• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“DRITËS SË GONXHËS” U NDAL NË ARQIPESHKVINË MITROPOLITANE DURRËS-TIRANË

September 5, 2024 by s p



Në Arqipeshkvinë Mitropolitane Durrës-Tiranë në shenjë të 114 vjetorit tëlindjes (26 gusht), 27 vjetorit të vdekjes (5 shtator) tëNënës Tereze dhe të 45 vjetorit të marrjes së Çmimit Nobel për Paqe nga ana e saj, u bë prezantimi i veprimtarisë botuese të ITSHKSH-së, në kuadër të edicionit të katërt të manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës”, konkretisht librat: “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, e autorit Dom Lish Gjergji, ”Gjon Antoni, një margaritarkujtese për Shkupin e rinisë” e autorëve Skender Asani , Emin Azemi, Albert Ramaj, “Si dhe pse lindi Departamentipër studimne trashëgimisë shpirtërore të GonxheBojaxhiut – Nënës Tereze”, e autorëve Anton Nikë Berishadhe Skender Asani si dhe numri i 3-të i revistës “Drita e Gonxhës”.
Pas fjalës përshëndetëse të Arqipeshkvit, Imzot ArjanDodës, për rëndësinë e këtij manifestimi si dhe për vlerat që ofrojnë botimet e dedikuar jetës dhe veprës së Nënës Tereze, foli drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, i cili nënvizoi se se trinomi Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza – Shën Tereza ka qenë dhe mbetet preokupimi kryesor shkencor e profesional i Institutit që ai drejton, në kuadër të të cilit tash e disa vite vepron Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.
Pjesë e panelit ishte edhe Dom Lush Gjergji, i cili u ndal në disa çështje që ndërlidheshin me veprën e tij “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, për të cilën foli Atë Bernard Caruano.
Në prezantimin e sotëm auditoriumi u njoftua edhe me veprat ”Gjon Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë” e autorëve Skender Asani , Emin Azemi, Albert Ramaj, “Si dhe pse lindi Departamenti për studimnetrashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – NënësTereze”, e autorëve Anton Nikë Berisha dhe Skender Asanisi dhe me numrin 3 të revistës “Drita e Gonxhës”, për tëcilat një zbërthim më të detajuar e bëri kryeredaktori i kësaj reviste, Emin Azemi.
Pjesë e këtij promovimi ishte edhe debati që u zhvillua nëmes të auditoriumit dhe panelistëve, me ç’rast u ngritëndisa çështje që kishin të bënin me mënyrën dhe strategjinëe trajtimit të figurës së Nënës Tereze.

Filed Under: Ekonomi

ME SHUMË DASHURI SI SHENJT TEREZA

September 5, 2024 by s p

Albert HABAZAJ/

5 Shtatori është një datë e shenjtëruar, sikurse për gjithë globin, veçmas për kombin shqiptar, sepse është Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës, si shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë është dhe dëshmitare e paharrueshme e dashurisë për njerëzit në nevojë. Shenjt Tereza, si Kryemisionare e Mirësisë, është një burim i pashtershëm frymëzimi edhe për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, që, si pjesë e së tërës dritërore të Institucioneve të Arsimit të Lartë Shqiptar, nga lartësia modeste e 30 vjetëve jetë, është përkushtuar me ndershmëri profesionale dhe dashuri humane në shërbim arsimor universitar cilësor e bashkëkohor.

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha – na kujton Nëna e Botës, Shenjt Tereza – Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Mesazhi i saj me dritë: “Çfarë e bën llambën të ndriçojë? Konsumimi i vazhdueshëm i pikave të vogla të vajit. Nëse këto pika do të vinë duke munguar, nuk do të ketë më dritë” është testament shpirtëror edhe për pedagogët, stafin dhe studiuesit e UNIVLORËS në funksion të edukimit universitar dhe qytetar të studentëve tanë, dhe këtë e kemi treguar dhe përditë e tregojmë pa u dukur edhe me faktin se diploma e Universitetit tonë ka vlerë dhe njihet ndërkombëtarisht.

Nderim Shenjtores sonë, që ndezi yjet e shpirtit, gjakut, mendimit dhe veprimit të Saj për një botë më të mirë në paqe e harmoni!

Një këngëz të vogël kam thurur për Shenjtoren, të cilën e këndojnë me zë kumbues, hijshëm, me aq ëmbëlsi e dashuri Ansambli Folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit” Vlorë: 

Për Shenjtoren Nënë Tereza

Këngën si zjarrin e ndeza.

Të ngrohtë si shpirt i saj

Të përhapet skaj më skaj.

Anjez’ Gonxhe Bojaxhiu

Shenjtore me frymë njeriu.

Shën Tereza, Nënë e Botës

Shqiponjë mbi malet e borës.

Filed Under: Analiza

Nëna Tereze – shpirt shqiponje, shtypi i Kosovës para 27 viteve

September 5, 2024 by s p

-Gazeta e rezistencës në Kosovë “Bujku” para 27 viteve për kalimin në amshim të Nënës Tereze/

-Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, për gazetën deklaroi: Lajmi për vdekjen e Nënë Terezës u prit me pikëllim të veçantë në Kosovë dhe kudo në botën shqiptare…/

-Në ballinë të gazetës ishte edhe kryetitulli “Nëna Tereze – shpirt shqiponje” i shkrimit me mbititull “Institucionet shtetërore dhe politike të Republikës së Kosovës mbajtën mbledhje komemorative”/

SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 5 Shtator 2024/ Gazeta e rezistencës, e lëvizjes e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës, “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që sfidonte ndalimin e dhunëshëm të gazetës së vetme të përditshme shqipe në Kosovë “Rilindja” nga Serbia okupatore, para 27 viteve kryetitull balline kishte “Vdiq Nëna Tereze”, e në nëntituj theksonte: “Bamirësja 87-vjeçare shqiptare, e cila e nderoi kombin e saj edhe me Çmimin Nobel, u bëri ballë disa sulmeve në zemër gjatë viteve të shkuara, por gjithnjë mblodhi forcë të vazhdonte misionin e saj të shenjtë. – Pikëllim i thellë në tërë botën”.

Raportimi për kalimin në amshim të Nënë Terezës kishte vendin dhe datën “Kalkutë, Indi, më 5 shtator”, e vijonte “Gjerësisht në faqen e dytë”, ku ishte edhe kryetitulli “Dr. Rugova: Humbje  për mirësinë dhe harmoninë njerëzore” me këtë tekst:

“Menjëherë pas komunikimit të lajmit për vdekjen e Nënë Terezës, presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, për gazetën tonë deklaroi:

‘Lajmi për vdekjen e Nënë Terezës u prit me pikëllim të veçantë në Kosovë dhe kudo në botën shqiptare.

Në këtë moment të dhemjes për Nënën Tereze, për laureaten e Çmimit Nobel për Paqe, për simbolin e shenjtërisë, të përvujtnisë dhe të solidarizimit me të varfërit, mund të themi se vdekja e saj është një humbje e madhe për mirësinë dhe për harmoninë njerëzore’.

Në shenjë respekti të thellë për veprën dhe për figurën e saj, për prezentimin që i bëri kombit shqiptar dhe vendit ku lindi, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kohë më parë Nënë Terezën e shpalli qytetare nderi të Kosovës.

Ky ishte nderi që i bëri Kosova në një kohë kur emri i Nënë Terezësa ishte bërë parashenjë për vetë Kosovën”.

Kryetitull në faqen e dytë ishte edhe “Një fytyrë që ngjanë në fytyrat e të gjitha nënave”, shkrim nga Nju-Jorku i Sinan Kamberajt me mbititull “Nga një takim me Nënë Terezën”.

“Bija e popullit dhe e Kishës Shqiptare” ishte titulli i deklaratës së dr. don Lush Gjergjit, kryetar i Shoqatës Bëmirëse Humanitare “Nëna Tereze”, deri atëherë autor i pesë veprave që i kushtoheshin Nënës Tereze.

“Një vdekje e madhe e një Nëne të madhe”, ishte titulli i deklaratës së dr. Rexhep Bojës, kryetar i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës.

“Humbje e madhe për mbarë botën dhe kombin tonë”, ishte titulli i deklaratës së dr. dom Shan Zefit, Kancelar i Ipeshkëvisë së Kosovës. 

Gazeta “Bujku” e 6 Shtatorit 1997 botonte edhe një kalendar historik për Nënë Terezën – Gonxhe Bojaxhiun me titull “Datat e rëndësishe”, ku fillimisht shkruante se ishte viti 1910 kur Agnesë Gonxhe Bojaxhiu lindi më Shkup…Gazeta nisi menjëherë për në Kalkutë-Indi reporteren speciale Evliana Berani…Ajo, mes tjerash, nga Kalkuta në 12 Shtator 1997 raportonte me mbititullin “Sot varroset Nëna Tereze” e me titullin “Udha drejt Shenjtërisë”. Raporti botohej duke filluar në ballinë të gazetës të datës 13 Shtator 1997…

Në ballinë të gazetës ishte edhe kryetitulli “Nëna Tereze – shpirt shqiponje” i shkrimit me mbititull “Institucionet shtetërore dhe politike të Republikës së Kosovës mbajtën mbledhje komemorative”.

E, “Porositë e mëdha” ishte titulli i editorialit të shkruar nga kryeredaktori Avni Spahiu…

Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016).

Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja,  Nëna Terezë pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”

Filed Under: Reportazh

SHËN NËNË TEREZA SHENJTORJA E PËRBOTSHME E KOMBIT SHQIPTAR

September 5, 2024 by s p

(Në përkujtim dhe homazh për shqiptaren e madhe Nënë Terezën (26.8.1910-5.9.1997), shenjtoren humane të mirësisë njerëzore, krenarinë e përbotshme të kombit shqiptar. Askush në botë nuk mund ta “privatizojë” shenjtoren e botës pasi vetë ajo ka deklaruar: “Jam me gjak Shqiptare, nga nënshtetësia, një indiane, nga besimi jam katolike, përsa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës..”).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

*

Në çdo 5 shtator, në këtë ditë të nderimit e shenjtërimit të Nënës së Madhe shqiptare, të Nënë Terezës, shqiptarët përtej ndasive të besimeve sjellin në memorien kolektive një grua të madhe, një ambasadore të kombit që bëri emër të madh me thjeshtësi dhe dashuri të thellë njerëzore. Kombi shqiptar ka nxjerrë gra të përmendura në të gjitha etapat e zhvillimeve historike, në shumë fusha të drejtimit, të luftës, të punës, të ekonomisë të kulturës, por veprimtaria e Nënë Terezës i kapërceu kufijtë e shqiptarizmës. Ajo u bë një simbol i dashurisë njerëzore të botës sonë.

*

Familjarët që i munguan gjatë gjithë jetës

Nënë Tereza ishte lindur më 26 gusht 1910 në qytetin shqiptar të Shkupit dhe që quhej Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Aktualisht e njeh gjithë bota si Nënë Tereza e Kalkutës. Ajo ka qenë një murgeshë dhe misionare katolike indiane që u lind në Shkup, në atë periudhë ishte Vilajeti i Kosovës në Perandorinë Osmane. Ajo jetoi në vendlindje për tetëmbëdhjetë vjet dhe më tej u shpërngul në Irlandë, më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës.

Nënë Tereza kur u bë misionare më vonë e konsideroi “27 gushtin”, si ditën e saj, pasi kjo ishte dita e pagëzimit ose “ditëlindja e saj të vërtetë”. Ajo ishte fëmija më e vogël e Nikollës dhe Drande Bojaxhiut. Babai i saj, i cili ishte i përfshirë në politikën e komunitetit shqiptar në vilajetin e Kosovës, vdiq në vitin 1919, kur ajo ishte tetë vjeç. Babai i Gonxhe Bojaxhiut kishte lindur në Prizren, por me prejardhje familjare ishte nga Fani i Mirditës, ndërsa nëna e saj ishte nga një fshat afër Gjakovës.

Familja e saj jetoi në Shkup deri në vitin 1934, më pas u transferua në Tiranë. Ajo kishte një motër, motra Agia dhe vëllai Lazri që jetuan në rrugën “Hajdar Hidi”, pranë katedrales katolike në rrugën e Kavajës në shtëpinë e Avni Zajmit. Fakt është se familja Bojaxhi kishte pesë fëmijë, dy nga të cilët ndërruan jetë në vegjëli. Dy motrat u ndanë për së gjalli dhe nuk u takuan më kurrtë, ndërsa i këllai Lazër Bojaxhi, ka jetuar në Palermo të Italisë, një ish-kapiten artilerie i kohës së mbretërisë i larguar që gjatë Luftës së Dytë Botërore. (Kjo vërtetohet edhe nga shumë dokumente të kohës së mbretërisë që gjenden në AQSH dhe në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura).

Megjithëse Nënë Tereza nuk mundi të vinte në Shqipëri për t’u takuar me nënën dhe motrën pasi në vendin tonë ishin ndaluar besimet fetare me ligj më 1967. Nënë Tereza i shkruante të ëmës dhe të motrës, “Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju..”. Ndërsa më 14 korrik 1972 Nënë Tereza mori një telegram, nga i vëllai i saj Lazër Bojaxhiu: “Lutu për loken, që ndërroi jetë më 12 korrik 1972”. Nëna e saj Drane Bojaxhi u shua edhe pse nuk arriti të shihte përsëri të birin e mbetur në Itali dhe të bijën misionare në Kalkuta të Indisë dhe që nuk e shihte prej dyzet e pesë vjetësh. Motra e Nënë Terezës Agia, motra e tyre e mbetur vetëm, vdiq një vit pas vdekjes së të ëmës, më 1973. Ka një të dhënë nga shtypi i kohës që në një intervistë të vitit 1979, pasi Nënën Tereza fitoi çmimin “Nobel”, i vëllai i saj Lazër Bojaxhi shprehej: “Motra e vogël, e përulur, ajo e cila u pati ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashuri dhe solidaritet aq njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndronte mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe ajo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar, duke shtrënguar në kraharor një fotografi të njomur me lot”. Është e njohur se vëllai i saj kapiten Lazër Bojaxhiu ndërroi jetë më 1981 në Itali. Nënë Tereza e deshi shumë familjen e saj edhe pse larg saj ju përkushtua tërësisht misionit të bamirësisë dhe humanizmit. 

*

Misionare bamirësisë botërore

Më 7 tetor 1950, Nënë Tereza mori lejen e Vatikanit për kongregacionin dioqezan, i cili do të bëhej “Misionarët e Bamirësisë”. Më 1952, Tereza hapi bujtinë e saj të parë me ndihmën e zyrtarëve të Kalkutës deri sa u shtri dhe vijon të shtrihet në gjithë botën. Madhështia e saj qëndron në thjeshtësinë dhe bukurinë e jetës.

Nënë Tereza themeloi “Misionarët e Bamirësisë” një kongregacion katolik, i cili në vitin 2012 kishte një numër të konsiderueshëm institucionesh bamirësie. Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebra dhe turbekulozi ato ofrojnë ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla. Anëtarët duhet t’i përmbahen betimit të “dëlirësisë, varfërisë dhe bindjes”, si dhe një kusht të katërt, për të dhënë “shërbime falas e me gjithë zemër për më të varfërit e të varfërve”.

Bamirësia ndërkombëtare Nënë Tereza ka vetëdeklaruar dhe ka shuar çdo dilemë e keqkuptim për përkatësinë e saj ku shprehej: “Jam me gjak Shqiptare, nga nënshtetësia, një indiane, nga besimi jam katolike, përsa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës. Sa i përket zemrës time, unë i përkas plotësisht zemrës së Jezusit”.  Ajo fliste rrjedhshëm pesë gjuhë dhe bëri udhëtime të shumta jashtë shtetit për arsye humanitare.

Më 13 Mars 1997 Nënë Tereza dha dorëheqjen si kreu i Misionarëve të Bamirësisë dhe ajo vdiq në 5 Shtator 1997 dhe është varrosur në Kalkuta të Indisë me nderime të përbotshme. Në kohën e vdekjes së saj, Misionarët e Bamirësisë kishin mbi katërmijë motra dhe një vëllazëri të lidhur me treqind anëtarë që operonin në qindra misione humanitare e bamirësie në mjaft vende të botës. Misionarët e shenjtërisë Nënë Tereza e vijuan misionin e saj. Kështu deri më 2007, Misionarët e Bamirësisë numëronin rreth 450 vëllezër dhe 5000 motra në të gjithë botën, duke operuar 600 misione, shkolla dhe strehimore në 133 vende të botës. 

*

Nderim dhe vlerësim për Nënë Terezën

Nënë Tereza rendi gjithmonë pas misionit të lartë të bamirësisë dhe mirësisë njerëzore dhe nuk kishte menduar kurrë për cmime dhe vlerësime, edhe pse më 1962 u nderua me  çmimin e Paqes, më 1962 i akordohet cmimi i Paqes, më 1979 Nobel për Paqe. Fakt është se më 19 tetor 2003, Nënë Tereza u lumturua dhe u quajt “Nënë Tereza e Bekuar e Kalkutës”, por për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Francesku në dhjetor 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet “e shenjtë” nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4.9.2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5.9.1997), ku njihet si “Dita e Shenjtëruar e Nënë Terezës”.

Nënë Tereza është nderuar në të gjithë botën nga shtete të vogla e të mëdha, nga më të fuqishmit e botës. Duke folur përpara katërmijë studentëve dhe anëtarëve të Dioqezës së Skranton për shërbimin e saj ndaj “më të varfërve të të varfërve”, duke u thënë atyre “të bëjnë gjëra të vogla me shumë dashuri”, që ka qenë motivi i saj përgjatë gjithë jetës.Shqiptarja e madhe dhe e rrallë e trupëzuar me mirësinë botërore në shërbimi të njerëzimit ngelet shëmbëlltyra më e veçantë e shqiptarisë në mbarë planetin tonë krahas heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për Nënë Terezën janë thënë fjalë nga më të rrallat nga personalitete në mbarë botën: Ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Javier Pérez de Cuéllar e ka cilësuar Shën Terezën: “Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqe në botë”. 

Ish Presidenti Amerikan Bill Clinton në qershor 2002 është shprehur: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”. Madaleine Albright deklaronte: “Nuk ka nevojë të më prezantojë kush Shqipërinë, sepse Shqipërinë e njoh nga Nënë Tereza dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ndërsa Presidenti Amerikan Roland Regan i ka akorduar Nënë Terezës “Medaljen Presidenciale të Lirisë në një ceremoni të Shtëpisë së Bardhë më 20 qershor 1985. Me Shën Terezën krenarinë tonë dhe të botës së humanizmit dhe bamirësisë është përjetësuar njëherësh edhe gruaja shqiptare, ku Nënë Tereza ngelet e shenjtëruara e përjetshme në një planet kaq kompleks me probleme të shumta. Në 1979 Nënë Tereza mori çmimin “Nobel për Paqen” për punën e ndërmarrë në luftën për të kapërcyer varfërinë dhe shqetësimin, që gjithashtu përbën një kërcënim për paqen”. 

Tereza e madhe refuzoi një banket ceremonial konvencional për laureate të çmimit Nobel, duke kërkuar që kostoja e tij prej 192000 dollarë t’u jepej të varfërve në Indi dhe duke thënë se shpërblimet tokësore ishin të rëndësishme vetëm nëse e ndihmuan atë për të ndihmuar nevojtarët e botës. Kur Nënë Tereza mori çmimin, ajo u pyet: “çfarë mund të bëjmë për të promovuar paqen botërore?” Ajo u përgjigj: “Shkoni në shtëpi dhe doni familjen tuaj”. Bzuar në këtë temë në ligjëratën e saj për çmimin “Nobel”, ajo tha: “Rreth botës, jo vetëm në vendet e varfëra, por e gjeta varfërinë e Perëndimit aq shumë më të vështirë për t’u hequr. Kur marr një person nga rruga, i uritur, i jap një pjatë oriz, një copë bukë, e kam kënaqur. Unë e kam hequr atë uri. Por një person që është i mbyllur, që ndihet i padëshiruar, i padashur, i tmerruar, personi që është dëbuar nga shoqëria, se “varfëria është ves”, thoshte Viktor Hygo. Për këtë punoi Nënë tereza gjithë jetën e saj për bujari dhe humanizëm, për thjeshtësi dhe dashuri ndaj njerëzve, prandaj dhe thëniet e saj janë gdhendur në pjesën më humane të botës:

Duaje jetën ashtu siç është,/ Duaje pa pretendime,/ Duaje kur të duan apo kur të urrejnë, /Duaje sa herë që lindesh,/ e sa herë që je duke vdekur,/ Por mos duaj kurrë pa dashuri!”. Ndër titujt e shumtë që i janë akorduar Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes, shpërblimi më i lartë i Rusisë; etj. Në vitin 2002, Papa Gjon Pali II gjykoi se shërimi i një gruaje që vuante nga tumori në stomak ishte rezultat i ndërhyrjes së mbinatyrshme të Nënë Terezës. Ajo u shpall e “Lumturuar” nga Papa Gjon Pali II si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfërit e të varfërve”. Një ndër datat më të rëndësishme që nderon madhështinë e Nënë Terezës së Kalkutës, e cila ia kushtoi jetën përkujdesjes ndaj të varfërve është 4 shtatori i vitit 2014, dita e shenjtërimit të saj, e cila një ditë më pas njihet si ditë zyrtare.

Papa Françesku ka pranuar një mrekulli të dytë që i atribuohet asaj, shërimin e një mashkulli brazilian me tumor në kokë më 2008. Shqipëria i kushton dy ditë festa zyrtare për nder të Nënë Terezës. Vendi ynë e ka nderuar me dekoratën “Nderi i Artë i Kombit” më 1994. Emri i saj është shumë i njohur në sheshe e memoriale, në libra e shkrime, ku sheshi “Nënë Tereza” është ndër më të frekuentuarit dhe shumë i dashur për shqiptarët, por sot nuk ka shqiptar dhe udhëtar i qiellit i huaj apo shqiptar që sa herë shkon e vjen nga Rinasi të parën që takon është emri i rrallë “Nënë Tereza”, sikurse edhe Qendra Spitalore Universitare mban emrin e shenjtëruar “Nënë Tereza”. Përjetësi në zemrat e mbarë shqiptarisë dhe të kombeve të tjera të botës!

-&-

Filed Under: Politike

MUZEU HISTORIK KOMBËTAR, VINÇENC PRENUSHI, BENJAMIN FRANKLINI DHE GJYSËM TË VËRTETAT

September 5, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Nga hera në herë lexoj portale të ndryshme në internet që merren me historinë, siç ndodhë edhe me portalin e Muzeut Historik Kombëtar, nga i cili mësoj të dhëna që nuk i dijë nga historia kombëtare e shqiptarëve. Kësaj radhe ndodhi që lexova një shënim të Muzeut Historik Kombëtar me rastin e ditëlindjes së Vinçenc Prenushit (4 Shtator, 1885) Ipeshkvit martir shqiptar, të Lum, Imzot Vinçenc Prenushit — martir i Kishës Katolike dhe i Kombit Shqiptar, në kohën e regjimit komunist, i cili ka ndërruar jetë, më 19 mars 1949, nën tortura të regjimit diktatorial bolshevik komunist të Enver Hoxhës.  Në njoftimin e Muzeut Historik me rastin e lindjes së tij, jepen informacione dhe të dhëna se kur dhe ku lindi, përfshir, shkurtimisht, shkollimin, karrierën klerikale dhe kontributet e tija në fushën e publicistikës, poezisë dhe mbledhjes së folklorit. Dhe në fund të njoftimit shkruhet se, “Në vitin 1947 u arrestua dhe u dënua me 20-vjet punë të detyrueshme. Vdiq në burgun e Durrësit”, thuhet në njoftimin e Muzeut Historik Kombëtar, duke mbyllur postimin në kujtim të Vinçenc Prenushit.

Duke lexuar këtë njoftim të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, m’u kujtua një thënje e famshme e njërit prej baballarëve themelues të Shteteve të Bashkuara, Benjamin Franklinit se: “Gjysëm e vërteta është shpesh herë një gënjeshterë e madhe”– (“Half a truth is often a great lie.’ – Benjamin Franklin”).  Ose thënë shqiptarçe, një “rrenë me bisht”, ose “rrenë ditën për diell”.  

E quaj këtë njoftim si një përpjekje për të mbuluar të vërtetën e krimeve të komunizmit, si një përpjekjet për të riabilituar historinë kriminale prej gjysëm shekulli të komunizmit.  Duke ushqyer kështu brezin e ri me kësisoj gjysëm të vërtetash historike nga ente zyrtare, si Muzeu Historik dhe Akademia e Shkencave, duke injoruar ose anashkaluar të vërtetat historike – me postime “gjysëm të vërteta”.  Në këtë rast, thuhet një gjysëm e vërtetë se Ipeshkvi Vinçenc Prenushi, u arrestua dhe u dënua me 20-vjet punë të detyrueshme dhe se vdiq në burgun e Durrësit.  Por nuk thuhet asgjë se pse u dënua, “Ëngjëlli i myslimanëve dhe i të krishterve”.  Nga kush u dënua, se si dhe nën çfarë rrethanash vdiq në burgun e Durrësit Vinçenc Prenushi — “I burgosur, i rrahur e i torturuar”. I “Lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem”, në burgun e Durrësit,- ka shkruar Profesor Arshi Pipa për mikun dhe bashkvuajtësin e tij Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve sot nëse mund të: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”, në burgun e Durrësit.

Përfshirja e këtyre të dhënave, dëshmi e Profesorit Arshi Pipa, por dhe të tjera si këto — të nderuar historianë të Muzeut Historik Kombëtar — do ia paraqisnin lexuesit dhe brezit të ri, të vërtetën e plotë mbi komunizmi – të pakën në rastin Imzot Vinçenc Prenushit

Për ata që dëshirojnë të mësojnë diçka më tepër për burgosjen dhe torurat e mundimet e Sigurimit të Shtetit komunist shqiptar – ndaj burrave të Kombit siç ishte Vinçenc Prenushi – mund të lexoni disa të dhëna nga Profesor Arshi Pipa, bashkvuajtës dhe dëshmitar i kalimit në amshim, në duar të të cilit, ndërroi jetë Vinçenc Prenushi në burgun e Durrësit në vitin 1949, një pasqyrim i shkurtër vijon si më poshtë, botuar marsin e kaluar – si një  informacion shtesë ndaj njoftimit të Muzeut Historik Kombëtar!

                               ————————————————————–

Nga Frank Shkreli – Imzot Vinçens Prenushi: Dëshmi drite në errësirën e dhunës komunisto-bolshevike shqiptare

 Gazeta Telegraf –19 Mars, 2024

19 marsi shënon ditën që Kisha Katolike universale pёrkujton festёn liturgjike kishtare tё Ipeshkvit martir shqiptar të Lum, Imzot Vinçenc Prenushit, në përvjetorin e vdekjes së tij në burg si martir i Kishës Katolike dhe i Kombit Shqiptar, në kohën e regjimit komunist, më 19 mars 1949, nën tortura të regjimit diktatorial bolshevik komunist të Enver Hoxhës. Për lexuesit që mund të jenë të interesuar në anën shpirtërore të rëndësisë së kësaj dite, mund të lexojnë shkrimin,  me këtë rast, në portalin e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe Festa e tё Lumit Imzot Vinçenc Prenushi, martir – Vatican News.

Por në këtë ditë të vdekjes unë dëshiroj që, shkurtimisht, të ndaj me lexuesit e sotëm disa kujtime të shkrimtarit dhe poetit, të ndjerit Profesor Arshi Pipa, i cili e ka cilësuar Imzot Vinçenc Prenushin si “Simboli i të së kaluemes së Shqipënisë me të cilin ne mburremi”! Kujtimet e tija për Prenushin janë të periudhës kur ai vet ishte i burgosur me Ipeshkvin martir të Kishës Katolike Shqiptare në mars të vitit 1949, kur prelati i lartë i Kishës Shqiptare vdiq në burgun e Durrësit, nën torturat më çnjerëzore, që mund të imagjinoheshin, atëherë dhe sot, i akuzuar si “armik i popullit.” Profesor Pipa rrëfen një bisedë që ka pasur me Prenushin gjatë, të cilës prelati i lartë kishtar i kishte folur për një takim të tij me Enver Hoxhën, i ftuar, qëllimisht, nga diktatori për t’i imponuar Imzot Prenushit pikëpamjet komuniste të tija ndaj fesë. Ndonëse Enveri nuk kishte mundur ta bindte, ka kujtuar në esenë e tij Prof Arshi Pipa, Vinçenc Prenushi, përfunduar në burg, ndërkohë që Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim të ashpër kundër ipeshkvit katolik.


Në esenë, “Kujtime mbi Vinçenc Prenushin”, botuar në “Flije Atdheut”, Profesori Arshi Pipa ka kujtuar ditët në burgun e regjimit komunist në Durrës me mikun dhe bashkëvuajtësin e tij, me atdhetarin dhe njeriun e kulturës shqiptare dhe me martirin e Kishës Katolike, ndërsa ka rrëfyer se si me duart e tija ia kishte “mbyllur sytë, sytë e lodhur e të shterur”, kur dha shpirt nga torturat çnjerëzore, Imzot  Prenushi – klerikut të lartë katolik shqiptar, por njëkohësisht edhe të shkrimtarit, poetit, përkthyesit, publicistit dhe një studiuesi të rëndësishëm.


Gjatë viteve në burg pas ardhjes së komunizmit në pushtet, si kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Prof. Arshi Pipa kujtonte se ishte njoftuar dhe kishte lidhje dhe miqësi të ngushta me përfaqësues të lartë të klerit katolik shqiptar, bashkëvuajtës me ‘ta, në birucat e tmerrshme të burgjeve të Enver Hoxhës, aty ku të gjithë ata që kundërshtonin regjimin komunist vuajtën “mundimet e territ”, shkruante ai duke përfshirë ndër ta edhe Ipeshkvin Vinçenc Prenushin. Për Prenushin, Profesor Arshi Pipa shprehte admirimin e tij duke shkruar se, përveç se ai pasqyronte shumë vlera dhe virtyte, “Ishte i butë në shpirt, e i paqtë, thellë i devotçëm, i kushtuem kryekëput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue me një urtësi të bindshme dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen e tij për letërsinë.” Profesori i nderuar, Arshi Pipa e ka cilësuar Vinçenc Prenushin si një njeri, të cilin nuk e interesonte aspak politika, ndërsa ishte gjithmonë i buzëqeshur në të folur, zemërgjerë në gjykime, i qetë e i sigurt në qëndrimet e tija të patundura.
Albanologu Robert Elsie e rendit Vinçenc Prenushin, pas At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës, si njërin prej shkrimtarëve më të vjetër dhe më të respektuar të Shkodrës dhe të letërsisë shqiptare. I njohur dhe shumë i respektuar në kohën e tij, si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët, të cilët e quanin Imzot Prenushin “melek” që do të thotë “engjëll”, për respektin që ai gëzonte në mbarë shoqërinë shqiptare në kohën kur jetoi, ka kujtuar Imzot Prenushin, albanologu gjerman Robert Elsie.

Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prenushin”, Arshi Pipa vë në dukje jo vetëm vuajtjet dhe mundimet në duart e regjimit komunist, por ka vënë në dukje edhe vlerat kombëtare, njerëzore, kishtare dhe letrare të Vinçenc Prenushit, duke theksuar se, “Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare, i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.” Pipa ka shkruar se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri prej përfaqësuesve të dalluar të letërsisë kombëtare, “Imzot Prenushi nuk do ta kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë, në të njajtën kohë, jo vetëm kundër fesë, por edhe kombësisë.”

I burgosur, i rrahur e i torturuar, “Lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa për mikun dhe bashkvuajtësin e tij Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve sot nëse mund të: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”. Është ky përfytyrim, të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën e tij para vetes së tij. Ishte ky përfytyrim e të tjerë si ky, që e bënte atë të papajtueshëm me komunizmin, të cilin e luftoi me të gjitha energjitë e tija. Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, të cilit i referohet: “Këtij simboli të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën na mburremi, këtij njeriu, i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat, dhe ndryhet në burgje dhe torturohet”, megjithëse Imzot Prenushi vuante nga zemra dhe astma.

Profesor Arshi Pipa përfundon rrëfimin e tij prej poeti, për vuajtjet dhe mundimet dhe për kohën e kaluar me Imzot Vinçenc Prenushin në burgun e Enver Hoxhës në Durrës, duke përshkruar ditët e fundit me të, ndarjen nga kjo jetë të prelatit katolik shqiptar, 70-vjetë më parë: “Atë natë kishte zjarr në vatër. Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhur e të shterur, që aq shumë kishin vuajtur për dritë, m’u duk se pashë në fytyrën e tij të hajthët, të shkrirë, të paqtë, mbas aq shumë mundimesh, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndofta mua më bajshin sytë e përlotur, ndofta nuk ishte veçse një reflex i flakërimeve të kuqrremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrat e faqeve dhe ndër gropzat e syve. Por, ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti që në grahmat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj kur dhimbja të prajë, të pushojë si ujt prej lymit që e pat trazuar. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë se si njerzit vdesin për ideale”, -ka shkruar Profesor Arshi Pipa në dëshminë e tij për natën kur është ndarë nga kjo jetë Imzot Vinçenc Prenushi, atë natë të zezë të 19 marsit, 1949 – 75-vjetë më parë!

A person in a black robe

Description automatically generated
A screenshot of a computer

Description automatically generated
Benjamin Franklin wrote many memorable lines in "Poor Richard's Almanack." (File photo)

  “Gjysëm e vërteta është shpesh herë një gënjeshterë e madhe –(“Half a truth is often a great lie.’ – Benjamin Franklin”). 

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 764
  • 765
  • 766
  • 767
  • 768
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT