• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BUKURIA QË VJEN NGA SINQERITETI, STILI I LIBRIT “POROSIA E KULLES“ I DR. PASHKO CAMAJT 

December 26, 2024 by s p

Analizë stilistike, nga Rafael Floqi/

Një autobiografi duhet të përmbajë disa cilësi të rëndësishme që e bëjnë të vlerësueshme dhe tërheqëse për lexuesin. Në këtë kontekst, mund të theksojmë disa nga këto cilësi që pasqyrohen edhe në librin “Porosia e kullës” nga Dr. Pashko R. Camaj ose në anglisht “Dreaming from the Trunk of an American Car„( Endërrime në bagazhin e një makine amerikane“, kjo sepse në anglisht autori i drejtohet një audience tjetër për të cilët emigracioni nga Meksika është më i njohur se kulla/tower në arealin shqipfolës, qofshin këta edhe emigrantë të brezit të dytë, gjë që në pamje të parë e bën titullin të duket si më komercial.  “Vijmë kështu te kuptimi i titullit të librit në shqip, Porosia e kullës, në shqip ka kuptim të plotë, por e përkthyer si “The order of tower”në anglisht do të krijonte keqkuptime, a mund t’ja sqarosh dot një amerikani që Tower në shqip nënkupton edhe shtëpinë /banesën,  e kuptuar edhe si “amaneti i kullës”, siç thotë në parathënien e librit shkrimtari, Besnik Mustafaj.

Në jetën e shqiptarëve të Veriut, kulla është njëherësh një simbol i rëndësisë së veantë dhe një realitet konkret. Ajo është një arketip i egzistencës. E tillë na shfaqet ajo edhe në jetën dhe veprën e Pashko R. Camajt. Vepra është një rrëfim sa emocionues po aq edhe intrigues, përmes të cilit autori na sjell grimca nga e kaluara e vet, në formën më të bukur të mundshme, duke rrëfyer, se edhe në Bibël edhe legjendat shqiptare rrëfimi është elementi bazë. Kështu ai trajton një temë aq të pranishme në të gjitha trojet shqiptare, mërgimin, si temë e përbotshme, me të përbashkëtat e veta, por tejet specifike, në të veçantat e veta, si një realitet që nuk ka nevojë për shumë imagjinatë për t’u kuptuar, s’ka nevojë për fiksion.

Autenticiteti dhe ndershmëria 

Një autobiografi duhet të jetë një reflektim i sinqertë i jetës dhe eksperiencave të autorit dhe autori Pashko R. Camaj, ka arritur të paraqesë jetën e tij pa përpjekje për t’u paraqitur, si hero ose viktimë, por duke u fokusuar tek përballjet dhe zgjedhjet e vështira që ka bërë në jetë. Ai ka shmangur dramatizimin dhe ka treguar përvojat e tij në një mënyrë të natyrshme dhe të vërtetë. Ai ka porositë eë asaj kullës së vjetër që janë e gjithë e shkuara e tij dhe fëmijëria e familjes. Një porosi që është vlera e identitetit të tij dhe kjo e vërtetë sado përzierje e objektives me subjektiven është boshti mitik i egzistencës,- kështu kujtimi nuk është një element për ta shtyrë para rrëfimin, por elementi që e lidh atë. 

Rrëfimi i ndërlikuar dhe retrospektiva 

Autobiografia duhet të mundësojë një kuptim të thellë të eksperiencave të autorit, duke i lidhur ato me pasojat dhe refleksionet e mëvonshme. Pashko R. Camaj e përdor retrospektivën për të sjellë kujtimet dhe përballjet e tij me realitetin social dhe politik dhe persekutimet ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi por dhe fatin e malësorëve të emigruar në SHBA. Ky lloj rrëfimi na ofron një pasqyrë të brendshme të autorit dhe një hapësirë për reflektim personal, duke e bërë veprën tërheqëse dhe të pasur me mesazhe. Digresionet për jetën e fëmijërisë dhe ato të rinisë, përplasja me denigrimin e shqiptarëve pa të drejtë që në shkollë, persekutimi në shkollën e mjekësisë dhe në ushtri, pamundësia për të arritur qëllimin e jetës, që qe dhe motivi i largimit nga vendlindja, si dhe realizimi më vonë i ëndrrës së tij në SHBA, e deri tek puna shkencore në ruajtje të shëndetit të banorëve të Mitrovicës në Kosovë, mund të shihen si një farë shpagimi për fatin e jetës së tij ” Të njeriut që do t’i kthejë diçka Atdheut pavarësisht largimit të tij”. 

Vijmë kështu te kuptimi i titullit të librit, në shqip, “Porosia e kullës”. Në jetën e shqiptarëve të Veriut, kulla është njëherësh një simbol i rëndësisë së veçantë dhe një realitet konkret. E tillë na shfaqet ajo edhe në jetën e Pashko R. Camajt. Si simbol ajo mishëron identitetin e spikatur shqiptar, me të cilin është mbrujtur brenda familjes malësore protagonisti i prozës në fjalë. 

“Jetonim në një shoqëri patriarkale, shkruan ai, dhe në Malësi, të gjithë i njihnin të gjithë. Në shumicën e rasteve, shumë nga fqinjët tanë ishin kushërinjtë tanë dhe rrethanat e të gjithëve ishin të njohura për të gjithë. Të gjithë e dinin historinë e familjes së vet, që shkonte brez pas brezi. Fëmijët njiheshin nga ajo se fëmijët e kujt ishin. Unë nuk njihesha as nga emri as nga mbiemri. Përkundrazi, më përmendnin si djalin e Rrokut dhe nipin e Pjetrit, të dy shumë të respektuar dhe madje të nderuar, veçanërisht në rastin e babait tim. Jeta e tyre i ishte përkushtuar kujdesit për familjen, miqtë, besimin dhe kombësinë e tyre. Gjithmonë ngrija kokën lart kur njerëzit flisnin për mua, si për djalin e Rrok Pjetër Zekut. Kjo ishte po aq e vërtetë atëherë, sa është tani.“ 

Edhe pse elementet personalë e bëjnë të veçantë rrëfimin, ndjenja e mëkatit për lëshimin e trojeve të të parëve, me të cilën ballafaqohet autori, është diçka me çka ballafaqohet gjenerata e parë e emigrantëve, ngado që janë, por dhe një forcë që ka mbajtur gjallë shpirtin e familjes, pavarësisht sfidave të shumta. Ta shijojmë atë në këtë pasazh: “Nga lart, mrekullohesha duke parë çdo pëllëmbë tokë, çdo kreshtë dhe luginë në kodrat dhe malet që rrethonin shtëpinë time. Nga aty lart pothuajse mund të prekja vendin ku kishin jetuar të parët e mi, brez pas brezi, në Hotin e Malësisë, në fshatin Spi. Emri i tij mund të ketë ardhur nga fjala shpija, që do të thotë shtëpi. Aty tani kanë mbetur vetëm disa shtëpi dhe kulla, një shtëpi prej guri dykatëshe e ndërtuar gati dy shekuj më parë, si e dëshpëruar, sikur kërkonte mëshirë, më foli. Atje lart në qiell ku isha, më dukej sikur kulla e gurit po thoshte: “Unë jam këtu. Eja, mos më lër të vetmuar.”

Subjektiviteti dhe zëri personal

Kujtimet janë natyrisht subjektive, të formuara nga emocionet, perspektiva dhe reflektimet e autorit. Ky subjektivitet i jep autobiografisë një zë sa unikal dhe personal, i cili është ndryshe nga llojet e tjera të shkrimit. Autori fokusohet në detaje ose përvoja të caktuara që ngjallin emocione të thella, duke ofruar një dritare në botën e tij të brendshme. Përdorimi i detajeve sensorialë—si përshkrimi së një vendi ose ndjenja e një momenti—e bëjnë kujtimin/rrëfimin më të gjallë dhe angazhues, duke e lejuar lexuesin ta përjetojë atë, tani siç ishte një herë atje atëbotë. Vetë kujtimi synon ringjalljen e përjetimit. Të ndjekim një shembull nga fillimi i librit dhe të vlerësojmë zërin e brendshëm të rrëfimtarit.

“Nga taksia mund të dëgjoja “rrapamën” e gomave teksa goditnin këta shënues, pothuajse si një orkestër e sinkronizuar, e caktuar saktësisht për t’u “përplasur” çdo disa sekonda. Shoferi, një burrë rreth të dyzetave, kishte një fytyrë miqësore, të stolisur edhe me një palë mustaqe të holla e të gjata që mezi ia fshihnin puçikët në faqe. Edhe pse i kufizuar në aftësinë tonë për të komunikuar me të, u gjet një gjë që na bashkoi menjëherë. Ishte dashuria jonë e ndërsjellë për futbollin! 

Vlerat dhe ndjenja e identitetit

Autobiografia është një mundësi për të trajtuar lidhjen e thellë me vendin, familjen dhe kulturën dhe unin e narratorit. Libri i Camajt është i mbushur me vlerat e identitetit shqiptar, me pasionin për të ruajtur traditat dhe me ndjenjën e forcës, që buron nga këto rrënjë. Ai tregon se si kulla familjare është jo vetëm një simbol i identitetit, por është kujdesur të ndërtojë një stil të sofistikuar, me figura artistike dhe shprehje që pasqyrojnë një kulturë të gjerë etniko sociale. Kjo e bën veprën më tërheqëse dhe i jep thellësi çdo përshkrimi, qoftë ai për jetën e përditshme, për vështirësitë e emigrimit, apo dhe për reflektimet filozofike mbi jetën. Por aty figuracioni nuk është qëllim në vetevete, figuracioni buron vetevetiu nga të rrëfyerit. Fakti që libri është hartuar fillimisht në anglisht nga një njohës i  gjuhës shqipe, por i sjellë në shqip nga i vëllai Nikolla, është interesant se nuk i ka zbehur vlerat figurative, përkundrazi e ka gjallëruar atë, edhe pse rrëfimi me fjali të shkurtra e bën librin mjaft dinamik plot detaje stilistike.

 Stili mund të përfshijë momente introspektive ku autori pyet saktësinë e kujtimeve të tij ose shqyrton se si kuptimi i atyre ka ndryshuar me kalimin e kohës si tek ky pasazh:

“ Në atë kohë, nuk e pyeta veten nëse ky kishte qenë vendimi i duhur – diçka që më vonë gjatë jetës do ta pyesja shpesh, jo aq për mua, jo aq për të ardhmen time, por më tepër për të kaluarën time. A ishte i gabuar vendimi im për të lënë vendlindjen time, shtëpinë time? …. A përfundoi trashëgimia e tyre, për mua dhe vendlindjen time, me largimin tim – a kam mëkatuar ndaj tyre?

Pashko R. Camaj është i hapur për të folur për realitetin e emigrantëve dhe për vështirësitë që ai ka kaluar, pa e zbukuruar ose idealizuar jetën e tij. Kjo e bën veprën më të sinqertë dhe më të lidhur me lexuesin, i cili mund të ndiejë lidhjen me të përmes përvojave të përbashkëta.

Në këtë autobiografi, kujtimet luajnë një rol thelbësor në formimin e stilit narrativ, tonit dhe strukturës së shkrimit. Ato nuk janë thjesht përsëritje faktike e ngjarjeve, por janë të mbushura me emocion, reflektim dhe njohuri personale. Mënyra se si kujtimet janë ndërtuar në narrativë lejon që kjo autobiografi të kalojë përtej thjesht shkrimit të ngjarjeve, duke u bërë një eksplorim të fuqishëm të identitetit, rritjes dhe kalimit të kohës të vetë rrëfyesit.

” Në moshën njëzetvjeçare dhe të dëshpëruar për të arritur në Amerikë, nuk kishte asgjë për t’u frikësuar – çfarë janë tridhjetë minuta, në fund të fundit? Megjithatë, derisa kapaku po mbyllej, shikova diellin që po venitej dhe shkëlqimin e qiellit portokalli përpara se të mbyllja sytë. Pyesja veten nëse lutja ime e heshtur do të na udhëzonte mua dhe Dritën që të shihnim përsëri dritën e diellit. Kur errësira e bagazhit të makinës gëlltiti diellin, më kapi paniku. Një mori fjalësh “po sikur të” rrotulloheshin në mendjen time… Po sikur të kenë nevojë të fshehin gjurmët dhe të ikin nga patrulla kufitare që mund t’i zbulojë; po sikur të mos marrin pagesën që u takon… dhe të vendosin thjesht të hedhin makinën në hendek, me ne të mbyllur në bagazhin e saj të errët? Jetët tona ishin në duart e njerëzve që nuk i njihnim. Nuk kishim askënd që të na fliste dhe të na qetësonte ankthet.”

Epilog

Në përfundim, ky libër ka thellësi dhe sinqeritet tërheqës, dhe ka mundur të ofrojë një pasqyrë të vërtetë të jetës së autorit, dhe të lidhet me lexuesin përmes temave të përgjithshme dhe atyre specifike, por gjithsesi, strumbullari është kulla dhe arketipi i saj. 

Atje lart në qiell ku isha, më dukej sikur kulla e gurit po thoshte: “Unë jam këtu. Eja, mos më lër të vetmuar.”

Kjo është porosia që Pashku, sic duket e shleu me këtë libër, që i ka të gjitha këto cilësi që përmenda, duke e bërë veprën e tij, sa tërheqëse aq edhe të vlefshme për shumë lexues, si në shqip dhe në anglisht dhe i jep asaj kuptime të shumfishta me vlerë universale për çdo të mërguar në botë.

Filed Under: LETERSI

100 VJETORI I OPERACIONIT TË LIDHJES SË KOMBEVE NË SHQIPËRI NË VITIN 1924 DHE KONTRIBUTI I EUGENE DHE HELENE PITTARD (NOELLE ROGER)

December 26, 2024 by s p

KUDRET ISAJ/

Prof Eugène Pittard dhe kontributi i tij në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919 si dhe në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë në vitin 1920.

Cili ishte Eugène Pittard? Prof. Eugène Pittard përpos faktit që ishte një shkencëtar i shquar zviceran, një princ i antropologjisë dhe i etnografisë së qytetit të Gjenevës, ai ishte gjithashtu një humanist me dimension europian, i cili shkroi dhe botoi vepra të rëndësishme shkencore për Alma Mater-in e tij Gjenevën si dhe për vende të tjera përfshirë këtu në mënyrë të veçantë Shqipërinë duke e merituar plotësisht vendin e tij në panteonin e nderit të kombit shqiptar së bashku me bashkëshorten e tij Hélène Pittard(Dufour) e njohur me pseudonimin Noëlle Roger. Do të hedhim një vështrim të shpejtë të aktivitetit diplomatik dhe politik të Prof Eugène Pittard në lidhje me Shqipërinë. Në janar të vitit 1919, në kutinë postare të Pittard-ëve në rrugën Cottages 36 në Gjenevë mbërrin një letër nga Ambasada amerikane në Paris e nënshkruar nga ambasadori i saj fuqiplotë Hugh Campbell Wallace. Prof Eugène Pittard ftohej të bëhej pjesë e stafit të këshilltarëve të Presidentit amerikan Woodrow Wilson, i cili do të merrte pjesë në konferencën e paqes në Paris. Gjatë ditëve të konferencës, Prof Eugène Pittard pati një bashkëpunim të ngushtë dhe të ndërsjelltë me kolonelin amerikan Edward Mandell House, këshilltar i Presidentit amerikan Woodrow Wilson si dhe me George Herron-in. Ky i fundit ishte një pastor protestant amerikan, i diplomuar në fakultetin teologjik, shkrimtar dhe publicist. Kur George Herron-i banonte në Gjenevë në vitin 1919, ai i kishte përcjellë Presidentit amerikan Woodrow Wilson një kërkesë të Këshillit të Madh të Gjenevës, sipas së cilit, ky Këshill propozonte që selia e Lidhjes së Kombeve të vendosej në Gjenevë. George Herron-i ishte ngarkuar nga qarqet më të larta të Uashingtonit si negociator i posaçëm për zgjidhjen e çështjeve me karakter diplomatik. Ai mbante prej vitesh korrespondencë të rregullt me Dr. Gjergj Adamidin në Gjenevë në lidhje me kauzën shqiptare. Kujtojmë këtu që në vitin 1918, Dr Gjergj Adamidi i kishte dërguar një telegraf dhe një promemorie nga Gjeneva, Presidentit amerikan Woodrow Wilson. Në këtë promemorie, ai i paraqiste burrështetasit të shquar amerikan disa meditime dhe vëzhgime që kishte shkruar mbi afërsinë etnike midis shqiptarëve dhe skocezëve, duke njohur faktin që parardhësit e Presidentit amerikan rridhnin nga Skocia.

Gjatë zhvillimit të punimeve të konferencës së paqes në pallatin e Versajës si dhe në hotelin Crillon ku qëndronte Presidenti amerikan Woodrow Wilson dhe këshilltarët e tij, Prof Eugène Pittard bisedoi me presidentin amerikan në lidhje me statusin e papërcaktuar të Shqipërisë si dhe për rreziqet që i kanoseshin asaj nga fqinjët në jug dhe në veri të vendit. Për fat të keq datën e këtij takimi nuk kemi mundur ta përcaktojmë, megjithatë kemi të njohur një datë tjetër, datën 4 korrik 1918 kur Fan Noli si përfaqësues i federatës shqiptare Vatra të Boston-it bisedoi për Shqipërinë me Presidentin amerikan Woodrow Wilson në malin Vernon ku ndodhet varri i Xhorxh Uashingtonit. Shqipëria në konferencën e paqes në Paris u përfaqësua me disa dërgata : dërgata e qeverisë shqiptare, dërgata e kryesuar nga Esad pashë Toptani, në cilësinë e kryetarit të vetëshpallur të qeverisë shqiptare, dërgata e kolonisë së shqiptarëve të Amerikës ku merrte pjesë Charles Telfort Ericksoni dhe Parashqevi Qiriazi, dërgata e kolonisë së Stambollit, dërgata e kolonisë së Bukureshtit. Prof Eugène Pittard në artikullin e tij me titull : «Kujtime në orën e çajit» shkruar në vitin 1950 dhe botuar disa vite më pas nga Muzeu Etnografik i Gjenevës, kujton se në një bashkëbisedim që ka patur gjatë zhvillimit të konferencës së paqes me këshilltarët amerikanë, ju ka propozuar atyre idenë për riformimin e shtetit shqiptar. Këshilltarët e presidentit amerikan jo vetëm që e mbështetën këtë ide por i shtruan profesorit të antropologjisë në Universitetin e Gjenevës pyetjen e mëposhtme: Përse Zvicra nuk e merr Shqipërinë nën mbrojtjen dhe mandatin e saj ?

Prof Eugène Pittard i entuziazmuar nga mbështetja e këshilltarëve amerikanë niset pa humbur kohë në Bernë për të takuar dhe për të biseduar kokë më kokë me zotin Gustave Ador, i cili në vitin 1919 ushtronte funksionet e Presidentit të Konfederatës Zvicerane. Kur Gustave Ador ushtronte funksionet e Presidentit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të kuq në Gjenevë i kishte mbetur në kujtesë letra e misionarit protestant amerikan Charles Telfort Erickson dërguar nga Elbasani në vitin 1912 mbi gjendjen e mjeruar që ekzistonte në Shqipëri. Nisur nga faktet tronditëse që përmbante letra në fjalë, Gustave Ador ia dërgon këtë letër kryeredaktorit të gazetës Journal de Genève, i cili do ta botonte atë në datën 23 nëntor 1912 me titullin : «Për shqiptarët». Gustave Ador e priti prof Eugène Pittard-in në zyrën e tij në fillim të vitit 1919 dhe e refuzoi kategorikisht propozimin për vënien e Shqipërisë nën mandatin e Konfederatës Zvicerane për shkak se ky hap do të krijonte precedente të paparishikuara në fushën diplomatike.

Prof Eugène Pittard së bashku me bashkëshorten e tij Hélène, e njohur me pseudonimin Noëlle Roger i kishte njohur për herë të parë shqiptarët në Dobruzha të Rumanisë në vitin 1902 kur nisi shtegtimet e tij të para antropologjike. Ndërsa Shqipërinë ata e kishin njohur nëpërmjet Shkodrës, të cilën e kishin vizituar në korrik të vitit 1910, gjatë një udhëtimi që kishin kryer në disa vende të Ballkanit. Ndonëse pas vitit 1910, Prof Eugène Pittard e pati të pamundur të kthehej përsëri në Shqipëri, duhet pohuar që ai e kishte gjetur një pjesë të Shqipërisë në Gjenevë, në Lozanë dhe në disa qytete të tjera zvicerane duke u njohur dhe lidhur miqësi me Midhat Frashërin, Mihal Turtullin, Gjergj Adamidin, Pandeli Calen, Sotir Kolean, Hilmi Këlcyrën dhe të tjerë patriotë shqiptarë. Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë në 17 dhjetor 1920 është një nga aktet më madhore të historisë së Shqipërisë pas shpalljes së pavarësisë nga Ismail Qemali në Vlorë në 28 nëntor të vitit 1912. Pas një lufte të gjatë dhe të parreshtur diplomatike që bënë Lord Robert Cecil, delegat i Afrikës së Jugut, Lord Arthur Balfour, president i qeverisë britanike, Paul Hyman, kryetar i Asamblesë së Lidhjes së Kombeve, Herbert Albert Laurens Fisher, përfaqësues i qeverisë britanike, Eric Drummond, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, Newton Wesley Rowell, përfaqësues i qeverisë kanadeze, Justin Godart, Edith Durham, Eugène Pittard, Aubrey Herbert, Elisabeth Carnavon, Nicolae Iorga e të tjerë miq të devotshëm të shqiptarëve, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve me 35 vota pro dhe 7 abstenime.

Fan Noli, kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, u ul për herë të parë legjitimisht në emër të popullit shqiptar, në emër të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare në të njëjtën tryezë me burrështetasit e Fuqive të Mëdha. Po atë ditë fatlume dhe historike për fatet e Shqipërisë në 17 dhjetor të vitit 1920, Prof Eugène Pittard do të botonte në gazetën «La Suisse» artikullin me titull : «Për Shqipërinë» Kryeministri shqiptar Pandeli Evangjeli në vjeshtën e vitit 1920 i dërgon një telegram frengjisht Fan Nolit, kryetarit të delegacionit shqiptar në Gjenevë, në të cilin shkruan : «Falenderimet më të mira. Stop. Vazhdoni me kolegët misionin duke ndjekur udhëzimet e mëparshme. Stop. Zotërinjtë Hil Mosi, Sotir Coleas, duke qenë të emëruar anëtarë të delegacionit shqiptar në Paris, luten të fillojnë të ushtrojnë detyrën e tyre. Miratojmë emërimin e zotit Eugène Pittard si këshilltar». Duhet të saktësojmë këtu që Dr. Gjergj Adamidi bënte pjesë gjithashtu në delegacionin shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Në 16 dhjetor 1920, një nga poetët më të shquar zviceranë, gjenevasi Henry Spiess do të botonte në gazetën «Journal de Genève» me një dedikas për mikun e tij shqiptar Arif Dinon, poezinë me titull : «Përtej Asamblesë, Shqipëria».

Duke qenë e pandarë mish e shpirt me bashkëshortin e saj, Hélène Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger nuk kishte si të heshtte për këtë ditë të madhe historike për fatet e Shqipërisë dhe në 31 dhjetor të vitit 1920 do të botonte në revistën L’Illustration artikullin me titull : «Pas Asamblesë së Gjenevës». Me propozim të kryeministrit shqiptar Iljaz Vrioni, Këshilli i Naltë i Shtetit Shqiptar i përbërë nga Aqif Elbasani, Dr. Mihal Turtulli, Abdi Toptani dhe imzot Luigj Bumçi do ta emëronte Prof Eugène Pittard-in në datën 29 janar të vitit 1921 konsull i përgjithshëm nderi i shtetit shqiptar në Gjenevë. Për këtë qëllim qeveria shqiptare hapi një zyrë përfaqësimi në Gjenevë(AQSH, v.1921, F.149, D.I-307). Nga gushti deri në tetor të vitit 1921, Prof Eugène Pittard së bashku me bashkëshorten e tij Hélène Pittard(Noëlle Roger) kreu një udhëtim njohës dhe udhëpërshkrues në Shqipëri(AQSH, v.1921, F.152, D. 166 : F.273, v.1921, D.48). Në datën 9 nëntor 1921, Prof Eugène Pittard i dërgoi një kërkesë për takim sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, zotit Eric Drummond për t’a vënë në dijeni për hyrjen e trupave ushtarake jugosllave në krahinën e Dibrës, veprim që binte në kundërshtim të plotë me vendimet e konferencës së Londrës së vitit 1913. A nuk përshfaqet me këtë gjest human zëri i ndërgjegjes së një diplomati, të një shkencëtari dhe të një intelektuali të shquar zviceran për t’i paraqitur Këshillit të Lidhjes së Kombeve të vërtetën lakuriqe në lidhje me situatën alarmante në Shqipëri me statusin e një dëshmitari okular për gjithçka dëgjoi dhe për gjithçka pa me sytë e tij gjatë vizitës në këtë vend !

Pikërisht atë ditë, në datën 9 nëntor të vitit 1921 në Paris u mblodh Konferenca e Ambasadorëve me pjesëmarrjen e Anglisë, Francës, Italisë dhe Japonisë, e cila e rinjohu dhe e sanksionoi Shqipërinë si shtet i pavarur dhe sovran në kufijtë e përcaktuar ndërkombëtarisht në vitin 1913. Duke përvijuar kontributin diplomatik të Prof Eugène Pittard dhe kontributin e tij si konsull i përgjithshëm nderi i shtetit shqiptar në Gjenevë do të kapërcejmë pak në kohë dhe do të ndalemi në fund të viteve 30-të dhe në fillim të viteve 40-të të shekullit të XX-të. Në vitin 1937, Mbretëria shqiptare festoi në Tiranë 25 vjetorin e vetëqeverimit të Shqipërisë, në të cilin morën pjesë shumë personalitete të huaja ndërkombëtare, përfshirë këtu, Norbert Joklin, Amelie von Godin, Charles Telfort Ericksonin, Egon von Berger-Waldenegg-un, Leo Frendlich-in, August Ritter von Kral-in, Armin Aern-in dhe të tjerë. Me rastin e festimeve të 25 vjetorit të vetëqeverimit të Shqipërisë në vitin 1937, zëvëndëskonsulli i Mbretërisë Shqiptare në Gjenevë, Thoma Luarasi i dërgon një letër komisionit të posaçëm të ngritur me këtë rast duke bashkëngjitur një biografi dhe një foto të Eugène Pittard-it. Prof Eugène Pittard me bashkëshorten e tij Hélène Pittard(Noëlle Roger) ishin të ftuar në këto festime, por nuk mundën të merrnin pjesë për shkak të angazhimeve në Gjenevë. Po botojmë një fragment nga kjo letër e shkruar nga Thoma Luarasi, të cilën e kemi gjetur në arkivin e shtetit në Tiranë : «…kam ndër mend t’ju bëj të ditur se z.Prof Eugène Pittard është i vetmi i huaj në juridiksionin e kësaj Përfaqësie Mbretnore, i cili ka prurë shërbime mjaft të mëdha Atdheut tonë(AQSH, v.1937, F.170, D.23).

Konsulli i nderit i Mbretërisë Shqiptare në Bernë në vitin 1937, i ngarkuar për çështjet tregtare ka qënë noteri zviceran Armin Aern, i cili e ushtroi këtë funksion nga viti 1935 deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939. Në vitin 1937, Armin Aern-i i dërgon një letër komisionit të posaçëm të vetëqeverimit në Tiranë duke bashkëngjitur një biografi dhe një foto të Dom Lazër Shantojës. Po citojmë një fragment nga kjo letër, të cilën e kemi gjetur në arkivin e shtetit në Tiranë. «…që nga fundi i vitit 1927 ndodhet në Zvicër. Gjysëm viti qe kapelan në Kështjellën Shënandegg pranë Menzingen dhe gjysëm viti vikar gjerman në Biel. Ka pesë vjet që është famullitar në La Motte në juran e Bernës. Eshtë përkthyes i klerikëve gjermanë në gjuhën shqipe. Ka propaganduar dhe bën të njohur Shqipërinë me anë të artikujve të shkruar në gazeta dhe transmeton me Radio. Megjithë se jeton jashtë Atdheut ai është një patriot i flaktë(AQSH,v.1937, F.170, D.23). Duke vënë në spikamë dashurinë e madhe që Shqipëria i blatoi atij dhe bashkëshortes së tij dhe duke ndjerë një borxh moral ndaj saj, Prof Eugène Pittard me iniciativën e tij formoi në Gjenevë në vitin 1945 komitetin Zvicër-Shqipëri. Miku i tij i vjetër francez ministri Justin Godart do të formonte në Paris në vitin 1950 shoqatën e miqësisë Francë-Shqipëri. Komiteti Zvicër-Shqipëri i Gjenevës me president Prof Eugène Pittard-in përbëhej nga figura të njohura intelektuale të qytetit të Gjenevës dhe nga miq të devotshëm të Shqipërisë, të cilët e ushtruan aktivitetin e tyre për disa vite me radhë duke e ndihmuar Shqipërinë nëpërmjet shoqatës së kryqit të kuq zviceran. Ndokush mund të pyesë : C’përshtypje kishte populli në Shqipëri për Eugène dhe Hélène Pittard-in kur lexonin nëpër gazeta artikujt e tyre në mbrojtje të Shqipërisë ?

Si ishte përfytyrimi i popullit për çiftin zviceran nga Gjeneva, të cilët kishin blatuar një zemër shqiptare ? Mund të pohohet pa asnjë mëdyshje që njerëzit e thjeshtë pa grada dhe funksione në Shqipëri e konsideronin Eugène Pittard-in si djalin e tyre deputet në parlamentin zviceran, e konsideronin atë si përfaqësuesin e tyre në qeverinë zvicerane, i cili të gjitha energjitë e tij intelektuale dhe fizike i vuri në shërbim të Shqipërisë. Ndër gazetat më të rëndësishme, gazetarët e të cilave e ndoqën këmba-këmbës Prof Eugène Pittard-in gjatë vizitave që ai kreu në Shqipëri mund të përmendim revistën Agimi, gazetën Shkumini, gazetën Posta e Korçës, gazetën Fjal’ e Lir, gazetën Koha, gazetën Jet’ e Re, gazetën Përparimi. Këtë mision fisnik, gazetarët e apasionuar të organeve të ndryshme të shtypit e kishin kryer me po të njëjtin pathos dhe përkushtim edhe gjatë vizitave të Edith Durhamit dhe të Justin Godart-it në Shqipëri. Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij Hélène nuk erdhën në Shqipëri si dy turistë zviceranë me çanta me çokollata në shpinë dhe me ora roleks në kyçin e dorës për të fotografuar bukuritë e virgjëra ekzotike të maleve shqiptare apo virgjëreshat e përbetuara, burrneshat shqiptare. Gjatë udhëtimeve të çiftit Pittard në Shqipëri, në mitingjet popullore të organizuara me këtë rast, fjalimet e Prof Eugène Pittard janë përkthyer nga frengjishtja në shqip në mënyrë të njëkohshme nga Dervish Hima dhe nga Selahedin Blloshmi, i diplomuar në akademinë ushtarake Saint – Cyr në Francë.

Në fillimet e shekullit të XX-të, ka patur qytetarë shqiptarë që vinin në Zvicër, në Gjenevë, në Lozanë dhe në qytete të tjera për problemet e tyre, për të regjistruar djalin në kolegj, për ta regjistruar në Universitetin e Gjenevës apo për ta regjistruar në Universitetin e Lozanës, për t’i gjetur një familje zvicerane ku të mësonte gjuhën frënge, për t’i gjetur një vend pune. Para shumë vitesh një mik zviceran më ka treguar që në familjen e tij flitej për një shqiptar nga Shqipëria, i cili e kishte vajzën sëmurë dhe e kishte sjellë në Gjenevë për ta shtruar në spital, por spitali nuk e pranonte pa paguar sigurimet shëndetësore që ishin të larta. Pasi u sorollatën disa ditë pa shpresë nëpër rrugët e Gjenevës, dikush ju dha një pusullë me adresën e shtëpisë së Prof Eugène Pittard-it dhe ata me ngurrim dhe ndrojtje trokitën në portën e tij në rrugën Cottages 36. Të nesërmen në mëngjes, Prof Eugène Pittard pagoi sigurimin shëndetësor dhe plotësoi dokumentet që vajza e re nga Shqipëria të shtrohej në spitalin e Gjenevës.

Vijon në publikimin e ardhshëm…

Filed Under: Histori

Sensibilizimi i Çështjes së Kosovës nga Gazeta ‘Dielli’: Nga Para Lufta, Gjatë Luftës dhe deri në Ditët e Sotme

December 26, 2024 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Gazeta “Dielli” ka luajtur një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e çështjes shqiptare dhe në përhapjen e kulturës dhe diplomacisë shqiptare, veçanërisht për çështjen e Kosovës. Ky rol është shfaqur në disa aspekte kryesore:

1. Promovimi i Kulturës Shqiptare: Gazeta ka kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare, duke e shpërndarë atë përmes artikujve dhe veprimtarive që kanë ndihmuar shqiptarët jashtë atdheut të ruajnë lidhjet me identitetin e tyre kombëtar. Ky angazhim ka krijuar një platformë të rëndësishme për theksimin e vlerave kulturore dhe ka forcuar ndjenjën e komunitetit mes shqiptarëve të diasporës, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

2. Sensibilizimi i Çështjes Kombëtare Shqiptare: Gazeta ka pasur ndikim të madh në informimin e publikut ndërkombëtar mbi statusin e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve në Ballkan. Përdorimi i saj si mjet për promovimin e informacionit ka ndihmuar në krijimin e një imazhi pozitiv të shqiptarëve dhe ka mbështetur çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

3. Diplomacia Amerikane dhe Kosova: “Dielli” ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike midis shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gazeta ka mbështetur procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe ka kontribuar në informimin e opinionit publik amerikan dhe ndërkombëtar për zhvillimet në Ballkan. Në këtë kuadër, “Dielli” ka qenë një faktor kyç për përhapjen e informacionit dhe për ndikimin në diplomacinë amerikane dhe ndërkombëtare në lidhje me çështjet shqiptare dhe statusin e Kosovës.

Gazeta “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra,” ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në sensibilizimin e çështjes së Kosovës që nga fillimi i shekullit XX, duke ofruar një platformë për adresimin e çështjeve kombëtare shqiptare. Gjatë periudhave të ndryshme, përfshirë para dhe gjatë luftës së Kosovës, si dhe në periudhën pas shpalljes së pavarësisë, “Dielli” ka qenë një zë i fuqishëm për çështjen kosovare.

Para Luftës së Kosovës:

• Fokusi historik: Gazeta ka mbështetur kauzën kombëtare shqiptare dhe ka pasqyruar padrejtësitë ndaj shqiptarëve të Kosovës nën regjimin jugosllav, duke trajtuar politikat diskriminuese të Serbisë, përfshirë heqjen e autonomisë së Kosovës në vitin 1989.

• Informimi i diasporës: Në vitet ’90, “Dielli” ndihmoi në mobilizimin e diasporës shqiptare për të sensibilizuar opinionin publik ndërkombëtar mbi shtypjen e shqiptarëve nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.

Gjatë Luftës së Kosovës (1998-1999):

• Lobim për ndërhyrje ndërkombëtare: Gazeta mbështeti fushatën për ndërhyrjen humanitare të NATO-s, duke bërë thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimet etnike ndaj shqiptarëve të Kosovës.

• Bashkëpunimi me diasporën: “Dielli” mobilizoi diasporën shqiptare në SHBA për protesta dhe kontakte me zyrtarët amerikanë, duke kërkuar ndërhyrje ushtarake dhe diplomatike.

Pas Luftës dhe deri në ditët e sotme:

• Mbështetje për shtetësinë e Kosovës: Gazeta ka qenë një mbrojtës i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës, duke pasqyruar shpalljen e pavarësisë në vitin 2008 dhe mbështetur diplomacinë kosovare për njohjet ndërkombëtare.

• Denoncimi i sfidave: “Dielli” ka trajtuar sfidat e Kosovës, përfshirë marrëdhëniet me Serbinë, sfidat politike dhe pengesat ndërkombëtare.

• Platformë për angazhimin e diasporës: Gazeta vazhdon të shërbejë si një urë lidhëse midis diasporës shqiptare dhe çështjeve kombëtare, duke mbajtur çështjen e Kosovës të gjallë në debatin ndërkombëtar dhe kombëtar.

Rëndësia sot:

• “Dielli” vazhdon të mbetet një zë i rëndësishëm i komunitetit shqiptar në SHBA dhe një platformë për trajtimin e çështjeve të rëndësishme për Kosovën, sidomos për integrimin euro-atlantik dhe forcimin e sovranitetit të Kosovës.

• Gazeta gjithashtu luan një rol edukues për brezat e rinj të diasporës shqiptare në ruajtjen e lidhjeve me çështjet kombëtare dhe historinë e Kosovës.

Historia dhe angazhimi i “Diellit” në periudha të ndryshme:

1. Para Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë regjimit jugosllav: Aktivitetet e gazetës përqendroheshin në padrejtësitë ndaj shqiptarëve të Kosovës, pas Traktatit të Londrës (1913), kur ata u lanë nën sundimin serbo-jugosllav. Artikujt pasqyronin dhunën dhe spastrimet etnike të serbëve ndaj shqiptarëve.

2. Gjatë dekadës së ’90 dhe fillimit të luftës së Kosovës: “Dielli” intensifikoi raportimet dhe loboi për ngritjen e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

3. Pas luftës – nga shpallja e pavarësisë deri në ditët e sotme: Gazeta ka pasqyruar shpalljen e pavarësisë dhe ka mbështetur përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Roli i “Diellit” në periudhat kyçe:

1. Raportimi mbi masakrat serbe në Kosovë (1930).

2. Denoncimi i heqjes së autonomisë së Kosovës (1989).

3. Reagimi ndaj masakrës së Prekazit (1998).

4. Mbështetje për ndërhyrjen e NATO-s (1999).

5. Mbështetje për shpalljen e pavarësisë (2008).

6. Denoncimi i Gjykatës Speciale (2020).

Gazeta “Dielli” vazhdon të mbetet një platformë e fuqishme për çështjen e Kosovës, promovimin e integrimit ndërkombëtar dhe forcimin e lidhjeve me SHBA-në dhe aleatët evropianë.

Filed Under: Vatra

AGO AGAJ – ‘’Kosovari nga Vlora‘’  

December 26, 2024 by s p

Atdhetari që s’pushoi së menduari për fatin e K O S O V Ë S.

Përshtypje  udhëtimi.   Kosovë, 1941.

Për  DIELLIN  nga  nipi  i Tij,  Qemal Agaj.  

Duke organizuar librat dhe gjithçka që xhaxai im, Ago Agaj, la mbrapa, gjeta një shkrim me përshtypje udhëtimi të tij në 1941 në krahinën e Kosovës. Në ato pak faqe – një koncentrim letrar – ndihet krenaria, malli, dashuria dhe shqetësimi i autorit për të ardhmen e Kosovës. 

Ato faqe të zverdhura nga koha dhe korektuar me dorë, m’u shfaqën si një thesar prehistorik. Me këto mbresa udhëtimi, 80 vjet më parë, me titull, ‘’UDHËTIM NË KOSOVË DHE NË HISTORI’’ Ago Agaj, fillon librin e tij, ‘’ MILOSHI HEROI I KOSOVËS,’’ një studim i rrallë, ku tenton të vërtetojë se luftëtari në Betejën e Kosovës, 1389, që vrau Sulltan Muratin, ishte me origjinë Shqiptare.

Po i sjell për lexuesit e Diellit këto përshtypje udhëtimi në 30 vjetorin e vdekjes.

 ‘’ Në vitin 1941-1942, më ra rasti ta shihja Kosovën ashtu siç dëshëroja, përsëlargu me dylbi e plot mall, që nga maja e lartë e malit Bishtrik, duke u pështetur për murin e tyrbesë të një të shenjti (Sari Salltëk). Kur një pjesë e madhe e Dardanisë ishte bashkuar me Shqipërinë, nuk më mbante gjë.

     Natyrisht synimi i parë ishte shtëpija e Lidhjes së Prizrenit dhe kalaja në brinjë të malit ku Abdul Frashëri qe burgosur disa kohë. Pashë në Gjakovë vendin e tragjedisë së rrjedhur nga dilema: zakoni, besa, burrërija kundër vullnetit të masave të ndezura edhe ato prej një ideje. Abdullah Pashë Dreni zgjodhi tradicionin dhe vdekjen. U shua me ç’pati e ku pati bashkë me mysafirin dhe këtë nuk e preu në besë.

    Tragjedi kjo që pret hala një dramaturg të aftë që t’a përshkruaj. Rrallë popuj kanë akte vetmohimi të tillë.

     U ngjita në Plavë e Gusinjë të Ali Pashë Gusinjës dhe të Ferrit. Pashë vendet e luftimit kundra ushtrisë turke në Çernavelë e Kaçanik ku shkëlqeu gjenia ushtarake e Isa Boletinit dhe e Idris Seferit, si dhe trimërija e një katholikut të paemër (fatkeqësisht) i cili kur pa se shokët u tronditën prej gjëmëmit shurdhonjës të topave të armikut, mbasi këtë armë s’e kishin parë as dëgjuar më parë, tha: ‘’ Përse, o shokë, do të jetë vdekja prej ‘pushkës së madhe’ më e hidhur se prej plumbit të mauzerit’’ dhe u lëshua drejt për drejt, arriti te topi i parë dhe i ndihmuar prej shokëve që e muar pas, e hodhi topin në greminë, ( Ekrem Bej Vlora, Lebenserinnerungen, Band II, 1912-1925,) Munchen, 1973.

     Pashë monumentat e mbetura të pa prekura që nga koha e Car Dushanit: Manastirin e thjeshtë të Graçanicës dhe atë madhështorin e Deçanit ku ruhet trupi i ballsamosur i këtij sunduesit më të madh të mbretërisë serbe. Dora e tij e hollë dhe delikatesi ajo e një zonje, është në kundërshtim me ‘ dorën e fortë’ që imagjinohet për të.

     Natyrisht dola dhe në malet e Rugovës në vendin e viganëve kokëmbështjellë, në kufinë e vjetër të kohës turke në Qafë të Çakorrit prej ku kanë ardhur përhera dyndjet nga Mali i Zi dhe lehtësisht përfytyrohet se ç’kanë pësuar dyndësit në grykën që del në Pejë prej atyre kokëmbështjellëve.

    Dhe së fundi në Prishtinë ku m’u desh të qëndroja pakë më gjatë se kishte ç’të shihja. Të paktën me sytë e imagjinatës. Në Veri të këtij qyteti është vëndi ku u përpoqën ushtritë serbe, bosnjake – hercekovine e ato shqiptare, me atë të Turqisë. Këta ishin përpjekur edhe më parë me Bizantinët, Bullgarët e Serbët dhe i kishin thyer. Por një rezultat përfundimtar nuk kishin pasur. Për këtë rezultat fati kishte zgjedhur një copë tokë shqiptare, që kaluar në histori me emrat: Kosovopolje, Amselfeld, Fushëkosovë. Të gjithë këta emra kanë të njëjtin kuptim: Fushë e Mëllënjave.

    Sëpari u poqa me tyrbenë e Ghazi Mestan Pashait, më tej një ndërtesë ku ruhen flamurët e asaj beteje. Në kodër një vënd i rrethuar me tela me gjëmba të ndryshkur që shëmtonin vëndin: aty kishte qënë diçka që duhesh të kujtonte Miloshin, vrasësin e Sulltan Muradit.

    Në fund të kodrës turbeja e pastër e Sulltanit vetë e rreth saj varret e pashallarëve të ndryshëm të vrarë në atë ndeshje dhe më vonë. Një familje shqiptare banonte aty afër në një ndërtesë të mirë e të madhe: familja kujdestare brez pas brezi e tyrbesë dhe e varreve.

    Në krye të varrit të Sulltanit një letër e shkruar me pak rreshta dhe Sadi Pejani i shkolluar në Stamboll na e përkëtheu: ‘’ Mos ia kini për mëri askujt vdekjen time se përpara betejës iu luta Zotit të më merrte shpirtin e të më jepte fitoren.’’  Dhe ashtu u bë. Kjo ishte shkurtimisht përmbajtja e letrës dhe porosia e fundit e të vrarit.

Me pakë imagjinatë, duke dalë në maj të kodrës mund të përfytyroje sulmin e kalorisë së rëndë e të ngrirë në hekur të ballkanit dhe atë të kalorisë turke të lehtë e të shkathët dhe gjithë zhvillimin e ndeshjes, por për këtë duhet një penë tjetër më e aftë.

    Kjo ndeshje e një dite qe përfundimtare dhe vulosi fatin e popujve ballkanik gjer përtej portave të Vjenës gjatë qindra vjetëve. Ne Shqiptarëve na solli një luftë dhe gjakëderdhje gjatë afro pesë shekujve. Na shkëputi nga ndikimi evropian, që kishte filluar ‘’Rilindjen’’ e saj, na dha liri të plotë në çdo pikpamje, por na mohoi lirinë politike dhe kështu mbetëm prapa përsa i përketë qytetërimit modern edhe më shumë se sa Turqia vet.. Dëm i madh, të cilin populli ynë që prej ditës së pavarësisë po përpiqet me vrull të madh që ta zhduk.

    Por të mos harrojmë që kjo ndeshje tmerronjëse, e cila i dha fitoren turqve, na shpëtoi nga sllavizmi i plotë dhe vazhdojmë sot të jetojmë si komb me gjuhë e të gjitha karakteristikat kombëtare.

    Më tej varrit të sulltanit më hoqi vrejtjen një fshat i cili nuk pajtohej kurrësesi me përqarkjen: Në të dy anët e rrugës një rradhë shtëpish me arkitekturë, stil e dimensione të njëjta rradhitur në largësi të njëjtë si ushtarë, si shtëpitë ashtu dhe pemët. Ky fshat quhej Milosh-evë. 

   Më përtej një faqe mali, një fshat tjetër ku nxirrej qymyr, Obeliç. U kuptua , Milosheva ishte krijuar prej autoritetit përkatës si model për të gjitha ngujimet e mëtejshme serbe në tokat e grabitura prej Shqiptarëve dhe emri i plotësuar Milosh Obeliç, si simbol nxitës për guxim e vetëmohim.

   Nuk kisha kohë të qëndroja më shumë, se gjenerali Drazha Mihajlloviç kishte sulmuar provincën autonome shqiptare që kishte mbetur brënda kufijve serbe pa u bashkuar me Shqipërinë. Kjo provincë përbëhej prej Mitrovicës, Vuçiternit, Podujevës dhe Pazarit të Ri. Qëndra në Mitrovicë kishte mbetur me Serbinë jo për arësye etnike se Podujeva kishte  95% Shqiptarë, por për shkak të minierës së Trepçës, e pasur shumë në plumb e më në flori e argjënd, të cilën Gjermania nuk mund ta linte në dorën e Italisë e cila në atë kohë kishte zaptuar vëndin tonë, sidomos në kohën që luftonte kundër botës mbarë.

   Për të fituar këtë autonomi u përpoq një komitet i përbër prej, Ferhat Dragës, Rexhep Mitrovicës, Bedri Pejanit, me përfaqësonjës në Beograd Ali Dragën (biri i Ferhatit) dhe Vehbi Frashëri( biri i Mehdi Bej Frashërit). Jashtë komitetit e më vehte punonte Xhafer Deva. Rëndësi kishte Ferhat Beu si shtylla kryesore e papërkulëshme e rezistencës kombëtare që kishte vuajtur edhe burgim të gjatë prej serbëve dhe Xhafer Deva, i ri dinamik, shumë i kulturuar dhe me talent politik të shquar. Kërkoheshin e u fituan të drejta siç u ishin dhënë minoriteteve të tjera p.sh. Baçka e populluar prej Gjermanëve që në kohëra të lashta para disa shekujve.

   Pasi u proklamua prefekti prej Shqiptarëve dhe autoritetit ushtarak gjerman (shkruesi i këtyre radhëve), u procedua me shpejtësi në krijimin e administratës shqiptare, administrata vetë, drejtësia, arsimi, shëndetësia, financa dhe para të gjithave gjindarmërija me uniformë të veçantë me stemën e Skënderbeut në kapelle.

   Kjo autonomi me liri veprimi të plotë nxiti rininë në Shqipëri, ngjalli moskënaqësinë e autoriteteve politike Italiane në vendin tonë dhe më vonë edhe një ndërhyrje të Mussolinit vetë pranë autoriteteve më të larta të qeverisë gjermane. Njëkohësisht shtyti në  veprim ushtarak gjeneralin mbretnor, Drazha Mihajlloviç, që vazhdonte luftimet e tij maleve kundra gjermanëve dhe i panënshtruar qeverisë serbe të asaj kohe, për t’a shuar këtë kandil lirije shqiptare.

Për arësye rivaliteti politik edhe Vojvoda i famshëm i Çetnikëve, Kosta Pestanasi, në bashkëpunim të fshehtë me Beogradin, nuk deshi të mbetej prapa dhe na sulmuan befas në postat e gjerndarmërisë në kufi dhe masakruan gjindarmët tanë, se asnjë nuk u dorëzua i gjallë në Banjskë. Gjëndja ishte shumë kritike mbasi fuqi ushtarake Gjermane, përveç atyre të ngarkuarve me administrimin ushtarak, nuk kishte. Këtë gjëndje të keqe e shpëtoi vetëm ndihma e shpejtë e fshatarëve. Mjaftuan disa telefonime dhe disa kalorës të dërguar natën në krahina dhe në mëngjes arritën vullnetarët e parë dhe u hodhën pa vonesë në luftim, por nuk ishin kurrësesi në gjendje t’i bënin ball divizionit të regjur në luftë të Drazhës dhe atij të Çetnikëve të Vojvodës.

    Atëhere u desh një udhëtim i rrufeshëm i Xhafer Devës, Bajazid Boletinit dhe shkruesit të këtyre radhëve natën fshehurazi, nëpër Pejë, Gjakovë e të tjera vende të Kosovës dhe me thirrjen tradicionale të Dardanëve: ‘’O burra në luftë ,’’ u lëshuan për në front, kush me armë e kush pa armë, aq burra sa duheshin.

    Kush nuk e ka parë me sytë e tij gatishmërinë e këtij populli për t’u hedhur në  zjarr kur vendi është në rrezik, nuk ka si e imagjinon as si e beson. Mal më bëhej zëmra kur shikoja këta difa të lëshoheshin drejtë vdekjes sikur shkonin në dasmë. Luftonin më këmbë, pa u ruajtur dhe duke e paralajmëruar armikun më parë me anë sokëllimash e thirrjesh. Natyrisht që edhe vriteshin dhe unë vajtoja me lot mungesën e një batalioni Labër e Mirditas që i sosen armikut në strofkë natën pa u ndier.

  I kam parë në Kopaunik, Banjskë, Grykën e Rrogoznes, në Pazar të Ri e të tjera vende dhe sot pas 34 vjetëve, këtu në vëndin më të lirë e më të pasur të botës, duke shkruar këto radhë, më kujtohen ata që s’janë më prej tridhjetë e ca vjetëve. Përjashta bie bora flok – flok posi atëhere dhe prijësat e këtyre trimave më dalin si hije përpara: Asllan Boletini, Shaban Poluzha, Mehmed Gradica, Bislim Bajgora e sa e sa të tjerë të cilëve u kërkoj ndjesë që nuk i përmënd dot se mosha e madhe dhe koha e gjatë që ka kaluar m’i ka fshirë nga kujtesa emrat e tyre. Luftuan si luanë dhe mbrojtën vëndin me gjoks më tepër se sa me armë. 

Kater vjet më pas kësaj ngjarje, po këta burra i dolën përpara valës mbytëse sllavo – komuniste, luftuan si heroj të vërtetë dhe lanë jetën e tyre glorioze në Drenicë, në betejën e fundit për atdhe e liri, vetëm, pa asnjë ndihmë ose shpresë nga jashtë. Pas këtyre u shua dhe plaku i rezistencës 25 vjeçare, Ferhat Bej Draga. Më parë i dha rrugën e mërgimit djalit të vetëm që i kishte mbetur, Aliut dhe vetë vendosi t’i shtronte krahët baltës së atdheut, të bëhej njësh me atë për të cilën ishte përpjekur gjithë jetën e gjatë të Tij.

   Gjithë ata që këndojnë këto rreshta, duhet të mos i quajnë elegji e beletristik, por të mundohen e t’a njohin mirë karakterine këtij fisi shqiptar, eksplozivitetin, gatishmërinë e tij për t’u hedhur në flakë si asnjë fis tjetër i kombit tonë. Dhe sidomos ata që merren me çështjen e Kosovës duhet të jenë të ndërgjegjshëm e shumë të kujdesur.

   Pasi u qetësua vëndi, duke u kthyer për në Tiranë, kalova prap nëpër fushën e ndeshjes fatrëndë dhe shikova rrethe përqark se mos shihja ndonjë përkujtimore sado të vogël të asaj ndeshje në të cilën, pak dekada më vonë, Huniadi i famshëm la po në këtë fushë ushtrinë e dërrmuar prej Turqve dhe vetë shpëtoi natën e pa hënë me pak përcjellësa duke ikur për në Veri (Hungari). Skënderbeu që do t’a kishte shpëtuar, arriti tepër vonë dhe s’i mbeti gjë tjetër veçse t’i merrte hakën duke i rën Sërbisë anë e mbanë. 

   M’u kujtua edhe më shumë Miloshi, pasi ndërkohë kisha dëgjuar që Kosovarët e quanin hero të tyre dhe doja të dija diçka më tepër mbi këtë figurë legjendare, por nuk pata mundësi.

    Këtu në këtë vënd të bekuar u takova pas njëzetë vjetëve e pasi brodha tre kontinente, me mikun e vjetër e të dashur, eruditin e historisë tonë, Hasan Dostin dhe Kongresi i Parë i Lidhjes së Dytë të Prizrenit më dha rasti të bisedonim mbi historinë e Djepit të Shqiptarizmës dhe mbi Miloshin. Hasan Dosti më premtoi dhe më dërgoi literaturën përkatëse që kishte gjetur Ai në përpjekjet e tij shumëvjeçare e të palodhura për të mbledhur dokumenta historike që i përkasin popullit tonë.

   Pjesët përkatëse të kësaj literature dhe gojdhanën që vazhdon në Shqipëri, (krahinën e Elbasanit) të vërtetuar prej shumë vetave e që meritojën respekt e besim, po e parashtroj këtu, mbasi është pranuar prej gjithë botës, se çdo gojëdhanë (legjendë ) ka një bërthamë të vërtete.

   Sipas kësaj gojëdhane, Miloshi ka lindur e është rritur në Shqipëri, ku edhe sot jetojnë pasardhësit e tij, pra paska qënë Shqiptar.

   Përpara se të fillojmë me përshkrimin e legjendës të Miloshit, na u duk e arësyeshme të përshkruajmë edhe ndeshjen fatrëndë në Fushë – Kosovë, pa të cilën nuk do të ishte përmëndur fare në histori emri i heroit të kësaj beteje. Prandaj po japim më poshtë gjithë sa kemi mundur të mbledhim prej historianëve të ndryshëm mbi ndeshjen në fjalë…’’  ( A.Agaj, vazhdon me historinë e Heroit të Kosovës, Miloshin)

 Shkruar në Teqenë  Bektshiane  në                                                                                               Taylor (Detroit), Michigan, në Janar, 1975.

AGO   AGAJ , (1897 – 1994.)

Atdhetar dhe veprimtar i shquar, lindi në Smokthinë të Vlorës në Mars, 1897. Në vendlindje mori mësimet e para, kurse shkollën e mesme dhe studimet e larta i kreu në Vjenë në degën e Agrikulturës. I pranishëm në ngritjen e Flamurit në 1912. Pas studimeve,1919, kthehet në Atdhe.  Si anëtar i delegacionit të Vlorës, merr pjesë në Kongresin e Lushnjes në Janar, 1920. Gjashtë muaj më vonë, luftëtar në Luftën e Vlorës dhe ‘’Kronikan Autentik dhe i mrekullushëm’’, i kësaj lufte heroike. 

Bashkëpuntor me Profesorin Gjerman, Ernst Nowak në 1924 në hartimin e topografike dhe gjeologjike të Shqipërisë. Në vitet 1925-26, bashkëpunon me shkencëtarin Zviceran,, Dr. Miller, në kërkimet vajgurore të nëntokës shqiptare. Punoi si agronom në krahina të ndryshme të vendit. Drejtori i parë  i shkollës Bujqësore të Lushnjës. Gjatë luftës së Dytë Botërore shërbeu si  Ministër i Bujqësisë dhe Ekonomisë. Në 1943 emërohet Prefekt në Mitrovicë. Merr pjesë në 16-20 Shtator, 1943, në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, organizuar me nismën e Xhafer Devës me në krye Bedri Pejanin, ku u formua një Organizatë Politike Kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve kombëtare, ku si kryetar u zgjodh, Rexhep Mitrovica. Për dashurinë ndaj Kosovës, ai do të quhej, ‘’Kosovari nga Vlora.’’ Për të përkujtuar atdhetarin e shquar, sot në Mitrovicë një rrugë mban emrin, AGO AGAJ.

Me ardhjen e diktaturës, si anti –komunist, largohet nga Shqipëria. Emigron fillimisht në Austri  dhe Itali. Më vonë në Egjypt, ku punon si agronom në kohën e Mbretit Faruk. Me rrëzimin e Mbretërisë nga një grusht shteti ushtarak udhëhequr nga Naser, në 1952, ashtu si dhe Familja Mbretërore e Zogut, largohet nga Egjypti dhe vendoset përfundimisht në SH.B.A. 

Ka botuar në organet e shtypit të Diasporës, studime historike, gjurmime në fushën e folklorit, monografi etj. Në fjalën ne tij me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Bllokut Kombëtar Indipendent,(1946 -1971), midis të tjerash thotë: ‘’Komunizmi është i vjetër sa njerëzia dhe ka dështuar sa herë është vënë në zbatim. Edhe këtë herë, sado i perfeksionuar që të jetë, do të dështojë, se është në kundërshtim të plotë më ligjet e natyrës së njeriut dhe natyra nuk i fal kurrë  kundërvepronjësit…Shumë kohë para Marksit, i cili shikon vetëm anën materiale, një njeri shumë më i madh nga ai, ‘KRISHTI’, ka thënë se: ‘Njeriu nuk jeton dot vetëm  me ushqimin e trupit, por i duhet edhe ushqimi i shpirtit.’  Ushqimi i shpirtit është liria e mendimit, e cila shfaqet me fjalë, shkrim e veprim dhe ndrit e udhëheq njerëzimin gjithnjë më lartë.’’ 

 Libri i tij, ’’Miloshi Heroi i Kosovës,’’ është një studim enciklopedik, që në kundërshtim me studjuesit sllav, Heroin që vrau Sulltan Muratin në Betejën e Fushë – Kosovë, 1389, e paraqesin me origjinë serbe, Ago Agaj dokumenton se Ai ishte Shqiptar dhe pasardhësit e tij janë familja Blloshmi, nga Librazhdi. 

Është po ashtu autor i librit, ‘’Lufta e Vlorës.’’ Si pjesëmarrës i asaj ngjarje historike, që përcaktoi fatin e Shqipërisë si shtet jo i copëtuar, përshkrimet e tij marrin përmasa epike, kur mendon se fshatarët e një krahine në Jug – Perëndim të Shqipërisë, të  pa stërvitur dhe ‘’me dyfeqet lidhur me gjalmë,’’ siç thotë një vjershë popullore, i shtyrë nga Atdhe-dashuria, hedh në det forcat e një shteti të fuqishëm si Italia. Ngjarje si kjo, janë të rralla në historinë e luftrave.

Kur në vitin 1991, Poeti Visar Zhiti, me rastin e një vizite në SH.B.A. i telefonon nga New York-, u,  pyetja e parë e Xhaxhait ishte: ‘’Bir! Më thuaj si e kam Kosovën.’’ Ja pse ai quhet ‘’Kosovari nga Vlora.’’

Pata fatin t’a takoj Xhaxhanë ( kështu e thërasim në familje), në vizitën time të parë në SH.B.A., në 1990. Shtëpia e Pleqve, ku Ai banonte, ishte jo më shumë se 100 hapa larg nga shtëpia e babait tim dhe vëllait të Tij, Daverit dhe e vizitoja pothuajse çdo ditë.  Trup-gjatë me flokët e zbardhura të shpupuritura edhe pse 93 vjeç dhe me shikim të mjegulluar, qëndronte drejtë, si një figurë Mitologjike. Ky burrë me kulturë të gjerë, fliste rrjedhshëm Gjermanisht, Italisht, Frëngjisht, Arabisht dhe Anglisht. Katër vjet më vonë, Qershor 1994, kur u vendosa përfundimisht me familje në Amerikë, e takova Atë përsëri, por fatkeqësisht për një kohë të shkurtër. Ndërroi jetë në  moshën 97 vjeç, 24 Dhjetor, 1994, në Clearwater, Florida, ku dhe unë banoja.

Filed Under: Politike

JUP KASTRATI DHE AT JUSTIN RROTA DY MENDJE TË NDRITURA ME SHPIRT ATDHETAR

December 26, 2024 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

Pak kohë më parë, doli nga shtypi libri prej 645 faqesh “EPISTULAR” i Prof. Jup Kastratit me At Justin Rrota gjatë viteve 1951 – 1964. Janë letra të shkëmbyera mes dy korifejve të shkencës së gjuhësisë të cilët për fatin e madh, edhe pse ishin banorë të të njëjtit qytet, Shkodrës, janë takuar rrallë. Them kështu, pasi po të takoheshin qoftë dhe çdo ditë kafeneve, nuk do të kishim ndër duar këtë thesar të vyer, sepse nuk thonin kot latinët e vjetër “Verba volant, scripta manent”. Dua të besoj, se në të gjithë historinë tonë, nuk ka një rast të ngjashëm, ku në një korrespondencë private, me letra të dërguara me korrier, të përfshihet kaq dituri, përgjegjësi profesionale e pedagogjike dhe kaq miqësi, sinqeritet, thjeshtësi, mirënjohje e atdhedashuri. E kam kaluar fëmijërinë time, brenda harkut të kësaj periudhe në atë qytet, ku edhe sot e kësaj dite më ndjek pas imazhi mahnitës i bukurive të natyrës, rrugicave ku shermesheku varej mureve të gurta e i shtëpive me ato oborret me trandafila, si dhe mirësia, bujaria e kultura e banorëve të saj.

Por ajo që i ka dhënë Shkodrës një shkëlqim të veçantë mbetet vepra e gjithanëshme intelektuale e shumë burrave e grave, jo pak prej të cilëve, jo vetëm kishin studiuar kryesisht në vendet perëndimore, por edhe sillnin aty ku punonin e krijonin përvoja të reja prej tyre. Dhe ja dy nga ata, me ndryshime dhe të përbashkëta: At Justini i lindur aty nga viti 1889, prift françeskan, pra shërbestar i Zotit, i sëmurë prej një kohe të gjatë, i mbyllur në qelë atje tek Arra e Madhe, thuajse pa asnjë kontakt me jetën e gjallë dhe Jup Kastrati, nja tridhjetë e ca vjet më i ri, dikur nxënës i tij, mysliman, por që beson se Zot në tokë është njeriu, aktivist i angazhuar që lëviz sa në Tiranë aq dhe në qytete të tjera të vendit, por që të dy janë arsimuar në shkollat e huaja, kanë lidhje me mësuesinë dhe sidomos me gjithçka përfshin gjuha qysh nga fonetika, sintaksa, morfologjia, leksikologjinë, ortografia, etimologjia e deri tek albanologjia etj. si dhe etja për të lexuar pareshtur letërsi artistike të autorëve vendas dhe të huaj, në shqip dhe gjuhë të tjera. Kishin një shprehje romakët e dikurshëm “Të barabartët bashkohen”, por sido qoftë edhe pse ata e thërrisnin njëri – tjetrin Mjeshtër e Profesor, përsëri ky i fundit i kujton At Justinit fjalët që Maksim Gorki i drejtonte Kalluzhnij – t i cili e inkurajonte ta botonte “Makar Çudra” – n: “Ju qetë i pari që më vështruet me sy të mirë, t`ambël e të paharrueshëm… Ju jeni i pari që më nxitët me e vështrue vehten me seriozitet”.

Të dy janë autorë veprash të rëndësishme dhe të dy kërkojnë dhe të marrin kontakt e të shkëmbejnë mendime me albanologë nga vende të tjera, të dy konsultohen, miratojnë, sugjerojnë dhe këshillojnë njëri – tjetrin, të dy huajnë leteraturë që vështirë të gjendet. Po ashtu, që të dy i referohen shprehjeve të benjaminit të perandorit August, Horacit (Quintus Horatius Flaccus 65 – 8 para e.r.), me shokë. Dhe është e dhimbshme kur sheh se ata shkencëtarë vuajnë për një makinë shkrimi të saktë, një shirit makine apo pak letër e ndonjë zarf. Pa folur pastaj për varfërinë prej asketi të At Justinit i cili edhe honorare nuk kërkon, por po qe se ata do japin ndonjë shpërblim për librat apo artikuj e tij studimorë, i do ato pak lek për të motrën e cila nuk ka asnjë të ardhur, pasi edhe djalin ja kanë marrë ushtar. Ky Ovid i plakur, siç e quan ai veten, gati paralitik, me njërin sy të verbuar dhe që e këshillon edhe Jupin “Gjithçka me masë” për të ruajtur shëndetin, me zor ngrihet nga shtrati dhe punon paprerë mbi taste me një gisht, vetëm për të thënë brezat, post mortem se “Nuk paska ndejt pa punë”, pa çka se nuk ka mundësi të paguaj daktilografistin dhe pa çka se vepra e tij është ajo e një akademiku të palodhur.

Ai nuk dorëzohet edhe pse i shprehet mikut të tij se “Përrallojshin ata poetët e vjetër për zogun e ujës, mjellmen (cygnus), kinse ky, përpara se me u da këso jete, ia thonte kangës çmos kurr, si me dashë, ndëpër ato melodi të përmallëshme, me i thanë lamtumirë për gjithmon kësaj toke”. Ja pse edhe Prof. Kastrati e vendos atë krahas njerëzve më të shquar, më të ndershëm dhe më atdhetarë që ka nxjerrë Shkodra dhe qysh në janar të vitit 1954 e cilëson: “Mësues i Shqipes për ma se njëzetepesë vjet, lavrues i thellë i `saj, punëtuer i paepun i shkrimtarëve tanë klasikë, transkriptues i monumentit tanë ma të vjetër “Gjon Buzuku”, studjues i auktorëve tanë të vjetër: Matranga, Budi, Bardhi, Bogdani, etj; njohës i hollë i problemavet ma delikate, që paraqet gjuha jonë, përpilues i “Sintaksit” tanë shkencor, i “Historisë s`alfabetit shqip”, i “Analizimit të rasave të t`emnit dhe zhvillimit historik të tyne”; hartues i sa veprave tjera mbi “Letërsinë shqipe”, “Mbi gramatologjinë tonë”, i librave edukativë si “Rreth votrës” etj. dhe me gjithë se i paralizuem prej vjetësh, vazhdon ende sod me punue i palodhun afër dhetë orë në ditë mbi pastrimin e fjalorit tanë nga fjalët e hueja, mbi morfologjinë dhe strukturën gramatikore të gjuhës sanë, mbi ortografinë etj.

Njeri i vullndetit dhe i sakrificës, asht figurë që t`imponon respekt dhe të frymëzon për punë”. Dhe i tillë titan i punës ishte dhe vetë Jup Kastrati, për çka flet e gjithë ajo ai bëri gjatë gjithë jetës. Të tillë e gjeta kur shkova ta takoja me të ndjerin Nasho Jorgaqi: të sëmurë rëndë në odën e fjetjes, mbështetur te koka e shtratit, dhe me një fletore e laps në dorë. Ai edhe në atë gjendje të rënduar kërkonte të dinte nga ne sesi po shkonte simpoziuni për romanin, ashtu sikurse edhe At Justini i kërkonte dikur atij: “Të lutem, më mba në kurrent të jetës letrare kombëtare, dhe mos len gja, të më kalojë ndë heshtim, përsa u përket çashtjeve letrare, gjuhsore, etj., që meritojnë me u dijtë”. Mjafton të përmend se At Justini me të lexuar njoftimin e vitit 1929 se në arkivat e Romës gjendej libri më i vjetër shqip (1555), kishte vrapuar atje dhe me shpenzimet dhe mundin e tij, pas shumë peripecishë, solli në Shqipëri “Mesharin” e famshëm të Gjon Buzukut. Vetëm kjo do të mjaftonte që t`i ngrihej një përmendore atij njeriu, për të cilin prof. Çabej thosh: “Rrota është shkencëtar”.

Por ai nuk e lë me kaq, shkruan ngultas për këtë figurë madhore tonën dhe deklaron se “Unë do të punoj për Buzukun tem; dhe jam i lum, të më gjejë deka tue dritëhuem Klasikun e preferuem!” E si të mos interesohej ai për fillesat e kësaj gjuhe për të cilën Pandeli Llazari dhe Vasil Marku qysh më parë kishin thënë se “Rrënjët e greqishtes së lashtë janë homerike, dhe gjuha homerike është shqipja e sotme”. Nga ana e tij, Prof. Jupi jo vetëm e furnizon me librat që ai i kërkon dhe për gjetjen e të cilave i duhen përpjekje heroike, por dhe e informon për gjithçka ngjet në botën tonë akademike, në konferenca e kongrese kushtuar gjuhës, për diskutimet e mbajtura atje, polemikat e zhvilluara, fjalimet apo artikujt e albanologëve të huaj, botimet periodike, revistat e vendeve të tjera që me kufizime vinin te ne etj. etj.

Një herë t`ia vonojë përgjigjen Profesori, dhe At Justini i shkruan: “Mbi lëvizjen albanologjike të jashtme më ke lanë shurdhë tash do dit”. Po ashtu edhe për vonesën e lajmeve letrare. Por prof. Jup Kastrati është tmerrsisht i ngarkuar; ai është mësues në gjimnaz e Institut ku jep lëndët e lodhshme “Historia e gjuhës shqipe” dhe “Gramatika historike” e më pas Hymje në Linguistikë dhe Gjuhë e sotme shqipe, korrigjon detyrat e një morie nxënësish e studentësh, ndjek provimet e tyre, mbron titullin shkencor, shkruan artikuj të ndryshëm nëpër revista e gazeta, drejton veprimtari të ndryshme deri dhe ceremoni varrimi, shkon shpesh në Tiranë në Akademinë e Shkencave, me atë komunikacionin mjeran, ku e presin aq punë, ndalet në Bibliotekën Kombëtare ku studion autorët që i duhen, takon e shoqëron delegacione, dërgohet për kualifikime jashtë shtetit, shkon nëpër ekspedita shkencore për nëndialektet apo siç pohon vetë, brenda një jave, për të shkuar në 22 fshatra e qytete, përshkon plot 1300 km.

Ai ka dhe detyrime familjare: fejohet, martohet, lind fëmijë parë Laurën fatkeqe e cila vdes pa mbushur vitin gjersa dalin në dritë dy të tjera si yje mençurie. E megjithatë Profesor Jupi me veprën e tij të pamatshme, fiton një reputacion mbarëkombëtar, ai është nga më të respektuarit, si nga kolegët ashtu edhe nga personalitete të huaja, të cilët ose e takojnë në veprimtaritë e organizuara ose i shkojnë për ta vizituar në shtëpi, ku i pret me atë bujarinë e njohur shkodrane, i shkruajnë atij dhe konsultohen me të. Në libër na shfaqen edhe si një homazh për ta, emra të nderuar si Cimochowcki, Desnickaja, Bariçi, Skoku, Novaku, Malinçev, Rosetti, Nahtigal, La Piana, Lambertz, Mustilli, Tagliavini, Roques, Schiro, Seidel, Tamas, Meyer, Camarda e sa e sa të tjerë, për të cilët Ati i thotë Profesorit: “…unë gëzohem, kahë marr vesht: se ende ka njerzë në botë, të cilët interesohen për gjuhën tonë”. Në letrat e shumta të tyre, 299 të tilla, lakohen shumë nga albanologët e shquar, vepra e të cilëve i ka bërë nder Atdheut tonë ndër vite si Nopsca, Laura, Zoltan, Milan, Elekas, Jireçek, Gyula, Sufflay. Dhe sa nderim kanë të dy këta gjuhëtarë për punën e jashtëzakonshme të kolegëve të tyre si Çabej, Xhuvani, Domi, Kostallari, Shuteriqi, Pollo, Riza, Kamsi, Osmani me shokë.

Të habit durimi për të marrë të dhëna të plota dhe të besueshme, qoftë nga autorë të ndryshëm si fjala vjen Hortense Zambaure, dëshmitare okulare apo nga njerëz të thjeshtë që i jetuan ato ngjarje, për shkrime monografike si ai i vrasjes së Hasan Riza Pashës. Ata flasin në letrat e tyre për vlerat letrare e atdhetare të rilindasve si Mjeda, Shiroka, Gurakuqi etj. dhe krahasojnë kontributin letrar të Nolit e Konicës, Fishtës, Migjenit, V. Volajt. Ata shoshisin edhe titujt e librave dhe i japin lejen njëri – tjetrit që të marrin ç`të duan nga ajo që kanë shkruar vetë. Madje edhe për ndonjë epigram, konsultohen me sho – shoqin si për shembull ai i At Justinit për librin e tij “Ditt e mbrame”: “Qytetit tim të shtrenjtë dhe bashkëqytetasve / të Shkodrës jetike zamadhe fisnike / këto fletë të përgjakshme / të cilat / për së shkurtit synojn të endin / ngjarjet e njëj rrethimi / ndër ma të gjatat e tragjiket / që njeh historia e popujvet / me nderim e me mall / Auktori”. Dhe e shkruan këtë libër për atë që përjetuan banorët e qytetit për shtatë muaj rresht “që t`ua la nipave këtë kujtim të tëmershëm, që mos t`u bijë në mendë me zanë në gojë luftën”. Të dy letërkëmbyesit në përditshmërinë e tyre, shqetësohen gjithashtu edhe për një fjalë të vetme, si p.sh. ajo borgjes, hajde, vjedmis, mashalla, apo gjenezën e emrave të njerëzve, qyteteve Rubik, Elbasan, Skampa apo ku ndodhet vendlindja e Buzukut…etj. Ata shfaqin mosmiratimin e tyre për deformimet që i bëhen gjuhës duke përdorur vend e pa vend fjalë të huaja, për të cilat përpilojnë edhe Fjalor. Por, ndërsa Ati bën ndonjë vrejtje për eksponentin e gegnishtesh, Jupin, ky i fundit nga ana e tij, duke e parë më nga afër sesi ecte mendimi akademik për gjuhën, i kumton plakut se “ne jemi në një fazë të normalizimit dhe stabilizimit të gjuhës letrare shqipe”. Kur e sheh se është konstatuar, At Justini krejt natyrshëm i kërkon Profesorit “…ne e pashë ti, të lutem, m`i lyp të falun për gabimin tem” (z. Domi).

Mjeshtri i lutet Profesorit se mos mëson në e ka gjallë vëllanë atje në Vjenë dhe ky i lutet t`i thotë atij që po mundi të gjejë ligjeratën e mbajtur nga Ndre Mjeda në Kongresin e XIII ndërkombëtar të orientalistëve, në Hamburg, në shtatuer të vitit 1902. Kurse Mjeshri vazhdon me kërkesat e tij: “Pyetma një Profesorësh, që të jetë, jo toskë i gegëzuar, por toskë i kulluar, a janë të popullit këto “Shkuesi, i shkueshëm” Fj. E kam për punë të ndrimit të diftongut tematik: një herë me – ua, mandej me ue… në të njëjtën rasë”. Po kështu ata e shtrijnë interesimin edhe te e folura e arbëreshëve, ku diskutojnë “…për sa i përket fazës gjuhësore ndërmjet toskënishtes të Shqipnis dhe të toskënishtes s` Arbëreshëve”. Ata kuptohen fare mirë, dhe shfaqin të njëjtat emocione, pasi për ta është gëzim i veçantë që “…shpejt edhe xansët e shqipes kanë për t`u ushqye në gjuhë të vet me bukurit e xhenivet të dallueme”. Prof. Jupi i jep lajmin e lumtur të krijimit të Universitetit tonë shtetëror Mjeshtrit, por edhe në atë kohë me rreziqe e njofton atë dhe i dërgon me anë të korrierit, Paulinit, librin “Americana” ku i thotë se do të gjejë zanafillën e letërsisë së atij vendi qysh nga Irvingu, Poe, Hawthorne, Melville, Twain, Harte, Bierce, veristët, naturalistët dhe realistët Crane, O`Henry, Norris, London, Dreiser dhe shton: “Aty do të gjeni edhe kulmet e letërsisë me Shervood Andersen dhe laureatin e çmimit “Nobel”: Eugen O`Neill si dhe kontemporanët William Faulkner, Ernest Hemingwey, John Steinbeck, Erskine Caldwell, William Sarayan etj. Unë besoj, se do të Ju pëlqejnë”. Në letrat e tyre, sidomos Ati, mes dhimbjeve e skamjes gjen vend që të përdor edhe një humor të këndshëm. Ja sesi i shprehet ai Profesorit: “Broshurat… M`i len edhe për ndonjë javë, …

Nuk t`i tres; sado që këjo tavolina jeme, prej letrash e tefterësh, ashtë ba aqë, sa me hupë qet me gjithë qerre”. Ose, i kujton se ti biçikletën e din, pse nuk vidhesh ndonji ditë papritmas. Ja pse tani, jo me shaka, kujtoj se këta shqiptarë të mëdhenj, priftërinj eruditë e poliglotë si At Justin Rrota, pushkatonte dhe burgoste regjimi diktatorial te ne, duke i sjellë popullit dhe kulturimit të tij një dëm të jashtëzakonshëm. Dhe për ta mbyllur, kam mendimin se ky libër i sjellë si dhuratë nga vajzat e të paharruarit Profesor Jup Kastratit, do të mbetet një monument si për ata dy burra të rrallë, ashtu edhe si një pikë referimi ku duhet të mësojë dhe të frymëzohet çdo intelektual, sesi duhet punuar me ndërgjgje të lartë për Atdheun. Një pikë referimi, sidomos sot kur Atdheu më shumë se kurrë e do kontributin e gjithkujt. Një pikë referimi që të na kujtojë fjalët e arta të Pol Elyarit se “Nuk vlen asgjë të dashurosh, nëse vajtimi i vendit tënd nuk prek zemrën tënde”.

(Rreth librit “EPISTULAR”… 1951 – 1964 vëll.I).

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 566
  • 567
  • 568
  • 569
  • 570
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT