• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HIMË LYBENIQI- LUFTËTAR I DENJË PËR LIRI DHE PAVARËSI TË SHQIPËRISË ETNIKE

December 6, 2024 by s p

Prof. Besim Muhadri, Nju Jork/

Himë Lybeniqi ishte bashkëluftëtar i Isa Boletinit, Bajram Currit, Idriz Seferit, Hasan Hysen Budakovës, Hasan Prishtinës, Bajram Daklanit, Azem dhe Shote Galicës. Njihej edhe me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, gjeneralin Thomson, Princ Vidin, Fan Nolin, Avni Rrustemin dhe shumë personalitete të huaja dhe shqiptare të asaj kohe. Mori pjesë në shumë beteja dhe luftëra. Më 1910 ishte në luftë kundër Xhavit Pashës në Carralevë. Më l912 bashkë me dhjetëra e mijëra luftëtarë e çliruan Ferizajin dhe Shkupin dhe ishte ndër rojet e para të flamurit kombëtar në Vlorën heroike me 1912- të.

C:\Users\UFAGJ\Desktop\IMG_1753.JPG

Himë Lybeniqi (1870-1989)

Arma e tij dhe e bashkëluftëtarëve të tij kërkonte vetëm bashkim dhe liri

Himë (Ibish) Lybeniqi (Alimehaj) lindi, tri dekada para së të mbyllej shekulli XIX.  Viti i saktë i lindjes nuk dihet. Vet e thoshte se kishte lindur para Lidhjes së Prizrenit, por më vonë eështë vërtetuar se ka lindur në vitin 1870 dhe vdiq në pranverën e vitit 1989, në vendlindjen e tij në Lybeniq, katund ky në mes Deçanit dhe Pejës, buzë bjeshkëve të larta. Pak kohë përpara se të vdiste, thoshte për vete se kishte mbi 114-të -të vjet. Pleqtë thoshin se ishte edhe më i vjetër. Ai ishte ndër trimat më të njohur të këtyre anëve. Nuk njihej, vetëm pse jetoi gjatë, por edhe për sjelljen e tij prej njeriu, trimi dhe kaçaku, që asnjëherë nuk e koriti emrin e vet dhe varre e të parëve. Edukatë kjo e trashëguar brez pas brezi, jo vetëm nga familja, por edhe nga bashkëluftëtarët e tij që ishin mendjendritur dhe të njohur për popullin shqiptar.   

Himë Lybeniqi ishte bashkëluftëtar i Isa Boletinit,   Bajram Currit, Idriz Seferit, Hasan Hysen Budakovës, Hasan Prishtinës, Bajram Daklanit, Azem dhe Shote Galicës. Njihej edhe me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, gjeneralin Thomson, Princ Vidin, Fan Nolin, Avni Rrustemin dhe shumë personalitete të huaja dhe shqiptare të asaj kohe. Më shumë se gjysmën e jetës e kaloi nëpër shokë e miq dhe, siç ishte adet nëpër fis, në ditët e vështira të luftërave të armiqve kundër komitëve, kaçakëve dhe trimave që luftonin për atdhe. Arma e tij vrau vetëm armiq të këtij trualli. Mori pjesë në shumë beteja dhe luftëra. Më 1910 ishte në luftë kundër Xhavit Pashës në Carralevë. Më l912 bashkë me dhjetëra e mijëra luftëtarë e çliruan Ferizajin dhe Shkupin dhe ishte ndër rojet e para të flamurit kombëtar në Vlorën heroike me 1912- të.

Arma e tij dhe e bashkëluftëtarëve të tij kërkonte vetëm bashkim dhe liri. Luftë në Qafë të Morinës. Ku nuk kishte luftuar? Luftë kundër shkijeve e turqve në Kodër të Qenit. Në Qafë të Diellit. Luftë kundër Cernagores. Ai për vete nuk thoshte se kam bërë këtë e atë trimëri për vatan. Ishte shumë modest dhe real. Disa herë u plagos ndër beteja për çlirimin e Kosovës dhe Shqipërisë, por shpëtoi gjallë, në saje të fatit dhe kujdesit të shokëve. Për shumë vjet ishte pranë Isa Boletinit. Prej vitit 1902 e deri kur u nda me te në Shkodër më 1916. Pas vrasjes së Isa Boletinit në Podgoricë me 1916, Hima iu bë krah luftëtarit të shquar Azem Galica. Vrasjen e Beqir Vokshit e konsideronte humbje të madhe për popullin shqiptar. Pas vdekjes së Azem Galicës, për shumë kohë të Jugosllavisë së vjetër, mbeti duke u rropatur me jetën dhe peripecitë e saj…   

Janë disa nga të dhënat për Himë Lubeniqin, të cilat që na i jep shkrimtari dhe aktori, Nimon Muçaj në librin e tij “Rrëfimet e një kaçaku”, të shkruar në formë bisede dhe, pak a shumë edhe proze dokumentare. Nimoni kishte pasur fatin ta intervistone Himën në vitin 1979, ne nje kohe kur ai kishte kaluar të njëqind vitet e jetë, por që kishte një memorie të fortë, mirëpo shënimet e tij të nxjerra nga intervista mbetën të pazbardhura deri vonë, që ishte shumë tragjike, sepse disa nga to, siç thotë ai humbën, por edhe u dogjën nga makineria serbe e krimit. 

Nimoni duke dëgjuar fakte dhe argumente nga vetë goja e luftëtarit të paepur të kauzës sonë kombëtare, Himë Lubeniqi, i vdekur këtu e 35 vjet më parë, shënime që dalin nga rrëfimet e Himë Lybeniqit mund të na prishin imazhin që mund kemi për disa personalitete të historisë sonë kombëtare, sepse ai “ai, domosdo, diçka duhet të ketë ditur, se ndryshe nuk do të rrëfente gjëra kaq të hidhura dhe interesante, njëkohësisht”. Shkrimtari dhe aktori ynë i mirënjohur, Nimon Muçaj, tregon se për tridhjetë e gjashtë  vjet me radhë, herë pas here i ka rishikuar këto fjalë të plakut, nga të cilat, siç thotë ai, diçka ka “ndrequr” dhe diçka ka “prishur”, natyrisht, madje edhe duke i rishkruar përsëri nga fillimi. Thotë se është marrë me incizimet duke u munduar që fjalët t’i rishkruante ashtu siç ishin, “sado që një pjesë e incizimeve dhe shënimeve të mia humbën, u vodhën me gjithë kompjuter dhe u dogjën nga makineria e shkijeve në vitin e tmerrshëm 1999…”

Harresa – përsëritje e historisë

Siç e thotë edhe Nimon Muçaj në librin e tij për Himë Lubeniqin dhe të bëmat e tij,  historia na tregon se serbët nëpër shekuj na kanë djegur, na kanë vrarë dhe na kanë prerë me dhjetëra herë, ndërsa këto të këqija që na i ka bërë Serbia fatkeqësisht i kemi “harruar”. Pas tragjedisë ne kemi kënduar apo kemi rrëfyer për gjithë ato ngjarje rrëqethëse. Na kanë çrrënjosur prej trojeve tona që nga Molla e Kuqe dhe ne, pasi kemi “shëruar” plagët e muhaxhirllëkut, përsëri kemi “harruar”. Na kanë prerë tokën dhe hartën me thikë e me hekur dhe copërat e letrës dhe të mishit na kanë kulluar gjak e dhe. 

Edhe para Lidhjes së Prizrenit ne shqiptarëve na kanë dëbuar nga trojet tona, por përsëri kemi kënduar për heroizma dhe trimëri. Edhe pas Lidhjes së Prizrenit na kanë sakatosur. Dhe përsëri sikur kemi “harruar” dhe kemi kënduar. Në Kosovë me 1913- të, na kanë vrarë dhe përsëri kemi “harruar”. Kalvari dhe masakra e Tivarit është një nga episodet më të dhimbshme dhe më të përgjakshme. Fatkeqësisht historia na tregon se edhe shqiptarët aty u kanë ndihmuar shkjeve që të bëjnë plojë mbi vëllezërit e vetë. Dhe ne përsëri kemi “harruar”. Na kanë dëbuar për në Turqi dhe ne, fatkeqësisht, përsëri kemi “harruar”. 

Gjatë viteve të “autonomisë  ’74- ’81 jemi mashtruar me lëpirje kockash dhe përsëri kemi “harruar” atë më të rëndësishmen. Pleqtë sa e sa herë na kanë këshilluar duke na thënë se nuk ka besë me shkja, por “na” nuk kemi dashur t’i besojmë kësaj maksime. Me 1998-të e 1999-të na i kanë djegur eshtrat dhe gjurmët e varreve. Na i kanë vrarë fëmijët, nënat, shtatzënat, motrat, vëllezërit, pleqtë dhe na kanë dëbuar prej trojeve tona. Me sytë tanë kemi pa tmerre e tmerre. në vendlindjen e Himës, në Lybeniq, me 1 prill të vitit 1999. Kemi edhe shumë e shumë ngjarje të rënda dhe dhimbshme të popullin tonë. A po harrojmë përsëri? Me sigurinë më të madhe se po. 

Isa Boletini bashkë me 400 trima ishte në Vlorë në ditën e shpalljes së pavarësisë 

dhe të ngritjes së flamurit

“Historiografët” e dikurshëm të PPSH në Tiranë e gjetiu, e kanë mohuar mosprezencën e Isa Boletinit ditën e flamurit më 28 nëntor 1912-të. Për çfarë e kanë “fabrikuar” apo falsifikuar këtë detal, e dinë ata vetë. Himë Lybeniqi, protagonistë ai tyre ngjarjeve, prandaj edhe i asaj ngjarjeje të madhe nuk pretendonte për kurrfarë posti që të thoshte, se unë isha aty dhe e mora flamurin dhe thirra: “Rroftë Shqipëria!” Jo. Ai tregonte fare thjeshtë, se e kishte parë me sytë e tij, kur Isa Boletini dhe 400 burra kosovarë kishin qenë aty, kur Ismail Qemali kishte hipur në ballkon për të shpaluar flamurin tonë kombëtar. Disa “kalemli” thonë se Isa nuk shihet në fotografi bashkë me Ismail Qemalin, apo?! Në ballkon nuk kanë mujtë me u ngjitë të gjithë, pyet dhe përgjigjet Hima. (As ai, por as unë, as studiuesit e historisë nuk di a e dinë apo nuk duan ta thonë të vërtetën, se ajo foto me flamurin kombëtar dhe nënshkrimet e Pavarësisë në Vlorë, 1912-të nuk janë të atij viti. Por një vit më vonë, me 1913-të…(?) 

Isuf Bardhoshi dhe Hazir Laha vendosën flamurin kombëtar 

te porta e shtëpisë së Begut në Vlorë

Nimon Muçaj në librin e tij “Rrëfimet e një Kaçaku”, pohon se në shënimet e Luigj Gurakuqit thuhet, “se dy burra kosovarë e shpaluan nji flamur të madh dhe e vendosën te porta e shtëpisë së Begut në Vlorë…” janë plotësisht të sakta. Nëse Luigj Gurakuqi nuk ua thotë emrin (sepse nuk ua dinte), emrat e tyre i tregon vetë Himë Lybeniqi. Ata dy burra ishin Isuf Bardhoshi nga Isniqi dhe Hazir Laha nga Belleja e Deçanit. Pra shënimet e Luigj Gurakuqit përputhen me fjalët e Himë Lybeniqit, kur thoshte së. “Atë ditë binte shi. I gjithë populli priste me padurim vendimet e  mbledhjes historike dhe Ismail Qemali ma në fund doli në ballkon me nji flamur të vogël…”. Hima nuk dinte shkrim e as lexim, prandaj nuk i ka lexuar ato shënime të Luigj Gurakuqit, që të ndikohej nga ai pohim. Ai e thotë ngase vetë kishte qenë me ta dhe ishte protagonist, i cili në atë kohë kishte 42 vjeç.

Për historinë e ngritjes së flamurit ka edhe një variant tjetër, gjithnjë duke u bazuar në fjalët e Himë Lybeniqit, pjesëmarrës i asaj ngjarjeje. Në lidhje me këtë, Hima tregonte: “Në momentin kur duhej të ngrihej Flamuri, Ismail Qemali u drejtohet trimave me këto fjalë: “Vëllezër shqiptarë! Sot ka ardhur koha që të ngrehim flamurin tonë me shqipen dykrenore dhe ta përdhosim (heqim) flamurin turk njëherë e përgjithmonë. A ka djalë që hip dhe e ngrit flamurin shqiptar? Për një çast në mesin e trimave bie një heshtje, të cilën e thyen Isa Boletini, i cili ngrihet në këmbë dhe thotë: “Unë do të bahem kurban për flamur! Menjëherë pas tij ngrhtet në kamë Isuf Bardhoshi i Isniqit (kushëri i Ises), i cili i thotë: ”Jo, Baca Isë! Flamurin do ta ngriti unë se po u vrave ti, je copë e madhe, ndërsa unë jam copë e vogël! Dhe menjëherë ngjitet drejt vendit ku ishte i vendosur flamuri i gjonturqëve. E theu shtizën e tij, e përdhosi përtokë dhe kërkoi që dikush t’ia ofronte flamurin kombëtar shqiptar. Flamurin ia solli Hazir Laha i Bellesë së Deçanit. Per t’iu shmangur mosmarrëveshjeve që filluan të lindin në mes parisë rreth çështjes se kush e ngriti flamurin, Ismail Qemali tha: “Atë që e ngriti Flamurin do e quajmë ushtari i panjohur”. Edhe sot në Vlorë është përmendorja e Ushtarit të panjohur, e cila, me gjasë duhet të jetë përmendorja e Isuf Bardhoshit te Isniqit të Deçanit.

Himë Ibishi i Lubeniqit ka 35 vjet që nuk jeton, por rrëfimet e tij kanë mbetur. Ato tashmë janë regjistruar dhe shkruar me kujdes nga shkrimtari dhe aktori Nimon Muçaj, shënime të cilat i ka hedhur në letër dhe i ka botuar. Sado që dikush mund ta merr si jo të saktë, ato, megjithatë janë thënë nga protagonisti që vet e kishte bërë dhe prekur historinë. Dhe kjo ka shumë rëndësi edhe për historinë dhe për historianët. Burrat si Himë Lybeniqi ishin të shumtë, por mjerisht i përpiu errësira e kohërave dhe e padrejtësive që u bënë e po bëhen ndaj luftëtarëve të vërtetë. Shumë nga ta ikën nga kjo botë me brengën së nuk arritën ta prekin lirinë e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, kauzë për të cilën luftuan dhe dhanë gjithë çka patën e mundën… 

Në mars të vitit 1981, kur në Kosovë shpërthyen demonstratat e studentëve me kërkesën “Kosova Republikë”, ndërsa Serbia dërgoi tanket për të shuar me gjak këto demonstrata, Himë Lybeniqi, më 2 prill të atij viti pati thënë: “”Mbajeni në mend se dhambët e qenit të çartun janë ngulë në mish. Ose do t’i mbesin dhambët në mish, ose do ta shkoqin nji copë bukur të madhe…”

Ishin fjalët e një luftëtari por e edhe pleqnari të rreshkur betejash dhe shqetësimet e tij se Serbia nuk do të hiqte lehtë dorë nga Kosova pa bërë masakra dhe pa e mbajtur edhe ndonjë pjesë të madhe të tokës së Kosovës, për çka është duke u përpjekur edhe tani pas 25 viteve të përfundimit të luftës dhe 16 viteve të shpalljes së pavarësisë.

C:\Users\UFAGJ\Desktop\IMG_1750.JPG

Himë Lybeniqi ( i shenjuar me shigjetë) në mesin e burrave në një odë të Dukagjinit.

Portreti i Himë Lybeniqit, vizatuar nga piktori Sylejman Lokaj

C:\Users\UFAGJ\Desktop\46496217_1953592094728847_8230854366613995520_n.jpg

Diku në mesin e këtyre burrave të Kosovës që po shkonin apo po hynin në Vlorë, duhet të jetë edhe Himë Lybeniqi. Një burrë shtatlartë dhe i regjur për luftë.

Filed Under: Histori

INTOLERANCA E TRADITËS PATRIARKALE

December 6, 2024 by s p

Kosta Nake/

Realisht ka një përballje me temën e aktualitetit që nuk është e lehtë sepse në një vend me tranzicion të tejzgjatur gjuha do të shkojë atje ku dhemb dhëmbi dhe pashmangshmërisht do të zbulohen raportet e njerëzve me shtetin dhe pushtetin; syri vëzhgues mund të zbulojë shumë krime e babëzi që, po të nxireshin në dritën e diellit, do të krijonin qejfmbetje te qeveritarët.
I prirur drejt temave historike dhe universale, katër dekada më parë Kadare e befasoi lexuesin me një ndalesë të papritur te një nga temat e ditës për shoqërinë socialiste me romanin “Nata me hënë”, shmangie që i bëri përshtypje edhe studiuesit gjermano-kanadez Robert Elsie. E nisi si një vepër lirike dhe, jo vetëm gjeti belanë nga sulmet e kritikës, por kulmoi me ndalimin e veprës. Autorësia e zbulimit për nxirjen e realitetit socialist iu dha një gjimnazisteje nga Fieri nëpërmjet një artikulli të botuar te gazeta “Zëri i rinisë”, kurse studentët e Shkollës së Partisë gjatë një takimi i folën me gjuhën e kritikëve mediokër kur e pyetën pse e kishte lënë sekretarin e partisë joaktiv.
Të kthehemi te vepra. “… Kërkonin ta largonin Marianën nga laboratori, sepse vendin e saj e lakmonte mbesa e dikujt, ndaj të cilit shefja e administratës kishte detyrime për nxjerrjen e një të drejte studimi.” (Ëndërr mashtruese, f. 287). Ky është thelbi i vërtetë i intrigës që fillimisht shfaqet si shemri midis dy vajzave Nora e Marjana. Sikurse nën diktaturë, ashtu edhe në tranzicion, janë vënë në lëvizje njerëz dhe institucione, kërkoheshin, gjendeshin ose sajoheshin “njolla” për të siguruar karrige pune ose pushteti. Në diktaturë ishte e deklaruar lufta e klasave si një prerje e madhe interesash, por edhe brenda joarmiqve karriget ishin të pamjaftueshme për t’u ulur të gjithë dhe atëherë fillonte një proces selektiv klanor ose nepotik duke cytur të dilte në ballë turma që bënte opinionin “e shëndoshë” shoqëror dhe me zell fuste hundët në jetën private të njeriut të zakonshëm. Në rastin e Marjana Krastës, këto mbledhje kolektivash ktheheshin shpesh në gjyqe publike që nganjëherë përfundonin dhimbshëm.
Marjanës i komunikohet lëvizja nga vendi i saj i punës dhe kjo bëhet shkak që shokët e saj Cezari, Lad Kroi dhe rrëfimtari të kundërshtojnë me forcë. Kur pushtetarët luajnë me kartën morale, Diri i kundërvihet skajshëm me vërtetimin e virgjërisë. Mbledhja ndërpritet për të vazhduar atë pasdite, me mendimin se Marjana do ta paraqiste raportin mjekësor duke shembur grupin kundërshtar. Një grotesk i jashtëzakonshëm. Që këtu vepra ka arritur të krijojë një atmosferën të tendosur dhe koha sikur s’mbushet mjaftueshëm me frymë. Protagonistja e merr vërtetimin e duhur tek mjeku, por me një detaj të bukur artistik, autori tregon se si pikat e shiut fillojnë t’i zgjatojnë gërmat e bojës, në një moment ajo e gris atë dhe e hedh në rrymën e ujit duke emancipuar shoqërinë. “… ajo, më e përparuara nga të gjithë ne, me një lëvizje të dorës, çliroi veten e saj dhe të gjithë ne nga paragjykimi për gjoja forcën e mendësisë së vjetër, të cilës, do apo s’do, je i detyruar t’i lëshosh rrugën.” (f. 309)
Rrëfimi i ngjarjes bëhet nga njëri prej shokëve të Marjanës dhe tri pandehmat e tij se ç’ndodhi gjatë tri ditëve të mungesës së saj në punë, janë nga faqet më të bukura të romanit. Pandehma e parë: tronditja e thellë i shkaktoi një sëmundje të rëndë, ajo vdiq pas disa muajsh duke pikëlluar jo vetëm shokët, por edhe palën tjetër. Pandehma e dytë: Pas tre ditësh ajo erdhi në punë, rrëfyesi e përcolli në një natë me hënë dhe ajo befas e përqafoi. Pandehma e tretë: ajo filloi të ftohej me njerëzit dhe t’i zhbëheshin tiparet e bukura. Pikërisht në këtë pjesë kulmore të reagimit njerëzor, karficës vezulluese në krye të veprës i shtohen edhe tipare të tjera të portretit të Marjanës për të treguar se kjo luftë e paskrupull nuk vret vetëm shpirtin, por edhe bukurinë fizike.
Vepra është shkruar në vitin 1985 dhe gjithçka mbaron me një “happy end”, ndërkohë që vajza reale që e nxiti autorin për të shkruar, përfundoi në burg. Por sfida kadarejane nuk mbaron këtu. Marjana mbetet shtatzënë dhe askush nuk e di lidhjen e saj. Pas daljes nga shtëpia e lindjes, shokët i shkojnë për vizitë dhe rreshtat e fundit janë: “… ajo na vështronte të gjithëve e qetë, buzëqeshte, kjo Shën Mëri e re që ishte shfaqur në kohën kur pritej më pak.” (f. 315)
Mjafton ta presim gjysmën e dytë të këtij citimi dhe diskutimi për veprën mund të rifillojë nga e para. Ç’është kjo Shën Mëri në një vend ateist? Ç’është kjo kohë që pritej më pak? Po dora e partisë ku është këtu?
Studiuesi Ndue Ukaj ka bërë një studimi krahasues të këtij romani me “Procesin” e Kafkës. Robert Elsie e quan më shumë se një deklaratë politike, pasi shoqëria shqiptare, e mbështetur në tradita patriarkale, kishte mbetur në thelb intolerante.

(Romani “Natë me hënë” e Ismail Kadaresë, Tiranë 1985)

Filed Under: LETERSI

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu në Tuz…

December 6, 2024 by s p

Drejtori i Fondacionit “Hasan Prishtina”, z. Mehmet Prishtina, mori pjesë në inaugurimin e shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Tuz, një ngjarje e rëndësishme për Malësinë e Mbishkodrës dhe për shqiptarët kudo. Ai, së bashku me një grup bashkëpunëtorësh, udhëtuam drejt Tuzit më 27 nëntor, ku ishim mysafirë në konakun z. Shtjefën Berishaj, i cili organizoi një darkë të ngrohtë dhe mikpritëse në restorantin Troja, dhe me insistimin e tij, vendosëm të qëndronim në konakun e tij, duke përjetuar një pritje tradicionale malësore që na ofroi momente të paharruara. Bisedat, të cilat u shtrinë nga e kaluara te e tashmja dhe e ardhmja e popullit shqiptar, vazhduan deri në orët e para të mëngjesit të 28 nëntorit. Gjatë këtij takimi, u arrit konsensusi se uniteti mes shqiptarëve është kyç për forcimin e kombit dhe se realizimi i shtatores së Skënderbeut në Tuz, dikur një ëndërr e shqiptarëve të atij rajoni, tashmë ishte bërë realitet. Dita e 28 nëntorit, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, u shënua në Tuz me flamuj kuq e zi, duke krijuar një atmosferë madhështore. Gëzimi i të pranishmëve, i shprehur në fytyrat e secilit, ishte dëshmi e përpjekjeve të palodhshme të çdo shqiptari që e mundësoi këtë moment historik – sjelljen e Skënderbeut në Malësinë e Dedë Gjolulit. Momenti i shumëpritur erdhi, dhe shqiptarët nga të gjitha trojet, së bashku me mërgatën që kishte mbërritur nga anët më të largëta të globit, ishin të bashkuar për këtë ngjarje të paharruar. Shoqatat shqiptare nga Amerika, të cilat në kohë rekord mbuluan koston e ndërtimit të shtatores, ku luajtën një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij projekti historik. Pas kësaj, ceremonia e inaugurimit të shtatores së Skënderbeut filloi, duke u shoqëruar me këngë, valle nga artistët më të njohur nga viset shqiptare. Monumenti i kryeheroit të popullit shqiptar u zbulua dhe u nderua nga të pranishmit, një moment që do të mbetet përherë në kujtesën e atyre që morën pjesë. Më pas, në një ambient të ngrohtë dhe vëllazëror, nën shoqërimin e vëllezërve Frank Zef dhe Nikolle Berishaj, Shtjefën Berishaj, Pjetër Berishaj, Nikoll Dedvukaj dhe shumë malësorë të tjerë, drekuam dhe vazhduam festën deri në mbrëmje. Atmosfera e ngrohtë dhe e mbushur me shpirt malësor vazhdoi të mbizotëronte, duke forcuar më tej ndjenjat e unitetit dhe krenarisë kombëtare. Për darkë, u pritem në konakun e Nikoll Dedvukaj, nga trungu i Dedë Gjolulit, ku, në një mjedis të ngrohtë dhe familjar, vazhduam festimet deri në orët e vona. Atmosfera ishte e mbushur me frymën e traditës malësore dhe dashurinë për historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Kjo festë e dyfishtë, që përfshinte si ardhjen e monumentit të Skënderbeut ashtu edhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ishte një kujtim i paharrueshëm për të gjithë ata që morën pjesë dhe kontribuan në këtë ngjarje të madhe.

Filed Under: Kronike

PO ME MALËSORË Ç’KINI?!

December 6, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli/

Edhe unë, malësor jam! 

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Këtë javë, në Parlamentin e Shqipërisë, Kryetarja, Zonja Elisa Spiropali iu drejtua deputetit Frrok Gjini, që siaps lajmeve zuri foltoren pa u thirrur nga Kryetarja e Kuvendit, me këto fjalë: “Për çfarë e kërkoni fjalën? Apo edhe ju në kuadrin e malësorëve që e marrin fjalën vetë…”.  Dua të them prej fillimit se unë – në asnjë mënyrë — nuk e aprovoj mënyrën se si sillen parlamentarët shqiptarë në sesionet zyrtare. Nuk ma merr mendja se parlamentarët shqiptarë, po ta shikojnë veten në pasqyrë, e ndjejnë veten krenarë me sjelljet e tyre gjatë këtyre tre dekadave të ashtuquajturit “tranzicion demokratik”– qofshin ata të opozitës apo të pozitës. Ky është një problem institucional me të cilin duhet të merren instancat e Kuvendit – por grindjet politike dhe përleshjet fizike në parlamanet  nuk janë problem as faji i “malësorëve”, as si grup, as si krahinë. 

Fjalët e Kryetares ishin të nxituara dhe të pa vend.  Thuhet se Albert Einstein ka thënë se po të kishte një orë kohë për të zgjidhur një problem, atëherë ai do të shpenzonte 55 minuta duke menduar për problemin dhe pesë minuta do mendonte për zgjidhjen e problemit. Kjo thënje më kujtoi edhe fjalët e gjyshit tim malësor: Mendo tri herë e fol një herë, bir!

Pyeta veten kush mund të jenë “malësorët” në Kuvendin e Shqipërisë, që shkaktojnë ka shumë “sherre”, në organin më të lartë legjislativ të shtetit shqiptar, sipas Kryetares së Kuvendit!?  Nuk dij, por nëqoftse ka ndonjë deputet që e mban veten malësor, nuk besoj se flet dhe sillet në emër të gjithë malësorve, kudo që janë.  Nuk besoj se është, as më i mirë as më i keq, sa i përket grindjeve e konfliktualitetit midis deputetve — se të tjerët që përfaqësojnë krahina të tjera të Shqipërisë — për aq sa kam parë e dëgjuar nga zhvillimet e punimeve të Kuvendit shqiptar, këto tre dekada, “demokraci”.  Thashë me vete, po mund të ketë ndonjë malësor që ndërpret punimet e parlamentit në Tiranë, po ç’faj kanë të shkretët malësorë të përhapur anë e mbanë Shqipërisë e trojeve shqiptare, përfshir ne në mërgim, për një akt të një personi në Kuvendin shqiptar, që shkaktoi një reagim të tillë përgjithsues nga Kryetarja e Parlamentit. Po, ç’faj kanë sot malësorët që të përgojohen për keq dhe të ofendohen si grup e si krahinë në Kuvendin e Shqipërisë, sikur ata nuk kanë halle të tjera të mbijetesës, ashtu si të gjithë shqiptarët e tjerë pa dallime politike, feje a krahine? Se ne shqiptarët, pa dallim, përpiqemi të mbrojmë dhe të ruajmë bashkjetesën fetare e krahinore dhe t’ia tregojmë botës si një prej vetive tona që shumë pak popuj gëzojnë vlera të tilla kombëtare. Larg duart nga përçarjet krahinore!   

Më duhet të them se u zhgnjeva për së tepërmi kur lexova këtë lajm e që më la një shije të keqe në gojë! Dallime të tilla, krahinore me qëllim ose pa qëllim dhe një diskurs i tillë politik, nuk kanë vend Kuvendin e Shqipërisë.

Ndërkohë që malësorët, në përgjithësi, si persona, grup e krahinë po ofendoheshin në trupin më të lartë legjislativ shqiptar, si njerëz konfliktual që nuk nderojnë as nuk zbatojnë rend as qetësi – qindra malësorë të tjerë nga të gjitha trojet dhe nga mërgimi – ishin mbledhur në Tuz të Malësisë së Madhe për të përuruar Monumentin madhështor kushtuar të Përgjithmonshimit, Heroit të Kombit, Gjergj Kastriotit -Skenderbe — Frank Shkreli: Përmendorja e Gjergj Kastriotit. Skënderbe në Tuz të Malësisë së Madhe -Mbrojtësit t’Atdheut e të Qytetrimit Europian | Gazeta Telegraf – Atje përball Malit të Deçiqit ku legjendari Ded Gjon Luli më 6 prill 1911 ka ngritur për herë të parë në 500-vjet pushtimi otomano-turk, flamurin e Gjergj Kastriotit –Skenderbe – një vit para se të valvitej flamuri në Vlorë me 12 Nentor, 1912.  Ditën që malësorët në Tuz zbuluan shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skenderbe – simbolit të bashkimit kombëtar – rastësisht lexova në disa portale se atje nuk kishte asnjë përfaqsi atë ditë në Tuz – sado të vogël – as nga Tirana, as nga Prishtina zyrtare.

Më duhet të jem i sinqert se unë nuk njoh shumë deputetë malësorë të Kuvendit të Shqipërisë. Ata edhe mund të jenë ndryshe nga malësorët që kam njohur e njoh unë. Por edhe po të ketë të tillë, gjë që nuk e besoj, përgjithsimet kurrë nuk janë të mira. Janë fals, ka thenë Mark Twain. Malësorët që kam njohur unë jo vetëm në vendlindje, por dhe rrugëve të mërgimit  –gjatë më shumë se 50 e sa viteve, kanë qenë malësorë të “logut të kuvendit”, kur të gjithë në ato kohë, flisnin dhe jepnin mendimin në takime. Por, ama, kishte rregull, rregulla tradicionale që nuk shkeleshin – një nder to ishte të flisnin me rend, të dëgjoheshin të gjithë dhe të mos ofendohej askush. 

Këta ishin malësorët që unë kam njohur gjatë jetës time – dhe nuk do të ishte keq që edhe brezi i sotëm i shqiptarëve t’i njihte ata si i njoh unë. Ose të dinte pak më shumë, ashtuqë të mos përgjithësohen gjërat.  Malësorët si shqiptarë, protagonistë të Lahutës së Malësisë të At Gjergj Fishtës, janë malësorët që, kryesiht, kam njohur unë. 

Po i kërkoj ndjesë Ernest Koliqit pasi po parafrazoj një artikull që kam lexuar kohë më parë prej tij ku ai shkruante për malësorët e Malësisë së Madhe se ata përparimin dhe lirinë e kanë dashur dhe e duan, por jo në shkëmbim të humbjes së lirisë. Se ndoshta mund të mos ketë ndonjë popull në Evropë si shqiptarët e Malësisë së Madhe që e duan lirinë si ata, që plotësimin e nevojave të tij, si popull, e gjënte në liri. Rrobat e malësorit, zhele-zhele valviteshin si flamur i grisur në luftëra shekullore, për të ruajtur nderin dhe lirinë – lirinë e vet dhe të fisit. 

Pasi po flasim për “malësorët”, Albanologu i njohur Robert Elsie ka shkruar një libër siç kanë shkruar edhe të huaj të tjerë për malaësorët dhe Malësinë e Madhe.  I ndjeri Robert Elsie, në librin e tij të fundit, profilizon fiset dhe bajraqet më të njohura të Malësisë së Madhe — Frank Shkreli/ Robert Elsie: Fiset e Shqipërisë | Gazeta Telegraf,  si, Hoti, Kastrati, Shkreli, Kelmendi, Gruda, Trieshi, por pa përjashtuar fiset e bajraqet e krahinave të tjera, si fiset e Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës, Malësisë së Lezhës, krahinës së Pukës, Malësisë së Krujës, krahinës së Mirditës, zonës së Matit e të tjera.  Ai i cilëson këto fise të Shqipërisë së veriut dhe të Shqipërisë veri-lindore si tepër të veçanta në Evropë dhe ndoshta në botë, të cilat sipas tij, janë i “Vetmi shembull i vërtetë i një shoqërie fisnore, e mbijetuar në Evropë deri në mesin e shekullit të 20-të”. 

Megjithëse këto krahina, mbeten edhe sot më pak të zhvilluara dhe si rrjedhim malësorët po detyrohen të largohen nga kullat e tyre,  jo vetëm në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë, por edhe në krahasim me botën tjetër për rreth saj, Sir Noel Malcolm, eksperti britanik për çështjet e Ballkanit, ka shkruar në parathënie të librit “Fiset e Shqipërisë” të Robert Elsit, se “Ishin këto fise — të cilat megjithëse territori i tyre, me qindra vite ishte nën pushtimin Osman, por pothuaj kurrë nën kontrollin otoman – përbënin bazën për identitet shoqëror, për drejtësi vendore dhe veprimtari ushtarake”.

Siç tregon edhe mbiemri im, unë jam malësor krenar, pjesëtar i njërit prej këtyre fiseve (Shkrelit) që sipas eskpertit britanik Sir Noel Malcolm janë përpjekur që gjatë shekujve të ruanin identitetin shoqëror të shqiptarëve dhe drejtësinë vendore, por pa u trembur nga sfidat as nga veprimtaritë ushtarake gjatë shekujve.

Frank Shkreli

A map of the mountains

Description automatically generated
A group of people in a room

Description automatically generated

Filed Under: Analiza

MUZIKA KLASIKE DHE AJO TRADICIONALE E ORKESTRUAR SHQIPTARE SI URË LIDHËSE NË MES HUNGARISË DHE KOSOVËS

December 6, 2024 by s p

Në hapje të koncertit, Ambasadori Delfin Pllana dhe rektori i Universitetit ELTE, László Borhy ndër tjerash nënvizuan se ky koncert është më shumë sesa një ngjarje kulturore, duke qenë dëshmi e lidhjeve të fuqishme ndërmjet Universitetit ELTE dhe studentëve nga Kosova, por jo vetëm. Të dytë, bashkëpunimin ndërmjet të dyja orkestrave e quajtën si një mundësi të mirë të lidhjes përmes muzikës mes popujve dhe kulturave të ndryshme, duke dëshmuar si ndarje e vlerave të përbashkëta, respektit të ndërsjellë, synimeve drejt përsosmërisë dhe zotimit për të ndërtuar ura ndërmjet vendeve dhe kulturave. Koncerti u organizua në kuadër të aktiviteteve të diplomacisë publike të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Budapest.

Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest

Në një ambientet e mrekullueshme, në Aulën e Madhe, të Fakultetit të Informatikës, pranë Universitetit Shtetëror Eötvös Loránd Tudományegyetem (ELTE) të Budapestit, në prezencën e një publiku të zgjedhur, në mesin e të cilit kishte disa ambasadorë të akredituar në Hungari (ndër të tjerë edhe ambasadori i Shqipërisië, Shkëlqesia e Tij zoti Ilirian Kuka me bashkëshorten), konsuj nderi (doajeni i diasporës shqiptare në Hungari, preshevari i nderuar zoti Avni Hafuzi), diplomatë të rangjeve të ndryshme, përfaqësues të institucioneve shtetërore e të kulturës hungareze, dekanë fakultetesh, profesorë të Universitetit ELTE, studentë shqiptarë e të huaj, si dhe pjestarë të shumtë të diasporës shqiptare që jetojnë e punojnë në Hungari, u mabjt koncerti i muzikës klasike, në kuadër të aktiviteteve të diplomacisë publike, të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Budapest, i organizuar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Hungari, Shkelqësia e Tij, zoti Delfin Pllana, në bashkëpunim me rektorin e Univeristetit ELTE, Prof. Dr. László Borhy nga ana e “Orkestrës Frymore ‘Prizreni’ nga Prizreni” dhe partnerit të saj, “Ansamblit muzikor të Universitetit Eötvös Loránd Tudományegyetem (ELTE)”.

Ky koncert ishte i përkrahur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Hungari në bashkëpunim me Universitetin ELTE.

Duke folur për koncertin, rektori i Universitit ELTE, prof. dr. László Borhy, ndër të tjera tha: “Është kënaqësi e madhe t’ju mirëpres në një festë të tillë të muzikës në ambientet e Universitetit ELTE, si rezultat i një bashkëpunimi në mes të Orkestrës Frymore ‘Prizreni’ me Ansamblin muzikor të Universitetit Eötvös Loránd Tudományegyetem (ELTE) të drejtuara nga dy dirigjentët e mirënjohur: Maestro Edon Ramadani dhe Maestro Lászlö Kovács. Më lejoni të ndaj një reflektim personal: rreth një muaj më parë më vizitoi Shkëlqesia e Tij, ambasadori Delfin Pllana në Rektoratin e Eötvös Loránd Tudományegyetem /University/ (ELTE) ku prezantoi idenë e sjelljes në Budapest të Orkestrës Frymore Prizreni nga Kosova e cila do të performonte në ELTE. Gjatë diskutimit tonë, unë isha dakord me këtë ide të mrekullueshme dhe sugjerova që ta bëjmë një hap më tej, duke i ofruar bashkëpunim orkestrës kosovare me Ansamblin muzikor të Universitetit Eötvös Loránd (ELTE). Kjo do të ishte një shfaqje e përbashkët për të festuar lidhjet kulturore mes kombeve tona, përmes gjuhës universale të muzikës. Sonte, jam i emocionuar kur shoh të realizohet kjo ide e mrekullueshme. Ky koncert është më shumë se një ngjarje kulturore – ai pasqyron thellimin i lidhjeve midis Universitetit Eötvös Loránd Tudományegyetem dhe Kosovës.

Aktualisht në Universitetit Eötvös Loránd Tudományegyetem (ELTE), ndjekin studimet 45 studentë nga Kosova, ku shumë prej tyre shkëlqejnë në fusha të ndryshme si: informatikë, psikologji, marrëdhënie ndërkombëtare, etj. Dëshiroj të theksoj se Kosova është pjesëmarrëse aktive në Programin Hungarez, “Stipendium Hungaricum” duke iu mundësuar studnetëve të talentuar kosovar që të begatojnë edhe më shumë komunitetin tonë universitar me punë, përkushtim dhe uskese të dalluara. Muzika, ashtu si edukimi, ka fuqinë e veçantë për t’u lidhur dhe bashkëpunuar, duke nxitur mirëkuptimin reciprok. Ky bashkëpunim mes Orkestrës Frymore “Prizreni” dhe Orkestrës Kamertale të Universirtetit ELTE është dëshmi e vlerave që ndajmë-respektit reciprok, në ndjekje të përsosmërisë dhe të një përkushtimi konkret, për ndërtimin e urave lidhëse në mes të kulturave tona.”

Audienca prej rreth 180 mysafirëve, pjesëtarë të korit diplomatik, zyrtarëve të lartë të institucioneve hungareze, profesorë e studentë nga Universiteti ELTE, studentë kosovarë dhe diaspora mbarëshqiptare u kënaqën me tingujt magjik të të dyja orkestrave, nën dirigjim e maestro Edon Ramadani dhe maestro László Kovács, si dhe me vokalin magjepsës të sopranos Zana Abazi-Ramadani.

Në koncertin mbrëmshëm, publiku i pranishëm kishte mundësinë të dëgjojë një program artistik mjaft kompleks, të orekstruar e organizuar me mjeshtri të veçantë nga dirigjenti maestro E. Ramadani, kur ra në sy përzgjedhja e llojit të veprave, të larmishme muzikore, forma shprehëse e tyre, si dhe periudha kohore të cilës i përkasin ato.

Projektimi përmbajtësor i pjesëve të përzgjedhura nga dirigjenti, maestro E. Ramadani, vuri në pah në veçanti, vlerat thelbësore tradicionale të muzikës shqipatre, duke i përcjellur ato me interpretim të lartë dhe shumë profesional të trupës interpretuese të orkestrës, ku vërehej qartësia dhe siguria në interpretim, duke bërë që e tërë orkestra të jetë kompakte në koncentrimin dhe motivimin e kërkuar prej tij, për të paraqitur atë interpretim në frymë sa më relaksuese përmes theksimit të dinamizmit të mbrendshëm dhe konceptit dramatik të veprave qofshin ato të orkestruara nga tradita popullore, të cilat ishin përpunuar me mjeshtri të rrallë profesionale e artistike, apo ato që ishin krijimtari klasike, e autorëve kompozitorëve shqiptarë, kosovarë e të huaj.

Prezantimi i kësaj krijimtarie muzikore të vlefëshme u bë nën drejtimin profesional dhe brilant të dirigjentit të mirënjohur kosovar maestro Edon Ramadanit, i cili me një dirigjim bravuroz komunikonte me artistët e orkestrës duke i dhënë ngjyrim muzikalitetit dhe lojës shumë cilësore të tyre, me intrumentet që ata interrpetonin me këtë rast. Vështirë të dallohet loja interpetuese e shkëlqyeshme, e ndonjëri artist, pjesëtar i orkesrës, por ra në sy, sidomos loja e shkëlqyer e klarinetistit të orkestrës.

Ky koncert i mbajtur në Budapest, pos tjerash, është një ngjarje më rendësi dhe karakter shumë të veçantë, sepse mundëson begatimin dhe plotësimin e jetës artistike e asaj kulturore shqiptare, sidomos në fushën e muzikës, njëkohësisht është edhe shumë frymëzues në aspektin shoqëror e social, me porositë që që transmetoi përmes interpretimeve artistike të në një nivel shumë të lartë përforumes, veçanërisht përmes sopranos së mirënjohur, Zaba Abazi-Ramandani, përpos përgatijes dhe aftësive të rralla profesionale, të pranishmëve ajo ju ofroi edhe një muzikalitet shumëdimesnional interpetues, që befasoi shumicën e këtyre artëdashësve, me interpretimet e saja.

Interpertimi dinamik e serioz me ritmet autentike të muzikës popullore tradicionale shqiptare, i pjesëve të caktuara të këtij koncerti, i jep atij, një vlerë shumë të çmuar, duke bërë që artëdashësit e pranishëm, përmes duartrokitje frentike të pandërprera, ose të njëkohëshme me interpretimet e çastit, të shprehnin admirimin e tyre emocional, të entuziasmuar nga pjesët e interpretuara, që ishin pasqyrë e vlerave të traditës së muzikës shqiptare dhe hiteve saja të njohura, duke u bërë pothuajse pjesë e njëtrajtshme e interpretimti qoftë oresktral, qoftë të atij artistik të sopranes Zana Abazi-Ramadani.

Pika e fundit e koncertit ishte shumë e veçantë, artistët interpretues të të dy orkestrave interpretuan së bashku këtë pikë, si shenjë e një fillimi të një bashkëpunimi premtues për të ardhmen.

Në vijim sjellim një informacion përmbledhës për të dy dirigjentët dhe sopranon kosovare të përgatitura enka për këtë shkrim për Diellin:

dirigjenti kosovar MR. EDON RAMADANI

Edon Ramadani – dirigjent, lindi më 14.02.1983, në Mitrovicë. Studimet e Master-it i bëri në Universitetin e Shkupit, së pari për Dirigjim Orkestral dhe më vonë edhe për Dirigjim Koral. Nga 2006-2008, punoi si Dirigjent Asistent i dirigjentit të korit Prof. Rafet Rudi, në Filharmoninë e Kosovës, dhe njëkohësisht ishte edhe udhëheqës artistik dhe dirigjent i ansamblit vokal M-Note. Më vonë ai u bë dirigjent dhe udhëheqës artistik i shumë formacioneve kamerale dhe instrumentale. Aktualisht, ai është dirigjent i Orkestrës Kamerale “NewBorn”, Orkestrës Frymore “Prizreni”, New Big Band, MIJD Big Band, Korit Kameral “Dardanica” të cilin edhe e themeloi etj. Në skenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare/rajonale (Prishtinë, Prizren, Tiranë, Vlorë, Shkup, Tetovë, Zagreb, Dubrovnik, Rijekë, Stamboll… etj., ai dirigjoi vepra të ndryshme korale, kamerale, orkestrale, solo/korale, operistike me ansamble/orkestra nga Bach, Haydn, Mozart, Beethoven, Schubert, Faure, Orff, Verdi, Puccini etj, me Korin dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, Korin dhe Orkestrën e Operës së Kosovës, Orkestrën Simfonike të RTSH, Orkestrën e Operës dhe Baletit të Maqedonisë Veriore, Orkestrën Simfonike të Dubrovnikut (Kroaci), Korin Pro Ars (Maqedoni Veriore), Big Band-in e RTK’së, Kosovo Youth Orchestra, New Big Band, MIJD Big Band etj. Si dirigjent ai ai morri pjesë në festivale të ndryshme si: DAM Festival, Kosova KamerFest, GlobalMusica Fest, “Zambaku i Prizrenit”, MIJD Festival, Festivali i Këngës – RTK etj. Gjithashtu, dirigjoi formacione orkestrale me solistë të ndryshëm si: Vitaliy Bilyy, Marcelina Roman, Zana Abazi-Ramadani, Ramë Lahaj, Josif Gjipali, Besa Llugiqi, Marigona Qerkezi, Armando Likaj, Lorika Ismajli, Flaka Goranci, Rona Nishliu, Richard Bona, Gunhild Carling etj. Nga viti 2015 është i angazhuar si ligjërues në Fakultetin e Arteve (UP), ku nga viti 2020, punon si Profesor Asistent – ligjërues i lëndëve të dirigjimit dhe si dirigjent i Korit dhe Orkestrës së Fakultetit të Arteve. Në Shkurt të vitit 2024, ai dirigjoi premierën kosovare, të operës së parë të shkruar në Kosovë – “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi. Dirigjenti Mr. Edon Ramadani është profesor asistent në Universitetin e Prishtinës.

*************

soprane ZANA ABAZI-RAMADANI

U lind më 13 shtator 1983 në Mitrovicë. Shkollën e ulët të muzikës e kreu në vendlindje, në shkollën “Tefta Tashko”, në seksionin e pianos. Gjithashtu edhe shkollën e mesme e kreu në shkollën e muzikës “Tefta Tashko”, përveç vitit të dytë, të cilin e ndoqi dhe e mbaroi në Konservatoriumin e Étampes (Paris) në seksionin e pianos, në klasën e prof. Nicole Palmieri. Në vitin 2002, organizata “Muzikantët pa kufij” (“Musicians Without Borders”) nga Holanda organizoi një koncert në Mitrovicë, ku ajo punoi dhe bashkinterpretoi në koncert me Otto de Jong – dirigjent (Holandë) dhe Anastasija Nizamova – mezosoprano (Maqedoni). Në vitin 2003 filloi studimet në Degën e Solokëndimit, në Fakultetin e Arteve (Prishtinë), që do të vazhdonin për katër vjet me radhë. Në vitin 2008 kreu studimet e solo-këndimit, në Fakultetin e Arteve (UP), klasa e Prof. Merita Juniku. Ndërsa studimet e nivelit Master i mbaroi në vitin 2015, në Universitetin e Shkupit, klasa e Prof. Mr. Maria Muratovska- Naumovska, me notë maksimale 10 “Cum Laude”. Ndoqi trajnime dhe master-kurse të ndryshme profesionale, ndër to, edhe dy ciklet e master-kurseve me sopranon Ermonela Jaho, me sopranon gjermane Caroline Merz etj. Interpretoi si soliste në shumë vende si: Paris/Francë (2000), Utreht e Alkmar /Holandë (2006), Cyrih (2007 Lucern (2017), Surse (2017) e Bazel (2022) /Zvicër/, Zagreb e Rijekë /Kroaci (2007, 2019, 2021, 2022), Malmo/Suedi (2022), International Mendelsohn Festival-Hamburg/Gjermani (2023) etj. U prezantua në shumë festivale e koncerte rajonale si: “Kosta Trpkov” (2009, 2015 me Orkestrën e Operës dhe Baletit të Maqedonisë), “Skopsko Leto” – (2011, 2013), “XXI Tonal” – MK (2014), Koncert – Shkup (2014, 2017) /Maqedoni/, “Il Bel Canto”- Tiranë (2015, 2016), “Tre Tenorët” me Orkestrën e Operës dhe Baletit të Maqedonisë – Shkup (2021), “Natë me zëra lirik” – Shkup (2021), soliste me Orkestrën Kamerale “NewBorn” – Vlorë (2021), Soliste me Orkestrën Harkore “Tadenus”- Shkup (2021), soliste me Orkestrën Kamerale të Manastirit – Manastir/MK (2022, 2023) etj. Edhe në skenën vendore, ajo ka pasur shumë prezantime solistike, shumë nga to, në formë të koncerteve recitale si në:DAM Festival, Chopin Piano Fest, “Fete de la Musique”, Përvjetori i Shenjtërimit të Nënës Terezë, Kosova Kamer- Fest (2019) etj. Si soliste, u paraqit edhe në: ReMusica, European Summer Music Academy, “Pristina Open Air Music Nights”, “Rexhai Surroi”, “SOPRANOS”, Soliste me Orkestrën e Filharmonisë e Kosovës, International Women Choir Festival, GlobalMusic Fest, Soliste në REQUIEM – G. Faure, Gala Koncertin e Inagurimit të Opërës së Kosovës, Etno Fest ku morri edhe çmimin “Këngëtarja më e mirë”, soliste me Selini Quartet – Austri, soliste në Mass No. 2 in G Major – F. Schubert me Korin dhe Orkestrën Filharmonisë së Kosovës, Manifesta Biennal, Ramë Lahaj International Opera Festival , soliste me Korin e Filharmonisë së Kosovës, Përvjetori i Themelimit të Universitetin e Prishtinës, soliste në koncertin qëndror të 15 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës – RTK , Koncert Solemn organizuar nga Opera e Kosovës, Ceremonia e dhënies së dekoratave – Presidenca e Kosovës, Koncert me Klasikët Shqiptar – soliste me Orkestrën Harkore të Filharmonisë së Kosovës dhe Ansamblin NewBorn, soliste në Mass No. 2 in G Major – F. Schubert me Korin dhe Orkestrën Filharmonisë dhe Operës së Kosovës etj. Në rrafshin operistik, ajo shkëlqeu me rolin e Xhildës, opera “Rigoletto” – G. Verdi, me të cilin interpretoi në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë/AL (2016). Me rolin e Xhildës ajo u paraqit edhe në Operën dhe Baletin e Maqedonisë – MK (2016), në kuadër të festivalit ndërkombëtar operistik “Mbrëmjet Operistike të Majit”. Në Dhjetor 2019, interpretoi në premierën botërore të operës së parë shqipe në Maqedoni “Skënderbeu” – F. Lumani, me rolin kryesor femëror “Fatima”.

*************

dirigjenti hungarez PROF. DR. LÁSZLÓ KOVÁCS

Ka lindur me 18 shtator 1956 në Nyíregyháza – Hungari. Studioi njëkohësisht trombon dhe dirigjim në Akademinë e Muzikës Franz Liszt në Budapest, Hungari. Ai bëri debutimin e tij si dirigjent në Operën Shtetërore të Hungarisë në moshë fare të re, në fillim të të njëzetave të moshës së tij, dhe që atëherë ka performuar rregullisht atje. Pas diplomimit ai studioi në Konservatorin Çajkovski në Moskë dhe në Teatrin Bolchoi me Yuri Simonov. Në vitin 1986 ai fitoi çmimin përkujtimor János Ferencsik (themeluar nga Antal Doráti) dhe ishte mysafir i Orkestrës Filarmonike Mbretërore në Angli ku punoi me Antal Doráti dhe Sir George Solti. Në viti 1981 u emrua pedagog i rregullt, në Akademinë e Muzikës Franz Liszt të Budapestit punë që e vazhdon edhe sot, duke sjellur përvojën dhe eksperiencen e tij të çmuar tek brezat e rinj.. Që nga viti 1984, për 30 vjet është drejtor artistik dhe dirigjent kryesor i Orkestrës Simfonike Hungareze në Miskolc. Kurse nga viti 1998 e deri me sot ai është dirigjent kryesor i Orkestrës Hungareze të Radios dhe Televizionit shtetëror. Është fitues i shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare. László Kovács ka dirigjuar me tani në 21 vende evropiane si dhe në: Azi e Amerikë. Ka punuar e dirigjuar solistë të famshëm si Bruno Leonardo Gelber, James Galway, Eva Marton, Zoltán Kocsis, Dezsõ Ránki, Brigitte Engerer, Herbie Hancock, Chick Corea, Jack de Johnette, Patitucci, Joshua Redman, Ilaiyaraaja… etj. Nga viti 2009 László Kovács, është drejtor i Ansamblit të Arteve në Universitetin publik ELTE dhe nga viti 2014 është kryedirigjent i Orkestrës Filarmonike Kodály, në Debrecen. Jeton e punon në Budapest.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 766
  • 767
  • 768
  • 769
  • 770
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT