• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBI UJËRAT E TRAZUARA TË KOHËS, SHQIPTARËT I PËRDOREN BARKAT FETARE PËR TË SHPËTUAR ANIJEN E MADHE KOMBËTARE

December 1, 2024 by s p

Shqiptarët ndonëse iu takojnë besimeve të ndryshme fetare, ata megjithatë u treguan mjaft rezistues ndaj kërcënimeve që iu janë bërë pikërisht mbi baza fetare, sepse ata gjetën mënyra që mbi ujërat e trazuara të kohës të përdornin barkat fetare për të shpëtuar anijen e madhe kombëtare.Mbi këto parime të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, shqiptarët duhet të vazhdojnë edhe në ditët e sotme të funksiononjnë si komb, duke mos harxhuar energji të kota që do t’i përfshinte ata në beteja të pakuptimta identitare.

Nga Prof. Dr. Skender Asani

Një komb si shqiptarët do ta kishte vështirë t’iu mbijetojë furtunave të kohës, sikur t’mos e kishte të zhvilluar sensin e harmonisë së brendshme fetare. Historia njeh jo pak luftëra fetare, jo vetëm në mes të shteteve dhe kombeve rivale por edhe brendakombëtare. Madje ky është një fakt paradoksal, sepse këto luftëra brendakombëtare kanë ndodhur pikërisht te disa kombe që kanë njohur trende mjaft të avancuara të zhvillimit ekonomik, social e kulturor, siç mund të jenë, bie fjala irlandezët, anglezët, në Perendim, tek të cilët edhe sot përderisa po flasim, ka konflikte në mes të katolikëve dhe protestantëve, apo tek hindusët në Lindjen e largët, ku përleshjet në mes të budistëve dhe myslimanëve janë pjesë e përditshmërisë së këtij kombi.

Historia e shqiptarëve bën përjashtim cilësor kur është në pyetje çështja e besimit fetar, dhe një njeri i painformuar, që nuk ka njohuri paraprake mbi shqiptarët, do të mendonte se ata i takojnë vetëm një besimi fetar. Kjo edhe për faktin se gjatë procesit të formimit dhe zhvillimit si komb, shqiptarët arritën të fermentojnë në vetëdijen e tyre kolektive unitetin e brendshëm mbi baza të përbashkëta, që ishin gjuha dhe kombi. Dhe ngjarjet e historisë na kanë dëshmuar se dëshmorët e gjuhës dhe të kombit vinin nga pjesëtarë të besimeve të ndryshme fetare, të cilët luftërat identitare i kishin zhvilluar në fronte të përbashkëta. Atavinin, thënë figurativisht, nga rrjedha të ndryshme të besimeve fetare, por derdheshin në një pellg që quhej komb, që i bashkonte këto rrjedha dhe iu jepte fuqinë e përballimit me sfidate ndryshme të kohës.

Për ta ilustruar këtë, mjafton të bëjmë një shëtitje të shkurtër nëpër faqet e historisë ku do të ndeshim plot fotografi të prijësve shqiptarë, të ciltë vinin nga besime të ndryshme fetare, por që ishin të ulur pranë tryezave të përbashkëta të kuvendeve kombëtare, siç ishte, bie fjala Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, Pavarësia e Shqipërisë, deri te ditët tona , siç është edhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ngjarje këto të cilat ishin të mëdha edhe për faktin se u dizajnuan si përpjekje të përbashkëta të myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë.

“Ishte, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu e nga jugu, nga lindja e perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë, hoxhë dhe priftërinj.”

Kështu do të shkruante në një editorial, që do ta botonte në gazetën “Lirija” më 1908, kryetari i Kongresit të Manastirit, Mithat Frashëri.

Kur jemi te Kongresi i Manastirit, një ngjarje kjo që këtyre ditëve po shënohet me aktivitete të shumta kulturore e shkencore në ITSHKSH, duhet veçuar edhe një moment mjaft interesant që shpreh më së miri mirëkuptimin dhe respektin që kishin përfaqësuesit e Lëvizjes kombëtare shqiptare të cilin vinin nga besime dhe praktika të ndyrshme fetare.

Ishte fjala e fuqishme dhe argumentuese e Gjergj Fishtës para delegatëve të Kongresit të Manastirit ajo që krijoi një situatë tejet emocuonuese në sallë. Fjalimin e tij ai përfundoi me këto fjalë:

‘Nuk kam ardhë këtu ta mbrojë ndonjë alfabet të veçantë, por kam ardhë që të bashkohem me ju dhe ta pranoj alfabetin të cilin do ta zgjedhë Kongresi e që do të jetë më i dobishmi për ta zgjuar popullin’. Ai gjithashtu tha: ‘Armiqtë që e rrethojnë Shqipërinë janë të shumtë dhe të gjithë provojnë të na i marrin tokat, por nëse ne nuk mundemi ta mbrojmë atdheun tonë me fuqinë tonë morale, do ta mbrojmë me armë dhe nuk do t’i lejojmë armiqtë e Shqipërisë që ta marrin asnjë pëllëmbë të territorit tonë.’

Pas këtyre fjalëve, të gjithë të pranishmit , myslimanë dhe të krishterë, u ngritën në këmbë dhe me lot në sy i duratrokitën Gjergj Fishtës, dhe kur po zbriste nga podiumi, hoxhë Hafiz Ibrahim efendiu, i cili e përfaqësonte klubin e shqiptarëve të Shkupit, i doli shpejt përpara, e përqafoi dhe e puthi duke i rrjedhur lotët nëpër faqe. Kjo skenë, sa emcionuese, po aq edhe dramatike për nga kuptimi i saj, sipas dëshmive të historiografisë shqiptare dhe të huaj, i dha kahje vendimtare rrjedhës së Kongresit të Manastirit, sepse një hoxhë po e përqafonte një prift në shenjë miratimi të vendimeve përfundimtare që shpien në unifikimn e alfabetit të gjuhës shipe. Pra, jo ratësisht po e veçojmë këtë rast sepse kishte tendenca nga qarqe të ndryshme të shteteve shoveiste fqinje që iu pengonte suksesi i shqiptarëve në arritjen e në alfabetit të përbashkët dhe një propagandë e tillë mundohej madje të mbjell defetizëm dhe përçarje te shqiptarët, duke i nxitur ata, sidomos muslimanët, që ta kundërshtojnë një alfabet latin, i cili sipas tyre ishte i krishterëve.

Kur ndërroi jetë Gjergj Fishta, në varrimin e tij morën pjesë personalitete të shumtë nga paria shqiptare e kohës, mirëpo fjalimin më emocinues mbi varrin e ti, më 31 dhjetor të vitit 1940, e mbajti Hafiz Ali Kraja i cili njihej si një ndër intelektualët e famshëm mysliman nga qyteti i Shkodrës. E veçanta e këtij fjalimi është fakti se si një hoxhë i thurri një tekst të tillë aq të bukur një prifti, ndonëse siç dihet, këta dy personalitete, Gjergj Fishta dhe Hafiz Ali Kraja, kishin një miqësi të hershme në mes veti dhe ata çdo vështirësi apo mosmarrëveshje në mes të banorëve të qytetit e tejkalonin me mençuri dhe largpamësi.

Te shqiptarët, siç dihet, dominon besimi Islam dhe kjo përkatësi fetare nga shumë kush është shikuar në këndvështrime të ndryshme, madje janë shprehur edhe skepticizma të caktuara. Prandaj, jo rastësisht ka jo pak njerëz në të kaluarën por edhe sot, që mendojnë se përkatësia fetare Islame e shqiptarëvë është pengesë për t’u integruar në familjen e madhe evropiane. Sipas këtij diskursi, Evropa e krishterë heziton t’i pranojë në gjiun e saj shqiptarët, prandaj ata duhet ta ndërrojnë fenë për t’u bërë evropianë të denjë.

Mirëpo këtyre pikëpmajeve të gabuara, që herët iu kishe kundërvënë pikërisht poeti i madh kombëtar Gjergj Fishta, duke u shprehur se “në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqiptarët qenkan musliman, atëherë na kristianët, do ti shkriejmë kryqet tona dhe do ti bajmë fishek, me mbrojt vllaznitë tanë musliman shqiptarë”.

Kjo tregon se mes krerëve të besimeve fetare tek shqiptarët, jo vetë që ka ekzistuar një harmoni e mrekullueshme fetare, por kjo harmoni ka qenë model inspirimi për forcat intelektuale e politike në momente e kohë të ndryshme.

Mjafton të rishikojmë edhe njëherë ngjarjet e mëdha kombëtare dhe do të vërejmë se kontributi i i elitës shqiptare bazohej mbi një diversitet të pasur fetar, ashtu siç eka vërejtur edhe albanologu i shquar gjerman Beter Bartli, i cili në monografinë e tij me titull “Myslimanët Shqiptarë në Lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912)” , botuar në vitin 1968, ndër të tjera vë në dukej edhe kontributin e një prej figurave më të respektuara dhe kryesore të Lidhjes Shqiptare, Myderrizin Ymer Prizreni, pastaj një figurë tjetër të shquar të Lidhjes Shqiptare të Pejës, Haxhi Zeka, të cilët, ndonëse vinin nga provinienca fetare islame, e kishin të ngjizur thellë në vetëdije çështjen kombëtare shqiptare.

Historia njeh edhe mjaft figura të tjera, të cilët edhe pse kishin formim shkollor fetar, ata gjithë këtë firmim e vini në shërbim të kauzës kombëtare. I tillë ishte edhe Hixhë Kadri Prishtina, i cili bashkë me Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Fan Nolin, Bajram Currin, Gjergj Fishtën, Azem Galicën, Luigj Gurakuqin e të tjerë, i dhanë dinamikë lëvizjeve politike dhe diplomatike të kohës. Si rrjedhojë e këtyre lëvizjeve, Hoxhë Kadri Prishtina me 1915, në Shkodër e krijoi një komitet me emrin “Komiteti i Fshehtë”, kurse pas tri vjetësh, konkretisht më më 1 maj 1918, me një grup atdhetarësh, intelektualësh, kryesisht nga Kosova, e themeloi Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në vitin 1919, për t’u ndihmuar kryengritësve, Komiteti, në udhëheqjen e Hoxha Kadriut, përgatiti Programin e përgjithshëm të kryengritjes në Kosovës dhe është shumë interesant se në pikën 1 dhe 2 të këtij Programi apelohej që, citojmë: “asnjë kryengritës nuk guxon t’i dëmtojë shkiet e vendit veç atyre që qëndrojnë me armë në dorë kundër qëllimit shqiptar”, dhe, citojmë : “ asnjë kryengritës nuk guxon të djegë shtëpia, të rrënojë kisha e gjëra të tjera.

Me këto dy pika të Programit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” hudhej poshtë propaganda e orkestruar nga Beogradi, sipas së cilës kryengritësit shqiptarë i kanë dëmtuar vendbanimet sllave, sidomos objektet e tyre fetare. Një popagandë e tillë është munduar të njollosë edhe pjesëtarët tjerë të lëvizjeve të mëvonshme shqiptare, duke i etiketuar ata si gjoja bashkëpunëtorë të fashizmit, me qëllim që pastaj të justifikohej çfarëdo lloj aksioni represiv kundër shqiptarëve, siç edhe ka ndodhur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur OZNA dhe i gjithë aparati represiv jugosllav kishte vënë në shënjestër bartësit e kryengritjeve vullnetare të shqiptarëve, duke i akuzuar ata si gjoja keqbërës dhe mizorë, sidomos në vendbanimet sllave, gjë që e vërteta është krejt ndryshe, siç dëshmojnë edhe dy pikat e cituara më lart të programit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” .

Fryma e harmonisë fetare ishte më e fuqishme se çfarëdo lloj propagande që mundoheshin të huajt ta bëjnë në llogari të lëvizjes kombëtare shqiptare. Kjo frymë ishte mbizotëruese e të gjitha proceseve mobilizuese të shqiptarëve, siç ishte, bie fjala edhe një organizatë politike me proviniencë fetare – “Xhemieti”, e cila ishte vazhdimësi e veprimtarisë së klubit “Bashkimi” dhe i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. E themeluar në Shkup nga vëllezërit Dragaj, Bedri Pejani etj. “Xhemijeti” e shfrytëzoi për mrekulli petkun fetar si kamuflim i veprimtarisë kombëtare dhe si rezultat i kësaj veprimtarie u arrit për një kohë të caktuar të pengohej kolonizimi i tokave shqiptare si dhe shpërngulja e shqiptarëve për Turqi.

Në vitin 1923, pasi fitoi 14 deputetë, ku edhe ishte pjesë e Parlamentit të atëhershëm të Mbretërisë SKS, kjo parti filloi bisedimet me krotatë, sllovenët dhe boshnjakët për të rrëzuar nga pushteti Kryeministrin Nikolla Pashiq dhe për të përgatitur parakushtet e shkëputjes së shqiptarëve nga Mbretëria SKS dhe krijimin e shtetit të tyre kombëtar i cili pastaj do t’i bashkangjitej Shqipërisë. Mirëpo këto plane shumë shpejt u dekonspiruan dhe në vitin 1924 Pashiqi i hakmerret “Xhemijetit” me persekutimin e krerëve të kësaj partie, në mesin e të cilëve edhe Nexhip Dragën të cilin e burgos.

Por hakmarrja nuk përfundonte me kaq. Qeveria e Pashiqit kishte hartuar një plan të detajuar për goditjen e shqiptarëve aty ku më së tepërmi iu dhemb dhe më 18 nëntor 1924, para plot 100 vjetëve, e rrënojnë Burmali Xhaminë e bukur buzë Vardarit dhe mbi themelet e saj ndërtuan Pallatin e Oficerëve, që u përdor si simbolikë e nënshtrimit të shqiptarëve, ose e varrosjes së çështjes shqiptare, siç pretendonte Beogradi.

Shtypi i asaj kohe madje me shumë pompozitet raportonte për këtë ngjarje, duke sjellë kronika dhe fotografi si nga rrënimi i Burmali Xhamisë, ashtu edhe nga hedhja e themeleve të Pallatit të Oficerëve (18 qershor 1925), ku i pranishëm kishte qenë, siç e dëshmojnë gazetat e kohës, vet Aleksandar Karagjorgjeviqi. Këto veprime barbare të pushtetarëve serbët ishin të inspiruara nga idetë famëkeqe të Garashaninit, Vladan Gjorgjeviqit, Çubrilloviqit, Cvjejiqit etj. për pastrimin etnik të trojeve shqiptare dhe konfigurimin urbanistik të qyteteve sipas planeve të arkitektëve serbë. Fryt i këtij konfigurimi edhe sot i kemi mjaft objekte në Shkup dhe në qytetet tjera, të ndërtuara përgjatë viteve 20-të të shekullit të kaluar, të cilët shprehnin, përveç tjerash, edhe frymën ekspansioniste të poushtuesve të Beogradit.

Me shuarjen e “Xhemietit” dhe me burgosjen dhe vrasjen e krerëve të saj, shqiptarët në periudhën në mes të dy luftërave botrërore përjetuan tmerre të papërshkruara, të gjitha të orkestruara me përpikmëri nga aparati represiv i Beogradit. Të ndodhur pa një orientim politik dhe të ekspozuar ndaj reprezaljeve, shqiptarët si shpëtim të vetëm gjetën shpërnguljen për Turqi, një synim ky i kahershëm i ideologëve kryesorë të nacionalzmit serb, të cilët në projektet e tyre famëkeqe kishin parapa goditjen e shqiptarëve edhe mbi baza fetare. Prandaj jorastësisht kishte ndodhur rrënimi i Burmali Xhamisë si dhe shumë objekteve tjera fetare islame, si mjet për t’i shndërruar shqiptarët në një komb pa atdhe dhe në refugjatë që do të gjenin shpëtim në shkretëtirat e Anadollit.

Shqiptarët ndonëse iu takojnë besimeve të ndryshme fetare, ata megjithatë u treguan mjaft rezistues ndaj kërcënimeve që iu janë bërë pikërisht mbi baza fetare, sepse ata gjetën mënyra që mbi ujërat e trazuara të kohës të përdornin barkat fetare për të shpëtuar anijen e madhe kombëtare. Mbi këto parime të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, shqiptarët duhet të vazhdojnë edhe në ditët e sotme të funksiononjnë si komb, duke mos harxhuar energji të kota që do t’i përfshinte ata në beteja të pakuptimta identitare.

(Fjalë e mbajtur në manifestimin “Ditët e mërgatës” në Llozanë të Zvicrës).

Filed Under: Komente

VEPRIMTARIA E KLERIT KATOLIK PËR PAVARËSI 1912

December 1, 2024 by s p

Dom NIKË UKGJINI

SHKODËR/

Nga fundi i shekullit të XIX, Rusia dhe Austro – Hungaria, ishin bërë arkitektet e Ballkanit politik, duke i shkëputur një e nga një popujt e kësaj hapësire nga kthetrat e Perandorisë Osmane. Austro – Hungaria, përmes traktateve të shumta të nënshkruara me Perandorinë Osmane, kishte arritur që ajo të pranonte nënshkrimin e një protekorati fetar dhe etnik për shqiptarë. Qendra më e fuqishme Perandorake e katoliçizmit së bashku me Romën, kishte marrë në dorë fatet tona, si fillim përmes hapjes së shkollave shqipe, ndërtimit të objekteve katolike të kultit, dhe në vijim Perandoria dualiste kishte meritën e arritjes, harmonizimit dhe balancimit nga ana fetare e krahinore të shqiptarëve në të gjitha trevat tona shekullore.

Pjekja e kushteve politike e arritja e unitetit ndërmjet shqiptarëve, ndezi zjarrin e revoltës dhe nxiti organizimin e kryengritjeve të njëpasnjëshme kundër pushtuesve osmanë, që u zhvilluan në krahinat: Malësi e Madhe dhe e Vogël, Dukagjin, Shkodër, Pukë, Lezhë, Mirditë, Kurbin, dhe në Jug të Shqipërisë.

Klerikët vizionarë të kohës, ishin të bindur se liria dhe qytetërimi tek shqiptarët, arrihet jo vetwm pwrmes shkrim-leximit, botimit të librave në gjuhën shqipe, por edhe përkrahjes dhe nxitjes sw kryengritjet të shumta kundër pushtuesit barbar turk, në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit kombëtar. Ata në këto raste udhëhiqeshin edhe nga ideja filozofike e kohës moderne, të artikuluar më vonë dhe nga filozofi francez, Joan Paul Sartre se: “Nuk mund të jesh intelektual po qe se nuk zotëron, përveç dijes, edhe guximin”.

Në vorbullën e kryengritjeve të popullit, për të arritur pavarësinë e shumë pritur të atdheut, u angazhuan, krahas Kryeipeshkvit Pashk Guerrini, nga viti 1910, Imzot Jak Sarreqit dhe klerikët e shquar të letrave shqipe, si: liriku e diplomati, Abati i Mirditës Preng Doçi, romancieri i parë shqiptar, Dom Ndoc Nikaj, poeti më i shquar i Rilindjes, Dom Ndre Mjeda, folkloristi dhe diplomati, Dom Nikollë Kaçorri, dramaturgu, satiriku, liriku më i madh i kombit tonë, Atë Gjergj Fishta etj..

Lëvizjet dhe kryengritjet e armatosura çlirimtare në gjysmën e dytë të shek. XIX në veri të vendit në të cilat mori pjesë gjallërisht edhe kleri së bashku me kryebarijtë e tyre, (ipeshkvijtë), përmbanin karakteristika të mirëfillta me orientim mbarëkombëtar, duke e ngritur çështjen fetare dhe nacionale shqiptare në tryezat e diplomacisë evropiane.

Bartësi fillestar i këtyre aksioneve qe Kryeipeshkvi Pashk Guerrini me prejardhje shqiptare nga Kotorri. Sipas arkivit të Kryedioqezës së Shkodrës krahas, kërkesave për ndihma materiale dhe bisedimeve diplomatike, u përpoq t’a zgjonte popullin në kryengritje për çlirimin e vendit.

Lëvizjet e para të Malësorëve, për mbrojtjen e tërësisë territoriale, dalin në pah, në korespodencën e Kryeipeshkvit të Shkodrës, Guerrit, me Patriarkun Armen, Stefan Azarjan dhe Propaganda Fide në Romë, që në vitin 1883, si dhe në vitin 1886, ku nga Patriarkut Armen, i kërkohej që zyrtarisht, të ndërhynte tek Porta e Lartë, për ndalimin e dhunës që ushtrohej ndaj shqiptarëve katolikë nga Perandoria Osmane.

Në dos. 55, të vitit 1888, në arkivin e kryedioqezës se Shkodrës, gjejmë dhe Promemorien e Guerrinit, drejtuar, Konsullatës austriake në Shkodër, për gjendjen e vështire të popullatës në Shqipëri, si dhe për mundësitë për zbutjes së kësaj situate. Guerrini, çështjen nuk e lë me kaq. Në vitin 1892, personalisht merr rrugën për në Vjenë, duke u takuar me autoritet e larta perandorake, për t’i informuar për gjendjen në terren si dhe për rrugëdaljen nga kjo situatë. shpërthyese në popull.

Se lëvizjet e para shpërthyese kryengritëse të mirë organizuara ishin në dukje, dëshmohet dhe në dos. 12, dt. 29, 8. 1903, ku Guerrini, i përgjigjet Guvernatorit të Shkodrës, mbi ankesën e tij për organizimin e lëvizjeve kryengritëse të disave atdhetarëve malësorë në Malësinë e Madhe. Atdhetarizmi i klerikëve nuk kishte të sosur, kjo dhe nga fakti së në vitin 1904, ata morën guximin që Valiut të Shkodrës, Bedri Pasha, t’i kishin propozonin, kremtimin zyrtar të 500-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit, 1404, dhe realizimin e një medaljeje përkujtimore me këtë rast. Kjo ide, vinte si rrjedhojë e faktit se, për çdo vit, në Shkodër kremtoheshin solemnisht datëlindjet e mbretit Franc Jozefit dhe të sulltanit të Stambollit.

Përfshirja i klerikëve të letrave shqipe

në arritjen e Pavarësisë të vendit 1912

Në këto momente jetike për popullin tonë, në mesin e atyre të cilët, krahas veprimtarive të tyre shkruese e botuese, jepnin përkrahje popullit për një qëndresë të mëtejshme, si edhe qëndronin pranë tyre, ishin figurat e spikatura klerikale, letrare dhe kombëtare, të lart përmendura: Doçi, Nikaj, Kaçorri, Mjeda, Fishta e shumë të tjerë. Sipas kujtimeve të Dom Ndoc Nikajt, mbledhja e vitit 1893, organizuar në famullinë e Shkrelit (Malësia e Madhe), me emrin “Bashkimi Shqyptar”, gjykuar nga pjesëmarrës, si: Abat Preng Doçi, Dom Jak Sarreqi, Dom Dod Koleci, Dom Mark Shllaku, etj., hartimi i platformës dhe gjallërimi i saj, ishte momenti kyç, që nxiti organizimin e kryengritjeve popullore në veri të vendit, botimin e librave në gjuhën shqipe dhe një nxitje për ngjarjet e viteve 1911-1912.

Në vazhdim Nikaj shprehet se: “Nuk bame shkresa qe mos të ndodhte rrezik zbulimi nga ana e qeverisë turke edhe të n`anxente me prova në dorë”(…) “U lidhme më shkrue ne giuhe shqype seicili mbas andjes së vet dhe mbas prirjet përkatse“.

Në mbledhjen e Shkrelit, Dom Ndoc Nikaj dhe Abat Preng Doçi ishin zotuar se do të merreshin me afrimin e shqiptarëve të dy besimeve: katolikë dhe myslimanë. “Në qytetin e Shkodrës, përçarja e shkaktuar nga turqit, ishte evidente”, – thekson Nikaj. Sipas këtij konstatimi, rezulton se afrimi i shqiptarëve të dy besimeve do të ishte puna bazë për përgatitjen e lëvizjeve dhe kryengritjeve, të cilat do të zhvilloheshin kundër Perandorisë Osmane, deri në shpalljen e plotë të pavarësisë së Shqipërisë.

Në janar të vitit 1910, Nikaj filloi të botonte së bashku më Abat Preng Doçin, gazetën “Koha”, e cila, nga numri i dytë doli me emrin “Bashkimi”. Gazeta kishte si motiv të vetin “kujdesin për punët kombëtare dhe të diturisë”.

Nga ana tjetër Abati Preng Doçi, shkrimtar, hulumtues dhe diplomat, në vitin 1897, kishte paraqitur para krerëve të Mirditës në Orosh programin me të cilin parashikonte organizimin e lëvizjeve dhe kryengritjeve nga 1897-1912, të tri krahinave: Malësisë së Madhe, Dukagjinit dhe Mirditës. Gjithashtu, Abati përkrahu dhe nxiti mbajtjen e kuvendit të Rubikut, në vitin 1911, në të cilën u hartua projekt-kushtetuta për Shqipërinë autonome, e cila në raportet e konsujve quhej “Memorandumi i mirditasve”. Kjo projekt-kushtetutë qe prezantuar përmes delegacionit mirditor dhe në Besëlidhjen e Shkupit, më 10 gusht 1912.

Dom Ndoc Nikaj dhe Abat Preng Doçi, gjatë muajt mars-gusht vitit 1911, kanë qenë pjesëmarrës në kryengritjet e malësorëve në Malësinë e Mbishkodrës. Aq më tepër si klerik i lartë kishtar nga viti 1903 në 1912 dhe në vazhdim, Preng Doçi pati letërkëmbim të vazhdueshëm me Ismail Qemalin, kur ky ishte deputet i Perandorisë Osmane, e më vonë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë.

Ëndrra e popullit liridashës për t’u liruar nga zgjedha e vuajtjeve shekullore, nuk kishte si të mos shqetësonte dhe të mos e nxiste për t’iu bashkëngjitur popullit, edhe poeti dhe gjuhëtarin i spikatur i kombit tonë, Dom Ndre Mjedën. Më 26 shkurt 1902 Mjeda hartoi në të gjitha gjuhët e diplomateve në Shkodër, një memorandum, në emër të krerëve mirditorë të Oroshi, Spaçit, Kushnenit, Fandit, Dibrrit dhe bajraqeve të Pukës së sipërme të cilin e dërgoi vetë, në dyert e të gjithave konsullatave të akredituara në Shkodër. Në vitet 1910- 1912, ai kërkonte që të tria besimet e një kombi të bashkoheshin në një lëvizje të vetme kombëtare, me qëllim që të fitohej autonomia për shqiptarët me mënyrë paqësore dhe, më vonë të bëhej shkëputja e plotë nga Perandoria Osmane.

Por, natën e 1-2 nëntorit 1912, duke iu bastisur shtëpia, Mjeda arrestohet nga turqit për herë të dytë. Me këtë rast i digjen dorëshkrimet e vyera në qelën e kishës se Kuklit, ku kryente shërbesat fetare. As ky gjest i shëmtuar i pushtuesit turk, nuk e ndaloi poetin që në nëntorin e vitit 1912, të merrte pjesë aktive tashmë në mbrojtjen e qytetit të Shkodrës, nga sulmet pushtuese malazeze e serbe, të cilëve u ishte rritur oreksi ndaj tokave shqiptare.

Nënkryetari i Qeverisë së Vlorës, Dom Nikollë Kaçorri

Në vazhdën e lëvizjeve dhe kryengritjeve në veri të Shqipërisë, bëjnë pjesë dhe ato të Kurbinit të viteve 1903-1912. Kjo krahinë, si të gjitha viset e tjera, kërkonte të drejtën e vetëqeverisjes. Me këtë rast, në skenën politike doli, Dom Nikollë Kaçorri, për të cilin Dom Markë Dushi, famullitari i Tiranës, në dorëshkrimin e tij, me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Kaçorrit, ndër të tjera shkruante: “Shkëndijën e parë në zemrat e malësorëve trima të Kurbinit për një kryengritje të përgjithshme kundër turkut, që e ndezi Dom Nikollë Kaçorri”. Dushi, duke komentuar cilësitë e Kaçorrit, do të nënvizonte: “I lindur në vend burrash, i mprehtë për nga mendja, orator për nga goja dhe vullkan për nga zemra, për dashuni ndaj atdheut, të gjitha këto e bajn Kaçorrin një personalitet të dalluem në Shqipërinë e skllavërueme, por jo të mposhtun, një shërbëtor të denjë të atdheut”.

Dom Kaçorri, në vazhdën e punës së tij atdhetare, qe zgjedhur anëtar i Kongresit të Manastirit në vitin 1908 si dhe të Kongresit të Elbasanit. Po atë vit qe zgjedhur si delegat i Durrësit edhe në Kongresin e Dibrës, në vitin 1909. Pasi u zunë disa delbenishtas duke sjellë armë për kryengritësit në Kurbin, Dom Nikollë Kaçorri u arrestua, si nxitës i kryengritësve. Gjyqi i Durrësit më 25 qershor 1910 e burgosi dhe e dënoi Kaçorrin me 4 vjet burg. Por, kjo ngjarje e shëmtuar nuk e shoi dashurinë e Kaçorrit ndaj atdheut, edhe më tepër e ndezi zjarrin e pa fikur në shpirtin e tij për çlirimin e vendit.

Kaçorri njoftonte dhe njoftohej me letra për kryengritje, nga Ismail Qemali, Sali Nivica, Imzot Preng Bardhi, Imzot Jak Sarreqi e tjerë. Në njoftimet që dërgonte ai përdorte pseudonimin “Kunora . Në momentet më kulmore për popullin tonë, Nikollë Kaçorri, si Nën/kryetar i Qeverisë së Përkohshme, qëndroi krah për krah me Ismail Qemalin, duke e ngritur Flamurin kombëtar më 28 Nëntor 1912, në Vlorë. Kryeipeshkvi i Durrësit, Imzot Preng Bardhi (Bianchi), meqenëse nëpërmjet Kaçorrit ishte bërë pjesë e jetës së kryengritësve, e përhapi me gëzim të madh lajmin nga në katër anët e Kurbinit për ngritjen e Flamuri kombëtar edhe në Milot, po më 28 Nëntor 1912, nga dora e Gjin Pjetrit.

Kryengritjet e Malësisë së Mbishkodrës dhe Pavarësia

Pakënaqësia e popullit shqiptar ishte shtuar dhe më tepër pas aprovimit të kushtetutës xhonturke të Perandorisë Osmane më 1908, e sidomos pas një operacioni tejet ndëshkimor të udhëhequr nga Shefqet Turgut Pasha, ndaj Malësisë së Mbishkodrës në vitin 1911, ku qindra familje ishin detyruar t’i lëshonin shtëpinë e tyre, duke u shpërngulur në Podgoricë, sipas marrëveshjes me ndërkombëtarët.

Në këto rrethana, malësorët të udhëhequr nga prijësit e tyre shpirtërorë, kishin vazhduar, në stil të gjërë, luftën e tyre me turqit nga Gryka e Shkrelit dhe Kastrati, deri në Dinoshë, në afërsi të Tuzit. Si rezultat i këtyre luftimeve ka qenë marrja e fortifikimit të Deçiqit, me 6 prill 1911, kur në të cilin më përpara valonte flamuri i Turqisë, dhe tani dhe po atë ditë valoi Flamuri kombëtar, në majën e Bratilës së Deçiqit.

Qëndrimi i malësorëve në arrati u shoqërua me kujdesin e vazhdueshëm të Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Jak Serreqit, së bashku me Abat P. Doçin, Atë Gj.Fishtën, Dom L. Bumçin, Dom Nd. Mjedën. Figurat e njohura klerikale u përfshinë gjerësisht në ngritjen në këmbë të opinionit diplomatik evropian, duke u angazhuar gjerësisht në modelimin e bisedimeve në mes të kryengritësve dhe të autoriteteve turke.

Meqenëse qeveria turke nuk i plotësoi kërkesat e shqiptarëve, të Kuvendit e Gërçës, qershor 1911, për autonomi, përkatësisht bashkimin e katër vilajeteve në një të vetëm, shqiptarët me nxitjen e klerikëve vazhduan kryengritjet në intervale edhe deri në pikën kulmore, kur me ndihmën e Austro-Hungarisë, Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri, Mithat Frashëri, Myfit Libohova, e të tjerët, në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë.

Kontribuuesit për shpalljen e Pavarësisë, si: Fishta, Mjeda, Nikaj, Doçi, e tjerë, për shkak të sulmeve malazeze në Shkodër, tetor-nëntor 1912, që vijonin edhe gjatë muajit nëntor 1912, nuk munden të jenë të pranishëm në ngjarjen e Vlorës, por shpirtërisht e ndanin gëzimin me bashkëvëllezërit e tyre të cilët të bashkuar rreth flamurit, shprehnin vullnetin e të gjithë shqiptarëve, kudo që ata ndodheshin.

Për flamurin dhe ngjarjen në Vlorë, i mallëngjyer ishte dhe Kryeipeshkvi i Shkupit, Imzot Lazër Mjeda, i cili duke qëndruar për bisedime diplomatike në Vjenë, rreth lëvizjeve të armatosura dhe të mos lejimit të copëtimin e trojeve. Ai, sipas revistës Leka, ndihmoi financiarisht, Luigj Gurakuqin dhe Ismail Qemalin që të arrinin me vapor, nga Trieste për në Durrës, e më pas të shkonin drejt Vlorës.

Megjithatë edhe pse me insistimin e Rusisë arriti në vendimet e Konferencën e Ambasadorëve nw Londwr, më 1913, t’i shkëpuste prej shkëputën prej trojeve tona, më shumë se gjysmën e territorit dhe popullsisë, të cilën ua hodhi dhanë krijesave të saj, përqark nesh, pozicionimi i klerikëve katolikë për çështjet në fjalë ishte sa i qartë, aq edhe i prerë historikisht.

Misioni i tyre ishte i mbështetur në trinomin, ‘Për Zot, për Atme e Përparim’, që do të sillte dinjitetin e shtetit shqiptar dhe shqiptarit, kudo që ata do të ndodheshin.

Filed Under: Histori

Rëndësia e festës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë 

December 1, 2024 by s p

Prof. Gjon Frani Ivezaj/

Për të gjithë vellaznit dhe motrat që ndihen krenare për emnin “shqiptar” dhe “shqiptare”
urimet e mia ma te mira per vitin jubilar 2024. Gjithashtu, mire se vjen shekulli i dyte i
Pavarsisë Kombëtare Shqiptare, shekulli i shpreses se madhe, akoma te papermbushun,
shekulli i andrruem që nga vitet e largeta te Rilindjes shqiptare, që nga bankat e shkollës
fillore ku muarrem mësimin e pare mbi Shipërinë, tokën e saj, popullin e saj, e historine e saj të dhimbshme. Sot mendojme se kjo trashegimi që sjell lot ne sy, nuk duhet te jete “fati” i pandryshueshem i Shqiperise sone, i Shqiperise se te gjithe shiptarëve. 

Sot kemi do te drejtë të mendojme dhe te punojme per nji Shqipëri që “bën histori” , rrugetim drejt lirise se plote dhe te ndertueme me duert tona.

Duam nji Shqiperi te lire, te pavarun, demokratike, te bashkueme dhe europiane, dhe duam ta ndërtojme me duert tona! Për të përkujtuar Festën e Flamurit dhe Pavarsisë së Shqipërisë, e cila na identifikon si popull me qëndres të lartë dhe besnik të idealeve të shenjta të lirisë. 

Me vetëdijen tone, jemi krenar që i përkasim këtij populli, prej të cilit fatosat e lirisë ndër shekuj nuk kursyen as gjakun e tyre, për këtë flamur si symbol kombëtar dhe për ato troje tona të shtrenjta në vendlindje.

Po kështu, në këtë datë të shënuar historike, përkujtojmë kryeheroin tonë kombëtar Gjergj Gjon Kastriotin, ku me 28 nëndor të vitit 1443,  ngriti për herë të parë në historine e këtij kombi dhe token e Arbërit Flamurin me Shqiponjën e zezë dykrenare në Kalanë historike të Krujës, ku valoi plot 25 vjet.

Kryetrimi ynë Gjergji, deri sa kaloi në amshim luftoi me atë Flamur në dorë dhe kurrë nuk pësoi humbje për 25 vjet me radhë përballë Perandorisë më mizore otomane të kohës. 

Ai flamur valoi i pamposhtur në Kalanë e Krujës dhe në kulla e kala të tjera arbërore, për 25 vjet. Kujtojmë, se nën hijën e këtij Flamurit të kuq e zi Kryeheroi ynë kombëtar udhëhoqi popullin dhe Shqipërinë asokohe.

Pas vdekjes së Tij (më 1468), pushtuesit islam otomanë depërtuan në të gjitha trojet arbërore dhe e ndaluan me dhunë valimin dhe përdorimin e flamurit, simbolit të identitetit etnik të popullit tonë. U deshtën edhe 544 vite pritje e vuajtje, tmerr e robëri nën atë pushtues, si dhe shumë ekzode e zbrazie masive të trojeve të Arbërit. 

Që prej asaj kohe trojet tona të lashta iliro-arbnore, asnjëherë nuk e humbën identitetin e tyre, por qenduran dhe luftuan heroisht me shekuj për mbrojtjën e trojeve shqiptare, prej armiqve tanë shumë shekullore, si: turqve, serbëve, grekëve, bullgarëve, malazezve, ku fatosat e lirisë së Malësise së Malle, më 6 Prill të vitit 1911, në istikamin e Deçiqit me  në krye heroin tonë kombëtar Ded Gjon Lulin, shpalosi nga gjoksi flamurin kuq e zi, dhe e ngriti për të dytën herë Flamurin e Lirisë, po atë flamur që ngritën mbi re trimat e Arbërisë me Skënderbeun, duke çarë qiellin gri të terrinave turke e më vonë ato serbo – malazeze, që si hije e zezë e kishte mbuluar tokën arbnore.

Dhe sot me 28 nëntor 2024, përkujtojmë këtë datë të shënuar, të Pavarsisë së Shqipërisë të vitit 1912. 

Sot u mbushën plot 112 vite nga ajo ditë  e shënuar, ku patriotët më të mëdhenj të kohës e lëvizjes mbarëkombëtare shqiptare me në krye Ismail Qemalin, ndonëse me shumë vonesë morën në dorë fatet e kombit, duke shpallur mëvetësinë nga sundimi turk dhe Pavarsinë e plotë të Shqipërisë. 

Kjo ditë është dhe do të mbetet simbol i bashkimit dhe formimit të nje shteti shqiptar, nji ditë e bekuar dhe e shënuar për të gjithë ne Shqiptarët kudo që jetojnë dhe veprojnë , edhe pse të coptuar në shumë vende por përsëri kemi një vend të krijuar, ku mund të jetojnë shqiptarët të lirë por jo të bashkuar.

28 Nëntori 1912, është njëra ndër ditët më të ndritshme dhe ndër më të rëndësishme të Rilindjes sonë Kombëtare në të gjithë historinë tone , dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme së popullit shqiptar në Gadishullin Ilirik .

Liria e arritur, është vlera jonë dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë sonë, e cila nuk falet, e as nuk dhurohet, por fitohet me shumë përpjekje, gjak  sa gjak është derdh dhe vuajtje brezash, sa breza kanë vuajtur për këtë ditë!?

Me 4 dhjetor 1912 kuvendi i Vlorës zgjodhi përbërjen e plotë të Qeverisë, ku morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat Shqiptare. Menjëherë Asambleja e Vlorës, formoi Gjeverinë e pare të Shqipërisë së pavarun. Të ndrejtuar nga Ismail Qemali kryetar, Nënkryetar, Dom Nikollë Kaçorri edhe ministër i Punëve të Brendeshme, kurse ministër i Arsimit   Luigj Gurakuqi etj.

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe përcaktimi i kufijve të Shqiperise , u bë mbas konferencës së Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës ishte shpallja e principatës Shqiptare sovrane nga   perandoria Osmane, nën mbikqyrjen e komisionit ndërkombëtar të kontrollit dhe lënia e gjysmës së teritorëve të shtetit të rij  jashtë kufijve të tij administrativ .

Qysh nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, ngjarjet janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, ku në fillim të shekullit XX, vëmendja e Rilindjes shqiptarëve zhvendoset në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare me Kongresin e Manastirit dhe hapjen e shkollës Normale të Elbasanit.

Gjatë kohës së shpalljes se Pavarèsisë së Shqipërisë më 28 Nëntor1912, Ismail Qemali u bëri thirrje të gjithe pèrfaqësuesve të shtetëve Ballkanike , u dergonte mesazha të qarta edhe tek diplomacia ndërkombëtare  se shqiptarët po beheshin gati që të shpallnin pavarsinë e shtetit sovran shqipëtar.

Ismail Qemali, i cili, kur po e ngrinte Flamurin e qëndisur nga Marigona, në fjalën e tij solemne, ndër të tjera ka thënë: “Fqinjtë tanë nuk duhet të gënjehen me lakmi, se shqiptari s’e duron robërinë. Historia e shekujve të kaluar e dëshmon këtë të vërtetë. Ky truall është atdheu ynë. Ne e kemi gjuhën tonë, zakonet tona, kulturën tonë, ndaj, sot, të mbledhur në këtë kuvend të madh historik, ne shprehim para gjithë botës vullnetin e popullit tonë sovran”.

 Pavarësia e Shqipërisë, solli mjaft risi. Ajo solli së pari krijimin e një shteti të pavarur, një shteti që sot njihet si vend i shqiponjave, si vend i burrave krenar dhe punëtor.

Sot Festa e Flamurit festohet kudo ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë në Mal te zi, dhe diasporë.

Zoti e bekoftë Ditën tonë të Shenjtë, 28 Nëntorin!

Një ditë e tillë e madhe, gjithmonë na kujton vlerat e mëdha të kombit tonë. Na bën të mos i harrojmë sakrificat e panumërta që na sollën lirinë, e të cilën pjesa më e madhe e kombit e gëzon sot dhe na obligon të punojmë shumë që kjo liri të shtrihet në çdo skaj të atdheut tonë. Gjatë të kaluarës së vështirë, shqiptarët arritën që denjësisht të mbrojnë kombin e tyre dhe gjakun e ilirëve jetik.

Ne jemi ndër popujt e rallë, autokton, që jetojmë të grimcuar në shtete rreth e qark shtetit amë, jemi popull shembull, kur bëhet fjalë për tolerancën ndërfetare, jemi gegë e toskë, jemi shqiptarë që na bashkon një gjuhë, një flamur, një gjak. 

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjitha tokat shqiptare jashtë kufijve të saj administrativë! 

Zoti i bekoftë të gjitha qeniet arbërore!

Së fundit duke ju pershendetur të gjitheve, në këtë fest të madhe  kombëtare të perkujtimit  të 28 nandori  2024 pavarsisë të Shqiperisë. 

Filed Under: Analiza

TANI E DUA NOLIN EDHE MË SHUMË…

December 1, 2024 by s p

Veri Talushllari/

Mbresa nga leximi i librit të Ilir Ikonomit “Fan Noli Apostulli” V1.

Disa vite më parë, një armatë e tërë “kalorësish” të Skënderbeut e grinë dhe sa nuk e vranë në rrjetet sociale një historian austriak, Oliver Shmidt dhe studiuesin e shquar shqiptar, të ndjerin Ardian Klosi, pasi ata folën e shkruan për çmitizimin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Për të paditurit e Fejsbukut dhe Tuitërit çmitizimi tingëllonte si një mëkat, madje tradhëti, thikë pas shpine për Gjergjin tonë të Madh, që në përfytyrimin e tyre kish lindur mbi kalë dhe me shpatën e tij që nuk e ngrinin dot dy burra të fortë, por që ai e përdorte si plaka shtizat, pa u lodhur, duke prerë e grirë koka turqish, madje çante dhe shkëmbenj e male. E si mund të çmitizohej, si mund të përfytyrohej ai Burrë, psh.,një ditë të bukur, duke folur me Gjeneralët e tij, papritur e ndërpret bisedën dhe u thotë: “Më falni o miq po më duhet të shkoj deri aty pak tej se kam pak dhimbje barku.” Mund të përfytyrohet i Madhi Skënderbej në një skenë të tillë?! Në asnjë mënyrë! Ai ishte…ai ishte… ai nuk ishte si të vdekshmit e tjerë!

Dhe ja ku vjen Ilir Ikonomi dhe bën të njëjtin “mëkat” ndaj një legjende tjetër: Theofan Stilian Nolit! Atë që bota shqiptare dhe më tej e njeh si Fan Noli. E e njeh si poet, si përkthyes, si politikan, si diplomat, si historian, si muzikant, si poliglot, și…thoni një fushë të dijes dhe aksionit njerëzor ku Noli nuk ka lënaë gjurmë. Por me të drejtë e mbi të gjitha e njeh si Themeluesin e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare. Edhe ai vetë këtë vlerë i jep vetes. Krijimi i Kishës Autoqefale Shqiptare shpëtoi Jugun e Shqipërisë nga pushtimi, aneksimi dhe asimilimi grek. Noli rrëzoi mitin dhe pretendimin e Kishës Greke se çdo orthodoks është grek, dhe në këtë mënyrë u zhvillua dhe u forcua ndjenja dhe identiteti kombëtar shqiptar. Koha i ka dhënë të drejtë. E me gjithë këto vlera e këtë kryevlerë, është e natyrshme ta quash e s’ke si të mos e përfytyrosh Nolin veçse si Legjendë. Ta përfytyrosh një djalosh 24-25 vjeçar që pasi u nis nga Ibrik-Tepeja, (një ngulim luftëtarësh shqiptarë (kolonjarë) në shërbim të Sulltanit që sipas traditës mernin dhe familjet pas vetes,) bëri ca shkolla e ca punë në Athinë, Stamboll a Egjipt, një ditë u gjet në Amerikë, fillimisht në Bafollou (Bufallo, NY,) dhe pastaj në Boston, e duke parë gjendjen e mjeruar të shqiptarëve veshi rrason e priftit dhe menjëherë shqiptarët e ndoqën si Mesian. Ai fliste, nga goja i dilnin vetëm fjalë të mënçura, turma e dëgjonte gojëhapur dhe… gjithçka shkonte si s’ka më mirë.

Ashtu?

Jo tamam! Se legjendat janë një gjë dhe jeta, realiteti, zhvillimi i ngjarjeve janë krejt tjetër gjë. Ja, pikërisht këtë na tregon Ilir ikonomi. Ky është “mëkati” i tij. Se na tregon me kulturë dhe me një shqipe të bukur, të rrjedhshme, por më e rëndësishmja me vërtetësi të mbështetur mbi dokumenta autentikë Nolin tonë,të diturin tonë,të mençurin tonë ashtu si ka qënë, ashtu si ka lindur dhe është rritur, ashtu si është shkolluar e dituruar, ashtu si ka punuar si prift, si krijues letrar, si politikan, si diplomat etj. Falë Ikonomit ne mund ta përfytyrojmë Nolin si djalosh dhe burrë të ri, (Vëllimi i parë flet për të deri në korrik 1920, kur ishte rreth 38 vjeçar), duke lëvizur rrugëve të Bostonit apo auditoreve të Harvardit, duke meshuar apo shkruar, por edhe duke debatuar e shpesh edhe duke u grindur, sharë e mallkuar kundërshtarët apo armiqtë. Në përfytyrimin tonë, por edhe siç e dokumenton bukur edhe ky libër, Noli është një atdhetar I madh, që ka bërë si rrallëkush për Shqipërinë. Por jo më pak atdhetar dhe që ka bëre aq shumë për Atdheun tonë është edhe Plaku i Pavarësisë, Ismail Qemal Vlora. Por e dini ju që endé nuk e keni lexuarar librin “Fan Noli Apostulli” të Ilir Ikonomit se kur u takuan në vitin 1913, Ismail Qemali nuk e pëlqeu aspak Fan Nolin dhe në 6 vitet që pasuan, deri në vdekjen e tij, Noli e luftoi me çdo mjet Plakun e Vlorës? Ja pra, ky është “mëkati”i këtij libri, i tregon ngjarjet siç kanë ndodhur, pa dorashka. Deri para se të lexoja këtë libër, kam pasur një mendim krejt tjetër për motrat Qirjazi, Sevastinë dhe Parashqevinë, gati gati më dukeshin si Roza Anagnosti tek ai filmi i famshëm “Mësonjtorja”. Por Ikonomi na tregon se pa vënë aspak në dyshim kontributin e tyre për kulturën, shkollën the alfabetin shqip, gjatë viteve kur edhën në ShBA ato dhe Kristo Dako ishin jo thjesht kundërshtare dhe penguese të punës së Nolit si prift dhe në Federatën ”Vatra” e gazetën “Dielli”, por ato edhe shpifën dhe e spiunuan te FBI, me akuza të paqëna si spiun i austriakëve etj. Këto janë të vërteta që dhembin, por janë të vërteta amá. Sepse autori çdo hap të Nolit dhe të bashkëpunëtorëve, bashkëluftëtarëve apo kundërshtarëve të tij e ka vërtetuar me dokumenta. Aty ku nuk është i sigurtë apo nuk ka arritur të gjejë dokumenta, Ikonomi nuk spekullon, nuk paragjykon, nuk hamendëson.

Faik Konica. Një tjetër shqiptar i madh, që për rreth 30 vjet në fushën e kulturës, gazetarisë, letrave dhe politikës e diplomacisë ka qënë bashkëudhëtar i Nolit. Kur u takuan dhe u njohën në vitin 1909 ata u bënë miq e shokë të mirë, por duke qënë dy karaktere të ndryshme, me formim e ambicje të ndryshme, shpejt filluan përplasjet. Frut i bashkëpunimit të tyre janë dy veprat madhështore që u mbijetuan kohrave dhe janë aktive edhe sot e kësaj dite, duke bërë aq shumë për çështjen shqiptare, “Vatra” dhe “Dielli”. Por këta dy gurë diamanti të trashëgimisë sonë atdhetare e kulturore, që në fillimet e tyre e kanë kryer misionin e tyre mes vështirësish e përpjekjesh heroike të këtyre dy burrave e krahas tyre edhe të Kristo Floqit, Sotir Pecit,Kostë Çekrezit, Kolë Tromarës, Qerim Panaritit e të të tjerëve, por edhe mesh debatesh, zënkash, sharjesh e mallkimesh të hatashme. E megjithatë vështrimi i tyre ka qënë dhe mbeti nga e mira e Shqipërisë. Dhe fakti që Shqipëria mbijetoi, fakti që edhe Kosova u shkëput nga kthetrat e Serbisë, fakti tjetër që- edhe pse me probleme- ato janë futur në rrjedhën e proceseve të integrimit europian, tregon se vizioni i atyre burrave ka qënë drejt zhvillimit e përparimit të trojeve shqiptare.

Por pikërisht se rrjedha e ngjarjeve e shenjoi fatin e Shqipërisë kah e mira, me gjithë ato ngjarje shpesh kulmore si Kongresi i Manastirit, botimi “Diellit” the krijimi i “Vatrës”, Shpallja e Pavarësisë e deri tek Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës, e midis tyre Konferenca e Ambasadorëve, lëvizja haxhiqamiliste, ardhja dhe ikja e Princ Vidit, kthimi i Shqipërisë në shesh lufte i ushtrive të shteteve fqinjë dhe fuqive të mëdha të kohës, Traktati i Fshehtë i Londrës, Konference e Paqes the roli shpëtimtar i Presidentit Uillson etj., për të gjitha këto libri i Ilir Ikonomit ”Fan Noli Apostulli” V1, është aq i vlefshëm the interesant. Lexuesi tashmë ka një pamje krejt afër të vërtetës se si është luajtur loja the si kanë luajtur lojtarët. Ku padyshim Noli ynë shkëlqen mbi të tjerët. Ikonomi na e ka bërë këtë të mirë: ta njohim e shohim Nolin ashtu siç ishte. Dhe edhe pse i zbulon pothuajse çdo cep të personalitetit, të hapave në jetë e krijimtari, autori na e bën më njerëzor, më të afërt, më të ngrohtë.

E pra prandaj dhe tani vërtet e admiroj, e nderoj, i përulem, madje e dua dhe më shumë Fan Nolin.

Filed Under: LETERSI

Lamtumirë Heroi ynë Profesor Sami Repishti

November 30, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Si aktiviste pranë komunitetit shqiptar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam patur rast të takoj e të flas nga afër me legjendën shqiptare, ish të burgosurin politik të ndërgjegjes Prof. Sami Repishti.

Rreth dy vite më parë sëbashku me disa koleget tona realizuam dokumentarin me titull “E Bukura nën Pranga”, ku personalisht mbaj autorësinë si skenariste dhe regjisore e tij.

Dokumentari i dedikohet grave dhe vajzave shqiptare që u burgosën, u vranë e internuan padrejtësisht nga diktatura më e egër në Europë. Aty paraqiten jetët plot mund, vuajtje e sakrifica të Hava Repishtit – nënës së Prof. Sami Repishtit, Hana Sinës – nënës së gazetarit të palodhur Beqir Sina, i cili ka lindur dhe është rritur në internim në Shqipëri. Përshkruhet jeta dhe veprimtaria patriotike e Heroinave Musine Kokalari, Marie Shllaku, Marie Dvorani, Klara Mirakaj, Suzana Matja, Flora Selfo, Prof. Dr. Dolore Bushatit, e cila ka lindur dhe është rritur në internim në Shqipëri, italianes Jolanda Tahmizi, Marie Rexhaj. Shpresa Tuda, Fatbardha Mulleti Saraçi, Leze Smajlaj, juristes dhe diplomates Rozana Cima etj.

Në dokumentar flitet gjithashtu edhe për femrat – Heroina shqiptare që u vranë, përdhunuan e u malltrajtuan nga makineria serbe gjatë luftës në Kosovë, genocidin çam ndaj femrave shqiptare si dhe diktatin e egër që ushtronte qeveria serbe në Maqedoni ndaj femrave dhe popullit shqiptar në tërësi.

Dokumentari “E Bukura nën Pranga” hap siparin e tij me jetëshkrimin e një nëne që pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj Ibrahim Repishti, një nga promotorët e Lëvizjes Demokratike të periudhës së Pavarëisë dhe konfiskimit të pasurisë, punonte në mënyrë që të ndihmonte të birin, i cili vuante dënimin në burgun pranë Urës Vajgurore. Mbështjellë në një torbë të vogël pak ushqim, përpiqet t’ia dërgojë të birit të saj në burg, por rojet e burgut e shtyjnë e largojnë si armike e popullit.

Kjo ishte Hava Bushati Repishti nëna e Prof. Sami Repishtit, i cili po vuante dënimin si i burgosur politik në atë ferr torturash sëbashku me qindra e mijra ish të burgosur politik të Shqipërisë, kundërshtarë të atij regjimi diktatorial që shkatërroi individin, fëmijë, familje shqiptare dhe të huaja. Një natë dhjetori në vitin 1953 nënë Hava u la për 24 orë jashtë dyerve të burgut nga rojet duke mos e lejuar të takonte të birin.

Jetëshkrimin për nënën e tij Prof. Repishti ma dërgoi me postë, si dhe më kishte dhuruar edhe një nga veprat e tij letrare titulluar “Pika e Lotit”. Libër ky me tregime, ku përshkruan torturat nga burgu i Shkodrës, konceptuar në formë autobiografie dhe përjetime jetësore historike.

Gjithashtu sa herë që me antaret e Organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA do të mbanim ndonjë event përkujtimor do të na përgëzonte duke bërë një analizë super pozitive dhe entuziaste edhe në media, ku shprehte rëndësinë dhe vlerësimin e tij.

Nuk jam e sigurtë për emërtimin e titullit Presidencial që gëzonte në Shqipëri Prof. Sami Repishti, por për ne dhe popullin shqiptar mbetet një Hero, aktivist i të drejtave civile të njeriut, luftëtar i vërtetë i paqes dhe demokracisë botërore.

Lamtumirë Legjenda Shqiptare Prof. Sami Repishti!

Foto: Dritan Haxhia

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 614
  • 615
  • 616
  • 617
  • 618
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT