• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shkolla shqipe “ Gjuha Jonë” në Filadelfia festoi Festat e Fundvitit

December 21, 2024 by s p

Për të gjithë ne, Festat e Fundvitit janë festat më të gëzuara, por vecanërisht për fëmijët ato janë tepër të vecanta. Atmosfera magjike e këtyre festave mbushur me shpresë, gëzim, energji, besim dominonte në festën e organizuar nga Shoqata

Mbarëshqiptare “ Bijtë e Shqipes” në Filadelfia në datën 15 Dhjetor. Dekori festiv i festës zbukuruar shumë bukur nga Glow Event, fëmijë të gëzuar që prisnin me padurim Babagjyshin dhe dhuratat ishin prologu i festës. Urimi i Kryetarit të Shoqatës z. Dritan Matraku për të gjithë shqiptarët e sidomos për komunitetit shqiptar për një vit të mbarë dhe të suksesshëm si dhe për besimtarët kristianë për

festën e Krishtlindjeve u pasua nga performanca e nxënësve tanë. Greisi Parllaku, nxënëse e klasës së tretë do të përcillte mjeshtërisht dhe do të përlotte prindër, gjyshërit me këngën e mallit shumëvjecar “Moj e bukura Arbëri”. Nxënësit e klasës së parë urimin e tyre e përcollën me këngën “Ja na erdhi Viti i Ri”, ndërsa

nxënësit e klasës së dytë nëpërmjet vargjeve të bukura për Festat e Fundvitit. Klasa e tretë do të përcillte vrull dhe energji me kërcimin e tyre te vecante dhe krenarinë për atdheun e prindërve nëpërmjet zërit të Arita Rukiqit me këngën “ Shqipëri/ Kosovë, o nëna ime”. Nxënësit e klasës së katërt dhe të pestë do të uronin me vargjet e bukura dhe domethënëse gjithë shqiptarët. Nuk ishte aspak një aktivitet i zakonshëm , por një talent show i vërtetë. Emocionuese dhe drithërues do të ishte prezantimi i nxënëses së klasës së dytë Estia Liti nëpërmjet kërcimit të baletit klasik. Sara Cela- nxënëse e klasës së dytë do të realizonte një mbyllje fantastike me këngën “ Unë jam lule Dukagjini”.

Dhe Babagjyshi (z.Vasil Gjoni, gjyshi i dy nxënësve tanë) shfaqet. Ai rrethohet nga të gjithë fëmijët. Dhuratat nga shoqata për cdo nxënës , dhurata te dhuruara nga znj. Benilda Pasholli, pica të sponsorizuara nga Eldion Pajollari- State Farm Insurance Agent( donator në cdo festë të nxënësve tanë). Embëlsirat që vetëm dora e Anila’s Kitchen mund të bëjë që gjithmonë nuk mungon në aktivitetet tona, dhe mbelsira te dhuruara nga znj. Lee Moni. këngë , kërcime, kartolina ,lule ,urimet më të ngrohta për një vit të mbarë do të mbyllnin siparin e kesaj feste.

Falenderues dhe mirënjohës për të gjithë mësuesit, prindërit, nxënësit dhe gjithë ata që ndihmuan në realizimin e aktivitetit kaq të bukur, të lirshëm dhe të gëzuar.

I mbarë ardhtë viti 2025 në cdo familje shqiptare kudo që ndodhen!

Rudina Bani,

N/kryetare e Shoqates “Bijtë e Shqipes” dhe mesuese e shkolles shqipe “Gjuha Jonë”.

Filed Under: Komunitet

Ambasadori Jeffry Hovenier – një lider vizionar dhe mik i përkushtuar i Kosovës

December 21, 2024 by s p

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, shprehim mirënjohjen dhe respektin më të thellë për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Jeffry Hovenier, i cili përfundon një mandat të jashtëzakonshëm si përfaqësues i një prej partnerëve më të rëndësishëm të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Trashëgimia që lë pas ky diplomat vizionar do të kujtohet gjatë si një periudhë mbështetjeje të palëkundur, urave të reja të miqësisë dhe diplomacisë ndërtuese për vendin tonë dhe rajonin.

Z. Hovenier ka qenë një figurë unike në shërbimin diplomatik amerikan, i pajisur me një kuptim të thellë të realitetit politik dhe sfidave me të cilat përballet Kosova dhe rajoni i Ballkanit. Që nga emërimi i tij si ambasador në dhjetor të vitit 2021, ai ka qenë një zë i fuqishëm për përparimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe të qëndrueshme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Me angazhimin e tij të paepur, ai ka kontribuar në përpjekjet për të zbutur polarizimet politike, për të nxitur kohezionin social dhe për të zgjeruar perspektivat e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

Puna e Ambasadorit Hovenier gjatë këtyre viteve ka qenë një shembull i shkëlqyer i një diplomacie të orientuar drejt rezultateve, duke ndihmuar në forcimin e institucioneve demokratike të Kosovës dhe promovimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të qëndrueshëm. Ndër angazhimet e tij të shumta për dhe rreth Kosovës, procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka marrë një vëmendje të shtuar, duke përgatitur terrenin për një marrëveshje reciproke që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit dhe hapjen e perspektivave për integrime euro – atlantike.

Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”,është krenare që ka pasur mundësinë të bashkëpunojë me një diplomat të tillë të pashoq, i cili ka ndërtuar aleanca të qëndrueshme dhe ka treguar një ndjeshmëri të thellë ndaj aspiratave të popullit shqiptar. Përkushtimi i tij i sinqertë për paqen, drejtësinë dhe zhvillimin ka frymëzuar një brez të ri liderësh dhe qytetarësh, duke e forcuar pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Teksa Ambasadori Hovenier i jep fund një karriere mbi 30-vjeçare të përkushtuar ndaj shërbimit diplomatik, ne shprehim falënderimet më të sinqerta për udhëheqjen e tij të jashtëzakonshme dhe miqësinë e tij të çmuar. Miqësia dhe bashkëpunimi që kemi ndarë gjatë kësaj kohe do të mbeten një testament i marrëdhënies së veçantë mes popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

VATRA mbetet e përkushtuar për të ndjekur vizionin drejt së ardhmes dhe për të vazhduar ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në interes të Kosovës dhe të gjithë rajonit.

Ambasador Hovenier,

ju falënderojmë për gjithçka që keni bërë dhe ju urojmë suksese të mëtejshme në çdo hap të jetës dhe karrierës suaj të ardhshme. Respekti ynë i ndërsjellë do të mbetet një bazë e fortë për miqësinë dhe bashkëpunimin tonë në të ardhmen.

Me konsideratat më të larta dhe mirënjohje të thellë,

Kryetari i Federatws Panshqiptare tw Amerikës “VATRA”,

Dr. Elmi Berisha

Ambassador Jeffrey Hovenier – A visionary diplomat and dear friend of Kosova

On behalf of the Pan-Albanian Federation of America VATRA, I express the utmost respect and deep gratitude to the US Ambassador in Kosovo, Mr. Jeffrey Hovenier, at the completion of an extraordinary term as representative of one of the most important partners of Kosovo, the United States of America.

The legacy that the visionary diplomat leaves behind will long be remembered as an era of new bridges of friendship with a clear emphasis on constructive diplomacy for our country and the region.

Endowed with a deep understanding of the political reality and evolving challenges faced by Kosovo and the Balkan region, Ambassador Hovenier is a distinctive professional in the American diplomatic service. Starting with his appointment as Ambassador in December 2021, he has been a powerful voice for progress in the Kosovo-Serbia dialogue towards paving a peaceful stable future for all communities in Kosovo. With his relentless commitment, Ambassador Hovenier has contributed in the efforts to mitigate political polarization, to promote social cohesion and expand Kosovo’s perspectives in the Euro-Atlantic integration.

Throughout his term, Ambassador Hovenier has been an excellent example of a result-oriented diplomacy, aimed at strengthening Kosovo’s democratic institutions while promoting security and stability for all. Among his many commitments for and around Kosovo, the Kosovo-Serbia dialogue has taken increased attention preparing the ground for a mutual agreement that will affect directly in the improvement of the economic and political stability of the country and pave the way for Euro-Atlantic integration.

The Pan-Albanian Federation of America VATRA is proud to have had the opportunity to cooperate with such a peerless diplomat who has built lasting alliances while showing a deep sensitivity to the aspirations of the Albanian people. His sincere dedication to peace, justice and prosperity has inspired a new generation of leaders and citizens strengthening Kosovo’s position on the international stage.

As Ambassador Hovenier ends a career of over 30 years of dedicated diplomatic service, we express our sincere thanks for his outstanding leadership and our good friendship. Both the fellowship and cooperation we have shared serve as a testament of a special relationship between the Albanian people and the United States of America.

VATRA is resolved in its commitment to the future vision and to continue building bridges of cooperation and understanding in the interest of Kosovo and the entire region.

Ambassador Hovenier,

Thank you for all you have done! We wish you every success in your life and career in the future. Our mutual respect will ensure that our friendship and coordination carry well onward

With the highest regard and deep gratitude,

Dr. Elmi Berisha

President of the Pan-Albanian Federation of America VATRA

Filed Under: Politike

DAILY EXPRESS (1930) / “DIKTATOR ËSHTË AI QË SHPËRFILL KUSHTETUTËN…” — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME MBRETIN ZOG I NË SHQIPËRI

December 21, 2024 by s p


Burimi : Daily Express, e mërkurë, 2 korrik 1930, faqe n°8
Burimi : Daily Express, e mërkurë, 2 korrik 1930, faqe n°8

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Dhjetor 2024

“Daily Express” ka botuar, të mërkurën e 2 korrikut 1930, në faqen n°8, intervistën ekskluzive asokohe me Mbretin Zog I në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Zogu – një mbret shumë modern

Burimi : Daily Express, e mërkurë, 2 korrik 1930, faqe n°8
Burimi : Daily Express, e mërkurë, 2 korrik 1930, faqe n°8

Nga Alexander Levvey Easterman

Mbreti Zog refuzon të mbajë një kurorë

Nuk do të ketë ceremoni kurorëzimi

Personalisht mbikëqyr çdo departament të shtetit të tij

Mendon se gratë duhet të qëndrojnë jashtë politikës dhe është idhulli i popullit të tij

Tiranë, Shqipëri.

Sapo pata një intervistë të gjatë dhe magjepsëse me një Mbret të ri të mrekullueshëm, i cili, megjithëse ulet në fronin e mbretërisë më të re, më të vogël dhe më pak të njohur evropiane, mund të ketë fuqinë për të ndaluar ose për të shkaktuar shpërthimin e ardhshëm të luftës në Evropë. Kërcënimet dhe sfidat e zjarrta por të paqarta të Musolinit gjatë ditëve të fundit do të kenë një kuptim më të qartë në dritën e vendit të këtij Mbreti në Ballkan.

Zogu, Mbreti i parë i Shqipërisë, është një risi tek monarkët. Ai është i vetmi sundimtar që refuzon të mbajë një kurorë. Ai refuzon, kundër këshillës së ministrave të tij, të ketë një ceremoni kurorëzimi, sepse është shumë i zënë me ndërtimin e shtetit të tij dhe sepse kostoja e ceremonisë, thotë ai, mund të përdoret më mirë në rregullimin e mbretërisë së tij. Ai personalisht drejton çdo departament të shtetit të tij, nga politika e jashtme e lartë deri tek ndërtimi i një rruge të re në kryeqytetin e tij. Ai është autokrat i padiskutueshëm i vendit të tij dhe idhulli i popullit të tij.

Mbreti Zog është vetëm tridhjetë e tre vjeç. Dy vjet më parë, kur ai ishte një qytetar privat, ai krijoi, i vetëm, Mbretërinë e re të Shqipërisë nga një rrëmujë tipike kaotike ballkanike e fraksioneve të panumërta të vogla dhe fiseve ndërluftuese – një ferr grindjesh politike, revolucionesh dhe grindjesh të vazhdueshme. Ai ngriti fronin e tij dhe krijoi një dinasti të re.

Ai qeveris vetëm 800.000 subjekte, por ai mban çelësin e një situate politike që është e mbushur me mundësitë më të rrezikshme për prishjen e paqes europiane.

Ai është i rrethuar nga të gjitha anët nga shtete të reja të fuqishme dhe ambicioze që shkëlqejnë në mënyrë ogurzezë mbi njëri-tjetrin dhe e shikojnë atë me ankth. Në njërën anë qëndron një Jugosllavi e zgjeruar dhe ambicioze nën diktaturën e mbretit Aleksandër, e cila kërkon dëshpërimisht të hapë një dalje në Mesdhe.

Nga ana tjetër, figura e madhe dhe e frikshme e Musolinit bllokon rrugën drejt kësaj daljeje. Mes të dyve, mbretëron një armiqësi kërcënuese, në rritje dhe e rrezikshme. Të dy po luftojnë për kontrollin e Adriatikut që të çon në Mesdhe dhe në fuqizimin botëror.

Mbreti i ri i Shqipërisë dhe mbretëria e tij e sapolindur shtrihen gjeografikisht mes këtyre dy rivalëve të egër. Këto dy kombe po shikojnë me ankth ngritjen e këtij Mbreti të ri; të dy janë rivalë për miqësinë e tij dhe secili është xheloz për çdo shenjë favori që mund t’i tregojë tjetrit. Në atë rivalitet qëndron fara e telasheve për Evropën. Musolini ka shënuar suksesin e parë duke i dhënë hua mbretit Zog 2,000,000 £.

Në këmbim, Italia ka fituar ndikimin tregtar dhe të drejtën për të trajnuar ushtrinë shqiptare. Si pasojë ka tërbim dhe hidhërim në Jugosllavi. “Shkëndija e Ballkanit” më përshkroi Shqipërinë një zyrtar i lartë britanik. Ajo është Belgjika e Evropës Lindore.

Mbreti Zog ka armiqtë e tij xhelozë, të cilët përdorin metoda të çuditshme për të shkatërruar prestigjin e tij dhe për të minuar mbretërinë e tij. Raporte të çuditshme kanë qarkulluar për shumë muaj nëpër kryeqytetet e Evropës se ai po vdiste nga një atentat i ngadaltë në pallatin e tij nga helmi i administruar në mënyrë misterioze dhe se mbretëria e tij, e copëtuar nga revolta, ishte gati të shkërmoqej.

Erdha në Shqipëri për të mësuar të vërtetën për këtë monark të ri dhe aktivitetet e tij. Për dy orë sot, Zogu i Parë më tregoi për sprovat e tij, punën e tij dhe ambiciet e tij për popullin e tij. Ai u përgjigj me gjallëri pyetjeve të mia, por me një vigjilencë të jashtëzakonshme.

Kjo intervistë me një sovran në pushtet ishte, për informalitet, më e veçanta në përvojën time.

Ne u ulëm përballë njëri-tjetrit në një tavolinë të vogël pune, të mbushur me letra, në fund të një dhome të gjatë, të mobiluar thjesht në pallatin dykatësh, me ngjyra, i cili është thjesht një vilë e vogël, me shumë pak pretendime.

Mbreti Zog është një i ri i pashëm, shtatlartë, i zhdërvjellët, me pamje nervoze, me ngjyrë të zbehtë, me mustaqe paksa të gjata, siç është stili shqiptar. Ai u ul në një karrige të madhe, si një fron, të gdhendur me shqiponjën dykrenare shqiptare dhe kishte veshur një uniformë të thjeshtë kaki pa asnjë dekoratë të vetme.

Unë shpreha habinë e këndshme që e pashë atë në një shëndet kaq të mirë, pasi raportet e këqija kishin shprehur të kundërtën.

“Unë nuk jam i befasuar dhe as i mërzitur nga këto forca”, u përgjigj mbreti. “Shumë forca po punojnë kundër meje në një klimë kërcënimesh, sepse unë e kam bashkuar vendin tim dhe i kam kthyer fytyrën drejt paqes dhe përparimit. Këto forca inkurajohen në qarqe të fuqishme dhe janë aq tinëzare, saqë mjetet që kam në dispozicion i shoh shumë të dobëta për t’i luftuar ato.”

“A do të më tregojë Madhëria juaj pikat kryesore të politikës suaj?”

“Me kënaqësi. Është, me një fjalë, liri dhe përparim për vendin tim dhe paqe me fqinjët e mi. Emri i lashtë i vendit tim është, ju kujtohet, Illyria, që do të thotë liri. Ne kemi luftuar dhe vuajtur për të për qindra vjet kundër pushtimit dhe shtypjes së vazhdueshme të huaj.”

“Po politika juaj e brendshme ?”

“Kjo është e thjeshtë. Ju e dini se për shekuj vendi im ka jetuar në një gjendje kaosi për shkak të keqqeverisjes së huaj. Unë kam ndërmend ta ndryshoj atë. Politika ime është ajo e rindërtimit – të përpiqem të kapërcej dekadencën disashekullore dhe ta sjellë Shqipërinë në përputhje me idetë dhe nevojat moderne.”

Mbreti u përkul dhe buzëqeshi me mirënjohje ndërsa unë e përgëzova për këtë veprimtari të jashtëzakonshme. Rrugës për në kryeqytetin kisha parë ndërtesa, rrugë të ndërtuara, laboratorë kërkimorë bujqësorë dhe shumë biznese të tjera të reja.

“Kishte gjithashtu vështirësi fetare,” shtoi ai. “Në Shqipëri ka tre fe të ndryshme dhe të gjitha ishin të përziera në politikë. Unë tani e kam ndarë plotësisht fenë nga shteti. Unë kam dekretuar lirinë dhe barazinë e plotë fetare. Vetë shteti nuk ka fe zyrtare dhe njerëzit janë të lirë të bëjnë çfarë të duan.”

Unë iu referova pozitës së gruas. Kisha lexuar se në Shqipëri pozicioni i tyre tradicional ishte ai i “orendive”. “A do të garantoni barazi gjinore si në Perëndim ?” — e pyeta unë.

“Unë besoj në lirinë kulturore të grave dhe barazinë e tyre përpara ligjit,” ishte përgjigja, “por nuk mendoj se ato duhet të marrin pjesë në politikë. Dua t’i edukoj gratë, por edhe t’i mësoj që të jenë nëna të mira dhe menaxhere shtëpie. Unë dua që gratë shqiptare të jenë gra të mira – si ajo.”

Mbreti u kthye dhe tregoi portretin e një gruaje të pashme në mur, në moshë të mesme. Ai u përkul pothuajse në mënyrë të padukshme para fotografisë. “Ajo është nëna ime,” — tha ai thjesht.

I përmenda se fejesa e fëmijëve dhe martesa kanë qenë të zakonshme në Shqipëri, fejimet e fëmijëve edhe para lindjes. “Unë e kam shfuqizuar të gjithë këtë me një dekret të veçantë dhe” – kjo me një ndjesi krenarie – “është pranuar nga të gjithë pavarësisht zakonit shekullor.”

Mendoj se ky është një nderim i veçantë për aftësinë dhe ndikimin e tij. “Thuhet se sundimi juaj është një diktaturë, një formë qeverisjeje që nuk është shumë e popullarizuar në Perëndim.”

Mbreti Zog ktheu sytë e tij të shkëlqyeshëm nga unë : “Varet se çfarë do të thuash të dish se si qeverisen vendet e tjera, por unë e njoh vendin tim dhe njerëzit e mi. Ashtu si rrobat janë bërë për t’iu përshtatur personit, ashtu edhe sistemet qeverisëse janë krijuar për t’iu përshtatur kombeve individuale. I dhashë vendit një qeveri kushtetuese – një kabinet dhe një parlament. Por qeveria duhet mbajtur nën kontroll të rreptë dhe qeveria ime është përgjegjëse ndaj Kurorës. Është e vërtetë që unë zgjedh kabinetin, por është përgjegjës edhe para Parlamentit. Diktator është ai që shpërfill Kushtetutën. Por unë nuk do të toleroj ‘lobimet qeverisëse’”, shtoi ai ndjeshëm.

E pyeta se çfarë mendonte për mbretërimin në përgjithësi dhe si kishte ndikuar tek ai. “I vetmi ndryshim që ka bërë për mua,” tha ai i zymtë, “është se në vend që të punoj shtatë apo tetë orë në ditë, tani punoj tetëmbëdhjetë dhe mbaj përgjegjësinë e të gjithë shtetit. Unë jam vetëm një punëtor i thjeshtë që bëj punën time. Kjo është gjithçka do të thotë për mua mbretërimi.”

Ai donte të ulej dhe të bisedonte, por duke parë masën e letrave në tavolinën e tij, u ngrita për t’u larguar.

I dhashë lamtumirën time. “Shpresoj se do të vini sërish,” tha ai.

Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve, është një i ri shtatlartë me inteligjencë të jashtëzakonshme. Unë parashikoj që do të dëgjojmë shumë për të dhe se ai do të bëhet një nga shtetarët më të talentuar në Evropë.

Filed Under: Histori

AGO AGAJ – “KOSOVARI NGA VLORA”

December 21, 2024 by s p

Në 30-vjetorin e kalimit të tij në amshim

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Ago Agaj ka ndërruar jetë me 24 dhjetor 1994, në Clearwater të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në moshën 97 vjeçare. Gati një shekull jetë në shërbim të Shqipërisë etnike.  Dr Ago Agaj i përkiste atij brezi shqiptarësh patriotë të cilët regjimi komunist i Enver Hoxhës, ose i dëboi nga Atdheu ose i vrau dhe i burgosi në burgjet dhe kampet e përqëndrimit dhe të punës së detyrueshme, anë e mbanë Shqipërisë. Ishin këta, të urryer dhe të përjashtuar nga komunizmi enverist, cilët ndonëse edhe në mërgim përjetëshëm, nuk e harruan kurrë Atdheun e tyre.  Shumë prej tyre të dëbuar dhe të burgosur nga regjimi zogist e komunist enverist, janë arratisur anë e mbanë botës të përjashtuar e ndonëse të shpallur tradhëtarë dhe armiq të atdheut – në të vërtetë ishin një brez patriotësh të pas Luftës së II Botërore, të cilit i përkiste edhe Prof Ago Agaj. Ndoshta i fundit i kësaj gjenerate burrash të vyer – të pa-përsritshëm — të kombit, mund të ishte Profesor Sami Repishti — cili ndërroi jetë disa javë më parë këtu në Amerikë. Ata ishin patriotë që ushqenin bindje dhe besim të pa lëkundur tek virtytet, vlerat dhe traditat arbërore shekullore të Kombit shqiptar.  Ago Agaj, ishte i këtij brezi që për fat të mirë e të keq të tyre, u përfshi në përplasjet e mëdha botërore të shekullit të kaluar.  Një brez që pak gëzoi e shumë vuajti nepër tallazet e historisë së fillim shekullit të kaluar e deri në Luftën e II Botërore por edhe më vonë në jetën e tyre në mërgim. Kjo për fat të zi të vetin e të familjeve të tyre që kishin lën pas në Shqipërinë komuniste, por edhe për fat të keq të Kombit, pasi idetë e tyre dështuan përball komunizmit ndërkombëtare të kohës, ndërkohë që tani e dimë se Kombi e pësoi si e pësoi, për pothuaj gjysëm shelulli diktaturë komuniste. 

Në këtë 30-vjetor të kalimit në amshim të Dr Ago Agajt, kujtojmë me disa fjalë të këtij shkrimi — modestësisht dhe shkurtimisht – por me qëllim që emri i tij dhe i brezit të tij të patriotëve shqiptarë anti-komunistë të mos zhduket në terrin e interpretimit komunist të historisë, as të mos hidhet në harresë. Inxhinjer Ago Agaj ishte një prej intelektualëve të Kombit që gjithë jetën e tij në atdhe dhe më vonë në mërgim – ia kushtoi fatit dhe interesave të Kombit– anë e mbanë trojeve shqiptare, por sidomos fatit të Dardanisë së okupuar nga Serbia fashisto-komuniste. Megjithse edhe ata i kishin ndryshimet e veta politike me njëri tjetrin, ishte ky brez jo komunist i shqiptarëve të periudhës së luftës dhe më vonë, që pothuaj, pa përjashtim, besonte bindshëm se, “pa Kosovë nuk ka Shqipëri”.  

Ai njihej në komunitet për dashurinë e tij të madhe për Kosovën. Si i tillë,  Ago Agaj njihej edhe si “Kosovari nga Vlora”.  Nëqoftse Agim Karagjozi ishte “kosovari” nga Gjirokastra, Frank Shkreli: Ndërroi jetë “Kosovari” nga Gjirokastra | Gazeta Telegraf — atëherë edhe Dr Ago Agaj mund të themi, me gojën plot, se ishte “kosovari” nga Vlora. I emëruar Prefekt i Mitrovicës në vitin 1941, ai kishte mbetur shumë i lidhur me Kosovën gjithë jetën e tij, madje edhe në mërgim. Në një letër të shkruar disa muaj para se të ndërronte jetë në Florida, 30-vjetë më parë, e që qarkullon në disa shkrime rreth jetës së tij, ai kishte shprehur besimin se fati i Kombit shqiptar është i lidhur ngusht me fatin e Kosovës:


“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i Kombit Shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë nga kthetrat e kuçedrës Serbe, atëherë do të kemi një komb tetë milionësh dhe askush nga fqinjët keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast se Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin Serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për Kombin, për Shqipërinë, për Vlorën… O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjigj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë. Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së tij”, janë fjalët e Ago Agajt se fati i Kombit shqiptar — si në kohën e Ismail Qemalit, ashtu edhe sot – është lidhur në mënyrë të pandashme me fatin e Kosovës, se “pa Kosovë, nuk ka Shqipëri”! 

Ago Agaj, siç thashë më lartë, i përkiste atij brezi të patriotëve anti-komunistë të pas Luftës së II Botërore së cilët ishin të vetdijshëm të këtij fakti e realiteti historik, por fatzi, kombëtar; të ndarjes së Kosovës dhe trojeve të tjera arbërore nga Shqipëria. Të gjithë ata, ashtu siç veproi edhe Ago Agaj, secili në mënyrën e vet, kanë bërë atë që kanë mundur, nën rrethanat e Luftës së II Botërore, për të shpëtuar Kosovën, gjuhën dhe kulturën shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare. Ja si e ka përshkruar Ago Agaj kontributin e njërit prej atij brezi patriotësh shqiptarë, Profesor Ernest Koliqit – mikut të tij dhe bashkpuntorit të ngusht – në hapjen e shkollave dhe në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj, një shërbestar i vyer i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve që shkoi në Kosovë në vitin 1941, ka kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe në Dardani: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji (Koliqi) qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës, përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj, për Ernest Koliqin, njërin prej bashkpuntorëve të tij më të ngusht politik.

Brezi i këtyre patriotëve ia dinin njëri tjetrit meritat dhe kontributet e tyre.  Por për fata të keq, brezi i sotëm i shqiptarëve vazhdon të ndjekin shembullën e ish-regjimit komunist të përjashtimit të këtyre figurave të mëdha të Kombit.  Mohimi i veprimtarive të figurave të ndritura të Kombit dhe përjashtimi i tyre nga historia kombëtare si Ago Agaj e Ernest Koliqi, ndër shumë të tjerë të shekullit të kaluar, jo vetëm gjatë komunizmit por edhe ç’prej shembjes së Murit të Berlinit e deri në ditët e sotme, është njё mёkat ndaj historisë së shqiptarëve, një turp i pashlyeshёm për qeveritë “post-komuniste” të Shqipërisë, por edhe të Kosovës.  Për akademitë e shkencave të dy shteteve shqiptare, për shkollat e universitetet – turp për intelektualët dhe mediat shqiptare në përgjithsi që nuk kujtojnë këta burra të Kombit, për kontributin e tyre historik. 

Duke i hedhur në harresë figurat e Kombit si Ago Agaj, Ernest Koliqi, Gjergj Fishta, Faik Konica e shumë e shumë të tjerë simkëta, dy shtetet shqiptare, sa i përket këtyre figurave kombëtare, Tirana dhe Prishtina zyrtare janë bërë tanimë pjesë e pandarë e krimeve të harresës e të shlyerjes së emrave të këtyre burrave nga historia e trojeve shqiptare. Doni s’doni, pas 35 vjet tranzicion, ju jeni po aq përgjegjës për trajtimin e keq dhe harresën historike të këtyre kontributit të këtyre burrave, aq sa ishin shekullin e kaluar edhe ish-regjimet komuniste anti-kombëtare sllavo-aziatike të Tiranës dhe Beogradit në trajtimin e këtyre burrave të Kombit dhe familjeve të tyre të nderuara.  

A group of people sitting at a table

Description automatically generated

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i ngusht i Profesor Ernest Koliqit. Foto nga darka e Vatrës, Nëntor, 1969 në Nju Jor: Ernest Koliqi me Ingj. Dr Ago Agaj

Disa nga pjesëtarët e brezit të patriotëve shqiptarë në mërgim, bashkohas dhe bashkpuntorë të Ago Agajt: Dr Rexhep Krasniqi, Prof. Vasil Allarupi, një i paidentifikuar dhe Dr Hamdi Oruçi. Në sfondin e pikturës Ernest Koliqi me

Profesor Ago Agaj. Një brez me kontribute të mëdha kombëtare, por megjithkëtë, “Një brezni orëzezë”, do ta cilësonte Ernest Koliqi.

85 Haji Bektash Veli حاج بكتاش ولي (RH) (606-669 AH / 1209-1271 CE ...
Ago Agaj (1897-1994)
XHEVAT KALLAJXHI: ABRAHAM LINKOLNI: MOS U TREMBNI NGA E VËRTETA – MerBraha

Ish-kolegu im në Zërin e Amerikës dikur, Xhevat Kallajxhi më thoshte se me Dr Ago Agajn kalonte verën në Teqenë Bektashiane Shqiptaro-Amerikane të Baba Rexhepit në Detroit

        ——————————————————————————————

NJË PROFIL I SHKURTËR I DR AGO AGAJT – Nga burime të ndryshme. Lindur në Ramicë, Malësi e Vlorë me 7 mars 1897, ndërsa ka ndërruar jetë në Clearwater, të shtetit Florida me 24 dhjetor 1994). Me profesion ka qenë agronom, nëpunës dhe ministër i Ekonomisë Kombëtare. Pjesëmarrës në Luftën e Vlorës, në Lëvizjen e Qershorit dhe i dënuar për pjesëmarrjen në Kryengritjen e Delvinës. Pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist emigroi së pari në Egjipt dhe më pas në Shtetet e Bashkuara, ku iu bashkua shumë bashkevendasve të tij anti-komunistë.  Mësimet e para i ka marrë mori në Vlorë. Studimet e mesme dhe të larta I ka kryer në Vjenë të Austrisë për Inxhinieri-Agrikulturë. Ndërkohë kthehet në Shqipëri më 1919. Ka marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes dhe në Luftën e Vlorës.  Gjatë viteve 1920 – 23, Dr Ago Agaj ka bashkëpunuar me Prof. Dr. Ernst Nowack (1891 – 1946), të Universitetit të Kölnit, për hartimin e Kartës Gjeografike, Topografike dhe Gjeologjike të Shqipërisë dhe më 1924 bëri pjesë në Komisionin për caktimin definitiv të nomenklaturës së Hartës së Shqipërisë. Punoi edhe dy vjet në Poloni e Moldavi dhe kur kthehet në Vlorë, u emërua agronom i zyrës së bujqësisë. Ishte ndër nënshkruesit e mbledhjeve të opozitës në ceremonitë e zhvilluara pas vrasjes së Avni Rustemit. Njihej gjithashtu si mbështetës i  Lëvizjes së qershorit.  Më 1937 arrestohet, gjykohet dhe dënohet me tre vjet burg për pjesëmarrje në kryengritjen e Delvinës.  Dita 7 prill 1939 kur Italia pushtoi Shqipërinë, Agajn e gjen në burg. Pas vitit 1941 shkoi në Mitrovicë të Kosovës, ku u emërua prefekt. Atje drejtoi organizimin e administratës shqiptare, atë të xhandarmërisë vendase dhe të hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Në të njëjtën kohë organizon rezistencën kombëtare, se i duhej të mbrohej edhe nga sulmet çetnike të Drazha Mihajloviçit, me të cilët ndërmerr edhe përpjekje direkte, derisa edhe plagoset. Në bashkëpunim me Vehbi Frashërin bën të mundur shpëtimin e jevgjve të Mitrovicës nga “zgjidhja përfundimtare” naziste. Më 1943-1944 shërben si ministër i Ekonomisë Kombëtare në qeverinë Mitrovica. Më 1944 inspektor epror në këtë ministri. Pas vendosjes së regjimit komunist në atdhe, Dr Agaj u largua fillimisht në Austri e Itali dhe më pas u vendos në Egjipt, për të përfunduar më vonë në Shtetet e Bashkuara. 

Kur u largua nga Shqiperia, Dr Ago Agaj e pati të pamundur të merrte me vete bashkshorten me 5 vajzat e tyre të cilat, si rrjedhim, u internuan dhe vuajtën dënimet dhe persekutimin komunist për gjatë gjithë kohës së sundimit komunist në Shqipëri. 

Frank Shkreli

Filed Under: Interviste

Regjistrimi për Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë

December 21, 2024 by s p

Regjistrimi për Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 574
  • 575
  • 576
  • 577
  • 578
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT