• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HASAN DOSTI, IN MEMORIAM…

August 16, 2024 by s p

Idriz Lamaj*/

Më 1896, në katundin Kardhiq, në zemër të Labërisë, lindi Hasan Dosti, kryetari i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Rrjedh nga një familje emri i së cilës ka qenë lidhur gjithmonë me lëvizjet kombëtare. Me 1912 Hasan Dosti ishte në Janinë me shumë bashkatdhetarë të tjerë për të vazhduar studimet në gjimnazin e atjeshëm. Pikërisht në këtë qytet Hasan Dosti ndjenë më shumë se asnjë herë dashurinë për atdhe dhe adhurimin e pafund për të. Për përhapjen e idesë kombëtare Hasan Dosti ndodhet në lidhje të ngushtë me heronjët e vendit të tij, Çerçiz Topullin me shokë.

Në mbarim të luftës së madhe të 1914-tës, mbas largimit të trupave të okupacionit, e gjëjmë Hasan Dostin kryesekretar të Prefekturës së Gjirokastrës. I dhënë mbas studimeve, me sakrifica të mëdha, Hasan Dosti me 1922 shkon për të vazhduar shkollën në Paris, ku me 1925 diplomohet në shkenca politike. I paisur me një vullnet të hekurt, ai vazhdon studimet dhe me 1927 merr titullin Doktor në Drejtësi në Fakultetin e Parisit Sorbonë, gradë univeristare e çmuar dhe lakmuar nga gjithë bota.

Karriera e Hasan Dostit si njeri i ligjit, është nga më të shkelqyeshmet. Ushtron profesionin e lirë si avokat në Gjirokastër, dhe një vit më vonë, emërohet më 1929 gjykatës në Berat. Po në atë vit, mbas tetë muajve, emërohet ndihmës gjykatës i diktimit në Tiranë. Më 1937 e gjëjmë përsëri gjykatës në Berat dhe me 1938 kryetar i gjyqit të shkallës së parë në Korçë. Njohuritë e thella të Hasan Dostit në lëmën ligjore çmohen prej të gjithëve dhe më 1939, emërohet në një nga vendet më të larta të magjistraturës së Shqipërisë, si Anëtar i Gjykatës së Diktimit, detyrë që e mban deri me 1942 kur bëhet kryetar i asaj gjykate të lartë në degën penale. Në gushtin e vitit 1943, në Kongresin e Mukajt, Hasan Dosti zgjidhet si kryetar dhe marrëveshja që u arrit në mes të Nacionalçlirimatres, Ballit Kombëtar e Legalitetit i detyrohet përpjekjeve të vazhdueshme të Hasan Dostit. Dihet që marrëveshja u prish nga komunistët mbas pak ditësh.

Hasan Dostit nuk i mungoi kurrë detyrës së tij patriotike. E gjejmë në të gjitha lëvizjet politike nga dashuria e madhe për liri. Menjëherë mbas pushtimit të Shqipërisë nga forcat e armatosura italiane, Hasan Dosti është nga të partë që gjëndet krah Lumo Skendos, Mitat Frashërit, themeluesit të Ballit Kombëtar. Dhe mbeti gjithmon pranë tij si antar i Komitetit Qëndror. Me vdekjen e tij shokët e zgjedhin si kryetar të Ballit Kombëtar dhe unanimisht u zgjodh nga Ekzekutivi Kryetar i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e lirë”.

Prej natyrës i ëmbël dhe i qetë, Hasan Dosti mbetet i papërkulshëm kur ndodhen në mes interesat e larta të atdheut. Nga karriera e tij e gjatë si njeri i ligjit, trashëgon një kuptim të gjërë maturie dhe pjekurie. Hasan Dosti është i zoti të bisedojë dhe të zgjidhë çdo problem sado i rëndë me një gjakftohësi dhe arsyetim të jashtëzakonshëm. Në jetën e tij të thjeshtë e shohim shpeshherë të veshur pa kujdes, gadi sikur të donte të mbetet i padukshëm, por me sjelljet e tija fisnike dhe bisedimin e ëmbël shkëlqen kudo.

Gjithashtu profesioni i tij si gjykatës i ka lënë një kujdesje të jashtëzakonshme. Përpara se të japi një vendim ose edhe një gjykim të thjeshtë, Hasan Dosti do të peshojë mirë dhe thellë të gjitha argumentat e problemit të parashturuar. Ka një kujdes të madh të mos zemrojë asnjeri; nuk di të fyej kurrë dhe ka një respekt mistik për lirinë individuale. Eshtë i përgaditur intelektualisht për çdo bisedim, qoftë politik, qoftë shoqëror, qoftë shkencor. Fjala e tij dhe mendimi i tij vlejnë për të gjithë shqiptarët dhe respektohet prej të gjithëve.

*(Biografi e botuar në gazetën ” Shqipëria “, 30 shtator, 1951. Marrë nga libri i autorit: “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë”)

Filed Under: Politike

“Musinetë” që nuk i vijnë më Shqipërisë!

August 16, 2024 by s p

Dr. Iris Halili/

Viti 1983. Komunizmi ishte në kulmin e tij. Varfëria ishte po e tillë. Unë isha në klasën e gjashtë të 8 – vjeçares. Dajën e kishin çuar në burgun e Qafë – Barrit që ishte një skëterrë në rrëzë të humnerës. Gjyshja ( të cilën ne e kemi thirrur gjithmonë nëna ) vazhdonte lutjet që komunizmi të rrëzohej. Por ja që stinët i linin vendin njëra – tjetrës dhe asgjë nuk ndryshonte në jetët tona. Ajo shpesh kujtonte të atin që për sa ishte gjallë mundohej ti jepte gajret duke i thënë: “Duro Gano, sa te bien gjethet pa do bien edhe këta. Stinët ndërronin, gjethet binin dhe nëna i kthehej të jatit: “Ja mor baba edhe gjethet ranë dhe këta prape janë në pushtet”. “Ej moj bij , prit sa të dalin gjethet”. Kështu ranë dhe dolën kaq shumë gjethe, prindërit e nënës u plakën dhe ndërruan jetë, po kështu po plakej dhe vetë ajo ndërkohë të tjera gjethe binin dhe dilnin sërisht, por komunizmi shqiptar qëndronte stoik duke mbjellë terrorin që ujitej nga lufta e klasave, këtij eksperimenti të pashoq shoqëror që kultivoj vëllavrasjen. Burgjet populloheshin gjithmonë e më shumë me viktima të pafajshme dhe tashmë rradha u kishte ardhur fëmijve dhe nipërve të armiqeve të popullit pasi lufta e klasave duhej shtrirë kurdohere dhe pa mëshirë. Kampet e internimit ishin kthyer në varreza njerzish të gjallë që vuanin pa ditur psenë. Banorët e tyre ishin nga të gjitha moshat, nga më të vjetrit deri tek bebet që lindeshin, rriteshin dhe martoheshin në rrethim pa guxuar as të pyesnin “përse?”.

Si çdo pushtet që arrin të shfrytëzojë pikërisht ato karaktere njerzore që i shërbejnë më mirë qëllimit të tij, komunizmi u mbështet tek shpirtrat e ligj dhe individët sociopat që në emër të idealit të partisë nuk kursenin ti shkatërronin jetën kujtëdo që urrenin apo xhelozonin. Këta lloj ushtarësh të partisë komuniste shqiptare nuk bënin gjë tjeter vetëm se kopjonin modelin e kryeudhëheqësit të tyre.

Sindroma e kompleksit të inferioritetit apo xhelozisë djaloshare që mori kaq jetë njerzish të pafajshëm përbën një tjetër analizë të Enver Hoxhës, udhëheqësit sociopat që drejtoi me dorë të egër vendin tonë. (Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë (APA), sociopatia është një model i sjelljes dhe një gjendje komplekse e shëndetit mendor që karakterizohet nga një model i vazhdueshëm i shpërfilljes dhe shkeljes së të drejtave të të tjerëve. Karakteristikat kryesore janë mungesa e empatisë, mashtrimi, impulsiviteti, irritueshmëria, agresiviteti dhe një prirje për të manipuluar ose shfrytëzuar të tjerët për përfitime personale. Ata mund të mos ndiejnë keqardhje për veprimet e tyre, edhe kur këto veprime dëmtojnë të tjerët, dhe mund të përsërisin sjellje që kanë pasoja negative pa mësuar nga përvojat e mëparshme).

Padyshim figura më ikonike që u viktimizua prej tij mbetet vajza e mënçur shqiptare, shkrimtarja e parë, politikania e parë, sociademokratia e parë, e emancipuara e parë, disidentja e parë grua Musine Kokalari.

Unë pata dëgjuar për Musinenë shumë vite më parpara se emri i saj të njihej nga brezat e fillim viteve 90-të. Musineja ishte mikja më e ngushtë e gjyshes sime në kohën e rinisë, të dyja lindur në 1917-tën dhe mbaruar Shkollën e Nënës Mbretëreshë në 1937-të. Më parë të dyja kishin studiuar në shkollën e Dakos ku mësimin e kishin marrë nga vetë Motrat Qiriazi. Në ato vite rinore ishin deklaruar si motra gjaku. (Ky është një zakon i lashtë dhe i veçantë që ka ekzistuar në traditën shqiptare dhe jo vetëm. I njohur ndonjëherë si “ritual i gjakut” ose “vëllazërim me gjak”. Dy ose më shumë individë ndanin gjak duke përdorur një mjet të mprehtë për të shkaktuar një lëndim të vogël, dhe më pas e shkrinin gjakun e tyre së bashku. Rituali kishte për qëllim të krijonte një lidhje të të pandashme midis individëve, që shpesh konsideroheshin si vëllezër ose motra, edhe pse nuk ishin në të vërtetë të lidhur biologjikisht).

Gjyshja më rrëfënte se Musineja ishte shumë e shkathët, gati si djalë çamarok. Të dyjave u pëlqente të intepretonin dramat që luheshin në shkollë. “Ishte në fakt teatri që na lidhi më shumë. “Musineja ishte e apasionuar pas leximit dhe bashkë diskutonim për librat dhe shkrimtarët e preferuar. Atë më shumë se çdo gjë e tërhiqte letërsia, ndërsa mua kimia. Shkruante me shumë pasion dhe ëndrra rinore ishte të bëhej shkrimtare”. Librin ‘Siç më thotë nënua plakë’, ma pati dhënë me dedikim dhe kur hetusia më zbarkoi në shtëpi ditën e arrestimit të djalit, çfare nuk më punuan kur e gjetën në biblotekë . Filluan të ulërisnin dhe kërcenonin: “Pale ke edhe librin e të deklasuarës, armikes së popullit; Do të të çojmë dhe ty atje ku është ajo”. Rrëmbyen të gjithë koleksionin e librave përfshirë edhe botimin e parë të “Qerbelasë” që Naim Frashëri ja kishte dhuruar stërgjyshes tuaj Sabrete Vila Fratari të cilën poeti i kombit e kishte mbesë”. Nëna më pas më rrëfente se me Musinenë flisnin për çdo gjë, bile ajo edhe i pat rrëfyer si Enver Hoxha i pati propozuar për martesë . ‘Ai, budallai më ka propozuar, martesë, pale e kam edhe kushëri moj Gano’. Musineja nuk kishte pikën e respektit per Enver Hoxhen dhe në një farë mënyre ja kishte shprehur edhe atij. Seç i kishte gjetur edhe një nofkë alla gjirokastritshe, por që tani me gjithë shtrydhjen e kujtesës nuk më vjen ndër mënd”.

Sipas arësyetimit të nënës, “Enveri ishte i djallëzuar dhe nuk duhej nënvleftësuar pasi kishte “aftësine e të pa- aftëve”, që është aftësia e njerzve pa inteligjencë të spikatur, si dhe pa talent apo intelektualitet. Kështu ata perfeksionojnë djallëzine dhe ligësinë dhe falë këtyre janë në gjëndje të plotësojnë ambicjen që nuk u njeh kufi”.

Ndryshe nga shumë vajza të tjera të shkollës Nëna Mbretëreshë, nëna dhe Musineja nuk ishin përfshirë në lëvizjen komuniste. “ Musinenë në fakt e tërhiqte politika, megjithëse ishte shumë e drejtë për të qënë pjesë e saj pasi ishte një vajzë parimore dhe atdhetare. U kthye në Shqiperi me shpresën se komunistët do ta njihnin pluralizmin dhe lirinë e fjalës, sikur u patën premtuar popullit gjatë luftës. Por idealizmi dhe guximi i saj u tapos burgjeve dhe internimeve”.

Me instalimin e diktaturës komuniste fati i Musinesë dhe i gjyshes sonë morri tatëpjetën, njëra se kishte dalë kundër sistemit dhe tjetra se kishte patur bashkëshortin kundër sistemit. Njëra u damkos armike e popullit dhe tjetra bashkëshortja dhe më pas nëna e armikut të popullit. Jetët e tyre ishin kështu të “dënuara” nëpër Shqipëri dhe asnjëra nuk e kishte takuar më tjetrën deri kur një ditë dimri të vitit 1983 teta Ermioni, komshija jonë e dashur me orrigjinë nga Gjirokastra ( djali i të cilës punonte infermier në spitalin e burgut) vjen në mëngjes më heret se zakonisht dhe jep lajmin se Musineja po lëngon nga kanceri dhe e kanë sjellë urgjentisht në spitalin e burgut. Po atë pasdite nëna vendosi të vizitonte miken e vjetër -motër për të cilën kishte shume mall dhe dashuri. Ne të tjerët prisnim me ankth kthimin e saj dhe mbaj mend sapo hyri në korridorin e apartamentit pa hequr mirë këpucët u vesh në lot, të cilat i kishte mbajtur gjatë gjithe rrugës për të mos u dalluar nga kalimtarët. Ajo qante dhe tregonte në të njëjtën kohë: “E takova Musinenë dhe nuk e njoha, ishte transformuar e gjitha. Nuk donte që ta zgjaste takimin me mua. ‘Gano pse ke ardhur moj motër, ik sa më parë mos të të shikojnë këtu me mua, boll ke hallet e tua , edhe unë të duhem. Ik të keqen mos të të shohin’. I çova ca portokalle, por as ato nuk donte ti merrte. ‘Nuk i ha dot Gano, dhe këtu nuk do mi lënë ti fus në gojë. Merri mbrapsh dhe çoja mbesave’. Më pyeti për të gjithë. Kujtesen e kishte shumë mirë por vete ishte firasur e tëra. Nga Musineja që pata njohur kishte mbetur vetëm zëri vibroz që akoma përcillte shpirtin virtuoz. Kur i thashë “ Si na iku jeta jonë kështu moj Musine e dashur” ajo ma ktheu : ‘Eh moj Gano, por të paktën ti ke dy fëmijë, pa më shih pak mua….’ Kështu me zemër të plasur u ndamë dhe po e ndjeja që ajo më ndiqte me sy. Me ata sytë që nga të bukur, të mëdhenj dhe ngjyrë kafe ishin kthyer në të vegjël dhe kishin marrë një nuancë si të verdhë”.

Teta Ermioni të nesërmën na tregonte që në spitalin e burgut urdhri për Musinenë ishte që të trajtohej fare minimalisht dhe të kthehej sa më shpejt nga kishte ardhur. Per shumë kohë më vonë nëna na fliste pothuaj çdo ditë për Musinenë. Kur e mësoi vdekjen e saj u trondit edhe më shumë, por në ato kohra lajmet që vinin për njerzit e dashur ishin gjithmonë dhe më të renda, kështu që stinët, bashkë me gjethet që binin dhe dilnin sërisht, sillnin vetëm shtimin e lotëve të nënës që sikur gjithmonë na thonte: “Nuk po më thahen kurrë ”.

Shumë vite më vonë një mikja ime, juriste e njohur me origjinë nga Rubiku, më rrëfente që ndonëse ishte fare e re në moshë i kujtohej shumë mirë gruaja fisnike Musine Kokalari që fshinte rrugët e qytetit. “Njerzit kishin frikë ti flisnin. Por edhe ajo nuk shoqërohej me askënd. Një zymti më vëte ishte varrimi i saj. Vetëm shoferi i komunales dhe tre a katër ‘të tjerë të deklasuar’ që jetonin po në Rubik e shoqëruan në banesën e fundit që në fakt për Musinenë nuk kishe shumë ndryshim nga “banesat” ku ajo kishte jetuar prej mëse 40 vitesh skëterre. Banorët e provincës veriore ndiqnin këtë “kortezh” tragjik pas dritareve apo dyerve të hapura aq sa për të vendosur njërin sy; Kaq mjaftonte për ti dhënë një vështrim të fundit asaj zonje që me stoicizmin e saj në fakt kishte fituar respektin e heshtur në të gjithë zonën”.

Enveri apo “aventurieri”, sikurse e quante Musineja, nuk zgjodhi ta vrasë, pasi si sociopat që ishte ai ndjente më shumë kënaqësi kur shihte si ajo vuante çdo ditë e më tepër. Qëllimi i tij ishte ta poshtërronte dhe denigronte Musinenë, por këtë nuk e arriti dot pasi ajo nuk u përkul kurrë, por i qëndroi deri në fund bindjeve të saj nacionaliste, antikomuniste dhe pluraliste duke mbetur kështu femra opozitare më fuqishme në politikën dhe demokracinë shqiptare.

Dhe pyetja që të vjen natyrshëm në këto raste është: Ku jane sot “musinetë”? Fakti që nuk marrim dot përgjigje e bën edhe më të madhërishme figurën e saj, por edhe lëndon më shumë fatin tonë si shoqëri shqiptare që fatkeqësisht asnjëherë nuk kemi ditur të zgjedhim njerzit e duhur në kohën e duhur!

Filed Under: Opinion

Brigjet shqiptare dhe Kryqtarët e Via Egnatia

August 16, 2024 by s p

Luan Rama/

Lançimi i Kryqëzatës së parë për çlirimin e Jeruzalemit u bë në 27 nëntor të vitit 1095, në Koncilin e Clermont-it, në Francë. Papa Urban II kapërceu veriun e Italisë dhe mori rrugën drejt vëndit të frankëve, pasardhësve të galëve, kalorësve të famshëm Clovis dhe Vercingetorix. Disa kronistë thonë se për të ndërmarrë Kryqëzatën ai u shty nga normandi Bohemond. Të tjerë thonë se ishte murgu i vobektë Peirre l’Ermite që thirri për çlirimin e Varrit të Krishtit dhe ai e ndoqi pas. Fjalimi i Papës në këtë koncil nuk ka mbetur i shkruar gjer në ditët tona, por njihen urdhëresat e nënshkruara, jehona e kësaj ngjarje dhe shkrimet e kronistëve, kur turmat e besimtarëve iu përgjigjën thirrjes së Papës me britmat „Dieu le veut!” „Zoti e kërkon!” Në atë kohë, për dhjetë vjet me rradhë, Durrësi dhe brigjet shqiptare po jetonin në paqe. Por dyndjet normande do të rishfaqeshin sërrish, kësaj rradhe të drejtuara nga Bohémond de Tarente, (Guiscard), i cili i njihte mirë këto brigje të ashpra, të vështira për t’i nënshtruar. Ai shoqërohej nga nipi i tij Tankred si dhe kushërinjtë e tij Richard de Raoul i Salernos, Robert d’Anse, etj. Para se të nisej, Bohemondi kishte mbajtur një fjalim të gjatë para trupave të tij, një pjesë të të cilit na e bën të njohur kronisti-murg, Robert le Moine (Murgu), në dorëshkrimin e tij Hierosolymituna expeditio: „Le të bashkohet me mua ai që i përket Zotit. Kalorës! Ju që sot jeni kalorësit e mij, ju do të bëheni kalorësit e Zotit! Pra merrni bashkë me mua rrugën për Vëndin e Shenjtë. Të gjitha gjërat e mia, konsideroini si tuajat. A nuk jemi ne nga raca franke? A nuk janë dhe njerëzit tanë si ata që kanë ardhur nga Franca? Ç’turp do të ishte nëse njerëzit tanë dhe vëllezërit tuaj frankë të shkonin pa ne për tu bërë martirë, madje dhe në Parajsë? Nëse kjo ushtri do të marshonte në luftë pa ne, atëherë me të drejtë mund të na akuzonin si njerëz pa kurajë…” Nga normandët e Siçilisë që zbritën në brigjet shqiptare, ishin dhe vëllai i Tankredit, konti de Rossignolo dhe vëllezërit e tij Hermann de Canne, Onfroy de Montescaglio si dhe Robert de Sourdeval, Boel de Chartres, etj. Bohemondi zbarkoi në brigjet shqiptare midis Vlorës dhe Durrësit, në nëntor të vitit 1096, atëherë kur fillonte „Kryqëzata e parë” për çlirimin e Jeruzalemit. Në fillim ai pushtoi Vlorën, duke mbledhur trupat në fshatin e quajtur Dropoli, në luginën e lumit të Vjosës. Ana Komnena shkruan se Bohemondi zbarkoi në Vlorë me shumë kontë dhe një ushtri të pallogaritshme. Kronisti tjetër Albert d’Aix, shkruan për 10.000 kalorës dhe një numur shumë i madh këmbësorësh. Në fakt ata shfrytëzuan luginën e Vjosës dhe zgjodhën rrugën më të vështirë, por më të sigurtë, pasi nuk donin të binin ndesh me trupat bizantine që zotëronin Via Egnatia-n, edhe pse nuk ishin më në gjëndje lufte me ata. Rruga kalonte drejt Gramozit, në malet me dëborë. Në Kastoria u furnizuan me ushqime.

Këtë ngjarje e përshkruajnë katër burimet kryesore të kësaj periudhe historike: dorëshkrimi anonim Gesta Francorum et aliorum Hierosolimitanorum, vepra Alexiade e Ana Komnenas, dorëshkrimi i Guillaume de Pouille dhe kronika e Guillaume de Tyr, një prej kalorësve që luftoi gjer në bedenat e kështjellës së Jeruzalemit. Siç dihet „anonimi“ ishte një kryqtar, i cili e ndoqi ushtrinë e Bohemondit në betejën e Nikesë, betejën e Dorylesë, rrethimin e Antioche-s e gjer në marrjen e Jeruzalemit dhe betejën e Ascalon-it, ku mbaron dhe tregimin e tij. Në fillimin e Kryqëzatës, anonimi shkruan se „Bohemundi i mblodhi ushtarët e tij dhe i këshilloi që të silleshin mirë ndaj popullit dhe të mos shkatërronin këtë tokë që u përkiste kristianëve dhe të mos merrnin asgjë përveç çka duhej për tu ushqyer… Atëherë u bë nisja dhe ne shkuam përmes shumë krahinash, nga qyteti në qytet, nga kështjella në kështjellë. Ne mbërritëm kështu në Kastoria dhe atje festuam natën e Krishtlindjes.” Në librin Rënia dhe vdekja e Konstantinopojës, historiani francez Jacques Heers, duke iu referuar kronikës anonime shkruan se pasi zbarkuan pranë Durrësit, „në tetor të vitit 1096, normandët e Bohemond de Tarente shkuan fshat më fshat, kështjellë më kështjellë dhe qytet më qytet, e kështu deri në Kostur për të festuar atje Krishtlindjet”. Guillaume de Pouille, i cili e shoqëroi Bohemondin gjatë kësaj Kryqëzate, në dorëshkrimin Historia e Kryqëzatës së parë, shkruan se „Popullsia atje nuk shikonte tek ne pelerinët e Kryqëzatës, por ata mendonin se ne kishim shkuar për të shkretuar e bastisur tokat e tyre dhe për t’i masakruar ata. Atëherë, ne i bastisëm tokat, u morrëm viçat, kuajt, gomerët dhe gjithçka që gjenim.” Por një burim tjetër historik shkruan dhe për grabitjet e kryqtarëve gjatë rrugës. Kuptohet që ata s’kishin burim tjetër për t’i mbijetuar atij rrugëtimi të gjatë e cfilitës. Historiani Pierre Aubé, në librin e tij Godeffroy de Bouillon, i referohet një letre të peshkopit të Ohrit, Théophilacte, (Teofilakti), i cili i shkruante njërit prej miqve të tij se „Kalimi apo invazioni i frankëve, nuk di se çfarë emri mund t’i vë kësaj, por ne na ka trëmbur dhe shqetësuar aq shumë, saqë ne e kemi humbur toruan. Kam qënë si një i dehur, por tani që u mësuam me këto halle të shkaktuara nga frankët, ne i durojmë më mirë mjerimet tona”.

Por le të kthehemi te kronistja jonë, Ana Komnena. Në kronikën e saj Aleksiada, ajo shkruan për personazhet të tjerë të rëndësishme të kësaj epoke, duke përshkruar kalimin e kryqtarëve evropianë. Ne fakt, i pari që u nis për Kryqëzatë ishte Pierre l’Ermite, (Eremiti), ai murg i zbathur që predikonte mes turmave popullore se duhej shkuar për të çliruar Varrin e Krishtit. Atij iu bashkuan dhjetra mijra njerëz, të varfër, gra e fëmijë, duke iu drejtuar Konstantinopojës në një ethe marramëndëse. Ndërsa nga frankët ishte Hugues, konti i Vermandois, i cili ndryshe nga murgu i varfër, do t’i drejtohej brigjeve të Ilirisë. Para nisjes, ai dërgoi një mesazh në Konstantinopojë, duke i kërkuar perandorit ta presë në nivelin e një princi me gjak mbretëror. Me të u bashkua dhe Drogon de Nesle, Clérambault de Vendeuil, Guillaume de Melun dhe kalorës të tjerë me emër. Ja si e përshkruan Ana Komnena ardhjen e vëllait të mbretit të Francës, nisur në kryqëzatë drejt Jeruzalemit, Hugues de Vermondois, («Hugues, filius et frater regnum Francourum»), i cili kaloi përmes Shqipërisë që në atë epokë ishte një nga rrugët kryesore dhe ku nga Via Egnatia-s i çonte kryqtarët drejt Konstantinopojës, ku që andej ata merrnin pastaj rrugën e gjatë drejt qytetit të Shenjtë. «Një i quajtur Ubos, vëllai i mbretit të Francës (kryeneç si novat i fisnikërisë së tij, në momentin kur do të linte vëndin e tij për të shkuar në Varrin e Shenjtë, (Saint-Sepulcre), ai e lajmëroi autokratorin, duke i drejtuar një mesazh qesharak dhe të sigurohej që më parë për të gjetur një pritje të shkëlqyer…“ Hugues „Magnus“ (Maisné – i Madhi), dërgoi më parë 24 kalorës, nën drejtimin e Guillaume de Melun për të informuar guvernatorin e Dyrrachium. Ana Komnena përmënd një letër të dytë që ai i dërgonte guvernatorit të Durrësit: «Dije o basileus, – i shkruante ai, – se unë jam bazileus i bazileusve, më i madhi i atyre që jetojnë në këtë botë. Sapo të mbërrij, duhet që të vijnë të më presin me një ceremoni të denjë që i përket sojit tim». Në çastin kur bazileusi mori këtë mesazh, duka i Durrësit ishte Joani, djali i vëllait të Aleksit, sebaskratorit Isak Komnena. Duka i flotës, Nikola Morokatalou, i kishte nxjerrë në det anijet e tij, duke i vendosur në afërsi të portit të Dyrrachium-it dhe që andej ai survejonte detin aq mirë, sa asnjë anije pirate përgjatë brigjeve nuk mund t’i shpëtonte…»

Më pas, anijet e tij morën udhën drejt Durrësit. Por stuhija e madhe në det i shpërndau anijet. Anija e kontit De Vermandois mrekullisht arriti të dalë në bregun shqiptar në „Cap Palli“ (Bishtin e Pallës), disa kilometra në veri të Durrësit. Atje i gjeti i dërguari i guvernatorit, i cili i çoi në Durrës. Ata qëndruan në qytetin antik gjersa një funksionar i lartë bizantinas, Manuel Butumites, erdhi nga ana e perandorit për t’i shoqëruar drejt Konstantinopojës. Kronisti tjetër mesjetar Foucher de Chartres, në Histoire occidentale des croisées, (III), shkruan për rrugëtimin në tetorin e vitit 1096 e këtij prijësi si shef i kryqtarëve të Perëndimit nga Bari në Durrës, i cili u mbajt si i burgosur nga guvernatori.

Siç shkruante kronistja Komnena, «Menjëherë autokratori u dërgoi atyre dy letra, duke urdhëruar dukën e Dyrrachiumit që të mbikqyrte në det dhe përmes tokës ardhjen e Ubos, (Hugues), me detyrën që ta lajmëronte autokratorin menjëherë me një mesazh të shpejtë mbi ardhjen e këtij latini, i cili duhej pritur me nderime. Letra tjetër ishte për dukën e flotës bizantine që të mos e largonte asnjë çast vëmëndjen dhe të përgjonte me vigjilencë. Përsa i përket Ubos, ai kishte mbërritur mirë në Longobardi (krahinë midis Barit dhe Romës), duke i dërguar dukës së Dyrrachium 24 përfaqësues-ambasadorë të ngjeshur me pazmore e mburoja të këmbëve prej floriri, të shoqëruar nga kont Tsepenterios dhe Elie, të cilët kishin dezertuar në Selanik kampin e autokratorit. Ata i drejtoheshin dukës si më poshtë: «Dije o dukë se Madhëria jonë Ubos, është duke mbërritur dhe se ai sjell nga Roma flamurin e Shën Pjetrit. Dije gjithashtu se ai është prijësi i gjithë ushtrisë franke. Pra përgatitu që ta presësh në mënyrë të denjë siç e kërkon dhe pushteti i tij, ai dhe trupat që komandon dhe se ti duhet t’i dalësh përpara ta presësh». Ndërkohë që ambasadorët flisnin kështu me dukën, Ubos, që kishte shkuar nga Roma në Longobardi, më pas kishte marrë në Bari anijet duke iu drejtuar brigjeve të Illiricum. Por atë e zuri një stuhi e tmerrshme ku humbi pjesën më të madhe të anijeve bashkë me rremtarët dhe ata që ishin në to. Nuk mbeti veçse një barkë ku ai gjëndej dhe që dallgët e hodhën në brigjet midis Dyrrachiumit dhe atij vëndi që quhej Palli, (Kepi i Pallës). Ai sapo kishte shpëtuar për mrekulli kur dy nga njerëzit që përgjonin brigjet, iu drejtuan: «Duka po e pret me padurim ardhjen tuaj dhe dëshiron tu shohë». Ubos kërkoi menjëherë një kalë. Njëri nga ata zbriti nga kali dhe ia dha menjëherë. Në këtë gjëndje e pa Ubon duka i Dyrrachiumit, i cili kishte shpëtuar nga mbytja. Ai i uroi mirëseradhjen dhe e pyeti se nga po vinte. Duke mësuar fatkeqësinë që i kishte ndodhur gjatë kalimit të detit, ai e ngushëlloi me plot premtime dhe madje i afroi një tavolinë plot me të mira. Pas kësaj e la të pushojë por jo plotësisht në liri. Menjëherë kishte lajmëruar autokratorin lidhur me për mbërritjen e tij dhe tani priste udhëzime të reja. I informuar mirë, autokratori dërgoi menjëherë Butumites drejt Epidamne, siç e quanin më parë Dyrrachiumin, i cili i kërkoi Ubos që ta shoqëronte për në kryeqytet jo duke marrë rrugën direkte, por duke bërë një kalim përmes Filipopolis. Ai kishte frikë në fakt nga keltët dhe ushtritë që vinin pas tyre. Bazileusi e priti me nderime dhe e mbushi me dhurata, duke e bindur menjëherë që të bëhej njeriu i tij vasal, duke bërë betimin e zakonshëm të latinëve… »

Koha e ndërmarrjes së Kryqëzatës së parë të kristianëve për të çliruar tokën dhe varrin e Krishtit ishte një nga ngjarjet më të mëdha të atij fillim mijëvjeçari. Kronikat e vjetra shkruajnë për disa prijësa të tjerë normandë e frankë që morën rrugën drejt brigjeve shqiptare për t’iu drejtuar pastaj Tokës së Shenjtë. Kronistët përmëndin dhe të famshmin Robert de Flandre, i cili kishte kaluar disa vënde sllave dhe „kur kishte mbërritur drejt brigjeve shqiptare, ai kishte përshtypjen se ishin toka pjellore“. „Krahina e Vjosës ka drithëra të shumta… Në Durrës, është kisha e Shën Maria Virgjëreshës e amalfitanëve“ (Amalfi ishte kryeqëndër e normandëve në Italinë e jugut). Ana Komnena shkruante gjithashtu se „në Durrës kishte shumë tregëtarë nga Amalfi dhe nga Venediku“.

Në rradhën e prijësave frankë që niseshin për Kryqëzatë dhe merrnin rrugën drejt Adriatikut, për tu bashkuar pastaj me Via Egnatia, ishin dhe Robert de Normandie, (Robert Courteheuse, biri i Guillaume le Conquerant ) dhe kunati i tij Etienne de Blois, kont i Blois dhe Chartres, të cilët mbanin si mbiemra, emrat e krahinave që kishin si zotërime të tyre. Pasi kishin zbritur malet e Italisë, kryqtarët e „ushtrisë të katërt franke“, kishin shkuar në Romë që t’i pagëzonte Papa dhe që andej kishin zbritur në zonën e normandit Roger Borsa, duke i marrë anijet në Brindizi më 5 prill të atij viti. Anija e tyre e parë, siç shkruajnë kronikat, u mbyt. Të tjerat, pas katër ditësh mbërritën në Durrës, ku u pritën mirë dhe pastaj me eskortë, përmes Via Egnatia, duke kaluar drejt Ohrit, Ostrovo-s, Vodena-s, Selanikut e Christopolis (Kavalla), ata vazhduan gjer në Konstantinopojë, ku perandori i priti mjaft mirë.

Për Kryqëzatë ishte nisur atë kohë dhe franku Raymond de Saint-Gilles, kont i Toulouse-s, i cili, pasi kishte zbritur në Itali, mori rrugën drejt brigjeve shqiptare. Meqë mendonte se s’do të kthehej më nga Jeruzalemi, ku do t’i kushtohej Krishtit, ai abdikoi si princ dhe tokat ia kaloi të birit. Me të ishin bashkuar tani dhe Raimbaud, konti i Orange-s, Gaston de Bearn, Gerard de Roussillon, Palamede de Montalieu, Eusebe de Beziers, Guillaume de Montpellier, Adhémar de Puy, prijësi fetar i Kryqëzatës me vëllezërit e tij, peshkopi i Orange-s, etj. Historiani Steve Runciman, shkruan se kur mbërritën në Shkodër, ushqimet po u mbaroheshin, por ata kishin para për të blerë ushqime në këtë qytet. Por meqë nuk gjetën gjë, ata vazhduan rrugën drejt Durrësit. Një kryqtar dhe kronist tjetër i kësaj kohe, Guillaume de Tyr, përshkruan rrugëtimin e provincialëve (nga Provence e Francës) me në krye Saint-Gilles, ku thekson se ai „u miqësua me mbretin e sllavëve, por megjithë këtë marrëveshje, ushtarët e kontit u keqtrajtuan nga sllavët“. Kronisti tjetër Raymond d’Aguillers, kapelan i kontit të Toulouse-s, në kronikën e tij Historia Francourum qui ceperunt Jerusalem, (Historia e frankëve që çliruan Jeruzalemin), e vendos mbërritjen e tyre në Shkodër në muajin janar.

«Pesëmbëdhjetë ditë pas Ubos, edhe normandi Bohemondi bëri kapërcimin e detit dhe erdhi në brigjet e Kabalion (Kavajë), me shumë kontë dhe një ushtri të jashtëzakonëshme, (nëntor 1096). Në gjurmët e Bohemondit kishte ardhur dhe konti i Principat, (Provence, Francë, L.R.), i cili kishte ardhur nga brigjet e Longobardies. Meqë edhe ai donte të bënte kalimin e detit, ai kishte marrë me qera për 6.000 «stateres» ari një anije pirate me tre direkë të mëdhenj dhe 200 rremtarë si dhe tri barka të rimorkjuara pas. Në fakt, ai nuk morri drejtimin e brigjeve të Vlorës, si ushtritë e tjera latine. Nga frika e ushtrisë romane, ai ngriti spirancën dhe devijoi drejtimin për nga brigjet e Himarës në sajë të një ere të favorshme. Por duke iu trembur tymit ai shkoi drejt zjarrit, pasi aty-këtu nuk ishin anije të tjera që mund të takoje në gjirin e Longobardie-s, por ishte e gjithë eskadra romane e dukës Nikola Morokatakalou. Ky i fundit, para disa kohësh kishte dëgjuar për këtë anije pirate dhe duke marrë me vete anijet «bireme» dhe «trireme» të flotës së tij, si dhe disa «dromos», ishte nisur ta priste në Kabalion, përballë Ason-it…»

Në fillim të shkurtit, më së fundi, ata mbërritën në veri të Durrësit. Guvernatori Joan Komnena i priti me ngrohtësi, pohon Ana Komnena, ndërkohë që „anonimi“ tek Gesta Francorum, shkruan për mosbesimin e madh të bizantinëve ndaj tyre. Guillaume de Tyr na informon nga ana e tij se në Durrës ata i pajisën me leje-kalimi nga ana e perandor Aleksi për tu nisur drejt Konstantinopojës. Vëllai i peshkopit, kalorësi Hugues de Monteil, meqë ishte sëmurë, u detyrua të qëndrojë në Durrës. Por rrugës, këta kryqtarë, herë pas here u sulmuan nga ushtarët e perandorit. Funksionarë bizantinë si dhe një eskortë me „peçenegë“ i shoqëroi ata drejt Via Egnatia. Por rrugës, ushtarët frankë nuk i duruan sjelljet e eskortës bizantine të përbërë nga „peçnegë“ dhe në luftë mes tyre, dy baronë „provençaux“ (nga Provence) u vranë. Peshkopi du Puy mbeti i plagosur dhe u tërhoq në Selanik që të mjekonte plagët, ku e gjeti i vëllai që erdhi më pas nga Durrësi. Pak kohë më vonë dhe Raymond u sulmua në Edesse nga ata. Nga një burim tjetër mesjetar, i Raymond d’Arguilers, një kryqtar frank, që tregon mbërritjen e Raymond de Saint-Gilles, kont i Toulouse-s në Durrës dhe rrugëtimin e tij gjithë peripeci drejt Konstantinopojës, ai shkruan: “Ne mbërritëm në Durrës dhe na u duk se ishim në atdheun tonë, duke e konsideruar perandorin Aleksi si një vëlla e bashkëpuntor. Por ata, duke u bërë mizorë, u sulën si luanë dhe i sulmuan njerëzit e paqtë që donin të shërbenin me armët e tyre. Bizantinët i masakruan nëpër prita, në pyje dhe fshatra larg kampit, duke i sulmuar ata gjatë natës me tërbim. Ndërkohë që ata shkretonin, udhëheqësi i tyre premtonte paqe. Madje dhe gjatë armëpushimit ata masakruan Pons Renaud dhe plagosën për vdekje vëllain e tij Pierre, që të dy princa fisnikë. Por edhe pse ne gjetëm rastin dhe u hakmorrëm, ne donim më shumë të vazhdonim rrugën tonë, sesa të ndëshkonim këta pushtë. Kështu u vumë në rrugëtim. Gjatë rrugës, ne morëm nga perandori disa letra, ku ai fliste veç për paqe, vëllazërim dhe vepër të përbashkët, por këto ishin veçse fjalë, pasi si përpara dhe mbrapa, majtas e djathtas, ne ishim të ndjekur nga turqit, „comanses“-ët, „uses-ët, „peçeneg“-ët dhe bullgarët, të cilët na bënin pareshtur prita. Një ditë, kur ishim në fushën e Palegonisë, peshkopi du Puy ishte disi i veçuar nga ushtria për të gjetur një vënd të përshtatshëm për të ngritur kampin tonë. Por ai u kap nga „peçenegë“- t, të cilët e hodhën nga mushka, e plaçkitën dhe e goditën fort në kokë. Por meqë një prelat kaq i madh ishte i nevojshëm për popullin e Zotit, jeta e tij nuk pushoi, në sajë të Atit të mëshirshëm. Një nga „peçeneg“-ët i kërkonte florinj dhe e mbrojti nga të tjerët. Gjatë kësaj kohe ky lajm u përhap nëpër kamp. Peshkopi u shpëtoi, ndërkohë që armiqtë e tij e kërkonin dhe shokët donin ta mbronin. Kur përmes pengesash të tilla ne mbërritëm në një kështjellë që quhet Bucinat, konti Raymond u informua se „peçeneg“-ët donin ta sulmonin ushtrinë tonë në shtigjet e një mali. Bashkë me disa kalorës, ai u fsheh dhe u vërsul papritur mbi ta, duke vrarë shumë prej tyre, ndërkohë që të tjerët morrën arratinë. Në të njëjtën kohë që perandori na dërgonte mesazhe paqësore, ne ishim ngado të rrethuar nga armiq që kërkonin të na bënin ç’të mundnin…“

Shumë princa të tjerë frankë morrën në atë kohë rrugën e brigjeve shqiptare. Një nga ata ishte dhe Guillaume I, konti i Nevers, i cili e kishte lënë Francën në shkurt të vitit 1096 dhe siç thonë kronikat kapërceu Adriatikun, (Brindizi-Vlora) dhe me një ushtri të paqtë e të disiplinuar kishte marrë Via Egnatia gjer në Konstantinopojë, ku ishte pritur mirë nga perandor Aleksis. Por kronistët i referohen dhe kalorësit Robert de Flandres, i cilët gjithashtu mori udhën drejt brigjeve shqiptare. Ashtu si bashkëluftëtari i tij De Vermondois, në tetor të vitit 1096, Robert de Flandre i shoqëruar nga trupat e krahinës së Brabantit që udhëhiqeshin nga Badouin d’Alost, konti i Gandit, u nis nga Bari dhe në fillim të dhjetorit ata ishin në jugun e brigjeve shqiptare. Konti Alost, kishte tentuar të zbarkonte në brigjet e Himarës, jashtë zonave të autorizuara nga autoritetet bizantine, por atje u bllokua nga një eskadër bizantine. Ana Komnena tregon gjatë në librin e saj për zënkën e tij me komandantin Marianos Mavro Katalau, birin e admiralit bizantin, të cilin e paraqet si një hero, meqë e njihte personalisht dhe ishte një nga miqtë e tij. Edhe pse prifti latin u lutej bizantinasve se ata ishin nisur për në Tokën e Shenjtë, përsëri ata i detyruan t’i shoqëronin gjer në Durrës. Kronisti Foucher de Chartres, shkruan për zbarkimin e kryqtarëve fisnikë Robert de Normandie dhe Etienne de Blois më 9 prill të vitit 1097, rreth dhjetë milje nga qyteti i Durrësit. Në sallën e heraldikave të muzeut të Versajës, (Versailles), tregohet për emblemat e shumta të kryqtarëve më të lavdishëm të asaj epoke, ku midis të tjerëve paraqitet dhe emblema e vëllezërve Pierre dhe Renaud de Pons, nga Pons i Francës, ku siç shkruan dhe kronisti Raymond d’Agiles, „ata janë masakruar nga bizantinët në Dyrrachium“. Po kështu flitet dhe për kryqtarin tjetër Robert, konti i Montfort-sur-Rille, marshall i Normandisë, i cili gjatë rrethimit të Durrësit nga Bohemondi u ishte dorëzuar bizantinëve dhe pastaj kishte ikur drejt Palestinës.

Duke lexuar gjithë këto kronika të vjetra që shkruajnë veçse përciptas për ardhjen e kryqtarëve në brigjet e Ilirisë dhe jo për ngjarje të shumta që duhet të kenë ndodhur në tokat e Arbërit, (shumë prej dorëshkrimeve sigurisht kanë humbur në kufijtë e një mijëvjeçari), mund ta imagjinosh atë qytet-port aq të rëndësishëm siç ishte Dyrrachiumi ku shkelnin e pikëtakoheshin personazhet e një historie botërore nga më në zë të njerëzimit. Ja pse dhe kronikat në latinisht të këtyre kryqtarëve-kronistë që lidhen me brigjet e Ilirisë, janë padyshim burime të rralla e unikale edhe për historinë e trojeve tona, të cilat mbeten për tu deshifruar.

Personazhe dhe bëma

———-

Krahas personazheve më të rëndësishme të kësaj epoke si Aleks Komnena, Robert Guiskard apo Bohemondi, biri legjendar i tij, një sërë personazhesh mjaft të rëndësishëm të botës bizantine e normande janë të pranishme në tokën shqiptare të Ilirisë: dukë, guvernatorë, sevastë e sevastokratorë, admiralë flotash e «domestikë» ushtrish… Disa Komnenë nipër të Aleksit, ishin guvernatorë të Dyrrachiumit, të cilët u angazhuan për mbrojtjen e qytetit. Një tjetër, Gjergj Paleologu, ishte një nga personazhet dhe një nga luftëtarët e shquar të bazileusit Aleks, i cili edhe pse e dinte çmimin e madh të daljes së tij nga kështjella e Dyrrachiumit, të rrethuar nga trupat e Guiskardit, ai përsëri e zbatoi kërkesën e autokratorit që të dilte dhe të takohej me të jo larg rrethinave të Dyrrachiumit, dalje kjo që do të ishte në fakt fatale, sepse ai nuk mundi të futej më në kështjellë. Ana Komnena, në kronikën e saj mbi rrethimin e Dyrrachiumit dhe luftën që u bë mes dy të mëdhenjve të asaj epoke, Guiskardit dhe Aleksit, përshkruan dhe betejën heroike të Paleologut.

Personazhet heroike nuk mungojnë në përshkrimet e Ana Komnenës. Madje ajo i krahason gjeneralët bizantinë me heronjtë e Homerit. Marianos kur bie në tokë i goditur nga një kelt, ajo shkruan se ai ra si Hektori i Iliadës, „i cili desh dha shpirt kur u godit me gur nga Ajaksi“… Kur kryqtarët që vinin nga Perëndimi i drejtoheshin Ilirisë, Marianos Morokatakalon, i tërhoqi kryqtarët drejt Himarës dhe i zbarkoi atje. Në pranverën e vitit 1108, në krye të 8000 ushtarëve ai ishte caktuar për mbrojtjen e Petrelës, pas disfatës të komandantëve të mëdhenj Kabasilas dhe Kamitzes. Pastaj ai zëvëndësoi Isak Kontostefanos si komandant të flotës detare të Adriatikut duke ruajtur brigjet e Ilirisë. Të tjerë personazhe me emër ishin Konstantin Gabras, të cilin perandori Aleks e caktoi guvernator në mbrojtje të kështjellës së Petrelës. Po kështu Konstantin Euforbenos, i cili hyri në Dyrrachiumin e rrethuar dhe u dha mbrojtësve disa nga urdhërat e bazileusit. Argyros Karazas, më 1092 u caktua nga Aleksi të shkonte në Dyrrachium dhe të mblidhte magjistratët, madje nëse konstantonte si të vërtetë organizmin e një lloj revolte e puçi kundër tij, ta arrestonte dhe nipin e tij Joan Komnena, djalin vëllait të tij sevastokratorit Isak. Në pranverën e vitit 1108, pas shpartallimit të Kamitzes nga ushtria e Bohemondit, ai ngarkoi gjeneralin e famshëm Kantakuzen që të ripushtonte Gllavinicën, Ballshin e sotëm. Po më 1108, Konstantin Katakalou u dërgua nga bazileusi bashkë me Marianosin e Napolit, besnikët e tij kontët Franc Roger dhe Adnalestos, që ta bindnin Bohemondin që të bënte paqe dhe t’i jepte fund luftës, duke pranuar humbjen para Aleksit.

Filed Under: Kronike

DRAMATIKA E NATYRËS SURREALE

August 15, 2024 by s p

Behar Gjoka/

Pjesë e vlertë e krijimtarisë letrare, të gjerë dhe përplot larmi të Martin Camajt është edhe dramaturgjia, madje ajo shënon edhe njërën prej shenjave letrare më impresionuese, gati e harruar prej historiografisë së shqipes në të gjithë hapësirat e ligjërimit të saj. Nga lëmi i dramatikës, interesante në mesazhe dhe imazhe, në figura dhe shprehësi letrare, në replika dhe meditime, të shkruar prej tij trashëgohen vetëm dy tekste letrare, përkatësisht dramat Lojë mbasdreke dhe Kandilja e argjandit, ku edhe prekim aftësitë shkrimore në këtë gjini, në strukturim, dialog dhe veprim të personazheve, mbase këto shenjojnë edhe një tip drame kualitative dhe të ndryhsme, jo fort të shpeshtë në letrat shqipe. Këto dy vepra dramatike, në thelbin e vetë sendërtues të dialogut dhe veprimit, skenave dhe imazhit që përcjellin, personazheve dhe skenave, përmbushin dhe shpërfaqin edhe një aspekt të rëndësishëm të korpusit letrar të shkrimtarit, tashmë ato dy vepra të mirëfillta dramtike, do të duhen vështruar dhe shqyrtuar në të gjithë shpërfaqjen e vetë të frymës, mesazheve, teknikës shkrimore dhe të shprehësisë lëtrare, skicimit dhe plazmimit të pëersonazheve, për të prekur vlerat e pranishme, si dhe për t’i vendosur ato më kontekstin e veprës së gjerë letrare të autorit, por edhe të dramatikës së shqipes, përgjithësisht, veçmas të asaj bashkëkohore. Vlerësimi i kësaj ane artistike të Camajt, pothuajse të munguar dhe të heshtur nëpër trajtimet studimore të shqipes dhe më gjerë se sa kaq, por të prekshme dhe me shenja të dukshme në kuptimin letrar në këto dy tekste, luan rol parësor për të fokusuar në të gjitha planet e përfaqësimit autorin, si dhe për të përforcuar idenë se letrat shqipe në lëmin e dramaturgjisë nuk janë krejt të zbehta, siç edhe vijon të kundrohen dhe interpretohen, pa u thelluar në të gjitha vatrat nga ana e historiografisë së shqipes, duke vijuar lënien jashtë shqyrtimit dhe vlerësimit të krijimtarisë dramatike të Kasëm Trebeshinës, Anton Pashkut, Teki Dervishit etj. , çka e bën veprën e Martin Camajt edhe në fushën dramtike më shumë se sa një ishull i pa zbuluar.

ANKTHI I TMERRIT PAFUND

Drama e parë e autorit, e titulluar Lojë mbasdreke, mbase më e fuqishmja në kuptimin letrar, si skena dhe kolizion dramatik, si figurim dhe plasim i protagonistëve, hapet me një vdekje të radhës. Një ndarje nga jeta, siç ngjet rëndomë në jetën tonë, e dikujt që bëhet shkak dhe shkas për të ndezur fitilat e gjakmarrjes dhe hakmarrjes, e tmerrit të pafund dhe shkatërrimtar, që i ka rropusur supet dhe fatin e shqiptarëve. I ndjeri, ai që ka ikur tek të shumtit, gjithnjë si parathënie tekstuale dhe ndërtekstuale, në formën e amanetit tronditës e kishte lënë me fjalë, që në drekën e përcjelljes së tij të shtrohej gosti me mish dhe raki. Një shaka apo lojë e hollë. Një lajmtim tronditës i asaj që pritet të ngjasë. Në ato anë as ishte parë, e as i shte dëgjuar ky reng dhe mallkim i frikshëm. Fjala, fjalë, e fjala bren eshtra. Fjalën e amanetit s’e tret as dheu, dhe prandaj ky kob e makth i papamë përmbushet me pikë e me presje, pa asnjë mëdyshje. Fill e mbas drekës së hatashme, ku derdhet rakia me shtamba e hahet mishi me duar, ndodhi përplasja e zezë, përplasja vdektare, mes të ftuarve të asaj mordje përtallëse. Pas replikave të ashpra, të vrazhda deri në mahi, të hidhura më zi se vdekja, të pranishmit vrapojnë për tek armët, siç ngjet zakonisht në trojet tona, në jug e veri. Hataja e zezë e krismave, pa një e pa dy, në dekik fshiu, sikur të mos kishin qenë, nga faqja e dheut plot njëzet e katër burra. Gjama, ma e zeza e shoqeve të para dhe dëgjuara këtyre anëve, që i kapërcen natyrshëm kufijtë e normales. Gjama, ky tmerr që ka vu në rrezik jetën dhe vetë ekzistëncën e fisit arbënor, tashma e mbulojë më gjak krejt oborrin dhe tanë malësinë, duke ravizuar gjurmët e tmerrit dhe të frigës ndër sy dhe ashtet e malësorëve të paepun, në mote dhe shekuj. Qysh prej asaj kohe, të largët dhe të frikshme, të pakohë dhe pa grimën e dritës, atyre anëve, por edhe tjetërkund në atdhe, ka vijuar pa e prishur terezinë e vetë makthi pesëdhjetëvjeçar i vrasjeve makabër, i cili ka patur në thelb hakmarrjen e asaj ndërkohje të zezë dhe të frikshme. Thirrja e gjakut, një thirrje trondtiëse dhe ndjellakob, e gjakut të derdhur në kaq mote, e gjakut që ka lidhjur dhe përçarë gjithë botën, gjakun e të parëve dhe të mbramëve të njerëzisë, të shuar dhe fshirë nga faqja e dheut, aq përdhunisht aty në atë drekë zezonë, ndez sherrin dhe zemëratën e gjenisë së rritur, nëpër vite dhe shekuj, madje duke e çuar njeriun deri na cakun e mbijetesës, nën ethet përvëluese të përgjakjes së zakontë që ka ngjarë dhe po ngjet ende në këto troje, të vrarë dhe plaguar pa mëshirë.

LOJA ME JETËN

Në cakun e tmerrit dhe territ të syve të shpritit dhe mendjes, të fikjes së shpresës dhe besimit se edhe mund të dilet prej kasapëhanes, kur janë hedhur pesëdhjetë vitet mbas krahëve, duket si shaka dhe mahi, madj më tepër si një lodërtim i pavend, bashkë me ndodhinë e tmerrshme, ku shuhet jeta njezet e katër vetave, të përfshirë qysh më përpara në përvëlimën e gjakut, në skenë futet lojë e trefishtë:

A – Loja e të vetmit dëshmitar, mbase edhe shkaktarit kryesor të tragjedisë së hidhur, të asaj ngjarje tronditëse dhe tepër të largët, e Zekës, burrit të pathyshëm që mori shumë plagë, por edhe që vrau aq sa deshti, i cili është edhe heroi qëndror i dramës së parë të autorit. Ai, burrë i frikshëm dhe dredharak, pasi ka heshtur nëpër kaq e kaq mote, mbase ka heshtur duke folur me vete në jermi të plotë dhe krejt të hatshme, pasi i ka zhdredhuar të vërtetës së hidhur dhe ndëshkimit të merituar, mbi fillimin e tmerrit dhe të zezonës, më tepër për lojë ose shaka, si për t’u përrallë ai burrë i pathyeshëm, trim dhe dinak, zë e ia zbulon petët lakrorit, krejt pa vetëdije dhe me një krenari naive. E vërteta e njëmendtë, e largët dhe e tmerrshme, frikëndjellëse dhe rrezbitëse, e mbushur me ankth dhe lebeti, me shpresën dhe besimin e kotë se do të shuhej zhurma e saj, por ajo del në shesh, pikërisht në ditën për diell, madje në mënyrën më të lehtë të mundshme.

B – Ideuesi dhe realizuesi i lojës së mbrapshtë, që ia rrënon shpirtin heroit kryesor, por edhe personazheve të tjerë të dramës dhe të ndodhisë, është avokati më i ri, që nëpërmjet kësaj ndodhie të çuditshme dhe shkatërrimtare, pra zbardhjes së saj, dëshiron të mbrojë doktoranturën në drejtësi. Ai, si askush tjetër, në fakt i hyn lojës me ndershmëri dhe përkushtim, pa asnjë paramendim dhe prapamendim të keq, vetëmsa të zbulojë të vërtetën e kaq shumë viteve të lëna mbas krahësh, të fsheur me mjeshtëri, të vërtetën e tmerrshme që fshiu nga faqja e dheut për një minut njëzet e katër njerëz. Në këto raste dihet fillimi, mbase më saktë tmerri i fillimit, por se si mbaron ngjarja apo gjama do të qe më mirë të emërtohej, me të gjitha përmasat dhe rezultatet, ngjyrat dhe shprehësinë mbetet engimë dhe pezull, gjatë gjithë veprimit dramatik të kësaj pjese. Pikërisht, mbarimi ose fundi i heroit qëndror, në këtë formë e jo ndryshe, i mvesh dramës nota të theksuara tragjike, herë-herë të ngjyresave të mëdyshjes dhe tmerrit makbethian, sidomos kjo ndjesi bëhet e prekshme prej fundit të papritur dhe tejet rrezbitës.

C – Pjesë e kësaj loje, vrastare dhe verifikuese, të butë dhe rrënuese, me dëshirë dhe vetëshkatërruese, bëhet edhe gjyqtari, mjeku dhe kasapi, tre prej personazheve të rëndësishëm dhe kyç në zjhvillimin e ngjarjeve dhe të ecjes përpara të veprimit dhe situatave dramatike. Ndryshe nga avokati, që po luan realisht lojë, madje prej saj ai po dle edhe më i fituemi, sepse tashmë ia ka falur gjakun e gjyshit të vetë, ndërsa tre personazhet e tjerë, që bartin edhe shenjat e dikurshme të ndodhisë makabër, e kanë marrë kaq seriozisht sa jo vetëm se duan të bajnë detyrën, por më tepër se duan që t’i tregojnë vendin njëherë e përgjithmonë Zekës, kaposhit të malësisë, trimit të përmendun në ato anë edhe në këngë, i cili nuk e ka ulun kryet kurraj dhe në asnjë rrethanë. Seroiziteti i këtyre të fundit, real dhe i përjetuar me të vërtetë, një dëshirë e çmendur, në shumicën e sekuencave të dramës, të pjesëve dhe pamjeve të renditura në atë mënyrë shpalimi të njëtrajtshme, si dhe të materies tekstologjike dhe të sekuencave dramatike, aq të pasur në ngjyresa ligjërimore dhe frazeologji, ku edhe shpërfaqen dhe portretizohen realisht karakteret më kryesorë të kësaj drame, nga më tronditëset në letrat shqipe bashkëkohore. Mbase loja e tyre, një lojë absurde gjithsesi, e marrë pikërisht me atë lloji serioziteti dhe detyrimi, me atë lloj vlerësimi dhe përjetimi, jo si lojë dhe shaka, po si një veprim real dhe i mirëmenduar, bëhet shkaku i vetëm, mbase gjasa e pashmnagshme, për ta dërrmuar dhe zbuluar në të gjitha dritëhijet protagonistin e veprës, e për pasojë edhe personazhet e tjerë të dramsë, të cilët janë funksion dhe variabël i personazhit qëndror, madje duke i dhënë dramës kështu edhe një ngjyrim të pastër surreal, që ka mundësuar shpërfaqjen e një realitetit letrar të mëvetësishëm dhe të dallueshëm nga ajo çfarë kemi parë të paraqitet, përgjithësisht në artin e shërbesës jashtëletrare, që në fakt e vonon përfshirjen dhe pikëprputhjen e letrave shqipe, sa më shpejt që të jetë e mundur, në shtjellat letrare bashkëkohore, sepse aty e ka vendin. Prania e këtyre formave të lojës, natyrisht të lojës dramatike dhe komike, tragjike dhe heroike, natyrisht të një heroike të marrë, e shpërndërron kështu veprimin dramatik, sekuencat dhe replikat e shëkmbyera ndërmjet personazheve, kryesorë dhe episodikë, madje në një gjendje të beftë dhe marramandëse, aq sa realiteti konkret tjetërsohet në një situatë impresionuese, e cila të zgjon imazhe të paimagjinueshme.

PARATHËNIA AUTORIALE E RRËSHKATËS

Në krye të dramës së parë të shkrimtarit, mbase do t’i qëndronte për shtati më mirë titullimi i saj si dramë e gjakmarrjes, nëse mund të emërtohet kështu po të nisesh kryesisht nga motivi dhe ndodhia kryesore dramatike, e cila shpërfq gjamnë që shkatërron qenien njerëzore gjer në pakohësi, pikërisht këtu qëndron edhe një tekst autorial, i cili bashkëshoqëron dhe shpërfaq edhe tekstin dramatik, madje si një situatë e tjetërfarshme, krahasuar me dramtikën e shërbesës së socrealizmit, e cila rrezatonte linjën bardhë e zi, ndonëse edhe këtë ngjyrim, me tëpër e ndeshim pa përdorur vijën e pasur spektrale të këtij ngjyrimi kontrastues. Vlerat e dukshme dhe thelbësore, si art dhe shprehësi letrare, të këtij teksti, nga më tronditësit në dramtikën e shqipes bashkëkohore, që realisht kryen edhe funksionin e një parateksti brenda tekstit dramtik, lidhen ngushtas dhe qëllimisht, së paku me dy aspekte:

Së pari: Me ritregimin e fabulës së veprës, me një formë sa më të shkurtër dhe të thjeshtëzuar, si për të tërhequr vëmendjen e lexuesit apo të spektatorit të teatrit mbi nodhitë e frikshme dhe rezonuese edhe sot e gjithë ditën në jetën shqiptare, madje në hollësi dhe detaje të plota, në një distancë të tillë të barazlarguar nga koha reale e ngjarjes, dhe të vetëmjaftueshme, që kryen funksinon e një parateksti letrar shpëgues, të tekstit kryesor të dramës.

Së dyti: Zbulesa e autorit, një shpërfaqje e beftë dhe e domosdoshme, po të nisesh nga fakti që ai ka mëtuar që me çdo kusht dhe me çdo çmim do të duhet të rrisë ndikesnë mbi faktorët që kanë diçka ne dorë për të ndikuar sadopak mbi realitetit e frikshëm që ka krijuar gjakmarrja në mjediset tonma, çka në fakt nuk ngjet shpesh në gjininë dramatike, sepse vetë situata dhe dialogimi, veprimet dhe replikat e nxehta të personazheve, gati e pamundësojnë këtë shans dhe mundësi, ku ky artikulim zbulues dhe artikulues të shkrimtarit, na vjen si një prani e shpallur dhe e domosdoshme për të sqaruar ngjarjet e dramës, si dhe për të përndritur vetjet e saj, pra personazhet e dramës. Parathënia e konceptuar kështu, madje mjeshtërisht nga autorit, në një situatë të pastër parateksti, që edhe paralajmëron dhe skicon pamjet që do të shpërfaqen në tekstion dramtik, si për të sqaruar kryesisht dhe enkas rrjedhën e ngajrjeve, madje në të dyja kohët, si kur ndodh vrasja e hatashme, në atë drekë mortore dhe tromnditëse, edhe tani kur po rrëmohet për t’u mësuar e vërteta e saj, e vërteta lakuriqe dhe pa shansin për ta mbuluar diellin me shoshë, siç shprehet shumë qartë populli, mbase edhe të personazheve qëndrorë dhe episodikë, si tipare dhe veti përgjithësuese, si përfaqësim dhe karaktere të spikatura, të mjedisit dhe të kohës reale, kur edhe kanë ngjarë tmerret e frikshme, shërben në këtë rast edhe si element i mirëfilltë ritregonjës i ndodhisë dramatike, mbase fabulor i veprimit dramtik, e cila do të shpërfaqet nëpër pjesët dhe pamjet e dramës, përmes dialogut dhe veprimeve të figurave të pranishme, qëndrore dhe dytësore të kësaj drame, moderne në thelbin e vet sendërtues.

STRUKTURA KOMPOZICIONALE E DRAMËS

Ndarja e dramës, së gjakut dhe gjakmarrjes, në pjesë më të vogla përbërëse, saktësisht në dy të këtilla, mjaft të mëdha dhe funksionale, në shpërfaqjen tërësore është realizaura sipas parimit klasik, duke përfshirë në të prologun dhe epilogun, pra hapjen dhe mbylljen e dramës, që kanë peshë dhe rol parësor për ta sendërtuar atë poltësisht në këtë pamje dhe nivel realizimi, si dhe me ndarjen në pjesë kryesore të veprës. Prologu i dramës, si një pasqyrë parake e materies letrare të dramës, mjaft i ngjeshur si skenë dhe sekuenca dialogimi, paraqet qartësisht një mjedis familjar, ku dy protagonistët, pra burri dhe gruaja, kryesorë të veprës zbulojnë ankthin e ngjarjes së përpara pesëdhjetë viteve. Zeka dhe Bjeshka, dy bashkëshortët e çuditshëm dhe të lumtur sa nuk rrëfehet, dy dëshmitarët real dhe hipotetik të asaj gjama, dy njerëzit kyç dhe mbulues të ndodhisë së tmerrshme, natyrisht me bisedimin hidh e prit ndërmjet tyre, por të shoqëruar edhe më ngjyresa ligjërimi, të dyzuar dhe të dyfishtë, të fshehjes së të vërtetës së dikurshme, por edhe të tanishme, në kuptimin e prekjes së saj, pikërisht në plagën ku edhe dhemb më shumë, si padashje në llafogjemat e tyre, ata ia heqin petët lakrorit të përgjakur, asaj drekës së hidhur dhe tronditëse ku humbën jetën njëzet e katër vetë, dhe ku mori dhjetëra plagë edhe Zeka, heroi qëndror i dramës. Pjesa e parë, e cila bart edhe peshën kryesore të veprimit dramtik, si dhe më e gjata e dramës, zë fill me dukën (pamjen) e parë të veprës, e cila sendërton dhe shpqrfaq pikën e lidhjes, që realisht përkon me shfaqjen e Gjormit, një personazh simpatik dhe imagjinar, që bart më së shumit idealin dhe qëllimësinë e autorit, në shpresën dhe besimin e gjetjes së të vërtetës, më dëshirën e mirë për t’i prekur dhe zbardhur ndodhtië e hershme, të cilit në atë drekë të hatshme, të mbytyr në gjak dhe raki, të mortit të shakaxhiut të malësisë, i kanë vrarë gjyshin, pra një ta afërmë. Ai, tashmë është bërë burr dhe avokat i ri, dhe nëpërmejt asaj ndodhie dëshiron të mbrojë titullin e doktorit ne drejtësi, pra si një njeri që ka pësuar ndryshime dhe përmbysje të prekshme, madje të jashtëzakonshme në raport me krahinën dhe mantalitetin e saj. Në dukën tjetër ose tek pamja në vazhdim, rishtas vijon paraqitja më e thelluar e kolizionit dramatik, pra e përplasjes së mendësisë së trajtimit të asaj ndodhisë së hershme, të ndodhisë që mban peng dhe të shqetësuar edhe këtë kohë, edhe këta pasardhës, e cila shakton njëzet e katër të vdekur, që shpërfaqet e plotë dhe me ngjyresa të papritura në dialogun midis Gjormit dhe Bjeshkës, gruas së Zekës. Këto episode, veçmas të tjerave, të dy pamjeve të para të dramës, si me thënë ma qartë edhe parapërgadisin ardhjen e heroit kryesor të dramës, Zekës, në dukën e tretë, heroit më të shumëfishtë dhe më të plotë të veprës, i cili bart dhe na e shpalos edhe psikologjinë, mentalitetin dhe gjurmët e së kaluarës, si një plagë e pambyllur ende, por njëherit dhe përngjitasi me të, edhe të mosnënshtrimit si burrë dhe njeri, pra të mos ndryshimit në kushtet e reja, që vevetiu do të duhej të përçonin tek ai lëvizje natyrale. Tek ky fragment, zezona e hidhur dhe tmerri i parrëfyer, pra ndodhia e largët si kohë reale, nis që të afrohet dhe të ndikojë ngjarjet e dramës me shpejtësi rrufeje. Replikat ndërmjet Bjeshkës dhe Zekës, dy personazhet qëndrore të veprës, këtu, pra sidomos në këtë dukë e japin qartësisht shqetësimin për shfaqjen e kësaj ndodhie. Duka e radhës, kuèptohet pamje tjetër e dramës, shënon një rritje të gradacionit dramatik dhe shprehës, të veprimit dhe shprehësisë letrare, në fromatimin dhe shpërfaqjen e kolizionit dramatik. Zeka dhe Mjeku, ky i fundit një personazh tjetër i veprës, madje nga më interesantit e dramës, shkëmbejnë midis tyre fjalë me dy kuptime dhe nënkuptime, shkëmbejnë replika të nxehta midis tyre, si për të njoftuar se ndërgjegjja e secilit prej këtyre personazheve vlon dhe zatetet në pabesim të shoshoqshëm. Në këtë dukë, nga më interesantet e dramës Lojë mbasdreke, konturohet mjaft qartë edhe atmosfera e vendit, dokeve dhe tipareve që gdhendin deri në skalitje ato në figurimin e personazheve dhe të gjitha mjedisit përqark, ku edhe luhen ngjarjet. Pikërisht, në këtë sekuencë dramatike, me ngjyra dhe tone tragjike, këtu na zbulohet edhe një idil familjar i papritur, megjithatë i rrezikuar prej hijeve të ndodhisë së dikurshme, që tashmë pret të rindizet rishtas. Në veprimin dramatik të këtij teksti, futen edhe dy personazhe të tjerë, gjyqtari dhe kasapi, dy figura me peshë specifike të ndjeshme në këtë dramë, ku i pari, pra gjyqtari që përfaqëson ligjin dhe shtetin, drejtësinë dhe format e saj, ka peshën dhe rolin e protagonistit në të dy pjesët e dramës. Episodet e pjesës së parë të dramës, një pjesë që në fakt zbulon ankthin dhe tmerrin e protagonistëve, pra një gjendje aspak e këndshme dhe normale, shpalosin karaketeret në të gjithë diagramën e vetë, por edhe në funksion të ngjarjes së hershme, të asaj ndodhie tmerri dhe makabriteti, tashmë të rimarrë për të riformuluar artistikisht vetë ngjarjen, veprimet dhe dialogun, protagonistët dhe pasardhësit e tyre, mbase vetë veprën letrare, më situatën e replikave dhe të veprimit dramtik, tanimë si dy prej elementëve thelbësor dhe më kryesor të plazmimit të personazheve në një vepër të mirëfilltë dramatike. Në pjesën e dytë të dramës, ku edhe merr udhë zgjidhja e konfliktit qëndror dramatik, pikërisht në dukën e parë të saj, aty ku zë dhe zbulohen gjurmët e para të shkokëlilmit të vetëdijes së personazheve, në kuptimin letrar dhe të kolizionit dramatik, rrjedha e ngjarjeve merr një kthesë të papritur dhe krejt të tendosur, në dhënie e ngjarjeve dhe në skicimin e personazheve. Prania e lojës, natyrisht e lojës së ndërfutur në tekst, e lojës dramatike dhe komike, pra e shakasë së hollë, e shkasë ploteë mençuri dhe dije, e shpërndërron veprimin dhe sekuencat e veprës në ngjyrime tragjikomike, madje të një tragjikomizmi rrënqethës në shumciën e dukjes së vet. Pra, tani e mbrapa, skenat dhe dukjet, dëshmojnë se kemi një vepër dramatike ku përzihen dhe gërshetohen ngjyresat dramatike me tonet e pastra komike. Në dukën e dytë të kësaj pjese shpërfaqen edhe dy elementë kryesorë, që i japin ndodhisë së veprës një rrjedhë të ndryshme, madje krejt të tjetërsojshme. Nga njëra anë gjyqi i merituar për Zekën, dëshmitarin e hershëm dhe të vetmin e atyre të shituarve, që ka shpëtuar nga kasaphana e askohshme, tanimë është shndërruar në një lojë, çmendurake dhe frikësjellëse, e në këtë çast çdo fije e ngjarjes, makar òdo fjalë e ligjëruar, aq shkujdeshëm dhe në ekstazën e tjetërsimit, ndihmon për ta shpërfaqur qartë e më qartë fajninë e dorasit, fajin e kryer me guzim dhe vetëdije, por ta pazbuluar ende të këtij burri të paepur. Në anën tjetër, një situatë e beftë që çapon hapat e të parit, e shpaluar në një linjë paralele, gjitnjë në pritje të lojës që do të shkaktonte të qeshura, ndodh zbulesa e konfliktit në të gjithë përmasën e vetë, na përmasën e krimit të hidhur dhe harrimit prej kohës së gjatë, por edhe hapja e fundit të barkut, pra zbulimi i të vërtetës në shesh të burrave, tashmë të secilit personazh të dramës. Në këtë hallakamë tmerri dhe ankthi të (pa)merituar, për të qarë e për të qeshur, madje për të provuar dhe shijuar gjendje tmerri dhe frike, për të pritur më kot që të shfaqet vrasja e ndërgjegjes, natyrisht vrasja e ndërgjegjes së vrarë qysh asaj dite të drekës së mishit dhe rakisë, të drekës mortore, të drekës së shtruar në nderimi të një shakaxhi të tmerrshëm, që edhe në atë botë sundonte dhe mbante peng të gjallët, dëshmitarë të ndoshisë, por edhe pasaqrdhësit e rritur me tonin dhe ngjyresat e asaj dreke të parrëfyeshme, me tonalitet të dukshëm dhe funksional të ndërthurjes së komizmit me tragjizmin, lojës me seriozitetin, shakasë dhe sarkazmës therëse, zbulohet loja e artit për të skicuar artistikisht realitetin letrar, e artit dramtik, të nje sinkretike tragjikomike, më së shumti, në një tekst të ngjyrosur herë-herë me tone të një frazeologjie mençurake, që të ndërmend alegorinë dhe shëmbëllimet orale që aspiron dhe realizon ajo në komunikimet e përditshme. Ky episod, mjaft tronditës dhe domethënës, natyrisht njëra nga dukjet (pamjet), më të gjata të veprës, mbase edhe me peshën më të madhe në pikëpamje të zbulimit dhe zgjidhjes së kolizionit të veprës, të veprimi dhe situatave të larmishme dramatike, sendërgjon kështu edhe pikën kulminante, çastin më domethënës të këtij teksti, pra gjetjen e të vërtetës së tmerrit të provuar fill pas asaj dreke makabër, drekë të mbrapshtë, të mbushur me zi, mish dhe raki, por edhe me një tmerr të paparë, por që e tejkalojë atë kohë, dhe realisht u shtri dhe zgjatua si veprim dhe frymë edhe në kohërat e mëvonshme, të këndej kohës së mungesë së harrimit të mterrit të përjetuar. Në këtë dukë (pamje) të përveçme, madje nga më të ngjeshurat dhe të fuqishmet nga ana letrare, madje edhe në pikëpamje skenike, ndodhin njëra pas tjetrës shumë gjana të hidhura dhe të tmerrshme, ku mjeku më tepër shpifet (sajohet për të marrë hak), si dëshmitar i gjamës së Përronit, shpifet enkas më tepër për të marrë hakun e të atit, që kishte qenë vra në atë ditë të fundme, ndërsa Gjormi, një njeri që pati humbur gjyshin në atë ditë të zezë, në mënyrë të paimagjinueshme dhe ideale, merr në mbrotje Zekën, burrin trim dhe dinak, mbase burrin luan dhe dhelpër, njëherit, të pamposhtur nga asnjë rrethanë dhe bëmë që lidhet më gjakmarrjen, gjithnjë sipas njerëzve të fshatit shkaktari kryesor dhe fajtori i kaspëhanës së asaj mbasdreke, e cila nisi thjesht si lojë dhe shpëjt rrëshqiti në tragjedi të papame, por e vështron dhe e mbron si hije dhe fantazmë. Pikërisht në këtë episod, ekstrem dhe fundor, ku luhet jeta me vdekjen, komedia dhe tragjedia, gazi me vajin, fiket edhe jeta e Zekës, shajnisë kryesore të asaj ngjarje të tmerrshme, burrit të paepur dhe mister, madje fiket befasisht dhe pa dhunë, siç askush nuk e priste që ndodhte kështu. Prandaj, konflikti dramatik aq i rënduar, merr udhën e zgjidhjes krejt papritur, por zgjidhet fundekrye në mënyrë arstistike. Në dukën e fundit të pjesës së dytë të dramës, tashmë skena sundohet vetëm e vetëm nga gjyqtari, që e ka fshirë historinë e mëparshme dhe ka hyrë në hullinë e jetës normale, të gjyqeve të zakonshme dhe krejt të rëndomta. Epilogu, në mënyrën më të dhunshme, si fillim i mbarimit të tmerrit, mbase të tmerrit të merituar, shpalos fundin e Zekës, protagonistit të dramës.

MIDIS KANUNIT DHE LIGJIT

Drama Lojë mbasdreke, mbase teksti më i fuqishëm dramatik që trashëgojmë prej Camajt, jo vetëm për shkak të kolizionit të thekur dramatik, por më tepër për arsye të parashtrimeve të qëmtuara të veprimit dhe dialogut të gjetur dhe ironik në një masë të konsiderueshme, vendos në qendër të vetë një konflikt paradoksal, një përplasje mjaft të hershme, por që megjithatë rrezaton edhe sot e gjithë ditën, por në skenë më shumë shpërfqqen hijezime të prekshme të natyrës vrastare të gjakmarrjes, edhe në këtë shekullin e ri. Thelbi i konfliktit dramatik të kësaj drame me nuanca të dukshme tragjike dhe komike, pra më tepër të një tekstit tragjikomik të pastër, lidhet me përjetimin e përplasjes:

– Si një ndodhi tipike e rrathëve të çemendura të kanunit, madje edhe e njëfarë pamundësie për ta shmangur këtë lloji ndeshje dhe shpagimi, që buron më shumë prej vetë genit të banorëve të atyre anëve, natyrisht me rrezatime të thekura universale, e cila ka ndodhur këtu e pesëdhjetë vite më përpara, e tashmë në kushtet e ligjit, e ligjëshmërisë së çdo sistemi, është tepër e vështirë që të zgjidhet me ato mjete dhe forma që burojnë prej kanunit, por gjithashtu është jo pak e vështirë për të marrë një përgjigje të drejtë dhe humane qoftë edhe prej ligjit, sado demokratik.

– Si një element i frikshëm dhe plot llahtar, siç dhe përjetohet gjakmarrje dhe ankthi i kanunit, që tashmë edhe merret për gjykim në një kohë tjetër, madje edhe kur ka rënë sistemi i zgjidhjes së përplasjeve të gjakut me anë të kanunit, të rregullave fikse dhe juridike, porse të tejkaluara në kushtet dhe rrethanat e funksionimit të shtetit dhe të ligjëshmërisë, në një kontekst të ri dhe të tjetërsojshëm, kur funksionojnë ligjet dhe shtetit, ndonëse për kohën shkrimore, si dhe për realitetin letrar që projekton autori është diktatura që sundon mbi gjithçka, por njerëzit, personazhet e veprës e bartin dhe e shpalosin me forcë edhe mentalitetin kanunor, mbase si një vel dhe tis i pashqitshëm kaq lehtësisht nga qenia dhe ndërgjegjja njerëzore. Në këtë përplasje (ndeshtrashë), të pashoqe dhe mjaft të vështirë për t ‘u drejtpeshuar dhe zgjidhur, autori me finesë dhe mjeshtri, me art dhe shprehësi, ka ndërfutur në veprim lojën, lojën e pastër dramatike por edhe me nuanca komizmi të thekur, që shpesh sendrtohet dhe anon nga paradoksi dhe rolit parësor të alogjikes, as gjyq siç e kërkon rregulli ligjor dhe çdo lloji shteti, e as kuvend sipas ligjeve të kanunit të hershëm, një mënyrë kjo e papritur dhe e habitshme, megjithatë e pagjasshme në hapësirat ku edhe sundon ligji dhe shteti, por e pashmangshme në mjedisin ku edhe luhen ngjarjet. Loja, kjo gjetje letrare dhe dramatike autoriale, loja e mrekullishme artistike dhe dramatike, e Camajt, kryen dy fonksione:

– Edhe të realitetit konkret dhe jetësor, përjetues të gjamës, mbase të ndodhive të përsëritshme në ato anë, por edhe në një hapësirë më të madhe se sa kaq, natyrisht e shoqëruar mjeshtërisht edhe me një përthyerje të dyzuar të kanunit, të mendësisë së mbijetesës shpirtërore të ligjit të moçëm të shqiptarëve, të përhapur në të gjithë trojet, në mungesë të shtetit, por përngjiturazi me të edhe të ligjit shtetëror, që e shmang dhe e bën të panevojshëm veprimin e të drejtës zakonore, pra të kanunit, qa shumë të përfolur dhe të keqkuptuar.

– Edhe të sugjerimit të një realiteti letrar simbolik, pra më tepër imagjinar, të projektuar dhe sendërtuar nga autori pikërisht kështu, ku realja dhe irealja, frymorja dhe e prekshmja, konkretja dhe historikja, ndërthuren ndërmjetshëm kaq fuqishëm, sa për të realizuar një tekst letrar surreal dhe tepër terheqës. Prania e shenjave konkrete dhe simbolike, imagjinare dhe ireale, jetësore dhe letrare, madje më shumë në një gërshetim të ndërlikuar, të ndërlidhur ndërmjetshëm, i jep dramës së parë të autorit një gjurmë dhe shenjë të prekshme surrealizmi të mirëfilltë, ku gjallojnë dhe frymojnë figura surreale, jetësore dhe fantastike, që e përjashton krejt natyrshëm njëngjyrësinë konkrete.

DRAMATURGJIA E LOJËS MODERNE

Substanca dramatike e shtrirë në dy pjesë kryesore të veprimit dramatik, të këtij teksti dramatik dhe më gjasë më tepër tragjik, dhe në disa pamje (dukë), ku edhe zbulohen dhe portretizohen personazhet kryesorë dhe dytësorë, po ashtu e hapur me një prolog rifromulues të qëndrimit të autorit, si dhe e mbyllur me një epilog me natyrë ritreguese e nodhive të dramës, sendërton një vepër dramaturgjike klasike, në strukturë dhe kompozicion, më të dukshme në rrafshet sipërfaqësore. Porse, po aty dhe diku thellë veprës, më në brendësi të sekuencave dramtike dhe tragjike, e nganjëherë edhe komike, të veprimeve dhe replikave, të unitetit të tekstit letrar, farfuritet dhe shpalohet edhe modernia, madje në kuptimin e parë të kësaj fjale:

– Në dramatikën e veprimit, që mundëson dhe ndikon në shpërfqajen e ndodhive dhe të protagonistëve, nga njëra dukë (pamje), në tjetrën, të cilat në hapësirat e tekstit dramatik lëvizin dhe spostohen sipas parimit të fragmentaritetit, pra të grimcimit të ndodhisë në disa pjesë përbërëse, të cilat mëgjithatë i ruajnë marrëdhëniet edhe më tërësinë e tekstit të dramës.

– Në dritëhijet që bartin personazhet, pra jo si figurime të ngrira dhe klishe, çka lidhet me portretizimin e tyre si karaktere, me botën e brendshme dhe mendimet e qarta të përfaqësimit, dhe jo si fotografime ideshë. Duke qenë kështu, nën vrundujtë e qëndresës dhe thyerjes, forcës dhe shembjes së papritur, heronjtë e veprës të mbeten në mendje, veçmas për kohenrencën që ravizojnë në të gjithë materien e tekstit, pra ruatjen e tipit si njerëz dhe nivel i përfaqësimit të grupeve të ndryshme sociale.

– Në hapësirën e zgjeruar të tekstit dramatik, si mjeti adekuat i realizimit të dramës, por edhe të skicimit dhe plasimit të karaktereve të pranishëm, të pasur me shprehje frazeologjike, huajtur në poetikën e gojore, në replikat dhe dialogimin karkaterizues dhe individualizues. Teksti dramatik, i kësaj drame, gjithashtu, sendërtohet me disa rrafshe ndërtekstualiteti, duke fromuluar, formatuar dhe artikuluar modernitetin e brendshëm të dramatikës së autorit.

– Në zgjidhjen e butë, si me thënë në vend të përlasjes së ashpër, që buron prej vetë karakterit të kolizionit dramatik dhe krejt të papritur midis kanunit dhe ligjit, fajtorëve dhe hijeve që çapojnë hapat e jetës, si dhe të fjalëve dhe veprimeve që kryejnë persponazhet kryesorë dhe dytësorë të dramës. Ndarja e merituar nga jeta e protagonistit të veprës, për shkak të veprimeve të tij kryerë në atë drekë të mortshme, por edhe më vonë duke heshtur dhe fshehur të vërtetën e atij tmerri, duke u endur kështu në atë formësim artistik të shpallur dhe të hapur, vetvetiu shkaton një turbullim ndjesinash, që anësohet nga mëshira dhe urrejtja e shkalafitur, nga mëshira që buron prej nevojës për t’u liruar prej ankthit dhe tmerrit që përçon ndodhia e largët edhe sot e gjithë ditën. Këto shenja letrare të prekshme në realizmin e pjesëve, të pamjeve të shumta, por edhe të prologut dhe epilogut, padyshim edhe të tjera, dëshmojnë qartësisht për shkrimin dramatik me natyrë të pastër moderne. Modernia e prekshme në kompozim, ku ndarjet funksionale vetëm sa e nxjerin në pah këtë tipar, vizatimi i personazheve përmes fjalës dhe veprimit dramtik, e sidomos loja e thuarur, loja dramatike dhe me nuanca të pastra komike dhe tragjike, i japin dramës Lojë mbasdreke veti të dukshme të një shkrimi modern, çka e ngjit veprën në nivelin e kryeveprave të autorit, por edhe të teksteve dramatike me vlera, të shkruara në letërsinë bashkëkohore.

RREZATIME TË PËRSOSJES LETRARE

Skenat dhe gjendjet dramatike të veprës, edhe në situatën e nëndarjeve në pjesë dhe pamje, pa harruar edhe prologun dhe epilogun, e sidomos sekuencat shkrimore, të tipologjisë së ndërthurjes së teknikvae klasike dhe moderne, një përftesë letërsishkrimore e dramatikës, gati e papranishme në letrat shqipe, e shpërfaqin dramën, skenat, dialogun, personazhet edhe me shenjëzime letrare, të përveçuara dhe impresionuese. Shenjëzimet letrare, me rrezatime përsosje janë të prekshme:

Së pari: Në mënyrën e kapërthimit të kolizionit dramatik, i cili bart edhe shenjat dramatike, edhe tragjikomike, që tregon cakun e ndarjes dhe të përbashkimit të dy botëve, të largëta dhe të afërta, përkatësisht të botës së kanunit dhe të asaj të ligjit, jo pak e pranishme në trojet shqiptare në të gjithë historinë. Pikërisht, përplasja e paimagjinueshme e këtyre dy botëve, dy mentaliteteve, e formaton konfliktin dramatik, edhe më të fuqishëm edhe më real, madje më artistik në kuptimin e konceptimit të veprës dramatike.

Së dyti : Brenda dramës, pra në materine e tekstit kryesor, mjeshtërisht autori ka ndërshtënë edhe dromca ngjyrimesh tragjike dhe komike, të cilat e kanë nxjerrë në një dritë tjetër situatnë dramatike. Tragjikja, e pranishme në ndodhinë e largët, por edhe në humbjen e heroit qëndror, pra të Zekës, lidhet pandarazi me gjamën e tmerrshme që shkakton gjakmarrja, njëra prej shkatërrueseve të jetës në këto anë. Komikja, nga ana tjetër, një gjetje dhe stilemë autoriale, e fytyrëzuar si lojë e lirimit prej makthit të gjakmarrjes, të cilën pamundësisht nuk e ter as koha.

Së treti : Fundi i heroit qëndror, figurës më intertesante dhe më të realizuar të dramës, një mbarim i papritur dhe në logjikën artistike që paraqet ky tekst dramatik. Një fund as tragjik, e as komik, një fund njerëzor ku kandilija e jetës shuhet vetiu, madje duke e merituar këtë fikje. Kjo mënyrë e largimit nga jeta të protagonistit, ndonëse e përfshirë në një lojë tragjikomike, është fati i njeriut, fati i qenies së përkohshme individuale, por edhe i përjetësisë si univers i ekzistencës së qenies njerëzore, e cila në rretheqarkëzimi e kanunit dhe të vështirësive që sjellë ai bëhet edhe më paradoksale.

ZEKA DHE BJESHKA

Një prurje më vete e dramës Lojë mbasdreke, një befasi letrare e shkrimtarit në të gjithë pentagramin letrar, është edhe vizatimi i personazheve, përmes dialogut, replikave dhe veprimeve. Në morinë e këtyre personazheve, si më të realizuarit e kësaj vepre, në kuptimin letrar dhe karakterial, janë dy protagonistët e veprës, Zeka dhe Bjeshka. Zeka, sipas gojëdhënës së përhapur atyre anëve, njeriu që shkaktoi tragjedinë në drekën mortore, njeriu që u ka shpëtuar përmbrekulli pritave dhe gjyqeve, njeriu që e pa vdekjen me sy, që vrau sa deshti për të mbetur vetë i gjallë. Po ashtu, dhe kjo shkakton habi tek çdokush, Zeka është edhe njeriu që diti ta fsheh të vërtetën për pesëdhjetë vjet rresht. Ky Zekë burrnor, dredharak gjer në mosqënie, ky burrë që ka bërë për vete vashën e re dhe e ka lidhur pas vetes gruan e bukur të quajtur Bjeshkë. Figura e gruas së Zekës, është tipikisht dhe letrarisht një karakter i besueshëm i atij mjedisi, i cili pjellë krenari dhe nënshtrim ndaj mjedisit, kanunit dhe të parit të shtëpisë. Dy figurat kryesore, ndonëse në ndërlidhje reciproke, janë konceptuar nga autori edhe si kontrast figural, në të gjitha kuptimet e mundshme, fizike, pamore dhe letrare. Megjithatë, kontrasti më i fuqishëm dhe krejt i prekshëm, lidhet me karakterizimin e veçantë që u ka mveshur shkrimtari dy figurave qëndrore të dramës. Nga njëra anë, Zeka si kryehero i veprës, që mbart mbi supet e veta peshën e asaj ndodhie, por edhe të ngjarjeve të mëvonshme, është konceptuar dhe realizuar si personazh kompleks, ku ndërlikimi i qëllimshëm letrar, vetëm sa ndihmon për ta shpërfaqur më të plotë botën e tij. Në anën tjetër, Bjeshka, bashkëshortja e re dhe tepër e mrekullueshme, simbolizon dhe paraqet adhurimin dhe bindjen ndaj Zekës, duke u shpërfaqur në një linjë të njëtrajtshme. Plazmimi i dy personazheve si përplotësues të njëri-tjetrit, dhe të lidhur përjetësisht, aq më tepër me tipare të shenjave karakteriale, i shpërnërron vetiu në figura të realizuara fuqishëm nga ana artistike.

GJORMI- HIJA E AUTORIT

Një personazh mjaft interesant i dramës, krejt i ndryshëm nga të tjerët dhe tjet funksional në sekant dhe në hapësirat e tekstit, është Gjormi, malësor tashmë im transformuiar në intelektual të një kohe tjetër, që gati i ka shkëputur marrëdhëniet më kanunin, si dhe më rregullat e moçme etike të mbijetesës shqiptare, një figurë ku më së shumti frymon idealiteti autorial, domethënë një allterego e fshru e shkrimtarit. Gjormi, sipas tekstit dramatik dhe situatave që ngreh ai dhe i luan mrekullisht, paraqet një personazh kompleks dhe me kahje të përmbysjes së tipareve mishëruese të përmbysura në këndej kohën, porse ai njëherazi bart edhe një dyzim të prekshëm si figurë dhe karakter:

– Njeriu, të cilit i kanë vrarë gjyshin, pikërisht në atë ndodhi të largët, dhe ai pa vrasje ndërgjejeje është i gatshëm që ta fal gjaksin, madje edhe të bëjë hajgare me të. Ky veprim, i papritur dhe i admirueshëm, natyrisht në pikëpamje të idealitetit, bie ndesh me gjithë mentalitetin e pranishëm në ata zonë, në atë krahinë dhe madje në të gjitha trevat shqiptare, të porsadala nga lufta botërore, por kjo është më e theksuar në pikën e lartë ku edhe luhen ngjarjet e veprës.

– Gjormi, i rritur dhe ndryshuar, burrëruar dhe me ndërgjegje të përmbysur, tashmë avokat, pra i shkolluar në drejtësi, që sapo ka kryer studimet, që nëprmjet kësaj ngjarjeje tmerrësisht të hidhur dhe fatale, kërkon vetëm të zbulojë të vërtetën, të vërtetën lakuriqe, ashtu siç ngjau asaj mbasdrekje, sa për të mbrojtur temën e diplomimit, pra të shkollimit të vetë, sa për të prekur realisht rrjedhën dhe përfundimet e saj ndodhie të frikshme edhe mbas kaq e kaq motesh.

– Gjormi si intelektual dhe njeri me shkollë, një personazh më tepër ide, që për shumëçka hiç nuk i përket atij mjedisi ku edhe ngjet tmerri, por edhe ku luhet pasngjarja. Kuptohet që sipërmarrja për ta falur gjaksin, siç nuk ndodh me këdo të asaj ane, e sidomos sajimi kaq i hollë i lojës, i lojës tragjikomike, i lojës së mendjes për të rrëmuar në të kaluarën, e rrëshqet më tepër në tipin e njeriut ideal, që në emër të humanizmit dhe të ideve të kohës del mbi veten, ai kështu siç shpalohet është mbase një alterego e shkrimtarit. Qenësia e tij si e tillë, me këto tre atribute të mirëfillta, edhe me prejardhje nga këto anë, pra si rrënjës është pak e vështirë për ta falur gjakun, por edhe i ndryshuar dhe transformuar, pra i mbingarkuar me veti karakteriale dhe me jo pak ndryshime, bëhet e prekshme si pentagram i përmbysur edhe nga fakti, që loja më së tepërmi përfaqëson një metaforë të gjetur arti, mbase një simbol të kërkuar dhe artikuluar, me një fjalë një figurim letrar për ta sendërtuar artistikisht kolizionin dramatik, madje nëpërmjet përngjyrimeve që bart kjo figurë, duke e spërkatur edhe me ngjyrime tragjike dhe komike, ta pasurojë dhe plasojë plotësisht si personazh. Loja metaforë e teksti si dialog dhe monolog, si ndarje dhe tërësi, e përfshirë në tekstin dramatik, në zbulimin e heronjëve, në shpërndërrimet që ndodhin në ndarjet e shumta që ka ky tekst dramatik, në mënyrë që nga e vjetra, nga e hershmja morale, nga shkatërrimi kanunor, të dilet duke qeshur. Simbolika e lojës, e lojës për shaka, e lojës për të qëmtuar nëpër vatrat ekzistenciale të qenies njerëzore, ideuar dhe realizuar nga Gjormi, e pranuar edhe nga personazhet e tjerë, madje e kryer dhe e perfunduar me kaq sukses me mbështejtjen e tyre, buron nga dëshira për t ‘u dëlirur prej botës së vjetër, që vijon që ta brejë shoqërinë shqiptare, edhe kësaj ndërkohje. Prania e sfondit metaforik dhe simbolik, mbase të dyfishuar si tonalitet, si një shrkirje organike dhe funksionale ndërmejt tyre, ka figuruar dhe pasuruar dramën, ndodhitë dhe veprimet, si dhe replikat që shkëmbejne personazhet në një befasi letrare. Kjo befasi, nga më të spikaturat në krijimtarinë e Camajt, duke marrë në shqyrtimi poezinë, prozën, studimet letrare dhe gjuhësore, vjen prej papranisë së pranishme të autorit, e konturuar dhe mishruar në figurën e Gjormit, një malësor i ndryshuar gjer në përmbysje të plotë.

DIALOGU DHE SHPREHJET FRAZEOLOGJIKE

Veçanësitë e shkrimit të dramës Lojë mbasdreke, njëri prej teksteve më të fuqishëm letrar të endur prej autorit, janë të prekshme edhe në dy elementë thelbësor të sendërtimit të veprës:

A – Në dialogun e rrufeshëm, karakterizues dhe identifikues, shenjues dhe shëmbëllyes, i cili në shumicën e dukjeve të të dy pjesëve, e po ashtu edhe në prolog dhe epilog, shpërfaqet si replikë e fortë, e shpejtë, kinse e atypëratyshme, që ndikon drejtpërdrejt në ecjen e veprimit dramatik, aq të tendosur prej karakterit të konfliktit dramatik. Merita e autorit, në këtë aspekt jetik për shkrimin dramatik, ndonëse e ngjyrosur edhe me tone komike dhe tragjike, është karaketrizimi i personazheve, papërjashtim e të gjithë figurave që parakalojnë në faqet e dramës, sidomos me anë të fjalëve që shkëmbejnë ndërmjetshëm, ku bie në sy skalitja që i bën secilit prej këtyre figurave të kësaj vepre.

B – Prania e frazeologjive, një tipi ligjërimi të ngurosur dhe të huamarrë në poetikën gojore, në replikat që shkëmbejnë mes tyre personazhet, është njëra prej shenjave përveçuese të shkrimit dramatik në këtë tekst. Madje, në një kuptim më të ngushtë dhe letrar, shprehjet frazeologjike, të përpunuara ose të pandryshuara, bartin thelbin e përbashkimit të personazheve që hyjnë e dalin në skenë. Frazeologjitë e tipit: Fjala në nemë, thanë edhe si për lojë, kumbon fort randë, disa punë të vjetra s ‘duhet me i përpushë, Punët e vjetra pjellin bolla, Të çova për dru e prune një barrë krande të njoma, Ruaj gjuhë kryet, t ‘qes burrat e vendit e të kuvendit në gjuhë, me ma lanë mue kopilin te dera, me mbathë pelën me krande etj. , e përmbysin dhe riformulojnë dialogun e personazheve me një tharm poetik dhe dramatik të habitshëm. Shprehjet frazeologjike, të pranishme në tekst, të përdorura me masë dhe mjeshtri, kryejnë disa funksione artistike:

– Në identifikimin e plotë të mejdisit social dhe dokësor, kohor dhe hapësinor, klasik dhe bashkëkohor, ku edhe luhen ngjarjet e veprës, të cilët ndikojnë në shpalimin e ndodhive, si dhe në përngjyrosjen e tyre me secilin prej këtyre tonave.

– Karakterizimin dhe skicimin e personazheve, të gjithë figurave të dramës, pa bërë dallimin se janë kryesor dhe dytësor, të ultë apo të lartë në kuptimin e shtresëzimit shoqëror, që kanë peshë dhe funksion në skenat e dramës.

– Pasurimin e shprehësisë letrare, veçan në këtë aspekt e pasurojnë dhe ngjyrosin frazën e dramës, të skenave dhe pamjeve

të shumta, të dialogut dhe replikave, duke i spërkatur fjalitë dhe gjithë situatën gjuhësore me një tis etik dhe filozofik të ngulitun.

Filed Under: LETERSI

ÇABEJ I DISKUTIMEVE NE KONGRESET DHE KONFERENCAT SHKENCORE

August 15, 2024 by s p

Shkruan: Prof. dr. Shefki Sejdiu/

Përpara se të parashtroj disa mendime rreth diskutimeve të Çabejt në tubimet shkencore, temë kjo jo aq e rëndomtë për analiza dhe vlerësime rreth kontributit të një personaliteti të shquar të dijes shqiptare, do t’i thoja disa fjalë rreth institucionit të tubimeve shkencore pa hyrë në imtësira rreth karakterit dhe rangut të tyre.

Tubimet shkencore si forma organizimi e pune janë të një rëndësie të veçantë informimi e interkomunikimi shkencor. Ekziston mendimi i arsyeshëm se shkenca më së shumti përparon përmes tubimeve shkencore dhe separatëve . Në këto tubime zhvillohen edhe aktivitete interkomunikimi intelektual e hulumtues interesash e formash të shumëllojta.

Format e komunikimit dalin nga vet natyra e punës dhe aktorëve që alternativisht bëhen edhe dhënës dhe marrës të mesazheve, që presupozon rolin e folësve përkatësisht dëgjuesve, në këtë rast të kumtesave e të debatit. Nëse një referues trajton çështje të ndryshme, pjesëmarrësi dëgjues mund të motivohet e të cytet të reagojë ndaj kumtesës të një a më tepër referuesve dhe mendimeve të parashtruara. Këtë kompleksitet problemesh e trajtimi e imponon shumësia e universit preferencial kognitiv që kurdoherë është në qendër të vëmendjes së hulumtuesve.

Gjatë procesit të komunikimit shkencor qoftë ky edhe i institucionalizuar siç është edhe i tubimeve shkencore, paraqiten forma institucionalisht e motivisht të ngarkuara që shprehen si diskutime, intervenime (ndërhyrje), respektime (sqarime), debatime, polemizime, qortime (të buta e të ashpra) e grindje, që krijojnë paradigmë edhe hierarkike nocionesh komunikimi.

Konferencat shkencore kanë qenë pjesë e pandashme e veprimtarisë së frytshme shkencore të Çabejt. Ai përfaqësoi gjuhësinë shqiptare në vend dhe jashtë vendit. Çabej i konsideronte diskutimet shkencore të një rëndësie të veçantë. Diskutimin në Kuvendin e Parë të Studimeve Ilire (1972) e ka filluar me fjalët që meritojnë të shënohen: “Besoj, thotë Çabej, se DISKUTIMET e djeshme dhe të sotmet na kanë vërtetuar më së miri që në kongrese e në kuvende DISKUTIMET e SHKËMBIMET e mendimeve shpeshherë dalin më të frytshme se kumtesat, ligjëratat e referatet” .

Në saje të formimit të tij intelektual e shkencor Çabej ka ndërtuar një sistem pune e veprimi në tubime shkencore nivelesh të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare ku janë trajtuar çështje albanologjike të periudhave të ndryshme që nga lashtësia deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

I bindur për kompleksitetin e çështjes, Çabej iu kushtua çështjes me seriozitetin më të madh (e, për çështje të tilla është e nevojshme pjesëmarrja e hulumtuesve shqiptarë me kumtesa e me diskutime) sepse duhej përballur me ide e pikëpamje jo gjithherë shkencore të bazuara, subjektive e simpliciste, intencionale e me referenca jo të plota e jo reale. E, dihet tanimë se fusha apo aksi i referencës është hapësirë ku rrahën mendimet për hulumtimin dhe gjetjen e reales, të cilën pra duhet hetuar, gjetur, veçuar, njohur e vlerësuar brenda universit kognitivo-referencial. Por, kur realja, e vërteta, e kërkuara perceptohet dhe konceptohet e shtyrë nga motive intencionale, subjektiviste e individualiste, ky lloj perceptimi shpie tek shumësia e mendimeve që provokojnë debat. Mbi këtë bazë motivuese edhe qëndrojnë ndërhyrjet e Çabejt rreth kumtesave e diskutimeve të dhjetëra studiuesve të njohur si V’. Georgiev, Katiçiq, Desnickaja, Gëlëbov, Rich, Al. Roseti, Mihaescu, Galdin, V. Pisani, C. De. Simone, Bonfante, St. Mann, Z. Skiro, Ajeti, Ceka, Z. Sako, Demiraj, Lafe etj.

Po, si duket paraqitja e Çabejt në diskutimet në vend dhe jashtë vendit, përkatësisht në raport me vendorët dhe të jashtmit?

Me bashkëkombësit e tij Çabej është kolegjial, didaktik e principiel; me të huajt (mysafirë) tek Çabej vërehet ndjenja e mikëpritjes, e përgjegjësisë dhe e respektit, por edhe e parimësisë dhe konsekuencës.

Jashtë vendit, Çabej me bashkëkombësit e tij është i afërt, i kujdesshëm dhe metodik, kurse me të huajt është i matur, i paimponueshëm, serioz, dinjitoz, principiel, me një ndjenjë të theksuar kompetence, përfaqësimi e përgjegjësie intelektuale.

Te Çabej edhe si diskutues duket i çartë formimi dhe informimi si në fushë të gjuhësisë njashtu edhe në disciplina të tjera konvergjuese që lidheshin me origjinën, atdheun, historinë dhe gjuhën e popullit shqiptar.

Çështjet rreth të cilave Çabej ka debatuar në konferenca janë nga më të ndryshmet: si ato rreth origjinës së popullit, të gjuhës dhe vendit të formimit, rreth autoktonisë dhe argumenteve dhe dëshmive të sjella nga disciplina të tjera konvergjuese diakronike, rreth fenomenit të ambiguitetit, apriorizmit, simplifikimit, rreth fiksimit të kritereve, rreth subjektit gjuhësor, rreth shtresimeve dhe krahasimeve midis gjuhëve (psh. mesapishtes e shqipes), rreth ndarjes kentum-satem, rreth marrëdhënieve kelto-ilire, rumuno-shqiptarëve, rreth kontakteve dhe ndikimeve lashto-greko-proto-shqiptare, latino (proto) shqiptare, rreth evoluimit të tingujve, rreth gemina(n)teve në shqipe, rreth ndikimit të faktorëve të jashtëm në karakterin ballkanik të shqipes, rreth nyjave, rreth leximit dhe interpretimit të mbishkrimeve, etj.

Në të gjitha këto çështje të trajtuara nga të tjerët, çoftë në formë kumtese apo diskutimi, Çabej në ndërhyrjet e veta tregohet njohës i mirë i problemeve me sens të theksuar të çështjes interdisiplinare, induktivist e komparativist, që mjeshtërisht shfrytëzon evidencat gjuhësore dhe kontkstet e ndryshme për njohjen e çështjeve që trajtoheshin.

Në diskutime Çabej çorton çasjet simpliciste, arbitrare, improvizuese, intencionaliste, si dhe rekonstruktimet dhe gjeneralizimet e bazuara në të dhëna ekskluzivisht të izoluara e eksterne (Vl. Georgiev). Përkujton kritere e parime universale e specifike, vlerësuese, saktësuese (E. Lafe); sugjeron përcaktimin e vlerave të koncepteve si p. sh., invencion, konservacion gjuhësor (Sh. Demiraj) .

Shikuar nga aspekti metodologjik Çabej ndjek rrugën e argumentimit dhe arsyetimit: nuk e çorton autorin (e kumtesës apo diskutuesin), por idenë e tij të shfaqur hic et nunc; në disa raste pa e shfaqur në mënyrë explicite mospajtimin me referuesin apo diskutuesin, Çabej ia kundërvë mendimin e vet (si te Boissin). Ndodhë që të pajtohet me mendimin e referuesit për çështje të caktuara (Roseti, Ajeti), por me qëllim përforcimi e potencimi sjell edhe mendime të ngjashme të të tjerëve, pra përforcon hipotezën. Ka raste kur duke mbrojtur mendimet që aty shfaqen (A. Desnickaja) mbron edhe të vetat, kështu që (shpeshherë) përdor edhe mënyra indirekte komunikimi (Georgiev, Desnickaja, Çabej).

Ndodh që referuesit a diskutuesit Çabej t’ia pranojnë njërën anë të sqarimit të çështjes, por gjatë diskutimit Çabej jep sqarime edhe për pjesën tjetër (tek Bonfante) . Diskutimi i tij shpeshherë është sqarues e mjaft diskursiv, pra edhe argumentues me elemente krijimtarie spontane të dala nga një situatë ad hoc; shumë diskutime të Çabejt u ngjajnë kumtesave të shkurtëra me rezultate të dukshme.

Bie në sy edhe realizimi gjuhësor, përkatësisht strukturimi formal e përmbajtësor për këtë lloj komunikimi shkencor. Toni dhe ritmi si dhe struktura e tekstit janë të stilit akademik dinjitoz (V. Georgiev: centracionist, kategorik, autoritar = Çabej: decentracionist, relativist, tolerant) .

Çabej në rrafshin preferencial përdor referenca të plota dhe joekuivoke dhe jo-intencionale, eviton struktura të tipit elokutor, si: them, kundërshtoj, heth (poshtë), korrigjoj e, në vend të tyre përdor modelet: më duket, mendoj, supozoj, saktësoj, etj.

Përdor veten e parë të shumësit për rezultate, suksese, kurse veten e I të njëjësit e përdor tepër rrallë që sugjeron modesti dhe vetpërgjegjësi. Në diskursin debatues të Çabejt më shpesh del veta e tretë e njëjsit apo pavetësorja si forma objektive e depersonalizuese (Traimer, Ajeti) .

Gati gjithëherë emrat e individëve, qofshin ata autorë të kumtesave, diskutues apo reflektues, janë të paraprirë nga titujt, thirrje dhe struktura të tjera honorifike.

Në Diskursin debatues të Çabejt në Konferenca shkencore më së shpeshti hasën format dëgjim, observim, mendim, pritje, dëshirë, urim, përgëzim, kurajim, pohim, saktësim, sqarim, plotësim, prurje, përzgjedhje, krahasim, argumentim, vlerësim, konkludim, të artikuluara me struktura verbale, rëndom në vetën e parë shumës, struktura këto që përbëjnë një lloj paradigme konceptuale ndërkomunikuese e vlerësuese shkencore.

Dhe për fund do të shtoja se shumë raste Çabej nuk i hesht as ngatërrimet (e që dalin me qëllim apo pa të) midis primares e sekondares, universales e partikulares, esenciales e formales, kreatives e improvizueses, shkencores e arbitrares, kompatibiles e inkompatibiles – kategori këto kundërvënëse aksiologjikisht dhe epistemiologjikisht relevante.

(Nga libri ne doreshkrim)

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 799
  • 800
  • 801
  • 802
  • 803
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT