• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJUHË SHQIPE DHE IDENTITET KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË SELANIK TË GREQISË

August 12, 2024 by s p

Lindita Budini, mësuese në kursin plotësues të gjuhës shqipe, nismë e shoqatës “Nënë Tereza” në Selanik, Greqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Selanik, Greqi, nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe, historisë, traditës e kulturës shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Lindita Budini bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

SHOQATA “NËNË TEREZA” DHE NDIHMA NË ZHVILLIMIN E KURSIT PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE NË SELANIK

Kursi plotësues i gjuhës shqipe ka qënë një nismë e shoqatës “Nënë Tereza” qysh në fillimet e saj para 20 vjetësh me mësimdhënie falas të gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve shqiptarë nga mësues vullnetarë emigrantë. Mësimet zhvillohen në ambientet e Universitetit “Aristoteli” (Fakulteti Pedagogjik), çdo të shtunë 15.00 – 17.00. Gjatë aktivitetit tonë numërojmë kurse mësimore edhe në zona të tjera. Nea Redhesto, Janica, etj. Mbi 1000 fëmijë kanë ndjekur mësimet gjatë këtyre 20 viteve.

KURRIKULA MËSIMORE, ANGAZHIMI I MËSUESVE E PRINDËRVE

Sigurisht që në 3 vitet e fundit punojmë me tekstin Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare, i dërguar nga Qendra e Botimeve për Diasporën(QDB). Është një libër me të cilin mësuesit dhe nxënësit gjejnë kënaqsi ndërsa shfletojnë cdo faqe dhe mësojnë gjuhën tonë të bukur. Gjithashtu mësuesit përdorin dhe shumë materiale të tjera që i gjejnë nga jeta e përditshme ose interneti duke e sjellë Shqipërinë tonë të dashur më afër. Është për t’u përmendur që mësueset e shoqatës mbajnë kontakte me koleget e tyre në Shqipëri dhe gjithmonë kemi risi në organizimin jo vetëm të mësimit po edhe në festat kombëtare ku përgatitim një program kulturor dhe argëtues me pjesmarrje jo vetëm të anëtarëve të shoqatës po edhe autoriteteve. Përsa i përket teknologjisë, duke qënë se internet është burim informacioni, mësueset përpiqen të sjellin në klasë muzikën ose këngët shqiptare të ofruara në youtube, pjesë teatrale, filma, lexime dhe programe kur nxënësit pregatiten për festat. Përvec kësaj, nxënësit na tregojnë video që kanë realizur gjatë kohës që vizitojnë Shqipërinë. Gjithashtu organizimi i bisedave të hapura dhe seminareve me tema mbi emigracionin, mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe janë pjesë e aktivitetve të shoqatës. Patjetër që organizimi i ekskursioneve me nxënës, prindër dhe anëtarë të shoqatës me qëllim argëtimin dhe zbavitjen e të gjithëve në një ambient 100% shqiptar është tashmë traditë e shoqatës “Nënë Tereza.

MËSIM SHQIP NË UNIVERSITETIN “ARISTOTELI”

Për fatin tonë të madh, ambientet ku ne zhvillojmë kursin plotësues të gjuhës shqipe janë mjaft të përshtatshme. Kështu që u jemi shumë falenderues autoriteteve të universitetit Aristotel që çdo tetor na pranojnë që të zhvillojmë mësimin në kushte normale. Janë krijuar ura bashkëpunimi pasi shpesh herë nxënësit, prindërit madje dhe mësueset janë bërë pjesë e studimeve të dy gjuhësisë që Fakulteti i gjuhësisë zhvillon. Në vija të përgjithsme të mësuarit e gjuhës shqipe pritet mirë nga shoqëria greke. Madje ka interes të dukshëm dhe nga qytetarë grekë që duan të mësojnë shqip. Mësuesit grekë e mësojnë shqipen pasi duan të ndihmojnë nxënësit shqiptarë sepse shkollat greke kanë një numër të madh fëmijësh shqiptar. Përsa i përket shoqatave vihet re një bashkëpunim i mirë dhe inkurajues pasi çdo shoqatë përpiqet të hapë kurset e veta për mësimin e shqipes tek anëtarët e saj. Kështu që kurset e gjuhës shqipe janë të përhapura në disa rrethina të Selanikut.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Nuk mund të them që frekuentimi nga nxënësit është shumë i madh. Këtu nuk do ti hedh shumë faj prindërve që nuk i sjellin në kurse, pasi ambientet ku zhvillohet mësimi janë larg nga zonat ku banojnë, por do të doja që secili nga ne të ndërgjegjësohet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe të identitetit kombëtar që kemi. Nxënësit që kemi tani janë brezi i tretë i emigrantëve shqiptarë ne Greqi, të cilët duke qënë se kanë lindur në Greqi ndihen grekë dhe janë të detyruar të integrohen në shoqërinë greke. Po ajo që do doja që këta fëmijë ta konsideronin të mësuarin e gjuhës shqipe jo vetëm sepse është gjuha e prindërve të tyre po është gjuha që na lidh me kulturën dhe na jep identitetin. Ashtu si një pemë me rrënjë të thella që i qëndron çdo stuhie, dhe për ne shqiptarët kudo që jemi, të jemi krenarë për t’u përgjigjur në gjuhën tonë pasi është gjaku dhe shpirti ynë. Në gjuhën tonë të bukur shqipe mendimet dhe ndjenjat marrin formë dhe rriten.

SEMINARI MBARËKOMBËTAR ME MËSUESIT E GJUHËS SHQIPE DHE TË KULTURËS SHQIPTARE NË DIASPORË

Është hera e dytë që marr pjesë në Seminarin mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë. Është kënaqësi kur mësues të gjuhës shqipe nga gjithë diaspora ndajnë eksperiencat e tyre në këtë mision fisnik. Në të katër ditët e seminarit mësuesit dëgjuan kumtesa nga ekspertë të fushës së gjuhësisë, morën pjesë në punëtoritë ku u prekën cështje të rëndësishme në përmirësim të mësimdhënies, dhe u inkurajuan më shumë se përkrahja e qeverisë nuk do tu mungojë pasi në seminar patëm nderin të kishim prezent dhe autoritete nga qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë, Kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci si dhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë, znj. Ogerta Manastirliu.

KUSH ËSHTË MËSUESJA LINDITA BUDINI?

Kam lindur në qytetin e Fierit. Pasi mbarova shkollën e mesme kam studiuar në Universitetin Aleksandër Xhuvani, Elbasan, ku jam diplomuar për mësuese Histori- Gjeografi. Qysh kur isha e vogël doja të isha mësuese, kështu që ëndrra u bë realitet pasi mbarova studimet. Në fakt për shumë pak kohë kam dhënë mësim si mësuese Historie dhe Gjeografie, pasi duke qënë se kisha Certifikatë të mbrojtjes së gjuhës angleze nga Universiteti i Tiranës fillova të jepja mësim anglisht në Qendrën Sociale Murialdo, dhe në qendrat e gjuhëve të huaja “Victory School”dhe “English Corner”. Kam marrë pjesë në shumë seminare trajnimi të gjuhës angleze të cilat kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin tim profesional.
Në vitin 2017 kam ardhur në Selanik jo si emigrante pasi bashkëshorti im është shtetas grek. Nuk mund të harroja profesionin tim kështu që bashkohem me mësuesit e tjerë vullnetarë të gjuhës shqipe këtu në Selanik, në fillim te shoqata “Jeta” dhe në keto 4 vitet e fundit ne shoqatën “Nënë Tereza”. Grupi i fëmijëvë të cilëve u jap mësim fillojnë në tetor njësinë e dytë të Nivelit të parë të librit “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”. Kemi krijuar një rreth miqësor dhe me prindërit e fëmijëve pasi së bashku festojmë ditëlindje ata na nderojnë gjithmonë me pjesmarrjen e tyre në çdo aktivitet që kemi. Në 2010 jam çertifikuar si Youth Worker nga Youth Link në Belfast, Irlanda e Veriut. Në vitin në 2020 u diplomova nga Sheffield University PostGraduate Diploma në “Applied Linguistics with TESOL” me qëllim që të përmirësoja aftësitë e mija në mësimdhënien e gjuhës angleze dhe në vitin 2022 kam frekuentuar shkollën e verës për “Migracioni dhe Kriza e Solidaritetit në Evropë”, organizuar nga CITY College dhe Universiteti York Europe Campus. Aktualisht punoj si mësuese anglishteje e vetëpunësuar. Kështu, profesionalizmi im në mësimdhënien e gjuhës angleze më ndihmon në mësimdhënien e gjuhës shqipe. Dhe jo vetëm kaq, ka nxitur në mua dëshirën që njohuritë që kam ti ndaj me koleget e mija, shtysë që më dërgoi të merrja pjesë dhe në dy seminaret e fundit duke prezantuar në sesionet e seminarit. Jam anëtare prej 3 vitesh e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë të Greqisë.

Filed Under: Opinion

ARTI SI TERAPI, RIGJENERIM SHPIRTËROR, PSIKOLOGJIK DHE EMOCIONAL

August 11, 2024 by s p

Artistja kontemporane Erketa Premti vjen në një rrëfim të pazakontë për “Diellin” e “Vatrës” në New York, ajo shpjegon fuqinë e artit si terapi, magjinë e artit krijues si shprehje e ekperiencës, thellësive e fshehtësive të qënies njerëzore, artin si rigjenerim shpirtëror, psikologjik dhe emocional, artin si shpëtimtar i mëndjes dhe shpirtit, artin si komunikim profesional e shpirtëror me audiencën, zhanrin e krijimit të saj artistik, artin bashkëkohor dhe nudot. Me artisten Erketa Premti bisedoi editori i “Diellit” Sokol Paja.

“ARTI ËSHTË SI MJALTI I DEPOZITUAR I SHPIRTIT TË NJERIUT”

Diku kam lexuar një thënie ku thuhet: “Arti është si mjalti i depozituar i shpirtit të njeriut” që do thotë se arti është një formë shprehjeje e eksperiencave më të thella dhe të fshehura të njeriut. Me ka mbetur në mendje si thënie se diku në këto fjalë gjeta vetën! Një “mjalt i depozituar” brenda meje që ëmbëlsia e të cilit nuk ishte depërtuar e “shijuar” në kaq vite të jetës sime fëminore, rinore dhe madhore. Gjithçka filloi në dhjetor të vitit 2021 ku Covid-19 më “goditi” si shumë e shumë nga ne! Po them me pak fjalë zanafillën e kësaj historie, si gjithmon çdo histori e ka një filllim!

ARTI SI RIGJENERIM SHPIRTËROR, PSIKOLOGJIK DHE EMOCIONAL

Dikur një zonjë e huaj që kam takuar rastësisht në një nga profesionet që kam ushtruar në Michigan për disa vite, kishte kaluar kancer në gji. Në komunikim e sipër një nga pyetjet e mia ndërmjet miqsh që i bëra ishte si e përballoi psikologjikisht dhe emocionalisht lajmin e diagnozës. Përgjigja e saj ishte që mjeku i kishte këshilluar të fillonte diçka që ka pasur dëshirë fëmijë dhe pse nuk ishte ushtruar me pas për të evituar marrjen e antidepresantëve…dhe si fëmijë tha ajo gjëja e parë që fillojmë të bëjmë përpara se të shkruajmë e mesojmë alfabetin janë “vizatimet” në letra dhe pse talent në pikturë nuk mbaj mend të kem pasur. Kështu që mendimi i parë që me erdhi në mendje ishte pikërisht “vizatimet” e rrëmujshme të fëmijërisë kështu që mora një laps e një letër dhe fillova të vizatoja pa ditur se ç’po vizatoja. Fillova ngadalë me një gjethe dhe gjethja u bë lule (punët e saj ishin vetëm lule si në ëndrra)..nga letra në telajo, nga një tërapi u kthye në hobi dhe nga hobi në pasion dhe më pas më tregoi disa nga punët e saj sa që u mahnita dhe e tërë historia e saj më la gjurmë të fuqishme brenda qënies sime. Një ditë të bukur, mbas disa muajsh më vjen përsëri, e lumtur për faktin që ishte shëruar plotësisht, më drejton një pako të mbështjellë me shumë modesti, -për ty më thotë, e hapi dhe shoh një “fletore” me letra vizatimi 8×10, një kuti me bojëra uji dhe 2 penela dhe me thotë në momente të vështira që uroj kurrë mos ti kesh, hapi dhe fillo pikturo. Ti kurrë nuk e di kapacitetin që ke për të bërë diçka të bukur deri në momentin që e bën. E mora me shumë e përlotur për zëmergjerësinë dhe mendimin e mirë sesa me idenë për të ushtruar diçka, aq më shumë art.

ARTI SI SHPËTIMTAR I MËNDJES DHE SHPIRTIT

Që prej asaj dite 7 vite kaluan deri në dhjetori 2021 që më solli atë “momentin” e vështirë që ajo dikur e “predikoi” me frikën dhe panikun e panjohur të së njohurit Covid-19 kërkoi “dhuratën” e futur diku mes kujtimeve të mbuluara nga pluhuri i kohës dhe nxjerr atë që më vonë e quajta në vetvete shpëtimtarin e mendjes dhe të shpirtit. Ashtu e rrënuar e pafuqishme fillova të pikturoj diku një qënush të vogël ditën tjetër një njëri të “përhumbur” dhe pastaj një derbi lady kur pashë çfarë ishte fshehur brenda meje për kaq shumë vite. Dëshira për të vazhduar pikturën harroi dhe Covidin që pak ditë më parë kishte zaptuar gjithë qënien time. Pra ky “mjalti i depozituar” në qënien time po fillonte të jepte shijen e ëmbël të diçkaje të bukur që po dilte në pah nga thellësia ku ishte fshehur!

ARTI SI KOMUNIKIM PROFESIONAL E SHPIRTËROR ME AUDIENCËN

Pak nga pak fillova të ndaja punët e mia artistike si fillim me mikeshat e mia më të afërta dhe kolegët e punës sime, merrja çdo mendim dhe kriticizëm si një njëri i etur për ujë në mes të shkretëtirës kur shikon ujë për hër të par mbas kaq kohësh. Pastaj fillova të ndaj punën time në Social Media. Aty pastaj platforma është shumë më e gjerë dhe mendimet dhe opinionet filluan të buronin dhe nga artista amator dhe professional. I dëgjoja mendimet, kritikat dhe vlerësimet e tyre me përulësi, të cilat më kanë vlejtur dhe vazhdojnë të më vlejnë si një shkollë arti në vetvete. I marr opinionet dhe mendimet nga të gjithë me shumë dëshirë e respekt, se nga to mësoj dhe vazhdoj të mësoj çdo ditë në krijimtarinë time.

ZHANRI KRIJUES ARTISTIK: ARTI BASHKËKOHOR DHE NUDOT

Zhanri im krijues është arti bashkëkohor ku inkludohet në disa nga punët e mia edhe nudo! Bukuria femërore është ekzistenca e humanizmit! Në punët e mia spikatën larmia e ngjyrave, konturet që shoqërohen me detaje që janë karakteristikë e imja dhe në natyrë. Disa nga punët e mia janë frymëzuar nga jeta personale, gjithashtu nga disa mikesha të miat përsa i përket artit nudo, gjithashtu inspiruar dhe nga artistë të mëdhenj si për shembull Patrick Nagel, piktor i viteve 80 që ka vdekur në moshën 38 vjeçare ku sot e kësaj ditë veprat e tij kanë një vlerë shumë të lartë monetare, normal dhe i paarritshmi Van Gogh. Përsa i përket artistëve shqiptarë me tërheqin shumë punët e Artur Muharremit, Artur Gorishtit, Berta Xhomo, Artur Alija e shumë të tjerë.

KRIJIMTARIA ARTISTIKE SI PASION I “ÇUDITSHËM”…

Krijimtaria për mua është jo vetëm si një terapi dhe hobi tashmë po është kthyer dhe në një pasion të “çuditshëm”. Them të çuditshëm se ka pasur netë që nuk kam pasur gjumë, fantazia dhe dëshira për të shprehur atë që kisha brenda vetes ka qenë e pandalshme. Dhe kur pata momentet më të vështëira të jetës nga një problem shëndetësor, ku pagjumësia që sillnin dhimbjet e papërballueshme dhe për të eleminuar ilaçet e dhëna nga mjeku, kam punuar deri në orët e para të mëngjesit për të “harruar” dhimbjet dhe për të “trajtuar” anën psikologjike që sëmundja të përballë. A ndodhë ndonjëherë “mosbesimi” ke vetvetja? Normal që ndodhin “dilemat”, dikur kam lexuar përsëri një thënie ku thuhet “çdo artist ka qënë dikur amator” dhe gjithashtu i madhi Van Gogh dikur ka thënë: “Nëse ti dëgjon një zë brenda teje që të “thotë” që ti nuk je piktor atëherë me gjithë forcën dhe sigurinë tënde pikturo dhe do shikosh që ky zë brenda teje do të heshtë”. Gjithmonë, duke pasur parasysh kokat e mëdha të artit në këtë zhanër motivimi dhe dëshira nuk do mungojë. Normal që perfeksioni vjen me praktikë, unë nuk jam profesioniste gjithashtu as shkollë në këtë fushë nuk kam bërë, po di të them një gjë që për momentin po shijoj bukurinë e atij “mjalti” të fshehur brenda meje që u përmend pak më sipër dhe sadisfaksioni që unë marr prej saj është një legaci që unë do lë në telajo…përgjithmonë.  

Filed Under: Opinion

Profesor Karl Gurakuqi, in memoriam…

August 11, 2024 by s p

Profesori, leksikografi, historiani dhe gjuhëtari i madh, Karl Gurakuqi, lindi më 2️⃣4️⃣ mars 1895, në Shkodër.

Bashkëpunëtor i Koliqit në “Shejzat”, Karl Gurakuqi e kishte përftuar vokacionin e tij të gjuhëtarit dhe leksikografit si sekretar i të famshmes Komisis Letrare Shqipe, themeluar mbi 100 vjet më parë nga një plejadë intelektualësh, si: Luigj Gurakuqi, At Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Sotir Peçi, Mati Logoreci, Aleksandër Xhuvani, Hafiz Ali Korça, Vinçenc Prennushi etj., me mbështetjen e albanologëve austriakë Maksimilian Lamberc dhe Rajko Nahtingal.

Sa kohë ishte në Shqipëri, ai drejtoi të përkohshmet: “Agimi” (1920-1922), “Revista Pedagogjike” (1925-1927), “Mësuesi”, (1928), “Shkolla kombëtare” (1938) dhe redaktoi revistat“Atdheu”, e “Illyria” (në periudhën e dytë,1935-1936), ku botoi në 36 numra rresht një fjalorth fjalësh të rralla me shpjegimet përkatëse.

Më 1944 u zhvendos në Itali (Palermo) ku shërbeu si profesor në Universitetin e Palermos. Bashkë me R. Petrotten e G. Valentinin themeloi Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare, e cila, me konferencat e botimet e saj e bëri Palermon qendrën më të rëndësishme albanologjike të kohës. Gurakuqi ka qenë ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm dhe produktivë të revistës “Shejzat”, e përkohshme kulturore, shoqërore që qarkulloi jashtë atdheut, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e, që vazhdoi pa ndërprerje nga viti 1958 deri në vitin 1974. Gurakuqi botoi në këtë organ rreth 100 shkrime dhe drejtoi rubrikat “Hulumtime gjuhësore dhe botimet albanologjike”.

Vdiq në mërgim, në Palermo të Italisë, më 6 dhjetor 1971.

(Qendra e Botimeve për Diasporën)

May be an image of 1 person

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

55

Filed Under: Analiza

PORTO PALERMO: BURG MIZOR I NJË KOHE MIZORE

August 11, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated
Image result for lek pervizi images

                                                                  Lek Pervizi, ikonë e qendresës 

                                                                             antikomuniste

Përshëndes mikun dhe bashkpuntorin tim në publicistikë të nderuarin e të vuajturin në burgjet dhe kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe të vetmin të mbijetuar sot i kampit të përndjekurve anti-komunist në Porto Palermo – Lekë Pervizin. E përshëndes Z. Pervizi si njërin që ka vuajtur dekada në burgjet më mizore të botës së atëhershme komuniste – ato të regjimit komunist sllavo-aziatik të Enver Hoxhës. Por mbi të gjitha, i mbarë Kombi shqiptar duhet ta falënderojë dhe t’i jetë mirënjohës Lekës për punën e tij që ka bërë fshehurazi gjatë kohës në ato kampe të ferrit komunist për të dokumentuar me vizatime dhe mënyra të tjera, krimet çnjerzore në ato kampe. Por, më tepër duhet t’i jemi mirënjohës atij për dëshminë e tij të palodhur që ka vazhduar të dokumentojë për më shumë se tre dekada tranzicion — për brezat e ardhëshëm – krimet dhe jetën, nëse mund të quhet e tillë, të mijëra të burgosurve dhe të përndjekurve në kampet e punës e të përqendrimit në Shqipëri – përfshir gra e fëmij, pleq e plaka.

Është nder dhe privilegj të flasë për këtë shqiptar të madh, por edhe për shumë të tjerë që kanë vuajtur të zezën e komunzimit. Gjatë viteve, unë jam munduar, në atë mënyrën time më modeste që dokumentacioni dhe dëshmitë e Lekës për vuajtjet dhe krimet në burgjet komuniste, t’i paraqiten sadopak edhe lexuesve të cilët ndoshta nuk do të kishin mundësi të lexonin shkrimet dhe librat e tija, përfshir ato në anglisht. Tepër të rëndësishme dhe unike janë edhe skicat mbi jetën në kampet e përqendrimit – që Leka, si artist e mrekullueshëm që është, i ka paraqitur në ekspozita të ndryshme dhe i ka dokumentuar përgjithmonë edhe në veprat e botuara prej tij. Megjithse në moshën 95-vjeçare, Leka vazhdon të përgatisi revistën e njohur tanimë për lexuesit shqiptarë, Revista Kuq e Zi – online, që vazhdon të botohet sot e kësaj dite, për tre dekada tashti. pas lirimit të tij nga burgjet komuniste, me shembjen e Murit të Berlinit, dhe si pasojë edhe e shembjes së regjimit vrasës e dikatorial të Enver Hoxhës në Shqipëri. Frank Shkreli: Lek Pervizi, ikonë e qëndresës anti-komuniste në Shqipëri dhe më gjërë | Gazeta Telegraf  

Prandaj, ishte kënaqësi të lexoja se në këtë frymë dëshmie e tregimi për krimet e komunizmit, por edhe përkujtimi të mijëra viktimave të komunizmit shqiptar,  Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991, AIDSSH, njofton në faqën e portalit zyrtar se në kuadër të 22-23 gushtit, Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, të përcaktuar nga Parlamenti Evropian, KE dhe Këshilli i Evropës, për të nderuar dinjitetin njerëzor të viktimave të totalitarizmit, do të mbahet aktiviteti, “𝐏𝐨𝐫𝐭𝐨 𝐏𝐚𝐥𝐞𝐫𝐦𝐨 𝐭𝐣𝐞𝐭ë𝐫 – 𝐧𝐠𝐚 𝐤𝐚𝐦𝐩 𝐧ë 𝐩𝐞̈𝐫𝐤𝐮𝐣𝐭𝐢𝐦 – 𝐝𝐞̈𝐬𝐡𝐦𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐩𝐨𝐞𝐳𝐢”, organizuar nga 𝐀𝐈𝐃𝐒𝐒𝐇 në bashkëpunim me 𝐐𝐞𝐧𝐝𝐫𝐞̈𝐧 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞̈𝐭𝐚𝐫𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐋𝐢𝐛𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐋𝐞𝐱𝐢𝐦𝐢𝐭 dhe Bashkinë e Himarës.

Pikërisht, në Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare AIDSSH ka përzgjedhur që në kalanë historike të Porto Palermos të sjellë në vëmendje të shoqërisë, përmes dëshmive, dokumenteve arkivore dhe ekspozitës me portrete njerëzore, vizatuar nga ish i përndjekuri 𝐋𝐞𝐤 𝐏𝐞𝐫𝐯𝐢𝐳𝐢, historinë e pathënë të saj, si vendvuajtje për familjet e kundërshtarëve politikë të regjimit komunist, thuhet ndër të tjera në njoftimin e AIDSSH.   Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991 | Tirana | Facebook

Po cili ishte dhe pse AIDSSH përzgjodhi pikërisht kampin e përqëndrimit Porto Palermo për të kujtuar Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare nepërmjet përkujtimeve dhe dëshmive?  Kësaj pyetjeje i përgjigjet Lek Pervizi, i vetmi i mbijetuari – siç thotë edhe vet ai – i këtij kampi famë keq, në editorialin e numrit të fundit të revistës së tij Kuq e Zi, kushtuar kampit të Porto Palermos, titulluar: “Dy fjalë”.  Leka shkruan se internimet nisën, kryesisht, për familjet e mëdha anti-komuniste, fillimisht, në Berat për familjet nga veriu ndërsa familjet nga Korça u dërguan në Krujë.  Numri i internimeve në këto kampe dhe të tjera si për shembëll, Tepelena u rrit si pasojë e numrit të arratisjeve pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë komuniste me Jugosllavinë, ashtuqë regjimi komunist u detyrua të dërgonte disa nga të burgosurit e të përndjekurit në ishullin Porto Palermo. Kjo ide, sipas Lekë Pervizit, ishte pjellë e Manush Myftiut, Drejtor i burgjeve dhe kampeve të dëbim-internimit dhe anëtar i Byrosë Politike.  Kështuqë kampi i Tepelenës nuk mjaftonte për numrin e madh të përndjekurve dhe autoritetet komuniste u detyruan që në verën e vitit 1949 të transferonin disa familje nga kampi i Tepelenës për në Porto Palermo duke i mbyllur të burgosurit në Kalanë e Ali Pashës. Kështu, shkruan Z. Pervizi, u krijua kampi i Porto Palermos si një aneks i kampit të Tepelenës.  Por pas një viti, shton Z. Lekë, aty u sollën familje, pleq e gra edhe nga Korça e Devolli, por edhe individë nga krahina të tjera të vendit. Ky kamp, sipas Lekës, u mbyll papritmas në Tetor të vitit, 1950 dhe të burgosurit u kthyen urgjentisht në kampin e Tepelenës, duke e kthyer kampin e Porto Palermos në repart ushtarak. Z. Pervizi shkruan në editorialin e tij se në Porto Palermo vdiq një fëmij 10-vjeçe, nëna e të cilës ishte nga Shkreli ose nga Vermoshi, sipas Lekës. 

A poster with text and images

Description automatically generated

Sido që të jetë, Porto Palermo megjith historinë dhe peizazhin mbresëlënës, rreth 70 vite më parë, ka qenë një KAMP INTERNIMI, siç e thekson edhe AIDSSH –por as më i mirë as më i keq se kampet e tjera të internimit anë e mbanë territorit të Shqipërisë — ku me mijra shqiptarë të pafajshëm kanë pësuar dënimet e rënda.  Ndoshta pak më i vogël për nga numri i të burgosurve, por aspak më i butë sa i përket trajtimit çnjerzor e kriminal të burgosurve të pafajshëm — se ai ishte vendi i pothuaj 200 të dënuarve politikë, 𝒃𝒖𝒓𝒓𝒂, 𝒈𝒓𝒂 𝒅𝒉𝒆 𝒇𝒆̈𝒎𝒊𝒋𝒆̈, të cilët kanë vuajtur dhe janë trajtuar çnjerëzisht gjatë viteve 1949-1950, theksohet në portalin e Autoritetit të dosjeve.  Duhet të lavdërohet dhe të mbështetet nisma e AIDSSH që në Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare organizon ekspozitën: “Porto Palermo tjetër – nga Kamp në përkujtim”.

Por për fat të keq, qeveritë e njëpasnjëshme të dy partive kryesore politike në Shqipëri, për më se 30-vjet tashti, nuk kanë pasur guximin moral as vullnetin politik për t’u përballur, zyrtarisht, me të kaluarën komuniste të Shqipërisë, për të dënuar krimet e komunizmit ndërkombëtar, madje as për të caktuar një ditë në vit – ashtu siç ka bërë e gjithë Evropa dhe vendet individuale evropiane – për të kujtuar viktimat e pafajshme të barbarizmit komunist në Shqipëri. Më vjen shumë keq, por vazhdoj të jem i mendimit se me heshtjen zyrtare të qeverive shqiptare sa i përket kësaj çështjeje — ju po vazhdoni të mbroni krimet çnjerzore të ‘shqiptarit kundër shqiptarit’. Me heshtjen tuaj zyrtare ndaj krimeve komuniste po vazhdoni t’a identifikoni veten, si liderë të vendit e të Kombit që jeni — jo me viktimat e pafajshme të regjimit komunist — por me mbeturinat e atij morali komunist që duan të përjetësojnë, duke mbrojtur si të justifikueshme, krimet dhe të këqiat e ideologjisë komuniste sllavo-aziatike. Me heshtjen tuaj ju po mbroni dhe ruani të kaluarën komuniste kriminale si dhe trashëgiminë dhe pasojat e komunizmit të regjimit diktatorial enverist në jetën e përditshme aktuale, politike, shoqërore dhe kulturore të vendit, duke filluar jo vetëm nga politika, por edhe në drejtësi, akademi, shkolla dhe universitete. Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan i kishte shpallur luftë perandorisë të së keqes të komunizmit (the evil empire). Vetëm në Shqipëri vazhdon të mbrohet trashëgimia e kësaj të keqeje!  

Një zhgënjim dhe një dështim moral e politik, i përmasave kombëtare I klasës politike të tranzicionit të ashtuquajtur “post-komunist”!

Prandaj, për autoritetet qeveritare dhe shtetërore të Republikës së Shqipërisë, (Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi), 22-23 gushti, 2024, Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, duhet të jetë dita që edhe Shqipëria më në fund dhe Kombi shqiptar, me vendim zyrtar, me propozim të qeverisë dhe me miratim të Kuvendit të Republikës, pozita dhe opozita, në këtë ditë t’i bashkohen Evropës demokratike – duke u përballur zyrtarisht me të kaluarën komuniste dhe me krimet e asaj ideologjie shkatërruese për Kombin shqiptar. Si pozita ashtu edhe opozita shqiptare, po të jenë të sinqertë me vetveten dhe me shqiptarët.  Nëqoftse e shikojnë veten në pasqyrë – duhet të vinë në përfundimin se as njëra as tjetra palë politike e Tiranës zyrtare kanë bërë shumë pak, për të qenë krenarë – në përputhje me vendet Evropiane — për dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit në Shqipëri dhe në trojet shqiptare në përgjithësi.  

Prandaj, edhe njëherë, ndërsa po afron 22-23 gushti, 2024, Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, le ta marrë vesh e gjithë bota shqiptare dhe e mbarë bota jo shqiptare, e sidomos ajo evropiane dhe amerikane, se e VËRTETA HISTORIKE, liria e plotë dhe demokracia e vërtetë në Atdheun e të parëve tanë ka qenë, është dhe mbetet një mision i shenjtë për ne. Si rrjedhim, ia vlen të përsërisim për të gjithë ata të cilët mund të mos e dinë se Shqipëria e sotme, e ashtuquajtur demokratike, megjithëse anëtare e Aleancës Euro-Atlantike, NATO, e që aspiron të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Evropian, është i vetmi vend ish-komunist i Evropës Lindore/Qendrore që: Nuk është distancuar, zyrtarisht, nga e kaluara e saj terroriste komuniste. Nuk është përballur, seriozisht, me të kaluarën e mjeruar komuniste. Tirana zyrtare, deri më sot, nuk ka dënuar, zyrtarisht, krimet e regjimit barbar-komunist terrorist të Enver Hoxhës në burgjet dhe kampet e përqendrimit anë e mbanë Shqipërisë, si ai i Porto Palermos. Dhe Kuvendi nuk ka  caktuar ende një ditë përkujtimore, kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës, me përjashtim të Rusisë putiniste.

Prandaj 22-23 gushti, 2024, Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare — duhet të jetë pra edhe dita që Shqipëria i bashkohet Evropës duke dënuar, ndër të tjera, zyrtarisht, krimet e komunizmit, duke u distancuar nga e kaluara komuniste dhe duke caktuar një ditë të kujtimit të viktimave të pafajshme të komunizmit – në përputhje me qendrimet demokratike, morale dhe politike të Evropës demokratike, pjesë e të cilës — predikojnë me fjalë —  se duan të bëhen me antarësim të plotë në Bashkimin Evropian. 

Frank Shkreli   

May be an image of 2 people and text

Hirësia e tij Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj takim me Kryetaren e Autoritetit të Dosjeve, Dr. Gentiana Sula.  Muajin e kaluar, Hirësia e tij Haxhi Dede Baba vizitoi arkivën e Autoritetit dhe plotësoi formularin për t’u informuar me dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për rreth 70 klerikë të këtij komuniteti të dënuar, burgosur dhe pushkatuar nga regjimi komunist.
A black and white text with red and blue colors

Description automatically generated with medium confidence

May be an image of 1 person, clarinet, flute and text

Filed Under: Mergata

Drejtësia, 75 milionë $ për familjen e studentit shqiptaro- amerikan që iu dha Molly në vend të Adderall

August 11, 2024 by s p

Përgatiti Rafael Floqi/

(MI)Një juri ka dhënë një dënim me 75 milionë dollarë për familjen e një studenti shqiptaro amerikan, i cili vdiq duke marrë atë që ai besonte se ishte Adderall, por në vend të kësaj ishte një stimul halucinogjen që iu dha nga tre djem të tjerë që regjistruan incidentin në Snapchat. Vendimi i dhënë të enjten në Gjykatën e Qarkut Wayne shënoi një hap kyç për familjen e Denis Prekës, një studenti 21-vjeçar nga Grosse Pointe Farms, i cili vdiq pasi gëlltiti drogën artificiale Molly në vitin 2019.

Preka ishte duke ndjekur Universitetin e Miçiganit në kohën e vdekjes së tij, sipas faqes së internetit të Fondacionit Denis Preka të krijuar nga familja e tij. Ai kishte studiuar më parë në Universitetin e Detroit Mercy dhe kishte planifikuar të ndiqte një karrierë në drejtësinë e biznesit. Vdekja e tij erdhi një ditë para ditëlindjes së tij të 22-të, sipas uebfaqes kushtuar atij.

“Ai ishte shumë i zgjuar, vlerësime akademike në të gjithë bordin,” tha Jamie Thom, njerku i Prekës. “Ai ishte një ëndërrimtar, por ishte pragmatik, ai punonte shumë. Ai ishte një djalë i veçantë dhe botës do t’i mungojë.” Denis Preka, i dyti nga e djathta, shfaqet me familjen e tij në një foto pa datë të siguruar nga avokati Mike Morse.

Vendimi i jurisë i së enjtes shënoi kulmin e një beteje ligjore shumëvjeçare, me familjen dhe avokatët që shprehën lehtësim përmes lotëve në një konferencë emocionale për shtyp të premten në mëngjes. Linda dhe Jamie Thom ngritën padinë për vdekje të padrejtë në vitin 2020 në emër të pasurisë së Prekës.

“Ky vendim simbolik ka sjellë një masë shërimi për familjen e Denisit dhe unë kam parë lehtësimin e tyre nga dora e parë,” tha avokati Mike Morse. Sipas dokumenteve të gjykatës, Preka kishte shkuar në shtëpinë e një miku të tij në Novi më 19 mars 2019, për të studiuar për një provim të nesërmen në mëngjes dhe kishte kërkuar që Adderall të ndihmonte për t’u përqëndruar. Prekës iu dha ajo që ai besonte se ishte Adderall, por në fakt ishte MDMA, e quajtur zakonisht Ecstasy, pretendon padia. “Ecstasy/MDMA vepron si një stimulues dhe halucinogjen, duke prodhuar një efekt energjik, shtrembërime të kohës dhe perceptimit dhe kënaqësi të shtuar të përvojave prekëse”, sipas faqes së internetit të DEA.

Preka më vonë filloi të vuante efekte anësore dhe në vend që ta ndihmonin, djemtë e tjerë filluan ta incizojnë me video dhe ta postojnë atë në Snapchat edhe pasi ai u bë “krejtësisht i paaftë” në një katin e korridorit të shtëpisë, pretendohet në padi. Sipas padisë, Preka ka vdekur gjatë natës, por 911 nuk është thirrur deri në orën 9 të mëngjesit.

Videoja e incidentit së shpejti do të bëhet publike dhe do të shërbejë si provë kryesore në këtë rast, tha Morse. Familja tha se një individ e regjistroi videon në rrjetet sociale dhe ia dha policisë.

Familjet duhet të jenë të vetëdijshme për rreziqet e përdorimit të drogës, veçanërisht kur shkolla kthehet në sesion këtë vjeshtë, tha Morse. “Ndërsa studentët përgatiten të kthehen në kolegj, ne duhet të theksojmë rreziqet e keqpërdorimit të drogës dhe rëndësinë e bërjes së zgjedhjeve të përgjegjshme,” tha Morse.

Linda dhe Jamie Thom i inkurajuan të rinjtë të nxisin miqësi personale, jo vetëm në mediat sociale, dhe kujtuan me dashuri shpirtin miqësor të Denis Prekës. “Ai ishte djali që gjithmonë kërkonte personin e vetmuar dhe u përpoq të krijonte një lidhje dhe ai kurrë nuk takoi një të huaj,” tha Jamie Thom. Familja po vazhdon legasinë e Prekës me Fondacionin Denis Preka, me synimin për të vendosur stola miqësie me Denisin në kampuset e kolegjeve lokale dhe për t’u ofruar studentëve të kolegjit udhëtime falas jashtë vendit. “Ai donte të bënte gjëra të mëdha, ai donte të ndihmonte dhe të punonte me fëmijët jo të privilegjuar që jetonin në Detroit,” tha Linda Thom. Rasti tani është nën shqyrtim nga Prokuroria e Qarkut Oakland, tha Morse.

https://www.fox2detroit.com/…/family-gets-75m-wrongful…

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 808
  • 809
  • 810
  • 811
  • 812
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT