• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arsimi shqip në Bullgari

August 20, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Për shkak të reaksionit të egër osman që u vendos pas Lidhjes së Prizrenit dhe keqësimit të mëtejshëm të gjendjes ekonomike, mërgimi jashtë vendit e sidomos jashtë kufijve të Perandorisë Osmane mori përmasa gjithnjë e më të mëdha. Qindra e mijëra shqiptarë u detyruan të lënë vatrat e tyre dhe të mërgojnë në Rumani, në Bullgari, në Egjipt etj. Pas vitit 1878, kur Bullgaria fitoi autonominë dhe pastaj pavarësinë nga zgjedha osmane, shumë shqiptarë, të shkatërruar ekonomikisht në atdheun e tyre, mes tyre tregtarë dhe zejtarë të vegjël, zgjodhën Bullgarinë për të gjetur punë(Kica, 2014:1192). Shqiptarët lëvizën drejt Bullgarisë kolektivisht, duke shkëputur lidhjet fizike me atdheun, por jo lidhjet shpirtërore. Në vendin pritës, Bullgari, ata filluan të organizojnë një jetë shoqërore në grup. Në disa qytete e fshatra themeluan kisha dhe mekanizma të tjerë atdhetarë kulturorë, për të lehtësuar funksionimin e komunitetit dhe për të ruajtur identitetin kombëtar e fetar. Të gjitha grupet e shpërndara në këtë hapësirë gjeografike i mbajti bashkë me shekuj gjuha e përbashkët dhe përpjekja për të mos harruar atdheun. Në këtë formë ata arritën të krijojnë kujtesën individuale dhe kolektive shqiptare në Bullgari(Hasani-Pllana, 2023).

Qytetet dhe fshatrat e njohur sot si: Arbanasi, Devnya, Mandrica janë formuar në fillimet e emigracionit shqiptar në tokën bullgare. Me kalimin e kohës Sofja, por edhe Varna, Pleven, Samokov, Plovdiv, Sliven dhe Mali i Rilës u bënë vende ku jetuan shqiptarë. Në shumë prej tyre u shfaqën emra si: Arbaneshka mëhalla, Arnautska Mahala, Albanska Mahala etj. Shqiptarët në fillim ishin punëtorë të zakonshëm, zejtarë, prerës, roje sigurie, e më vonë shfaqen si bujq, shitës ushqimesh, por më së shumti shitës në dyqanet që shisnin rrasa guri, dru, qymyr etj.

Një rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve kombëtare dhe të shkrimit shqip midis shqiptarëve të mërguar luajti Dhimitër Mole, i cili shkoi në Sofje nga Bukureshti në fillim të vitit 1886. Me punën e tij këmbëngulëse Dhimitri grumbulloi rreth vetes një numër të madh shqiptarësh që jetonin në Sofje. Në vitin 1889 atje u themelua bërthama e parë e Shoqërisë për Arsim në Shqip. Dhimitri kishte hapur një han në qendër të Sofjes, të cilin e kishte kthyer në shkollë të vërtetë, ku shqiptarët analfabetë mësonin shkrim e këndim në gjuhën e tyre amtare(Pançev, 2017:11). Në sajë të përkushtimit e të këmbënguljes së tij mësuan sa e sa shqiptarë jo vetëm të rinj, por dhe pleq. Mësonin pas punës, natën, nën dritën e kandilave. Njëri prej tyre do të ishte dhe Josif Bageri(Jorgaqi, 2018).

Me shtimin e numrit të shqiptarëve emigrantë atje, në janar të vitit 1893 u formua në Sofje Shoqëria shqiptare me emrin “Dëshira”, me statutin dhe me fondin e saj. Programi i kësaj shoqërie ishte i njëjtë me atë të shoqërive të Stambollit e të Bukureshtit. Shoqëria do të përpiqej “për të lartësuar frymën e shqiptarizmit” dhe “për skoli në Shqipëri”. Kryetari i Komitetit të zgjedhur nga shoqëria ishte Ligor P. Marko dhe sekretar Dhimitër Mole. Në nenin 2 të statutit të saj thuhet: “Qëllimi i Shoqërisë “Dëshira” është për të përhapur dituri e mësimin e gjuhës, si edhe për të përhapur mësonjëtore në gjuhën shqipe në Shqipëri”.

Shoqëria “Dëshira” themeloi shkollën shqipe në Sofje. Mësuesi i parë ka qenë Kosta Trebicka, i cili i kishte mbledhur në shtëpinë e tij djemtë dhe vajzat e shqiptarëve të Sofjes.(Thellimi, 2002: 76). Kosta kishte vazhduar punën si mësues nga viti shkollor 1897-1898 deri në vitin shkollor 1904-1905, kur ishte zëvendësuar nga Polikseni Dhespoti – Luarasi, gruaja e atdhetarit Kristo Luarasit, një korçare që kishte përfunduar Shkollën e vashave dhe kishte vazhduar si mësuese në atë shkollë. Pas martesës me Kriston, në vitin 1904, ata vendosen në Sofje, ku kishin qëndruar deri vitin 1923, kur u kthyen në Shqipëri(Pançev, 2017:116). Pas kthimit të familjes Luarasi në Shqipëri, mësimi në shqip ishte ndërprerë deri në gusht të vitit 1927, kur përfaqësuesi i Shoqërisë “Gjergj Kastrioti” në Sofje, Vangjel Vreto i kishte shprehur përfaqësuesit të Shqipërisë Ali Asllani dwshirën e gjithë kolonisë, që “të ndermjetsohet pranë Qeverisë Mbretnore Shqiptare dhe të jepet një rrogë mujore për nji mësues shëtitës, i cili me mësimet, të mundë të mbjellë në zemrat e filizave shqiptarë dashurinë për gjuhën amtare dhe për Atdheun e tyre të dashur”. Diplomati Ali Asllani në përgjigjen e tij kishte premtuar se do bënte hapet e duhura për të plotësuar dëshirën e kolonisë shqiptare(Pançev, 2017:117). Këshill i Shoqatës, pa u vonuar zgjodhi një komision arsimor të përbërë prej Spiro Janit, Vangjel Vretos dhe Kristo Fallit, të cilët emëruan dy mësues midis kolonisë shqiptare: Marianthi Simin dhe Kosta Janin. Pastaj me një komunikatë u lajmëruan të gjithë prindërit shqiptarë që të regjistrojnë fëmijën e tyre si nxënës të gjuhës amtare. Prindërit iu përgjigjën me gëzim ftesës së bërë.

Në mbledhjen e përgjithshme kushtuar kësaj çështje, të mbajtur më 4 nëntor 1928, është shpallur krijimi i “shkollës shëtitëse”, e cila u hap më 1 nëntor 1928. Mësuese Marianthi Simi dhe mësues Kosta Jani u ishte caktuar një rrogë mujore nga arka e Shoqërisë prej 2 000 levash. Ministria e Arsimit e Shqipërisë, pasi e ka shqyrtuar dhe e ka marrë në konsideratë kërkesën e Shoqërisë, e ka ndihmuar procesin arsimor, duke paguar 160 franka ari për të dy mësuesit. Me këto veprime është plotësuar dëshira më e madhe e kolonisë shqiptare në Sofje(Pançev, 2017:117). Kjo shkollë ka punuar pa ndërprerje katër vite, nga viti 1928 deri në vitin 1932, kur për shkak të buxhetit, është hequr financimi nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë. Ky pushim i detyruar ka vazhduar dy vjet, deri në vitin 1934, kur me nismën e Këshillit të Shoqërisë “Gjergj Kastrioti” dhe me përpjekjet e përfaqësuesit të Legatës Mbretërore Shqiptare në Sofje, M. Hulusi, “shkolla shëtitëse” është hapur për herë të dytë. Me urdhër të Ministrit të Arsimit të Shqipërisë për mësuese është emëruar Helidhona I. Thanasi, e cila kalonte lagje më lagje, duke zhvilluar kurse me grupe nxënësish(Pançev, 2017:118).

Deri tani nuk dihet me siguri kur kolonia shqiptare në Sofje i ka pushuar aktivitetet e saj në fushën e arsimit, por ngjarjet politike dhe Lufta e Dytë Botërore e kanë ndërprerë jetën e organizuar shoqërore të shqiptarëve në Sofje, shumë prej të cilëve janë kthyer në Shqipëri(Pançev, 2017:120). Mësimi organizuar i shqipes ka rifilluar në vitet 60-ta të shek. XX, falë punës së Thoma Kacorrit, shqiptarit të famshëm nga Kolonja. Në vitin 1962 ai ka fituar konkursin për mësimdhënës për lektoratin e gjuhës shqipe të Universitetit të Sofjes, ku ka punuar për njëzet vjet. Studentët e tij të parë kanë qenë gjuhëtarët më të përgatitur bullgarë prej asaj kohe si: akademik Vladimir Georgiev, Prof. Dr. Ivan Duridanov, Prof. Dr. Boris Simeonov dhe Prof. Dr. Mosko Moskov, madje ka pasur edhe nxënës prej vendeve të tjera. Thoma Kacorri ka shkruar edhe dy libra mësimorë për mësimin e shqipes, si edhe një fjalor bullgarisht-shqip(Pançev, 2017:120).

Mësimi i shqipes në Universitetin e Sofjes funksionon edhe aktualisht, i përfshirë në Departamentin e Ballkanologjisë, ku deri më tani qindra studentë kanë mësuar dhe vazhdojnë të mësojnë gjuhën, letërsinë, historinë dhe kulturën shqiptare.

Interesimi i Qeverisë shqiptare atë kohë u përqëndrua edhe mbi fshatin shqiptar të Mandricës. Konsullata shqiptare në Bullgari, me shkresën Nr.106, me 9 të vjeshtës së dytë 1922, i bën një relacion Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë: ”Marr nderin t’i kallxoj të nderçmes Ministri se, përveç shqipatrëve të ardhur në këtë shtet kohët e fundit, tridhjetë vjet e tëhu, ndodhet një shumicë mjaft me rëndësi emigrantësh nga Vithkuqi i Korçës, që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Këta popullojnë disa katunde të përndara rrotull kufirit bullgaro-grek në Traki si: Mustaf Pasha, Ortaqoj, Mandricë, Arbanas etj. Katundi Mandricë që është më i madhi popullohet nga elementë thjeshtë shqiptarë. Ka gjithsejt 350 shtëpi dhe shumica e banorëve merren me tregtinë e mëndafshit. Këta, si të gjithë të tjerët, janë të krishterë ortodoksë, flasin gjuhën amtare me një dialekt pak të ndryshëm nga toskërishtja dhe mbajnë zakonet e Shqipërisë si në rrojtje, veshje, martesa etj. Mandrica, me anë të një përfaqësuesi më shfaqi dëshirën për një mësonjës dhe një prift. I lutem Qeverisë për këtë gjë, që të përkudeset, duke qenë të sigurtë se Qeveria bullgare nuk do të sjellë asnjë kundërshtim. Përveç kësaj, ata dëshirojnë të bëjnë praktikat e duhuar për fitimin e shtetësisë”.

Ministria e Punëve të Jashtme ia kishte përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendëshme kërkesën e banorëve të Mandricës. Ajo Ministri kishte dhënë pëlqimin, por siç duket, shkolla nuk ishte miratuar nga Qeveria, pasi studimet e kryera nga studiuesit tanë për këtë fshat, ndër ta Thoma Kacorri e Dhimitër Shuteriqi, që kanë qenë në Mandricë, nuk e përmendin themelimin e një shkolle shqipe.

Filed Under: Kronike

FLAMURTHE MBI HARTËN E FUSHËBETEJËS ROMANORE

August 20, 2024 by s p

Kosta Nake/

Strukturimi i një vepre dhe mbushja e saj me brumin letrar mund të jetë unike për çdo shkrimtar, madje mund të ndryshojë edhe te i njëjti autor nga një vepër te tjetra. Në leximin më të fundit të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” m’u duk sikur autori, duke vendosur në qendër një ushtarak, ka marrë diçka nga arti ushtarak duke ngulur flamurthe në subjektin e veprës, ashtu si strategët veprojnë në hartat e tyre gjatë luftës.

Një gjeneral, 20 vjet pas mbarimit të luftës, vjen të mbledhë eshtrat e ushtarëve të vrarë në një tokë që e kishin pushtuar paraardhësit e tij. Pushtimi ka rezultuar në përplasje të armatosur, me humbje jete nga të dy palët, rrjedhimisht toka që mban të rënët duket armiqësore në sytë e gjeneralit. Kësaj qasje të padëshiruar ai i përgjigjet me krenarinë e misionarit duke vendosur flamurthin e parë.

Gjenerali shoqërohet nga një prift dhe fund e krye ka një dualizëm të heshtur mes tyre dhe këtu ngrihet flamurthi i dytë.

Mes të vrarëve gjendet koloneli Z. dhe të dy misionarët janë nën kërkesat e familjarëve, nënës dhe gruas së kolonelit. Ç’është ky pasion i tepëruar i kësaj gruaje për burrin e vrarë njëzet vjet më parë me të cilin ka qëndruar vetëm dy javë? Po ato largime të priftit me gruan e kolonelit a nuk të bëjnë të dyshosh dhe të vendosësh një flamurth për një betejë në rrafshin pasuror?

Pas kapitullit të Italisë fashiste disa ushtarë u tërhoqën me trupat kryesore, një pjesë u bashkuan me forcat partizane, të tjerë u strehuan në familjet shqiptare, rrjedhimisht të vrarët mund të klasifikoheshin si heronj apo dezertorë nga atdheu amë, por armiq dhe viktima nga vendi i pushtuar. Këtë flamurth e ngre një plakë me fjalët e saj: “I thoni atij që të mos i përziejë këta, me të tjerët, biro. I kemi qarë me ligje, si djemtë tanë.” (f.58) Kjo shprehje humanizmi përsëritet edhe me atë fshatarin që merr vesh për mbledhjen e eshtrave dhe i dorëzon pa bërë pazar me grumbulluesit: “Le të prehet, i gjori, në vendin e tij.” (f.104)

Zhvarrimi nuk është pa incidente. Në një mur, me thëngjill dhe me shkronja të mëdha është shkruar: “Kështu e pësojnë armiqtë.” Naiviteti i një fshatari ngre një tjetër flamurth: “…bashkë me ta do të nxjerrin edhe ballistët e vrarë e do t’i shpien prapa diellit.” (f.62)

Një flamurth ngre ditari i ushtarit të vrarë duke na kthyer pas në kohë për të treguar fatin e atyre që e humbën luftës, iu rikthyen modestisht jetës civile dhe humbën statusin e ushtarakut. Krenarinë e gjeneralit thyhet kur nuk arrin ta kuptojë pse shqiptarët nuk u ranë në qafë ushtarëve italianë. Pas kësaj thyerje të parë vjen goditja e dytë me shpërfilljen e përgjithshme nga popullsia.

Nik Martini është një tjetër flamurth që ngrihet në çastet e para të pushtimit dhe përfton antitezën e madhe: Një njeri që vritet për atdhe dhe nuk ka varr, përballë ushtarit pushtues që nuk harrohet po kërkohet edhe pas dekadash.

Kundërvënia ndaj misionarëve vazhdon me atë plakun me mustaqet bigë. “Posa ka marrë vesh që erdhëm ne, paska vënë medaljet, paska ngjeshur koburen dhe ka dalë përjashta. Tani këtë e bën përditë.” (f.173)

Gjoleka, kryepunëtori i grupit të zhvarrosjes infektohet dhe vdes duke ngritur flamurthin e radhës.

Kulmi i betejës me flamurthe shënohet me plakën Nicë që ka vrarë dhe varrosur me duart e saj kolonelin Z. Ajo e shkel betimin e saj për ta mbajtur të fshehtë deri në çastin kur gjenerali, jo vetëm shkon në dasmën e fshatit i paftuar, por do ta sfidojë armiqësinë e vjetër duke u ngritur në valle. Kjo është goditja përfundimtare e krenarisë së tij që pasohet nga shkelmimi i thesit me kockat e kolonelit, kalimi i një nate nën pushtetin e alkoolit dhe gatishmëria për të bërë pazar për shkëmbim eshtrash ngaqë edhe natën e fundit para largimit vijnë telegramet me kërkesa që hidhen në kosh.

Akti i fundit i betejës së humbur është përmbyllja e misionit pikërisht natën kur Shqipëria feston ditën e çlirimit dhe parakalojnë kuadratet e fitimtarëve.

(Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë, Vepra 2, Onufri 2007, f.7)

Filed Under: LETERSI

Sukses në moshë

August 20, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Edhe pse shoqëria shpesh i kushton një theks të fuqishëm arritjes së suksesi në moshë të re, suksesi është i mundur në çdo fazë të jetës. Mosha sjell me vete njohuri të lidhura me përvojat e jetuara, të cilat mund të çojnë në ide dhe zgjidhje novatore. Por nuk është vetëm çështja të kemi më shumë përvojë – me kalimin e moshës, gjithashtu mund të bëhemi më elastikë dhe më të përkushtuar ndaj qëllimeve tona. Duke kapërcyer sfidat dhe pengesat më herët në jetë, shpesh jemi më të pajisur për të lundruar me sukses pengesat që vijnë më vonë. Të gjithë vazhdojmë të mësojmë, rritemi dhe evoluojmë gjatë gjithë jetës dhe mund të gjejmë që prioritetet dhe aspiratat tona të ndryshojnë ndërsa rritemi. Aftësitë dhe interesat e reja që zhvillojmë mund të na ndihmojnë të kemi sukses në ndjekjen e ambicieve të herëshme ose projekteve të pasionit të sapogjetur.

Studimet tregojnë se suksesi nuk ka të bëjë fare me moshën; por është një kombinim i personalitetit, këmbënguljes, inteligjencës dhe fatit. Pra, arritja e suksesit është një udhëtim personal pa përkufizim të vetëm. Njerëzit janë të aftë, në çdo kohë të jetës, të bëjnë atë që ëndërrojnë.

Braziliani Paulo Coelho, i lindur më 1947, në moshën 17-vjeçare u dërgua nga prindërit në një institucion mendor nga i cili u arratis tri herë përpara se të lirohej në moshën 20-vjeçare. Coelho më vonë tha se “Nuk ishte se donin të më lëndonin, por nuk dinin çfarë të bënin me mua….” Prindërit e regjistrun në shkollën juridike dhe ai i braktisi mësimet për t’u bërë poet e shkrimtar. Një vit më vonë, ai jetoi si hipi, duke udhëtuar nëpër Amerikën e Jugut, Afrikën e Veriut, Meksikën dhe Evropën. Romani i tij i vitit 1988 Alkimisti ishte një best-seller ndërkombëtar.

Mosha nuk është pengesë realizimin e ëndrrës; shpesh është një kufizim që njeriu vendos në mendje i cili bëhet pengesë.

Asnjë yll që kemi pare nuk humbet kurrë; ne mund të jemi gjithmonë ata që mund të kishim qenë. Rrallëherë një individ hyn në përpjekje shumë krijuese para moshës dyzet vjeçare. Sado të vështira që ishin ditët e hershme, nuk do të ndryshoja asnjë sekondë prej tyre – përveç shtyjes.

Nuk është kurrë vonë për të bërë diçka. Përbrenda vetes njeriu është i njëjti person që ka qenë gjithmonë.

“Ekziston një burim i rinisë: Është mendja juaj, talentet tuaja, krijimtaria që sillni në jetën tuaj dhe në jetën e njerëzve që doni. Kur të mësoni të përdorni këtë burim, me të vërtetë do ta keni mposhtur moshën”.

Sophia Loren, e lindur më 1934 është një nga yjet e fundit të mbijetuar nga Epoka e Artë e kinemasë së Hollivudit. Më 1945, në Napoli, gjyshja Luisa, hapi një pijetore në dhomën e ndenjes, duke shitur pije të bëra vetë. Romilda i binte pianos, Maria këndonte dhe dhe Loren priste në tavolina dhe lante enët. Pra, asnjëherë nuk është vonë apo shumë shpejt. Është kur supozohet të jetë. Suksesi mund të ndodhë në çdo kohë dhe në çdo moshë. Mos hiqni dorë nga ëndrrat. Ne të moshuarit nuk duhet të supozojmë se kemi qenë të tillë. Kjo sepse vetë krijimtaria nuk ka moshë.

Ndoshta do të kishe preferuar të filloje në moshën 20 ose 30 vjeç, por nuk mendoj se do të ishe gati për të ditur se çfarë duhet të bëje për të qenë i suksesshëm; çelësi është përvoja ndër vite, mosha.

Filed Under: ESSE

Iluministi çam Sali Çeka dhe Arsimi Kombëtar

August 20, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Sali Çeka lindi më 20 gusht 1892 në Filat të Çamërisë në një familje të njohur atdhetare. Në qytetin e lindjes mbaroi shkollën fillore me mësues Qamil Çamin. Që në bankat e shollës fillore u edukua nga mësuesit e tij me ndjenja patriotike. Shkollën e mesme turke (idadije) e kreu në Janinë dhe studimet e larta për pedagogji në Bezanson (Francë). Mё 1913 vihet nё dispozicion tё Qeverisё Kombёtare tё Vlorёs. Mё 27 shtator 1913 emёrohet mёsues nё Normalen e Elbasanit. Më 1922 drejtor i Normales sё Elbasanit. Mё 1923 inspektor i pёrgjithshёm nё Ministrinë e arsimit nё Tiranё. U zgjodh përfaqësues i krahinës së Sulovës në Kongresin e Lushnjës. Drejtoi “Revistën pedagogjike” (shtator 1922 – korrik 1923), ku i hapi rrugë mendimit kritik mbi bazat shkencore e pedagogjike për problemet e arsimit dhe shtroi parimet bazë të ndërtimit të shkollës kombëtare e laike në Shqipëri. Mori pjesë në përpjekjet e demokratëve shqiptarë për emancipimin politik të shoqërisë shqiptare, si dhe ishte anëtar i shoqërisë demokratike “Bashkimi” (1922-1924) dhe i grupit elektoral “As i pashës, as i beut”, gjatë zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese të vitit 1923. Botoi dhe drejtoi gazetën përparimtare “Ku vemi?” (12 janar 1924 – 19 tetor 1924). Pas dështimit të Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, në shkurt 1925, u vra pabesisht nga xhandarmëria, sipas dëshmive jo zyrtare.

***

Në memorien kombëtare, ku kujtesa dhe harresa bëhen bashkë dhe të tjera gjëra fiksojmë, tragjikisht, ndër shumë të tjerë, është harruar edhe kjo figurë me përmasa kombëtare, njëri nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave.

Sali Çeka ishte një misionar i ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar për dije e arsim, atdhetar vizionar e demokrat revolucionar, shkrimtar, publicist, studiues e mendimtar i kohës së tij në Shqipëri në vitet 1912-1924.

Sali Çeka i dha arsimit kombëtar kontributin e tij të vyer. Hartoi tekste, programe e projektligje për arsimin se si duhet të funksionojë. Botoi në Elbasan tekstin “Këndimi i shpejt i shpjegueshëm”, për shkollat fillore etj. (Arkivi Qëndror Shqiptar, Fondi i Minstrisë së Arsimit, viti 1923, dosja 29). Gjithashtu, në këto vite plot ngjarje e veprimtari të dendur atdhetare, ai ishte një nga iniciatorët e kongreseve arsimore që u zhvilluan në 22 korrik 1922 dhe 12 gusht 1924. Sali Çeka informonte Ministrin e Arsimit për kërkesat e masat që duhen marrë për arsimin. (Arkivi Qëndror Shqiptar. Fondi i Ministrisë së Arsimit, dosja D, nr 6.) Si inspektor i përgjithshëm i arsimit në vitet 1923-1924 i kërkoi Këshillit të Ministrave të hapen 110 shkolla të reja në gjithë vendin (Arkivi Qëndror Shqiptar. Fondi 295, dosja 25). Ndërkohë, në Elbasan, Sali Çeka nuk e kufizoi veprimtarinë e vet brenda shkollës Normale, që konsiderohej ikonë e arsimit shqiptar, universiteti i parë shqiptar. Me një vokacion të qartë perëndimor e demokrat Çeka iu përkushtua edhe gazetarisë dhe letërsisë.

Gazeta “Ku vemi”, që Sali Çeka themeloi në vitin 1924, trajtoi problemet e bashkimit të kombit dhe ruajtjen e pavarësisë së Atdheut, por edhe situatën shqetësuese që diktonte gjendja politiko-shoqërore e ekonomike e vendit.

Në “Revistën Pedagogjike” që ai drejtoi, (shtator 1922 – korrik 1923) punoi me dashuri e këmbëngulje për mëkëmbjen e përparimin e arsimit kombëtar, lëvrimin e gjuhës shqipe, kulturën shqiptare.

***

Ndaj në këtë përvjetor të vdekjes së Sali Çekës, figurë e shquar e arsimit kombëtar, iluminist i rrallë, misionar i shpërndarjes së dritës, është rasti të hedhim pak dritë mbi arsimin kombëtar, që ka qenë dhe duhet të mbetet çështja më e rëndësishme ekzistenciale e shqiptarëve.

Arsimin shkrimtari i madh francez Viktor Hygo e ka quajtur “Dritë të popujve”. Njerëzit e dijes si Sali Çeka, e para tij Rilindasit me Hasan Tahsinin në krye, i kushtuan arsimit kombëtar të gjitha energjitë dhe jetën e tyre, duke e vlerësuar atë si një çështje madhore, që modelon dhe konstrukton vetëdijen kombëtare dhe të ardhmen e shqiptarëve, në të gjithë kuptimet e mundshme historike.

Në qoftë se sot, në mënyrë krahasimtare, bëjmë një paralelizëm me standartin dhe cilësinë që ofronte Normalja e Elbasanit, kur drejtohej nga Luigj Gurakuqi, Sali Çeka e të tjerë personalitete, rezultati është si dita me natën. Nëse Normalja kishte karakter mbarëkombëtar, duke u bërë një unazë e forte e boshtit kurrizor etnik të shqiptarëve, fortesë e rezistencës dhe ngritjes së vetëdijes kulturore, kombëtare e politike të shoqërisë shqiptare, sot arsimi kombëtar është në anarki e konfuzion të plotë. Në këto 33 vjet të tranzicionit demokratik nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston një program unik arsimor, që çdo shqiptar, kudo që të jetë në botë, të mund të diplomohet, në bazë të kritereve arsimore në shtetin amë e me të drejta të njëjta. Kjo do të thotë, që programi arsimor i shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoni e ne Mal të Zi, etj., po edhe në diasporë, (ku janë hapur dhe vazhdojnë të hapen shkolla shqipe) të jetë i njëjtë me programin arsimor të shqiptarëve të Shqipërisë. Ky program unik arsimor do të çonte natyrshëm drejt unicitetit të kombit, si një arritje historike me peshë. Pa këtë unifikim të arsimit kombëtar nuk mund të kemi institucione të fuqishme, që mund të përfaqësojnë ndërgjegjen dhe procesin identifikues dhe të dallueshëm të shqiptarëve në botë. Pra e vetmja strukturë, që mund të mbante gjallë kujtesën dhe vetëdijen kombëtare, ose për të krijuar idenë e një identiteti apo të një personaliteti identitar të shqiptarëve, është vetëm struktura e arsimit kombëtar. Por nuk është vetëm mungesa e unifikimit plaga më e madhe e arsimit tonë. Arsimi kombëtar sot është komercializuar dhe dobësuar në mënyrë të frikshme. Me Ligjin e Arsimit të Lartë, që ka minuar djallëzisht dhe padrejtësisht strukturën publike, në favor të strukturës private, është shkelur rëndë e drejta kushtetuese të shqiptarëve për arsimin e lartë falas. Po ashtu ka humbur cilësia e mësimdhënies dhe mënyra e ndershme inteligjente e fitimit të diturive, duke e shkëputur arsimin totalisht nga tregu i punës. Strukturat e arsimit janë mbushur me “personalitete” të rremë e fals, madje dhe antikombëtarë, me tituj e grada të padenja, të cilët kanë hartuar kurrikula që çorientojnë nxënësit dhe studentët, kompremetojnë të ardhmen e arsimit dhe përdhosin historinë kombëtare.

Iluministi çam Sali Çeka, i cili i kushtoi gjith jetën lartësimit kombëtar përmes Dijes, nuk do ta mendonte kurrë se do të vinte një ditë, pas 100 vjetësh, që emri “Çamëri” nuk do të përmendej në tekstet shkollorë, pasi këtë e ka kërkuar Greqia!

Arsimi kombëtar duhet të jetë sot për shqiptarët shqetësimi më i madh qytetar, në situatën e sotme. Pa arsim kombëtar nuk ka ndërgjegje kombëtare. Arsimi e përbën, ose edhe e shpërben kombin.

Filed Under: Opinion

PËRTEJ VALIJEVIT DHE DUDAJEVIT

August 20, 2024 by s p

Dr. Erion Dasho/

Çdo shqiptar i është gëzuar të shtunën dhe të dielën dy medaljeve olimpike. Nuk ka rëndësi nëse janë ose jo të parat në histori. Rëndësi ka ngritja dy herë e flamurit shqiptar, ata pak shqiptarë në stadiume me flamurë dhe thirrje mbështetëse për dy mundësit e ekipit tonë olimpik dhe, pse jo, gëzimi për shqiponjën e Dudajevit.

Shqiptarët që janë gëzuar çiltërsisht kur Brazili, Gjermania dhe Italia fitonin kupat e botës, nuk mund të mos gëzohen për fitoret e atyre që, në fund të fundit, përfaqësuan emrin, flamurin dhe prestigjin e Shqipërisë.

***

Problemi im dhe i shumë shqiptarëve të tjerë, nuk janë Islami dhe Çermeni. Ata gëzojnë sot frytet e talentit të tyre dhe punës së palodhur. Ata meritojnë çdo vlerësim dhe çdo shpërblim. Ata meritojnë mbi të gjitha mirënjohjen tonë që zgjodhën Shqipërinë si vend adoptiv.

Problemi ynë është, si gjithmonë, Borati. Duke qënë se beratasit e brezit tim janë mësuar që të vegjël me sportin e mundjes, në sajë të kampionëve të shumtë beratas të këtij sporti burrëror, krijova bindjen se si Dudajevi dhe Valijevi do të ishin fitues.

Duke njohur tashmë mirë edhe kryeministrin e vendit tim, Boratin, kisha bindjen tjetër se ai do të bënte çdo gjë për të përfituar nga këto fitore. Për fat të mirë, Çermeni dhe Islami nuk më zhgënjyen, sikundër, për fat të keq, nuk më zhgënjeu as Borati.

Në statusin e parë pas fitores së Çermenit, Borati deklaroi se fitorja ishte rezultat i olimpizmit të rilindur!!! Ishte edhe rezultat i kushteve “optimale” që ka krijuar qeveria e tij që atletët të stërviten!!!

Duke ndjerë gafën, në një status pasardhës, një status i gjatë dhe tejet konfuz, Borati u mundua t’u përgjigjej kritikëve. Si gjithmonë, justifikimet në këto raste nuk pijnë ujë, madje e përkeqësojnë më tej situatën. Midis argumenteve më “të fortë” të statusit të dytë ishin shpërblimet financiare që jep qeveria dhe përfshirja e sportistëve fitues në forcat e armatosura.

***

Borat!

Sporti dhe olimpizmi shqiptar nuk kanë rilindur! Përkundrazi! Edhe peshëngritja, i vetmi sport që ishte zhvilluar mbi baza të qëndrueshme, u shkatërrua gjatë qeverisjes tënde talebaneske. Dhe nuk arriti të çonte asnjë sportist në olimpiadë.

Notarët sot nuk e kanë një palestër ku të stërviten, por stërviten në sajë të pagesave të kripura të prindërve. Edhe bursat olimpike, sikundër ftesat për olimpiadë shpërndahen mbi baza nepotizmi.

Luiza Gega stërvitej rreth liqenit mes turmave të qenve të rrugës. Ajo nuk e pati asnjëherë një pistë vrapimi, një staf me fizioterapeut, masazhator, psikolog, mjek, nutricionist, etj., që do ta kishin bërë një kampione me talentin e saj edhe medaliste olimpike.

Shembuj të tillë janë të pafund, Borat! Ti dhe rilindësit e tu nuk keni krijuar asgjë për t’u mburrur në fushën e sportit dhe olimpizmit! Përkundrazi, keni shkatërruar!

***

Sikundër e përmenda edhe në titullin e këtij statusi, shqetësimi im shkon përtej olimpizmit dhe sportit.

Sepse, ashtu si mburresh sot me Islamin dhe Çermenin, ti mburreshe dje me Najadën, ndërkohë që shqiptarët vdisnin nga COVID-i. Mburreshe me Luljetën, ndërkohë që shqiptarët vdisnin në rrënojat e tërmetit.

Sepse në vitet e sundimit tënd, Borat, nuk u ndërtua vetëm sport pa kampionë, por edhe shëndetësi pa medikamente, pa pajisje dhe pa mjekë. Një shëndetësi që nuk të shëron, por që të vdes. U ndërtua një sistem arsimor që nuk mëson, por prodhon injorantë. U ndërtua një turizëm që një vit lulëzon e një vit vuan.

Prandaj, Borat, mos u mburr me miellin hua në mundje sot, por prano se i ke vënë kazmën jo vetëm sportit, por mbi të gjitha ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes, mbrojtjes sociale, etj.

I ke vënë kazmën Shqipërisë, Borat!

Dy medaljet olimpike nuk të shpëtojnë dot, Borat! Ti je i nëmur, Borat, bashkë me rilindjen tënde! Ju jeni e shkuara e këtij vendi dhe shqiptarët mezi presin që, për pak muaj, të të ndëshkojnë me votë!

Ti dhe rilindja jote nuk keni më të ardhme, Borat! Lëre mënjanë demagogjinë dhe gjej një avokat të mirë, Borat! Për atë do të kesh nevojë shumë shpejt…

Filed Under: Sport

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 792
  • 793
  • 794
  • 795
  • 796
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT