• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter, vdes në moshën 100 vjeçare

December 30, 2024 by s p

“Zëri i Amerikës” – 29 dhjetor, 2024

  • Kane Farabaugh

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Jimmy Carter vdiq të dielën në moshën 100 vjeçare. Presidenti më jetëgjatë amerikan vdiq në shtëpinë e tij në qytetin e vogël Plains të Xhorxhias, ku ai dhe gruaja e tij, Rosalynn, e cila vdiq në moshën 96 vjeçare në nëntor 2023, kaluan pjesën më të madhe të jetët e tyre, njoftoi Qendra Carter.

“Themeluesi ynë, ish-presidenti i SHBA-së Jimmy Carter, ndërroi jetë këtë pasdite në Plains të Xhorxhias”, tha qendra në një postim në lidhje me vdekjen e tij në platformën e mediave sociale X. Në deklaratë thuhej se ai vdiq i qetë, i rrethuar nga familja e tij.

Pas një mandati në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, u angazhua për kauza të ndryshme nga shëndetësia tek demokracia globale dhe të tjera.

Kur Jimmy Carter bëri betimin më 20 janar të vitit 1977, ai premtoi një “qeverisje të mirë, ashtu si populli amerikan”.

Presidenti Jimmy Carter, Fjalimi inaugurues i vitit 1977

“Nuk mund të ketë detyrë më fisnike dhe më ambicioze për Amerikën, në këtë ditë të një fillimi të ri, sesa të ndihmojë formimin e një bote të drejtë dhe paqësore”, tha ai.

Një bote që ai vazhdoi t’i kontribuojë përtej mandatit të tij të vetëm në Shtëpinë e Bardhë, duke u bërë laureat i Çmimit Nobel për Paqe. Ai është themelues i qendrës Carter, një organizatë globale jofitimprurëse, misioni i së cilës është “përhapja e paqes dhe shpresës, si dhe luftimi i sëmundjeve”.

“Punën e Qendrës Carter e shoh si vazhdimësi të asaj që u mundova të bëja si president”, tha ai më 2007.

Zoti Carter lindi në Plains të Xhorxhias më 1924. Ai u diplomua nga Akademia e Marinës amerikane më 1946, duke shërbyer si oficer nëndetëseje para se të kthehej në Plains më 1953 për të drejtuar fermën e familjes pas vdekjes së babait të tij.

Ish-presidenti hyri në politikë gjatë lëvizjes për të drejtat civile të viteve 1960. Ai shërbeu dy mandate si ligjvënës në Xhorxhia para se të bëhej guvernator i shtetit më 1971.

“U them sinqerisht se koha për diskriminimin racor ka mbaruar”, tha ai në fjalimin gjatë inaugurimit të tij si guvernator i Xhorxhias më 1971.

Ai u bë nga një guvernator jo shumë i njohur i jugut më 1971, në kandidatin fitues të zgjedhjeve presidenciale më 1976, pasi mposhti me rezultat të ngushtë republikanin Gerald Ford.

Ndërmjetësimi i marrëveshjeve në “Camp David” më 1979 dhe traktati përfundimtar i paqes midis Egjiptit dhe Izraelit ishte kulmi i presidencës së tij.

“Gjatë 25 viteve të kaluara kanë ndodhur katër luftra midis arabëve dhe izraelitëve, me egjiptianët në krye, të mbështetur nga Bashkimi Sovjetik. Egjipti ishte vendi i vetëm që mund ta sfidonte Izraelin ushtarakisht”, tha zoti Carter në një deklaratë më 2009.

Zoti Carter negocioi edhe një traktat që i ktheu Panamasë kontrollin e Kanalit të Panamasë dhe vendosi lidhje të plota diplomatike me Republikën Popullore të Kinës.

Por, revolucioni islamik i vitit 1979 në Iran ndryshoi kursin e presidencës së tij.

Protestat e udhëhequra nga klerikët shiitë rrëzuan udhëheqësin iranian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili u largua nga vendi.

Më vonë militantët sulmuan ambasadën amerikane në Teheran, duke marrë peng 66 amerikanë. Në fund të nëntorit, 13 pengje u liruan.

Në prill të vitit 1980, ish-presidenti autorizoi një operacion ushtarak për të liruar pengjet tjera. Operacioni dështoi dhe tetë pjesëtarë të ushtrisë amerikane vdiqën.

Zoti Carter u përball edhe me sfida të brendshme. Inflacioni dhe shkalla e papunësisë dëmtuan ekonominë, çka ndikoi në humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 1980 ndaj republikanit Ronald Reagan.

Më 20 janar të vitit 1981 – ditën e inaugurimit të Reaganit – Irani liroi gjithë pengjet amerikane.

Zoti Carter, i mposhtur dhe i dëshpëruar, u kthye në vendlindjen e tij për të planifikuar angazhimin e tij pas-presidencial.

“Po mendoja të bëja diçka të vogël, një zyrë pranë disa ndërtesave të bukura në Atlanta”, tha ai më 2007.

Rezultati ishte shumë më i madh.

Një organizatë jofitimprurëse e njohur botërisht, Qendra Carter ka monitoruar mbi 100 procese zgjedhore dhe ka ndërmjetësuar mosmarrëveshje duke filluar nga një bllokadë bërthamore me Korenë e Veriut më 1994 e deri tek një marrëveshje paqeje midis Ugandës dhe Sudanit.

Qendra angazhohet edhe për çështje shëndetësore duke luftuar sëmundjet në pjesët më të varfra të planetit. Çrrënjosja e sëmundjes parazitare ‘dracunculiasis’, e njohur si ‘Krimbi i Guinesë’, ishte qëllimi kryesor. Në vitin 2022 janë raportuar vetëm 13 raste në njerëz, numri më i ulët i të prekurve ndonjëherë me këtë sëmundje.

“Është vetëm një sëmundje në historinë e njerëzimit që është çrrënjosur. Ajo është lija, më shumë se tridhjetë vjet më parë. ‘Krimbi i Guinesë’ së shpejti do të jetë sëmundja e dytë në histori që do të fshihet nga faqja e dheut”, tha ai më 2009.

Angazhimi i zotit Carter për të ndihmuar njerëzimin e çoi atë në Oslo të Norvegjisë më 2002, ku pranoi Çmimin Nobel për Paqe.

“Çmimin Nobel për Paqe e fitova për shkak të punës së Qendrës Carter. Pra, do të isha plotësisht i kënaqur nëse trashëgimia ime do të jetë e bazuar mbi paqen dhe të drejtat e njeriut. Kush nuk e do këtë gjë?”, u shpreh zoti Carter më 2007.

Zoti Carter i mbijetoi kancerit të trurit më 2015 dhe kishte një jetë aktive deri në vitet e 90-a.

Por problemet shëndetësore dhe pandemia e koronavirusit më 2020 e mbylli atë në qytetin e tij të lindjes, ku kaloi vitet e fundit të jetës.

Në një nga paraqitjet e tij të fundit televizive, zoti Carter ndau me Zërin e Amerikës shpresat e tij për të ardhmen.

“Do të doja që në të ardhmen t’i shihja Shtetet e Bashkuara kampion në botë për paqen, të drejtat e njeriut dhe cilësinë e mjedisit dhe do të thosha duke i trajtuar të gjithë si të barabartë. Nëse mund ta bëjmë këtë, do të kishim një superfuqi të vërtetë në vendin, që unë e dua shumë”, tha ai më 2019.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh e ka intervistuar disa herë ish-Presidentin Jimmy Carter për çështje që nga mandati i tij në Shtëpinë e Bardhë deri te karriera e tij post-presidenciale në mbështetje të shëndetit dhe demokracisë globale. Pjesët kryesore të këtyre intervistave janë të përfshira në këtë raportim.

Filed Under: Kronike

Në përkujtim të Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova…

December 30, 2024 by s p

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha priti në takim të ngrohtë e vëllazëror, djalin e Presidentit Historik të Republikës së Kosovës Ukë Ibrahim Rugova dhe bashkëshorten e tij Blerta Kllokoqi Rugova. Në takimin e përzemërt u kujtua me nostalgji miqësia e veçantë që Dr. Rugova kishte me kryetarin e Vatrës Dr. Berisha dhe kohët e bukura diplomatike në Uashington përgjatë veprimtarisë lobuese për shtetin e Kosovës. Në përfundim të takimit, familja Rugova shprehu vlerësim, mirënjohje dhe konsideratë të thellë ndaj mikut të familjes Rugova Dr. Elmi Berisha dhe punës së shkëlqyer të tij në afrimin institucional e shpirtëror të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Familja Rugova shkroi në pas takimit: “Gjithmonë kënaqësi e veçantë të takohemi me këshilltarin e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova tash Kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare Vatra në New York dhe mikun tonë të Familjes z. Elmi Berisha duke evokuar kujtime për Presidentin Rugova dhe miqësinë që e ndërtoi Presidenti Rugova mes Kosovës e ShBA.

Zoti e bekoftë Popullin e Kosovës! Zoti e bekoftë Federatën Pan-Shqiptare Vatra! Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!” përfundon mesazhi i familjes Rugova.

Filed Under: Rajon

FISHTA AKADEMIK, SATIRIK DHE…HOKATAR

December 28, 2024 by s p

Frano Kulli/

Në 84 vjetorin e vdekjes

At Gjergj Fishta, pikë ma së pari ka qenë frat, prift françeskan, qysh se është shugurue  në vitin 1893 , kur ishte 22 vjeç, rrugë në të cilën ishte nisë në fëmininë e tij të herëshme e nuk ju nda mâ deri sa mbylli sytë, duke i provuar të gjitha shkallët e hierarkisë së Urdhërit të cilit i përkiste. Thotë meshën e parë në Troshan prej ku edhe ishte nisë në rrugën e Shejtnisë, masandej Frat në Gomsiqe, në  Kushe të Hotit, në Kishën e Kuvendin françeskan të Lezhës, kishë e cila, sipas një legjende është shenjuar prej vetë Shën Françeskut, diku rreth vitit 1219, kur ai kishte ndërmarrë udhëtimin e tij këndej e ndër Dalmate, për të përhapur Urdhërin. Si dëshmi që përafron gojëdhënën dhe origjinën e Kishës është një pllakë që ruhet edhe sot në derën e saj ku shkruhet: (Hoc templum Fratrum Minorum ædificatum ast anno MCCXL-Ky tempull i Vëllazënve të Vogjël u ndërtue në vjetin 1240) Po të shumtën e viteve të jetës e kaloi në Shkodër, në Kuvendin e françeskanëve të Gjuhadolit, si bashkëvëlla me fretën e si provincial i tyre. Dhe me të njëjtin devocion si në ditën e parë.

1) 

Zotni Lukë Luka, rreth një vit më parë, nga arkivi i familjes së vet postoi në njërin prej rrjeteve sociale foton e kunorëzimit të prindërve të Zojës së tij të ndjerë, Netës.

Shuk Leniqi e Lajde Daija, në ditën e martesës. Fotoja mban datën 17 maj 1936. Është shkrepë prej mjeshtrit Kel Marubi. Vendndodhja është elteri (altari) i Kishës françeskane në Gjuhadol , Shkodër.

Duke pasë edhe lejen e bekimin e poseduesit të kësaj relike (foto), po bëj edhe dy komente të shkurta:

Së pari, vlera qytetse e estetike që fotoja ka. Në foto janë rreth shtatëdhjetë persona, burra e gra, por edhe fëmijë. Të gjithë të veshur bukur e shik, prej te më i madhi e deri te më i vogli. Çifti, me veshje klasike të rastit, nusja me vel e kunorë, të dy të ulun ne gjunj, në momentin e ndërrimit të unazave, duke ia vendosur unazën në gisht njëri-tjetrit, simboli i bashkimit e krijimit të familjes së shejtë, me besim e dashni aty në shtëpinë e Hyjit, si bërthama themelore e shoqnisë. Kumarët, dëshmitarët e martesës, janë zotni Palok Noga (me qirin tradicional në dorë) dhe Kolë Mjeda me të shoqen. Në sfond të fotos kori i kishës. Secili i venduem me vend e me rend, simbas lidhjes e përafrisë që kishin me çiftin protagonist e me rastin e papërsëritshëm të tyre në jetë, siç është kurorëzimi i martesës në kishë për katolikët. Cilësia e fotos është e tillë sa personat që pozojnë aty njihen fytyrë për fytyrë e emër për emër. Edhe pse fotoja është e gati 90 vjetëve më parë. Se, përndryshe, për nga kompozimi dhe elementët e përgjithshëm të saj, por edhe prej paraqitjes së pozantëve nuk kishte se si të dallohej, nëse fotoja ishte bërë në Venecia, Firence, Romë, Vjenë a diku tjetër në Europë.

Së dyti, në foton e një momenti solemn familjar të një familjeje qytetse të Shkodrës janë edhe më së paku tre persona publikë, njeri më me peshë se tjetri. Edhe kjo shejë e një bashkëjetese plot kulturë e sharm, në harmoni të plotë të qytetarëve, me rendet e klasat e shoqërisë që përfaqësojnë. Meshtari i zgjedhur për kunorzimin, françeskani i madh At Gjergj Fishta, Kolë Mjeda (1885-1951) deputeti i Shkodrës për disa legjislatura e zëvendëspresident i Asamblesë Kombëtare, mbajtës edhe i posteve të tjera publike të kohës, kryetar i Bashkisë së Shkodrës (1924-’25), prefekt i Dibres e deputet i saj, gjithashtu. Po edhe më i riu i tyre, prifti i sapo shuguruem asokohe, dom Ernest Çoba, i cili masandej më vonë, tridhjetë vjet më vonë, kur revolucioni ateist mbyll kishat dhe prelatët e klerikët mbarë (ata që kishin mbetë ende gjallë) i mbyll në burgje, do të ishte Arqipeshkvi i fundit i Shkodrës cili ndrroi jetë në mënyrë enigmatike në spitalin e burgut të Tiranës, në dimrin e vitit 1980 (8 janar).

Nuk është e njohur ndonjë foto tjetër e Fishtës në një rast sakramenti si ky. Deri tani, jo. Edhe zotni Luka, megjith moshën e njohjeve që ka, më thotë gjithashtu se nuk din për ndonjë rast tjetër të ngjashëm. Dhe ka shumë gjasa të mos ketë. Se sikur të kishte, me siguri mbamendjet qytetëse të Shkodrës do të na e kishin bërë me dije. Ashtu sikurse na vijnë prej asaj kohe nëpërmjet kujtesës së transmetuar kumte si: “Të dielen që meshën te fretnit e thote pader Gjergji, kisha ishte plot e përplot e predku (predikimi) i tij e lête gjindjen me gojë hapë”. Dhe kështu, kërshëria rritet edhe më tepër.

Po pse atëherë dasmën e Shuk Leniqit e shuguron Fishta?! Dhe ndodhte tani (viti 1936), kur Fishta ishte 65 vjeç dhe kur mosha e famës së tij kishte mërrijt në maje. E, kur veprimet e punët sakramentare për té, tashma ishin gjithnji e më të pakta. Me siguri ka qenë një shtysë e empati e fortë. Shuku ishte tipografi i shtypshkronjës së fretënve. Vetmjaftueshëm për pader Gjergjin e Madh, për të bërë edhe punët e fratit të përvujtë …

Kjo ceremoni e veçantë, pati jehonë nga që celebrimin e bani Pater Gjergji (rasti i vetëm i tij, me modesti e fisnikni) e u ndoq prej shumë zojave e zotnive me veshje moderne të kohës, familjarë, miq e shokë të ftuem në darsmë, na ban me dije në diçiturën e fotos së publikuar, zotni Luka.

C:\Users\User\Desktop\fishta3-780x439.jpg

Foto e vitit 1936: Gjergj Fishta duke kurorëzuar martesën e shtypshkruesit të françeskanëve!

2)

Emnimi i At Gjergj Fishtes antar i Akademisë Italiane.

Fishta është propozuar për antar në këtë akademi nga kompozitorët Mascagni e Pelosi dhe psikologu, gjithashtu mjaft i njohur Agostino Gemelli, të cilët…nuk ishin fashistë e as nuk kishin pasë mardhënie të mirë me fashizmin.(Qasje që nxjerr krye herë herë në të rallë edhe sot, me njetin pë ta njësuar akademikun-poet kombëtar të shqiptarëve me bashkëpuntorin fashist !!) Thua ta kenë pëlqyer lahutën si vepër fashiste ata ?!

Ai ishte i vetëdijshëm  dhe e kishte vlersuar ashtu siç qe emrimin e vet në Akademinë e Italisë. Në këtë kuptim s’kish se si ti mungonte kortezia e momentit dhe kjo është e shprehur  e asnjëherë e mohuar prej Fishtës. Një dëshmi autentike e kësaj kortezie na vjen nga bashkëkohësia. Është një telegram që Fishta i dërgon Musolinit, me falënderimin për pranimin e tij antar i Akademisë italiane. 

Padre Fishta al Duce

L’accademico Padre Giorgio Fishta ha inviato al Duce il seguente telegramma:” Grazie Duce dell’alto onore del titolo d’accademico d’Italia che per Vostra benevola disposizione mi é stato attribuito e che io considero quale sicuro indice del generozo Vostra interessamento anche per la stirpe albanese, virtû questa ignota sino ad oggi alla diplomazia europea. Padre Giorgio Fishta

(At Fishta Duçes. Akademiku At Gjergj Fishta i ka dërguar Duçes telegramin e mëposhtëm (vijues): “Faleminderit Duçe për nderimin e lartë me titullin Akademik i Italisë që falë disponimit (vullnetit) Tuaj dashamirës më është atribuar (dhënë) dhe që unë e konsideroj si tregues të sigurt të interesimit Tuaj bujar kundrejt prejardhjes time shqiptare, virtyt që i është njohur deri më sot diplomacisë evropiane. At Gjergj Fishta”)

Dëshmia e Ernest Koliqit

“…Fatkeqsisht, disa prej atyne që hiqen si supernacionalistë, pozitë të cilen fituan tue ndejtë strukun mbas nji patriotizmi fals, e qortojnë poetin për faktin se me 1939 pat pranue me u emnue Akademik i Italisë. Akuzojnë mendjemadhsisht për mungesë patriotizmi mjeshtrin, i cili harxhoi tanë jetën e vet për t’u mesue shqiptarve se si me e dasht atdheun. Dhe akuza, jo veç në Shqipninë e sotme, por mjerisht edhe në ndonji pjesë të Diasporës, ka gjetun nji lloj kodifkimi. Dhe nuk synohet me u denigrue thjeshtë njeriu dhe politika e tij aqsa komuniteti prej të cilit ai rrjedhë, besnikëria ndaj traditave që i japin tharm veprës, e qytetnimi perëndimor që na ushqen me shpirtin e madh. Tue i akordue interpretuesit të shpirtit shqiptar titullin akademik, Italia dishronte me nderue Shqipninë. Qeshë i pranishem në Romë në qeshorin e vitit 1933 kur u muer vendimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më kishin thirrë për tu këshillue rreth çeshtjes në fjalë. Morën pjesë në ketë mbledhje, veç tjerve, Zenone Benini nënsekretar për çështjen shqiptare. Ambasadorët Jakomoni i San Savinios e Karlo Straneo.

U kërkoj ndjesë ndijuesve të nderuem nëse jam i detyruem me përmend ndërhyrjen që bana me ketë rast. Ndjej si detyrë me e zbulue ketë të vërtetë, për me e davaritë hijen me të cilen përpiqen me errsue kujtimin e Poetit, të cilin e pata udhërrëfyes dhe mbështetje në rrugën time letrare.

Benini, që drejtonte mbledhjen, njoftoi se qeveria Italiane, për t’i nderue në mënyrë konkrete vlerat kulturore të kombit shqiptar, propozonte tre shkrimtarë si antarë të Akademisë së Italisë. Emnat që u përmenden ishin: Patër Gjergj Fishta, Torenc Toçi, Ernest Koliqi. Benini e dalloi menjëherë se fytyra qe kontraktue. Kishte shpresue me e pa tue shkëlqye nga krenaria, sepse me pyeti “ Nuk e miraton ketë ide?” U ndieva i detyruem me folë me sinqeritetin ma të thellë. U përgjigja se ideja më dukej shumë e mirë e që nji nderim kaq i naltë për vlerat e kulturës shqiptare do t’i kënaqte e do ti mbushte me krenari tanë shqiptarët, por shtova se Koliqi duhej konsiderue si nji autor, cikli letrar i të cilit vijonte me qenë në zhvillim, kësisoj ende nuk ka mbërrit në atë pikë që i jep kunorzimin e përhershëm një shkrimtari.

  Sa për Toçin, nuk mund të mohoj se asht nji koltivues i vyeshëm i studimeve juridike e nji gazetar i stervitun, por nuk ka botue asnjë vepër letrare a shkencore të tillë, sa me meritue dinjitetitin e Akademikut. E mbylla me fjalët se në të tre këta emna, Fishta asht i vetmi personalitet i pakundërshtueshëm, i denjë për tu pranue në bashkësinë e naltë kulturore italiane, me që ai dhe vetëm ai, përmblidhte në vete dhuntinë ma të shkëqlyeme të krijimtarisë artistike të rracës. 

Benini, tue drejtue kah të pranishmit, vlerësoi konceptin e naltë, që unë kisha për Akademinë e Italisë. Mandej deshti me dijtë nëse ekzistonte në Shqipni ndonji tjetër shkrimtar që meritonte me ndejtë përkrah Fishtës. U përgjigja, simbas pikëshikimit tim modest, se ekzistonin dy shkrimtarë shqiptarë që s’do të kishin ba figurë të keqe në gjinin e Akademisë: zz. Fan Noli e Faik Konitza, por shtova se banonin prej shumë kohësh në Amerikë. Kështu Fishta ishte i vetmi që u emnue akademik i Italisë. Emnimi, tue qenë se nuk ishte paralajmërue gjeti në befasi. Fundja tue njoftë natyrën e tij krenare, qeshë i sigurtë se do ta kishte refuzue me përçmim vlersimin e naltë, nëse do t’ishin përfshi edhe dy shqiptarë të tjerë me merita letrare ma të pakta. Sigurisht se do ta kishte refuzue, e jo për mendjemadhsi, por sepse tue pranue krahas tij dy të tjerë mjaft ma të pakët se ai për nga formimi letrar, emnimi do t’ishte zveshë nga vlera e vërtetë e do të kishte marrë kuptim tjetër.

Kur mbas ceremonisë, e pashë në gjinin e Akademisë së Italisë, më shprehu tanë entuziazëm fjalët që i kishte thanë Papa Piu XII: “Jam i kënaqun për emnimin tand akademik, sepse nëpërmjet teje nderohet Urdhni i Shën Françeskut e kombi shqiptar”

Mandej poeti e la ketë temë dhe nisi të më shprehë brengat e tij për situaten evropiane. Ishim në fillimin e 1940-ës.Nji fat i kobshem po na ndjek!” – thirri renkueshëm, a thue se po fliste me vete – “ E druej fort për të ardhmen e Shqipnisë….”

3) 

Fishta satirik

 Shkrimet e deriatëherëshme satirike të Fishtës, me 1907 qenë përmbledhë e botuar në “Anzat e Parnasit”. Nga “Lahuta…” qenë botuar dy këngë, nga tridhjetë që ajo do të ketë në formën e saj të plotë kur do të pagëzohej edhe si kryevepra e tij dhe e Epikës shqiptare, gjithashtu. Po se çvend zë satira në vetëdijen krijuese të autorit Fishta, le të sjellim një episod nga mbamendja e kohës. Shkruan At Pashk Bardhi një bashkëvëlla françeskan: “Në vjetë 1907, nuk më bje në mend se në ç’muej, nëpër liqe të Shkodres kthete prej nji udhëtimi qi kishte bâ në Vjenë Abâti i Mirditës, Emzot Doçi. At Fishta, At Benardin Shllaku e unë i duelem përpara  ku ndaloi vaporri. Kur hime n’lunder për me ardhë në qytet[Shkoder] e thirri Fishten me ndjejë bri tij e i kallxoi se në Vjenë të gjithë, profesorë e studenta e të gjithë qi u merrshin ndopak me gjuhë shqype ishin t’entuzjasmuem per “Oso Kuken”[Kënga e dytë e Lahutës] e lavdet qi i kish ndie prej sish nuk dijte me i shprehë. Atë Fishta e pveti:”Po per “Anza t’Parnasit”, monsinjore, shka thojshin… “… Është i vetëmjaftueshëm edhe pohimi i kësaj bisede për të ndaluar te vendi që zinte satira në aspiratën krijuese të Fishtës, që heret. Madje, njihet deri më tani se publikimi i parë i Fishtës është një vjershë satirike “Zoti Anselmo Lorecchio në Vienë”, e botuar në nëntorin e vitit 1899, në “Albania” të Konicës, që asokohe dilte në Bruksel.

 “Gomari i Babatasit” qe shkruar, inskenuar edhe botuar në 1923. Në kohën kur doli ajo tronditi skenën shkrimore e intelektuale, por atë politike mbi të gjitha, me thellësinë e mendimit e forcën e satirës që fshikullonte dallaveret e shumta të politikës e mbartësve të tyre, kryesisht. Edhe “Visku…” që për “arsye prudence”[maturie], siç autori na pohon, mbeti e pabotuar…

Siç është vërejtur, “Gomari i Babatasit dhe “Visku i Babatasit”, janë shenja të larta emancipimi mendor e shoqëror të shqiptarëve, të cilët nuk na kanë lënë, për fat të mirë pa dëshmi dinjiteti për të përballuar të vërtetën. Në këtë pikpamje, kjo vepër mund të krahasohet, siç është krahasuar me “Udhëtimet e Guiliverit” tek anglezët, me “Shpirtrat e vdekur” tek rusët, me “Gjermania-një përrallë dimri” te gjermanët etj.-shkruan studiuesi Stefan Çapaliku. Mbas ndalimit të tij edhe satira mbeti e transmetuar heshtazi e frikshëm vetëm si…lexim anekdodik. Në vend të satirës së tij, që në bashkëkohësí kishte pasë arrit majat , “lexohej”, transmetohej Fishta hokatar. Pra qarkullonin gojë më gojë anekdotat e tij dhe përreth tij sidomos, herë të thëna bukur e herë jo bukur. 

C:\Users\User\Desktop\Fishta- foto me dekoratat.png

Fishta, foto Marubi; me 4dekoratat: nga Turqia, Austria, Greqia dhe Vatikani

4)

Fishta hokatar (prrallaxhuer, si kishin me i thanë në Zadrimë)

Janë të panumërta shakatë, anekdotat, batutat e “prrallat” e Fishtës . Të tijat , a që i janë mveshur atij, që humorin e kishte gjenetik. Njëra prej disave që një i njohur e dashamir i tij, mësuesi Gjush Sheldija e sjell të shkruar në përmbledhjen e tij “Humor shkodran”, në kapitullin:Pader Gjergj Fishta.Tregon Gjushi: Gjon Shqarri ka qenë njeri qefit dhe jeten e ka kalue “kudo rafsha mos u vrafsha” e madje, shpesh kishte qef me u tallë me të mdhej e gjind të meçëm.Nji ditë ndali pader Gjergjin në rrugë e nisë me e pvetë [pyetë]:

-Si mundet, pader Gjergj, shpirti i njérit [njeriut] me dalë, kur për shembull ta marrin atë njéri qi âsht tuj dekë e ta shtrijnë në nji arkë druni, mandej arken drunit ta fusin në nji tjeter veshë me xink[zink] sipri e ta pshtjellin [mbështjellin] me pafta hekuri ?…

Pader Gjergji e pâ njiherë mandej iu soll:

-M’difto Gjon, ti a ke flokë, lëkurë e rrashtë ?

-Poo.

-Edhe trutë, do ta keshë xanë [mësuar] në shkollë, se janë të mbështjelluna me nji mazë[cipë] të hollë ?

-Si urdhnon.

-Po bâj séri [çudi] pra se si tuj pasë flokë, lëkurë, rrashtë e cipë…mendt kanë mujtë me të dalë ?…

C:\Users\User\Downloads\Kopertina Fishta rileximi simulation.png

Filed Under: Politike

ABETARJA E MEHMEDALI HOXHËS-ARMA ME E FUQISHME PËR SHUMË GJENERATA NË KOSOVË

December 28, 2024 by s p

Avzi Mustafa/

Nga tribuna shkencore me rastin e lindjes së shkrimtarit Mehmedali Hoxhës.

“Shkrimtari nuk ka një botë tjetër, ai krijon një botë të tijën,
një botë që është formuar nga vetja e tij,
nga ndjenjat, mendimet dhe talenti i tij”

Ibraim Kadriu

Mehmedali Hoxha bën pjesë në grupin e atyre shkrimtarëve që vuajtjet dhe padrejtësitë të çdo lloji i mban të heshtura, por para fëmijëve e hap zemrën që t’u sjellë një botë të lumtur nëpërmjet fjalës së bukur. Dihet se shkrimtarët për fëmijë e dinë fare mirë me sa mund e me sa mjeshtri e me sa përkushtim shkruajnë për botën e tyre. Ato shkrime duhet të jenë në përputhje me aftësitë e moshave që kanë ata për të kuptuar që mund të futen sa më lehtë në botën e librit.

Duke pasur parasysh punën krijuese të Mehmedali Hoxhës, ai pa dyshim mbetet njëri nga kultivuesit me të mëdhenj për nxënësit për dashurinë për gjuhën shqipe, si dhe për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Ai gjithë jetën u këndoi fëmijëve, nxënëseve, bukurive natyrore, prindërve, shkollës, mirësjelljes, por edhe vetë mësuesit. Ai edhe vetë ka qenë mësues. Andaj, nëse nuk do të shkruante një abetare ,sigurisht do të mbetej si ai epitafi i Pestalocit “Gjithçka për të tjerët asgjë për vetveten“. E them këtë sepse hartuesit e abetareve burim kryesor i kanë shkrimtarët e llojit të Mehmedali Hoxhës. Vjershat dhe tregimet që i ka shkruar ky shkrimtar kanë qenë burim kryesor i shumë hartuesve të abetareve jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë më gjerë

Mehmedali Hoxha jo vetëm që ishte mjeshtër i shkrimit të vjershave për nxënësit, jo vetëm që e redaktonte revistën për fëmijë “Fatosi”, por edhe përvoja e tij si mësues në disa shkolla, si në Gostivar e Strugë, nuk kishte pse të mos i përgjigjej konkursit për të përgatitur një abetare që do t’u përshtatje arritjeve bashkëkohore. Andaj ai me vetëbesim do t’u përgjigjej të gjitha kërkesave bashkëkohore didaktike që për synim i kishin anët funksionale me teknika që do të përshtateshin me veçoritë e moshave dhe të fuqisë intelektuale te nxënësve.

Prandaj në konkursin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës në vitin 1976 do të paraqitet edhe shkrimtari Mehmedali Hoxha dhe nga dorëshkrimet e shumta do të fitojë vetëm një abetare – Abetarja e Mehmedali Hoxhës e cila do hyj në përdorim në vitin 1977 dhe do përdoret deri në çlirimin e Kosovës.

Abetarja e Mehmedali Hoxhës vjen për nxënësit shqiptarë të Kosovës si një tekst i ri, i cili synonte t’ua mësojë nxënësve lexim-shkrimin fillestar dhe përmes tij t’i përfshijë dhe t’i formojë si individë me një botëkuptim të ri, me vlera të larta humane për botën.

Të gjitha synimet që i kishte Mehmedali Hoxha në kokë i shtroi në abetare, edhe pse ajo u botua vetëm tre vjet para se Kosova të binte në gjendje të rënd nga okupatori serb, kur filluan të okupohen edhe shkollat shqipe dhe largimi i shqiptarëve nga institucionet shtetërore. Megjithatë, kjo abetare mbeti arma më e fuqishme për disa gjenerata nxënësish të Kosovës, që u përdor në shtëpitë-shkolla që u bënë vatrat alternative të edukimit në Kosovën e okupuar.

Abetarja e Mehmedali Hoxhës kishte për qëllim të sjellë risi sidomos me vendosjen e nxënësit në marrëdhënie të reja me librin, gjë që kërkonte veprimtari të larmishme të lexim-shkrimit. Kjo abetare, siç thotë Mehmedali Hoxha në intervistën e parë me rastin e fillimit të vitit shkollor: “Si libër i parë Abetarja, të behet një dëshirë, një nevojë për të zbërthyer bukuritë e gjuhës amtare, që shkronja e mësuar të mos jetë brengë, po sukses, zbulim i një enigme të stolisur e të dëshiruar që më parë në kopshtin e rrethanave e të fantazisë në moshën e tij plot argëtim, për të hyrë në botën e leximit direkt. Në aftësitë e të shkruarit të lehtë, në botën e të shprehurit të drejtë me gojë e me shkrim pa shabllone”.

Duke e analizuar Abetaren në brendi, ajo që bie në sy është pasuria e fjalorit, si dhe të folurit e nxënësit me fjalë dhe shprehje nga fusha të ndryshme. Gjithashtu qartë shihet edhe struktura sintaksore e gjuhës shqipe me normë standarde të saj, e cila nxënësve u mundësonte ta artikulojnë dhe të përdorin gjuhën e tyre amë drejt, por edhe me bukurinë e vet.

Po ashtu tekstet e zgjedhura janë në përputhje me moshën e nxënësve, pa e humbur bukurinë e gjuhës. Kjo do të thotë se Mehmedali Hoxhës me këtë abetare, në plotkuptimin e fjalës, i jepet epiteti autor origjinal sesa hartues abetareje.
Për nga struktura edhe kjo abetare ndjek po të njëjtën strukturë si edhe abetaret paraprake, por gjithsesi risitë janë evidente. Abetarja në strukturën e saj përmbahet nga dy pjesë të quajtura periudha.

Periudha përgatitore janë paraparë ushtrimet që kanë të bëjnë me formimin e nocioneve për fjali, për fjalët në fjali dhe për tingujt në fjali. Të gjitha këto veprime janë të shoqëruara me ilustrime mjaft të qëlluara, ku shumë lehtë mund të vërehen jo vetëm botëkuptimi i subjektit, por edhe veprimi, si p.sh.: përgatitja për në shkollë, mirësjellja në rrugë, njohja me profesionet, me punët e njerëzve dhe të kafshove dhe të shpezëve si p.sh. Zogu cicëron, djali punon, nxënësi lexon, nëna thur fanellën, etj.

Periudha e mësimit të shkrim-leximit fillestar është ajo që autori, Mehmedali Hoxha e ka ndarë në
zhvillimi i shkronjave të mëdha të shtypit,
zhvillimi i shkronjave të mëdha e të vogla të shtypit,
zhvillimi i shkronjave të vogla të dorës,
zhvillimi i shkronjave të mëdha e të vogla të dorës, të shoqëruar në mënyrë paralele me ato të shtypit.
Këtë ndarje nuk e hasim në asnjë abetare që nga abetarja e Naum Veqilharxhit e deri te abetaret e fundit që sot janë përdorim

Edhe kjo abetare si libër bazë të nxënësve mbështetet kryesisht në metodën alfabetike pamore dhe në mënyrë të theksuar në metodën analitike-sintetike, duke u mbështetur në natyrën dhe strukturën e gjuhës shqipe si gjuhë me karakter analetiko-sintetik dhe me një sistem gramatikor shumë fleksibil.

Abetarja e Mehmedali Hoxhës në çdo faqe e zbulon alfabetin e gjuhës shqipe, duke na e prezantuar parimin pamor dhe atë alfabetik. Në çdo faqe të Abetares gjendet shkronja përkatëse. Në krye të faqes, krahas shkronjës, përballë shfaqet fjala apo togfjalëshi i shkronjës përkatëse për ta prezantuar shkronjën përkatëse në pozicione të ndryshme brenda strukturave të fjalëve. Aty kur fjala nuk është mësuar me shkronjat e mësuara, përdoren piktogramet.

Në mësimin e shkronjave te kjo abetare kemi një risi që nuk haset në abetaret e mëparshme për mësimin e shkrim-leximit fillestar – që nxënësi sa më parë ta përvetësojë këtë shkathtësi pa u lodhur me katër forma të një shkronje. Mjeshtëria e autorit dhe përvoja e tij konsiston në atë se ai abetaren e fillon me shkronjat e lehta, që çdo nxënës të mund t’i përvetësojë lehtë, duke filluar nga “A” -ja, “I”-ja, “ O”, “M”, “U” etj., por në këtë abetare kemi përsëritjen prej një faqeje në tjetrën, që sigurisht jep mundësinë e të përvetësuarit të lexuarit të shpejtë, por edhe përvetësimin e shkronjave të dorës. Ja një shembull. Për shkronjën “F” autori mësimin e kësaj shkronje e fillon me titullin “Fatmiri e Flutura”
“Fluturat shkonin lule më lule.
Fatosi dhe Fatmiri dolën në kopshtin e luleve.
Flutura bëni tufën më të mirë për nënën
Fatmiri për mësuesen
Ishte Tetë Marsi- dita e nënave.
Fatosi beri kurorë me lule për t’i uruar
Tetë Marsin motrës punëtore.
Flutura brohoriti:- S’ka si nëna ime!
Fatmiri ia priti:- S’ka me mësuesen time!
Fatosi bërtiti:-S’ka me motrën time!”
Në faqen e Abetares përball kësaj shkronje qëndron edhe teksti për lexim :
FESTA JONË
“Ne sot festojmë. U hap shkolla e re.
Eni të këndojmë!
Fshati kur feston, flamujt valojnë.
…..”
Po në këtë vjershë një strofë është dhënë me shkronjat e dorës:
“Jehon lahuta ditë pa halle.
Shkollat tona luajnë valle.
Bleroi fusha s’mbetëm vonë.
Kaploi dita vendin tonë”.
Dhe në fund të çdo faqeje autori, Mehmedali Hoxha jep një fjali të shkruar me germa të dorës siç është kjo: “Fshati po feston, eni të këndojmë!

Në këtë abetare risi është se mësimi i shkronjave të dorës si dhe ushtrimet e shkrimit, që janë të drejtuara me lëvizje të lira me një distancë të gjerë, të shkruara vetëm nëpër vija horizontale, gjë që nxënësve u jep mundësinë e përvetësimit të shkathtësisë së të shkruarit të afërt e të lehtë me format e modelet që e rrethojnë, që paraqet një mënyrë e të ushtruarit për përvetësimin e drejtë të elementeve të shkruarit
Përvoja e Mehmedali Hoxhës si mësues i parë në shkollat shqipe, përvoja e tij në planin gjuhësor, ishte e madhe dhe ai e dinte se çka u duhet nxënësve për të lexuar rrjedhshëm dhe në të mësuarit shmang të lexuarit me rrokëzim, andaj kërkon mësim me zbërthime dhe analizime, për të shmangur kështu nga nxënësit të mësuarit përmendësh. Në këtë abetare ai me shumë kujdes zgjedh ose adapton fjalë të qarta, të shkurtra e shumë të bukura, duke kërkuar që mësuesit të nxjerrin nga nxënësit intuitën e tyre.
Tekstet që janë prezantuar vjen pas do shkronje që ka të bëjë me leximit të disa teksteve të zgjedhura plotësuese, për të përvetësuar shkronjat dhe për ta shkruar drejt tekstin e këndimit të parë. Tematika e teksteve është e shumëllojshme, ashtu siç thotë vetë autori “ashtu si është vetë jeta e fëmijëve”. Aty gjinden tekste ku shihet qartë niveli këndshëm i shijes letrare të përcjellë me një humor të lehtë. Vetë autori Mehmedali Hoxha do të shprehet kështu: “Dëshira ime ka qenë që se cila fjalë në fjali të ketë kuptim të qartë, të ketë një fjalor të pasur me elementet e poezisë”.
Abetarja e Mehmedali Hoxhës, përveç tekstit bazë, ofron edhe tregime, fabula, vjersha, gjëegjëza, fjalëshpejta, fjalëkryqe por ajo dallon edhe për nga struktura e gjuhës përmes zgjedhjes dhe përshtatjes së fjalëve të qarta, të shkurtra e të bukura. Por, ajo çka është me rëndësi dhe që duhet të përmendet është orientimi drejt rrugës së organizimit të teksteve si një tërësi. Brenda tyre është e pranishme hyrja, një zhvillim dhe një mbyllje, ku fare lehtë del një moral, një veçori edukative etj.

Sidoqoftë, nëpërmjet kësaj abetareje autori ka dashur të realizojë krahas shkrim-leximit edhe disa objektiva, siç janë: përdorimi i drejtë të gjuhës standarde shqipe; fitimi e shprehive elementare të lexim-shkrimit, nxënësit të shkruajnë duke e lexuar librin, si dhe nxjerrjen e mendimit të nxënësve, pastaj përsëritjen si një nga metodat e të mësuarit të dukurive gjuhësore, duke e marrë parasysh shkronjën, tingullin, rrokjen, fjalën, fjalinë, shenjat e pikësimit dhe disa elemente bazë gramatikore etj.

Abetarja e Mehmedali Hoxhës mbetet një pasuri kombëtare ku vargon me të gjitha abetaret e gjuhës shqipe si në ndër abetaret më origjinale në trojet tona shqiptare.

Filed Under: Sociale

Ndryshimi i emrit zyrtar të Republikës së Kosovës në “Dardani” – Një perspektivë strategjike dhe historike

December 28, 2024 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Një Diskutim për të Ardhmen

Ideja për të ndryshuar emërtimin zyrtar të Republikës së Kosovës në “Dardani” është rikthyer herë pas here në debatin publik, duke u ndërlidhur me aspiratat për afirmimin e identitetit historik dhe kombëtar të Kosovës. Përkrahësit e kësaj ideje e shohin emrin “Dardani” si një simbol që lidh të kaluarën ilire të rajonit me të ardhmen e shtetit të Kosovës, ndërsa kritikët argumentojnë se një ndryshim i tillë është i panevojshëm dhe i ndërlikuar juridikisht e diplomatikisht. Në këtë analizë të zgjeruar do të trajtojmë origjinën historike të emrit, nismat konkrete deri më tani, sfidat e shumta që lidhen me këtë ndryshim dhe rastet ndërkombëtare ku janë realizuar ndryshime të ngjashme.

Origjina Historike dhe Rëndësia e Emrit “Dardani”

Dardania, si një mbretëri e lashtë ilire, përfshinte një pjesë të madhe të territorit të sotëm të Kosovës dhe rajone përreth. Dokumentet historike tregojnë se ky rajon ishte i banuar nga fisi ilir i dardanëve, të njohur për traditat, organizimin shoqëror dhe ndikimin kulturor.

• Burimet Historike: Straboni dhe autorë të tjerë të antikitetit përmendin Dardaninë si një rajon strategjik, duke theksuar rolin e saj në zhvillimet politike dhe ekonomike të Ballkanit antik.

• Simbolika Kombëtare: Në historinë moderne shqiptare, emri “Dardani” është përdorur shpesh si simbol i lashtësisë dhe autoktonisë së shqiptarëve në Ballkan. Përkrahësit e ndryshimit argumentojnë se ky emër përforcon narrativën kombëtare dhe lidh Kosovën më ngushtë me identitetin shqiptar.

Nismat dhe Rastet Konkretizimi në Kosovë.Në vitet e fundit, disa nisma konkrete kanë synuar promovimin e emrit “Dardani”:

1. Peticioni i Dhjetorit 2024 në Prishtinë.Në fund të vitit 2024, një organizatë qytetare nisi një peticion me synimin për të mbledhur 10,000 nënshkrime dhe për ta dërguar propozimin në Kuvendin e Kosovës. Ky peticion u shoqërua me debate publike dhe fushata sensibilizuese mbi rëndësinë historike të emrit.

2. Projektet Kulturore dhe Akademike.Në vitin 2019, një grup historianësh dhe akademikësh publikuan një memorandum që bënte thirrje për përdorimin më të gjerë të emrit “Dardani” në simbolikën shtetërore, duke përfshirë emërtimin e monumenteve dhe institucioneve. Pavarësisht vëmendjes mediatike, kjo nismë nuk mori mbështetje politike.

3. Rasti i Emrit në Sport.Në vitin 2023, një klub sportiv i mirënjohur nga Prishtina ndryshoi emrin e tij nga “KF Kosova” në “KF Dardania,” si shenjë e promovimit të identitetit historik. Ky veprim nxiti diskutime të gjera dhe përkrahej nga një pjesë e madhe e komunitetit sportiv.

Raste Ndërkombëtare të Ngjashme.Për të kuptuar sfidat dhe mundësitë që lidhen me ndryshimin e emrit të një shteti, mund të shërbejnë si shembull disa raste ndërkombëtare:

1. Maqedonia e Veriut.Maqedonia ndryshoi emrin në “Maqedonia e Veriut” në vitin 2019 pas marrëveshjes me Greqinë. Ky ndryshim ishte rezultat i presionit ndërkombëtar dhe u shoqërua me sfida të mëdha politike dhe popullore.

• Procesi përfshiu një referendum kombëtar dhe amendamente kushtetuese, duke shërbyer si një precedent për raste të ngjashme.

2. Çekosllovakia në Çeki dhe Sllovaki

• Pas shpërbërjes paqësore në 1993, Çekosllovakia u nda në dy shtete me emra të rinj. Procesi përfshiu negociata të gjata dhe ndryshime kushtetuese, por gjeti mbështetje të gjerë popullore dhe ndërkombëtare.

3. Rasti i Iranit dhe Perandorisë së Persisë

• Në vitin 1935, Persia ndryshoi emrin në Iran për të reflektuar më mirë identitetin kombëtar të popullit. Ky ndryshim u bë pa ndonjë krizë të rëndësishme ndërkombëtare, duke dëshmuar se ndryshimi i emrit mund të ndodhë edhe në mënyrë të rregullt.

Sfidat për Kosovën: Juridike, Politike dhe Ndërkombëtare

1. Kushtetuta e Kosovës

• Ndryshimi i emrit kërkon amendamente kushtetuese, pasi emri “Republika e Kosovës” përmendet në preambulë dhe në nenet kyçe të Kushtetutës.

• Për këtë, do të nevojitej mbështetja e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit, përfshirë dhe dy të tretat e deputetëve të komuniteteve pakicë.

2. Komunitetet Pakicë

• Ndryshimi i emrit mund të përballet me rezistencë nga përfaqësuesit e komuniteteve pakicë, veçanërisht serbëve, të cilët e shohin këtë veprim si një përforcim të identitetit shqiptar të Kosovës.

3. Njohjet Ndërkombëtare

• Ndryshimi i emrit do të kërkonte rinjohje nga shtetet që kanë njohur Kosovën si “Republika e Kosovës.” Nëse disa shtete refuzojnë të njohin emrin e ri, kjo mund të përkeqësojë statusin ndërkombëtar të Kosovës.

4. Dialogu me Serbinë

• Ndryshimi i emrit mund të përdoret nga Serbia si një argument për të minuar njohjen e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Mundësitë dhe Përfitimet nga Ndryshimi

Përkrahësit e ndryshimit argumentojnë se emri “Dardani” mund të sjellë përfitime të konsiderueshme:

1. Afirmimi i Identitetit Kombëtar

• Emri “Dardani” përfaqëson një lidhje të drejtpërdrejtë me trashëgiminë historike dhe mund të shërbejë si pikë unifikuese për shqiptarët brenda dhe jashtë Kosovës.

2. Promovimi Ndërkombëtar

• Një emër i ri mund të krijojë një perceptim pozitiv për Kosovën si një shtet me rrënjë të thella historike, duke tërhequr më shumë vëmendje kulturore dhe turistike.

3. Ndikimi në Kulturën Popullore

• Përmes emrit “Dardani,” mund të promovohen më tej vlerat dhe traditat që lidhen me rajonin, duke krijuar një lidhje më të fortë midis brezave të rinj dhe historisë kombëtare.

Përfundim dhe Perspektiva për të Ardhmen.Ndryshimi i emrit zyrtar të Republikës së Kosovës në “Dardani” është një çështje komplekse që kërkon angazhim të gjerë institucional dhe mbështetje të fuqishme popullore. Aktualisht, kjo ide mbetet kryesisht simbolike, por me zhvillimet e duhura mund të kthehet në një realitet.

Nëse trajtohet me kujdes dhe me angazhim diplomatik, ky ndryshim mund të shërbejë si një hap i rëndësishëm drejt afirmimit të identitetit historik dhe kombëtar të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 720
  • 721
  • 722
  • 723
  • 724
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT