• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

URAN BUTKA DHE “REPLIKA” E TIJ

December 7, 2024 by s p

Kadri Tarelli/

“Shqetësimi im nuk është nëse Zoti është në anën tonë; Shqetësimi im më i madh, është se a jemi ne në anën e Zotit, sepse Zoti gjithmonë ka të drejtë.” – Abraham Linkoln

Përjetime, kundërshti, qëndrime.

Para pak ditësh u ndodha në Tiranë, në përurimin e librit më të ri “Replika”, të studiuesit të njohur Uran Butka. Librin nuk munda ta marr atë ditë, kështu që Urani ma dërgoi në Durrës. Më duhet ta falënderoj dy herë, për librin dhe kujdesin për ta dërguar, lexuar e shijuar më nge.

“Polemika”, që unë e afroj me fjalën shqipe: rrahje mendimesh, mospajtim gjykimesh, apo kundërshti qëndrimesh, mes shkrimtarëve, krijuesve dhe veçanërisht mes studiuesve, sidomos në fushën e historisë, ku qëndrimet nuk përputhen. Gjykoj se, ca më shumë ndodh kur në mes qëndrojnë bindjet, opinionet, këndvështrimet dhe më keq akoma, interesat personale dhe kolektive, të cilat nuk duhet të jenë pjesë e historianëve. Po ja që ndodh, e duhet pranuar mes nesh.

Pavarësisht qasjeve, në shumicën e herëve kundërshtuese, rrahjen e mendimeve, ashtu si edhe autor Butka, e shoh si diçka pozitive dhe të dobishme, si një pasqyrë, ku secili mund të shikojë e ta peshojë veten, në raport me të drejtën dhe me të tjerët. Ai është i drejtpërdrejtë me lexuesin, duke u nisur nga parimi, se fjala duhet thënë ashtu si duhet dhe aty ku duhet. Jo vetëm për njohje, por më shumë për të ndriçuar të vërtetën e fshehur, shtrembëruar, apo të pluhurosur në dosjet e arkivave, njëkohësisht për ta përdorur pa u dridhur, në shkrimet dhe studimet historike. 

Është kjo edhe arsyeja që e vlerësoj së tepërmi autorin, i cili i ka grumbulluar në një libër, të gjitha shkrimet e bëra gjatë kohës. Madje që në ballinë vendos edhe temat e gjetura, në mënyrë që këndonjësi të ndihmohet dhe të ketë një njohje mbi përmbajtjen, pa qenë nevoja të pyesë apo të shfletojë faqet e librit. 

Kjo formë shkrimtarie e zgjedhur kështu, është një arsye më shumë për ta vlerësuar librin, pasi shkrimet që janë të shpërndara në shtypin e kohës, jo të gjithë lexuesit kanë pasur dhe kanë mundësi t’i ndjekin në përditësinë e tyre. Besoj se edhe këndonjësit e zellshëm, madje edhe shkruesit e tjerë, do gjykojnë kështu si unë, kur shprehem: “Shkrimet, edhe kur botohen, janë si kokrrat e grurit që shkoqen nga kalliri, disa harrohen, disa i hanë milingonat, shumë i kalb dheu, disa kanë fatin të futen në thesin apo “arkën e kujtesës”, që është libri, i cili më pas për t’i qëndruar kohës, futet në hambarin e madh të kulturës, që janë bibliotekat e të gjitha llojeve, deri te biblioteka kombëtare”.    

  Lexoj dhe i rilexoj pjesët e këtij libri të rëndë në peshë e mendim, (rreth 490 faqe) dhe më forcohet bindja, se: 

– Të nisësh të bësh replikë, së pari duhet të kesh mbushur mendjen se ke të drejtë. Dhe e drejta është me ty, kur ke njohje dhe sidomos dokumente.

– Të bësh replikë, duhet të matesh mirë. Vërtet e nis përplasjen, por duhet ta mbyllësh atë në formë shteruese, që personi përballë nuk gjen shteg të kundërpërgjigjet. Përjashtojmë sharlatanët që grijë sallatë, ndërsa keqdashësit shpifin edhe gjëra të paqena. 

– Të futesh në replikë, kërkon durim, përmbajtje dhe shumë guxim, pasi siç është bërë e modës, duke parë debate televizive, apo edhe shkrime gazete, ndodh që kur kundërshtari nuk ka ç’të thotë, pasi i “mbarojnë fishekët”, hidhet në akuza duke prekur jetën personale, që s’kanë lidhje me temën, madje për turpin e tyre dhe të studios televizive, fillojnë e nuk përjashtojnë të baltosin edhe pjesëtarë të familjes, etj, etj. Në këtë zallamahi të pështirë, futen e dhe politikanët, që pasi shahen me libër shtëpie, nuk habitemi t’i shohim bashkë duke u përqafuar, duke u puthur e lëpirë, sikur nuk ka ndodhur gjë. Madje kanë shpikur edhe një fjalë, që nuk pranon koment: “Kështu e do politika…….!”.

E njoh prej kohësh penën e autorit Butka, kështu më duhet të them se ai i ka të gjitha, si kulturën e të studiuarit, të gjykuarit e të shkruarit, ashtu edhe thesin plot me dokumente të mbledhura nga shtypi, nga librat, më së shumti nga arkivat, që i ka me shumë merak dhe, që i zbraz e i shkund, sa herë hyn në përplasje mbi tema historike.  

Nuk kam ndërmend t’i bëj analizë klasike të gjithë librit, pasi kështu veproj përgjithësisht, sepse është lexuesi që bën vlerësimin, kur ta mbarojë edhe faqen e fundit. Veç një fjalë më duhet ta them që në fillim: Është libri që nuk më lëshon nga dora, edhe kur lodhem apo nuk kam kohë të merrem me të. Këtu më duhet të shtoj, se ky libër në vetvete përmban një pasurinë dokumentare për t’u lakmuar. Dokumente të grumbulluara me shumë durim e kujdes, shumë prej tyre po i ndesh për herë të parë. Një arkiv i tërë, i shtrirë në kohë, më pas qepur aq hollë e bindshëm, pa qenë nevoja e fjalëve të tepërta, për të mos lënë shteg për ndërhyrje, hamendsime apo mëdyshje.

Në libër gjejmë mjaft tema të thukta për diskutim: “Kadareja i rrezikuar”. (Refleksione mbi ditarin sekret të E. Hoxhës), “Mustafa Gjinishi- tradhtar, dëshmor apo viktimë”, “Polemikë me Xhelal Gjeçovin, mbi kolaboracionizmin”, “Polemikë me ata historianë që e kanë trajtuar njëanshmërisht Kongresin e Përmetit”, “Një përgjigje për nostalgjikët e Fadil Hoxhës”, “Refleksion – A ishte terroriste shkencëtarja Sabiha Kasimati?”, etj, etj. Këtu do të ndeshim shumë ngjarje që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare, shumë prej tyre shoqëruar e përfunduar tragjikisht, e me plot dhimbje njerëzore. Dhe, ata që janë përgjegjës apo të përzierë në rrethana të caktuara, as nuk pendohen, as kërkojnë falje. Madje gjejnë vend dhe kohë të mburren se kanë vrarë, torturuar, ndëshkuar, poshtëruar dhe përbuzur pa shkak, shqiptarin “Armik”. Nuk çuditem! Po “Armik”, ndaj kujt? Ndaj popullit, Atdheut apo Partisë…..!? 

Kjo e fundit është marrëzi më vete, ta mendosh dhe tragjike ta jetosh, pasi qëllimisht gjatë luftës, u zgjodh e u hodh në sofrën tonë, si peshqesh dhe ushqim përçarës për gjithë kombin, “Ne dhe ata”. Askush nuk e mendonte se edhe pas kaq vjetësh në ndryshim sistemi, kjo farë e ndyrë e urrejtjes, na ka mbirë në derë dhe s’po e shkulim dot. Më keq akoma, kur ka gjetur vend dhe strehë te mendjet e ndritura e të ditura.

Nuk dua të ndalem këtu, pasi më pëlqen të ngulem te polemika me historianët tanë me emër të “Madh”, që siç del edhe në këtë libër voluminoz, shumë herë e shtrembërojnë, e masakrojnë, e fshehin qëllimisht historinë, por në dukje si pa dashje. Pse e bëjnë këtë? Më mirë e dinë ata vetë. Ndërsa unë po shtoj: “Kurdoherë, shkrimtari dhe studiuesi, flet e shkruan aq sa di dhe aq sa do!”. 

Në libër ndeshim shkrime të lehtë në përmbajtje, por që lëndojnë plagët e shpirtit, mjaftohem të përmend: 

– Përgjigje ndaj gazetarit, E. Kalo, që shkruan: “Keni qenë apo jeni bërë i persekutuar politik?”. Shkrim botuar te gazeta “Koha jonë”. 4 nëntor 1992. 

– Një polemikë e beftë me prokurorin Aranit Çerla. Kam përshtypjen se kjo përplasje fjalësh të çastit, mund të shkruhet më gjerë, si një novelë me kumt të hidhur.

Nëse do të më duhej të përmend të gjithë personazhet e librit, do të shtrëngohem të mbush faqe të tëra, kur edhe vetë bezdisem, pasi nuk i shtoj vlerë librit me përsëritjet e padobishme. Ndaj po ngulem pak mbi temën historike të përplasjes së shqiptarëve gjatë Luftës së II-të botërore, të njehur ndryshe, si Lufta antifashiste, Nacional-Çlirimtare. Mjaftohem të ndalem te shkrimi i gjatë: 

– “A ka kaluar Rubikonin, historiani Kristo Frashëri?” – Pyet Uran Butka. Lexoni dhe do të gjeni çudira. Së pari, nga dokumentet e shumta të hedhur në tavolinë. – “Me rënien e regjimit komunist Kristo Frashëri, – shkruan Butka,-  është i pari historian i brezit të vjetër, që kapërceu Rubikonin dhe arriti të pranonte disa të vërteta mbi luftën antifashiste, …… pra bëri një hap të duhur, por jo më tutje…..”, shkruan autori, Faqe 81-82

Lexoni ç’thotë, Tuk Jakova, faqe 96, Gogo Nushi, Faqe 96.

Fillimi dhe fundi i asaj zallamahie që përfshiu të gjithë shqiptarët. – “Në themel ishte çështja e pushtetit. Kështu lufta NÇl, e nisur si luftë patriotike dhe  antifashiste, duke u gërshetuar me detyrat e revolucionit komunist, për marrje e pushtetit me gjak, e humbi karakterin e saj fillestar……..! U shndërrua në Luftë civile”. Faqe 97. Temë e rrahur gjerësisht nga autori Butka, edhe në librin madhor “Lufta Civile në Shqipëri,1943-1945”.

Në takime me shkrimtarë dhe personalitete me  emër, që futen si pykë e kalbur në sinorët e historisë, e dëgjoj shpesh shprehjen, – “Tek ne nuk ka patur Luftë Civile”. Nuk e vlen të hysh në diskutim me ata, pasi nuk ndryshon gjë, por kur e thotë një historian i nivelit të Kristo Frashërit, duhet vënë duar në kokë. Lexoni vetë këto pak fjalë: Kristo Frashëri e mohon Luftën Civile. Atë e quan me termin “Luftë vëllavrasëse”, Faqe 98. 

Sa keq…..! Përplasja mes shqiptarëve nuk ishte, “Valle shpatash” në skenë koncertesh, as “Prerje e gishtit të vogël”, për të pirë gjak e për t’u bërë vëllezër, as “Grusht shteti”, kur një grup njerëzish, rrëzojnë një qeveri dhe marrin pushtetin. Ishte luftë që zgjati më shumë se një vit, Shtator 1943 – Nëntor 1944, ku u përfshinë mijëra luftëtarë dhe u vranë mijëra djem të rinj partizanë dhe nacionalistë. 

Kur këtë e thonë historianët tanë, si Uran Butka, disa nga ne kundërshtojnë, disa bëjnë sikur nuk e besojnë, disa “përdridhen” nga që nuk duan të besojnë…..! Kështu autori fton të huajt të na rrëfejnë, duke bërë pyetjen: – “Ç’thonë të huajt mbi luftën civile?”: 

Julian Emery shkruan: ….. “Kjo luftë civile nuk kishte asnjë lidhje me Çlirimin Kombëtar……. ishte për të ardhur keq që lufta civile kishte marrë përparësi mbi luftën për çlirim. Konferenca e Labinotit, 4-9 shtator, 1943, urdhëroi për nisjen e luftës së armatosu kundër Nacionalistëve dhe marrjen e pushtetit me çdo mënyrë, qysh gjatë luftës”. Faqe 98. 

Më tej: Kristo Frashëri mbeti besnik i të rënëve, 28.000. dëshmorë. Pse? – Kur dokumenti i këshillit të ministrave, viti 1945, shënon 2519 dëshmorë. Më vjen keq ta besoj, por ja që ndodh edhe kështu…..!

Autori bën edhe një pyetje të hidhur: – Krosto Frashëri, pse hesht për “Masakrën e Tivarit”, ku u vranë mijëra djem luftëtarë të çarmatosur, shkulur nga trojet e Dardanisë? – Pyetje e mbetur pa përgjigje……!!!

Në libër preket edhe një temë që vazhdon të hajë diskutim mes historianëve, që për fat të keq nuk shkulen nga llogoret e të shkuarës, siç është shkrimi: “Polemikë me Marenglen Kasmin, mbi marrëveshjen e Mukjes”. Një temë vërtet e nxehtë si atëherë edhe sot para 81 vjetësh.

Edhe unë jam në një mendje si autori Uran Butka, që e vlerësoj madhërisht “Mukjen”, këtë ngjarje kulmore në historinë tonë. Madje mund ta krahasojmë me “Lidhjen e Lezhës”, 1444, “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, 1878, “Kongresin e Manastirit”, 1998, dhe “Shpalljen e Mëvetësisë”, 1912. Sepse “Marrëveshja” lindi si nevojë e kohës dhe u ndihmua edhe nga aleatët, për një luftë të përbashkët të të gjithë faktorëve shqiptarë”. – Thotë Butka. Por Fatkeqësisht u gris, u shkërmoq, u mallkua dhe me gjak u mbulua, nga drejtuesit e Luftës NÇl. Nëse do të zbatoheshin vendimet e saj, historia do të shkruhej ndryshe. Por,….. përvoja na mëson se, “Historia nuk bëhet me sikur…..!”.

Ja si shkruan Gjenerali Dejvis, në bisedë me E. Hoxhën: “Mendoja të ndaloja gjakderdhjen e popullit shqiptar, por nuk ia arrita. Dhe, këndej e tutje nuk do të përzihem në vëllavrasjen tuaj…..”. Faqe 170. 

Pasojat tragjike të ndarjes, atëherë me fillimin e luftës, fatkeqësisht ndjehen edhe sot e kësaj dite, në mjedisin tonë, në biseda të rëndomta, por edhe te historianët dhe politikanët, që ende i fryjnë atij zjarri “Ne dhe ata”.

Në fund po ndalem edhe tek shkrimi:  

“Pëllumb Xhufi, thërret në ndihmë fantazmën e Xhelal Staraveckës”. Shkrim, të cilin më vjen keq që po e lexoj për herë të parë. Them më vjen keq, pasi më duket e pabesueshme që një historian i përmasave të Pëllumb Xhufit, të ulet në prehrin e Xhelal Staraveckës, pasi siç po shoh, ai si njeri dhe shkrues kujtimesh, me përjashtim të përshkrimit realist të disa ngjarjeve, nuk ka parime, as bosht apo shtyllë kurrizore. Mjafton të kërkojmë përgjigjet e disa pyetjeve që autor Butka, i shtron në kuvend bisede: 

– Cili është i vërtetë: –  libri  “Torturë e Terror”, shkruar në vitin 1944, apo libri “Përpara gjyqit të historisë”, shkruar dorëshkrim më, 1966, dhe botuar në vitin 2012. Kë të besojmë, atë që u shkrua duke fërkuar duart në zjarrin e luftës ende të pa mbyllur, apo atë që u qullos duke u ngrohur pranë zjarrit, në Paris…!? Më tej vijojnë pyetjet për Xhelalin: – Pse i demaskoi si terroristë, udhëheqësit e luftës NÇL? – Pse dezertoi dhe e tradhtoi këtë luftë…? – Pse u kthye të luftonte me armë kundër saj….? – Pse më vonë u bashkua me Kolaboracionistët…..? Dhe më pas, – Pse dënohet nga drejtësia italiane për krimet e tij të luftës, si fillim “Me burgim të përjetshëm”, më pas me 10 vjet burg, në Itali….? Faqe 151. 

Besoj se nuk ka vend të presësh përgjigje. Një shkrimtar serioz që futet të shkruajë histori, e di mirë se libri historik nuk është telajo pikture, që mund ta bojatisësh sa herë sheh ëndrra të bukura apo të trishtuara. Shtesat dhe ndryshimet mund të bëhen për plotësim, kur ka dokumente të gjetura rishtas, si vlerë e shtuar për publikun. 

Në fund, duke bërë një përmbledhje të asaj që shkruhet në këtë libër, shtyhem të shtoj edhe pak fjalë: Uran Butka ka meritë që duhet vlerësuar, sepse libri është sa mësimor e njohës, aq edhe edukativ. Ndërkohë, gjithkush nga këndonjësit ve në kandar të gjykimit, të vërtetat që shfaq njëri dhe pretendimin që shpërfaq tjetri.

Urime dhe suksese, i nderuar z. Uran! Ky libër le të shërbejë si model i rrahjes së mendimeve, pa fyerje, pa ngritje zëri, pa sharje e baltosje të mendimtarit dhe mendimit ndryshe.

Jetë dhe Shëndet për libra të tjerë me po kaq vlerë……! 

Urime!

Kadri Tarelli

Vjeshta e tretë, 2024.

Filed Under: ESSE

“PRENDIMI I ANDRRIMEVE”, POEZIA E GASPER PALIT

December 7, 2024 by s p

– Nën kujdesin e Lisandri Kolës -/

Do të desha të thosha diçka, një mbresë a një mendim, thjeshtë që t’i ngjante një trendafili mbi mermer, për poezinë e Gasper Palit. Që kur më erdhi libri, e marr shpesh ndër duar, e shfletoj, i hollë dhe fin si vetë poezia, e nxori këtë vit botuesi “Berk” në Tiranë, e përgatiti studiuesi dhe shkrimtari Lisandri Kola, përmblodhi të gjithë buqetën e poezive, i pajisi me shënime, vuri një parathënie rigorose me informim, një shtojcë në fund, fotografi e faksimile, një “plotëni e adhurueme”, – do të thosha në të folmen e poetit dhe të përgatitësit të librit, shkodranë të dy, të kohëve të ndryshëm, por dhe të një vazhdimësie poetike, edhe pse dhe ato të ndryshme, por i bashkon bukuria, përzierë me një si pikëllim…

Këtë do të desha të shpreh, por mbase herë tjetër më mirë…

Marr prapë ndër duar librin, Gasper Pali lindi në Shkodër në vitin 1916, lexoj… pra, 4 vjet pasi Shqipëria u shpall e pavarur nga një perandori, ajo otomane, që po binte, – them me vete. Gasper Pali vdes në Shkodër në vitin 1942, kur vendi kishte 3 vjet që ishte pushtuar nga Italia fashiste, që donte të bëhej perandori.

Vetëm 26 vjet jetoi Poeti, sa pikëllim dhe shqyrtoj me vete se ai rreth 19 a 20 vjet jetoi në kohë pavarësie, mes rënies dhe mosngritjes së dy perandorive, në një vend të vogël e të mjerë midis, por në qytetin e veriut të tij me legjenda dhe kulturë, ndër më të lashtit në Europë…

Gasper Pali – meteorit në poezinë moderne shqipe, – them me vete, shkëlqeu befas dhe u shua, sa shpejt!

Si bashkëqytetari dhe bashkëkohësi tjetër i tij, Migjeni shpërthyes, 26 vjeçarë të dy, s’e di a janë takuar a kanë ndejtur bashkë, njeri pas tjetrit i hëngri tuberkulozi, por jo vetëm, – shtoj me dhimbje, – edhe poezia, korifej të vargut të lirë shqip.

Gaspër Pali është vetëm i lirë, por s’bëj dot krahësime, as është qëllimi im, vetëm desha të përshëndes botimin e ri të poezisë së Gaspër Palit, që do të duhej ta dinim më mirë dhe më shumë. Dhe ta duam…

Dhe mbase kritikët e studiuesit do të flasin prapë, pa paragjykime dhe të lirë, më me kompetencë për poezinë e tij, që rishfaqet dhe harrohet, për vezullimet e zymta të saj në vitet e arta ‘30 të letrave shqipe dhe të mendimit pluralist dhe vendin që duhet të zerë në historinë e letërsisë shqipe, te poezia, etj.

Gasper Pali – muzikant dhe poet, – ndërmend, – prandaj dhe në poezinë e tij ka muzikë të fshehtë dhe trishtim, trishtim perëndimor, kohe dhe kulture.

Tre gjëra e vranë atë shumë,

– një: pushtimi i vendit nga Italia fashiste, edhe pse vetë kishte studiuar për letërsi në Itali, në Firencen magjepsëse,

– dy: një dashuri e pafat me një siçiliane në Itali dhe

– tre: tuberkulozi i pashërueshëm atëhere.

Dhe mbaroi si Migjeni. Por të paktën as Migjenit e as Gasper Palit s’ua vrau poezinë Realizmi Socialist që do të vinte më pas, i një perandorie të tretë më mizore.

Si një ngushëllim marr prapë librin ndër duar, i ngrohtë dhe si i verdhëllemtë, s’e di pse, nga sëmundja a trishtimi i përbashkët, se “bota e njerëzimi tashma, dritën ka fikë e terrin ka përqafë?” – shkruan poeti Gasper Pali, por poezia juaj është një qiri i ndezur, bën dritë, – mërmëris dhe lexoj prapë:

“… e s dim prendimin me e dallue nga agu…” – dhe bie më shumë në pesimizëm, por ah, dhe kjo poezi na ndihmon të dallojmë dhe përhetojmë çastin, që sa do i rëndë qoftë, mund të bëhet poezi, e lehtë si drita.

Do të doja të flisja për poezinë e tij, mbase herë tjetër më mirë, thashë, tani mirënjohës atyre që e nxorën prapë nga terret e harrimit dhe na e sollën…

“Bisedë me vetvedin” është njëra nga fletët që na tregon Lisandri nga fletoret e trishtuara të Gasper Palit. Po i gjithë libri është si një bisedë me vetveten, dhe pse me tjetrin dhe ky është nderi më i madh që na bëhet si lexues, kaq çiltër dhe kaq bukur!

Visar Zhiti

Chicago, 06.12.2024

Filed Under: LETERSI

Një Studim i ADN-së Zbulon Origjinën e Shqiptarëve

December 7, 2024 by s p


Nga NDREK GJINI

MA, University of Galway, Ireland


Origjina e popullit shqiptar ka qenë një enigmë për shekuj me radhë për gjuhëtarët dhe historianët. Shqiptarët shfaqen për herë të parë në dokumentet historike në shekullin e 11-të, ndërsa gjuha shqipe është një nga degët më enigmatike të familjes indo-evropiane.

Një studim i ri gjenetik i kryer nga një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh ka hedhur dritë të re mbi këtë çështje komplekse.

Studimi analizoi më shumë se 6000 (ADN) – gene të lashtë nga Ballkani dhe rajonet përreth, duke përdorur teknika të avancuara bioinformatike.

Rezultatet tregojnë se shqiptarët e sotëm rrjedhin kryesisht nga popullsitë e Ballkanit Perëndimor të periudhës romake, me një përzierje shtesë nga grupe të lidhura me sllavët.

Gjetjet kryesore të studimit janë:

Vazhdimësi gjenetike:

Popullsia mesjetare e Shqipërisë tregon një vazhdimësi të madhe gjenetike me popullsitë e Epokës së Bronzit dhe të Hekurit për më shumë se 2500-3000 vjet. Kjo provon se rajoni i Shqipërisë së sotme shërbeu si një strehë e AND – genit ballkanik perëndimor gjatë periudhës së trazuar të shpërbërjes së Perandorisë Romake dhe shpërnguljes së popujve.

Ndikimi i kufizuar i ndryshimeve demografike:

Ndryshe nga rajonet fqinje si Kroacia dhe Serbia, popullsia mesjetare e Shqipërisë u ndikua minimalisht nga ndryshimet demografike gjatë periudhës romake. Analizat tregojnë se shqiptarët mesjetarë ruajtën rreth 85% të prejardhjes së tyre nga popullsitë e Epokës së Bronzit dhe të Hekurit të Ballkanit Perëndimor.

Përzierja me grupe sllave:

Studimi zbuloi një përzierje të kufizuar me grupe të lidhura me sllavët. AND dhe modelet gjenetike sugjerojnë se popullsia mesjetare shqiptare mund të ketë pasur rreth 15% prejardhje të lidhur me sllavët. Kjo përqindje është shumë më e ulët krahasuar me popullsitë fqinje ballkanike, ku prejardhja sllave arrin 50-65%.

Vazhdimësi e prejardhjes atërore:

Në mënyrë të veçantë, prejardhja atërore e shqiptarëve tregon vazhdimësi nga popullsitë e Epokës së Bronzit të Ballkanit, përfshirë ato të njohura si ilirë. Kjo gjetje mbështet hipotezat që lidhin shqiptarët me popullsitë e lashta ilire.

Ndikimi i kufizuar i migrimit lindor:

Ndërsa shumica e popullsive ballkanike tregojnë një zhvendosje të konsiderueshme gjenetike drejt Mesdheut Lindor gjatë periudhës romake, shqiptarët ruajtën një profil gjenetik më të ngjashëm me atë të Epokës së Hekurit.

Heterogjenitet në periudhën pas-mesjetare:

Kampionët (mostrat) që u morën  nga Shqipëria qendrore dhe verilindore e periudhës pas-mesjetare tregojnë një heterogjenitet të lehtë, me disa individë që shfaqin më shumë përzierje me grupe të lidhura me sllavët.

Këto gjetje ofrojnë një kuptim të paprecedentë të proceseve historike dhe demografike që çuan në formimin e shqiptarëve të sotëm.

Ato ndihmojnë gjithashtu në lokalizimin e zonës ku u zhvillua gjuha shqipe.

Studimi sugjeron se gjuha shqipe ka të ngjarë të jetë zhvilluar në një zonë që përfshin Shqipërinë e sotme dhe pjesë të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë veriore.

Kjo zonë përputhet me shtrirjen e popullsive që tregojnë vazhdimësi gjenetike nga Epoka e Bronzit deri në Mesjetë.

Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se lidhja midis gjenetikës dhe gjuhës nuk është gjithmonë e drejtpërdrejtë.

Ndërsa gjetjet gjenetike ofrojnë një kontekst të rëndësishëm, ato nuk mund të përcaktojnë përfundimisht origjinën e saktë të gjuhës shqipe.

Hipotezat gjuhësore që lidhin shqipen me ilirishten ose me gjuhë të tjera ballkanike të lashta mbeten ende të debatueshme.

Studimi hedh dritë edhe mbi ndikimet e ndryshme kulturore dhe demografike që kanë formësuar popullin shqiptar përgjatë mijëvjeçarëve.

Ky studim tregon se shqiptarët janë rezultat i një historie komplekse që përfshin vazhdimësi të gjatë, por edhe ndërveprime me popullsi të ndryshme.

Gjetjet e këtij studimi kanë implikime të rëndësishme në historitë e shkruara me militantizëm e nacionalizën të shteteve të Ballkanit dhe origjinës së popujve të tij.

Ato provojnë shkencërisht rëndësinë e Shqipërisë si një zonë unike që ka ruajtur një vazhdimësi të jashtëzakonshme gjenetike përgjatë mijëra vitesh, pavarësisht ndryshimeve të mëdha demografike dhe kulturore në rajonet përreth.

Ky studim shkencor i ADN-së së lashtë ofron prova të forta për origjinën e shqiptarëve nga popullsitë e lashta të Ballkanit Perëndimor.

Studimi konfirmon vazhdimësinë gjenetike të kësaj popullsie për mijëra vjet dhe ndihmon në sqarimin e debateve të gjata rreth prejardhjes së tyre.

Ndërsa shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje, këto gjetje shkencore na afrojnë më shumë se kurrë me zgjidhjen e enigmës së origjinës së popullit shqiptar.


Burimi:

Ancient DNA reveals the origins of the Albanians

  • Leonidas-Romanos Davranoglou*1
  • Aris Aristodemou*2
  • David Wesolowski*3
  • Alexandros Heraclides*4

1 – Oxford University Museum of Natural History, University of Oxford, UK; Leonidasromanos.davranoglou@oum.ox.ac.uk

2 – Independent researcher; aenaristo@gmail.com

3 – Independent researcher; eurogenesblog@gmail.com

4 – School of Sciences, European University Cyprus, Nicosia, Cyprus; a.heraclides@euc.ac.cy


Source:

https://www.biorxiv.org/content/10.1101/2023.06.05.543790v1.full.pdf

Filed Under: Komente

SPANJË, 1976 / “NË BOTËN E FORTESËS SË MBRETËRESHËS SUZANI…” — NJË SHKRIM PËR MBRETËRESHËN SUZANË, NËNËN E PRINC LEKA II

December 7, 2024 by s p


Mbreti i Shqipërisë në mërgim, Leka, me Mbretëreshën e lindur në Australi në pronën e tyre në Spanjë, ku ata po krijojnë një shtëpi dhe seli të pavarur. Mbreti është 6 këmbë e 7 inç i gjatë. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2


Nga Aurenc Bebja*, Francë –  7 Dhjetor 2024

Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 14 prillit 1976, në faqen n°4, një shkrim asokohe për mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Në botën e fortesës së mbretëreshës Suzani 

— ku Mbreti Leka mban një armë… dhe mbretëresha e tij australiane është gjithashtu qitëse e mirë.

Anne Matheson ishte mysafire në shtëpinë e tyre.

Fotografitë nga Alec Murray

Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2
Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Mbreti Leka I i shqiptarëve hoqi një revolver të vogël elegant Colt të varur në një rrip lëkure të bukur dhe e lëshoi pa shqetësim në divanin pranë meje.

Për këtë Mbret dhe mbretëreshën e tij, australianen Susan Cullen-Ward, armët dhe rojet janë një pjesë e domosdoshme e jetës së tyre dhe e imja për fundjavën që isha mysafire e shtëpisë së tyre në Spanjë.

Leka lindi në një botë krizash, kërcënimesh për jetën e tij dhe armiqësi të pafshehura nga ata që nuk kanë asnjë simpati për qeverinë e tij në mërgim.

Vendi i tij është nën sundimin komunist dhe ai ka shumë kundërshtarë edhe në Spanjë ku ai dhe Mbretëresha kanë shtëpinë e tyre.

Festimet në Madrid pas martesës së tij me Susan Cullen-Ward në tetorin e vitit të kaluar u lanë në hije nga zhurmat politike spanjolle që nuk janë shuar që kur miku i tij i ngushtë Mbreti Juan Carlos hipi në fron pas vdekjes së gjeneralit Franko.

Tani edhe jeta e mbretëreshës Suzani është nën kërcënimin e armiqve të kauzës së çlirimit të Shqipërisë, së cilës i është përkushtuar Mbreti. “Unë e bëra zotimin tim kur u betova për besnikëri ndaj popullit tim,” tha ai. “Susan e dinte këtë përpara se të martohej me mua. Ajo e dinte rrezikun me të cilin do të përballeshim në jetën tonë së bashku.”

Pra, është e kuptueshme që pasuria e tyre, 17 kilometra jashtë Madridit, duhet të ishte bërë një fortesë e sigurt.

Mbreti qëndron pranë portave të hyrjes prej hekuri me stemën mbretërore. Përveç një gardhi të lartë, prona ka sisteme të përpunuara alarmi. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Megjithatë, shtëpia, Finca Nuestra Sra de Guadalupe, nuk është një kështjellë mesjetare. Është një shtëpi simpatike koloniale spanjolle, e ndërtuar në një nivel në një shtrirje të gjerë, me një pamje të Madridit nga njëra anë dhe një pamje të maleve të bukura të Guadalupe nga ana tjetër.

Shtëpia e gjerë, e dizajnit kolonial spanjoll, u ble ashtu siç është dhe ndërtesa të tjera po shtohen. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2
Shtëpia e gjerë, e dizajnit kolonial spanjoll, u ble ashtu siç është dhe ndërtesa të tjera po shtohen. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Duket paqësore dhe këndshëm relaksuese, siç është në të vërtetë sepse puna e parë e mbretit Leka ishte të ruante shtëpinë dhe pesë hektarë tokë me një gardh 5 m (16 këmbë) dhe sisteme alarmesh të mbivendosura.

Ai vetë mban dy armë dhe shoqërohet nga një truprojë, një nga shqiptarët e lirë që e konsideron një nder të madh t’i shërbejë mbretit në mërgim. Ahmet Terpez shfaq një buzëqeshje të gjerë, miqësore, dhëmbët e tij të artë shkëlqejnë dhe bën përshëndetjen zogiste me krahun e djathtë përgjatë gjoksit për të formuar shkronjën Z të mbretit Zog, babait të Lekës.

Siguria e plotë

Ahmeti është në listën e rojeve të Mbretit. Ai erdhi nga Gjermania, ku ishte punëtor tekstili, për të kryer detyrën. Më vonë do të ketë dy truproja që do të jetojnë në kompleks, një për Mbretin dhe një për Mbretëreshën e tij.

Brenda pesë hektarëve, mbreti Leka po ndërton tani një sekretariat dhe shtëpi për oborrin e tij të shqiptarëve të lirë dhe stafin e tij. “Unë po shes zyrat dhe apartamentet e mia në qendër të Madridit dhe po përqendroj të gjitha operacionet e mia këtu në Pozuelo,” shpjegoi ai.

“Atëherë do të jem në gjendje të siguroj gjithçka plotësisht.”

Ai dëshiron që gjithçka të jetë e pavarur në çdo rast urgjence. Ata kanë ujësjellësin e tyre nga puset dhe po gërmojnë puse më të thella. “Ne kemi nevojë për më shumë ujë nëse duam të kultivojmë tokën dhe ta mbajmë pishinën të mbushur,” tha ai. Dhe ata prodhojnë energjinë e tyre elektrike.

Megjithëse Mbreti planifikon të kultivojë mjaftueshëm ushqim për t’i bërë ata të vetë-mjaftueshëm, kopshtari andaluzian e sheh këtë si një trill dhe vazhdon me rendin e tij të vendosur të mbjelljes së pranverës, duke vendosur pemë dhe lule zbukuruese.

Mbretëresha dëshiron një sipërfaqe të madhe të mbjellë me misër të ëmbël dhe pjepër australianë. “Ata duhet të rriten mirë këtu,” i argumenton mbreti kopshtarit. Por ai nuk e urdhëron.

Mbreti Leka dhe mbretëresha Suzani e mbajnë shtëpinë hapur gjatë fundjavave. Derisa të kenë ndërtuar dhoma për shërbëtorët e tyre dhe të sjellin stafin e tyre, shumica e ushqimeve për mysafirët e tyre përgatiten nga mbreti.

Unë isha mysafirja e vetme në shtëpi dhe thashë me habi kur mbreti Leka u shfaq nga kuzhina me një tas me spageti të shijshme në një salcë të shijshme për darkë : “Epo, është hera e parë që një mbret gatuan për mua dhe më servir një vakt.”

“Gjithmonë duhet të ketë një të parë,” tha ai me buzëqeshjen e tij djaloshare, e cila rri pezull mbi fytyrën e tij të çelur edhe kur ai është në gjendjen më serioze.

Dreka përbëhej nga një vakt shqiptar i përgatitur nga truproja i besuar, i cili ishte i lumtur t’i shpëtonte të gjitha atyre salsiçeve gjermane në Mynih ku punon. Ai bëri kosin më të shijshëm ndonjëherë, i cili më shndërroi në atë që e konsideroja fillimisht si një pjatë pa shije.

Pjata kryesore ishte një gjellë me copa të buta viçi dhe fasule të bardha të mëdha në një salcë pikante, me një pjatë anësore me qepë të papërpunuara. I kalova qepët; Mbreti hëngri dy me kënaqësi dhe mbretëresha shijoi të sajat.

Mbajtja e shtëpisë hapur nënkuptonte që të dielave të ftuarit vinin që nga mesdita. Ne hëngrëm një drekë byfe dhe në mbrëmje, rreth orës 21:00, mbreti dhe një nga të ftuarit e tij gatuan copën më të butë të viçit që kam provuar ndonjëherë.

Mishi i viçit ishte i mirë, i rrallë dhe i prerë në feta të trasha. Një copë e mirë viçi është e vështirë të gjendet në Spanjë, mësova më vonë. Dhe e tillë është mikpritja shqiptare, mbreti u ofroi fileta viçi mysafirëve të tij ndërsa ata niseshin.

Meqë ishim në Spanjë, ishte normale të bënim një sy gjumë pasdite. Nëna e mbretit, mbretëresha Geraldinë, erdhi për drekë dhe, pas një sy gjumë në dhomën e rezervuar për të, u kthye në shtëpi në kohë për një pije, një lojë bridge dhe darkë.

Dhurata e dasmës

Pranvera në Madrid ishte mjaft e ftohtë, ndonëse disa ditë ishin me shkëlqim. Mikpritësit e mi ishin jashtëzakonisht të sjellshëm dhe më thërrisnin për të parë një muzg të bukur, ose qenushin e tyre “boxer” të sapoardhur, dhuratën e dasmës së mbretëreshës për mbretin ose mjegullën që ngrihej mbi male.

Rutina e fundjavës për këtë çift të ngarkuar me punë është që të qëndrojnë zgjuar deri vonë natën dhe të zgjohen shumë vonë ditën, dhe biseda rrjedh natyrshëm. Ata nuk shohin televizor, megjithëse ka televizorë të vegjël të vendosur nëpër dhoma.

Disa nga historitë e mbretit për banditët dhe shqiptarët që qëllonin për të vrarë dukeshin të çuditshme, por ishin mjaft magjepsëse.

Ne e dimë që intrigat dhe atentatet janë një mënyrë jetese në Ballkan, por unë u habita kur më tregoi për një burrë të vogël që e kisha vënë re në dasmë, nervoz dhe energjik teksa mbante argjendin gjatë festës madhështore prej 200 kilogramësh havjar dhe 100 deshëve të pjekur të servirur para 1000 të ftuarve.

“Ai kishte një piceri në Nju Jork,” tha Mbreti, “dhe kur mafia kërkoi para për mbrojtjen e tij, ai refuzoi. Ata dërguan gjashtë nga njerëzit e tyre për ta qëlluar, por ai mbërriti i pari atje dhe i shtriu të vdekur për tokë. Për të shpëtuar fytyrën e saj, mafia dogji restorantin e tij.”

E pyeta mbretëreshën duke qeshur se si një vajzë e bukur australiane si ajo ishte ngatërruar me këta qitës profesionalë. “Unë vetë jam një qitëse e mirë,” u përgjigj ajo.

Finca Nuestra Sra de Guadalupe (Prona e Nënës sonë të Guadalupe) është ende e mobiluar vetëm pjesërisht. Susan Cullen-Ward, nga një familje fermere në Uellsin e Ri Jugor, ishte mësuese arti dhe dizajnere e brendshme përpara martesës së saj dhe mbreti Leka ishte koleksionist gjatë gjithë jetës së tij. “Së bashku gjetëm shtëpinë dhe së bashku e mobiluam,” tha Mbretëresha.

Koleksioni privat i qilimave persiane, ndoshta më i vlefshmi në botë, është i përhapur në katër dhomat e pritjes dhe gjetkë në shtëpi, duke përfshirë një Tabriz të artë që duket se ndryshon dhe shkëlqen kur e kap drita.

Dhoma e ngrënies, me një nga qilimat e shumtë madhështor të shtëpisë. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2
Dhoma e ngrënies, me një nga qilimat e shumtë madhështor të shtëpisë. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Dyert rrëshqitëse në dhomat e bollshme kryesore hapen për të krijuar një dhomë pritjeje të madhe për raste shtetërore. Ka tre “patios”, një sallë të vogël në hyrje me tualet dhe banjo, një bibliotekë, katër dhoma gjumi për mysafirë me banjo, si dhe apartamente private të çiftit mbretëror.

Kolltukët në studion (zyrën) e Mbretit u projektuan posaçërisht për lartësinë dhe masën e tij. Në mur janë disa nga koleksioni i shkëlqyer i shpatave të Mbretit Zog. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2
Kolltukët në studion (zyrën) e Mbretit u projektuan posaçërisht për lartësinë dhe masën e tij. Në mur janë disa nga koleksioni i shkëlqyer i shpatave të Mbretit Zog. — Burimi : The Australian Women’s Weekly, e mërkurë, 14 prill 1976, faqe n°2

Ambientet shtëpiake aktualisht në ndërtim përfshijnë dy kuzhina, dhe shoferi, kopshtari dhe shërbëtorët do të jetojnë mbi garazhet.

Mbreti dhe mbretëresha Suzani do të largohen nga shtëpia e tyre në qershor në turin e parë mbretëror së bashku, kur do ta prezantojë atë para shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Bëhet fjalë për një turne katër javor. Më vonë ata do të vizitojnë Australinë.

Filed Under: Histori

ADMINISTRATA E TRAMPIT DHE LUFTA NË UKRAINË

December 7, 2024 by s p

Republican presidential candidate former President Donald Trump and Republican vice presidential candidate Sen. JD Vance, R-Ohio, arrive a campaign rally, Saturday, July 20, 2024, in Grand Rapids, Mich. (AP Photo/Evan Vucci)

Ndalja e një lufte duhet të merret si akt human. Është thënë se presidenti i zgjedhur i ShBA-së Donald Tramp (Donald Trump, 1946- ) luftën e Ukrainës mund ta ndalë për një ditë. 

Kemi të bëjmë me një luftë komplekse. Kjo luftë karakterizohet prej dy gjërave:

– e para, pala ukrainase mbështetet prej Fuqive të Perëndimit dhe të NATO-s;

– e dyta, njëra prej palëve ndërluftuese është fuqi e madhe.

Kush e ka shkaktuar këtë luftë? Sipas Fuqive perëndimore dhe NATO-s, luftën e ka shkaktuar agresioni rus, i paprovokuar nga Kievi. Sipas Moskës, kjo luftë është pasojë e tendencës së Fuqive të Perëndimit dhe të NATO-s për ta përfshirë Ukrainën në Aleancën Veri-atlantike. 

Rëndom luftërat ndalen kur njëra prej palëve ndërluftuese e humb luftën dhe nënshkruan kapitullimin. Në rastin konkret, asnjëra prej palëve ndërluftuese nuk thotë se e ka humbur luftën. Secila prej tyre thotë se do ta vazhdojë luftën deri në thyerjen përfundimtare të palës armike. 

Presidenti i zgjedhur i ShBA-së Donald Tramp sakaq mund ta ndalë luftën duke ia ndërprerë Kievit ndihmat ushtarake dhe financiare. Po të ndodhë një gjë e tillë, atëherë fituese e luftës do të dilte Rusia. Që nga fillimi i kësaj lufte, Fuqitë perëndimore Rusinë e kanë cilësuar si agresore dhe si pushtuese e territorit të huaj. Sipas perëndimorëve, Moska i ka shkelur konventat ndërkombëtare me të cilat garantohet pacenueshmëria e kufijve, e sovranitetit të shteteve apo e tërësisë tokësore e tyre. 

Ç’qëndrim do të kishte Trampi lidhur me cilësimin e Rusisë si agresore dhe si shkelëse e parimeve ndërkombëtare mbi pacenueshmërinë e kufijve, mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial të shteteve? 

Kjo luftë ka një çmim tejet të lartë. Palët ndërluftuese kanë humbje të mëdha në njerëz, numër të madh ushtarësh të vrarë, numër të madh ushtarësh të plagosur, tanimë të paaftë për luftë. Pala ukrainase ka edhe një numër të caktuar civilësh të vrarë. Shumë fëmijë ukrainas kanë mbetur pa njërin prind, e një numër i caktuar edhe pa të dy prindërit. Një numër i madh i ukrainasve janë shpërngulur nga vendi për t’u strehuar në vende të ndryshme të Evropës. Ka prej tyre që kanë shkuar edhe në vendet përtej detit. Askush s’e di në do të kthehen ata në vendin e tyre të lindjes, në atdheun e tyre. Në Ukrainë kemi edhe lëvizje të brendshme të popullsisë. Shumë ukrainas u janë shmangur zonave të luftës dhe janë vendosur në rajonet që kanë qenë sa më larg fushëbetejave. Ukraina ka pësuar dëme të mëdha materiale, ndërtesa të rrënuara, rrugë, ura, objekte energjetike, centrale elektrike, fabrika, uzina dhe reparte prodhimi të shkatërruara. Shumë rajone të Ukrainës janë shndërruar në fusha të minuara. Është çrregulluar sistemi social, arsimor, shëndetësor, prodhues, riprodhues. 

Dëmet që i ka pësuar Ukraina mund të maten në miliarda euro ose dollarë. Dëme dhe humbje ka pësuar edhe pala tjetër ndërluftuese – Rusia. Askush s’e di numrin e saktë të ushtarëve të vrarë, të asnjërës palë ndërluftuese. Kievi dhe Moska këtë e ruajnë si sekret. 

Duke qenë se kemi të bëjmë me një luftë që ka kushtuar tejet shtrenjtë, atëherë rezulton se asnjëra prej palëve ndërluftuese nuk do të ishte e gatshme të dalë duarthatë nga një marrëveshje eventuale që do t’ua ofronte Trampi. 

Tani për tani Rusia kontrollon 27 për qind të territorit të Ukrainës. Pak më shumë se çerekun. Po qe se Uashingtoni ia ndërpret Kievit ndihmat ushtarake dhe financiare, në mos edhe politike, atëherë fituese e luftës do të dilte Rusia. A do të ishte kjo në dobi të Perëndimit, në dobi të NATO-s?! Sigurisht që jo. Rusia si fuqi e madhe nuk ka hyrë në luftë për ta humbur atë. Rusia nuk paguan çmim të madh për të dalë nga lufta duarbosh. A mund administrata e re amerikane të gjejë një formulë që do t’i kënaqte të dyja palët ndërluftuese, si ajo: “Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”. Sipas Moskës, Rusia i ka marrë ato pjesë të Ukrainës që janë të banuara kryesisht me popullsi ruse.                                   

Ka që thonë se me prolongimin e luftës, Perëndimi, përkatësisht NATO-ja synojnë ta dobësojnë Rusinë ushtarakisht dhe ekonomikisht. 

Fuqitë perëndimore dhe NATO-ja deri tani e kanë mbështetur Ukrainën me armatime, me mjete financiare, me prodhime dhe artikuj ushqimorë, me barna, me ekspertë lëmenjsh të ndryshëm etj. E kanë përkrahur edhe politikisht. Por, në fushëbeteja Ukraina e ka derdhur gjakun e djemve dhe të vashave ukrainase. Me fjalë të tjera, çmimin më të lartë e ka paguar populli ukrainas. 

Çmim për luftën në Ukrainë paguajnë edhe vendet e Perëndimit. Çmimi i luftës shkon në kurriz të taksapaguesve të ShBA-së dhe të shteteve evropiane. Qytetarit të rëndomtë në Perëndim, më tepër i intereson standardi i jetesës se çështjet gjeopolitike dhe interesat strategjikë të shteteve. Nuk është e rastit që në kontinentin e vjetër kanë marrë hov e djathta e skajshme apo e majta e skajshme.       

*   *   *

Po qe se lufta ndalet dhe Rusia merr 27% të territorit të Ukrainës, atëherë ajo del fituese. Shtrohet pyetja: Cili është interesi strategjik i ShBA-së, i NATO-s apo i BE-së?! A është interes i Fuqive perëndimore dhe i NATO-s që Rusia të dalë fituese e kësaj lufte?! Po qe se Trampi e ndal luftën duke ia njohur Rusisë 27% të territorit të Ukrainës, atëherë dalin humbëse: ShBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja. Përse dalin humbëse? Kështu sepse ShBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja e kanë mbështetur Ukrainën që nga dita e parë e sulmit rus. Pikërisht për këtë arsye administrata e re amerikane nuk do ta ketë lehtë ta gjejë formulën përkatëse të ndaljes së luftës. Formulë që do t’i kënaqte të gjitha palët – Ukrainën, Rusinë, ShBA-në, NATO-n dhe BE-në. 

Po qe se Rusisë i njihet pushtimi i 27 për qind të territorit të Ukrainës, atëherë ajo del fituese. Kësisoj, në vend që ta dobësonin, ajo do të dilte më e fortë! 

*   *   *

Është vështirë të arrihet armëpushim dhe zgjidhje për ndaljen e luftës edhe për shumë arsye të tjera: 

– Kush është viktimë e luftës dhe cila palë është agresore, kush zhvillon luftë të drejtë çlirimtare dhe cila palë bën luftë pushtuese;

– Duke qenë se lufta zhvillohet në territorin e Ukrainës, a do t’ia paguajë Moska Kievit dëmet e luftës apo reparacion lufte;

Sipas të dhënave të caktuara, Ukraina ka marrë prej vendeve të Perëndimit diku rreth 270 miliardë dollarë. Atëbotë, shtrohet pyetja: A do të mund t’i kthejë dhe si do të mund t’i kthejë Perëndimi këto mjete që ia ka dhënë Kievit në formë armatimesh, mjetesh monetare etj. Një pjesë e armatimeve dhe e mjeteve monetare janë dhënë në formë ndihmash, por një pjesë tjetër mbase i janë dhënë Ukrainës në formë huaje.

Ç’do të ndodhë me asetet apo me mjetet financiare të Rusisë që ndodhen të bllokuara nëpër bankat e Evropës dhe të ShBA-së?! A do të zhbllokohen ato dhe t’i kthehen Moskës apo do të vazhdojnë të mbeten të bllokuara?!

A do të përgjigjet ndokush për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit?

Cili do të jetë fati i Vladimir Putinit, të shpallur përgjegjës për krime lufte apo për krime kundër njerëzimit? A do t’ia dorëzojë Moska Hagës që ai të përballet me drejtësinë ndërkombëtare? A është normale që liderët perëndimorë të komunikojnë me të apo edhe të takohen me të?! Të takohen me njeriun të cilin e kanë fajësuar për krime lufte! 

Po qe se askush nuk përgjigjet për krime lufte apo për krime kundër njerëzimit, atëherë del se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlejtka vetëm për popujt e vegjël apo për popujt e pambrojtur. A do të përgjigjet ndokush për ndarjen e fëmijëve prej prindërve të tyre?! A mban përgjegjësi ndokush për vrasjen e popullsisë civile?! A përgjigjet dikush për ekzekutimin e robërve?! A përgjigjet dikush për torturimin e robërve të luftës? Në këto përmasa, kjo s’ka ndodhur as në mesjetë. 

Po sanksionet ndaj Rusisë, do të hiqen apo do të vazhdojnë të jenë në fuqi?! Po tregtia midis vendeve të Perëndimit dhe Rusisë do të rivendoset apo do të vazhdojë të mbetet e ngrirë?! Ç’do të ndodhë me naftën dhe gazin natyror rus?! Naftësjellësit dhe gazsjellësit do të çojnë naftë dhe gaz drejt Evropës apo embargoja do të vazhdojë edhe për një kohë?! 

Kush do t’i çminojë fushat e minuara të Ukrainës, kur dhe me çfarë çmimi? Kush do ta rindërtojë Ukrainën e shndërruar në gërmadhë? Sa vjet do t’i duhen Ukrainës për ta rimarrë veten? Kush do ta ndihmojë Ukrainën në periudhën pas luftës?! A kanë llogari Fuqitë perëndimore t’i hyjnë kësaj pune pa pasur një interes strategjik? 

Çdo marrëveshje që e nxjerr ngadhënjyese Rusinë, me automatizëm e nxjerr humbëse ShBA-në, NATO-n dhe BE-në. Fitorja ruse do t’i trimëronte edhe aleatët e saj në Azi. Do të ngazëlleheshin edhe vendet e BRIKS-it, bashkë me kryetarin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. 

Mosndëshkimi i Rusisë ia çel rrugën ariut të veriut për inkursione të tjera drejt Evropës. Rusia e pandëshkuar do të vazhdonte politikën e saj destruktive dhe luftënxitëse në Ballkanin Perëndimor. Do ta trimëronte satelitin e saj – Serbinë, për të intensifikuar aktet terroriste në Kosovë dhe në vendet e tjera të rajonit.

Mandati i një presidenti zgjat katër vjet apo tetë vjet, kurse interesi strategjik i  një fuqie globale zgjat me dekada, në mos dhe më tepër. Ndalja e luftës në Ukrainë nuk është çështje e lehtë. In ultima linea, kryetari Zelenski mund të thotë: “Me këto kushte, unë nuk e nënshkruaj marrëveshjen e paqes”. Pa nënshkrimin e palëve ndërluftuese, zotërimet ruse në Ukrainë do të konsideroheshin pushtim.          

Çfarë statusi do të ketë Ukraina? Do të jetë shtet asnjanës, apo do të jetë anëtare e NATO-s dhe e BE-së?!       

Pikëpamja: “Le të marrë Rusia 27% të territorit të Ukrainës, kurse si kompensim, Ukraina të pranohet në NATO”, nuk është e drejtë. Nuk arsyetohen gjithë ato viktima për një epilog të tillë. Këtë e dinë më së miri prindërit e djemve të vrarë, e dinë fëmijët e mbetur jetimë, e dinë gratë e reja të mbetur pa bashkëshortët e tyre. Shteti dhe kombi ukrainas ekzistojnë pavarësisht nga ç’thotë Putini. Nuk ka nevojë të vriten dhe të plagosen qindra mijë ukrainas që Putini më në fund ta njoh të drejtën e Ukrainës për shtetësi. 

Xhelal Zejneli             

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 599
  • 600
  • 601
  • 602
  • 603
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT