• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në vend që të bëhet muze, mbi Monopolin e Tetovës ra heshtja e një ekskavatori

June 14, 2025 by s p

Shembja e Monopolit të Tetovës nuk përfaqëson thjesht zhdukjen e një objekti industrial nga memoria urbane, por një akt të heshtur institucional ndaj një segmenti të errët të së kaluarës kolektive që ende nuk ka gjetur vend në narrativën zyrtare. Ky objekt, në të cilin çdo familje e Pollogut kishte më së paku një anëtar të prekur nga pasojat e dhunës dhe represionit të një epoke të errët, ishte më shumë se një ndërtesë  ishte një dëshmi e gjallë e përjetimeve të heshtura të një komuniteti të tërë

Nga Prof.dr.Skender ASANI

Në skajet e një qyteti të ngjeshur ndërmjet dy epokash, gjendet  ose më saktë, gjendej – një strukturë që dikur mbante jo vetëm tym duhani, por edhe frymën e fundit të një kohe të trazuar. Monopoli i Tetovës, një ndërtesë e zakonshme për sy të zakonshëm, kishte përjetuar një funksion të pazakonshëm në një stinë të errët të historisë. Për një periudhë të shkurtër, por të ngarkuar me tension dhe dhimbje, ai u shndërrua në një stacion ndalimi  jo për mallra, por për njerëz. Njerëz të mbledhur, të sistemuar, të ndarë. Jo për qëllime tregtare, por për “administrim” të realiteteve politike të pasluftës.

Shumë nga ata që u futën brenda atyre mureve, nuk dolën më. Shumë prej atyre që dolën, mbartën përjetë heshtjen e asaj hapësire. Ashtu siç ndodh rëndom me memorien kolektive të komuniteteve të cilat nuk kanë pasur fatin të kenë histori të “institucionalizuar”, edhe kjo ngjarje mbeti jashtë teksteve dhe jashtë përmendoreve. Ajo u transmetua në formën më primitive të kujtesës: nga goja në gojë, nga pleqtë te nipërit, nga lotët e heshtur te pyetjet pa përgjigje.

Përmasat e saj nuk ishin të një rrethi të ngushtë: thuajse çdo familje e rajonit të Pollogut kishte, së paku, një anëtar që ishte prekur drejtpërdrejt nga kjo ngjarje qoftë i thirrur, i zhdukur apo i keqtrajtuar. Disa humbën bijtë, të tjerë vëllezërit, kushërinjtë, apo komshinjtë. Kjo e bëri Monopolin jo thjesht një vend-ngjarje, por një plagë kolektive, që jetoi përmes heshtjes së çdo shtëpie që kishte një derë të hapur për të pritur dikë që nuk u kthye kurrë.

Për çudi, edhe pse ndodhi në të njëjtin territor dhe në të njëjtën kohë me histori të tjera që sot përkujtohen me solemnitet, Monopoli i Tetovës nuk e fitoi të drejtën për të qenë simbol. Nuk pati fatin të shndërrohej në muze, as në vend për reflektim. Mbi të nuk u vendos asnjë pllakë. Në vend të një skulpture në përkujtim, mbi të ra heshtja e një ekskavatori.

Nëse kujtesa është pasuri e shteteve që duan të ndërtojnë identitet të drejtë dhe gjithëpërfshirës, atëherë harresa është investim i qëllimshëm shpesh i heshtur për të selektuar kujt i lejohet të kujtojë dhe kujt jo. Dhe në këtë zgjedhje selektive, disa hapësira mbeten jashtë arkitekturës zyrtare të kujtesës. Jo për mungesë rëndësie historike, por për shkak të biografisë etnike të viktimave të saj.

Nuk është e pazakontë që ndërtesat me barrë historike të trajtohen me një lloj nervozizmi institucional. Ato janë dëshmi që nuk flasin, por thërrasin. Monopoli i Tetovës thërriste një të vërtetë që nuk përputhej me narrativën dominante. Ai kujtonte një ngjarje që nuk u pranua si pjesë e “tragjedive të ligjshme”. Ai prekte ndjenja të një komuniteti që për dekada ka përjetuar përjashtimin nga kujtesa zyrtare.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, vendimi për ta shembur atë ndërtesë u mor pa ndonjë debat publik, pa ceremoni, pa ndonjë ndjesë apo dokumentim. Ajo u zhduk me heshtjen e një procesi që e njeh mirë logjikën e fshirjes së gjurmëve. Sepse në fund, kur nuk e përball dot të kaluarën, më lehtë është të shembësh ndërtesën sesa të përballesh me historinë që ajo përfaqëson.

Por historia nuk është vetëm në mure. Ajo jeton në ndërgjegje, në kujtime dhe në pyetjet që brezat do të bëjnë gjithmonë: Pse një kamp në një qytet tjetër u bë muze, dhe ky jo? Pse një viktimë u përkujdes, dhe tjetra u harrua? Dhe a mund të ketë drejtësi kolektive kur vetë kujtesa është e njëanshme?

Shembja e Monopolit të Tetovës nuk përfaqëson thjesht zhdukjen e një objekti industrial nga memoria urbane, por një akt të heshtur institucional ndaj një segmenti të errët të së kaluarës kolektive që ende nuk ka gjetur vend në narrativën zyrtare. Ky objekt, në të cilin çdo familje e Pollogut kishte më së paku një anëtar të prekur nga pasojat e dhunës dhe represionit të një epoke të errët, ishte më shumë se një ndërtesë ishte një dëshmi e gjallë e përjetimeve të heshtura të një komuniteti të tërë. Rënimi i tij, i justifikuar me gjuhë zhvillimore, flet në fakt për një politikë të qëllimshme të harresës selektive, ku dhimbja shqiptare mbetet jashtë përkujtimit institucional dhe kujtesës kolektive shtetërore. Në këtë shembje nuk rrënohen vetëm mure, por zhbëhen urat e transmetimit ndërbreznor të së vërtetës historike, duke lënë pas një boshllëk në ndërgjegjen qytetare dhe duke forcuar ndjesinë se kujtesa jonë vlen vetëm nëse përputhet me format e lejuara të përkujtimit. Por historia nuk zhbëhet me buldozerë ajo mbijeton në vetëdijen e atyre që refuzojnë të heshtin dhe do të vazhdojë të kërkojë vendin e saj, derisa të njihet jo si barrë, por si përgjegjësi e përbashkët.

Filed Under: Fejton

PARADA SHQIPTARE, 21 QERSHOR 2025 NË NEW YORK

June 14, 2025 by s p

PARADA SHQIPTARE, 21 QERSHOR 2025 NË NEW YORK.

Filed Under: Komunitet

Figura e Skënderbeut sipas një kompozimi në gravurë në vitin 1631

June 14, 2025 by s p

– Skënderbeu dhe shtabi i tij – Trimi i mirë me shokë shumë

Fotaq Andrea & Dritan Muka

Pjesa II

Në këtë mënyrë, studiuesja amerikane e artit Louise Rice nuk bën gjë tjetër veçse njëjëson figurën e Pirros së Epirit me figurën e Skënderbeut, i bashkëngjit të dyja figurat, duke  përmendur madje edhe fjalët e njohura të Heroit shqiptar në letrën që ky i dërgon dukës së Tarentes kur i shkruan se ai (Skënderbeu) “udhëheq një racë njerëzish që zbresin prej tij”, (domethënë prej Pirros së Epirit). Dhe Rice nxiton të japë shpjegime të mëtejshme, sikur “vetë Skënderbeu ka porositur te armatori i tij përkrenaren me kokën e cjapit (dhisë)”, për të imituar, thotë ajo, përkrenaren e Pirros, që, siç shkruan Plutarku, njihej që larg nga luftëtarët e vet për kreshtën e lartë me brirët e cjapit.”8 Po ashtu, këmbëngul ajo, “fakti që të dy ishin mbretër të Epirit, të jashtëzakonshëm në artin e luftës, karakterizuar nga forcë fizike e pamatë, veshur me lavde e nderime, asgjë nuk mund të ilustrojë më mirë përngjashmërinë e Giorgio Castrioto të quajtur Skënderbe nga turqit me mbretin e lashtë Pirro”. Dhe konkludon: “… duke pasur parasysh tërë këto përngjashmëri e ndërthurje ideore, mbreti i paraqitur nga Stella nuk mund të jetë tjetër veçse Pirroja i Epirit”(!) – (nënvizimet tona). Tek argumenton: “Edhe pse mund të duket e çuditshme që artisti francez e paraqet këtu Pirron me veshje jo klasike, përsëri gjëja është e përligjur në pikturë, po të mbahet parasysh tabloja e Ferdinand Bol e vitit 1656 ku Pirroja mban në krye kurorën e tij mbi një çallmë të praruar” (!)9 

Me një fjalë, Prof. Rice, në këtë rast, e tejkalon idenë e saj të njëjësimit të dy figurave historike, të Pirros dhe Skënderbeut, për të parë tashmë në këtë ilustrim artistik thjesht dhe vetëm Pirron e Lashtësisë! 

(foto 5) Ferdinand Bol: 1. Pirro i Epirit; 2. personazh 

me çallmë.

Një konkluzion ky, siç vumë në dukje, aspak bindës, për të mos thënë për më tepër i gabuar, nëse ajo do kishte njohur edhe më nga afër historinë e Shqipërisë dhe të KryeHeroit të saj.

Nga ana tjetër, tërë shpurën shoqëruese të Pirros (Skënderbeut), ajo e sheh me kapa apo kokore të fantazuara, gjithë ornamente stolish e pendësh, për t’i paraqitur ata sa më ekzotikë e gjysmë-orientalë. “Por fundja, pranon ajo, pikërisht kështu europianët e Perëndimit i përfytyronin shqiptarët”.10 Dhe me këtë rast, nuk mungon të japë vlerësime historike për shqiptarët, të njohur për soldateskën e tyre mercenare “të egër”, kur mbushën – “të detyruar me forcë” thekson ajo, – radhët e jeniçerëve, apo radhët e kalorësisë së lehtë europiane, të njohur me emrin “stradiotë”, tek i shërbyen ushtrive të Europës me veshjen e tyre krejt të veçantë. 

E detyruar kështu – falë elementëve përcaktues dhe dëshmues të vetë veprës së J. Stella-s – të “shmangë” njëfarësoj Lashtësinë e Pirros së Epirit, studiuesja Rice i përavitet ndrojazi, do thoshim, jehonës së kohëve post-skënderbegiane, kur fakti historik është se në Europën Perëndimore të shekullit XVI dhe në Turqinë osmane si një superfuqi e kohës u “shfaqën” dhe bënë bujë stradiotët dhe jeniçerët shqiptarë, drejtpërdrejt pasardhës të gardës elitare të Skënderbeut, ata që cilësoheshin në krejt Europën “Fiers comme des Albanais” (Krenarë si shqiptarët), siç është shprehur i pari Jean Marot, shkrimtari frëng i shekullit XV-XVI.11 

Dhe jo vetëm kaq, por Prof. Rice, në esenë e saj shfaqet e prerë, kategorike, arbitrare në konkluzionin e saj: “Stella, pohon ajo – as më shumë e as më pak -, e ka pikturuar Pirron si një Skënderbe”(!), duke u dhënë madje edhe ushtarëve të tij pamje të orientalizuar si të mercenarëve shqiptarë. Me një fjalë, ajo sikur kërkon të “zbulojë” vetëm identitetin e një protagonisti mbretëror, atë të Pirros së Epirit, për ta shmangur, zbehur apo për të vënë në plan të dytë protagonistin kryesor të veprës, Skënderbeun! Dhe tërë kjo, gjoja me anë të metaforës dyfishe që ajo përdor nëpërmjet termave “kuptimi i kuptimit”. Gjë që e çon edhe më tej, tek mban parasysh qenin e Stella-s në qendër të vizatimit. Ky element – heraldik në vetvete – e nxit prof. Rice të parashtrojë si argument historinë e Pirros dhe të qenit të tij të zgjuar, rrëfyer nga Plutarku dhe Elieni, histori të cilën ajo e jep të plotë në esenë e saj: se si qeni i Pirros arriti të zbulojë vrasësit e të zotit të vet të mëparshëm (!)12. 

(foto 6). Qeni i Pirros, Qeni i Perëndisë, Qeni në Statutet e Shkodrës.

Po ashtu, ajo mbështetet edhe tek elementi i dytë heraldik i tablosë: shqiponja në qendër të vizatimit, si dhe te shqyta e shatrit, kur nënvizon se edhe vetë Pirroja thërritej nga populli i tij me nofkën “shqipe”. Por pa harruar të nënvizojë nga ana tjetër se shqiponja me dy krerë ishte edhe në flamurin e luftës të Skënderbeut. 

Duke përfunduar, studiuesja amerikane Rice nxjerr në pah edhe dy aspekte të tjera të veçanta:

Së pari, se kardinali Scaglia ishte domini-kan, i njohur si ndëshkues fajtorësh, nga ku emblematika dhe loja e fjalëve “Domini canis” (qeni i Perëndisë – i Zotit të Madh), simbolizuar me qen që mban në gojë një urë zjarri të ndezur flakë, tek shton se edhe “qeni i Pirros njohu dhe ndëshkoi vrasësit e të zotit të tij të mëparshëm, një subjekt më vete në këtë gravurë – vëren Rice -, që i përshtatet një kardinali me profil profesionist”. 

Së dyti, Rice shpjegon rrugën diagonale, apo shiritin e shndritshëm me një mori personazhesh, burra e gra, që ngjiten në qiell, duke supozuar kështu se mund të jetë një devizë e Kolegjit Clementino, ku studion doktoranti i filozofisë që ka porositur vizatimin tek piktori Jacques Stella.

Kësisoj, prof. Louise Rice dekripton sipas mendimit të saj, një për një tërë elementët përbërës të vizatimit të piktorit Stella, për të dhënë “një histori klasike nëpërmjet një morali të virtytshëm”, duke bashkëngjitur te një “protagonist pagan” (Pirroja i Epirit) një kampion modern të Katolicizmit (Skënderbeun) dhe për ta pajisur tërë skenën me nënkuptime ngadhënjyese fetare. “Kujtojmë, thekson prof. Rice, se subjekti kryesor i vizatimit të Jacques Stella-s nuk është, në fund të fundit, mbreti Pirro dhe qeni i tij, por se subjekti kryesor është shenjuesi abstrakt i personit që nderohet nëpërmjet emblemës së tij – pra kardinali Desiderio Scaglia.” Një përfundim ky, të cilin ne, nga ana jonë, e marrim me rezerva në raportin abstraktja/konkretja: sepse, referenti fizik e konkret, pika apo strumbullari ku konvergojnë shumica e elementëve kompozicionalë është personazhi i lavdishëm shqiptar Skënderbe në një çast të duhur historik. Në fund të fundit, kujt i përkushtohet vepra është referenti formal apo abstrakt, njëra anë e medaljes, e shprehur me elementët e vet heraldikë; por ana tjetër e medaljes është, siç theksuam, referenti konkret, apo vetë përmbajtja e veprës në qëllimin themelor të saj: të shfaqë Skënderbeun shqiptar si një personazh të fuqishëm historik. Këtu qëndron edhe fuqia artistike e piktorit frëng Jacques Stella për të kombinuar, ndërthurur dhe pasqyruar tërë elementët kompozicionalë të veprës në një kontekst historik të paracaktuar qartë e të paramenduar më së miri.

Le të ndalemi, paksa përmbledhazi, edhe në studimin e dytë kushtuar kësaj vepre artistike të francezit Jacques Stella. Është fjala konkretisht për studimin që ka bërë Dr. Sylvain Kerspern – i cili, që në mars 2016, domethënë disa vjet përpara studimit të prof. Louise Rice, iu referua fillimisht kësaj vepre bazuar te katalogët ekspozues të Sylvain Laveissière – Lyon-Toulouse 2006, dhe të J.P. Thuiller, po më 2006.13 Sigurisht, edhe Dr. Kaspern do t’i drejtohej pikësëpari historianëve të artit Senzec dhe Baumgarten për të hulumtuar “drejt pistës hungareze” të interpretimit të tablosë. Por, pas vitit 2021, duke i njohur studiueses amerikane prof. Louise Rice të drejtën e zbulimit të sekretit të veprës së Stella-s nëpërmjet përkrenares së Skënderbeut, ai iu rikthye kohët e fundit për të dytën herë këtij vizatimi për të parë tashmë mjaft elementë të rinj përbërës të kompozimit.14 

Në këtë mënyrë, ai e nuancon njëfarësoj konkluzionin e Prof. Rice, e cila sheh në mënyrë të prerë si personazh kryesor të tablosë vetëm Pirron e Epirit. Jo vetëm që ai do të ndalet më gjerësisht te figura historike e Skënderbeut tonë, por mbi të gjitha do t’i referohet ilustrimeve të njohura gravuriale të J. Amman (botuar më 1578), ku shfaqen tiparet e KryeHeroit shqiptar dhe veshja e tij karakteristike.15 E megjithatë, Karspern e mbështet prof. Rice kur thekson se “Është mëse e sigurt se rrëshqitja drejt luftëtarit antik (Pirros) do ketë bërë të mundur që historianes së artit [Louise Rice] t’i çelet rruga për të zgjidhur enigmën e subjektit lidhur me legjendën”. 

Kësisoj, edhe Dr. Kerspern i përmbahet në njëfarë mënyre dualizmit apo binomit “Phyrrus/Scanderbeg”, njëjësimit apo shkrirjes së këtyre dy personazhve historikë dhe sheh tek piktori Jacques Stella “artistin që historizon heraldikën… “Domosdo, theksoi ai, subjekti ka të bëjë me artin e emblemës, por është mjaftueshmërisht i personifikuar e simbolizuar duke i çelur udhën shumë studimeve, kur të gjitha, deri tani kërkonin një përmbajtje narrative, e cila, me sa duket, falë mprehtësisë së Louise Rice, po arrin të shfaq dukshëm kuptimin e vet metaforik. Dhe këtu kuptohet, konkludon Kerspern, talenti i pamohueshëm i Stella-s për t’i dhënë formë, nëpërmjet një paraqitjeje të thjeshtë, një mendimi kompleks”.16

Duke u mbështetur në analizën dhe konkluzionet e studiueses amerikane Louise Rice dhe duke vlerësuar kontributin e saj të rëndësishëm në identifikimin e figurës së Skënderbeut paraqitur në qendër të gravurës së piktorit Jacques Stella, ne, nga ana jonë, të bindur që kemi të bëjmë drejtpërdrejt dhe vetëm me figurën e Heroit kombëtar shqiptar, e shohim të arsyeshme të ndalemi në disa elementë të tjerë të veçantë – dhe ende të patrajtuar -, të kësaj vepre artistike, duke i parë tërë elementët të lidhur organikisht mes tyre, me përmbajtje thellësisht shqiptare dhe aspak “metaforike”, “alegorike” apo thjesht “analogjike”, kur kemi parasysh mbi të gjitha të dhënat e shkencës së albanologjisë dhe më konkretisht të skënderbegologjisë.

Po ashtu, mbi bazën e katalogimit kronologjik që ne i kemi bërë ikonografisë skanderbegiane, sidomos asaj të periudhës klasike të shekujve XV-XVII, por edhe më tej deri në shekullin XX, vëmë re se tabloja kompozicionale e piktorit Stella përbën një pikënisje dhe burim prurjesh të reja me mjaft interes lidhur me paraqitjen e figurës së Skënderbeut në një kuadër tashmë mjaft natyror e të natyrshëm, përtej pozicionit klasik të portretit, tek e shohim Heroin tonë kombëtar të rrethuar nga shpura e tij kalorsiake, apo më konkretisht nga shtabi i tij udhëheqës. Andaj guxojmë ta emërtojmë këtë vepër ilustruese “Skënderbeu me shtabin drejtues – Trimi i mirë me shokë shumë”, në idenë madhore “bashkimi bën fuqinë”. 

Të ndërgjegjshëm që tabloja na shfaqet në disa rrafshe të mbishtresëzuara, me elementë të shumtë kompozicionalë, theksojmë se ky ilustrim përbën – para së gjithash dhe për vetë kohën kur është realizuar – një risi apo një prurje artistike me rëndësi të veçantë madhore në ikonografinë kastriotine, dhe konkretisht për këto arsye:

Së pari, kemi të drejtë të pohojmë me plot gojën se tematika e përzgjedhur në këtë kompozim grafik të J. Stella-s është kryekëput shqiptare, aspak hungareze, polake a tjetër, aspak aluzive. Djali, apo “shatri” siç është cilësuar, që qëndron në krah të Skënderbeut, nuk është tjetër veçse djali i vetë KryeHeroit shqiptar, është Gjon Kastrioti II rreth moshës 11-12-vjeçare, qytetar nderi i Republikës së Venedikut. 

Une image contenant art, peinture, croquis, Arts visuels

Description générée automatiquement

(foto 7) J. Stella,  Gjon Kastrioti II në moshën 11-12 vjeçare. Skënderbeu rrethuar nga Shtabi i tij ushtarak.

Rrjedhimisht, për nga vetë mosha e djaloshit (lindur më 1456), piktori Stella shfaq përafërsisht periudhën kohore 1467-1468, apo, të themi, vitin e fundit të jetës së Skënderbeut. Ndalet posaçërisht në këtë periudhë historike për ta veshur me lavdi Gjergj Kastriotin, duke rikujtuar e rikurorëzuar kësisoj Bëmën e tij heroike, kur për një çerek shekulli me radhë ai luftoi pareshtur hordhitë osmane, ushtri të tëra mbi 100 mijë vetëshe udhëhequr nga dy sulltanë, Murati II dhe Mehmeti II, të cilët i theu me dorë të hekurt. Jacques Stella, për mendimin tonë, ngre fuqishëm në piedestal Heroin Kombëtar Shqiptar cilësuar “Atlet i Krishtit”, “Mbrojtës i Europës”, që do komandonte madje edhe kryqëzatën e krishterë kundër Turqisë osmane, superfuqisë së kohës, e cila prej dekadash, po kërcënonte Europën mbarë. Thelbi i përmbajtjes së këtij kompozimi është kësisoj lavdia skanderbegiane, jeta dhe vepra e Heroit shqiptar si shembull frymëzimi i qëndresës së krishterë ndaj Turqisë ekspansioniste të fillimit të shekullit XVII, e cila, përherë e më shumë vazhdonte agresivitetin e vet ndaj Perëndimit, duke shënjestruar qendën e Europës, Vienën17.

Së dyti, nëse piktori Stella vendos në krahun e djathë të Skënderbeut djalin e tij, nuk kemi të bëjmë këtu me një rastësi: djaloshi kastriotin shfaqet si një element i ri, që simbolikisht përfaqëson të ardhmen dhe vazhdimësinë e Bëmës së t’Et. Dhe jo më kot Stella i vë në duar armët e kohës, shqytën dhe shtizën sëpatë, në idenë se të tërë, të rritur e të vegjël janë të armatosur, janë të bashkuar si një trup. Po ashtu, shohim që djaloshi me leshra të gjata mban në qafë një gjerdan me rruzuj (ndoshta ari a argjendi), dhe në krye jo kapë, por një biçim kurore metalike, dy elementë këto që dëshmojnë njëfarësoj për origjinën e tij princërore dhe aspak të një “shatri” të thjeshtë, siç u ka pëlqyer studiuesve të kësaj vepre. 

Filed Under: Histori

13 QERSHOR 1912, VATRA U NJOH NGA SHTETI AMERIKAN I MASSACHUSETTS

June 14, 2025 by s p

Vatra feston 113 vjetorin e njohjes së themelimit si Federatë. Më 13 Qershor 1912 Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA njihet zyrtarisht prej shtetit të Massachusetts. Vatra, pas njohjes zyrtare shtetërore mori diplomën e saj (Charter), të shënuar prej z.Albert P.Langtry, asokohe sekretar i Shtetit të Massachusetts. Në aplikim të njohjes zyrtare shtetërore ishin të shënuar emrat e Faik Be Konitza, Lambi Chikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kota.

Prej 113 vitesh Federata Vatra vazhdon me dinjitet, krenari e nder përçimin e vlerave më të larta të kombit tonë, ruajtjen dhe ekzistencën e trashëgimisë kulturore, patriotike, sociale, ekonomike dhe historike të shqiptarëve në Amerikë. Prej 113 vitesh Vatra vazhdon fuqishëm punën, përpjekjet e përkushtimin kolosal ndaj komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara e çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës.

Vatra e ngrohtë shqiptare, zjarri i pa shuar i atdhedashurisë e patriotizmës mban gjallë dhe sot e 113 vite shpirtin patriotik shqiptar përtej Atlantikut. Vatra është historia, krenaria dhe identiteti i shqiptarëve të Amerikës.

Filed Under: Vatra

Vrasja e Vëllezërve Bytyçi, një krim i vërtetë shtetëror që nuk harrohet kurrë

June 14, 2025 by s p

Imer Xhemail Lladrovci/

Javën e kaluar isha në New York me ftesë të “Vatrës” për të përuruar atje librin tim “Linja politike, diplomatike dhe shtetformuese”. Sivjet në korrik, bëhen plotë 26 vjet nga vrasja e Vëllezërve Bytyçi në Serbi, pra më tepër se një çerekshekulli, një kohë me të vërtetë e gjatë. Si shqiptar nga Europa, që ka kaluar Atlantikun e gjerë, e kisha si detyrim moral që t‘u bëja nderim te varret e tyre këtyre shqiptarëve idealistë që erdhën në Kosovë për të luftuar, eshtrat e të cilëve prehen në tokën e largët amerikane, në Nju Jork që nga marsi i vitit 2003, kur u rivarrosën pas nja 3 vjet pas vrasjes së tyre në korrik të vitit 1999. E njihja mirë historinë e tyre familjare dhe individuale, luftën e tyre në UÇK dhe vrasjen banditeske të tyre prej zyrtarëve serbë nga libri i Uk Lushit “Shqiptaro-Amerikanët e UÇK-së: Kronikë e Batalionit “Atlantiku”. Në këtë libër jepen shumë të dhëna për jetën e tyre dhe për kohën kur ata më s‘jetonin, por si çështje e madhe e të drejtave të njeriut si qytetarë amerikanë ishin me interes për publikun.

Kufijtë shtetërorë, siç dihet, janë barriera që pengojnë qarkullimin e njerëzve, të ideve dhe mallërave. Gjithmonë kanë qenë të tillë. Ata u shpikën në epokën e shtetit kombëtar, kinse për të mbrojtur ekonominë dhe kulturën e kombeve. Një bilanc i më vonshëm i këtyre parametrave tregon se dëmet jorrallë ishin më të mëdha se përfitimet, sepse kështu u krijuan provinca të zhvillimit të të mendjes dhe të ekonomisë kombëtare. Por kufijtë kanë edhe një anë tepër të pazakontë, sepse mund të shërbejnë edhe për gjëra makabre, siç janë vrasjet si një sanksion ekstrem për shpërfilljen e tyre. Nga pikëpamja formale, shkelja e tyre, nuk paraqet ndonjë gjë të madhe. Por nuk është vetëm forma publike që e përcakton ndëshkimin. Ana formale e ndëshkimit nuk mund të jetë më shumë se kundërvajtje, gjë që edhe ndodhi kur u dënuan Vëllezërit Bytyçi me nga 15 ditë burg. Por, ajo që ngjau pastaj në burg, i kalon kufijtë e përfytyrimit tonë për legalitetin, sepse ndëshkimi ishte në shpërputhje të plotë me peshën e veprës. Vrasja e Vëllezërve Bytyçi në Prishtinë u kthye në një lëndë për lloj-lloj legjendash.

Një Zot e di se çfarë u sajua nga nevoja për të futur pak logjikë në këtë kaos, e çka ishte produkt i agjenturave që përmes legjendës i mbulonin gjurmët e tyre të krimit shtetëror. Disa thonin se Vëllezërit Bytyçi ishin në një mision të fshehtë në Serbi. Kundërargumenti se sikur këto hamendësime të ishin të vërteta, ata do të mund të dënoheshin me shumë vjet burg, por jo të vriteshin, i hiqte këtyre spekulimeve çdo të drejtë. Operacione të fshehta ka pasur gjithmonë, por protagonistët nuk janë vrarë kështu me gjakftohtësi si në rastin e Vëllezërve Bytyçi. Kështu mbetet vetëm mendimi i vetëm i arsyeshëm se kufiri shtetëror i Kosovës me Serbinë i shërbente pengimit të njëanshëm të qarkullimit të njerëzve dhe ideve. Ky ishte qëndrimi i atëhershëm i politikës serbe ndaj Kosovës, ku ajo e kishte humbur nga 12 qershori i vitit 1999 çdo të drejtë për përcaktuar rrjedhat politike dhe sociale atje. Serbët bëheshin sikur e kishin fituar luftën, por ata thellë-thellë e dinin se e kishin humbur atë, madje, për më keq, kishin kapitulluar. Kjo vetëdije për poshtërimin shkaktonte një pezm të madh ndaj fitimtarit dhe shqiptarëve. Ky qëndrim politik i Beogradit zyrtar ndaj kufirit ndryshonte kur vinte puna te qarkullimi i mallërave serbe: Serbia nuk donte që ta humbte tregun lukrativ kosovar për gjërat që prodhonte ajo. Vetëm se edhe ky qarkullim nuk duhej të përcaktohej nga parimi i reciprocitetit. Në ato vite Kosova kishte një ekonomi të shkatërruar, kështu që vështirë se do të mund të prodhonte diçka të denjë për eksport. Por gjendja mund të ndryshonte me kalimin e viteve. Sot, edhe pas një çerekshekulli nga përfundimi i luftës, ka më shumë qarkullim të njerëzve dhe të ideve, por mallërat nuk qarkullojnë ende sipas parimit të reciprocitetit.

Serbia përmes tyre fut në Kodovë sasi të madhe mallërash, por nuk lejon hyrjen e mallërave kosovare në tregun e saj me masa të ndryshme administrative në kufi. Kosovarët jashtë dërgojnë me qindramilionë euro në vit në Kosovë, por kjo para nuk qarkullon brenda Kosovës, për të shtuar aty mirëqenien ekonomike të banorëve të saj, por në pjesën më të madhe shpenzohet për blerjen e mallërave ushqimore serbe. Kështu që mund të thuhet deri në njëfarë mase se vetë shqiptarët tërthorazi e financojnë politikën kundërshqiptare të Beogradit, pa llogaritur këtu edhe dëmin që shkaktohet prej konsumit të mallërave jo cilsorë, ndonjëherë edhe helmues. Para pak kohësh shumë vende të BE-së dhe Rusia i kthyen shumë mallëra bimore në Serbi për shkak të tejkalimit të normës së materjeve toksike në to. Fermerët serbë përmes blerjes së pesticideve të lira pa dashur i kishin helmuar bimët që i eksportonin në BE e në Rusi. Shkurt, ne mblejmë mallëra serbe, por nuk ndodh edhe e kundërta. Mungon ende reciprociteti si parim themelor këmbimi mes palëve të barabarta. Ky është realiteti ekonomik që prodhojnë kufijtë tanë me Serbinë edhe në ditët e sotme. Në vitin 1999 ishte shumëherë më keq se tani.

Por, për Vëllezërit Bytyçi, rrjedhojat e këtyre kufijve ishin edhe më të drejtëpërdrejta, sepse lidheshin me jetën e tyre. Ata u vranë, pse patën guximin ta thyejnë një ligj të pashkruar, një tabu: të kalonin kufirin kosovaro-serb në një kohë kur zemërimi serb për brakisjen e plotë të Kosovës nga forcat policore dhe ushtarake ishte në kulmin e tij. Ky kalim atyre iu kushtoi me jetë. Formalisht, ashtu siç e parashihnin ligjet serbe, ata u dënuan vetëm me nga 15 ditë burg, por pastaj ajo që ngjau në burg ishte e jashtëzakonshme. Ata u rrëmbyen nga burgu dhe u ekzekutuan në një vend e datë të panjohur deri më tani në Serbi dhe pastaj i varrosën në një varr masiv të të vrarëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, në Petrovosello. Unë i dija këto gjëra, por historia e tyre ka edhe një pjesë të ngatërruar postmortale, sepse ende asnjë gjykatë serbe nuk ka shpalllur një dënim për dorasit, emrat e të cilëve nuk njihen ende. Ekziston edhe një rezolutë e Kongresit Amerikan për këtë çështje. Kongresmeni Eliot Engëll ( Eliot Engel) ka pas thënë se „dua t’i them Serbisë se ky është një mësim i rëndësishëm, se pas 20 vjetësh ne (Shtetet e Bashkuara) nuk kemi harruar dhe nuk do të harrojmë kurrë. Ne do të këmbëngulim që drejtësia të triumfojë“. Por në 26 vjetorin e vrasjeve të Vëllezërve Bytyçi ende drejtësia nuk ka triumfuar.

Kongresmeni Eliot Engëll nuk jeton më dhe çështja e gjetjes dhe dënimit të dorësve apo dorasit nuk ka bërë asnjë hap përpa. Sidoqoftë, ne nuk e harrojmë asnjëherë shembullin e tyre fisnikë, ndaj dhe pikërisht për këtë gjë shkova edhe unë për t’u bërë homazhe te varret e tyre në Nju Jork. Për mua si shqiptar, befasia nuk ishte e vogël kur pashë me sytë e mi stemën e UÇK-së të gdhendur në gurin e secilit prej varreve të tre Vëllezërve dëshmorë. Kisha menduar se këtë stemë mund ta hasja vetëm në gurëvarret e dëshmorëve dhe heronjëve që i kishin varret e tyre në Kosovë, por, ja, që, areali i shpërnarjes së kësaj steme që tregon diçka të madhe paska shtrirje ndërkontintale. Në Europë nuk gjen askund varre të tilla. Jo pse nuk ka shqiptarë që janë varrosur në ato vende dhe që kanë rënë në fushën e betejës në një kohë kur, edhe po të doje, nuk mund të varroseshe në atdhe, por sepse vendet mikpritëse nuk e lejonin një formë të tillë të varrimit „provokues“. Në Europë, me sa duket, ka ende një tjetër ndjeshmëri për miniimperializmin serb. Disa shtete druajnë nga politika e jashtme serbe, nga reagimet e saj fulminante, disa të tjera ende ruajnë një lloj mirëkuptimi të fshehtë për imperializmin rajonal serb, sidomos kur ai lidhet me shqiptarët.

Vëllezërit Bytyçi ishin lindur dhe rritur në Amerikë dhe, pavarësisht se kishin luftuar për çlirimin e Kosovës nga serbët, ende nuk i njihnin mirë marrëdhëniet serbo-shqiptare. Ata kujtonin se lufta tashmë kishte përfunduar me një epilog të qartë, kështu që nuk shihnin asnjë arsye për një hakmarrje serbe. Vëllezërit Bytyçi, siç e dimë në ndërkohë, u vranë nga shteti serb. Një proces gjyqësor që filloi kundër dy serbëve nja 5-6 vjet pas aktit të vrasjes, u ndërpre me arsyetimin se i akuzuari kryesor nuk gjendej në Serbi. Supozohej se ai kishte ikur nga Serbia në Rusi, por, pas një kohe mediat zbuluan vendqëndrimin e tij në Budvë të Malit të Zi, në një kohë kur Mali i Zi nuk ishte më pjesë e shtetit jugosllav, por shtet më vete. Shihet, qartazi që mungon vullneti politik për dënimin e krimeve të luftës.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi ishin pjesëtar të batalionit „Atlantiku“. Ata morën pjesë nė luftën e Kosovës nga prilli i vitit 1999 e deri në fund. Në korrik të vitit 1999 i përcollën në Serbi dy familje jevge që ishin kujdesur për shpëtimin e një pjese të familjes së tyre që jetoi gjatë luftës në Prizren. Jevgjët shpëtuan nga vrasja nënën e tyre Bahrije, vëllaun Fatos e motrën Bukurije Bytyçi gjatë luftës, por donin tė shpërnguleshim në Serbi në një kohë kur në Kosovë ekzistonte një klimë e egër hakmarrjeje ndaj jevgjëve që kishin bashkëpunuar me serbët.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 462
  • 463
  • 464
  • 465
  • 466
  • …
  • 2948
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT