirën e fuqisë dhe arrogancës politike. Në këtë pikë unë mendoj, se kemi barazi gjinore madje mund të jemi etalon evropian, pasi gratë tek ne kanë epërsi. Shembuj me vajza në gjendje të vështirë ekonomike në fillimpolitikëbërje sot i kemi pronare vilash, biznesesh milionadollarë vetëm si rrogëtare. Për herë të pas 34 vitesh ndoshta më duhet ti jap të drejtë Marksit kur thotë:” Para se bësh politikë më trego ku e fut kokën në mbrëmje dhe ku punon”.sepse kështu ekziston mundësia të mendosh edhe për mua.

A është njëjtë vizioni i politikëbërjes nga gruaja në perëndim? Statistikat e historia flasin ndryshe.

Merkel kjo grua e hekurt më jep versionin absolut të korruptimit zero në politikë. Që nga aparenca deri në mënyrën e jetesës kjo zonjë, do bindte gjithkënd pse duhet ta votojë! Ka dy lloje korrupsioni thotë gjykatësi mendimtari e filozofi francez Montesquieu në shek e 18: -1 kur njerëzit shkelin ligjet.- 2 kur ligji korrupton njerezit. A i gjejmë të dyja këto në 34 vite në gra të politikës shqiptare ? A janë tjetersuar nën magmat e sistemit duke e bërë atë strehën e arrivistëve?

A ka më feminilitet, qytetari, kur si mendim të parë në kokë sapo i afrohesh politikës, ti zonjë mendon paranë , dhe jo Eleonore Rousvelt apo Merkel?

Shumë nga ato politikane që ia kanë “parë hajrin “politikëbërjes nuk e lëshojnë më vendin e shumë nga ato që sapo i janë afruar shkallnares ku rrëzohen vlerat evërteta, shtyhen të marrin copën e tyre.

Politika e sotme, është më praktike. Bëjmë solidaritet për ideale, interesa, mendjengushtësi apo servilizëm. Edhe pse lëvizjet feministe, trumbetojnë arritje ka vend për beteja për solidaritetin femëror sidomos kur vijnë periudhat zgjedhore . Mungesa e tij është njëjtë si mungesa e nderit mes hajdutëve por nëse do ekzistonte si gjurmë e fisnikërisë femërore përfitimet do ishin akoma më të mëdha për gratë eangazhuara.

Në 34 vite prosperiteti i vetëm i shoqërisë shqiptare është reformimi i gruas nga një simbol i jetës, së bukurës, dashurisë, paqtimit në “ zbuluese thesaresh” për tu pasuruar me çdo kosto, herë deri në shkatërrim të familjes, moralit shoqëror me moton se paraja i zgjidh të gjitha hallet…

Po vërtet, hallet e tua, po ato të grave që të zgjodhën dikur, apo të atyre që sot ju kërkon votën duke buzëqeshur ëmbël kush do ti zgjidhë???

Më jep një model të së shkuarës tënde si idealiste të të besoj për të nesërmen pasi fjalët më kanë lodhur.

Ju shoh në fushatë sipas parametrave evropianë në dukje e shifra por më besoni kam frikë nga ju si gjini sepse historia e 34 viteve e ka mjeruar besimin tim.

Kam frikë edhe nga fillestaret sepse udha ku hedhin hapat, duhet pastruar më parë nga ky sekt i ndotur ! A do mundeni ju?

Femrës i rrinë mirë idealet, i shkon ti japë aromë rigjenerimi të pushtetit, pa shkelur besimin e gjinisë së saj për përfitime personale i shkon të mos plaçkitë gjininë e saj në besim në shpresë në mjete monetare. Gruaja është themeli i familjes, që ka barazinë për frymë, shpirti i një shoqërie të drejtë dhe e ardhmja e një kombi të ndershëm, është reaksion zinxhir. Askush nuk ka mbetur gjatë në histori nga mënyrat e pasurimit por nga të jetuarit me ideale!

Filed Under: Opinion

Lideri i Kombit apo Lideri i Ofertës Europiane?

March 27, 2025 by s p

Nga Kristina Nano

Doktorante, James Madison University, SHBA/

Në skenën e tejngopur me retorikë të politikës shqiptare, Kryeministri Edi Rama u shfaq sërish me një premtim të vjetër të ricikluar si ofertë e re: “Ma jepni mandatin e katërt, që t’ju fus në Europë deri në vitin 2027 ose 2030.” Edi Rama, mjeshtër i narrativës personale, kërkon të përkufizojë veten jo si thjesht një Kryeministër i përkohshëm, por si i vetmi çelës që hap portën e Europës për shqiptarët.

Por le të ndalemi. Jo për të debatuar afatet, ato janë si valët e propagandës që i heq dhe i sjell sipas erës së sondazheve, por për të shqyrtuar thelbin e kësaj motoje: a mund të jetë integrimi europian pronë e një njeriu? A mund të jetë objektiv elektoral ajo që duhet të jetë projekt i përbashkët kombëtar?

Në këtë çast, lind pyetja themelore:

Kush është lideri i vërtetë i një kombi?

Ai që ofron rrugën drejt qytetërimit, apo ai që e përvetëson atë rrugë për të zgjatur pushtetin e vet?

Që nga antikiteti, figura e Liderit-Shpëtimtar (Soter në greqisht) ka përndjekur popujt në kriza.

Populli i zhgënjyer, i lodhur nga rraskapitja e përditshme, kërkon një “Mesia politik” që premton të jetë ura drejt një bote më të mirë.

Por siç shkruante Max Weber, “karizma e liderit është gjithmonë një monedhë që inflacionohet shpejt kur bie në grackën e rutinës së pushtetit.”

Një lider që e përdor karizmën për të konsumuar një ideal të përbashkët në funksion të mbijetesës së vet politike, nuk është më prijës, por manipulator i ndërgjegjes kombëtare.

Edi Rama nuk premton thjesht reforma.

Ai premton shpëtimin.

Por shpëtimi që lidhet me emrin e një njeriu të vetëm, nuk është më shpëtim, është fushatë.

Ai shfaqet si mbret i padukshëm i qytetërimit europian, që vetëm po i dhamë “besën e mandatit të katërt”, do të na çojë në përqafimin e Brukselit.

Por në këtë rrëfim, ndodh një perversitet konceptual: Europianizimi kthehet në monedhë pushteti, jo në proces emancipimi kombëtar.

Kjo është blasfemi politike.

Integrimi europian është aspirata e çdo shqiptari, është projekti më i rëndësishëm i përbashkët i kombit tonë pas pluralizmit, dhe jo bileta e radhës në lotarinë e pushtetit personal të një lideri.

“Unë ose kaos!”, “Unë ose izolimi!”, “Unë ose dështimi!”, këto janë formulat e shekujve të errësirës, jo të një shoqërie që synon të jetë pjesë e familjes europiane të demokracive të zhvilluara.

Kur lidershipi reduktohet në imazh, kur programet bëhen spote, dhe kur votuesi trajtohet si konsumator, atëherë politika shndërrohet në teatër shitjeje, jo në akt shërbimi.

Guy Debord, në veprën “Shoqëria e Spektaklit”, shkruante se në botën moderne realiteti zëvendësohet nga imazhi dhe spektri i spektaklit e përthith substancën e të vërtetës.

Edi Rama është artist i këtij spektakli.

Ai e pikturon vetveten si misionar, ndërkohë që rrënon besimin në institucionalitet, në bashkëpunim politik dhe në shoqëri civile.

Në këtë logjikë, çdo kundërshtar i integrimit të pronësuar prej tij, cilësohet si anti-europian, pengues, sabotues.

Ai nuk sheh më kundërshtarë politikë, por heretikë apo pamundësues të Europës.

Jean Monnet, një nga etërit themelues të Bashkimit Europian, thoshte:

“Ne nuk bashkojmë shtete, por bashkojmë njerëz.”

Kjo do të thotë se integrimi nuk është një lojë me një fitues dhe shumë humbës. Është një rrugëtim kolektiv që kërkon ndërtimin e institucioneve, konsensusin e shoqërisë, reformimin e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit, mediat e lira dhe konkurrencën politike reale.

Asgjë nga këto nuk mund të arrihet përmes një lideri që përdor BE-në si dekori i skenës së vet personale.

Përkundrazi, kjo i largon shqiptarët nga Europa.

Kur lideri bëhet më i rëndësishëm se procesi, atëherë nuk kemi më udhëheqje, por kult personaliteti.

Kur lideri kërkon të bëhet historia, atëherë historia ndalon së ecuri.

Shqipëria nuk ka nevojë për liderë të përjetshëm.

Ka nevojë për institucione që i mbijetojnë liderëve.

Ky është thelbi i republikës demokratike.

Këtë e shkroi Montesquieu, e shpërtheu John Locke, e jetësuan etërit themelues amerikanë.

Asnjë vend nuk u bë i qytetëruar duke besuar se shpëtimi vjen nga një lider që “i di të gjitha, bën të gjitha dhe vendos për të gjitha”.

Demokracia është ndërtim kolektiv, jo teatër me një protagonist absolut.

Nëse Edi Rama e do integrimin vërtet, ai duhet të punojë për të forcuar institucionet, jo për të zbehur opozitën.

Të krijojë garë reale, jo lojë me kukulla.

Të lejojë kundërshtimin, jo të blejë pëlqimin.

Lideri i Kombit nuk është ai që fiton më shumë mandate.

Është ai që mbjell kulturën e bashkëpunimit politik, që lë pas një shtet të fortë, dhe që është i zëvendësueshëm sepse ka krijuar një sistem që nuk varet nga ai.

Edi Rama e ka bërë të kundërtën.

Ai ka ndërthurur qeverisjen me arrogancën, reformat me propagandën, drejtësinë me kontrollin.

Dhe tani, kërkon edhe një mandat, që të përfundojë rrugën europiane që e ka kthyer në autostradë private.

Shqipëria nuk ka nevojë për një Lider të Ofertës Europiane.

Ka nevojë për një lidership që shërben dhe largohet.

Që ndërton dhe nuk kthehet më.

Që hap rrugën dhe s’e zë për vete.

Që shikon Europën si destinacion të një populli, jo si shenjë triumfi personale.

Prandaj, përballë këtij marketingu të lodhshëm elektoral, le t’i themi me zë të qartë:

Jo, zoti Kryeministër.

Integrimi europian nuk është monedhë për mandatin e katërt.

Është destinacion i një kombi që s’mund ta përfaqësojë vetëm një emër.

Është rrugëtim i një shoqërie që meriton të ecë edhe pa ju.

Në vitin 2025, Shqipëria ka nevojë për më shumë vetëdije, jo për më shumë retorikë.

Për më shumë institucione që ecin vetë, jo për liderë që s’i lënë vend askujt tjetër.

Ka ardhur koha ta ndajmë liderin e kombit nga lideri i ofertës së rradhës.

Europa nuk pret më.

Ajo kërkon dinjitet, seriozitet dhe bashkëpunim, jo anëtarësim me spektakël dhe selfie.

Filed Under: ESSE

Masakra e Selanit, vrasja makabre e krerëve të Çamërisë nga qeveria greke

March 27, 2025 by s p

Ahmet Mehmeti/

Muaji mars në shekullin XX ka regjistruar tragjedi për kombin shqiptar, veçanërisht për Çamërinë. Gjithçka nisi me masakrën në Prroin e Selanit në Paramithi ku u vranë 72 burra më 1913 dhe më pas me masakrën e Filatit më 1945, që u bë epilogu i masakrave genocidiste që nisën më 27 qershor 1944. Të flasësh me fakte për çka ka ndodhur në territorin shqiptar jashtë kufijve aktualë, është detyrim moral dhe historik që do u shërbejë brezave për të vërtetat mbarëkombëtare. Në Prroin e Selanit ku u martirizuan pabesisht 72 krerë të zgjedhur nga paria e Çamërisë në mars të vitit 1913 kur vendi ra nën robërinë greke pas vendimit fatal të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, një ngjarje kobzezë ndërkombëtare e ndërmarrë nga Fuqitë e Mëdha kundër kombit shqiptar ku më shumë se gjysma e trojeve etnike dhe e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të kësaj krijese shtetërore gjysmake, që u bë pre e humorit dhe presioneve të të mëdhenjve.

Pas rënies së Janinës me 21 shkurt 1913 popullata e Çamërisë përbëhej me afro 40.000 shqiptarë myslimanë çamë dhe 30.000 ortodoksë çamë, me një përqindje të papërfillshme ortodoksë grekë. Më 23 shkurt 1913 Çamëria u pushtua nga trupat greke. Në këtë kohë bandat greke bënin kërdinë në territorin e Çamërisë, duke vrarë e djegur njerëz të pafajshëm, duke grabitur shtëpi dhe produkte ushqimore. Më e madhja masakër në territorin e Çamërisë nga bandat greke është ajo e Përroit të Selanit, në verilindje të Paramithisë, më 27 mars 1913. Për këtë masakër shkruan dhe historiani grek, G. Fessopullos, bashkëkohës i asaj periudhe: “Pas pushtimit të Janinës dhe gjithë Çamërisë, andartët grekë lanë kujtime të hidhura në popullsinë shqiptare të Çamërisë. Banda me ushtarë kretas, të drejtuar nga Manalos Montakis e Granicas, nuk kursyen asgjë të gjallë tek myslimanët”. Po kështu edhe K. Buehberg, në veprën “Vitet e mia në Shqipëri”, në fq.141 shkruan: “Pas pushtimit të Janinës, në rrethinat e saj kishte kufoma shqiptarësh të shpërfytyruar në mënyrën më të egër”. Masakra e Selanit vërtetohet dhe nga një letër që i vjen komandës italiane në Paramithi në vitin 1917, letër e cila gjendet në Komunën e Paramithisë,ku thuhet: “Në 19 mars 1913 Furarhio e Paramithisë, mblodhi kryetarët Petro Ringa, Vasil Ringa, Dhimosten Ringa, Apostol Zogani, Mitro Caci dhe Jorgji Pabro prej Gliqise etj. Këta, nën kryesinë e Dhespotit të Paramithisë, bënë një komision dhe sipas listës që hartuan vendosën të arrestojnë të gjithë ata që luftuan në mbrojtje të Çamërisë nga pushtimi i dytë, tani jo më nga forcat osmane por nga ushtarët grekë. Pikërisht në këtë kohë popullsia myslimane e fshatrave të Frarit pësoi reprezaljet më të mëdha nga bandat greke.

Më 19 mars 1913 në qytetin e Paramithisë, mitropoliti Athanagora Neofiti, kapiten Dhimitriadhi, Dhemosten Ringa etj., kurdisën planin djallëzor për masakrën e krerëve patriotë çamë. Këtë detyrë u caktua për ta bërë krimineli nga Gjiriti Marko Deljanaqi dhe Joti Spiro Popovo, Stefan Thoedhoraqi, Kozma Kaloi etj. U tha se ky urdhër “vjen nga lart”, ku u përmend emri i kolonel Ebitis. Marko Deljanaqi mblodhi andartët e fshatrave përreth, si kriminelë antishqiptarë të fshatrave Curril, Leftrohor etj. Rreth 200 kriminelë antiçamë, ca të veshur me uniformë ushtarake dhe ca civilë të armatosur, u grumbulluan në garnizonin e Paramithisë. Iu tha kriminelëve të kryenin shpejt e pa zhurmë masakrën, me një dinakëri greke, pa shkrehur asnjë plumb.Pas disa ditësh stërvitje, ditën e diel më 27 mars 1913, në orën 3 të mëngjesit, dolën nga Garnizoni dhe u drejtuan nga verilindja e Paramithisë, drejt fshatit Njihuar. E gjithë kjo ushtri, nga një mbledhje operative, u vendos të ndahej në grupe. Filloi operacioni i arrestimeve të befta dhe tinëzare. Në Njihuar u arrestuan 10 veta, në fshatin Shemrizë 4 veta, në Nikolicë 6 veta, në Grikë 2 veta, në Vrisi 4 veta, në Skupicë 6 veta, në Mininë 13 veta, në Vratilë 4 veta, në Koriqan 3 veta, në Dramës 9 veta, në Bedelen 5 veta, në Rrëzanj 5 veta, në Petrovicë 1 person, në Paramithi 3 veta. Vetëm nga prefektura e Paramithisë u arrestuan 38 veta. Kur trokisnin në dyert e shtëpive pjesëtarëve të familjes u thuhej se: “këta i kërkon qeveria për të caktuar kryetarët e fshatrave”. Sa dilnin matanë fshatit, i lidhnin me tela 2 e nga 2.

Pasi ecën disa kilometra arritën në fshatin Skupicë dhe pikërisht në shtëpinë e Kushejve, një shtëpi e madhe me një oborr me mure të larta. Familjarët i nxorën nga shtëpia dhe i strehuan tek komshinjtë. Në oborr i riu 21 vjeçar nga Vratila, Vejsel Rexhepi, pasi u zgjidh nga një shok aty pranë, kërcen nga muri dhe me vrap kalon matanë fushës. Pasi dolën nga shtëpia e Kushejve dhe ecën 4-5 kilometra, grupit i del përpara një njësi luftarake prej 5 vetash me një letër për Marko Deljanaqin. Kjo letër vinte nga një mbledhje urgjente e nënprefektit të Paramithisë, Panajot Zorba dhe me firmën e Dhespotit. Në letër thuhej se të arrestuarit nuk duhet të hynin në Paramithi se do të kishte probleme. Atëherë u vendos që të drejtoheshin në një grykë të fshatit dhe të ekzekutoheshin. Ata u futën në Përroin e Selanit, në një vend shumë të ngushtë, se mezi ecnin 2 veta. Me t’u futur në ngushticë, të lidhurit ecnin në mes të Përroit, të rrethuar nga të dy anët nga andartët. Dikush thirri: “Apanu” (përsipër). Të 200 andartët u hodhën sipër të lidhurve, duke i goditur me bajoneta e sëpata të vogla të 72 krerët çamë. Menjëherë, gjysma e të goditurve ra përtokë. U dëgjuan ulërima të llahtarshme, ca u shpuan me bajoneta, ca u goditën fort në kokë. Kush binte përmbys në përrua i vërvitej ndonjë gur zalli në kokë me tërë forcën që të mos ngrihej më. Uji I përroit u mbulua me gjak. Një masakër të tillë kanibaleske s’kish njohur më parë historia. Andartët s’i lanë as të jepnin shpirt; nisën t’i kontrollonin, duke u marrë teshat e trupit dhe u thyenin me gurë dhëmbët e florinjtë. Pas grabitjes u mbuluan me gurë zalli…

Thonë se edhe pas një jave dëgjoheshin akoma ulërima. Ai vend u ruajt me roje specialë dhe asnjeri nuk u lejua të merrte njeriun e vet. Masakra e Selanit ishte vrasja më makabre që ndërmori qeveria greke kundër popullsisë së pafajshme të Çamërisë. Pas masakrës së Dionis Filozofit, më 1611 në fshatrat çame të Granicës dhe Aorovucit, një tjetër masakër po përgatitej dhe që u bë pas 30 vjetësh (1944-1945), në fillim në Paramithi dhe pastaj në gjithë Çamërinë. Dhe për ironi të fatit, prapë në Paramithi dhe fshatrat e gjithë Çamërisë. Historiani grek Jorgo Margariti, në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar” shkruan: “Të rrëqethin faktet tronditëse, jo vetëm të muajve të parë të vitit 1913, vitet 1923-1926, vitet 1930-1940, por edhe ato të 27 qershorit 19944.”

Historia e Çamërisë (1913–1944) nën pushtimin grek ishte një mënxyrë që u karakterizua nga nxitja e drejtpërdrejtë dhe publike e shtetit dhe kishës ortodokse greke në marrëveshje për të kryer genocid, bashkëfajësi për genocid dhe genocid etniko-fetar i mirëfilltë i kryer nga qeveritarë, funksionarë apo nga persona të veçantë ashtu siç përkufizohet në Konventën për parandalimin dhe ndjekjen e krimit të genocidit të miratuar nga Ansambleja e Përgjithshme e OKB-s me rezolutën e saj të 9 dhjetorit 1948 dhe që hyri në fuqi më 12 janar 1951. Greqia në rastin e Çamërisë nuk ka zbatuar asnjë detyrim ndaj Konventave kundër genocidit.

Është pikërisht kjo shkelje flagrante e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare që Greqia raciste bën presion ndaj shtetit shqiptar, me vend e pa vend, me të gjitha format dhe mënyrat, t’i shmanget detyrimeve strikte ndërkombëtare për krimin e genocidit, aq sa kërkon ta heqë edhe emrin e Çamërisë nga librat shkollorë të historisë, gjeografisë, letërsisë etj. Shteti grek, megjithëse është prej kohësh pjesë e Bashkimit Europian, është shumë prapa në krahasim me disa shtete fqinje ballkanike si Shqipëria etj, nuk ka firmosur dhe as ka ratifikuar protokolle si ai Nr. 4 i Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Liritë Themelore. Më e keqja që ka bërë shteti grek është zhdukja me genocid, zjarr e hekur, e minoriteteve kombëtare, duke grabitur pasuritë e tyre të tundshme e të patundshme, në fund të Luftës së Dytë Botërore siç ishin hebrenjtë, shqiptarët çamë, maqedonasit sllavë (egejcit) etj. Për këtë deri sot ai nuk ka dhënë llogari, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është ndëshkuar rëndë siç e meriton në bazë të Konventave kundër Genocidit. Kjo ka sjellë që edhe në Kushtetutën e sotme greke mungojnë minoritetet kombëtare, pasi Greqia nuk njeh minoritete të tilla në territoret që i dha Europa Plakë (The Ethnopolitical Encyclopedia of Europe, f.422, London ,2004). Këto janë plagë të rënda që Greqia nuk duron sot as t’ia kujtojnë. Siç dëshmojnë vetë dokumentet e shtetit dhe të Drejtësisë greke çamët jo vetëm nuk janë fajtorë, por po vazhdon genocidi edhe sot nëpërmjet mohimit të kthimit në shtëpitë, pronat, varrezat dhe trojet e tyre mijëvjeçare. Ka një përgjigje: Shteti shqiptar nuk po bën detyrën e vet, nuk e ka në axhendën e punës së tij zgjidhjen e Çështjes Çame si problem i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe si Minoritet Kombëtar Shqiptar në trojet e veta në Çamëri (Thesproti).

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 418
  • 419
  • 420
  • 421
  • 422
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT