
– Skënderbeu dhe shtabi i tij – Trimi i mirë me shokë shumë
Fotaq Andrea & Dritan Muka
Pjesa II
Në këtë mënyrë, studiuesja amerikane e artit Louise Rice nuk bën gjë tjetër veçse njëjëson figurën e Pirros së Epirit me figurën e Skënderbeut, i bashkëngjit të dyja figurat, duke përmendur madje edhe fjalët e njohura të Heroit shqiptar në letrën që ky i dërgon dukës së Tarentes kur i shkruan se ai (Skënderbeu) “udhëheq një racë njerëzish që zbresin prej tij”, (domethënë prej Pirros së Epirit). Dhe Rice nxiton të japë shpjegime të mëtejshme, sikur “vetë Skënderbeu ka porositur te armatori i tij përkrenaren me kokën e cjapit (dhisë)”, për të imituar, thotë ajo, përkrenaren e Pirros, që, siç shkruan Plutarku, njihej që larg nga luftëtarët e vet për kreshtën e lartë me brirët e cjapit.”8 Po ashtu, këmbëngul ajo, “fakti që të dy ishin mbretër të Epirit, të jashtëzakonshëm në artin e luftës, karakterizuar nga forcë fizike e pamatë, veshur me lavde e nderime, asgjë nuk mund të ilustrojë më mirë përngjashmërinë e Giorgio Castrioto të quajtur Skënderbe nga turqit me mbretin e lashtë Pirro”. Dhe konkludon: “… duke pasur parasysh tërë këto përngjashmëri e ndërthurje ideore, mbreti i paraqitur nga Stella nuk mund të jetë tjetër veçse Pirroja i Epirit”(!) – (nënvizimet tona). Tek argumenton: “Edhe pse mund të duket e çuditshme që artisti francez e paraqet këtu Pirron me veshje jo klasike, përsëri gjëja është e përligjur në pikturë, po të mbahet parasysh tabloja e Ferdinand Bol e vitit 1656 ku Pirroja mban në krye kurorën e tij mbi një çallmë të praruar” (!)9
Me një fjalë, Prof. Rice, në këtë rast, e tejkalon idenë e saj të njëjësimit të dy figurave historike, të Pirros dhe Skënderbeut, për të parë tashmë në këtë ilustrim artistik thjesht dhe vetëm Pirron e Lashtësisë!
(foto 5) Ferdinand Bol: 1. Pirro i Epirit; 2. personazh
me çallmë.
Një konkluzion ky, siç vumë në dukje, aspak bindës, për të mos thënë për më tepër i gabuar, nëse ajo do kishte njohur edhe më nga afër historinë e Shqipërisë dhe të KryeHeroit të saj.
Nga ana tjetër, tërë shpurën shoqëruese të Pirros (Skënderbeut), ajo e sheh me kapa apo kokore të fantazuara, gjithë ornamente stolish e pendësh, për t’i paraqitur ata sa më ekzotikë e gjysmë-orientalë. “Por fundja, pranon ajo, pikërisht kështu europianët e Perëndimit i përfytyronin shqiptarët”.10 Dhe me këtë rast, nuk mungon të japë vlerësime historike për shqiptarët, të njohur për soldateskën e tyre mercenare “të egër”, kur mbushën – “të detyruar me forcë” thekson ajo, – radhët e jeniçerëve, apo radhët e kalorësisë së lehtë europiane, të njohur me emrin “stradiotë”, tek i shërbyen ushtrive të Europës me veshjen e tyre krejt të veçantë.
E detyruar kështu – falë elementëve përcaktues dhe dëshmues të vetë veprës së J. Stella-s – të “shmangë” njëfarësoj Lashtësinë e Pirros së Epirit, studiuesja Rice i përavitet ndrojazi, do thoshim, jehonës së kohëve post-skënderbegiane, kur fakti historik është se në Europën Perëndimore të shekullit XVI dhe në Turqinë osmane si një superfuqi e kohës u “shfaqën” dhe bënë bujë stradiotët dhe jeniçerët shqiptarë, drejtpërdrejt pasardhës të gardës elitare të Skënderbeut, ata që cilësoheshin në krejt Europën “Fiers comme des Albanais” (Krenarë si shqiptarët), siç është shprehur i pari Jean Marot, shkrimtari frëng i shekullit XV-XVI.11
Dhe jo vetëm kaq, por Prof. Rice, në esenë e saj shfaqet e prerë, kategorike, arbitrare në konkluzionin e saj: “Stella, pohon ajo – as më shumë e as më pak -, e ka pikturuar Pirron si një Skënderbe”(!), duke u dhënë madje edhe ushtarëve të tij pamje të orientalizuar si të mercenarëve shqiptarë. Me një fjalë, ajo sikur kërkon të “zbulojë” vetëm identitetin e një protagonisti mbretëror, atë të Pirros së Epirit, për ta shmangur, zbehur apo për të vënë në plan të dytë protagonistin kryesor të veprës, Skënderbeun! Dhe tërë kjo, gjoja me anë të metaforës dyfishe që ajo përdor nëpërmjet termave “kuptimi i kuptimit”. Gjë që e çon edhe më tej, tek mban parasysh qenin e Stella-s në qendër të vizatimit. Ky element – heraldik në vetvete – e nxit prof. Rice të parashtrojë si argument historinë e Pirros dhe të qenit të tij të zgjuar, rrëfyer nga Plutarku dhe Elieni, histori të cilën ajo e jep të plotë në esenë e saj: se si qeni i Pirros arriti të zbulojë vrasësit e të zotit të vet të mëparshëm (!)12.
(foto 6). Qeni i Pirros, Qeni i Perëndisë, Qeni në Statutet e Shkodrës.
Po ashtu, ajo mbështetet edhe tek elementi i dytë heraldik i tablosë: shqiponja në qendër të vizatimit, si dhe te shqyta e shatrit, kur nënvizon se edhe vetë Pirroja thërritej nga populli i tij me nofkën “shqipe”. Por pa harruar të nënvizojë nga ana tjetër se shqiponja me dy krerë ishte edhe në flamurin e luftës të Skënderbeut.
Duke përfunduar, studiuesja amerikane Rice nxjerr në pah edhe dy aspekte të tjera të veçanta:
Së pari, se kardinali Scaglia ishte domini-kan, i njohur si ndëshkues fajtorësh, nga ku emblematika dhe loja e fjalëve “Domini canis” (qeni i Perëndisë – i Zotit të Madh), simbolizuar me qen që mban në gojë një urë zjarri të ndezur flakë, tek shton se edhe “qeni i Pirros njohu dhe ndëshkoi vrasësit e të zotit të tij të mëparshëm, një subjekt më vete në këtë gravurë – vëren Rice -, që i përshtatet një kardinali me profil profesionist”.
Së dyti, Rice shpjegon rrugën diagonale, apo shiritin e shndritshëm me një mori personazhesh, burra e gra, që ngjiten në qiell, duke supozuar kështu se mund të jetë një devizë e Kolegjit Clementino, ku studion doktoranti i filozofisë që ka porositur vizatimin tek piktori Jacques Stella.
Kësisoj, prof. Louise Rice dekripton sipas mendimit të saj, një për një tërë elementët përbërës të vizatimit të piktorit Stella, për të dhënë “një histori klasike nëpërmjet një morali të virtytshëm”, duke bashkëngjitur te një “protagonist pagan” (Pirroja i Epirit) një kampion modern të Katolicizmit (Skënderbeun) dhe për ta pajisur tërë skenën me nënkuptime ngadhënjyese fetare. “Kujtojmë, thekson prof. Rice, se subjekti kryesor i vizatimit të Jacques Stella-s nuk është, në fund të fundit, mbreti Pirro dhe qeni i tij, por se subjekti kryesor është shenjuesi abstrakt i personit që nderohet nëpërmjet emblemës së tij – pra kardinali Desiderio Scaglia.” Një përfundim ky, të cilin ne, nga ana jonë, e marrim me rezerva në raportin abstraktja/konkretja: sepse, referenti fizik e konkret, pika apo strumbullari ku konvergojnë shumica e elementëve kompozicionalë është personazhi i lavdishëm shqiptar Skënderbe në një çast të duhur historik. Në fund të fundit, kujt i përkushtohet vepra është referenti formal apo abstrakt, njëra anë e medaljes, e shprehur me elementët e vet heraldikë; por ana tjetër e medaljes është, siç theksuam, referenti konkret, apo vetë përmbajtja e veprës në qëllimin themelor të saj: të shfaqë Skënderbeun shqiptar si një personazh të fuqishëm historik. Këtu qëndron edhe fuqia artistike e piktorit frëng Jacques Stella për të kombinuar, ndërthurur dhe pasqyruar tërë elementët kompozicionalë të veprës në një kontekst historik të paracaktuar qartë e të paramenduar më së miri.
Le të ndalemi, paksa përmbledhazi, edhe në studimin e dytë kushtuar kësaj vepre artistike të francezit Jacques Stella. Është fjala konkretisht për studimin që ka bërë Dr. Sylvain Kerspern – i cili, që në mars 2016, domethënë disa vjet përpara studimit të prof. Louise Rice, iu referua fillimisht kësaj vepre bazuar te katalogët ekspozues të Sylvain Laveissière – Lyon-Toulouse 2006, dhe të J.P. Thuiller, po më 2006.13 Sigurisht, edhe Dr. Kaspern do t’i drejtohej pikësëpari historianëve të artit Senzec dhe Baumgarten për të hulumtuar “drejt pistës hungareze” të interpretimit të tablosë. Por, pas vitit 2021, duke i njohur studiueses amerikane prof. Louise Rice të drejtën e zbulimit të sekretit të veprës së Stella-s nëpërmjet përkrenares së Skënderbeut, ai iu rikthye kohët e fundit për të dytën herë këtij vizatimi për të parë tashmë mjaft elementë të rinj përbërës të kompozimit.14
Në këtë mënyrë, ai e nuancon njëfarësoj konkluzionin e Prof. Rice, e cila sheh në mënyrë të prerë si personazh kryesor të tablosë vetëm Pirron e Epirit. Jo vetëm që ai do të ndalet më gjerësisht te figura historike e Skënderbeut tonë, por mbi të gjitha do t’i referohet ilustrimeve të njohura gravuriale të J. Amman (botuar më 1578), ku shfaqen tiparet e KryeHeroit shqiptar dhe veshja e tij karakteristike.15 E megjithatë, Karspern e mbështet prof. Rice kur thekson se “Është mëse e sigurt se rrëshqitja drejt luftëtarit antik (Pirros) do ketë bërë të mundur që historianes së artit [Louise Rice] t’i çelet rruga për të zgjidhur enigmën e subjektit lidhur me legjendën”.
Kësisoj, edhe Dr. Kerspern i përmbahet në njëfarë mënyre dualizmit apo binomit “Phyrrus/Scanderbeg”, njëjësimit apo shkrirjes së këtyre dy personazhve historikë dhe sheh tek piktori Jacques Stella “artistin që historizon heraldikën… “Domosdo, theksoi ai, subjekti ka të bëjë me artin e emblemës, por është mjaftueshmërisht i personifikuar e simbolizuar duke i çelur udhën shumë studimeve, kur të gjitha, deri tani kërkonin një përmbajtje narrative, e cila, me sa duket, falë mprehtësisë së Louise Rice, po arrin të shfaq dukshëm kuptimin e vet metaforik. Dhe këtu kuptohet, konkludon Kerspern, talenti i pamohueshëm i Stella-s për t’i dhënë formë, nëpërmjet një paraqitjeje të thjeshtë, një mendimi kompleks”.16
Duke u mbështetur në analizën dhe konkluzionet e studiueses amerikane Louise Rice dhe duke vlerësuar kontributin e saj të rëndësishëm në identifikimin e figurës së Skënderbeut paraqitur në qendër të gravurës së piktorit Jacques Stella, ne, nga ana jonë, të bindur që kemi të bëjmë drejtpërdrejt dhe vetëm me figurën e Heroit kombëtar shqiptar, e shohim të arsyeshme të ndalemi në disa elementë të tjerë të veçantë – dhe ende të patrajtuar -, të kësaj vepre artistike, duke i parë tërë elementët të lidhur organikisht mes tyre, me përmbajtje thellësisht shqiptare dhe aspak “metaforike”, “alegorike” apo thjesht “analogjike”, kur kemi parasysh mbi të gjitha të dhënat e shkencës së albanologjisë dhe më konkretisht të skënderbegologjisë.
Po ashtu, mbi bazën e katalogimit kronologjik që ne i kemi bërë ikonografisë skanderbegiane, sidomos asaj të periudhës klasike të shekujve XV-XVII, por edhe më tej deri në shekullin XX, vëmë re se tabloja kompozicionale e piktorit Stella përbën një pikënisje dhe burim prurjesh të reja me mjaft interes lidhur me paraqitjen e figurës së Skënderbeut në një kuadër tashmë mjaft natyror e të natyrshëm, përtej pozicionit klasik të portretit, tek e shohim Heroin tonë kombëtar të rrethuar nga shpura e tij kalorsiake, apo më konkretisht nga shtabi i tij udhëheqës. Andaj guxojmë ta emërtojmë këtë vepër ilustruese “Skënderbeu me shtabin drejtues – Trimi i mirë me shokë shumë”, në idenë madhore “bashkimi bën fuqinë”.
Të ndërgjegjshëm që tabloja na shfaqet në disa rrafshe të mbishtresëzuara, me elementë të shumtë kompozicionalë, theksojmë se ky ilustrim përbën – para së gjithash dhe për vetë kohën kur është realizuar – një risi apo një prurje artistike me rëndësi të veçantë madhore në ikonografinë kastriotine, dhe konkretisht për këto arsye:
Së pari, kemi të drejtë të pohojmë me plot gojën se tematika e përzgjedhur në këtë kompozim grafik të J. Stella-s është kryekëput shqiptare, aspak hungareze, polake a tjetër, aspak aluzive. Djali, apo “shatri” siç është cilësuar, që qëndron në krah të Skënderbeut, nuk është tjetër veçse djali i vetë KryeHeroit shqiptar, është Gjon Kastrioti II rreth moshës 11-12-vjeçare, qytetar nderi i Republikës së Venedikut.
(foto 7) J. Stella, Gjon Kastrioti II në moshën 11-12 vjeçare. Skënderbeu rrethuar nga Shtabi i tij ushtarak.
Rrjedhimisht, për nga vetë mosha e djaloshit (lindur më 1456), piktori Stella shfaq përafërsisht periudhën kohore 1467-1468, apo, të themi, vitin e fundit të jetës së Skënderbeut. Ndalet posaçërisht në këtë periudhë historike për ta veshur me lavdi Gjergj Kastriotin, duke rikujtuar e rikurorëzuar kësisoj Bëmën e tij heroike, kur për një çerek shekulli me radhë ai luftoi pareshtur hordhitë osmane, ushtri të tëra mbi 100 mijë vetëshe udhëhequr nga dy sulltanë, Murati II dhe Mehmeti II, të cilët i theu me dorë të hekurt. Jacques Stella, për mendimin tonë, ngre fuqishëm në piedestal Heroin Kombëtar Shqiptar cilësuar “Atlet i Krishtit”, “Mbrojtës i Europës”, që do komandonte madje edhe kryqëzatën e krishterë kundër Turqisë osmane, superfuqisë së kohës, e cila prej dekadash, po kërcënonte Europën mbarë. Thelbi i përmbajtjes së këtij kompozimi është kësisoj lavdia skanderbegiane, jeta dhe vepra e Heroit shqiptar si shembull frymëzimi i qëndresës së krishterë ndaj Turqisë ekspansioniste të fillimit të shekullit XVII, e cila, përherë e më shumë vazhdonte agresivitetin e vet ndaj Perëndimit, duke shënjestruar qendën e Europës, Vienën17.
Së dyti, nëse piktori Stella vendos në krahun e djathë të Skënderbeut djalin e tij, nuk kemi të bëjmë këtu me një rastësi: djaloshi kastriotin shfaqet si një element i ri, që simbolikisht përfaqëson të ardhmen dhe vazhdimësinë e Bëmës së t’Et. Dhe jo më kot Stella i vë në duar armët e kohës, shqytën dhe shtizën sëpatë, në idenë se të tërë, të rritur e të vegjël janë të armatosur, janë të bashkuar si një trup. Po ashtu, shohim që djaloshi me leshra të gjata mban në qafë një gjerdan me rruzuj (ndoshta ari a argjendi), dhe në krye jo kapë, por një biçim kurore metalike, dy elementë këto që dëshmojnë njëfarësoj për origjinën e tij princërore dhe aspak të një “shatri” të thjeshtë, siç u ka pëlqyer studiuesve të kësaj vepre.