• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fëmijët e Klubit “Flas Shqip” të Vatrës Miami festuan “Halloween”

October 30, 2024 by s p

Fëmijët shqiptarë të Klubit patriotik “Flas Shqip” festuan festën e dashur e të frikshme për fëmijët “Halloween”. Një manifestim artistik e kulturor që prodhoi shumë emocione, kërshëri e zbavitje për fëmijët dhe prindërit e tyre. Klubi patriotik “Flas Shqip” organizuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dega Miami është një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë në Floridën e Jugut e jo vetëm në ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë, traditës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Klubi patriotik “Flas Shqip” nën drejtimin e Dr. Iris Halili po themelon një traditë të shkëlqyer patriotike në mërgatën shqiptare të Amerikës me aktivitete atdhetare, sociale, edukative e komunitare. Vatra bashkon të gjithë shqiptarët anembanë Amerikës. Vatra është histori, identitet e krenari kombëtare. Fëmijët janë investimi më i sigurtë dhe garancia më e fuqishme kombëtare e trashëgimisë identitare shqiptare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Komunitet

Një monument shkronjash shqip për njeriun monument Robert Elsie

October 30, 2024 by s p

Namik Selmani

Boston/

Tetorin e vitit 2017 në qëndrimin tim në Boston e prita më një trishtim të madh njerëzor. Nuk ishte ajo “sëmundje dhe ankth” që e zë mërgimtarin e çdo moshe qoftë. Në mundësinë e madhe të komunikimit që e ka bërë botën mjaft të vogël, mësova për vdekjen e studiuesit, albanalogut, përkthyesit, fotografit Robert Elsiesë. E kisha pak a shumë afër Vankuverin kur në vitin 1950 kishte lindur një nga emblemat e albanologët më të shquar të kohëve moderne, por edhe të të gjithë kohërave Robert Elsie. Në atë urë vigane të lidhjes së Shqipërisë me të huaj historia, folklori të dhënat gojore filmat pikturat e sa e sa burime të tjera në kanë dhënë mjaft informacion. A nuk i kemi parë etnografinë tonë nëpërmjet pikturave dhe etnografëve të të huajve? Po ato thëniet gati lapidarë monumentale të të huajve për Shqipërinë vështirë që mund të kishte njeri që do të konkurronte me thëniet që ai i bëri vetëm pak kohë para vdekjes së parakohshme për Shqipërinë, shqiptarët e sidmos për gjuhën shqipe: “Shqipëria më mahnit, më lodh!” Si shqiptarë, të gjithë me e pa shkollë duhet të kemi fytyrëskuqjen e madhe para tij për atë që ka bërë ai dhe që duhet të bënim më mire.

“Shqipëria më çmend, por ky vend nuk është kurrë i mërzitshëm. Gjithmonë ka diçka për të zbuluar, diçka që të habit, të gëzon, të tmerron…

-Ka sigurisht një mijë gjëra që nuk më pëlqejnë në Shqipëri –Mbase jam bërë shqiptar! Por nuk imagjinoj se mund të jetoj pa Shqipërinë”.

Pa koment edhe kur e lexojmë këtë thënie-testament disa herë. Edhe kur ua themi nxënësve fëmijëve. Sa bukur! Sa mençurore janë fjalët e tij! Ato nuk kanë as ekzaltimin ndaj kulturës sonë, por as dhe atë pozë, shpesh edhe dashakeqe që marrin mjaft gazetarë, artistë politikanë ndaj vendit tonë. Një thënie që duhet ta lexosh shumëe shumë herë për mesazhin që ajo ka për krenarinë që na ngjall ne, si shqiptarë por edhe atë fytyrëskuqjen që kemi para asaj që duhet të bënim më mirë.

E, si për të vënë një kryekurorë më të artë për ato që ai ka thënë ishte edhe amanet i tij i veçantë, i befasishëm, i çuditshëm, por edhe shumë human për vendin tonë, e thënë me vetëm pak fjalë: “DUA TË VARROSEM NË SHQIPËRI!” Gjëja më e thjeshtë kur dëgjon këto dy thënie është që të rrish pak në heshtje të heshtësh e të meditosh. Të përballosh goditjen që të vjen në mendësinë tënde, në atë që ne quajmë patriotizëm. Të meditosh e të skuqesh me vete. Brenda asaj terrnaje ku futet fati i intelektualit të sotëm shqiptar që nuk e gjen veten në mjedisin social shqiptar, të atyre që plotësojnë çdo vit që në ditët e para llotarinë amerikane, kanadeze (për ironi ta fatit dhe për të shkuar në atë vend ku ka lindur vetë Monumenti Robert Elsitit.

Ndodhi 40 vite më parë. Jo rastësisht që i ndryshoi kahjen jetës së kanadezit dhe evropianit të mencur Robert, por dhe botimeve albanalogjikë të kombit tonë. Dhe sot që ai nuk jeton më dhe sot ku kemi në palcën e dheut tnë trupin e tij, themi me plot gojë se ndryshoi dhe kahja e botimeve tona. Po rizgjohej Norbert Jokli, vlerësimi i Edit Durhani, Eduard Lear. Që në ditën e parë ai do të projektonte një jetë të dyfishtë mes Shqipërisë dhe Evropës. Ajo thënia e parë e tij ishte ndryshimi i kursit të jetës. “Mësova shqip, sepse isha shumë i interesuar për Shqipërinë dhe për shqiptarët, që nga vizita e parë në vitin 1978. Them se nuk mund të kuptosh asgjë nga një popull pa kuptuar gjuhën e tij. E sigurt është gjithashtu që nuk mund të veprosh në fushën e albanologjisë pa ditur gjuhën. Është vështirë ta krahasosh gjuhët e botës. Çdo gjuhë ka bukurinë apo forcën e vet. Për shqipen mund të them vetëm se ishte shumë e vështirë për ta mësuar. Jam lodhur shumë. Por çfarë kënaqësie kur e kupton dhe e flet!

Erdha me një profesor nga Gjermania. Ai siguroi një vizë në vitin 1978 dhe erdhi me studentët. Erdhëm si turistë. Bëmë plazh në Durrës, për ne ishte shumë bukur, diell, ngrohtë, u kënaqëm. Rrethuar nga parrullat propagandistike të partisë, rroftë kështu, rroftë ashtu… ishte bukur. Nuk e mora shumë seriozisht, sepse nuk jam shumë i interesuar për politikën dhe veç vëzhgoj dhe thashë: “Uh, më duket vetja si në një film Hollivudi.”

Janë dy yje të kulturës dhe letërsisë botërore që kanë patur pak a shumë një simbolikë të përbashkët të vdekjes së tyre ose më saktë, të varrimit të tyre. 200 vjet më parë Bajroni ndihmonte revolucionin grek. Të gjithë paratë që kishte marrë në baulet e tij në ato ditë ai u rëndua dhe nga shëndeti që i mori më tej dhe jetën E natyrisht edhe kishte po atë sakrificë për kulturën shqiptare.

Kohë më parë kur jepja mësimi në shkollat e mesme të Beratit, gjeja përherë mundësi që ta promovoja veprën e tij madhore, një nga kryveprat e tij “Histori e letërsisë shqipe”, edhe pse botime të tilla ishin të pakta dhe nuk kishte libra të mjaftueshëm për nxënësit që kishin pasion që të studionin më thellë. Mendoj se është e pakonkurrueshme dhe sot jo vetëm për saktësinë, dimensionet që jepen në të, por edhe për gjithëpërfshirjen e letërsisë sonë kombëtare gjë që nuk është bërë sa e si duhet nga fakulteti përkatës apo edhe nga Akademia e Shkencave.

Studiuesja dhe shkrimtarja Flutur Açka do të shkruante për të se ai ishte dhe mbeti “Akademia në lëvizje”. Koha do ta shtojë do ta shenjtërojë edhe më shumë dritën e mendjes dhe të veprës së tij. Dhe ishte vetëm 67 vjeç dhe ishte kaq shumë për të thënë për të shkruar për të studiuar Dhe gjithë majaja e mendjes së tij e mundit të tij, e sakrificës së tij, lidhej vetëm e vetëm me Shqipërinë. Dhe e gjithë pundashja e tij lidhej me Shqipërinë, me kulturën e saj, me traditën e saj, me gjuhën e saj. Po ai na tregoi dhe mëkatet tona. Mëkatin e Kohës së Humbur. Në atë mëkat që bota perëndimore e ka kaluar prej kohësh. Flet për epideminë e kafes ku njerëzit rrinë me orë të tëra në kafe. Pijnë kafe e flasin si në kafe. E ndërsa duke krahasuar Shqipërinë e komunizmit me atë të demokracisë ai na thënë: “Nuk është diçka që varet vetëm nga partia, është më tepër qëndrimi i popullit.

Pra, që të marrësh diçka që do, duhet të njohësh dikë në Ministri, të pish kafe me të, pastaj të pish prapë kafe javën tjetër me të, edhe një herë të tretë, e më pas ai të lidh më personin që ty të intereson.

D.m.th është njësoj si në kohën osmane, nuk është si një shtet normal.” Si mund ta gjykojmë sot që s’e kemi më Robertin ose edhe Shën Robertin shqiptar, do të thoja unë? Asnjë pikë dhe presje nuk i heqim dot atij gjykimim e Robert Elsiesë nuk ishte dashakeqi i Shqipërisë sonë, po ishte më mirëdashësi i këtij kombi. Që na la pasuri sa njëmijë kafexhi dhe njerëz që masin veten me tribunat e jo me punën e tyre: Formimi i tij akademik ishte mëse i merituar Një unversitet në Kolumbinë britanike, një specializim në Gjermani për gramatikën krahasimtare e bëjnë atë një nga shkencëtarët më seriozë të ditëve tona. E kur sheh se ai merr në fokus të punës së tij të gjithë albanalogët e të gjithë kohërave, atëherë mirënjohja shumëfishohet për atë që bëri për atë që na la. Po le të nisim një çast udhëtimin në atë korpus të madhe veprash të tij. Pas librit “Fjalori i letërsisë shqiptare”, “Historinë e letërsisë shqiptare” dhe shumë antologji të shquara për letërsinë, ndër të cilat “Antologji e poetëve modernë shqiptarë”, “Vargjet e lira”, “Veprat poetike të Migjenit” Më tej kemi atë korpus të madh veprash të tij. Ai shkroi “Fjalorin e fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare”, që u përkthye në shumë gjuhë të botës. Botoi Kanunin e Lekë Dukagjinit në gjermanisht e shumë vepra të tjera. Botoi ditarin e poetit dhe piktorit anglez Eduart Lear dhe një përmbledhje tekstesh të hershme historike për Shqipërinë, përkthyer në gjuhë të ndryshme “Early Albania”. Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova ishin të panjohur për masat e lexuesve perëndimorë, ai botoi dy libra për këto vende. Projekti më ambicioz letrar i Robert Elsisëe është përkthimi në anglisht nga gegnishtja i eposit të madh letrar të Atw Gjergj Fishtës, një vepër me 30 këngë.

Botoi dy albume të mëdha me fotografi të hershme nga Shqipëria dhe Ballkani. Sipas tij, fotografia e vjetër është një pasqyrimi saktë të së vërtetës. Ndërkohë që kishte gjetur një album fotosh të Edit Durhanit të papublikuara deri tani. Ai njohu me rrënjë të folmen e shqiptarëve të Kroacisë, të arbëreshëve të Italisë të arvanitasve të Greqisë, të Kosovës, të Camërisë. Kishte shkuar në Bullgari, Turqi, Greqi, Ukrainë, ku kishte shqiptarë. Kishte bërë sa e sa inçizime që edhe sot nuk janë të njohur publikisht. Çdo gjë që kalonte në jetën e tij në penën e tij, në mendjen e tij, në gojën e tij, ishte një BETEJË e bukur, e fituar para se ajo të niste.

Dhe rrallë mund ta konkurronin dje dhe sot, sot dhe nesër, për këtë kurajo Secila prej tyre ishte një kulm që e tregonte forcën e tij intelektuale. Për 12 vjet në Hagë punoi si përkthyes në gjyqin e Millosheviçit që ishte me shumë interes. Ishte në mes të sallës, 2 metër larg Millosheviçit, po ishte me shumë stres. Kujton për këtë ditë: “Nuk mund të bënim gabim sepse ishin mediat – por kuptohet që kemi bërë edhe gabime se edhe ne, përkthyesit, jemi njerëz. Por veçse shumë stres, ishte edhe shumë vuajtje herë pas here. Kishe rrëfime të tmerrshme. Gjëra që më kanë prekur. Disa herë kam filluar të qaj në mikrofon kur përktheja. Një shembull: Diku afër Prizrenit, në Hoxhë të madhe apo diku përreth, forcat serbe kanë marrë të gjithë burrat shqiparë, i kanë rreshtuar buzë një lumi dhe i kanë urdhëruar të bëjnë simbolet serbe dhe të këndojnë këngë nacionaliste serbe. Njëri nuk e bëri! Serbët e qëlluan. Ai ra në ujë dhe u mbyt. Të tjerët nuk guxonin që ta nxirrnin. Arsyeja? Ky burrë nga Kosova ishte shurdh – memec dhe nuk e dëgjoi urdhwrin e forcave serbe. Kur e ka dëgjuar këtë rrëfim, fillova të qaja! E tmerrshme! Nuk arrija të punoja. Mikrofoni ishte i hapur. Ia dhashë atë kolegut dhe vetë qava me zë në sallë. Tmerr! Tmerr! Ka ndodhur shpesh, por në rrëfime të tjera duket se u mësova. Por në muajt e parë ishte shumë e vështirë.” Ia vlen që të bëhet një koment për këtë.

Vetëm një shqiptar i mirë mund të derdhte lotë të tillë. Dhe Roberti e kishte kaluar dhjetra herë testin e shqiptarit. E në këtë thesar librash, shkrimesh më vjen shumë mirë që ai të ketë punuar edhe për Çamërinë. Në një intervistë me gazetaren Anisa Ymeri vetëm një vit para vdekjes kur e pyesin për këtë kontribut ai thotë: “Kush kërkon në botë një libër për Çamërinë, për çamët ose nuk gjen asgjë, ose gjen libra të botuar në Greqi, që kanë një parim tjetër, një interes tjetër. Libra që nuk tregojnë historinë historinë e çamëve nga ana e çamëve. Tani ka disa libra në tregun shqiptar, edhe në anglisht ka disa botime. Unë vetë kam botuar një libër para 2 vitesh me dokumente për Çamërinë. Por besoj që ka shumë kapituj të historisë së çamëve që nuk njihen, sepse nuk është marrë memoria kolektive e çamëve. Ka edhe sot në Shqipëri çamë që e kanë përjetuar dëbimin, nga Çamëria, nga Greqia që ishin të rinj në atë kohë, por që kanë memorie. Janë pleqtë dhe plakat sot…e këta njerëz duhet të inçizohen, duhet të filmohen, të kenë mundësi të rrëfejnë, të tregojnë atë që kanë jetuar dhe me disa filmime, mund t’i bashkojmë në një histori të çamëve.” Sa këshilla të vyera. Po, për fat të keq, me përjashtim të disa filmimeve që u bënë në vitet 90, nuk vazhdohet që të bëhet kjo punë që do të thotë me plot gojë VRASJA E KUJTESËS. Prapë për të kuptuar karakterin dhe vlerësimin për Shqipërinë në 40 vite jetë dhe në dy kohëra të sistemeve politikë thotë: “Unë nuk mund të jetoj këtu. Është një vend pak i egër për mua, marrëdhëniet midis njerëzve janë pak të egra. E di që është vetëm një fasadë se brenda e kanë shpirtin e mirë, por kanë një egërsi në marrëdhëniet njerëzore. Ju dini të mbroheni këtu, ndërsa unë këtu jam si lepur, nuk di të mbrohem. Unë vij këtu me shumë kënaqësi, por nuk besoj se mund ta përballoj të vij të jetoj përgjithmonë këtu. Ka shumë frustracion të jetës së përditshme. Ngrihej fort për prishjen e gjuhës letarre kudo.

Mjaft vepra të tij janë një lloj beteje e fituar me Akademinë serbe. Ka bërë atë që nganjëherë për shumë arsye nuk e kanë bërë akademikët shqiptarë “Nuk imagjinoj se mund të jetoj pa Shqipërinë.- thoshte në të gjallë ai Shoqata “Bytyçi” në Tiranë dhe në prizren kohët e fundit ka marrë një nismë të bukur Kryetari i saj, Agron Gjedia, na thotë se në kuadër të çmimeve të shumta që ai ka caktuar për vlerësimin e figurave të kulturës shqiptare të japë dhe cmimin “Robert Elsie” Ndërkohë që me të drejtë ata propozojnë që të ketë sa më shumë kujtesë për ta vënë atë në insitucione shkollore akademike, kulturore, rrugë, sheshesh etj. E këtë mund ta bëjë fare mirë edhe Prishtina edhe Ulqini, edhe Tirana. Robert Elsie shkroi për kulturën tonë kur e deshëm aq shumë. Ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës një avokat i fuqishëm i kulturës shqiptare, Ambasadori i kësaj kulture në botë.

Ai mbeti shqiptar i mençur që shkruante me një klithmë te brendshme para Evropës për ato vlera që kishte krijuar kombi ynë në shekuj. Përballë një Evrope që jo gjithmonë na i ka njohur këto vlera. Dhe shpesh na hedh në sy disa mëkate të pabëra. Ai e bëri punën e vet. E bëri si jo më mire. E bëri si dinte ai. Tani e kemi radhën ne. Jo vetëm ta lartësojme emrin e tij në ato maja që ai i meriton në shekuj, por edhe për të ulur kokën me një këmbëngulje të madhe për të njohur ata që ai ka shkruar. E përsërisim, janë 60 libra studimorë të shkruar nga ai. E të ecim përtej krenarisë së shtirur të një njeriu që mburret kur nuk ka lexuar asgjë. Robert Elsie ka njohur lahutën e lahutarët. Ka njohur fyellin dhe fyelltarët. Ka njohur ciftelinë dhe rapsodët e Veriut. Njohu profesorë, gjuhëtarë, etnografë, historianë përkthyes, por dhe njerëz të thjeshtë. Ka njohur poetë dhe artistë. Shpesh i largohej zhurmës së qyteteve si një rilindas modern për t’i dhënë udhë meditimit të tij gati shenjtëror. Jetonte brenda një qënieje që fliste shqip, që mendonte shqip, që këndonte shqip, që vishej shqip (shikoni disa foto të tij me kostume popullore shqiptare të krahinave të ndryshme) Mund ta gjente këtë majë intelektuale edhe në çdo vend të Evropës se i kishte të gjithë mundësitë. Ndoshta dhe në Amerikë apo dhe në Kanada, por ai zgjodhi Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe tani kur shkojnë te varri i tij në Theth të Dukagjinit, pak larg Shkodrës, një djep i kulturës shqiptare, sikur dëgjojmë monologun e tij të shenjtë pas vdekjes: “Unë nuk mund të jetoj pa dheun e tokës shqiptare.” Një kreshnik shkronjash shqip flladitet me flladin e bjeshkës. Është pak afër frymës së Gjergj Fishtës veprën e të cilit ia dha mbarë botës në anglisht.

Do të bien këmbanat e nderimit e kishës që është vetëm pak metra larg varrit, agimeve, muzgjeve për Robert Elsienë, djalin e talentuar kanadez, të mençurin e madh dhe shqiptarin e papërkulur deri në ditët e fundit të një jete kaq të shkurtër për një studiues por edhe për kombin tonë që kishte gjetur te puna e tij të sotmen e të ardhmen.

Dhe këtë mund ta thotë vetëm një njeri-monument.

Filed Under: Kulture

Rileximi…

October 30, 2024 by s p

Behar Gjoka/

Mbi procesin e rileximit është me interes të veçantë pohimi i Italo Calvinos: “- Edhe unë e ndjej nevojën e rileximit të librave që i kam lexuar tashmë, – por pas çdo rileximi, më duket sikur po e lexoj një libër të ri. Jam unë ai që ndryshoj vazhdimisht dhe shikoj gjëra të reja, të cilat nuk i kisha vënë re më parë? Apo leximi është një lloj strukture që merr formë në sajë të bashkimit të një numri të madh gjërash që ndryshojnë dhe që nuk mund të përsëritet dy herë sipas të njëjtës skemë? Çdo herë që përpiqem të përjetoj emocionin e një leximi të mëparshëm, nxjerr përshtypje të ndryshme e të papritura dhe nuk rigjej ato të mëhershmet. Ka çaste kur më duket se nga një lexim te tjetri, vërehet një lloj përparimi: në kuptimin për shembull, që arrihet të depërtohet më shumë brenda shpirtit të tekstit, ose të rritet fryma kritike ndaj tij. Në momente të tjera, përkundrazi, më duket sikur ruaj kujtimet e leximeve të të njëjtit libër, njëri pranë tjetrit, qofshin ato entuziaste, të ftohta apo armiqësore, të shpërndara në kohë pa një perspektive, pa një fill të përbashkët. Përfundimi që kam arritur është se leximi është një veprim pa ndonjë qëllim të caktuar; ose që synimi i tij i vërtetë është leximi në vetvete. Libri është një mbështetës i tij, apo madje një pretkest…” , në librin Nëse një natë dimri një udhëtar, që përfaqëson përcaktimin me unik të gjendjes së pashmangshme të rileximit.

Filed Under: ESSE

Rruga për në Shtëpinë e Bardhë është përmes Kolegjit Zgjedhor. Si funksionon ai ?

October 30, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi

Në Shtetet e Bashkuara, një kandidat presidencial zgjidhet jo duke fituar shumicën e votave popullore kombëtare, por përmes një sistemi të quajtur Kolegji Zgjedhor, i cili u jep vota elektorale 50 shteteve dhe Distriktit të Kolumbisë bazuar në popullsinë e tyre.

Këtu janë disa nga rregullat që mund të vendosin garën e 5 nëntorit midis zëvendëspresidentes Kamala Harris dhe ish-presidentit Donald Trump.

Çfarë është Kolegji Zgjedhor?

Kur votuesit shkojnë në qendrat e votimit për të zgjedhur një president, ata zakonisht shohin vetëm emrat e kandidatëve presidencialë dhe zëvendëspresidentë. Megjithatë, votuesit në fakt votojnë për një grup – ose “propozim” – zgjedhësish.

Në nivel kombëtar, ka gjithsej 538 vota elektorale, ose “zgjedhës-elektorë”, që do të thotë se një kandidati duhet të sigurojë 270 vota për të fituar. Në vitin 2020, Presidenti Joe Biden fitoi 306 vota elektorale për të mposhtur Trumpin, i cili kishte 232 vota elektorale. Sistemi, i mandatuar nga Kushtetuta e SHBA-së, ishte një kompromis midis themeluesve të vendit, të cilët debatuan nëse presidenti duhet të zgjidhej nga Kongresi ose përmes një votimi popullor.

A kanë shtetet të njëjtin numër zgjedhësish?

Çdo shtet ka aq shumë zgjedhës sa ka përfaqësues dhe senatorë në Kongres. Ka dy senatorë për çdo shtet, por ndarja e vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve ndryshon në bazë të popullsisë. Kalifornia, shteti më i populluar, ka 54 elektorë.

Gjashtë shtetet më pak të populluara dhe Distrikti i Kolumbisë kanë vetëm tre vota elektorale, numri minimal i caktuar për një shtet. Kjo do të thotë se një votë elektorale në Wyoming, shteti më pak i populluar, përfaqëson rreth 192,000 njerëz, ndërsa një votë në Teksas përfaqëson rreth 730,000 njerëz.

Dyzet e tetë shtete kanë një sistem fituesi merr të gjitha, ku fituesi i votës popullore të shtetit merr të gjitha votat elektorale. Maine dhe Nebraska janë të vetmet shtete me një sistem votimi të ndarë ku votat elektorale i ndahen fituesit në zona të veçanta. Për shembull, në Nebraska, dy nga pesë votat elektorale i jepen kandidatit që fiton më shumë vota në mbarë vendin. Tre të tjerët shkojnë te fituesit e secilit prej tre distrikteve të kongresit të shtetit.

Të fitosh një shtet me një diferencë të madhe është njësoj si të fitosh me një votë, kështu që fushatat priren të përqendrohen në shtetet ku një ndryshim i vogël mund të japë të gjitha votat e tij elektorale. Në zgjedhjet aktuale, shtetet e fushëbetejës përfshijnë Arizonën, Xhorxhinë, Miçiganin, Karolinën e Veriut, Nevadën, Pensilvaninë dhe Wisconsin.

A mundet një kandidat të fitojë zgjedhjet pavarësisht se ka humbur votën popullore?

Po

Republikani Xhorxh W. Bush në vitin 2000 dhe Trump në 2016 u bënë president pavarësisht se humbën votën popullore. Gjithashtu ndodhi tre herë në vitet 1800. Kjo shpesh përmendet nga kritikët si e meta kryesore e sistemit.

Mbrojtësit e kolegjit zgjedhor thonë se ai i detyron kandidatët të kërkojnë vota nga një sërë shtetesh, në vend që thjesht të grumbullojnë mbështetje në zonat e mëdha urbane.

Kur votojnë zgjedhësit e Kolegjit?

Zgjedhësit do të takohen më 17 dhjetor për të hedhur zyrtarisht votat e tyre dhe për të dërguar rezultatet në Kongres. Kandidati që fiton 270 vota elektorale ose më shumë bëhet president. Këto vota numërohen zyrtarisht nga Kongresi më 6 janar dhe presidenti betohet më 20 janar.

A mashtrojnë ndonjëherë zgjedhësit?

Në përgjithësi, mbledhja e zgjedhësve është një ngjarje ceremoniale ku ata thjesht votojnë me vulë për kandidatin që fitoi shtetet e tyre përkatëse.

Por në vitin 2016, shtatë nga 538 elektorët regjistruan votën e tyre për dikë tjetër përveç fituesit të votës popullore të shtetit të tyre, një numër jashtëzakonisht i lartë. Tre nga këta shtatë zgjedhës votuan për Colin Powell, një ish-sekretar shteti i SHBA-së, edhe pse ata përfaqësonin shtetet që zgjodhën kandidaten demokrate, Hillary Clinton. Trump përfundimisht fitoi ato zgjedhje.

A përfshijnë dënime penale, në përpjekje për të parandaluar zgjedhësit “pabesë” të votojnë për dikë tjetër. Çfarë ndodh nëse ka një barazim?

Një nga të metat e sistemit është se teorikisht mund të prodhojë një barazim 269-269. Nëse kjo ndodh, Dhoma e Përfaqësuesve e sapozgjedhur do të vendosë për fatin e presidencës më 6 janar, me çdo shtet që votojë si njësi, siç kërkohet nga Amendamenti i 12-të i Kushtetutës së SHBA.

Aktualisht, republikanët kontrollojnë 26 delegacione shtetërore, ndërsa demokratët kontrollojnë 22. Minesota dhe Karolina e Veriut janë të lidhura midis anëtarëve demokratë dhe republikanë.

A do të ndryshojë ndonjëherë sistemi i Kolegjit Zgjedhor?

Kongresi u përpoq të riparonte të metat që u ekspozuan pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur Trump pretendoi në mënyrë të rreme se fitoi. Prokurorët kanë thënë se ai u ka bërë presion zyrtarëve shtetërorë që të përpiqen të përmbysin rezultatet.

Në vitin 2022, Kongresi miratoi Aktin e Reformës së Numërimit Zgjedhor për të sqaruar se guvernatori i çdo shteti ose zyrtari tjetër i zgjedhur nga shteti do të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të shtetit përpara se ato t’i dorëzohen Kongresit.

Ligji i ri synon gjithashtu të parandalojë një përsëritje të bllokimit të zgjedhjeve të vitit 1876, kur tre shtete paraqitën “fletat e duelit të zgjedhësve” – ​​një fletë e certifikuar nga ligjvënësit e shtetit dhe një fletë konkurruese nga një zyrtar shtetëror.

Ligji caktoi gjithashtu një afat të detyrueshëm për certifikimin e rezultateve, duke u dhënë shteteve 36 ditë pas zgjedhjeve të 2024 për të përfunduar rinumërimet dhe proceset gjyqësore.

Filed Under: Analiza

Si dukej Xhafer Deva në sytë e Herman Nojbaherit?

October 29, 2024 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

Në kujtimet e Herman Nojbaherit, emisarit special të Rajhut të Tretë (Hitlerit) në Ballkan, përvijohet edhe figura Xhafer Devës, krahas edhe disa figurave të tjera të rëndësishme shqiptare, sidomos Mehdi Frashërit dhe Anton Harapit. Opinionet dhe vlerësimet e Nojbaherit janë shumë interesante dhe historiografia jonë do të duhej t’i kishte një burim të rëndësishëm për informim dhe hulumtim të mëtejshëm. Pozita e lartë e Nojbaherit në vitet 1943-1944 si emisar special i Hitlerit në Ballkan (Juglindje) i ka mundësuar të jetë jo veëtm hartues i politikave po edhe njohës i akterëve kryesorë të atyre ngjarjeve.Me këtë rast po kufizohem vetëm në vlerësimet e tij për Xhafer Devën, për arsye të aktualitetit.

E para, vendimin për ta formuar Shqipërinë e pavarur, pas kapitullimti të Italisë, e kanë marrë autoritetet gjermane. Në vitin 1943, për shkak të rritjes së valës së lëvizjeve komuniste në Ballkan, Hitleri e ndryshon qasjen ndaj vendeve ballkanike, duke tentuar të krijojë shtete të pavarura, të cilat do të mund të përballonin rrezikun komunist. Pra, Shqipëria futet në këtë skemë, jo për ndonjë privilegj, po për të krijuar një mekanizëm që të frenohej komunizmi. Xhafer Deva ishte person i përshtatshëm për atë koncept, si nacionalist shqiptar dhe antikomunist i vendosur. Pra, në asnjë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë botëkuptim nacist të Devës po për një botëkuptim nacionalist e antikomunist të tij. Përafrimi në këtë rast ndodhë sepse Deva kishte synim Shqipërinë etnike dhe luftimin e komunizmit. Në asnjë rast dhe me asnjë fjalë Nojbaheri nuk e paraqet Xhafer Devën si ndonjë njeri me simpati për nacizmin, po si njeri me ambicie në politikën shqiptare. Kur ftohet Deva që të vinte në Tiranë (pra nuk kishte fare i informuar më herët për vendimin) Nojbaheri ia dërgon avionin që ta merrte: “Xhafar Devës, në Mitrovicën e Kosovës, ia lashë në dispozicion avionin e vogël të tipit “Storch.” Kishte ardhë çasti i tij i madh politik”, shprehet Nojbaheri. Pastaj Nojbaheri i përshkruan përpjekjet e Xhafer Devës e të Ibrahim bej Biçakut për formimin e një komiteti për shpalljen e Shqipërisë së pavarur. “Dy shqiptarë, në fillim secili për vete, u munduan të formonin një komitet nacional reprezentativ, i cili do të kishte legjitimitet për ta shpall pavarësinë e Shqipërisë dhe qeveria e përkohshme të merrte pushtetin. I pari ishte shqiptar nga Shqipëria, Ibrahim bej Biçaku, nga Elbasani, i dyti Xhafer Deva, nga Mitrovica e Kosovës. Negociatat zhvilloheshin natë e ditë.” Nojbaheri paraqet vështirësitë që patën liderët shqiptarë në negociatat e brendshme në të cilat ai pohon se nuk u përzie. Pastaj informon se ishte arritë të formohej qeveria në formën e një Komiteti nacional, kryesues i të cilit ishte Ibrahin bej Biçaku, ndërsa Deva ministër i brendshëm. Sipas Nojbaherit, “ e vetmja gjë që posedonte Shqipëria në atë moment (kur u formua qeveria, plotësim imi) ishin format tradicionale të shoqërisë së saj: familja, klanet dhe fiset.” Pra, Nojbaheri nuk thotë në asnjë rast se u imponua ndonjë ligj nazist, madje asnjë vendim i Rajhut të Tretë. Bile edhe për ushtarët gjermanë thotë se aty ishin vetëm “mysafirë kalimtarë.”

Lidhur me formimin e divizionit “Skenderbeg”, të dhënat e Nojbaherit janë me rëndësi të madhe. Ai tregon se ka qenë kundër formimit të atij divizioni, por Himleri kishte arritë ta bindte Hitlerin për formimin e atij divizioni. Nojbaheri pohon se “detyra kryesore ishte shkatërrimi i aktiviteteve lokale partizane dhe këtë në kufijtë e Shqipërisë.” Nojbaheri tregon se ai personalisht nuk ka lejuar që divizioni të shkonte më Mitrovicë, nga frika se do të ndodhte hakmarrje ndaj serbëve. Sipas tij, qeveria shqiptare nuk ka pasur të bëjë me formimin e divizionit “Skenderbeg”. Sipas Nojbaherit “qeveria shqiptare nuk kundërshtoi.” Shpresa e saj ishte që të përdorej më vonë si themel për formimin e ushtrisë e të xhandarmerisë, pra si kalkulim në politikat e brendshme e aspak si motivim për ta ndihmuar nazizmin. Veprimet e divizionit “Skenderbeg”, sipas tij nuk kanë të bëjnë me qeverinë shqiptare. Me rëndësi në këtë kontekst është angazhimi i Nojbaherit që të pengohej shkuarja në Mitrovicë, e cila në atë kohë ishte nën Serbinë e Nediqit. (Rrëfimi më interesant i Nojbaherit është pikërisht për Nediqin.)

Për më tepër, Nojbaheri dëshmon se Xhafer Deva e ka ndaluar dhunën ndaj serbëve! “Xhafar Deva, i cili në Kosovë ishte me ndikim, më premtoi se do të intervenonte që të ndalej përndjekja e serbëve. Ai në këtë pati sukses.” Pra, sipas fjalëve të protagonistit kryesor të atyre ngjarjeve, Xhafer Deva e ka ndalë dhunën ndaj serbëve!

Nojbaheri jep një të dhënë poashtu me interes për aktivitetet e Deves: “Xhafar Deva në korrik 1944, për shkak të sëmundjes, paraqiti dorëheqjen. Shkoi në Gjermani për mjekim. Ndërsa pas shërimit kishte si synim t’i përkushtohej tërësisht Kosovës dhe atje ta forconte pozitën e vet.” Bile sipas tij, Deva nuk planifikonte të largohej ng Kosova as pas kapitullimit të Gjermanisë. “Xhafar Deva kishte për qëllim që pas largimit të trupave gjermane, të qëndronte në vend dhe të vazhdonte luftën guerile. Pala gjermane lëshoi rastin t’i jipte pajisjet e domosdoshme teknike, prandaj nuk i mbeti tjetër vetëm se ta lëshonte vendlindjen .” Konkluzioni që del është se ai donte të vazhdonte ta mbronte Kosovën nga serbët dhe nga komunistët, pavarësisht se po largoheshin gjermanët. Pra, kauza e tij ishte lokale, shqiptare, nuk kishte lidhje me ideologjinë naziste.

Për të kuptuar sa më mirë realitetin e asaj kohe, është me interes edhe ky konstatim i Nojbaherit: “në mesin e shteteve ballkanike, në të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore isha aktiv, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia ishin vende të okupuara. Ai që thotë që Rumania e Bullgaria ishin të okupuara, ai gënjen pafytyrësisht. Ato pohime bien në fushën e propagandës. Por as në Shqipëri armata gjermane, Vermahti, nuk kishte në duart e veta as aparatin ushtarak, as gjyqësinë. Shkurt, në ato vende as gjermanët e as unë, nuk mund të ishim okupatorë. Prandaj është gënjeshtër që njerëzit në ato vende janë pushkatuar pse kanë bashkëpunuar me okupatorin.” Sipas kësaj i bie që edhe veprimet e dhunshme që kanë ndodhë gjatë asaj kohe në Shqipëri (ku hynte edhe Kosova) janë përgjegjësi e qeverisë shqiptare dhe e lëvizjeve shqiptare, por qeveria nuk ishte qeveri kuislinge. Nëse Shqipria nuk ishte e okupuar në mënyrë klasike, i bie që e gjithe historiogarfia jonë duhet të rivlerësojë ngjarjet e asaj periudhe (1943-1944) nga e para. Sidoqoftë e vërteta e plotë duhet të hulumtohet në shumë dëshmi e dokumente të tjera. Dëshmia e Nojbaherit mund të shërbejë si indikacion, për t’u orientuar më mirë në hulumtimet që duhet të bëhen në arkivat gjermane, britanike, amerikane, etj.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 674
  • 675
  • 676
  • 677
  • 678
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT